Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 7 February 2026Main stream

Shqipëria, mbi mesataren e BE për energjinë e pastër

7 February 2026 at 17:33


Shqipëria renditet mbi mesataren europiane për përdorimin e energjisë së rinovueshme. Sipas të dhënave të Eurostat, 43.1% e energjisë totale të konsumuar në vend vjen nga burime të pastra, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është 25.2%.

Në krye të renditjes në Bashkimin Europian qëndrojnë vendet nordike. Suedia kryeson me 66%, e ndjekur nga Finlanda me 47%, Letonia me 45%, Danimarka me 44% dhe Estonia me 43% energji nga burime të rinovueshme në total.

Në fund të listës janë disa shtete të Europës Perëndimore. Irlanda renditet e fundit me 13%, e ndjekur nga Malta me 14%, Belgjika me 14.5%, Luksemburgu me 15% dhe Holanda me 16%.

Kur flasim vetëm për energjinë elektrike, panorama ndryshon. Në Bashkimin Europian, 47.5% e energjisë elektrike prodhohet nga burime të rinovueshme, ndërsa vende si Austria dhe Suedia afrohen ose kalojnë 90%, duke u mbështetur te uji dhe era.

Objektivi i Bashkimit Europian është ambicioz. Deri në vitin 2030, BE synon që 42.5% e energjisë totale të vijë nga burime të rinovueshme, një sfidë që kërkon investime të mëdha, sidomos në transport dhe ngrohje.

Të dhënat tregojnë se ndërsa Europa po ecën drejt energjisë së pastër, ritmet mbeten të ndryshme. Shqipëria përfiton nga burimet natyrore, por sfida e radhës është diversifikimi dhe ulja e varësisë nga karburantet fosile./Tv Klan

Before yesterdayMain stream

“Një popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, protesta kundër shtrenjtimit të rrymës - arrestohet një person

6 February 2026 at 13:12


E plotësuar: Qytetarët sot po protestojnë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, ndërkaq gjatë protestës është arrestuar një nga protestuesit.











“Një popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, protesta kundër shtrenjtimit të rrymës

“Nuk sakrifikojmë na për KEDS”, “Rryma nuk është luks”, “Një popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, janë mbishkrimet në pankarta që qytetarët mbajnë në duar gjatë protestës për të kundërshtuar mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë para objektit të KEDS-it.

Protestuesit në shenjë revolte kanë gjuajtur tymosës në drejtim të objektit të KEDS-it.


Ndërkaq kjo protestë është organizuar nga një grup aktivistësh nga Kolektivi Feminist dhe Përpjekja kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike.



Më poshtë Telegrafi ju sjellë fotografi të protestës të shkrepura nga fotoreporteri, Ridvan Slivova. /Telegrafi/

U kërkua 21% rritje, Rizvanolli: Rritja e çmimit të energjisë nuk është vendosur ende

4 February 2026 at 16:17


Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka reaguar lidhur me kërkesën e KESCO-s, e cila ka bërë kërkesë tek Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e tarifave për 21 për qind.

Rizvanolli është deklaruar se ende nuk ka vendim për rritjen e tarifave të energjisë elektrike, duke theksuar se lajmet e publikuara lidhen vetëm me kërkesën e furnizuesit dhe operatorëve, e jo me një vendim të marrë, raporton KosovaPress.

Ajo tha se vendimi eventual do të merret vetëm pasi ZRRE të publikojë raportin konsultativ, ndërsa do të analizojë atë dhe do të japë komentet e saj, ashtu si çdo vit.

“Së pari duhet theksuar se lajmi që është publikuar ka të bëjë me kërkesën e furnizuesit dhe operatoreve të tjerë, por nuk ka një vendim ende. Ndërsa duhet pasur parasysh disa zhvillime që janë objektive në sektor të energjisë që do të mund të kenë pasoja në këtë aspekt. Në Korporatën Energjetike të Kosovës vitin e kaluar kanë filluar investime në modernizim dhe rehabilitim që nuk janë bërë për 40 vite. Kjo do të thotë që për këto vite, vjet, sivjet dhe vitin e ardhshëm ne do të kalojmë një periudhë sfiduese, sepse blloqet duhet të ndalen, është e domosdoshme të ndalen për një kohë për disa muaj, në mënyrë që investimet të realizohen”, tha Rizvanolli.

Ajo shtoi se kjo është një sakrificë që duhet të bëjmë ne, për ne dhe gjeneratat e ardhshme.

“Është investimi i parë serioz që po bëhet në KEK pas 40 viteve...Kjo është një arsyeje pse vjet është dashur të importojmë më shumë, pra, ka arsyeje objektive pse importi është rritur, pse importi pritet të jetë i lartë edhe gjatë këtij viti, mirëpo edhe gjatë vitit të ardhshëm”, ka theksuar Rizvanolli.

Rizvanolli foli edhe për rritjen e importit të energjisë, duke e cilësuar atë si pasojë të zhvillimeve objektive në sektorin energjetik, veçanërisht investimeve në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Sipas saj, në KEK kanë filluar investime serioze në modernizim dhe rehabilitim, të parat pas 40 vitesh, çka ka bërë që blloqet të ndalen për disa muaj.

“Sa i përket kërkesës dhe vendimit eventual, ose sa i përket çmimit të tarifave të energjisë elektrike, do të shohim raportin konsultativ kur ZRRE do të publikojë atë, në këtë fazë nuk mund të themi asgjë,. ZRRE i vlerëson këto shpenzime që ata konsiderojnë që janë të arsyeshme”, ka thënë Rizvanolli.

Këto komente Rizvanolli i bëri gjatë ceremonisë së përurimit të investimeve në efiçiencë të energjisë në Shkollën e Mesme Ekonomike ‘Isa Boletini’ në Podujevë.

Ndërsa, një grup aktivistësh/esh, Kolektivi Feminist dhe Përpjekja, kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike, raporton KosovaPress.

Sipas njoftimit, protesta do të mbahet këtë të premte, duke nisur nga ora 13:00 pranë ndërtesës së KEDS-it, për të vazhduar më pas drejt Qeverisë së Kosovës.

KESCO ka bërë kërkesë tek Zyra e Rregullatorit për Energji për rritjen e tarifave për 21 për qind. ZRRE, është në proces të shqyrtimit të këtij aplikacioni. /Telegrafi/

Keqkuptimi i fundit rreth tarifave të energjisë - çfarë vendosi realisht ZRRE në mbledhjen e së hënës?

3 February 2026 at 12:35


Qindra mijëra konsumatorë dhe biznese në Kosovë, po përgatiten për mundësinë e një rritjeje të ndjeshme të çmimeve të energjisë elektrike për vitin 2026, pasi operatorët kryesorë të sektorit kanë dorëzuar zyrtarisht kërkesat e tyre te Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

E kur ndodhemi tek kjo temë që prek drejtpërdrejt xhepin e qytetarëve, dje në media u keqinterpretua mbledhja e parë për këtë vit e Bordit të ZRRE-së, duke u raportuar se kanë deklaruar se nuk do të ketë rritje të tarifave të energjisë.

Mirëpo kjo nuk ishte e saktë, në mbledhje u diskutua për tarifat e NEMO-s (Operatorit të Emëruar të Tregut të Energjisë), që nuk është furnizues i energjisë për qytetarët dhe që nuk është institucioni që u dërgon faturat qytetarëve.

Telegrafi raportoi drejt, duke bërë të ditur se ishte propozuar që tarifa e NEMO-s të mbetet e pandryshuar krahasuar me periudhën paraprake.

“ZRRE gjithashtu konfirmoi se tarifat e ALPEX - NEMO aplikohen vetëm për shërbimet ndaj anëtarëve të bursës” dhe me 5 vota për u aprovuan të hyrat dhe mbetën të njëjta tarifa për periudhën e propozuar nga departamenti i tarifave”, raportoi Telegrafi.

Ndaj keqinterpretimit të këtij vendimi reagoi edhe vetë ZRRE-ja duke thënë se raportimet për mosshtrenjtim të tarifave te energjisë elektrike nuk kanë të bëjnë me shtrenjtimin ose jo të tarifave të përgjithshme të gjithë konsumatorëve, por lidhën vetëm me tarifat e bursës ndërkombëtare të rrymës, ku Kosova dhe bizneset bëjnë shitblerjen e saj.

Kur u raportua shtrenjtimi i energjisë?

Më 29 janar është raportuar se tre operatorë energjetikë në Kosovë – KESCO, KOSTT dhe KEDS, kanë kërkuar rritje të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026.

Sipas dokumenteve zyrtare, kompania kryesore që furnizon energji elektrike me shërbim universal ka kërkuar një rritje prej afro 20–21 % të çmimeve të energjisë për vitin e ardhshëm, duke argumentuar se kostot operative janë rritur ndjeshëm dhe se sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm kërkon mjete financiare më të larta.

ZRRE ka bërë të ditur se çdo rritje do të aprovohet vetëm nëse konsiderohet e arsyeshme dhe në përputhje me ligjin.

Kur caktohen tarifat për konsumatorët?

Vendimi final mbi tarifat e reja për konsumatorët shpallet më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit të ardhshëm. ZRRE shqyrton dhe cakton tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët çdo vit.

Vitin e kaluar, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Sipas tarifave aktuale, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovat.

Kurse tarifat e lira që shfrytëzohen gjatë natës nga ora 23:00 deri në 08:00 të mëngjesit, konsumatorët për një kilovat paguajnë 3.88 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë. Ndërkaq, ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë paguajnë 7.28 centë për kilovat. /Telegrafi/

Gjermania ofron një milion euro shpërblim për informacion mbi sulmin në rrjetin elektrik të Berlinit

27 January 2026 at 13:52


Gjermania po ofron një shpërblim prej një milion eurosh për informacion që çon në arrestimin e militantëve të dyshuar të ekstremit të majtë, sulmi zjarrvënës i të cilëve shkaktoi një ndërprerje masive të energjisë në Berlin në fillim të këtij muaji, tha të martën ministri i Brendshëm.

Rreth 45,000 shtëpi dhe 2,200 biznese mbetën pa energji elektrike për gati një javë në mes të dimrit në jugperëndim të kryeqytetit gjerman. Ishte ndërprerja më e gjatë në qytet që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, transmeton Telegrafi.

Policia gjermane po kërkon anëtarë të "Vulkangruppe" (Grupi i Vullkaneve) të ekstremit të majtë, i cili mori përgjegjësinë për ndërprerjen në disa deklarata online. Grupi tha se qëllimi ishte të godiste industrinë e karburanteve fosile, jo të shkaktonte ndërprerje të energjisë.

Duke njoftuar shpërblimin, Ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt u zotua të "kundërpërgjigjej".

"Agjencitë tona të sigurisë do të përforcohen ndjeshëm në luftën kundër ekstremizmit të krahut të majtë. Mendoj se është e përshtatshme të nënvizohet serioziteti i situatës me një shpërblim të kësaj madhësie", tha ai.

Dobrindt tha se policia do të nisë një fushatë publicitare për të mbledhur informacione dhe për të reklamuar shpërblimin, duke përfshirë fletëpalosje dhe postera në sistemin e metrosë së Berlinit.

Grupi i vetëshpallur i Vullkanit ka qenë aktiv që nga viti 2011 dhe ka kryer sulme zjarrvënëse në dhe përreth Berlinit, sipas agjencisë së inteligjencës së brendshme të Gjermanisë.

Grupi mori përgjegjësinë për një sulm zjarrvënës në vitin 2024 që ndaloi prodhimin në fabrikën e makinave të Teslës në Berlin.

Ndërprerja e shkaktuar nga një zjarr që synonte një sërë kabllosh me tension të lartë, zbuloi qartë boshllëqe në sigurinë e infrastrukturës kritike në kryeqytetin gjerman në një kohë kur Berlini është i shqetësuar për sulmet sabotuese që vijnë nga Rusia.

Zyrtarët e Berlinit u kritikuan gjithashtu për shpejtësinë dhe shkallën e reagimit të tyre ndaj ndërprerjes së energjisë.

Për shumë vite, Gjermania është përballur me atë që zyrtarët e përshkruajnë si një fushatë ruse sabotimi, spiunazhi dhe dezinformimi që synon destabilizimin e vendit, një furnizues kryesor i mbështetjes ushtarake për Ukrainën dhe një qendër kyçe logjistike e NATO-s. Moska i ka mohuar akuzat.

Të martën, Dobrindt u zotua se dhoma e ulët e parlamentit, Bundestagu, këtë javë do të miratojë një ligj të ri për të mbrojtur më mirë infrastrukturën kritike.

Por drafti fillestar i legjislacionit është përballur tashmë me kritika nga disa në sektorin e energjisë dhe komunitetin e biznesit, si shumë burokratik për të qenë efektiv.

Disa kanë paralajmëruar gjithashtu se legjislacioni rrezikon të detyrojë transparencë të tepërt në lidhje me objektet jetësore të infrastrukturës, të cilat mund të shfrytëzohen nga aktorë keqdashës.

Dobrindt pranoi se "ne tashmë zbulojmë shumë informacion publik në lidhje me infrastrukturën tonë kritike". /Telegrafi/

ZRRE s’flet për kthim të bizneseve në shërbimin universal, “faza e re nga 1 prilli”

26 January 2026 at 07:15


Më 1 Prill do të nis “faza e radhës e daljes së konsumatorëve në tregun e hapur të energjisë elektrike”, tha Zyra e Rregullatorit për Energji, ndërsa nuk u përgjigj për kthimin eventual në Shërbimin Universal të bizneseve që u ka rënë numri i punëtorëve nën 50 ose qarkullimi vjetor nën 10 milionë euro.

Në Shoqatën e Prodhuesve, në anën tjetër, ankohen se ka rreth 1000 biznese që mbesin në tregun e hapur jashtëligjshëm, pa i përmbushur kriteretDuke u bazuar në dy kritere, nga 1 Qershori i vitit të kaluar rreth 1300 biznese të mëdha u nxorën në tregun e hapur të energjisë elektrike.

Sipas njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, konsumatorët komercialë me “më shumë se 50 punëtorë ose më shumë se 10 milionë euro qarkullim vjetor” u larguan nga Shërbimi Universal.

Përkundër që ka biznese që kanë pësuar ndryshime në raport me këto dy kritere, ato nuk janë kthyer në furnizimin me tarifa të rregulluara.

Në anën tjetër, ato që nuk i kanë përmbushur kriteret vitin e kaluar, por ndërkohë kanë tejkaluar numrin prej 50 punëtorësh ose 10 milionë eurosh qarkullim vjetor, vazhdojnë furnizimin me tarifa të rregulluara sikurse konsumatorët shtëpiakë.

Në një përgjigje për TV Dukagjini, Zyra e Rregullatorit për Energji foli vetëm për “fazën e radhës të daljes” në tregun e hapur.

“Procesi i përditësimit të listës së konsumatorëve sipas kritereve ligjore ende nuk ka filluar. Faza e radhës e daljes së konsumatorëve në tregun e hapur është planifikuar të nisë më 1 prill të këtij viti, dhe do të bazohet në të dhënat zyrtare që do të merren nga ATK-ja për këtë qëllim”, thuhet nga ZRRE.

Por, ZRRE-ja nuk u përgjigj për kthim në tarifa të rregulluara të bizneseve që kanë rënë në më pak se 50 punëtorë dhe më pak se 10 milionë euro qarkullim vjetor.

Teksa tha se ZRRE-ja ende nuk ka nxjerrë udhëzues të ri, pas shfuqizimit nga Gjykata Supreme, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve Kushtrim Ajvazi kërkoi qartësi para se të vazhdohet me procesin.

“Nuk është zbatuar vendimi i Gjykatës Supreme, ne kemi vazhduar me padi individuale për zbatimin e vendimit të Supremes dhe aktualisht po jep informata që kanë me dalë në tregun e lirë nga data 1 Prill! Cilat biznese kanë me dalë me 1 Prill? Ende nuk kemi udhëzues, thjeshtë është duke vazhduar ky sistem i pakuptimtë, që duhet të zgjidhet”, ka theksuar Kushtrim Ajvazi, kryetar i Shoqatës së Prodhueseve.

Në këtë kontekst, ai tha se “në bazë të kalkulimeve në aspektin ligjor janë mbi 1000 biznese që nuk e plotësojnë kriterin ligjor dhe janë nxjerrë në tregun e lirë”.

“T’i nxjerrim udhëzuesit. Ta dimë duhet me dalë? Kur kalkulohet numri i punëtorëve? Si kalkulohet numri i punëtorëve për kompani?! Sepse kemi pasë situata kur kompania ka angazhuar një apo dhjetë trajnerë gjatë vitit e janë deklaruar si punëtorë, e ka kaluar numrin 50 dhe ka hy automatikisht në tregun e lirë. Është e pakuptimtë. Nuk ka ende udhëzues, çka ndodhë tash me ata që nuk e kanë plotësuar kriterin e janë ende në tregun e lirë, a kanë me u kthye në tregun e rregulluar? As këtu nuk ka informata”, ka theksuar ai.

Rënia e eksportit, dobësimi në raport me konkurrencën dhe rritja e çmimeve, si pasojë direkte e kostos së rritur të energjisë elektrike nga dalja në tregun e hapur, sipas Shoqatës së Prodhuesve, janë disa prej pasojave të evidentuara deri tash.

Energjia elektrike e gjelbër - cilat vende të BE-së po e përdorin më shumë?

25 January 2026 at 23:50


Përdorimi total nga burimet e rinovueshme në të gjithë BE-në ka arritur pothuajse 50%, i nxitur nga energjia hidrike dhe, gjithnjë e më shumë, nga energjia diellore.

Austria kryeson BE-në për përdorimin e energjisë elektrike të rinovueshme, me pjesën më të lartë të energjisë që vjen nga burimet e gjelbra.

Sipas Eurostat, vendi u rendit i pari me një normë përdorimi të energjisë elektrike të gjelbër prej gati 90%, e rritur nga 16 hidrocentralet e saj.

Suedia vjen e dyta me 88%, e mundësuar kryesisht nga era dhe uji, ndërsa një vend tjetër nordik, Danimarka, vjen e treta me 80%, falë rrjetit të saj të gjerë të parqeve me erë në tokë dhe në det të hapur, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.

Norma dukshëm mbi 50% u regjistruan gjithashtu në Portugali (66%), Spanjë (60%) dhe Kroaci (58%), ndërsa Italia dhe Franca u renditën në gjysmën e poshtme, përkatësisht të 18-të dhe të 21-të në BE.

Përqindjet më të ulëta të përdorimit të energjisë elektrike të gjelbër u gjetën në Maltë (11%), Republikën Çeke (18%), Luksemburg (20.5%), Hungari dhe Qipro (24%).

Këto shifra mbulojnë të gjithë energjinë elektrike që vjen nga burime të rinovueshme, përfshirë atë të importuar nga jashtë.

Ndërkohë, bëhet e ditur se përdorimi i energjisë elektrike të gjelbër në të gjithë Bashkimin Evropian është rritur ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit.

Në vitin 2004, ajo përbënte vetëm 16% të konsumit total të energjisë elektrike. Rreth 10 vjet më vonë, kjo shifër u rrit në gati 29%, dhe sot qëndron në 47.5%.

A do ta kalojë energjia diellore, energjinë hidro - si burimi kryesor i energjisë elektrike të gjelbër?

Energjia e erës aktualisht përbën pjesën më të madhe të burimeve të rinovueshme të përdorura për të prodhuar energji elektrike, me 38% të totalit, e ndjekur nga energjia hidro me 26%.

Megjithatë, rritja më e shpejtë është energjia diellore, e cila shkoi nga vetëm 1% në vitin 2008 në mbi 23% në vitin 2024, me 304 TWh.

Eksperti i energjisë në Bruegel, Ben McWilliams, i tha ‘Europe in Motion’ se "është pothuajse e sigurt që energjia diellore do të kalojë energjinë hidro në vitet e ardhshme".

"Zhvilluesit vazhdojnë të ndërtojnë centrale diellore me një ritëm rekord, ndërsa vendosja e energjisë hidrike nuk rritet", tha ai, duke shtuar se sa më shumë panele diellore të instalojë Evropa, aq më mirë për sigurinë energjetike.

"Çdo panel i ri diellor zvogëlon varësinë nga nafta, gazi dhe qymyri, dhe këto varësi janë kërcënimet e vërteta për sigurinë energjetike evropiane", theksoi McWilliams.

Mbështetja e BE-së nga energjia diellore në Kinë nuk është një problem afatgjatë

Edhe pse shumica dërrmuese e paneleve diellore të instaluara në BE prodhohen në Kinë, McWilliams përjashtoi idenë se kjo e bën Evropën më të brishtë mes tensioneve gjeopolitike.

"Panelet diellore janë një stok jo një rrjedhë; pasi BE të ketë instaluar një panel nga Kina, ai është aty përgjithmonë", tha ai. "Nëse - për çfarëdo arsye - importet e paneleve diellore nga Kina ndalen, kjo thjesht do të ngadalësonte ndërtimin e paneleve të reja diellore dhe furnizimi do të rritej diku tjetër (përfshirë brenda vendit) gjatë një periudhe dy-tre vjeçare".

Sipas Solar Power Europe, aktualisht ka 166 kompani në BE aktive në zinxhirin fotovoltaik, ose të energjisë së dritës.

Shumica dërrmuese e tyre janë në Gjermani, megjithëse kapaciteti më i madh i energjisë diellore për frymë prodhohet në Holandë, me rreth 1,044 W në vit. /Telegrafi/

Grenlanda goditet nga ndërprerjet e energjisë elektrike dhe erërat e forta pas zbutjes së tensioneve në SHBA

25 January 2026 at 15:00


Kryeqyteti i Grenlandës, Nuuk, është përballur me një ndërprerje të gjerë të energjisë elektrike pasi erërat e forta shkaktuan një problem në transmetim, tha ndërmarrja shtetërore e shërbimeve, ndërsa ishulli Arktik përballet me pasojat e krizës së nxitur nga planet territoriale të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Rreth orës 22:30 të së shtunës, përdoruesit e mediave sociale filluan të raportonin një ndërprerje të papritur që ndodhi në të njëjtën kohë, raportoi gazeta e Grenlandës, Sermitsiaq.

Kompania e shërbimeve postoi në Facebook se erërat e forta në hidrocentralin kryesor të Buksefjordit kishin shkaktuar "një gabim në linjën e transmetimit", dhe se ata po punonin për të rivendosur energjinë me një impiant emergjence.

Furnizimet me ujë u prekën gjithashtu në disa zona, raportoi Sermitsiaq, si dhe lidhja me internetin, transmeton Telegrafi.

Energjia elektrike iu rikthye 75 përqind të popullsisë së qytetit prej rreth 20,000 banorësh deri në orën 3:30 të mëngjesit të së dielës, tha kompania e shërbimeve në një përditësim, duke u bërë thirrje njerëzve të jenë konservatorë në përdorimin e pajisjeve elektrike, ndërsa kompania vazhdonte të rifillonte punën.

Ndërprerja erdhi menjëherë pasi qeveria publikoi një broshurë me detaje rreth përgatitjes për fatkeqësi që i inkurajonte banorët e Grenlandës të ruanin ujë të pijshëm, ushqim, ilaçe, veshje të ngrohta dhe pajisje alternative komunikimi të mjaftueshme për të paktën pesë ditë.

Qeveria theksoi se udhëzimet nuk ishin një shprehje se një krizë ishte e afërt. Por Grenlanda, një territor gjysmë-autonom danez, është vënë në qendër të vëmendjes gjeopolitike për javë të tëra mes kërcënimeve në rritje të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për të pushtuar ishullin.

Trump duket se u tërhoq pjesërisht në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, duke pretenduar se kishte përjashtuar marrjen e Grenlandës me forcë.

Ai dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte kishin rënë dakord për një kornizë "afatgjatë" për një marrëveshje të ardhshme që përfshin Grenlandën dhe rajonin e Arktikut, tha presidenti.

Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, tha se pjesa më e madhe e marrëveshjes së supozuar ishte e paqartë, përfshirë edhe nëse Trump do të kërkonte kontrollin e territorit pranë bazave ushtarake amerikane, siç sugjeruan disa raportime.

“Nuk e di se çfarë ka në marrëveshje, apo në vetë marrëveshjen, për vendin tim”, tha Nielsen. /Telegrafi/

Ndërpritet energjia elektrike në kryeqytetin e Grenlandës

By: Elva
25 January 2026 at 09:35

Kryeqyteti i Grenlandës është në errësirë totale pas një ndërprerjeje të papritur të energjisë elektrike, duke lënë qindra familje dhe biznese pa furnizim me rrymë. Sipas kompanisë shtetërore të energjisë, Nukissiorfiit, ekipet teknike janë angazhuar menjëherë për të rivendosur furnizimin përmes sistemeve rezervë, ndërkohë që po punohet për të identifikuar shkakun e defektit. Autoritetet nuk […]

The post Ndërpritet energjia elektrike në kryeqytetin e Grenlandës appeared first on BoldNews.al.

Reduktimet e rrymës, LDK mban konferencë për media

22 January 2026 at 08:03


Vendi ditët e fundit është përballur me reduktime të energjisë elektrike, ndërsa lidhur me këtë sot Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do të mbajë një konferencë për media.

Ditë më parë lidhur me reduktimet e rrymës në Përballje Podcast ka falur Janina Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ymeri theksoi se reduktimet e fundit, të cilat kanë prekur edhe Prishtinën, tregojnë se situata është shumë më e rëndë sesa po paraqitet zyrtarisht.

“Kur reduktimet e energjisë e prekin edhe Prishtinën, që zakonisht është zonë e privilegjuar për shkak të institucioneve dhe QKUK-së, atëherë duhet me u pyet çka po ndodh me pjesët tjera të vendit”, tha ajo.

Ajo po ashtu ka ngritur dyshime të drejtpërdrejta për përfitime tregtare nga importi i energjisë elektrike, duke përmendur kompani konkrete dhe shifra financiare.

Ymeri tha se importuesi më i madh i energjisë elektrike në Kosovë është kompania NOA.

“Kush po përfiton? NOA sepse është importuesi më i madh i energjisë elektrike.... ", deklaroi Ymeri, shkruan Telegrafi.

Duke folur për reduktimet e rrymës, Ymeri kritikoi ashpër mungesën e reagimit institucional.

“As kryeministri dhe as ministria në detyrë nuk kanë pasur asnjë reagim deri tash”, deklaroi ajo.

Sipas saj, heshtja institucionale është veçanërisht shqetësuese në një kohë kur, siç tha, rreth 50 për qind e konsumit po mbulohet përmes importit të energjisë elektrike. /Telegrafi/

Turqia i afrohet edhe më shumë energjisë bërthamore, pasi reaktori i parë është 99% i përfunduar

21 January 2026 at 07:30


Turqia po i afrohet vazhdimisht qëllimit të saj për të prodhuar energjinë e parë elektrike nga energjia bërthamore, pasi reaktori i parë i centralit të saj të parë bërthamor është përfunduar në 99%, tha një zyrtar i lartë të hënën, ndërsa kryente inspektimet.

"Ne kryem inspektime në vendin e centralit bërthamor Akkuyu, ku ëndrra 70-vjeçare bërthamore e Turqisë po shndërrohet në realitet", ka thënë ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar në një postim në X, përcjell Telegrafi.

"Së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Rosatom, Alexey Likhachev, shqyrtuam në vend punën që po zhvillohet në dhomën e kontrollit - truri i reaktorit të parë, ndërtimi i të cilit është përfunduar në 99%. Më pas mbajtëm një takim gjithëpërfshirës për të diskutuar progresin e projektit", shtoi ai.

Projekti Akkuyu prej 20 miliardë dollarësh, i vendosur në provincën Mersin në jug të vendit, shquhet si gurthemeli i strategjisë së Turqisë për të diversifikuar furnizimet me energji dhe për të zvogëluar varësinë nga importi.

Pasi të jetë plotësisht funksional, termocentrali prej 4.8 gigavatësh (GW), me katër reaktorët e tij, pritet të gjenerojë rreth 10% të energjisë elektrike të Turqisë.

Bayraktar, si dhe drejtuesit e Rosatom, njoftuan më parë planet për vënien në punë të reaktorit të parë këtë vit.

"Si Turqi, qëllimi ynë është ta bëjmë energjinë bërthamore me zero emetime, të pandërprerë dhe miqësore me mjedisin, një nga burimet më të forta në ‘përzierjen energjetike’ të vendit tonë", vuri në dukje më tej Bayraktar.

Siç ka thënë ministri, "energjia bërthamore nuk është vetëm një mjet për gjenerimin e energjisë elektrike për ne; është gjithashtu çelësi i përparimeve teknologjike, zhvillimit ekonomik dhe shekullit të energjisë".

"Me këtë vizion të fortë, përveç moskufizimit të vetes në Akkuyu, ne do të përfshijmë termocentrale të reja të planifikuara për Sinop dhe Thrace, si dhe reaktorë të vegjël modularë (SMR), në portofolin tonë të prodhimit. Deri në vitin 2050, ne do ta rrisim kapacitetin tonë bërthamor në 20,000 megavat", ka thënë më tej ministri. /Telegrafi/

KEK: Njësia B2 rikthehet në operim, garanton stabilitetin me energji elektrike

20 January 2026 at 22:13


Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se Njësia B2 ka përfunduar me sukses procesin e sanimeve dhe ekzaminimeve të pajisjeve kryesore, në përputhje me planin dhe dinamikën e parashikuar.

Sipas njoftimit të KEK-ut, njësia është startuar me sukses dhe është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 20:26, duke garantuar vazhdimësinë e prodhimit dhe stabilitetin e sistemit.

“Ky rezultat dëshmon përkushtimin e KEK sh.a. për operim të sigurt, efikas dhe të qëndrueshëm të kapaciteteve prodhuese, si dhe aftësinë e ekipeve teknike dhe menaxhuese për të kryer ndërhyrje preventive dhe riparime të domosdoshme në kohë optimale”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.

KEK ka falënderuar stafin teknik dhe punonjësit për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar, duke theksuar se falë punës së tyre, rifillimi i operimit të Njësisë B2 u realizua pa vonesa dhe në përputhje me standardet më të larta operacionale.

Ndërkohë, të martën në mëngjes, një pjesë e vendit u përball me reduktime të energjisë elektrike.

Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike (KESCO) njoftoi se reduktimet u rikthyen për shkak të kushteve të vështira dimërore, temperaturave të ulëta dhe rritjes së konsiderueshme të konsumit të energjisë për ngrohje.

KOSTT: Nominimet e pamjaftueshme të KESCO rrezikojnë stabilitetin e sistemit

20 January 2026 at 09:07



KOSTT po përballet me vështirësi të jashtëzakonshme në balancimin e sistemit në kohë reale, si pasojë e devijimeve të mëdha ndërmjet energjisë së nominuar dhe kërkesës reale.

Kështu thuhet në një komunikatë nga ky institucion.

“Sot, më 20.01.2025, KESCO ka nominuar rreth 26.17% më pak energji sesa kërkesa reale, duke e çuar Zonën e Kontrollit KOSTT në jo balanca mesatare prej rreth 211 MW orë, ndërsa në disa orë këto jo balanca tejkalojnë 260 MW orë. Kjo situatë është e papranueshme dhe cenon stabilitetin e sistemit elektroenergjetik”, shkruan KOSTT transmeton Telegrafi.

KOSTT bën thirrje që nominimet të reflektojnë saktë kërkesën reale dhe të korrigjohen menjëherë, për të shmangur devijimet dhe për të ruajtur sigurinë e sistemit. Në këtë situatë, KOSTT është detyruar që të kërkojë aplikimin e kufizimit të ngarkesës, si masë e fundit për garantimin e operimit të sigurt, deri në përmirësimin e gjendjes./Telegrafi/.

QSUT: Jeta e pacientëve nuk u cenua në asnjë moment nga ikja e energjisë, aparaturat jetike në funksion

19 January 2026 at 22:55

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” informoi se sot në mbrëmje, për shkak të një defekti në linjën e furnizimit me energji elektrike të tensionit të lartë që furnizon Godinën A2 të QSUT, ka pasur një ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike.

Sipas QSUT-së falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë (UPS, Gjeneratorë), aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht, duke garantuar vijimësinë e trajtimit dhe duke mos u cenuar në asnjë moment jeta e pacientëve.

“Menjëherë, ekipet mjekësore, teknike dhe drejtuese janë vënë në gatishmëri të plotë, duke vepruar sipas protokolleve të sigurisë dhe duke ofruar çdo suport të nevojshëm, për garantimin e shërbimit shëndetësor si dhe duke marrë masat e nevojshme”, njoftoi QSUT.

QSUT siguroi qytetarët se situata është menaxhuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm dhe se institucioni mbetet në gatishmëri të plotë, për të përballuar çdo situatë, në funksion të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës së pacientëve.

QSUT njoftoi se ka ngritur menjëherë grupin e punës për verifikimin e situatës.

Mbrëmjen e sotme, për shkak të një problemi në linjën 110kV të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), mbetën pa energji elektrike disa zona në Tiranë.

/m.q/j.p/

The post QSUT: Jeta e pacientëve nuk u cenua në asnjë moment nga ikja e energjisë, aparaturat jetike në funksion appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reduktimet e rrymës, Ymeri: Heshtja e kryeministrit dhe ministres tregon problem serioz

17 January 2026 at 10:05


Janina Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se reduktimet e energjisë elektrike, të cilat së fundmi kanë prekur edhe Prishtinën, janë dëshmi e qartë e një krize serioze dhe e një kolapsi energjetik në vend, të shoqëruar me mungesë reagimi nga institucionet përgjegjëse.

Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Ymeri tha se Prishtina zakonisht konsiderohet zonë e privilegjuar për shkak të pranisë së institucioneve shtetërore, QKUK-së dhe funksioneve kyçe publike.

“Kur ka pasur reduktime edhe në Prishtinë, që është zonë e privilegjuar sepse i ka institucionet publike, QKUK-në dhe funksionet kyçe të vendit, atëherë duhet me u pyet çka po ndodh me qytetet tjera”, deklaroi Ymeri, shkruan Telegrafi.



Ajo shtoi se nga reagimet që ka marrë nga qytetarët, situata në komunat tjera është edhe më e rëndë.

“Po flas edhe nga komentet që i marr prej njerëzve, prej Ferizajt e deri te zonat më rurale, ku gjendja është edhe më keq”, u shpreh ajo.

Sipas Ymerit, fakti që reduktimet kanë prekur edhe kryeqytetin tregon se problemi është thelbësor dhe jo i rastësishëm.

Deputetja e zgjedhur e LDK-së theksoi se kjo gjendje është paralajmëruar prej kohësh dhe tani po manifestohet hapur.

“Kjo e tregon atë që po e themi prej një kohe të gjatë – është kolaps energjetik, vetëm se tash vetëdija është manifestu edhe në kushte dimri”, deklaroi Ymeri.

Ajo theksoi se përgjegjësia nuk duhet t’u bartet punëtorëve teknikë, të cilët sipas saj janë nën presion të madh.

“Nuk duhet me ua lënë fajin zyrtarëve teknikë. Me të ra dy blloqe prej pesë është shumë, por kjo vjen si pasojë e vendimeve dhe mosveprimeve të instancave qeveritare”, tha ajo.

Në këtë kontekst, Ymeri kritikoi ashpër mungesën e reagimit institucional.

“As kryeministri dhe as ministria në detyrë nuk kanë pasur asnjë reagim deri tash”, deklaroi ajo.

Sipas saj, heshtja institucionale është veçanërisht shqetësuese në një kohë kur, siç tha, rreth 50 për qind e konsumit po mbulohet përmes importit të energjisë elektrike.

“Kur importohet gjysma e konsumit dhe kjo pranohet si normale, atëherë problemi është shumë më i thellë”, përfundoi Ymeri. /Telegrafi/


Subvencion për sistemet e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike, Ministria e Ekonomisë thotë se aplikimi është i hapur

16 January 2026 at 15:49


Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se "Thirrja Publike për Skemën e Granteve për Energji të Pastër" është e hapur deri më 31 janar.

Sipas një njoftimi për media lejohet aplikimi për subvencion për sistemet e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike, edhe në rastet kur aplikuesi ka një sistem solar fotovoltaik ekzistues, të instaluar prapa njehsorit (behind the meter) ose sipas rregullës për vet-konsumatorët (prosumatorët).

"Subvencionimi bëhet në bazë të kapacitetit të instaluar të sistemit të baterive, sipas konfigurimit teknik të paraqitur në aplikim. Thirrja nuk përcakton kufizim të drejtpërdrejtë për kapacitetin (kWh) të baterive dhe kufizimi zbatohet vetëm në vlerën maksimale të mbështetjes financiare, sipas kushteve të përcaktuara në thirrje”, thuhet në njoftim.

Aplikuesit ftohen të konsultojnë dokumentin i cili mund t’ju ndihmojë gjatë përgatitjes së aplikimit.

Dokumenti me “Përgjigje për pyetjet më të shpeshta në lidhje me grant skemën për energji të pastër”: https://me.rks-gov.net/.../PERGJIGJE-PER-PYETJET-ME-TE...

Afati i fundit për aplikim: 31.01.2026

Për më shumë informacion mbi mënyrën e aplikimit dhe detajet e thirrjes, ju lutem shikoni linkun: https://kiesa.rks-gov.net/Page.aspx?id=1,5,1021, ndërsa aplikimi bëhet përmes platformës eKosova: https://ekosova.rks-gov.net/

Zelensky do të shpallë gjendje të jashtëzakonshme për sektorin e energjisë në Ukrainë

14 January 2026 at 20:58


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi të mërkurën se do të shpallë gjendje të jashtëzakonshme për sektorin energjetik të vendit për shkak të kushteve ekstreme të motit dhe sulmeve ruse që kanë lënë pjesën më të madhe të Kievit pa energji elektrike.

“Do të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për sektorin energjetik të Ukrainës”, tha Zelensky në një deklaratë në platformën sociale amerikane X pas një takimi.

Ai shtoi se pasojat e sulmeve ruse dhe “përkeqësimit të kushteve të motit” janë të rënda, ndërsa autoritetet po punojnë pa ndërprerje për të rikthyer energjinë elektrike dhe ngrohjen.

Zelensky theksoi se do të krijohet një qendër koordinimi e përhershme për të adresuar situatën në Kiev dhe se ka ngarkuar ministrin e energjisë të “mbikëqyrë punën për të mbështetur njerëzit dhe komunitetet në këto kushte, si dhe për të trajtuar çështje praktike”.

Ai tha se po punohet për të rritur “ndjeshëm” vëllimin e importit të energjisë elektrike në Ukrainë, dhe gjithashtu ka ngarkuar qeverinë me përgatitjen e një rishikimi të rregullave të orës policore “për këtë mot jashtëzakonisht të ftohtë”. /AA/

PDK akuzon Qeverinë Kurti për krizën energjetike, Mustafa: Do të inicojmë komision hetimor

14 January 2026 at 17:31


Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa ka thënë se kriza energjetike që e ka kapluar vendin dhe reduktimet e shpeshta ditëve të fundit, janë rezultat i keqmenaxhimit të sektorit të energjisë nga Qeveria Kurti.

Mustafa, në një konferencë për media, theksoi se barra e këtij dështimi po bie në kurriz të mijëra familjeve dhe bizneseve, të cilat ndonëse po i paguajnë faturat me çmime të larta, kanë mbetur pa furnizim të qëndrueshëm dhe pa siguri energjetike.

“Kosova sot po përballet me një krizë serioze energjetike, të shoqëruar me reduktime të shpeshta të energjisë elektrike në të gjithë territorin e saj. Është tërësisht e papranueshme që qytetarët e Kosovës të përballen me errësirë, mungesë të ngrohjes dhe pasiguri të madhe në dimër, në kohën kur nevoja për energji elektrike është më e madhe se kurrë, e kur siguria dhe stabiliteti janë jetike. Kjo krizë nuk ka ardhur rastësisht. Kjo krizë është pasojë direkte e një keqmenaxhimi pesëvjeçar, të papërgjegjshëm dhe pa vizion, të sektorit të energjisë nga kjo Qeveri”, tha ai.

PDK shpreh solidaritet të plotë me të gjithë qytetarët e Kosovës, që këto ditë janë duke u përballur me reduktime në temperatura të ulëta të dimrit, me pasiguri në furnizim dhe me kosto të papërballueshme.

“Përveç dështimit për të siguruar prodhim të mjaftueshëm vendor të energjisë elektrike, Kosova është detyruar të rrisë ndjeshëm importin e energjisë, i cili po realizohet me çmime jashtëzakonisht të larta dhe në dëm të interesit publik”, tha Mustafa.

Mustafa kërkoi nga Qeveria e Kosovës të mos arsyetohet për këtë gjendje alarmante, por të marrë veprime të menjëhershme, për tejkalimin e saj.

“Kërkojmë masa emergjente për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike, transparencë të plotë për kontratat e importit dhe prezantimin e një plani të qartë, serioz dhe të besueshëm për garantimin e sigurisë energjetike të vendit. Është po ashtu e shqetësuese dhe e papranueshme që një sektor që për pesë vite me radhë është shoqëruar me afera dhe skandale të njëpasnjëshme, me dyshime serioze për korrupsion të madh, të mos përballet asnjëherë me llogaridhënie, por ta gëzojë vazhdimisht mbrojtjen politike të Qeverisë”, shtoi ai.

Mustafa paralajmëroi se me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, PDK do të kërkojë themelimin e një komisioni të ri parlamentar, me mandat të qartë dhe gjithëpërfshirës, për hetimin e të gjitha aferave, dyshimeve për keqpërdorime dhe keqmenaxhimit të thellë të sektorit të energjisë gjatë viteve të fundit.

“Qëllimi ynë është i qartë: zbardhja e të vërtetës, përcaktimi i përgjegjësisë politike dhe institucionale, dhe garantimi i transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve të Kosovës. Kosova ka nevojë për përgjegjësi, kompetencë dhe vizion. Qytetarët meritojnë ngrohje në këto ditë të ftohta dhe siguri në furnizim, jo kriza të pafundme dhe justifikime boshe”, theksoi ai.

KOSTT: Stabilizohet furnizimi me energji pas rritjes së prodhimit nga KEK

14 January 2026 at 16:09


Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike (KOSTT) ka njoftuar se gjendja në sistemin elektroenergjetik të vendit është normalizuar dhe stabilizuar, pas ndërmarrjes së masave të koordinuara për balancimin e ngarkesës dhe përmirësimin e parametrave të furnizimit me energji.

Sipas KOSTT-it, një rol kyç në stabilizimin e situatës ka pasur Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.), e cila ka ndërmarrë veprime të shpejta dhe efikase duke rritur prodhimin vendor të energjisë elektrike.

"Kjo masë ka garantuar vazhdimësinë e furnizimit, stabilitetin e sistemit dhe integritetin e rrjetit elektroenergjetik", thuhet në njoftim.

KOSTT ka bërë thirrje që të gjitha palët pjesëmarrëse në tregun e energjisë të respektojnë rregulloret operative dhe obligimet kontraktuale, me qëllim të sigurimit të një operimi të qëndrueshëm, të sigurt dhe të optimizuar të rrjetit.

Po ashtu, KOSTT ka bërë të ditur se do të mbetet në gjendje të gatishmërisë operative, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur stabilitetin dhe performancën e sistemit, në përputhje me kompetencat ligjore dhe përgjegjësitë operative.

Ndryshe, sot gjatë ditës ka pasur reduktime të energjisë elektrike në gjithë vendin.

KESCO në një njoftim për media kishte theksuar se sistemi elektro-energjetik është duke u përballur me një situatë të jashtëzakonshme, si pasojë e rritjes së ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike, e cila aktualisht nuk mund të mbulohet plotësisht nga prodhimi vendor.

“Për shkak të kësaj rritjeje, KESCO është e detyruar të sigurojë rreth 50% të energjisë elektrike përmes importit, në kushte shumë të vështira të tregut rajonal dhe ndërkombëtar", njoftoi KESCO./Telegrafi/

Reduktimet e energjisë, reagon DHTIK: Po rrezikohen bizneset në vend

14 January 2026 at 14:31


Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DHTIK) ka shprehur shqetësimin e thellë për situatën e rënduar të furnizimit me energji elektrike, duke paralajmëruar humbje serioze për qindra biznese në vend.

Sipas DHTIK, përkundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike për 16.1% dhe daljes së detyruar në tregun e hapur të energjisë të rreth 1,300 bizneseve, gjendja e furnizimit është përkeqësuar ndjeshëm.

“Bizneset po paguajnë shumëfish për energji elektrike, ndërkohë, furnizimi nuk është as i sigurt dhe as i qëndrueshëm”, thuhet në reagimin e DHTIK-së.

Ndërprerjet e shpeshta dhe të paplanifikuara të energjisë kanë sjellë pasoja të rënda për sektorin privat.

DHTIK njofton se këto ndërprerje kanë shkaktuar pamundësi të funksionimit normal të bizneseve, rritje të kostove të prodhimit, humbje të orëve të punës dhe dëme në pajisjet teknologjike dhe linjat e prodhimit.

“Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të DHTIK-së, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret nga institucionet përgjegjëse për të përmirësuar sigurinë e furnizimit me energji për bizneset”, thuhet në reagim.

DHTIK bën thirrje urgjente që të ndërmerren masa për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë, duke theksuar.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë u bën thirrje urgjente të gjithë akterëve të sektorit energjetik që të ndërmarrin masa emergjente për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë me energji elektrike për bizneset, si dhe të fillojnë procedurat për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga ndërprerjet”, theksohet më tej në reagim.

Gjithashtu, DHTIK kërkon që institucionet qendrore të reagojnë menjëherë pa vonesë për të dalë nga kjo situatë, e cila rrezikon seriozisht stabilitetin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e bizneseve. /Telegrafi/

❌
❌