Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 December 2025Main stream

Aksion i gjerë në Tiranë/ Goditen rastet e trafikut të drogës, 22 të arrestuar

24 December 2025 at 15:12

TIRANË- Policia e Tiranës ka arrestuar 22 persona, të cilët merreshin me trafikun e lëndëve narkotike.

Sipas policisë, të arrestuarit janë: Renaldo Dalipi, Engelbert Pjetri, Armandi Hajdini, Olsi Mici, Fatjon Cela (Çela), Xhon Boci, Laert Murataj, Artan Pullazi, Erald Sina, Blerim Mali, Gentjan Vercani, Valerjos Bushi, Olkid Hajdari, Dylber Alijaj, Angjelos Mema, Majdi Musa, Jurgen Hekurani, Erdison Gjella, Abdurahman Bollati, Klodian Rrucaj, Indri Nakaj dhe Genti Kraja.

Gjatë aksionit u sekuestruan 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë; 10 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 100 doza të kësaj lënde; 5 automjete; 28 celularë; 6 peshore elektronike dhe 3 000 euro.

Më herët janë arrestuar gjatë operacioneve të mëparshme 5 shtetas ndërsa vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të tjerë të identifikuar si pjesë e këtij grupi kriminal./abcnews.al

Macron dënon kufizimet e vizave të SHBA: Janë akte frikësimi dhe shtrëngimi

24 December 2025 at 13:09

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka dënuar masat e kufizimit të vizave të vendosura nga SHBA-ja ndaj ish-komisionerit të BE-së, Thierry Breton dhe katër figurave të tjera evropiane, duke i quajtur ato akte “frikësimi dhe shtrëngimi”.

“Franca dënon masat e kufizimit të vizave nga SHBA-ja kundër Thierry Breton dhe katër figurave të tjera evropiane. Këto masa përbëjnë frikësim dhe shtrëngim që synojnë minimin e sovranitetit digjital evropian,” tha Macron në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

Macron theksoi se rregullat digjitale të BE-së u miratuan përmes një “procesi demokratik dhe sovran” nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian dhe ato zbatohen brenda Evropës për të siguruar konkurrencë të drejtë midis platformave digjitale.

Ai tha se rregulloret nuk shënjestrojnë asnjë vend të tretë dhe janë hartuar për të garantuar që ajo që është e paligjshme jashtë internetit është e paligjshme edhe në internet.

“Rregullat që qeverisin hapësirën digjitale të BE-së nuk kanë për qëllim të përcaktohen jashtë Evropës”, tha Macron.

Presidenti francez tha se vendi i tij do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Komisionit Evropian dhe partnerëve evropianë për të mbrojtur sovranitetin digjital dhe autonominë rregullatore të bllokut.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se SHBA-ja vendosi kufizime vizash për pesë individë të akuzuar për udhëheqjen e përpjekjeve të organizuara për të detyruar platformat të censurojnë “pikëpamjet amerikane”.

San Antonio mund kampionët/ Oklahoma u mposht thellë në NBA, me shifrat 130-110

24 December 2025 at 12:59

Nuk përfaqësohen vetëm nga një emër. Viktor Uembanijama vërtet është një nga zbulimet më të mëdha në historinë e basketbollit amerikan, por San Antonio ofron shumë më tepër se kaq.

Skuadra që ka dalë pesë herë kampione e NBA-së me ish-trajnerin Greg Popoviç, dhe një seri legjendash, mundi thellë kampionen në fuqi, Oklahomën.

Disfata e katërt këtë sezon e Thandërsve ishte më e thella, me shifrat 130-110, dhe Uembanijama luajti vetëm 23 minuta, duke e nisur nga stoli, e duke shënuar 12 pikë, kapur 5 topa në tabela e shërbyer 3 asiste.

Nuk është pak, pasi mungoi për 12 ndeshje dhe në 6 sfidat e fundit e nisi si rezervë.

Xhonson me 25 pikë, Kastëll me 24, Barns me 20 dhe Vasëll me 17 ishin protagonistët kryesorë për Spërsat që arritën fitoren e shtatë radhazi, dhe tani u ngjitën në vendin e dytë në Konferencën Perëndimore.

Nuk është pak që e kanë mundur dy herë radhazi Oklahomën.

Kampionëve nuk u mjaftoi më I miri I NBA-së sezonin e kaluar, Shej Gilgës Aleksandër, ndonëse shënoi 33 pikë, dhe e vazhdoi serinë prej mbi 100 ndeshjesh me të paktën 20 pikë të realizuara.

Senegal konfirmohet si favorit/ “Luanët e Terrangës” e nisën me triumf Kupën e Afrikës

24 December 2025 at 12:56

Pas Egjiptit, cilësohet si kandidati kryesor për titullin. Senegali e ka fituar vetëm një herë Kupën e Kombeve të Afrikës, por forca e këtij ekipi, përbërja e tij, e bëjnë të rrezikshëm.

Të mbiquajturit “Luanët e Terrangës” e nisën edicionin me sukses duke mundur Botsvanën 3-0. Në fushë ishin portieri Mendi, kapiteni Kulibali, vëllezërit Geje, Sadio Mane dhe sulmuesi I Çelsit, Nikolas Xhekson.

Pikërisht ky I fundit, Xhekson, ishte heroi duke shënuar dy nga golat. Kjo ndodhi në 40’ dhe 58’, pra mund të thuhet se vendosi fatin e përballjes.

Golin e tretë e realizoi Sherif Ndiaje në minutën e fundit. Senegali nuk diskutoi asgjë dhe pati epërsi tepër të thellë.

E gjithë ndeshja u luajt me një portë, me 22 gjuajtje nga fituesit, nga të cilat 13 në kuadrat, ndërsa Botsvana provoi të gjuante vetëm dy herë, por nuk e gjeti asnjëherë portën.

Edhe disa nga skuadrat e tjera të njohura të kontinentit e nisën Kupën e Afrikës me fitore. Nigeria, Tunizia dhe Republika Demokratike e Kongos ia dolën që të treja.

Vdes futbollisti gjerman/ Sebastian Hertner u rrëzua nga 70 metra lartësi në Mal të Zi

24 December 2025 at 12:51

Ishte vërtet tepër I ri. Mosha 34-vjeçare mund të jetë disi e shtyrë për futbollin, por aspak për jetën e një njeriu, veçse ndodh ndonjë fatkeqësi që e ndërpret në mes. Kjo tragjedi I ngjau futbollistit gjerman, Sebastian Hertner, i cili humbi jetën në një aksident në një teleferik në Mal të Zi.

Hertner, i cili këtë sezon luante në kategorinë e pestë gjermane për ekipin ETSV Hamburg, ndodhej si turist në veri të Malit të Zi, në Parkun e famshëm Natyror të Durmitorit.

Siç njofton e përditshmja malazeze “Vijesti”, ai humbi jetën sepse kabina e teleferikut pranë stacionit “Savin Kuk 2” ku ndodhej ai u përplas për shkak të një defekti me një kabinë tjetër që ishte bosh, dhe u këput e u rrëzua nga 70 metra lartësi.

Gruaja e tij u plagos rëndë.

Klubi amator I Hamburgut nxori shpalljen e zisë për vdekjen e kapitenit të ekipit.

Sebastian Hertner luajti 5 ndeshje për Gjermaninë U19, ishte disa herë në Bundesligën e dytë gjermane me Darmshtatin, TSV 1860 Mynihun dhe ekipin tjetër, Ercgebirge Aue.

Daku, lojtari i gjashtë i vitit/ Ylli kuqezi dallohet në anketën e gazetës “Sport Ekspres”

24 December 2025 at 12:46

Nuk është vendas, nuk luan për një klub të madh të elitës, dhe kjo padyshim që ndikon. Edhe pse Mirlind Daku është një nga kandidatët më të fortë për Këpucën e Artë në Premier Ligën e Rusisë, ai nuk arriti më shumë se vendi I gjashtë në anketën e së përditshmes “Sport Ekspres” për Futbollistin e vitit në vendin e madh euroaziatik.

Sulmuesi I kombëtares shqiptare, autor i 9 golave në 16 ndeshje në kampionat, mori 28 pikë në votimin ku merrnin pjesë gazetarët, trajnerët dhe menaxherët e futbollit.

Lojtari I vitit në Rusi u zgjodh ylli i ri i Lokomotivës moskovite, Aleksei Batrakov, që mori 243 pikë.

Gjithsesi, Daku pati sukses sepse la pas emra të njohur në futbollin rus, ndërsa votimi përfshinte edhe ata që luajnë jashtë vendit.

Ylli I Monakos, Golovin, dhe portieri i Paris SG, Safonov, që u bë hero në finalen e Kupës Interkontinentale duke pritur 4 penallti, morën më pak pikë sesa shqiptari I Kosovës.

Sulmuesi Xhon Kordoba I kampiones Krasnodar, që ka shënuar një gol më pak sesa ai, u rendit në vend të tretë, ndërsa është I vetmi që mund të krahasohet me ritmin e rrjetave të Dakut, që kur ky mbërriti në Premier Ligën e Rusisë, duke shënuar vetëm një më shumë se Mirlindi.

Berisha vlen 6 milionë euro, rritje e rrufeshme për mesfushorin kuqezi në “Transfermarkt”

24 December 2025 at 12:43

Të ardhmen e ka të gjithën përpara dhe duket se do ta ketë të ndritshme. Kombëtarja shqiptare ka gjetur një mesfushor I cili në krah të Kristian Asllanit dhe Juljan Shehut do të krijojë një repart të hekur, ndërsa shpërblimi për formën e këtij sezoni I erdhi edhe në tregun e futbollit.

Medon Berisha sot vlen nga ana profesionale 6 milionë euro, ky është përcaktimi më I fundit I bërë nga agjencia e specializuar gjermane, “transfermarkt”.

Flitet për një rritje katër fish në krahasim me vlerën e fundit që “transfermarkt” dha për të në qershor të këtij viti.

E gjitha kjo në vetëm 6 muaj.

Natyrisht, çdo sukses e ka një arsye apo edhe më shumë, dhe për Berishën ndikoi forma shumë e mirë në fushat e Serisë A, duke u kthyer në një nga lojtarët kyç të Leçes.

Në 13 paraqitje gjithsej këtë sezon, ka dy gola dhe tre asiste, ndërsa është shpallur tri herë lojtari më I mirë I ndeshjes.

Në 80 për qind të sfidave ka qenë titullar, ndërsa është kursyer disi për minutazhin duke luajtur 65 për qind të kohës, për të mos rrezikuar ndonjë dëmtim.

Në krah të Berishës tek Leçe është edhe Ylber Ramadani, futbollisti tjetër I mesfushës së Shqipërisë.

Falë edhe kontributit të tyre, puljezët e kanë marrë veten dhe ndodhen në vendin e 14-të në Serinë A mes 20 ekipeve, për momentin 4 pikë mbi zonën që të zbret në Serinë B

Arsenal i falet penalltive/ Kupa e Ligës, “Topçinjtë” kanë derbi me blutë e Londrës

24 December 2025 at 12:41

Nuk është trofeu kryesor I sezonit. Gjithsesi, ky Arsenal dalë nga dalë po kthehet në skuadrën që kërkon të fitojë gjithçka në futbollin anglez, ndonëse më kryesorin, titullin, nuk e zotëron prej më shumë se 20 vitesh.

“Topçinjtë” patën një provë shumë të vështirë në çerekfinalen e Kupës së Ligës, në një derbi të vogël ndaj Kristël Palasit.

Edhe pse u luajt në stadiumin e tyre, “Emirejts”, në prani të mbi 61 000 tifozëve, pavarësisht epërsisë së plotë, sërish dueli u kthye në mallkim.

Raste të shumta u humbën, edhe pse Martineli dhe Madueke ishin fluturues nga krahët.

Edhe atëherë kur u duk se ishte fituar, doli një mirazh.

Lakrua shkaktoi autogol, dhjetë minuta para fundit, dhe Arsenali kryesoi, veçse thellë në kohën shtesë, në minutën e pestë të saj, Palas papritur barazoi.

Autori I golit ishte ylli I kombëtares së Anglisë, Mark Geji. Seria e penalltive në “Emirejts” ishte e gjatë, dhe 15 të tilla u ekzekutuan saktë.

Në njëmbëdhjetë metërshin e 16-të doli në skenë portieri spanjoll Kepa Arrizabalaga, I cili I priti penalltinë pikërisht Lakruasë, që pati një mbrëmje për t’u harruar bashkë me autogolin.

Në gjysmëfinale të Kupës së Ligës, Arsenali do të ketë derbin e madh ndaj Çelsit, ndërsa kryeson në Premier Ligë dhe në Champions

Zelensky publikon për herë të parë planin e paqes me 20 pika

24 December 2025 at 11:04

Plani i paqes, për të cilin Ukraina, SHBA dhe Rusia po diskutojnë tashmë për dy muaj, përbëhet nga 20 pika. Megjithatë, përveç dokumentit bazë, ka edhe shtesa të veçanta për fusha specifike, tha para gazetarëve presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Pra, aktualisht po diskutohet një draft i planit të paqes  një dokument politik mes Ukrainës, SHBA-së, Evropës dhe Rusisë.

Më poshtë një përmbledhje e shkurtër e propozimit:

Sovraniteti i Ukrainës – nuk është për diskutim; Pakt mos-agresioni me Rusinë plus monitorim përgjatë vijës së frontit;

Garancitë e sigurisë – çështja kryesore; Forcat e Armatosura të Ukrainës – 800 mijë trupa në kohë paqeje;

Rusia angazhohet ligjërisht për një politikë mos-agresioni ndaj Ukrainës dhe Evropës;

Anëtarësimi i Ukrainës në BE — me një datë të caktuar, jo “diku në të ardhmen”;

Fonde rindërtimi që arrijnë 800 miliardë dollarë;

Marrëveshje e shpejtuar për tregti të lirë me SHBA-në;

Centrali Bërthamor i Zaporizhzhias – pa kompromis. SHBA propozon menaxhim trepalësh; Ukraina ofron modelin 50–50 me amerikanët;

Programet arsimore në shkolla që promovojnë mirëkuptim dhe tolerancë ndaj kulturave të ndryshme dhe luftojnë racizmin dhe paragjykimet;

Territoret – pika më e vështirë;

Një opsion: Rusia të tërhiqet nga rajonet Dnipropetrovsk, Mykolaiv, Sumy dhe Kharkiv.

Në rajonet Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson — “qëndrojmë aty ku jemi.”

Rusia kërkon që Ukraina të tërhiqet nga rajoni i Donetskut; SHBA propozon një kompromis – një zonë e lirë ekonomike.

Nëse nuk arrihet marrëveshje për formulën “qëndrojmë aty ku jemi”, zona ekonomike e lirë mund të miratohet vetëm përmes një referendumi. Në atë rast, e gjithë dokumenti do të duhet të shkojë në referendum.

Rusia dhe Ukraina angazhohen të mos ndryshojnë marrëveshjet me forcë;

Rusia nuk ndërhyn në navigimin në lumin Dnipro dhe në Detin e Zi;

Këmbim të burgosurve “të gjithë për të gjithë”, kthim të civilëve, fëmijëve dhe të burgosurve politikë;

Ukraina duhet të mbajë zgjedhje sa më shpejt pas nënshkrimit të marrëveshjes;

Pasi të gjitha palët të bien dakord për marrëveshjen, hyn në fuqi një armëpushim i plotë menjëherë.

“Ekonomia shqiptare, në rritje”/ Raporti i FMN: Ndër vendet europiane me rritjen më të madhe

24 December 2025 at 10:29

SHQIPËRI– FMN vlerëson ecurinë e ekonomisë shqiptare. Në raportin vjetor te Fondit thuhet se Shqipëria ka një nga normat më të larta të rritjes në Evropë, inflacion të ulët, borxh publik në rënie dhe rezerva të forta valutore.

Duke u bazuar në këtë themel, qeveria shqiptare po përparon reforma të guximshme për të siguruar anëtarësimin në BE deri në vitin 2030.

Sipas FMN, Rritja ekonomike parashikohet të mbetet e fortë në 3.5 për qind këtë vit dhe 3.6 për qind në 2026.

Reformat e brendshme në kohë janë thelbësore për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe për të mbyllur boshllëqet reformuese me BE-në.

FMN thotë se çelësi për këtë do të jetë ruajtja e amortizatorëve fiskalë përmes mobilizimit të qëndrueshëm të të ardhurave, ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar përmes politikës monetare fleksibile./abcnews.al

 

Protesta e PD me molotov/ Gjykata e Tiranës cakton “detyrim paraqitje” për katër të arrestuarit

24 December 2025 at 13:15

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për katër protestuesit e Partisë Demokratike, të cilët u arrestuan në protestën e 22 dhjetorit.

Mbështetësit e PD hodhën molotov në drejtim të godinës së kryeministrisë si dhe u konfrontuan me efektivët e policisë.

Krahas arrestimeve, Policia ka proceduar disa persona të tjerë në gjendje të lirë./abcnews.al

 

Presidenti i Gjermanisë: Solidaritet me Ukrainën për Krishtlindje

24 December 2025 at 09:52

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë solidaritet me ukrainasit që po përballen me sulmet e vazhdueshme ruse, në mesazhin e tij zyrtar të Krishtlindjes të publikuar sot.

“Në Krishtlindje, ne forcojmë dhe ringjallim edhe një herë marrëdhëniet tona, lidhjet familjare dhe miqësitë”, tha Steinmeier.

“Mbështetja dhe solidariteti ynë nuk kufizohen vetëm tek ata që janë gjeografikisht pranë nesh. Ne mendojmë, për shembull, për popullin e Ukrainës, kundër të cilit Rusia po zhvillon luftë prej gati katër vitesh”, shtoi ai.

Presidenti gjerman vuri në dukje se shumë njerëz i kanë ndjekur përpjekjet e intensifikuara diplomatike për t’i dhënë fund luftës “me shpresë, por edhe me skepticizëm dhe shqetësim”.

Ai theksoi se evropianët duhet “të bëhen sërish të vetëdijshëm së bashku për forcën dhe vlerat tona dhe të veprojnë në përputhje me to”.

“Gjatë shekujve, kemi mësuar sa të rëndësishme, madje thelbësore, janë liria, dinjiteti njerëzor, një paqe e drejtë dhe vetëvendosja demokratike”, tha Steinmeier.

“Na duhet guxim për gjërat e mëdha që vendosim të bëjmë si shoqëri dhe për gjërat e vogla, ku secili prej nesh bën më të mirën e vet, në mënyrë që të jetojmë së bashku në paqe”, theksoi ai

Përmbytje masive në jug të Francës

24 December 2025 at 09:17

Reshjet e dendura të shiut pranë një qyteti në jug të Francës, Montpellier, kanë shkaktuar përmbytje të mëdha, për të cilat zyrtarët lokalë thonë se mund të jenë më të këqijat që kanë parë në 30 vitet e fundit.

Autoritetet lokale njoftuan se përmbytjet u shkaktuan nga shira të rrëmbyeshëm dhe se uji i ka përmbytur plotësisht rrugët. Edhe pse uji po tërhiqet gradualisht, paralajmërimet për kushtet e motit mbeten në fuqi deri më 24 dhjetor. Deri tani nuk janë raportuar viktima.

Gati 1000 shtëpi mbetën pa energji elektrike të hënën në mbrëmje në departamentin Herault në bregdetin jugor, përfshirë 520 në Montpellier, ku parqet, kopshtet, varrezat, kopshti zoologjik lokal dhe tregu i Krishtlindjeve mbetën të mbyllura. Linjat e transportit publik janë gjithashtu pjesërisht të mbyllura.

Nivelet më të larta të ujit në rajon u regjistruan në jug të Montpellierit, në qytetin bregdetar Agde, ku lumi Herault arriti mbi 3,3 metra, duke shkaktuar përmbytjet më të rënda që rajoni kishte përjetuar për herë të fundit në nëntor të vitit 1994.

Banorët lokalë publikuan pamje të shëtitoreve të përmbytura përgjatë brigjeve të lumit.

Shërbimi francez për paralajmërimin e përmbytjeve Vigicrues lëshoi alarm të kuq për përmbytje për departamentin Herault, si dhe alarme portokalli për departamentet përreth Aveyron, Lozere dhe Tarn.

Norvegjia prezanton një test gjaku për të zbuluar ndryshimet në tru të lidhura me alzheimerin

24 December 2025 at 08:22

Norvegjia për herë të parë ka filluar të përdorë analizat e gjakut për të zbuluar ndryshimet në tru të lidhura me sëmundjen Alzheimer, raportoi të martën transmetuesi publik norvegjez NRK.

Testet, të cilat tani janë të disponueshme në spitale për pacientët që shfaqin simptoma njohëse, matin nivelet e një proteine ​​të lidhur me sëmundjen Alzheimer.

Një studim i kohëve të fundit i udhëhequr nga Spitali Universitar i Stavanger analizoi mbi 11.000 mostra gjaku nga njerëz të moshës 57-vjeç e lart.

Rezultatet treguan se një në tre norvegjezë mbi 70-vjeç kanë ndryshime në tru të lidhura me sëmundjen Alzheimer, me më shumë se 60 për qind të atyre mbi 90-vjeç të prekur.

Ekspertët thanë se analiza e gjakut ofron një alternativë më të thjeshtë dhe më pak invazive ndaj metodave të mëparshme, të cilat kërkonin ndërhyrje kurrizore.

Po bëhen plane për ta bërë testin të arritshëm përmes mjekëve të përgjithshëm, duke përmirësuar potencialisht zbulimin e hershëm dhe kujdesin parandalues.

Ilaçe të reja që synojnë ngadalësimin e përparimit të Alzheimerit, të tilla si Leqembi dhe Kisunla, pritet të vlerësohen së shpejti në Norvegji, megjithëse kostoja dhe administrimi në spital mbeten sfida.

Yesterday — 23 December 2025Main stream

Konfiskohen 3 milionë euro pasuri në Gjirokastër

23 December 2025 at 14:38

Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër, konfiskoi tre milionë euro pasuri, pasi nga hetimet rezultoi se pronari nuk justifikonte dot burimin e të ardhurave.

Lista e pasurive të sekuestruara: 

– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 350m2, me vendndodhje në qytetin Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 1500m2 dhe ndërtim 23 m2 me vendndodhje në Lazarat, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 450 m2, me vendndodhje në Grehot, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 1646 m2 me vendndodhje në Grehot, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Arë” me sipërfaqe 7000 m2 me vendndodhje në fshatin Arshi Lengo, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Banesë” me sipërfaqe 120 m2 ndërtim, dhe pasuria e llojit “Sipërfaqe sheshi” 600 m2 me vendndodhje në Lazarat;

– Pasuria e llojit “Karburant” me sipërfaqe 148 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Ndërtesë e zyrave dy-katëshe” me sipërfaqe 69 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Lokal” me sipërfaqe 94 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Magazinë” me sipërfaqe 437 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Magazinë” me sipërfaqe 98 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Magazinë” me sipërfaqe 542 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Vendroje” me sipërfaqe 5 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Nyje betoni” me sipërfaqe 55 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Vend afrimi i materialeve të ngurta” me sipërfaqe 424 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 2224 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër; dhe

– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 1608 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, shpreh angazhimin e plotë për hetimin me prioritet të procedimeve pasurore si dhe për sekuestrimin/konfiskimin e pasurive në zbatim të ligjit Nr.10192, datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit dhe Korrupsionit nëpërmjet Masave Parandaluese Kundër Pasurisë”.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, shpreh angazhimin e plotë për vijimin e hetimeve të grupveprave që lidhen me pasurimin e paligjshëm nëpërmjet marrjes së masave për sekuestrimin dhe konfiskimin e tyre.

 

 

SHBA, Trump zbulon planet për të ndërtuar anije të reja luftarake me emrin e tij

23 December 2025 at 14:25

Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi planet për të ndërtuar anije të reja luftarake për Marinën Amerikane.

“Ato do të jenë më të shpejtat, më të mëdhatë dhe deri tani, 100 herë më të fuqishme se çdo anije luftarake e ndërtuar ndonjëherë”, tha Trump, duke folur në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida.

Presidenti i SHBA-së bëri njoftimin së bashku me sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe sekretarin e Marinës John Phelan.

Trump tha se ndërtimi do të fillonte me dy anije, me flotën që përfundimisht do të zgjerohej në deri në 25 anije.

Anijet do të mbajnë emrin e presidentit.

Trump tha se projekti kishte për qëllim të mbështeste industrinë vendase dhe të siguronte që bota të tregonte respekt për Shtetet e Bashkuara.

Duke qëndruar përpara grafikëve të mëdhenj që përshkruanin anijet në skenarë luftimi, ai iu referua flotës së planifikuar si një “Flotë e Artë”, në përputhje me premtimin e tij për një “Epokë të Artë” për Shtetet e Bashkuara në fillim të mandatit të tij të dytë.

Administrata Trump është përpjekur të riemërtojë ushtrinë amerikane duke e shtuar retorikën e saj.

Në terma të politikës së sigurisë, administrata ka përqafuar në mënyrë të qartë një strategji të “paqes përmes forcës”.

Trump tha se shpresonte që anijet e reja nuk do të kishin nevojë të përdoreshin kurrë.

“Paqe me ndërtuesit nuk ka”, Rama thirrje sipërmarrjes: Deklaroni pagat reale të punonjësve, i keni xhepat shumë të fryrë

23 December 2025 at 12:05

TIRANË- Kryeministri i vendit Edi Rama, paralajmëroi se paqe fiskale me sektorin e ndërtimit nuk do të ketë.

Ai shpreh se ky sektor rezulton më fitimprurësi dhe në këto kushte nuk do aplikohet asnjë lehtësi.

Shefi i qeverisë u bëri thirrje ndërtuesve të deklarojnë pagat reale të punonjësve.

“Paqe me ndërtuesit nuk ka, paqe me gjithë të tjerët po. Me keni mbrapa këmba këmbës, mua dhe të gjitha çfarë janë që varen nga unë. Paqe me ndërtuesit nuk ka dhe nuk ka për të pasur, sepse është sektori kryesor dhe duhet të performojë me maksimumin e përgjegjshmërisë.

Ju, që akoma deklaroni punonjës me 50 mijë lekë, ndërkohë që e dimë shumë mirë, që po të shkojmë të pyesim edhe peshqit e liqenit artificial do na e konfirmojnë se me këtë çmim nuk ka. Bëni deklarimet e duhura, paguani njerëzit, deklaroni ato paga. Ju jeni sektori me më shumë fitim në Shqipëri.

Ju duhet të na mbështesni ne, jo ne ju. Jeni sektori që shfrytëzoni njerëzit më shumë se në çdo sektor tjetër në Shqipëri. Shkundini mirë ato xhepa se i keni të fryra shumë. Paguani ato punonjësit, bëjuani rrogat 1500-2000 euro. Jepuni njerëzve atë që u takon. Ju kërkoni vetëm që mos të jeni në listën e zezë”, u shpreh kryeministri./abcnews.al

Paqja fiskale 2026/ Kryeministri Rama tregon “vijën e kuqe”: Kush përfiton nga ky instrument

23 December 2025 at 11:41

TIRANË– Kryeministri i vendit, Edi Rama, u shpreh se nga “paqja fiskale” do të përfitojnë të gjithë ata subjekte, të cilat nuk kanë probleme me ligjin dhe nuk kanë procese gjyqësore të hapura.

Ai theksoi se kjo është “vija e kuqe” dhe kush nuk i plotëson këto kritere, nuk përfiton nga lehtësirat fiskale.

Kryeministri Rama theksoi se bizneset që do paraqesin pasqyra të reja fiskale do të paguajë 5% të fitimit.

“Këtu bëhet paqe me të gjithë atë me të cilët nuk janë në konflikt aktualisht me ligjin në Republikën e Shqipërisë, nuk janë në procese penale të hapura, nuk janë në procese gjyqësore të hapura, të cilat afektojnë legjitimitetin e të ardhurave dhe për të gjithë pjesën tjetër, në ligj shkruhet se nëse sipërmarrja dëshiron të rikthehet pasqyrave të deklaruar të viteve të mëparshme dhe të paraqesë para tatimeve pasqyra të reja, ku ka korrigjim të të ardhurave, atëherë do paguajë 5% të fitimit dhe kështu do të formalizojë atë pjesë të të ardhurave që nuk e ka në pasqyrë.

Këtu jemi duke folur për sipërmarrjen e mesme dhe të madhe, sepse biznesi i vogël nuk ka tatim fitimi. Jemi të vetmit në këtë kontinent, që biznesi i vogël nuk paguan dhe do vazhdojë të mos paguajë tatim fitimi deri në vitin 2029.

Siç e kemi premtuar. Kjo e ka ndihmuar biznesin e vogël dhe shifrat janë të qarta. Instrument që jep rezultat për të cilët ata e përdorin duke besuar në dobinë e tij.”, tha ai./abcnews.al

❌
❌