Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar me rastin e Ditës së Veteranëve të UÇK-së, duke bërë thirrje për reflektim shtetëror, respekt institucional dhe përulje ndaj sakrificës së atyre që e sollën lirinë.
Në reagimin e publikuar në Facebook, OVL-UÇK ka kritikuar qeverinë për mosdhënien e pensioneve meritorë veteranëve dhe për trajtim të nënçmuar të tyre.
“Për pesë vite me radhë, ky pushtet e la luftëtarin e UÇK-së pa pension meritor, duke e nënçmuar dinjitetin e atij që rrezikoi jetën për liri. Kjo u bë me vetëdije dhe me hile politike, në bashkëpunim me Listën Serbe”, thuhet në reagim.
Organizata ka përmendur gjithashtu tolerimin e deklaratave fyese dhe përçmuese ndaj veteranëve, si dhe trajtimin e tyre si barrë, pa mbrojtje shtetërore.
Sipas OVL-UÇK, u tha publikisht se “më mirë të paguheshin mercenarët, sesa ata që e çliruan vendin”, duke e quajtur këtë politikë të qëllimshme dhe të organizuar kundër UÇK-së.
OVL-UÇK ka theksuar se edhe në këtë Ditë të Veteranëve, institucionet nuk kanë zhvilluar asnjë aktivitet simbolik, asnjë vizitë te varret e dëshmorëve, duke e cilësuar këtë heshtje si një qëndrim politik që tregon përpjekjen e shtetit për të “shkëputur lidhjen me luftën që e solli në jetë”.
“Kosova nuk ka lindur nga neutraliteti, as nga administrata, as nga konferencat, por nga gjaku i dëshmorëve dhe sakrifica e veteranëve të UÇK-së”./Telegrafi.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Në Ditën e Veteranit të UÇK-së, kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati ka përmendur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët ndodhën në paraburgim në Hagë, pa të cilët tha se “kjo festë është e mangët pa njerëzit që luftuan për vendin tonë”.
Gucati pas homazheve ka kritikuar edhe institucionet sa i përket legjislacionit.
“Mu në këtë vend ku jemi sot para 34 viteve kanë qenë shkëndijat e para të lirisë, të luftës së parë frontale të bacës Shaban me dy djemtë, me Hamzën dhe Ademin dhe rrethi i tij i gjerë, Jasharit, u përballën me forcat çetnike paramilitare serbe që luftuan për ditën e sodit.
Dhe, ne sot si veteranë nuk e ndjejmë vetën aq të lirë për arsye se ende kemi problem me institucionet tona ku Ligji për Vlerat e Luftës nuk është bërë ende dhe ne këtë festë që e festojmë sot e kemi të mangët për arsye se ne i kemi njerëzit, të cilët e kanë udhëhequr luftën që janë në qendrën të paraburgimit në Hagë. Kjo festë sot është e mangët pa ata njerëz të cilët luftuan për vendin tonë, kështu që unë në emrin tim dhe në emrin e të gjithë këtyre shokëve këtu do t’ua uroj Ditën e Veteranit, familjen e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Gucati, raporton KP.
Dita e Veteranit shënohet më 30 dhjetor, për të përkujtuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e veteranëve për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës.
Më 30 dhjetor 1991 filloi përballja e familjes Jashari me forcat ushtarake serbe në Prekaz, ku nga kjo filloi edhe rezistenca ushtarake e UÇK-së. Shënimi i kësaj dite është rregulluar sipas Ligjit për veteranët e luftës së UÇK-së.
Kryetari i OVL UÇK, Hysni Gucati, ka reaguar ashpër ndaj Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke i akuzuar për mungesë ndjeshmërie dhe veprim johuman në rastin e ish-komandantit Salih Mustafa(Cali), pas vdekjes së babait të tij.
Në një lidhje direkte në FIVE në RTV Dukagjini, Gucati tha se Salih Mustafës nuk iu lejua asnjë vizitë humanitare për ta parë babain e tij për së gjalli, qoftë edhe për disa minuta.
Sipas tij, tani që babai i Mustafës ka ndërruar jetë, Calit duhet ti lejojnë të paktën ardhjen për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
“S’e lejuan Salih Mustafën ta vizitojë babain e tij për së gjalli. Nuk ia mundësuan një vizitë humanitare, qoftë edhe për disa minuta. Tani që ai nuk është më në jetë, së paku ta lejojnë Salih Mustafën të vijë për t’i dhënë lamtumirën e fundit”, deklaroi Gucati.
Ai theksoi se ky veprim përbën një padrejtësi të rëndë dhe një akt thellësisht johuman, duke nënvizuar se nuk bëhet fjalë për çështje politike apo procedurale, por për një të drejtë elementare njerëzore.
“Kjo është një padrejtësi e madhe dhe një veprim thellësisht johuman. Nuk po flasim për asgjë politike, nuk po flasim për proces gjyqësor, por për një akt elementar njerëzor, për një të drejtë bazike që i takon çdo njeriu, pavarësisht se ku ndodhet”, u shpreh ai.
Gucati shtoi se babai i Salih Mustafës u nda nga jeta pa pasur mundësinë ta shohë djalin e tij për herë të fundit, duke e cilësuar këtë dhimbje si të pajustifikueshme nga çdo procedurë administrative.
“Babai i Salih Mustafës u nda nga jeta pa pasur mundësinë ta shohë djalin e tij për herë të fundit. Kjo dhimbje nuk mund të arsyetohet me asnjë procedurë dhe me asnjë justifikim administrativ”, tha ai.
Në fund, kreu i OVL UÇK-së kërkoi rishqyrtimin urgjent të vendimit nga institucionet përgjegjëse dhe lejimin e ardhjes së Salih Mustafës për varrim, duke paralajmëruar se dhimbja e familjes nuk duhet të shndërrohet në pjesë të dënimit.
“Kërkojmë që institucionet përgjegjëse ta rishqyrtojnë këtë vendim dhe të lejojnë ardhjen e Salih Mustafës për varrim. Mos ta vazhdojnë këtë qasje çnjerëzore, sepse dhimbja e familjes nuk duhet të bëhet pjesë e dënimit. Kjo nuk është drejtësi. Kjo është padrejtësi dhe mungesë totale ndjeshmërie njerëzore”, tha mes tjerash Gucati.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) ka njoftuar se ka pranuar një telefonatë nga bashkëluftëtarët që aktualisht po mbahen në Hagë, të cilët kanë kërkuar që përmes organizatës t’i përcillen ngushëllimet për familjen Mustafa, pas ndarjes nga jeta të babait të Salih Mustafës – Cali.
Në mesazhin e OVL-së thuhet se ngushëllimet vijnë në emër të ish-pjesëtarëve të UÇK-së si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Salih Mustafa, Pjetër Shala, Fadil Fazliu dhe Bashkim Smakaj, si dhe në emër të vetë organizatës.
“Jemi pranë familjes Mustafa me respekt, solidaritet dhe përulje në këto çaste të rënda. Kujtimi për bacën Jahja do të jetojë përherë ndër ne”, thuhet në njoftim.
OVL e UÇK-së vazhdimisht ka shprehur solidaritet me familjet e dëshmorëve dhe veteranëve, duke shërbyer gjithashtu si kanal komunikimi për mesazhet publike nga ish-pjesëtarët e UÇK-së që ndodhen në paraburgim në Hagë.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka bërë të ditur se pjesëmarrja në ngjarjen e nesërme në Shkup është vullnetare dhe se deri më tani nuk janë dhënë garanci për lirinë e lëvizjes mes dy shteteve.
Në komunikatën e saj, OVL-UÇK shprehet: “Shkuarja është vullnetare dhe besojmë se do të kemi mirëkuptimin e bashkëluftëtarëve tanë për rrethanat e krijuara. Kjo ngjarje është një mesazh për bashkësinë ndërkombëtare dhe presim mirëkuptimin e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, e cila është anëtare e NATO-s”.
“Ne ju preferojmë luftëtarëve tanë të UÇK-së që mos me marr atë rrugë, sepse nuk kemi garanci. Edhe sikur ta kërkojmë, është e pamundur që shteti i Maqedonisë së Veriut të japë garanci kur je në listat e Europolit”.
“Automatikisht, kur futet letërnjoftimi në databazën e policisë kufitare dhe del se je i kërkuar, polici ka detyrim të të arrestojë. Prandaj u themi bashkëluftëtarëve tanë të mos marrin pjesë. Ka plot qytetarë që do marrin pjesë”, thuhet më tej në reagim.
Organizata thekson se protesta është paqësore dhe ka për qëllim shprehjen e pakënaqësisë për procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Sipas OVL-UÇK-së, nesër në Shkup do të bashkohen edhe qytetarë nga Prishtina dhe Tirana. /Telegrafi/
Të gjitha procedurat për mbajtjen e protestës së paralajmëruar për më 13 dhjetor në sheshin Skënderbe në Shkup janë tejkaluar.
Nga komuna e Çairit kanë informuar organet kompetente për sigurimin e mbarëvajtjes së protestës, që organizohet në territorin e saj.
“Ne jemi të informuar për protestën dhe në përputhje me procedurat, kemi njoftuar organet kompetente për të siguruar mbarëvajtjen dhe rendin publik”, thonë nga Komuna e Çairit.
Nga Minsitria e Punëve të Brendshme njoftojnë se do të formohet Shtabin Operativ, për të cilin thonë se është procedurë standarde për tubime të kësaj natyre.
Pjesë e shtabit janë përfaqësues të të gjitha njësive organizative pranë Byrosë për Siguri Publike.
“Për protestën e paralajmëruar për më datë 13.12.2025 do të formohet Shtab Operativ, që paraqet procedurë standarde për çdo tubim qytetar të paralajmëruar në përmasa të mëdha. Të gjitha masat e sigurisë do të zbatohen në përputhje me ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi, me qëllim që të sigurohet zhvillim i sigurt dhe pa pengesa i tubimit publik”, thonë nga MPB.
Rafiz Aliti, nga Këshilli i protestave, në intervistën për Alsat, hodhi poshtë akuzat se protesta organizatohet për motive politike, duke e cilësuar protestën e së shtunës, si mbarëkombëtare.
“Ne nuk bëjmë protestë që ata të lirohen nga gjykata e Hagës, apo të ndërpritet procesi gjyqësor, përkundrazi ne kërkojmë drejtësi. Kjo protestë ka për qëllim që me të vërtetë të ketë një proces gjyqësor të drejtë, për shkak se gjatë gjithë kësaj kohe ka ndodhur shumë anomali gjatë procesit gjyqësor të gjykatës speciale në Hagë“ – Rafiz Aliti, Këshilli i protestave.
Organizatorët u bëjnë thirrje protestuesve kosovarë të udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut me makina dhe jo me autobusë, me qëllim shmangien e vonesave. Protesta e 13 dhjetorit organizohet nga Organizata e veteranëve të luftës, në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. /Alsat.mk
Kategoritë e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmes një video mesazhi iu kanë bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e organizuar më 13 dhjetor në orën 13:00 në Shkup të Maqedonisë Veriore.
Ndërkaq, një ditë më parë ata njoftuan se protesta e paralajmëruar do të jetë e qetë, paqësore dhe gjithëpërfshirëse, duke u organizuar në mbrojtje të dinjitetit të tyre dhe kundër padrejtësive në Hagë.
Në një deklaratë për opinionin publik, organizatorët shprehen shqetësim lidhur me komentet e Kryeministrit maqedonas, Dimitar Mickoski, për formimin e një “shtabi krize”, të cilat sipas tyre vetëm krijojnë tension të panevojshëm dhe tentojnë të paraqesin një tubim demokratik si rrezik.
Organizatorët theksuan se protesta është planifikuar në koordinim të plotë, nuk ka prapavijë partiake dhe nuk ka arsye për dramatizim.
Ata gjithashtu iu bëjnë thirrje institucioneve të shtetit të Maqedonisë së Veriut që të ruajnë profesionalizmin dhe të mos politizojnë të drejtën kushtetuese për tubim dhe protestë.
“Kjo është një shprehje e lirë e qytetarëve, e garantuar nga ligji, dhe ne do ta ushtroni me përgjegjësi dhe dinjitet”, thuhej në deklaratë. /Telegrafi/
Kategoritë e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës njoftuan se protesta e paralajmëruar për më 13 dhjetor në Shkup do të jetë e qetë, paqësore dhe gjithëpërfshirëse, duke u organizuar në mbrojtje të dinjitetit të tyre dhe kundër padrejtësive në Hagë.
Në një deklaratë për opinionin publik, organizatorët shprehen shqetësim lidhur me komentet e Kryeministrit maqedonas, Dimitar Mickoski, për formimin e një “shtabi krize”, të cilat sipas tyre vetëm krijojnë tension të panevojshëm dhe tentojnë të paraqesin një tubim demokratik si rrezik.
Organizatorët theksojnë se protesta është planifikuar në koordinim të plotë, nuk ka prapavijë partiake dhe nuk ka arsye për dramatizim.
Ata u bëjnë thirrje institucioneve të shtetit të Maqedonisë së Veriut që të ruajnë profesionalizmin dhe të mos politizojnë të drejtën kushtetuese për tubim dhe protestë.
“Kjo është një shprehje e lirë e qytetarëve, e garantuar nga ligji, dhe ne do ta ushtroni me përgjegjësi dhe dinjitet”, thuhet në deklaratë.
Më 13 dhjetor me fillim nga ora 13:00 në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, do të mbahet protesta në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë. E nga kryeqendra e shtetit maqedonas, sot u kërkua pjesëmarrje masive në këtë protestë me kërkesën e vetëm lirim të ish-krerëve të UÇK-së dhe drejtësi për ata.
Nga Këshilli Organizativ i kësaj proteste u tha se po presin që zyrtarisht të marrin leje për mbajtjen e kësaj proteste, për çka deklaruan se kanë adresuar dy kërkesa te organet në Shkup.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari theksoi se protesta në Shkup, ashtu sikurse edhe në vendet tjera ka qenë thirrje për drejtësi.
“Qëllimi jonë i vetëm është që të kërkojmë drejtësi dhe të solidarizohemi me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimit dhe gjithë të tjerët të cilët padrejtësisht po mbahen në Gjykatën Speciale në Hagë. Ne nuk i thërrasim protestat dhe nuk i kemi thirrur asnjëherë që të kundërshtojmë ose kundër drejtësisë, por protestat tona pikërisht në këtë rast ku po atakohet lufta e shenjt e jona, UÇK protestat i kemi thirr dhe çdo individ që i përgjigjet kësaj proteste flet në vete dhe kërkon drejtësi. Atje është duke ndodhur padrejtësi. Në rastin e parë kërkohet drejtësi, ndërsa protesta është e orientuar ku atje po ndodh padrejtësi...Kjo Gjykatë është politike, dhe qëllim të vetëm ka dhe nuk do të arrij luftën tonë të drejtë dhe të pastër me gjitha ato që ka bërë ushtria, policia dhe shteti serb në Kosovë“, tha ai.
Jashari beson se protesta në Shkup do të jetë masive, prandaj bëri thirrje për pjesëmarrjen e të gjithëve.
“Iu bëjmë thirrje dhe ftojmë të gjithë qytetarët pa dallim feje, pa dallim politike, partitë politike, qytetarët e OJQ.. që të vijnë në protestë t’i shprehim pakënaqësitë tona dhe të kërkojmë drejtësi dhe protesta të jetë e qetë dhe e dinjitetshme... Besojmë që protesta do të jetë masive dhe ftesa jonë është pa dallim i ftojë të gjithë.. kërkojmë krerët të lirohen, kjo gjykatë nuk e ka problem vetëm Hashim Thaçin e Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, por përmes tyre tentojnë ”, deklaroi ai.
Bujar Dardhishta nga Këshilli Organizativ i protestës në Shkup, deklaroi se tashmë për këtë protestë kanë bërë dy kërkesa në qytetin e Shkupit dhe se janë në pritje të lejes për këtë protestë.
Dardhishta potencoi se kjo protestë nuk është kundrejt ndonjë entiteti në këtë shtet, por është mbi partiake e puro shqiptare.
“Konform ligjit për organizim të protestës kemi adresuar dy kërkesa për protestë në qytet të Shkupit, konform ligjet për vetëqeverisjes lokale për sheshet dhe lokalet kompotent është qyteti i Shkupit kemi bërë kërkesa para dy javë dhe të njëjtën kërkesë e kemi bërë para një jave, kemi marrë një konkluzion për ta paguar taksën komunale gjë që e kemi bërë, dhe presim proces e sipër për të na dhënë lejen. Nuk mendoj se duhet të ketë ndonjë pengesë për arsye se kjo është e drejtë kushtetuese në vendin tonë, jemi shtetas në vendin tonë. Kjo protestë nuk është e adresuar kundrejt ndonjë entiteti kjo është protestë mbi partiake puro shqiptare dhe këtë protestë shqiptarët nuk duhet ta përkrahin parimisht por realisht”, theksoi ai.
Protesta në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në të cilët janë të paraburgosur në Hagë është e pesta me radhë. Më 7 gusht të këtij viti është mbajtur protestë e parë në Prishtinë, pastaj në Hagë, në Tiranë dhe së fundmi edhe në Strasburg.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë nga nëntori i vitit 2020. Që të katër janë deklaruar të pafajshëm mbi akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniq dhe Selimi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte./kp/
Organizatorët e protestës së 13 dhjetorit në Shkup, thonë se të shtunën përmes një tubimi paqësor do të kërkojnë lirimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët sipas tyre, padrejtësisht po mbahen në Gjykatën Speciale në Hagë.
Xhavit Jashari nga OVL-UÇK tha se kjo gjykatë përmes bashkëpunimit me Prokurorinë serbe, me këtë gjykimi po tenton të njollosë luftën e drejtë të UÇK-së.
“Qëllimi i jonë i vetëm është që të kërkojmë drejtësi dhe të solidarizohemi me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të gjithë të tjerët që padrejtësisht po mbahen në Gjykatën Speciale në Hagë. Ne do t’i adresojmë kërkesat tona të drejta dhe të ligjshme dhe ajo e përgjithshmja është që të kërkojmë krerët të lirohen”, tha mes tjerash Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së.
Ndërsa Bujar Dardhishta nga Këshilli Organizativ i protestës në Shkup, tha se nuk presin të kenë probleme për të marrë leje për mbajtjen e protestës.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla ka njoftuar se protesta e radhës në përkrahje të çlirimtarëve, pritet të mbahet më 13 dhjetor në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.
Kjo u bë e ditur përmes një konference për media ku ndër të tjera tha se për këtë protestë janë dakorduar edhe me Ali Ahmetin dhe me bashkëluftëtarët që kanë në Maqedoninë e Veriut.
“Ju e dini që kësaj konference i ka parapri një vizitë e liderit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti. Qysh në atë kohë ju kemi bërë me dije që do të organizohet edhe një protestë në Shkup. Data e kësaj proteste është caktuar e ajo është më 13 dhjetor në orën 13:00 në sheshin ‘Skënderbeu’, në Shkup kundër padrejtësisë që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë. Fillimisht ju njoftojmë që ne si kategori e dala nga lufta së bashku me një kategori të personave të dala nga lufta në Maqedoninë e Veriut jemi dakorduar për mbajtjen e kësaj proteste. Kemi marrë mbështetjen edhe të Ali Ahmetit me të bashkëluftëtarët që i kemi atje”, ka thënë ai, përcjell Telegrafi.
Mirëpo, siç tha Syla edhe pse kanë dorëzuar kërkesë për shfrytëzimin e hapësirës për mbajtjen e kësaj protestë në organet kompetente ende nuk kanë marrë një përgjigje zyrtare.
“Ne i kemi zhvillu të gjitha procedurat si në Den Haag e në Francë e po ashtu i kemi adresuar edhe në Shkup, të gjitha ato për mbarëvajtjen e një proteste në nivelin më të mirë të mundshëm. Fatkeqësisht deri më dje ende nuk kemi marrë një përgjigje nga Shkupi zyrtarë për shfrytëzimin e hapësirës publike që e kemi bërë. Po presim dhe besoj që deri në atë kohë do të marrim një përgjigje. Si do që të jetë kemi vendosur që të mbahet kjo protestë.
I pyetur se si i komenton deklaratat e kryeministrit të Maqedoninë së Veriut, Hristijan Mickoski ai tha: “Ne nuk i kemi bërë ftesë që të marr pjesë në këtë protestë. Me tregu drejtë kjo është e ngjashme me deklaratat e Georgevskit në vitin 2001, pra ish kryeministrit të atëhershëm”. /Telegrafi/
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë njoftoi më 25 nëntor se ka arrestuar një person me inicialet A.Q., të lindur më 1973, duke e akuzuar për organizim të grupit, nxitje për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Sipas deklaratës së MPB-së serbe, i arrestuari dyshohet se i ishte bashkuar shtabit lokal të UÇK-së për fshatin Romajë në prill të vitit 1998 dhe si pjesë e brigadës 138 “Agim Ramadani” kishte marrë pjesë në luftime në Koshare në vitin 1999.
Ai aktualisht ndodhet në paraburgim me masë ndalimi 48-orësh, ndërsa ndaj tij pritet të dorëzohet një kallëzim penal në prokurorinë kompetente.
Lidhur me arrestimin, në FIVE në TV Dukagjini ka reaguar kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, i cili e identifikoi të arrestuarin si Avni Qenaj nga fshati Romajë i Hasit.
Ai e shprehu shqetësimin e tij të për këtë rast dhe për ndjekjet e vazhdueshme që Serbia po u bën ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Kreu i OVL-UÇK-së ripërsëriti edhe një herë apelin e vazhdueshëm që ish-luftëtarët të mos kalojnë përmes Serbisë nën asnjë rrethanë.
“Kam dëgjuar se është arrestuar që Avni Qenaj nga fshati Romaj e Hasit. Kështu me keqardhje po them, më vjen keq që ende nuk kam të dhënë konkrete. Me sa po flitet është pjesëtar i UÇK-së. Besoj që do të jetë ashtu. Megjithëse nuk po mundemi t’i nxjerrim ë dhënat tona.
Unë besoj që po gabojnë që po i bijnë këta djem nëpër Serbi. Ne iu kemi bërë apel edhe përmes televizionit tuaj, që çdo njeri që është pjesëtar i UÇK-së të mos shkoj nëpër Serbi. Se Serbia është duke hulumtuar, është nëpër gjah që t’i ndal të gjithë pjesëtarët e UÇK-së dhe tu ngrit aktakuza edhe pa bazë”, ka thënë Gucati.
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka konfirmuar se autoritetet në Serbi kanë arrestuar ish-pjesëtarin e UÇK-së, Avni Qenaj, nga fshati Romajë i Prizrenit.
Sipas Sylës, Qenaj – ish-pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani” – është ndaluar gjatë kalimit në territorin serb, ndërsa dyshohet se organet e sigurisë serbe ia kanë gjetur kartelën e veteranit gjatë kontrollit.
Ai theksoi se Qenaj kishte kaluar disa herë më parë nëpër Serbi pa probleme.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi më herët se ka arrestuar një person të identifikuar me inicialet A.Q., të cilin e dyshon për “organizim dhe nxitje të kryerjes së gjenocidit dhe krimeve të luftës”.
Sipas autoriteteve serbe, i dyshuari dyshohet se iu bashkua shtabit lokal të UÇK-së në Prizren në prill të vitit 1998 dhe mori pjesë në luftimet e vitit 1999 në Koshare si anëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani”.
Qenajt i është caktuar masa e ndalimit 48-orësh, ndërsa MPB e Serbisë ka njoftuar se ndaj tij do të dorëzohet kallëzim penal në prokurori.
Institucionet e Kosovës ende nuk kanë reaguar lidhur me këtë rast. Radio Evropa e Lirë ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Rastet e arrestimeve të qytetarëve të Kosovës në Serbi janë shtuar vitet e fundit, me pretendime të përsëritura të Beogradit për krime lufte të kryera nga ish-pjesëtarë të UÇK-së.
Në korrik të këtij viti, Serbia arrestoi edhe Lulzim Halilin, megjithëse OVL-UÇK atëbotë deklaroi se ai nuk figuron në listat e veteranëve apo pjesëmarrësve të betejës së Koshares.
Beteja e Koshares mbetet një nga përplasjet më të rëndësishme të luftës së 1999-s, me humbje të konsiderueshme në të dyja palët dhe domethënie të thellë historike për Kosovën dhe Serbinë.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shprehur shqetësimin pasi siç thonë "të konfirmimit se ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, është ftuar nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar lidhur me Masakrën e Reçakut, njërën nga krimet më të rënda të kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës".
OVL e UÇK-së thekson se me këtë ftesë u vërtetua se Kelmendi, në kohën e masakrës, ka qenë asistent i gjyqtares famëkeqe Danica Marinkoviq, e cila “hetonte” ngjarjen nga perspektiva e regjimit serb, duke tentuar ta relativizonte atë, siç duket, duke e pasur në krah Kelmendin.
“Është e tmerrshme që Kryeprokurori i Kosovës, sipas dëshmive, më 16 qershor ka qenë në Reçak në anën e palës serbe, në kohë kur aty kryheshin krime ndaj civilëve shqiptarë. Kjo situatë është jashtëzakonisht serioze. OVL UÇK vlerëson se organet përgjegjëse duhet ta shkarkojnë menjëherë nga detyra dhe ta përjashtojnë nga sistemi i drejtësisë, sidomos pas kësaj ftese të Prokurorisë Speciale.
Pavarësisht se z. Kelmendi është ftuar si dëshmitar, perspektiva e tij dëshmuese buron nga ana e regjimit të Millosheviqit, dhe çfarëdo që të deklarojë sot, Kosova nuk mund të ketë Kryeprokuror që ka punuar për Danicën në kohën kur ajo përpiqej të shkatërronte të vërtetën e Reçakut, edhe pas jehonës që i dha Ambasadori Walker”, thuhet në reagimin e OVL e UÇK-së.
“Kjo ftesë e Prokurorisë Speciale është dëshmia kryesore mbi të cilën Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet ta përjashtojë menjëherë nga sistemi bashkëpunëtorin e Danicës. Si qytetar i thjeshtë, e jo si Kryeprokuror, Kelmendi e ka shansin që para gjykatës të dëshmojë drejt për këtë masakër dhe sadopak të lehtësojë turpin që e mbulon si shërbyes i një regjimi që masakroi popullin e Kosovës”, thuhet tutje në reagim. /Telegrafi/
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së mbajti sot protestën e radhës para Asamblesë së Këshillit të Evropës në Strasburg, duke kërkuar drejtësi dhe transparencë në proceset gjyqësore të Kosovës në Gjykatën Speciale.
Gjatë protestës, kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati deklaroi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një forcë çlirimtare dhe jo “organizatë e përbashkët kriminale”, siç pretendohet në aktakuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“UÇK nuk ka qenë organizatë e përbashkët kriminale. Ajo ka qenë ushtri çlirimtare që luftoi për ta çliruar Kosovën nga forcat serbe. Jemi këtu për t’i thënë ‘stop’ padrejtësisë që po bëhet në Hagë,” u shpreh Gucati para protestuesve.
Përfaqësuesit e OVL-UÇK dorëzuan 285 leta për anëtarët e Asamblesë së Këshillit të Evropës, ku shprehen shqetësime të thella për mënyrën si po zhvillohet procesi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Në letër, OVL e UÇK thekson disa çështje kyçe që, sipas tyre, cenojnë drejtësinë dhe integritetin e procesit.
Në letrën dërguar anëtarëve të Asamblesë thuhet: “Ne do të dëshironim të tërhiqnim vëmendjen tuaj ndaj disa çështjeve kyçe dhe shqetësimeve në rritje lidhur me funksionimin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (KSC)”
Në pikën e parë, letra rikujton mënyrën e krijimit të Gjykatës Speciale.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan në përgjigje të raportit të vitit 2010 të Raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, i cili përmbante akuza për trafikim organesh dhe krime të tjera serioze”
Një nga shqetësimet kryesore që OVL e UÇK ka shprehur përmes kësaj letre lidhet me natyrën e aktakuzave dhe kohëzgjatjen e paraburgimit.
“Të akuzuarit janë mbajtur në paraburgim për gati pesë vjet, pavarësisht dorëzimit vullnetar dhe bashkëpunimit të plotë me gjykatën, dhe të gjitha kërkesat për lirim me kusht janë refuzuar.”
Letra thekson gjithashtu mungesën e transparencës.
“Shumë seanca janë mbajtur të mbyllura për publikun. Shumë dëshmitarë janë anonimë dhe qasja e mediave është jashtëzakonisht e kufizuar”.
Një tjetër shqetësim madhor lidhet me burimin e provave.
“Provat kryesore burojnë nga institucionet e sigurisë së Serbisë… kjo ngre dyshime serioze për besueshmërinë dhe paanshmërinë e procesit gjyqësor”, thuhet në letrën e OVL e UÇK-së.
Në letër përmendet edhe çështja e konfliktit të interesit të ngritur në mars 2025.
“Përfshirja e prokurorit John Devaney, i cili më parë ka shërbyer si roje në njësinë e paraburgimit ku aktualisht mbahen të akuzuarit, ka nxitur dyshime serioze për standardet etike dhe paanshmërinë e procesit”
Në përmbyllje, OVL-UÇK i bën thirrje anëtarëve të Këshillit të Evropës që të ndërmarrin veprime.
“Ne ju bëjmë thirrje t’i merrni këto shqetësime në konsideratë… në mënyrë që së bashku të sigurojmë një qasje të drejtë dhe të balancuar ndaj proceseve gjyqësore që lidhen me Kosovën”.
Letra është nënshkruar nga kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, i cili rithekson se organizata mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë dhe mbrojtjes së të drejtave të luftëtarëve të lirisë. /Telegrafi/
Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të protestojnë sot nga ora 13:00 para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen padrejtësisht në Hagë.
Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, ka theksuar se do të protestojnë për të kërkuar drejtësi dhe për t’ia përkujtuar institucioneve evropiane se kanë themeluar një gjykatë etnike mbi gënjeshtrat e ish-senatorit zviceran, Dick Marty.
Gucati pret mbështetjen e madhe të mërgatës shqiptare në këtë protestë, ndërsa tha se do t’ua dërgojnë nga një letër të gjithë anëtarëve të Parlamentit të KiE-së për t’ua dëshmuar padrejtësinë e Gjykatës Speciale ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, të cilët tash e pesë vjet po mbahen në Hagë nën akuzën “për krime lufte”, raporton KosovaPress.
“Të gjitha ato vërejtje, shkelje i kemi vendosur në dokumentacione për secilin deputet që ta lexojë dhe ta dijë vetë se çfarë gjykate janë duke financuar”, tha ai.
Lexo po ashtuPolicia jep detaje nga shpërthimi i zjarrit në një restorant në MilloshevëParaprakisht, veteranët kanë mbajtur protesta në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë, ndërsa, kur u pyet për mundësitë e organizimit të një proteste në Shkup, Gucati tha se për momentin e njëjta nuk do të mbahet për shkak të situatës politike atje. Ndërkaq, ritheksoi se nuk planifikojnë të organizojnë protestë as në Luginë të Preshevës.
Krahas kësaj, Gucati theksoi se dëshmia e ish-gjeneralit amerikan Wesley Clark në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë do të jetë një bombë për Gjykatën Speciale.
Memli Krasniqi i PDK-së u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen e të protestojnë për krerët e UÇK në Strasburg.
Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se aty ku nisi procesi që rëndoi padrejtësisht mbi emrin dhe sakrificën e UÇK-së aty do të ngrihet zëri i shqiptarëve për drejtësi.
“Të dielën, të gjitha rrugët çojnë në Strasburg. Aty ku nisi procesi që ka rënduar padrejtësisht mbi emrin dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aty do të ngrihet zëri i shqiptarëve për drejtësi dhe dinjitet. Më 16 nëntor, protestat paqësore për të vërtetën dhe respektimin e historisë sonë vazhdojnë, me qytetari, me qetësi dhe me besim në drejtësinë që meriton populli ynë”, ka shkruar ai.
Ai ftoi të gjithë qytetarët, miqtë e Kosovës dhe mërgatën kudo që është, të bashkohen në këtë thirrje të përbashkët për drejtësi dhe për lirinë e çlirimtarëve tanë. /Telegrafi/
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), ka mbajtur sot një aksion simbolik pranë bazës së EULEX-it në Prishtinë, në shenjë kujtese dhe proteste për pesë vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Sipas njoftimit të OVL-UÇK-së, aksioni u zhvillua pikërisht në vendin ku para pesë vitesh ish-udhëheqësit e UÇK-së u vetëdorëzuan për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare.
“Ky aksion u zhvillua në shenjë kujtese dhe proteste ndaj padrejtësisë që po u bëhet çlirimtarëve tanë, të cilët prej pesë vitesh vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Hagë, pa drejtësi dhe pa vendim përfundimtar,” thuhet në njoftimin e organizatës.
OVL-UÇK ka theksuar se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së po zvarritet padrejtësisht dhe ka rikujtuar se ata janë vetëdorëzuar me dinjitet, për të dëshmuar pafajësinë e tyre. /Telegrafi/
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka kujtuar sot pesë vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar këtë periudhë si “pesë vite padrejtësie” ndaj atyre që kontribuuan për lirinë e vendit.
Në reagimin e saj, OVL-UÇK thekson se heronjtë e luftës mbahen ende larg familjeve dhe atdheut për të cilin luftuan.
“Pesë vite padrejtësi, pesë vite që heronjtë e lirisë mbahen larg familjeve dhe vendit për të cilin luftuan. Ne nuk harrojmë dhe nuk dorëzohemi përballë kësaj padrejtësie historike”, thuhet në reagimin e OVL e UÇK-së.
Krerët e UÇK-së, të cilët po përballen me procese gjyqësore në Hagë, u arrestuan në nëntor të vitit 2020 me akuza për krime lufte.
Pavarësisht se u bë publike më 5 nëntor të vitit 2020, aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së ishte konfirmuar më 26 tetor të po atij viti.
Dy vjet më vonë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ngriti akuza të reja, për të cilat po ashtu Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u deklaruan të pafajshëm.
Aktakuza e Prokurorit të Specializuar në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, përmban gjithsejtë dhjetë akuza.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura aty janë kryer në periudhën prej marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Procesi gjyqësor ndaj tyre ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik në Kosovë dhe më gjerë, ndërsa OVL-UÇK vazhdon të kërkojë drejtësi dhe lirimin e tyre. /Telegrafi/
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bën të ditur se sot janë pritur nga Arqipeshkv Vincenzo Paglia, Këshilltar papnor dhe President i Akademisë Papnore për Jetën, figurë e njohur dhe me ndikim në Vatikan, i cili për vite me radhë ka qenë një nga zërat kryesorë në mbrojtje të dinjitetit njerëzor dhe të drejtësisë.
Në njoftim thuhet se gjatë takimit u zhvillua një dialog i hapur e miqësor mbi rëndësinë e së vërtetës historike, kujtesës kolektive dhe respektit për sakrificën e atyre që kanë luftuar për liri.
“U theksua domosdoshmëria që çdo proces drejtësie të mbështetet në parimet e barazisë, humanizmit dhe dinjitetit njerëzor. Arqipeshkv Paglia shprehu mirëkuptim dhe vlerësim për përpjekjet e komunitetit të luftëtarëve të lirisë në ruajtjen e së vërtetës dhe në promovimin e paqes përmes kujtesës dhe dialogut.
Ne shprehim mirënjohje për mikpritjen dhe përkushtimin e tij, duke besuar se ky takim do të shërbejë si një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për drejtësi, të vërtetë dhe dinjitet njerëzor”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/