Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 December 2025Main stream

“Aksidente, plagosje e vetëvrasje”,  Syla: Numri i rasteve në Klinikën Emergjente po rritet nga viti në vit

28 December 2025 at 14:52


Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla ka bërë të ditur se numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë në këtë klinikë po shënon rritje të vazhdueshme.

Sipas tij, vetëm gjatë këtij viti Klinika Emergjente ka trajtuar 99 mijë e 17 pacientë, ndërsa deri në fund të vitit pritet që ky numër ta kalojë shifrën prej 100 mijë pacientësh, çka, sipas Sylës, është jashtë çdo kontrolli.



“Çdo klinikë në fund të vitit i nxjerr statistikat e veta. Në Klinikën e Emergjencës i kemi pas 99,017 pacientë dhe ky numër do ta kalojë edhe 100 mijë deri në fund të vitit. Kjo është jashtë çdo kontrolli dhe shumë shqetësuese”, ka deklaruar Syla.

Ai ka theksuar se ndryshe nga vendet evropiane, ku numri i rasteve të referuara në nivelin terciar po bie nga viti në vit, në Kosovë po ndodh e kundërta.

Sipas tij, niveli terciar përveç trajtimit profesional, duhet të ketë rol edukativ dhe të fokusohet në përgatitjen e kuadrove të reja mjekësore, si specializantë dhe studentë.

“Te ne numri i pacientëve është në rritje të vazhdueshme, gjë që tregon mbingarkesë të sistemit shëndetësor”, ka shtuar ai.

Syla ka bërë të ditur se rritje është shënuar edhe në numrin e aksidenteve të komunikacionit.

Gjatë këtij viti janë regjistruar 7 mijë e 207 raste, krahasuar me 6 mijë e 894 raste sa ishin vitin e kaluar.

Po ashtu, në rritje është edhe numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë emergjente për sëmundje kardiovaskulare, si dhe numri i të plagosurve.

Siç tha Syla këtë vit janë trajtuar 111 të plagosur, ndërsa vitin e kaluar ky numër ishte 101.

Një tjetër shqetësim serioz, sipas drejtorit të Klinikës Emergjente, është rritja e rasteve të tentim-vetëvrasjeve.

“Edhe për numrin e personave që kanë tentuar vetëvrasje janë diku 450 raste në krahasim me vitin e aluar që ka qenë 402 raste”, ka thënë Syla.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:

- YouTube www.youtube.com

Kamera në një vendvotim në Fakultetin Juridik dyshohet se nuk ishte aktive nga mëngjesi

28 December 2025 at 14:12


Një kamerë në një vendvotim në Fakultetin Juridik në Prishtinë, dyshohet të mos ketë qenë aktive nga mëngjesi.

Ekipi i IKD-së që po qëndron në terren për të monitoruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, mëson se vetëm pas orës 13:00 është vërejtur nga komisionerët që kjo kamerë nuk ka qenë aktive, raporton Betimi për Drejtësi.

Problemi dyshohet të ketë qenë shkaku i mungesë së energjisë elektrike në disa priza. /Telegrafi/

DnV: Procesi i qetë, por me parregullsi – ankesa për lista votuesish, asistencë dhe dokumente të pavlefshme

28 December 2025 at 13:48


Që nga hapja e vendvotimeve në orën 07:00, sipas vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV) procesi i votimit në të gjithë vendin po rrjedh në mënyrë të qetë.

Sipas njoftimit bëhet e ditur se deri në orën 12:00, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 13.7% e qytetarëve (margjina e gabimit +/- 0,35%). Prishtina dhe Ferizaj kanë regjistruar daljen më të madhe deri tani, 15%.

Tutje thuhet se në komunat me shumicë serbe, në veri të vendit, dalja në votime është raportuar të jetë mbi 22% që është gati dyfish më e lartë sesa mesatarja e përgjithshme e daljes në nivel vendi.

“Në këto zgjedhje, të drejtë vote kanë 1,999,204 qytetarë, ose 28,260 më shumë se në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, 2025. Rikujtojmë se dalja e votuesve në periudhën e njejtë kohore në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit ishte 14.5%”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se KQZ edhe për këto zgjedhje është përpjekur t’a informojë secilin votues për ndryshimin e Qendrës së Votimit dhe poashtu ka ofruar mundësi që përmes platformës elektronike (linkut të posaçëm) secili votues të mund të verifikojë vendovotimin ku është caktuar të votojë, megjithatë nga terreni po raportohet se ka mjaft ankesa në këtë drejtim.

Sipas vëzhguesve të DnV-së është raportuar se deri në orën 12:00, vështirësi për t’a gjetur emrin në Listë, rrjedhimisht për t’a identifikuar vendvotimin adekuat është raportuar në 50% të vendvotimeve, por që numri i rasteve ka qenë i vogël, deri në 10 raste të tilla.

“Por ka pasur edhe vendvotime (1,6%) ku një numër i konsiderueshëm i votuesve (deri në 30 votues) nuk e kanë gjetur emrin e tyre në Listë. Prijnë komunat: Prishtinë dhe Pejë. Ka pasur disa raste kur votuesit janë ankuar që dikush tjetër është nënshkruar në emër të tyre në Listën e Votuesve dhe atë në 1.4% të vendvotimeve”.

DnV rekomandon qytetarët që para se të nisen për të votuar të verifikojnë Qendrën e tyre të Votimit përmes linkut qv.kqz-ks.org dhe në këtë mënyrë t’i shmangin pakënaqësitë dhe vonesat.

Në anën tjetër, votimi me kusht është duke u mundësuar në vetëm një qendër votimi në secilën nga 38 komunat.

Në njoftim thuhet se sipas rregullave të reja të KQZ-së, nëse një votues nuk posedon dokument që e dëshmon paaftësinë e tij për të votuar në mënyrë të pavarur (vërtetim mjekësor ose të ngjashëm), nuk do t’i lejohet të votojë me asistencë.

“Shtrëngimi i rregullave për votim me asistencë vjen si rezultat i faktit që ky fenomen ka qenë shumë i shprehur në të gjitha proceset zgjedhore të kaluara dhe është keqpërdorur për të imponuar apo deformuar vullnetin e lirë të qytetarëve. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, sipas DnV-së, 6% e të gjithë qytetarëve kanë votuar duke u asistuar nga një person tjetër. Dy të tretat e tyre kanë qenë gra, ndërsa në 35% të vendvotimeve janë hasur raste të izoluara ku edhe votues të rinj në moshë kanë kërkuar të votojnë me asistencë”.

Ndërkaq, deri në mesditë, komisionerët në 61% të vendvotimeve janë duke e zbatuar rregullën dhe janë duke kërkuar dokumentet për të lejuar votimin me asistencë. Për më tepër, në 35% të vendvotimeve, edhe pse votuesit kanë kërkuar të votojnë me asistencë, nuk janë lejuar të votojnë në mungesë të dokumentave mjekësore.

“Deri në orën 12:00, nga numri i deritanishëm i qytetarëve që kanë votuar, vetëm 1% prej tyre kanë votuar me asistencë. Poashtu, në 5% të vendvotimeve kemi hasur në raste të izoluara (deri në 4 raste) ku votues të rinj në moshë kanë kërkuar të votojnë me asistencë. Si trend i përgjithshëm, votimi me asistencë po evidentohet në Libër, por nuk kanë munguar edhe rastet kur votimi me asistencë nuk është zhvilluar konform rregullave, dhe kjo ka ndodhur në 5% të vendvotimeve, ku deri në 10 raste nuk janë evidentuar fare në Librin e Votimit”.

Rikujtojmë se një asistues ka të drejtë të ndihmojë vetëm një votues, ndërsa komisionerët ose vëzhguesit e akredituar e kanë të ndaluar rreptësisht të ofrojnë çfarëdo asistence në votim.

Ka pasur disa raste të izoluara kur më shumë se një votues ka qëndruar prapa kabinës së votimit, dhe atë si fenomen në 11% të vendvotimeve.

Ndërsa, sa i përket votimit me dokumente të pavlefshme DnV ka gjetur se në 16% të vendvotimeve ka pasur deri në 4 raste të identifikimit me dokumente të skaduara, përkundër rregullave që nuk lejojnë votimin me dokumente me afat të skaduar.

Sipas tyre ky fenomen është më i shprehur në rajonin e Prizrenit.

“Deri në orën 12:00, në 4% të vendvotimeve ka pasur raste të izoluara kur votuesit janë identifikuar me dokumente jo valide, siç mund të jenë dokumentet e shteteve të tjera, ose ato të lëshuara nga UNMIK-u”.

E sa i përket fotografimit të votës, thuhet se: “Ndonëse fenomen në përmasa të vogla, cenimi i fshehtësisë së votës i manifestuar përmes fotografimit të votës po vazhdon të shfaqet edhe në këto zgjedhje. Fotografimi i votës dhe bërja e saj publike supozohet se ndërlidhet me cenimin e fshehtësisë së votës apo blerjes së saj, por edhe frikësimin e votuesit dhe shtrembërimin e vullnetit të tij. Deri në orën 12:00, raste të fotografimit të votës janë 13. Deri në mesditë nuk është evidentuar ndonjë incident serioz”. /Telegrafi/


Radoniqi: Në Rahovec kemi marrë raportime se në disa fletëvotime janë vërejtur shenja të dukshme në numra

28 December 2025 at 13:08


Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Kreshnik Radoniqi ka thënë se në Rahovec kanë marrë raportime se në disa fletëvotime janë vërejtur shenja të dukshme në numra.

Sipas Radoniqit kjo ka shkaktuar ankesa në radhët e këshillave të vendvotimit.

Ai po ashtu tha se ka pasur ankesa edhe për ndërprerje të energjisë elektrike në gjashtë komuna.

“Sipas raportit të orës 11:00, në dhomën operative të KQZ-së janë raportuar për ndërprerje të energjisë elektrike në gjashtë qendra të votimit që i takojnë gjashtë komunave si: Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Gjilan dhe Graçanicë”.

“Komisionet kanë njoftuar KEDS-in në lidhje më këtë situatë. Në Rahovec, po ashtu kemi marr raportimet se në disa fletëvotime janë vërejtur shenja të dukshme në numra, kjo ka shkaktuar ankesa në radhët e këshillave të vendvotimit”.

Ndryshe, Radoniqi tha se 8.27 për qind e qytetarëve kanë votuar deri në ora 11:00. /Telegrafi/

Osmani: Rezultatet e zgjedhjeve duhet të sjellin parlament dhe qeveri të re sa më shpejt

28 December 2025 at 12:38


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kryer obligimin e saj qytetar duke votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme të vendit.

Pas votimit, Osmani u shpreh se shpreson për një proces zgjedhor të qetë dhe të rregullt, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve.

Presidentja gjithashtu shtoi se rezultatet e zgjedhjeve duhet të çojnë drejt krijimit sa më të shpejtë të parlamentit dhe zgjedhjes së qeverisë së re, të cilat janë të domosdoshme për proceset e brendshme dhe ato ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

“Uroj që sot Republika jonë të ketë zgjedhje të qeta, të rregullta e demokratike. Uroj që të kemi zgjedhje me pjesëmarrje sa më masive të qytetarëve me të drejtë vote. Zgjedhjet janë një proces i rëndësishëm ku vendimmarrja kthehet tek qytetarët tanë. Shpresoj që në rezultatet e këtyre zgjedhjeve të rezultojnë me krijim sa më të shpejtë të parlamentit dhe zgjedhjes së qeverisë të Kosovës të cilat janë të domosdoshme për procese të rëndësishme dhe të brendshme dhe ndërkombëtare për Republikën tonë. Dua t’i falënderoj të gjitha institucionet që janë angazhuar dhe që angazhohen edhe gjatë ditës së sotme që ky proces zgjedhor të jetë sa i më rregullt nga KQZ-ja tek institucionet tona të sigurisë dhe ato të drejtësisë”, ka thënë Osmani. /Telegrafi/

Përleshje verbale mes votuesve në Zhegër, ndërhyn Policia

28 December 2025 at 11:53


Disa qytetarë janë përleshur verbalisht në shkollën “Agim Ramadani” në Zhegër të Gjilanit që është edhe vendvotimi i vetëm në këtë fshat.

Sipas burimeve të Telegrafit bëhet e ditur që babë e bir kanë shkuar për të votuar dhe komisionerët nuk kanë lejuar që djali të asistojë babanë pa pasur raport mjekësor.

Telegrafi po ashtu ka kontaktuar zëdhënësin e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashanin i cili tha se për momentin nuk ka rast të raportuar në polici. /Telegrafi/


KPM bën thirrje që të respektohet heshtja zgjedhore nga mediat në ditën e zgjedhjeve

28 December 2025 at 10:55


Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është duke vazhduar me monitorimin e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audiovizuele (OSHMA) edhe gjatë ditës së heshtjes zgjedhore.

KPM përmes këtij njoftimi ju bën thirrje dhe një herë mediave që të respektojnë obligimet lidhur me procesin zgjedhor, respektivisht heshtjen zgjedhore, duke shmangur çfarëdo raportimi i cili mund të bie ndesh me rregullat e heshtjes zgjedhore dhe mund të dëmtonte procesin e votimit.

“KPM fton të gjithë të licencuarit (OSHMA) që të zbatojnë obligimet ligjore nga Kreu VIII i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme Nr. 08/L-228 dhe Rregullorja KPM-2024/03 për obligimet e mediave gjatë fushatës zgjedhore”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se Neni 52, paragrafi 1 dhe 2 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ”Ndalimi i Përfshirjes në Media” përcakton se:

Asnjë person ose medium nuk transmeton ose publikon çfarëdo materiali që i takon aktivitetit të fushatës, gjatë periudhës që fillon me hapjen e vendvotimeve deri në mbylljen zyrtare të tyre. Në Kosovë nuk bëhet asnjë publikim ose transmetim i rezultateve të hulumtimit të opinionit publik që ka të bëjë me fushatën e zgjedhjeve, duke përshirë daljen në votime, gjatë periudhës që fillon njëzet e katër (24) orë para mbylljes zyrtare të vendvotimeve dhe deri në përmbylljen e procesit zgjedhor.

Respektimi i heshtjes zgjedhore nga ana e OSHMA-ve, përveç që është obligim ligjor, i ndihmon votuesit që të ushtrojnë lirshëm të drejtën e tyre ligjore dhe kushtetuese të votës.

Prandaj, çdo thyerje e heshtjes zgjedhore nga ana e OSHMA-ve, në këtë periudhë shumë të rëndësishme zgjedhore, mund të ndërhyjë në vullnetin dhe orientimin e qytetarëve për ushtrimin e të drejtës së votës sipas përcaktimit të tyre të lirë dhe demokratik.

Ndërmaq KPM është duke monitoruar përmbajtjet programore (24/7) të OSHMA-ve, për të vlerësuar pajtueshmërinë e tyre me kornizën ligjore, për të kontribuar në forcimin e demokracisë në vendin tonë, në këtë proces zgjedhor që është me rëndësi për të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/


Voton Albin Kurti, fton qytetarët të dalin në votime

28 December 2025 at 10:00


Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka ushtruar sot të drejtën e tij të votës në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, në kuadër të zgjedhjeve për legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës.

Pas votimit, Kurti theksoi rëndësinë e kësaj dite për vendin dhe u bëri thirrje qytetarëve që të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.

“Porsa votova këtu në Fakultetin Ekonomik për legjislaturën e 10-të të Kosovës. Sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme, andaj ftoj qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për përbërjen e Kuvendit të ardhshëm", u shpreh Kurti.

Ai gjithashtu shprehu shpresën që institucionet e reja të formohen sa më shpejt.

“Uroj dhe besoj që të punojmë që legjislatura e 10-të ta konstituojë sa më shpejt Kuvendin e ardhshëm dhe njëkohësisht të formojë qeverinë e re", tha ai.

Kurti falënderoi qytetarët për angazhimin gjatë fushatës zgjedhore dhe shprehu pritshmëri për një pjesëmarrje të lartë në votime. “Falënderoj qytetarët për pjesëmarrjen në fushatë dhe shpresoj në pjesëmarrje masive”, tha Kurti.

Kurti po ashtu u pyet nëse do të jetë i hapur për koalicione, por siç tha "shansa për koalicione iku pa fajin tonë".

“Kam ofruar koalicion në majin dhe prillin e këtij dhe jemi këtu në zgjedhjet e parakohshme pikërisht pse u refuzua koalicioni, ndaj do të duhet të kemi rezultat të qartë kësaj radhe meqenëse shansa për koalicione iku pa fajin tonë”, tha ndër të tjera ai. /Telegrafi/

"Mes jetës dhe vdekjes na ndan një fije e hollë", mjeku i Emergjencës Naser Syla në podcastin "Shëndeti në rend të parë"

28 December 2025 at 09:38


“Jeta dhe vdekja shpesh ndahen nga një fije shumë e hollë”, kështu e përshkruan realitetin e përditshëm drejtori i Klinikës së Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, i cili flet për sfidat, emocionet dhe barrën e madhe profesionale që mbajnë mjekët e emergjencës.

Syla i ftuar në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital ka thënë se çdo rast që referohet apo që vjen për trajtim në spital, e sidomos në emergjencë, është një rast që kërkon kujdes akut dhe reagim të menjëhershëm.

- YouTube www.youtube.com

Megjithatë, siç tha ai Klinika e Emergjencës përballet vazhdimisht me mbingarkesë.

“Për fat të keq, përveç rasteve që realisht kërkojnë tretman akut, kemi edhe shumë raste që nuk janë emergjente, gjë që na vështirëson punën dhe krijon vonesa”, thekson ai.

Ai ndalet edhe te perceptimi publik, ku shpesh në media raportohet se “dikush vdiq në spital” apo “vdiq në emergjencë”, duke u krijuar, siç thotë ai një lloj “kronike e zezë”.

“Duhet ta kuptojmë një gjë shumë të rëndësishme: asnjë njeri i shëndoshë nuk vjen në spital. Në emergjencë vijnë pacientë me trauma të rënda, në gjendje kritike. Asnjë mjek, pavarësisht specializimit, nuk mund të luajë rolin e Zotit. Roli ynë primar është të ndihmojmë, të luftojmë me të gjitha mjetet për ta shpëtuar jetën e pacientit”, shprehet Syla.

Ai flet edhe për ndjenjat që përjeton një mjek emergjence. Sipas tij, ka dy anë të forta emocionale: suksesi dhe humbja.

“Kur arrin ta shpëtosh një pacient, ajo ndjenjë është e papërshkrueshme. Është një kënaqësi shpirtërore, një ndjenjë madhështore. Por rastet që përfundojnë me vdekje janë jashtëzakonisht të rënda emocionalisht, sidomos kur bëhet fjalë për të rinj, aksidente trafiku apo lëndime në punë. Aty ndjen një zhgënjim të thellë, sepse ke dhënë maksimumin dhe sërish nuk ke arritur ta nxjerrësh pacientin nga gjendja kritike”, thotë ai.

Edhe pse ka mbi 30 vjet përvojë në mjekësinë emergjente, Syla pranon se ka raste që e tronditin thellë.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”. /Telegrafi/

​Haradinaj u bën thirrje qytetarëve ta shfrytëzojnë të drejtën e votës

28 December 2025 at 09:26


Nën shoqërimin e nënës së tij, Rukës Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj votoi në shkollën fillore “Heronjtë e Dukagjinit”, në Gllogjan.

Pasi votoi Haradinaj i bëri thirrje qytetarëve të Kosovës ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, të vendosin për Kosovën në vitet në vijim, që t’i dalin krah Kosovës.

“I bëj thirrje qytetarëve të Kosovës, të gjithëve ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, të votojnë, të vendosin për Kosovën dhe vitet që vijnë, ky është vendimi i tyre që mund ta marrin, t’i dalin krahë Kosovës gjithë”, tha Haradinaj.

Në këtë qendër të votimit në Gllogjan të drejtë vote kanë 1450 votues dhe janë dy vendvotime.

Në komunën e Deçanit të drejtë vote kanë 41 mijë e 138 qytetarë, të cilët mund të votojnë në 14 qendra të votimit dhe 51 vendvotime. Edhe kjo komunë ka qendrën e votimit me kusht. /Telegrafi/

Musliu: Lista Serbe po fton simpatizantët që të grumbullohen para zyrave të saj

28 December 2025 at 09:14


Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka deklaruar se Lista Serbe ka shkelur hapur Rregulloren Zgjedhore Nr. 07/2024 gjatë ditës së votimit, duke vepruar në kundërshtim me rregullat e heshtjes zgjedhore.

Sipas Musliut, pas një fushate të ashpër kundër partive të tjera që përfaqësojnë komunitetin serb, e cila sipas tij është zhvilluar nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Serbisë dhe strukturave të lidhura me Milan Radojçiqin, sot në Mitrovicën e Veriut po vërehen shkelje serioze të ligjit zgjedhor.

Ai ka theksuar se Rregullorja Zgjedhore Nr. 07/2024, konkretisht Neni 8, përcakton qartë veprimet e ndaluara gjatë heshtjes zgjedhore.

Sipas këtij neni, nga momenti i hapjes së qendrave të votimit deri në mbylljen e tyre, subjekteve politike dhe përfaqësuesve të tyre u ndalohet mbajtja e takimeve me qëllim fushate apo grumbullimi i zyrtarëve dhe simpatizantëve në afërsi të qendrave të votimit.

“Lista Serbe po fton simpatizantët që të grumbullohen para zyrave të saj në Mitrovicën e Veriut dhe në komuna të tjera, pikërisht në ditën kur kanë filluar votimet dhe kur heshtja zgjedhore është zyrtarisht në fuqi”, ka deklaruar Musliu.

Sipas tij, këto veprime përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të rregullores zgjedhore dhe kërkojnë reagim institucional.

Ai ka bërë thirrje që institucionet relevante, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës, të ndërmarrin masa ligjore ndaj këtyre shkeljeve.

Musliu ka rikujtuar gjithashtu se Lista Serbe edhe gjatë fushatës zgjedhore është ndëshkuar financiarisht, duke u dënuar me 30 mijë euro, pas një ankese të paraqitur nga një subjekt tjetër politik serb në veri të vendit për shkelje të ligjit. /Telegrafi/




DNV jep detaje nga procesi i votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme

28 December 2025 at 09:04


Demokracia në Veprim në një konferencë për media ka theksuar se zgjedhjet parlamentare janë një moment kyç për demokracinë, pasi përmes tyre qytetarët ushtrojnë të drejtën e tyre themelore për të zgjedhur përfaqësuesit dhe për të ndikuar drejtimin politik të vendit.

Përmes një njoftimi thuhet se kredibiliteti i këtij procesi varet nga transparenca, respektimi i ligjit dhe nga besimi se vota e çdo qytetari është e lirë dhe e barabartë.

Demokracia në Veprim (DnV) po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me 500 vëzhgues statikë, të cilët janë janë prezentë në 500 vendvotime, të përcaktuara në bazë të mostrës përfaqësuese të rastësishme.

Raporti i DnV rreth procesit të votimit:

1.Hapja e vendovotimeve

Në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë gjithsej 2,614 vendvotime (2,557 të rregullta dhe 57 me kusht). Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur vetëm 3% e vendvotimeve. Vonesa më të theksuara ka pasur në rajonin e Pejës. Është raportuar se shkaku kryesor pas vonesave në hapjen e vendovotimeve me kohë lidhet me mungesën e komisionerëve.

Aranzhimi i vendvotimeve është bërë konform rregullave të përcaktuara nga KQZ-ja. Vetëm në 2% të vendvotimeve nuk ka pasur vendosje adekuate të kabinave të votimit apo kamerave. Vendosja jo e duhur e kamerave ka qenë më e shprehur në komunat me shumicë serbe.

2.Qasja në Qendrat e Votimit dhe ambienti përreth

E drejta për pjesëmarrje në zgjedhje si e drejtë universale duhet t’u garantohet të gjithë qytetarëve pa dallim. Personat me aftësi të kufizuar duhet të kenë mundësi të barabarta të marrin pjesë në jetën publike e politike, e me këtë edhe në votim. Megjithatë një numër i konsiderueshëm i Qendrave të Votimit në Kosovë vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me aftësi të kufizuara fizike. Është raportuar se 16% e Qendrave të Votimit në nivel vendi nuk kanë infrastrukturë adekuate ose pjerrina që mundësojnë qasje më të lehtë në objekte ku po zhvillohet votimi.

Edhe pse rregullat zgjedhore ndalojnë vendosjen e posterëve dhe materialeve të tjera propaganduese të subjekteve politike brenda perimetrit prej 100m të Qendrës së Votimit, vëzhguesit tanë kanë raportuar prani të këtyre materialeve në afërsi të 3% të Qendrave të Votimit. Policia është duke u kujdesur për sigurinë e procesit të votimit, konform përcaktimeve ligjore në 85% të Qendrave të Votimit.

3.Informimi i votuesve për të votuar saktë

Në këto zgjedhje, votuesit kanë të drejtë të votojnë deri në 10 kandidatë, gjë që u bë me mundur pas ndryshimeve ligjore për votën preferenciale në vitin 2023. Institucionet për administrimin e zgjedhjeve janë të obliguara që të informojnë votuesit për këto rregulla përmes vendsosjes së posterëve informues në hyrje të secilës Qendër të Votimit. Megjithatë vëzhguesit tanë kanë raportuar se këto instruksione nuk janë hasur në 8% të Qendrave të Votimit. Poashtu në 18% të QV nuk ka tavolina ndihmëse, që si problematikë është më e shprehur në rajonin e Ferizajt, Gjilanit dhe Pejës.

4.Pjesëmarrja e grave në Këshillat e vendvotimeve

Prania e grave komisionere vazhdon të jetë e ulët edhe në këto zgjedhje, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme për pjesëmarrje të barabartë. Është raportuar se në të paktën 75% të vendovotimeve ka prani të komisionereve gra, por që numri kufizohet në 2 anëtare gra.

5.Incidentet gjatë hapjes së vendvotimeve

Nuk është raportuar për ndonjë incident serioz, gjithsesi në dy vendvotimeve është raportuar për mungesë të energjisë elektrike që ka vonuar procesin e fillimit të votimit.

Policia e Kosovës me plan të detajuar operativ për sigurinë e zgjedhjeve

28 December 2025 at 08:58


Policia e Kosovës, sikurse në çdo proces zgjedhor, bazuar në ligjet pozitive të vendit ashtu siç e ka bërë publike, me kohë ka hartuar urdhrin operativ policor dhe ka bërë të gjitha planifikimet e saja policore lidhur me “Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, të cilat po mbahen sot me datën 28 dhjetor 2025.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se me qëllim që ky plan policor të realizohet sipas planifikimeve të parapara dhe me qëllim të ofrimit të sigurisë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, është paraparë të angazhohet një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por sipas nevojës mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës.

Tutje thuhet se zyrtarët policor sipas planit operativ kanë filluar punën me orar 12 orësh, duke filluar nga ora 03:00, me hapjen e dhomave komanduese, përcjelljen e materialit senzitiv nga depot komunale në qendrat e votimit dhe vazhdimin e ofrimit të sigurisë.

"Plani operativ përfshin katër faza:

1) Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese,

2) Angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore,

3) Garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së ZGJEDHJEVE dita (Z),

4) Periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit".

Faza e parë dhe faza e dytë tani veçse janë realizuar dhe jemi në zbatim të fazës së tretë si faza kyçe (dita Z), për të vazhduar sipas planit me fazën e katërt, deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ edhe në këtë proces zgjedhor është:

Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

Ngritja e vigjilencës, sigurimi i qendrave të votimit, depove komunale dhe qendrës së numërimit të rezultateve.

Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

Sipas memorandumit të bashkëpunimit në mes të Policisë, Prokurorisë dhe KQZ-së, Policia e Kosovës ka caktuar zyrtarë/hetues në drejtoritë rajonale për trajtimin e çdo rasti të mundshëm që ndërlidhet me procesin zgjedhor, nën autorizimet e prokurorëve të caktuar për këtë çështje nga Prokuroria e Shtetit. Po ashtu janë caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në si dhe janë dhënë udhëzime për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit si dhe të jetë transparente mbi punën dhe angazhimet e saja policore.

Inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente, njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre.

Raportoni, nga telefonia fikse dhe mobile: 192 ose 038 550 999, në adresën elektronike info@kosovopolice.com si dhe në stacionet më të afërta policore. /Telegrafi/

Masa ajrore të thata dhe të ftohta, moti në Shqipëri

28 December 2025 at 08:37


Shqipëria sot do të ndikohet nga masa ajrore të thata dhe relativisht të ftohta.

Sipas Shërbimit Metereologjik Ushtarak bëhet e ditur se moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin pothuajse gjatë gjithë ditës, ndërsa vranësirat të pakta kalimtare.

“Era do të fryjë me drejtim juglindje-veriperëndim 7m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare në jug dhe në lugina era pritet të arrijë shpejtësi deri 17m/s. Deti - Valëzimi forcës 2-4 ballë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Before yesterdayMain stream

Aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prishtinës, dyshohet se nuk deklaroi mbi 172 mijë euro

23 December 2025 at 15:10


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Sh.A., për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Kjo u bë e ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook nga faqja zyrtare e Sistemit Prokurorial.

Ndër të tjera në njoftim thuhet se i pandehuri akuzohet se, nga viti 2018 e në vazhdimësi deri në vitin 2022, në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, përkatësisht duke mos deklaruar deponimet në para të gatshme, të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse.

"Sipas aktakuzës, shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172,600.00 euro. Rasti i është dërguar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special", thuhet në njoftim. /Telegrafi/





Berisha: Salianji ka kaluar linjat e kuqe dhe është vetë-përjashtuar

23 December 2025 at 14:45


Në konferencën për shtyp këtë të martë, Sali Berisha u shpreh se Ervin Salianji ka kaluar linjat e kuqe dhe është vetë-përjashtuar.

Berisha tha se do duhej të flisnin për krimin e jo për Salianjin.

“Akoma mendja tek Salianji. Po ne këtu jemi për enciklopedinë e krimit që nuk është paraqitur kurrë. Po çfarë lidhje ka Salianji me këtë. Po Salianji ishte i burgosur politik kur u zhvilluan zgjedhjet. Çfarë do të thotë kjo? Sot është një njeri që ka kaluar linjat e kuqe. E kam thënë kur i ka kaluar linjat e kuqe. Kemi ca linja të kuqe. Jo, nuk ka një vendim, ka vet-përjashtuar veten. Sa herë të pyesni, këtë përgjigje do merrni. Po i kalove linjat e kuqe, i kalon”, tha Berisha. (A2 Televizion)

KQZ përmbyllë procesin e akreditimit të vëzhguesve për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës

23 December 2025 at 14:26


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbajti mbledhjen e 104-të në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi, në të cilën u morë vendim për akreditimin e grupit të pestë me 169 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Sipas njoftimit bëhet e ditur se organizata jo-qeveritare të akredituara janë: Qendra Kultutore Orfeu – 45 vëzhgues;

“Media vendore: Kontakt Kosovka Mitrovica/ Kontakt Plus – 3 vëzhgues; Alternativna – 3 vëzhgues; Televizija Gracanica – 10 vëzhgues; Klan Kosova – 95 vëzhgues. Media ndërkombëtare: Prva srpska televizija – 2 vëzhgues; Novinska agencija Tanjug – 3 vëzhgues; Radio-televizija Srbije – 6 vëzhgues; dhe ABC NEËS ALBANIA – 2 vëzhgues”.

Ndryshe, në mbledhjet e kaluara, KQZ ka akredituar edhe 19,085 vëzhgues të tjerë, të cilët përfaqësojnë: subjekte politike të certifikuara, organizata jo-qeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, media vendore / ndërkombëtare, institucione shtetërore dhe përfaqësi diplomatike.

Numri i përgjithshëm i akredituar deri më tani nga KQZ është 19,254:

Subjekte politike – 17,614 vëzhgues;

Institucione shtetërore – 66 vëzhgues;

OJQ vendore – 809 vëzhgues;

Organizata ndërkombëtare – 121 vëzhgues;

Përfaqësi diplomatike – 13 vëzhgues;

Media vendore – 554 vëzhgues; dhe

Media ndërkombëtare – 77 vëzhgues.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ miratoi rekomandimin e Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike për mosakreditimin e dy organizatave vëzhguesve për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Bëhet fjalë për OJQ “Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Sundim të Ligjit” dhe organizatën ndërkombëtare “Odbor za kontrolu i opservaciju-OKO”.

Lidhur me OJQ “Instituti...”, nga ZRCKFSP u bë e ditur se statuti i kësaj organizate nuk ndërlidhet drejtpërdrejt me monitorimin e proceseve zgjedhore apo mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ashtu siç kërkohet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Ndërkaq, për organizatën ndërkombëtare “Odbor...”, nga ZRCKFSP u bë e ditur se gjatë vlerësimit të dokumentacionit, dokumenti i ofruar edhe pse ka vulën dhe nënshkrimin, nuk dëshmon se nga cili institucion është lëshuar, me çka e bënë të dyshimtë vërtetësinë e këtij dokumenti, i cili poashtu, nuk është dokument i plotë në mungesë të faqeve. /Telegrafi/

Kurti: Rindërtimi i xhamisë së Ibrit në mandatin e ardhshëm

23 December 2025 at 12:31


Kryeminstri në detyrë Albin Kurti u mirëprit në odën e hoxhë Osman Musliut.

Mes bisedash të ndryshme, hoxhë Osmani i tha Kurtit se zotimi për rindërtimin e xhamisë së Ibrit e gëzoi shumë, sepse kjo xhami përveç rolit fetar, ka edhe rol kombëtar.

Ndërsa Kurti u zotua se nuk do të lëshojnë pe në mandatin e ardhshëm përveç sigurisë e begatisë, edhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të vendit. /Telegrafi/


Sekuestrohen armë, municion dhe pajisje ushtarake në Leposaviq

23 December 2025 at 11:40


Policia e Kosovës në dy raste të ndara ka gjetur armë, municion dhe pajisje ushtarake në Leposaviq.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se në Drejtorinë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri, përkatësisht në Stacionin Policor Leposaviq, më datat 19.12.2025 dhe 20.12.2025, janë iniciuar dy raste për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

"Rasti I, më datë 19.12.2025, rreth orës 22:07, zyrtarë policorë nga Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH), gjatë patrullimit në fshatin Rvatska, Komuna e Leposaviqit, në një shtëpi të pabanuar kanë gjetur dhe sekuestruar: një armë gjuetie, një karabinë, një armë të llojit AK-47, 240 fishekë, një palë dylbi".

Tutje në njoftim thuhet se si rrjedhojë e procedurave hetimore, më datë 22.12.2025, zyrtarët policorë në objektet përcjellëse të shtëpisë kanë gjetur dhe sekuestruar edhe: një pushkë ajrore, mekanizëm për barut, një thikë ushtarake, një fotroll për revole.

Po ashtu në njoftim thuhet se lidhur me rastin, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit penal për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Aktualisht nuk ka persona të arrestuar dhe rasti është në procedurë hetimore.

Ndërsa në rastin e dytë më datë 20.12.2025, rreth orës 06:45, Policia ka arrestuar personin R.R. (1965), pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në fshatin Veacev, Komuna e Leposaviqit, janë gjetur dhe sekuestruar: një pushkë gjuetie, një pushkë gjysmë automatike, një bombë dore, dy tromblona, fishekë të kalibrave të ndryshëm, pajisje të ndryshme ushtarake (çantë, xhaketë, thikë, etj).

"Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas inicimit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e posedimit të armëve të zjarrit, duke vepruar në funksion të ruajtjes së rendit, paqes dhe sigurisë së përgjithshme për të gjithë qytetarët pa dallim". /Telegrafi/


❌
❌