Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 December 2025Main stream

Nisma bën koalicion me LDK-në në Malishevë, Ademaj zgjidhet Kryesues i Kuvendit

31 December 2025 at 15:33


Kuvendi i Komunës së Malishevës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën është zgjedhur kryesuesi i ri i këtij organi.

Me shumicë votash të anëtarëve të Kuvendit Komunal, për kryesues u zgjodh Fatmir Ademaj nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Kuvendi Komunal i Malishevës përbëhet nga gjithsej 27 anëtarë, ku Nisma Socialdemokrate ka 13 përfaqësues, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) gjashtë, LDK katër, Lëvizja Vetëvendosje tre dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) një anëtar.

Pas zgjedhjes, Ademaj falënderoi anëtarët e Kuvendit për besimin e dhënë, duke u zotuar se do ta ushtrojë funksionin e tij me paanshmëri dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunës së Malishevës. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

“Nuk ka asgjë të vërtetë”, menaxheri Eros Grezda i mohon spekulimet për kalimin e Etnik Brrutit te Cluji

29 December 2025 at 18:01


Këto dy ditët e fundit ka pasur shumë raportime se CFR Cluj është e interesuar për mesfushorin Etnik Brruti, si pasues i Lindon Emërllahut, por menaxheri Eros Grezda për Telegrafin ka konfirmuar se këto spekulime janë plotësisht të pavërteta.

Cluji e shiti Emërllahun te Polissya për 1.5 milionë euro, ndërsa thashethemet thoshin se Brruti do të jetë zëvendësuesi, derisa Malisheva kërkon rreth 800 mijë euro për ta lënë yllin e skuadrës që të largohet.

Telegrafi ka kontaktuar Grezdën për këto spekulime, mirëpo ky i fundit ishte i qartë se janë thjesht lajme të pavërteta.

“Jo, nuk ka asgjë të vërtetë në ato raportime. I kam parë lajmet edhe kinse kërkesat e Malishevës, por nuk janë aspak të vërteta. Është e pamundur edhe shkaku i kontratës së Etnikut (ka vetëm edhe gjashtë muaj kontratë)”.

Etnik Brruti

Grezda ndër të tjera konfirmoi se për Brrutin shumë klube kanë shprehur interesim, por gjasat më reale janë që të mbetet deri në verë si lojtar i Malishevës.

“Po, ka interesim të madh për Brrutin nga disa klube, por të shohim. Gjasat më reale janë që deri në verë të mbetet te Malisheva”, shtoi ky i fundit.

21-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 16 paraqitje në elitën e futbollit kosovar, për të kontribuar me katër gola e dy asistime në proces.

Kujtojmë, falë paraqitjeve të shkëlqyeshme Brruti zuri vend në formacionin më të mirë të vitit si të FFK-së ashtu edhe të Telegrafi Sport./Telegrafi

Formacioni i vitit 2025 në Superligën e Kosovës - Drita dominon me gjashtë futbollistë

29 December 2025 at 13:37


Futbolli për vitin 2025 në Kosovë ka marrë fund dhe tanimë skuadrat janë në pushim të merituar pas angazhimit 12 mujor.

Drita është kampione e Kosovës të shpallur në maj për sezonin 2024/25, derisa në stinorin e ri 2025/26, në pozitën e parë e ka mbyllur Ballkani dhe dimëron si lider.

Redaksia e Telegrafi Sport vazhdon të zgjedh formacionin e vitit si gjithmonë dhe këtë e ka bërë edhe për vitin 2025, duke përzgjedhur 11 futbollistë që kanë lënë gjurmë gjatë 12 muajve në futbollin kosovar.

Përkundër se ka pasur konkurrencë të madhe në të gjitha pozitat, Telegrafi Sport ka zgjedhur 11 futbollistë që kanë dhënë kontribut të madh për skuadrat e tyre, kanë pasur arritje personale dhe ato ekipore.

Portieri:

Faton Maloku ka qenë fantastik këtë vit me Dritën. Maloku në vitin 2025 zhvilloi 47 ndeshje, ku ruajti 17 herë portën e paprekur si dhe ishte vendimtar për Dritën edhe kur siguruan play-offin e Ligës së Konferencës për herë të parë në histori.

34-vjeçari ishte disa herë edhe i grumbulluar me Kombëtaren e Kosovës.

Mbrojtja:

Në krahun e djathtë të mbrojtjes është Besnik Kransiqi, i cili vazhdon të shkëlqejë përkundër moshës. 35-vjeçari ishte i jashtëzakonshëm gjatë vitit 2025 ku në 48 ndeshje në të gjitha garat ka shënuar 11 gola dhe ka asistuar në nëntë të tjerë.

Qendra e mbrojtjes përbëhet nga Egzon Bejtullai i Dritës dhe Ardian Limani i Prishtinës. Bejtullai ka qenë një “Mur i pakalueshëm”, ku zhvilloi 50 paraqitje në të gjitha garat si dhe dhuroi dy gola e pesë asistime.

Partner i Bejtullait është Ardian Limani, që ka qenë lojtari që ka shkëlqyer te Prishtina gjatë gjithë vitit. Limani zhvilloi 39 paraqitje në të gjitha garat, duke shënuar katër gola dhe duke dhuruar 3 asistime, ku njëri nga ta ishte në finalen e Kupës së Kosovës, e ku Prishtina arriti të fitonte trofeun.

Mbrojtja kompletohet me anësorin kongolez të Dritës, Raddy Ovouka i cili ishte i pakalueshëm në mbrojtje e i pandalshëm në sulm. 26-vjeçari zhvilloi 50 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar dy gola dhe duke dhuruar tetë asistime.

Mesfusha:

Albert Dabiqaj është në qendër të mesfushës falë një viti fantastik ku shkëlqeu si në kampionat ashtu edhe në Evropë. Këtë edicion për “Intelektualët”, “Dabi” zhvilloi plot 53 paraqitje, ku kontribuoi me shtatë gola e dy asistime.

Së bashku me Dabiqajn në mesfushë është Etnik Brruti, i cili ishte lojtari kryesor i Malishevës. 21-vjeçari ishte motor në mesfushën e Malishevës, derisa në 38 ndeshje gjatë vitit 2025 kontribuoi me katër gola e gjashtë asistime.


telegrafi.com

Në krahun e djathtë të mesfushës është talenti i Llapit, Arianit Hasani që ishte edhe zbulimi i këtij sezoni. Pavarësisht se vetëm 21 vjeçar, Hasani zhvilloi 31 paraqitje si dhe shënoi pesë gola e dhuroi shtatë asistime.


Ndërkohë në të majtë të mesfushës është Almir Kryeziu i Ballkanit, i cili mbajti ritmin gjatë gjithë sezonit. 27-vjeçari në 30 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat ka shënuar 8 gola dhe ka dhuruar 9 asistime.


Sulmi:

Në qendër të sulmit janë dyshja Arb Manaj i Dritës dhe Senad Jarovic i Gjilanit.

Duke zhvilluar plot 48 ndeshje, ku shënoi 15 gola dhe 8 asistime, Manaj arriti edhe një rekord fantastik për të realizuar gol në çdo kompeticion që ka luajtur Drita, pra në Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës, Ligën e Konferencës dhe Superligë.


“Ndeshje e vështirë, ritmi më i madh në Evropë se në Superligë”, Arb Manaj flet pas barazimit ndaj Omonoian telegrafi.com

Përkrah lojtarit më të mirë të viti 2025 në Kosovë, është Senad Jarovic i Gjilanit. Në Superligën e Kosovës përgjatë vitit 2025, Jarovic shënoi plot 14 gola dhe dhuroi 10 asistime gjatë 37 paraqitjeve.


Senad Jarovic 2024/05/Senad-Jarovic.jpg telegrafi.com

Trajneri i Vitit:

Trajneri më i mirë i vitit 2025 në Kosovë është padyshim Zekirija Ramadani i Dritës. Shkupjani u shpall kampion me Dritën, derisa arriti ta fus në grupe të Ligës së Konferencës, madje edhe kaloi në fazën 'Play-Off'. /Telegrafi/

Brruti drejt largimit nga Malisheva, kërkohet nga skuadra rumune

29 December 2025 at 10:08


Ekipi rumun, Cluj, ka shfaqur interes për të transferuar Etnik Brrutin, si zëvendësues të Lindon Emërllahut, i cili u shit për 2 milionë euro te Polissya në Ukrainë.

Megjithatë, Malisheva nuk do ta lërë lehtë Brrutin. Klubi kërkon të paktën 800 mijë euro për mesfushorin 21-vjeçar dhe dëshiron gjithashtu të ruajë 15% të kartonit të tij në rast rishitjeje.

Kontrata e Brrutit me Malishevën skadon në qershor të vitit 2026, ndaj klubi nuk dëshiron ta humbasë lojtarin pa kompensim.

Brruti ishte gjithashtu në qendër të vëmendjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë disa muaj më parë, kur vendosi të vishte fanellën e Shqipërisë, duke lënë pas Kosovën U21, ku aktivizohej më parë.

21-vjeçari këtë edicion është futbollisti kryesor i Malishevës, pasi ka shënuar katër gola dhe ka asistuar në tre të tjerë në 17 ndeshje të zhvilluara. /Telegrafi/

Mbyllet stinori vjeshtor në Superligë: Ballkani dimëron si lider

24 December 2025 at 15:25


Është mbyllur stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës me ndeshjen Drita - Prishtina që përfundoi 2-0 në të mirë të vendasve.

E pas 18 xhirove të zhvilluara, Ballkani është kampion vjeshtor dhe dimëron si lider. Skuadra nga Suhareka ka përfunduar pjesën e parë të kampionatit me 33 pikë, duke regjistruar 9 fitore, 6 barazime dhe vetëm 3 humbje, me golaverazh mbresëlënës 38:18, sulmi më i mirë në ligë deri tani.

Pas tyre renditet Prishtina me 30 pikë, e cila megjithëse ka të njëjtin numër fitoreje sa Ballkani (9), ka pësuar më shumë humbje dhe ka një golaverazh dukshëm më modest (32:26). Forma e fundit e kryeqytetasve ka qenë luhatëse, çka i ka kushtuar me humbjen e kreut.

Në vendet pasuese, Dukagjini dhe Drita ndajnë nga 29 pikë secila, duke qëndruar shumë pranë zonës së kreut dhe duke mbajtur gjallë ambiciet për titull.

Malisheva (27 pikë) dhe Gjilani (26 pikë) janë gjithashtu në garë për zonën e Evropës, falë një serie rezultatesh pozitive në javët e fundit.

Në pjesën e poshtme të tabelës, Llapi me 21 pikë ende nuk është i qetë, ndërsa presioni është shumë më i madh për Drenicën (20 pikë), Ferizajn (19 pikë) dhe Prishtinën e Re, e cila mbyll tabelën me vetëm 15 pikë dhe golaverazh -11.

Lufta për mbijetesë pritet të jetë tejet e ashpër në pranverë.

Skuadrat tani do të shfrytëzojnë pushimin dimëror për rikuperim dhe përforcime, por një gjë është e qartë: Ballkani e mbyll vjeshtën në maje dhe do të hyjë në gjysmën e dytë të sezonit me epërsi, por edhe me presionin e madh për ta mbrojtur pozitën e parë. /Telegrafi/

Kastrati: Malisheva hedh gurthemelin e nënstacionit të ri energjetik, presim përfundim brenda 13 muajsh

24 December 2025 at 07:53


Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka bërë të ditur se sot është vënë gurthemeli për ndërtimin e Nënstacionit të ri energjetik 220/35/10(20) kV në Malishevë, projekt ky që synon rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike për qytetarët dhe bizneset lokale.

Sipas Kastratit, ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt stabilizimit energjetik në komunë, e cila për vite me radhë është përballur me ndërprerje të shpeshta të rrymës.

“Sot shënojmë një moment të rëndësishëm për komunën tonë, vënien e gurthemelit për ndërtimin e Nënstacionit të ri 220/35/10(20) kV në Malishevë, një projekt i shumëpritur që ka rëndësi të madhe për sigurinë dhe cilësinë e furnizimit me energji elektrike në komunën tonë dhe më gjerë”, ka shkruar Kastrati në Facebook.

Ai theksoi se përfitues të drejtpërdrejtë të këtij investimi do të jenë familjet, mërgata dhe sektori privat, të cilët janë prekur rëndë nga problemet energjetike në vitet e fundit.

“Ky është një lajm i mirë për çdo familje të Malishevës, për mërgatën tonë që na viziton gjatë festave, si dhe për bizneset tona lokale, të cilat për vite me radhë janë përballur me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike”, bëri të ditur ai.

Megjithatë, kryetari i Malishevës ngriti edhe kritika ndaj institucioneve qendrore për, siç tha ai, trajtim të pabarabartë të komunës ndër vite, përcjell Telegrafi.

“Për shumë vite me radhë, Malisheva është diskriminuar nga institucionet e nivelit qendror. Katër dimra radhazi, qytetarët tanë kanë mbetur pa energji elektrike, me ndërprerje të vazhdueshme që ua kanë prishur festat familjare, kanë dëmtuar bizneset dhe kanë krijuar pasiguri të vazhdueshme në jetën e përditshme”, shtoi Kastrati.

Ai theksoi se komuna nuk ka kërkuar privilegje, por vetëm trajtim të barabartë dhe respekt institucional.

“Malisheva nuk ka kërkuar asgjë më shumë se trajtim të barabartë dhe respekt institucional. Kjo situatë nuk ka qenë e drejtë dhe nuk duhet të përsëritet më”, thuhet në postimin e tij.

Në fund, Kastrati kërkoi që projekti të përfundojë brenda afatit të paralajmëruar prej 13 muajsh, duke paralajmëruar se do të kërkojë llogaridhënie për realizimin e tij të plotë.

“Pres dhe uroj që ky projekt të përfundojë brenda afatit prej 13 muajsh dhe të mos mbetet një tjetër projekt i nisur e i lënë përgjysmë. Si kryetar i komunës, do të jem zë i fuqishëm i qytetarëve dhe do të kërkoj llogaridhënie që ky projekt të realizohet plotësisht dhe në kohë”, përfundoi Kastrati.

Në vënien e gurthemelit ishte edhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ku në fjalën e saj theksoi se, sot po fillojnë punimet në nënstacionin e ri në Malishevë në vlerë prej 6.8 milionë euro, investim ky që lidhë për herë të parë Malishevën në rrjetin 220 kV, që është ndryshim i kategorisë, jo vetëm për kapacitet më të larta, por edhe për punime të qëndrueshme dhe më të besueshme krahas rrjetit i cili gjithashtu është 35 kV.

"Unë e di që Malisheva ka pasur nevojë për këtë investim qysh moti. Problemet i keni që nga viti 2007, pra, kjo që po bëjmë sot, që po nisim sot, është përmirësim i një padrejtësie të gjatë për Malishevën.

"Qysh në vitin 2021, kur e kemi marrë mandatin, e kemi ditur që Malisheva e ka këtë problem jashtëzakonisht të madh, dhe e kemi ngritur këtë çështje menjëherë, ku në vitin 2022 KOSTT-i e ka vendosur në plan pesëvjeçar të investimeve. Më pas në vitin 2023, KOSTT-i e ka tenderuar dhe kontraktuar dizajnin e projektit. Pastaj në 2024-tën, e gjatë këtij viti është marrë leja ndërtimore e procedurat e tjera të nevojshme, dhe jam e lumtur që më në fund, kontrata është nënshkruar, para disa javësh, e sot po fillojnë punimet", ka thënë Rizvanolli. /Telegrafi/


Përditësohen vlerat e futbollistëve në Superligën e Kosovës – Arb Manaj dhe Giovanni më të vlefshmit

23 December 2025 at 12:28


Faqja e specializuar e statistikave Trasfermarkt ka përditësuar gjatë ditës së sotme (e martë) vlerat e klubeve dhe lojtarëve në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Klubi i Dritës ka skuadrën më të vlefshme në kampionatin elitar të Kosovës me 29 futbollistë që vlejnë 7.50 milionë euro, i pasuar nga Ballkani me 22 futbollistë që vlejnë 6.25 milionë euro dhe Prishtina e treta me një vlerë ekipi prej 5.68 milionë euro.

Por, kush janë lojtarët më të vlefshëm në Superligën e Kosovës pas përditësimit të fundit të vlerave?

Sipas faqes së specializuar të transferimeve dhe statistikave Transfermarkt, mesfushori i Ballkanit, Giovanni dhe sulmuesi i Dritës, Arb Manaj janë lojtarët më të vlefshëm me vlerë prej 800 mijë eurosh.

Giovanni pati rritje prej vetëm 50 mijë eurosh nga vlerësimi i fundit, ndërsa Manaj pati një ngritje të madhe prej 350 mijë eurosh, pasi më parë vlerësohej vetëm 450 mijë eurosh.

telegrafi.com

Pas tyre vjen Muhamet Hyseni i Llapit i treti me 650 mijë euro, ndërsa Senad Jarovic (Gjilani), Raddy Ovouka (Drita), Albert Dabiqaj (Drita) dhe Valentin Serebe (Ballkani) kanë vlerë prej 600 mijë eurosh.

Pozita e tetë dhe nëntë mbahet nga Etnik Brruti (Malisheva) dhe Rron Broja (Drita) me vlerë prej 550 mijë eurosh, ndërsa Mario Ilievski (Prishtina), Arlind Aliu (Malisheva), Egzon Bejtullai (Drita), Almir Ajzeraj (Drita) dhe Almir Kryeziu (Ballkani) vlerësohen nga 500 mijë euro.

Në pozitën e 15-të renditet Laurent Xhylani (Malisheva) me vlerë prej 450 mijë eurosh, po aq sa vlen edhe Walid Hamidi (Ballkani). /Telegrafi/

Transfermarkt përditëson vlerat e klubeve në Superligë: Drita skuadra më e vlefshme

23 December 2025 at 12:10


Mediumi i specializuar për vlerësimin e futbollistëve, Transfermarkt ka përditësuar vlerat e futbollistëve dhe klubeve në Superligën e Kosovës.

Kampioni në fuqi i Kosovës, Drita vazhdon të mbetet skuadra më e vlefshme në Superligë me vlerën që i është rritur nga 6,5 në 7,5 milionë euro.

Lojtari më i vlefshëm i Dritës është sulmuesi Arb Manaj, vlera e të cilit ka pasur rritje të jashtëzakonshme nga 450 mijë në 800 mijë euro.

Drita fluturon në renditjen e Ligës së Konferencës – lë pas emra nga La Liga, Serie A dhe Liga Premier telegrafi.com

Skuadra e dytë me vlerën më të madhe është Ballkani, ku nga Transfermarkt vlerësohet 6,25 milionë euro, derisa Prishtina është e treta me 5,68 milionë euro.

Në pozitën e katërt është Gjilani me vlerë 5,39 milionë, derisa Malisheva është e pesta me vlerë prej 5,2 milionë euro.

Llapi ka vlerë prej 4,85 milionë euro, Drenica prej 3,75 ndërsa Dukagjini prej 3,33 milionë euro. Top 10-shja e skuadrave në Superlië mbyllet me Ferizajn që është vlerësuar 3,29 milionë euro dhe Prishtinën e re prej 2,67 milionë euro.

Total vlera e klubeve të Superligës ka shkuar në 47,89 milionë euro nga Transfermarkt. /Telegrafi/

Ballkani kampion vjeshtor, mbetet edhe një ndeshje – interesant për kreun dhe mbijetesën

21 December 2025 at 17:08


Janë mbyllur të gjitha ndeshjet e javës së 18-të në Superligën e Kosovës, ku nuk munguan golat dhe përballjet e forta.

Prishtina mori një fitore të rëndësishme, të parën në epokën e Afrim Tovërlanit, duke mposhtur Drenicën me rikthim, me rezultat 2-1.
Ramiz Bytyqi dhe Mario Ilievski i shënuan golat për Prishtinën, ndërsa Ronaldo Chacon shënoi për Drenicën.

Ferizaj po ashtu mori një fitore shumë të rëndësishme, përballë Llapit të Tahir Batatinës, dhe atë në kohën shtesë, me rezultat 2-1.
Betim Haxhimusa ishte heroi i Ferizajt me dy gola, ndërsa për Llapin shënoi Muhamet Hyseni.


Sot Dukagjini dhe Ballkani zhvilluan një ndeshje të fortë, por që u mbyll pa gola.

Malisheva, në anën tjetër, e ndali Dritën në barazim 1-1, ku Jorgo Pëllumbi shënoi fillimisht për gjilanasit, por Xhemal Ibishi barazoi në fund.

Ndeshja me më shumë gola ishte ajo mes Gjilanit dhe Prishtinës së Re, ku vendasit shënuan fitore me rezultat 3-2.
Edi Basa shënoi dy herë, ndërsa një gol e shtoi Senad Jarović. Mysafirët reaguan me dy gola, të Gomes dhe Astrit Berishës, por nuk ia dolën të marrin pikë.

Edhe një ndeshje zhvillohet, por Ballkani është kampion vjeshtor

Për ta mbyllur të gjithë stinorin vjeshtor, do të zhvillohet edhe një ndeshje, ajo mes Dritës dhe Prishtinës, e cila ishte shtyrë disa javë më parë.

Ballkani mbetet lider me 33 pikë dhe vetëm një fitore e Prishtinës (30 pikë) do të mund ta zinte në renditje, por jo ta kalonte, pasi edhe me golaverazh dhe në ndeshjet e ndërsjellta, falë goldallimit, suharekasit janë më mirë.

Prishtina me 30 pikë e ka të sigurt pozitën e dytë, ndërsa në vendin e tretë është Dukagjini me 29 pikë. Malisheva ka 27 pikë në pozitën e katërt.

Pozitat pesë dhe gjashtë i ndajnë Drita dhe Gjilani, që kanë nga 26 pikë.

Skuadrat që janë në zonën e mbijetesës janë katër, me Llapin që është në pozitë më të mirë, atë të shtatën me 21 pikë. Drenica ka 20 pikë si e teta, ndërsa Ferizaj me 19 pikë është në vendin e nëntë. Fundin e renditjes e mbyll Prishtina e Re, që ka tubuar deri më tani 15 pikë.

Stinori pranveror kthehet në shkurt, fillimisht me ndeshjes e Kupës së Kosovës. /Telegrafi/

Pa fitues në Liman Gegaj, Malisheva dhe Drita ndajnë pikët

21 December 2025 at 14:57


Malisheva dhe Drita kanë luajtur baras 1-1 në një ndeshje shumë të luftuar në Liman Gegaj.

Pjesa e parë ka qenë shumë e luftuar nga të dyja skuadrat, me Dritën që kishte mungesa të mëdha.

Kamponi në fuqi i Kosovës në këtë ndeshje ishte pa portierin Faton Maloku, mbrojtësin Egzon Bejtullai si dhe dy mesfushorët Rron Broja e Vesel Limaj e sulmuesin kryesor Arb Manaj.

Malisheva rrezikoi dy herë Dritën me Laurent Xhylanin, derisa gjilanasit u kundërpërgjigjën me Jorgo Pëllumbin, por që goditja e tij u ndal nga Ilir Avdylit.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin e pastër 0-0.

Edhe pjesa e dytë nisi mirë për Malishevën, me Feratin që goditi bukur, por edhe më bukur intervenoj Laurit Behluli duke mbajtur portën e paprekur.

Në minutën e 73-të, Laurent Xhylani doli i vetëm përballë portierit Behluli, por ky i fundit intervenoj për mrekulli.

Drita gjeti golin në minutën e 83-të, kur Jorgo Pëllumbi gjuajti bukur dhe shënoi për 0-1.

E në minutën e 88-të, Xhemal Ibishi realizoi me kokë për të barazuar rezultatin për vendasit në 1-1.

Deri në fund më gola nuk pati dhe dy skuadrat u ndanë në barazim 1-1.

Me këtë barazim dy skuadrat ruajnë pozitat e tyre, me Malishevën në pozitën e katërt me 27 pikë dhe Drita e pesta me një pikë më pak. /Telegrafi/

Malisheva kërkon vazhdimësi, Drita këndellje - formacionet zyrtare

21 December 2025 at 12:07


Malisheva është nikoqire e Dritës në kuadër të xhiros së 18-të në Albi Mall Superligë.

Dy skuadrat janë në pjesën e epërme të tabelës, me Malishevën që ndodhet në pozitën e katërt me 26 pikë dhe Drita e pesta me një pikë më pak.

Vendasit kërkojnë vazhdimësi të rezultateve pozitive, pasi në katër ndeshjet e fundit kanë grumbulluar 10 pikë.

Ndërkohë Drita nuk di për fitore që tre ndeshje duke marrë vetëm dy pikë dhe synojnë të rikthehen te fitoret.

Formacionet zyrtare:

Malisheva: Avdyli, Pira, Kryeziu, Opeh, Veliu, Xhaka, Vitija, Ferati, Brruti, Xhylani, Diatta.

Drita: Behluli, Be.Krasiqi, Pëllumbi, Sheji, Ovouka, Dabiqaj, Mustafa, Salifu, Balaj, Tusha, Bl. Krasniqi.

/Telegrafi/

Superliga vazhdon me ndeshjet e xhiros së 18-të: Luhet në Malishevë, Klinë dhe Gjilan

21 December 2025 at 02:05


Xhiro e 18-të në Albi Mall Superligën e Kosovës do të vazhdoj edhe sot, me tre ndeshje që janë në program për t'u zhvilluar.

Janë tre sfida shumë të rëndësishme me gjashtë skuadra që duan maksimumin e pikëve.

Malisheva pret Dritën në stadiumin 'Liman Gegaj', në një sfidë ku dy skuadrat duan maksimumin e pikëve për të vazhduar ngjitjen.

Sidë tejet interesante pritet të zhvillohet edhe në Klinë, me Dukagjinin që është nikoqir i liderit aktual Ballkanit.

Gjilani synon që të vazhdoj me rezultate pozitive, pasi para tifozëve të vet pret Prishtinën e re.

Të gjitha ndeshjet e ditës së sotme fillojnë nga ora 13:00. /Telegrafi/

Orari dhe gjyqtarët e xhiros së fundit të edicionit vjeshtor në Albi Mall Superligën e Kosovës

19 December 2025 at 15:45


Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka publikuar gjatë ditës së sotme orarin dhe gjyqtarët e ndeshjeve të xhiros së 18-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Superliga e Kosovës do të luajë gjatë kësaj fundjave xhiron e fundit të edicionit vjeshtor, ku dy ndeshje janë programuar për të shtunën dhe tri për të dielën, ku të gjitha do të fillojnë nga ora 13:00.

Ndeshja e parë është ajo në mes të Prishtinës dhe Drenicës, e planifikuar të luhet në stadiumin Fadil Vokrri.

Gjyqtar kryesor i kësaj ndeshje është Alban Shala, i cili do të jetë i asistuar nga Drilon Rexhepi dhe Zgjim Rrahimi, teksa Rrezart Hasani si gjyqtar i katërt.

Në ndeshjen e dytë të së shtunës, Ferizaj e pret Llapin në “Stadiumin e Qytetit”.

Vigan Kastrati është gjyqtar kryesor, i ndihmuar nga Arbnor Bullatovci dhe Altin Zhegrova si anësor dhe Erdall Zasella si gjyqtar i katërt.

Të dielën, ndeshja kryesore është ajo në mes të Dukagjinit dhe Ballkanit, e paraparë të luhet në stadiumin “18 qershori”.

Burim Ibërdemaj do ta ndajë drejtësinë në këtë takim, i asistuar nga Fatmir Sekiraqa dhe Meriton Berisha, teksa i katërt do të jetë Mervan Bejtullahu.

Ndeshje interesante e kësaj dite është ajo në mes të Malishevës dhe Dritën, e cila do të luhet në stadiumin “Liman Gegaj”.

Kjo ndeshje do të gjykohet nga Genc Nuza, i asistuar nga Besnik Morina dhe Gzim Mehmeti, teksa Egzon Daka do të jetë gjyqtar i katërt.

Përballja e fundit e kësaj xhiros është planifikuar të luhet në stadiumin me bari artificial, ku Gjilani është nikoqir i Prishtinës së Re.

Vigan Ibërdemaj do ta ndajë drejtësinë në këtë takim, i ndihmuar nga Edmond Zeqiri dhe Bekim Rama si anësor dhe i katërti Gramos Shala. /Telegrafi/


Halil Kastrati strehon një të moshuar të braktisur në Malishevë

16 December 2025 at 23:28


Hoxha dhe humanisti Halil Kastrati ka ndërmarrë një veprim humanitar në Komunën e Malishevës, pas njoftimit për një të moshuar që jetonte i vetëm dhe në kushte të rënda jetese.

Sipas njoftimit, i moshuari ishte i braktisur nga familja dhe i harruar nga shoqëria, duke jetuar në kushte të papërshtatshme dhe të padenja për jetën njerëzore.

I rënduar nga varfëria dhe vitet, ai kishte shprehur vetëm disa fjalë që pasqyronin gjendjen e tij të vështirë, duke thënë: “Mirë që toka po na mban”, përcjell Telegrafi.

Pas takimit me të moshuarin, Halil Kastrati së bashku me bashkëpunëtorët e tij ndërhynë menjëherë, duke e strehuar atë në një shtëpi për të moshuarit. Aty, ai do të ketë kushte më të mira jetese, ushqim, ngrohtësi, kujdes shëndetësor dhe mbështetje të vazhdueshme, me synimin që të jetojë me dinjitet.

Kastrati ka theksuar se askush nuk duhet të kalojë vitet e fundit të jetës në vetmi dhe se asnjë njeri nuk duhet të ndihet barrë për shoqërinë.

Ai ka shprehur mirënjohje ndaj Zotit dhe bamirësve që mbështesin veprimet humanitare, duke bërë thirrje për më shumë solidaritet dhe kujdes ndaj personave më të pambrojtur në shoqëri. /Telegrafi/


Llapi me një lojtar më shumë dështon ta mposhtë Malishevën

14 December 2025 at 15:01


Edhe pse me një lojtar më shumë, Llapi ka dështuar t’i fitojë pikët e plota në shtëpi ndaj Malishevës.

Vendasit pjesën më të madhe të kohës ishin më kërkues, por që epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 0-0.

Llapi tentoi të krijonte aksione të shumta që assesi s’i konkretizojë, derisa Malisheva provoi me disa kundërsulme dhe topa të gjatë, që gjithashtu nuk rezultuan efektive.

Mysafirët në fakt ishin edhe me një lojtar më pak si pasojë e një kartoni të kuq në minutën e 63-të.

Sidoqoftë, me një mbrojtje solide, skuadra e drejtuar nga Elon Berisha arriti ta fitonte një pikë midis “Zahir Pajaziti”.

Malisheva kësisoj ruan pozitën e katërt me 26 pikë ndërsa Llapi qëndron në vendin e shtatë me 21 sosh./Telegrafi/

Llapi synon këndelljen ndaj Malishevës, formacionet zyrtare

14 December 2025 at 12:19


KF Llapi është nikoqiri i skuadrës në formë fantastike, Malishevës, në kuadër të xhiros së 17-të në Superligën e Kosovës.

Skuadra e Tahir Batatinës synon këndellje pasi nuk di për fitore në dy ndeshjet e fundit në elitë.

Ndërkohë, Malisheva në krye me Elon Berishën kanë qenë të mrekullueshëm në katër xhirot e fundit, duke pasur një rekord 100 për qind në fitore andaj duan të vazhdojnë në të njëjtën mënyrë.

Formacionet zyrtare:

Llapi:

Malisheva:

Përballja do të nis me fillim nga ora 13:00./Telegrafi/

Superliga vazhdon me tre super derbi, vëmendja në Gjilan e Suharekë

14 December 2025 at 10:07


Sot (e diele) do të zhvillohen edhe tre super përballje në kuadër të Superligës së Kosovës.

Vëmendja padyshim do të jetë të derbi lokal Drita – Gjilan, por përballje tejet interesante pritet edhe mes Ballkanit e Prishtinës.

Në anën tjetër, Llapi do ta presë skuadrën që po kalon një formë të shkëlqyer, Malishevën.

Përpos Llapit, të gjitha skuadrat janë në diferencë të vogël pikësh prandaj do të provojnë t’i arkëtojnë vetëm pikët e plota.

Kujtojmë, të tre takimet do të nisin me fillim nga ora 13:00./Telegrafi/

Hidhet shorti për 1/8-tën e Kupës së Kosovës, dy përballje të zjarrta në këtë fazë

10 December 2025 at 12:24


Sot (e mërkurë) është hedhur shorti për fazën e 1/8-tës në Kupën e Kosovës, ku janë mësuar tashmë tetë çiftet që kërkojnë një vend në çerekfinale.

Në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) është hedhur shorti i Kupës së Kosovës, i cili ka prodhuar duele të zjarrta, me dy super-derbi që spikasin menjëherë.

Prishtina – Ballkani është dueli që tërheq vëmendjen më të madhe. Fituesit në fuqi të Kupës, Prishtina përballet me Ballkanin që kërkon rikthimin te ky trofe të cilin e fitoi para dy sezonesh pikërisht në një përballje ndaj kryeqytetasve.

Atmosfera pritet të jetë elektrizuese ndaj këtyre dy rivalëve të viteve të fundit dhe ky takim lehtësisht mund të konsiderohet si finale e parakohshme.

Po aq i nxehtë është edhe dueli Drita-Llapi, një përballje që tradicionalisht sjell tension, emocione dhe shumë rivalitet. Drita është e ndërtuar tash e sa vite për trofe, ndërsa Llapi ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe në Kupë shpesh ka ditur të befasojë duke fituar trofeun.

Ky cilësohet si një duel i hapur, ku gjithçka mund të ndodhë.

Në sfidat tjera ka gjithashtu përballje të forta, por edhe short të favorshëm për disa skuadra, si Gjilani që vjen nga Superliga kundër Lirisë nga Liga e Parë dhe Trepça ’89-Malisheva.

Shorti ka caktuar edhe dy përballje mes ekipeve nga Superliga si Drenica-Ferizaj dhe Dukagjini-Prishtina e Re dhe dy përballje tjera nga Liga e Parë si Feronikeli 74’-Dinamo dhe Vushtrria-Vëllaznimi.

Faza e 1/8-tës premton spektakël dhe shumë emocion, kështu që tifozët mezi presin t’i shohin këto përballje në pjesën e parë të sezonit pranveror.

Çiftet e 1/8-tës në Kupën e Kosovës:

Prishtina - Ballkani

Gjilani - Liria

Feronikeli 74’ - Dinamo

Drenica - Ferizaj

Dukagjini - Prishtina e Re

Drita - Llapi

Vushtrria - Vëllaznimi

Trepça 89 - Malisheva

/Telegrafi/

Nga starti i vështirë, te ringritja e fuqishme – Arlind Veliu flet për kthesën e madhe të Malishevës

9 December 2025 at 17:22


Malisheva po tregon se është një ekip që nuk dorëzohet lehtë. Pas disa javëve të para jo bindëse, skuadra ka gjetur stabilitet dhe identitet nën drejtimin e Elon Berishës. Një nga lojtarët që e ka ndier më shumë këtë ndryshim është mbrojtësi i majtë, Arlind Veliu, i cili po kontribon me gola dhe paraqitje të shkëlqyera.

Në një intervistë për Telegrafin, Veliu flet për formën e tij personale, rezultatet e deritanishme të Malishevës dhe objektivat që ka me klubin këtë sezon.

Pas 16 ndeshjeve të zhvilluara deri më tani, Malisheva renditet e katërta në tabelë me 25 pikë, vetëm katër më pak se lideri Ballkani që ka 29 sosh – jo keq për një skuadër që nuk dinte për fitore në tri xhirot e para të kampionatit.

“Është e vërtetë që fillimi i sezonit nuk ishte aq i mirë, mirёpo me kalimin e kohës arritëm ta gjejmë formën dhe ritmin e duhur, si dhe t’i përmirësojmë paraqitjet tona si ekip”, ka thënë fillimisht Veliu.

Nuk është e zakonshme për një mbrojtës krahu që të shënojë gola, por Veliu e bëri dy herë në ndeshjen ndaj Drenicës. Merita për këtë 24-vjeçari i atribuon edhe trajnerit Elon Berisha, për të cilin tha se ka një raport të mirë me të si ai dhe bashkëlojtarët dhe kjo ka sjellë frytet e saj me rezultate pozitive.

“Normalisht që jam shumë i kënaqur me paraqitjen time ndaj Drenicës, por mbi të gjitha jam më i kënaqur me fitoren e ekipit. Gjithashtu, jam i kënaqur edhe me performancat e deritanishme gjatë këtij sezoni”.

“Me trajnerin e ri kam një raport shumë të mirë profesional dhe personal, ashtu si edhe pjesa tjetër e ekipit. Këtë e dëshmon puna dhe rezultatet që kemi arritur deri tani, dhe shpresojmë të vazhdojmë në këtë mënyrë”.

Veliu tutje shtoi se objektivi kryesor i Malishevës këtë sezon është dalja në Evropë, duke përmendur gjithashtu edhe ekipet që ai i sheh si rivalët më të fortë të klubit në këtë drejtim.

“Objektivat e Malishevës janë rezultatet pozitive në çdo ndeshje. Ashtu si dy sezonet e fundit, kur kemi luftuar për një pozitë që na dërgon në garat evropiane, synojmë edhe këtë sezon”.

“Rival kryesor, përveç kampionit në fuqi Dritës, janë ekipet që po performojnë mirë këtë edicion si Prishtina, Ballkani dhe Dukagjini, por nuk përjashtojmë as ekipet e tjera, pasi çdo ndeshje ka rëndësi maksimale për ne”.

Xhiron e ardhshme Malisheva do të luajë në udhëtim te Llapi, kundërshtar të cilin nuk kanë arritur ta mposhtin në asnjë nga tri ndeshjet e fundit.

Veliu u shpreh tejet i motivuar për t’i dhënë fund kësaj serie negative dhe për të vazhduar ecurinë pozitive të rezultateve.

“Ndeshja kundër Llapit padyshim do të jetë shumë e rëndësishme dhe motivi është maksimal për të dhënë më të mirën tonë, për të marrë pikët e plota dhe për të vazhduar këtë ecuri pozitive të ndeshjeve të fundit”, përfundoi ai./Telegrafi/

Sondazh: ‘Lojtari i Vitit 2025’ nga lexuesit e Telegrafit

9 December 2025 at 13:26


Redaksia e sportit në mediumin më të madh online në Kosovë, Telegrafi.com do të vazhdojë traditën për të zgjedhur më të mirët e vitit në futbollin kosovar.

Si gjithmonë do të ndahen çmimet për secilën pozitë: portieri, mbrojtësi, mesfushori, sulmuesi e talenti i vitit duke mos harruar edhe trajnerin e vitit dhe futbollisti i vitit.

Gjithashtu në çmimet që ndahen nga Telegrafi janë edhe 'Futbollistja e vitit' dhe klubi më i mirë për vitin 2025.

Duke marrë parasysh që lexuesit janë të shenjtë për ne, Telegrafi tanimë për vitin e tretë do të ndajë edhe çmimin e lexuesve.

Telegrafi ka zgjedhur 20 emra të futbollistëve që kanë lënë gjurmë brenda vitit 2025 në futbollin kosovar dhe që janë ende pjesë e futbollit tonë, ku votat e lexuesve do ta zgjedhin më të mirin.

Sondazhi i Telegrafit do të zgjatë 10 ditë, ku është krejtësisht transparent dhe lexuesit do ta zgjedhin më të mirin e vitit.

Vlen të theksohet se vitin e kaluar këtë çmim e fitoi sulmuesi Drilon Hazrollaj, që aktualisht luan në Rumani te Rapid Bukureshti. /Telegrafi/



❌
❌