Pas Malishevës, situata nga vërshimet normalizohet edhe në Rahovec
Pas ditës së vështirë të djeshme ku disa zona në Rahovec, përfshirë Fortesën dhe Ratkocin, u prekën nga reshjet e mëdha dhe përmbytjet e mundshme, situata sot është më e qetë.
Kështu tha për Telegrafin Smajl Latifi, kryetari i Rahovecit.
“Situata është me qetë se dje, po kujdesemi për pasojat që janë në infrastrukturë rrugore, dhe po kujdesemi edhe për ata që po kërkojnë ndihmë. Jemi aktiv si shtab emergjent, por shpresojmë që nuk do të ketë reshje më,” tha Latifi.
Ai bëri të ditur se në Fortesë dhe Ratkoc, zona që dje u vunë më shumë nën rrezik, nuk ka pasur evakuime, ndërsa në Çifllakë ka pasur nevojë për ndërhyrje për dy gra të moshuara, por situata është tejkaluar.
“Në Ratkoc dhe Fortesë nuk ka pasur evakuime, në Çifllakë ka pas dy gra të moshuara, por e kemi tejkaluar atë situatë dhe gjithçka është në rregull tash,” shtoi kryetari Latifi.
Shtabi emergjent i Rahovecit vazhdon monitorimin e zonave të përfshira dhe po ndërmerr të gjitha masat për parandalimin e dëmeve të mëtejshme, ndërsa qytetarët mbeten të paralajmëruar për reshje të mundshme. /Telegrafi/
