Tyler Perry akuzohet sërish për ngacmim seksual, Rodriguez kërkon 77 milionë dollarë dëmshpërblim
LOS ANXHELES, 27 dhjetor /ATSH/- Tyler Perry, regjisori dhe producenti i njohur, po përballet me një tjetër padi për ngacmim seksual nga aktori dhe modeli Mario Rodriguez, i cili pretendon se është ngacmuar seksualisht dhe i janë bërë propozime të padëshiruara nga Perry, në këmbim të një karriere në industrinë e filmit, sipas “People”.
Rodriguez ka kërkuar një dëmshpërblim prej 77 milionë dollarësh.
Padia përshkruan se ngacmimet kishin filluar në vitin 2015, kur një trajner në një palestër në Los Anxheles i kishte thënë Rodriguez se Perry dëshironte ta takonte.
Incidentet e mëtejshme, sipas padisë, përfshinin takime në shtëpinë e Perry, ku dyshohet se regjisori e ka ngacmuar seksualisht Rodriguez, përfshirë një rast në nëntor 2018 kur dyshohet se i ka prekur organet gjenitale pavarësisht kundërshtimeve.
Pasi këtyre incidenteve, Perry i ka kërkuar falje Rodrigues dhe i ka dhënë 5,000 dollarë, por ngacmimet dyshohet se kanë vazhduar deri në prill 2019.
Padia pretendon gjithashtu se Perry ka patur komunikime me ndërprerje me Rodriguez deri në vitin 2024, dhe kur mësoi për ngritjen e padisë, i dërgoi një mesazh duke thënë se ndihej “i tradhtuar” dhe se kishte bërë shumë për ta ndihmuar.
Mario Rodriguez foli publikisht për ngacmimet seksuale përmes një videoje në “Instagram” më 13 dhjetor, duke shpjeguar se frika dhe turpi e kishin penguar të fliste më parë, pa përmendur emrin e Perry.
“Heshta për një kohë të gjatë. Nëse do të kisha folur më herët, ndoshta mund të kisha shpëtuar dikë tjetër”, tha ai.
Kjo padi vjen disa muaj pas padisë së aktorit Derek Dixon, i cili ka akuzuar Perry për ngacmim seksual, sulm dhe hakmarrje, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 260 milionë dollarësh.
Avokati i Perry ka mohuar këto akuza, duke i cilësuar sto si të sajuara dhe të bazuara mbi mashtrim.
Ky rast rrit sërish vëmendjen ndaj akuzave të përsëritura për ngacmim seksual kundër Tyler Perry dhe ndikimit që këto pretendime kanë mbi karrierën dhe imazhin e tij publik. //a.i/
The post Tyler Perry akuzohet sërish për ngacmim seksual, Rodriguez kërkon 77 milionë dollarë dëmshpërblim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.