Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 December 2025Main stream

Rama: Maturantët ekselentë, shembuj frymëzimi për shoqërinë

28 December 2025 at 10:26

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ 190 maturantë ekselentë nga e gjithë Shqipëria u vlerësuan me Medalje të Artë, në një ceremoni të përvitshme që zhvillohet në selinë e Kryeministrisë.

Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot këtë event, një nga momentet më frymëzuese të javës.

Rama theksoi se shembujt janë thelbësorë për çdo shoqëri dhe Medalistët e Artë të gjimnazit janë forca e një shembulli të shkëlqyer.

“Janë fëmijë që vijnë nga familje me status të ndryshëm social dhe ndër ta, ka fëmijë që vijnë edhe nga familje që mezi e arrijnë fundin e muajit, por shembulli i tyre na thotë të gjithëve se mund të kërkosh dhe të gjesh me plot të drejtë justifikime për të mos bërë atë që duhet”, theksoi Rama.

Kjo botë, sipas tij, “është e atyre që nuk kërkojnë justifikime, por që ecin përpara për të bërë atë që duhet”.

Gjatë podkastit “Flasim”, Kryeministri uroi që të gjithë fëmijët të rriten kështu, me ambicie dhe pa u dorëzuar kurrë në rrugën për realizimin e ëndrrës së tyre.

/m.m/r.e/

The post Rama: Maturantët ekselentë, shembuj frymëzimi për shoqërinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Paqja fiskale, ndikim direkt në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik

28 December 2025 at 10:20

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot paqen fiskale, një kapitull të ri partneriteti dhe besimi me sipërmarrjen.

Gjatë podkastit “Flasim”, kryeministri Rama u ndal te dialogu me sipërmarrjen për paqen fiskale, i cili ka vijuar edhe gjatë javës që lamë pas.

“Një kapitull i ri partneriteti dhe besimi sapo ka nisur me sipërmarrjen, natyrisht mbi themelet që tanimë janë hedhur dhe këtë javë folëm gjerë e gjatë, duke ndarë disa pikëpamje e duke pasur në qendër të diskutimit Paqen Fiskale, një zotim i fushatës sonë elektorale, që sot është ligj dhe duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm hyn në zbatim”, theksoi ai.

Në thelb, Rama tha se paqja fiskale synon të ndërtojë një marrëdhënie të re, të shëndetshme mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes.

“Ajo u jep mundësi ndërmarrjeve, që nuk janë në konflikt me ligjin të vetëkorrigjojnë deklarimet e të shkuarës, t’u rikthehen pasqyrave të mëparshme dhe për çdo korrigjim të paguajnë një tatimfitimi vetëm 5%”, shtoi ai.

Po ashtu, sipas Kryeministrit, marrëveshja mes sipërmarrjes dhe administratës mbi tavanin e ri të fitimit vjetor, sjell paqe e qetësi, shmang çdo inspektim dhe ul barrën burokratike, që shpesh peshon më shumë sesa barra fiskale.

Kryeministri theksoi se nga kjo nismë pritet më shumë formalizim, më shumë energji sipërmarrëse dhe më shumë ndikim direkt në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

“Çlirimi i të gjitha sipërmarrjeve nga të gjitha gjobat e vjetra, borxhet e vjetra, sipas skedulës së përcaktuar shkon në këtë drejtim”, tha Rama.

/m.m/r.e/

The post Rama: Paqja fiskale, ndikim direkt në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: “EuroAgro Albania”, kanal i hapur dialogu për fermerët dhe bizneset drejt anëtarësimit në BE

28 December 2025 at 10:14

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ “EuroAgro Albania”, një platformë e prezantuar këtë javë për fermerët, është një mekanizëm praktik dhe i domosdoshëm për përgatitjen e bujqësisë dhe sektorit ushqimor për tregun e përbashkët europian.

Kryeministri Edi Rama, gjatë podkastit “Flasim” solli sot në vëmendje këtë instrument, ndërsa u shpreh se kapitujt 11, 12 dhe 13, që lidhen me bujqësinë, janë në zemër të procesit të negociatave të anëtarësimit.

“Do të jetë një sfidë e fortë, por çka kemi bërë në një dekadë, na jep besim dhe forcë se do të bëjmë gjithçka duhet për t’ia dalë edhe në dy vitet e ardhshme që t’i mbyllim negociatat deri në fund të vitit 2027”, siguroi Rama.

Kryeministri kujtoi se një dekadë më parë, vetëm 5600 fermerë merrnin një mbështetje simbolike nga shteti.

Ndërsa sot, sipas tij, “janë 67.500 fermerë që përfitojnë çdo vit mbështetje reale, e cila peshon në portofolin e fermës së tyre”.

“Eksportet dikur ishin një privilegj i një grushti fermerësh, ndërsa sot produktet shqiptare shkojnë në 80 vende të botës dhe eksportet kanë kaluar gjysmë miliard euro, ndërkohë që raporti i deficitit tregtar, pra eksporte dhe importe të produkteve ushqimore, ka zbritur nga 1 eksport, 9 import në 1 eksport dhe vetëm 3 import”, tha Rama.

Por, Kryeministri u shpreh se sot jemi në një tjetër nivel, por edhe sfidat janë të një niveli tjetër.

“‘EuroAgro Albania’ nuk është një website më shumë, nuk është një faqe më shumë në internet, por është një instrument pune, një udhërrëfyes hap pas hapi, si burim informacioni për standarde, afate dhe detyrime konkrete, si edhe një kanal dialogu i hapur për fermerët dhe bizneset në këtë rrugë drejt anëtarësimit”, tha Rama.

/m.m/r.e/

The post Rama: “EuroAgro Albania”, kanal i hapur dialogu për fermerët dhe bizneset drejt anëtarësimit në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ekonomia shqiptare u rrit me 3,75%, turizmi mbetet motori kryesor

28 December 2025 at 10:07

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se edhe në tremujorin e tretë të vitit, ekonomia shqiptare u rrit me 3,75%, një ritëm rritjeje mbi parashikimin dhe dukshëm më i lartë sesa mesatarja e vendeve të rajonit.

Në podkastin “Flasim”, Rama u ndal te zhvillimet kryesore ekonomike të javës që lamë pas, ndërsa theksoi se rritja ekonomike me 3,75% konfirmon performancën pozitive të ekonomisë sonë dhe reflekton një zgjerim të qëndrueshëm e të balancuar të aktivitetit ekonomik, të mbështetur nga konsumi, shërbimet, ndërtimi dhe investimet”.

“Edhe këtë javë zhurma e 700 tenxhereve politiko-mediatike, ku ziejnë me presion të lartë informacionet e marra në shkelje të ligjit nga kujdestarët e dosjeve e të veprimeve hetimore, nuk la asfare vend për lajmet e mira – paçka se kjo që kaloi ishte edhe javë Krishtlindjesh”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, turizmi ishte motori kryesor i rritjes ekonomike.

“Të ardhurat nga shërbimet e udhëtimit arritën afro 2,3 miliardë euro, vetëm në këtë tremujor, duke çuar suficitin e tregtisë së shërbimeve në rreth 1,9 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 27%. Për ta bërë të prekshme për të gjithë, theksoj se kjo performancë e fortë e shërbimeve ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në rritjen e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar dhe në përmirësimin e bilancit të pagesave”, shtoi ai.

Po ashtu, Rama tha se “besimi i investitorëve mbeti i fortë edhe në tremujorin e tretë”.

“Investimet e huaja direkte arritën në rreth 450 milionë euro, me një rritje vjetore prej 10%, të përqendruara kryesisht në sektorë strategjikë si turizmi, pasuritë e paluajtshme, financat dhe energjia”, tha Kryeministri.

Kreu i Qeverisë theksoi po ashtu se rritja ekonomike në tremujorin e tretë të vitit 2025 është shoqëruar me përmirësim të tregut të punës.

“Norma e papunësisë ka mbetur në nivelin 8,1%, por punësimi është rritur në 69,6% dhe pjesëmarrja në forcat e punës ka arritur në 76,5%. Paralelisht dhe përsëri për ta bërë të prekshme gjithçka po them, paga mesatare bruto në Shqipëri u rrit nga 776 euro në 830 euro, duke reflektuar rritje të të ardhurave nga puna dhe një përmirësim të mëtejshëm të gjendjes ekonomike të familjeve”, theksoi ai.

/m.m/r.e/

The post Rama: Ekonomia shqiptare u rrit me 3,75%, turizmi mbetet motori kryesor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: 700 tenxheret politiko-mediatike nuk e përulin dot Shqipërinë e Reformës në Drejtësi

28 December 2025 at 10:01

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama siguroi sot se kjo mazhorancë do të vazhdojë të mbështesë organet e drejtësisë me gjithçka ka në dorë për të bërë detyrën e tyre dhe do të mbetet garante e palëkundur e Reformës në Drejtësi dhe e pavarësisë së drejtësisë nga politika.

Në episodin e fundit për këtë vit të podkastit “Flasim”, kryeministri Rama u ndal te çështje të aktualitetit, ndërsa solli në vëmendje disa nga arritjet kryesore të vendit drejt Bashkimit Europian.

“Shqipëria e 700 tenxhereve politiko-mediatike, ku zien me histeri i gjithë llumi i gjysmë të vërtetave që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, ku linçohen njerëz e familje pa asnjë gajle, për lloj-lloj arsyesh të mosarsyes, nga gjobat e portalexhinjve tek ligësitë e poterexhinjve dhe mllefet e pallavraxhinjve, nuk e mund dhe as nuk e zmbraps dot kurrësesi Shqipërinë e të gjithë kapitujve të hapur të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian”, tha Rama.

Kryeministri solli në vëmendje Shqipërinë turistike me aeroportin kryesor të rajonit, që për të disatin vit edhe këtë vit, ka lënë mbrapa aeroportin historikisht kryesor në Ballkan, atë të Beogradit.

Po ashtu, Rama u ndal te Shqipëria e transformimit digjital dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike, ku paga mesatare ka arritur tanimë në 830 euro.

“Kemi Shqipërinë e transformimit epokal të infrastrukturës, ku kantiere të reja hapen çdo vit, qoftë për arteriet e mëdha të vendit e qoftë për ato të voglat; Shqipërinë e sovranitetit energjetik, e cila brenda këtij mandati të katërt do të jetë ekportuese neto e energjisë dhe s’do të paguajë më asnjë qindarkë për të blerë energji jashtë vendit; Shqipërinë e rilindjes së industrisë ushtarake, e cila do të mikpresë Samitin e NATO-s në 2027-ën dhe do ta mbrojë atë ditë qiellin me dronët e prodhuar në vendin tonë”, u shpreh Kryeministri.

Rama tha se “Shqipëria e 700 tenxhereve politiko-mediatike dhe histerike, nuk e mund dhe nuk e përul dot as në moralin e luftës kundër korrupsionit”.

“Nuk e mund dhe nuk e përul dot Shqipërinë e Reformës në Drejtësi, Shqipërinë e Pavarësimit të Drejtësisë nga Pushteti Politik, Shqipërinë e qeverisur nga forca e pasionit dhe vullnetit shtetndërtues, ku për herë të parë në histori, një parti në pushtet i hap rrugën drejtësisë për të pastruar me fshesën e ligjit edhe oborrin deri dje të ndaluar të pushtetit politik, përfshirë edhe pjesën e saj në atë oborr”, tha Kryeministri.

Kjo Shqipëri, sipas tij, nuk përulet dot nga Shqipëria e 700 tenxhereve politiko-mediatike, që nuk duan drejtësi për Shqipërinë, po duan destabilizim.

“Shqipëria ime, Shqipëria juaj, Shqipëria e atyre që sot janë fëmijë dhe që meritojnë një vend të sundimit të ligjit dhe jo të sundimit të llumit, nuk do të mundet e as do të përulet dot nga Shqipëria e 700 tenxhereve politiko-mediatike, që nuk duan drejtësi për Shqipërinë, po duan destabilizim, duan rrëmujë, duan shkatërrim në dëm të Shqipërisë, nuk duan drejtësi me ligj po hakmarrje me llum, nuk duan drejtësi po vetëgjyqësi, linçime, poshtërime”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se “ne do të vazhdojmë të luftojmë për drejtësinë që i ka munguar këtij shteti qysh në lindjen e tij, 100 e kusur vjet më parë”.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim organet e drejtësisë me gjithçka kemi në dorë për të bërë detyrën e tyre dhe do të mbetemi garantët e palëkundur të Reformës në Drejtësi, e të pavarësisë së drejtësisë nga politika, duke vazhduar të mbetemi zëri dhe forca më e madhe e shqiptarëve për Shqipërinë që askush tjetër nuk e mbron dot si ne, nuk e ndryshon dot si ne, nuk e bën dot siç do ta bëjmë ne, Shqipërinë në Bashkimin Europian”, tha Rama.

/m.m/r.e/

The post Rama: 700 tenxheret politiko-mediatike nuk e përulin dot Shqipërinë e Reformës në Drejtësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: E vërteta për AKSHI-n duhet pritur me durim vetëm nga drejtësia

28 December 2025 at 09:47

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot raportin e Bankës Botërore për nivelin e transformimit digjital të sektorit publik, i cili e rendit Shqipërinë 54 vende më lart.

Në episodin e fundit për këtë sezon të podkastit “Flasim”, kryeministri Rama bëri një përmbledhje të çështjeve kryesore të javës, ku u ndal te ky zhvillim pozitiv.

“Banka Botërore ka publikuar GovTech Maturity Index 2025, ose e thënë shqip, raportin që njëherë në 2-3 vite vlerëson 197 vende të botës për nivelin e transformimit digjital të sektorit publik”, bëri të ditur Rama.

Duke u ndalur te hetimi i SPAK për AKSHI-n, Rama u shpreh se “duhet pritur me durim vetëm nga drejtësia që të dalë deri në fund e vërteta”.

“E di që sot AKSHI përballet me një hetim nga SPAK-u për përdorimin e fondeve dhe Linda Karçanaj, gruaja që ka udhëhequr jetësimin e vizionit tonë qeverisës, për transformimin historik digjital të qeverisjes së Shqipërisë, me dije, vullnet e përkushtim të përditshëm për 12 vjet me radhë, gjendet nën një masë sigurie me një akuzë të hatashme, për të cilën duhet pritur me durim vetëm nga drejtësia, e s’mund të pritet asgjë nga 700 tenxheret e çorbës politike mediatike, që të dalë deri në fund e vërteta e saj, ciladoqoftë ajo”, tha Rama.

Por, Rama vlerësoi se “falë saj dhe skuadrës së AKSHI-it, ku punojnë pa orar plot vajza e djem të talentuar të botës së re të teknologjisë, Shqipëria ka bërë një kapërcim të madh, krahasuar me vitin 2022 kur ka dalë raporti paraardhës i Bankës Botërore për qeverisjen digjitale”.

“Këtë herë, jo vetëm vijojmë të renditemi në Grupin A – i quajtur grupi me Maturitet të Lartë – ku kemi 0.939 pikë, nga 1 që është maksimumi – por falë një rritjeje të ndjeshme, krahasuar me raportin paraardhës, ku kishim 0.752, këtë vit kemi kaluar nga vendi i 68-të në vendin e 14-të, mes gjithë atyre vendeve, duke lënë pas pikërisht falë punës e vullnetit për ta vënë teknologjinë e re në shërbim të publikut dhe të zhvillimit të Shqipërisë, vende me emër të madh, si Danimarka, Singapori apo Mbretëria e Bashkuar, e me radhë”, shtoi Kryeministri.

Rama theksoi se ky është një raport objektiv dhe profesional, i cili vlerëson katër fusha kryesore, që mbulojnë sistemet bazë qeveritare, shërbimet publike online, angazhimin digjital të qytetarëve dhe faktorët mundësues institucionalë e ligjorë.

“Pa diskutim nuk justifikon absolutisht asnjë shkelje të ligjit që pretendohet se ka ndodhur në aktivitetin e AKSH-it, gjë që mund të na e thotë vetëm procesi gjyqësor, por nga ana tjetër e gjithë zhurma histerike e 700 tenxhereve të çorbës politike mediatike, nuk e zhbën dot rezultatin fantastik të Shqipërisë, në këtë fushë të veprimtarisë së AKSHI-t, që mund ta verifikoni lehtësisht përmes linkut të raportit”, tha Rama, ndërsa ndau linkun e raportit që gjendet në faqen e Bankës Botërore.

/m.m/r.e/

The post Rama: E vërteta për AKSHI-n duhet pritur me durim vetëm nga drejtësia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Urgjenca Kombëtare në gatishmëri gjatë festave të fundvitit

28 December 2025 at 09:00

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Shërbimi i Urgjencës Kombëtare Mjekësore krahas sistemit shëndetësor parësor në të gjithë vendin, do të vijojë punën pa ndërprerje, me qëllim garantimin e shërbimeve të menjëhershme dhe cilësore për qytetarët, gjatë periudhës së festave të fundvitit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, e shoqëruar nga kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj vizituan kantierin e ndërtimit të qendrës rajonale të Urgjencës Mjekësore në Vlorë, ku u ndalën te masat e marra për gatishmërinë e ekipeve mjekësore gjatë festave të fundvitit.

Duke folur për rëndësinë e kësaj qendre, Brataj e informoi ministren Sala mbi projektin, i cili sipas tij, është mjaft funksional duke e bërë këtë qendër me kapacitete të mjaftueshme për të përballuar fluksin e urgjencave.

Brataj theksoi se bazuar në Urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale janë forcuar kapacitetet e shërbimeve për datën 31 dhjetor, dhe 1 dhe 2 janar.

“Janë tri ditët e impenjimit tonë më të madh dhe shqetësimit në lidhje me traumat që mund të ndodhin nga aksidentet, përdorimi i alkoolit apo përdorimi i mjeteve piroteknike. Kemi shtuar ekipet natën e ndërrimit të viteve, kemi shtuar medikamentet dhe materialet mjekësore. Kemi po ashtu edhe një listë me personelin e gatishmërisë nëse do të jetë e nevojshme, në veçanti në Tiranë, në Spitalin e Traumës”, tha Brataj.

Po ashtu Brataj informoi se natën e ndërrimit të viteve janë aktivizuar ekipe shtesë vetëshërbimi pranë shesheve të qyteteve ku festohet.

Ai siguroi se masat e propozuara janë në lartësinë e duhur dhe Urgjenca Kombëtare do të jetë në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Nga ana e saj, ministrja Sala falënderoi gjithë stafin e Urgjencës Kombëtare për shërbimin, gatishmërinë, profesionalizmin dhe pasionin që tregojnë.

“Gatishmëria juaj është një siguri për qetësinë, mbarëvajtjen e festave dhe gjithë sistemin shëndetësor”, u shpreh ministrja Sala.

Spitalet dhe Urgjenca Mjekësore do të jenë në gatishmëri 24 orë në ditët festive. Urdhri, i firmosur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala përcakton sigurimin e gatishmërisë të shërbimeve shëndetësore gjatë sezonit të festave, me qëllim garantimin e kujdesit shëndetësor dhe sigurisë për qytetarët, pa asnjë ndërprerje, veçanërisht në datat 31 dhjetor 2025 dhe 1-2 janar 2026.

Në zbatim të këtij urdhri, ekipet e Urgjencës Mjekësore dhe strukturat spitalore në të gjithë vendin janë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo rast emergjent, përfshirë traumat si pasojë e aksidenteve rrugore, tejkalimit të përdorimit të alkoolit apo përdorimit të mjeteve piroteknike gjatë festimeve.

/m.m/r.e/

The post Urgjenca Kombëtare në gatishmëri gjatë festave të fundvitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Rama: Nis të marrë formë Teatri i ri Kombëtar, hapësirë ikonike për artin dhe kulturën

26 December 2025 at 12:50


TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Teatri i ri Kombëtar do të kthehet jo vetëm në një hapësirë moderne për artin skenik, por edhe në një simbol të identitetit kulturor të kryeqytetit dhe të gjithë vendit.

Punimet në këtë kantier kanë avancuar, ndërkohë që godina e re do të jetë jo vetëm një hapësirë për artistët, por edhe një pikë e rëndësishme e jetës urbane dhe sociale të Tiranës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i Teatrit të ri Kombëtar, vepër e një prej arkitektëve më të shquar bashkëkohorë, Bjarke Ingels dhe studios daneze BIG.

Kryeministri theksoi se pas përfundimit të fazës komplekse të punimeve nëntokësore, projekti ka hyrë në etapën e realizimit ndërtimor, duke marrë formë një hapësirë ikonike për artin dhe kulturën.

Projekti parashikon salla bashkëkohore për shfaqje teatrore, ambiente multifunksionale për aktivitete kulturore, si dhe infrastrukturë teknologjike të standardeve europiane.

Teatri i ri do të ketë disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Më konkretisht, do të ketë një hapësirë prej 750 metrash katrorë auditor dhe me mbi 600 vende, me ballkon. Gjithashtu do të ketë një skenë teatri prej 630 metrash katrorë dhe dy salla Black Box prej 200 metrash katrorë secila.

Për artistët do të ketë një hapësirë prej 200 metrash katrorë që do të përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 metrash katrorë, tualete dhe dushe, si dhe një dhomë të gjelbër.

Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. Gjithashtu do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha lehtësirat për publikun.

/m.m/r.e/a.f/

The post Rama: Nis të marrë formë Teatri i ri Kombëtar, hapësirë ikonike për artin dhe kulturën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Videokartolinë urimi për festat nga nxënësit e shkollës “Ajet Xhindole” në Berat

26 December 2025 at 11:36


TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Programi “Art dhe Zeje”, i cili ka nisur nga zbatimi prej vitit 2022, synon të sjellë më shumë kreativitet dhe aftësi praktike për nxënësit duke i kthyer shkollat në qendra kreative dhe gjithëpërfshirëse.

Rrjeti i shkollave në të cilin zbatohet ky program është zgjeruar nga viti në vit, me një  pjesëmarrje të konsiderueshme të nxënësve të të gjithë grupmoshave që angazhohen me veprimtari jashtë orarit mësimor.

Një prej këtyre institucioneve arsimore është edhe shkolla artistike “Ajet Xhindole” në Berat, ku nxënësit kanë zgjedhur tingujt e muzikës për të përcjellë urimet për festat e fundvitit.

Ndërsa e cilësoi një ndër urimet më të bukura të fundvitit nga programi “Art dhe Zeje”, kryeministri Edi Rama ndau videokartolinën e realizuar nga nxënësit e kësaj shkolle.

Përmes programit “Art dhe Zeje” nxënësit mësojnë duke krijuar, duke eksperimentuar dhe duke zbuluar botën në mënyra të reja.

Nga arti që ushqen shpirtin, tek zejet që zhvillojnë aftësitë praktike, e për të vijuar me sportin që forcon trupin dhe mendjen, ky program synon po ashtu edhe zbulimin dhe nxitjen e talenteve të reja, duke inkurajuar kreativitetin në këto fusha.

1 nga 4

/m.m/

The post Videokartolinë urimi për festat nga nxënësit e shkollës “Ajet Xhindole” në Berat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Ligji i ri për statusin e ushtarakut garanton më shumë siguri për FA

26 December 2025 at 12:35


TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu vizitoi Batalionin III të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut në Burrel, ku në vitin 2026 do të nisë puna për ngritjen e qendrës së re operacionale.

Në takim me ushtarakët e këtij batalioni, Vengu shprehu mirënjohjen për kontributin e tyre, duke i cilësuar “një vlerë e shtuar për zonën dhe një element kyç i sigurisë për komunitetin”.

Duke u ndalur te ngritja e qendrës së re operacionale, Vengu theksoi se ajo do të shërbejë
për përgatitjen dhe trajnimin e efektivëve, si dhe për forcimin e mbështetjes në emergjencat civile të zonës.

Reparti i ri në Mollzë, sipas ministrit, do të ofrojë kushte shumë më dinjitoze edhe një operacionalitet të plotë.

Vengu siguroi ushtarakët se qeveria do të vijojë mbështetjen për FA, si nga pikëpamja e buxheteve, pagave, por edhe përfitimeve për familjet e tyre.

“Ligji i ri i statutit të ushtarakut përforcon statusin dhe ju jep edhe shumë siguri në këtë profesion. Nga ana tjetër do të bëjmë të mundur që të përfshiheni edhe në misione, sepse e di që kjo është një kërkesë e hershme e juaja”, tha ministri Vengu.

Vengu theksoi se një pjesë e trupave të këtij batalioni janë stërvitur në Gjermani.

“Ndërkohë, rotacioni i radhës në 2026-n do t’ju gjejë të përfshirë në të gjitha misionet që kemi në zonat e interesit të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Jam shumë mirënjohës për atë që bëni, angazhimin dhe mbështetjen që i jepni komunitetit të Burrelit”, tha Vengu.

/m.m/a.f/r.e/

The post Vengu: Ligji i ri për statusin e ushtarakut garanton më shumë siguri për FA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Data 26 dhjetor, ditë pushimi për administratën publike

24 December 2025 at 15:52

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot që edhe dita e premte, më 26 dhjetor, të jetë ditë pushimi për punonjësit e administratës shtetërore.

Vendimi vjen si zgjatje e ditëve të pushimit pas festës së Krishtlindjes, pasi administrata publike nuk do të punojë as ditën e enjte, më 25 dhjetor, e cila është festë zyrtare.

Në këtë mënyrë, institucionet e administratës publike do t’i rikthehen normalisht aktivitetit të hënën në 29 dhjetor.

Po ashtu, në vendim lexohet se “dita e punës, e datës 26.12.2025, do të zëvendësohet në një nga ditët e pushimit brenda tremujorit të parë të vitit 2026”.

/m.m/a.f/

The post Data 26 dhjetor, ditë pushimi për administratën publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Goditet grupi kriminal që shiste lëndë narkotike, 33 persona të përfshirë

24 December 2025 at 15:31

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Policia e Tiranës finalizoi operacionin policor të koduar “Labirinti 2”, në kuadër të së cilit u godit një grup kriminal që shiste lëndë narkotike.

Në kuadër të këtij operacioni u identifikuan 33 shtetas, pjesëtarë të grupit kriminal, të cilët, individualisht ose të organizuar në grupe, ushtronin veprimtarinë e paligjshme të shitjes së lëndëve narkotike, në trajta të ndryshme.

Policia ekzekutoi masa e sigurisë “Arrest në burg” për 22 prej tyre, ndërsa 5 shtetas u arrestuar gjatë periudhës hetimore. Ndërkohë vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të tjerë të identifikuar si pjesë e këtij grupi kriminal.

Si rezultat i operacionit u sekuestruan rreth 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë; 10 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 100 doza të kësaj lënde; 5 automjete; 28 celularë; 6 peshore elektronike dhe 3 000 euro.

Nga hetimet rezultoi se aktiviteti kriminal i shitjes së lëndëve narkotike shtrihej në disa zona të qytetit të Tiranës, kryesisht në Bllok, Kamzë, Laprakë, Selitë, Tiranë e Re, Shkozë, Ali Demi, Xhamllik, Pazari i Ri, Shkolla e Kuqe, Astir, Myslym Shyri dhe Komuna e Parisit.

Lëndët narkotike shiteshin në lokale, tabakino, mjete taksi, si dhe të kamufluara si shpërndarje porosish të ndryshme.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

/m.m/a.f/

The post Goditet grupi kriminal që shiste lëndë narkotike, 33 persona të përfshirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama në kantierin e “Kengo Art Park”, qendër e re për artin dhe kulturën

24 December 2025 at 13:43

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama inspektoi sot kantierin e “Kengo Art Park”, një projekt që po ndërtohet në mes të natyrës së Petrelës e që do të shërbejë si një qendër e re për artin dhe kulturën.

I projektuar nga mjeshtri i arkitekturës, japonezi Kengo Kuma, ky park shtrihet në një sipërfaqe prej 32 mijë metra katrorë dhe vjen në vazhdën e investimeve të qeverisë për transformimin e aseteve publike duke i kthyer godinat e amortizuara, në qendra arti, kulture, ekspozimi, inovacioni, e hapësira socializimi për të rinjtë.

I shoqëruar nga drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, kryeministri ndoqi nga afër punën që po kryhet në këtë kantier, i cili do të shndërrohet në një park ku do të gjejnë hapësirën e tyre të gjitha moshat.

Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, shpjegoi se projekti shtrihet në dy zona kryesore dhe se kanë përfunduar të gjitha punimet e përforcimit të strukturave ekzistuese, të cilat ishin të degraduara dhe janë rindërtuar nga e para, duke respektuar kërkesat e veçanta arkitekturore të projektit.

“Këto ishin godina të rrënuara. Tani ka filluar të bëhet edhe pjesa e suvatimeve të brendshme që po realizohet me suva artistike dhe kundër lagështirës”, tha ai.

Agolli theksoi se ky projekt vjen në vazhdën e projekteve që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për transformimin e aseteve publike që kanë degraduar, duke i kthyer në qendra zhvillimi si nga pikëpamja arkitekturore edhe nga pikëpamja funksionale.

Me përfundimin e këtij projekti, Agolli u shpreh se do të kemi një qendër arti, novacioni dhe kulture dhe një qendër socializimi për të rinjtë dhe fëmijët.

Ndërkohë, ai informoi se në një pjesë të mirë të projektit arkitekti ka dashur të ruajë memorien historike të këtyre godinave.

Parku do të përfshijë pavijone ekspozimi të përhershme dhe të përkohshme, ambiente për workshope dhe punishte arti, shtëpi për artistë, hapësira administrative, si edhe zona shërbimi si bar-restorant dhe ambiente pritjeje e informacioni.

Një element i veçantë i projektit është krijimi i shesheve dhe hapësirave të hapura, përfshirë një strukturë që funksionon si një amfiteatër natyror, e përshtatshme për evente kulturore dhe artistike të ndryshme, duke e kthyer parkun në një hapësirë dinamike socializimi për të rinjtë dhe familjet.

Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli tha se sipas planit të zbatimit, “Kengo Art Park” pritet të përfundojë në shtator të vitit të ardhshëm.

Me një sipërfaqe ndërtimi prej rreth 7 400 metrash katrorë, ky projekt do të jetë një nga hapësirat më të mëdha të artit, kulturës dhe ekspozimit në Tiranë, duke shtuar një tjetër pikë referimi në hartën kulturore dhe turistike të vendit.

 

 

/m.m/a.f/

The post Rama në kantierin e “Kengo Art Park”, qendër e re për artin dhe kulturën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prokuroria dërgon tre zyrtarë të Bashkisë Fier në gjyq

24 December 2025 at 12:59

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq tre zyrtarë të akuzuar për abuzim me detyrën.

Prokuroria dërgoi në gjyq shtetasen A.H., Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës dhe shtetasen A.C., Drejtoreshë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, si dhe shtetasin V.Ç. për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Nga hetimet rezulton se e pandehura A.H., në cilësinë e Drejtoreshës së Përgjithshme të Taksave dhe Urbanistikës në Bashkinë Fier, nuk ka marrë masat për vendosjen e kasës fiskale në sistemin e parkimit të Bashkisë, duke lejuar shmangien nga pagimi i detyrimeve tatimore në vlera të larta.

Gjithashtu, mbi ushtrimin e ndikimit të paligjshëm prej të pandehurës mbi drejtoritë në varësi, janë realizuar faturime fiktive të subjekteve, duke i taksuar në vlera më të ulta. E pandehura A.H., ka ushtruar ndikim të paligjshëm edhe tek Drejtoresha e Taksave në Bashkinë Fier për të kryer përllogaritje të parregullt të taksave subjektit “R…” shpk, si dhe për të lëshuar një vërtetim se ky subjekt nuk kishte detyrime, ndërkohë që ai ka pasur taksa pa paguar në një vlerë të konsiderueshme.

Ndërsa e pandehura A.C., në cilësinë e Drejtoreshës së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, ka lëshuar (konceptuar) fatura të taksave dhe tarifave mbi vlerën reale për subjekte të caktuara dhe, pasi u janë njoftuar subjekteve të cilët kanë bërë ankesa, vlera ka ndryshuar, duke u ulur në disa raste edhe tej parashikimeve të vendosura nga Këshilli Bashkiak.

E pandehura ka realizuar faturime fiktive të subjekteve, duke i taksuar ata me taksa në vlerë më të ulët se ajo për të cilën ata duhej të taksoheshin. Gjithashtu, nuk ka marrë asnjë masë për fiskalizimin e pikave të parkimit të mjeteve në administrimin e Bashkisë.

Ndërkohë, i pandehuri V.Ç., me detyrë Drejtor i DVKT Rajoni Jugor, me urdhrin e nxjerrë prej tij ka detyruar inspektorët të kryejnë kontroll në një subjekt tregtar, pa pasur më parë një urdhër pune nga DPT. Pas kryerjes së kontrollit, i pandehuri nuk ka kryer procedurën ligjore për të kërkuar rikontroll në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe nuk ka mbikëqyrur fushatën sensibilizuese, pasi nuk është kontrolluar asnjë subjekt tjetër.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë punonjësve shtetërorë ose në shërbim publik që kryejnë vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore.

/m.m/a.f/

The post Prokuroria dërgon tre zyrtarë të Bashkisë Fier në gjyq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 720 mijë udhëtarë deri në nëntor në Portin e Durrësit

24 December 2025 at 11:45

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Numri i pasagjerëve që zgjedhin Portin e Durrësit ka ardhur në rritje edhe këtë vit.

Gjatë periudhës janar–nëntor 2025 janë regjistruar 726,824 udhëtarë, ose rreth 1% më shumë se një vit më parë.

Sipas të dhënave të Autoritetit Portual Durrës, mbi 341 mijë pasagjerë janë regjistruar në hyrje të vendit, ndërsa 386 mijë të tjerë kanë udhëtuar drejt porteve italiane.

Në analizën progresive nëntor 2024 – nëntor 2025, janë realizuar 922 lundrime tragetesh nga dhe drejt Portit të Durrësit, duke konfirmuar rolin e portit në mbështetje të turizmit dhe lëvizjes ndërkufitare.

Një trend pozitiv është regjistruar edhe në transportin e mjeteve, ku gjatë janar–nëntorit 2025 janë transportuar gjithsej 253,485 mjete (autovetura, kamionë dhe trailerë), me një rritje prej 5,967 mjetesh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Treguesit e mësipërm përfshi edhe rritjen e përpunimit të mallrave, dëshmojnë rëndësinë strategjike të Portit të Durrësit në sistemin ekonomik dhe logjistik të vendit, si dhe kapacitetin e tij për të përballuar me efikasitet rritjen e vazhdueshme të aktivitetit detar, në përputhje me standardet bashkëkohore të industrisë.

/m.m/a.f/

The post Mbi 720 mijë udhëtarë deri në nëntor në Portin e Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 3.5 milionë tonë mallra të përpunuara në Portin e Durrësit deri në nëntor

24 December 2025 at 11:38

TIRANE, 24 dhjetor/ATSH/ Porti i Durrësit vijon të konsolidojë pozicionin e tij si nyja kryesore e transportit detar në Shqipëri, duke shënuar rezultate pozitive gjatë njëmbëdhjetë muajve të parë të vitit 2025.

Të dhënat statistikore tregojnë se volumi total i mallrave të përpunuara ka tejkaluar 3.5 milionë tonët, me një rritje prej 6.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo përkthehet në rreth 203 mijë tonë mallra më shumë të trajtuara në katër terminalet portuale të Durrësit.

Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 2,664,265 tonë importe dhe 861,370 tonë eksporte, duke konfirmuar rolin e portit si një qendër strategjike për furnizimin e tregut vendas dhe njëkohësisht si korridor i rëndësishëm për eksportin e produkteve shqiptare drejt tregjeve ndërkombëtare.

Një ndikim të veçantë në rritje ka dhënë intensifikimi i importeve, të cilat janë rritur me 23.7%, duke reflektuar gjallërim të aktivitetit ekonomik dhe rritje të besueshmërisë së Portit të Durrësit si qendër logjistike e rëndësishme në rajon.

Edhe sektori i konteinerëve ka shënuar performancë pozitive. Gjatë janar–nëntorit 2025 janë përpunuar 207,655 TEU, me një rritje prej 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në terma tonazhi, në Terminalin e Konteinerëve janë trajtuar mbi 1.92 milionë tonë mallra, që përfaqëson një rritje prej 2.9%, duke dëshmuar rritje të qëndrueshme të flukseve të mallrave të konteinerizuara.

/m.m/

The post Mbi 3.5 milionë tonë mallra të përpunuara në Portin e Durrësit deri në nëntor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mashtronin shtetas të huaj, dërgohen në gjyq 7 persona

24 December 2025 at 10:39

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtatë persona të përfshirë në skemat e mashtrimit lidhur me bursën “Forex”.

Konkretisht për gjykim u dërguan shtetasit B.B., K.D., J.J., A.Ll., E.A., Gj.R., dhe L.Sh., për veprën penale të “Mashtrimit”.

Në përfundim të hetimeve mbi subjektet e licensuara dhe të palicensuara në lidhje me veprimtarinë “Forex”, rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë realizuar veprimtari mashtruese në ambientet e shoqërisë ‘OZAR’ sh.p.k., nëpërmjet një skeme të mirëorganizuar, e realizuar në formën e një call center-i.

Brenda kësaj veprimtarie, të pandehurit në fjalë, kanë marrë pjesë në realizimin e skemës mashtruese të drejtuar ndaj shtetasve të huaj, mes tyre shtetasit italianë L.C. dhe S.S., duke kontribuar në funksionimin normal të mekanizmit të mashtrimit dhe në sigurimin e vijimit të tij.

Nga ky procedim janë veçuar aktet dhe vijojnë hetimet në një procedim të ri për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, si dhe për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale, ndaj viktimave të tjera në bashkëpunim me autoritetet e huaja.

Nga këqyrja e aplikacionit “WhatsApp” të telefonave të sekuestruar, u konstatuan biseda me persona të ndryshëm, shtetas të regjistruar me emra italianë, të cilët kanë dërguar foto të kartave të identitetit, të kërkuara nga përdoruesi i telefonit.

Nga bisedat rezultoi se këtyre shtetasve u kërkoheshin shuma të ndryshe monetare për t’i investuar në bursën Forex, me qëllim përfitimin e vlerave më të mëdhaja në këmbim.

Konkretisht, shtetasi i cili ishte i regjistruar si L.C. komunikon në aplikacionin ‘WhatsApp’, duke i thënë përdoruesit se ka kryer transfertën prej 8,700 euro. Kjo pagesë rezulton se është kryer pasi ai ka firmosur një kontratë, e cila parashikonte një vlerë prej 100,000 euro prej tij dhe për këtë shkak në datë 29 nëntor 2023, ai ka kryer transfertën bankare, e cila në përshkrim ka, se kryhet në formë huaje.

Në vijim të bisedave të këqyrura rezulton se ky shtetas i ka shprehur shqetësimin se e gjitha kjo është një mashtrim i madh. Në datë 13 dhjetor 2023 i kërkohet sërish që ky shtetas të kryejë një transaksion në vlerën prej 3,500 euro, me justifikimin se është penalitet për shkak se transferta e parë ka shkuar me vonesë.

Në rastin konkret të aktivitetit mashtrues të zhvilluar në ambientet e call center-it, rezulton se të pandehurit kanë vepruar me dashje të drejtpërdrejtë dhe me qëllim përfitimi pasuror.

Ata kanë qenë plotësisht të vetëdijshëm për natyrën mashtruese të veprimtarisë, që konsistonte në kontaktimin e klientëve të huaj për investime të rreme në Forex dhe kanë ndjekur në mënyrë të përsëritur të njëjtin mekanizëm për të përfituar shuma parash pa qëllim kthimi.

Shtetasi Gj.R i punësuar në “Ozar” shpk ka qenë i përfshirë në mënyrë aktive në ndjekjen e klientëve dhe në koordinimin e punës së operatorëve. Ndërsa shtetasi L.Sh, ka pasur një rol të lartë funksional në strukturën e brendshme të aktivitetit, duke dhënë udhëzime, ndarë detyra, etj.

Në këtë skemë, shtetasi E.A., figuron si administrator ligjor i shoqërisë “OZAR” sh.p.k. dhe përgjegjësia e tij lidhet me mosveprimin e tij si administrator, me faktin që ai ka pranuar të figurojë si drejtues i shoqërisë pa marrë masat e nevojshme për të parandaluar përdorimin e shoqërisë për veprimtari të paligjshme.

Shtetasi A.Ll ka marrë pjesë drejtpërdrejt në veprimet mashtruese dhe në mbështetjen e operatorëve që ushtronin këtë veprimtari. Ndërsa shtetasit B.B., dhe K.D. kanë qenë në momentin e ndërhyrjes së policisë pranë “Ozar” me dijeni të plotë mbi natyrën mashtruese të aktivitetit që zhvillohej në këto ambiente dhe J.J. personi kryesor i ngarkuar me mbikëqyrjen dhe zgjidhjen e problemeve teknike të operatorëve dhe supervizorëve.

Nga sa më sipër, rezulton e provuar se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe më shumë se një herë, kanë konsumuar të gjithë elementët e veprës penale të “Mashtrimit”.

/m.m/a.f/

The post Mashtronin shtetas të huaj, dërgohen në gjyq 7 persona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijon puna për modernizimin e Muzeut Historik Kombëtar

24 December 2025 at 09:38

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Në Muzeun Historik Kombëtar po vijon puna për transformimin e tij në një institucion modern dhe të denjë për ruajtjen dhe paraqitjen e trashëgimisë historike të vendit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i rilindjes së Muzeut Historik Kombëtar, duke e cilësuar atë si një thesar i rëndësishëm i turizmit kulturor.

Pas një kohe të gjatë sfidash dhe dëmtimesh, përfshirë tërmetin e 2019-të, Muzeu Historik Kombëtar është në fazë restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi.

Kjo është ndërhyrja më e rëndësishme që po realizohet në këtë institucion simbol, në kuadër të programit EU4Culture, nën drejtimin e UNOPS, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe MEKI.

Në fazën e parë, punimet përfshijnë: paketim dhe evakuim të artefakteve, konsolidim dhe përforcim strukturor, rinovim të fasadave dhe izolimin e çatisë, instalimin e sistemit të monitorimit CAM, restaurimin e fasadës me teknologji moderne (fibra karboni dhe xhaketim kolonash).

Ndërkohë, faza e dytë e punimeve vijon me transformimin rrënjësor, që do të përfshijë: shtesa nëntokësore me laboratorë e hapësira teknike; fasadën e brendshme “Oculus” prej xhami dhe mbulesën ikonike; sisteme moderne MEP, mbrojtje nga zjarri, muzeologji bashkëkohore dhe mobilim tërësor.

Muzeu Historik Kombëtar është një ndër muzeumet më të vizituara në Shqipëri. Projekti për restaurimin e tij është një operacion i jashtëzakonshëm, i udhëhequr nga “Casanova & Hernandez Architects”, Hollandë, mbështetur në analizën e një skuadre profesionistësh të shkencave albanologjike.

/m.m/a.f/

 

The post Vijon puna për modernizimin e Muzeut Historik Kombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama thirrje ndërtuesve: Deklaroni pagat reale të punonjësve

23 December 2025 at 12:48

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u bëri sot thirrje ndërtuesve që të deklarojnë pagat reale të punonjësve.

Në një takim me sipërmarrës nga sektorë të ndryshëm, ku u diskutua mbi Paqen Fiskale, Rama u shpreh se “Çfarë mbështetje kërkoni akoma kur deklaroni punonjës me 50 mijë lekë. E dimë shumë mirë se nuk ekziston punonjës me 50 mijë lekë, me pagë minimale në ndërtim, jo në Tiranë por askund. Nuk të vjen njeri me 50 mijë lekë të të shtrojë një pllakë jo më të marri rrogë”, u shpreh Rama.

Ndërkohë, Rama theksoi se sektori i ndërtimit vijon ende të deklarojë paga minimale.

“Nuk keni faj ju, na i ka lidhur duart Gjykata Kushtetuese para disa viteve që ka vendosur që ne nuk mund t’ju vendosim tavan dhe ju luani. Por bëjini deklarimet dhe jo vetëm paguajini njerëzit, por i deklaroni me ato paga”, iu drejtua Rama ndërtuesve.

Sipas tij, sektori i ndërtimit është sektori me më shumë fitim në Shqipëri dhe sektori ku shfrytëzohen punonjësit më shumë se në çdo sektor tjetër.

“Tani keni filluar ta kuptoni, pak si vonë, se nuk luhet me punonjësit sepse nuk gjen punonjës. Tani që mos t’ju ngelen ndërtimet pa bërë, shkundini mirë xhepat se i keni të fryrë shumë dhe paguani punonjësit me 2000 euro apo 2500 euro rrogë”, tha Rama.

/a.f/

 

The post Rama thirrje ndërtuesve: Deklaroni pagat reale të punonjësve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Çdo vendim për taksën e infrastrukturës do të lidhet me performancën e kompanive

23 December 2025 at 12:45

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se ende nuk është marrë një vendim lidhur me kërkesën e ndërtuesve për pagesën e taksës së infrastrukturës.

Në një takim me sipërmarrës ku u diskutua Paqja Fiskale, Rama iu përgjigj interesimit të një sipërmarrësi i cili kërkoi që taksa e infrastrukturës të paguhet me këste.

Rama tha se kjo gjë po diskutohet, por në çdo rast do të jetë e lidhur me performancën e kompanive.

“Pagesa e taksës së infrastrukturës po diskutohet. Nuk kemi marrë ende një vendim, por në të gjitha rastet duhet të jetë e lidhur përsëri edhe kjo me performancën e kompanive. Në të kundërt ne nuk mund të marrim dot përsipër aventura që të lejojmë këstet dhe të gjendemi pastaj përballë kompanish që e kanë hapur gropën dhe ngrenë duart lart dhe thonë nuk paguajmë dot”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se qeveria nuk mund ta marrë përsipër këtë risk.

“Lidhur me pagesën e taksës me këste, kjo është një gjë që po e diskutojmë, por për momentin nuk kemi asnjë ndryshim”, shtoi Rama.

/a.f/

 

The post Rama: Çdo vendim për taksën e infrastrukturës do të lidhet me performancën e kompanive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌