Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 January 2026Main stream

SHBA – Trump: Kam dyshime mbi mbështetjen e NATO-s nëse SHBA do të ketë nevojë për të

7 January 2026 at 18:23

UASHINGTON, 7 janar /ATSH-AA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vuri në dyshim nëse NATO do t’i dilte në krah Washingtonit nëse vendi do të kishte realisht nevojë për ndihmën e aleancës, pavarësisht angazhimit të tij për të mbështetur vendet anëtare.

“Rusia dhe Kina nuk kanë aspak frikë nga NATO pa SHBA-në dhe unë dyshoj nëse NATO do të ishte aty për ne nëse do të kishim vërtet nevojë për ta”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

Ai tha se Washingtoni do t’i respektojë detyrimet aleate pavarësisht mungesës së reciprocitetit, duke pretenduar se Rusia dhe Kina e “respektojnë” SHBA-në vetëm nën udhëheqjen e tij.

Trump mori gjithashtu meritën për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s nga 2 për qind në 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB), duke pohuar se shumica e vendeve nuk i përmbushnin detyrimet e tyre financiare deri në ndërhyrjen e tij.

Ai tha se Amerika “marrëzisht” po i mbulonte shpenzimet e tyre, para se ai t’i detyronte ata të paguanin “menjëherë”.

Në një samit në muajin qershor në Hagë, aleatët e NATO-s ranë dakord që të rrisin objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 për qind të PBB-së deri në vitin 2035.

Trump gjithashtu kritikoi Norvegjinë, një vend anëtar i NATO-s, për mosdhënien e Çmimit Nobel për Paqe, duke përsëritur pretendimin e tij se ka përfunduar i “vetëm” tetë luftëra.

“Por kjo nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është se unë kam shpëtuar miliona jetë”, shtoi ai.   /os/

The post SHBA – Trump: Kam dyshime mbi mbështetjen e NATO-s nëse SHBA do të ketë nevojë për të appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PEKIN – Kina: Kërkesa e SHBA-së për partneritet ekskluziv të naftës me Venezuelën, një akt tipik ngacmimi

7 January 2026 at 17:33

PEKIN, 7 janar /ATSH-AA/ – Kërkesa e SHBA-së që Venezuela të formojë një “partneritet ekskluziv” në sektorin e naftës është një akt “tipik ngacmimi” dhe një shkelje e sovranitetit të kombit latino-amerikan, si dhe e ligjit ndërkombëtar, tha Kina të mërkurën.

“Venezuela është një shtet sovran dhe ka sovranitet të plotë dhe të përhershëm mbi burimet e saj të naftës dhe aktivitetet ekonomike”, u tha gazetarëve në Pekin zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning.

Deklarata e Pekinit erdhi ndërsa ABC News raportoi se administrata Trump i ka thënë poresidentes së përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodriguez, se “duhet të përmbushë kërkesat e Shtëpisë së Bardhë”, duke përfshirë që Karakasi “duhet të bie dakord të partnerizohet ekskluzivisht me SHBA-në në prodhimin e naftës dhe të favorizojë Amerikën kur shet naftë të rëndë bruto”.

Raporti shtoi se Washingtoni ka kërkuar që Karakasi “duhet të përjashtojë Kinën, Rusinë, Iranin dhe Kubën dhe të shkëpusë lidhjet ekonomike”.

“Përdorimi flagrant i forcës nga SHBA-ja kundër Venezuelës dhe kërkesa që vendi të favorizojë Amerikën kur merret me burimet e veta të naftës është një akt tipik ngacmimi, që shkel rëndë ligjin ndërkombëtar dhe sovranitetin e Venezuelës”, tha Mao, duke shtuar se “Kina e dënon këtë”.

“Më lejoni të theksoj se Kina dhe vendet e tjera kanë të drejta legjitime në Venezuelë, të cilat duhet të mbrohen”, tha Mao.

Ajo tha se paktet e bashkëpunimit midis Pekinit dhe Karakasit janë nënshkruar midis dy “shteteve sovrane dhe mbrohen” nga ligji vendas dhe ndërkombëtar.

Kina është partneri i dytë më i madh tregtar i Venezuelës pas SHBA-së, dhe vëllimi aktual dypalësh është rreth 7 miliardë dollarë.

“E ashtuquajtura kërkesë e SHBA-së është një shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit të Venezuelës”, theksoi Mao.

Ajo shtoi se SHBA-të kanë “abuzuar prej kohësh me sanksionet e paligjshme dhe të njëanshme” kundër Venezuelës, duke shkaktuar “dëm të madh në zhvillimin ekonomik dhe social”.

Veçmas, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të martën se administrata Rodriguez ka rënë dakord të transferojë midis 30 dhe 50 milionë fuçi naftë të sanksionuar në SHBA për shitje me çmimin e tregut.

Forcat amerikane nisën sulme ajrore të gjera të shtunën në mëngjes në objektiva në Venezuelën veriore, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe infrastrukturën e komunikimit, ndërsa forcat e operacioneve speciale kryen një bastisje në kryeqytetin Karakas për të kapur presidentin e vendit Nicolas Maduro dhe zonjën e parë Cilia Flores.   /os/

The post PEKIN – Kina: Kërkesa e SHBA-së për partneritet ekskluziv të naftës me Venezuelën, një akt tipik ngacmimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – JD Vance: Operacioni ushtarak në Venezuelë rrit kontrollin mbi burimet e energjisë

7 January 2026 at 16:59

UASHINGTON, 7 janar /ATSH-AA/ – Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, tha të martën se operacioni ushtarak në Venezuelë synon të frenojë financimin për narko-terrorizmin dhe t’i japë Washingtonit kontroll më të madh mbi burimet globale të energjisë.

Duke folur për Salem News Channel, Vance tha se SHBA-ja dëshiron atë që është më e mira për popullin venezuelian dhe për popullin amerikan.

“Kushdo që të jetë udhëheqësi i atij vendi, do të duhet të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara”, tha ai, duke theksuar se politikat e mëparshme të Venezuelës u kishin lejuar konkurrentëve të huaj qasje në energji të lirë, ndërsa përdornin të ardhurat për të financuar aktivitete që kërcënojnë SHBA-në.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 3 janar se operacioni ushtarak rezultoi në kapjen e presidentit Nicolas Maduro dhe gruas së tij Cilia Flores, dhe u zotua të vendoste kontrollin amerikan mbi Venezuelën për momentin, me trupa amerikane nëse është e nevojshme.

“Ajo që bëri presidenti, dhe në të vërtetë i gjithë ekipi e bëri të mundur, është të ndërpresë atë rrjedhë të parave të energjisë për narko-terroristët për të prerë më pas, sigurisht sasinë e narko-terrorizmit që po importohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Vance.

Ai shtoi se ky veprim pritet të ulë çmimet e gazit dhe energjisë për amerikanët, duke shpëtuar njëkohësisht jetë.

“Mendoj se do të shpëtojë jetë. Do të thotë çmime më të lira të gazit dhe energjisë për amerikanët. Dhe ndoshta më e rëndësishmja, do të thotë që ne kemi më shumë kontroll mbi burimet e energjisë që ekzistojnë në botë, gjë që na mundëson sigurisht, të arrijmë rezultate më të mira ekonomike për njerëzit tanë dhe t’i përdorim këto burime energjie si levë për të arritur paqe dhe prosperitet më të madh”, shtoi ai.

Zëvendëspresidenti amerikan e quajti operacionin “shumë të rëndësishëm” dhe vlerësoi ekzekutimin e tij si “të përsosur”.

Në anën tjetër lidhur me përdorimin e naftës nga Venezuela, Sekretari i Brendshëm Doug Burgum i tha Fox News se fuqia energjetike e SHBA-së i ka lejuar vendit të ndërmarrë veprime kundër kombeve me rezerva të mëdha nafte pa ndërprerje të mëdha në çmimet e karburantit vendas.

Burgum tha se rafineritë e ndërtuara nga SHBA-ja në bregdetin jugor të Gjirit të Meksikës janë projektuar për të qenë në gjendje të përpunojnë naftën e rëndë bruto të nxjerrë në Venezuelë, e cila krenohet me rezervat më të mëdha të provuara në botë të hidrokarbureve.

“Pastaj, duhet ta hollosh atë naftë të rëndë bruto me një produkt më të lehtë dhe sigurisht, ne kemi një tepricë të atij produkti më të lehtë këtu për shkak të vajrave të argjilit”, shtoi ai.

Burgum gjithashtu e cilësoi operacionin si një mundësi për ekonominë e Venezuelës.

“Venezuela ka një mundësi tani që të sjellë kapital dhe të rindërtojë ekonominë e saj”, tha ai, duke krahasuar potencialin e kombit të Amerikës së Jugut me pasurinë energjetike të Arabisë Saudite.

The post SHBA – JD Vance: Operacioni ushtarak në Venezuelë rrit kontrollin mbi burimet e energjisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJENEVË – OKB: Në botë çdo ditë 2 miliardë njerëz konsumojnë ujë të pasigurt

7 January 2026 at 16:22

GJENEVË, 7 janar /ATSH-AA/ – Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi se çdo ditë në mbarë botën 2 miliardë njerëz konsumojnë ujë të pasigurt.

Zyra e OKB-së në Gjenevë bëri një njoftim përmes platformës së mediave sociale të kompanisë amerikane X.

“Në çdo ditë, 2 miliardë njerëz konsumojnë ujë të pasigurt, edhe pse është një nevojë themelore njerëzore”, u theksua në njoftim duke shtuar se OKB-ja po punon që çdo pikë uji të jetë e sigurt.

The post GJENEVË – OKB: Në botë çdo ditë 2 miliardë njerëz konsumojnë ujë të pasigurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Mickey Rourke mohon fushatën e donacioneve në emrin e tij: “Poshtëruese, nuk do të kërkoja kurrë para”

6 January 2026 at 22:53

NJU JORK, 6 janar /ATSH-/ – Dikush krijoi një ”GoFundMe” për të më dhuruar para, si për bamirësi. Ai person nuk jam unë. Dua të jem i qartë për këtë gjë, deklaroi aktori i njohur amerikan Mickey Rourke pas krimimit të kësaj iniciative pa miratimin e aktorit, shkruan corriere.it.

Ndërsa fushata e mbledhjes së fondeve e nisur nga ekipi i tij kaloi 100 000 dollarët, Mickey Rourke përdori mediat sociale për të sqaruar dhe për t’u distancuar.

“Është e sikletshme, por jam i sigurt se do ta kaloj si çdo gjë tjetër”, theksoi ai në një video të postuar në profilin e tij në Instagram.

Për të shmangur dëbimin, është hapur një fushatë GoFundMe me titull “Help Mickey Rourke Stay in His Home” (“Ndihmoni Mickey Rourke të qëndrojë në shtëpinë e tij”).

Fushata është hapur nga Liya-Joelle Jones, pjesë e ekipit të tij të menaxhimit, me miratimin e plotë të aktorit.

Qëllimi i fushatës është mbledhja e 100 000 dollarëve, shumë që do të shërbejë për të mbuluar borxhin e qirasë dhe për t’i dhënë aktorit një stabilitet të përkohshëm financiar. Brenda një kohe të shkurtër, janë mbledhur dhjetëra mijëra dollarë nga fansa dhe mbështetës.

Rourke kishte marrë shtëpinë me qira në muajin mars 2025, me një pagesë fillestare prej rreth 5 200 dollarësh në muaj, e cila më vonë u rrit në afro 7 000 dollarë.   /os/

 

The post KINEMA – Mickey Rourke mohon fushatën e donacioneve në emrin e tij: “Poshtëruese, nuk do të kërkoja kurrë para” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 6 January 2026Main stream

FOKUS – BE: Evropa e gatshme të zotohet për garanci ligjërisht dhe politikisht detyruese për Ukrainën

7 January 2026 at 07:34

BRUKSEL, 7 janar /ATSH-AA/ – Udhëheqësit evropianë që morën pjesë në takimin e “Koalicionit të të Vullnetshmëve” në Paris kanë premtuar garanci “ligjërisht dhe politikisht detyruese” për Ukrainën, tha presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa.

Në një postim në platformën amerikane X, Costa e përshkroi takimin si “produktiv dhe të rëndësishëm” për avancimin e mbështetjes së koordinuar për Ukrainën.

“Ne jemi gati të angazhohemi për një sistem garancish politikisht dhe ligjërisht detyruese që do të aktivizohet sapo të hyjë në fuqi një armëpushim. BE-ja do të kontribuojë në përpjekjet për të siguruar garancitë e sigurisë që Ukraina ka nevojë për çdo marrëveshje për një paqe afatgjatë”, tha ai.

Costa shtoi se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë rrugëtimin e Ukrainës drejt anëtarësimit në BE, do të mbulojë nevojat e saj financiare për dy vitet e ardhshme përmes kredisë prej 90 miliardë eurosh të rënë dakord dhjetorin e kaluar dhe do ta ndihmojë përmes misioneve civile dhe ushtarake në terren.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përshkroi takimin si një shfaqje të fortë uniteti me vendet anëtare të BE-së, aleatët e NATO-s dhe partnerët.

“Deklarata jonë e përbashkët dërgon një mesazh të qartë. Ne qëndrojmë kolektivisht pranë Ukrainës dhe një e ardhme e sigurt, e mbrojtur dhe e begatë është përpara”, shkroi ajo në X.

Më herët sot, presidenti francez Emmanuel Macron priti në Pallatin Elysee një samit të nivelit të lartë të “Koalicionit të të Vullnetshmëve” për Ukrainën, duke bashkuar vendet që e mbështesin Ukrainën dhe janë të gatshme të ofrojnë garanci sigurie nëse arrihet një armëpushim me Rusinë.   /os/

The post FOKUS – BE: Evropa e gatshme të zotohet për garanci ligjërisht dhe politikisht detyruese për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Do të përshpejtojmë prodhimin e armëve

6 January 2026 at 22:03

UASHINGTON, 6 janar /ATSH-ANSA/ – Askush nuk ka cilësinë e armëve tona; problemi është se ne nuk i prodhojmë ato mjaftueshëm shpejt, deklaroi presidenti amerikan Donald Trump para kongresmenëve republikanë në Qendrën Kennedy.

‘’Do të fillojmë t’i prodhojmë ato shumë më shpejt, deklaroi Trump.

“Po u themi kontraktorëve tanë të mbrojtjes se do të duhet të fillojnë të prodhojnë më shpejt”, tha Donald Trump, duke folur para kongresmenëve republikanë në Qendrën Kennedy.

“Askush nuk mund të na mposhtë, askush”, shtoi ai, duke lavdëruar fuqinë ushtarake të Amerikës.   /os/

The post SHBA – Trump: Do të përshpejtojmë prodhimin e armëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Shtëpia e Bardhë: Asnjë vend nuk do të luftonte me SHBA-në për të ardhmen e Grenlandës

6 January 2026 at 21:22

Një ndihmës i lartë i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, tha se asnjë vend nuk do të sfidonte ushtarakisht SHBA-në për të ardhmen e Grenlandës, një territor vetëqeverisës brenda Mbretërisë së Danimarkës.

Stephen Miller, zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, i bëri këto komente gjatë një interviste me CNN, ku hodhi poshtë idenë se interesi i SHBA-së në Grenlandë do të çonte në konflikt të armatosur.

Kur u pyet drejtpërdrejt nëse veprimi ushtarak kundër Grenlandës ishte jashtë diskutimit, Miller e riformuloi çështjen, duke argumentuar se pyetja nuk kishte të bënte me përballjen me vetë Grenlandën.

“Nuk do të ishte veprim ushtarak kundër Grenlandës. Grenlanda ka një popullsi prej 30.000 banorësh. Pyetja e vërtetë është se me çfarë të drejte Danimarka pohon kontrollin mbi Groenlandën? Cila është baza e pretendimit të tyre territorial? Cila është baza e tyre për ta pasur Grenlandën si koloni të Danimarkës?” tha ai.

Groenlanda është një territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës, një aleat i SHBA-së në NATO. Miller e vuri në dyshim atë marrëveshje duke theksuar vlerën strategjike të Groenlandës për interesat e sigurisë së SHBA-së dhe NATO-s në Arktik.

“SHBA-të janë fuqia e NATO-s. Që SHBA-të të sigurojnë rajonin e Arktikut, të mbrojnë dhe të mbrojnë NATO-n dhe interesat e NATO-s, padyshim që Grenlanda duhet të jetë pjesë e SHBA-së, dhe kështu kjo është një bisedë që do ta zhvillojmë si vend”, tha ai.

I pyetur përsëri nëse mund të përjashtonte përdorimin e forcës ushtarake amerikane për të pushtuar Grenlandën, Miller nuk pranoi ta formulonte çështjen në terma ushtarakë, duke pohuar se konflikti i armatosur ishte jorealist.

“SHBA-të duhet ta kenë Grenlandën si pjesë të SHBA-së. Nuk ka nevojë as të mendohet ose të flitet për këtë në kontekstin që po kërkoni, për një operacion ushtarak. Askush nuk do të luftojë ushtarakisht SHBA-në për të ardhmen e Grenlandës”, tha ai.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shprehur vazhdimisht dëshirën e tij për të marrë kontrollin e Grenlandës dhe nuk e ka përjashtuar ta bëjë këtë me forcë ushtarake.   /os/

The post UASHINGTON – Shtëpia e Bardhë: Asnjë vend nuk do të luftonte me SHBA-në për të ardhmen e Grenlandës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

JAPONI – 140 euro për një kokër qershie: kur fruti bëhet status social!

6 January 2026 at 20:41

TOKIO, 6 janar /ATSH-ANSA/  – Pas rekordit të tonit në ankandin e Vitit të Ri, një tjetër rekord u thye nga çmimi i qershive “Sato Nishiki” nga prefektura Yamagata, në verilindje të Japonisë.

Çmimi i një arke me qershi u shit për 1.8 milion jen në tregun Toyosu, ekuivalente me afërsisht 9 850 euro, ose 140 euro secilën kokërr qershie.

Debutimi i hershëm në treg – meqenëse qershitë japoneze piqen tradicionalisht në fillim të verës – është bërë i mundur nga ajo që mediat lokale e përshkruajnë si kultivim “i detyruar”, një teknikë që alternon një periudhë ftohjeje të pemëve, duke “simuluar” dimrin në serrë.

Qershitë synojnë një treg të veçantë ndaj cilësisë së lartë dhe simbolikës së luksit që karakterizon këto produkte në Japoni, ku ankande të tilla nuk përfaqësojnë çmimin mesatar të konsumatorit, por shërbejnë si një matës i prestigjit të përsosmërisë dhe një mjet marketingu për prodhuesit.   /os/

 

The post JAPONI – 140 euro për një kokër qershie: kur fruti bëhet status social! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Starmer: Trump është një aleat, jo një kërcënim

6 January 2026 at 19:38

LONDËR, 6 janar /ATSH-ANSA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është një aleat i besueshëm dhe jo një kërcënim për Evropën, deklaroi zëdhënësi i kryeministrit britanik Keir Starmer duke minimizuar shkallën e reagimit të udhëheqësve evropianë në margjinat e samitit “Willing” në Paris në mbrojtje të sovranitetit të Grenlandës.

I pyetur për këtë çështje nga gazetarët në konferencën informative në Downing Street atë ditë, zëdhënësi shtoi se ‘’Starmer mban marrëdhënie të mira me Trump’’.

‘’Marrëdhëniet me SHBA-së dhe Britanisë së Madhe mbeten speciale. SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar kanë qenë dy aleatët më të ngushtë në botë për dekada të tëra’’, shtoi ai.  /os/

 

The post BM – Starmer: Trump është një aleat, jo një kërcënim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – Taksa e hyrjes lehtëson qytetin nga 27 milionë makina

6 January 2026 at 18:39

NJU JORK, 6 janar /ATSH-ANSA/ – Tashmë qyteti i Nju Jorkut pritet të ketë ajër më të pastër dhe 27 milionë makina më pak në rrugët e qytetit.

Ky rezultat vjen si pasojë e vendosjes së tarifave mbi automjetet që hyjnë në Manhattan nga Midtown, d.m.th., ana lindore e Rrugës së 60-të.

Kostoja për makinat është 9 dollarë në ditë gjatë orës së pikut, ndërsa natën bie në 2.25 dollarë. Për autobusët dhe kamionët, varion nga 14.40 dollarë në 21.60 dollarë gjatë orës së pikut, varësisht nga madhësia e tyre.

Sipas raporteve të mediave amerikane që citojnë MTA-në (agjencinë e transportit të qytetit), afërsisht 11% më pak makina hynë në Qendrën e Biznesit (CBD), ekuivalente me afërsisht 73,000 automjete në ditë.

Ndotja në zonë u ul me 22% dhe pati 17% më pak ankesa për zhurmën. Taksa i ka sjellë dobi edhe sistemit të metrosë, me rritjen e udhëtarëve me 7%.

“Rezultatet janë të jashtëzakonshme përtej të gjitha pritjeve. Prezidenti Donald Trump, nga ana tjetër, është kundër programit; presidenti është përpjekur vazhdimisht ta anulojë atë, por deri më tani pa sukses’’, deklaroi guvernatorja e New York-ut, Cathy Hochul.   /os/

The post NJU JORK – Taksa e hyrjes lehtëson qytetin nga 27 milionë makina appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Ekspertët: Epoka dixhitale intensifikon lidhjet parasociale

6 January 2026 at 16:22

LONDER, 6 janar /ATSH-AA/ – Përderisa platformat dixhitale i zbehin kufijtë midis figurave publike dhe audiencës së tyre, marrëdhëniet parasociale – lidhjet emocionale të njëanshme të formuara me njerëz që përdoruesit nuk i kanë takuar kurrë, po bëhen më intensive, të përhapura dhe ekonomikisht të fuqishme, thonë ekspertët.

Dikur i kufizuar kryesisht në kërkimin akademik, termi marrëdhënie parasociale është zhvendosur në diskursin kryesor, pasi mediat sociale, transmetimet e drejtpërdrejta dhe përmbajtja e drejtuar nga algoritmet nxisin një ndjenjë të vazhdueshme intimiteti midis fansave dhe personazheve të famshëm, ndikuesve dhe madje edhe chatbot-eve të inteligjencës artificiale.

Parasocial u zgjodh si fjala e vitit 2025 e Fjalorit të Kembrixhit, megjithëse vetë koncepti daton dekada më parë. Ideja u prezantua për herë të parë në vitin 1956 nga studiuesit Donald Horton dhe Richard Wohl, të cilët vunë re se audienca televizive zhvillonte ndjenja familjariteti dhe afërsie emocionale me personalitetet në ekran.

Megjithatë, sot qasja e vazhdueshme në internet, postimet personale dhe përgjigjet e drejtpërdrejta krijojnë një iluzion afërsie, duke i bërë lidhjet parasociale të ndihen më reale se kurrë më parë.

Shembujt variojnë nga komunitetet e përkushtuara të fansave të K-pop-it deri te ndjekësit e influencuesve dhe reagimet emocionale ndaj ngjarjeve të jetës së të famshmëve, siç janë vajtimet e fansave për fejesën e yllit amerikan të pop-it Taylor Swift me lojtarin e NFL-së Travis Kelce.

– Intimiteti i prodhuar nxit investimin emocional

Profesoresha në Universitetin e Floridës Qendrore, Mel Stanfill tha se mediat sociale kanë amplifikuar në mënyrë dramatike marrëdhëniet parasociale duke e shndërruar intimitetin në një produkt strategjik.

K-pop-i, në veçanti tregton ndjenjë të prodhuar afërsie, tha Stanfill duke shpjeguar se të famshmit e përziejnë gjithnjë e më shumë markën e tyre profesionale me pamje të kuruara me kujdes të jetës së tyre private. “Ky ekspozim i vazhdueshëm thellon investimin emocional të fansave”, tha ajo ndonjëherë duke motivuar besnikëri të jashtëzakonshme, dhe në raste ekstreme, sjellje shqetësuese.

Stanfill vuri në dukje incidentet e ndjekësve që përfshijnë idhujt e K-pop-it dhe rastet historike siç është atentati i vitit 1981 ndaj ish-presidentit amerikan Ronald Reagan, i nxitur nga një obsesion me aktoren Jodie Foster, si shembuj se si lidhja parasociale mund të bëhet e rrezikshme.

Ajo shtoi se këto marrëdhënie formësojnë gjithnjë e më shumë sjelljen ekonomike, duke e shndërruar konsumin në një shënues të besnikërisë dhe statusit brenda komuniteteve të fansave.

Stanfill paralajmëroi se dinamikat e kulturës së anulimit brenda fandom-eve shpesh keqkarakterizohen, ndonjëherë duke errësuar llogaridhënien ose duke synuar në mënyrë disproporcionale grupet e margjinalizuara, ndërsa rritja e përmbajtjes së gjeneruar nga inteligjenca artificiale rrezikon ta turbullojë më tej realitetin dhe të intensifikojë dezinformimin.

– Iluzioni i reciprocitetit forcon besnikërinë e fansave

Marrëdhëniet parasociale formësojnë jetën e përditshme të njerëzve, mirëqenien mendore dhe zakonet e konsumit dhe mund të formohen jo vetëm me personazhe të famshëm dhe ndikues të vërtetë, por edhe me personazhe fiktivë dhe madje edhe avatarë të inteligjencës artificiale.

Studiuesja e psikologjisë së medias në Universitetin “Empire State” në New York, Gayle Stever tha për Anadolu-n se mediat sociale kanë mjegulluar kufirin midis ndërveprimit thjesht parasocial dhe atij vërtet shoqëror.

“Ajo që ndodhi me ardhjen e mediave sociale është se filluam të futeshim në këtë zonë gri ku nuk ishte pikërisht një marrëdhënie shoqërore sepse nuk kishe qasje dhe ata ishin me status më të lartë. Por, njerëzit filluan të merrnin përgjigje në mediat sociale nga personazhet e famshme”, tha Stever.

Sipas saj, ky reciprocitet i perceptuar forcon besnikërinë, duke përfituar artistët dhe krijuesit, karrierat e të cilëve varen gjithnjë e më shumë nga bazat e fansave shumë të angazhuara.

“Baza e fansave është buka e tyre”, tha Stever.

Gjithnjë e më shumë, bazat e fansave janë jetësore për suksesin e personazheve të famshëm, theksoi ajo e cila bëri të ditur se artistë të tillë si grupet K-pop BTS dhe Blackpink si dhe yje të mëdhenj amerikanë, përfitojnë nga mobilizimi i fansave për të rritur transmetimet, top listat dhe fushatat promovuese nga përkushtimi.

– Përfitimet dhe rreziqet për mirëqenien mendore

Ekspertët theksojnë se marrëdhëniet parasociale nuk janë në thelb të dëmshme. Në disa raste, ato ofrojnë mbështetje emocionale dhe mekanizma përballimi. Stever përmendi shembullin e një pacienti me kancer i cili gjeti ngushëllim duke dëgjuar muzikën e këngëtarit Josh Groban, duke e përshkruar atë si një lidhje që ofronte siguri pa ndërveprim të drejtpërdrejtë.

Marrëdhënie të tilla mund të nxisin komunitetin, të motivojnë udhëtimin dhe angazhimin shoqëror dhe t’i ndihmojnë njerëzit të menaxhojnë vetminë ose stresin. Megjithatë, Stever paralajmëroi se lidhjet parasociale mund të bëhen të pashëndetshme siç shihet në raste ekstreme ku njerëzit “martohen” me personazhe të gjeneruara nga IA.

Adoleshentët përjetojnë emocione më intensivisht ndërsa formojnë identitetin e tyre, duke çuar shpesh në lidhje më të forta me të famshmit sesa tek të rriturit, theksoi Stever duke shtuar se në disa raste, kjo cenueshmëri mund të përkthehet në ekstreme të dëmshme, përfshirë çrregullimet e të ngrënit, tendosjen financiare nga shpenzimet e tepërta dhe izolimin social.   /os/

The post BM – Ekspertët: Epoka dixhitale intensifikon lidhjet parasociale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – SHBA-ja, Kina, Rusia dhe BE-ja, përse të gjithë duan Groenlandën?

6 January 2026 at 07:36

UASHINGTON, 5 janar /ATSH/ – Deklaratat e fundit të presidentit Trumpit në lidhje me qëllimin e tij për të pasur Groenlandën “me çdo mjet” kanë provokuar një sërë reagimesh dhe indinjuarash nga shumë qeveri dhe vëzhgues ndërkombëtarë, shkruan ispionline.it.

Megjithatë, kjo deklaratë është pjesë e një trendi në rritje të interesit në rajonin e Arktikut, që përfshin jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por edhe lojtarë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë Kinën, Rusinë dhe Bashkimin Evropian, megjithëse me qëllime dhe qasje të ndryshme.

Arsyet për këtë interes qëndrojnë në kërkesën globale në rritje për minerale strategjike, metale të rralla dhe hidrokarbure, nga të cilat Groenlanda dhe në përgjithësi, Arktiku është e bollshme.

Në vitin 2023, Shërbimi Gjeologjik i Danimarkës dhe Groenlandës (GEUS) identifikoi afërsisht 6 milionë ton grafit, 36 milionë ton metale të rralla, 235,000 ton litium, 75,000 ton bakër dhe metale të tjera kritike në nëntokën e Groenlandës.

Për më tepër, për shkak të shkrirjes së akullit dhe hapjes së rrugëve të reja detare, Arktiku po merr gjithashtu një rëndësi strategjike gjithnjë e më të rëndësishme, si nga një perspektivë tregtare ndërkombëtare ashtu edhe nga ajo politiko-ushtarake.

Me fundin e të ashtuquajturit “eksceptualizëm Arktik” (tendenca e rajonit polar për të mbetur jashtë mosmarrëveshjeve ndërshtetërore) dhe efektet shkatërruese të ndryshimeve klimatike, Groenlanda e gjen veten të zënë në një “garë Arktike” që shkon shumë përtej ambicieve ekspansioniste të Trump dhe përfshin, ndër të tjera, Kinën, Rusinë dhe Bashkimin Evropian.

Kina në Groenlandë: Midis burimeve minerale dhe përfshirjes politike

Një nga arsyet e cituara nga Trump për dëshirën e Uashingtonit për të fituar kontrollin e Groenlandës është prania gjithnjë e më masive e Kinës në Arktik, e cila përbën një kërcënim për sigurinë e SHBA-së.

Kjo reflektohet në qëllimin e deklaruar të qeverisë kineze për të rritur praninë e saj në Arktik përmes investimeve dhe përfshirjes politike.

Për vite me radhë, Kina e ka përcaktuar veten si një vend “pranë Arktikut”, dhe në vitin 2018, qeveria kineze publikoi një dokument strategjik të titulluar “Politika Arktike e Kinës”, i cili nxori në pah interesat e saj në fusha të ndjeshme si shfrytëzimi i burimeve natyrore, lufta kundër ndryshimeve klimatike dhe siguria në Arktik.

Së fundmi, Kina ka qenë anëtare vëzhguese e Këshillit Arktik që nga viti 2013. Mes interesit në rritje kinez për Arktikun, Groenlanda (Kina është partneri i saj kryesor tregtar), me vendndodhjen e saj strategjike midis Evropës dhe Amerikës së Veriut dhe pasurinë e saj në minerale dhe metale të rralla, është shënjestruar nga investimet kineze për disa vite.

“Porta për në Arktik”: Rëndësia strategjike e Groenlandës për Rusinë

Përveç Kinës, Trump përmendi gjithashtu praninë ushtarake të Rusisë rreth Groenlandës si një arsye të mëtejshme për të siguruar kontrollin e SHBA-së mbi ishullin.

Ndërsa nga perspektiva e Kinës, Groenlanda përfaqëson një mundësi për të zgjeruar kontrollin e saj mbi prodhimin global të mineraleve dhe metaleve të rralla, për Rusinë, ajo ka një rëndësi shumë më strategjike në ruajtjen e sigurisë së saj në Arktik.

Strategjia e Brukselit: Siguria ekonomike, partneriteti dhe sfidat politike

Në të gjitha këto, është e rëndësishme të kujtojmë se Groenlanda është një pjesë integrale e Mbretërisë së Danimarkës dhe, megjithëse nuk ka qenë anëtare e Bashkimit Evropian që nga viti 1985 ajo konsiderohet si një nga “territoret jashtë shtetit” të BE-së.

Kohët e fundit, interesi i Komisionit Evropian dhe i shteteve anëtare të BE-së në Groenlandë është rritur ndjeshëm, kryesisht për shkak të nevojës për të fituar qasje në mineralet dhe metalet e rralla të tokës thelbësore për të vazhduar tranzicionin energjetik të Evropës pa varësi nga aktorët e jashtëm si Kina ose Rusia.

Interesi i Bashkimit Evropian në Groenlandë bazohet kryesisht në çështjet e sigurisë ekonomike.

Siç specifikohet nga vetë Komisioni Evropian: “Njëzet e pesë nga tridhjetë e katër metalet e rralla të tokës të nevojshme për tranzicionin energjetik të ekonomisë evropiane janë të pranishme në nëntokën e Groenlandës.”

Prandaj, në nëntor 2023, u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi midis Komisionit dhe qeverisë së Groenlandës për një partneritet strategjik që synonte krijimin e një zinxhiri furnizimi të qëndrueshëm për shfrytëzimin e metaleve të rralla në ishullin Arktik, duke e vendosur kështu vendin në konkurrencë gjeoekonomike me vetë Shtetet e Bashkuara.

Për më tepër, në mars të vitit të kaluar, presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen udhëtoi për në Nuuk për të hapur një përfaqësi të re të BE-së në kryeqytetin e Groenlandës, duke demonstruar angazhimin në rritje të Bashkimit Evropian për çështjet që kanë të bëjnë me ishullin Arktik. /os/

The post KOMENT – SHBA-ja, Kina, Rusia dhe BE-ja, përse të gjithë duan Groenlandën? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

FOKUS – Nielsen: Greolanda nuk mund të merret ”brenda një nate” siç ndodhi në Venezuelë

5 January 2026 at 22:51

NUUK, 5 janar /ATSH-AA/ – Grenlanda nuk ndodhet në një situatë ku mund të ndodhë një “marrje brenda natës”, tha sot kryeministri Jens-Frederik Nielsen, duke refuzuar krahasimet me Venezuelën dhe duke bërë thirrje për komunikim të drejtpërdrejtë në vend të shkëmbimeve nëpërmjet mediave.

“Vendi ynë nuk është i duhuri për t’u krahasuar me Venezuelën. Ne kemi një vend demokratik. Ka qenë i tillë për shumë, shumë vite”, tha Nielsen në një konferencë për shtyp.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve pas deklaratave të fundit amerikane, Nielsen theksoi se nuk ka nevojë për panik.

“Situata nuk është e tillë që Shtetet e Bashkuara të mund të marrin kontrollin e Grenlandës. Nuk është kjo situata. Prandaj nuk duhet të bëjmë panik. Duhet të rikthejmë bashkëpunimin e mirë që kemi pasur”, tha ai.

Nielsen tha se Grenlanda ndodhet në një situatë të veçantë dhe njohu shqetësimin e publikut. “Mund ta kuptoj plotësisht që popullsia i drejtohet qeverisë dhe është e shqetësuar”, shtoi ai.

Ai gjithashtu refuzoi spekulimet mbi skenarë ushtarakë duke thënë: “Së pari, dua të them se nuk e mendoj si të përshtatshme të flitet për operacione ushtarake të mundshme apo potenciale në këtë vend”.

“Dua të përsëris se nuk ndodhemi në një situatë ku mendojmë se mund të ketë një marrje të vendit brenda natës”, shtoi ai.

Kryeministri tha se qeveria do të forcojë tonin e saj nëse diskutimet do të vazhdojnë në formën aktuale, pasi “nuk jemi të kënaqur me situatën ku ndodhemi”.

Duke kritikuar komunikimin indirekt, Nielsen tha se dialogu nuk duhet të zhvillohet nëpërmjet mediave. “Mjaft më me komunikimin që zhvillohet nëpërmjet mediave dhe kanaleve të ndryshme të tërthorta. Kjo nuk është respektuese”, tha ai.

Duke bërë thirrje për unitet, Nielsen bëri apel për bashkim brenda Grenlandës dhe me vendet aleate.

“Duhet të tregojmë se qëndrojmë së bashku në shoqëri. Vendet me të cilat jemi aleatë, duhet gjithashtu të tregojmë unitetin tonë”, tha ai, duke shtuar se qeveria e Grenlandës ka bërë “gjithçka që mund të bëjmë”.

Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur vazhdimisht dëshirën për të marrë kontrollin e Grenlandës, një territor me vetëqeverisje brenda Danimarkës, dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake.

Një ditë pas operacionit ushtarak amerikan në Venezuelë që çoi në kapjen e presidentit Nicolas Maduro, Trump të dielën rifilloi thirrjet për një marrjen e kontrollit të Grenlandës për shkak të interesave të sigurisë të SHBA-së.

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, i ka bërë thirrje Trump të “ndalojë kërcënimet”.

Disa vende evropiane, si dhe BE-ja, kanë shprehur mbështetje të fortë për Danimarkën dhe Grenlandën, duke refuzuar çdo sugjerim se e ardhmja e ishullit mund të vendoset nga fuqitë e jashtme dhe duke theksuar respektin për sovranitetin dhe integritetin territorial.  /os/

The post FOKUS – Nielsen: Greolanda nuk mund të merret ”brenda një nate” siç ndodhi në Venezuelë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Jetojmë më gjatë por plakemi më shpejt, cilët janë faktorët e këtij cikli?

5 January 2026 at 21:50

NJU JORK, 5 janar /ATSH/ – Duke parë fotot të paraardhësve tanë, krijohet përshtypja se sheh njerëz shumë më të vjetër nga ç’ishin në të vërtetë. shkruan salute.eu.

Kjo ndjesi është sikur koha të ketë kaluar më shpejt njëqind vjet më parë. Sot, e dimë se ato shenja të dukshme të plakjes ishin për shkak të shkatërrimeve të një jete më të vështirë se e jona.

Megjithatë, edhe aty ku sistemet e avancuara të kujdesit shëndetësor, ilaçet inovative dhe strategjitë e parandalimit të sëmundjeve janë tani në dispozicion, koha jo vetëm që nuk është ndalur, por duket se po ecën më shpejt se kurrë.

Sipas disa studimeve, në fakt, brezat e lindur në mesin e viteve 1960 po plaken biologjikisht më shpejt se brezat e mëparshëm.

Sëmundjet që konsiderohen tipike të pleqërisë si kanceri, ataku në zemër dhe diabeti, po bëhen gjithnjë e më të zakonshme tek të rinjtë dhe ata nën 40 vjeç.

Dhe midis fajtorëve të këtij “plakjeje të parakohshme” është vetë mjedisi ynë, i cili, siç raportohet nga revista New Scientist, mund ta përkufizojmë si “senezogjenik”: sepse favorizon të gjithë ata faktorë – një mënyrë jetese sedentare, stresin, ndotjen, valët e nxehtësisë, por mbi të gjitha obezitetin – që janë në rrënjë të plakjes. /os/

The post FOKUS – Jetojmë më gjatë por plakemi më shpejt, cilët janë faktorët e këtij cikli? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Pentagoni ndëshkon senatorin demokrat Kelly për videon anti-Trump

5 January 2026 at 21:01

UASHINGTON, 5 janar /ATSH-ANSA/ – Departamenti i Mbrojtjes po ndërmerr hapa për të ulur gradën dhe pensionin e senatorit demokrat Mark Kelly në përgjigje të një videoje të publikuar në nëntor në të cilën ai i paralajmëronte anëtarët e ushtrisë kundër bindjes ndaj urdhrave nga komandanti i përgjithshëm.

Përpara se të niste një karrierë politike, Kelly fluturoi në misione luftarake gjatë Luftës së Gjirit si pilot detar përpara se të zgjidhej si pilot i anijes kozmike të NASA-s në vitin 1996.

Ai fluturoi në misionin e tij të parë hapësinor në vitin 2001 si pilot i STS-108, më pas pilotoi STS-121 në vitin 2006 dhe komandoi STS-124 në vitin 2008 dhe STS-134 (misioni i fundit i anijes kozmike Endeavour) në vitin 2011.

Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, në një postim në mediat sociale, i quajti komentet e demokratit të Arizonës “deklarata rebele” dhe tha se ato ishin pjesë e një “model sjelljeje të pamatur”.

Ai më vonë raportoi se Pentagoni ka filluar procedurat për ta ulur Kelly nga grada e kapitenit detar në pension në një gradë më të ulët, duke rezultuar në një ulje të pensionit të tij. /os/

The post SHBA – Pentagoni ndëshkon senatorin demokrat Kelly për videon anti-Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Stimulimi i trurit zvogëlon simptomat tek të sëmurët me Parkinson

5 January 2026 at 20:01

ROME, 5 janar /ATSH-ANSA/ – Në spitalin italian të San Camillo Forlanini mjekët neurokirurgë kanë nisur procedurat e para të stimulimit të thellë të trurit tek pacientët  .

Pavarësisht ekzistencës së teknikës për më shumë se 30 vjet, ka ende pak qendra publike në Itali që ofrojnë këtë trajtim.

Ky trajtim përdoret për të trajtuar pacientët me çrregullime të lëvizjes, të tilla si sëmundja e Parkinsonit, epilepsia ose gjendje të rënda psikiatrike që janë të papajtueshme me terapitë me ilaçe.

Procedura përfshin vendosjen e elektrodave 1 milimetër me saktësi ekstreme në bërthama të vogla të lëndës gri thellë brenda trurit të pacientit.

Elektrodat, të lidhura me një bateri, zakonisht të vendosura nën klavikulën e pacientit, veprojnë si një “stimulues kardiak i trurit”, duke lëshuar impulse që zvogëlojnë dridhjet dhe rivendosin rrjedhshmërinë e lëvizjes.

“Është një kënaqësi e madhe që kemi futur kirurgjinë e sëmundjes së Parkinsonit duke përdorur stimulimin e thellë të trurit në këtë spital”, thekson Riccardo Antonio Ricciuti, i cili drejton ekipin e neurokirurgjisë së spitalit, ”  /os/

The post ITALI – Stimulimi i trurit zvogëlon simptomat tek të sëmurët me Parkinson appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Viti 2025, më i ngrohti dhe më me diell i të gjitha kohërave

5 January 2026 at 18:33

LONDER, 5 janar /ATSH-AA/ –  Britania e Madhe përjetoi vitin e saj më të nxehtë dhe më me diell në histori në vitin 2025, duke e tejkaluar rekordin e mëparshëm të vendosur në vitin 2022, sipas shifrave paraprake.

Zyra Meteorologjike e Britanisë (Met Office) njoftoi se 2025-a është një “thyes rekordi i dyfishtë”, pasi vendi regjistroi vitin më të ngrohtë dhe më me diell që nga fillimi i matjeve, duke kaluar rekordin e mëparshëm të vitit 2022.

Met Office deklaroi se temperatura mesatare e vitit 2025 prej 10,09 gradësh Celsius e rendit atë mes tri viteve më të ngrohta që nga viti 1884.

“Kjo është një dëshmi gjithnjë e më e qartë e ndikimeve të ndryshimeve klimatike në temperaturat e Britanisë”, tha Met Office në një deklaratë.

Ndërkohë, siç ishte konfirmuar më parë, 2025-a ishte gjithashtu viti më me diell që nga fillimi i matjeve në vitin 1910, me 1.648,5 orë diell — 61,4 orë më shumë se rekordi i mëparshëm i vitit 2003.

Mark McCarthy, kreu i atributimit të klimës në Met Office, ka thënë se ky vit shumë i ngrohtë është në përputhje me pasojat e pritura të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.

“Ne po shohim gjithnjë e më shumë që temperaturat në Mbretërinë e Bashkuar thyejnë rekorde të reja në klimën tonë në ndryshim, siç tregohet nga një rekord i ri i temperaturës mesatare më të lartë vetëm tre vjet pas rekordit të fundit”, ka thënë ai në deklaratë.   /os/

The post BM – Viti 2025, më i ngrohti dhe më me diell i të gjitha kohërave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Tusk: Një Evropë e dobët dhe e përçarë nuk do të merret seriozisht nga askush

5 January 2026 at 18:06

VARSHAVE, 5 janar /ATSH-AA/ – Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk tha se një Evropë e dobët dhe e përçarë nuk do të merret seriozisht nga askush, duke theksuar se kontinenti duhet të veprojë në unitet.

Tusk bëri një postim në platformën e mediave sociale të kompanisë amerikane X, pas zhvillimeve të fundit në Venezuelë.

“Askush nuk e merr seriozisht një Evropë të dobët dhe të përçarë. As armiku dhe as aleati. Kjo tashmë është shumë e qartë. Në fund, duhet të besojmë në forcën tonë dhe të vazhdojmë të armatosemi”, shkroi ai.

Duke theksuar se nevoja për të vepruar së bashku është më e madhe se kurrë, Tusk tha: “Njëri për të gjithë, të gjithë për njërin. Përndryshe, jemi të humbur”.   /os/

The post FOKUS – Tusk: Një Evropë e dobët dhe e përçarë nuk do të merret seriozisht nga askush appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Përfitimet e habitshme të një gote lëng portokalli

2 January 2026 at 20:40

LONDER, 2 janar /ATSH/ – Zakoni i pirjes së një gote lëng portokalli mund të ketë një efekt të rëndësishëm në shëndetin tuaj, shkruan BBC.

Problemi është se kjo pije e ëmbël agrume është demonizuar për ca kohë.

Edhe pse portokallet janë të pasura me vitamina, ekspertët paralajmërojnë se lëngu i portokallit shkakton një rritje të papritur të sheqerit në gjak. Me kalimin e kohës, kjo rritje e përditshme e glicemisë mund të çojë në rezistencë ndaj insulinës, duke rritur rrezikun e diabetit, sëmundjeve të zemrës dhe obezitetit.

Ose të paktën kështu është mendimi. Megjithatë, në realitet, studimet po fillojnë të tregojnë se, pavarësisht përmbajtjes së lartë të sheqerit, një gotë lëng portokalli në ditë mund të ofrojë përfitime të shumta shëndetësore.

Pse kemi gabuar në lidhje me lëngun e portokallit?

Së pari, studimet, duke ndjekur dhjetëra mijëra njerëz me kalimin e kohës – tregojnë se ata që hanë shumë fruta agrume kanë më pak të ngjarë të vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe goditja në tru, ishemive.

Megjithatë, shumica e këtyre studimeve të mëdha i pyetën subjektet se sa fruta hanin, jo sa lëng frutash pinin. Ngrënia e frutave të plota mund të ketë një efekt thelbësisht të ndryshëm në trup sesa pirja e lëngut të frutave.

“Para së gjithash, është shpejtësia me të cilën hani”, thotë Federico Amati, një nutricionist në Imperial College London, UK.

Amati thekson se nëse hani dy ose tre portokalle – sasia mesatare e nevojshme për të bërë një gotë të vogël me lëng portokalli – “do t’ju duhet më shumë kohë për të ngrënë, përtypur dhe gëlltitur”.

“Në fakt, shumica e njerëzve ndoshta nuk do të donin të hanin dy ose tre, sepse kjo është shumë. Ndërsa kur pini një gotë të vogël, ajo zhduket brenda disa sekondash”, shton ai.

Fruti i plotë është gjithashtu i pasur me fibra, të cilat ushqen bakteret e mira në zorrë dhe janë të lidhura me përfitime shëndetësore, të tilla si një rrezik i reduktuar i sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancerit të zorrës së trashë.

Fibra gjithashtu ngadalëson rrjedhën e sheqernave në qarkullimin e gjakut.

Lëngu i portokallit dhe lëngjet e tjera të frutave bëhen duke shtypur dhe pulpuar frutat e plota, duke hequr pjesën më të madhe të fibrave të tyre.

Në fund të fundit, nëse krahasoni përgjigjen glicemike të një personi nga ngrënia e një portokalli të tërë me atë të pirjes së lëngut të portokallit, portokalli i tërë do të prodhonte një rritje mjaft graduale, ndërsa një gotë lëng portokalli ka një efekt më të theksuar.

“Në lëngun e portokallit, sheqernat janë çliruar nga kapsulat e tyre të fibrave dhe për këtë arsye absorbohen shumë shpejt në gojë dhe stomak. Kjo çon në një rritje mjaft të shpejtë të sheqerit në gjak”, theksoi Amati.

Megjithatë, për shumicën e njerëzve, një rritje e tillë nuk është problem sepse lirohet insulina, e cila largon sheqerin nga qarkullimi i gjakut. Megjithatë, për ata me diabet, një gotë lëng portokalli mund të mos jetë një ide e mirë.

“Mendoj se sfida me lëngjet e frutave në përgjithësi është se ato teknikisht janë sheqerna të lira, por kjo nuk është e gjithë historia”, thotë Amati.

Shëndeti i zemrës dhe trurit

Ka shenja që tregojnë se pirja e shpeshtë e lëngut të portokallit mund të jetë ende e dobishme, pavarësisht përmbajtjes së lartë të sheqerit.

Për shembull, një meta-analizë e 10 studimeve të kontrolluara të rastësishme (RCT) zbuloi se pirja e 500 ml (17 fl oz) lëng portokalli në ditë shoqërohej me nivele më të ulëta të glukozës në gjak, funksion të përmirësuar të insulinës dhe nivele më të ulëta të kolesterolit të lipoproteinës me dendësi të ulët (LDL), i njohur si kolesterol “i keq” – të gjitha shenja të shëndetit të mirë të zemrës. /os/

The post FOKUS – Përfitimet e habitshme të një gote lëng portokalli appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌