Pesë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku mes dy automjeteve në hyrjen-daljen e autostradës “Arbën Xhaferi” në hyrje të Lipjanit.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.
“Sot, në ora 16:20, është lajmëruar një aksident trafiku në hyrje-daljen e autostradës në Lipjan. Në aksident janë përfshirë dy automjete dhe pesë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Policia është marrë me procedurat në vendngjarje,” tha Krasniqi.
Hetimet për shkaqet e aksidentit janë duke vazhduar.
Një fëmijë 1-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e tymit në një shtëpi që është përfshirë nga zjarri në qendër të Prizrenit, derisa tre fëmijët e tjerë kanë shpëtuar dhe po marrin trajtim mjekësor.
Specialisti i Emergjencës në Spitalin e Prizrenit, Hekuran Veçgishti tha se gjendja e tre fëmijëve që shpëtuan nga zjarri është stabile dhe nën monitorim, derisa fëmija i katërt kishte arritur në spital pa shenja jete.
“Rreth ora 10:25 në emergjencën e spitalit të Prizrenit, është sjell pa shenja jete nga një shtëpi që është kapluar nga flaka. Në emergjencë është konstatuar vdekja e fëmijët nga ky rast. Po ashtu dhe tre fëmijë janë sjell në repartin e pediatrisë, ata aktualisht janë duke vazhduar trajtimin në repartin e pediatrisë…ata kanë pas intoksikim prej tymit që ka qenë nga flaka…sipas mjekëve gjendja e tyre është stabile dhe janë nën monitorim”, tha ai.
Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi deklaroi se ndonëse shkaqet e këtij zjarri ende nuk dihen, dyshimet janë se zjarri u shkaktua nga energjia elektrike apo ndonjë pajisje.
Bytyqi tha se hetimet në këtë drejtim po vazhdojnë.
“Sot rreth orës 10:00 është raportuar për zjarr në një shtëpi banimi në qendër të qytetit të Prizrenit.si pasojë e zjarrit një fëmijë rreth 1 vjeçar ka humbur jetën dyshohet kjo ka ardhur si pasojë e tymit deri tek vdekja. Tre fëmijët tjerë kanë shpëtuar dhe janë larguar nga shtëpia kurse të njëjtin janë dërguar për trajtim mjekësor në emergjencë….njësitet emergjente që kanë dal në vendin e ngjarje zjarrfikësit, policia dhe emergjenca, posa kanë marrë informacionin menjëherë janë nisur për në vendin e ngjarjes dhe zjarri është lokalizuar plotësisht dhe ekipet kanë vazhduar të qëndrojnë edhe më tej më qëllim që të mos përhapet zjarri përsëri. Policia së bashkë me hetues dhe në bashkëpunim me prokurorinë dhe ekspert të zjarrin janë duke punuar për të mbledhur prova dhe dëshmi me qëllim që të arrihet tek përfundimi se si ka arritur deri tek zjarri.. nuk dihet saktësisht, ka dyshime të ketë ardhur nga rryma apo pajisjet elektrike” tha ai.
Sabri Shabani, dëshmitarë në këtë rast thotë se dëgjuan zërat dhe vrapuan të shohin se çka po ndodh, dhe panë që shtëpinë e kishte kapluar flaka.
Shabani tha se brenda shtëpisë ndodheshin katër fëmijë, por vetëm 3 arritën t’i shpëtonin.
“Ne ishim lokalin e kemi këtu hapur, i dëgjuam disa zëra që po ndodh diçka, edhe vrapuam të shohim se çfarë po ndodh. Kur e pamë, e kishte kapluar flaka këtë shtëpinë. Për fat të mirë, katër fëmijë ishin brenda, tre mund t'i shpëtuan këta komshinjtë afër që ishin, kurse të katërtin s'patëm mundësi të hyjmë brenda për shkak se pajisjeve nuk kemi. Ato vetëm shtëpinë e kishte kapluar flaka gjithsej”, tha ai.
Dëshmitari Shabani për KosovaPress, tha se edhe njësitet e policisë, por edhe zjarrfikësve kanë ardhur menjëherë.
“ Ka ardhur, zjarrfikësat kanë ardhur menjëherë. Ne i kemi thirrur zjarrfikësat, kanë ardhur menjëherë, kanë ardhur. Po është shtëpi e vjetër, është shtëpi me dërrasa, e pamundur ka qenë edhe zjarrfikësat ta bëjnë ato. Bile unë e theva derën, po ishte e pamundur kjo se dilte flaka vetëm jashtë dilte. Ishte e pamundur me u bërë diçka nga ana e popullatës”, tha ai.
Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit u zhvilluan në një atmosferë kryesisht të qetë dhe demokratike, me pjesëmarrje të lartë të votuesve.
Procesi pati sfida institucionale dhe politizim në vendimmarrjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa fushata ishte e personalizuar rreth liderëve partiakë dhe me përfshirje të pabarabartë të qytetarëve.
Administrimi i ditës së zgjedhjeve dhe publikimi i rezultateve u realizuan në mënyrë efikase, duke krijuar një bazë për formimin e institucioneve në kohë.
Ky ishte vlerësimi preliminar i Demokracisë në Veprim për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Eguen Cakolli menaxheri i programeve në Koalicionin e organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim, flet për vlerësimin preliminar të procesit zgjedhor të 28 dhjetorit, mbarëvajtjen e ditës së zgjedhjeve, sfidat institucionale gjatë administrimit të procesit, si dhe pritshmëritë për certifikimin e rezultateve dhe konstituimin e institucion.
“Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim, vlerëson se këto zgjedhje janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe konkurruese. ...Sa i përket procesit të votimit, këto zgjedhje kanë qenë dhe janë zhvilluar në një atmosferë të qetë dhe demokratike, pa asnjë incident serioz i cili do të mund ta cenonte integritetin e zgjedhjeve, apo do ta minonte besimin e publikut në rezultatin zgjedhor. Dalja e votuesve ka qenë relativisht e lartë, ndonëse shumica e parregullsive të evidentuara nga ana e vëzhguesve të DNV-së kanë qenë të karakterit procedural, pa ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin e përgjithshëm të procesit”, tha ai.
Sipas tij, puna e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte në një nivel të politizimit si gati asnjëherë më parë.
Sa i përket votimit jashtë vendit, ai tha se ishte mbi 84% në përfaqësi diplomatike. “Sa i përket listës së votuesve, e njëjta vijon të mbetet pra një çështje problematike strukturore. Edhe pse KQZ ka ndërmarrë hapa për pastrimin e saj, fakti që lista e votuesve vijon të ketë mbi 2 milionë votues, pra gati 500,000 më shumë sesa që ka banorë rezidentë në bazë të gjetjeve nga matjet e fundit të popullsisë që janë bërë vitin e kaluar, tregon për nevojën për intervenime më afatgjate në këtë drejtim”, tha ai.
“Sa i përket identifikimit të votuesve me dokumente të pavlefshme apo me afat të skaduar, vëzhguesit e DNV-së kanë raportuar se ky fenomen, e sidomos ai i identifikimit të votuesve me dokumente me afat të skaduar, ka qenë i raportuar në të paktën 1/3 e vendvotimeve, përkundër ndalesës ligjore, por pavarësisht kësaj, numri i rasteve ka qenë i kufizuar deri në 10 sosh. Sa i përket vështirësive të votuesve për ta gjetur qendrën e saktë të votimit të tyre, përkatësisht gabimet e votuesve në gjetjen e kësaj, vëzhguesit tanë kanë raportuar se në gati 2/3 të qendrave dhe vendvotimeve në nivel vendi, ka pasur votues të cilët janë njoftuar se u ka ndryshuar qendra e votimit. Sa i përket votimit me asistencë, për shkak të zbatimit të rregullave më të rrepta nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka pasur një ulje të ndjeshme të këtij fenomeni, që sipas të dhënave tona, tanimë përbën vetëm më pak se 1% të numrit të përgjithshëm të votuesve të cilët votojnë në ditën e zgjedhjeve përmes asistencës....Me këtë rast, fotografimi i votës mbetet problemi kryesor i cili është i identifikuar edhe gjatë procesit të zhvilluar të djeshëm, me gjithsej 32 raste të raportuara nga vëzhguesit e DNV-së, në mbi 20 vendvotime ku pra ka pasur raste të fotografimit të votës. Zhvillimi mbase më pozitiv në kuadër të ditës së zgjedhjeve ishte publikimi i shpejtë, i plotë dhe pa vonesa i rezultateve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili me mbi 90% të rezultateve të procesuara arriti që të publikojë të njëjtat vetëm pak orë pas përmbylljes së procesit zgjedhor”, theksoi Cakolli.
Ai i ndal edhe te fushata zgjedhore.
“Sa i përket periudhës së fushatës, vlen të përmendet që edhe kjo fushatë është karakterizuar nga vendime të cilat përbëjnë shkelje ligjore sa i përket garës së barabartë zgjedhore dhe mos shfrytëzimit të resurseve publike, ku normalisht theksohet vendimi i qeverisë pak ditë para ditës së zgjedhjeve për ndarjen e 100 eurove për fëmijët dhe për pensionistët, që ka pasur ndikim në garën zgjedhore, duke krijuar një garë të pabarabartë së pari, por së dyti, duke i dhënë avantazh partisë në pushtet krahasuar me partitë e tjera të cilat nuk e kishin një mundësi të tillë”, tha ai.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KI81/25, me të cilin ka konstatuar shkelje të të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm brenda një afati të arsyeshëm, në një rast që ka mbetur i pazgjidhur për më shumë se 24 vjet në Gjykatën Themelore në Gjakovë.
Rasti ishte parashtruar nga Adem Shehu, i cili kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës gjyqësore lidhur me lëndën T.nr.29/2000, që ka të bëjë me një procedurë jokontestimore për ndarjen e trashëgimisë së lënë nga nëna e tij.
Gjykata Kushtetuese, me vendim unanim, e shpalli kërkesën të pranueshme dhe konstatoi shkelje të paragrafit 2 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Po ashtu, ajo urdhëroi Gjykatën Themelore në Gjakovë që, jo më larg se më 11 mars 2026, ta informojë Kushtetuesen për masat e ndërmarra për zbatimin e aktgjykimit.
Sipas aktgjykimit, procedura kishte nisur më 7 nëntor 2000, ndërsa më 1 shkurt 2002 ishte ndërprerë nga Gjykata Komunale në Gjakovë, me arsyetimin se duhej të pritej përfundimi i dy lëndëve kontestimore që ndërlidheshin me ngastrat kadastrale. Ankesa e parashtruesit kundër këtij vendimi ishte refuzuar nga Gjykata e Qarkut në Pejë, ndërsa procedura e trashëgimisë ka mbetur e ndërprerë që nga ajo kohë.
Gjykata Kushtetuese vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka kontribuar në zvarritjen e procedurës dhe se vonesa prej më shumë se 24 vitesh është e pajustifikueshme. Sipas saj, kjo periudhë e gjatë pritjeje i atribuohet autoriteteve gjyqësore, të cilat nuk mund të lejojnë që çështjet gjyqësore të mbeten të pazgjidhura për një kohë të pacaktuar.
Në përfundim, Kushtetuesja theksoi se Gjykata Themelore në Gjakovë ka cenuar të drejtën e parashtruesit për gjykim brenda një afati të arsyeshëm dhe duhet të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm procedural për të eliminuar pengesat dhe për ta përmbyllur lëndën në përputhje me gjetjet e këtij aktgjykimi./Telegrafi.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar–20 dhjetor janë iniciuar mbi 26 mijë raste për vepra penale, që përbën një rënie prej 3.54 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Sipas të dhënave zyrtare të policisë, gjatë këtij viti janë regjistruar gjithsej 18 raste të vrasjeve, një më shumë se vitin e kaluar.
Policia ka publikuar gjithashtu informacione lidhur me luftën kundër narkotikëve, duke dhënë detaje për llojet e substancave narkotike që janë konfiskuar gjatë vitit.
Po ashtu, sipas statistikave policore, në periudhën janar–nëntor të këtij viti janë ngrirë dhe sekuestruar asete në vlerë mbi 112 milionë euro, në kuadër të hetimeve për vepra të ndryshme penale.
Policia e Kosovës ka vlerësuar se këto të dhëna dëshmojnë për angazhimin e vazhdueshëm në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit në vend.
Kosova ka përmbyllur të dielën procesin e votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa vëmendja tashmë është përqendruar te formimi i institucioneve të reja.
Lidhur me këtë proces, është deklaruar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Në një përgjigje për Telegrafin, një zëdhënës i ambasadës ka thënë se SHBA-ja pret të bashkëpunojë me qeverinë e ardhshme të Kosovës.
“Ne mezi presim të punojmë me qeverinë e ardhshme mbi prioritetet e përbashkëta të paqes rajonale, stabilitetit dhe prosperitetit të ndërsjellë ekonomik”, ka deklaruar zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-së.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje është renditur e para me 49.34 për qind të votave, apo 433 mijë e 394 vota.
Në vendin e dytë është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.98 për qind, apo 184 mijë e 318 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 13.57 për qind të votave, përkatësisht 119 mijë e 201 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor me 5.66 për qind, apo 49 mijë e 698 vota.
Këto zgjedhje janë të katërtat brenda vitit 2025.
Dy herë u votua për Kuvendin e Kosovës, pasi nga zgjedhjet e 9 shkurtit nuk u arrit formimi i institucioneve të reja, ndërsa dy herë të tjera qytetarët votuan në zgjedhjet lokale, në rundin e parë dhe atë të balotazhit.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave, me propozim për gjykim në mungesë, për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, lidhur me masakrën e kryer më 15 janar 1999 në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes.
Sipas aktakuzës, të pandehurit O.S., R.M., K.J., G.R., Ž.T., B.J., M.L., R.M., D.DJ., B.M., D.J., M.Š., D.A., S.V., B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Č.A. dhe Z.J., akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore dhe ushtarake serbe kanë vrarë 42 civilë shqiptarë.
“Sipas aktakuzës, në periudhën 1998 – 1999, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës ‘’243 të Mekanizuar ’’, Armatës së III- të, e njohur si ‘’Korpusi i Prishtinës’’, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Sipas hetimeve të prokurorisë forcat serbe fillimisht e rrethuan fshatin Reçak nga zonat e njohura si “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, për ta granatuar më pas nga distanca me mjete ushtarake. Ata kanë hyrë shtëpi më shtëpi, kanë ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar këta të fundit të largohen nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar janë ekzekutuar.
Prokuroria tutje thotë se hetimet kanë vërtetuar gjithashtu se civilët janë rrahur brutalisht me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta.
Si pasojë e këtyre operacioneve, rreth 20 mijë civilë nga fshatrat Reçak, Topillë, Petrovë, Kraisht, Mullapolc dhe Dremjak janë dëbuar nga shtëpitë e tyre.
Prokuroria Speciale ka propozuar që gjykimi të mbahet në mungesë, pasi të pandehurit ndodhen jashtë Kosovës dhe janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.
Dy ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës në Kosovë, po bëhet gjithnjë e më e qartë përbërja e re e Kuvendit të Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur numërimin e votave për kandidatët për deputetë që nga e hëna, ndërsa deri më tani janë numëruar 46,38% e tyre.
Në këto zgjedhje kanë marrë pjesë rreth 45 për qind e afro dy milionë qytetarëve me të drejtë vote. Rezultatet paraprake tregojnë se zgjedhjet janë fituar bindshëm nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Sipas të dhënave aktuale, më poshtë janë pesë kandidatët më të votuar nga secila parti, kur janë numëruar pak më shumë se një e treta e votave:
Lëvizja Vetëvendosje
Albin Kurti – 160.850 vota
Glauk Konjufca – 125,080vota
Albulena Haxhiu – 65,370 vota
Hekuran Murati – 64,768 vota
Donika Gërvalla – 57,711 vota
Partia Demokratike e Kosovës (PDK)
Bedri Hamza – 73,114 vota
Arian Tahiri – 34,418 vota
Përparim Gruda – 32,051 vota
Uran Ismaili – 25,336 vota
Sala Jashari – 22,997 vota
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)
Lumir Abdixhiku – 35,284 vota
Hykmete Bajrami – 22,347 vota
Ukë Rugova – 19,539 vota
Avdullah Hoti – 17,298 vota
Doarsa Kica Xhelili – 17,268 vota
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)
Ramush Haradinaj – 17,894 vota
Daut Haradinaj – 10,977 vota
Besnik Tahiri – 10,814 vota
Bekë Berisha – 7,940 vota
Agim Çeku – 7,246 vota
Bazuar në të dhënat paraprake, Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i ketë 56 ulëse në Kuvend, e pasuar nga PDK-ja me 23, LDK-ja me 15, Lista Serbe me 9 dhe AAK-ja me 6 ulëse.
Personi më i votuar në Kosovë deri më tani është Albin Kurti.
Në zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit, ai kishte marrë 337.791 vota, duke thyer rekordin e mëparshëm të presidentes Vjosa Osmani. Mbetet të shihet nëse Kurti do të arrijë ta forcojë këtë rekord edhe në këto zgjedhje.
Numërimi i votave po vazhdon dhe rezultatet përfundimtare pritet të konfirmohen nga KQZ në ditët në vijim./Telegrafi.
Dy persona janë gjetur pa shenja jete sot në një vilë në rrugën e KFOR-it, në qytetin e Pejës.
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha se rasti është raportuar rreth orës 15:10.
“Sot rreth orës 15:10 policia është informuar se në një vilë në rrugën e KFOR-it dy persona dyshohej se ishin pa shenja jete. Në vendngjarje është lajmëruar edhe emergjenca. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tyre,” ka deklaruar Gashi.
Sipas Policisë, rasti është duke u hetuar dhe autoritetet janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Më shumë detaje pritet të bëhen publike pas përfundimit të hetimeve fillestare./Telegrafi.
Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të dhjetorit 2025 tregojnë ndryshime të dukshme në raportin e forcave politike, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021 dhe ato të shkurtit 2025.
Sipas të dhënave të paraqitura në grafik, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mbetet subjekti politik më i votuar në vend, me rreth 50.28 për qind, duke ruajtur epërsinë ndaj partive të tjera, ndonëse me luhatje të lehta krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.
Në zgjedhjet e fundit, LVV kishte 42.3 për qind, ndërkaq në zgjedhjet e 28 dhjetorit e ka rikthyer ndjeshëm rezultatin e vitit 2021.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) shënon rritje në zgjedhjet e dhjetorit 2025, duke arritur në rreth 21 për qind, krahasuar me 17.01 për qind në vitin 2021 dhe 20.95 për qind në zgjedhjet e shkurtit 2025, duke u konfirmuar si forca e dytë politike në vend.
Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shënon rënie të ndjeshme krahasuar me shkurtin 2025. Nga 18.27 për qind, ajo bie në rreth 13.57 për qind, megjithëse mbetet mbi rezultatin e vitit 2021, kur kishte marrë 12.73 për qind të votave.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vazhdon trendin rënës, duke zbritur në rreth 5.68 për qind në dhjetor 2025, nga 7.06 për qind në shkurt dhe 7.12 për qind në zgjedhjet e vitit 2021.
Ndërkohë, Lista Serbe shënon një rritje të lehtë, me rreth 4.78 për qind, krahasuar me 4.26 për qind në shkurt 2025, por mbetet nën rezultatin e vitit 2021, kur kishte marrë 5.09 për qind.
Të dhënat pasqyrojnë një skenë politike ende të polarizuar, me Vetëvendosjen që ruan primatin, PDK-në që konsolidon rritjen dhe partitë tjera që përballen me sfida serioze për të rifituar mbështetjen e elektoratit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të publikojë rezultatet përfundimtare pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave./Telegrafi.
Shënim: Në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të këtij viti, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës garoi në një listë të përbashkët me Nismën Socialdemokrate.*Të dhënat për zgjedhjet e dhjetorit të këtij viti reflektojnë rezultatet me 99.65 për qind të vendvotimeve të procesuara.Grafika: Doruntina Baftiu | Radio Evropa e LirëBurimi: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar numërimin e votave për kandidatët për deputet.
Sipas rezultateve të para, pas numërimit të mbi 20% të votave, kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) po renditen kështu:
Bedri Hamza – 29,634 vota
Arian Tahiri – 13,944 vota
Përparim Gruda – 12,820 vota
Uran Ismaili – 10,319 vota
Sala Jashari – 9,300 vota
Vlora Çitaku – 8,318 vota
Arben Mustafa – 7,493 vota
Enver Hoxhaj – 7,043 vota
Eman Rrahmani – 5,435 vota
Rrahman Rama – 5,313 vota
KQZ po vazhdon numërimin e votave dhe rezultatet përfundimtare pritet të publikohen pas përfundimit të procesit në të gjitha komunat.
PDK, një nga partitë kryesore në Kosovë, po ndjek me vëmendje rezultatet e kandidatëve të saj, ndërsa garat për deputetë mbeten të ngushta në disa zona./Telegrafi.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur subjektin politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicë të Veriut, me 45,000 euro për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Vendimi është marrë pas ankesës së parashtruar nga subjekti politik Kosovski Savez, me seli në Leposaviq, e cila u vlerësua si e bazuar nga PZAP.
Sipas vendimit, Lista Serbe është shpallur përgjegjëse për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët gjatë fushatës zgjedhore.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se për këto shkelje Listës Serbe i është shqiptuar dënim me gjobë në vlerë prej 45 mijë euro.
PZAP ka njoftuar gjithashtu se Lista Serbe është e obliguar që gjobën e shqiptuar ta paguajë brenda afatit prej 15 ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 28 dhjetor 2025, ndërsa PZAP ka trajtuar disa ankesa që lidhen me mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore./Telegrafi.
“Provojmë për tu loguar dhe akoma nuk ka ardhur një kod. Kemi rreth 10-15 minuta që tentojmë dhe e pamundur”, është shprehur Etleva Treska.
Nga regjistrim i shoqërive të reja në QKB, funksionimi i pjesshëm ose mosfunksionimi fare i sistemit selfcare si dhe një sër sistemesh ndërlidhëse përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit janë këto problemet më të hasura për bizneset të cilat prej ditësh në këto ditë fundviti kanë mbetur me punët pezull. Edhe qytetarët hasin vështirësi në dokumentacione teksa çdo gjë duhet të kryhet online.
“Duhet ta shikojmë në dy këndvështrime ajo përdoret kryesisht dhe nga individët. Dhe aplikimi i emigrantëve për rinovim dokumentesh është i pamundur. Me bizneset ka shumë probleme. Sapo e kisha një klient nuk u loguam dot. Siç e shikojmë faqja s’po reagon fare. Dhe nisur nga kjo më duhet të bëj mbylljen e vitit deri në 31. Bizneset në momentin që hyn janari duhet të paguajë taks bashkie, të bëj deklarimet në tatime për vitin dhe e ngarkon bizneset pa të drejtë. Jemi gjithë ditën duke punuar dhe s’kemi asnjë rezultat për punën tonë”, tha Treska.
Jo vetëm kontabilistët, ky problem prek edhe profesione të tjera, si ekonomistët, noterët, juristët, avokatet etj.
“Edhe ne si avokat ngremë shqetësimin në lidhje me e-Albania. Konkretisht unë kam pasur kontakte me biznese të huaja dhe një rast të fundit kam pamundur ta regjistroj. 4-5 ditët e fundit e pamundur të logohemi apo kryejmë procedura”, është shprehur avokati Franc Nuri.
Përballë një situate të tillë kolapsi bizneset kërkojnë të merren masa. Por zgjidhja e vetme që arrijnë të marrin është kjo në e-Albania.
“Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile do të realizojë operacione mirëmbajtjeje dhe përmirësimi të sistemit elektronik të saj.
Ju informojmë se gjatë këtyre proceseve mund të ketë ndërprerje të përkohshme apo ngadalësime në marrjen e të dhënave përmes ndërveprimit me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj për çdo vështirësi të mundshme që mund të haset në përdorimin e shërbimeve publike online” thuhet në deklaratën e e-Albania.
Profesionistët e lirë paralajmërojë protesta nëse portali qeveritar e-Albania nuk bëhet funksional para vitit 2026.
“Nuk kam gjetur zgjidhje dhe që kam shkuar në zyrat fizike të QKB. Ajo që duhet bërë duhet të ketë alternativë”, tregon Treska.
Kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, ka deklaruar se nuk do ta urojë asnjëherë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për fitoren në zgjedhjet parlamentare të së dielës.
I ftuar në një lidhje direkte në emisionin “Frontal” në televizionin T7, Lushtaku u pyet nëse do ta uronte Kurtin për fitoren, ashtu siç bëri më herët gjatë ditës kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
“Jo, absolut jo. Ai ia ka vjedhë votat edhe kandidatit të PDK-së në Mitrovicë”, deklaroi Lushtaku.
Ai theksoi se qëndrimi i tij është personal dhe i ndryshëm nga ai i kryetarit të partisë.
“Bedriu është kryetar i partisë, kurse unë e kam mendimin tim personal. Unë asnjëherë nuk ia uroj, as nuk ia uroj as nuk dëshiroj që Albin Kurti të jetë kryeministër i vendit”, u shpreh Lushtaku.
Sipas tij, qeverisja e Albin Kurtit përbën dëm të madh për vendin.
“Unë konsideroj që kjo është e keqja më e madhe e Republikës së Kosovës ndonjëherë”, tha ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se në Qendrat Komunale të Numërimit po vazhdon procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë, si dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime.
Sipas KQZ-së, deri më tani është përpunuar mbi 9 për qind e votave, ndërsa nga të dhënat preliminare për Lidhjen Demokratike të Kosovës, më i votuari është kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku.
Bazuar në këtë fazë të numërimit, renditja e kandidatëve më të votuar të LDK-së është si në vijim:
Lumir Abdixhiku – 6,875 vota
Hykmete Bajrami – 4,367 vota
Ukë Rugova – 3,727 vota
Doarsa Kica Xhelili – 3,427 vota
Avdullah Hoti – 3,379 vota
Kujtim Shala – 3,084 vota
Anton Quni – 2,323 vota
Armend Zemaj – 2,302 vota
Lutfi Haziri – 2,140 vota
Janina Ymeri – 1,713 vota
Nga KQZ është theksuar se procesi i numërimit është ende në vazhdim dhe se këto janë rezultate preliminare, të cilat mund të ndryshojnë me avancimin e mëtejmë të numërimit të votave.
Rezultatet përfundimtare do të shpallen pas përfundimit të plotë të të gjitha procedurave zgjedhore, përfshirë numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe atyre nga diaspora./Telegrafi.
Pas publikimit të rezultateve zgjedhore, kandidatja për deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër duke kritikuar qeverisjen pesëvjeçare dhe rezultatin e zgjedhjeve parlamentare.
Në një reagim publik, Bajrami ka ironizuar fitoren e kundërshtarëve politikë, duke theksuar se zgjedhjet janë fituar, sipas saj, “pa asnjë sukses për pesë vjet qeverisje”.
Ajo ka përmendur një sërë kritikash, përfshirë praninë e zyrtarëve nën aktakuza, korrupsionin, masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian, përkeqësimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe kapjen dhe nepotizmin në institucione.
Bajrami ka përmendur gjithashtu shkelje të përsëritura të Kushtetutës, inflacion dyshifror dhe atë që e ka quajtur “mafi energjetike”, duke e cilësuar gjithë këtë si një realitet shqetësues për vendin.
Duke iu drejtuar elektoratit, ajo ka theksuar se tani është koha për përgjegjësi, si për ata që votojnë, ashtu edhe për ata që qeverisin. Bajrami ka shprehur edhe keqardhje ndaj votuesve dhe strukturave të LDK-së për, siç e quajti ajo, dëshpërimin pas rezultatit.
Megjithatë, deputetja e LDK-së ka shprehur mirënjohje për besimin dhe përkushtimin e mbështetësve të partisë, duke theksuar se ata janë arsyeja pse LDK-ja vazhdon të mbetet e gjallë dhe e fortë. Ajo ka theksuar se angazhimi i saj politik ka qenë gjithmonë në shërbim të qytetarëve, në rritjen e LDK-së dhe në interes të shtetit.
Në përfundim, Bajrami ka theksuar se LDK nuk do të ndalet dhe se, sipas saj, partia “duhet dhe do të rikthehet e para”, përmes punës, besimit dhe një ekipi të fortë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime, pas numërimit të fletëvotimeve.
Sipas KQZ-së, deri më tani është përpunuar mbi 8 për qind e votave, ndërsa nga të dhënat preliminare për Lëvizjen Vetëvendosje, më i votuari është kryeministri aktual Albin Kurti.
Bazuar në këtë përqindje të numërimit, renditja e kandidatëve më të votuar të Vetëvendosjes është si në vijim:
Albin Kurti – 27,258 vota
Glauk Konjufca – 21,353 vota
Hekuran Murati – 11,300 vota
Albulena Haxhiu – 11,097 vota
Donika Gërvalla-Schwarz – 9,833 vota
Xhelal Sveçla – 9,031 vota
Hajrulla Çeku – 8,178 vota
Avni Dehari – 7,272 vota
Mimoza Kusari Lila – 6,835 vota
Ejup Maqedonci – 6,091 vota
Nga KQZ është theksuar se procesi i numërimit është ende në fazë fillestare dhe rezultatet mund të ndryshojnë me avancimin e tij në ditët në vijim.
Rezultatet përfundimtare do të shpallen vetëm pas përfundimit të plotë të numërimit dhe verifikimit të të gjitha votave, përfshirë ato me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga diaspora./Telegrafi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se synon të kandidojë sërish për postin e presidentes së vendit.
Ajo e ka konfirmuar këtë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, duke theksuar se pret fillimisht formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve.
Osmani ka paralajmëruar se në periudhën në vijim do të zhvillojë bisedime me akterë të ndryshëm politikë për të siguruar mbështetjen e nevojshme për kandidaturën e saj.
Ajo ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin e saj politik edhe në rast se nuk zgjidhet presidente për një mandat të dytë, duke nënvizuar se mbetet e përkushtuar ndaj shërbimit publik dhe interesave të shtetit.
Në intervistë, presidentja ka komentuar edhe raportet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, politikën e jashtme të Kosovës, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën administratën e presidentit Donald Trump, si dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Osmani ka folur gjithashtu për zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e respektimit të tyre për stabilitetin rajonal dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Lidhur me Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, deri më tani janë parashtruar gjithsej 56 ankesa.
Kështu ka bërë të ditur Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për Telegrafin.
Sipas PZAP-it, 49 nga këto ankesa tashmë janë shqyrtuar nga institucionet përgjegjëse, ndërsa pjesa tjetër mbetet ende në proces të trajtimit.
Në të dhënat e publikuara nga PZAP lidhur me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025, bëhet e ditur se ankesat e paraqitura kanë përfshirë një numër të konsiderueshëm subjektesh politike, me status “Në progres” për shumicën e rasteve.
Në regjistrin aktual të rasteve të publikuara, përfshihen ankesa që lidhen me shkelje të ndryshme të rregullave zgjedhore, përfshirë:
Shkelje të heshtjes zgjedhore, të paraqitura nga subjekte politike si Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kundër Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe anasjelltas, për shkelje të rregullave të heshtjes zgjedhore në disa komuna;
Përdorim të pasurisë ose pozitës publike për përfitim votash, si ankesa e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), lidhur me përdorimin e pasurive publike gjatë fushatës zgjedhore;
Vendosje të materialeve zgjedhore në hapësira publike, si dhe çështje të tjera të ndërlidhura me fushatën zgjedhore./Telegrafi.