Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 31 December 2025Main stream

Nisma bën koalicion me LDK-në në Malishevë, Ademaj zgjidhet Kryesues i Kuvendit

31 December 2025 at 15:33


Kuvendi i Komunës së Malishevës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën është zgjedhur kryesuesi i ri i këtij organi.

Me shumicë votash të anëtarëve të Kuvendit Komunal, për kryesues u zgjodh Fatmir Ademaj nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Kuvendi Komunal i Malishevës përbëhet nga gjithsej 27 anëtarë, ku Nisma Socialdemokrate ka 13 përfaqësues, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) gjashtë, LDK katër, Lëvizja Vetëvendosje tre dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) një anëtar.

Pas zgjedhjes, Ademaj falënderoi anëtarët e Kuvendit për besimin e dhënë, duke u zotuar se do ta ushtrojë funksionin e tij me paanshmëri dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunës së Malishevës. /Telegrafi/

Nora Gjakova mbyll karrierën: Një kapitull i artë që përfundon në fund të vitit 2025

31 December 2025 at 13:30


Pas 23 vitesh të përkushtuara në sportin e xhudos, kampionia olimpike nga Kosova, Nora Gjakova ka njoftuar zyrtarisht pensionimin në moshën 33-vjeçare, duke mbyllur një rrugëtim historik të mbushur me sakrificë, fitore dhe krenari kombëtare.

Në ditën e fundit të vitit 2025, njëra nga xhudistët më të suksesshme kosovare ka vendosur t’i japë fund karrierës së saj sportive, një rrugëtimi që, siç thekson vetë ajo, ka qenë e gjithë jeta e saj deri më tani. E rritur dhe e formuar me sportin e xhudos, ajo shprehet e lumtur që arriti ta jetojë ëndrrën e saj deri në fund.

Sfidat, humbjet dhe fitoret, sipas saj, mbesin kujtime të pashlyeshme që e ndërtuan si sportiste dhe si njeri, duke e renditur ndër sportistet më të suksesshme shqiptare të të gjitha kohërave. Pas 23 vitesh karriere, ajo thotë se ndihet e përmbushur me gjithçka që ka arritur në arenën sportive.

Në mesazhin e saj të ndarjes, ajo ka falënderuar familjen për hapat e parë, trajnerin Driton Kuka për rrugën drejt titullit olimpik, klubin Ippon të Pejës, shtetin e Kosovës për nderin e përfaqësimit dhe gjithë shqiptarët për përkrahjen ndër vite. “Drejt fillimeve dhe ëndrrave të reja”, përfundon ajo, duke uruar një vit të mbarë 2026.

Postimi pa ndërhyrje i Nora Gjakovës

Faleminderit Xhudo…

Sot ne diten e fundit te vitit 2025 po e permbylli nje kapitull te rendesishem qe per mu ka qene e gjithe jeta ime deri tash,po e perfundoj karrieren time si sportiste.

Une jam rrit dhe kam marr fryme me sportin e xhudos dhe jom e lumtur qe e kom jetu andrren teme.

Sfidat,humbjet dhe fitoret do te mbesin vetem kujtime te paharrrueshme per mu sepse me kane bo nje nder sportistet me te sukssesshme shqiptare dhe mbi te gjitha njeriun qe jam sot.

Jam mirenjohese per kete rrugetim te bukur qe e kam pas dhe ndihem e permbushur me gjithçka qe kam arrite gjate ketyre 23 viteve karriere ne sport.

Faleminderit qe keni qene pjese e ketij rrugetimi: familjes per hapat e pare ne sport dhe per mbeshtetjen e vazhdueshme,Tonit qe me ngriti si sportiste deri ne titullin me te larte te Kampiones Olimpike,shokeve dhe shoqeve te Klubit Ippon ne Peje per çdo ndeshje e perkrahje,shtetit tim Kosoves🇽🇰per nderin edhe krenarine qe ma dha per me e perfaqesu dhe te gjithe shqipetareve kudo qe jane per perkrahjen nder vite

Faleminderit te gjitheve qe me keni qendru afer.

Kosova Judo Federation Kosovo Olympic Committee

Drejt fillimeve dhe endrrave te reja…

Gezuar 2026

/Telegrafi/

Komuna e Gjakovës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me KRM “Çabrati” për vitin 2026

31 December 2025 at 12:29


Në prag të Vitit të Ri 2026, Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka nënshkruar marrëveshjen e radhës të bashkëpunimit me Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Çabrati”, partner i çmuar në kujdesin për mjedisin dhe qytetin.

“Edhe në vitin që po vjen, ekipi i KRM ‘Çabrati’ do të vazhdojë të kujdeset për gjelbërimin, mbjelljen e fidaneve dhe luleve, si dhe për mirëmbajtjen e autorrugëve,” tha Gjini, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për mirëqenien e qytetit.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të kompanisë.

“Shpreh mirënjohjen time për punën e palodhshme dhe përkushtimin që KRM ‘Çabrati’ jep për një Gjakovë më të pastër dhe më të bukur. Komuna e Gjakovës do të vazhdojë të qëndrojë krah kësaj ndërmarrjeje, me përkushtim të plotë ndaj mjedisit dhe qytetarëve tanë", përfundon shkrimi i Gjinit. /Telegrafi/


Komuna e Junikut pranon donacion nga KFOR-i italian për zhvillimin e turizmit malor

31 December 2025 at 08:47


Komuna e Junikut ka pranuar sot një donacion nga KFOR-i italian, i cili synon të kontribuojë në zhvillimin e turizmit malor dhe forcimin e kapaciteteve për aktivitetet në natyrë.

Me këtë rast, kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, priti në takim Kolonelin Lorenzo Mangia, Komandant i Komandës Rajonale të Perëndimit të KFOR-it (RC-West).

Donacioni përfshin pajisje moderne për bjeshkatarinë dhe aktivitete outdoor, të cilat janë siguruar si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Junikut, përkatësisht Drejtorisë për Ekonomi dhe Zhvillim, dhe KFOR-it italian.

Pajisjet e dhuruara do të jenë në shfrytëzim të Shoqatës së Bjeshkatarisë “Rrasa e Zogut” në Junik dhe pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve për organizimin e aktiviteteve bjeshkatare, si dhe në promovimin e turizmit malor në këtë zonë.

Sipas komunës, përfitimet e këtij donacioni lidhen edhe me rritjen e nivelit të sigurisë për vizitorët dhe turistët që frekuentojnë bjeshkët e Junikut.

Kryetari Shehu ka falënderuar KFOR-in italian për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional në zhvillimin e projekteve lokale.

“Si Kryetar i Komunës, mbetem i përkushtuar maksimalisht në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, përmes forcimit të bashkëpunimeve institucionale dhe shfrytëzimit të potencialeve natyrore në dobi të qytetarëve dhe vizitorëve tanë”, ka deklaruar ai.

Nga Komuna e Junikut është bërë e ditur se bashkëpunimi me KFOR-in italian do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me fokus në siguri dhe projekte që synojnë përmirësimin e jetës së komunitetit lokal. /Telegrafi/


Before yesterdayMain stream

ZRRE ul tarifat e ngrohjes për Prishtinën dhe Gjakovën

30 December 2025 at 11:33


Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) ka mbajtur sot mbledhjen e radhës ku mori vendim për të ulur tarifat për ngrohje për Prishtinë dhe Gjakovë.

Kryetari i bordit të kësaj zyre, Ymer Fejzullahu ka bërë të ditur për Telegrafin se është ulur për rreth 4 për qind tarifa për ata që ngrohen nga Termokosi në Prishtinë dhe rreth 5% tarifa e ngrohjes në Gjakovë.

“Po e mbajtëm mbledhjen dhe morëm vendim për zbritje të tarifave. 5% ke për Gjakovën dhe 4% për Termokosin vetëm për konsumatorët me matje”, tha Fjezullahu.

Për sezonin e ngrohjes për vitin 2026, tarifat e miratuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji për konsumatorët shtëpiakë pa matje është 76 cent/m² për muaj ndërsa tarifa për konsumatorët komercial/institucional: 95 cent/m² për muaj.

Çmimi i deritanishëm për ngrohjen me matje ishte 76 centë për kilovat në muaj, i vendosur vitin e kaluar.

Me çmimin e ri, tani konsumatorët në Prishtinë do të paguajnë 73 centë për kilovat në muaj, ndërsa ata në Gjakovë 72 centë.

Termokos ka rreth 25.000 konsumatorë në kryeqytetin me 227.154 banorë. Sezoni i ngrohjes nga Termokos-i zakonisht nis më 15 tetor dhe vazhdon deri më 15 prill./Telegrafi/

Pal Lekaj: Gjakova dha mbështetje të madhe për AAK-në dhe numrin 129

26 December 2025 at 20:00


Kandidati i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për deputet, Pal Lekaj, ka deklaruar se në Gjakova është shënuar një mbështetje e madhe për Aleancën dhe numrin 129, gjatë një tubimi elektoral të mbajtur sot.

Sipas Lekajt, atmosfera në Gjakovë ka qenë e jashtëzakonshme, ndërsa qytetarët kanë shprehur përkrahje të fuqishme për programin e AAK-së dhe drejtimin politik të saj.

Ai ka bërë të ditur se bashkë me kryetarin e AAK-së dhe kandidatin për kryeministër, Ramush Haradinaj, janë shpalosur planet për katër vitet e ardhshme, me fokus në integrimin e Kosovës në NATO, zhvillimin e ekonomisë dhe shërbimin ndaj të gjithë qytetarëve.

Lekaj ka falënderuar qytetarët e Gjakovës për mbështetjen e treguar, duke theksuar se qyteti edhe kësaj here ka dëshmuar se qëndron krah Aleancës.


Komuna e Gjakovës shpërndan dhurata për fëmijët nën përkujdesjen e familjeve strehuese

24 December 2025 at 11:55


Në prag të festave të fundvitit, Komuna e Gjakovës organizoi një aktivitet të veçantë për fëmijët nën përkujdesjen e familjeve strehuese, ku 8 fëmijë morën dhurata simbolike, duke përjetuar gëzim dhe vëmendje nga komuniteti.

Kryetari i Komunës, Ardian Gjini, së bashku me zyrtarë të Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, uroi fëmijët dhe familjet e tyre për festat e fundvitit. Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për këto familje:

“Familjet strehuese luajnë një rol të veçantë dhe ofrojnë kontribut të pazëvendësueshëm në jetën dhe mirëqenien e fëmijëve. Është detyrë jonë të jemi gjithmonë pranë tyre, veçanërisht në ditët festive”, u shpreh Gjini.

Ky aktivitet synon të forcojë solidaritetin dhe të përkujdeset për fëmijët që jetojnë nën kujdesin e komunitetit, duke krijuar një atmosferë festive dhe të ngrohtë për ta. /Telegrafi/


Ndërprerje e furnizimit me ujë në disa zona të Gjakovës dhe Rahovecit

24 December 2025 at 11:10


KRU “Gjakova” njofton konsumatorët se për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, disa zona janë përballur me mungesa të furnizimit me ujë.

Sistemi i ujësjellësit në këto zona funksionon me pompa elektrike, të cilat aktualisht nuk mund të operojnë për shkak të tensionit të ulët ose ndërprerjeve të përsëritura të energjisë.

“Sapo energjia elektrike të stabilizohet, furnizimi me ujë do të rikthehet menjëherë. Kërkojmë mirëkuptimin e konsumatorëve të prekur për këtë situatë të jashtëzakonshme”, thuhet në njoftimin e KRU-së.

Aktualisht, janë të prekur Zona 3 – Rahovec, si dhe fshatrat Polluzhë dhe Pastasel. KRU “Gjakova” po monitoron situatën dhe apelon për kujdes në përdorimin e ujit deri në normalizimin e furnizimit.

Ky paralajmërim vjen në një periudhë kur ndërprerjet e energjisë elektrike në Rahovec po ndodhin 3–4 herë në ditë, duke ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e pompave dhe stabilitetin e sistemit të ujësjellësit. /Telegrafi/


Reparti i hemodializës në Spitalin e Gjakovës pajiset me karrige moderne, paralajmërohet edhe renovimi

24 December 2025 at 08:13


Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë ka njoftuar se reparti i hemodializës është furnizuar me karrige moderne për pacientët, investim ky që synon përmirësimin e kushteve të qëndrimit dhe rritjen e komoditetit gjatë trajtimit mjekësor.

Sipas njoftimit, pajisjet e reja do t’u ofrojnë pacientëve kushte më të rehatshme gjatë marrjes së shërbimeve të hemodializës, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e trajtimit dhe mirëqenien e tyre.

Po ashtu, nga Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” është bërë e ditur se në fillim të vitit 2026 pritet të nisë renovimi i plotë i repartit të hemodializës.

Ky projekt ka për qëllim krijimin e kushteve më të mira infrastrukturore dhe funksionale, si për pacientët ashtu edhe për personelin shëndetësor.

Drejtuesit e spitalit theksojnë se këto investime janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe rritjen e standardeve të trajtimit për pacientët që kanë nevojë për shërbime të rregullta të hemodializës. /Telegrafi/


Kastrati: Malisheva hedh gurthemelin e nënstacionit të ri energjetik, presim përfundim brenda 13 muajsh

24 December 2025 at 07:53


Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka bërë të ditur se sot është vënë gurthemeli për ndërtimin e Nënstacionit të ri energjetik 220/35/10(20) kV në Malishevë, projekt ky që synon rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike për qytetarët dhe bizneset lokale.

Sipas Kastratit, ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt stabilizimit energjetik në komunë, e cila për vite me radhë është përballur me ndërprerje të shpeshta të rrymës.

“Sot shënojmë një moment të rëndësishëm për komunën tonë, vënien e gurthemelit për ndërtimin e Nënstacionit të ri 220/35/10(20) kV në Malishevë, një projekt i shumëpritur që ka rëndësi të madhe për sigurinë dhe cilësinë e furnizimit me energji elektrike në komunën tonë dhe më gjerë”, ka shkruar Kastrati në Facebook.

Ai theksoi se përfitues të drejtpërdrejtë të këtij investimi do të jenë familjet, mërgata dhe sektori privat, të cilët janë prekur rëndë nga problemet energjetike në vitet e fundit.

“Ky është një lajm i mirë për çdo familje të Malishevës, për mërgatën tonë që na viziton gjatë festave, si dhe për bizneset tona lokale, të cilat për vite me radhë janë përballur me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike”, bëri të ditur ai.

Megjithatë, kryetari i Malishevës ngriti edhe kritika ndaj institucioneve qendrore për, siç tha ai, trajtim të pabarabartë të komunës ndër vite, përcjell Telegrafi.

“Për shumë vite me radhë, Malisheva është diskriminuar nga institucionet e nivelit qendror. Katër dimra radhazi, qytetarët tanë kanë mbetur pa energji elektrike, me ndërprerje të vazhdueshme që ua kanë prishur festat familjare, kanë dëmtuar bizneset dhe kanë krijuar pasiguri të vazhdueshme në jetën e përditshme”, shtoi Kastrati.

Ai theksoi se komuna nuk ka kërkuar privilegje, por vetëm trajtim të barabartë dhe respekt institucional.

“Malisheva nuk ka kërkuar asgjë më shumë se trajtim të barabartë dhe respekt institucional. Kjo situatë nuk ka qenë e drejtë dhe nuk duhet të përsëritet më”, thuhet në postimin e tij.

Në fund, Kastrati kërkoi që projekti të përfundojë brenda afatit të paralajmëruar prej 13 muajsh, duke paralajmëruar se do të kërkojë llogaridhënie për realizimin e tij të plotë.

“Pres dhe uroj që ky projekt të përfundojë brenda afatit prej 13 muajsh dhe të mos mbetet një tjetër projekt i nisur e i lënë përgjysmë. Si kryetar i komunës, do të jem zë i fuqishëm i qytetarëve dhe do të kërkoj llogaridhënie që ky projekt të realizohet plotësisht dhe në kohë”, përfundoi Kastrati.

Në vënien e gurthemelit ishte edhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ku në fjalën e saj theksoi se, sot po fillojnë punimet në nënstacionin e ri në Malishevë në vlerë prej 6.8 milionë euro, investim ky që lidhë për herë të parë Malishevën në rrjetin 220 kV, që është ndryshim i kategorisë, jo vetëm për kapacitet më të larta, por edhe për punime të qëndrueshme dhe më të besueshme krahas rrjetit i cili gjithashtu është 35 kV.

"Unë e di që Malisheva ka pasur nevojë për këtë investim qysh moti. Problemet i keni që nga viti 2007, pra, kjo që po bëjmë sot, që po nisim sot, është përmirësim i një padrejtësie të gjatë për Malishevën.

"Qysh në vitin 2021, kur e kemi marrë mandatin, e kemi ditur që Malisheva e ka këtë problem jashtëzakonisht të madh, dhe e kemi ngritur këtë çështje menjëherë, ku në vitin 2022 KOSTT-i e ka vendosur në plan pesëvjeçar të investimeve. Më pas në vitin 2023, KOSTT-i e ka tenderuar dhe kontraktuar dizajnin e projektit. Pastaj në 2024-tën, e gjatë këtij viti është marrë leja ndërtimore e procedurat e tjera të nevojshme, dhe jam e lumtur që më në fund, kontrata është nënshkruar, para disa javësh, e sot po fillojnë punimet", ka thënë Rizvanolli. /Telegrafi/


Komuna e Junikut reagon ndaj reduktimeve të energjisë elektrike

23 December 2025 at 14:15


Komuna e Junikut ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me reduktimet e shpeshta të energjisë elektrike që, sipas saj, po aplikohen nga KEDS në këtë komunë, duke theksuar se këto ndërprerje po shkaktojnë vështirësi serioze për qytetarët, bizneset dhe institucionet publike.

Në reagimin e saj, komuna vlerëson se mungesa e vazhdueshme e energjisë elektrike po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së banorëve dhe po pengon zhvillimin ekonomik lokal.

Veçanërisht shqetësuese, sipas komunës, është koha kur po ndodhin reduktimet, përkatësisht gjatë periudhës së festave dhe pushimeve, kur bashkatdhetarë të shumtë po qëndrojnë pranë familjeve të tyre në Junik.

“Në vend që të kalojnë kohë të qetë dhe të sigurt me të afërmit, bashkatdhetarët po përballen me mungesë të energjisë elektrike, gjë që ndikon negativisht në rehatinë dhe cilësinë e jetës”, thuhet në reagim.

Komuna e Junikut thekson gjithashtu se kjo komunë renditet ndër komunat me nivelin më të lartë të parapagimit të faturave të energjisë elektrike, duke dëshmuar përkushtimin e qytetarëve për përmbushjen e obligimeve ndaj furnizuesit. Sipas komunës, aplikimi i reduktimeve në një komunë me këtë nivel kontributi financiar konsiderohet i padrejtë dhe i papranueshëm.

Në këtë drejtim, Komuna e Junikut ka adresuar disa kërkesa ndaj KEDS-it, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të reduktimeve të paarsyeshme, sigurimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike, veçanërisht gjatë periudhave festive, si dhe rritjen e transparencës dhe respektimin e dinjitetit të qytetarëve në menaxhimin e energjisë elektrike. /Telegrafi/


Kastrati dhe stafi i komunës sjellin gëzim për fëmijët në prag të Vitit të Ri

23 December 2025 at 12:42


Me rastin e festave të fundvitit 2025, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, së bashku me mësimdhënësit dhe prindërit, organizuan një aktivitet të veçantë për fëmijët e komunës, duke sjellë buzëqeshje dhe atmosferë festive në prag të Vitit të Ri.

Gjatë aktivitetit, fëmijët u pritën me dhurata simbolike, argëtim dhe programe artistike të përgatitura posaçërisht për ta. Kryetari Kastrati uroi të gjithë fëmijët dhe familjet e tyre për shëndet dhe suksese në vitin e ardhshëm, duke theksuar rëndësinë e kujdesit dhe investimit në mirëqenien e brezit të ri.

“Fëmijët janë e ardhmja e komunitetit tonë, dhe institucioni do të vazhdojë të mbështesë iniciativa që synojnë edukimin, argëtimin dhe zhvillimin e tyre”, tha Kastrati.

Prindërit dhe të pranishmit vlerësuan nismën si një gjest domethënës që forcon frymën e solidaritetit dhe festës në komunitet. Aktiviteti u mbyll me duartrokitje dhe urime për festa të mbara. /Telegrafi/


Arrestohet një person në Gjakovë për dhunë në familje, dy gra të keqtrajtuara

23 December 2025 at 08:33


Një person është arrestuar në Gjakovë nën dyshimin për ushtrim të dhunës në familje, ndaj dy viktimave femra, nënës dhe bashkëshortes së tij.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 22:30, i dyshuari, mashkull kosovar, dyshohet se nën ndikim të alkoolit ka keqtrajtuar fizikisht dy familjaret e tij.

Si pasojë e dhunës së ushtruar, njëra nga viktimat ka pranuar trajtim mjekësor.

Me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po trajtohet nga organet e rendit dhe drejtësisë. /Telegrafi/

Rruga Unazore në Junik po finalizohet

22 December 2025 at 08:06


Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka vizituar punimet që po zhvillohen në rrugët “Shyt Idrizi” dhe “Ali Salihu”, në lagjen Berishë, duke theksuar se këto segmente janë pjesë kyçe e projektit për ndërtimin e Rrugës Unazore.

“Nuk ka vikend kur bëhet fjalë për transformimin e Junikut tonë. Sot isha në terren për të parë nga afër ecurinë e punimeve në rrugët ‘Shyt Idrizi’ dhe ‘Ali Salihu’, të cilat janë hallka të rëndësishme që po na çojnë drejt finalizimit të projektit madhor – ndërtimit të Rrugës Unazore”, ka deklaruar Shehu.

Ai ka theksuar se institucionet komunale janë të vendosura që punimet të vazhdojnë pa ndërprerje deri në përfundimin e plotë të projektit.

“Jemi të vendosur që të mos ndalemi asnjë ditë derisa të përfundojmë çdo detaj. Unaza e qytetit po bëhet realitet”, ka shtuar kryetari i Junikut.

Sipas Komunës së Junikut, realizimi i Rrugës Unazore do të ndikojë në përmirësimin e qarkullimit rrugor, lehtësimin e trafikut dhe zhvillimin urban të qytetit, ndërsa punimet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. /Telegrafi/


Njoftim për ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë në Rahovec

19 December 2025 at 10:57


KRU Gjakova njofton qytetarët se, për shkak të rregullimit të një defekti në gypin Fi 160 në rrugën “Dëshmorët e Pashtrikut”, furnizimi me ujë në disa zona të Rahovecit është ndërprerë përkohësisht.

Pa ujë mbeten këto zona:

  • Rruga “Mexhit Mustafa”
  • Rruga “Sheh Myhedini”
  • Fshati Brestovc

Ekipet e KRU Gjakova janë në terren dhe po punojnë intensivisht për sanimin e defektit, me qëllim që furnizimi të rikthehet sa më shpejt të jetë e mundur.

Kompania falënderon qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim. /Telegrafi/


Komisioni për Persona të Zhdukur jep detaje për mbetjet mortore të mundshme të viktimave të luftës në Rahovec

18 December 2025 at 15:49


Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh), pas analizimit të të dhënave nga arkivat ndërkombëtare me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), ka nisur aktivitetet kërkimore në një lokacion në rajonin e Rahovecit, i njohur në evidencat kadastrale dhe nga komuniteti lokal si ‘Përzhina’, pranë varrezave të qytetit.

Gërmimet, të cilat kanë filluar ditën e djeshme, kanë rezultuar me gjetjen e dy pjesëve ështërore, të cilat janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Gjatë ditës së sotme janë gjetur mbetje mortore të të paktën një individi, që mund t’i përkasin viktimave të luftës të përfshira në listën e personave të zhdukur.

Ky proces po realizohet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur Gjatë Luftës në kuadër të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Komisioni njofton se ky lokacion është i fundit që adresohen në kuadër të gërmimeve vlerësuese për vitin 2025.

Një prononcim për media lidhur me ecurinë e aktiviteteve kërkimore në këtë dhe lokacione të tjera do të mbahet të nesërmen, më 19 dhjetor 2025, duke filluar nga ora 11:00, direkt nga lokacioni.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe institucionet e angazhuara në këtë proces theksojnë përkushtimin e tyre për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, duke respektuar ndjeshmërinë e procesit dhe dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre. /Telegrafi/


Kastrati falënderon Britaninë e Madhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës

18 December 2025 at 14:47


Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në dobi të qytetarëve.

Në një njoftim të publikuar në Facebook, Kastrati e ka cilësuar takimin si të ngrohtë dhe miqësor, duke theksuar marrëdhëniet e mira ndërmjet Malishevës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Sot pata kënaqësinë të mirëpres në Malishevë Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, mikun tim, Jonathan Hargreaves. Ishte një takim i ngrohtë e miqësor, ku biseduam për bashkëpunim në dobi të qytetarëve tanë”, ka shkruar Kastrati.

Ai ka vlerësuar lart rolin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për Kosovën, veçanërisht gjatë periudhave më të vështira për vendin.

“Malisheva, me shpirtin e saj mikpritës, vlerëson lart Britaninë e Madhe për rolin dhe mbështetjen e saj në periudhat më të vështira për vendin tonë”, ka theksuar kryetari i Malishevës.

Kastrati e ka falënderuar ambasadorin Hargreaves për vizitën dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj komunës dhe Kosovës. /Telegrafi/


Rikthehet furnizimi me ujë pas intervenimit në Rrugën “Tranzite” në Gjakovë

18 December 2025 at 12:28


KRU “Gjakova” ka njoftuar se punimet e planifikuara në Rrugën “Tranzite” për përmirësimin dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit kanë përfunduar me sukses, dhe furnizimi me ujë për konsumatorët është rikthyer.

Pas përfundimit të punimeve, qytetarët këshillohen që ujin ta lënë të rrjedhë për disa minuta, për të shmangur turbullimin e përkohshëm deri në shpëlarjen e plotë të rrjetit.

KRU “Gjakova” falënderon qytetarët për mirëkuptimin gjatë ndërprerjes së përkohshme të furnizimit dhe thekson se angazhimet për mirëmbajtjen dhe modernizimin e rrjetit të ujësjellësit do të vazhdojnë. /Telegrafi/


Komuna e Junikut u bën thirrje qytetarëve të shlyejnë obligimet për tatimin në pronë

18 December 2025 at 09:49


Komuna e Junikut u ka bërë thirrje të gjithë tatimpaguesve që kanë obligime të papaguara për Tatimin në Pronë të Paluajtshme, që të kryejnë pagesat sa më parë, me qëllim shmangien e ndëshkimeve financiare.

Sipas njoftimit të Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Zyra e Tatimit në Pronë, thirrja bazohet në Ligjin Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, konkretisht në nenin 26, që i jep komunës autoritetin dhe kompetencën për mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara që tejkalojnë shumën prej 10 eurosh.

Nga komuna bëhet e ditur se tatimpaguesit që nuk i kryejnë obligimet në kohë do të përballen me interes ndëshkimor prej 0.65 për qind për çdo muaj vonesë.

Po ashtu, në rast të mospagesës, Komuna e Junikut paralajmëron se do të zbatojë Manualin për Zbatimin e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara për Tatimin në Pronë, të miratuar nga Ministria e Financave – Departamenti i Tatimit në Pronë.

Ky manual parasheh një sërë masash, përfshirë dërgimin e letërkujtesave, njoftimin përfundimtar, marrjen e vendimit për ekzekutimin e mbledhjes së detyrueshme, si dhe kontratat për pagesë me këste.

Në fund të njoftimit, Komuna e Junikut falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke i inkurajuar ata që të respektojnë obligimet ligjore për tatimin në pronë.


Disa zona të Gjakovës do mbesin pa ujë të enjten

17 December 2025 at 23:36


KRU “Gjakova” njofton konsumatorët se, në kuadër të punimeve që po zhvillohen sipas projektit në rrugën Tranzite për përmirësimin dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit, do të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë.

Pas vendosjes së shumicës së pjesëve lidhëse, punimet kanë hyrë në fazën kur është e domosdoshme instalimi i dy pjesëve fazonike për kyçjen dhe degëzimin e gypit Ø 800 mm, në drejtim të Gjakova 2 dhe degëzimit për qendrën e qytetit.

Ky intervenim kërkon ndalje totale të rrjedhës së ujit në këtë segment të rrjetit, me qëllim realizimin e punimeve në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar.

Ndërprerja e furnizimit me ujë është planifikuar për datën 18 dhjetor 2025, në intervalin kohor nga ora 09:00 deri në 12:00.

Si pasojë, pa furnizim me ujë do të mbesin zona e rrugës Tranzite, qendra e qytetit, Blloku i Ri, Oriza, Brekoci, Moglica dhe Firza.

KRU “Gjakova” falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë realizimit të këtyre punimeve, të cilat synojnë përmirësimin e furnizimit me ujë në qytet. /Telegrafi/


❌
❌