Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 3 January 2026Main stream

Qyteti Evropian i Sportit, nga Shkodra 2025 te Korça 2026

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Shkodra e mbylli vitin 2025 si Qyteti Europian i Sportit.

Gjatë vitit 2025 Shkodra u shndërrua në një arenë të gjallë sportive: me mbi 20 aktivitete sportive, më shumë se 2600 sportistë pjesëmarrës dhe mbi 14 000 tifozë, qyteti konfirmoi rolin e tij si identitet kombëtar i sportit.

“Nga aktivitetet kombëtare tek ato evropiane, Shkodra dëshmoi se sporti nuk është thjesht event, por mënyrë jetese, një binom i pandarë i qytetit, i komunitetit dhe i vizionit për të ardhmen. Shkodra, qyteti që jeton me sportin”, shprehet kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci.

Ndërkohë, Korça është shpallur zyrtarisht “Qyteti Europian i Sportit 2026”.

Në Parlamentin Europian në Bruksel, ACES Europe i akordoi Korçës, në muajin dhjetor, titullin prestigjioz European City of Sport 2026, duke e renditur mes 21 qyteteve më të vlerësuara në Europë.

Ky vlerësim historik nderon traditën sportive të Korçës dhe angazhimin e saj për zhvillimin e komunitetit, infrastrukturës dhe aktiviteteve sportive.

Pas Tiranës, Vlorës dhe Shkodrës, Korça bëhet qyteti i katërt shqiptar i certifikuar nga ACES Europe. Kjo shënon një arritje të madhe dhe një mundësi e jashtëzakonshme për promovimin ndërkombëtar të sportit, turizmit dhe kulturës së qytetit juglindor.

The post Qyteti Evropian i Sportit, nga Shkodra 2025 te Korça 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Colturi, e gjashta në garën e sllallomit gjigant në Kranjska Gora

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Skiatorja Lara Colturi u rendit në vendin e gjashtë sot në garën e sllallomit gjigant në Kranjska Gora të Sllovenisë.

Skiatorja italiane që garon për Shqipërinë, bëri një zbritje të parë mjaft të mirë, teksa e mbylli në vendin e tretë, me kohën 1 minutë 1 sekondë e 75 të mijtat.

Ndërsa në zbritjen e dytë, Lara Colturi bëri disa gabime dhe humbi shumë kohë duke e përshkuar pistën me kohën 59.42 sekonda e duke u renditur e 10-ta për këtë zbritje, ndërkohë që koha totale e pozicionoi përfundimisht në vendin e gjashtë. Në përfundim të dy zbritjeve Colturi grumbulloi kohën 2 minuta 1 sekondë e 17 të qindtat.

Gara e sllallomit gjigant që është etapa e radhës e Kupës së Botës në garat e skive për femra në Kranjska Gora të Sllovenisë, u mbyll me fitoren e zviceranes Kamil Rast.

Aktualisht, Kolturi mban vendin e 6-të edhe në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës, ku ka siguruar 402 pikë, 341 të tilla larg kryesueses Mikaela Shifrin, e cila është pretendentja kryesore për fitoren edhe në këtë sezon të Kupës së Botës në Ski për femra.

Nesër (e diel) Colturi do të garojë në sllallomin special po në Kranjska Gora të Sllovenisë.

The post Colturi, e gjashta në garën e sllallomit gjigant në Kranjska Gora appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përfundon numërimi i votave për deputetë

PRISHTINË, 3 janar /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Kosovës bën të ditur se gjatë ditës së sotme (e shtunë), ora 14:00, në QKN e Prishtinës përfundoi verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularë e plotësuar në 262 vendvotime dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë nga ato vendvotime.

Njëkohësisht, me këtë janë përmbyllur aktivitetet në të gjitha komunat e Kosovës, proces i cili kishte filluar më 29 dhjetor 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi theksoi për KosovaPress se në vazhdim, aktivitetet e KQZ-së janë përqëndruar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ku nga data 2 janar janë duke u numëruar më shumë se 16 mijë fletëvotimet nga votimi i zhvilluar më 27 dhjetor në 29 përfaqësitë diplomatike dhe pasditen e së shtunës do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi përmes postës që deri më tani janë sjellur në Kosovë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me aktivitetet, të cilat kanë për qëllim të shpallen në një kohë sa më të shpejtë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025”, thotë ai.

Ndryshe, ditë më parë, nga dy kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, Berlin dhe Bernë, janë tërhequr më shumë se 28 mijë e 500 pako me fletëvotime që i takojnë votimit përmes postës dhe të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së.

Nga numri i përgjithshëm i pakove me fletëvotime të supozuara që deri më tani kemi pranuar, pra nga më shumë se 28 mijë, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950. Arsyeja më e shprehur te zaret e refuzuara është sepse në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit. Pra, në procesin e numërimit do të përfshihen 27,600 zarfe të supozuara me fletëvotime.

Në votimin me postë, numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë dhe pas përfundimit të tërheqjes së fletëvotimeve nga të gjitha kutitë postare, do të dihet se sa prej votuesve të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e votës.

Sipas planifikimeve, tërheqjet e fundit të zarfeve me fletëvotime do të bëhen më 2 dhe 5 janar 2026.

Gjithashtu, në numërim do të përfshihen edhe fletëvotimet nga votimi me kusht dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta.

Sipas të dhënave paraprake, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9900 votues të regjistruar për të votuar me kusht.

Numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2860.

/KosovaPress/

The post Përfundon numërimi i votave për deputetë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova mbështet veprimet e SHBA-së në Venezuelë

PRISHTINË, 3 janar /ATSH/ Udhëheqësit e Kosovës kanë shprehur mbështetjen e vendit të tyre për Shtetet e Bashkuara dhe presidentin amerikan, Donald Trump, pas arrestimit të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, që pasoi sulme ajrore në kryeqytetin Karakas të shtunën.

Trumpi njoftoi më herët se SHBA-ja kreu sulme kundër Venezuelës dhe se e kapi Maduron dhe bashkëshorten e tij.

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Maduron se drejton një “narko-shtet” dhe se ka manipuluar procesin zgjedhor.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkroi në X se Kosova qëndron fuqishëm përkrah Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Trump në mbështetje të veprimeve të tij kundër “regjimit narko-terrorist” të Venezuelës.

“Presidenti Trump qëndroi pranë popullit të Venezuelës dhe iu kundërvu shtetit narko të Maduros, duke mbrojtur Amerikën dhe pjesën tjetër të botës nga kartelët dhe krimi i organizuar”, shkroi Osmani.

Ajo theksoi se Kosova e “kupton ndikimin e vendosmërisë amerikane; çlirimi ynë është një dëshmi e saj”.

SHBA-ja është ndër mbështetesit dhe aleatët kryesorë të Kosovës. Ajo e ndihmoi vendin të çlirohet nga regjimi serb më 1999 dhe ta shpallë pavarësinë më vonë në vitin 2008.

“Në këtë çast kur SHBA-ja po përballet me tiraninë në Venezuelë, të gjithë duhet ta forcojmë këtë qëndrim, sepse komuniteti transatlantik është më i fortë kur është i bashkuar pas lidershipit amerikan dhe vlerave të përbashkëta”, shtoi Osmani.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosovës e mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë.

“Mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie”, shkroi Kurti në Facebook.

“Kosova, si aleate strategjike e ShBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe kundër cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues (proxy) të kundërshtarëve të këtyre vlerave, si në rajonin tonë ashtu edhe më gjerë”, tha ai. /REL/

The post Kosova mbështet veprimet e SHBA-së në Venezuelë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E shtunë 3 janar, mot i paqëndrueshëm

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Ditën e sotme vendi ynë pritet të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike, me vranësira dhe reshje të herëpashershme shiu me intensitet të ulët deri mesatar, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.

Në veriperëndim hera-herës në intervale të shkurtra kohore priten reshje shiu me intensitet deri të lartë në formën e stuhive, ndërsa në zonën e Alpeve dhe relievet e larta malore reshjet e borës do të vijojnë me intensitet të ulët e lokalisht deri mesatar.

Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i jugut me shpejtësi 10 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe bregdet, sidomos në jug era pritet të arrijë deri 17 m/s.

Valëzimi në dete do të jetë i forcës 4-5 ballë.

Parashikimi i motit,e shtunë 3 janar
1 nga 2

The post E shtunë 3 janar, mot i paqëndrueshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 2 January 2026Main stream

Kandidatët më të votuar për deputetë në Kosovë

PRISHTINË, 2 janar /ATSH/ Pesë ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës në Kosovë, po bëhet gjithnjë e më e qartë se kush do të jenë 120 anëtarët e rinj të Kuvendit të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është duke i numëruar votat për kandidatët për deputetë qysh nga e hëna dhe deri më tani janë numëruar mbi 95 për qind të tyre.

Në zgjedhje morën pjesë rreth 45 për qind të gati 2 milionë qytetarëve me të drejtë vote.

Zgjedhjet i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Më poshtë mund të shihni se cilët janë pesë kandidatët më të votuar në secilën parti, kur numërimi po shkon drejt përfundimit.

Lëvizja Vetëvendosje:

  • Albin Kurti 333.411 vota
  • Glauk Konjufca 257.977 vota
  • Hekuran Murati 135.824 vota
  • Albulena Haxhiu 135.674 vota
  • Donika Gërvalla 120.991 vota

Partia Demokratike e Kosovës:

  • Bedri Hamza 147.791 vota
  • Arian Tahiri 65.111 vota
  • Përparim Gruda 59.613 vota
  • Uran Ismaili 49.645 vota
  • Sala Jashari 43.602 vota

Lidhja Demokratike e Kosovës:

  • Lumir Abdixhiku 76.612 vota
  • Hykmete Bajrami 47.982 vota
  • Ukë Rugova 42.100 vota
  • Avdullah Hoti 37.914 vota
  • Doarsa Kica Xhelili 37.206 vota

Lista Serbe:

  • Sllavko Simiq 22.186 vota
  • Igor Simiq 21.041 vota
  • Liljana Stefanoviq 20.436 vota
  • Millan Kostiq 17.203 vota
  • Nemanja Bishevac 16.903 vota

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës:

  • Ramush Haradinaj 39.488 vota
  • Daut Haradinaj 23.571 vota
  • Besnik Tahiri 23.441 vota
  • Bekë Berisha 17.245 vota
  • Agim Çeku 16.040 vota

Sipas të dhënave paraprake, LVV-ja do t’i ketë 56 vende në Kuvend, pasuar nga PDK-ja me 23, LDK-ja me 15, Lista Serbe 9 dhe AAK-ja 6.

Personi më i votuar në Kosovë është Albin Kurti, i cili në zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit i fitoi 337.791 vota, duke thyer rekordin e deriatëhershëm të presidentes Vjosa Osmani (300.756 vota).

Mbetet të shihet nëse Kurti do ta forcojë këtë rekord apo jo. /REL/

The post Kandidatët më të votuar për deputetë në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Iu dha lamtumira e fundit akademik Nexhat Dacit

PRISHTINË, 2 janar /ATSH/ Me nderime shtetërore iu dha sot lamtumira e fundit akademikut dhe njërit nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nexhat Daci.

Ai u varros në varrezat e Dragodanit në Prishtinë.

Para ceremonisë së varrimit është mbajtur akademi përkujtimore dhe homazhe në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Në akademi është nderuar jeta, vepra dhe kontributi që Daci dha për ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Nga krerët e shtetit u vlerësua lart kontributi i tij në formimin e institucioneve të Kosovës, me ç’rast u tha se ka lënë gjurmë të pashlyeshme, me maturinë dhe qetësinë e tij karakteristike.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës iku nga kjo jetë në moshën 81-vjeçare. /KosovaPress/

The post Iu dha lamtumira e fundit akademik Nexhat Dacit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

E martë 30 dhjetor, mot i paqëndrueshëm dhe i ftohtë

30 December 2025 at 07:30

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se sot vendi ynë do të ndikohet nga masa ajrore të thata dhe relativisht të ftohta.

Moti parashikohet i kthjellët dhe alternime vranësirash mesatare deri të dendura përqendruar në relievet malore kryesisht lindje të territorit, pas orëve të mesditës.

Reshje të dobëta e lokale shiu në lindje dhe përgjatë vijës bregdetare pas orëve të mesditës.

Në relievet malore në verilindje – lindje e juglindje priten reshje bore me intensitet kryesisht të ulët, në formën e flokëve të borës. Prezencë e ngricave në akset rrugore kryesisht në zonat malore.

Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 4 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era do të fitojë shpejtësi deri në 10 m/s.

Valëzimi në dete do të jetë i forcës 1 ballë.

Parashikimi i motit, e martë, 30 dhjetor
1 nga 2

The post E martë 30 dhjetor, mot i paqëndrueshëm dhe i ftohtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti: E ardhmja e Kosovës e orientuar drejt BE-së

29 December 2025 at 20:02

PRISHTINË, 29 dhjetor /ATSH/ Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka reaguar një ditë pas zgjedhjeve në Kosovë, ku partia e tij doli e para nga ky proces.

Kryeministri në detyrë, Kurti theksoi se ardhmja e Kosovës është e orientuar fort drejt Bashkimit Evropian (BE), raporton KosovaPress.

Kurti në platformën X, ka falënderuar të gjithë ata që ushtruan të drejtën e tyre për të votuar, si dhe të gjithë ata që kontribuan që procesi zgjedhor të ishte i lirë, i drejtë dhe pa incidente.

“Dje, populli i Kosovës na dha edhe një herë një mandat të fuqishëm. Është gjithmonë një nder të fitosh besimin e popullit, veçanërisht kur kjo vjen pas kryerjes së mandatit të parë të plotë në historinë e vendit. Dëshirojmë të falënderojmë të gjithë ata që ushtruan të drejtën e tyre për të votuar, si dhe të gjithë ata që kontribuan për të siguruar që procesi zgjedhor të ishte i lirë, i drejtë dhe i zhvilluar pa incidente. Jemi mirënjohës për mbështetjen ndërkombëtare gjatë gjithë këtij procesi, nga Bashkimi Evropian, vendet individuale dhe organizatat ndërkombëtare, të cilat vazhdojnë të mbështesin progresin demokratik të Kosovës. Një falënderim i veçantë për partitë tona simotra dhe lëvizjen më të gjerë progresive, ndërsa ne angazhohemi për të ndërtuar shoqëri ku dinjiteti dhe mirëqenia e popullit janë në qendër. E ardhmja e Kosovës është e begatë dhe e orientuar fort drejt Bashkimit Evropian”, shkruan Kurti.

Pas procesimit të rezulateve paraprake në platformën e KQZ-së, LVV ka fituar 49,30% të votave.

/KosovaPress/

The post Kurti: E ardhmja e Kosovës e orientuar drejt BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasadori gjerman: Presim me padurim të bashkëpunojmë me institucionet e reja

29 December 2025 at 18:58

PRISHTINË, 29 dhjetor /ATSH/ Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph ka reaguar pas zgjedhjeve të zhvilluara të dielën në Kosovë.

Ambasadori Rudoplh e ka uruar Kosovën për zgjedhjet e qeta dhe demokratike.

“Urime Kosovë për zgjedhjet e qeta dhe demokratike. Presim me padurim të punojmë me institucionet e sapoformuara”, ka shkruar Rudolph në Facebook.

Pas procesimit të rezulateve paraprake në platformën e KQZ-së, LVV ka fituar 49,30% të votave, e pasuar nga PDK me 21,01% dhe LDK me 13,59%, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sipas këtyre rezultateve ka marrë 5,68% të elektoratit.

/KosovaPress/

The post Ambasadori gjerman: Presim me padurim të bashkëpunojmë me institucionet e reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani synon mandat të dytë presidencial

29 December 2025 at 18:55

PRISHTINË, 29 dhjetor /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se synon të kandidojë sërish për këtë post.

Vjosa Osmani e ka konfirmuar këtë në një intervistë për REL-in, duke theksuar se pret fillimisht formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve.

Osmani ka paralajmëruar se në periudhën në vijim do të zhvillojë bisedime me akterë të ndryshëm politikë për të siguruar mbështetjen e nevojshme për kandidaturën e saj.

Ajo ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin e saj politik edhe në rast se nuk zgjidhet presidente për një mandat të dytë, duke nënvizuar se mbetet e përkushtuar ndaj shërbimit publik dhe interesave të shtetit.

Në intervistë, presidentja ka komentuar edhe raportet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, politikën e jashtme të Kosovës, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën administratën e presidentit Donald Trump, si dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Osmani ka folur gjithashtu për zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e respektimit të tyre për stabilitetin rajonal dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Kosova, dje ka zhvilluar zgjedhjet e parakohshme dhe nga ky process, LVV ka dalë e para, PDK e dyta, LDK e treta dhe AAK e katërta.

Pas procesimit të rezulateve preliminare në platformën e KQZ-së, LVV ka fituar 49,30% të votave, e pasuar nga PDK me 21,01% dhe LDK me 13,59%, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sipas këtyre rezultateve ka marr 5,68% të elektoratit. Në bazë të këtyre rezultateve fuqia e partive në Kuvendin e Kosovës do të jetë kështu:

LVV siguron 56 mandate, PDK me 23 mandate, LDK merr 15 mandate, AAK 6 mandate, Lista Serbe 10 mandate, komunitetet e tjera 10 mandate. /REL/

The post Osmani synon mandat të dytë presidencial appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E hënë 29 dhjetor, mot i kthjellët dhe temperatura të ulta

29 December 2025 at 07:30

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme si pasojë e masave ajrore të thata me origjinë veriore.

Vendi ynë do të ndikohet sot nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin e vranësira të pakta kalimtare në relievet malore në lindje. Mjegull lokale/mjegullinë në orët e mëngjesit kryesisht në zonat malore e luginore.

Era do të fryjë me drejtim veri-verilindje me shpejtësi mesatare 10 m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-3 ballë

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër -2/8 Diell
Kukës -5/6 Diell
Lezhë -3/8 Diell
Dibër -5/5 Diell
Durrës 0/10 Diell
Tiranë -1/10 Diell
Elbasan -2/9 Diell
Berat -3/10 Diell
Vlorë 2/11 Diell
Korçë -6/7 Diell
Gjirokastër -5/10 Diell
Sarandë 1/12 Diell

 

The post E hënë 29 dhjetor, mot i kthjellët dhe temperatura të ulta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti shpall fitoren: Fitoi populli dhe Republika

28 December 2025 at 22:47

PRISHTINË, 28 dhjetor /ATSH/

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, shpalli fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe tha se kjo është fitorja “më e madhe në historinë e vendit”.

“Më 9 shkurt fitoi LVV-ja me partnerët, më 28 dhjetor fitoi populli i Kosovës dhe Republika”, tha Kurti.

Kurti tha se partia e tij është në rrugë që të tejkalojë rezultatin e 14 shkurtit 2021, kur kishte fituar 50.2 për qind.

Sipas tij, rezultati zgjedhor i së dielës kërkon që duhet të ecet përpara pa vonesa.

“Sa më parë që certifikohen [rezultatet], aq më shpejt na duhet të krijojmë institucionet dhe të vazhdojmë me punën e mirë”, tha Kurti.

Legjislaturën e re, Kurti tha se e pret Plani i Rritjes i BE-së në vlerë prej 880 milionë eurosh dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore, që në total tha se arrijnë vlerën e mbi 1 miliard eurove.

“Ftoj nga tash partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare” dhe për projektligje të tjera”, tha ai.

Kurti u pyet edhe për çështjen e presidentit. Ai tha se është herët të flitet për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri, duke theksuar se “sonte do të festojmë”, por shtoi se me opozitën duhet të trajtohet kjo çështje, por edhe me presidenten aktuale, Vjosa Osmani, të cilës i skadon mandati në mars.

Ai u pyet nëse do të negociojë me partitë opozitare për presidentin dhe që propozimin për president ta bëjnë ato, Kurti tha:

“Ta negocioni dhe t’ua jepni atyre janë dy gjëra të ndryshme. Nuk mund të përdoren si sinonime, aq më pak në të njëjtën fjali. Natyrisht që duhet ta bisedojmë me opozitën këtë çështje. Por, paraprakisht duhet të diskutojmë për marrëveshjet ndërkombëtare. Ai do të jetë një test i rëndësishëm për bashkëpunimin qeveri-opozitë në katërvjeçarin e ardhshëm. Po e rikthesoj, fillimisht duhet të presim certifikimin e rezultateve”. /REL/

The post Kurti shpall fitoren: Fitoi populli dhe Republika appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KQZ shpall rezultatet paraprake, LVV fituese me 49,79%

28 December 2025 at 22:40

PRISHTINË, 28 dhjetor /ATSH/ Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet paraprake të zgjedhjeve të sotme në Kosovë.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka njoftuar për përqindjet e secilës parti veç e veç.

“Lëvizja Vetëvendosje 49.79 për qind apo 421 mijë e 129 vota. Partia Demokratike e Kosovës 21.18 për qind apo 179 mijë e 158 vota. Lidhja Demokratike e Kosovës 13.77 për qind apo 116  mijë e 502 vota. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 5.74 për qind apo 48 mijë e 551 vota. Lista Serbe ka 3.87 për qind apo 32 mijë e 719 vota. Nisma Socialdemokrate ka 1.72 për qind apo 14 mijë e 513 vota”, deklaroi Radoniqi.

Këto rezultate përfshijnë numërimin e 95.93 për qind të vendvotime të numëruara dhe nuk përfshihen votat me postë dhe as votat që janë dhënë në përfaqësi diplomatike.

Radoniqi tha se shpallja e rezultateve përfundimtare do të bëhet pas numërimit të votave nga diaspora, të personave me nevoja veçanta dhe votat me kusht. /KosovaPress/

The post KQZ shpall rezultatet paraprake, LVV fituese me 49,79% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti drejt formimit të qeverisë i vetëm

28 December 2025 at 22:23

PRISHTINË, 28 dhjetor /ATSH/ Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit po kryeson në zgjedhjet e 28 dhjetorit, teksa numërimi i votave është drejt përfundimit.

Me 93.43 për qind të votave të numëruara (deri në orën 21:40), LVV-ja ka 411.120 vota apo 49.99 për qind.

Diferenca në vota mes partisë së Kurtit dhe PDK-së së Bedri Hamzës – që është në vend të dytë me 21.07 për qind të votave – është 237.875 vota.

Sipas rezultateve të fundit të publikuara nga KQZ-ja, LVV është rrugës për të formuar vetë ekzekutivin e ri të vendit.

Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku të drejtë vote kishin 1.999.024 qytetarë.

Procesi i votimit u zhvillua në 910 qendra me gjithsej 2.557 vendvotime, nga ora 07:00 deri në 19:00.

Sipas të dhënave preliminare, dalja në zgjedhje është 45 për qind.

Zgjedhjet u monitoruan nga Policia e Kosovës, Prokuroria dhe vëzhgues vendorë e ndërkombëtarë.

The post Kurti drejt formimit të qeverisë i vetëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Korça e turistëve në çdo stinë

28 December 2025 at 21:32

TIRANË, 28 dhjetor /ATSH/ Festat e fundvitit e gjejnë Korçën plot jetë, me aktivitete kulturore që sjellin gëzim, muzikë dhe atmosferë festive në çdo cep të qytetit.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë mbrëmjen e të dielës foto nga atmosfera e festave shoqëruar me diçiturën: “Korça e turistëve në çdo stinë”.

Bashkia e Korçës ka përgatitur një program të pasur argëtues për të gjitha moshat për ditët e fundit të vitit dhe ditët e para të vitit të ri 2026.

The post Korça e turistëve në çdo stinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KQZ: Zgjedhje të qeta në Kosovë, mbi 44% e qytetarëve dolën në votim

28 December 2025 at 20:53

PRISHTINË, 28 dhjetor /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka vlerësuar procesin zgjedhor si të qetë dhe pa incidente që do të cenonin integritetin apo besueshmërinë e procesit zgjedhor në Kosovë.

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se deri në përditësimin e fundit nga 98 për qind e vendvotimeve, në zgjedhje kanë votuar 890 mijë e 859 qytetarë, apo 44.56 për qind e votuesve me të drejtë vote.

Sipas të dhënave paraprake të KQZ-së, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milionë e 999 mijë e 204. Radoniqi bëri edhe një krahasim me zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, ku deri në të njëjtën kohë, nga rreth 91 për qind e vendvotimeve, kishin votuar 40.04 për qind, apo 789 mijë e 172 votues nga 1 milion e 970 mijë e 944 gjithsej.

Ai theksoi se gjatë gjithë ditës së votimit nuk janë evidentuar incidente që do të cenonin integritetin apo besueshmërinë e procesit zgjedhor në Kosovë.

“Në të dhënat preliminare nga 98 për qind e vendvotimeve numri i qytetarëve me të drejtë vote 890 mijë e 859 votues apo 44.56 për qind nga 1 milion e 999 mijë e 204 votues. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, rreth 91 për qind e vendvotimeve kishin votuar 40.04 për qind apo 789 mijë e 172 votues nga 1 milion e 970 mijë e  944 votues”,tha ai.

Sipas tij, pas konferencës së pasdites janë raportuar tri ndërprerje të energjisë elektrike në qendra votimi në komunat Rahovec, Dragash dhe Han i Elezit, por situata është menaxhuar shpejt.

“Duke u mbështetur në komunikimet dhe raportimet që kemi pranuar gjatë gjithë ditës nga terreni, vlerësojmë se procesi zgjedhor në Kosovë është zhvilluar në mënyrë të qetë, të rregullt dhe në përputhje me kërkesat ligjore. Deri në këtë kohë që flasim, nuk janë evidentuar incidente të cilat do të mund të cenonin integritetin, besueshmërinë apo mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit. Pas konferencës së pasdites, kemi pasur tri raportime për ndërprerje të energjisë elektrike në tri qendra votimi të komunave Rahovec, Dragash dhe Han i Elezit. Menjëherë është njoftuar KEDS-i dhe sipas informatave, energjia elektrike është rikthyer në kohë shumë të shpejtë.  Në emër të KQZ-së, falënderojmë institucionet e ndryshme për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si, Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, si dhe KEDS-in për trajtimin në kohë të shpejtë të rasteve të paraqitura”, tha Radoniqi.

Ai ka folur edhe për votimin me postë, duke thënë se në këto zgjedhje procesi ka qenë ndryshe. Sipas tij, të gjitha dërgesat e pranuara në adresat e KQZ-së, do të tërhiqen dhe do të kthehen në Kosovë më së largu deri më 5 janar, për shkak të festave të fundvitit dhe mosfunksionimit të shërbimeve postare gjatë vikendeve.

“Në këto zgjedhje procesi i votimit me postë ka shkuar më ndryshe. Të gjitha që i kemi pranuar në adresat tona, ato do të tërhiqen dhe do të kthehen në Kosovë. Tërheqja do të bëhet më së largu deri më datën 5 janar, për shkak të festave te fund vitit dhe vikendeve ku shërbimi postar nuk punojnë as në shtete të botës as tek ne. Sa i përket materialeve të votimit në përfaqësi diplomatike edhe këto do të pranohen por nuk ka ndonjë datë të caktuar, megjithatë, besoj se brenda javës së ardhshme do të arrijnë të gjitha në Kosovë…Mund të konfirmoj se rryma nuk do të ndalet, ashtu jemi dakorduar me KEDS, ashtu të gjithë zyrtarët e KEDS janë në terren dhe në vazhdimësi janë duke na dërguar fotografi nga secila qendër votimi që tregojnë se ka energji elektrike dhe nuk do të ketë shkëputje të energjisë elektrike”, u shpreh ai. Sa i përket rezultateve preliminare, Radoniqi ka paralajmëruar se ato pritet të publikohen sonte.

“Po, besoj sonte, diku rreth orës 22:30 apo 23:00, do t’ju njoftojmë me kohë kur do të mbajmë edhe konferencën”, nënvizoi ai.

Kosova votoi sot për zgjedhjet e parakohshme parlamentare – për herë të katërt brenda vitit – pas dështimit për muaj të tërë për formimin e institucioneve të vendit. /KosovaPress/

The post KQZ: Zgjedhje të qeta në Kosovë, mbi 44% e qytetarëve dolën në votim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KQZ publikon rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Kosovë

28 December 2025 at 20:04

PRISHTINË, 28 dhjetor /ATSH/ Kosova sot ka përmbyllur me sukses procesin zgjedhor të votimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në platformën e KQZ-së për procesimin e rezultateve ka nisur dalja e rezultateve të para.

Nga 100 vendvotimet e para të procesuara apo 3.91% të tyre, LVV kryeson me 7 mijë e 535 vota apo 43.28% e pasuar nga PDK me 18.40% të votave apo 3204 vota, LDK me 12.96% apo 2 mijë e 256 vota dhe AAK me 8.28% apo 1442 vota.

/KosovaPress/

The post KQZ publikon rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbyllet votimi në Kosovë, pritet dalja e rezultateve të para

28 December 2025 at 19:01

PRISHTINË, 28 dhjetor /ATSH/ Kosova votoi sot për zgjedhjet e parakohshme parlamentare – për herë të katërt brenda vitit – pas dështimit për muaj të tërë për formimin e institucioneve të vendit.

Viti 2025 nisi me votime më 9 shkurt për Kuvendin e Kosovës, vazhdoi në vjeshtë me votimin për zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe 9 nëntorit dhe mbyllet me votimin e ditës së sotme.

24 subjekte politike me 1180 kandidatë janë në garë për vende në legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës, prej të cilave 8 janë subjekte shqiptare me 624 kandidatë, ndërkaq pjesa tjetër janë subjekte nga radhët e komuniteteve pakicë që garojnë për 20 ulëse të garantuara.

Sipas platformës së KQZ-së për publikimin e rezultateve preliminare dhe statistikave për pjesëmarrjen në votime për çdo komunë interesimi i qytetarëve për të votuar është i lartë.

Numri i votuesve që kanë votuar deri në orë 17:49 është 770 mijë e 79, apo 38.52% e votuesve. /KosovaPress/

The post Mbyllet votimi në Kosovë, pritet dalja e rezultateve të para appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjedhjet në veri pa incidente, Policia ndalon hyrjet ilegale nga Serbia

28 December 2025 at 18:30

PRISHTINË, 28 dhjetor /ATSH/ Procesi i votimit në komunat veriore deri në këto momente ka kaluar pa incidente, derisa janë ndaluar hyrjet ilegale nga Serbia për të votuar.

Veton Elshani, zëvendësdrejtor i rajonit të veriut i ka thënë KosovaPress-it, se që nga orët e hershme të mëngjesit, kur është bërë hapja e vendvotimeve në veri të vendit, nuk kemi iniciuar asnjë rast për hetim deri në këtë moment.

“Më herët, gjatë zgjedhjeve të kaluara, kemi pasur informacione se njerëzit po vinin përmes rrugëve ilegale, konkretisht nga ura e Bërnjakut, kalonin tek ne dhe më pas vazhdonin në veri të vendit. Këtë e kemi ndaluar edhe atëherë, por e kemi ndaluar edhe tani paraprakisht. Kjo ka qenë arsyeja pse janë marrë këto masa. Po ashtu, kemi pasur koordinim me Policinë Kufitare, pasi aty janë edhe barkat, si dhe me KFOR-in. Nuk kemi pasur raste për të ndaluar dikë, pasi ata persona janë kthyer nga ajo rrugë”, tha ai.

Elshani komentoi edhe votimin e organizuar të Listës Serbe.

“Në orët e mëngjesit kemi pasur edhe një votim të organizuar, të ashtuquajtur, nga sheshi “Car Lazari” e më pas drejt qendrave të votimit. Kjo ka ndodhur edhe në komunat e tjera të veriut të vendit dhe ka qenë një praktikë e përsëritur edhe herëve të kaluara. Për këtë e kemi njoftuar KQZ-në dhe Prokurorinë e Shtetit, por nuk kemi pasur rast për të hapur”, tha ai.

Ai shtoi se ekziston një plan i përgjithshëm në nivel të Kosovës lidhur me zgjedhjet që po mbahen sot dhe se ata janë pjesë e atij plani, por me disa specifika për shkak se janë zonë kufitare me Serbinë.

Ai shtoi se në veri ka shumë rrugë ilegale dhe të gjitha janë të mbuluara nga ana e Policisë Kufitare, ndërsa dje edhe nga njësitë e KFOR-it, në kuadër të bashkëpunimit të përbashkët që kemi.

Sipas tij, deri tani nuk ka ndodhur asnjë incident në veri. /KosovaPress/

The post Zgjedhjet në veri pa incidente, Policia ndalon hyrjet ilegale nga Serbia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌