TIRANË, 31 janar /ATSH/ Kristjan Asllani ka bërë sot një debutim të pazakontë në radhët e skuadrës së Beshiktashit, në Superligën turke.
Mesfushori i kombëtares shqiptare e nisi takimin ndaj Koniaspor nga stoli, në një ndeshje ku skuadra e tij po vuante. Ndaj trajneri vendosi ta hidhte në fushë në minutën e 76-të të takimit, kur shifrat ishin 1-1.
Mesfushorit iu deshën pak sekonda lojë për të lënë shenjën e tij, pasi me një harkim nga e djathta e çoi topin te Kokçu, i cili shënoi golin e avantazhit 2-1.
Por, debutimi i pabesueshëm do të vazhdonte vetëm dy minuta më vonë me episodin e radhës, kur Asllani kreu një faull pranë zonës së tij, teksa po mundohej të dilte në kundërsulm.
Gjyqtari fillimisht dha vetëm goditje dënimi, por u ftua nga VAR të shihte pamjet dhe aty nuk hezitoi t’i tregonte kartonin e kuq, duke e larguar menjëherë nga fusha.
Për fatin e mirë të Asllanit, shifrat nuk ndryshuan më dhe Beshiktashi fitoi me rezultatin 2-1.

Beshiktashi prezantoi dje, me një postim në rrjetet sociale, transferimin e ri, mesfushorin kuqezi Kristjan Asllani. Videoja e publikuar nga klubi bardhezi, me fjalët e Asllanit, tërhoqi vëmendjen e tifozëve. Asllani e shprehu motivimin e tij për Beshiktashin me fjalët: “Kam lindur shqiponjë, është në gjakun tim. Një shqiponjë nuk tërhiqet kurrë. Do ta tregoj këtë. Kam lindur për të fluturuar. Jam krijuar për të luftuar. Pa frikë. Pa justifikime. Me zemër, me përqendrim maksimal. Kam lindur shqiponjë. Gjithmonë shqiponjë”.
Mesfushori 23-vjeçar, me origjinë nga Elbasani, nuk arriti të shkëlqejë në fazën e parë të sezonit tek Torino, por tashmë do të ketë në dispozicion gjithë fazën e dytë për të bindur trajnerin Sergen Yalçın dhe drejtuesit e klubit turk për një transferim përfundimtar.
Beshiktashi do të paguajë pagën e plotë të futbollistit shqiptar për periudhën që do ta ketë në dispozicion, ndërsa gjatë verës së ardhshme mund ta blejë nga Interi, pasi palët kanë përfshirë në kontratë edhe një opsion për blerjejen përfundimtare të të drejtave sportive të mesfushorit, por jo me detyrim.
The post Asllani debuton te Beshiktash, jep asist dhe del me karton të kuq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.