Dëmtimi i Isakut do t’i kushtojë Liverpoolit një shumë marramendëse parash
Dëmtimi i Alexander Isak pritet t’i kushtojë Liverpoolit një shumë marramendëse parash, teksa sulmuesi përgatitet për një mungesë të gjatë nga fushat.
Isak, transferimi rekord prej 125 milionë eurosh nga Newcastle gjatë verës, shënoi golin e tij të tretë për “Të Kuqtë” në fitoren 2-1 ndaj Tottenhamit të shtunën.
Pas vështirësive për t’u përshtatur në ‘Anfield’, suedezi shpresonte që goli kundër Tottenhamit, të cilët po luanin me nëntë lojtarë, të shërbente si pikë kthese për karrierën e tij te Liverpooli.
Megjithatë, për ish-lojtarin e Newcastle United, gjithçka u kthye në një makth, pasi pak minuta më vonë ai pësoi një dëmtim serioz pas një ndërhyrjeje nga Micky Van De Ven brenda zonës së penalltisë, duke thyer këmbën.
Ky dëmtim do ta mbajë të paktën tre muaj jashtë fushave ish-lojtarin e Real Sociedadit, një goditje e madhe për Liverpoolin në një moment kur Mohamed Salah është larguar për Kupën e Kombeve të Afrikës, ndërsa e ardhmja e tij mbetet e pasigurt mes tensioneve të fundit.
Nga ana financiare, Liverpooli gjithashtu pëson humbje, pasi sulmuesi që paguhet rreth 300 mijë euro në javë nuk do të jetë në gjendje të kontribuojë për afërsisht 12.9 javë, çka përkthehet në rreth 3.870.000 euro paga të paguara pa shërbim sportiv.
Isak ka zhvilluar 16 ndeshje në të gjitha kompeticionet në sezonin 2025/26, pasi iu bashkua klubit pa një fazë të plotë përgatitore, për shkak të përpjekjeve të tij për të detyruar largimin nga Newcastle./Telegrafi/
