Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 January 2026Main stream

Protestuesit nga Gramshi nisen “si klandestinë” drejt protestës së opozitës,refuzojë drejuesit e autobuzëve

By: Fax Web
24 January 2026 at 10:52

Në protestën e thirrur nga opozita ditën e sotme protestuesit nisen me autovetura ne orare të ndryshme.

Në një komunikim telefonik me gazetarin Shkelzen Henkoja, kryetari i Partisë Demokratike në Gramsh, z. Kodhel Çala, deklaroi se transporti me autobus nuk është realizuar, pasi drejtuesit e mjeteve kanë refuzuar të ofrojnë shërbimin për shkak të frikës nga policia. Sipas tij, për këtë arsye, protestuesit janë nisur drejt protestës me automjete private, në orare të ndryshme.

Z. Çala shtoi se në një rast të mëparshëm është gjobitur nga policia, teksa po udhëtonte për të marrë pjesë në një protestë, me pretendimin se ushtronte aktivitet taksie në mënyrë të paligjshme.
Sipas tij, qyteti i Gramshit ndodhet nën një klimë presioni, ku qytetarët hezitojnë të marrin pjesë apo të bashkëpunojnë me drejtues të Partisë Demokratike, për shkak të frikës nga ndëshkimet.faxweb

NATO planifikon të forcojë mbrojtjen në krahun lindor me teknologji robotike dhe të automatizuar

By: Fax Web
24 January 2026 at 10:40

NATO planifikon të zgjerojë ndjeshëm rezervat e armëve dhe municioneve përgjatë krahut të saj lindor dhe të krijojë një zonë të re mbrojtëse – duke përdorur teknologji robotike dhe të automatizuar, sipas një oficeri të lartë të NATO-s.

“Masat synojnë forcimin e parandalimit kundër sulmeve të Rusisë”, tha Gjenerali i Brigadës Thomas Lowin për” Welt”.

Sipas një koncepti të ri mbrojtës shumështresor, NATO do të kërkojë të ngadalësojë ose ndalojë një sulmues në një fazë të hershme duke përdorur sisteme të teknologjisë së lartë.

Përgjatë kufijve të aleancës me Rusinë dhe Bjellorusinë, do të krijohet një zonë që do të mbështetet në mbikëqyrje, si dhe në sisteme të operuara nga distanca ose gjysmë të automatizuara, të cilat një kundërshtar do të duhet t’i kapërcejë përpara se të përparojë më tej.

Lowin, zëvendësshefi i shtabit për operacionet në komandën tokësore të NATO-s në Izmir, tha se mbikëqyrja përgjatë krahut lindor do të mbështetej në sisteme që mbledhin të dhëna në tokë, në ajër, në hapësirë ​​dhe në domenin digjital.

“Informacioni do t’u vihet në dispozicion aleatëve të NATO-s në kohë reale”, tha ai.

Sisteme fikse dhe celular si radari, sensorë akustikë dhe optikë mund të përdoren, së bashku me të dhënat nga satelitët, dronët dhe avionët zbulues.

Përgjatë kufijve, NATO planifikon të krijojë atë që Lowin e përshkroi si një “zonë e nxehtë”, të projektuar për të ndaluar ose ngadalësuar sulmuesit në fazat e hershme. Zona mund të përfshijë dronë të armatosur, automjete luftarake gjysmë-autonome, sisteme robotike dhe aftësi të automatizuara të mbrojtjes ajrore.

Lowin tha gjithashtu se NATO tashmë ka parapozicionuar pajisje ushtarake, dhe se rezerva shumë më të mëdha ushtarake do të ngrihen në shtetet në vijën e parë, duke përfshirë armë dhe municione si për sistemet e automatizuara ashtu edhe për forcat e aleancës.

“Pavarësisht përdorimit në rritje të automatizimit, numri i trupave nuk do të zvogëlohet”, tha ai duke vënë në dukje se sistemet pa pilot nuk ishin të mjaftueshme për të penguar ose ndaluar një kundërshtar në planin afatgjatë.

Rreth 100 klerikë arrestohen gjatë protestës kundër politikave të imigracionit në SHBA

By: Fax Web
24 January 2026 at 10:15

Rreth 100 anëtarë të klerit u arrestuan në aeroportin ndërkombëtar Minneapolis–St. Paul, në shtetin e Minnesotës, gjatë një proteste kundër politikave të ashpra të imigracionit të administratës Trump.

Protesta u zhvillua nga udhëheqës dhe besimtarë fetarë, kryesisht të krishterë, të cilët u mblodhën në aeroport pasi dyshonin se nga aty po niseshin avionë që deportonin emigrantë të ndaluar. Ata u gjunjëzuan, kënduan himne fetare dhe recituan lutje, pavarësisht temperaturave shumë të ulëta.

Policia ndërhyri dhe i arrestoi protestuesit pasi, sipas autoriteteve, ata kishin kaluar kufijtë e lejes së dhënë për protestë dhe kishin penguar funksionimin normal të aeroportit.

Këto arrestime ndodhën gjatë një dite protestash të quajtur “Dita e së Vërtetës dhe e Lirisë”, e organizuar kundër veprimeve të Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE). Organizatorët u bënë thirrje qytetarëve të Minnesotës të bojkotonin shkollën, punën dhe blerjet si shenjë proteste.

Edhe pse moti ishte shumë i ftohtë, mijëra njerëz morën pjesë në protesta dhe marshime në disa zona të qytetit për të shprehur kundërshtimin ndaj rritjes së kontrolleve dhe deportimeve të emigrantëve.

Një nga pjesëmarrëset, Elizabeth Barish Browne, e cila kishte udhëtuar nga Wyoming, tha se ajo që po ndodh me emigrantët është “moralisht e gabuar” dhe se rreziku më i madh për shoqërinë nuk është i ftohti, por padrejtësia.

Lojëra fati dhe shpërndante kokainë, arrestohet pronari i lokalit në Korçë

By: Fax Web
24 January 2026 at 10:00

Në kuadër të kontrollet intensive në Korçë për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, policia e Korçës ka finalizuar operacionin e koduar “Organizatori”.

Policia njofton se, si rezultat i operacionit, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. R., 57 vjeç, banues në Korçë, pronar i një lokali në fshatin Bulgarec, i cili organizonte lojëra fati të paligjshme dhe shpërndante lëndë narkotike të llojit kokainë në ambientet e lokalit.

57-vjeçari akuzohet për veprat penale:

-Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin
-Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara
-Prodhimi dhe shitja e narkotikëve

Gjatë kontrollit në lokal, shërbimet e Policisë konstatuan se ambienti ishte përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit dhe për shitje e përdorim droge. Në banak u gjetën dhe u sekuestruan 14 doza me lëndë të dyshuar kokainë, ndërsa nga këqyrja e celularit të tij u konstatuan faqe aktive për baste sportive.

Gjatë ndërhyrjes policore, disa persona tentuan të fshihnin provat. Për këtë arsye, ka nisur procedimi penal për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” ndaj shtetasve:

-R. K., banues në Korçë
-F. A., banues në fshatin Vinçan, Korçë
-H. M., banues në fshatin Vloçisht, Maliq

Gjithashtu, janë proceduar penalisht 14 shtetas të tjerë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi kishin dijeni për veprimtarinë e paligjshme dhe nuk e kallëzuan atë pranë organeve kompetente.

Në lidhje me këtë rast, ka nisur procedimi penal edhe ndaj shtetasit D. L., punonjës policie pranë PKK Kapshticë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, si dhe ndaj tij ka filluar hetimi disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit.

Në përfundim të operacionit, Policia e Korçës njofton se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:

-14 doza kokainë
-shuma monetare në lekë, euro, paund dhe lira turke
-1 automjet
-8 telefona celularë
-letra bixhozi dhe çipsa për lojëra fati

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.

Të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre nga SPAK, arrestohen 3 efektivë policie

By: Fax Web
24 January 2026 at 09:51

Tre punonjës të Policisë Orikum janë arrestuar pas akuza për korrupsion dhe shpërdorim detyre, mes tyre edhe shefi i stacionit të policisë.

Sipas njoftimit të AMP-së, Drejtoria e Hetimit dhe Drejtoria Rajonale Vlorë – Gjirokastër kanë ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” për efektivët me iniciale:

D. L., Inspektor krimesh pranë Stacionit të Policisë Orikum

A. J., Shef i Stacionit të Policisë Orikum

A. F., Specialist i Policimit në Zonë pranë Stacionit të Policisë Orikum

Sipas AMP-së, hetimet e SPAK kanë zbuluar se në shtator të vitit të kaluar, efektivët kanë kërkuar dhe marrë nga një shtetas shumën prej 270,000 lekësh, në këmbim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Hetimi u zhvillua disa muaj me metoda speciale në drejtim të SPAK, duke u mundësuar dokumentimi i veprimeve korruptive me prova ligjore.

Njoftimi i policisë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Drejtoria e Hetimit dhe Drejtoria Rajonale Vlorë – Gjirokastër) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Pr. Penale, ndaj punonjësve të policisë;

▶ D. L., me detyrë Inspektor krimesh pranë Stacionit të Policisë Orikum;
▶ A. J., me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Orikum;
▶ A. F., me detyrë Specialist i Policimit në Zonë pranë Stacionit të Policisë Orikum;
të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” në bashkëpunim dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 259, 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Drejtoria e Hetimit është vënë në dijeni se këta punonjës policie, në shtator të vitit të kaluar, në kundërshtim me ligjin dhe duke keqpërdorur atributet që iu jep funksioni, kanë kërkuar dhe marrë nga një shtetas shumën prej 270 000 lekësh, në këmbim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Pas hetimit disa mujor me metoda speciale në drejtimin e SPAK, u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i implikimit të punonjësve të policisë në veprime korruptive dhe shpërdorim të detyrës.

Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.

Për ankesa me Whatsapp 0694151511
Ose shkarkoni në Play Store dhe App Store aplikacionin “Agjencia Digjitale”.

Protesta të mëdha në Venezuelë, mbështetësit e Maduros kërkojnë lirimin e tij nga SHBA

By: Fax Web
24 January 2026 at 09:25

Mijëra mbështetës të presidentit të rrëzuar të Venezuelës, Nicolás Maduro, i cili u kap së bashku me bashkëshorten e tij gjatë operacionit ushtarak amerikan të 3 janarit, protestuan në Karakas duke kërkuar lirimin e tij.

Protesta u mbajt të premten (23/1), në ditën e përvjetorit të 68-të të rënies së diktaturës së Marcos Pérez Jiménez (1948–1958).

Presidentja e përkohshme e vendit, Delcy Rodríguez, ka kërkuar forcimin e marrëdhënieve me Uashingtonin, por qeveria e saj vazhdon të kërkojë kthimin e Nicolás Maduro-s dhe bashkëshortes së tij, të cilët vijojnë të mbahen të burgosur në Shtetet e Bashkuara.

“Duam të kthehen në atdhe”, shkruhej në një pankartë gjigante të vendosur pranë sheshit O’Leary, në qendër të Karakasit. Marlene Blanco, një kontabiliste 65-vjeçare, e cilësoi arrestimin e Maduro-s si “të paligjshëm” dhe “të padrejtë”.

“Nafta është e jona. Dhe duhet të paguhet ashtu siç duhet”, shtoi ajo, duke iu referuar përpjekjeve të presidentit amerikan Donald Trump për të marrë nën kontroll rezervat e mëdha të naftës së Venezuelës.

“Triumfi ynë më i madh në këtë moment do të jetë kthimi i presidentit Maduro dhe i (zonjës së parë) Cilia”, deklaroi ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello, gjatë tubimit, sipas televizionit shtetëror.

Rusia, sulm gjatë natës në Ukrainë, një viktimë dhe disa te plagosur

By: Fax Web
24 January 2026 at 09:12

Të paktën një person u vra dhe 27 u plagosën në sulmet intensive ruse gjatë natës në Kiev dhe Kharkiv.

Një gjendje gatishmërie është shpallur në të gjithë Ukrainën, ndërsa në kryeqytet, autoritetet ushtarake kanë paralajmëruar për kërcënimin e sulmeve me dronë dhe raketa balistike.

Në Kiev, dëme u raportuan në pesë lagje, sipas kryetarit të bashkisë Vitali Klitschko.

Një person vdiq dhe katër u plagosën. Tre nga të plagosurit u shtruan në spital”, postoi ai në Telegram, ku raportoi gjithashtu ndërprerje të furnizimit me ngrohje dhe ujë në disa lagje periferike.

KF Tirana në zi, ndërron jetë vajza e futbollistit Freddy Alvarez

By: Fax Web
24 January 2026 at 08:51

Vajza e futbollistit Freddy Alvarez ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Tiranë, një ngjarje që ka tronditur jo vetëm klubin kryeqytetas, por edhe gjithë komunitetin sportiv në vend.

Lajmi i hidhur u bë i ditur përmes një njoftimi zyrtar të publikuar nga klubi i Tiranës, i cili shprehu dhimbjen e thellë dhe solidaritetin e plotë me lojtarin dhe familjen e tij në këtë moment tepër të vështirë. Sipas deklaratës së klubit, e gjithë skuadra, stafi teknik dhe drejtuesit janë në zi dhe pranë Freddy Alvarez, duke ndarë me të dhimbjen për këtë humbje të parakohshme.

“Me dhimbje të thellë ndajmë lajmin se vajza e lojtarit tonë, Freddy Alvarez, ka ndërruar jetë tragjikisht në orët e para të mëngjesit të sotëm në Tiranë. I gjithë klubi ynë është i tronditur dhe në zi, duke qëndruar pranë Freddyt dhe familjes së tij në këtë moment të rëndë. Ngushëllimet tona më të sinqerta janë me familjen Alvarez. U prehtë në paqe”, thuhet në reagimin zyrtar të klubit bardheblu.

Pas publikimit të këtij njoftimi, reagime të shumta ngushëllimi kanë ardhur nga klube të tjera, sportistë, figura të futbollit shqiptar dhe tifozë, të cilët kanë shprehur mbështetjen dhe solidaritetin e tyre për Freddy Alvarez dhe familjen e tij në këtë periudhë zie. Mesazhet kanë qenë të mbushura me dhimbje, respekt dhe empati për një humbje kaq të rëndë njerëzore.

Dita Ndërkombëtare e Arsimit

By: Fax Web
24 January 2026 at 08:49

Sot është Dita Ndërkombëtare e Arsimit.

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) e përcakton arsimin si një të drejtë njerëzore, një e mirë publike dhe një përgjegjësi publike. Asambleja e Përgjithshme e OKB-se e shpalli 24 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, për të vlerësuar rolin e arsimit për paqen dhe zhvillimin.

Arsimi si një e drejtë njerëzore është e sanksionuar në nenin 26 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Deklarata kërkon arsim fillor falas dhe të detyrueshëm. Konventa për të Drejtat e Fëmijës, e miratuar në vitin 1989, shkon më tej duke përcaktuar që vendet duhet ta bëjnë arsimin e lartë të arritshëm për të gjithë.

Arsimi u ofron fëmijëve një shkallë për të dalë nga varfëria dhe një rrugë drejt një të ardhmeje premtuese. Por rreth 244 milionë fëmijë dhe adoleshentë në mbarë botën janë jashtë shkollës; 617 milionë fëmijë dhe adoleshentë nuk mund të lexojnë dhe të bëjnë matematikën bazë; më pak se 40% e vajzave në Afrikën Subsahariane përfundojnë shkollën e mesme të ulët dhe rreth katër milionë fëmijë dhe të rinj refugjatë janë jashtë institucioneve të arsimit.

OKB thotë se, pa arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë, vendet nuk do të kenë sukses në arritjen e barazisë gjinore dhe në thyerjen e ciklit të varfërisë që po lë pas miliona fëmijë, të rinj dhe të rritur.

Ukrainasit dhe rusët përballë në Abu Dhabi, por Putini nuk lëshon pe për Donbass-in

By: Fax Web
24 January 2026 at 08:45

Raundi i parë i bisedimeve trilaterale mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, i zhvilluar në Abu Dhabi, u mbyll me deklarata formale dhe optimizëm të kujdesshëm, por pa përparim konkret në çështjet më të ndjeshme të konfliktit. Edhe pse palët u ulën për herë të parë pas shumë muajsh në të njëjtën tryezë, Moska mbetet e palëkundur në kërkesën e saj kryesore: kontrollin e plotë mbi rajonin e Donbass-it.

Negociatori kryesor ukrainas, Rustem Umerov, deklaroi se gjatë ditës së parë është punuar mbi parametrat për të avancuar drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Nga ana e saj, Shtëpia e Bardhë e cilësoi takimin si produktiv, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se puna po ecën përpara, duke theksuar megjithatë se për Rusinë mbetet thelbësore zbatimi i asaj që Moska e quan formula e Anchorage-s.

Kjo formulë i referohet marrëveshjeve të arritura verën e kaluar në Alaska, në një periudhë kur presidenti amerikan Donald Trump dukej i gatshëm t’i bënte lëshime të mëdha Kremlinit. Edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pranoi se bisedimet kanë qenë serioze, por theksoi se dita vendimtare do të jetë ajo e sotmja, ku pritet të kuptohet nëse ekziston realisht hapësirë për kompromis.

Vetë fakti që përfaqësuesit rusë dhe ukrainas ndodhen në të njëjtën dhomë konsiderohet një hap i rëndësishëm diplomatik. Për herë të fundit, një përballje e drejtpërdrejtë mes dy palëve kishte ndodhur në Turqi, në maj të vitit 2025.

Takimet aktuale trilaterale pritet të vazhdojnë të paktën deri në mbrëmjen e sotme dhe janë paraprirë nga një seri konsultimesh intensive. Mes tyre përfshihet samiti mes Zelenskyt dhe Trumpit në Davos, si dhe një takim maratonë katër orësh në Moskë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarve amerikanë Steve Witkoff, Jared Kushner dhe Josh Gruenbaum.

Megjithatë, kushti i vendosur nga Putini mbetet pengesa kryesore. Moska kërkon që Ukraina të tërhiqet plotësisht nga pjesët e Donbass-it që ende i kontrollon, rreth 15–20 për qind të territorit të rajonit. Peskov e bëri të qartë se pa përmbushjen e këtij kushti nuk ka kuptim të shpresohet për një marrëveshje afatgjatë. Edhe Zelensky pranoi se çështja territoriale është në qendër të negociatave dhe mbetet pika më e vështirë për t’u zgjidhur.

Pavarësisht deklaratave publike të Trumpit, Zelenskyt dhe madje edhe Putinit, të cilët pretendojnë se shumë nyje janë zgjidhur, realiteti në terren tregon se problemet kryesore mbeten të hapura. Lufta vazhdon me të njëjtin intensitet, ndërsa Ukraina po përballet me krizën më të rëndë energjetike që nga fillimi i konfliktit, si pasojë e bombardimeve të vazhdueshme ruse mbi infrastrukturën kritike. Miliona qytetarë vazhdojnë të jetojnë në errësirë dhe në të ftohtë.

Nga ana tjetër, prapa skenave po diskutohen edhe zhvillime me rëndësi strategjike. Sipas mediave amerikane, ndërmjetësit e Uashingtonit kanë diskutuar me Putinin perspektivat e bashkëpunimit ekonomik mes SHBA-së dhe Rusisë pas një paqeje të mundshme. Paralelisht, po shqyrtohet një plan amerikan dhe europian për krijimin e një fondi prej 800 miliardë dollarësh për rindërtimin e Ukrainës, me pjesëmarrjen e institucioneve ndërkombëtare dhe investitorëve privatë, që mund të zgjasë deri në vitin 2040.

Zelensky njoftoi gjithashtu se ka siguruar nga Trump një dërgesë të re raketash Patriot për mbrojtjen ajrore, jetike për mbrojtjen e qyteteve ukrainase nga sulmet ruse. Delegacioni ukrainas në Emiratet e Bashkuara Arabe drejtohet nga Rustem Umerov, i shoqëruar nga drejtues të lartë ushtarakë dhe të inteligjencës, ndërsa delegacioni rus udhëhiqet nga Kirill Dmitriev, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të shërbimeve sekrete.

Megjithatë, si analistët ashtu edhe mediat ruse dhe ukrainase theksojnë se delegacionet nuk kanë mandat për të marrë vendime përfundimtare. Fati i negociatave mbetet në duart e liderëve politikë. Për momentin, dialogu vazhdon, por rruga drejt paqes duket ende e gjatë dhe e mbushur me pengesa.

Moti ekstrem përfshin SHBA-në, temperaturat zbresin deri në -46°C! Të paktën 12 shtete në gjendje të jashtëzakonshme

By: Fax Web
24 January 2026 at 08:44

Me temperatura që në New York zbresin deri në –23 gradë Celsius dhe në Rrafshnaltat Veriore bien edhe nën –46°C, një stuhi ekstreme dimërore ka goditur Shtetet e Bashkuara, duke vënë në gjendje alarmi rreth 40 shtete. Sipas parashikimeve, deri të dielën fenomenet pritet të prekin deri në 150 milionë njerëz.

Reshje të dendura bore janë regjistruar tashmë në veriperëndim të Teksasit dhe në Oklahoma, ku rreth 24 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të kushteve të rënda atmosferike. Në Çikago, temperatura ka zbritur në –27 gradë Celsius, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e banorëve.

Në të paktën 12 shtete është shpallur gjendje e jashtëzakonshme nga guvernatorët, mes tyre Arkansas, Xhorxhia, Teksasi, Karolina e Veriut dhe Karolina e Jugut. Në disa zona është vënë në gatishmëri edhe Garda Kombëtare, për të ndërhyrë aty ku është e nevojshme.

Probleme serioze janë shënuar edhe në transportin ajror, me mbi 10 mijë fluturime të anuluara. Aeroporti Ndërkombëtar Dallas–Fort Worth, një nga më të ngarkuarit në vend, ka pësuar goditjen më të madhe, pasi deri tani janë anuluar më shumë se 1.200 fluturime nisjeje dhe mbërritjeje gjatë fundjavës.

Guvernatorja e News York-ut, Kathy Hochul, deklaroi se shteti ka mobilizuar mbi 1.600 mjete për pastrimin e borës dhe 114 mijë tonë kripë për përballimin e stuhisë, duke theksuar se nuk do të ketë “asnjë cep të shtetit që të mbetet i paprekur nga zemërimi i Nënës Natyrë”.

Sipas Jacob Asherman, meteorolog në Qendrën e Parashikimit të Motit të Shërbimit Kombëtar Meteorologjik, nëse merret parasysh edhe i ftohti ekstrem, numri total i njerëzve që mund të preken pritet të arrijë deri në 220 milionë. “Bëhet fjalë për një stuhi që do të përmendet për vite me radhë”, deklaroi të premten Caitlin Dirks, gjithashtu meteorologe e Shërbimit Kombëtar Meteorologjik, duke shpjeguar se ajo konsiderohet historike për shkak të shtresave të gjera të akullit që parashikohet të shkaktojnë dëme të rënda në infrastrukturë. Intensiteti i motit të keq reflektohet edhe në pamjet nga shumë zona të vendit, ku qytetarët formojnë radhë të gjata jashtë dyqaneve për furnizime bazë, ndërsa raftet po zbrazen me shpejtësi.

Yesterday — 23 January 2026Main stream

VIDEO/ Pjesëtarë të grupit “Wikipedia”, shqiptarët arrestohen duke ngrënë teksa prisnin 200 kg kokainë

By: Fax Web
23 January 2026 at 20:25

Policia dhe Agjencia Tatimore e Spanjës arrestuan tetë të dyshuar, disa prej tyre teksa po hanin në një restorant, përpara se të merrnin një ngarkesë prej 200 kilogramësh që kishte mbërritur në një kontejner me anije tregtare nga Amerika e Jugut. Ishte importi i parë, por agjentët e penguan që të futej në Spanjë.

Nga LA VOZ DE GALICIA

Policia Kombëtare dhe Agjencia Tatimore kanë arrestuar tetë anëtarë të një klani shqiptar të dedikuar për trafikun detar të lëndëve narkotike përmes anijeve me kontejnerë, midis Amerikës Latine dhe Vigos. Pesë prej tyre u kapën më 12 janar, kur banda po hante në një restorant në Vigo, përpara se të shkonin të merrnin një ngarkesë prej 200 kilogramësh që kishte mbërritur në port me metodën e ashtuquajtur “grepi i verbër”. Ata duhej të tërhiqnin katër pako me logon Kia. Autoritetet i ndiqnin që nga viti 2024.

Një javë më vonë, ranë në pranga edhe tre bashkëpunëtorë të tjerë në Galici. Me këtë goditje, të quajtur operacioni Monterrey, autoritetet kanë penguar një plan për të futur kokainë në Galici dhe kanë sekuestruar 20.000 euro. Droga e konfiskuar u ekspozua në komisariatin e Vigos, në prani të autoriteteve policore dhe të Agjencisë Tatimore. Udhëheqësi i këtij rrjeti ishte një vartës i një trafikanti historik, i ndarë nga jeta në vitin 2025 dhe i njohur si “narkosi i Wikipedias”.

I ndjeri Brian Colin Charrington, britanik 68-vjeçar, i njohur si “narkosi i Wikipedias” dhe banor i bregdetit të Alicantes, publikonte shpesh video të “bëmave” të tij në portale online dhe tregonte historikun e arrestimeve të tij në enciklopedinë e internetit për trafik droge në disa vende. Ai kishte kontakte me Evropën Lindore dhe konsiderohej truri i një rrjeti që lëvizte ngarkesa droge prej 1.100 kilogramësh ose më shumë midis Surinamit dhe Valencias. Në vitin 2024, policia çmontoi një pjesë të rrjetit të tij dhe arrestoi 30 prej njerëzve të tij. Ai ndërroi jetë në korrik të vitit të kaluar në një spital në Alicante.

Policia pohon se grupi shqiptar, i lidhur me “narkosin e Wikipedias” kishte bashkëpunimin e një organizate galiciene për t’u vendosur në Galici. Kjo dërgesë e penguar nga hetuesit ishte përpjekja e parë e organizatës për të futur drogë përmes portit të Vigos.

Në total, operacioni i përbashkët mes Policisë Kombëtare dhe Agjencisë Tatimore ka çuar në arrestimin e tetë personave, nga të cilët pesë kanë përfunduar në burg si të dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik droge. Hetimet nisën dy vjet më parë, kur u zbulua ekzistenca e një organizate që përdorte metodën e “grepit të verbër”, domethënë futjen e drogës në kontejnerë në bordin e anijeve tregtare për ta nxjerrë më pas në mënyrë diskrete pasi anija mbërrinte në destinacion. Dërguesi zakonisht ishte një kompani mbulesë ose legale, por pa dijeni për veprimtarinë kriminale.

Më në fund u arrit identifikimi i të gjithë rrjetit dhe të hënën, më 12 janar, u vendos një dispozitiv policor që lejoi lokalizimin e pesë anëtarëve në Vigo, ku kishin mbërritur një ditë para anijes që transportonte drogën. Dy u gjetën në një banesë me qira dhe tre të tjerë u kapën teksa po hanin në një restorant të qytetit.

Pjesa tjetër e organizatës u arrestua një javë më vonë, më 20 janar, në një operacion të zhvilluar në A Coruña, Lugo, Madrid dhe zonën e O Salnés.

“Është një operacion me 17 muaj hetime. Galicienët janë të vjetër në këtë punë dhe profesionistë”, deklaroi nëndelegati i Qeverisë në Pontevedra, Abel Losada. Hetimi u drejtua nga Gjykata e Hetimit nr. 8 e Vigós.

Sipas burimeve policore, bëhet fjalë për “profesionistë me degëzime në mbarë botën”. Është një klan me origjinë shqiptare që ka kontakte në zonat e prodhimit të drogës dhe që kontrollon portet dhe vetë këto zona prodhimi. Pesë të arrestuarit në Vigo përfshijnë tre shqiptarë, një francez dhe një letonez, si dhe disa galicienë — një aleancë që “u jep këtyre organizatave një kapacitet të madh operativ”.

“Goditëm fort të gjithë strukturën: atë të nxjerrjes së drogës, atë që bëri menaxhimin, dhe atë të lidhur në Spanjë”, shpjegoi një drejtues policie. Ai sqaroi se të arrestuarit kishin ardhur në Vigo “vetëm për këtë rast”, pasi do të merrnin përsipër dhe kontrollonin nxjerrjen e drogës. “Vijnë në Galici për të bërë operacione”, shtoi ai, duke kujtuar se vitin e kaluar u çmontua një tjetër grup shqiptar në Vigo që kishte porositur një anije të mbushur me drogë.

Hetimi lidhi për më shumë se një vit e gjysmë të gjithë anëtarët e zinxhirit dhe çoi në arrestimin e tyre. Policia zbuloi lidhjen me importuesit, pa kapacitetin e importit dhe të dërgimit të drogës dhe, disa javë më parë, identifikoi në Vigo praninë e noterit (personi që verifikon se ngarkesa ka mbërritur e plotë) dhe të pronarit të drogës për ta marrë në dorëzim. Sipas policisë, ata tashmë e kishin marrë kontrollin kur u arrestuan nga njësitë speciale.

Policia theksoi se “Vigo tashmë është një nga portet më të rëndësishme” të narkotrafikut, për shkak të lidhjeve të forta tregtare me vende të ndjeshme për futjen e kokainës. “Vigo është një port shumë i sigurt, por organizatat kanë kapacitet të madh ekonomik” dhe janë në gjendje të veprojnë në Meksikë, Kolumbi, Panama dhe Ekuador, me lidhje tregtare me Vigo. “U përpoqën të vendoseshin në Vigo, por vetëm për të pasur një vend të sigurt ku të merrnin drogën”, përfundoi policia.

Dalin në shitje javën e ardhshme/ Sa kushtojnë biletat për Poloni-Shqipëri

By: Fax Web
23 January 2026 at 20:12

Javën e ardhshme do të dalin në treg biletat për ndeshjen e parë të play-off-it të Shqipërisë përballë Polonisë që do të luhet më 26 mars në stadiumin Narodowy të Varshavës.

Një stadium me kapacitet prej 58.000 vendesh që për këtë ndeshje në cdo faqe që shet bileta apo prenoton on-line tregohet me shenjën, intere shumë i lartë.

Pavarësisht reklamimeve të ndryshme, biletat për këtë ndeshje nuk kanë dalë ende në shitje as për pjesën e tifozerisë vendase as për ato të sektorit mik, ku do të jenë tifozët kuqezi.

Sipas rregullores për sektorit mik do të jenë në dispozicion vetëm 5% e kapacitetit të stadiumit, apo thënë ndryshe, 2,900 bileta ndërkohë që 55,100 do të jenë në dispozicion të tifozerisë vendase. Ndërkohë, pas bisedimeve të fundit mes federatave kjo shifër mund të shkojë edhe në 10%.

Sa i përket çmimeve të biletave ende nuk janë zyrtare por në ndeshjet e së shkuarës për të ndjekur Poloninë në një eveniment kualifikues, bileta më e lirë kushtonte 55 euro në pjesën e tribunave anësore, 42 në qoshet e stadiumit dhe fushës, 26 euro pas portave, ndërkohë që tribunat qëndrore dhe ato VIP janë disi më shtrenjtë.

Ndeshja gjysmëfinale e play-off-it për Botërorin 2026 mes Polonisë dhe Shqipërisë do të zhvillohet më 26 mars 2026 në stadiumin “PGE Narodowy” të Varshavës.

Në rast kualifikimi, Shqipëria do të përballet me fituesin e çiftit Ukrainë – Suedi në finalen e play-off-it.

Flota amerikane drejt Gjirit Persik, sa afër është sulmi ndaj Iranit?

By: Fax Web
23 January 2026 at 20:06

Nga La Stampa

Flota amerikane po i afrohet Gjirit Persik dhe po shtohen diskutimet për një përshkallëzim ushtarak kundër Iranit. Presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë sinjale të paqarta, duke thënë vetëm se “do të shohim nëse do të na duhet ta përdorim”.

Trump është i kujdesshëm ndaj ndryshimit të regjimeve, duke iu referuar përvojave të kaluara të SHBA-ve. Ai ka kujtuar rastin e Irakut në vitin 2003, kur u rrëzua regjimi, por më pas u shfaq ISIS.

Sipas tij, një skenar i ngjashëm në Iran do të ishte një gabim i madh. Për këtë arsye, pavarësisht presionit nga disa media amerikane, Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Ndërkohë, në Lindjen e Mesme po ndodhin ndryshime të mëdha. SHBA-të kanë ulur rolin e Izraelit dhe kanë lënë më shumë hapësirë për Arabinë Saudite dhe Turqinë.

Turqia dhe Arabia Saudite e kanë shfrytëzuar këtë situatë. Në Siri, forcat kurde janë dobësuar dhe kanë humbur territore. Qeveria siriane ka rimarrë kontrollin e shumicës së vendit.

Në rajonin e Gjirit, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë humbur ndikim. Arabia Saudite ka larguar forcat emiratase nga Jemeni dhe nga disa territore të tjera.

Edhe në Sudan dhe Libi, aleatët e Emirateve janë nën presion.

Në tërësi, ndikimi i Iranit në rajon është dobësuar ndjeshëm, ndërsa po formohet një bosht i ri mes Turqisë, Arabisë Saudite, Egjiptit dhe Sirisë. Zhvillime këto që nuk përkojnë me interesat e Izraelit.

“Sot, më shumë vdekje se lindje”, Berisha: Gjenerata Z ka përmbytur diktaturat, të largojmë baronin e drogës

By: Fax Web
23 January 2026 at 19:07

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në fjalën e tij në sallën “Pjetër Arbnori” në selinë blu sot në 23 janar, komentoi aktualitetin politik në vend.

Berisha u shpreh se kryeministri Edi Rama ka larguar 700 mijë shqiptarë nga vendi. Më tej, Berisha i bëri thirrje gjeneratës Z, duke thënë se kjo gjeneratë ka përmbysur diktatura, kudo ata kanë ekzistuar nëpër botë.

Kreu demokrat tha se duhet të largojmë baronin e drogës në pushtet.

“Rama dhe bashkëpunëtorët e tij kanë vjedhur miliarda euro. Kombi shqiptar është në kushtet e ekzistencializmit. Nëse ecim me këtë trend, shqiptarët do konsiderohen një komb i fshirë. Sot kemi më shumë vdekje sesa lindje, sidomos në vitet e fundit. Rama ka larguar shqiptarët nga vendi, ka larguar mbi 700 mijë qytetarë. Të rinjtë sot janë në rrugët e Europës dhe botës, se në Shqipëri nuk e ndërtojnë dot të ardhmen. Në vitet 2007-2014, numri i shqiptarëve vetëm rritej. Ne nuk kishim para më shumë, por ne kishim taksa më të ulëta. Kullat e drogës nuk blihen dot nga qytetarët, sepse janë kulla të trafikut të drogës. Rama ka kthyer diktaturën, pushtetin e ka kthyer në dorën e një njeriu, ai është kryebaroni i drogës në Europë. Gjenerata Z mund të përmbysë diktaturat. Është kjo gjeneratë që po i dridh themelet Aleksandër Vuçiçit, si vëllait të Ramës. Lufta kundër diktaturës është e vështirë, por duhet të ngrihemi në lartësinë e këtij misioni e të rikthejmë dhe njëherë shpresën, besimin dhe lirinë, të drejtat, të ardhmen e shqiptarëve. Rama nuk mban zgjedhje, por i plaçkit ato, është autori i një farse elektorale. Jemi në parti-shtet, jemi thuajse në monizëm”, tha Berisha.

Foltorja e sotme e Berishës vjen një ditë përpara protestës kombëtare të Partisë Demokratike, përpara Kryeministrisë.

LEXO EDHE“Nesër është prova e madhe”/ Policia publikon masat për protestën e nesërme të Opozitës. Rrugët që bllokohen

“Nesër është prova e madhe”/ Policia publikon masat për protestën e nesërme të Opozitës. Rrugët që bllokohen

By: Fax Web
23 January 2026 at 20:08

Policia e Tiranës, ka publikuar këtë të premte, 23 janar, masat që do të ndërmerren për protestën kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike, që do të mbahet të shtunën, 24 janar, në orën 17:00 përpara Kryeministrisë.

Sipas njoftimit zyrtar të uniformave blu, do të nisë nga sot, ora 23:45, kufizimi i lëvizjes dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”. Kjo, deri në përfundim të tubimit.

Më pas, nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.

Në këto raste, blutë shprehenm se do të ndërmerren masa për devijimin e qarkullimit të automjeteve më rrugë alternetive.

Gjatë konferencës së sotme për shtyp, kreu  i PD, Sali Berisha tha se të shtunën e 24 janarit, qytetarët shqiptar do t’i bëjnë gjyqit kryeministrit Rama.

Madje ditën e nesërme e konsideroi si “Ditën e Gjykimit” për këtë qeveri.

“Nesër është prova e madhe, është dita e guximit, e revoltës, e zemërimit, e ngadhënjimit qytetar mbi të keqen më të madhe që ka mbërthyer Shqipërinë, që ka pllakosur këtë vend nga ditët e zeza të diktaturës hoxhiste gjer sot. Nesër qytetarët, populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit të këtij kombi. I bën gjyqin kryeministrit të lidhur kokë e këmbë me vrasës, banditë, trafikantë. I bën gjyqin antishqiptarit më të zi të kohërave që ka përzënë nga ky vend në 10 vite 1 milion e 100 mijë shqiptarë vetëm në hapësirën evropiane, pa llogaritur hapësira të tjera. Nesër i bën gjyqin një armiku të egër të lirive të shqiptarëve, të votës së tyre. Një njeriu që qëndron në pushtet duke përdorur çdo mjet të paligjshëm, duke shkelmuar Kushtetutën. Por nesër është dita e gjykimit të popullit shqiptar për një organizatë kriminale që nuk e ka sot asnjë vend tjetër në Europë”, tha ndër të tjera Berisha.

109 të arrestuar për manipulim zgjedhjesh në Kosovë

By: Fax Web
23 January 2026 at 18:42

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me prokurorinë, ka zhvilluar një operacion në rajonin e Prizrenit lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave.

Deri tani janë arrestuar nga policia 109 persona të dyshuar për veprën penale të falsifikimit të rezultateve zgjedhore dhe dhënie-marrje të ryshfetit.

Kjo pas rinumërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili nxori në pah vjedhje të mijëra votave të kandidatëve brenda partive – në total, u shtuan 40 mijë e 497 vota.

“Këtu nuk bëhet fjalë as për dhjetëra, as për qindra, por për mijëra vota të manipuluara. Bëhet fjalë edhe për situata ku vetëm në një vendvotim numri i manipuluar ka shkuar deri në 2 mijë e 444 vota“, tha Petrit Kryeziu, kryeprokurori i Prizrenit.

Deri tani, votat janë rinumëruar në tërësi në 19 komuna, ndërsa procesi i rinumërimit vazhdon. Ndonëse në disa komuna është vërejtur numër i vogël i ndryshimeve në vota, komuna e Prizrenit prin me numrin më të madh të votave të manipuluara.

Prokuroria është duke vazhduar hetimet në gjithë vendin.

Sulmuesi i Fenerbahçe gjen akordin me gjigandët e Serie A

By: Fax Web
23 January 2026 at 18:38

Juventusi ka arritur një akord me Fenerbahçen për transferimin e sulmuesit maroken, Youssef En-Nesyri.

Marrëveshja e arritur në Stamboll parashikon një huazim të paguar prej 5 milionë eurosh, me të drejtë blerjeje për 19 milionë euro plus 3 milionë të tjera në formë bonusesh.

Drejtuesit bardhezi i kanë ofruar lojtarit një kontratë me pagë 5 milionë euro në sezon dhe aktualisht janë në pritje të përgjigjes përfundimtare të tij.

Sulmuesi maroken ka kërkuar kohë për të shqyrtuar edhe oferta të tjera, ndonëse palët raportohen të jenë optimiste.

Kjo lëvizje e Juventusit erdhi pas vështirësive për të arritur te Jean-Philippe Mateta i Crystal Palace.

VIDEO/ Kapja e Maduros, një operacion i rrezikshëm! Ja çfarë zbulon analiza e CNN

By: Fax Web
23 January 2026 at 17:57

Kushtet jashtëzakonisht të rrezikshme në të cilat u krye operacioni amerikan për kapjen e presidentit venezuelian Nicolas Maduro analizohen në një raport të CNN, i bazuar në mbi 50 video dhe imazhe të dëshmitarëve okularë, si dhe në hartëzimin e rrugëve të ndjekura nga helikopterët amerikanë.

Pavarësisht suksesit të misionit, analistët ushtarakë theksojnë se niveli i rrezikut ishte ekstrem.

“Po flasim për hyrjen në zemër të një shteti sovran për të kapur presidentin e tij. Nëse Rusia apo Kina do të bënin diçka të tillë në Shtetet e Bashkuara, do të ishte një skenar i paimagjinueshëm”, u shpreh oficeri i Forcave Ajrore Amerikane, Wes Bryant, duke shtuar se në rrethana të tjera operacioni me shumë gjasë do të ishte anuluar.

Sipas CNN, operacioni kulmoi me një shkëmbim të ashpër zjarri gjatë fazës përfundimtare, kur helikopterët amerikanë zbritën në lartësi shumë të ulët mbi një kompleks të fortifikuar rëndë brenda bazës ushtarake Fort Tiuna në Karakas. Ky vend identifikohet nga rrjeti amerikan si pika më e mundshme e nxjerrjes së Maduros.

Videot e analizuara tregojnë se, pak para uljes, pati një shkëmbim intensiv zjarri midis helikopterëve sulmues amerikanë dhe mbrojtjes ajrore venezueliane. Analiza dokumenton një periudhë kritike prej rreth dy minutash midis uljes dhe ngritjes së një helikopteri transporti, gjatë së cilës zjarri vazhdoi pa ndërprerje.

Sipas ekspertëve ushtarakë, kjo ishte faza më e rrezikshme e gjithë operacionit, pasi helikopteri lëvizte ngadalë dhe në lartësi shumë të ulët, duke u bërë i prekshëm edhe ndaj armëve të lehta. Rreziku u shtua edhe më shumë nga zgjedhja e pikës së uljes, pikërisht brenda kompleksit ku ndodhej Maduro.

Operacioni në Fort Tiuna ishte planifikuar prej kohësh. Në orët e para të 3 janarit, u krye një seri sulmesh në të gjithë Venezuelën, duke synuar infrastrukturën e radarëve, komunikimeve dhe mbrojtjes ajrore, me qëllim hapjen e një korridori të sigurt për helikopterët e forcave speciale.

Sipas Shefit të Shtabit të SHBA-së, gjeneral Dan Kane, më shumë se 150 avionë u ngritën nga 20 baza tokësore dhe detare. Rreth orës 01:30 sipas kohës lokale, shpërthime u raportuan në qytetin bregdetar Higuerote, rreth 80 kilometra në lindje të Karakasit. CNN gjeo-etiketoi video që tregonin sulme në aeroportin lokal, ku ndodheshin sisteme kundërajrore Buk-M2 të prodhuara në Rusi. Pamjet e mëngjesit tregojnë një lëshues Buk-M2 duke nxjerrë tym.

Ekspertët besojnë se janë përdorur dronë sulmues njëpërdorimësh, të ngjashëm me ata të përdorur gjerësisht në luftën në Ukrainë.

Në orën 01:58, dy helikopterë transporti MH-47 Chinook shfaqen në video duke fluturuar ulët drejt Fort Tiuna, duke ndjekur një luginë të ngushtë ku ndodhet baza ushtarake. Bryant e përshkroi strategjinë e goditjeve paraprake si një formë “kaosi të organizuar”.

Pamjet tregojnë të paktën dy helikopterë që ulen nën zjarr intensiv dhe largohen me shpejtësi, duke transportuar forcat e përfshira në fazën e parë të operacionit. Gjenerali Kane konfirmoi më vonë se forcat amerikane mbërritën në kompleksin ku ndodhej Maduro rreth orës 02:01.

Pasoi sigurimi i zonës dhe arrestimi i presidentit venezuelian. Në fazën e dytë, helikopterët sulmues ofruan mbulim ajror, ndërsa helikopterët e transportit nxorën Maduron dhe forcat që e arrestuan, mes shkëmbimeve të forta zjarri me armë kundërajrore.

Sipas ekspertëve, momentet e uljes dhe ngritjes ishin më të rrezikshmet e operacionit.

“Çdo helikopter është më i cenueshëm një minutë para uljes dhe një minutë pas ngritjes”, theksoi Bryant, duke e përshkruar atë si një “objektiv të lehtë”.

Videot tregojnë se rreth një minutë e 44 sekonda pas uljes, re pluhuri dhe shpërthimesh mbulojnë zonën, përpara se të ngrihet një helikopter Chinook, i ndjekur pak më vonë nga një i dytë. Njëri prej tyre shihet duke u larguar pa drita, duke fluturuar ulët dhe me shpejtësi drejt kodrave përreth.

Deri në orën 03:00, të shtënat në Karakas kishin pushuar, ndërsa rreth një orë më vonë u ndalën edhe fluturimet ajrore. Sipas gjeneralit Kane, forcat amerikane dolën nga hapësira ajrore e Venezuelës në orën 04:29.

Vendndodhja e saktë e kapjes nuk është konfirmuar zyrtarisht. Megjithatë, CNN krahasoi videot nga postimet e mëparshme të Maduros me pikat e uljes së helikopterëve dhe arriti në përfundimin se bëhej fjalë për një rezidencë të fortifikuar rëndë, e rrethuar nga kodra të pjerrëta, mure të larta dhe pika të shumta kontrolli.

Operacioni përfshinte forca tokësore, ajrore dhe detare, si dhe njësi të Delta Force dhe FBI-së, sipas burimeve të CNN. Autoritetet venezueliane raportuan rreth 100 të vrarë, ndërsa Kuba njoftoi për 32 viktima nga Garda Presidenciale. Administrata Trump deklaroi se nuk kishte humbje nga pala amerikane.

Një dokument paraprak i Departamentit amerikan të Drejtësisë paralajmëronte për “rezistencë të konsiderueshme”, duke përmendur dhjetëra sisteme kundërajrore të afta për të rrëzuar helikopterë. Vetë Donald Trump pranoi më vonë se operacioni “mund të kishte shkuar shumë, shumë keq”.

Mbyllet “San Siro”, kur rikthehen Inter dhe Milan

By: Fax Web
23 January 2026 at 17:44

Stadiumi “San Siro” do të mbyllet përkohësisht për ndeshjet e futbollit për shkak të përgatitjeve për Lojërat Olimpike Dimërore “Milano-Cortina 2026”.

Ndeshja e sotme e Interit ndaj Pizës shënon takimin e fundit në këtë impiant përpara ceremonisë hapëse të 6 shkurtit.

Si pasojë, si Interi ashtu edhe Milani do t’i zhvillojnë ndeshjet e tyre si pritës në stadiume alternative ose në transfertë për rreth një muaj.

Interi do të luajë ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Torinos në Monza, ndërsa rikthimi në “Meazza” është parashikuar për sfidën kundër Juventusit më 15 shkurt.

Ndërkohë, Milani pritet të rikthehet në shtëpi në fundjavën e 22 shkurtit përballë Parmës.

❌
❌