Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 21 December 2025Main stream

Aktori Xhenan Sylavej tregon rrugëtimin e tij mes skenës shqiptare dhe asaj turke

21 December 2025 at 11:35

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ Aktori Xhenan Sylavej ndau rrugëtimin e tij artistik dhe përvojën profesionale mes Shqipërisë dhe Turqisë, gjatë pjesëmarrjes në podkastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama.

Ai u diplomua për aktrim në Universitetin e Arteve, nën drejtimin e regjisorit dhe pedagogut të njohur Zhevded Ferri.

Sylavej rrëfeu se ëndrra për t’u bërë aktor ka lindur që në moshën 5-vjeçare, ndërsa ndikim të veçantë kanë pasur edhe serialet turke dhe teknikat e interpretimit të aktorëve, të cilat e shtynë të mendojë për specializim në Turqi.

Pas përfundimit të Universitetit të Arteve, ai mori iniciativën për të vënë në skenë një shfaqje, por si aktor i ri ndjeu nevojën për më shumë përvojë dhe për këtë arsye vendosi të vijonte specializimin edhe për dy vite të tjera në Stamboll, me mbështetjen e familjes.

Gjatë qëndrimit në Turqi, ai mori përsipër një nga sfidat më të rëndësishme të karrierës së tij, organizimin dhe realizimin e shfaqjes “Romeo dhe Zhuljeta”, në bashkëpunim me regjisorin e njohur turk Sakur Gülxümah. “Ishte një rrugë e re, pa garanci, pa shtigje të hapura, por e mbushur me sakrifica, emocione dhe mësime të vlefshme”, u shpreh ai.

Sylavej u rikthye në Shqipëri për arsye familjare, por edhe me një vizion më të gjerë për artin dhe kulturën. Sipas tij, shfaqja “Romeo dhe Zhuljeta” u soll në Shqipëri falë mbështetjes së Ministrisë së Kulturës, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në angazhimin e tij artistik.

Aktualisht, ai ka nisur një projekt të ri, të cilin e ka dorëzuar pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me titull “Viti kalendarik shekspirian”, një nismë që synon të përfshijë institucione të ndryshme kulturore në aktivitete kushtuar veprës së William Shakespeare. /j.p/

The post Aktori Xhenan Sylavej tregon rrugëtimin e tij mes skenës shqiptare dhe asaj turke appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Regjisorja e re Evi Gjoni rrëfen rrugëtimin në kinematografi

21 December 2025 at 11:00

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ Rrugëtimi i regjisores së re Evi Gjoni në kinematografi është ndërtuar mbi pasionin e hershëm për rrëfimin vizual. Me dy filma të shkurtër të përzgjedhur në festivale jashtë vendit dhe me vlerësime kombëtare e ndërkombëtare, ajo po afirmohet si një nga zërat e rinj të kinemasë shqiptare.

Në podkastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama, regjisorja Gjoni tregoi se filmi për të është më shumë sesa profesion, duke e cilësuar atë si një mënyrë për të shprehur identitetin dhe për të ndërtuar ura komunikimi përmes artit.

“Filmi për mua është më shumë se profesion”, u shpreh ajo.

Bijë e Valter Gjonit, i njohur si një figurë emblematike e protokollit në Bashkinë e Tiranës, Evi Gjoni tregoi se lidhja me krijimtarinë ka nisur herët. Gjatë adoleshencës, ajo filloi të shkruante jo në formën e një ditari, por si skenarë me skena të shkurtra, shpesh të ndërthurura me pasionin për fotografinë, për të krijuar imazhe që pasqyronin botën e saj të brendshme dhe realitetin përreth.

Rrugëtimi profesional i saj u formësua nga bashkëpunimi dhe mësimi pranë emrave të njohur të kinemasë shqiptare, si Kristaq Mitro dhe Artan Minarolli, si dhe nga përgatitja në master me Mevlan Shanaj. Një moment i veçantë, sipas saj, ishte takimi me regjisorin Gjergj Xhuvani, pas përfundimit të maturës, i cili e orientoi në përgatitjen për konkursin e Akademisë së Arteve, konkurs që ajo e fitoi.

Gjoni rrëfeu gjithashtu pse Shqipëria mbetet vendi ku ajo synon të vijojë ndërtimin e karrierës së saj, pa pasur në plan largimin jashtë vendit. Ajo theksoi se, ndonëse problematikat profesionale janë të ngjashme kudo, ka zgjedhur të qëndrojë në Shqipëri për shkak të vlerave morale dhe kulturore që, sipas saj, ruhen ende fort në vend. Ajo vlerësoi rolin e komunitetit dhe të familjes, duke i cilësuar si faktorë të rëndësishëm shoqërorë.

“Kam kuptuar se, edhe në raport me kolegët e mi që kam njohur në trajnime, festivale filmi apo aktivitete të tjera ndërkombëtare, ne jetojmë pothuajse njësoj. Kemi të njëjtat problematika dhe na gëzojnë të njëjtat gjëra. Megjithatë, një arsye pse më pëlqen Shqipëria dhe pse kam zgjedhur të mos largohem është fakti se ne nuk i kemi humbur disa vlera morale dhe kulturore, të cilat kolegët e mi që jetojnë në vende të tjera të Europës i kanë humbur. Jo vetëm ne, por edhe pjesa e Ballkanit dhe e Europës Lindore ruan ende disa vlera të rëndësishme. Shoh se ende bëjmë gjëra për komunitetin dhe për njëri-tjetrin, si dhe i kushtojmë një fokus shumë të fortë familjes. Këto janë gjëra që më pëlqejnë dhe ndoshta lidhen edhe me mënyrën se si jam rritur”, u shpreh ajo.

Ajo nënvizoi gjithashtu se perceptimi për Shqipërinë jashtë vendit po ndryshon dhe se ekziston interes i madh për historitë shqiptare. Sipas saj, Shqipëria vlerësohet tashmë shumë më tepër ndërkombëtarisht, duke i atribuar një meritë të veçantë edhe kryeministrit Rama.

“Pata fatin të realizoj dy filma të shkurtër dhe të kem mundësinë ta përfaqësoj Shqipërinë edhe jashtë vendit. Aty kam kuptuar se imazhi për Shqipërinë është ndryshe kudo që ne shkojmë dhe se, me kalimin e kohës, ky perceptim ka ndryshuar. Kjo besoj edhe falë punës suaj, kryeministër. Shoh se ka interes të madh për historinë shqiptare dhe për vendin tonë, kudo ku shkojmë. Në çdo moment që marr pjesë në një trajnim apo festival, nuk jam vetëm Evi, por jam Evi Gjoni nga Shqipëria dhe, dashje pa dashje, bëhesh ambasadore e vendit tënd. Kjo është gjithmonë një përgjegjësi e madhe”, tha ajo.

Regjisorja u shpreh optimiste për të ardhmen e sektorit të kinemasë në Shqipëri, duke përmendur nismat institucionale në fushën e kulturës dhe bashkëpunimet ndërkombëtare, përfshirë edhe ardhjen e një grupi profesionistësh që punojnë në Hollywood, të cilat po krijojnë mundësi të reja për artistët e rinj dhe po e bëjnë vendin një hapësirë gjithnjë e më tërheqëse për krijimtarinë filmike.

Në fund Gjoni i dhuroi kryeministrit rama librin e shkruar nga i ati, Valteri “Qytetarët e nderit të Tiranës”. /j.p/

The post Regjisorja e re Evi Gjoni rrëfen rrugëtimin në kinematografi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kur pasioni bëhet profesion, historia e Aeda Durishtit në art dhe modë

21 December 2025 at 10:25

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ Aeda Durishti, 20 vjeçe, aktualisht studente në Universitetin e Arteve në degën pikturë–tekstil–modë, ndau historinë e saj të rrugëtimit në art, si një shembull frymëzues për të rinjtë që synojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.

E ftuar në podkastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama, Aeda tregoi se kontaktin e parë me botën e modës e pati që në moshën 11-vjeçare.

Sot, ajo zotëron një atelie veshjesh, punon si moderatore në televizion dhe jep mësim pikture, duke e shndërruar pasionin në profesion.

Sipas saj, prindërit luajtën një rol kyç në këtë rrugëtim, pasi vunë re herët prirjet e saj për pikturën dhe e mbështetën duke e regjistruar në një kurs arti.

“Punova shumë dhe, hap pas hapi, pa e kuptuar, e gjeta veten në liceun artistik”, rrëfeu Aeda, duke theksuar se kjo shkollë i dha jo vetëm formim artistik.

Ajo pranoi se ka qenë e dyzuar për zgjedhjen mes pikturës dhe dizajnit të modës, sidomos për shkak të paragjykimit se piktura nuk ofron siguri ekonomike.

Megjithatë, realiteti, sipas saj, ka qenë i kundërt. Edhe pse zgjodhi fashion design si degë studimi, të ardhurat kryesore i ka siguruar nga piktura.

Për këtë arsye, ajo apeloi prindërit që të mbështesin ëndrrat dhe talentet e fëmijëve të tyre, duke besuar se pasioni, kur shoqërohet me punë dhe përkushtim, mund të kthehet në një rrugë të qëndrueshme profesionale. /j.p/

The post Kur pasioni bëhet profesion, historia e Aeda Durishtit në art dhe modë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sistemi shëndetësor parësor, në gatishmëri gjatë festave të fundvitit

21 December 2025 at 09:30

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ Gjatë periudhës së festave të fundvitit, sistemi shëndetësor parësor në të gjithë vendin do të vijojë punën pa ndërprerje, me qëllim garantimin e shërbimeve të menjëhershme dhe cilësore për qytetarët.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, zhvilloi një takim pune me stafin drejtues të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH), ku u diskutuan masat organizative dhe koordinuese për përballimin e fluksit të shtuar të kërkesave gjatë sezonit festiv.

Në fokus të takimit ishte forcimi i gatishmërisë së strukturave shëndetësore, sigurimi i vijimësisë së shërbimeve dhe rritja e vëmendjes ndaj emergjencave shëndetësore që mund të shfaqen gjatë festave.

OSHKSH administron dhe koordinon një rrjet të gjerë kombëtar, i përbërë nga katër drejtori rajonale, 36 njësi vendore, spitale rajonale, bashkiake dhe ditore, si dhe 362 qendra shëndetësore, duke luajtur një rol kyç në funksionimin e sistemit shëndetësor parësor në vend.

Autoritetet shëndetësore sigurojnë se të gjitha strukturat do të jenë në gatishmëri të plotë për t’u ofruar qytetarëve kujdes shëndetësor të vazhdueshëm dhe të sigurt gjatë gjithë periudhës së festave të fundvitit. /j.p/

The post Sistemi shëndetësor parësor, në gatishmëri gjatë festave të fundvitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Kolonat zanore të kinemasë shqiptare në një koncert homazh

19 December 2025 at 22:59

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Teatri Metropol hapi dyert për dy net me radhë në koncertin kushtuar muzikës së filmit shqiptar, duke sjellë në skenë tingujt që kanë shoqëruar disa prej veprave më të rëndësishme të kinemasë sonë.

Nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja dhe me interpretimin e orkestrës simfonike SinfoArt, publiku u përfshi në një atmosferë emocionesh, kujtimesh dhe nostalgjie.

Gjatë koncertit u interpretuan kolonat zanore që kanë bërë histori, duke rikthyer në vëmendje vepra të kompozitorëve të shquar shqiptarë.

Para një publiku të gjerë u interpretuan krijime të Çesk Zadeja nga “Skënderbeu – Suite”, muzika prekëse e Aleksandër Lalo për filmin “Dimri i fundit”, si dhe kompozimet e Robert Radojës në “Mëngjese lufte”.

Publiku dëgjoi gjithashtu veprat emblemë të Aleksandër Peçit për “Gjeneral Gramafoni”, meloditë e paharrueshme të Limoz Dizdarit nga “Rrugë të bardha” dhe “Mësuesja”, kompozimet plot ndjeshmëri të Hajg Zaharian nga “Besa e kuqe” dhe “Dora e ngrohtë”, si dhe kolona zanore e dashur e Agim Krajkës nga “Zonja nga qyteti”.

Një vend të veçantë në program zunë edhe veprat e Kujtim Laros nga filmat “Liri a vdekje”, “Nusja dhe shtetrrethimi” dhe “Lulëkuqe mbi mure”, të cilat u pritën me duartrokitje nga publiku.

Koncerti u shndërrua në një mbrëmje homazh për muzikën e filmit shqiptar, duke i dhënë tingujve të njohur një frymëmarrje të re përmes interpretimit simfonik dhe duke dëshmuar vlerën e tyre të qëndrueshme në kujtesën kulturore shqiptare.

Momente nga koncerti i muzikës së filmit shqiptar- Foto: Andrin Hoxha
1 nga 11
Momente nga koncerti i muzikës së filmit shqiptar- Foto: Andrin Hoxha

/a.f/r.e/

The post Kolonat zanore të kinemasë shqiptare në një koncert homazh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj pret gazetarët për festat e fundvitit, vlerëson përgjegjësinë e medias ndaj interesit publik

19 December 2025 at 22:39

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi pasditen e sotme pritjen tradicionale me rastin e festave të fundvitit me gazetarë dhe përfaqësues të medieve.

Kreu i Shtetit u uroi profesionistëve të medias një vit të ri plot suksese, duke theksuar se ky takim shkon përtej karakterit festiv dhe përfaqëson një shenjë mirënjohjeje për punën dhe përkushtimin e tyre të përditshëm.

Presidenti Begaj vlerësoi rolin e gazetarisë si një profesion me sfida të mëdha dhe me përgjegjësi të lartë publike.

“Gjithmonë kam menduar se profesioni i mjekut është më i bukuri në botë. Në fakt jam gabuar, sepse, siç e thotë edhe shkrimtari kolumbian Gabriel García Márquez, gazetaria është profesioni më i bukur në botë. Është një profesion i vështirë, me shumë sfida, por me një përgjegjësi edhe më të madhe. Mjekët e kanë përgjegjësinë ndaj individit, ndërsa ju keni përgjegjësinë ndaj interesit publik. Ju keni qenë të pranishëm kudo, duke u përkushtuar dhe angazhuar gjithmonë”, u shpreh Begaj.

Duke vlerësuar angazhimin e vazhdueshëm të gazetarëve në çdo situatë, Presidenti u shpreh se përkushtimi dhe prania e tyre janë thelbësore për funksionimin e demokracisë dhe për forcimin e besimit të publikut.

Begaj falënderoi përfaqësuesit e medieve për kontributin e dhënë gjatë gjithë vitit, duke nënvizuar se përgjegjësia për informimin e saktë dhe të vërtetë është ajo që e bën gazetarinë një profesion për të qenë krenar.

Presidenti Begaj pritje me gazetaret per festat e fundvitit
1 nga 9

/r.e/a.f/

The post Begaj pret gazetarët për festat e fundvitit, vlerëson përgjegjësinë e medias ndaj interesit publik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Kërcim pa kufij”, koncerti i Ansamblit Folklorik të Ukrainës në Tiranë

19 December 2025 at 20:51

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Për herë të parë Ansambli Folklorik i Ukrainës, i përbërë nga 28 artistë të këngës dhe valleve tradicionale shqiptare, bij e bija të diasporës, të lindur dhe rritur larg atdheut, por me rrënjë të thella në kulturën, kujtesën dhe shpirtin shqiptar, iu bashkua Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë në koncertin “Kërcim pa Kufij”, i zhvilluar në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Në skenë, ansambli shqiptar i këngëve dhe valleve “Colorit” dhe grupi i valleve “Ilyria” nga fshati Karakurt, të cilët përfaqësojnë diasporën shqiptare në Ukrainë, solli elementë të trashëgimisë kulturore shqiptare, të ruajtur dhe zhvilluar gjatë shekujve në Ukrainë, duke krijuar një bashkim të fuqishëm midis traditave të brendshme dhe diasporës.

Çdo kërcim, çdo tingull dhe çdo kostum i ngjyrosur shprehnin lidhjen e thellë me atdheun dhe identitetin shqiptar.

Sonte, përmes ritmit, kostumit dhe këngës, kufijtë gjeografikë u tretën. Foli shpirti që nuk njeh kufij.

Koncerti tregoi se kultura dhe arti mund të bashkojnë njerëzit edhe në kohë sfidash dhe se rrënjët kulturore nuk harrohen kurrë.

1 nga 4

/r.e/a.f/

The post “Kërcim pa kufij”, koncerti i Ansamblit Folklorik të Ukrainës në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Kodi i ri Penal synon transparencë dhe kufizon hapësirën për interpretim

19 December 2025 at 19:15

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, zhvilluan sot tryezën e dytë konsultative me përfaqësues të biznesit, dhomave të tregtisë dhe aktorëve të tjerë ekonomikë, për të diskutuar draftin e Kodit të Ri Penal.

Takimi u fokusua tek dispozitat që ndikojnë direkt ambientin e biznesit, konkurrencën e ndershme, marrëdhëniet e punës, si dhe mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe industriale.

Ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e konsultimeve të hapura me biznesin për të ndërtuar një kuadër ligjor të qartë, të zbatueshëm dhe të harmonizuar me standardet e Bashkimit Europian, që ofron siguri juridike dhe mbështet zhvillimin ekonomik.

“Kodi i ri Penal parashikon komponentë që lidhen me tatimet, doganat, konkurrencën, marrëdhëniet e punës, proceset e falimentit dhe parandalimin e pastrimit të parave. Qëllimi ynë është që Kodi të tregojë transparencë, të lërë më pak hapësirë për interpretim dhe të krijojë drejtësi për të gjithë”, tha ministrja Ibrahimaj.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, nënvizoi se parandalimi i abuzimit, lufta ndaj ekonomisë informale dhe garantimi i konkurrencës së ndershme janë prioritetet kryesore në dispozitat që lidhen me sipërmarrjen.

Sipas Lamallarit, procesi i konsultimeve përfshin gjithsej 23 tryeza dhe synon të sigurojë që Kodi i Ri Penal të jetë i balancuar, funksional dhe në përputhje me standardet më të larta evropiane.

“Tryezat e konsultimit nuk janë thjesht një formalitet institucional, por një hap konkret drejt një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, ku zëri i të gjitha palëve të interesuara e grupeve të interesit, përfshi përfaqësues të sipërmarrjes, profesionistëve dhe aktorëve ekonomikë është thelbësor për të garantuar një kuadër penal të drejtë, të balancuar dhe funksional. Parandalimi i abuzimit, lufta ndaj ekonomisë informale, parashikueshmëria dhe garantimi i konkurrencës së ndershme në treg janë prioriteti ynë kryesor kur është fjala për dispozitat që lidhen direkt me sipërmarrjen”, tha ai.

/r.e/a.f/

The post Ibrahimaj: Kodi i ri Penal synon transparencë dhe kufizon hapësirën për interpretim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Central i ri fotovoltaik me fuqi 49,96 MW në Finiq

19 December 2025 at 20:54

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për ndërtimin e një centrali fotovoltaik me kapacitet 49,96 MW në njësinë administrative Mesopotam, Bistricë, bashkia Finiq, projekt i cili do të realizohet nga kompania shqiptare “GREENSOL”, sh.p.k.

Sipas vendimit, ndërtimi dhe pajisja me leje do të përfundojnë brenda 36 muajve, ndërsa impianti do të operojë për 49 vjet.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore do të kryejnë mbikëqyrje të rregullt çdo tre muaj për të monitoruar ecurinë, cilësinë dhe përputhshmërinë me projektin.

Kompania “GREENSOL” do të raportojë periodikisht progresin e ndërtimit, do të respektojë të gjitha lejet mjedisore dhe do të sigurojë një kontratë investimi prej të paktën 5% të vlerës totale.

Përveç kësaj, 2% e energjisë së prodhuar do t’i jepet Ministrisë së Energjisë falas ose do të konvertohet në vlerë monetare për buxhetin e shtetit, ndërsa një pjesë e prodhimit mund t’i shitet furnizuesit publik sipas legjislacionit.

/r.e/a.f/

The post Central i ri fotovoltaik me fuqi 49,96 MW në Finiq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rindërtimi, mbi 1,25 miliardë lekë për bashkitë Durrës, Shijak, Kurbin dhe Kamëz

19 December 2025 at 18:22

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot një seri vendimesh për përdorimin e fondeve të rindërtimit të vitit 2025, për të financuar rindërtimin e banesave dhe infrastrukturës në zonat e prekura nga tërmeti i nëntorit 2019, duke siguruar kështu përshpejtimin e rikuperimit të zonave të prekura.

Bashkia Durrës do të përfitojë 169,85 milionë lekë për rikonstruksionin e njësive individuale të banimit të dëmtuara lehtë ose rëndë nga tërmeti, duke përfshirë punime riparimi dhe rikonstruksioni të objekteve që nuk duhet rindërtuar nga e para.

Bashkia Shijak do të marrë mbi 78,24 milionë lekë. Nga këto, 5,31 milionë lekë për riforcimin e banesave me dëmtime të rënda (DS4) dhe 72,93 milionë lekë për punime rikonstruksioni të banesave individuale.

Bashkia Kurbin është një nga përfituesit më të mëdha, me rreth 518,97 milionë lekë të caktuara për rindërtimin e njësive të banimit në pallate dhe truall ekzistues. Nga këto, 104,05 milionë lekë për njësitë që duhet ndërtuar nga e para, 124,04 milionë lekë për njësitë në pallate dhe 130,18 milionë lekë për njësitë e tjera banimi në truall ekzistues.

Për rikonstruksionin e objektit të Komisariatit të Policisë nr. 5 në Kamzë janë caktuar 3,69 milionë lekë.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të marrë 185,85 milionë lekë për ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike në zonat e reja të zhvillimit, duke përfshirë bashkitë Durrës, Kamzë, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak dhe Vorë.

Nga këto, 167,26 milionë lekë do të përdoren për programet e zhvillimit dhe ndërtimit të infrastrukturës në zonat prioritare.

Të gjitha këto fonde do të transferohen në formë të pakushtëzuar për bashkitë përkatëse, duke garantuar realizimin e punimeve të nevojshme, përmirësimin e sigurisë së banesave dhe infrastrukturës, si dhe përshpejtimin e rikuperimit të zonave të prekura.

/r.e/a.f/

The post Rindërtimi, mbi 1,25 miliardë lekë për bashkitë Durrës, Shijak, Kurbin dhe Kamëz appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Po pengohet shqyrtimi i kërkesës për heqjen e imunitetit të Ballukut

19 December 2025 at 17:40

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, po pengohet në Komisionin e Mandateve shqyrtimi i kërkesës për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut.

Në një deklaratë për mediet, Berisha tha se kryetari i Komisionit të Mandateve nuk u ka vënë në dispozicion deputetëve anëtarë të komisionit materialet e prokurorisë që, sipas tij, lidhen me çështjen në shqyrtim.

Ai shtoi se mbledhja e komisionit u ndërpre pas 6 orësh diskutime, pa u marrë një vendim për kërkesën e paraqitur.

Kreu i Partisë Demokratike deklaroi se opozita e konsideron këtë situatë si pengesë për funksionimin normal të institucioneve dhe për vijimin e procesit ligjor.

“Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe aktin antikushtetues të fshehjes së provave të krimit dhe bllokimin e drejtësisë nga Edi Rama. Partia Demokratike i thotë Edi Ramës dhe Ballukut se asgjë në botë nuk ju shpëton ju nga ndëshkimi ligjor i merituar për vjedhjet tuaja”, deklaroi ai.

/a.f/r.e/

The post Berisha: Po pengohet shqyrtimi i kërkesës për heqjen e imunitetit të Ballukut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministria e Financave emeton për herë të parë obligacione 2,5-vjeçare

19 December 2025 at 17:25

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Ministria e Financave do të përdorë për herë të parë obligacione 2,5-vjeçare për huamarrjen e brendshme gjatë vitit 2026. Ankandi i parë për këtë instrument është planifikuar të zhvillohet në janar, ndërsa dy rihapje të tjera do të realizohen në muajt shkurt dhe mars.

Për tremujorin e parë të vitit 2026 parashikohet emetimi i një borxhi të ri prej 134 miliardë lekësh. Në total, gjatë vitit 2026 vlera e emetimeve të bonove dhe obligacioneve në tregun e brendshëm pritet të arrijë në 380,1 miliardë lekë, ndërsa huamarrja neto do të jetë rreth 45 miliardë lekë, më e ulët se në vitin 2025, kur huamarrja neto llogaritet 50 miliardë lekë.

Tregu i titujve të borxhit qeveritar ka shënuar rënie të yield-eve gjatë dy viteve të fundit, si pasojë e kërkesës më të moderuar të qeverisë dhe përmirësimit të vlerësimit të riskut sovran, çka ka nxitur interesin e investitorëve vendas dhe ndërkombëtarë.

Borxhi publik bruto pritet të vijojë trajektoren rënëse, duke zbritur në rreth 54,1 për qind të PBB-së në vitin 2025 dhe në rreth 53,6 për qind në vitin 2026, me projeksione që e çojnë në rreth 46,4 për qind në vitin 2031.

Gjatë periudhës janar-shtator 2025 huamarrja bruto arriti në 365.8 miliardë lekë, në përputhje me buxhetin dhe planin vjetor të huamarrjes.

Rreth 78,7% e financimit u sigurua nga tregu i brendshëm dhe 21,3% nga burime të huaja.

Në tregun vendas u emetuan 288 miliardë lekë tituj shtetërorë, me një orientim më të madh drejt instrumenteve afatgjata, ndërsa kërkesa në ankande tejkaloi ofertën pothuajse në të gjitha rastet.

1 nga 3

/r.e/a.f/

The post Ministria e Financave emeton për herë të parë obligacione 2,5-vjeçare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkëmbimet tregtare me Turqinë, mbi 82 miliardë lekë gjatë 11-mujorit

19 December 2025 at 08:12

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Turqia vijon të mbetet partner i rëndësishëm i Shqipërisë në tregtinë ndërkombëtare.

Instituti i Statistikave publikoi së fundmi raportin mbi tregtinë e jashtme për periudhën janar-nëntor sipas të cilit Turqia renditet partneri i dytë tregtar, duke zënë 7,3% të vëllimit.

Shkëmbimet tregtare me Turqinë njohën rritje në 11 muajt e këtij viti, duke arritur në 82,3 miliardë lekë.

Referuar të dhënave për periudhën janar-nëntor eksportet shqiptare drejt Turqisë llogariten 4,8 miliardë lekë, nga 4,7 miliardë lekë që ishin 11-mujorin e 2024, ndërsa importet për periudhën 11-mujore llogariten 77,5 miliardë lekë.

Nga Turqia, në periudhën janar-nëntor janë importuar 25,4 miliardë lekë materiale ndërtimi dhe metale, si dhe 9,3 miliardë lekë tekstile dhe këpucë. Ndërkohë importi i produkteve kimike dhe plastike llogaritet 10,7 miliardë lekë.

Produktet më të eksportuara janë mineralet dhe metalet, bimët aromatike e mjekësore, dhe produktet fason.

Shqipëria ka një marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë, të nënshkruar në vitin 2006, dhe e cila ka hyrë në fuqi në maj 2008. Nëpërmjet kësaj marrëveshje dy vendeve u krijohen mundësi për rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet tyre.

Eksportuesit shqiptarë mund të përfitojnë nga marrëveshja e tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe Turqisë, e cila u jep atyre mundësinë e eksportit të një numri produktesh shqiptare në tregun rajonal pa tarifa doganore ose me kuota tarifore.

Eksportet e produkteve industriale me origjinë shqiptare janë të liberalizuara. Ndërkohë, për produktet bujqësore palët i kanë akorduar reciprokisht njëra-tjetrës tarifa preferenciale dhe kuota tarifore. /j.p/r.e/

The post Shkëmbimet tregtare me Turqinë, mbi 82 miliardë lekë gjatë 11-mujorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lantona Sado zgjidhet drejtore e përgjithshme e INSTAT-it

18 December 2025 at 11:22

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Kuvendi miratoi sot në seancë plenare, me 75 vota pro, emërimin e Lantona Sados në detyrën e Drejtores së Përgjithshme të Institutit të Statistikave (INSTAT).

Këshilli i Ministrave i kishte propozuar Kuvendit tre kandidatura për këtë pozicion, mes të cilave edhe Elsa Dhuli, e cila aktualisht mban postin e drejtores së INSTAT-it, si dhe Ledjon Shahinin.

Gjatë dëgjesës në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Sado prezantoi vizionin e saj për drejtimin e institucionit.

Në fjalën e saj, ajo theksoi rolin strategjik të INSTAT-it, veçanërisht në një kohë kur prodhimi, analiza dhe komunikimi i informacionit statistikor kërkojnë standarde gjithnjë e më të larta.

Sipas saj, statistikat zyrtare zhvillohen në një kontekst ku kërkohet rritje e transparencës, përdorim i inovacionit në produktet statistikore dhe forcim i mëtejshëm i besueshmërisë së të dhënave.

“Roli i INSTAT-it është strategjik në mbështetje të përmbushjes së kritereve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, u shpreh Sado, duke theksuar rëndësinë e përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së statistikave zyrtare në rrugën e re që Shqipëria synon të ndjekë drejt integrimit europian. /j.p/

The post Lantona Sado zgjidhet drejtore e përgjithshme e INSTAT-it appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Transformimi digjital duhet të fuqizojë qytetarët

17 December 2025 at 16:00

TIRANË, 17 dhjstor/ATSH/ Në kuadër të Forumit të Nivelit të Lartë WSIS+20, që u mbajt në Nju-Jork, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se sfida kryesore e dekadës së ardhshme nuk është më rëndësia e transformimit digjital, por mënyra se si ai qeveriset dhe se kush përfiton prej tij.

Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj nënvizoi se ndonëse progresi në lidhshmëri dhe akses është i pamohueshëm, pabarazitë digjitale vazhdojnë të ekzistojnë, duke u shfaqur sot në forma më komplekse, të lidhura me aftësitë, përballueshmërinë, sigurinë, besimin dhe kapacitetet institucionale.

“Për Shqipërinë, këto nuk janë çështje teorike. Gjatë dekadës së fundit kemi ndërmarrë një transformim të shpejtë digjital, i cili ka përmirësuar ndjeshëm efikasitetin, transparencën dhe aksesin në shërbimet publike. Por kjo përvojë ka treguar gjithashtu se aksesi i vetëm nuk mjafton”, u shpreh ministrja.

Ibrahimaj theksoi se rezultati i WSIS+20 duhet të udhëhiqet nga tre parime themelore;  vendosja e njeriut dhe të drejtave të tij në qendër të transformimit digjital; trajtimi i përfshirjes digjitale si objektiv zhvillimi përmes investimit në aftësi, arsim dhe kapacitete; forcimi i bashkëpunimit shumëpalësh dhe shumëaktorësh për të adresuar sfidat globale digjitale

Duke iu referuar zhvillimeve të shpejta teknologjike, përfshirë inteligjencën artificiale, Ibrahimaj nënvizoi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, privatësisë së të dhënave dhe vlerave demokratike, si themel për ndërtimin e besimit publik në shërbimet digjitale.

“WSIS Plus 20 nuk duhet të përfundojë me një deklaratë formale, por të ofrojë drejtim të qartë strategjik, të lidhur ngushtë me zbatimin e Paktit Digjital Global dhe proceset e ardhshme digjitale të Kombeve të Bashkuara”, theksoi ajo.

Ibrahimaj rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë, në rolin e bashkëlehtësuesit, për të kontribuar në një rezultat gjithëpërfshirës, ambicioz dhe të bazuar në përgjegjësi të përbashkët. /j.p/

The post Ibrahimaj: Transformimi digjital duhet të fuqizojë qytetarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Strategjia Minerare, 19,47 miliardë lekë investime deri në vitin 2040

17 December 2025 at 15:41

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjinë nxori për konsultim publik Strategjinë Kombëtare Minerare 2026-2040, e cila, krahas objektivave për zhvillimin e një sektori minerar konkurrues dhe të qëndrueshëm, parashikon edhe një paketë të konsiderueshme investimesh publike dhe private për modernizimin e industrisë minerare në 15 vitet e ardhshme.

Strategjia synon ta zhvendosë sektorin nga eksporti i lëndëve të para të papërpunuara drejt rritjes së përpunimit dhe vlerës së shtuar brenda vendit, duke e pozicionuar Shqipërinë si furnizues të besueshëm të lëndëve të para kritike për tregun evropian, si kromi, nikeli, bakri, boksiti, titani, fosforiti dhe mangani. Objektivat kryesore përfshijnë përdorimin e qëndrueshëm të burimeve minerare, integrimin në zinxhirët e furnizimit të BE-së, rritjen e sigurisë mjedisore dhe në punë, si dhe nxitjen e inovacionit dhe digjitalizimit në aktivitetet minerare.

Strategjia parashikon një rritje të ndjeshme të mbështetjes financiare për sektorin minerar, veçanërisht në fazën e parë 2026-2030, e lidhur me procesin e integrimit evropian dhe zbatimin e Strategjisë së Specializimit Inteligjent. Sipas vlerësimeve, për periudhën 2026-2040 nevojiten investime totale nga 12,35 miliardë lekë deri në 19,47 miliardë lekë, ose nga rreth 115 milionë euro deri në 181 milionë euro, në varësi të skenarit të zgjedhur për ritmin e zgjerimit të investimeve.

Vetëm në fazën 2025-2030, parashikohet një financim prej rreth 5,9 miliardë lekësh, ekuivalente me afro 55 milionë euro, ose mesatarisht rreth 11 milionë euro në vit, pothuajse dyfish më i lartë se buxheti mesatar historik vjetor i sektorit, i cili ka qenë rreth 5,1 milionë euro. Këto fonde do të orientohen kryesisht drejt modernizimit teknologjik, digjitalizimit të monitorimit minerar, kërkim-zbulimit gjeologjik, si dhe standardizimit të burimeve sipas klasifikimit ndërkombëtar UNFC.

Në fazën e dytë, për periudhën 2031-2040, buxheti vjetor për sektorin parashikohet të rritet me rreth 3% në vit, me qëllim ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale dhe vijueshmërinë e investimeve, veçanërisht në infrastrukturën minerare, riciklimin dhe zhvillimin e zinxhirit të plotë të vlerës për lëndët e para kritike dhe strategjike.

Financimi i strategjisë do të mbështetet në një kombinim burimesh, ku 40-50% e kostove pritet të mbulohen nga buxheti i shtetit, 25-35% nga fondet e Bashkimit Evropian dhe donatorë të tjerë ndërkombëtarë, ndërsa 15-25% nga investimet private, sidomos në përpunim, riciklim dhe projekte strategjike të lëndëve të para kritike. Ky angazhim financiar synon ta çojë sektorin minerar nga një industri kryesisht nxjerrëse drejt një sektori me vlerë të shtuar, më të sigurt për punonjësit dhe më të qëndrueshëm për mjedisin, duke konsoliduar rolin e tij në ekonominë kombëtare deri në vitin 2040.

Dokumenti parashikon forcimin e kërkimit gjeologjik, rritjen e kapaciteteve për përpunim dhe riciklim, bashkimin gradual të njësive të vogla prodhuese dhe ndërprerjen e aktivitetit në lejet minerare pa rezerva ose me rrezik të lartë për sigurinë. Strategjia synon gjithashtu zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe kërkimore, përmes bashkëpunimit mes universiteteve, institucioneve shkencore dhe industrisë, me qëllim krijimin e një sektori minerar modern, të sigurt dhe të qëndrueshëm deri në vitin 2040.

Sipas dokumentit, sektori minerar vijon të ketë një peshë të rëndësishme në ekonomi, duke kontribuar mesatarisht 1,4-1,6% në Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe 9,7-14,5% në eksportet totale të vendit.

Aktualisht, në Shqipëri janë aktive 579 licenca minerare, ndërsa në vitin 2024 investimet në makineri dhe teknologji në sektor arritën mbi 5,3 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 2,8%.

Prodhimi i mineraleve metalore arriti në 1,83 milionë tonë, ose 21,6% më shumë se një vit më parë, me rritje të ndjeshme të prodhimit të bakrit dhe kromit, duke reflektuar interesin në rritje të tregjeve ndërkombëtare për këto lëndë të para.

The post Strategjia Minerare, 19,47 miliardë lekë investime deri në vitin 2040 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Eksportet, rënie me 7% gjatë 11-mujorit

17 December 2025 at 13:30

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Aktiviteti tregtar në vend u ngadalësua gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti.

Referuar raportit të Institutit të Statistikave (INSTAT), për tregtinë e jashtme eksportet e mallrave gjatë 11-mujorit arritën 319 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 7%, ndërsa importet u ulën me 1%, duke arritur 807 miliardë lekë.

Deficiti tregtar për periudhën janar-nëntor ishte 488 miliardë lekë, duke u rritur me 3,4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Ndikimin kryesor në uljen e eksporteve e dha grupi i materialeve të ndërtimit dhe metale me 5%, pasuar nga grupi i mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike me 1,6, ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet ushqime, pije, duhan me 0,8% dhe makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi me 0,6.

Gjatë njëmbëdhjetëmujorit, importet nga Italia u ulën me 1,8%, nga Turqia me 12,5% dhe Gjermania me 6,2%, ndërsa rritje shënuan importet nga Kina me 22,6%, Greqia me 3,5% dhe Kosova me 2,2%. /j.p/r.e/

The post Eksportet, rënie me 7% gjatë 11-mujorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ERE mban të njëjtat tarifa për tregun e bursës së energjisë edhe në vitin 2026

17 December 2025 at 11:52

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Enti Rregullator i Energjisë (ERE) vendosi që tarifat e Operatorit të Emëruar të Tregut të Energjisë Elektrike (NEMO) institucioni që organizon dhe administron tregun/bursën e energjisë elektrike, të mos ndryshojnë dhe të mbeten të njëjta edhe për vitin 2026.

Vendimi u mor pas shqyrtimit të kërkesës së shoqërisë ALPEX sh.a. për tarifa të reja për vitin 2026.

Sipas ERE-s, ALPEX nuk ka përfunduar ende ndarjen e llogarive financiare midis aktivitetit të bursës së energjisë dhe aktivitetit si NEMO, gjë që e bën të pamundur llogaritjen e saktë të kostove dhe të ardhurave vetëm për NEMO-n.

ERE thekson se aktiviteti i NEMO-s gjatë vitit 2025 ka qenë i kufizuar dhe se ALPEX ka ushtruar kryesisht funksionin e bursës së energjisë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Për këtë arsye, autoriteti rregullator ka vendosur që për vitin 2026 të vazhdojnë të zbatohen tarifat e miratuara më parë, pa ndryshime.

Në vendim sqarohet se çdo diferencë e mundshme në të ardhura, më shumë ose më pak se sa lejohet, do të rregullohet më vonë, në momentin që ALPEX të paraqesë një kërkesë të plotë dhe të ndarë sipas rregullave përkatëse.

Vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare. Palët e interesuara kanë të drejtë të kërkojnë rishikim të vendimit ose të ankohen në gjykatë, sipas afateve ligjore.

Gjatë vitit 2024 në Tregun e Ditës në Avancë u tregtua një volum total prej 1,172,580.58 MWh energji elektrike, me një çmim klerues mesatar prej 112.01 €/MWh. Nga Shqipëria drejt Kosovës u eksportuan 27,816.94 MWh, ndërsa nga Kosova drejt Shqipërisë u importuan 241,097.29 MWh. Ofertat në blerje arritën në 1,534,425.97 MWh, ndërsa ofertat në shitje u regjistruan në nivelin 1,868,626.34 MWh.

Rekordi i tregtimit për një Njësi Kohore të Tregut (MTU) u regjistrua më 19 maj 2024 me 497.87 MWh, ndërsa rekordi ditor i tregtimit u arrit më 23 maj 2024 me 7,816.05 MWh.

Rekordi mujor i tregtimit u shënua në muajin maj me një volum prej 133,906.13 MWh, ndërsa rekordi i rrjedhës së energjisë ndërkufitare u regjistrua në muajin qershor me 41,859.80 MWh nga Kosova drejt Shqipërisë.

Në aspektin financiar, faturimi total i tregut për blerje dhe shitje arriti vlerën 301 milionë euro. /j.p/

The post ERE mban të njëjtat tarifa për tregun e bursës së energjisë edhe në vitin 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çmimet e energjisë elektrike mbeten të pandryshuara edhe për vitin 2026

17 December 2025 at 11:10

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Enti Rregullator i Energjisë (ERE) vendosi që çmimet e shitjes me pakicë të energjisë elektrike për klientët fundorë që furnizohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) të mbeten në fuqi deri më 31 dhjetor 2026.

Vendimi u mor në mbledhjen e Bordit të ERE-s, pas vlerësimit të treguesve financiarë dhe ekonomikë të FSHU sh.a., nga të cilët rezulton se çmimet në fuqi mbulojnë kostot e aktivitetit dhe garantojnë funksionimin normal të shërbimit edhe për vitin 2026.

Për konsumatorët familjarë që konsumojnë deri në 700 kWh në muaj çmimi është 8,4 lekë/kWh, ndërsa për konsumatorët familjarë që konsumojnë më shumë se 700 kWh në muaj, çmimi është 9,5 lekë/kWh.

Po ashtu, ERE shtyu deri në fund të vitit 2026 edhe vlefshmërinë e çmimit të energjisë elektrike për karikimin e makinave elektrike në pikat/stacionet me fuqi të instaluar mbi 11 kW, të lidhura në nivelin e tensionit 0,4 kV.

Çmimi i energjisë elektrike në pika/stacione karikimi të makinave elektrike me fuqi të instaluar mbi 11 kW, të lidhura në nivelin e tensionit 0,4 kV është 22 lekë/kWh, ndërsa në orarin pik është 25,3 lekë/kWh.

ERE thekson se, në rast se pas rishikimit të tarifave të shpërndarjes së energjisë elektrike do të ketë ndryshime në kostot përkatëse, këto do të reflektohen më pas në çmimet me pakicë për klientët e shërbimit universal, sipas kuadrit ligjor në fuqi.

Vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare.

/r.e/j.p/

The post Çmimet e energjisë elektrike mbeten të pandryshuara edhe për vitin 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj vlerëson rolin e MÜSİAD në forcimin e marrëdhënieve ekonomike Shqipëri-Turqi

16 December 2025 at 19:30

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj mori pjesë në aktivitetin e Shoqatës së Pavarur të Industrialistëve dhe Biznesmenëve turq dhe shqiptarë (MÜSİAD), ku vlerësoi rolin e rëndësishëm të kësaj shoqate në forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Begaj theksoi se MÜSİAD Albania ka konsoliduar praninë e saj në Shqipëri, duke zgjeruar rrjetin e kompanive anëtare dhe duke u shndërruar në një partner aktiv në nxitjen e investimeve dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik.

Ai vlerësoi shoqatën si një urë bashkëpunimi mes sipërmarrjes shqiptare dhe asaj turke.

Presidenti Begaj nënvizoi se marrëdhëniet Shqipëri-Turqi janë të shkëlqyera dhe të qëndrueshme, të mbështetura në miqësi historike, bashkëpunim strategjik dhe interesa të përbashkëta.

Partneriteti ekonomik, sipas kreut të shtetit, është një nga shtyllat kryesore të kësaj marrëdhënieje, me rritje të vazhdueshme të shkëmbimeve tregtare, bashkëpunimit në turizëm dhe interesit për investime reciproke.

Presidenti nënvizoi se ekzistojnë hapësira të mëdha për bashkëpunim në fusha si mbrojtja, bujqësia, arsimi, teknologjia e informacionit, ndërtimi dhe turizmi, duke përmendur edhe Forumin e Investimeve Shqipëri-Turqi si dëshmi të potencialit për kthimin e nismave në projekte konkrete.

Presidenti Begaj shprehu bindjen se përmes partneritetit të sinqertë dhe vizionit të përbashkët të sipërmarrësve të të dyja vendeve, bashkëpunimi ekonomik do të njohë rezultate edhe më të mira në të ardhmen.

1 nga 2

/a.gj/a.f/r.e/

The post Begaj vlerëson rolin e MÜSİAD në forcimin e marrëdhënieve ekonomike Shqipëri-Turqi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌