Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 January 2026Main stream

Padia e kryeministrit në Kushtetuese/ Çupi: Drejtësia ka rënë në pozitat që nuk po kërkon drejtësi, por pushtet

27 January 2026 at 18:53

TIRANË- Gjykata Kushtetuese nuk e ka ende një vendim lidhur me padinë e kryeministrit Edi Rama.

Sot trupa e gjyqtarëve u mblodh, por nuk arriti në përfundim duke kërkuar më shumë kohë për t’u shprehur.

Analisti i njohur Frrok Çupi, u shpreh në “Tirana Live” se si Gjykata Kushtetuese, edhe organet e tjera nuk po japin drejtësi.

Ai shtoi se i gjithë sistemi i drejtësisë po kërkon forcë dhe pushtet, dhe në këtë mënyrë ka braktisur misionin e tij që është dhënia e drejtësisë.

“E shikoj si Gjykatën Kushtetuese, edhe drejtësinë tjetër, që po thotë prisni se do të marrë hov. Drejtësia ka rënë në pozitat që nuk po kërkon drejtësi, por po kërkon pushtet. Sistemi i drejtësisë nuk kërkon drejtësi, por po kërkon forcë”, tha ai.

Në seancën e 22 janarit, qeveria kërkoi shfuqizimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me argumentet se pushteti gjyqësor kishte ndërhyrë në ekzekutiv, dhe pezullimi në këtë rast ishte de fakto shkarkim, duke penguar edhe veprimtarinë e Këshillit të Ministrave. Si palë të interesuara në këtë seancë morën pjesë Kuvendi dhe Presidenca./abcnews.al

Vizita në Izrael/ Çupi: Kryeministri Rama ‘eksportoi’ modelin shqiptar të harmonisë fetare

27 January 2026 at 18:40

TIRANË- Analisti Frrok Çupi, i ftuar në “Tirana Live” tha se kryeministri Edi Rama mbajti fjalën në Parlamentin e Izraelit si shqiptar, por edhe si një europianist.

Ai theksoi se Rama ishte i ftuar në Izrael edhe si një politikan, të cilit nuk i përplasen interesat e ditës, siç ndodh me shumë liderë të tjerë brenda Evropës.

Analisti Rama tha se “eksportoi” me shumë efikasitet modelin e harmonisë dhe të bashkëjetesës fetare, një vlerë kjo dalluese dhe humaniste e popullit shqiptar.

“Ishte në një vend ku para pak kohësh foli dhe presidenti i SHBA, Donald Trump. Kryeministri Edi Rama foli atje si një shqiptar dhe si një evropian, si evropian kishte mesazhin se perëndimi nuk është i ndarë ndërmjet vetes, siç po perceptohet.

E dyta, është ftuar atje si një nga politikanët e Europës, të cilit nuk i përplasen interesat e ditës. Nuk ka interesat e tarifave, zënkave apo interesa të tjerë.

Është një europianist i çliruar prej këtyre. Kryeministri eksporton modelin shqiptar të harmonisë fetare. Rama është përfaqësuesi i një kombi që ka ruajtur vlerat e paqes. Arriti të krijonte një pol tjetër të negociatave, të bashkë-ekzistencës.”, tha ai./abcnews.al

Trump: Irani dëshiron marrëveshje

27 January 2026 at 18:16

 Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Irani dëshiron të arrijë një marrëveshje me Washingtonin, në një kohë kur SHBA-ja ka dislokuar mjete shtesë ushtarake amerikane në rajon, përfshirë një grup goditës me aeroplanmbajtëse.

Në një intervistë për faqen e lajmeve “Axios”, Trump tha se situata me Iranin është “në ndryshim”, duke përmendur mbërritjen e asaj që ai e përshkroi si një “armadë e madhe” pranë Iranit, duke iu referuar dislokimit të një grupi goditës me aeroplanmbajtëse në rajon.

“Ata duan të bëjnë një marrëveshje. E di këtë. Kanë telefonuar në shumë raste. Ata duan të flasin”, shtoi ai.

SHBA-ja dislokoi të hënën Grupin Goditës të Aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln në Lindjen e Mesme, ndërsa Washingtoni forcon qëndrimin e tij rajonal. Aeroplanmbajtësja e klasës Nimitz hyri në rajon “për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, tha Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

Irani është tronditur nga valë protestash që nga muaji i kaluar, duke filluar më 28 dhjetor në Çarshinë e Madhe të Teheranit, për shkak të zhvlerësimit të fortë të rialit iranian dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike. Demonstratat më pas u përhapën në disa qytete të tjera.

Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të “godasë fort” nëse protestuesit vriteshin, por më vonë zbuti retorikën, duke sugjeruar se Teherani ka anuluar qindra ekzekutime të planifikuara.

Zyrtarët iranianë kanë akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për mbështetjen e “trazirave të armatosura” dhe kanë paralajmëruar se çdo sulm amerikan do të shkaktonte një përgjigje “të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse”.

Qershorin e kaluar, Izraeli, me mbështetjen e SHBA-së, nisi një luftë 12-ditore kundër Iranit, duke nxitur sulme hakmarrëse me dronë dhe raketa nga Teherani, përpara se Uashingtoni të njoftonte një armëpushim.

 

SHBA, Britania, Franca dhe Gjermania mirëpresin zgjatjen e armëpushimit në Siri

27 January 2026 at 17:49

SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania përshëndetën sot njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes Siriane për të zgjatur armëpushimin për 15 ditë me grupin terrorist YPG/SDF.

Në një deklaratë të përbashkët, SHBA-ja dhe tre vende evropiane përshëndetën armëpushimin midis ushtrisë siriane dhe YPG/SDF-së duke u bërë thirrje të gjitha palëve që t’i përmbahen në mënyrë strikte armëpushimit dhe të ushtrojnë përmbajtjen e tyre maksimale.

“Ne i nxisim të gjitha palët e jashtme të bashkohen me ne në ndjekje të paqes dhe uljes së dhunës”, thuhet në deklaratën që u lëshua pas një takimi midis ministrit të Jashtëm francez Jean-Noel Barrot, sekretares së Jashtme britanike Yvette Cooper, zëvendësministres së Jashtme gjermane Serap Guler dhe të dërguarit special të SHBA-së, Tom Barrack.

Në deklaratë, ata përsëritën detyrimet e të gjitha palëve për të mbrojtur civilët dhe infrastrukturën civile ndërsa mirëpritën krijimin e korridoreve humanitare për të siguruar shpërndarjen e sigurt dhe të papenguar të ndihmës humanitare.

“Ne i nxisim të gjitha palët që të bien dakord shpejt për një armëpushim të përhershëm dhe të rifillojnë sa më shpejt të jetë e mundur negociatat që synojnë integrimin paqësor dhe të qëndrueshëm të Sirisë verilindore në një shtet unitar dhe sovran që respekton dhe mbron në mënyrë efektive të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, bazuar në marrëveshjen e 18 janarit 2026 si rruga më efektive drejt stabilitetit në Siri”, thuhet në deklaratë.

Ata u bënë thirrje të gjitha palëve të shmangin “çdo boshllëk sigurie” në dhe përreth qendrave të paraburgimit të ISIS (DEASH) dhe deklaruan se për të adresuar këto shqetësime palët ranë dakord të thërrasin menjëherë takim të koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it.

“Ne riafirmojmë mbështetjen tonë për një tranzicion politik gjithëpërfshirës në Siri, i cili mbron të drejtat e të gjithë sirianëve dhe theksojmë se stabilizimi i Sirisë verilindore përmes mjeteve paqësore përbën përparësi qendrore për parandalimin e një ringjalljeje të terrorizmit dhe për sigurinë rajonale”, thuhet ndër të tjera.

SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania nënvizuan gatishmërinë për të mbështetur dhe monitoruar së bashku me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, zbatimin e marrëveshjeve midis palëve.

Zelensky: Anëtarësimi i Ukrainës në BE, siguri edhe për Evropën

27 January 2026 at 17:20

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka ndarë më shumë detaje mbi bisedimet trepalëshe midis SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë që u zhvilluan në Abu Dabi fundjavën e kaluar.

Takimi u diskutua me kancelarin e Austrisë, Christian Stocker, gjatë një telefonate këtë mëngjes, tha Zelensky në mediat sociale. Të tre palët diskutuan kryesisht çështje ushtarake, por folën edhe për garancitë e sigurisë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian është një nga garancitë kryesore të sigurisë jo vetëm për ne, por edhe për të gjithë Evropën”, tha Zelensky.

“Kjo është arsyeja pse po flasim për një datë konkrete – 2027 – dhe ne mbështetemi në mbështetjen e partnerëve për qëndrimin tonë”, shtoi presidenti ukrainas.

Negociatat zyrtare të pranimit në BE mund të fillojnë vetëm me pëlqimin unanim të të 27 shteteve anëtare, gjë që ka rezultuar e ndërlikuar për Ukrainën me rezistencën e Hungarisë së Viktor Orbanit/abcnews.al

Australia “përvëlohet” nga i nxehti, temperaturat drejt rekordit historik

27 January 2026 at 15:42

AUSTRALI- Disa pjesë të Australisë po përvëlohen nga temperatura rekord prej afër 50 gradë celsius të martën, teksa vendi po përballet me një valë të zgjatur të nxehtësisë.

Qytetet Hopetoun dhe Walpeup në shtetin e Victorias regjistruan temperatura prej 48.9 gradë celsius, të cilat nëse konfirmohen, do të thyejnë rekordet e vendosura në ditën e vitit 2009 kur 173 persona vdiqën nga zjarret shkatërruese në shtet.

Nuk janë raportuar viktima nga vala e nxehtësisë e së martës, por autoritetet e Victorias kërkuan kujdes pasi tri zjarre pyjore dolën jashtë kontrollit.

Melburni, qyteti më i madh i shtetit, gjithashtu iu afrua ditës së tij më të nxehtë. Nxehtësia ishte e dukshme më shumë se çdokund në Melbourne Park, ku turmat e zakonshme që ishin mbledhur jashtë turneut të tenisit “Australian Open” u pakësuan ndërsa temperaturat rriteshin.

Organizatorët e turneut kanë vënë në zbatim protokolle ekstreme të nxehtësisë, duke detyruar mbylljen e çative mbi arenat kryesore dhe shtyrjen e ndeshjeve që do të mbaheshin në fushat e jashtme të pambuluara.

Temperaturat pritet të bien pak të mërkurën, megjithëse vala e nxehtësisë pritet të zgjasë deri në fundjavë. Vala e nxehtësisë pason një tjetër më herët këtë muaj mes një prej verave më të nxehta të Australisë./abcnews.al

Spanja pritet t’i integrojë mbi 500 mijë emigrantë pa dokumente

27 January 2026 at 15:27

Qeveria e Spanjës miratoi sot fillimin e procedurave për të rregulluar migrantët pa dokumente që jetojnë tashmë në vend, një veprim që pritet të përfitojë më shumë se gjysmë milioni njerëz.

Duke e quajtur atë “një ditë historike”, ministrja për Migracionin e Spanjës, Elma Saiz tha se qeveria po forcon “një model migrimi të bazuar në të drejtat e njeriut dhe të pajtueshëm me rritjen ekonomike”.

Ajo tha se kabineti autorizoi hartimin e një dekreti mbretëror që do t’u lejojë migrantëve që mbërritën në Spanjë para 31 dhjetorit 2025 dhe mund të provojnë të paktën 5 muaj qëndrim të vazhdueshëm për të marrë status ligjor, me kusht që të mos kenë precedentë penalë.

“Sipas reformave në rregulloret e imigracionit të Spanjës, migrantët do të lejohen të punojnë që nga dita e parë që miratohet kërkesa e tyre”, tha Saiz. Të gjithë azilkërkuesit që paraqitën kërkesat e tyre para fundit të vitit do të jenë gjithashtu të kualifikuar.

Aplikimet pritet të hapen në fillim të prillit dhe të mbeten të disponueshme deri në qershor, shtoi ajo.

Udhëheqësja e Podemos, Ione Belarra tha se nga legalizimi mund të përfitojnë midis 500 mijë dhe 800 mijë njerëz. “Këta janë njerëz që tashmë jetojnë këtu, por që punojnë pa të drejta”, tha ajo në një video të postuar në mediat sociale, duke e përshkruar këtë veprim si një nga përparimet më të mëdha në të drejtat e punës në vite.

Vendimi i Madridit vjen ndërsa një numër në rritje i vendeve të BE-së ndjekin masa më të rrepta kundër migrantëve të parregullt.

Spanja ka qenë ekonomia kryesore me rritjen më të shpejtë në Eurozonë gjatë dy viteve të fundit. Të dhënat ekonomike të publikuara të martën treguan se shkalla e papunësisë në Spanjë ra nën 10 për qind për herë të parë në 17 vjet.

Yesterday — 26 January 2026Main stream

Rama në Knesset/ Pritja zyrtare nga kryeparlamentari i Izraelit, Amir Ohana

26 January 2026 at 15:01

IZRAEL- Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është pritur me ceremoni zyrtare dhe nderime të larta shtetërore nga Kryetari i Knesset, Parlamenti i Izraelit, Amir Ohana.

Më herët, kryeministri zhvilloi takim me homologun e tij, Benjamin Netanyahun, ndërsa vlerësoi marrëdhënien historike mes dy popujve.

Kryeministri Rama, sipas agjendës, pritet të mbajë edhe një fjalim në Knesset/abcnews.al

Sulmi kibernetik nga Irani/ Rama falënderon Izraelin: Mirënjohje të thellë për mbështetjen kritike

26 January 2026 at 14:36

IZRAEL- Gjatë vizitës në Jeruzalem, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama falënderoi Izraelin për mbështetjen e dhënë në tejkalimin e sulmit kibernetik të kryer nga Irani, pak vite më parë.

Rama u shpreh se ashtu si Izraeli, Shqipëria nuk ka asnjë marrëdhënie diplomatike me Iranin.

“Me Izraelin, ne vazhdojmë të thellojmë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe sigurisë kibernetike e kundër terrorizmit.

Kryeministër, më lejoni të shpreh edhe një herë mirënjohjen tonë të thellë ndaj Izraelit për mbështetjen kritike gjatë sulmit kibernetik masiv të Iranit kundër Shqipërisë.

Ashtu si Izraeli, Shqipëria nuk ka asnjë marrëdhënie diplomatike me Iranin, një vend i madh me civilizim të jashtëzakonshëm, që është shndërruar në një ishull terri nga urrejtja e verbër kundër çdo drite.

E ndërsa lutemi për shpirtrat e panumërt që kanë humbur ditët e fundit në zjarret e Khomeinizmit mbajmë shpresë dhe bindje se ditët e vrasësve të Teheranit po vijnë drejt fundit.”, tha ai.

Rama në Izrael/ Nura “lexon” zhvillimet: Strategji e mirëmenduar, ja mesazhet që mund të adresojë kryeministri i Shqipërisë

26 January 2026 at 13:29

TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është pritur sot nga homologu i Izraelit, Benjamin Netanyahun, në një vizitë historike. Shefi i qeverisë shqiptare do të mbajë pasdite fjalim në Knesset, Parlamentin e Izraelit.

Analisti i njohur Artur Nura, i ftuar në “News Line”, u shpreh se vizita e Ramës në Izrael, është një strategji e mirëmenduar. Sipas tij, Shqipëria pas ftesës për të marrë pjesë në Bordin e Paqes, ka hyrë në projekte të mëdha gjeopolitike.

Gjatë bisedës, Nura u shpreh se Rama ndodhet në Izrael për të respektuar dhe antisemitizmin, pasi Shqipëria është ndër vendet e pakta që nuk dorëzoi asnjë hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“ Në të gjitha pikevështrimin, duket se kemi të bëjmë me një strategji të mirëmenduar, ne morëm festën për të qenë në Bordin e paqes, dhe ky është integrimi i Shqipërisë në projekte të mëdha gjeopolitike.

Rama shkon në Izrael për të respektuar dhe antisemitizmin dhe është i ftuar nga autoritetet izraelite. Jemi ndër të vetmit vende, që gjatë luftës nuk është ekzekutuar asnjë hebre në territorin shqiptar. Mbrojta ka qenë nga populli, nga shoqëria.

Kjo është një medalje për ne. Shtëpia e shqiptarëve dhe shteti shqiptar u dha mbrojtje.

E kemi bërë me opozitën iraniane, që janë në Manëz, me afganët, duke respektuar aletin historik, që janë SHBA. Po përpiqet të ndërtojë ura e komunikimi midis dy kundërshtarëve politikë, siç është Netanyahu dhe Erdogan”, tha ai.

Fjalimin që Rama pritet të mbajë në Parlamentin e Izraelit, Nura e cilësoi historik, ndërsa tha se pritet që kryeministri të tejçojë mesazhe bashkëjetese, paqeje dhe pse jo një thirrje drejtuar Palestinës për njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

“Fjalimi ne Knesset është historik. Rama është mjeshtër dhe strategjist në komunikim. Besoj se do ketë një mesazh edhe për Palestinën, që të njohë pavarësinë e Kosovës. Edhe nga Parlamenti i Izraelit, besoj se Rama se do theksojë bashkëjetesën tonë fetare.”, tha ai./abcnews.al

Akuzohet se abuzoi me 12-vjeçaren/ Autori i dyshuar 38-vjeçari nga Dibra, i arrestuar për vrasje

26 January 2026 at 12:57

GJIROKASTËR- Klement Krusa është arrestuar nga policia e Gjirokastrës pasi dyshohet se ka abuzuar seksualisht me një të mitur 12-vjeçare, konkretisht vajzën e bashkëjetueses së tij.
Denoncimi është kryer nga vetë e mitura,  e cila ka dhënë dhe deponimet para oficerëve të policisë me prezencën edhe të psikologut.

6 ditë më parë autori i dyshuar është ndaluar nga Policia e Dibrës dhe ajo e Gjirokastrës pasi dyshohet që së bashku me vëllanë e tij të jenë autorë në një vrasje ndodhur në vitin 2018 në Dibër.
Që prej kësaj periudhe Krusa u shpërngul në Gjirokastër ku bashkëjetonte me nënën e të miturës edhe ajo me origjinë nga Dibra.

38-vjecari ishte nën masën arrest në shtëpi dhënë nga Gjykata e Gjirokastrës.

Tre ditë më parë ndërsa gjatë kontrollit që policia kreu në banesë sekuestroi dhe 3 armë zjarri, 2 kallashnikovë si dhe një pistoletë, ndërsa pritet dhe ekspertiza ligjore për denoncimin e bërë nga e mitura/abcnews.al

Luftë informalitetit në ndërtim/ Malaj: Gati ligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave. Shteti do menaxhojë procesin

26 January 2026 at 12:22

TIRANË- Sektori i ndërtimeve në vend i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm në terren nga administrata tatimore.

Ministri i financave Petrit Malaj tha se nga kontrollet e ushtruara në agjencitë imobiliare u evidentuan shkelje, përfshirë mungesë transparence në çmime, mosdeklarim real të pagave dhe shmangie të faturimit.

Një aksion pritet të nisë së shpejti edhe për sektorin ushqimor, turizmin dhe tregtinë online.

Financat tashmë kanë hartuar një ligj për sigurimin e detyrueshëm të banesave, i cili pritet të kalojë së shpejti në qeveri.

Sipas Malajt, përmbytjet dhe zjarret do të përfshihen në këtë ligj pasi të realizohen studime sipas zonave te riskut.

Përsa i përket procesit të rivlerësimit, kreu i financave tha se tashmë po përgatitën të gjitha aktet nënligjore dhe procesi parashikohet të nisë në mes të muajit shkurt.

Aksioni kundër informaliteit pritet të vijojë deri ne 23 maj të këtij viti./abcnews.al

Rritja e kapaciteteve të FA/ Ministri i Mbrojtjes: Buxheti i vitit 2026, është buxhet i “sovranitetit”

26 January 2026 at 12:16

TIRANË- Pirro Vengu, Ministër i Mbrojtjes u shpreh se buxheti i këtij viti synon rritjen e pagave, rritje e gatishmërisë operacionale dhe garantimin e sovranitetit të vendit, si një vend anëtar i NATO-s.

Ai theksoi se buxheti në krahasim me një vit më parë është rritur me 12 për qind.

Ministri Vengu se fokusi është rritja e investimeve dhe rritja e pagave, duke e kthyer Forcat e Armatosura në një shembull model të shoqërisë.

“Armiku modern, nuk vjen vetëm ne tanke, vjen me algoritme, vjen me helm kibernetik. Buxheti 2026, nuk është buxhet rutinë, por është mekanizëm për të zhvilluar industrinë, për të forcuar sovranitetin digjitale dhe për të garantuar Shqipërinë si një vend anëtar i NATO.

Buxheti 2026 nuk është një buxhet rutinë, por një mekanizëm për të ndërtuar kapacitete reale, për të zhvilluar industrinë, për të forcuar sovranitetin dixhital dhe për të ndërtuar një Shqipëri si aleate e qëndrueshme në NATO. Këtë vit arrijmë vlerën 2.12 të PBB-së dhe nëse e krahasojmë me buxhetin 2025 kemi një rritje me 12%”, tha Vengu.

Do rrisim forcat aktive.  Ka shumë aplikime për vitin e ri akademik. Kemi nisur me rikthimin e ushtarakëve, që janë larguar në të kaluarën.

FA është forcë që tërheq gjithnjë e më shumë,. Kemi rritje të gatishmërisë operacioneve. Nga buxheti janë 50% investime dhe jo shpenzime. Investimet janë parashikuar në gatishmërisë operacionale, në infrastrukturë kritike etj.“, tha ai./abcnews.al

Moti i ftohtë “ngrin” Gjermaninë, paralizohet transporti në gjithë vendin

26 January 2026 at 11:58

Reshjet e dendura të borës dhe shiu i ngrirë kanë ndërprerë trafikun në orën e pikut, në pjesë të mëdha të Gjermanisë sot në mëngjes. Aksidentet u bënë më të shpeshta në rrugët në verilindje sipas raporteve, përfshirë Saksoninë, Brandenburgun dhe Mecklenburg-Vorpommern.

Operatori hekurudhor “Deutsche Bahn” tha se priteshin vonesa dhe anulime të shërbimeve në distanca të gjata.

“Kjo përfshin të gjithë Gjermaninë jugore, si dhe trnsportin për në dhe nga Berlini, Hamburgu dhe Hanoveri”, tha “Deutsche Bahn”.

Në Berlin, shërbimet e tramvajit u detyruan të anuloheshin për shkak të ngrirjes së linjave të energjisë elektrike, dhe shërbimeve të transportit publik. Trashësia e borës, në Gjermaninë jugperëndimore dje në mbrëmje, arriti 25 centimetra.

Sot në mëngjes, disa pjesë të Mecklenburg-Vorpommern dhe Brandenburg ishin ende nën paralajmërime për mot të ashpër nga Shërbimi Gjerman i Motit, për shkak të rrezikut të motit të akullit.

Disa zona të Bavarisë veriore ishin nën paralajmërime për mot të ashpër për shkak të reshjeve të borës.

Pranë Weinsbergut në shtetin jugperëndimor të Baden-Württembergut, 15 deri në 20 makina dhe kamionë mbetën të bllokuar në dëborë gjatë natës – në një rrugë që lidh dy autostrada.

Moti nuk pritet të përmirësohet për momentin. Shërbimi meteorologjik pret reshje të mëtejshme dëbore në shumë pjesë të Gjermanisë gjatë ditës dhe mot të ftohtë

Ngjarje e rëndë në Gjirokastër/ E mitura dyshohet të jetë abuzuar seksualisht nga njerku

26 January 2026 at 11:45

GJIROKASTËR– Një 12-vjeçare dyshohet se është abuzuar seksualisht nga bashkëjetuesi i nënës se saj.

Policia e Gjirokastrës është duke kryer veprimet për ngjarjen e rëndë.

Aktualisht nuk ka ende një reagim zyrtar nga institucionet./abcnews.al

Grabiti institucionin financiar, arrestohet 27-vjeçari në Shkodër

26 January 2026 at 11:35

Policia e Shkodrës ka arrestuar një 27-vjeçar, i cili dyshohet për një vjedhje të kryer me dhunë.

Ky person, dy ditë më parë, në lagjen “Vojo Kushi”, ka hyrë në ambientet e një institucioni financiar dhe duke kanosur punonjësit me çekiç, ndërsa ka vjedhur shumën prej 143,500 lekë.

Ai akuzohet për veprën penale “Vjedhja me dhunë”./abcnews.al

Maqedoni e Veriut, 370 kamionë bllokojnë kufirin / Protesta prek edhe kalimin në Qafë Thanë, ndalet transporti i mallrave drejt BE

26 January 2026 at 11:17

Sot rreth mesditës, 370 automjete të rënda do të bllokojnë të gjitha pikat kufitare në vend. Do të ndalet transporti i mallrave drejt Bashkimit Evropian dhe tranziti nëpër rajon. Do të lejohen vetëm kamionët që transportojnë ilaçe, kafshë të gjalla, eksplozivë dhe municion.

Shkak për protestën është sistemi i ri i hyrje-daljes në vendet e zonës Shengen, i cili kufizon qëndrimin e shoferëve të kamionëve nga Ballkani Perëndimor. Plani është që bllokadat të zgjasin shtatë ditë, por protestuesit janë të gatshëm t’i ndërpresin ato nëse BE-ja nis negociata për zgjidhjen e problemit.

“Nëse qoftë ditën e parë apo të dytën dërgohet sinjal tek institucionet kompetente të shtetit tonë se do të zhvillohen takime për gjetjen e një zgjidhjeje, ne menjëherë do ta ndërpresim bllokadën. Nuk duam t’i shkaktojmë dëm as vetes, as ekonomisë. Si rajon do të përballemi me një situatë ku shumë transportues do të kërkojnë zgjidhje duke transferuar kapitalin në shtete të tjera të BE-së, gjë që do të çonte në kolaps të tërë ekonomisë,” deklaroi Biljana Muratovska, nga Shoqata e Transportit Makam-Trans.

Transportuesit paralajmërojnë se nëse BE-ja nuk gjen mënyrë për tejkalimin e këtij problemi, kjo do të nënkuptojë kolaps për ekonominë e Ballkanit Perëndimor. Kostot e transportit do të rriten shumëfish, e bashkë me to edhe çmimet e produkteve.
Nga Qeveria thonë se janë në komunikim me përfaqësuesit evropianë me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje dhe për të vënë në dukje problemet e transportuesve, të cilat përbëjnë kërcënim serioz për ekonominë.
Përveç transportuesve nga Maqedonia e Veriut, kamionët në pikat kufitare do t’i parkojnë edhe transportues nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Nuk do të ketë pengesa për hyrje-daljen e autobusëve të udhëtarëve dhe automjeteve personale.

❌
❌