Balliu: 10 protestues të shoqëruar
TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Partia Demokratike njoftoi se janë shoqëruar në komisariatin e policisë 10 protestues, pjesëmarrës pasditen e sotme në protestën e thirrur nga kjo parti përpara Kryeministrisë.
Në një deklaratë nga mediet nga Komisariatin e Policisë në Tiranë, deputeti Klevis Balliu bëri të ditur se mes të arrestuarve është edhe një i mitur. Sipas tij, protestuesit po mbahen të shoqëruar për t’i frikësuar.
“Janë 10 të shoqëruar, një nga të cilit ishte i mitur dhe është goditur me grusht. Sot praktikisht kemi një polici tërësisht të inkriminuar që arreston protestuesit sepse po protestojnë kundrejt një qeverie që është kapur në flagrancë duke vjedhur dhe duke cenuar sigurinë e jetës së çdo qytetari shqiptar”, u shpreh Balliu.
“Kërkojnë t’i vendosin frikë qytetarëve shqiptarë që mos të revoltohen ndaj këtyre. Deputetët e PD-së janë në mbështetje të qytetarëve, nuk kanë bërë asgjë”, tha Balliu.
Tek Komisariati numër 1, gjithashtu ishin edhe deputetë të tjerë të PD-së, Bledion Nallbati, Klodjana Çapja, Ledina Alolli dhe Kastriot Piroli, si dhe dy avokatë, Marash Logu dhe Eda Grimci, të cilët po kërkojnë lirimin e protestuesve të shoqëruar.
Në mbyllje të protestës së sotme, protestuesit hodhën dhjetëra koktejle molotov në drejtim të Kryeministrisë, të cilat shpërthyen në flakë. Kjo ishte protesta e parë kombëtare e PD-së pas disa foltoreve të organizuara para Kryeministrisë.
/m.q/j.p/
The post Balliu: 10 protestues të shoqëruar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.