Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 December 2025Main stream

BRUKSEL – Rutte: Siguria e Evropës varet nga forca e Ukrainës

23 December 2025 at 14:24

BRUKSEL, 23 dhjetor /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte po kërkon mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën ndërsa viti 2025 po mbaron duke paralajmëruar se Evropa do të përballet me rreziqe në rritje të sigurisë nëse vendosmëria e saj lëkundet.

”Për të parandaluar presidentin rus Vladimir Putin nga përpjekja për një sulm ndaj një anëtari të NATO-s, Ukraina duhet të mbetet e fortë”, tha Rutte në një intervistë të kohëve të fundit me dpa.

Ai gjithashtu theksoi nevojën që anëtarët e NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes, në përputhje me angazhimet e rëna dakord në samitin e aleancës në Hagë në qershor.

“Nëse i bëjmë këto dy gjëra, jemi mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur veten dhe Putini nuk do ta provojë kurrë,” tha Rutte, duke iu referuar një sulmi të mundshëm rus ndaj aleancës.

Ish-kryeministri holandez tha se riarmatimi duhet të ndodhë shpejt.

”Në varësi të vlerësimeve të inteligjencës, situata e sigurisë mund të bëhet e rrezikshme që në vitin 2027”, tha ai.

Rutte përmendi shpenzimet ushtarake të Rusisë si provë të kërcënimit që paraqet Putini, duke thënë se Moska tani po i kushton më shumë se 40% të buxhetit të saj shtetëror mbrojtjes.

Ai shtoi se lufta në Ukrainë kishte treguar gatishmërinë e Putinit për të pranuar humbje të rënda, duke cituar vlerësime se rreth 1,1 milionë ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur./ a.jor.

The post BRUKSEL – Rutte: Siguria e Evropës varet nga forca e Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – ”Ryanair” gjobitet 255 milionë euro për abuzim me pozicionin dominues

23 December 2025 at 12:51

ROMË, 23 dhjetor /ATSH-AFP/ – Autoriteti Italian i Konkurrencës njoftoi sot se kishte gjobitur ”Ryanair” me më shumë se 255 milionë euro për abuzim me pozicionin e saj dominues duke penguar aksesin e agjencive të udhëtimit në shërbimet e saj.

”Linja ajrore irlandeze zbatoi një strategji abuzive që synonte ta bënte më të vështirë për agjencitë e udhëtimit të kombinonin fluturimet e ‘Ryanair’ me shërbime të tjera, midis prillit 2023 dhe të paktën prillit 2025”, tha Autoriteti Italian i Konkurrencës (AGCM) në një deklaratë.

”Kjo strategji synonte të bllokonte, pengonte ose ta bënte më të vështirë, ose edhe më të kushtueshme (ekonomikisht ose teknikisht), për agjencitë e udhëtimit të blinin fluturime të ‘Ryanair’ në faqen e internetit ryanair.com, qoftë në kombinim me fluturime nga linja të tjera ajrore ose shërbime të tjera udhëtimi dhe sigurimi”, shpjegoi Autoriteti Antitrust.

“Këto praktika kanë kompromentuar aftësinë e agjencive për të blerë fluturime të ‘Ryanair’ dhe për t’i kombinuar ato me fluturime nga linja të tjera ajrore dhe/ose shërbime shtesë udhëtimi, duke zvogëluar kështu konkurrencën direkte dhe indirekte midis agjencive”, theksoi ai.

Në vitin 2019, ”Ryanair”-i u gjobit tre milionë euro në Itali për politikën e tij të tarifimit për bagazhet e kabinës, një dënim që përfundimisht u rrëzua nga një gjykatë administrative./  a.jor.

The post ITALI – ”Ryanair” gjobitet 255 milionë euro për abuzim me pozicionin dominues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump zbulon planet për të ndërtuar anije të reja luftarake me emrin e tij

23 December 2025 at 12:09

UASHINGTON, 23 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi planet për të ndërtuar anije të reja luftarake për Marinën Amerikane.

“Ato do të jenë më të shpejtat, më të mëdhatë dhe deri tani, 100 herë më të fuqishme se çdo anije luftarake e ndërtuar ndonjëherë”, tha Trump, duke folur në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida.

Presidenti i SHBA-së bëri njoftimin së bashku me sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe sekretarin e Marinës John Phelan.

Trump tha se ndërtimi do të fillonte me dy anije, me flotën që përfundimisht do të zgjerohej në deri në 25 anije.

Anijet do të mbajnë emrin e presidentit.

Trump tha se projekti kishte për qëllim të mbështeste industrinë vendase dhe të siguronte që bota të tregonte respekt për Shtetet e Bashkuara.

Duke qëndruar përpara grafikëve të mëdhenj që përshkruanin anijet në skenarë luftimi, ai iu referua flotës së planifikuar si një “Flotë e Artë”, në përputhje me premtimin e tij për një “Epokë të Artë” për Shtetet e Bashkuara në fillim të mandatit të tij të dytë.

Administrata Trump është përpjekur të riemërtojë ushtrinë amerikane duke e shtuar retorikën e saj.

Në terma të politikës së sigurisë, administrata ka përqafuar në mënyrë të qartë një strategji të “paqes përmes forcës”.

Trump tha se shpresonte që anijet e reja nuk do të kishin nevojë të përdoreshin kurrë./ a.jor.

The post SHBA – Trump zbulon planet për të ndërtuar anije të reja luftarake me emrin e tij appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – SHBA trefishon bonusin e vetëdëbimit për migrantët

23 December 2025 at 11:00

UASHINGTON, 23 dhjetor /ATSH-DPA/ – Qeveria amerikane po u ofron migrantëve pa status të vlefshëm qëndrimi një nxitje financiare për t’u larguar nga vendi vullnetarisht deri në fund të vitit, duke e paraqitur programin si një “bonus Krishtlindjesh”.

”Migrantët që regjistrohen për largim vullnetar deri më 31 dhjetor do të marrin një fluturim falas për në shtëpi dhe një pagesë prej 3 000 dollarësh”, tha Departamenti i Sigurisë Kombëtare.

Që nga maji, qeveria ka ofruar 1 000 dollarë për migrantët që janë të gatshëm të organizojnë largimin e tyre përmes një aplikacioni celular që lejon “vetëdëbimin”.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare tani ka rritur promovimin e programit me një apel me temë festash, duke i nxitur migrantët të pranojnë ofertën me kohë të kufizuar në mënyrë që të kthehen në shtëpi në kohë për sezonin festiv.

Shumë migrantë që kanë hyrë ilegalisht në SHBA kanë jetuar në vend për vite ose edhe dekada dhe tani e konsiderojnë SHBA-në shtëpinë e tyre.

Por, presidenti Donald Trump i ka bërë deportimet masive një shtyllë qendrore të mandatit të tij të dytë.

Kontrollet e imigracionit janë intensifikuar, me oficerë nga Zbatimi i Imigracionit dhe Doganave që kryejnë operacione më agresive për të ndaluar migrantët pa status ligjor./ a.jor.

The post FOKUS – SHBA trefishon bonusin e vetëdëbimit për migrantët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Ukraina do të përballet me sulme të rënda ruse gjatë Krishtlindjeve

23 December 2025 at 10:27

KIEV, 23 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të hënën se priste që Rusia të niste sulme të rënda në vendin e tij gjatë Krishtlindjeve.

Duke folur në Kiev para diplomatëve, Zelensky tha se ishte në natyrën e Rusisë të kryente sulme masive gjatë Krishtlindjeve.

Ai tha se situata ishte e vështirë për shkak të mungesës së sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Ukraina zyrtarisht feston Krishtlindjet më 25 dhjetor në përputhje me praktikën perëndimore, por shumë të krishterë ukrainas vazhdojnë t’i përmbahen traditave ortodokse dhe të festojnë Krishtlindjet më 7 janar, si në Rusi.

Zelensky tha gjithashtu se priste që ekipi i tij negociator të kthehej në Ukrainë të martën pas bisedimeve me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, në Miami të Floridës.

Ai tha se donte të dëgjonte detajet e bisedimeve të zhvilluara në SHBA.

Witkoff kishte folur për negociata konstruktive pasi zhvilloi bisedime të ndara me palët ukrainase dhe ruse./ a.jor.

The post KIEV – Zelensky: Ukraina do të përballet me sulme të rënda ruse gjatë Krishtlindjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Fermerët protestues hapin stacionet doganore për kamionët për Krishtlindje

23 December 2025 at 09:49

ATHINË, 23 dhjetor /ATSH-ANA/ – Fermerët e prefekturës së Evros thanë se ishin të vendosur të vazhdonin protestën për kërkesat ndaj qeverisë duke rritur më tej numrin e traktorëve në kryqëzimin e Ormenios dhe stacionin doganor të Kipit.

Shoqatat bujqësore të Evrosit Verior do të mbajnë sot një tubim proteste në orën 11:00 jashtë zyrave të deputetëve të ”Demokracisë së re” në pushtet, të prefekturës në Orestiada, ku do të paraqesin kërkesat e tyre.

Në të njëjtën kohë, ata u bënë thirrje qytetarëve dhe agjencive të qëndrojnë pranë tyre, duke shpjeguar se nuk kanë ndërmend në asnjë mënyrë të përplasen me asnjë grup punonjësish.

Në këtë kontekst dhe duke filluar me sezonin e Krishtlindjeve, ata thanë se do të rihapin stacionet doganore të Kipit për kamionët që nga nata e hënë (22 dhjetor) deri në natën e premte (26 dhjetor), ndërsa kamionët ndërkombëtarë do të jenë në gjendje të kalojnë edhe nëpër kryqëzimin e Ormenios./  a.jor.

The post GREQI – Fermerët protestues hapin stacionet doganore për kamionët për Krishtlindje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Kemi nevojë për Groenlandën për sigurinë tonë kombëtare

23 December 2025 at 09:05

UASHINGTON, 23 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump këmbënguli se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për territorin danez të vetëqeverisur të Groenlandës “për sigurinë kombëtare”, një ditë pasi zemëroi Kopenhagën duke emëruar një të dërguar të posaçëm për ishullin.

“Ne kemi nevojë për Groenlandën për sigurinë kombëtare, jo për mineralet”, u tha Trump gazetarëve në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida.

“Ne kemi kaq shumë vende për minerale dhe naftë dhe gjithçka. Ne kemi më shumë naftë se çdo vend tjetër në botë”, tha Trump.

“Ne kemi nevojë për Groenlandën për sigurinë kombëtare. Dhe nëse e shikoni Groenlandën, shikoni lart e poshtë bregdetit, keni anije ruse dhe kineze kudo. Ne kemi nevojë për sigurinë kombëtare. Duhet ta kemi”, theksoi ai.

Danimarka më herët të hënën thirri ambasadorin e SHBA-së për bisedime pasi Trump njoftoi emërimin e guvernatorit të Luizianës Jeff Landry si të dërguar të posaçëm të SHBA-së në territorin danez të vetëqeverisur.

Ministri i Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen i tha transmetuesit TV2 se emërimi ishte krejtësisht i papritur dhe i përshkroi komentet publike të Landry si “krejtësisht të papranueshme”./ a.jor.

The post SHBA – Trump: Kemi nevojë për Groenlandën për sigurinë tonë kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 23/12/2025

23 December 2025 at 07:33

BRUKSEL (Belgjikë) – ACEA: Shifrat e shitjeve të makinave të reja, elektrike dhe jo, për Evropën në nëntor 2025.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – PBB e tremujorit të tretë (pas një vonese për shkak të mbylljes së qeverisë federale).

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Besimi i konsumatorit në dhjetor nga Bordi i Konferencës së analistëve.

MAROK – Kupa e Afrikës në futboll.

LONDËR – EFL Cup – Arsenal-Crystal Palace./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 23/12/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 22 December 2025Main stream

LONDËR – Një vepër arti, që mendohet të jetë e Banksyt, shfaqet në një rrokaqiell

22 December 2025 at 15:51

LONDËR, 22 dhjetor /ATSH-DPA/ – Dy persona të shtrirë përtokë duke parë lart një rrokaqiell në Londër.

Kjo është vepra e fundit artistike që mendohet të jetë nga artisti i njohur grafiteve, Banksy.

Vepra tregon një fëmijë që mban një kapelë me kapuç dhe çizme shiu, i shtrirë në dysheme pranë një personi tjetër me një kapelë, që tregon lart nga ndërtesa dhe qielli sipër.

Ajo u shfaq sot nën ndërtesën ”Centre Point” pranë ”Tottenham Court Road” në Londrën qendrore.

Banksy, identiteti i vërtetë i të cilit nuk është zbuluar, nuk ka marrë përgjegjësinë për veprën e artit.

E njëjta vepër arti është shfaqur edhe në anën e një ndërtese disa kilometra larg në ”Queen’s Mews” në Bayswater.

Në shtator, artisti misterioz bëri bujë me muralen e tij që përshkruante një protestues të shtrirë përtokë duke mbajtur një pankartë të spërkatur me gjak, ndërsa një gjyqtar, me paruke, qëndron mbi të, duke mbajtur një çekiç.

Piktura u shfaq në një mur të jashtëm të Ndërtesës së Mbretëreshës, në kompleksin Mbretëror të Gjykatave të Drejtësisë.

Ajo u mbulua shpejt dhe u ruajt nga stafi i sigurisë, përpara se të fillonte puna për ta hequr.

Vepra e artit u interpretua nga disa si një koment mbi arrestimin e qindra njerëzve për mbështetjen e ”Aksionit Palestinez”.

”Aksioni Palestinez” u ndalua nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar si një grup terrorist në korrik pasi aktivistët dëmtuan aeroplanët e Forcave Ajrore Mbretërore./  a.jor.

The post LONDËR – Një vepër arti, që mendohet të jetë e Banksyt, shfaqet në një rrokaqiell appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOLUMBI – Marina sekuestron 27 tonë kokainë

22 December 2025 at 14:41

BOGOTA, 22 dhjetor /ATSH-DPA/ – Forcat detare kolumbiane kanë sekuestruar 27 tonë kokainë nga një numër anijesh në oqeanet Paqësor dhe Atlantik, tha presidenti kolumbian, Gustavo Petro.

”Nëntë tonë u konfiskuan në disa anije në Paqësor, me forca nga Australia, Panamaja, Kosta Rika dhe Salvadori gjithashtu të përfshira në operacion”, tha ai në X.

Një operacion i dytë i mbështetur nga forcat policore evropiane kapi 18 tonë kokainë pranë Ishujve Kanarie të Spanjës, të cilat ndodhen në Atlantik pranë Afrikës perëndimore.

”Rreth 20 të dyshuar u arrestuan në të dy operacionet”, sipas presidentit, i cili e përshkroi veprimin e kryer gjatë dy ditëve si ndoshta një nga sekuestrimet më të mëdha në histori pa asnjë vdekje të vetme.

Kjo vjen ndërsa ushtria amerikane filloi të shënjestrojë anijet e dyshuara të drogës në Karaibe dhe Paqësor gjatë muajve të fundit.

Më shumë se 80 persona janë vrarë nga sulmet deri më tani.

Ekspertët e të drejtave të njeriut të OKB-së kanë thënë se operacionet mund të shkelin ligjin ndërkombëtar, duke i përshkruar vrasjet si vrasje të paligjshme jashtëgjyqësore.

Kolumbia, prodhuesi më i madh i kokainës në botë, është shtëpia e më shumë se 250 000 hektarëve të dedikuar për kultivimin e bimës së kokës, sipas Kombeve të Bashkuara.

Nga Kolumbia, droga kontrabandohet me anije për në SHBA dhe Evropë.

Uashingtoni ka sanksionuar presidentin kolumbian Petro me akuzë se nuk i është përmbajtur detyrimeve ndërkombëtare për të luftuar drogën./ a.jor.

The post KOLUMBI – Marina sekuestron 27 tonë kokainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – ”Apple” gjobitet 100 milionë euro për abuzim me pozicionin dominues

22 December 2025 at 13:55

ROMË, 22 dhjetor /ATSH-AFP/ – Autoriteti Italian i Konkurrencës (AGCM) njoftoi sot se ka gjobitur kompaninë ”Apple” me më shumë se 98,6 milionë euro për “abuzim me pozicionin dominues”.

Sipas autoritetit italian, ”Apple” shkel ligjin e konkurrencës në tregun e zhvilluesve të aplikacioneve, thuhet në një deklaratë.

“Në këtë treg, ‘Apple’ mban një pozicion absolut dominues përmes App Store-it të saj”, deklaroi AGCM.

Autoriteti italian shtoi më tej se ”Apple” vendosi kushte tepër kufizuese në lidhje me privatësinë e përdoruesit në aspektin e konkurrencës së aplikacioneve.

”Këto kushte të vendosura nga ‘Apple’ janë të njëanshme, shkelin interesat e partnerëve të biznesit të ‘Apple’ dhe janë joproporcionale me objektivin e mbrojtjes së privatësisë”, deklaroi autoriteti italian i konkurrencës.

”Apple”, nga ana e saj, tregoi në një njoftim për shtyp se “nuk pajtohet fuqimisht me vendimin e autoritetit italian të konkurrencës” dhe njoftoi se do ta apelojë vendimin.

Kompania pohon se rregullat e saj të mbrojtjes së privatësisë “zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë zhvilluesit, përfshirë ‘Apple’, dhe janë miratuar nga klientët dhe autoritetet e mbrojtjes së të dhënave në të gjithë botën”./  a.jor.

The post ITALI – ”Apple” gjobitet 100 milionë euro për abuzim me pozicionin dominues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Selimi: Të jetosh mes dy kulturave përbën një pasuri të madhe

22 December 2025 at 12:23

SOFJE, 22 dhjetor /ATSH-BTA/ – Të jesh një person i formuar nga dy kultura, ajo shqiptare dhe bullgare, është një pasuri e madhe, thotë përkthyesja e lindur në Tiranë, Milena Selimi.

Për punën e saj si shkrimtare, gazetare dhe përkthyese nga bullgarishtja në shqip, Selimi u nderua si Ambasadore Bullgare e Kulturës për vitin 2024 në një ceremoni të mbajtur në Radion Kombëtare Bullgare.

Milena Selimi u lind në Tiranë në një familje me rrënjë të thella në kulturë dhe arte.

Nëna e saj, Yanka Trifonova-Selimi, me origjinë nga Dobriçi, Bullgaria Verilindore, është përkthyese nga bullgarishtja në shqip dhe gazetare, ndërsa babai i saj, Skënder Selimi, është themelues i shkollës shqiptare të baletit, koreograf dhe mjeshtër baleti.

Nëna e Milena Selimit ishte e para që përktheu Georgi Gospodinov në shqip, duke filluar me ”Natural novel”.

Vetë Milena Selimi ka përkthyer disa nga veprat kryesore të Gospodinovit në shqip, duke përfshirë ”The Physics of Sorrow, Time Shelter”, për të cilën mori çmimin për Përkthimin më të Mirë në Panairin e Librit të Tiranës në vitin 2024, si edhe ”Death and the Gardener”.

Ndër librat bullgarë që ajo ka përkthyer në shqip janë ”Mission London” nga Alek Popov, ”Beans” nga Elin Rahnev, ”Summit” nga Milen Ruskov, ”Is There Anyone Who Loves You” nga Kalin Terziyski dhe ”Hagabula” nga Todor P. Todorov.

Për tezën e saj të diplomimit mbi poezinë bullgare, ajo përktheu edhe poezi nga Peyo Yavorov, Elisaveta Bagryana, Blaga Dimitrova, Dora Gabe dhe Nikola Vaptsarov.

Përveç kësaj, Milena Selimi është përfaqësuese e pakicës kombëtare bullgare në Komitetin për Pakicat Kombëtare të Shqipërisë, i njohur zyrtarisht në Shqipëri në vitin 2017.

Në intervistën e saj me BTA-në, Selimi foli për pasurinë e përkatësisë në dy kultura – bullgare dhe shqipe, për atë që ka marrë dhe mësuar nga nëna e saj, për atë që është e papërkthyeshme midis shqipes dhe bullgarishtes, për rolin e përkthyeses si “roje kufitare” dhe për detyrën e përbashkët bashkëkohore të prezantimit të letërsive të Bullgarisë dhe Shqipërisë përtej kufijve kombëtarë.

E pyetur se cila është gjëja më e rëndësishme që ka trashëguar nga nëna e saj, një bullgare që e bëri jetën e saj në Tiranë, përtej vetë përkthimit dhe në lidhje me identitetin bullgar, Selimi reflektoi mbi rrugën e saj personale si përkthyese dhe ndjenjën e ekzistencës midis dy kulturave dhe dy gjuhëve.

”Përkthimi më erdhi si një domosdoshmëri për mbijetesën e rrënjëve të mia bullgare. Dhe kjo vjen nga nëna ime, sepse prej saj gjithmonë kam marrë këmbëngulje dhe dashuri. Kur jeton jashtë Bullgarisë, është shumë e vështirë të dish vërtet se çfarë po ndodh në vend. Nostalgjia mbetet, iluzionet mbeten. Ndoshta ne bullgarët që jetojmë jashtë vendit, si unë ashtu edhe nëna ime, e shohim Bullgarinë në një mënyrë tjetër. Nuk e di nëse kjo është mirë apo jo, por dua ta falënderoj nënën time për këtë. Sepse vërtet, të jesh person i të dy kulturave, shqipe dhe bullgare, është një pasuri e madhe”, tha Selimi.

E pyetur nëse ka diçka të papërkthyeshme midis shqipes dhe bullgarishtes, Selimi vuri në dukje se ndërsa punonte në përkthimin e saj më të fundit ”Death and the Gardener” ajo ”luftoi” me përkthimin e frazës bullgare “nyama strashno” (“nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”), e cila është me rëndësi kyçe në roman.

Ajo shtoi se gjithmonë ka një mënyrë për të përkthyer fjalët dhe se mundësia për të folur me autoren mund të jetë e paçmuar.

“Kam qenë shumë me fat që përkthej autorë bashkëkohorë, gjë që më ka lejuar të flas drejtpërdrejt me ta”, tha ajo.

Sipas Selimit, përkthyesi është një “roje kufitare” që përcakton kufijtë e përkthimit dhe mbart misionin jetësor të “transportimit të fjalës në bregun tjetër”.

Ajo shtoi se si përkthyese profesioniste, përgjegjësia e saj është të sigurojë që çdo fjalë të jetë në vendin e duhur dhe të mbartë kuptimin e saj, sepse librat që ajo përkthen do të mbeten në raftin e librave të dikujt.

E pyetur se çfarë do t’u thoshte bullgarëve për letërsinë shqipe, duke pasur parasysh se letërsitë ballkanike shpesh nuk kërkojnë njëra-tjetrën dhe kanë tendencë të orientohen më shumë drejt Perëndimit, Selimi shpjegoi se kjo është pjesërisht për shkak të burimeve të kufizuara financiare.

Ajo shprehu mirënjohjen e saj për rrjetin ”Traduki”, i cili gjatë dekadës së fundit ka mbështetur përkthimin e autorëve bullgarë në gjuhën shqipe dhe të autorëve shqiptarë në gjuhë të tjera, si gjermanishtja.

Selimi vuri në dukje gjithashtu se ka një interes në rritje për autorët shqiptarë në Bullgari, duke kujtuar titujt e fundit si “Gjithkush çmendet sipas mënyrës së tij” nga Stefan Capaliku, “Këmbanat e së dielës” nga Anna Kove dhe veprat e Grigor Banushit, përfshirë “Simfoninë e papërfunduar” si dhe autorë të tjerë që janë përkthyer tashmë ose janë duke u përkthyer aktualisht.

Selimi shprehu shpresën se këta shkrimtarë do të vazhdojnë të lexohen jo vetëm në bullgarisht, por edhe në gjuhë të tjera, pasi ata janë autorë me rëndësi të madhe në letërsinë shqipe./  a.jor.

The post FOKUS – Selimi: Të jetosh mes dy kulturave përbën një pasuri të madhe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RIGA – Estonia blen një sistem raketash koreano-jugore për 290 milionë euro

22 December 2025 at 11:40

RIGA, 22 dhjetor /ATSH-DPA/ – Estonia do të blejë gjashtë sisteme lëshimi raketash të shumëfishta dhe municione nga Koreja e Jugut për gati 290 milionë euro (340 milionë dollarë), ndërsa anëtarja e NATO-s po mobilizohet për të forcuar aftësitë e saj mbrojtëse, thanë zyrtarët.

”Dërgesat e sistemeve të armëve vetëlëvizëse ‘Chunmoo’ pritet të fillojnë në gjysmën e dytë të vitit 2027”, tha Qendra Estoneze për Investime në Mbrojtje (ECDI).

“Jam jashtëzakonisht i kënaqur që, përveç HIMARS-it amerikan, tani do të blejmë edhe sisteme ‘Chunmoo’ të Koresë së Jugut, duke rritur kështu ndjeshëm aftësinë e përgjithshme parandaluese dhe mbrojtëse si të Estonisë ashtu edhe të NATO-s”, tha ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës shihet në Estoni si një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare.

Qeveria ka rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake në përgjigje dhe po ndërmerr një modernizim të gjerë të forcave të saj të armatosura./  a.jor.

The post RIGA – Estonia blen një sistem raketash koreano-jugore për 290 milionë euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Fermerët vazhdojnë protestat me traktorë në autostradat kombëtare

22 December 2025 at 10:23

ATHINË, 22 dhjetor /ATSH-ANA/ – Fermerët në Greqi vazhduan protestat e tyre dhe mbetën në pikat strategjike të autostradave kombëtare, me traktorët e tyre, edhe dje përgjatë gjithë ditës.

Fermerët e Karditës dhe Trikalës parkuan traktorët e tyre përgjatë autostradës E65 në Greqinë Qendrore dhe vendosën të lënë një korsi të autostradës të lirë në secilin drejtim që nga e marta, 23 dhjetor, për të lehtësuar udhëtimin e njerëzve për festat e Krishtlindjeve.

Ata synojnë të heqin barrierat e kabinave të pagesës për të lejuar kalimin e makinave edhe të dielën, ndërsa traktorë të tjerë po mbërrijnë për të përforcuar numrin e tyre.

Në Larisa, fermerët nga e gjithë Thesalia mbeten në kryqëzimet e Nikaias, një nga qendrat kryesore të mobilizimeve kombëtare të fermerëve.

Të shtunën, ata kishin ngritur barrierat e kabinave të pagesës dhe kishin lejuar kalimin e makinave pa pagesë, ndërsa gjithashtu shpërndanë produkte bujqësore dhe fletëpalosje me kërkesat e tyre për shoferët që kalonin.

Ata kanë planifikuar një tjetër mbledhje të përgjithshme të fermerëve të bagëtive dhe të kulturave të dielën, ku do të vendosin për veprimet e tyre të ardhshme dhe nëse do të përshkallëzojnë dhe do të miratojnë forma të reja proteste. Ata gjithashtu synojnë të lejojnë kalimin pa pengesa të shoferëve nga e marta, 23 dhjetor, për të lehtësuar trafikun e festave përpara Krishtlindjeve, pa pezulluar luftën e tyre.

Në Janinë, fermerët planifikuan një mobilizim në pikat e pagesës në Tyria me sloganin “Ne nuk i mbyllim rrugët, ne i hapim ato”.

Ata synojnë të ngrenë barrierat në pikat e pagesës për katër orë, duke lejuar makinat të kalojnë pa paguar.

Megjithatë, në pikat e pagesës në Oreokastro, fermerët nuk vazhduan me planet për të ngritur barrierat e pagesës.

Në vend të kësaj, ata u shpërndanë produkte bujqësore shoferëve që kalonin dhe i informuan ata për kërkesat e tyre.

Autostrada kombëtare Athinë-Selanik mbeti e mbyllur në të dyja drejtimet në pikën e pagesës në Malgara, megjithatë, me fermerët që deklaruan se do ta hapin rrugën në të dyja drejtimet të martën./  a.jor.

The post GREQI – Fermerët vazhdojnë protestat me traktorë në autostradat kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 22/12/2025

22 December 2025 at 07:33

PUTRAJAYA (Malajzi) – Konflikti tajlandezo-kamboxhian provokon takimin e ministrave të jashtëm të ASEAN-it.

KUALA LUMPUR (Malajzi) – Vendim për lirimin e mundshëm me kusht të ish-kryeministrit Najib Razak, i burgosur në një skandal korrupsioni.

VARSHAVË (Poloni) – Seancë dëgjimore mbi ndalimin e ministrit të Drejtësisë, Zbigniew Ziobro.

MADRID (Spanjë) – Takime përfundimtare midis sindikatave dhe ekipit menaxherial të ”Telefonica”-s mbi planin social./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 22/12/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 21/12/2025

21 December 2025 at 07:26

SIDNEJ (Australi) – Ditë përkujtimi dhe reflektimi një javë pas sulmit antisemit në plazhin Bondi në Sidnej.

SHËN PETËRBURG (Rusi) – Putin pret një samit informal të Komonuelthit të Shteteve të Pavarura (CIS).

BADAJOZ (Spanjë) – Zgjedhje të parakohshme parlamentare për të rinovuar parlamentin rajonal të Extremadurës (Spanja perëndimore).

TOMSK (Rusi) – Fëmijët protestojnë kundër ndalimit të ”Roblox”.

MAROK – Futboll – Kupa e Kombeve të Afrikës.

ALTA BADIA (Itali) – Ski alpin – Kupa e Botës për Meshkuj./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 21/12/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Qindra arrestime pas kontrolleve kundër drogës

20 December 2025 at 19:39

ROMË, 20 dhjetor /ATSH-DPA/ – Gjatë një kontrolli në shkallë të gjerë kundër drogës në disa qytete italiane, ku u ekzekutuan qindra arrestime, u sekuestruan rreth 1,4 tonë drogë.

”Kontrolli ishte një operacion i koordinuar në disa provinca që synonte krimin e organizuar”, raportoi sot agjencia italiane e lajmeve ANSA.

”Konkretisht, pati 384 arrestime dhe 655 akuza të ngritura”, raportoi ANSA.

Në total, hetuesit siguruan 35 kilogramë kokainë, 1 370 kilogramë produkte kanabisi dhe 1,1 kilogram heroinë.

”Hetuesit në të gjithë Italinë gjetën 41 armë zjarri, 80 armë me teh dhe mbi 300 000 euro  në para të thata”, raportoi ANSA.

Paratë konsiderohen të ardhura nga trafikimi i drogës.

Thuhet se tregtia është kryer pjesërisht përmes dyqaneve të kanabisit.

Prandaj, ka pasur inspektime të synuara të shitjes së produkteve në dyqanet e kanabisit.

Më shumë se 300 dyqane u kontrolluan dhe pesë prej tyre në tre qytete të ndryshme u sekuestruan.

Sipas informacionit, janë identifikuar disa profile në mediat sociale, përmbajtja e të cilave është aktualisht nën shqyrtim.

Në varësi të rezultatit të shqyrtimeve, profilet duhet t’u raportohen autoriteteve gjyqësore në mënyrë që të mund të fillojë një bllokim./ a.jor.

The post ITALI – Qindra arrestime pas kontrolleve kundër drogës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRAZIL – Lula paralajmëron kundër ndërhyrjes ushtarake amerikane në Venezuelë

20 December 2025 at 19:06

RIO DE ZHANEIRO, 20 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva ka paralajmëruar kundër ndërhyrjes ushtarake amerikane në Venezuelë.

“Ndërhyrja e armatosur në Venezuelë do të ishte një katastrofë humanitare për hemisferën dhe një precedent i rrezikshëm për botën”, tha sot Lula në samitin e konfederatës së Amerikës së Jugut, Mercosur, në qytetin brazilian Foz do Iguaçu.

Ushtria amerikane ka mbledhur një forcë me anije luftarake, avionë luftarakë dhe ushtarë pranë brigjeve të Venezuelës.

Zyrtarisht, misioni synon luftimin e kontrabandës së drogës.

Presidenti autoritar i Venezuelës, Nicolás Maduro, megjithatë, ka frikë se Uashingtoni dëshiron të detyrojë një ndryshim pushteti në Karakas.

Megjithatë, Mercosur është i ndarë për këtë çështje, me qeveritë e krahut të djathtë të Argjentinës dhe Paraguait që mbështesin një qëndrim të ashpër kundër Venezuelës.

“Maduro është një diktator dhe duhet të largohet”, tha ministri i Jashtëm argjentinas Pablo Quirno, sipas një raporti në gazetën ”La Nación” para fillimit të samitit.

Ministri i Jashtëm i Paraguait, Rubén Ramírez Lezcano, theksoi kërcënimin që paraqet qeveria venezueliane për sigurinë rajonale dhe bëri thirrje për lirimin e të burgosurve politikë.

Mercosur përbëhet nga Argjentina, Bolivia, Brazili, Paraguai dhe Uruguaji.

Venezuela ishte anëtare, por është pezulluar.

Foz do Iguaçu ndodhet pranë ujëvarës më të madhe në botë, Iguaçu, e cila shtrihet në kufirin midis Brazilit dhe Argjentinës.

Qyteti ndodhet gjithashtu në kufirin me Paraguajin./  a.jor.

The post BRAZIL – Lula paralajmëron kundër ndërhyrjes ushtarake amerikane në Venezuelë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PL – Broja shpëton Burnleyn nga seria turpëruese e humbjeve

20 December 2025 at 18:20

LONDËR, 20 dhjetor /ATSH/ – Goli i parë i Armando Brojas për Burnleyn i dha fund serisë së mjerueshme të humbjeve të ekipit, me një barazim dramatik në fund të ndeshjes kundër Bournemouth, sipas burnelyexpress.com.

Nënshkrimi i madh i verës erdhi nga stoli për të shënuar me kokë në minutën e fundit të kohës së rregullt dhe për të barazuar 1-1.

Marcus Edwards, një tjetër zëvendësues, ishte gjithashtu shumë i përfshirë në gol, duke ofruar një cilësi shumë të nevojshme me një krosim joshës, që do të thotë se Brojës i duhej vetëm një prekje e vogël për të kapur cepin e poshtëm të portës.

”Qershitë”, siç quhen ndryshe lojtarët e Bornemouthit dukeshin se kishin epërsi në një lojë të dobët, pa asnjë cilësi të vërtetë, kur Antoine Semenyo shënoi në mes të pjesës së dytë.

Por, goditja me kokë e Brojës solli pak gëzim për t’i dhënë Burnleyt pikën e parë në ligë që nga 26 tetori./  a.jor.

The post PL – Broja shpëton Burnleyn nga seria turpëruese e humbjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Qindra migrantë mbërrijnë në Kretë

20 December 2025 at 17:48

ATHINË, 20 dhjetor /ATSH-DPA/ – Anije patrullimi nga roja bregdetare greke dhe agjencia evropiane kufitare, Frontex kanë kapur më shumë se 650 migrantë në det, në jug të ishullit grek të Kretës gjatë dy ditëve të fundit, raportoi sot ERTNews duke cituar rojen bregdetare.

”Kishte disa anije, përfshirë një me 545 persona në bord”, raportoi ERTNews.

Njerëzit fillimisht u çuan në portet e qyteteve të vogla bregdetare të Kretës dhe do të shpërndahen në kampet e refugjatëve.

”Rajoni kohët e fundit ka qenë me mot të qetë”, thanë autoritetet.

Kjo u ka mundësuar kontrabandistëve të dërgojnë anije drejt Evropës.

Kreta ka regjistruar pothuajse 18 000 mbërritje migrantësh këtë vit.

Totali i vitit të kaluar ishte rreth 5 000.

Anijet kryesisht u nisën nga porti libian i Tobrukut.

Kalimi prej pak më shumë se 300 kilometrash është i rrezikshëm.

Vetëm rreth dy javë më parë, dhjetëra njerëz vdiqën në jug të Kretës kur anija e tyre u përmbys./ a.jor.

The post GREQI – Qindra migrantë mbërrijnë në Kretë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌