Ekskluzive | Armëmbajtje pa leje në Koliq – Policia sekuestron AK-47, shotgun dhe dhjetëra fishekë
Një aksion policor është zhvilluar më 24 dhjetor 2025 në fshatin Koliq të Prishtinës, ku njësitet policore kanë zbuluar dhe sekuestruar armë zjarri dhe municion të konsiderueshëm, mëson Sinjali nga burime të sigurta.
Sipas informacioneve, rreth orës 09:00 njësitet e inteligjencës së Stacionit Policor Veriu kanë identifikuar një veturë të tipit Chevrolet, me targa suedeze, e cila pas verifikimeve ka rezultuar si veturë në kërkim nga autoritetet e Suedisë.
Lidhur me këtë rast është angazhuar njësia për auto-krime, e cila ka proceduar personin e dyshuar Fatlum Bajrami.
Gjatë veprimeve operative, policia ka pranuar edhe informata se në lokacion mund të ketë armë zjarri. Me pëlqimin e të dyshuarit dhe në konsultim me Prokurorin kujdestar, është kontrolluar shtëpia e tij, ku janë gjetur dhe sekuestruar: një armë automatike AK-47, një armë shotgun, dy karikatorë për AK-47, 33 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 32 fishekë të kalibrit 9.19 (gaz), 26 fishekë gjuetie.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me vendim të Prokurorit kujdestar është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Sinjali do t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë rast.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Ekskluzive | Armëmbajtje pa leje në Koliq – Policia sekuestron AK-47, shotgun dhe dhjetëra fishekë appeared first on Sinjali.
