Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

SHBA – Rubio: Bisedimet për Ukrainën nuk synojnë detyrimisht një marrëveshje

19 December 2025 at 22:27

UASHINGTON, 19 dhjetor /ATSH-DPA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, theksoi sot se i takon Ukrainës dhe Rusisë të arrijnë paqen, ndërsa vazhdon shqetësimi se SHBA mund të përpiqet të ushtrojë presion mbi Kievin për të pranuar një marrëveshje të favorshme për Moskën.

”Kjo nuk ka të bëjë me imponimin e një marrëveshjeje mbi askënd”, tha Rubio për gazetarët, përpara bisedimeve mes negociatorëve amerikanë dhe rusë në Miami këtë fundjavë.

”Bëhet fjalë për të përcaktuar se çfarë presin dhe çfarë kanë nevojë të kenë të dy palët, dhe çfarë janë të gatshme të japin në këmbim, dhe të shohim nëse mund të kemi një përputhje mes tyre”, shtoi sekretari i Shtetit.

Zyrtarët amerikanë pritet të zhvillojnë gjithashtu bisedime me një delegacion ukrainas në Miami, ndërsa nuk janë planifikuar bisedime direkte mes dy palëve në luftë.

Rubio nënvizoi se nuk mund të ketë një marrëveshje paqeje pa miratimin e të dyja palëve, por theksoi se gjetja e një zgjidhjeje për konfliktin afro katërvjeçar nuk është prioriteti kryesor i administratës.

”Kjo nuk është lufta jonë. Është një luftë në një kontinent tjetër. Ne kemi interesa dhe jemi të angazhuar në këtë luftë, por nuk është lufta jonë”, theksoi ai./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Rubio: Bisedimet për Ukrainën nuk synojnë detyrimisht një marrëveshje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Vajza afgane që po mëson fiton çmimin “Foto e Vitit 2025” të UNICEF-it

19 December 2025 at 20:51

BERLIN, 19 dhjetor /ATSH-DPA/ – Një fotografi që përshkruan një 10-vjeçare në Afganistan, e zhytur në librin e saj të shkollës, ka fituar konkursin “Foto e Vitit 2025″ të UNICEF-it.

”Fotoja është bërë nga fotoreporterja franceze Elise Blanchard në një fshat të largët në lindje të Kabulit”, tha të premten Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë.

Anëtarja e UNICEF-it, Elke Budenbender, gruaja e presidentit gjerman, tha se për shumë vajza në Afganistan fëmijëria do të thotë të luftojnë për diçka që duhet të jetë e dhënë, të drejtën për të mësuar.

UNICEF shpjegoi se fotografia e vajzës me emrin Hajira përfaqëson qëndrueshmërinë e palëkundur të miliona vajzave afgane, të cilave u mohohet qasja në arsimin e mesëm nga qeveria ekstremiste talebane e Afganistanit.

Çmimi i dytë i shkoi Natalya Saprunova, e lindur në Rusi dhe që jeton në Francë, për një fotografi nga raportimi i saj në Mongoli, ku fëmijët vuajnë nga ndotja ekstreme e ajrit.

Fotografia tregon fëmijë të vegjël që flenë në një çerdhe rreth një filtri ajri që supozohet të zvogëlojë përqendrimin e ndotësve.

Vendi i tretë i shkoi fotografit indian Sourav Das, i cili shpesh ka dokumentuar fatet e  hidhura të fëmijëve që përpiqen të mbijetojnë në kushtet më të vështira./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post BERLIN – Vajza afgane që po mëson fiton çmimin “Foto e Vitit 2025” të UNICEF-it appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

POLONI – Zelensky: Miratimi i fondeve të BE-së fitore për Ukrainën

19 December 2025 at 19:29

VARSHAVË, 19 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e përshkroi sot si një fitore të madhe për vendin e tij miratimin nga Bashkimi Evropian të miliarda eurove fondeve shtesë, edhe pse liderët evropianë nuk arritën të bien dakord mbi përdorimin e aseteve ruse të ngrira për ndihmë ndaj Kievit.

”Miratimi i fondeve sot premtes ishte një lajm pozitiv për popullin ukrainas dhe një sinjal për Rusinë se vazhdimi i luftës nuk ia vlen”, tha Zelensky pas një takimi me presidentin polak Karol Nawrocki në Varshavë.

Pas muajve të negociatave, liderët e BE-së në Bruksel ranë dakord të ofrojnë për Kievin një hua pa interes prej 90 miliardë eurosh (105,5 miliardë dollarë), që do të financohej nga Bashkimi Evropian përmes borxhit të përbashkët.

Nëse Rusia nuk paguan dëmshpërblimin për dëmet e luftës në Ukrainë, asetet e ngrira ruse në BE do të përdoren për shlyerjen.

Shtete si Belgjika, ku mbahet  pjesa më e madhe e aseteve, kishin hezituar për përdorimin e fondeve ruse menjëherë për financimin e Ukrainës, duke pasur frikë se mund të ishte e paligjshme ose se Moska mund të hakmerrej ndaj qytetarëve dhe kompanive private evropiane.

”Pa fonde të reja, Ukraina rrezikonte një deficit prej 45–50 miliardë eurosh vitin e ardhshëm dhe do të duhej të reduktonte prodhimin ushtarak”, tha Zelensky./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post POLONI – Zelensky: Miratimi i fondeve të BE-së fitore për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Putin: Pezullojmë sulmet nëse Ukraina zhvillon zgjedhje

19 December 2025 at 18:50

MOSKË, 19 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi se qeveria ukrainase duhet të jetë legjitime, por kjo është e pamundur pa zgjedhje dhe se Rusia është e gatshme të konsiderojë pezullimin e sulmeve brenda territorit të Ukrainës gjatë ditës së zgjedhjeve.

Putin kërkoi gjithashtu që ukrainasit që jetojnë në Rusi të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e mundshme në vendin fqinj, kundër të cilit ende po zhvillohet një ofensive e përgjithshme.

”Rusia është e gatshme të konsiderojë një armëpushim të pjesshëm”, tha Putin.

Megjithatë, ai theksoi se ”duhet të sigurohen të drejtat e votës për ukrainasit që kanë ardhur në Rusi”, duke vlerësuar se numri i tyre është midis 5 dhe 10 milionë persona.

Putin ka kërkuar zgjedhje të reja në Ukrainë që nga viti i kaluar.

Sipas tij, presidenti Volodymyr Zelensky nuk është më legjitim pas përfundimit të mandatit të tij pesëvjeçar në maj 2024.

Vetë Putin siguroi mandat të pestë nëpërmjet një ndryshimi kushtetues në Rusi.

Kërkesa për zgjedhje të reja në Ukrainë është përkrahur edhe së fundmi nga presidenti amerikan Donald Trump.

Edhe pse ligji ushtarak është në fuqi në Ukrainë për më shumë se tre vite e gjysmë për shkak të pushtimit të plotë të urdhëruar nga Putin në shkurt 2022, i cili ndalon zgjedhjet, Zelensky së fundmi tregoi gatishmërinë për të lejuar një votim.

Ai tha se do të kërkojë nga parlamenti ndryshimet e nevojshme ligjore, por e lidhi këtë premtim me kërkesën për një armëpushim./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post RUSI – Putin: Pezullojmë sulmet nëse Ukraina zhvillon zgjedhje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Zelensky i ofron Polonisë degën e ullirit në debatin mbi historinë e përbashkët

19 December 2025 at 17:27

VARSHAVË, 19 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka sinjalizuar gatishmërinë për të zbutur tensionet me Poloninë lidhur me një kapitull të errët të historisë së përbashkët të dy vendeve.

”Ukraina është e gatshme të përshpejtojë procesin e zhvarrosjes së viktimave polake të masakrave të Volhinisë në fund të Luftës së Dytë Botërore”, deklaroi sot Zelensky në Varshavë, pas një takimi me homologun e tij polak, Karol Nawrocki.

Deklaratat i referohen dëbimeve etnike dhe masakrave të viteve 1943–1945, kryesisht në rajonin e Volhinisë, i cili dikur ishte pjesë e Polonisë dhe sot ndodhet në territorin e Ukrainës.

Ushtria kryengritëse ukrainase vrau deri në 100 000 polakë, me synimin për të forcuar pretendimin ukrainas mbi territorin, duke u ngritur kundër pushtuesve gjermanë dhe duke eliminuar popullsinë civile polake.

Ukraina lejoi vetëm disa muaj më parë nisjen e gërmimeve për kërkimin e viktimave, ndërsa zhvarrimet kanë filluar në dy lokacione.

Megjithatë, procesi po ecën ngadalë, çka, sipas Kievit, lidhet me kushtet e vështira të krijuara nga pushtimi i vazhdueshëm rus.

Kjo çështje ka qenë prej kohësh burim tensioni mes Varshavës dhe Kievit.

Polonia, anëtare e BE-së dhe NATO-s, është një nga mbështetëset më të forta të Ukrainës që prej nisjes së pushtimit të plotë rus në shkurt 2022 dhe ka pranuar pothuajse një milion refugjatë ukrainas.

Nawrocki, një konservator kombëtar dhe kundërshtar i kryeministrit Donald Tusk, ka kërkuar vazhdimisht nga Ukraina më shumë mirënjohje dhe gatishmëri për kompromis.

Nawrocki  historian në profesion, shprehu kënaqësi pas takimit, duke thënë se ishte i bindur se të gjitha pengesat burokratike dhe ligjore, që deri tani kishin bllokuar zgjidhjen e pasojave të masakrave të Luftës së Dytë Botërore, do të hiqen.

Nga ana e tij, Zelensky falënderoi popullin polak për ndihmën ushtarake dhe për pranimin e refugjatëve.

“Polonia na ka mbështetur gjithmonë, ka qenë gjithmonë në krahun tonë”, tha ai, duke shtuar se Ukraina do të jetë gjithmonë mirënjohëse për këtë mbështetje./  /Ad.Ab./

The post KOMENT – Zelensky i ofron Polonisë degën e ullirit në debatin mbi historinë e përbashkët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE sinjal politik për lehtësimin e rregullave mbi inxhinierinë gjenetike

19 December 2025 at 16:55

BRUKSEL, 19 dhjetor /ATSH-DPA/ – Vendet e Bashkimit Evropian kanë dhënë sinjalin politik për lehtësimin e rregullave mbi inxhinierinë gjenetike, duke hapur rrugën që disa ushqime të modifikuara gjenetikisht të shiten në supermarkete pa etiketim të veçantë.

Në një takim të përfaqësuesve të përhershëm të BE-së në Bruksel u arrit mbështetja e nevojshme, edhe pse Gjermania dhe tetë vende të tjera nuk e mbështetën propozimin.

Danimarka, e cila mban presidencën e radhës të BE-së, e cilësoi marrëveshjen si një hap të madh për rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor dhe ushqimor evropian. Sipas Kopenhagës, fermerët do të përfitojnë mjete të reja dhe të sigurta për të konkurruar globalisht, ndërsa bujqësia pritet të bëhet më e qëndrueshme dhe më rezistente ndaj ndryshimeve klimatike.

Vendimi ka shkaktuar reagime të forta në Gjermani. Ministri gjerman i Mjedisit, Carsten Schneider, e quajti këtë zhvillim një “gabim serioz”, duke paralajmëruar se, nëse Parlamenti Evropian nuk e korrigjon, Berlini do të përpiqet të kufizojë dëmet.,

“Produktet pa organizma të modifikuar gjenetikisht duhet të mbeten të mundshme dhe të përballueshme, ndërsa zinxhirët e furnizimit duhet të garantojnë dallimin mes produkteve GMO dhe atyre pa GMO”, tha ai.

Sipas kompromisit të arritur më herët mes Parlamentit Evropian dhe shteteve anëtare, në të ardhmen do të ketë dy kategori të inxhinierisë gjenetike. Produktet me ndërhyrje më të vogla në gjenom do të lejohen në treg pa testime dhe etiketim të veçantë, ndërsa për ndërhyrjet më të thella do të vazhdojnë të zbatohen rregulla shumë më të rrepta.

Kjo do të thotë se konsumatorët nuk do ta kenë më të lehtë të dallojnë nëse një ushqim është modifikuar gjenetikisht.

Organizatat e konsumatorëve e kanë kritikuar ashpër këtë qasje. Federata Gjermane e Organizatave të Konsumatorëve e cilësoi vendimin si një “zhgënjim të hidhur”, ndërsa Foodwatch e quajti një dhuratë për lobin bujqësor. Megjithatë, etiketat “Pa Inxhinieri Gjenetike” dhe bujqësia organike pritet të mbeten garanci për produkte pa GMO, edhe pse do të tolerohet një prani “teknikisht e pashmangshme”.

Hapat e radhës përfshijnë votimin në Komisionin e Mjedisit të Parlamentit Evropian në janar, përpara miratimit përfundimtar nga Parlamenti dhe shtetet anëtare. Ndërkohë, debatet vazhdojnë mes atyre që shohin potencial të madh – si zhvillimi i kulturave më rezistente ndaj sëmundjeve dhe klimës – dhe kritikëve që paralajmërojnë për rreziqe ndaj ekosistemeve dhe përhapje të pakontrolluar të bimëve të modifikuara në natyrë. /Ad.Ab./

The post BRUKSEL – BE sinjal politik për lehtësimin e rregullave mbi inxhinierinë gjenetike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Kevin Spacey rikthehet në ekran me serialin italian “Minimarket”

18 December 2025 at 21:33

ROMË, 18 dhjetor /ATSH-DPA/ – Aktori amerikan Kevin Spacey pritet të rikthehet në ekran këtë vit me një rol të ri në televizionin italian, si një nga personazhet kryesore të serialit komedik “Minimarket”.

Platforma e transmetimit televiziv “RaiPlay” planifikon të publikojë pesë episodet e para më 26 dhjetor.

Në serial, Spacey, 66 vjeç, luan rolin e një fituesi të çmimit “Oscar” dhe mik imagjinar i një të diplomuari në juridik, i cili ëndërron të bëhet yll televiziv.

Karriera e ish-yllit të Hollivudit, i njohur për filma si “American Beauty” dhe seriale televizive si “House of Cards”, pësoi goditje në vitin 2017 pas akuzave për sulme seksuale të ngritura ndaj tij.

Në një gjyq penal në Londër, Spacey u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Megjithatë, vitin e ardhshëm ai pritet të përballet me tre padi civile në Londër, që lidhen me të njëjtat pretendime./   /Ad.Ab./

The post KINEMA – Kevin Spacey rikthehet në ekran me serialin italian “Minimarket” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Një avion rrëzohet në Karolinën e Veriut, disa viktima

18 December 2025 at 20:55

STEITESVILLE, (SHBA), 18 dhjetor /ATSH/ – Një avion biznesi me gjashtë persona në bord u rrëzua sot në një aeroport rajonal në Karolinën e Veriut, i përdorur nga një personel i kompanisë NASCAR-it dhe kompani të tjera të mëdha, duke shpërthyer në flakë dhe duke shkaktuar vdekjen e disa personave, thanë autoritetet, sipas AP.

”Konfirmoj se ka viktima”, tha sherifi i qarkut Iredell, Darren Campbell.

Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), në avionin tip “Cessna C550” ndodheshin gjashtë persona, kur ai u rrëzua gjatë tentativës për t’u ulur në aeroportin rajonal të Steitesville, rreth 70 kilometra në veri të Charlotte.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) dhe FAA kanë nisur hetimet.

Sipas AccuWeather, në momentin e aksidentit kishte pak shi dhe vranësira.

Të dhënat e gjurmimit të publikuara nga FlightAware.com tregojnë se avioni ishte ngritur nga aeroporti pak pas orës 10:00, por më pas ishte kthyer dhe po përpiqej të ulej sërish.

Plani i fluturimit parashikonte një itinerar nga Sarasota, Florida, drejt aeroportit ndërkombëtar ”Treasure Cay” në Bahamas, më pas kthim në Fort Lauderdale, Florida, dhe rikthim në Statesville deri në mbrëmje.

Pamjet video nga WSOC-TV treguan ekipet e emergjencës duke u drejtuar me shpejtësi drejt pistës, ndërsa flakët digjnin pranë rrënojave të shpërndara të avionit./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Një avion rrëzohet në Karolinën e Veriut, disa viktima appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ESTONI – Riga: Roja kufitare ruse kaluan në territorin tonë

18 December 2025 at 20:20

RIGA, 18 dhjetor /ATSH-DPA/ – Disa roja kufitare ruse kaluan sot në mënyrë të paligjshme në territorin e Estonisë, njoftoi Ministria e Jashtme e Estonisë.

Ministria tha se oficerët kaluan linjën e kontrollit midis Estonisë dhe Rusisë mbi një mol në lumin Narva.

Ata mbërritën në vendngjarje me një mjet lundrues, vazhduan në këmbë përgjatë barrierës së lumit dhe më vonë u kthyen në automjetin e tyre dhe kaluan përsëri në anën ruse.

Ministria publikoi pamje video të regjistruara nga një kamera mbikëqyrjeje që tha se dokumentuan incidentin, i cili ndodhi  pranë fshatit Vasknarva.

Ministri i Brendshëm estonez Igor Taro tha se motivet e rojave kufitare ruse ishin të paqarta.

“Nuk kishte kërcënim të menjëhershëm për sigurinë, por policia dhe rojat kufitare kanë rritur ndjeshëm praninë dhe patrullat e tyre”, tha ai sot në televizionin estonez.

Sipas njoftime të medieve, rojat kufitare qëndruan në territorin estonez për rreth 20 minuta.

Nuk u dha asnjë njoftim paraprak.

Estonia, anëtare e BE-së dhe NATO-s, thirri të ngarkuarin me pune të ambasadës ruse në Tallinn dhe i dorëzoi një notë diplomatike.

”Ne kemi rritur survejimin në rajon dhe jemi të gatshëm të reagojmë”, tha ministri i Jashtëm Margus Tsahkna.

”Përgjigjja më e mirë ndaj testimit të kufijve nga Rusia është të vazhdohet mbështetja për Ukrainën dhe të rritet presioni politik dhe ekonomik mbi Moskën”, shtoi ai./   /Ad.Ab./

The post ESTONI – Riga: Roja kufitare ruse kaluan në territorin tonë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – SHBA sanksionon gjyqtarë të ICC-së që hetuan Izraelin, reagon gjykata

18 December 2025 at 19:00

UASHINGTON, 18 dhjetor /ATSH-AFP/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan sot sanksione që synojnë dy gjyqtarë të tjerë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) të cilët kanë hetuar Izraelin, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, i cili është subjekt i një urdhërarresti, lëshuar nga kjo gjykatë që nga nëntori i vitit 2024.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në një njoftim për shtyp, justifikoi vendimin për sanksionet duke theksuar se dy gjyqtarët e goditur së fundmi kishin votuar së bashku me shumicën e gjykatës për të refuzuar një kërkesë të Izraelit, i cili kontestonte kompetencën e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të hetuar krimet e dyshuara gjatë luftës në Rripin e Gazës kundër Hamasit.

Gjykata Ndërkombëtare Penale hodhi poshtë sot vendimin e SHBA-së për sanksionet ndaj dy gjyqtarëve, duke theksuar se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është objekt i një urdhërarresti të lëshuar nga gjykata që nga nëntori 2024.

”ICC refuzon fuqishëm sanksionet e reja amerikane ndaj gjyqtarëve Gocha Lordkipanidze (Gjeorgji) dhe Erdenebalsuren Damdin (Mongoli)”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Hagës.

Këto sanksione vijnë pas atyre të mëparshmeve që goditën nëntë magjistratë dhe prokurorë të ICC-së.

”Këto sanksione përbëjnë një sulm të hapur ndaj pavarësisë së një institucioni gjyqësor të paanshëm, i cili operon sipas mandatit të dhënë nga shtetet pjesëmarrëse”, tha gjykata.

Gjykata gjithashtu deklaroi se do të vazhdojë të ushtrojë mandatin e saj me pavarësi dhe paanshmëri, në përputhje të plotë me Statutin e Romës, dokumentin e saj themelor.

SHBA-ja  theksoi se këto masa janë pjesë e një strategjie për të kundërshtuar hetimet ndaj Izraelit dhe janë vendosur pas votimit të gjyqtarëve për të mbrojtur kompetencën e gjykatës për çështjet që lidhen me krimet e pretenduara gjatë konflikteve në Rripin e Gazës./   /Ad.Ab./

 

The post UASHINGTON – SHBA sanksionon gjyqtarë të ICC-së që hetuan Izraelin, reagon gjykata appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LIBAN – SHBA-ja sulm kundër grupit terrorist të Shtetit Islamik

18 December 2025 at 18:00

BEJRUT, 18 dhjetor /ATSH-DPA/ – Një person i dyshuar si anëtar i grupit terrorist Shteti Islamik është vrarë në Sirinë lindore gjatë një operacioni të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja kundër këtij grupi, bënë të ditur sot aktivistët.

Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Britaninë e Madhe,  personi kishte qenë nën vëzhgim prej një kohe të gjatë.

Farhad Shami, zëdhënës i Forcave Demokratike Siriane (SDF), të mbështetura nga SHBA-ja, konfirmoi se një anëtar i Shtetit Islamik është vrarë, ndërsa një tjetër është arrestuar.

Ai tha se SDF-ja nuk ishte e përfshirë drejtpërdrejt në operacionin në provincën Raqqa, por kishin ofruar mbështetje logjistike.

Shtetet e Bashkuara udhëheqin një koalicion ndërkombëtar në Siri për të luftuar Shtetin Islamik.

Operacionet nisën pasi grupi terrorist pushtoi zona të mëdha të Sirisë dhe Irakut në vitin 2014.

Edhe pse Shteti Islamik konsiderohet i mposhtur ushtarakisht, luftëtarët e tij mbeten aktivë në të dy vendet dhe vazhdojnë të kryejnë sulme.

Dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes u vranë gjatë fundjavës në një sulm në Palmira, që besohet se është kryer nga Shteti Islamik.

Pas këtij incidenti, presidenti amerikan Donald Trump u zotua për hakmarrje ndaj grupit terrorist.

Nuk është ende e qartë nëse operacioni ishte pjesë e masave hakmarrëse të paralajmëruara.

Komanda rajonale ushtarake amerikane përgjegjëse për zonën (CENTCOM) nuk komentoi./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post LIBAN – SHBA-ja sulm kundër grupit terrorist të Shtetit Islamik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Zelensky bën thirrje për fonde te reja të shpejta nga BE-ja

18 December 2025 at 17:15

BRUKSEL, 18 dhjetor /ATSH-DPA/  – Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje liderëve të Bashkimit Evropian që të bien shpejt dakord për fonde të reja për Kievin, pas pjesëmarrjes si i ftuar në një samit vendimtar në Bruksel.

”Pa financime të reja, Ukraina rrezikon të përballet vitin e ardhshëm me një deficit prej 45–50 miliardë eurosh (52,8–58,7 miliardë dollarë) dhe të detyrohet të reduktojë prodhimin ushtarak”, tha ai për gazetarët në Bruksel.

Liderët e BE-së po diskutojnë mundësinë që asetet e ngrira ruse nën sanksionet e BE-së të vihen në dispozicion të Ukrainës në formën e një kredie.

Komisioni Evropian ka propozuar që Ukrainës t’i ofrohen deri në 210 miliardë euro nga asetet ruse të bllokuara  në BE si kredi reparacionesh, nga të cilat 90 miliardë euro synohen të mbulojnë nevojat financiare dhe ushtarake për vitet 2026 dhe 2027.

Belgjika, ku mbahet pjesa më e madhe e këtyre aseteve, e kundërshton planin, duke përmendur rreziqe ligjore dhe financiare.

Zelensky zhvilloi një takim privat me kryeministrin belg Bart De Wever kuadër të samitit të BE-së.

“I kuptoj rreziqet për të cilat flet ai”, tha Zelensky pas takimit, “por ne jemi në luftë dhe mendoj se përballemi me rreziqe edhe më të mëdha”.

Presidenti ukrainas e quajti “sinjal pozitiv” faktin që De Wever po sinjalizon tani se një zgjidhje për këtë çështje duhet të gjendet në ditët në vijim.

“Një marrëveshje për kredinë e reparacioneve është e nevojshme për të shmangur përdorimin e aseteve kundër Ukrainës në përpjekjet diplomatike në vazhdim për t’i dhënë fund luftës së Rusisë”, shtoi Zelensky.

“Sigurimi i mbulimit të nevojave financiare për vitin e ardhshëm do ta forconte pozicionin e Ukrainës në tryezën e negociatave”, theksoi ai./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post BRUKSEL – Zelensky bën thirrje për fonde te reja të shpejta nga BE-ja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Merz: Gati të vëmë asetet e ngrira ruse, që gjenden në Gjermani, në shërbim të Ukrainës

18 December 2025 at 16:38

BRUKSEL, 18 dhjetor /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz synon t’u përgjigjet kërkesave të Belgjikës dhe të vërë në dispozicion asetet e bankës qendrore ruse të mbajtura në Gjermani për mbështetjen e Ukrainës, kanë bërë të ditur burime diplomatike.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë mbledhur në Bruksel për të gjetur një zgjidhje që të mbulojë nevojat ekonomike dhe ushtarake të Ukrainës në vitet në vijim.

Komisioni Evropian ka propozuar që Ukrainës t’i ofrohen deri në 210 miliardë euro (246 miliardë dollarë) nga asetet ruse të bllokuara në BE, në formën e një kredie reparacionesh.

Prej kësaj shume, rreth 90 miliardë euro synohen të mbulojnë nevojat financiare dhe ushtarake për vitet 2026 dhe 2027.

Gjermania kishte argumentuar prej kohësh në Bruksel se fillimisht duhet të përdoren rreth 185 miliardë euro të fondeve të bankës qendrore ruse të administruara nga kompania belge ”Euroclear”.

Një nga arsyet e hezitimit të Berlinit ishte se në Gjermani mbahej vetëm një shumë relativisht e vogël, në rendin e qindra milionë eurove. Megjithatë, shuma e saktë mbahet sekret nga qeveria gjermane.

Qeveria belge ka kërkuar që të gjitha vendet e BE-së që mbajnë asete ruse të ngrira të marrin pjesë në skemën e financimit, me qëllim uljen e rrezikut që Belgjika të bëhet objektivi i vetëm i masave hakmarrëse të mundshme.

Brukseli ka shprehur shqetësime se Moska mund të ndërmarrë kundërmasa ndaj individëve dhe kompanive private evropiane, për shembull përmes shpronësimeve në Rusi, dhe ka kërkuar vendosjen e mekanizmave mbrojtës.

Përveç Belgjikës, asete ruse të ngrira mbahen edhe në Gjermani, Francë, Suedi, Qipro dhe Luksemburg, ndonëse sipas Komisionit shumica e fondeve të përdorshme janë të përqendruara në Francë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post BRUKSEL – Merz: Gati të vëmë asetet e ngrira ruse, që gjenden në Gjermani, në shërbim të Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Izraeli nënshkruan marrëveshjen më të madhe të gazit me Egjiptin

17 December 2025 at 23:02

TEL AVIV, 17 dhjetor /ATSH-AFP/- Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi sonte se ka hapur dritën jeshile për një megamarrëveshje shitjeje gazi me Egjiptin, me vlerë 30 miliardë euro.

“Sot kam miratuar marrëveshjen më të madhe të gazit në historinë e Izraelit. Vlera totale e marrëveshjes arrin 112 miliardë shekel, rreth 30 miliardë euro. Nga kjo shumë, 58 miliardë shekel (rreth 15,3 miliardë euro) do të hyjnë në arkën e shtetit”, tha  Netanyahu në një deklaratë në television.

“Marrëveshja është nënshkruar me kompaninë amerikane ‘Chevron’ dhe partnerët izraelitë që do të furnizojnë gazin për Egjiptin”, shtoi kryeministri.

“Kjo është marrëveshja më e madhe e eksporteve në historinë e shtetit”, vuri në dukje ministri i Energjisë, Eli Cohen, i cili ishte pranë tij.

Kompania izraelite e gazit ”NewMed Energy” njoftoi sot në mbrëmje në një deklaratë se kishte “marrë autorizimin për të eksportuar gaz në Egjipt duke e bërë të mundur marrëveshjen prej 35 miliardë dollarësh”.

“Kjo është një ditë historike për tregun e gazit natyror duke garantuar investime të vazhdueshme në Izrael dhe duke krijuar stabilitet për vitet që vijnë”, tha drejtori ekzekutiv i ”NewMed Energy”, Yossi Abou.

Një projekt tubacioni gazi tokësor prej 65 kilometrash (20 milje) që lidh Izraelin dhe Egjiptin u miratua nga qeveria izraelite në maj 2023, por është vonuar ndjeshëm.

Ndërtimi i tij, që synon të rrisë furnizimet me gaz në Egjipt, pritet të përfundojë në vitin 2029./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post TEL AVIV – Izraeli nënshkruan marrëveshjen më të madhe të gazit me Egjiptin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Zelensky i pranishëm personalisht në samitin e BE-së

17 December 2025 at 22:36

BRUKSEL, 17 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë si i ftuar në takimin e liderëve të BE-së që do mbahet nesër në Bruksel.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, njoftoi pak orë para fillimit të takimit se Zelensky do të udhëtojë nesër për samitin e BE-së.

Temë kryesore e samitit është mënyra se si BE-ja mund të sigurojë mbështetjen financiare të nevojshme për Ukrainën në mbrojtjen kundër Rusisë për dy vitet e ardhshme.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, mbështet idenë e përdorimit të aseteve të Bankës Qendrore Ruse, të ngrira në BE, por Belgjika ka shprehur kundërshtime për shkak të shqetësimeve ligjore.

Belgjika është e shqetësuar për ekzistencën e institucionit financiar “Euroclear”, që së fundmi ka menaxhuar rreth 185 miliardë euro të Bankës Qendrore Ruse, pjesë e madhe e totalit prej 210 miliardë eurosh të ngrira në BE./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post BRUKSEL – Zelensky i pranishëm personalisht në samitin e BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HAPËSIRË – Sonda orbitale e NASA-s kap imazhin e 100 000-të të Marsit

17 December 2025 at 22:13

FILADELFIA, 17 dhjetor /ATSH/ – Sonda orbitale e NASA-s, Mars Reconnaissance Orbiter (MRO) që vëzhgon planetin Mars, ka shënuar një moment historik duke realizuar imazhin e saj të 100 000-të, një arritje që thellon ndjeshëm njohuritë tona rreth planetit të kuq, sipas dailygalaxy.com.

Ky rekord u arrit falë kamerës me rezolucion shumë të lartë HiRISE, e cila prej vitesh furnizon shkencëtarët me pamje jashtëzakonisht të detajuara të sipërfaqes marsiane.

Që prej nisjes së saj, sonda orbitale ka vëzhguar Marsin për gati dy dekada duke dokumentuar me saktësi terrenin, ndryshimet gjeologjike dhe proceset atmosferike të planetit.

Pamjet e kapura nuk kanë vetëm vlerë shkencore, por shërbejnë edhe si bazë për planifikimin e misioneve të ardhshme robotike dhe njerëzore.

Imazhi i 100 000-të, i realizuar në tetor 2025, fokusohet në rajonin Syrtis Major, një zonë me interes të veçantë shkencor për shkak të relievit të saj të larmishëm.

Aty shihen qartë duna rëre, pllaja shkëmbore dhe struktura të formuara nga veprimi afatgjatë i erës, duke ofruar dëshmi të rëndësishme mbi evolucionin e sipërfaqes së Marsit.

Sipas shkencëtarëve të misionit, këto pamje ndihmojnë në kuptimin e mënyrës se si forcat natyrore vazhdojnë të modelojnë planetin edhe sot.

Lëvizja e dunave dhe rrëshqitjet e rërës tregojnë se Marsi nuk është një botë statike, por një planet me procese aktive gjeologjike dhe klimatike./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post HAPËSIRË – Sonda orbitale e NASA-s kap imazhin e 100 000-të të Marsit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ATHINË – Greqia godet një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës

17 December 2025 at 21:45

ATHINË, 17 dhjetor /ATSH-AFP/ – Policia greke njoftoi sot se ka asgjësuar një rrjet të rëndësishëm të trafikut të kokainës drejt Evropës duke arrestuar 10 persona, pas ndalimit të një anijeje fundjavën e kaluar në brigjet franceze.

Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve, Michalis Chrisochoidis u tha gazetarëve se operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Agjencinë Amerikane për Luftën Kundër Drogës (DEA) dhe marinën franceze.

”Sasia e kokainës së sekuestruar të dielën në një anije peshkimi greke vlerësohet nga 3,4 deri në 4,7 tonë”, bëri të ditur policia greke.

”Droga ishte ngarkuar në anije në fillim të dhjetorit, në ujërat pranë ishullit Martinikë, në Antilet franceze”, shtoi policia.

Autoritetet po e ndiqnin këtë çështje që nga tetori i vitit 2024.

Rrjeti, i përbërë kryesisht nga shtetas grekë, përdorte anije peshkimi që dukeshin se ushtronin aktivitet tregtar të ligjshëm në ujërat ndërkombëtare.

Një anije “mëmë” transportonte drogën, e cila fillimisht ngarkohej në anijet e peshkimit dhe më pas transferohej në jahte.

Në disa raste, ngarkesa hidhej në det pranë brigjeve evropiane dhe më pas merrej nga zhytës.

Policia greke shtoi se po kërkohen edhe të dyshuar të tjerë në Amerikën Latine, Afrikë dhe në Bashkimin Evropian.

Fitimet e këtij rrjeti kriminal vlerësohen në mbi 100 milionë euro./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post ATHINË – Greqia godet një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RIGA – Estonia fillon ndërtimin e bunkerëve në kufirin me Rusinë

17 December 2025 at 21:15

RIGA, 17 dhjetor /ATSH-DPA/ – Estonia ka nisur punimet paraprake për ndërtimin e pesë bunkerëve, me qëllim forcimin e mbrojtjes së kufirit kundër sulmeve të mundshme nga Rusia, njoftoi sot Qendra Estoneze për Investime në Mbrojtje.

Qendra me seli në Talin tha se në muajt e ardhshëm do të ndërtohen edhe 23 vendstrehime të tjera, ndërsa numri total pritet të arrijë deri në 600 bunkerë deri në fund të vitit 2027.

Bunkerët, që do të ndërtohen në verilindje dhe juglindje të Estonisë, janë kryesisht të dizajnuar për të mbrojtur ushtarët nga goditjet direkte të artilerise.

Sipas qendrës, gjithashtu është planifikuar së shpejti fillimi i gërmimit të një transheje për tanke që do të shtrihet në një territor prej rreth 3,4 kilometrash.

Si Estonia, ashtu edhe fqinjët e saj baltikë, Letonia dhe Lituania, po forcojnë sigurinë përgjatë kufirit me Rusinë përmes instalimeve mbrojtëse dhe barrierave fizike./      /Ad.Ab./ a.jor.

The post RIGA – Estonia fillon ndërtimin e bunkerëve në kufirin me Rusinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Rusia po përgatitet për një vit tjetër lufte në Ukrainë

17 December 2025 at 20:37

KIEV, 17 dhjetor /ATSH-AFP/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi sot se Rusia po përgatitej të zhvillonte një vit të ri lufte në Ukrainë gjatë vitit 2026, pas deklaratës së homologut të tij rus, Vladimir Putin, se objektivat e Moskës do të arriheshin pa asnjë dyshim.

“Ne dëgjuam një sinjal të ri nga Moska që ata po përgatiten ta bëjnë vitin e ardhshëm një vit të ri lufte”, tha Zelensky gjatë fjalimit të tij të përditshëm.

“Eshtë e rëndësishme që partnerët ndërkombëtarë ta kuptojnë këtë dhe të reagojnë, veçanërisht partnerët në Shtetet e Bashkuara, të cilët shpesh deklarojnë se Rusia pretendon të dëshirojë të ndalojë luftën”, shtoi ai.

Sipas Zelenskyt, ”autoritetet ruse po përpiqen të minojnë diplomacinë duke kërkuar formulime të ndryshme në propozimet në proces negociator për të fshehur dëshirën e tyre për të shkatërruar Ukrainën dhe ukrainasit dhe për të legjitimuar vjedhjen e territorit tonë”.

Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi sot se objektivat e pushtimit rus të Ukrainës do të arriheshin pa asnjë dyshim, përfshirë objektivat territoriale.

“Ne preferojmë ta arrijmë këtë dhe të eliminojmë shkaqet thelbësore të konfliktit përmes rrugës diplomatike”, shtoi ai.

Putin siguroi se vendi i tij mbetej i gatshëm të udhëhiqte negociata dhe të zgjidhte të gjitha problemet me mjete paqësore./  /Ad.Ab./

The post KIEV – Zelensky: Rusia po përgatitet për një vit tjetër lufte në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HUNGARI – Orban kundërshton sekuestrimin e aseteve ruse

17 December 2025 at 19:55

BUDAPEST, 17 dhjetor /ATSH –DPA/ – Kryeministri hungarez, Viktor Orban ka paralajmëruar Belgjikën që të mos pranojë planet për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për Ukrainën, duke iu referuar gjithashtu kërcënimeve nga Moska.

“Plani për të sekuestruar asetet ruse do të vendoste Belgjikën në rrezik serioz”, tha Orban pak para një samiti të mundshëm vendimtar të BE-së në Bruksel.

“Propozimi i Komisionit Evropian shkel ligjin ndërkombëtar, kërcënon një kompani të rëndësishme belge që menaxhon fondet dhe rrezikon masa të mëdha hakmarrës”, shtoi ai.

“Çdo kontestim ligjor do të humbiste, dhe në fund dikush do të duhej të rikthente asetet e sekuestruara”, tha Orban.

Ai iu referua gjithashtu një korrespondence me presidentin rus Vladimir Putin, i cili premtoi një përgjigje të vendosur duke përdorur të gjitha mjetet ligjore.

“Rusia do të merrte parasysh pozicionin që secili shtet anëtar i BE-së merr, duke theksuar se Hungaria nuk do të mbështesë përdorimin e aseteve shtetërore ruse”, tha Orban.

Plani, i mbështetur nga kancelari gjerman Friedrich Merz dhe politikanë të tjerë kryesorë të BE-së, do të diskutohet nga e enjtja në samitin e fundit të rregullt të vitit në Bruksel.

Ai parashikon përdorimin e aseteve të ngrira të Bankës Qendrore Ruse për kredi afatgjata për Ukrainën, ku Rusia do t’i rikuperojë fondet vetëm pas përfundimit të luftës dhe pagesës së kompensimeve.

Miratimi i Belgjikës konsiderohet vendimtar për zbatimin e planit, pasi pjesa më e madhe e fondeve ruse që do të përdoren për Ukrainën, rreth 185 miliardë euro nga totali prej 210 miliardë eurosh në BE, menaxhohet nga kompania belge “Euroclear”./   /Ad.Ab./  a.jor.

The post HUNGARI – Orban kundërshton sekuestrimin e aseteve ruse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌