Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 December 2025Main stream

Protesta përpara Kryeministrisë në Tiranë përfundon me dy policë të lënduar, qytetari merr flakë

22 December 2025 at 23:49


Protestuesit e PD e nisën me qetësi demonstratën e tyre, por që mbyllja nuk ishte e tillë.

Pas përfundimit të fjalimit të Sali Berishës, u hodhën bomba molotov drejt kordonit të policisë dhe hyrjes së Kryeministrisë, por janë shuar shpejt.

20:31 VIDEO/ Protestuesit i shpërthen molotovi tek këmbët, merr flakë përpara Kryeministrisë

Një protestues ka marrë flakë gjatë protestës që u zhvillua sot nga opozita. Ai i është afruar një molotovi të hedhur përpara Kryeministrisë, i cili më pas ka shpërthyer. Pas kësaj ngjarjeje ai është ndihmuar nga të tjerë të pranishëm në protestë.

19:58 Pas hedhjes së bombave molotov te Kryeministria, protestuesit marshojnë drejt Ministrisë së Brendshme

Protestuesit e PD kanë nisur të shpërndahen. Pas mbylljes së fjalimit të Sali Berishës, u hodhën bomba molotov drejt kordonit të policisë dhe hyrjes së Kryeministrisë, por janë shuar shpejt.Ndërkohë protestuesit janë përplasur edhe fizikisht me efektivët në tentativë për të thyer kordonët e sigurisë, por çdo gjë është mbajtur në kontroll nga policia.Pak çaste më pas, protestuesit kanë nisur të shpërndahen nga kryeministria, duke marshuar drejt Ministrisë së Brendshme.

19:46 Molotov drejt policisë, dy efektivë të lënduar nga protestuesit e opozitës

Përfundimi i fjalimit të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, u shoqërua me tensione. Molotov drejt policisë, dy efektiv i lënduar

19:44 Berisha mbyll fjalimin, hidhet molotov te Kryeministria, flakë dhe tym

Berisha mbyll fjalimin, hidhet molotov te Kryeministria, flakë dhe tym.

19:43 “Do të marshojmë drejt Surrelit”, Berisha kërkon qëndresë nga demokratët: Ja do vdesim, ja do rrojmë për liri

“Na pyesin, çfarë do bëjnë këta? Jua them, ja do vdesim ja do rrojmë për liri. Dijeni mirë që kurrë nuk kemi humbur, kemi fituar, kemi fituar, do fitojmë. Po të japim fjalën që s’të ndahemi as në Surrel, marshim drejt Surrelit”, tha Berisha.

19:37 “Prokuror i guximshëm”, Berisha lavdëron SPAK, sulmon Kushtetuesen: Gjykatë turpi, e blerë nga Rama

Të guximshëm e ka quajtur Sali Berisha prokurorin e SPAK që kërkoi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, institucion që më herët e ka sulmuar. Ndërkohë Gjykatën Kushtetuese e ka quajtur të blerë dhe një ‘Gjykatë turpi’, që vendosi të rikthejë në detyrë Ballukun.

“Një prokuror guximtar pezulloi nga detyra zv. kryeministren, një gjykatë turpi u ble, një gjykatë supreme kryesore e Kombit i hoqi jashtë çdo rregulli masën e pezullimit dhe e ktheu në detyrë që të prishë çdo provë. Kërkesën për arrestimin e zv. kryeministres, Rama mori pushtetin e Parlamentit, kreu grusht shteti për të shpëtuar lëkurën e tij”, tha Berisha.

19:26 “Edi Rama, nga sot s’do njihesh më si kryeministër”, Berisha në protestë para Kryeministrisë: Jemi mbledh në moment kritik

Sali Berisha ka dalë para protestuesve të mbledhur në shesh, dhe u ka bërë thirrje që kjo protestë të vazhdojë deri në rrëzimin e Edi Ramës. “Në 10 vitet e fundit të këtij regjimi, shqiptarët janë pakësuar më shumë se nga çdo epidemi, nga çdo zi buke dhe çdo gjë tjetër. Shqiptarët në 10 vitet e këtij regjimi kanë shkuar 100 vite pas për lindshmërinë e tyre. Sot ata kanë humbur mbi gjysmën e rinisë së vet, kanë humbur të ardhmen dhe çdo vit bëhen gjithnjë e më pak”, tha Berisha.

19:09 “S’do ketë vrimë ku të fshiheni”, Balliu: Le t’i japim fjalën njëri-tjetrit, të mos tërhiqemi deri sa ta rrëzojmë Ramën

Deputeti i PD Klevis Balliu ka mbajtur një fjalim nga podiumi i ngritur para Kryeministrisë ku po mbahet protesta kombëtare e thirrur nga PD. “Kemi denoncuar për 12 vite sesi një narkoshtet ka vjedhur dhe i ka varfëruar shqiptarët. Sot nuk ka ilaçe nëpër spitale”, tha ai.

19:01 “Ne do të qëndrojmë në sheshe”/ Bardhi nga protesta e PD-së: Këtij pushteti i janë lëkundur themelet

“Forca juaj është kthyer në shpresën tonë të përbashkët, në shpresën e Shqipërisë. Prania juaj në këtë shesh madhështor do të thotë, që kjo shoqëri ka ende një zemër, guxim e çdo ndryshimi. Kam takuar shumë prej jush dhe revoltën tuaj për gjërat që po shkojnë keq, po në çdo takim që kam pasur me ju, kam marrë prej jush një mesazh, ju nuk dorëzoheni. Kam mësuar leksionin tim më të madh. Besimi dhe sakrifica do të na çojnë përpara, në largimin e Edi Ramës”, tha Gazment Bardhi.

18:54 “Institucione të kalbura”, Elda Hoti në protestën e demokratëve: Sot nuk kemi një qeveri

“Institucionet që duhet të na mbrojnë janë kthyer në institucione të kalbura. Të dashur qytetarë ne sot nuk kemi një qeveri. Sot është dita për qëndresë, të ngrihemi f[për fëmijët dhe prindërit tanë”, tha Elda Hoti.

18:43 Protesta kombëtare e PD-së, Këlliçi: Rama të japë dorëheqjen tani, si emergjencë kombëtare

“Qytetarëve që nuk e shitën dinjitetin, ju që denoncuat dhe qëndruat e folët atëhere kur ishte e rrezikshme, ja ku jemi dhe sa shumë që jemi. Mandati nuk është pronë, nuk është licencë për të vjedhur. Nëse e trajton vendin si plaçkë do të përgjigjet. Atë që do të vendosim sot do të jetë precedentë të ardhmen. Edi Rama duhet të japë dorëheqjen. Ai ka kohë që nuk është më kryeministër. Kur reziston dhe nuk i nënshtrohet asnjë pazari, ja kur vjen përmbysja, më e paimagjinueshmja. Ata që na shantazhonin sot shantazhohen mes tyre. Dorëheqje Edi Rama, dorëheqje dorëheqje”, tha Belind Këlliçi.

18:24 Berisha me deputetët e PD dhe mbështetës drejt Kryeministrisë, hidhen shashka

Sali Berisha ka dalë nga selia dhe është drejtuar për të Kryeministria aty ku do të mbahet protesta kombëtare. Berisha ka dalë i shoqëruar nga deputetët e PD, duke përshkuar rrugën në këmbë, ndërsa ndiqen edhe nga mbështetës. Gjatë kohës që Berisha ecën drejt Kryeministrisë, dëgjohen edhe zhurma nga hedhja e kapsollave ose shashkave.

18:12 Protesta para Kryeministrisë, në shesh Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi

Ndërsa do duhej të kishte nisur protesta kombëtare e thirrur nga PD në ora 18:00, ende po grumbullohen qytetarë. Lideri i PD ndodhet në seli, por në shesh është parë vajza e tij dhe dhëndri, Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi.

17:40 Pak para protestës kombëtare, Berisha mbërrin në selinë e PD

Pak para protestës kombëtare, e cila do të nisë në ora 18:00, Sali Berisha ka mbërritur në selinë e PD. Në shkallët e selisë ai është pritur nga mbështetësit e tij, që ndodhen në seli, për t’u drejtuar më pas para Kryeministrisë aty ku do të mbahet protesta.Kjo është protesta kombëtare e thirrur nga Berisha, pas disa foltoreve që mbajtura në mënyrë të përjavshme jashtë zyrës së Edi Ramës.Kërkesat e tyre janë largimi i qeverisë nga pushteti./TCH.

Yesterday — 22 December 2025Main stream

Kidnapimi i Milan Vukashinoviqit, një muaj paraburgim për ish-pjesëtarin e MPB-së serbe

22 December 2025 at 22:43


Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për ish-pjesëtarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i dyshuar për lidhje me kidnapimin e shtetasit të Kosovës, Milan Vukashinoviq, më 1 nëntor 2025.

Sipas njoftimit të gjykatës, të pandehurit V.M. i është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet nga data 20 dhjetor 2025 deri më 19 janar 2026.

I dyshuari është arrestuar më 20 dhjetor 2025 në Leshak, në një operacion të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Lajmin e kishte konfirmuar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se arrestimi lidhet me rrëmbimin e Vukashinoviqit brenda territorit të Kosovës nga strukturat e sigurisë së Serbisë.

Sveçla bëri të ditur se i arrestuari kishte qenë i integruar në Policinë e Kosovës sipas marrëveshjes së vitit 2013, por më pas kishte dhënë dorëheqje.

Sipas dyshimeve, ai ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur vazhdimisht strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe rastin e kidnapimit të Vukashinoviqit, i cili gjatë rrëmbimit u plagos rëndë dhe aktualisht po trajtohet në një spital në Serbi.

Ministri në detyrë ka deklaruar se ekzistojnë dyshime se i dyshuari ka qenë në kontakt me strukturat e inteligjencës dhe ushtrisë serbe, ka përgatitur të rinj serbë për trajnime ushtarake dhe ka pasur njohuri për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë.

Pas urdhëresës së gjykatës, Policia e Kosovës ka bastisur shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit, ku janë sekuestruar nëntë telefona mobilë, një laptop, tre dokumente, një pushkë gjuetie me 39 fishekë, një jelek për fishekë dhe një tytë arme.

Milan Vukashinoviq, shtetas i Kosovës me nacionalitet serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer më 1 nëntor 2025 në afërsi të Leposaviqit nga xhandarmëria serbe.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Prokuroria e Mitrovicës ka intervistuar anëtarë të familjes së tij lidhur me rastin.

Sveçla ka theksuar se ky rast dëshmon veprimet destabilizuese të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës dhe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin dhe të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj Beogradit, në mënyrë që të parandalohen raste të ngjashme dhe tensione të reja në rajon./Telegrafi.

Ismaili: Me Bedri Hamzën në këto zgjedhje, PDK-ja synon rezultatin më të mirë në historikun e saj

22 December 2025 at 22:14


Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore të kësaj partie, Uran Ismaili, i ftuar në emisionin Debat Plus në TV Dukagjini, ka folur për pritjet e PDK-së në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Ismaili tha se Prishtina historikisht është konsideruar territor i vështirë për PDK-në, duke u perceptuar se partia kishte një “tavan” të votave në kryeqytet. Sipas tij, ky perceptim është rrëzuar në zgjedhjet e fundit komunale, ku PDK-ja shënoi rritje të ndjeshme me kandidaturën e tij për kryetar të Prishtinës.

Ai theksoi se rezultati i zgjedhjeve komunale në kryeqytet dëshmoi se PDK-ja nuk ka më kufizime në Prishtinë dhe se rritja e arritur aty është tregues se një trend i tillë është i mundur edhe në nivel nacional.

Duke folur për pritjet nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, Ismaili u shpreh se kjo rritje i jep besim dhe shpresë se rezultati i PDK-së do të jetë edhe më i mirë në zgjedhjet parlamentare.

“Me Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër, konsideroj që do të jetë numri më i madh i votave që PDK-ja ka marrë ndonjëherë në nivel nacional,” tha Ismaili.

Kurti: Për Pejën pesë çerdhe të reja dhe inkubatorin e biznesit pranë Universitetit “Haxhi Zeka”

22 December 2025 at 22:03


Kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, qëndroi në Pejë, ku në një tubim me qytetarë, ka rikonfirmuar mbështetjen e tyre për Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Ai theksoi se angazhimi i Qeverisë Kurti për komunën e Pejës nuk ka munguar, duke renditur projektet në proces si ndërtimi i Qendrës Nacionale të Xhudos, Stadiumit, projekti i ngrohjes qendrore, rruga e Dukagjinit që lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën e Deçanin me Pejën dhe Istogun, si dhe rruga Pejë–Kuçishtë, përkrah rehabilitimit të rrugëve rajonale.

Dëshmi e vëmendjes së pandërprerë të Qeverisë për qytetin e Pejës, janë edhe zotimet e mandatit të ardhshëm, tha Kurti.

Ai renditi prioritetet kryesore si: zgjidhjen e problemeve të kanalizimit dhe trajtimit të ujërave, hapjen e pesë çerdheve në Baran, Raushiq, Leshan, Nabërgjan dhe Novosellë, si dhe mbështetjen e Inkubatorit të Biznesit pranë Universitetit “Haxhi Zeka”.

Më tej tha se forcimi i lidhjeve mes universitetit, sipërmarrësve dhe sektorit privat, si dhe prioritetizimin e ICT-së, turizmit dhe shërbimeve digjitale, ka për synim që të shndërrojë Pejën në qendër të inovacionit në rajon.

​Abdixhiku me premtim për mjekët e diplomuar: Do ua sigurojmë specializimin dhe punësimin

22 December 2025 at 21:29


Kandidati për Kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku në qytetin e Prizrenit, ka folur për programin politik rreth shëndetësisë.

Ai ka premtuar QKUK të re, digjitalizim të sistemit si dhe sigurimin e specializimit dhe punësimit për mjekët e diplomuar.

“Në shëndetësi e kemi spitalin e ri të Kosovës. QKUK të re dhe një operimi një modeli të një ndërmarrje publike e cila jep shërbime dhe merr pagesë prej fondit të sigurimeve shëndetësore. Mjekëve të diplomuar duhet t’i sigurohet specializimi menjëherë”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, nuk ka tmerr më të madh se ‘’me kry mjekësinë edhe mos me arritë me pasë specializim’’.

Shqiptarja në grevë urie për Palestinën: Historia e Teuta Hoxhës, prej 13 muajsh në burg pasi protestoi për Gazën

22 December 2025 at 20:36


Pas 13 muajsh në gjendje paraburgimi në një burg anglez dhe pas afro 43 ditësh në grevë urie gjendja shëndetësore e një shqiptare të arrestuar si aktiviste e grupimit kontravers “Palestine Action”, është mjaft e përkeqësuar dhe sipas motrës së saj ajo mund të ndërrojë jetë, nëse qeveria britanikë nuk ndërhynë.

Teuta Hoxha e lindur në Britani, këtë të hënë mbush 30 vjeç, dhe sipas motrës së saj 17 vjeçare, Rahma, në një deklaratë dhënë medias britanike vuan për shkak të grevës së urisë nga dhimbje të vazhdueshme koke, çështje të lëvizshmërisë dhe nuk mund të ngrihet dot për të bërë lutjet fetare si myslimane.

Teuta Hoxha ndodhet në paraburgim prej 13 muajsh dhe procesi kundër saj dhe tetë aktivistëve pro-grupimit Palestine Action, nuk pritet të ndodh deri në prill të vitit të ardhshëm. Ata ndodhen nëpër burgje të ndryshme të Anglisë për vepra panale që variojnë nga hyrje me forcë të supozuara apo dëmtime kriminale ndaj një ambienti në Britani ku prodhoheshin pajisje ushtarake për Izraelin.

Ata i mohojnë të gjitha akuzat e ngritura kundër tyre. Greva e urisë kërkon dhënien fund të ofrimit nga Britania të ambienteve Izraelit për prodhimin e armëve që furnizojnë Izraelin dhe heqjen nga lista e organizatave të ndaluar zyrtarisht nga Britani të “Palestine Action”, si dhe dhënien fund të keqtrajtimit të të burgosurve dhe lirimin e menjëhershëm me kusht të të ndaluarve.

Ministri britanik i Burgjeve Lordi Timpson , thotë se ministrat nuk do takohen me këta te burgosur dhe Britania ka një sistem drejtësie që bazohet në ndarjen e kompetencave dhe një drejtësi të pavarur që është gur themeli i sistemit tone. Do të ishte tërësisht jo kushtetuese dhe një veprim jo i duhur që ministrat të ndërhynin në proceset ligjore që janë të pa përfunduara.

Ironia është se Teuta Hoxha sot mbush 30 vjeç dhe nuk do të ketë tortë për të festuar nga burgu ditëlindjen e saj në një ditë si kjo, kur ajo është në grevë urie. Për disa ajo nuk është terroriste, por humaniste, ndërsa për disa të tjerë asocjimi i një shqiptare me rrethana të tilla do shtonte më shumë njollosjen e shqiptarëve të Britanisë përveç mëkateve të supozuara në median dhe opinion publik britanik për komunitetin shqiptar.

ATK shënon rekord historik: Mbi 1 miliard euro të hyra të mbledhura nga tatimet

22 December 2025 at 16:14


Administrata Tatimore e Kosovës ka shënuar rezultatin më të lartë historik në mbledhjen e të hyrave tatimore, duke tejkaluar shifrën prej 1 miliard eurosh gjatë këtij viti.

Ky sukses u prezantua në Konferencën Vjetore për Media të ATK-së, ku Drejtori i Përgjithshëm, Mentor Hyseni, bëri të ditur se ky është niveli më i lartë i të hyrave të mbledhura ndonjëherë nga tatimet në Republikën e Kosovës.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se rekordi është rezultat i një qasjeje të qartë politike për forcimin e shtetit dhe institucioneve, si dhe sigurimin e barazisë për të gjithë tatimpaguesit.

Sipas tij, politikat fiskale kanë krijuar kushtet që ATK-ja të veprojë me profesionalizëm, integritet dhe pavarësi, ndërsa Qeveria ka ofruar dhe do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për modernizimin dhe digjitalizimin e administratës tatimore.

Gjatë prezantimit të tij, drejtori Hyseni theksoi se tejkalimi i pragut prej një miliard eurosh nuk është rastësi, por rezultat i disiplinës institucionale, punës së vazhdueshme në terren dhe rritjes së përmbushjes vullnetare tatimore.

Ai shtoi se ATK ka ndjekur një qasje të drejtë, duke mbështetur bizneset që respektojnë ligjin dhe duke vepruar me vendosmëri ndaj atyre me rrezik të lartë dhe sjellje të parregullta, bazuar në analiza të sakta të riskut.

Sipas ATK-së, ky rezultat pasqyron forcimin e administrimit tatimor, efektet pozitive të reformave institucionale dhe rritjen e besimit të tatimpaguesve në sistemin fiskal.

Në përmbyllje të konferencës, Hyseni shprehu mirënjohje për tatimpaguesit për përgjegjësinë qytetare në përmbushjen e obligimeve tatimore, si dhe për stafin e ATK-së për profesionalizmin dhe angazhimin e vazhdueshëm.

Ai falënderoi gjithashtu mediat për bashkëpunimin dhe informimin e vazhdueshëm të qytetarëve dhe bizneseve mbi punën dhe rezultatet e administratës tatimore./Telegrafi.

Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave trajtoi 38 raste brenda një jave

22 December 2025 at 16:08


Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka trajtuar gjithsej 38 raste të reja gjatë periudhës 12–19 dhjetor 2025.

Sipas njoftimit zyrtar, pjesa dërrmuese e rasteve ka të bëjë me dhunën në familje, gjithsej 31 raste. Po ashtu janë trajtuar edhe raste të rënda penale, përfshirë një rast trafikimi, dy raste dhunimi, një rast sulmi seksual, një rast vrasjeje në tentativë, një rast vrasjeje si dhe një rast të bashkëjetesës nën moshën 16-vjeçare.

Gjatë kësaj periudhe janë paraqitur edhe 6 kërkesa për Urdhër Mbrojtjeje Emergjente (KUME) dhe një kërkesë për vazhdim të urdhrit të mbrojtjes. Institucionet kompetente kanë nxjerrë 13 aktvendime të aprovuara dhe dy aktvendime të ndërprera.

Mbrojtësit e viktimave kanë marrë pjesë në 87 seanca gjyqësore dhe 14 seanca në prokurori, ndërsa janë ofruar 41 këshilla juridike. Po ashtu janë regjistruar 18 aktgjykime dënuese, një aktgjykim lirues dhe dy aktgjykime refuzuese.

Në kuadër të mbështetjes për viktimat, janë realizuar edhe referime dhe përfaqësime të ndryshme, përfshirë një referim në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, gjashtë referime në Qendrat për Punë Sociale, dy përfaqësime në polici, dy në strehimore si dhe një kërkesë për kompensim nga fondi për viktima.

Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ofrimin e mbështetjes ligjore dhe institucionale për viktimat e veprave penale në gjithë territorin e Republikës së Kosovës./Telegrafi/

Tubimi i Listës Serbe në Ranillug me mesazhe nacionaliste dhe jokushtetuese

22 December 2025 at 16:05


Tubimi parazgjedhor i mbajtur te dielën me 21 dhjetor në Ranillug, në të cilin morën pjesë përfaqësues të Listës Serbe, kandidatë për deputetë, si dhe simpatizantë të partisë, nisi me intonimin e himnit të Serbisë.

Të pranishmëve iu drejtua kryetarja e komunës së Ranillugut, Tanja Antiq, e cila me fjalim nacionalist dhe kundërkushtetues theksoi se Serbia është mbështetja kryesore e serbëve në Kosovë, duke iu drejtuar Kosovës me termin antikushtetues "Kosova dhe M...", shkruan KosovaPress.

Duke aluduar në institucionet e Kosovës ajo ka pretenduar se “kur shumëkush përpiqet t’i dëmtojë serbët”, të njëjtit “i kthehen shtetit të vet, Serbisë”.

“Të dashur vëllezër dhe motra, të nderuar mysafirë, përfaqësues të Listës Serbe, ‘Kosova dhe Metohija’ ka qenë gjithmonë tokë vuajtjeje, por edhe tokë shprese. Është vendi ku u ngritën shenjtëroret dhe manastiret më të bukura serbe, vendi ku janë zhvilluar, por edhe sot zhvillohen, betejat më të mëdha për liri të popullit".

"Në këto kohë të vështira, kur shumëkush përpiqet të na dëmtojë, të na thyejë dhe të na ndajë, ne i kthehemi shtetit tonë, duke e ditur se nuk jemi vetëm, se jemi pjesë e një populli, e një shpirti, e një Serbie”, ka pretenduar ajo.

Grabitje e armatosur në një barnatore në Pejë, detajet e para

21 December 2025 at 23:34


Një grabitje e armatosur ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në një barnatore në Pejë.

Dy persona të maskuar dhe të armatosur me thika kanë arritur të marrin para të gatshme.

Rastin e ka bërë të ditur, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

"Të dyshuarit janë futur në barnatore dhe, nën kërcënimin e thikave, kanë grabitur të hollat, përpara se të largoheshin nga vendi i ngjarjes", u shpreh Gashi.

Sipas Policisë, nga ky rast nuk raportohet për persona të lënduar.

Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.

Policia po vazhdon punën për zbardhjen e plotë të rastit./Telegrafi.

Arrestohet personi që dyshohet se i vuri flakën autoambulancës në Ratkoc të Rahovecit

21 December 2025 at 22:53


Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për zjarrvënie në autoambulancën e Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF) në fshatin Ratkoc, në komunën e Rahovecit.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 02:40, Stacioni Policor në Rahovec ka pranuar informacion për një incident zjarri. Njësitë policore, në bashkëpunim me zjarrfikësit, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar se zjarri kishte përfshirë dhe djegur një autoambulancë të QMF-së, duke shkaktuar gjithashtu dëme materiale edhe në objektin e kësaj qendre shëndetësore.

Zjarri është lokalizuar në kohë dhe nuk është raportuar për të lënduar. Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Zjarrvënie”.

Pas veprimeve të menjëhershme hetimore dhe sigurimit të provave në vendin e ngjarjes, policia ka identifikuar një person të dyshuar, i cili dyshohet se për motive ende të panjohura i ka vënë flakën autoambulancës.

Më vonë, rreth orës 18:50, falë veprimeve operative të zyrtarëve policorë nga Stacioni Policor në Gjakovë, është arrestuar i dyshuari me inicialet H.H., mashkull i moshës madhore.

Gjatë arrestimit, ai ka tentuar t’u ikë zyrtarëve policorë, por është ndaluar pas një ndjekjeje në një zonë malore, në afërsi të pikës kufitare “Qafë Prush”.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në zbardhjen e plotë të rasteve penale dhe në garantimin e rendit dhe sigurisë publike./Telegrafi.

Arben Gega: Përkrahje masive në Suharekë për PDK-në

21 December 2025 at 22:22


Në Suharekë është mbajtur sot tubimi qendror i Partisë Demokratike të Kosovës, ku ishte prezent kandidati për kryeministër Bedri Hamza.

Me një masë të madhe të përkrahësve suharekas, Bedri Hamza shpalosi premtimet e tij dhe vizionin e PDK-së.

Përpos kësaj, pati një përkrahje të madhe për kandidatin për deputet Arben Gega, i cili është në garë për herë të parë dhe si njeri i komunitetit u vërejt në përkrahjen që pati kur emri i tij u thirr në sallë.

Arben Gega mban numrin 68 në listën e PDK-së, duke qenë kandidati i dytë nga kjo komunë përkrah Enver Hoxhajt që më shumë është figurë qëndrore.

Before yesterdayMain stream

Kurti: Kaçaniku i dëshmorëve e martirëve në përkrahje të 116

21 December 2025 at 20:55


Kryeninistri në detyrë, Albin Kurti, njëherit kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ishte dje në Elezaj të Kaçanikut, e pastaj në njërën nga kafiteritë e qytetit.

Banorët e mërgimtarët nga Kaçaniku, të cilët e priten ngrohtë Kryeministrin, i rikonfirmuan edhe një herë mbështetjen e tyre të fuqishme për Lëvizjen VETËVENDOSJE!

Kryeministri më pas vizitoi kryetarin e parë të komunës së Kaçanikut pas çlirimit të vendit, Tahir Çakën.

Kurti kujtoi se familja Çaka ka dhënë dy dëshmorë, vëllezërit e Tahirit, si dhe prindërit martirë të vrarë nga forcat armike serbe.

Ai e cilësoi si shtyllë të qëndresës, përkushtimit e rezistencës, e Kaçanikun simbol të kujtesës dhe sakrificës kombëtare.

Xhavit Haliti – Nr. 14 i PDK-së: Bashkë, për UÇK-në, për nder të dëshmorëve

21 December 2025 at 19:05


Kandidati për deputet nga PDK-ja, Xhavit Haliti, ka ndarë një foto ku shihet me ish-komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, veprimtarin e shquar Nait Hasanin dhe kryetarin e komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

"Me Dajën, Ramizin dhe Naitin, emra që mishërojnë UÇK-në, lirinë dhe atdhedashurinë.

Bashkë, për vlerat e luftës, për nderin e dëshmorëve dhe për të ardhmen e brezave tanë", ka shkruar Haliti në llogarinë e vet në Facebook.

Xhavit Haliti mban numrin 14 në listën e PDK-së.

PDK vazhdon serinë e videove 10-sekondëshe me AI: Tingulli i rritjes së çmimeve - keq, Albin!

21 December 2025 at 18:39


Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar publikimin e një serie të veçantë videosh, përmes së cilës adreson tema të rëndësishme politike dhe ekonomike.

Përmes këtyre videove, PDK jo vetëm që shpalos arsyet pse Bedri Hamza duhet të votohet për Kryeministër të Republikës së Kosovës, por edhe kritikon Albin Kurti dhe qeverinë e tij për dështimet gjatë mandatit.

Veçantia e kësaj serie qëndron në vazhdimin e përdorimit të Inteligjencës Artificiale në komunikimin e fushatës, një qasje që PDK e ka shfrytëzuar edhe më herët, përfshirë edhe në krijimin e këngës së fushatës Ëe Rise Together.

Videot janë shumë të shkurtra, me kohëzgjatje prej rreth 10 sekondash, me pothuajse vetëm një pamje dhe të shoqëruara me dy fjali të qarta, duke përcjellë mesazhe direkte dhe lehtësisht të kuptueshme për qytetarët.

Videoja e katërt, e publikuar sot nga PDK, i referohet kritikës ndaj rritjes së çmimeve si pasojë e keqqeverisjes nga Qeveria Kurti.

Në video shfaqet një burrë teksa kthen një produkt si pasojë e shtrenjtimit të cmimeve, ndërsa mesazhi shoqërues thotë: “Tingulli i rritjes së çmimeve. Keq, Albin!”.

Më poshtë gjeni videon e publikuar nga PDK.

Musliu: SHBA paralajmëron Serbinë, koha e pandëshkueshmërisë ka përfunduar

21 December 2025 at 17:57


Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka deklaruar se Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dërguar një mesazh të qartë lidhur me mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj zyrtarëve serbë, për shkak të përkeqësimit të gjendjes demokratike dhe veprimeve destabilizuese të Serbisë në rajon.

Musliu ka theksuar se vlerësimet e institucioneve amerikane tregojnë se demokracia në Serbi është në gjendje shqetësuese, se zgjedhjet janë zhvilluar në kushte të padrejta dhe se niveli i dezinformimit është alarmant.

Sipas tij, sanksionet e mundshme nuk duhet të kufizohen vetëm në çështjet demokratike, por duhet të lidhen edhe me përgjegjësinë e Serbisë për terrorizëm dhe sabotazh.

Ai ka përmendur sulmin terrorist në Banjskë, ku, sipas Musliut, Milan Radoiçiq ka pranuar publikisht rolin e tij, ndërsa Serbia vazhdon të injorojë kërkesat ndërkombëtare për drejtësi.

Po ashtu, Musliu ka përmendur edhe sulmin ndaj infrastrukturës kritike në Ibër-Lepenc, për të cilin Prokuroria e Kosovës ka ngritur aktakuzë me akuza të rënda për terrorizëm dhe spiunazh, si dhe dyshime serioze për lidhje me struktura kriminale nga Serbia.

“Serbia nuk i dorëzon të dyshuarit, nuk bashkëpunon me organet e drejtësisë, dezinformon kundër Kosovës dhe NATO-s”, ka theksuar Musliu, duke shtuar se këto veprime e bëjnë të pashmangshëm hapin e radhës – vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë.

Sipas tij, sanksionet duhet të lidhen drejtpërdrejt me përfshirjen e konfirmuar të Serbisë në sulmet terroriste në Banjskë dhe Ibër-Lepenc, si dhe me mosdorëzimin e terroristit Milan Radoiçiq./Telegrafi/

Kurti: Hekurudha Prizren-Ferizaj dhe 1miliard euro për prodhim e industri

21 December 2025 at 17:38


Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tubimin e saj të radhës ne Ferizaj.

Kryeministri Albin Kurti tha se Ferizaji ka dëshmuar vendosmëri dhe angazhim të vazhdueshëm, duke theksuar se as qeveria nuk ka lëshuar pe në mbështetjen ndaj këtij qyteti.

Për QKMF, stadiumin e qytetit, spitalin, teatrin, Qendrën Multifunksionale, çerdhe dhe shkolla, si dhe energji efikase në objekte publike, qeverisja e Kurtit është përkujdesur që të investojë financiarisht për Ferizajn.

Kurti tha se në mandatin e ardhshëm synohet rritja e mëtejme e investimeve për Ferizajn, me qëllim shndërrimin e qytetit në një qendër të rëndësishme biznesore.

Sipas tij, projektet strategjike përfshijnë fillimin e ndërtimit të hekurudhës Prizren–Ferizaj deri drejt Bujanocit, ndarjen e 1 miliard eurove për prodhim dhe industri, si dhe investimin e 500 milionë eurove për Brezovicën, investime këto që pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në punësim dhe zhvillim ekonomik edhe për Ferizajn.



Investimet e Kosovës në mbrojtje dhe armatim, jehonë në mediat serbe

21 December 2025 at 16:56


Deklaratat dhe raportimet e fundit nga analistë serbë dhe media pro-regjim në Serbi e kanë kthyer në temë kryesore publike blerjen e sistemeve amerikane dhe investimet e Kosovës në mbrojtje dhe armatim, duke i paraqitur këto zhvillime përmes një narrative alarmuese dhe paniku.

Shkaku kryesor i këtyre reagimeve lidhet me marrëveshjen e nënshkruar në muajin dhjetor ndërmjet Kosovës dhe kompanisë amerikane AM General për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë së lëvizshme HUMVEE Hawkeye 105 mm.

Marrëveshja u bë publike më 17 dhjetor nga ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, dhe u pasua menjëherë nga reagime të ashpra në mediat dhe diskursin publik serb.

Edhe vetë analistë serbë të sigurisë kanë pranuar rëndësinë e kësaj blerjeje.

Eksperti serb i sigurisë Goran Janiqeviq, duke folur në Televizionin Publik të Serbisë (RTS), theksoi se bëhet fjalë për një blerje me peshë të veçantë, duke deklaruar se “kjo është hera e parë që dikush, si subjekt juridik, blen këtë lloj sistemi”.

Megjithatë, Janiqeviq e paraqiti modernizimin e pajisjeve ushtarake të Kosovës si kërcënim për Serbinë.

“Prishtina po blen nga Amerika helikopterë Black Hawk dhe automjete të blinduara Humvee. Sipas paralajmërimeve, nga viti i ardhshëm do të ketë në dispozicion edhe të parat nga 246 raketa amerikane kundërtanke Javelin. Deri në fund të vitit 2026 planifikohet të përfundojë edhe fabrika e municionit në Gjakovë, si dhe objekti prodhues për dronë në Gjilan, dronët e parë të të cilit Albin Kurti i prezantoi muajin e kaluar”.

“…Në katër vitet e fundit, autoritetet e Prishtinës kanë investuar 430 milionë euro në forcimin e njësive të tyre të armatosura. Qëllimi i tyre, siç ka deklaruar Kurti, është që në katër vitet e ardhshme të shpenzojnë dyfish më shumë –1 miliard euro,” tha Janiqeviq.

Narrativa e panikut u amplifikua më tej nga portale dhe media serbe me orientim pro-qeveritar dhe pro-presidentit Aleksandar Vuçiq.

Portali BLIC shkroi se “Prishtina po armatoset: blen sisteme amerikane të artilerisë që kombinojnë obuzin 105 mm me një automjet të lehtë ushtarak”, duke e paraqitur marrëveshjen si zhvillim kërcënues për sigurinë rajonale.

Në të njëjtën linjë raportuan edhe mediat B92 dhe Telegraf RS, të njohura për afërsinë e tyre me pushtetin në Beograd, të cilat përdorën tone alarmiste në titujt e tyre: “Prishtina po armatoset! Po blen obuzë amerikanë Hawkeye: Çfarë janë ato dhe pse konsiderohen të rrezikshme?”

Aktorët politikë dhe mediatikë në Serbi e kanë paraqitur si arsye për shqetësim edhe faktin se Qeveria e Kosovës, në vitet e fundit, ka rritur ndjeshëm buxhetin për sektorin e mbrojtjes.

Për vitin aktual, buxheti i ndarë për këtë sektor arrin në 207.8 milionë euro, një shifër që në diskursin publik serb interpretohet si tregues i “militarizimit” të Kosovës.

Këto raportime dhe deklarata janë një përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar një narrativë frike rreth forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, pavarësisht faktit se investimet në fjalë janë bërë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe në përputhje me procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë moderne dhe profesionale, të orientuar drejt standardeve euroatlantike.


Ismaili: Programi i Bedri Hamzës e trajton problemin kryesor të qytetarëve, do t’i ulim çmimet me masa konkrete

21 December 2025 at 16:31


Nënkryetari i PDK-së dhe i dyti në listën zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Uran Ismaili, ka mbajtur një takim me fermerë, ku ka shpalosur programin garues të Partisë Demokratike të Kosovës, me theks te ulja e kostos së jetesës.

Ismaili theksoi se qytetarët dhe fermerët po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve, ndërsa presionet ekonomike pritet të rriten edhe më shumë në vitet e ardhshme, përfshirë inflacionin, faturat e energjisë elektrike dhe tatimin në pronë.

Ai tha se kjo gjendje kërkon ndryshim të menjëhershëm dhe masa konkrete, duke theksuar se programi i kandidatit për kryeministër Bedri Hamza është ndërtuar pikërisht për t’i trajtuar këto problem në mënyrë të drejtpërdrejtë.

“Në programin tonë parashihen masa të qarta për uljen e kostos së jetesës. Do ta heqim TVSH-në nga energjia elektrike dhe nga produktet esenciale, në mënyrë që qytetarët dhe fermerët të kenë lehtësim real ekonomik,” ka theksuar Ismaili.

Ai shtoi se Bedri Hamza është një kandidat për kryeministër që përfaqëson të gjithë qytetarët pa dallim dhe se bëhet fjalë për një ekonomist të dëshmuar, i cili synon ta bashkojë shoqërinë dhe të punojë për mirëqenie të qëndrueshme.

“Me 28 dhjetor, qytetarët kanë një mundësi reale për ndryshim. Programi ynë nuk është premtim bosh, por plan konkret për ta ulur koston e jetës dhe për ta përmirësuar mirëqenien e çdo familjeje,” ka shkruar Ismaili.

“Serbia është anija kryesore e Rusisë në Ballkan”, Joseph: Kosova në NATO, loja mbyllet

21 December 2025 at 16:20


Eksperti i njohur amerikan i diplomacisë dhe menaxhimit të konflikteve, Edward P. Joseph, ka paraqitur një propozim që po ngjall debat serioz në qarqet politike të Uashingtonit dhe Evropës: futjen e Kosovës dhe Serbisë në NATO.

Po ashtu edhe aplikimin e elementeve të modelit të Kosovës në rajonin e Donbasit të Ukrainës, si pjesë e një strategjie më të gjerë për të dobësuar ndikimin rus në Evropë.

Joseph, aktualisht lektor në Johns Hopkins University – SAIS, tha se Ballkani nuk është një rajon periferik, por një nyje kyçe e luftës hibride të Rusisë kundër Perëndimit.

“Ukraina është dimensioni kinetik i luftës. Ballkani është dimensioni hibrid. Dhe Serbia është platforma përmes së cilës Rusia ushtron ndikimin e saj në rajon,” deklaroi Joseph.

Sipas Joseph, largimi i Serbisë nga orbita e Moskës do të kishte një efekt shkatërrues për strategjinë ruse në Evropën Juglindore.

“Futja e Serbisë në NATO do të ishte si fundosja e anijes ‘Moskva’ për Rusinë në Ballkan,” tha ai, duke e krahasuar ndikimin strategjik të këtij hapi me humbjen simbolike dhe ushtarake të flotës ruse në Detin e Zi.

Ai theksoi se 96 për qind e investimeve kineze në Ballkan janë të përqendruara në Serbi, ndërsa Rusia e përdor Beogradin për të bllokuar Kosovën dhe për të ushqyer narrativën kundër NATO-s.

Joseph argumenton se ideja nuk është teorike, por e ndërtuar mbi realitete aktuale politike.

“Serbia tashmë është nën presion për shkak të kontrollit rus mbi kompaninë NIS. Ky presion duhet të përshpejtohet. Beogradi po detyrohet të shkëputet nga Moska,” u shpreh ai.

Ai shtoi se Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ndodhet në një krizë të brendshme politike dhe se një ofertë e tillë nga Presidenti Donald Trump, i cili gëzon popullaritet në Serbi, do të kishte peshë të jashtëzakonshme.

“Një rrugë drejt NATO-s e propozuar nga Trump nuk do të mund të injorohej nga Vuçiq,” tha Joseph.

Kosova dhe NATO: loja mbyllet

Një element kyç i propozimit është se Kosovës do t’i ofrohej rruga drejt NATO-s, pavarësisht qëndrimit të Serbisë.

“Në momentin që Kosova ka një rrugë drejt NATO-s, strategjia serbe e bllokimit diplomatik bie. Loja praktikisht mbaron,” theksoi Joseph.

Ai shtoi se anëtarësimi në NATO është shumë më i rëndësishëm për Kosovën sesa anëtarësimi në OKB, duke e krahasuar situatën me përvojën e Ukrainës.

Në lidhje me Ukrainën, Joseph propozon përdorimin e modelit të Rezolutës 1244 të OKB-së, e cila la qëllimisht të hapur çështjen e statusit të Kosovës.

“Modeli i Kosovës e heq sovranitetin nga tryeza e menjëhershme dhe krijon hapësirë për negociata reale,” shpjegoi ai.

Sipas tij, kjo do t’i lejonte Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky të mos “dorëzojë territor”, por ta vendosë Donbasin nën administrim ndërkombëtar, me trupa paqeruajtëse dhe referendum final.

“Ironia është se vetë Putini këmbëngul se Kosova dhe Ukraina janë absolutisht të njëjta. Pikërisht këtë argument mund ta përdorë Perëndimi kundër tij,” tha Joseph.

Joseph paralajmëroi se nëse Ballkani nuk stabilizohet, Evropa do të mbetet e cenueshme ndaj ndërhyrjeve autoritare.

“Nëse e hiqni partneritetin strategjik Rusi–Serbi, arkitektura e luftës hibride ruse shembet,” theksoi ai.

Ai bëri thirrje për masa të menjëhershme, përfshirë sanksione ndaj RT dhe Sputnik, mbylljen e qendrave ruse të inteligjencës dhe përshpejtimin e integrimit euroatlantik të rajonit./TheGeoPost.

❌
❌