Në ditën e parë të implementimit të projektit Safe City në Shkup, sipas zëvendëskryeministrit Bekim Sali, janë regjistruar mbi 150 mijë kundërvajtje, ndërsa ditën e nesërme ky numër ka rënë në 50%, rreth 60 mijë.
Ai për TVM2 tha se pritshmëritë janë që numri i kundërvajtjeve të ulet në 2-3 mijë deri në momentin e aplikimit të plotë të sistemit.
“Domethënë kemi rënie drastike të kundërvajtjeve, dhe sipas informacionit nga Qendra për Urgjencë në Shkup, numri i aksidenteve dhe i personave që kërkojnë ndihmë ka rënë ndjeshëm”, deklaroi Sali.
Ai theksoi gjithashtu se investimi i parë i sistemit është bërë në zonat më të ndjeshme të vendit, duke përfshirë qytetet më të mëdha, dhe se kjo do të vazhdojë gradualisht në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.
Sali sqaroi se projekti nuk ka të bëjë me ndërprerjen e aksionit vetëm në tre qytete, por përkundrazi, do të shtrihet në të gjitha qytetet për të garantuar mbrojtje për qytetarët.
Projekti Safe City synon përmirësimin e sigurisë rrugore dhe mbikëqyrjen e zonave urbane përmes teknologjisë, duke sjellë një reduktim të ndjeshëm të kundërvajtjeve dhe aksidenteve në qytetet ku është implementuar.
Njëri nga liderët e koalicionit VLEN, njëherit kryetar i komunës së Çairit, Izet Mexhiti në një intervistë për TV21 ka folur për takimin e liderëve të thirrur nga ana e kryeministrit Hristijan Mickoski, duke theksuar se ai kishte propozuar që në këtë takim VLEN-i të përfaqësohet nga kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami.
Mexhiti më tej komentoi se nuk ka një rradhitje se kush në cilin takim do të jetë por që brenda VLEN-it bëhet punë ekipore duke shtuar se kjo e bën VLEN-in kështu si është.
Mexhiti përmendi edhe marrëveshjen e vitit 2007 kur në atë kohë si pjesë e BDI-së u aritë marrëveshja që “fituesi me fituesin” të formoj qeverinë që nënkuptonte se fituesi tek pala maqedonase dhe fituesi te pala shqiptare të krijojnë institucionet e sistemit por që sipas Mexhitit kjo fatkeqësisht nuk u funksionalizua me një ligj.
Kjo marrëveshje më vonë në vitin 2016 u thye nga Bashkimi Demokratik për Integrim, por që sipas Mexhitit po ashtu nuk ishte gabim se iu dha fund një sistemi të keq.
Gjyqtarët nesër do të votojnë në zgjedhje të drejtpërdrejta për një anëtar të ri të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve që i përkasin një komuniteti që përbën më shumë se 20 për qind të popullsisë.
Të gjithë 418 gjyqtarët e regjistruar në Regjistrin zgjedhor gjyqësor kanë të drejtë vote. Votimi fillon në orën 8 të mëngjesit dhe zgjat deri në orën 15:00 në qendrat e votimit në të gjitha gjykatat në vend, pas së cilës rezultatet do të shpallen në një seancë publike.
Në listën e kandidatëve, gjyqtarët në zgjedhje të drejtpërdrejta do të votojnë për një nga gjashtë kandidatët: Afrim Jakupi (gjyqtar i Gjykatës së Apelit Gostivar), Sadulla Izairi (gjyqtar i Gjykatës Themelore Tetovë), Ylber Hasani (gjyqtar i Gjykatës Themelore Civile Shkup), Hasan Asani (gjyqtar/kryetar i Gjykatës Themelore Tetovë), Xhemali Saiti (gjyqtar i Gjykatës Supreme) dhe Shpresa Grainca Osmani (gjyqtare e Gjykatës Themelore Penale Shkup).
Këshilli Gjyqësor zgjodhi gjyqtarin Osman Shabani, nga Gjykata e Apelit Shkup, si kryetar të Komisionit për Zbatimin e Zgjedhjeve dhe gjyqtarin nga Gjykata Themelore Penale e Shkupit, Ilija Tërpkov, si zëvendës të tij.
Këshilli Gjyqësor publikoi njoftimin për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit nga radhët e gjyqtarëve që i përkasin komunitetit që përbën më shumë se 20% të popullsisë më 20 nëntor të vitit 2025.
Zgjedhja zëvendëson gjyqtarin Hanif Zendeli, nga Gjykata e Apelit e Gostivarit, mandati gjashtëvjeçar i të cilit po skadon. Zendeli u zgjodh anëtar i Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve që i përkasin një komuniteti që përbën më shumë se 20 për qind të popullsisë më 22 janar të vitit 2020.
Këshilli Gjyqësor përbëhet nga 15 anëtarë, tetë prej të cilëve zgjidhen nga radhët e gjyqtarëve, tre zgjidhen nga Parlamenti dhe dy anëtarë emërohen nga presidentja e shtetit. Kryetari i Gjykatës Supreme dhe ministri i Drejtësisë janë gjithashtu anëtarë pa të drejtë vote. Ata zgjidhen për një mandat prej gjashtë vitesh, me të drejtë rizgjedhjeje edhe një herë.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot realizoi takim me Xhiang Shjaojan, ambasadore e Republikës Popullore të Kinës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Shërbimi për informim i Kuvendit njoftoi se Gashi shprehu kënaqësi të madhe për takimin dhe theksoi se “pret që miqësia e sinqertë që ekziston midis të dy vendeve të forcohet dhe të avancohet më tej në të ardhmen”.
“Ai theksoi se megjithëse të dy vendet janë gjeografikisht të largëta, marrëdhëniet midis tyre po zhvillohen në frymën e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë. Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdimisht e afirmon qëndrimin e ekzistimit të ‘një Kinë’, si dhe qëndrimin se Qeveria e Republikës Popullore të Kinës është Qeveria e vetme legjitime e popullit kinez, dheTajvani është një pjesë e pandashme e territorit kinez”, theksohet në kumtesë.
Ambasadorja Shjaojan informoi për të gjitha aktivitetet e ndërmarra nga Republika Popullore e Kinës për të thelluar bashkëpunimin midis të dy vendeve në fusha të tilla si arsimi, kultura, shkenca, shëndetësia, mjekësia, etj.
“Ajo theksoi se për Kinën, vendi ynë është një udhëkryq i disa qytetërimeve, një urë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit dhe një partner i rëndësishëm në rajon. Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se në të ardhmen ka shumë mundësi të reja për bashkëpunim, veçanërisht në fushën e digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale, veçanërisht në kohën kur Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut po punon seriozisht për digjitalizimin e plotë të të gjitha proceseve të punës në parlament”, njofton shërbimi për informim i Kuvendit.
Janë ngritur kallëzime penale ndaj tre personave për keqpërdorim të të dhënave personale dhe falsifikim dokumentesh gjatë zgjedhjeve lokale në Bogdanc.
Ata kanë tentuar, përmes dokumenteve të falsifikuara, të dorëzojnë një listë kandidatësh për anëtarë të Këshillit të Komunës së Bogdancit.
Sipas kallëzimit të Njësisë për Punë të Brendshme në Gjevgjeli, një 40-vjeçar nga Bogdanci, gjatë muajit shtator 2025, pa pëlqim ka përdorur të dhënat personale nga letërnjoftimi dhe pasaporta e nënës së tij dhe e një personi tjetër, të cilat më pas ia ka dorëzuar një 33-vjeçari nga Shkupi.
I dyshuari nga Shkupi i ka përdorur këto të dhëna në procedurën e kandidimit pranë Komisionit Zgjedhor Komunal në Bogdanc, ku janë falsifikuar edhe nënshkrimet e personave, të dhënat e të cilëve ishin keqpërdorur.
I dyshuari i tretë, një 45-vjeçar nga Shkupi, sipas kallëzimit, më 13 shtator 2025 në Bogdanc ua ka dorëzuar dokumentet e rreme anëtarëve të Komisionit Zgjedhor Komunal, me qëllim dorëzimin e listës së kandidatëve për anëtarë të Këshillit Komunal.
Ndaj të dyshuarve janë ngritur kallëzime penale për veprat “keqpërdorim i të dhënave personale”, “falsifikim dokumentesh” dhe “ndihmë në falsifikim”, ndërsa procedura vazhdon pranë organeve kompetente.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë sot përmes protestës kërkuan pagë minimale prej 600 eurosh dhe rritje prej 100 eurosh për të gjitha pagat e tjera.
Protesta e LSM-së filloi para simbolit të luftës punëtoret, Shtëpisë së Punëtorëve, vazhdoi para Kuvendit, pastaj Odës së Tregtisë dhe Qeverisë. Ata thanë se nëse edhe këtë herë Qeveria nuk do të ulet për të negociuar zgjidhjen e kësaj çështjeje, do të vazhdojnë me bllokime të rrugëve dhe institucioneve ku shkelën më së shumti të drejtat e punëtorëve dhe me bllokimin e gjithë shtetit përmes grevës së përgjithshme në sektorin privat dhe publik.
“Do të pasojnë bllokime, do të pasojë greva e përgjithshme. Dhe do të vijë ajo që do t’ju bëjë më shumë dëm. Do të mbledhim 10,000 nënshkrime, me të cilat do të bëhemi propozues të autorizuar dhe do të kërkojmë që t’ju ulet 80 përqind të pagave tuaja. Dhe do të kërkojmë të rrisni pagën minimale në 600 euro dhe të rrisni pagat e tjera së paku për 6,000 denarë. Do t’ju vendosim në test. Do të votoni për veten kundrejt njerëzve që ju kanë votuar, apo do të votoni për njerëzit që me votën e tyre ju mundësojnë luksin tuaj”, deklaroi Sllobodan Trendafilov – kryetar i LSM-së.
Nga LSM njoftuan se shpenzimet vjetore janë rritur për6.000 denarë, teksa nuk është ndërmarrë asnjë masë për mbrotjen e punëtorëve të cilët me pagat aktuale vetëm se mbijetojnë.
Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) sot nënshkruan Memorandum për Bashkëpunim që vendoset një kornizë e qartë dhe afatgjatë për veprim të përbashkët në fushën e energjisë, efikasitetit të energjisë, burimeve të rinovueshme të energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Memorandumi e nënshkroi ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska dhe përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Maqedoninë e Veriut, Armen Grigorjan.
Me Memorandumi forcohet bashkëpunimi institucional midis dy palëve dhe hap hapësirë për aktivitete të koordinuara që synojnë një tranzicion të drejtë dhe gjithëpërfshirës të energjisë, duke forcuar pavarësinë dhe qëndrueshmërinë energjetike të shtetit, si dhe duke përmbushur objektivat kombëtare dhe ndërkombëtare të klimës, njoftoi MEMBM.
“Ky Memorandum paraqet një konfirmim të fortë të angazhimit tonë për një tranzicion modern, të qëndrueshëm dhe të drejtë të energjisë. Përmes partneritetit me UNDP-në, marrim ekspertizë dhe mbështetje shtesë për krijimin dhe zbatimin e politikave që sjellin përfitime konkrete për qytetarët, ekonominë dhe mjedisin”, deklaroi ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska.
Bashkëpunimi do të realizohet në përputhje me prioritetet kombëtare dhe Dokumentin e Programit Kombëtar të UNDP-së për Republikën e Maqedonisë së Veriut për periudhën 2026–2030, me një fokus të veçantë në menaxhimin e mirë, transparencën dhe përfshirjen aktive të publikut në proceset e vendimmarrjes në lidhje me energjinë.
“UNDP mbetet një partner i përkushtuar i institucioneve të Maqedonisë së Veriut në përparimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Ky Memorandum krijon një bazë të fortë për punë të përbashkët në sektorin e energjisë, me një fokus në energjinë e pastër, uljen e emetimeve dhe dialogun publik gjithëpërfshirës”, theksoi përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Armen Grigorjan.
Memorandumi parashikon aktivitete të përbashkëta në zhvillimin e sektorit të energjisë, menaxhimin e minierave dhe burimeve minerale, uljen e emetimeve të gazrave serrë përmes përdorimit të shtuar të burimeve të rinovueshme dhe masave të efikasitetit të energjisë, si dhe mbështetje në përpunimin dhe zbatimin e strategjive kombëtare, legjislacionit dhe planeve të veprimit në fushën e energjetikës.
Veçanërisht një segment i rëndësishëm i bashkëpunimit synon forcimin e kapaciteteve institucionale, teknike dhe njerëzore, përmes ndërtimit të ekspertizës dhe përmirësimit të proceseve për krijimin dhe zbatimin e politikave publike, si dhe përparimin e transparencës dhe dialogut publik gjithëpërfshirës, me vëmendje të veçantë për të rinjtë, gratë dhe grupet e cenueshme të qytetarëve. Në kuadër të partneriteti është paraparë edhe organizimi i përbashkët të ngjarjeve, forumeve dhe iniciativave kombëtare dhe ndërkombëtare të dedikuara për zhvillimin e qëndrueshëm dhe tranzicionin energjetik.
Memorandumi është lidhur për një periudhë katërvjeçare, me mundësi për vazhdim, dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit midis Ministrisë së Energjetikës dhe UNDP-së drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të sigurt energjetike për Maqedoninë e Veriut.
Nesër rreth mesditës, 370 automjete të rënda do të bllokojnë të gjitha pikat kufitare në vend.
Do të ndalet transporti i mallrave drejt Bashkimit Evropian dhe tranziti nëpër rajon. Do të lejohen vetëm kamionët që transportojnë ilaçe, kafshë të gjalla, eksplozivë dhe municion.
Shkak për protestën është sistemi i ri i hyrje-daljes në vendet e zonës Shengen, i cili kufizon qëndrimin e shoferëve të kamionëve nga Ballkani Perëndimor.
Plani është që bllokadat të zgjasin shtatë ditë, por protestuesit janë të gatshëm t’i ndërpresin ato nëse BE-ja nis negociata për zgjidhjen e problemit.
“Nëse qoftë ditën e parë apo të dytën dërgohet sinjal tek institucionet kompetente të shtetit tonë se do të zhvillohen takime për gjetjen e një zgjidhjeje, ne menjëherë do ta ndërpresim bllokadën. Nuk duam t’i shkaktojmë dëm as vetes, as ekonomisë. Si rajon do të përballemi me një situatë ku shumë transportues do të kërkojnë zgjidhje duke transferuar kapitalin në shtete të tjera të BE-së, gjë që do të çonte në kolaps të tërë ekonomisë,” deklaroi Biljana Muratovska, nga Shoqata e Transportit MakamTrans.
Transportuesit paralajmërojnë se nëse BE-ja nuk gjen mënyrë për tejkalimin e këtij problemi, kjo do të nënkuptojë kolaps për ekonominë e Ballkanit Perëndimor.
Kostot e transportit do të rriten shumëfish, e bashkë me to edhe çmimet e produkteve.Nga Qeveria thonë se janë në komunikim me përfaqësuesit evropianë me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje dhe për të vënë në dukje problemet e transportuesve, të cilat përbëjnë kërcënim serioz për ekonominë.Përveç transportuesve nga Maqedonia e Veriut, kamionët në pikat kufitare do t’i parkojnë edhe transportues nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Nuk do të ketë pengesa për hyrje-daljen e autobusëve të udhëtarëve dhe automjeteve personale.
Ministria e Shëndetësisë thotë se ligji për mbrojtje nga duhani është i mirë.
Në njoftimin e fundit shkruajnë se projektligji i ri parashikon masa për rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe mbështetje për ndërprerjen e varësisë nga duhani.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, shpjegon se sistemi synon të ndihmojë duhanpirësit të heqin dorë nga duhani pa u stigmatizuar. Ligji parashikon obligime për zbatimin e programeve parandaluese, këshillime dhe edukime, si dhe mbështetje të gjithanshme gjatë procesit të largimit nga varësia.
Aliu thekson se varësia nga nikotina është një problem shëndetësor publik dhe se parandalimi është më efektiv dhe më pak i kushtueshëm se trajtimi.
Përveç kësaj, projektligji përcakton inspektoratet përgjegjëse, sanksionet për mosrespektim dhe rolin e autoriteteve lokale në zbatimin e tij.
Kujtojmë se ligji ndalon ekspozimin dhe reklamimin e produkteve me duhan dhe kërkon ruajtjen e tyre në dollapë të mbyllur dhe të errët, pa ndonjë shenjë që të tërheqë klientin.
Për këtë arsye bizneset e vogla si kiosqet që shesin kryesisht produkte si duhani, kërkojnë një periudhë tranzitore për t’u përshtatur ose në të kundërtën sipas tyre, shumë biznese do të detyrohen të mbyllen.
Policia e Strugës ngriti kallëzime penale kundër katër banorëve të Shkupit të moshës 18 deri në 35 vjeç, të dyshuar për rrëmbimin me dhunë të një vajze 23-vjeçare.
“Drejtoria Rajonale e Policisë së Strugës ngriti kallëzim penal kundër A.A. (25), D.K. (35), R.K. (18) dhe R.K. (21), të gjithë nga Shkupi, për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim” dhe “Bashkëpunim në Rrëmbim”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Të akuzuarit e kanë kryer krimin në rrugën “Marshall Tito” në Strugë, në dëm të një vajze 23-vjeçare nga Shkupi.
Pasi 25-vjeçari AA e vuri re vajzën, ai e ndoqi atë për një kohë të gjatë dhe më pas e futi me forcë në një makinë pasagjerësh, me ndihmën e tre të pandehurve të tjerë.
Edhe pse kamerat e sigurisë nga sistemi "Safe City" janë vendosur, në rrugët e Tetovës dhe bulevarde, nuk ka shenja paralajmëruese për kamera apo radar për matje të shpejtësisë, që janë parakusht për funksionimin e kësaj aparature dhe dënimin e vozitësve.
Zëvendës kryetari Albi Qamili, thotë se tenderi për furnizime me sinjalizimin horizontal dhe vertikal është mbyllur dhe është përzgjedhur kompania.
“Në fillim të këtij muaji menjëherë është hapur prokurimi publik për vendosjen e sinjalistikës ndriçuese, sinjalistikës vertikale pra të semaforëve dhe shenjave të komunikacionit. Është zgjedhur kompania dhe tani jemi në fazën e ankesave dhe besoj se nga fillimi i muaji të ardhshëm do të fillojë realizimi apo vendosja e shenjave ku do të vendosen edhe shenja të komunikacionit për matjen e shpejtësisë që korespondon me sistemin “Safe City” i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt. Do të ketë edhe shenja paralajmëruese se ka kamera dhe krahas kësaj do të vendosen edhe semafor të rinj, ndërkaq, pjesë e këtij prokurimi publik janë edhe renovimet e semaforëve ekzistues.”, tha Qamili.
Kujtojmë se zbatimi i sistemit Safe City do të filloj nga 1 shkurti, me ç'rast shoferët që bëjnë shkelje në komunikacion do të gjobiten.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se SPB-Manastir ka ngritur kallëzim penal kundër një 46 vjeçari nga Shkupi për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “mashtrim” sipas nenit 247 të Kodit Penal.
Njoftimi i plotë nga MPB:
“Më 25.01.2026, SPB Manastir, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminalistike pranë BSP-së, në Prokurorinë Themelore Publike Manastir paraqiti kallëzim penal kundër M.A. (46) nga Shkupi, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Mashtrim” sipas nenit 247 të Kodit Penal.
Më 11.11.2025, një 72-vjeçare nga fshati Bukovë është mashtruar përmes telefonit nga një person që u paraqit si inspektor policie dhe e informoi në mënyrë të rreme se vajza dhe dhëndri i saj kishin shkaktuar aksident trafiku. Nën kërcënim dhe bindje të rreme, e dëmtuara la 40.000 denarë dhe 1.500 dollarë amerikanë në një lokacion të dakorduar në Manastir. Pasi ka kuptuar se ngjarja nuk ishte e vërtetë, rasti është denoncuar në polici. Më 24.01.2026, i dyshuari është privuar nga liria në pikën kufitare Qafë Thanë dhe e ka pranuar plotësisht veprën”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Përmes një qëndrimi të përbashkët, pronarë të bizneseve të vogla, kanë reaguar në lidhje me draft-ligjin për mbrojtjen nga duhani, duke shprehur shqetësime për pasojat që do të shkaktojë zgjidhja ligjore për këtë veprimtari tregtare.
Paralajmërojnë se mbi 4.000 biznese të vogla, si tobako, kioska dhe mini-markete, rrezikojnë të mbyllen.
Pronarët po ashtu druajnë se kufizimet e reja për shitjen dhe ekspozimin e produkteve me duhan do të shkatërrojnë investimet e bëra me kredi dhe do të detyrojnë disa të mbyllin dyqanet.
Ligji ndalon ekspozimin dhe reklamimin e produkteve me duhan dhe kërkon ruajtjen e tyre në dollapë të mbyllur dhe të errët, pa ndonjë shenjë që të tërheqë klientin.
Pronarët kërkojnë një periudhë tranzitore për t’u përshtatur dhe zgjidhje të qarta për produktet e aromatizuara që nuk do të lejohen më. Pa këto masa, thonë ata, shumë biznese do të përballen me kolaps financiar dhe shkurtim të stafit.
Lidhja e Sindikatave ka njoftuar itinerarin e plotë për protestën më 28 janar.
Qëllimi kryesor i protestës është rritja e pagave të punëtorëve në 600 euro.
Protesta fillon më 28 janar 2026 në orën 17:00 para Qendrës së Punëtorëve (ndërtesa e LSM në Mirce Acev 6) në Shkup, pas së cilës vazhdon para Parlamentit, Dhomës së Tregtisë dhe Qeverisë së Maqedonisë (Duke lëvizur përgjatë Mirce Acev, Filipit të dytë, 11 Tetori, Dame Gruev, Bulevardi OBRM dhe duke përfunduar në Bulevardin Ilinden para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë) – njoftoi në Facebook Ivan Peshevski nga LSM.
Nga LSM thanë e nuk do të heqin dorë nga protesta për rritjen e pagës mininmale, pasi standardi jetësor është rritur dhe punëtorët po punojnë për mbijetesë.
"Izolimi diplomatik i Mickoskit ishte i dukshëm në Davos. Kryeministri nuk pati asnjë takim me një udhëheqës botëror apo evropian. Ai po filmonte veten në korridore dhe po bënte turizmin në kurriz të qytetarëve", reagon LSDM.
Nga LSDM thonë se i vetmi takim që shënoi vizitën e tij në Davos ishte me pronarin e kompanisë hungareze 4iG, të lidhur me regjimin e Viktor Orbanit.
"Kjo tregon se sa shumë i shërben Mickoski Orbanit në zgjerimin e ndikimit të tij politik dhe të biznesit. Në këtë drejtim është edhe vendimi i fundit i Qeverisë Mickoski për të futur kompaninë 4iG në sektorin e telekomunikacionit. Ky nuk është një sukses investimi, por një projekt politik për të marrë kontrollin e sektorëve strategjikë si telekomunikacioni dhe media, duke krijuar një rrjet ndikimesh autoritare që izolojnë rajonin nga BE-ja. Pronarët e portaleve pro-qeveritare që janë pjesë e oktapodit mediatik Alfa-Alta janë kryesisht nga Hungaria dhe të lidhur drejtpërdrejt me Orbanin. LSDM ka paralajmëruar për dy muaj për planin e OBRM-PDUKM--së për të marrë kontrollin e sektorëve strategjikë, veçanërisht medias, dhe ky plan po bëhet gjithnjë e më i dukshëm", thuhet në reagim.
LSDM bën thirrje për mbrojtjen e interesave kombëtare nga ndikimet e huaja që kërcënojnë pavarësinë dhe të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Një person e humbi jetën sot në Shkup, pasi drejtone një automjet udhëtarësh në ora 4 të mëngjesit duke dalë nga rruga kryesore, njoftuan nga MPB.
"Në Shkup në kryqëzimin e bul. “Aleksandri i Maqedonisë””, rr. “Brigada e 16-të Maqedonase” dhe rr. “Brigadat Ndërkombëtare”, sot në mëngjes rreth orës 04:10, një automjet udhëtarësh “Ford” me targa të Shkupit, drejtuar nga B.S. (45) nga Shkupi, ka dalë nga rruga. Në aksident shoferi ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe me automjet të Ndihmës Urgjente Mjekësore është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm “Sh. Naum Ohridski” të Shkupit, ku mjeku ka konstatuar vdekjen. Sipas urdhrit të prokurorit publik, trupi i të ndjerit u dorëzua për obduksion në Mjekësinë Ligjore, ndërsa këqyrjen e vendit të ngjarjes e kreu një ekip hetues i SPB Shkup”, thuhet një njoftimin e Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup.
Shefi i SPB Shkup, Sasho Topallovski deklaroi se vozitja në kryeqytet dukshëm është qetësuar pas periudhës testuese të sistemit “Qyteti i sigurt”.
Ai theksoi se qytetarët menjëherë e kanë ulur numrin e kundërvjatjeve me vendosjen e vërejtjeve, ndërsa sistemi i ri do të regjistrojë katër kundërvajtje kyçe të cilat më së shumti e rrezikojnë sigurinë në komunikacion: vozitja e shpejtë, kalimi në semafor të kuq, automjete të paregjistruara dhe parkimi jo i rregullt.
“Përmes vërejtjeve populli shumë shpejtë reagoi gjatë periudhës testuese. U njoftua, e dinte se çka paraprin dhe menjëherë e qetësoi vozitjen, e qetësoi mënyrën e vozitjes. Me atë dëshmuam se mund të jemi njejtë si gjermanët, austriakët, si të gjitha vendet e tjera që e kanë të inkorporuar atë në sistemin e vet, edhe ne ta respektojmë”, deklaroi Topallovski.
Ai theksoi se reagimi ishte aq i shpejtë sa që numri i kundërvajtjeve u ulë për më shumë se tre herë.
“Në fillim kishim mbi 110 mijë kundërvajtje. Nuk ka sistem dhe institucion që mund ta përpunojë atë. Por populli, për dy ditë, e zbriti numrin në 30 mijë. Aq është i menqur populli ynë. Mu në vërjtje, mu në vetë testin, e uli nivelin e vozitjes së shpejtë”, shtoi ai.
Topallovski sqaroi se reforma është e kahëzuar drejt katër kundërvajtjeve të cilat më së shumti ndikojnë në rendin dhe sigurinë e trafikut: vozitja e shpejtë, kalimi në dritë të kuqe, automjete të paregjistruara dhe parkim jo i rregullt. Këto janë mu kundërvajtjet që do t’i detektojë “Qyteti i sigurt”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski informoi sot se me sistemin Safe City rritet siguria dhe zvogëlohet numri i aksidenteve rrugore.
Toshkovski informoi se ndodhet në terren, në lokacion ku po kryhet verifikimi përfundimtar i kamerave për zbulimin automatik të kundërvajtjeve të trafikut si pjesë e projektit “Qyteti i sigurt”.
Ai theksoi se në këtë fazë po bëhet kontrolli i saktësisë së matjes së shpejtësisë, me ç’rast lëshimet e konstatuara janë minimale dhe dukshëm nën tolerancën e lejuar ligjore, që garanton siguri dhe besueshmëri të sistemit.
Kujtojmë se sot nga MPB informuan se faza testuese e kamerave nga "Safe City" do të bëhet në qytetin e Tetovës dhe Kumanovës, teksa gjobat për shkelësit e rregullave në komunikacion do të aktivizohen nga 1 shkurti.
Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari kanë njoftuar se vitin e kaluar janë kryer mbi 125 mijë kontrolle në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, Mes tjerash nga AUV bëjnë të ditur se janë shqiptuar edhe gjoba në vlerë prej 618 mijë euro.
Theksi i kontrolleve u vendos në zbatimin dhe mirëmbajtjen e procedurave të Praktikës së Mirë Higjienike dhe Praktikës së Mirë Prodhuese, si dhe të sistemit HACCP për sigurinë ushqimore, në etiketimin e duhur të ushqimit, monitorimin e ushqimit nga prodhimi vendas dhe nga importi, si dhe në mbrojtjen shëndetësore dhe mirëqenien e kafshëve.
Njoftimi i plotë nga AUV:
Mbi 125 mijë kontrolle inspektuese nga fusha e sigurisë së ushqimit dhe ushqimit për kafshë, mbrojtjes shëndetësore dhe mirëqenies së kafshëve, u realizuan vitin e kaluar nga veterinerët zyrtarë dhe inspektorët e ushqimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Krahas tregtisë së brendshme, objekt i kontrolleve ishin edhe prodhimi, shpërndarja, gastronomia, si dhe importi dhe eksporti. Theksi i kontrolleve u vendos në zbatimin dhe mirëmbajtjen e procedurave të Praktikës së Mirë Higjienike dhe Praktikës së Mirë Prodhuese, si dhe të sistemit HACCP për sigurinë ushqimore, në etiketimin e duhur të ushqimit, monitorimin e ushqimit nga prodhimi vendas dhe nga importi, si dhe në mbrojtjen shëndetësore dhe mirëqenien e kafshëve. Frekuenca e kontrolleve zyrtare u realizua në përputhje me kategorizimin e objekteve (operatorëve ushqimorë) sipas rrezikut, ku objektet e kategorizuara me rrezik të lartë u kontrolluan më shpesh sesa ato të kategorizuara si operatorë me rrezik të ulët. Në vitin 2025, nga numri i përgjithshëm, u realizuan gjithsej 47.200 kontrolle në tregtinë e brendshme, në kuadër të mbikëqyrjeve të rregullta dhe të jashtëzakonshme inspektuese, me ç’rast u lëshuan 5.406 vendime, u paraqitën 10 kallëzime për kundërvajtje, u shqiptuan 1.073 urdhër-pagesa për kundërvajtje me vlerë totale prej 618.010 eurosh në kundërvlerë në denarë. U paraqitën gjithashtu 8 kallëzime penale, të gjitha nga fusha e mbrojtjes shëndetësore dhe mirëqenies së kafshëve. Në kuadër të këtyre kontrolleve, u konfiskua dhe u asgjësua në mënyrë të sigurt ushqim i pasigurt (mish dhe produkte mishi, qumësht dhe produkte qumështi, fruta të thata, vezë, peshk, produkte ëmbëlsirash, si dhe pije alkoolike dhe joalkoolike) në një sasi totale prej 355.377 kilogramësh. Shuma totale e gjobave të shqiptuara në vitin 2025 arrin 618 mijë euro në kundërvlerë në denarë. Për më tepër, shërbimet inspektuese të Agjencisë realizuan 78.016 kontrolle të dërgesave të importit dhe të atyre që transitonin nëpër vend, me ushqim me origjinë shtazore dhe joshtazore, produkte dhe materiale që vijnë në kontakt me ushqimin, ushqim për kafshë dhe kafshë të gjalla. Si të pasigurta, u asgjësuan 8 dërgesa me ushqim me origjinë joshtazore në sasi prej 69.785 kilogramësh, ndërsa një dërgesë u kthye në vendin eksportues. Si të pasigurta, në kuadër të këtyre kontrolleve, u asgjësuan edhe tri dërgesa me ushqim me origjinë shtazore në një sasi totale prej 22.061 kilogramësh. Në të njëjtën periudhë kohore, si të pasigurta u kthyen 16 dërgesa me ushqim me origjinë shtazore.
Sistemi “Safe City” është çështje e sigurisë publike, e mbrojtjes së jetës së qytetarëve dhe e vendosjes së rendit në komunikacion. Kur flasim për “Safe City”, nuk flasim për kamera apo gjoba, por për jetë njerëzish. Flasim për rrugë më të sigurta, për familje që nuk duhet të humbasin më baballarë, fëmijë apo motra për shkak të papërgjegjshmërisë së dikujt tjetër, kështu deklarojnë nga koalicioni VLEN.
Ata shprehën se qëndrimi i BDI-së, dëshmon edhe një herë se kjo strukturë nuk ka asnjë lidhje me interesin e përgjithshëm publik.
"Për ta, çdo vendim është pazar, çdo proces është llogari e brendshme, dhe asgjë nuk udhëhiqet nga parimet apo nevoja reale e qytetarëve. Rasti i “Safe City” e zbulon hapur krizën e thellë të brendshme në BDI. Një ditë deklarojnë se “në parim janë pro”, ndërsa ditën tjetër e rrëzojnë të njëjtin qëndrim. Kjo dëshmon rrëmujë politike dhe mungesë totale kontrolli. Është e qartë se Ali Ahmeti nuk e kontrollon më as grupin e tij parlamentar. Anija e tyre politike po fundoset. Sapo u aktivizua klika e vjetër, me Sadulla Durakun në krye, çdo pretendim për reformë u shua. E ashtuquajtura “risi” e BDI-së u zhduk në momentin kur foli e kaluara e tyre. Kjo është arsyeja pse kjo parti nuk mund dhe nuk përfaqëson interesin e shqiptarëve sot. BDI mbetet peng i njerëzve dhe mendësisë të së kaluarës, një mendësi që ka prodhuar krizë pas krize. Kur bëhet fjalë për interesin e qytetarëve, zgjedhin bllokadën. Kur kërkohet përgjegjësi dhe vendimmarrje, zgjedhin kaosin e brendshëm. Kur kërkohet llogaridhënie, kthehen te logjika e pazareve. Refuzimi i tyre për të mbështetur “Safe City” nuk ka të bëjë me përmbajtjen e projektit, por me frikën nga rendi, ligji dhe transparenca. Sepse aty ku ka rregull, nuk ka hapësirë për ndërhyrje, ndikim dhe lojëra prapa perdeve siç janë mësuar çdoherë", thuhet në komunikatën e VLEN-it.
Ata shtojnë se qytetarët duhet ta dinë qartë se problemi nuk është “Safe City”, por sipas tyre problemi është BDI.