Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka bërë homazhe tek varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova, në 36- vjetorin e themelimit të LDK-së.
Abdixhiku tha se sot kujtohet lëvizja më e madhe kombëtare për Liri, Pavarësi e Demokraci.
“LDK nisi si aspiratë e popullit të Kosovës për liri, përderisa programi politik i saj, u shndërrua në projekt kombëtar të popullit të Kosovës. Projekt ky i cili kulmoj me shtetin tonë, Republikën tonë”, deklaroi ai para mediave.
Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidat për kryeministër takoi anëtarët e mbështetësit e IRDK, të cilët i kishte edhe partner koalicioni në këtë qeverisje.
Kurti lëvdoi bashkëpunimin me kryetarin e IRDK, Elbert Krasniqi, duke e quajtur këtë një bashkëpunim të suksesshëm.
Ai potencoi se fitorja e 28 dhjetorit do të jetë e përbashkët, duke vazhduar shtrirjen e sigurisë e jetëgjatësinë e begatisë.
E para e shtetit, Vjosa Osmani ditë më parë është takuar me Zëvendës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau.
Në këtë takim u diskutua çështja e sigurisë, dialogu strategjik, të drejtat e shqiptarëve në Luginë dhe çështje tjera.
Presidenca e Kosovës ka dhënë detaje për takimin, gjersa ka bërë të ditur se presidentja Vjosa Osmani ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për nënshkrimin nga Presidenti Donald Trump të Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), për mbështetjen amerikane ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, për vizionin e Presidentit Trump që dialogu të bazohet në njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për rritjen e investimeve strategjike ekonomike.
E para e shtetit po ashtu ka folur edhe për zhvillimet e fundit, situatën e sigurisë në rajon, si dhe për rëndësinë e shtyrjes përpara të Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA, si një platformë thelbësore për forcimin e partneritetit dypalësh dhe avancimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.
Në këtë takim, Presidentja ka ngritur çështjen e shkeljeve flagrante nga ana e Serbisë të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, duke kërkuar përkrahjen e Administratës Trump për këtë çështje.
"Sa i përket raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Presidentja shprehi mirënjohje ndaj politikës së qartë të Administratës Trump që dialogu duhet të bazohet në njohje reciproke dhe për faktin që janë përjashtuar idetë e rrezikshme për ndryshime të kufijve apo ndarje. Kjo qasje, shtoi ajo, është e domosdoshme, në mënyrë që të ruhet paqja e stabiliteti në rajonin tonë", vijon tutje njoftimi i Presidencës. /Telegrafi/
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se sot Shqipëria do të ndikohet nga kushte atmosferike të kryesisht të paqëndrueshme.
SHMU njofton se moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura.
“Reshjet e shiut pritet të bëhen prezentë në orët e mëngjesit fillimisht përgjatë vijës bregdetare dhe gradualisht do të shtrihen në të gjithë vendin. Reshjet parashikohet të jenë me intensitet kryesisht të ulët e lokalisht reshje shiu në formën e shtrëngatave afatshkurtra kryesisht përgjatë ultësirës perëndimore dhe në jugperëndim të vendit”, thuhet në njoftim.
Tutje, SHMU bën të ditur se në Alpe e relievet malore në verilindje-lindje-juglindje duke filluar prej orëve të pasdites do të ketë reshje bore me intensitet të ulët, ndërkaq mjegull e dendur përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit si dhe në momentin e reshjeve të shiut dhe dëborës.
Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 7 m/sek, përgjatë vijës bregdetarë e zonave luginore era fiton shpejtësi deri në 12m/s . /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të grabitjes në tentativë në Medvec të Lipjanit.
Rasti ka ndodhur të premten, në ora 18:40.
“Ankuesi mashkull kosovar, kishte vërejtur një person me një shall mbi kokë dhe sëpatë në dorë, i cili kishte kërkuar nga viktima t’ia dorëzojë të gjitha të hollat që i kishte, mirëpo viktima kishte arrit të largohej nga vendi i ngjarjes”, thuhet në raport.
Kandidati për deputet nga Suhareka, Arben Gega, që ka numrin 68 në listën e PDK-së u ka uruar mirëseardhje mërgimtarëve që po kthehen në Kosovë për festat e fundvitit, duke i ftuar që, përtej dallimeve partiake, të festojnë së bashku dhe të ndajnë gëzimin e këtyre ditëve.
Në një mesazh të publikuar në rrjete sociale, Gega theksoi se Kosova është shtëpia e përbashkët e të gjithëve dhe vendi i së ardhmes së fëmijëve tanë.
“Të dashur mërgimtarë, mirë se erdhët në vendin tuaj. Mirë se erdhët në shtëpitë tuaja për festat e fundvitit”, u shpreh ai, duke nënvizuar se prania e mërgatës ua shton edhe më shumë kuptimin festave.
Ai theksoi se dashuria për vendin dhe për të ardhmen e gjeneratave të reja është ajo që i bashkon qytetarët, pavarësisht bindjeve politike.
“Përtej dallimeve partiake na bashkon dashnia për vendin, dashnia për të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha Gega, duke përmbyllur mesazhin me urimin “Gëzuar festat e fundvitit dhe mirë se na erdhët!”.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj shtatë të dyshuarve: ish-ministrit Fadil Ismajli, avokates Mirlinda Bllata-Dibrani, gjyqtarit Jovica Mitroviq, Bedri Dibranit, Shaban Tërbunjës, Naim Krasniqit dhe Goran Llaziq, për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes dhe dhënies së ryshfetit, ushtrimit të ndikimit dhe deklarimeve të rreme.
Sipas dokumenteve të Prokurorisë, të siguruara nga “Betimi për Drejtësi” të dyshuarit kanë krijuar një rrjet të mirëorganizuar që synonte përfitime të kundërligjshme nga kompensimet për pronat e shpronësuara, duke shkelur ligjet për shpronësim dhe duke realizuar propozim-ankesa të vonuara ligjërisht.
Sipas Prokurorisë, avokatja Mirlinda Bllata-Dibrani ka parashtruar propozim-ankesa për ish-pronarët e pronave të shpronësuara, edhe pasi afatet ligjore kishin kaluar dhe kompensimi ishte dhënë më parë.
Gjithashtu, Bllata-Dibrani ka marrë paratë e ekzekutuara nga thesari i shtetit dhe i ka transferuar tek të dyshuarit e tjerë sipas përqindjeve të dakorduara në rrjetin e përfitimeve të paligjshme.
Gjyqtari Jovica Mitroviq dhe përfaqësuesit e Avokaturës Shtetërore, përfshirë Naim Krasniqin, sipas pretendimeve të Prokurorisë, nuk kanë kundërshtuar këto ankesa dhe kanë lejuar përfundimin e propozim-ankesave me Ujdi Gjyqësore, duke legalizuar pagesat përfituesve në mënyrë të parregullt. Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë krijuar mundësinë që ish-pronarët e kompensuar më parë të përfitojnë sërish, duke përfshirë edhe përfitime për vetë të dyshuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në kërkesën për caktimin e paraburgimit të nënshkruar nga prokurori special, Dren Paca, thuhet se i dyshuari Fadil Ismajli ka marrë shumicën e parave nga ekzekutimi i pagesës (rreth 210,000 euro) dhe i ka dorëzuar ato tek Bedri Dibrani, i cili më pas i ka shpërndarë mes të dyshuarve të tjerë: 4,000 euro për Jovica Mitrović, 5,900 euro për Shaban Tërbunja, 9,500 euro për Goran Llazic, 9,000 euro për Naim Krasniqi dhe 7,000 euro për Ridvan Krasniqi.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, Fadil Ismajli funksiononte si ndërmjetës kyç, duke koordinuar transferimin e parave dhe siguruar respektimin e marrëveshjeve për shpërndarjen e fitimeve të paligjshme.
Prokuroria pretendon se Goran Llazic dhe Bedri Dibrani janë kapur në flagrancë duke numëruar dhe ndarë paratë, ndërsa dokumentet dhe blloqet e shënimeve të gjetura tek Llazic tregojnë planin e shpërndarjes dhe përfituesit e dyfishtë, duke përfshirë përqindjet që i përkasin secilit të dyshuar në rrjet.
Për Shaban Tërbunja, Prokuroria thotë se ka marrë pjesë në shpërndarjen e përfitimeve duke ndihmuar në transferimin dhe dorëzimin e shumave sipas marrëveshjeve paraprake, ndërsa Naim Krasniqi dhe Ridvan Krasniqi kanë përfituar nga shpërndarja e parave.
Prokuroria ka mbledhur prova materiale përmes monitorimit të fshehtë të bisedave, kontrollit të vendbanimeve, sekuestrimit të pajisjeve elektronike dhe intervistimit të dëshmitarëve dhe të dyshuarve.
Pretendimet e Prokurorisë tregojnë se të dyshuarit kanë vepruar në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, duke krijuar një mekanizëm të strukturuar për të përfituar padrejtësisht, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar dhe institucional ndaj shtetit të Kosovës dhe duke rrezikuar përsëritjen e veprave të njëjta.
Sipas Prokurorisë, ekziston rreziku i arratisjes për të dyshuarit me lidhje dhe pronë jashtë vendit, si dhe rreziku që ata të ndikojnë në dëshmitarë ose të pengojnë rrjedhën normale të procedurës gjyqësore. Pretendimet e Prokurorisë theksojnë se paraburgimi është i vetmi mjet adekuat për të parandaluar asgjësimin e provave dhe për të siguruar një proces të drejtë gjyqësor.
Sipas dosjes së Prokurorisë, veprimet e secilit të dyshuar, duke përfshirë parashtrimin e propozim-ankesave të parregullta nga Bllata-Dibrani, miratimin e tyre nga Mitrović dhe përfaqësuesit e Avokaturës, shpërndarjen e parave nga Fadil Ismajli dhe Bedri Dibrani, dhe pjesëmarrjen e tjerëve në mekanizmin e rrjetit, tregojnë pjesëmarrje aktive në një rrjet korrupsioni të orkestruar, duke shkelur ligjet dhe duke minuar besimin publik në institucionet shtetërore.
Të enjten, më 18 dhjetor, Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme se është finalizuar një operacion kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ku janë arrestuar disa zyrtar ëlidhur me procesin e shpronësimit të pronave. Ndërkohë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka njoftuar ndaj gjyqtarit i përfshirë në këtë rast do të merren masa. /BetimipërDrejtësi/
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka bërë të ditur se është përzgjedhur Anëtare Kandidate e Zgjerimit (Enlargement Candidate Member - ECM) në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian (EESC).
Në njoftim thuhet se me këtë hap, Dhoma, si përfaqësuese e qindra bizneseve në Kosovë, do të kontribuojë në hartimin e opinioneve të EESC-së që lidhen me organizatat e shoqërisë civile dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
"Përzgjedhja nga EESC, përfaqëson një njohje të rëndësishme ndërkombëtare për rolin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë në përfaqësimin e interesave të komunitetit të biznesit, si dhe një mundësi e drejtpërdrejtë për të kontribuar në proceset konsultative dhe politike të Bashkimit Evropian.
DhTIK mbetet e përkushtuar që, përmes këtij angazhimi, të avancojë zërin e sektorit privat të Kosovës dhe të kontribuojë në procesin e integrimit evropian të vendit", thuhet në komunikatë. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pasi kanë ndaluar një automjet për kontroll në fshatin Uqë të Istogut, Policia ka gjetur dy armë zjarri dhe fishekë.
Në raportin policor bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të premten, në ora 16:10.
“Njësiti policor ka ndaluar automjetin me targa vendore në të cilin kishin qenë dy të dyshuar meshkuj kosovarë. Gjatë kontrollit në automjet janë gjetur dhe konfiskuar dy armë zjarri pistoleta, njëra me dy karikatorë dhe 40 copë fishekë, kurse tjetra me një karikator dhe 6 copë fishekë”, thuhet në raport.
Të dyshuarit për armët nuk posedonin leje për bartje, por vetëm për shenjëtari.
Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/
Për shkak të prezencës së mjegullës në Rrugën e Kombit, segmenti Tuneli i Kalimashit–Morinë, ku shikueshmëria është e reduktuar, Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar, të ulin shpejtësinë dhe të zbatojnë udhëzimet e punonjësve të Policisë.
Shërbimet e Policisë së Njësisë për Sigurisë Rrugore në bashkëpunim me Policinë Rrugore të DVP Kukës, ndodhen në terren për monitorimin e qarkullimit dhe për t’ju ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve.
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës(PDK), Bedri Hamza, e ka nisur sot ditën në Pejë, në shoqëri me Xhavit Halitin.
"Me Bedriun, njeriun e duhur për kryeministër të Kosovës, e nisëm ditën në Pejën e Haxhi Zekës, mes njerëzve tanë të mirë, me besim e shpresë për fitoren e PDK-së", ka shkruar Haliti në rrjetet sociale.
PDK mban sot takim në Pejë në ora 17:30, ku do të merr pjesë edhe Bedri Hamza.
Sadete Zhitia, motra e dëshmorit Afrim Zhitia ka treguar bisedën që ka pasur me nënën e saj.
Ajo në një postim në Facebook thotë se që të kuptosh vendin, dëgjo edhe nënat.
Lexoni të plotë postimin e Sadete Zhitisë:
Të kuptosh vendin, dëgjo edhe nënat
Sot në bisedën e zakonshme të mëngjesit me Nanën, në mes të fjalëve të zakonshme, m'tha:
“Zot ma ruaj atë djalë.”
E pyeta: “Cilin djalë, oj nanë?
Ajo: “Albinin, de.”
Pastaj vazhdoi:
“Kurr kush përpara për fmi as që i ka përmendë pret. As për gra lehona, nuk ka menue kush. Edhe penzijat i rriti. Besom, kam menue se kurr matanë Ibrit s’kemi me dalë në at Mitrovicë.”
Kishte trishtim në sytë e saj kur e përmendi Mitrovicën.
Mua m’u kujtua burgu i Mitrovicës, një stufë e madhe ku, në vitet e robërisë, digjeshin vitet e rinisë shqiptare.
Më pas tha:
“Kur po e shoh BASHKIMIN, DJALIN E ASAJ SHPIJE QË NA QITI NË DRITË, NË KRYE TË USHTRISË, zemra mal po m’bahet.”
Pasi u mendua pak, mbylli sytë, fërkoi ballin e tha, me zë të dridhur:
“Ky Albini diqysh e ka një nuri, e ka nj dije … sikur po më hjek mall”.
Partia Shqipëria bëhet ka zhvilluar të dielën një protestë para Kryeministrisë ku kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Mes protestuesve dhe policisë janë shënuar disa herë përplasje pasi këta të fundit kanë tentuar të heqin gjeneratorin që përdoret nga kreu i kësaj partie, Adriatik Lapaj i cili prej ditësh proteston para Kryeministrisë, raporton euronews.al.
Në fjalën e tij para protestuesve Lapaj i kërkoi kryeministrit Rama të dorëhiqet ndërsa i ka bërë thirrje të rinjve të bashkohen me kauzën e tyre.
“Ftoj qytetarët të bashkohen dhe që Rama të dorëhiqet. Premtimet që dha, Rama gënjeu dhe nuk i mbajti! Është koha që brezi i ri të bashkohet. Është koha e së mirës kundër së keqes. I them Edi Ramës nga ky shesh: Çdo veprim, çdo nisëm që merr ndaj nesh je absolutisht në konflikt me familjen Lapaj drejtpërdrejt. Kam një thirrje për Diasporën, është koha për të çliruar mëmëdheun! Forca”, tha Lapaj.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani theksoi sot se përveç aktit të njohjes, të premten në Nassau, kryeqytetin e Komonuelthit të Bahamas, së bashku me kryeministrin Philip Davis, nënshkruan edhe Marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Presidentja në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Kosova ecën përpara duke fituar miq.
“Ky akt forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe zgjeron rrethin e shteteve tona mike që besojnë në vlerat e lirisë, sovranitetit dhe bashkëpunimit. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj partneriteteve të sinqerta, në shërbim të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar”, shkruan ajo. /Telegrafi/
Rritja e çmimeve të banesave në Kosovë vitet e fundit është rezultat i faktorëve realë ekonomikë dhe strukturorë, e jo i spekulimeve në treg, ndërsa për aq kohë sa ekziston kërkesë për blerje, nuk pritet rënie e çmimeve.
Kështu u tha në “Përballje Podcast”, ku Faton Hoxha, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve të Kosovës, foli për arsyet që kanë ndikuar drejtpërdrejt në shtrenjtimin e apartamenteve.
“Nëse para dy vjetësh metri katror në disa zona ka qenë rreth 500 euro, sot është 700–800 euro, ndërsa në zona të caktuara të Prishtinës ka shku edhe 1.300 deri në 1.500 euro”, tha Hoxha.
Sipas tij, një nga faktorët kryesorë është rritja e çmimeve të materialeve ndërtimore.
“Hekuri është shtrenjtu rreth 45 për qind, betoni 25–30 për qind, ndërsa materialet kryesore si hekuri, cimentoja dhe druri janë dukshëm më të shtrenjta se para pandemisë”, theksoi ai.
Një tjetër faktor kyç është rritja e kostos së fuqisë punëtore, si pasojë e emigrimit të madh.
“Ka zëra që rreth 170 mijë njerëz e kanë lëshuar Kosovën vitet e fundit, shumica prej tyre krahu i punës. Kjo ka bërë që çmimi i punës të dyfishohet, e në disa raste edhe të katërfishohet”, u shpreh Hoxha.
Ai shtoi se në Prishtinë, çmimi i tokës ka arritur të përbëjë deri në 40–50 për qind të kostos totale të një projekti ndërtimor, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimin final të banesave.
Duke bërë krahasime rajonale, Hoxha tha se pavarësisht rritjes, Kosova vazhdon të ketë çmime më të ulëta të banesave sesa kryeqytetet e rajonit.
“Në krahasim me Tiranën, Shkupin, Podgoricën apo Beogradin, Kosova hala e ka çmimin më të lirë të banesave”, tha ai.
Në përmbyllje, Hoxha hodhi poshtë pretendimet për rënie të çmimeve të banesave në një periudhë të afërt.
“Në momentin që nuk ka shitje, nuk ka as ndërtim. Përderisa ka blerës dhe kërkesë reale, nuk do të ketë rënie të çmimeve”, përfundoi ai. /Telegrafi/
Në një takim të ngrohtë në një nga kafenetë e Podujevës, Glauk Konjufca takoi veteranët e arsimit të kësaj komune.
Mes diskutimesh të hapura, Konjufca ka vlerësuar kontributin e çmuar të tyre ndër vite.
“Vendosmëria e tyre e palëkundur për të mos lëshuar pe, ashtu siç nuk kanë bërë kurrë më parë, u rikonfirmua sërish me mbështetjen e plotë për angazhimin e përbashkët drejt fitores edhe më të madhe të 28 dhjetorit”, është shprehur Glauk Konjufca.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe numri dy në listën zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Uran Ismaili, së bashku me kandidatin për kryeministër Bedri Hamza, kanë mbajtur një tubim me qytetarët e Kolovicës dhe të Nazim Gafurrit në Prishtinë.
Mes një numri të madh të qytetarëve, Hamza dhe Ismaili kanë shpalosur programin dhe prioritetet e PDK-së për mandatin katërvjeçar që synojnë ta marrin, me fokus në zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe lehtësim të kostos së jetesës për qytetarët.
“Me qytetarët e Kolovicës dhe Nazim Gafurrit mbrëmë u bashkuam rreth vizionit tonë për jetë më të mirë në Kosovë”, ka deklaruar Ismaili.
Ai theksoi se qeveria e ardhshme e udhëhequr nga Bedri Hamza do të heqë TVSH-në nga faturat e energjisë elektrike dhe nga shumë produkte esenciale, me qëllim uljen e çmimeve dhe rritjen e përballueshmërisë së jetesës për të gjitha familjet në Kosovë.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin lidhur me analizimin e listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, të cilët janë përfshirë në raste penale.
IKD thekson se ka avokuar vazhdimisht për dekriminalizimin e politikës, në kuptimin që personat të cilët përfshihen në raste penale, edhe nëse nuk kanë ndalesa specifike ligjore, të mos jenë pjesë e listave zgjedhore dhe bartës të funksioneve të caktuara publike.
“Përfshirja në raste penale konsiston qoftë në aktakuza aktive apo dënime të formës së prerë. Siç është theksuar vazhdimisht, kërkesa për mos kandidim të personave të cilët përfshihen në raste penale nuk nënkupton cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë por se synon të dërgojë një mesazh pozitiv, në kuptim të vlerësimit të integritetit.
Në bazë të ligjit për zgjedhjet e drejta për të kandiduar për deputetë në zgjedhjet parlamentare iu kufizohet vetëm personave të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë me një vit burgim e më shumë në tre vitet e fundit. Përkundër, kësaj IKD me qëllim të forcimit të integritetit institucional të Kuvendit të Kosovës dhe integritetit personal të përfaqësuesve të popullit në vazhdimësi ka lobuar që partitë politike të pastrojnë listat e deputetëve edhe nga persona të cilët kanë potencialisht probleme me ligjin në kuptim të dyshimeve për përfshirje në vepra penale, aktakuza, apo dënime të shqiptuara nga gjykatat por që nuk hyjnë në kuadër të kufizimit ligjor”, thuhet në komunikatën e IKD-së.
Instituti i Kosovës për Drejtësi rikujton se për këto zgjedhje janë certifikuar 24 subjekte politike, ndërsa pjesë e tyre janë 1,179 kandidatë për deputetë.
“Duke mos cenuar parimin e prezumimit të pafajësisë, sikurse edhe në ciklet e tjera zgjedhore, edhe në këtë rast, IKD bazuar në të dhënat e saj nga monitorimi i proceseve gjyqësore, në këtë raport ka paraqitur kandidatët për deputetë që janë përfshirë në raste penale. Kandidatë të tillë cilësohen të gjithë kandidatët e identifikuar të cilët kanë aktakuza aktive apo dënime penale të formës së prerë.
Raporti thekson se sipas të dhënave të monitorimit të IKD, nga 1,179 kandidatët për deputetë, 28 prej tyre apo 2.37% janë persona të cilët janë përfshirë në raste penale. Prej tyre, janë gjithsej 19 kandidatë për deputetë të cilët kanë aktakuza aktive. Ndërkaq, ky raport ka identifikuar edhe gjithsej 12 kandidatë për deputetë të cilët në të kaluarën janë dënuar me vendim të formës së prerë. Derisa, nga këta 28 kandidatë, për 3 prej tyre është gjetur se përveç që janë të dënuar me vendim me vendim të formës së prerë kanë edhe aktakuza aktive. Derisa, në këtë raport potencialisht mund të ketë edhe raste të rehabilitimit ligjor por që subjektet politike nuk kanë ofruar informacion”, thuhet në njoftim.
IKD gjen se sipas subjekteve politike, numri më i lartë i kandidatëve që janë përfshirë në raste penale vjen nga LVV, që ka kandiduar gjithsej 13 persona, të cilët janë evidentuar se janë përfshirë në raste penale.
Shprehur në përqindje, rezulton se 11.81% e listës së kandidatëve të LVV për deputetë përbëhet nga persona të cilët janë përfshirë në raste penale.
Ky rangim pasohet nga AAK, e cila ka përfshirë në listën e saj gjithsej gjashtë kandidatë të cilët janë përfshirë në raste penale, duke bërë që 5.45% e listës së saj të deputetëve të përbëhet nga persona të cilët janë përfshirë në raste penale.
Më pas vjen Nisma Social Demokrate me tre kandidatë (2.72%), PDK me dy kandidatë (1.81%), Lista Serbe me dy kandidatë (6.06%), KDTP me një kandidat (6.25%) dhe LDK me një kandidat (0.9%).
“Sa i përket veprave penale në të cilat janë të përfshirë kandidatët, dominojnë veprat penale nga kapitulli i korrupsionit zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare dhe vepra penale ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’.
Nëse i referohemi gjetjeve të monitorimit dhe hulumtimit të IKD në lidhje me kandidatët të cilët janë përfshirë në raste penale, rezulton se krahasimisht me zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, është pësuar regres në të gjitha pikat e vlerësimit. Regres është shënuar në raport me numrin e kandidatëve për deputetë të cilët përfshihen në raste penale, numrin e kandidatëve me dënime penale dhe numrin e subjekteve politike që në listat e tyre kanë përfshirë persona të përfshirë në raste penale”, thuhet në njoftimin e IKD-së. /Telegrafi/