SHBA – Rubio: Bisedimet për Ukrainën nuk synojnë detyrimisht një marrëveshje
UASHINGTON, 19 dhjetor /ATSH-DPA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, theksoi sot se i takon Ukrainës dhe Rusisë të arrijnë paqen, ndërsa vazhdon shqetësimi se SHBA mund të përpiqet të ushtrojë presion mbi Kievin për të pranuar një marrëveshje të favorshme për Moskën.
”Kjo nuk ka të bëjë me imponimin e një marrëveshjeje mbi askënd”, tha Rubio për gazetarët, përpara bisedimeve mes negociatorëve amerikanë dhe rusë në Miami këtë fundjavë.
”Bëhet fjalë për të përcaktuar se çfarë presin dhe çfarë kanë nevojë të kenë të dy palët, dhe çfarë janë të gatshme të japin në këmbim, dhe të shohim nëse mund të kemi një përputhje mes tyre”, shtoi sekretari i Shtetit.
Zyrtarët amerikanë pritet të zhvillojnë gjithashtu bisedime me një delegacion ukrainas në Miami, ndërsa nuk janë planifikuar bisedime direkte mes dy palëve në luftë.
Rubio nënvizoi se nuk mund të ketë një marrëveshje paqeje pa miratimin e të dyja palëve, por theksoi se gjetja e një zgjidhjeje për konfliktin afro katërvjeçar nuk është prioriteti kryesor i administratës.
”Kjo nuk është lufta jonë. Është një luftë në një kontinent tjetër. Ne kemi interesa dhe jemi të angazhuar në këtë luftë, por nuk është lufta jonë”, theksoi ai./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post SHBA – Rubio: Bisedimet për Ukrainën nuk synojnë detyrimisht një marrëveshje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.