Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayLapsi

Mbytet turistja ukrainase në Vlorë, në gjendje të rëndë vajza e saj

By: user 8
11 July 2025 at 15:23

Një turiste ukrainase ka humbur jetën në Vlorë ndërsa vajza e saj ndodhet në gjendeje të rëndë. Gruaja dhe vajza e saj ishin futur në det për tu larë ku rrezikonin mbytjen, por ishin qytetarët aty që i nxorrën nga uji.

Fatkeqësisht 43 vjeçarja humbi jetën. Ajo u dërgua pa shenja jete në spitalin e Vlorës. Ndërkohë vajza e saj ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas rrëfimeve të qytetarit që u fut në det për të shpëtuar turistët, si dhe pushuesve të tjerë, ambulanca erdhi të paktën gjysmë orë me vonesë për shkak të trafikut të rënduar në zonën e Lungomares. Raportohet se plazhi privat ku po pushonin dy tyristet nuk kishte roje bregdetare.

The post Mbytet turistja ukrainase në Vlorë, në gjendje të rëndë vajza e saj appeared first on Lapsi.al.

Rama si mallkim i shërbëtorëve të vet

By: user 2
11 July 2025 at 13:51

Edi Rama nuk po lë rast pa i zhgënjyer idiotët e dobishëm që duan ta mbështesin duke predikuar se Shqipëria jeton ende në një sistem demokratik. Që pas 11 majit, kur është siguruar për një mandat të katërt, ai po shpërfill edhe ruajtjen sipërfaqësore të fasadës së një vendi kur respektohet shteti ligjor dhe pushtetet janë të ndara. 

Në pak javë shembujt nuk janë të mungojnë. Ato janë shfaqur me shpërfilljen ulëritëse ndaj pavarësisë së bashkive, që në letër prezumohen të jenë të pavarura nga qeverisja qëndrore. Pa i hyrë në thelb debatit se kush ka të drejtë, se a po tregohet hipokrit kryeministri në raport me qëndrimet që ka mbajtur më parë, fakti se qytetarët e Vlorës, Tiranës apo Durrësit, kanë zgjedhur dikë tjetër për ti drejtuar punët e komunave të tyre, por është shefi i qeverisë që shkarkon e emëron stafet lokale, vendos për prioritetet, jep urdhëra dhe i vë bashkitë nën hyqmin e deputetëve apo ministrave, është shenjë flagrante shkatërrimit të parimit të decentralizimit, në emër të vullnetiti të një njeriu të vetëm.

I njëjti injorim për votën e qytetarëve, madje për të qenë me precizë, për atë të socialistëve, u pa edhe pas procesit të rinumërimit. Ndonëse kllounia me fustan, Zeqineja, rezultoi se nuk i gajaste aq shumë militantët sa për ta shpënë në parlament, me urdhër të drejtpërdrejtë të shefit, ajo që renditej para saj u detyrua të jepte dorëheqjen. Ç’vlerë ka këtu vota e qytetarëve, respekti kushtetues për listat e hapura, apo gara brenda partisë? Të gjitha këto zhbëhen përpara modelit spiropalizues, që ka përqafuar vajza nga Roskoveci, dhe që kërkon ta promovojë me çdo kusht Edi Rama.

E njëjta shpërfillje për shtetin ligjor dhe ndarjen e pushteteve u vu re edhe ndaj prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli, e cila, mirë apo keq, kishte një logjikë të sajën për të mos ndjekur penalisht pronarin që kishte ndërtuar në Theth, dhe që nuk priste në këtë pikë leksione nga një mësues vizatimi. Fakti se nuk i shkoi kryeministrit pas avazit, jo vetëm e shndërroi atë në pre të sulmeve politike, por ministri i drejtësisë filloi procesin e masave disiplinore kundër saj. 

Çuditërisht, kryeministri që e bëri gjuhën çorap ndaj prokurores Gjeli, i ka vënë gojës shtupë për prokurorët dhe gjyqtarët që po mbajnë në burg Veliajn. Vetëm kjo kontradiktë është e mjaftueshme për të dëshmuar se heshtja për Lalin nuk ka të bëjë me ndonjë parim të mbajtjes së një distance higjenike ndaj vendimeve të drejtësisë, por me dëshirën e shefit, për të zhdukur nga skena politike ish delfinin e tij, pa bërë vetë duart pis, por duke përdorur për këtë qëllim, mashën SPAK.

Nuk është e rastësishme që rëndimi i pozitave juridike të kryebashkiakut në detyrë të Tiranës, po shkon paralelisht me shkuljen e spaletave të tij politike nga PS. Sot Rama po e trajton Veliajn si një lebroz mes socialistëve dhe kjo është arsyeja kryesore që një sistem i kapur vazhdon ta mbajë atë në qelitë e Durrësit.

Pra, vetëm në pak kohë pas 11 majit, kryeministri po dëshmon se e ka suprimuar autonominë e pushtetit lokal, se as do ti’a dijë për votën e shprehur përmes listave të hapura, se di ti masakrojë prokurorët që nuk i binden dhe të sinkronizohet lë SPAK-un, që e përdor për të larë hesapet e veta të pista.

Se ku mund të ndeshen fenomene dhe shtrembërime të tilla, në një sistem që klasifikohet si demokratik, këtë edhe “naivët” që kundërshtojnë idenë se Shqipëria nuk është një autokraci, e kanë të vështirë ta gjejnë.

Por, me sa duket, edhe për ta misioni po bëhet gjithnjë e më i pamundur. Nëse Rama ka demostruar simptoma të tilla edhe më parë, pas fitores së mandatit të katërt, bashkë me shkallmimin e opozitës, ndoshta ka flakur edhe skrupujt për tu dukur së paku në sipërfaqe si demokrat.

®Lapsi.al

The post Rama si mallkim i shërbëtorëve të vet appeared first on Lapsi.al.

Surpriza e radhës/ Kompleks gjigant dhe disa kulla në Vlorë

By: user 8
10 July 2025 at 17:43

Qeveria shqiptare i ka dhënë dritën jeshile ndërtimit të një rezidence banesash dhe kullash në Vlorë me gati 90 mijë metra ndërtim, në një tokë plot 20 mijë e 500 metra katrorë, në vijën bregdetare të Vlorës. Kjo sipërfaqe, në një nga zonat më të rëndësishme turistike dhe urbane të vendit, duket se po shkon drejt zbatimit pa u bërë asnjë konsultim publik dhe pa u bërë transparente planet për qytetin.

Projekti është zbuluar për herë të parë më 9 korrik nga vetë studioja ndërkombëtare Oppenheim Architecture, që ka publikuar planet arkitekturore në faqen e saj zyrtare.

“Ndërsa Vlora, Shqipëri, vazhdon të zhvillohet përgjatë vijës së saj bregdetare në Adriatik, Oppenheim Architecture prezanton një shtresë të re në strukturën urbane të qytetit me një zhvillim në shkallë të gjerë. E vendosur në një kryqëzim mes qytetit të vjetër, Pyllit të Sodës dhe një marine të sapondërtuar, Zhvillimi Urban i Plazhit të Vlorës shtrihet në një sipërfaqe prej 20,465 metrash katrorë dhe shton 89,320 metra katrorë ndërtim të ri. Në zemër të tij ndodhet një promenadë qendrore për këmbësorë, që shtrihet nga bulevardi deri në plazh, e menduar si një shtyllë publike që lidh arkitekturën me peizazhin dhe jetën e përditshme me ritmet më të gjera të qytetit.” – sqaron studio Oppenheim.

Sipas përshkrimit të studios, projekti mbështetet mbi një model që frymëzohet nga fshatrat tradicionale shqiptare dhe synon të krijojë një jetë urbane aktive dhe të ngjashme me komunitetet e dikurshme.

Sipas studios Oppenheim, në qendër të kompleksit nuk janë vetëm ndërtesat e ulëta. Tre kulla do të ngrihen mbi strukturën ekzistuese urbane, duke dominuar zonën e re.

“Tre kulla, të vendosura brenda strukturës së blloqeve, ngrihen mbi përmasën modeste të lagjes. Pozicionimi i tyre ruan korridoret pamore dhe hapësirat e hapura, ndërsa fasadat e tyre ndjekin të njëjtin gjuhë dizajni për të mbajtur koherencën arkitekturore.” – njofton Oppenheim Architecture, ndërsa zbulon se klienti për këtë projekt të përmasave gjigante është kompania Feniks Konstruksion Sh.P.K.

Kjo kompani, në pronësi të Ilir Shytit dhe Jaho Shtytit, ka në zotërim shoqërinë “Agrocon Albania”, dhe ka fituar në 20 nëntor 2017 statusin e “investitorit strategjik” për projektin “Agrocon”, ndërtim ferme bujqësore në Krutje të Lushnjes.

Përshkrimi i kompanisë tregon se ajo merret me disa biznese.

Ky projekt është një tjetër shembull i një politike të njëanshme të zhvillimit urban nga qeveria Rama. Asnjë transparencë, asnjë plan publik, asnjë konsultim me qytetarët për mënyrën si transformohet një hapësirë kaq e rëndësishme në një zonë me kulla dhe beton. Lapsi.al sjell këtë informacion që qeveria nuk e ka bërë publik, por që i rrjedh përmes firmave ndërkombëtare të arkitekturës.

Vlora në veçanti është kthyer në objektin e veprimeve më arbitrare të qeverisë. Mjafton të kujtojmë projektin për faljen e ishullit të Sazanit dhe zonës së Zvernecit për Jared Kushnerin, që shqiptarët e mësuan nga New York Times. Njësoj si sot, vendimet merren në errësirë, ndërsa publiku informohet nga jashtë vendit.

©Lapsi.al 

The post Surpriza e radhës/ Kompleks gjigant dhe disa kulla në Vlorë appeared first on Lapsi.al.

SPAK regjistron procedim penal për Aeroportin e Vlorës

By: user7
9 July 2025 at 13:31

Prokuroria e Posaçme ka nisur një procedim penal për Aeroportin e Vlorës. Mësohet se organi hetues e ka publikuar këtë në faqen zyrtare të saj, pasi janë pyetur në lidhje me Aeroportin.

Ende nuk dihet se për çfarë vepre penale është regjistruar procedimi penal. Ndërkohë që sipas informacioneve të ndara nga SPAK, ndodhen në fazën e hetimit paraprak.

Ndërkohë që po verifikohen procedurat koncesionare dhe të dhënies së kontratës, si dhe kritere të tjera ligjore e proceduriale nëse kanë qenë në përputhje me ligjin.

The post SPAK regjistron procedim penal për Aeroportin e Vlorës appeared first on Lapsi.al.

Zjarri i rënë në Dukat të Vlorës, flakët përhapen gjatë natës në një sipërfaqe pyjore

By: user 11
7 July 2025 at 07:55

Zjarri i rënë në malin Vastak në fshatin Dukat të Vlorës ka dalë jashtë kontrollit gjatë natës.

Flakët që nisën mbrëmjen e djeshme në malin Vastak vijoi të përhapet me shpejtësi, duke përfshirë një sipërfaqe gjithnjë e më të gjerë pyjore.

The post Zjarri i rënë në Dukat të Vlorës, flakët përhapen gjatë natës në një sipërfaqe pyjore appeared first on Lapsi.al.

Rama ultimatum bareve e restoranteve në Vlorë: Keni 48 orë të lironi trotuaret

By: user 11
5 July 2025 at 15:42

Siç ndodh shpesh pas marrjes së pushtetit, kreu i qeverisë kërkon të shtiret sikur po vendos rregull. Kryeministri Edi Rama i ka dhënë ultimatum pronarëve të bareve dhe restoranteve në Vlorë për lirimin e trotuareve në zonën e Lungomares në Vlorë.

Ai thekson se toka nuk ka pronar ndërtuesin e pallatit, por ka pronarë të gjithë banorët, njësoj si të gjitha mjediset e përbashkëta.

Postimi i plotë:

Ky lloj zaptimi në Lungomaren e bukur të Vlorës, i përket një kategorie të re të quajtur “Pergolatë”, e cila i paraprin kërkesës për legalizim me teorinë skandaloze që toka ka pronar ndërtuesin e pallatit, ndërkohë që jo, toka rreth pallatit ka pronarë të gjithë banorët, njësoj si të gjitha mjediset e përbashkëta!

Halli me këto “pergolatat” vlonjate është se janë shtrirë edhe matanë zonës së paraparë nga projekti për vendosje çadrash e karrigesh për shërbimet dhe si në rastin e shenjuar në foto, janë hapur edhe anash pallateve duke rrëmbyer trotuaret, nën sytë e mbyllur të inspektorëve e të drejtuesve të bashkisë në vite!

Tani thirrja ime për të tërë zaptuesit e trotuareve në Lungomare është: Keni 48 orë
kohë për t’u kthyer qytetarëve dhe turistëve trotuarët e tyre dhe për t’i larguar të gjitha llojet e hekurishteve, betonëve, duke i tërhequr “pergolatat” në vijën e parashikuar nga projekti i Lungomares!

Nga e hëna nuk do keni më asgjë në dorë!

The post Rama ultimatum bareve e restoranteve në Vlorë: Keni 48 orë të lironi trotuaret appeared first on Lapsi.al.

Kuzhinieri shqiptar zbulon prapaskenat e vizitës së çiftit Trump – Kushner në Vlorë

By: user 6
4 July 2025 at 22:02

Kuzhinieri shqiptar Aldo Mehmeti i cili përgatiti ushqimin për biznesmenin Jared Kushner dhe Ivanka Trump ka rrëfyer për gazetarin e Top Channel, Mikel Marsi prapaskenat e vizitës së tyre në Shqipëri.

Aldo Mehmeti, kuzhinieri i njohur shqiptar, tregon detaje interesante nga ajo ditë, megjithëse asnjë foto nuk u lejua dhe çdo kontakt me median iu ndalua rreptësisht.

Sipas rrëfimit të tij, disa ditë përpara ardhjes së çiftit, restoranti ku ai punon ishte vizituar nga grupe të dyshimta turistësh, të cilët konsumonin diçka të vogël dhe qëndronin aty për pak kohë. Më vonë ai kuptoi se ata ishin pjesë e shërbimeve sekrete, të cilët kontrollonin ambientin dhe masat e sigurisë.

LEXO EDHE: FOTO/ Ivanka Trump thotë “mirupafshim” nga Vlora dhe Venecia

Çifti Kushner-Trump mbërriti në restorant pa paralajmërim të hënën rreth orës 13:00, duke u ulur në verandë, ndërkohë që ambienti kishte edhe klientë të tjerë. Ata kërkuan të konsumonin peshk të freskët dhe zgjodhën Sinagridhën, një nga peshqit më të shtrenjtë në treg, i cili u gatua sipas një recete tradicionale, i mbuluar tërësisht me kripë.

Sipas kuzhinierit, Jared Kushner mbeti shumë i kënaqur me ushqimin, ndërsa shoqëruan vaktin me verë.

Çifti qëndroi aty deri në perëndimin e diellit, ku me lejen e tyre u realizuan disa foto. Megjithatë, Ivanka Trump kërkoi që të gjitha fotot të fshiheshin, përveç asaj që u publikua në rrjetet sociale, e cila sipas Aldos, u lejua vetëm tre ditë më vonë.

Siguria ishte maksimale gjatë gjithë kohës. Rojet ishin të pranishëm në çdo cep, ndërsa fëmijët e çiftit shoqëroheshin nga truproja sa herë që lëviznin brenda restorantit.

“Përveç shërbimit, nuk na u lejua të flisnim me gazetarë apo të jepnim intervista”, përfundon Aldo Mehmeti. /Marrë nga Top Channel

The post Kuzhinieri shqiptar zbulon prapaskenat e vizitës së çiftit Trump – Kushner në Vlorë appeared first on Lapsi.al.

Dritan Leli 2.0/ Të pathënat e ‘gjyqit politik’ me dyer të mbyllura Vlorë

By: user 5
3 July 2025 at 23:51

Çfarë ndodhi sot në Vlorë me vizitën e beftë të Edi Ramës në zyrat e bashkisë së këtij qyteti është akti i radhës i një përplasje pa kthim që mund ta çojë edhe këtë bashki në zgjedhje të parakohshme. Lapsi.al ka mësuar nga burime brenda atij takimi, detaje që të kujtojnë një tjetër përplasje të ngjashme të kryeminstrit me kryebashkiakun e atëhershëm, Dritan Leli.

Kësaj radhe protagonisti është Ermal Dredha, diplomati i cili mbërriti nga Dubai dy vite më parë për t’u zgjedhur në krye të Vlorës. Por ndryshe nga lavdet e fushatës kur e solli në Vlorë si sponosorizim të lidhjeve familjare në kupolën e PS-së, tani Edi Rama ka veç helm dhe zhgënjim për Ermal Dredhën.

Nuk ia kurseu telendisjen publikisht në oborrin e PS-së për festën e 34 vjetorit të partisë, e telendisi edhe ca më shumë sot brenda zyrave të bashkisë.

Siç na tregoi burimi ynë brenda takimit, Edi Rama ka dëgjuar pak nga Dredha dhe e ka fshikulluar shumë në sy të deputetëve e drejtuesve kryesorë të bashkisë. Dredha kërkoi të merrte fjalën i pari edhe pse nuk ishte ai në fakt që e kishte thirrur takimin.

Rama ndërkohë ia preu shkurt duke iu drejtuar me fjalët “më mirë ti fli gjumë…”. Dredha ia ktheu me fjalët “jam me 3 orë gjumë”, duke dashur t’i tregonte shefit të tij se po përkushtohej shumë në detyrën e të parit të Vlorës. Por Rama e vijoi ironinë për gjumin duke i thënë “aq më keq akoma që je dhe pa gjumë” duke lënë të nëkuptohej se kryebashkiakut i mungonte qartësia.

Si nxënësin e keq të klasës, Rama e vuri Ermal Dredhën edhe përballë shokëve e shoqeve të tij të partisë. Njërës prej deputeteve të reja të dala nga lista e mbyllur e qarkut Vlorë, Erjona Ismailit, ai i kërkoi të thoshte aty në takim gjithë të zezat që i kishte shkruar me sms për Ermal Dredhën dhe për mënyrën se si ai drejton Vlorën.

Natyrisht që deputetja rishtare e socialistëve në Vlorë dhe e patestuar aspak për peshën elektorale, nuk ia përtoi fare logorinë e kritikave kryebashkiakut Dredha. Ndonëse ky i fundit po përpiqej të jepte ndonjë argument për çdo kritikë apo problem që i faturohej, siç na tregon burimi i Lapsi.al brenda atij takimi, Ramën nuk kishte asgjë që e qetësonte. “Ti zotëri nuk na nxjerr dot nga gropa ku na ke zhytur, por të paktën mos na zhyt më shumë”, i ka thënë Rama-Dredhës.

Dëmtimi i disa investimeve në Vlorë, mungesa e ujit të pijshëm apo zjarri i përsëritur në fushën e plehrave ishin disa nga çështjet që e kanë xhindosur keq Ramën. Dhe kjo nuk është një situatë e krijuar rishtaz, por e akumuluar për një kohë të gjatë.

Në po atë takim, Edi Rama e krahasoi Ermal Dredhën edhe me ish-kryebashkiakun Dritan Leli, me të cilin pati gjithashtu një përplasje të ngjashme derisa nuk e përfilli fare dhe e përjashtoi nga partia dy vitet e fundit të mandatit të tij. “Ti zotëri je Dritan Leli 2.0, e di apo jo?!”, iu drejtua Rama-Dredhës një moment, tregon burimi i Lapsi.al nga brenda atij takimi.

Aq i indinjuar ishte Edi Rama me Vlorën dhe vlonjatët sa iu përmendi aty në takim edhe rrezikun që ai mund të sëmurej me kancer të mëlçisë prej stresit. Për disa në takim kjo tingëlloi ironike e për të tjerë që e shohin si idhull Edi Ramën, filluan të shqetësohen vërtet dhe rrahën gjoksin për t’u dhënë zgjidhje problemeve, jo më shumë për të shpëtuar Vlorën sesa për të shpëtuar shëndetin e liderit të tyre.

Edi Rama nuk ka keq vetëm punët në bashki, por edhe në PS-në e Vlorës. Ai komandoi në këtë detyrë deputeten e sapozgjedhur, Erjona Ismaili dhe kandidatin për deputet Klevis Kaso. E veç kësaj kërkoi dorëheqje të detyruar të të gjithë drejtorëve të Bashkisë Vlorë, përfshi këtu edhe drejtuesit rajonalë të institucioneve qëndrore. Ngriti ndërkohë një biçim komisioni partiak për emërimet e reja në bashki e drejtoritë e reja dhe monitorimin e problemeve për t’u zgjidhur.

Aq shumë e zhvlerësoi Ermal Dredhën sa e ka detyruar që të japë llogari përballë këtij komisioni me deputetë e eksponentë të PS-së dhe të drejtojnë së bashku Vlorën. Edi Rama është i xhindosur me kryebashkiakun e tij që u katapultua si një figurë e re në PS e që premtonte shumë, por tani në fund të dy viteve në sytë e tij ai është një shalqi i papjekur që s’ka më nevojë të provohet pasi dihet çfarë ka brenda.

Revanshi i Ramës ndaj Dredhës duket i ekzagjeruar së paku kur është fjala te problemi i furnizimit me ujë të pijshëm. Ndërmarrja e Ujësjellësit Vlorë nuk është më në varësi të bashkisë as në kontrollin e saj. Ligjin aty e bën Ministria e Infrastrukturës, e cila është aksionerja kryesore në ndërmarrjet e reja rajonale të ujësjellësave. Por edhe te çështja e plehrave, Ermal Dredha i kishte duart e lidhura kur është fjala te vënia në funksion e landfillit të Sherishës, projekt i cili i ishte besuar kompanisë së Klodian Zotos “Integrated Technology Services”, e cila ka gjithashtu inceneratorin fantazmë të Tiranës.

Por fakt tani është që kreu i Rilindjes ka hapur një front të ri lufte brenda radhëve të tij. Nuk dihet se deri ku do të shkojë pakënaqësia dhe përplasja me kryebashkiakun e Vlorës, i cili si shumë socialistë të tjerë nuk guxon të ngrejë krye përballë Ramës. Pranon edhe të poshtërohet prej tij në mexhelis e në takime të mbyllura si ky i sotmi.

Deri më tani duket se kemi një tjetër déjà vu si ajo e 4 viteve më parë me Dritan Lelin. Ky mund të jetë fillimi i fundit të diplomatit që u bë qytetari i parë i Vlorës njësoj si babai i tij që drejtoi Vlorën në vitet 1998-2000. ©LAPSI.al

The post Dritan Leli 2.0/ Të pathënat e ‘gjyqit politik’ me dyer të mbyllura Vlorë appeared first on Lapsi.al.

Vlorë/ Rama kërkon shkarkimin e nënkryetarëve dhe drejtorëve

By: user 8
3 July 2025 at 14:09

Zbadhen detaje nga vizita që kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Bashkinë e Vlorës. Mediat raportojnë se në takim ka pasur debate dhe tensione të forta.

Kryesocialisti ka kërkuar dorëheqjen e nënkryetarëve të Bashkisë Vlorë, shkarkimin e drejtorëve dhe gjysmën e administratës së Bashkisë.

Po ashtu kritika të forta ka patur dhe për deputetët aktualë të qarkut të Vlorës, të cilët i ka kritikuar për punën e deritanishme.

Po ashtu ka patur ndryshime edhe në Partinë Socialiste në Vlorë. Ai ka ndryshuar kryetarët dhe bashkëkryetarët e Partisë Socialiste, dega Vlorë.

Nga Admir Malaj dhe Vilma Bello si bashkëkryetare Rama ka komanduar në krye të Partisë Socialiste Vlorë, Klevis Kason dhe bashkëkryetare Erjona Ismailin.

Shkëndijat e para të pakënaqësisë që kishte Rama me drejtuesit e Bashkisë së Vlorës u panë në 34-vjetorin e Partisë Socialiste, që u mbajt në oborrin e selisë.

Mediat kapën momente kur Rama debatonte me Kryebashkiakun Ermal Dredha, ndërsa gjuha e trupit linte hapësirë për të interpretuar se mes tyre kishte pakënaqësi.

The post Vlorë/ Rama kërkon shkarkimin e nënkryetarëve dhe drejtorëve appeared first on Lapsi.al.

Bypass-i i Vlorës, zvarritje punimesh dhe rritje kostosh

By: user 8
2 July 2025 at 15:14

Dy vite pas inaugurimeve dhe me 13 milionë euro shtesë, rruga që qeveria e reklamon të mbaruar vazhdon të ketë punime në terren dhe elementë të papërfunduar sigurie. Pas disa afateve të shkelura, Autoriteti Rrugor thotë se përfundimi i plotë i veprës pritet në fund të këtij muaji.

Nëse këtë verë keni kaluar nga Bypass-i i Vlorës dhe jeni përballur ende me punime, mos u çudisni. Vepra që qeveria ka inauguruar dy herë, ende nuk ka përfunduar. Dy vite pas ceremonive inauguruese të rrugës dhe dhjetëra miliona eurove shtesë, aksi 29 kilometra i gjatë, vazhdon të ketë mangësi në elementët e sigurisë rrugore.

Pavarësisht kësaj, një muaj para zgjedhjeve, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke raportuar arritjet dhe sfidat në sektorin e infrastrukturës, nuk ngurroi ta shpallte Bypass-in e Vlorës si një investim të përfunduar.

Burimi: Ministria e Infrastrukturës

Edhe kryeministri Edi Rama së fundmi ka publikuar në rrjete sociale një video të Bypass-it të Vlorës, duke e reklamuar investimin me mbishkrimin: “bukur dhe pastër”. Mirëpo, mes qindra komenteve kish nga ata qytetarë që vinin në pah mos përfundimin e veprës.

“Ka ngel e çik fare aty ku lidhet fshati Kanin me bajpasin!! Aty ku protestohej nga banorët ka ngel e pak fare edhe pastaj mbaron,” shkruante një komentues.

Fakt

Autoriteti Rrugor Shqiptar konfirmon se punimet në këtë vepër ende nuk kanë përfunduar.

“Punimet e rrugës kryesore kanë përfunduar dhe segmenti është i hapur për qarkullimin e mjeteve”, deklaron ARRSH në një përgjigje zyrtare për Faktoje, duke shtuar se rehabilitimi i skarpatave, mbrojtja nga rënia e gurëve dhe rehabilitimi mjedisor janë “drejt përfundimit”.

Sipas të njëjtit institucion, punimet e mbetura do të mbyllen më 31 korrik 2025, përpara se rruga të merret përfundimisht në dorëzim pas një periudhe njëvjeçare garancie. Ky afat i ri përfundimi bie ndesh me deklaratat e mëparshme të ARRSH-së, sipas të cilave punimet do të mbylleshin në mars të 2024.

Vonesat e punimeve sipas ARRSH lidhen më një sërë arsyesh. Terreni i vështirë dhe problematikat gjeoteknike në ndërtimin e urave dhe stabilitetin e skarpatave, të cilat kanë pësuar rrëshqitje në disa zona, kanë ndikuar ndjeshëm ritmin e punimeve. Po ashtu, kërkesat e vazhdueshme të Bashkisë Vlorë, të komunave Babicë dhe Kaninë, si edhe të komunitetit përgjatë gjithë gjurmës së projektit, kanë sjellë ndryshime dhe devijime të planifikimeve.

ARRSH shton se situata është komplikuar më tej nga punime të paparashikuara, zhvendosja e rrjeteve inxhinierike si OST, OSHEE dhe UKT, si dhe problematikat e vazhdueshme me shpronësimet, përfshirë devijimin e gjurmës në zonën e varrezave të Babicës. Të gjithë këta faktorë, thotë Autoriteti Rrugor kanë prodhuar një zinxhir vonesash që e kanë lënë projektin të papërfunduar, pavarësisht premtimeve dhe inaugurimeve të njëpasnjëshme.

13 milionë euro shtesë

Krahas kohës, vepra ka marrë edhe më shumë para nga sa ishte planifikuar. Nga 56 milionë euro vlerë investimi e raportuar fillimisht, ARRSH deklaron tani se kostoja e projektit ka arritur 69,2 milionë euro. Fatura e këtij investimi është rritur me 13 milionë euro por ARRSH nuk jep një analizë të detajuar për arsyet që kanë diktuar këtë shtesë financimi.

Segmenti 29-kilometërsh është një vepër e bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe qeveria shqiptare.

Në total, fondet e dhëna nga Bashkimi Europian për këtë projekt llogariten në vlerën e 56 milionë eurove, nga të cilat 20 milionë janë grant dhe pjesa tjetër kredi nga Banka Europiane e Investimeve dhe BERZH. 13 milionë euro janë investim i qeverisë shqiptare.

Me këtë faturë, 1 kilometër i kësaj rruge ka kushtuar 2.4 milionë euro.

Përfundim

Me kosto të rritura, afate të shkelura dhe një kantier që ende nuk përmbush kriteret bazë të sigurisë, projekti ilustron modelin shqiptar të përurimeve që nuk përkojnë me të vërtetën në terren. Nisur nga të dhënat zyrtare dhe verifikimet në terren, deklaratën e ministres së infrastrukturës Belinda Balluku në prag zgjedhjesh se Bypassi i Vlorës ka përfunduar, e kategorizojmë gjysmë të vërtetë. Rruga ka qënë e hapur për qarkullim por sikurse ARRSH pranon, aksi ka ende punë për tu vlerësuar i përfunduar dhe i marrë në dorëzim. /Nga Esmeralda Topi Faktoje.al

The post Bypass-i i Vlorës, zvarritje punimesh dhe rritje kostosh appeared first on Lapsi.al.

I dënuar për ãrmë dhe vrǎsje/ Kapet në Vlorë 45-vjeçari, pritet ekstradimi

By: user 11
2 July 2025 at 11:04

Një 45-vjeçar i dënuar nga autoritetet italiane për veprat penale “Vrasje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve” është arrestuar në Vlorë. Pritet ekstradimi i tij në Itali.

Njoftimi i policisë:

Strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Vlorë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në informacionet e siguruara si dhe në bashkëpunim me zyrat homologe të Interpolit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Il Obiettivo”.

Si rezultat, ditën e djeshme, në lagjen “Rilindja”, u bë kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i shtetasit:

Renald Gjini, 45 – vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Bolonja, Itali, e ka dënuar këtë shtetas me 12 vjet e 10 muaj burg, për veprat penale “Vrasje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”, sipas legjislacionit penal italian.

The post I dënuar për ãrmë dhe vrǎsje/ Kapet në Vlorë 45-vjeçari, pritet ekstradimi appeared first on Lapsi.al.

Zjarrvënie e përsëritur në Vlorë, arrestohet 38-vjeçari

By: user 8
1 July 2025 at 17:14

Policia e Vlorës ka vënë në pranga një 38-vjeçar, pasi dyshohet se ndezi zjarr në mënyrë të përsëritur në një grumbull mbetjesh urbane, duke rrezikuar banesat përreth.

Uniformat blu bëjnë me dije se shtetasi me iniciale E.I., në dy raste të ndryshme, konkretisht në datë 30.06.2025, rreth orës 20:50, dhe sërish në datë 01.07.2025, rreth orës 12:00, ka ndezur zjarr në mënyrë të përsëritur në një grumbull mbetjesh urbane, në vendin e quajtur “Pika e grumbullimit të inerteve, Jalli, Nartë”, duke shkaktuar ndotje të ajrit dhe të mjedisit, si dhe duke rrezikuar me përhapjen e flakëve qendrën e banuar përreth dhe pyllin e Sodës, një zonë kjo e mbrojtur.

Njoftimi i policisë:

Ndezi zjarr në mënyrë të përsëritur, në një grumbull mbetjesh urbane, duke ndotur ajrin dhe duke vënë në rrezik banesat përreth si dhe zonën e mbrojtur të pyllit të Sodës, arrestohet 38-vjeçari.

Në vijim të veprimeve hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo dhe atyre nga pakujdesia, strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin:

•E. I., 38 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë.

Ky shtetas, në dy raste të ndryshme, konkretisht në datë 30.06.2025, rreth orës 20:50, dhe sërish në datë 01.07.2025, rreth orës 12:00, ka ndezur zjarr në mënyrë të përsëritur në një grumbull mbetjesh urbane, në vendin e quajtur “Pika e grumbullimit të inerteve, Jalli, Nartë”, duke shkaktuar ndotje të ajrit dhe të mjedisit, si dhe duke rrezikuar me përhapjen e flakëve qendrën e banuar përreth dhe pyllin e Sodës, një zonë kjo e mbrojtur.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Ndotja e ajrit”, parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për kujdes maksimal në çdo veprim që mund të rrezikojë mjedisin, jetën e qytetarëve apo pronën publike dhe private, pasi do të përballen me ligjin si dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie, në numrin 112, duke garantuar anonimatin dhe reagim të menjëhershëm. 

The post Zjarrvënie e përsëritur në Vlorë, arrestohet 38-vjeçari appeared first on Lapsi.al.

Përfshihet nga flakët sërish fusha e mbetjeve në Vlorë, tymi mbulon zonën

By: user 11
1 July 2025 at 08:24

Fusha e mbetjeve në Vlorë është përfshirë sërish nga flakët ditën e sotme.

Zjarri është konstatuar në orët e mbrëmjes nga qytetarët, ndërkohë që një re e zezë tymi shihet që ka mbuluar zonën. Kjo është hera e disatë që zjarri përfshin fushën e mbetjeve brenda pak ditësh.

The post Përfshihet nga flakët sërish fusha e mbetjeve në Vlorë, tymi mbulon zonën appeared first on Lapsi.al.

Plagoset me thikë i riu në Vlorë, autori arratiset

By: user 8
29 June 2025 at 14:32

Një 30-vjeçar në Vlorë është shpallur në kërkim pasi ditën e djeshme, gjatë një konflikti, dyshohet se ka plagosur me thikë një 21-vjeçar.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se fatmirësisht 21-vjeçari i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën, duke marrë ndihmë në Spitalin e Vlorës.

Ndërkohë materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale në Prokurori dhe:

shpallën në kërkim shtetasin Xh. Q., 30 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 28.06.2025, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës shtetasin Xh. S., 21 vjeç, banues në fshatin Babicë e Madhe, i cili ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.  

The post Plagoset me thikë i riu në Vlorë, autori arratiset appeared first on Lapsi.al.

Mungesa e ujit të pijshëm në Vlorë/ Blushi: Shkak korrupsioni, SPAK hesht!

By: user 4
29 June 2025 at 12:46

Partia e Lirisë ka denoncuar mungesën e ujit të pijshëm në Vlorë dhe për këtë ka bërë përgjegjëse Bashkinë e Vlorës, e drejtuar nga Ermal Dredha.

Në një deklaratë për mediat nga qyteti bregdetar, Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi thotë se shkak për mungesën e furnzimit me ujë të pijshëm në banesat e qytetarëve vlonjatë, është korrupsioni në institucionin vendor, ndërsa fajësoi SPAK për heshtjen.

Së bashku me anëtarën e Këshillit Bashkiak, Anxhela Shenaj, Blushi tha se PL kërkon interpelancë urgjente në Këshill me kryebashkiakun Ermal Dredha.

Deklarata

Përshëndetje nga qyteti i Vlorës, ku së bashku me kryetaren e grupit të këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Bashkinë e Vlorës, jemi sot këtu për të denoncuar skandalin e mungesës së ujit të pijshëm në kulmin e sezonit turistik, çka dëshmon edhe njëherë dështimin dhe kapitullimin e këtij sektori jetik në këtë qytet, simbol të turizmit shqiptar.

Mungesa e ujit të pijshëm në Vlorë nuk është çështje thjesht papërgjegjshmërie, por një çështje abuzimi flagrant me taksat e qytetarëve të Vlorës.

Brenda 2-3 viteve të fundit, në këtë bashki janë shpenzuar rreth 9 milionë euro për projektin e ujësjellësit të Unazës në Lungomare, 12 milionë euro për ujësjellësin e fshatrave të Novoselës, 2 milion euro për ujësjellësin që mbulon zonën e “Kuzum- Baba” dhe lagjes “Partizani”, sot e kthyer ne simbolin e mungesës së ujit të pijshëm dhe rreth 20 milionë euro pritet të hidhen për ujësjellësin e qytetit të Vlorës, në total pra rreth 43 milionë euro të avulluara, sepse sot Vlora nuk ka ujë të pijshëm, madje nuk ka as ujë për tu larë.

Dështimi i thellë i ujësjellësit të bashkisë së Vlorës në fakt është dështim i “Rilindjes”, e cila në këto 3 mandate nuk ka garantuar dot as ujë të pijshëm për vlonjatët e jo më për turistët e shumtë që janë sot në këtë qytet në kulmin e sezonit turistik.

43 milionë euro janë më pak se sa ryshfeti i paguar për tunelin e Llogarasë, që mund të zgjidhte njëherë e përgjithmonë çështjen e ujit të pijshëm në Bashkinë e Vlorës ose 43 milionë euro të shpenzuara dhe të avulluara deri tani janë të barabarta me fundin total që “Rilindja” ka përcaktuar për vitin 2025 për gjithë sektorin e bujqësisë.

Në fakt mungesa e ujit të pijshëm në Bashkinë e Vlorës lidhet vetëm me korrupsionin dhe me faktin se Institucioni, ujësjellësi i kësaj bashkie nuk është gjë tjetër veçse një strofull patronazhistësh që vetëm shpenzon në mënyrë barbare taksat e qytetarëve të Vlorës, të cilët sot vuajnë dhe për ujë të pijshëm.

Ku përfunduan miliona euro është pyetja të cilën ne sot ngrejmë nga ky qytet dhe për të cilën ftojmë edhe Strukturën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit të përgjigjet.

Ky nuk është një krim “intelektual”, ky është një krim kundër njerëzimit, sepse ti mohosh Vlorës një nga elementët më bazike si ujin e pijshëm është vërtet një dramë e madhe.

Gjithashtu dua t’ju informoj se grupi i këshilltarëve në Bashkinë e Vlorës, shumë shpejt do të depozitojnë në Këshill kërkesën për një interpelancë të menjëhershme me kryetarin e papërgjegjshëm të kësaj bashkie, i cili jo vetëm është përgjegjës për mungesën e ujit të pijshëm në Bashkinë e Vlorës, por sigurisht edhe përgjegjës për ndotjen alarmante të kësaj bashkie, landfilli i së cilës është një bombë ekologjike që ende vijon të ndoti këtë qytet.

Gjithashtu dua t’ju informoj me konkluzionet më të fundit të bëra publike nga Agjensia Europiane e Mjedisit, që ka renditur së fundmi Shqipërinë në një tjetër rekord të zi, sipas të cilës vetëm 16% e ujrave të notueshme në të gjithë vendin mund të jenë të përdorshme, ndërkohë 84% e deteve, lumenjve dhe liqeneve të mrekullueshme të këtij vendi kanë sot higjienën personale të Edi Ramës ose kundërmojnë erë njësoj siç kundërmon kjo qeverisje e korruptuar dhe e inkriminuar.

Tani ja kaloj fjalën Kryetares së grupit të këshilltarëve tanë në Bashkinë e Vlorës për të dhënë qëndrimin e saj.

Anxhela Shenaj: Unë së bashku me grupin e këshilltarëve të Partisë së Lirisë, shumë shpejt do ti drejtojmë një kërkesë kryetarit të bashkisë ku do ti kërkojmë sqarim në lidhje me situatën e shkaktuar për mungesën e ujit, rrugët e shkatërruara, për plehrat që digjen pa kriter gjë e cila përsëritet çdo vit dhe ndërkohë kalohet në buxhetin e bashkisë po çdo vit një buxhet, i cili kalohet për landfillin e Sheristës dhe nuk ka funksionuar as edhe një ditë.

The post Mungesa e ujit të pijshëm në Vlorë/ Blushi: Shkak korrupsioni, SPAK hesht! appeared first on Lapsi.al.

Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e PD-së, certifikon zgjedhjet në qarkun e Vlorës

By: user 11
26 June 2025 at 10:22

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e koalicionit “PD-ASHM” për zgjedhjet në qarkun Vlorë.

Koalicioni opozitar iu drejtua Kolegjit duke ankimuar vendimin e mëparshëm të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, që i mohoi kërkesën për shpallje të pavlefshme të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në këtë qark.

Gjatë seancës në Kolegjin Zgjedhor PD ka ngritur shqetësimet për pasaktësi dhe shkelje sidomos te vota e diasporës, si dhe ka argumentuar akuza për manipulim të zgjedhjeve politike. Megjithatë Kolegji Zgjedhor vendosi të rrëzoi kërkesat ankimore të PD si të pabazuara në prova. Ndërkohë dy ditë më parë, Kolegji ka rrëzuar kërkesat ankimore të PD-së edhe për qarqet Berat, Dibër dhe Shkodër.

The post Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e PD-së, certifikon zgjedhjet në qarkun e Vlorës appeared first on Lapsi.al.

Shpërthimi me lëndë plasëse në Vlorë, pronari: Nuk kam konflikte

By: user 11
25 June 2025 at 09:26

Detaje të reja janë zbuluar nga shpërthimi me lëndë plasëse në dritaren e një servisi motorësh në lagjen “Bashkimi”, Vlorë. Raportohet se nga kamerat e sigurisë është filmuar një person i cili i afrohet biznesit, ndërsa po punohet për identifikimin e tij.

Ndërkohë pronari i servisit të motorëve ka deklaruar se nuk ka konflikte me njeri.

“Kam 30 vite që u shërbej banorëve të Vlorës, që nga biçikletave deri te motorët dhe nuk kam pas asnjë konflikt. Nuk e di pse ma kane bërë këtë dëm”, ka thënë ai.

Policia ka sekuestruar kamerat e biznesit, ndërsa janë shoqëruar në polici 5 persona. Nga shpërthimi i ndodhur pak para mesnate së djeshme ka pasur vetëm dëme materiale.

The post Shpërthimi me lëndë plasëse në Vlorë, pronari: Nuk kam konflikte appeared first on Lapsi.al.

Tronditet Vlora/ Shpërthim tritoli në një dyqan motorësh

By: user 6
24 June 2025 at 23:59

Një shpërthim tritoli ndodhi në një dyqan motorësh në qytetin e Vlorës mbrëmjen e së martës në lagjen “Bashkimi”. Mediat raportojnë se lënda plasëse ishte vendosur në godinën e biznesit në pronësi të V. B., në rrugën Transballkanike, që funksionon si dyqan për shitje dhe servis motomjetesh.

Në momentin që ndodhi shpërthimi, biznesi ka qenë i mbyllur. Nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale. Zona ku ka ndodhur shpërthimi është ka kamera sigurie dhe policia është duke i administruar me qëllim identifikimin e autorëve.

‘Vlorë/Informacion paraprak. Rreth orës 23:00, në lagjen “Bashkimi”, në dritaren e një servisi motorësh, në pronësi të shtetasit V. B., ka shpërthyer një sasi lënde e dyshuar plasëse, ku si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit/ëve të dyshuar, – thuhet në njoftimin e policisë. /LAPSI.al

The post Tronditet Vlora/ Shpërthim tritoli në një dyqan motorësh appeared first on Lapsi.al.

Shoferët konfliktohen në Vlorë, njëri prej tyre përplas me makinë automjetin tjetër

By: user7
23 June 2025 at 12:31

Një aksident ka ndodhur paraditen e sotme në zonën e Skelës në Vlorë dhe më pas shoferët janë konfliktuar me njëri-tjetrin.

Mësohet se një prej personave të përfshirë në konflikt, ka goditur disa herë me mjetin e tij Benz një tjetër automjet dhe si pasojë e ka nxjerrë nga rruga.

Më pas policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar shoferin e “Benzi-t”. Ndërsa shoferi i automjetit tjetër ka arritur të dalë në kohë nga makina dhe nuk ka pësuar lëndime.

The post Shoferët konfliktohen në Vlorë, njëri prej tyre përplas me makinë automjetin tjetër appeared first on Lapsi.al.

Shiste kànabis me doza në Vlorë, arrestohet 21-vjeçari

By: user 11
16 June 2025 at 09:45

Një 21-vjeçar që shpërndante kanabis të ndarë në doza në qytetin e Vlorës është arrestuar. I riu u kap në flagrancë në lagjen “28 Nëntori”. Gjatë kontrollit fizik uniformat blu seksuestruan 60 doza kanabis sativa, gati për shitje.

Njoftimi i policisë:

Forca e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të kontrolleve intensive për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe parandalimin e shpërndarjes së lëndëve narkotike, veçanërisht në zonat urbane dhe turistike, ka vijuar të ushtrojë kontrolle në lagje të ndryshme të qytetit, ku si rezultat:

Në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë, u kap në flagrancë shtetasi R. K., 21 vjeç, banues në lagjen “Kushtrimi”, i cili dyshohet se e ndante lëndën narkotike në doza dhe e shiste atë në zona të ndryshme të qytetit. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 60 doza lënde narkotike të llojit cannabis sativa.

Në përfundim të veprimeve procedurale, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, u bë arrestimi i këtij shtetasi, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

The post Shiste kànabis me doza në Vlorë, arrestohet 21-vjeçari appeared first on Lapsi.al.

❌
❌