Prej orësh në udhëtim shqiptarë nga Gjermania, Anglia, Franca, Austria e vende të tjera evropiane marshuan sot në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë në ditën e 21-të të protestës.
“Ne jemi ata që sakrifikuam çdo gjë për familjet tona që të mbijetojnë në këtë vend që ju i harruat”, ishte mesazhi i tyre i shpalosur në një banderolë të madhe që përshkonte mes për mes bulevardin ndërsa brohoritjet e tyre ushtonin për një “Shqipëri të Re”.
Elton Papa nga Berati ka 26 vite në emigrim. Ai tha për Citizens.al se ajo çfarë e shqetëson është korrupsioni i lartë në Shqipëri.
“Nuk mundem më jashtë duhet të kthehem në vendin tim, dua të rregullohet vendi im. Mjaft më! Të kthehen kalamajtë e mi këtu. Nuk dua as post, asnjë gjë. Do të punoj vetë. Dua drejtësi, nuk dua korrupsion. Kaq!” u shpreh ai, ndërsa qëndronte pas banderolës së diasporës.
Njëjtë si Elton edhe Miri Leçini, nga Kavaja ka emigruar jashtë vendit prej vitit 1995, duke mos gjetur asnjë arsye për tu kthyer në Shqipëri.
“22 vite në Greqi. Nga Greqia se nuk u bë vendi im kurrë emigrova në Gjermani. Nuk dua që rinia të largohet nga këtu, të heqë atë që kemi hequr ne, të ikin nëpër male e nëpër gomone. Prandaj uroj që të shkulet me rrënjë e me dhëmballë ky sistem”, tha Miri Leçini për Citizens.al.
Thirrjet “Diaspora është këtu” kumbuan mes mijëra qytetarëve të cilët zhurmuan sheshet dhe bulevardin këtë të shtunë, ndërsa pankartat me mesazhe drejtuar qeverisë shqiptare ishin të shumta.
“Pankarta është se atdheun nuk e kemi në shitje, nuk e falim, nuk e japim me qira, nuk e nxjerrim as në Pazar. Dhe unë i kërkoj djalit tim, ia le amanet që ta mbrojë dhe ky më ka dhëne besën që do ta mbrojë deri në vdekje”, u shpreh një nga qytetarët e pranishëm.
Sipas tij, arsyeja pse ka dalë të protestojë është për të larguar këtë kasë politike.
“Prej 36 vitesh na vjedhin, na rrahin, na burgosin, na detyrojnë të ikim nga vendi dhe presin që ne të lodhemi. Këta nuk janë lodhur gjithë këto vite duke na vjedhur. Ne do të qëndrojmë këtu derisa t’jua marrim edhe qindarkën e fundit që i kanë vjedhur këtij populli”, u shpreh qytetari protestues.
Një tjetër qytetar i ardhur nga Birmingami në Mbretërinë e Bashkuar tha për Citizens.al se ka ardhur të shesh për të protestuar për një jetë më të mirë.
“Shpresojmë që ajo jetë më e mirë të bëhet këtu në vendin tonë. Të ndërrojë kjo qeveri që ka kaq vjet që e ka bërë si pronë private Shqipërinë dhe të na vijë një më e mirë”, deklaroi ai.
Për Nadir Hotin, një tjetër qytetar protestues në shesh, Zvërneci ishte vetëm pika që mbushi kupën dhe e derdhi.
“Mendoj që ka ardhur momenti ti themi mjaft kësaj, ka ardhur momenti që 36 vjet mjaftojnë, mashtrime dhe vjedhje. Ka ardhur koha për një Shqipëri të re, për një politikë të pastë. Mendoj që Evropën mund ta bëjmë këtu vetë”, deklaroi Hoti për Citizens.al
Ndërsa janë bërë tre jave prej nisjes së protestës sheshi vijon të mbushet, duke shënuar këtë të shtunë pjesëmarrjen më të madhe për shkak edhe të pjesëmarrjes së diasporës.
Për mjekun Ermal Pashaj, pjesa më e madhe e diasporës që sot janë në shesh nuk kanë gjetur zgjidhje mjekësore në Shqipëri.
“Edhe kolegët nëpër spitale thonë që ku është qeveria më e mirë edhe shërbimi është më i mirë. Jo more jo. Shqipëria është lule dhe atë po nuk e bëmë ne nga këtu brenda nuk ka për të na e sjellë njeri as ndonjë pelikan dhe as ndonjë shqiponjë që do të fluturojë nga lart. Ne jemi shqiponjat e këtij vendi. Ne duhet ta bëjmë këtë vend”, u shpreh mjeku Ermal Pashaj.
Paraditen e së shtunës, para socialistëve Rama u shpreh se nuk do të japë dorëheqjen, e cila sipas tij do të ishte rruga më e lehtë. Ai u shpreh se kontratën e ka me popullin që i dha 83 mandate 1 vit më parë, me destinacionin për ta çuar vendin në BE.
“Një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma. Një grup udhëheqës nuk i jepet zhurmës dhe sa më shumë zhurma zmadhohet, aq më shumë një grup udhëheqës forcon identitetin e vet, duke bashkuar të gjithë në emër të destinacionit. S’jemi për të fituar numrin e klikimeve të ditës, por Shqipërinë në BE”, tha Rama.
Sipas tij protestën po e sponsorizojnë faktorë të shumtë për të fituar klikime.
Sipas tij, Narta dhe Zvërneci u kthyen në vëmendjen e botës jo për shkak të çështjes mjedisore, por sepse protesta u lidh me emrin e Jared Kushner dhe me hijen e vjehrrit të tij, presidentit amerikan Donald Trump.
Tërheqja zvarrë e protestuesve në Zvërnec nga forcat e sigurisë private, ndërkohë që Policia e Shtetit ishte e pranishme në protestën e 30 majit, ka nxjerrë në shesh prej tre javësh qytetarët. Ajo që nisi si protestë për zonat e mbrojtura, tanimë është kthyer në një protestë mbarëkombëtare, për ndryshim të sistemit qeverisës dhe dorëheqje të kryeministrit Edi Rama.
Më 13 tetor 2024, nga Berlini, Edi Rama njoftoi në një intervistë për Agjencinë Reuters synimin e vet për një mandat të katërt në krye të qeverisë shqiptare: “Besoj se më duhet të kandidoj, sepse ka punë për të mbaruar. Dhe në këto tre mandate kemi bërë gjëra të mrekullueshme”. Për të dëshmuar arritjet gjatë 11 viteve të qeverisjes së tij, ai përmendi se vendi kishte “kapërcyer tavanin e 10 milionë turistëve”.
Vetëm një ditë më pas, nga Stockholm-i, Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave njoftoi se do të nderonte tre ekonomistë dhe politologë (Acemoglu, Johnson dhe Robinson) me Çmimin Nobel “për studime se si formohen institucionet dhe se si ato ndikojnë në mirëqenie”.
Studiuesit kanë shqyrtuar sistemet politike dhe ekonomike që kolonët europianë vendosën të ndërtonin (ose ruanin) në shoqëritë e kolonizuara prej tyre duke filluar nga shekulli XVI. Sipas tyre, ato sisteme janë një faktor shpjegues i dallimeve midis ish-kolonive, si për sa i përket ecurisë historike të zhvillimit ashtu edhe mirëqenies së sotme ekonomike.
Në vendet ku rrethanat mundësuan vendosjen e vetëm pak kolonëve europianë, ata ngritën ose ruajtën sisteme politike dhe ekonomike shfrytëzuese, synimi i të cilave ishte sjellja e përfitimeve afatshkurtra për një elitë të vogël vendase në kurriz të popullsisë së gjerë. Nga ana tjetër, në ato vende ku u zhvendosën për të jetuar shumë kolonë, ata ngritën ose ruajtën institucione gjithëpërfshirëse, të cilat do të mundësonin përfitime afatgjata për të gjithë në ‘mëmëdheun’ e ri.
Tre nobelistët kanë treguar se si kolonitë me sisteme zhvatëse përjetuan një zhvillim ekonomik relativisht të ngadaltë dhe janë sot vende më pak të begata se simotrat e tyre me sisteme gjithëpërfshirëse.
Shqipëria e 35 viteve të fundit nuk ka qenë një vend i kolonizuar. Madje qysh prej largimit nga pushteti të Ramiz Alisë dhe Partisë së Punës, vendi u shndërrua (të paktën, formalisht) në një demokraci përfaqësuese shumëpartiake me një ekonomi të mbështetur te tregu. Por, ngjashëm me shumë nga kolonitë e shqyrtuara nga nobelistët e vitit 2024, në Shqipëri është ngritur dhe ruajtur një sistem politik dhe ekonomik shfrytëzues.
Në shumë vende ish-komuniste (Rusia është shembulli par excellence), institucionet e dobëta të tranzicionit kanë mundësuar përqendrimin në rritje të pushtetit ekonomik dhe politik në duart e një elite me lidhjet e duhura. Në disa raste këto ishin lidhje të trashëguara prej periudhës diktatoriale.
Kjo është lehtësuar edhe nga politikat e befta dhe të prera neoliberale që u zbatuan në këto vende për të mundësuar kalimin e shpejtë nga një ekonomi e komanduar në një ekonomi tregu, të njohura edhe si “terapia e shokut”. Gjithsesi, në Shqipëri (ndryshe nga Rusia) mekanizmi kryesor i këtij përqendrimi nuk ka qenë privatizimi i shpejtë i ndërmarrjeve shtetërore në sektorë strategjikë, ku një grup i vogël individësh arritën të blejnë herët asete shumë të vlefshme shtetërore me çmime jashtëzakonisht të lira.
Në rastin shqiptar, kjo ka ndodhur me anë të patronazhit,klientelizmit dhe kapjes së shtetit. Të zgjedhurit i kanë shpërndarë burimet ekonomike jo sipas mekanizmave meritokratike të mundësive të barabarta, por në këmbim të mbështetjes politike. Më tej akoma, shteti dhe procesi ligjvënës janë vendosur në shërbim të marrjes së përfitimeve ekonomike private.
Në këtë mënyrë, rrethi vicioz i përqendrimit është ushqyer me zbatim të dobët dhe përzgjedhës të ligjit, pasiguri për pronën private, informalitet dhe infiltrim të burimeve financiare kriminale, si edhe konkurrencë të kufizuar në tregje (në rënie edhe në politikë). Cilatdo qofshin rrugët, duke marrë nën kontroll pushtetin ekonomik dhe politik kjo elitë e ka pasur më të lehtë ndërtimin dhe ruajtjen e një sistemi zhvatës, të orientuar drejt përfitimeve afatshkurtra për pak të privilegjuar përkundër zhvillimit të qendrueshëm dhe mirëqenies afatgjatë për të gjithë.
Prania e këtij sistemi vihet re së pari në qasjen zhvatëse ndaj burimeve të përbashkëta natyrore. Gjatë 35 viteve, në të gjithë vendin ka pasur raste të panumërta të shfrytëzimit të paqendrueshëm dhe/ose abuziv të pasurive të nëntokës, pyjeve dhe pasurive ujore. Abuzimet në minierën e kromit në Bulqizë, humbja e sipërfaqeve pyjore në Qarkun e Korçës dhe urbanizimi në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës janë vetëm disa prej tyre.
Për më tepër, këto pasuri janë përdorur pothuajse tërësisht për nxjerrjen dhe eksportin e lëndëve të para të papërpunuara, duke humbur kështu vlerën e shtuar që do të mbetej në ekonomi prej përpunimit në vend.
Modeli zhvatës shfaqet edhe në përdorimin e burimeve njerëzore, qofshin ato në trajtën e punës së paguar apo të aftësive sipërmarrëse. Në 35 vite, vendi është përballur me probleme serioze në sistemin arsimor, i cili përtej fasadës së arritjeve mbetet i nënfinancuar, i keqqeverisur, me rezultate të dobëta e në rënie në testimet ndërkombëtare, si edhe pa lidhje të mira me tregjet e punës.
Njëkohësisht, Shqipëria ka përjetuar edhe një emigrim masiv të popullsisë, ku mbizotëron largimi i personave të kualifikuar në moshë pune. Si rrjedhojë, ekonomia shqiptare është mbështetur gjerësisht në shfrytëzimin e punës së lirë (edhe asaj të imigrantëve që kanë zëvendësuar të larguarit) dhe me prodhimtari të ulët. Për më tepër, dobësitë ose mungesa tërësore e sindikatave dhe institucionet e dobëta të mbikëqyrjes së tregjeve kanë mundësuar nivele shumë të larta të informalitetit dhe mbrojtje të kufizuar të punës.
Prania e një sistemi që nuk krijon mundësi të barabarta nuk ka qenë nxitëse as për talentin sipërmarrës. Mjedisi vendas ka krijuar besimin se lidhjet me politikën dhe shkelja e ligjit janë faktorë të rëndësishëm përcaktues të suksesit.
Të njëjtin ndikim frenues për sipërmarrjen ka pasur edhe shkalla e lartë e informalitetit dhe konkurrenca e pandershme prej firmave informale. Pengesë e rëndësishme ka qenë edhe vështirësia e sigurimit të burimeve financiare të nevojshme për nisjen dhe/ose rritjen e bizneseve, përtej kanaleve problematike të shfrytëzimit të financimeve shtetërore dhe të pastrimit të parave. Në 35 vite, Shqipëria ka vuajtur një krizë të rëndë të skemave piramidale, nuk ka arritur të zhvillojë ende tregje të mirëfillta të kapitalit, si dhe i ka përdorur remitancat sidomos për shpenzime konsumi dhe strehim.
Qasja zhvatëse është shfaqur edhe në përdorimin e kapitalit fizik. Ajo ka nisur qysh në ditët e para të Shqipërisë paskomuniste me shkatërrimin ose shitjen e rrëmujshme, me çmime jashtëzakonisht të lira, të pasurive të ndërmarrjeve shtetërore. E njëjta vijoi (në mënyrë më domethënëse) në 35 vitet që pasuan në rrugë të tjera të shfaqjes së patronazhit, klientelizmit dhe kapjes së shtetit: ndërtimi dhe menaxhimi i keq i infrastrukturës publike, praktikat jokonkurruese dhe korruptive në prokurimet publike dhe marrëveshjet për koncesione/PPP (në lidhje, zbatim dhe monitorim), si edhe keqmenaxhimi i ndërmarrjeve shtetërore.
Krahas përdorimit të faktorëve të prodhimit, sistemi shfrytëzues vërehet edhe te prirjet e zhvillimit të sektorëve të ekonomisë. Struktura e ekonomisë shqiptare ka ndryshuar gjatë 35 viteve, duke e zhvendosur gradualisht prodhimin (dhe punësimin) nga bujqësia dhe industria e tekstileve dhe këpucëve, që punon me material porositësi/fason, drejt shërbimeve (ku mbizotëron turizmi) dhe ndërtimit.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, produktiviteti dhe vlera e shtuar në ekonomi kanë vijuar të jenë të ulëta. Kështu, turizmi ka ofruar një nivel të ulët sofistikimi të shërbimit (dhe të ardhurash), ka qenë mjaft i përqendruar në bregdet dhe gjatë periudhës qershor-shtator, si dhe ka ndikuar negativisht në mjedis dhe bujqësinë vendase. Në fakt, Shqipëria ka shfaqur një varësi në rritje nga importi i ushqimeve dhe rrezikon t’a kthejë turizmin në ‘industrinë e re minerare’ të vendit: një sektor që përdor burimet natyrore për t’i ‘eksportuar’ pa shfrytëzuar mirë potencialin e vlerës së shtuar dhe të lidhjes me sektorët e tjerë të ekonomisë.
Nga ana tjetër, sektori i ndërtimit ka ardhur duke u zgjeruar, edhe falë rritjes së turizmit. Por, krahas ndikimit pozitiv në rritjen ekonomike (ashtu si turizmi), zgjerimi intensiv i ndërtimit ka sjellë ndikim negativ në mjedis dhe shëndetin e popullsisë, përkeqësim të konflikteve për pronësinë, si dhe rritje të çmimeve dhe qirave në tregjet e pasurive të paluajtshme (sidomos në bregdet dhe Tiranë). Gjithashtu, rritja e shpejtë e këtij sektori duket të jetë ushqyer edhe përmes infiltrimit të burimeve financiare me origjinë kriminale dhe pastrimit të tyre nëpërmjet ndërtimit.
Së fundi, vlen të theksohet se shoqëri të tilla me sisteme politike dhe ekonomike zhvatëse nuk janë të prirura të ndryshojnë lehtë. Sipas tre nobelistëve të vitit 2024, elita e privilegjuar nuk ka nxitje për të ndryshuar gjendjen. Tekefundit, askush nuk do t’ua kompensonte atyre përfitimet e humbura nga ndërtimi i një sistemi të ndryshëm, me institucione që do të mundësonin përfitime afatgjata për të gjithë. E megjithatë, ndonjëherë demokratizimi ndodh. Mobilizimi i popullsisë mund të shndërrohet në një kërcënim për revolucion, i cili mund të jetë edhe më i madh kur protestat janë paqësore (sepse iu bashkohen më shumë njerëz).
Përballë këtij kërcënimi dhe në kushtet e humbjes së besueshmërisë në sytë e shumicës, elita e privilegjuar nuk mundet t’a kapërcejë gjendjen e krijuar nëpërmjet premtimeve të reja për reforma. E vetmja rrugë mbetet dorëzimi i pushtetit dhe vendosja e një sistemi më demokratik…
*Armando Memushiështë ekonomist, mësimdhënës dhe ish-diplomat me mbi 13 vite përvojë në akademi, diplomaci dhe shoqërinë civile. Ka dhënë mësim në ekonomi, ka zhvilluar kërkim shkencor në fushën e Analizës Ekonomike të së Drejtës dhe Sjelljes së Konsumatorit, si dhe ka udhëhequr ekipe dhe procese në administratën diplomatike shqiptare, përfshirë drejtimin e ekipit konsullor në Romë gjatë pandemisë.
Protesta qytetare e njohur si Revolucioni Flamingo është një nga mobilizimet qytetare më të rëndësishme të viteve të fundit në Shqipëri. Në thelb të saj qëndron pakënaqësia me mënyrën si funksionon sistemi aktual i pushtetit politik dhe ekonomik, dhe me mënyrën se si merren vendimet për pasuritë publike dhe natyrore. Protesta nisi nga shqetësimet për ndërhyrjet dhe projektin e propozuar turistik të lidhur me Jared Kushner në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, por tashmë është zgjeruar në një kërkesë më të gjerë politike për një sistem qeverisjeje më të përgjegjshëm, më të hapur, dhe në shërbim të interesit publik.
Teksa protesta ka hyrë në ditën e 20, shqetësimet dhe kërkesat e qytetarëve nuk janë adresuar në thelb. Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që prej fillimit ta paraqesë mobilizimin kryesisht përmes një kornize tjetër: si rezultat të “luftës hibride”, ndikimit të huaj keqdashës, llogarive të automatizuara dhe instrumentalizimit nga aktorë si Irani, Rusia, aktorë greqishtfolës apo rrjete të tjera ideologjike dhe anti-Trump. Kjo kornizë e zhvendos debatin nga shkaqet e pakënaqësisë qytetare te origjina e supozuar e amplifikimit online.
Së fundmi, sipas raportimeve mediatike, ka qarkulluar një raport konfidencial i kompanisë Blackbird.AI. Raporti analizon narrativat online rreth projektit të propozuar të Jared Kushner në Zvërnec dhe e vendos analizën brenda një dataset-i të titulluar “Kushner Investment in Albania”. Ai identifikon narrativa negative ndaj projektit, aktorë që i kanë amplifikuar ato, si dhe sinjale të mundshme koordinimi apo sjelljeje të dyshimtë në hapësirën online. Sipas të njëjtave raportime, dokumenti po shpërndahet privatisht, ndërsa nuk dihet kush e ka porositur apo financuar. Ai nuk është paraqitur zyrtarisht nga ndonjë institucion shqiptar, nuk shoqërohet me një metodologji të detajuar publike që lejon verifikim të pavarur dhe nuk i është nënshtruar një procesi të hapur shqyrtimi. Pikërisht për këtë arsye, raporti kërkon një lexim të kujdesshëm: çfarë mat realisht, çfarë na tregon dhe çfarë nuk provon.
Blackbird.AI është kompani private e bazuar në SHBA që punon në fushën e “narrative intelligence”, pra analizës së mënyrës si përhapen narrativat online, cilët aktorë i amplifikojnë, si lidhen rrjetet mes tyre dhe ku mund të shfaqen sinjale manipulimi, dezinformimi apo koordinimi. Produkte të tilla përdoren zakonisht për të kuptuar rreziqe reputacionale, fushata influence dhe lëvizjen e përmbajtjes në hapësira digjitale. Ky është konteksti në të cilin duhet lexuar edhe raporti për Shqipërinë: si analizë e qarkullimit online të narrativave, jo si hetim mbi origjinën apo organizimin e protestës.
Nga pikëpamja kohore, narrativa politike e “luftës hibride” i ka paraprirë raportit. Raporti nuk e futi këtë tezë në debat, por po qarkullon tani si material që mund t’i japë mbështetje analitike dhe faktike të pretenduar një teze që ishte artikuluar më herët nga Kryeministri dhe mazhoranca. Kjo kronologji ka rëndësi edhe sepse metodologjia e raportit përmend relevancën e narrativave ndaj “interesave të klientit”. Megjithatë, nuk është e qartë kush është klienti, si është paguar raporti dhe për çfarë qëllimi është porositur. Në një debat publik për një protestë qytetare të këtyre përmasave, porositësi dhe qëllimi i raportit bëhen pjesë e diskutimit, sepse ngrejnë pikëpyetje nëse dokumenti është vlerësim i pavarur apo analizë e ndërtuar sipas interesave të klientit. Pa ditur kush e kërkoi analizën, me çfarë pyetjeje kërkimore dhe për cilin interes, raporti nuk mund të trajtohet si vlerësim neutral i protestës.
Dokumenti e kornizon objektin e analizës si debat rreth investimit të lidhur me Jared Kushner në Shqipëri dhe rreth “narrativave negative” ndaj projektit. Ky dallim është thelbësor. Revolucioni Flamingo është protestë qytetare me fushë më të gjerë se reputacioni online i një investimi. Ajo ka ngritur shqetësime për ndryshimet ligjore në zonat e mbrojtura, konsultimin publik, transparencën, pronën publike, cilësinë e vendimmarrjes, rolin e institucioneve dhe marrëdhënien mes investimit privat dhe interesit publik. Raporti nuk i analizon këto çështje në substancë; ai sheh kryesisht narrativat digjitale që janë krijuar rreth projektit të propozuar të Kushner në Zvërnec.
Raporti evidenton narrativa konspirative, gjuhë antisemitike, korniza anti-Trump, anti-izraelite dhe anti-perëndimore, si dhe forma të mundshme amplifikimi të koordinuar. Këto gjetje duhen marrë seriozisht sepse tregojnë se rreth një proteste qytetare mund të krijohen shtresa përmbajtjeje që e dëmtojnë vetë kauzën. Kur mbi shqetësimet për zonat e mbrojtura, pronën publike dhe llogaridhënien ngjiten teori konspirative, gjuhë urrejtjeje apo interpretime të huaja për kontekstin shqiptar, debati zhvendoset nga substanca e protestës. Për mediat, aktivistët dhe qytetarët, kjo do të thotë se duhet bërë dallim mes kritikës legjitime ndaj projektit dhe përmbajtjeve që e përdorin protestën për qëllime të tjera politike ose ideologjike.
Raporti është i dobishëm sepse tregon si një protestë vendore mund të dalë nga konteksti i saj fillestar sapo hyn në qarkullimin ndërkombëtar online. Revolucioni Flamingo nisi nga shqetësime për zonat e mbrojtura, pronën publike, transparencën dhe llogaridhënien. Por lidhja e çështjes me emra si Trump, Kushner apo Izrael bëri që protesta të merrej edhe nga aktorë dhe audienca jashtë Shqipërisë, të cilët e lexojnë atë përmes interesave dhe përplasjeve të tyre politike. Kjo zhvendosje ka rëndësi sepse mund të ndryshojë mënyrën si kuptohet protesta. Një mobilizim qytetar për qeverisjen e pasurive publike mund të paraqitet jashtë vendit si pjesë e betejave politike që nuk janë të protestuesve shqiptarë. Raporti ndihmon për të parë këtë shtresë të debatit: mënyrën si kauza amplifikohet, riformulohet dhe përdoret nga aktorë që nuk kanë qenë burimi i pakënaqësisë qytetare në Shqipëri.
Pika ku raporti nuk e mban peshën e pretendimit politik lidhet me kalimin nga amplifikimi te autorësia. Raporti mund të tregojë se narrativa të caktuara janë ripostuar, zmadhuar ose deformuar nga llogari të huaja dhe rrjete të dyshimta. Ai nuk provon se këta aktorë e krijuan protestën, e organizuan, e drejtuan ose e mbajtën gjallë. Një video nga protesta mund të shpërndahet nga një llogari e huaj dhe të futet në një kornizë anti-Trump apo pro-ruse. Kjo tregon përdorimin e një ngjarjeje ekzistuese, por jo origjinën e saj.
Për të mbështetur pretendimin se Revolucioni Flamingo është produkt i aktorëve të huaj, do të duheshin prova të forta që shkojnë përtej rrjeteve sociale: lidhje me organizatorë vendas, financim, udhëzime, koordinim të thirrjeve për protestë, ndikim mbi logjistikën, kontroll mbi mesazhet kryesore dhe efekt i matshëm mbi pjesëmarrjen në terren. Raporti nuk paraqet një zinxhir të tillë provash. Ai mat postime, angazhime online dhe rrjete shpërndarjeje. Këto të dhëna shpjegojnë vetëm qarkullimin online të përmbajtjes, kryesisht në një platformë si X, por jo origjinën shoqërore dhe politike të protestës.
Vetë raporti pranon se shqetësimet që qëndrojnë në bazë të protestës janë reale. Ai e vendos nisjen e polemikës te çështjet e qeverisjes dhe mjedisit, përpara se të analizojë se si aktorë të jashtëm i kanë amplifikuar ato në hapësirën online. Ky pranim është i rëndësishëm sepse vendos një kufi të qartë për leximin e raportit: ai mund të flasë për mënyrën si një krizë reale është shfrytëzuar, riformuluar ose zmadhuar nga aktorë të ndryshëm, por nuk e kthen vetë krizën në produkt të atyre aktorëve. Prania e amplifikimit të jashtëm nuk e zhbën bazën qytetare të pakënaqësisë dhe nuk u jep përgjigje arsyeve që e kanë nxitur protestën.
Një kufizim metodologjik lidhet me peshën e X-it në analizë. Raporti deklaron se mbulon X, Telegram, media online, Reddit dhe TikTok. Megjithatë, provat më të forta për rrjete, koordinim dhe sjellje “bot-like” duken të përqendruara te X. Kjo platformë kap mirë aktorët ndërkombëtarë, komentuesit gjeopolitikë dhe llogaritë e politizuara amerikane. Mobilizimi qytetar në Shqipëri zhvillohet edhe në komunitete lokale, media vendase, Instagram, TikTok, Facebook, WhatsApp, takime fizike dhe hapësira proteste. Një analizë e dominuar nga X mund të tregojë ndërkombëtarizimin e debatit, por jep pak për organizimin qytetar në terren. Kjo krijon rrezik që ndërkombëtarizimi i debatit të duket më përfaqësues se vetë mobilizimi vendas.
Etiketimet e raportit për llogari “të përafruara me narrativat ruse”, aktivitetin në gjuhën greke dhe llogaritë me fokus Iranin kërkojnë lexim proporcional. Raporti përfshin aktorë të ndryshëm nën kategori të gjera dhe nuk e bën gjithmonë të qartë dallimin mes shpërndarjes së mesazheve të ngjashme, qëndrimit kritik ndaj projektit dhe koordinimit të mirëfilltë. Kjo e kufizon peshën shpjeguese të gjetjeve, sidomos kur vetë aktiviteti greqisht përbën më pak se 1 për qind të diskutimit total. Edhe referencat për llogari apo agregatorë me fokus Iranin mbeten në nivelin e qarkullimit online të narrativave dhe nuk mjaftojnë për të mbështetur pretendime më të gjera për drejtim shtetëror, ndërhyrje kibernetike apo ndikim të provuar mbi protestën në Shqipëri. Kjo nuk përjashton mundësinë që aktorë të huaj apo rrjete të dyshimta ta kenë shfrytëzuar protestën për qëllimet e tyre; kërkon që një pretendim i tillë të mbështetet me prova të qarta, të verifikueshme dhe të lidhura drejtpërdrejt me mobilizimin në Shqipëri.
Raporti ka edhe një mangësi të rëndësishme në qasje: fokusohet te narrativat kundër projektit dhe kundër qeverisë, pa analizuar me të njëjtën thellësi narrativat pro-projektit, amplifikimin e mesazheve zyrtare, sulmet ndaj protestuesve apo përpjekjet për t’i paraqitur qytetarët si të manipuluar. Manipulimi i debatit publik mund të vijë nga më shumë se një drejtim. Një analizë e plotë e mjedisit informativ do të duhej të shihte koordinimin, përzgjedhjen dhe manipulimin në të gjitha drejtimet.
Mangësia më e madhe e raportit është se e trajton protestën kryesisht si fenomen të qarkullimit online dhe lë në hije kontekstin e qeverisjes që e ka ushqyer atë. Revolucioni Flamingo është nxitur nga pyetje konkrete për ndryshimet ligjore në zonat e mbrojtura, transparencën e lejeve dhe vendimeve, konsultimin publik, përdorimin e pronës publike, hetimet institucionale, rolin e SPAK-ut dhe raportin mes interesit publik dhe investimit privat.
Këto çështje kërkojnë dokumente, përgjigje institucionale dhe llogaridhënie. Një raport mbi narrativat online mund t’i përmendë si sfond, por nuk mund t’i zëvendësojë dhe as ta zhvendosë vëmendjen prej tyre.
Raporti mund të shërbejë për një qëllim të kufizuar, por të rëndësishëm: të paralajmërojë publikun se një kauzë reale mund të deformohet nga aktorë që nuk kanë lidhje me shqetësimet qytetare në Shqipëri. Prania e gjuhës antisemitike, kornizave konspirative dhe instrumentalizimit gjeopolitik duhet marrë seriozisht. Media, aktivistët dhe qytetarët kanë interes ta mbrojnë debatin nga këto përmbajtje, sepse ato e largojnë vëmendjen nga thelbi i protestës dhe krijojnë hapësirë për delegjitimim politik.
Në të njëjtën kohë, institucionet nuk mund ta përdorin rrezikun e instrumentalizimit online si zëvendësim për përgjigjet që u detyrohen qytetarëve. Edhe nëse një pjesë e debatit është amplifikuar nga llogari të huaja, kjo nuk i jep përgjigje çështjeve që ndezën mobilizimin.
Një debat i ndershëm publik duhet të ndajë qartë tri nivele. Niveli i parë është përmbajtja e protestës: mjedisi, prona publike, konsultimi, ligji dhe llogaridhënia. Niveli i dytë është mjedisi informativ: si qarkullojnë narrativat, kush i amplifikon, cilat përmbajtje janë problematike dhe ku ka sjellje të dyshimtë. Niveli i tretë është përdorimi politik i këtij raporti apo raporteve të tjera: mënyra si një dokument konfidencial mund të shërbejë për të forcuar një narrativë zyrtare mbi “luftën hibride”. Përzierja e këtyre niveleve prodhon më shumë mjegull dhe nuk ofron qartësi për publikun.
Revolucioni Flamingo duhet gjykuar mbi bazën e arsyeve që nxorën qytetarët në protestë dhe mbi përgjigjet që qeveria dhe aktorët politikë japin për ato arsye. Amplifikimi online mund të shpjegojë si një protestë u bë pjesë e debatit ndërkombëtar. Ai nuk shpjegon pse qytetarët vazhdojnë me qëndrueshmëri protestën e tyre.
Qindra protestues sot vendosën të ndryshojnë itinerarin e protestës për të marshuar drejt Parlamentit, aty ku mbahej seanca e radhës. Gjatë marshimit, qytetarët u ndeshën me deputetet të cilët po largoheshin.
Nën thirrjet për revolucion, ata akuzuan për korrupsion deputete të mazhorancës si Blendi Çuçi apo Mirela Kumbaro, të cilët sapo ishin larguar nga Parlamenti. I vetmi deputet që ndaloi përballë qytetarëve protestues ishte Ardit Bido. Ai ju afrua grupit të qytetarëve, por hasi në kundërshti për komunikim me ta. Protestuesit e pritën me thirrjet “O hajdut” ndërsa Bido u përgjigj së këto thirrje vijnë “nga turma që ka një egërsi publike”. Deputeti Bino u largua nën praninë e forcave të policisë, pa u shënuar incidente.
Më pas, protesta u zhvendos përballë Kryeministrisë, aty ku zhvillohet rishtas prej 19 ditësh.
“Më dhemb në shpirt, kur shoh që njerëzit dergjen në spiatle private, sepse për fat të keq, kostot në spitalet shtetërore , nuk kanë asnjë diferencë me ato privatet”, tha Rosella Pulatani në fjalën e saj përballë Kryeministrisë.
“Ky është bilanci i qeverisë: spitalet bosh, rinia jashtë, dhe xhepat bosh”, u shpreh një tjetër protestues.
Pavarësisht kërkesave për dorëheqje, Kryeministri Edi Rama ka vijuar të komentojë protestën në rrjetet e tij sociale si një organizim të nxitur nga shpifja dhe dizinformimi. Ai e konsideroi atë një demonstrim politik të skamur në ide, të varfër në argumenta dhe të degraduar në fjalor.
Më pas, ai kërkoi bashkëbisedim me “flamingot” duke iu referuar protestuesve, të cilët “nuk e humbasin bukurinë e tyre nëse angazhohen në diskutimin e dobishëm për të ardhmen e zonës dhe rrugën e zhvillimit të Shqipërisë”.
Grupi i flamingove iu përgjigj kërkesës së Edi Ramës për bashkëbisedim, me një përgjigje të thjeshtë “në gjuhën e flamingove”: “Rama, jepe dorëheqjen”.
“Zëri i flamingove” arrin te Parlamenti Evropian: Ndaloni ndërtimet në zonat e mbrojtura
Parlamenti Evropian miratoi rezolutën për Raportin e Komisionit Evropian mbi Shqipërinë për vitin 2025, duke shprehur shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë, i njohur edhe si Vjosë–Nartë.
Eurodeputetët u kërkuan autoriteteve shqiptare të shfuqizojnë ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda këtyre territoreve dhe dobësojnë mekanizmat e mbrojtjes mjedisore.
Në rezolutë kërkohet gjithashtu një moratorium i menjëhershëm për procedurat e reja të lejeve, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura dhe të garantohet përputhja e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës.
Parlamenti Evropian shprehu shqetësim edhe për Ligjin për Investimet Strategjike. Sipas rezolutës, procedurat e përshpejtuara të lejeve dhe dobësimi i kontrollit mjedisor rrezikojnë të kenë pasoja negative në zonat e mbrojtura dhe territoret e tjera ekologjikisht të ndjeshme.
123 akademikë dhe kërkues shkencorë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestat qytetare që po zhvillohen në Shqipëri.
Ata i kanë cilësuar protestat si një reagim legjitim ndaj krizës së thellë politike dhe institucionale, e cila, sipas tyre, ka dëmtuar besimin e qytetarëve te shteti dhe të ardhmen e vendit.
Në një deklaratë publike të titulluar “Arsimi, Shkenca dhe Inovacioni – Domosdoshmëri Kombëtare”, akademikët dhe kërkuesit shkencorë shqiptarë shprehin solidaritet me protestuesit dhe me kërkesat e tyre për një Shqipëri më të përgjegjshme, transparente dhe të drejtë, me institucione që u shërbejnë qytetarëve dhe jo pushtetit.
“Besojmë se shumë nga sfidat me të cilat përballet Shqipëria sot janë rezultat i dështimeve të përsëritura politike dhe institucionale, të cilat për shumë vite kanë dobësuar besimin e qytetarëve te shteti, te drejtësia dhe te mundësia për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre”, thuhet në deklaratën e përbashkët të akademikëve.
Sipas tyre, kjo krizë vjen edhe për shkak të gjendjes së arsimit, shkencës dhe inovacionit në Shqipëri.
“Politikat e ndjekura ndër dekada nuk i kanë vendosur këta sektorë dhe kapitalin njerëzor në qendër të zhvillimit të vendit. Përkundrazi, ato kanë toleruar nën-financimin, mungesën e meritokracisë, dobësimin e integritetit akademik, lidhjet klienteliste dhe mungesën e një vizioni afatgjatë për dijen si interes kombëtar”, thekson, ndër të tjera, deklarata.
Në reagimin e tyre theksohet se pa arsim cilësor, pa kërkim shkencor serioz dhe pa inovacion, nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm, ekonomi konkurruese dhe institucione demokratike të forta.
“Një shoqëri nuk mund të ecë përpara duke nënvlerësuar dijen, duke dobësuar universitetet dhe duke trajtuar aftësinë, kompetencën dhe punën e ndershme si vlera dytësore”, shkruajnë ata.
Sipas nënshkruesve, gjendja e arsimit dhe shkencës nuk është thjesht një problem sektorial, por një tregues i drejtpërdrejtë i modelit të qeverisjes në vend. Ata rendisin si problematika kryesore mungesën e financimit të qëndrueshëm, ndërhyrjet politike në universitete, standardet e dobëta akademike dhe mungesën e lidhjes së dijes me zhvillimin ekonomik.
Deklarata ngre gjithashtu shqetësimin për largimin e vazhdueshëm të të rinjve dhe profesionistëve të kualifikuar nga Shqipëria. Akademikët argumentojnë se rikthimi i besimit te dija, puna dhe merita është kusht për krijimin e mundësive reale për brezat e ardhshëm.
Ata shprehin gatishmërinë për të kontribuar me ekspertizën dhe përvojën e tyre në ndërtimin e institucioneve serioze dhe në forcimin e arsimit, shkencës dhe inovacionit në Shqipëri. Megjithatë, sipas tyre, ky kontribut nuk mund të shkëputet nga nevoja për ndryshime të thella politike dhe institucionale, të cilat po kërkohen nga qytetarët në protestë.
“E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet pa dije. Një vend që nuk vlerëson arsimin, shkencën, inovacionin dhe kapitalin e vet njerëzor, dobëson vetveten”, përfundon deklarata.
Deklarata është nënshkruar nga 123 akademikë, profesorë dhe kërkues shqiptarë të diasporës, të angazhuar në universitete dhe institucione kërkimore në vende si Gjermania, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Zvicra, Franca, Italia, Austria, Belgjika, Holanda, Danimarka, Norvegjia, Suedia, Finlanda, Australia dhe vende të tjera.
Parlamenti Evropian miratoi sot rezolutën për Raportin e Komisionit Evropian mbi Shqipërinë për vitin 2025, duke shprehur shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë, i njohur edhe si Vjosë–Nartë.
Eurodeputetët u kërkuan autoriteteve shqiptare të shfuqizojnë ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda këtyre territoreve dhe dobësojnë mekanizmat e mbrojtjes mjedisore.
Në rezolutë kërkohet gjithashtu: “Një moratorium i menjëhershëm për procedurat e reja të lejeve, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura dhe të garantohet përputhja e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës.”
Parlamenti Evropian shprehu shqetësim edhe për Ligjin për Investimet Strategjike. Sipas rezolutës, procedurat e përshpejtuara të lejeve dhe dobësimi i kontrollit mjedisor rrezikojnë të kenë pasoja negative në zonat e mbrojtura dhe territoret e tjera ekologjikisht të ndjeshme.
Edhe pse rezoluta nuk është juridikisht detyruese, ajo përbën një sinjal të fortë politik për Shqipërinë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Qëndrimi i Parlamentit Evropian vjen pas deklaratës së Komisioneres Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, më 15 qershor, e cila u prit me kritika nga ambientalistët. Ajo tha se Komisioni kishte marrë garanci nga qeveria shqiptare se projekti do t’i nënshtrohej një Vlerësimi të plotë të Ndikimit në Mjedis dhe se do të respektoheshin standardet evropiane.
Sipas Joni Vorpsit nga organizata mjedisore PPNEA, thirrja e Parlamentit Evropian për moratorium të menjëhershëm është pikërisht ajo që nevojitet për mbrojtjen e Vjosë–Nartës.
“Ajo u jep autoriteteve shqiptare kohën dhe qartësinë e nevojshme për t’u përafruar me standardet evropiane për mbrojtjen e natyrës dhe për të shmangur gabime të pakthyeshme që do të dëmtonin rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Ne e duam Shqipërinë në familjen evropiane dhe pikërisht për këtë arsye nuk mund të lejojmë që kjo çështje të trajtohet gabim”, u shpreh Vorpsi.
Edhe Anouk Puymartin, drejtuese e politikave në BirdLife Europe and Central Asia, tha se përmes kësaj rezolute Parlamenti Evropian është rreshtuar përkrah qytetarëve shqiptarë që protestojnë për mbrojtjen e zonës.
“Ky votim dërgon një mesazh të qartë: nuk mund të bëhesh pjesë e Bashkimit Evropian ndërsa shkatërron ligatinat e mbrojtura dhe anashkalon ligjet e tua. Mbrojtja e Vjosë–Nartës dhe respektimi i Direktivave për Shpendët dhe Habitatet janë kushte themelore për anëtarësimin në BE”, u shpreh Puymartin në deklaratën e publikuar nga BirdLife Europe.
Sot është dita e 18-të që qytetarët protestojnë kundër projekteve turistike dhe ndërhyrjeve në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, në atë që tashmë njihet si “Revolucioni Flamingo”.
Protesta nisi si një lëvizje për mbrojtjen e zonës dhe kundër dhunës së ushtruar ndaj një protestuesi në Zvërnec. Me kalimin e ditëve, kërkesat u zgjeruan drejt transparencës, përgjegjshmërisë institucionale dhe kundërshtimit të mënyrës së qeverisjes, ndërsa në shesh po kërkohet edhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Një koalicion prej 77 organizatash mjedisore dhe të shoqërisë civile ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për projektet turistike në Zvërnec dhe në ishullin e Sazanit. Organizatat i cilësojnë argumentet e tij si “deklarata politike pa baza shkencore dhe ligjore”.
Sipas tyre, qeveria po përpiqet ta paraqesë projektin në Zvërnec si një investim në përputhje me interesin publik dhe standardet evropiane, ndërkohë që ende mungojnë dokumentet kryesore mbi të cilat duhet të mbështetet një vendimmarrje e tillë.
Projekti arkitektonik nuk është bërë publik, Vlerësimi i Thelluar i Ndikimit në Mjedis nuk ka përfunduar dhe nuk është paraqitur një analizë e plotë për ndikimin mbi habitatet, biodiversitetin dhe ekosistemet e zonës së mbrojtur.
“Ende nuk disponojmë informacionin shkencor dhe teknik që do të duhej të shërbente si bazë për çdo përfundim mbi pranueshmërinë e projektit”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
“Shteti nuk është spektator”
Organizatat kundërshtojnë argumentin se investimi në Zvërnec është thjesht një marrëveshje mes privatësh. Zona është pjesë e Peizazhit të Mbrojtur “Pishë Poro–Nartë” dhe, sipas tyre, shteti ka detyrimin të mbrojë interesin publik dhe vlerat natyrore të territorit.
Ato thonë se ndryshimet e miratuara në vitin 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura kanë dobësuar mekanizmat e mbrojtjes mjedisore. Zgjerimi i aktiviteteve të lejuara, heqja e sistemit të nënzonimit dhe kalimi i kompetencave vendimmarrëse nga institucionet mjedisore te Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit kanë ndryshuar, sipas tyre, ekuilibrin mes ruajtjes së natyrës dhe zhvillimit ekonomik.
Organizatat kujtojnë se dokumentet strategjike të planifikimit bregdetar e kishin përcaktuar Zvërnecin si zonë të përshtatshme për ekoturizëm dhe aktivitete me ndikim të ulët, jo për zhvillime intensive urbane.
Për to, debati nuk lidhet me faktin nëse pronat private janë blerë ligjërisht, por me pyetjen nëse shteti po dobëson instrumentet e mbrojtjes së natyrës për të lejuar zhvillime që më parë nuk do të ishin të mundura brenda një zone të mbrojtur.
“Shteti nuk është spektator në një transaksion privat, por institucioni që ka detyrimin të mbrojë interesin publik dhe vlerat natyrore të zonave të mbrojtura”, thuhet në deklaratë.
“Procedurat janë përmbysur”
Një tjetër shqetësim lidhet me mënyrën si është ndjekur procedura.
Sipas organizatave, KKTU miratoi lejen zhvillimore më 30 mars 2026, ndërsa vetëm më 15 maj autoritetet mjedisore vendosën që projekti duhet t’i nënshtrohej një Vlerësimi të Thelluar të Ndikimit në Mjedis.
Ato argumentojnë se vlerësimi mjedisor duhet t’i paraprijë vendimmarrjes dhe jo të përdoret më pas për të justifikuar një vendim të marrë.
Duke qenë se Pishë Poro–Narta është pjesë e rrjetit Emerald dhe zonë pilot e Natura 2000, projekti duhet t’u nënshtrohet standardeve më të larta të vlerësimit shkencor dhe analizës së alternativave, theksojnë organizatat.
Në deklaratë ngrihen shqetësime edhe për ndikimet që aktivitetet paraprake mund të kenë shkaktuar mbi dunat ranore, shpendët dhe habitatet e folezimit të breshkës së detit Caretta caretta.
Sipas organizatave, këto ndikime duhej të ishin analizuar përpara se të niste çdo ndërhyrje në terren.
Ato kërkojnë që Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis të mos kthehet në një formalitet, por të mbështetet në analiza të pavarura shkencore. Shqetësimi i tyre është se ndërhyrjet kanë nisur përpara përfundimit të vlerësimit dhe se ky proces mund të përdoret më pas për të legjitimuar një realitet të krijuar në terren.
“Logjika e procesit është përmbysur: ndërhyrjet kanë paraprirë vlerësimin, ndërsa vlerësimi rrezikon të përdoret për të justifikuar një realitet të krijuar paraprakisht”, thuhet në deklaratë.
Zvërneci dhe Vjosa, pjesë e të njëjtit sistem natyror
Organizatat kundërshtojnë edhe deklaratën e kryeministrit se projekti në Zvërnec nuk ka lidhje me deltën e Vjosës.
Ato sqarojnë se askush nuk pretendon që resorti do të ndërtohet brenda kufijve të Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se sistemet natyrore të zonës janë të shkëputura nga njëri-tjetri.
Laguna e Nartës, pylli i Pishë Poros, dunat bregdetare dhe peizazhi i kësaj pjese të Adriatikut janë formuar nga procese gjeologjike dhe hidrologjike, në të cilat Vjosa ka pasur një rol të rëndësishëm ndër shekuj.
Për organizatat, shqetësimi kryesor lidhet me ndikimin kumulativ të zhvillimeve turistike përgjatë gjithë zonës Zvërnec–Akërni dhe jo vetëm me ndikimin e një projekti të vetëm.
Standardet evropiane kërkojnë që të vlerësohen jo vetëm pasojat e drejtpërdrejta të një projekti, por edhe ndikimi i tij në kombinim me projekte të tjera ekzistuese ose të planifikuara në të njëjtin territor.
“Pyetja nuk është nëse Vjosa është e mbrojtur, por nëse i gjithë kompleksi natyror i zonës po mbrohet në mënyrë të qëndrueshme përballë presionit në rritje të zhvillimeve turistike”, thuhet në deklaratë.
Statusi i mbrojtur nuk e bën projektin automatikisht të pranueshëm
Sipas organizatave, fakti që Pishë Poro–Narta klasifikohet si “Peizazh i Mbrojtur” nuk do të thotë se çdo zhvillim brenda saj është i pranueshëm.
Kjo kategori mbrojtjeje synon ruajtjen afatgjatë të biodiversitetit dhe peizazhit. Organizatat argumentojnë se ndryshimet ligjore të viteve të fundit e kanë dobësuar këtë mbrojtje në praktikë.
Pishë Poro–Narta përfshin një sërë vlerash të rëndësishme natyrore, monumente natyrore dhe territore të lidhura me Parkun Kombëtar të Lumit Vjosa. Delta e Vjosës u njoh gjithashtu në vitin 2025 si pjesë e një Rezerve Biosfere të UNESCO-s.
Për këtë arsye, sipas tyre, debati nuk duhet të mbetet te emërtimi formal i zonës, por te pyetja nëse projekti përputhet me qëllimin kryesor të një zone të mbrojtur: ruajtjen afatgjatë të natyrës dhe peizazhit.
Kërkohet transparencë për Sazanin
Për projektin në Sazan, ato shprehen se deklarata e qeverisë se ishulli do të mbetet pronë shtetërore nuk u jep përgjigje shqetësimeve kryesore.
Çështja, sipas tyre, nuk lidhet vetëm me pronësinë e tokës, por edhe me kushtet e përdorimit, të drejtat që mund t’u kalohen investitorëve privatë, kohëzgjatjen e kontratave, kufizimet e aksesit publik dhe garancitë mjedisore.
Duke qenë se negociatat, projekti arkitektonik dhe studimet mjedisore nuk janë bërë publike, organizatat kërkojnë transparencë të plotë përpara çdo vendimmarrjeje.
Sipas tyre, vetëm publikimi i marrëveshjeve dhe vlerësimeve mjedisore mund të tregojë nëse interesi publik po mbrohet.
Mjedisorët për deklaratën e Komisionit Evropian: “Nuk mjaftojnë garancitë politike”
Në konferencën për shtyp të 15 qershorit, Komisionerja Evropiane Marta Kos deklaroi se Komisioni Evropian kishte “marrë garanci nga Qeveria e Shqipërisë se do të kryhet një Vlerësim i plotë i Ndikimit në Mjedis dhe se do të respektohen standardet mjedisore evropiane”.
PPNEA e cilësoi këtë qëndrim të papranueshëm, duke argumentuar se mbështetet në informacion të pasaktë dhe në garanci politike të qeverisë shqiptare.
“Ndërkohë që injoron zhvillimet e paligjshme që tashmë kanë ndodhur në Vjosë–Nartë, pa lejet e nevojshme, pa masa mbrojtëse dhe pa transparencë. Këto ndërhyrje kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme ekologjike dhe kanë nxitur javë të tëra protestash publike”, thuhet në reagimin e PPNEA-s.
Sipas organizatës, deklarata e Komisioneres nuk trajton çështjet kryesore të debatit: ligjshmërinë e ndërhyrjeve në zonën e mbrojtur, dëmin e mundshëm ekologjik dhe detyrimin për rikthimin e gjendjes në përputhje me ligjin.
“Komisioni duhet të adresojë urgjentisht zhvillimet e paligjshme të ndodhura dhe t’i bëjë thirrje qeverisë shqiptare për një moratorium mbi aktivitetet dhe punimet”, thuhet në reagim.
PPNEA i kërkoi Komisionit Evropian të mbajë një qëndrim më të qartë dhe të kërkojë ndalimin e çdo aktiviteti deri në garantimin e respektimit të kuadrit ligjor.
Reagimit i është bashkuar edhe BirdLife Europe and Central Asia. Sipas organizatës, çështja e Vjosë–Nartës nuk është vetëm një debat mjedisor, por lidhet drejtpërdrejt me besueshmërinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe me respektimin e shtetit të së drejtës.
“Procesi i anëtarësimit në BE nuk ndërtohet mbi premtime dhe komunikim publik, por mbi respektimin e ligjeve. Ligjet e BE-së duhet të zbatohen në praktikë”, është shprehur Anouk Puymartin, drejtuese e politikave në BirdLife Europe and Central Asia.
Organizatat theksojnë se mbrojtja e Vjosë–Nartës është një test jo vetëm për politikat mjedisore të Shqipërisë, por edhe për seriozitetin me të cilin institucionet evropiane kërkojnë zbatimin e standardeve në vendet kandidate.
Një orë e gjysmë nga Tirana, pasi lë qytetin e Librazhdit, shtrihet fshati Dardhë. Mes gjelbërimit të stinës, zor se dallon shtëpitë e banorëve si oaze të një fshati që në 2018 ishte një nga 100 fshatrat turistikë në Shqipëri.
Por përveç titullit “turistik” të dhenë, ky fshat nuk gëzon as të drejtën bazike, atë të ujit të pijshëm.
Të dielën, dhjetëra banorë të indinjuar nga mungesa e vëmendjes dhe mos dëgjimit të shetësimeve të tyre për mungesë të ujit të pijshëm, u ngjitën në krye të fshatit në gurrën e bardhë, sikurse ata e emërtojnë burimin e ujit dhe shembën bashkarisht gardhin prej teli që ishte vendosur mbi burim.
Kompania “Lucente Koncesionare” e cila ushton aktivitetin në këtë zonë përmes një hidrocentrali ishte shkaku i gardhimit të burimit të ujit, duke i lenë banorët prej gjashtë muajsh me ujë të pakët deri në shterje të tij ditët e fundit.
“U organizuam edhe erdhëm e prishëm. Kaq. Kemi që një nëntor që na bëjnë dallavere. Kemi çuar kërkesa në bashki, në komunë dhe rezultati ishte ky”, u shpreh Edi Korra, banor i fshatit Dardhë.
Sipas Edit, përgjatë këtyre muajve jetesa pa ujë të pijshëm është bërë e vështirë.
“Kemi marrë në telefon rojën, të lutem shko te uji se nuk kishim ku të kalonim”, u shpreh Korra.
Një nga zonjat e pranishme pranë burimit të ujit u shpreh për Citizens.al se më shumë po rrinë të kontrollojnë burimin se sa në shtëpi.
“S’kemi ujë, kemi 7-8 muaj që nuk kemi ujë. Një ditë eja në gurrë (burim të ujit) një dite shko në shtëpi. Kemi venë depozita, qelben”, u shpreh ajo, ndërsa nuk ngurroi të përmendte hezitimin për ti dalë para kompanisë së HEC-it për të kërkuar të drejtën e tyre.
Pak më sipër burimit të ujit kalon rruga Egnatia, e cila pas shembjes së urës në Dragostunjë në muajin shkurt, u kthye në rrugën kryesore që lidhte juglindjen me Tiranën.
Për një tjetër zonjë në moshë kjo situatë prej shtatë-tetë muajsh dhe punimet së fundmi nga kompania e HEC-it ju ka pamundësuar askesin në ujë të pijshëm e të pastër.
“Më shumë vijmë në gurrë (burim të ujit) se sa jetojmë te shtëpia. Edhe ai ujë që është që furnizohemi prej këtej është gjithë pisllëqe, gjithë mbeturina, nuk ka hesap më çfarë të të themi”, u shpreh ajo
Për Haqif Dukën, banor të zonës, kundërshtimi ndaj ndërtimit të HEC-it në këtë zonë i ka kushtuar edhe shoqërim në komisariatin e policisë në vitin 2014, ndërsa ishte kryeplak i fshatit.
“Në 2014 mua më kanë marrë dhe më kanë futur brenda se dola pengesë dhe ndenjëm gjashtë orë brenda”, shprehet Duka.
Megjithatë, hidrocentrali u bë, por me një marrëveshje me banorët.
“Kemi bërë marrëveshje pesë muaj, 15 maj deri më 15 tetor të ndërpriten punimet e HEC-it dhe të ishte për vaditje për nevojat e fshatit”, u shpreh Haqif Duka për Citizens.al.
Sipas banorëve, kompania jo vetëm që nuk ka respektuar marrëveshjen për ujin e vaditjes, tanimë ka gardhuar edhe burimin e ujit të pijshëm.
“Këtu kanë marrë (ujë) gjithë lagjja që përbëhet prej 60 shtëpish. Tubat e fshatit kanë pasur nga një pol ujë, e ka përgjysmuar, ka dhënë nga një gjysmë pol ky dhe e ka futur në tubat e hekurit. Në disa vende vete uji, në disa vende nuk vete. U detyruam që popullit i erdhi në majë të hundës edhe u detyruam që ta shembim gardhin”, u shpreh më tej Haqif Duka.
Sipas banorëve shqetësimi i tyre është dërguar disa herë në bashki dhe Zyrën e Bashkëqeverisjes, por nuk është marrë asnjë masë konkrete.
Pas aktit të heqjes së gardhit dhe jehonës që mori ky veprim në rrjetet sociale, në fshat mbërriti kryebashkiaku i Librazhdit, Mariglen Disha, i cili u shpreh se gardhimi është i paligjshëm dhe se ndaj kompanisë do të merren masa duke vendosur sanksione.
Sanksione të cilat ishin vendosur edhe më herët nga IKMT-ja, para se gardhi të hiqej nga banorët, duke e gjobitur kompaninë “Lucente Koncesionare” me 2 milionë lekë.
Kompania nuk iu përgjigj kërkesës së Citizens.al për koment.
Banorët thonë se takimet me pronarin dhe institucionet nuk sollën zgjidhje. Sipas tyre, vetëm pas rrëzimit të gardhit në zonë mbërritën kryetari i bashkisë dhe punonjësit për pastrimin e territorit.
“E kemi ballafaquar dy-tre herë pronarin këtu. Ka ardhur edhe policia bashkiake. Dhe dje që hoqëm gardhin erdhi kryetari i bashkisë dhe sot ka sjellë punëtorët për heqjen e gardhit”, u shpreh Haqif Duka.
Njëjtë mendon edhe Edi Korra: “Derisa erdhi kryetari i bashkisë dje nga portalet vetëm që pa që u shemb dhe erdhi nga frika e vet, jo për ne se për ne s’ka menduar ndonjëherë”.
Banorët thonë se “Gurra e Bardhë” ka shërbyer prej vitesh si burim i ujit të pijshëm jo vetëm për Dardhën, por edhe për fshatra të tjerë të zonës, si Spathari dhe Babja.
Sipas legjislacionit dhe kushteve që zakonisht përcaktohen në lejet dhe kontratat për shfrytëzimin e burimeve ujore, operatorët e hidrocentraleve janë të detyruar të respektojnë rrjedhën ekologjike të ujit dhe të mos cenojnë furnizimin e komuniteteve me ujë të pijshëm apo nevoja të tjera jetike të banorëve.
Dy masterplane të porositura nga grupi Balfin, një dokument mjedisor i vitit 2021 dhe një zinxhir kompanish të krijuara paralelisht zbulojnë se lagunat dhe deltat pranë lumenjve më të ndjeshëm të vendit janë parë prej vitesh jo si peizazhe të mbrojtura, por si korridore investimesh të mëdha imobiliare.
Historia me Sazanin dhe Zvërnecin duket se ka nxjerrë në sipërfaqe vetëm pjesën më të dukshme të një modeli më të gjerë zhvillimi, që prej vitesh ka shënjestruar disa prej hapësirave më të veçanta bregdetare të Shqipërisë.
Autorë: Erblin Vukaj dhe Elira Kadriu | Citizens.al
Delta e Vjosës si “park resortesh”
Delta e Vjosës në Pishë Poro-Nartë, bregdeti i Darëzezës, Divjakë-Karavastaja pranë Shkumbinit, Rrushkull-Hamallaj pranë Erzenit, Talja pranë Matit, Kune-Vaini pranë Drinit apo Viluni e Velipoja pranë Bunës janë zonat ku po përplasen dy vizione të kundërta.
Nga njëra anë, ato janë hapësira me rëndësi ekologjike, laguna, duna, pyje bregdetare, habitate shpendësh dhe zona të lidhura me grykëderdhje lumenjsh.
Nga ana tjetër, gjithnjë e më shpesh, po shfaqen në dokumente, projekte, leje apo reklama imobiliare si territore të gatshme për resorte, vila, hotele etj.
Faksimile e masterplanit UMEA në deltën e Vjosës.
E tillë duket historia edhe për dy pjesë të ndryshme të brezit bregdetar pranë deltës së Vjosës, e cila në vitin 2023 u la jashtë Parkut Kombëtar. Dokumente të siguruara nga Citizens.al tregojnë se më 17 dhe 20 dhjetor 2024 u përgatitën të paktën dy masterplane të mëdha private.
Masterplani i parë, “UMEA”, është hartuar nga studioja ndërkombëtare MVRDV për grupin Balfin dhe parashikon një koncept zhvillimi për 639 ha në anën jugore të deltës së Vjosës.
Plani i dytë, “New Apollonia”, është hartuar nga studioja WATG, me përfshirjen e “Lobb + Partners”, e njohur për projektimin e komplekseve të golfit, edhe ky është përgatitur për llogari të Balfinit dhe parashikon një zhvillim për 600 ha përgjatë plazhit të Darëzezës dhe Semanit, në veri të deltës së Vjosës.
Të dy dokumentet flasin me gjuhën e qëndrueshmërisë me fraza si “natyrë të paprekur”, “biodiversitet”, “restaurim bregdetar”, “korridore ekologjike” dhe “arkitekturë të padukshme”.
Por pas kësaj gjuhe shfaqen projekte ndërtimi në përmasa urbane, hotele me marka ndërkombëtare, mijëra njësi rezidenciale, vila, apartamente, fusha golfi, marina, akuaparqe, rrugë të reja, zona tregtare dhe struktura shërbimi.
I pyetur nga Citizens.al për këto masterplane, grupi Balfin i përshkroi ato si “koncepte të parealizuara”, të hartuara “për qëllime prezantimi dhe panairesh ndërkombëtare,” nga të cilat kompania tha se “është tërhequr.”
“Linkut që ju i referoheni ka të bëjë me një landing-page të përgatitur për panairin e real estate në Mynih të Gjermanisë. Aty marrin pjesë investitorë ndërkombëtarë të interesuar për të investuar apo për partneritete. Ne kemi marrë pjesë me mbi 10 ide-projekte prej të cilave kemi ecur përpara vetëm me projektet ne Austri, ShBA dhe Portugali. Asnjë projekt nuk ka qenë i detajuar por vetëm koncept-ide” – citohet në përgjigjen e “Balfin Group” për Citizens.
Por dokumentet ngrenë pyetje serioze, pasi ato nuk janë thjesht skica arkitektonike, mbulojnë rreth 1,250 ha tokë, përfshijnë studio ndërkombëtare, ndarje funksionale, fazime, tipologji ndërtimi dhe referenca të qarta për pronësinë dhe blloqet e zhvillimit.
Ideja nuk ndalet vetëm te masterplanet, pasi paralelisht Citizens.al ka mësuar se grupi Balfin ka krijuar edhe kompani me të njëjtin emër (New Apollonia dhe UMEA shpk) me të cilat më pas ka krijuar apo kontrolluar një seri shoqërish të tjera me emra që përkojnë drejtpërdrejt me komponentët e projektit: marina, komplekset e golfit, menaxhimi imobiliar etj.
Sigurisht, këto nuk provojnë se projektet kanë marrë leje, as se ndërtimet janë në prag zhvillimi. Por ato tregojnë se idetë kanë kaluar përtej një prezantimi vizual dhe janë shoqëruar me përgatitje korporative, të cilat kërkojnë më shumë shpjegime publike, sidomos nga qeveria, e cila në rastin e Zvërnecit dhe Sazanit justifikohet duke përmendur shifra të paargumentuara investimi nga jashtë.
Në kontrast të fortë, qeveria e promovon dhe sot Vjosën si histori suksesi të mbrojtjes së natyrës, por zona përreth deltës së saj duket se u la qëllimisht jashtë parkut si territor ku mund të ndërtohen resorte të tilla sikurse ato që planifikoi grupi Balfin.
Faksimile e masterplanit New Apollonia në Darëzezë, Fier.
Në këtë kuptim, përplasja që sot po shihet për Zvërnecin dhe Sazanin duket se nuk është një rast i izoluar. Përballë kësaj panorame të fshehur, vihet seriozisht në diskutim vullneti i qeverisë për t’i mbrojtur vërtetë zonat më të ndjeshme ekologjike të Shqipërisë.
VSM-ja e vitit 2021 si “parathënie” e zhvillimeve
Për të kuptuar se si erdhëm këtu, duhet kthyer pas në vitin 2021. Në shtator të atij viti u përpilua “Vlerësimi Strategjik Mjedisor (VSM) i Planit të Detajuar të Zonës me Rëndësi Kombëtare (PDZRK) Vjosë-Nartë”.
Në dukje, dokumenti (link) ishte një raport teknik për ndikimet mjedisore të planifikimit në zonë, por në thelb, ai duket se shërbeu si urë mes statusit të mbrojtur të zonës dhe ambicieve për zhvillime imobiliare.
Raporti shprehet se Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT), në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, kishte marrë përsipër përgatitjen e PDZRK Vjosë-Nartën, por VSM-ja ishte kërkuar nga 7 subjekte private pronare të një pjese të trojeve në lagunë.
Lista e paraqitur në këtë dokument është domethënëse pasi flet për 1,536 ha vetëm në zonën Vjosë-Nartë (përfshirë Zvërnecin), që “kërkonte të zhvillohej”:
Banka Credins me 600 ha;
Mabetex & YDA Group me 309 ha – kjo ortakrëri fitoi atë vit koncesionin e aeroportit të Vlorës;
Grupi AGNA me 240 ha;
Gazmend Demi me 180 ha;
Adhenis shpk me 150 ha – zotëruar nga Artur Shehu, zyrtarisht nën hetim nga SPAK për përfshirje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash;
Arjan Pelushi me 37 ha;
Sere shpk me 20 ha – e lidhur me Balfin;
VSM-ja njeh statusin e lartë ekologjik të zonës, flet për lagunën e Nartës, grykëderdhjen e Vjosës, kënetat e kripës, dunat ranore, pyjet me pisha, ishullin e Zvërnecit, habitatet e shpendëve, ujërat nëntokësore dhe ekosistemet ligatinore.
Po ashtu pranon rreziqe të mëdha si erozioni, rritjet e nivelit të detit, kripëzimin e ujërave në lagunë, rritjen e trysnisë nga aktiviteti njerëzor, fragmentimi i habitateve dhe humbja e tokës bujqësore.
Megjithatë, dokumenti nuk ua mbyllte derën zhvillimit, përkundrazi ai e kanalizoi atë përmes tre skenarësh, ku skenari zero, pra mosndërhyrja, rezultonte pozitiv për natyrën, ndërsa skenari i zhvillimit intensiv turistik rezultonte më negativi.
Por skenari i tretë, ai që paraqitej si “konservativ”, apo “miqësor me mjedisin” dhe i propozuar nga subjektet private, dilte si një formulë e pranueshme.
Faksimile e dy planeve të realizuara për Balfin, UMEA dhe New Apollonia.
Kjo është dhe pika kyçe e asaj që po ndodh sot ku zhvillimi i madh nuk paraqitet më nga qeveria si urbanizim i zonave të mbrojtura, por si turizëm i qëndrueshëm, i menaxhuar dhe elitar.
E njëjta gjuhë u shfaq (2024) në masterplanet UMEA dhe New Apollonia që Citizens.al i boton sot për publikun, ku resortet nuk prezantohen si ndërhyrje në natyrë, por si mënyrë për ta “përqafuar”, “restauruar” apo “menaxhuar” atë.
UMEA, qyteti resort në deltën jugore të Vjosës
Në dhjetor 2024, studioja MVRDV përgatiti për Balfinin masterplanin “UMEA”, për një zonë turistike në Novoselë të Vlorës. Koncepti e quajti sitin “the land between rivers” (toka mes lumenjve).
Harta e projektit vendoset në një nga pikat më të ndjeshme, në një territor formuar nga lumi Vjosa gjatë derdhjeve shekullore në detin Adriatik.
Faqet hyrëse të masterplanit janë përpiluar me “gjuhë poetike”. Ato flasin për ruajtje të natyrës së paprekur, krijimin e “tamponeve ujorë”, përqafimin e natyrës, arkitekturën e padukshme si dhe mbrojtjen e faunës dhe biodiversitetit.
Në pamje të parë, dokumenti përpiqet t’i paraqesë ndërhyrjet si të buta, të shpërndara dhe të respektueshme ndaj peizazhit, por koncepti që pason tregon një shkallë tjetër.
Siti ka sipërfaqe 639 ha ku 31% (rreth 190 ha) parashikohen të lihen për hapësira të përbashkëta, ndërsa pjesa tjetër të vihen në dispozicion për vila (25%; 161.5 ha), apartamente (13%; 79.9 ha), fusha golfi (12%; 75 ha); hotele (11%; 68.12 ha) dhe rrugë (10%; 63.9 ha).
Në letër parashikohen kanale, marina, zona tregtare, shërbimesh, aquapark, komplekse golfi dhe shëtitore bregdetare. Në këtë kuptim UMEA nuk është një oaz ekologjik, as një ndërhyrje e vogël turistike, por një qytet-resort, i dizajnuar për të riformatuar territorin buzë detit.
Faksimile e masterplanit UMEA në deltën e Vjosës.
Kështu, retorika e “arkitekturës së padukshme” përplaset me masivitetin e shtrirjes.
Në këtë kuptim, edhe nëse Balfin thotë se projekti është braktisur, masterplani mbetet me interes publik pasi tregon sesi një grup i madh interesash private ka “imagjinuar” dhe punuar transformimin e një prej zonave më të ndjeshme ekologjike të Shqipërisë në një qytet-resort.
New Apollonia, qyteti i ri në plazhin e Semanit
Në veri të deltës, një tjetër masterplan e çon më tej këtë logjikë, “New Apollonia Master Plan”, prezantuar tre ditë para UMEA-s, mban në kopertinë logot e WATG, LOBB + Partners dhe Balfin. Dokumenti e paraqet projektin si “the next generation coastal destination” (destinacioni bregdetar i gjeneratës tjetër).
Ky masterplan nuk është aq abstrakt sa ai i UMEA-s, por edhe më i detajuar në kapacitete dhe ndarje zhvillimi.
Siti shtrihet përgjatë 5 kilometrave vijë bregdetare në Adriatik, mes Darëzezës dhe Plazhit të Semanit, pranë grykëderdhjes së Vjosës dhe afër Pishë-Poros.
Plani pranon se zona ka laguna të kripura, shpendë migratorë, kanale vaditëse, pyje, duna dhe lidhje hidrologjike me Vjosën, megjithatë, parashikon një projekt me përmasa të një qyteti.
Në shifra, New Apollonia përfshin 600 ha, me 1.52 milionë m² sipërfaqe ndërtimi bruto, rreth 9,160 njësi rezidenciale, 2,830 njësi hotelierie dhe një popullsi të pritshme prej 45,755 banorësh.
Një popullsi e tillë për Shqipërinë është e krahasueshme me një qytet në rrethina. Pra projekti nuk është thjesht destinacion pushimi, por një urbanizim i thellë bregdetar në shkallë të plotë.
Masterplani parashikon katër qendra kryesore: Marina Town, Golf Resort, Family Island Village dhe Sports & Wellness Village.
Gjithashtu parashikohen 8.5 kilometra “waterways” (kanale të brendshme, apo laguna të integruara në resort).
Ato paraqiten si përvojë natyre, por nënkuptojnë ndërhyrje të thellë gjeologjike dhe hidrologjike në një zonë ku uji, kripa, toka dhe migrimi i shpendëve janë pjesë e të njëjtit sistem delikat të vendosur në ekuilibra nga vetë natyra.
Faksimile e masterplanit New Apollonia në Darëzezë.
Programi i hotelerisë është masiv: 10 struktura me në total, 5,600 shtretër në kapacitet të plotë, ndërsa projekti rezidencial është edhe më i madh: 5,975 apartamente, 2,900 vila dhe 280 njësi “senior living” për një total banimi mbi 9 mijë njësi.
Ky është një model i njohur tashmë në zhvillimet e mëdha bregdetare në Shqipëri.
Hotelet shërbejnë si flamuj prestigji dhe përfitimi të statusit investitor strategjik (bashkë me lehtësirat fiskale që ofron qeveria), ndërsa përfitimet reale ekonomike vijnë nga “real estate”-i, shitja e vilave dhe apartamenteve, që shpesh bëhet nga blerës të huaj.
Çfarë thonë aktivistët mjedisorë?
Sipas Ulrich Eichelmann, drejtues i Riverwatch, këto projekte do të zhvillohen dhe do të marrin një dritë jeshile, nëse edhe projektet e Kushnerit vijojnë.
“Vjosa është një Park Kombëtar dhe zyrtarisht ka një zonë buferike 30 metra larg lumit, ndërsa e gjithë zona është një ‘Rezervë e Biosferës’, e përcaktuar në shtator të vitit 2025. Por, pranë saj, nuk kam dyshime se ato do të vazhdojnë të planifikojnë ndërtime” – thekson Ulrich.
Sipas tij, projektet e Balfin, planet e propozuara nga Kushner dhe zhvillimi i parashikuar në Apoloni ndjekin të njëjtën logjikë. Ato janë pjesë e një modeli zhvillimi të orientuar drejt asaj që promovohet si “turizëm elitar”, i shoqëruar me investime si fusha golfi dhe marina.
“Greenwashing”, me fjalë të tjera: zona paraqitet si në harmoni me natyrën, por në realitet është diçka krejt tjetër. Mendoj se Kushneri është vetëm pikënisja e kësaj”, përmbyll Ulrich.
Një vlerësim të ngjashëm jep edhe Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania. Sipas tij, projektet e propozuara në Vjosë–Nartë, nga resorti në Zvërnec te aeroporti i Vlorës dhe zhvillime të tjera infrastrukturore, tregojnë se nuk bëhet fjalë për raste të veçuara, por për një prirje të vazhdueshme zhvillimi që ka ushtruar presion mbi peizazhin e mbrojtur.
“Shqipëria ka zgjedhur të mbrojë vetëm një pjesë relativisht të kufizuar të territorit të saj rreth 20%. Kjo do të thotë se ekzistojnë shumë zona të tjera ku mund të zhvillohen resorte, komplekse turistike dhe investime të mëdha pa cenuar asetet më të rëndësishme natyrore të vendit” – analizon Olsi.
Besjana Guri, nga Qendra Lumi, shton se projektet e tjera të përfolura, nëse do të realizohen, do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në shtratin e Vjosës dhe në grykëderdhjen e saj në det.
Kompanitë e përfshira
Në New Apollonia projekti ndahet në 4 blloqe zhvillimi sipas kompanive të përfshira. Grupi Balfin mban peshën kryesore me 377 ha (62.9%) tokë në shfrytëzim, rreth 1 milionë m² sipërfaqe ndërtimi të parashikuar për t’u zhvilluar, 5,161 njësi rezidenciale dhe hotele me 1,780 njësi.
Më pas vijnë:
Blue TDI (Pronarë përfitues: Arian e Besnik Leskaj; Bledar Sinani) me 107 ha; 272,385 m² sip. ndërtimi, 1,702 njësi rezidenciale dhe 525 hotelerie.
Agikons/S&D Invest (Pronar përfitues: Gentjan A. Sulaj) me 56 ha; 141,012 m² sip. ndërtimi, 1,162 njësi rezidenciale dhe 250 hotelerie.
Progeen (Pronar përfitues: Genc Kuçuku) me 59 ha, 149,541 m² sip. ndërtimi, 1,137 njësi rezidenciale dhe 275 hotelerie.
Këto të dhëna dhe ky masivitet ndërtimi nxisin pyetjen thelbësore nëse kemi të bëjmë me një projekt të vetëm të drejtuar nga Balfin, apo me një konsorcium të gjerë pronarësh dhe zhvilluesish, ku Balfin është aktori kryesor.
Faksimile e masterplanit New Apollonia në Darëzezë.
Ndryshe nga New Apollonia, UMEA nuk paraqet në masterplan një ndarje të qartë sipas kompanive zhvilluese. Dokumenti e ndan territorin në dy “klastera”, me funksione dhe sipërfaqe të ndryshme, ndërsa roli i kompanive të tjera të përmendura në materiale shoqëruese nuk ka sqarime të plota.
Njëri klaster kryesohet nga Balfin dhe tjetri nga një ortakëri mes grupit AGNA (Pronarë përfitues: Kosta Sotiri; Vasil, Kristo dhe Aleksandër Naçi); GR Albania (Pronarë përfitues: Realdo Mansaku dhe Gentjan Filaj) dhe sipërmarrësi Arian Leskaj.
Tabelat që përcillen në masterplan tregojnë për një interesim të bllokut të dytë zhvillues kryesisht te komplekset e golfit, që pritet të zënë rreth 72.2 ha (11.4% të sipërfaqes së alokuar në masterplan).
Në total, UMEA parashikon 308 ha parcela me 155 ha sipërfaqe ndërtim të projektuar.
Dokumentet nuk japin detaje për vlerat e mundshme të investimeve (nëse do jenë me investim kapitali të drejtpërdrejtë apo me shfrytëzim të kuotave të parablerjeve), por ato tregojnë qartë se projekte të tilla mund të zhvillohen edhe pa aktorë ndërkombëtarë si vëllezërit Al Khayyat në Sazan dhe Zvërnec.
Paralelisht, në QKB rezulton të jenë krijuar shoqëritë “New Apollonia” (korrik 2024) dhe “UMEA” (tetor 2024), të kontrolluara 100% nga Balfin me pronar përfitues sipërmarrësin Samir Mane.
Objekti i veprimtarisë së të dyja kompanive përshkruhet shumë i gjerë: zhvillim, projektim dhe ndërtim objektesh civile; shitje apo dhënie me qira e titujve të pronësisë; njësive të ndërtuara; veprimtari në fushën e turizmit; ngritje, operim dhe administrim strukturash akomoduese; shfrytëzim zonash malore apo bregdetare për qëllime turistike; administrim bashkëpronësie në ndërtesa, resorte dhe komplekse rezidenciale.
Ky objekt përputhet thuajse plotësisht me logjikën e masterplanit: ndërtim, turizëm, real estate, administrim resorti, plazhe dhe komplekse rezidenciale.
Në të njëjtën kohë, New Apollonia dhe UMEA rezultojnë si shoqëri mëmë dhe aksionere kryesore e të paktën 13 shoqërive të tjera:
Adriatic Shores Apolonia (pezulluar);
Apolonia Lagoon Development (pezulluar);
Apolonia Oasis Resorts (pezulluar);
Apolonia Elysian Estates (pezulluar);
Apolonia Hospitality (pezulluar);
Apolonia Golf Estates (pezulluar);
Agora Apolonia Estates (pezulluar);
Apolonia Wetlands Estates (pezulluar);
Dunescape Apolonia (pezulluar);
Marina Gateway Development (pezulluar);
Saphire Seas Development (pezulluar);
UMEA Development Holdings (aktive);
UMEA Seaside Hotel 2 (pezulluar);
Të dyja kompanitë mëmë të projekteve kanë zgjeruar kapitalin në një total prej rreth 5 milionë eurosh, ndërsa shumica e kompanive të lidhura me to janë pezulluar pranverën e vitit 2025 dhe prillin e këtij viti.
Faksimile e projektit UMEA.
Por vlen të theksohet se emrat e tyre nuk janë të rastësishëm. Ato përkojnë me pjesët funksionale të masterplaneve: bregdet, akomodim, marina, golf, resorte etj dhe kjo e bën pretendimin për “projekte të palançuara” jo dhe aq bindës.
Sepse një gjë është të porositësh një koncept arkitektonik, dhe tjetër gjë është të krijosh shoqëri me emra të dedikuar për komponentët e atyre koncepteve.
Në disa raste të tjera shfaqen edhe lëvizje kuotash me vlera të ulëta. Apolonia Seafront Properties, për shembull, rezulton fillimisht me New Apollonia si ortak themelues, ndërsa më pas kuotat i kalojnë “Blessed Investment” (Pronar përfitues: Besnik Leskaj) për 4,500 lekë, me detyrimin për kthimin e një huaje prej 70,000 lekësh.
Sigurisht, këto lëvizje nuk provojnë shkelje. Por ato janë sinjale të dyshimta për “red flags” dhe kërkojnë shpjegim se përse u krijuan këto shoqëri, pse u pezulluan kaq shpejt, pse u përdor kjo arkitekturë korporative dhe a korrespondojnë këto kompani me parcelat, fazat apo funksionet e masterplanit?
A u përdorën për të testuar strukturën ligjore të një projekti më të madh, apo u krijuan dhe u pezulluan pasi projekti thjesht u ngri si rrjedhojë e zhvillimeve në lidhje me Zvërnecin dhe Sazanin?
Pa përgjigje të qarta, dokumentet lënë përshtypjen e një projekti që kishte kaluar përtej fazës së ilustrimit.
Modeli qëzhvendoset në veri
Prirja që shfaqet në masterplanet për Vjosë-Nartën dhe Darëzezën po shihet në forma të ngjashme edhe në veri të vendit.
Në një anë kemi projektin “Blue Borgo” të Gener 2 (Pronar përfitues: Ahmet, Astrit dhe Bashkim Ulaj) në Baks-Rrjoll. Ndërsa më tutje projektin Valamar Tale të lidhur me grupin Balfin, edhe ky tashmë në fazë më konkrete, dhe kjo kuptohet pasi figuron në rendin e ditës së Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (link) më 23 korrik 2025.
Balfin, e ka prezantuar publikisht si një kapitull të ri zhvillimi në veri të vendit.
Ajo e ka lidhur këtë projekt me të njëjtën filozofi që kompania thotë se ka ndjekur në Hamallaj me Vala Mar Residences, transformim zone, rritje vlere pronash dhe “krijim destinacioni të integruar turistik e rezidencial”.
Për ironi, një nga fotografitë që grupi Balfin ka përdorur për ta reklamuar projektin, është me flamingot.
Faksimile e masterplanit Valamar Tale në deltën e lumit Mat.
Rasti i Valamar Tale tregon se modeli nuk është thjesht lokal, i përqendruar vetëm në një zonë të Shqipërisë, por po përsëritet nën një bashkëpunim të qartë jo vetëm sipërmarrësish, por edhe me qeverinë.
Në Hamallaj, Vala Mar shërbeu si precedent i resortit rezidencial pranë bregdetit, ku u provuan për herë të parë edhe kanalet e ujit mes rezidencave.
Në Tale, por edhe më tej në Vjosë-Nartë me New Apollonia dhe UMEA ai koncept zmadhohet në shkallë deri qindra hektarë.
Me Zvërnecin dhe Sazanin, modeli ka marrë dimension politik dhe ndërkombëtar. Për këtë nëse ato projekte kalojnë, e sigurt se “koncept-idetë” e tipit UMEA dhe New Apollonia do të konkretizohen në të gjitha deltat e lumenjve të Shqipërisë.
Kjo do të jetë Shqipëria e re bregdetare që projektohet: jo si rrjet zonash të mbrojtura, fshatrash, ligatinash dhe plazhesh publike, por si zinxhir resortesh të mbyllura në paketa “premium” dhe ujdi “real estate”.
“Edhe ne jemi këtu!” është thirrja e përbashkët e dhjetëra qytetarëve me aftësi të kufizuara që i janë bashkuar “Revolucionit Flamingo” në shesh.
Sikurse mijëra qytetarë të tjerë që kërkojnë ndryshim në qeverisje, personat me aftësi të kufizuara kanë sjellë në qendër të vëmendjes problemet e përditshme që shpesh mbeten në perfieri të debatit publik sikurse mungesa e aksesit, shërbimet e pamjaftueshme dhe përjashtimi nga tregu i punës.
Për Suela Lalën, pjesëmarrja në protestë nuk është thjesht solidaritet politik, por një pasqyrim i pakënaqësive të thella që ky komunitet ndaj me pjesën tjetër të shoqërisë.
“Jemi të pakënaqur me aksesin, jemi të pakënaqur me mundësitë për punësim, jemi të pakënaqur për shërbimet. Kështu që kjo është një arsye për t’ju bashkuar protestës dhe për të kërkuar më shumë barazi edhe vëmendje edhe për ne që s’jemi gjëkundi në agjendat dhe prioritetet e qeverisjes”, u shpreh Suela Lala, përdoruese e karriges me rrota dhe drejtuese e Fondacionit Së Bashku.
Për Stefan Palokën, me aftësi të kufizuar në shikim, vështirësitë e përditshme me të cilat përballen janë të shumta, duke e bërë lëvizjen në qytete sfidë të vazhdueshme.
“Unë e di se çfarë heq nëpër rrugët e Shqipërisë, për shkak të mungesës së çdo lloj sinjalistike për personat e verbër,” thotë ai, duke theksuar se problemet nuk kufizohen vetëm te infrastruktura.
Sipas tij, trajtimi financiar është i pamjaftueshëm dhe nuk garanton as nevojat bazë të jetesës.
“Trajtim financiar dinjitoz. Pagesat janë të mjerueshme. Janë të tilla që as buka thatë nuk është e garantuar për personat me aftësi të kufizuar”, u shpreh Stefan Paloka për Citizens.al.
Paloka kritikon gjithashtu mungesën e mundësive reale për punësim, duke theksuar se shteti duhet të zgjedhë mes mbështetjes ekonomike dinjitoze ose hapjes së tregut të punës.
Emanuela Pepkola nga “Down Syndrome Albania” vjen në protestë si një qytetare që është detyruar të largohet nga vendi për një shërbim shëndetësor dinjitoz për djalin e saj me sindromën Down.
“Sot supozoj që përfaqësoj edhe ata që u larguan të detyruar për t’u larguar”, shprehet Emanuela Pepkola për Citizens.al.
Në anën tjetër të angazhimit të saj civil, Pepkola ngre shqetësimin për qëndrueshmërinë e shërbimeve për fëmijët me aftësi të kufizuara. Ajo thekson se qendra që ofron shërbime për këta fëmijë rrezikon mbylljen pas më shumë se një dekade pune, në një kohë kur sipas saj mbështetja shtetërore mbetet e pamjaftueshme.
“Nëse këto shërbime do ishin të mira dhe cilësore në shtet s’është e nevojshme ndoshta të ekzistojmë as ne për çështje shërbimesh”, tha Emanuela për Citizens.al.
Në këtë protestë, përfaqësues të komunitetit të personave me aftësi të kufizuara nuk sjellin vetëm kërkesa specifike sektoriale, por i bashkohen një thirrjeje më të gjerë për dinjitet, akses dhe një sistem më gjithëpërfshirës.
“Kjo është një revoltë që për t’ju bashkuar popullit dhe për të thënë që jemi dhe ne bashkë me ta për një jetë me dinjitet për personat me aftësi të kufizuara”, përfundon Pepkola.
Mes mijëra protestuesve pjesëmarrës në shesh zërat e tyre theksojnë se barazia nuk është një çështje e veçantë, por një mungesë që prek të gjithë shoqërinë në mënyra të ndryshme.
Prej gjashtë muajsh, banorët e fshatit Dardhë në bashkinë Librazhd janë pa ujë të pijshëm, pasi burimi i ujit i njohur si “Gurra e Bardhë” është rrethuar nga kompania “Lucente Koncensionare”, e cila operon hidrocentralin në zonë.
Të dielën, në shenjë proteste rrëzuan gardhin prej teli, i cili po ua kufizonte aksesin në një burim jetik për komunitetin.
Më herët, banorët i ishin drejtuar Zyrës së Bashkëqeverisjes për të denoncuar situatën. Pas ankesës së tyre, Bashkia Librazhd ngriti një grup pune për të verifikuar problematikën në terren.
“Në zbatim të urdhrit nr. 1045, datë 18.11.2025 të kryetarit të Bashkisë Librazhd, është ngritur një grup pune, i cili ka kryer verifikime në terren për kontrollin e veprimtarisë së HEC-it, përfshirë respektimin e menaxhimit të integruar të burimeve ujore për furnizimin me ujë të pijshëm të komunitetit, lejimin e rrjedhës ekologjike të ujit dhe verifikimin e mundësisë së ndërtimeve pa leje”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Bashkëqeverisjes drejtuar banorëve.
Sipas procesverbalit të hartuar nga grupi i punës i Bashkisë Librazhd në nëntor 2025, banorët e fshatit Dardhë duhej të furnizoheshin me ujë të pijshëm në pikën ku e merrnin më parë.
Procesverbali i mbajtur nga Bashkia Librazhd në terren në nëntor 2025
Megjithatë, sipas banorëve, edhe pas inspektimit në terren dhe rekomandimeve të institucionit vendor, furnizimi me ujë nuk është rikthyer.
Banorët thonë se “Gurra e Bardhë” ka shërbyer prej vitesh si burim i ujit të pijshëm jo vetëm për Dardhën, por edhe për fshatra të tjerë të zonës, si Spathari dhe Babja.
Sipas legjislacionit dhe kushteve që zakonisht përcaktohen në lejet dhe kontratat për shfrytëzimin e burimeve ujore, operatorët e hidrocentraleve janë të detyruar të respektojnë rrjedhën ekologjike të ujit dhe të mos cenojnë furnizimin e komuniteteve me ujë të pijshëm apo nevoja të tjera jetike të banorëve.
Banorët thonë se në rastin e Dardhës është kufizuar aksesi jo vetëm në ujin për përdorim bujqësor, por edhe në vetë burimin e ujit të pijshëm.
Për dekada me radhë gjatë diktaturës, Shqipëria ishte një vend i rrethuar me tela me gjemba. Kufijtë e saj ruheshin me bunkerë, posta kontrolli dhe armë të drejtuara jo vetëm ndaj botës së jashtme, por edhe ndaj qytetarëve të vet.
Gardhi ishte simboli më i qartë i një regjimi që nuk qeveriste përmes besimit, por përmes izolimit, kontrollit dhe përjashtimit. Sot askush nuk po ngre tela me gjemba në kufijtë e Republikës. Por logjika e gardhit është rikthyer brenda saj, por sot nuk po gardhohet më Shqipëria nga bota, por shqiptarët nga Shqipëria.
Gardhi është ndoshta elementi më politik i ndërtimit. Ai mbulon territore, izolon hapësira, fragmenton tokën dhe krijon privilegje. Për vite me radhë kemi parë gardhe kantierësh që kanë copëzuar qytetet tona. Kanë zënë trotuare, kanë zhdukur lulishtet, kanë kufizuar lëvizjen dhe kanë reduktuar hapësirat ku njerëzit takohen e ndërveprojnë me njëri-tjetrin.
Sot gardhimi ka mbërritur edhe në plazhe si Rrjolli, Manastiri, Palasa, Dhërmiu edhe në zona të mbrojtura si Vjosë – Narta, sikur privatizimi i hapësirës të ishte modeli i vetëm i zhvillimit që i ka mbetur Shqipërisë. Por gardhi që mbron një interes privat duke mobilizuar të gjithë autoritetin e shtetit për ta mbrojtur, nuk nisi në Zvërnec. Gardhimi si instrument pushteti është një proces shumë më i vjetër.
Gardhe ka pasur gjithmonë. Ajo që ka ndryshuar është funksioni i tyre. Në një demokraci, shteti vendos kufij për të mbrojtur interesin publik. Në Shqipërinë e viteve të fundit kemi parë shpesh të kundërtën: interesi publik është mbajtur jashtë gardhit, ndërsa shteti është vendosur në shërbim të atyre që ndodhen brenda tij.
Teatri Kombëtar ishte ndoshta momenti kur kjo logjikë u shfaq hapur para syve të të gjithëve. Nuk ishte thjesht prania e policisë. Ishte përdorimi i gjithë fuqisë së shtetit për të mbrojtur me gardhe policore, një vendim të kontestuar publikisht, ndërsa qytetarët që kundërshtonin përjashtoheshin me forcë nga hapësira që e konsideronin të tyren. Gardhi nuk ishte më një strukturë fizike, por vetë pushteti.
Zvërneci e çoi këtë logjikë një hap më tej. Nëse te Teatri gardhi kishte formën e kordonëve policorë, në Zvërnec ai mori formën e telave me gjemba, policisë private dhe një territori të ndaluar për vetë qytetarët.
Por ajo që e bëri edhe më domethënës këtë rast ishte fakti se vetë Policia e Shtetit dukej sikur kishte mbetur jashtë gardhit. Për herë të parë nuk ishte vetëm qytetari ai që përjashtohej nga territori. Edhe autoriteti i shtetit dukej i kufizuar prej tij. Qytetarë u dhunuan para syve të policisë nga persona të tretë, ndërsa policia u shfaq e pafuqishme për të ndërhyrë. Brenda gardhit vepronin të tjerë; jashtë gardhit qëndronte shteti.
Ky është ndoshta momenti kur gardhi pushon së qeni një strukturë fizike dhe shndërrohet plotësisht në një instrument pushteti. Sepse nuk përcakton më vetëm kush hyn dhe kush del. Përcakton edhe se kush ka të drejtë të ushtrojë autoritet dhe kush jo.
Nëse te Teatri policia ishte vetë gardhi, në Zvërnec gardhi dukej sikur kishte fituar autonomi edhe ndaj vetë policisë. Dhe kjo është një situatë shumë më shqetësuese. Sepse nënkupton se territori nuk po administrohet më sipas rregullave të shtetit të së drejtës, por sipas një rendi paralel ku interesi që mbrohet është më i fortë se vetë autoriteti publik.
Pikërisht këtu qëndron problemi. Sepse kjo mënyrë qeverisjeje ngjan më shumë me kulturën e kontrollit, izolimit dhe nënshtrimit që shqiptarët menduan se e kishin lënë pas me rrëzimin e komunizmit. Ajo ngjan më shumë me logjikën feudale të territorit si privilegj i pakicës sesa me logjikën demokratike të territorit si e mirë e përbashkët. Për dy breza shqiptarësh të lindur pas vitit 1990, liria nuk është vetëm e drejta për të votuar. Është edhe e drejta për të hyrë në hapësirat publike, për të kundërshtuar vendimmarrjen, për të marrë pjesë në debat dhe për të mos u përballur me gardhe sa herë që ngrihet një interes privat mbi interesin e përbashkët.
Si arritëm deri këtu?
Kjo histori nuk fillon me një gardh, por me një model. Një model që prej vitit 2015 ka ndërtuar gradualisht një regjim përjashtimi mbi territorin. Në emër të investimeve strategjike janë ndryshuar ligje, janë dobësuar mekanizma mbrojtës dhe janë hapur rrugë ndërhyrjeve në zona të mbrojtura, ligatina, pyje, monumente natyre dhe peizazhe që për dekada konsideroheshin pasuri të përbashkëta.
Territoret më të vlefshme të vendit janë trajtuar gjithnjë e më shumë si mall këmbimi. Hapësira që duhej të mbroheshin për interes publik janë vënë në dispozicion të interesave private, ndërsa publikut i është kërkuar të besojë se çdo ndërhyrje është automatikisht zhvillim.
Për vite me radhë qytetarët, organizatat dhe ekspertët i kanë kundërshtuar këto procese përmes argumentit, ligjit dhe institucioneve. Prandaj, kur institucionet pushuan së dëgjuari dhe argumenti pushoi së prodhuari efekt, qytetarët morën përsipër ta mbrojnë vetë interesin publik në shesh. Ndaj dhe qëndresa qytetare në bulevard nuk është thjesht reagim ndaj një gardhi në Zvërnec, por reagim ndaj një procesi shumë më të gjatë fragmentimi të territorit, privatizimi të interesit publik dhe përqendrimi të përfitimeve në duart e një pakice.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e trajton qartë interesin publik. Ajo nuk e barazon atë me interesin privat dhe as nuk e konsideron investimin privat si formën e vetme të zhvillimit. Përkundrazi, interesi publik është parimi mbi të cilin ushtrohet pushteti dhe mbi të cilin institucionet kanë detyrimin të japin llogari. Rasti i Zvërnecit e ekspozoi qartë këtë përmbysje. Interesi privat u justifikua, u mbrojt dhe u promovua. Ndërsa interesi publik mbeti i pashpjeguar, i paprovuar dhe pa mbrojtje institucionale.
Ndoshta për këtë arsye konflikti nuk është thjesht për një territor në Nartë apo në Zvërnec. Ai është një konflikt mes dy ideve për Shqipërinë. Njëra e sheh vendin si një mozaik hapësirash të gardhuara, me akses të kufizuar dhe privilegje të rezervuara. Tjetra e sheh si një republikë të qytetarëve, ku territori, ligji dhe interesi publik nuk mbrohen me tela me gjemba, por me institucione demokratike.
Për këtë arsye qytetarët kanë dalë në shesh. Për të kujtuar se territori nuk është pronë e qeverisë së radhës. Ai është trashëgimi e përbashkët. Është pasuria që kemi marrë nga të parët dhe që kemi detyrimin t’ua lëmë brezave që vijnë. Dhe kur institucionet dështojnë ta mbrojnë këtë interes të përbashkët, qytetarët e marrin vetë përsipër ta mbrojnë. Jo vetëm Zvërnecin. Jo vetëm Nartën. Por vetë idenë se Shqipëria nuk mund të qeveriset me gardhe.
Në fund të fundit, beteja që po zhvillohet sot nuk është për një gardh. Është për të vendosur nëse Shqipëria do të mbetet një republikë e gardheve, apo do të bëhet më në fund një republikë e qytetarëve.
Banorët e Rrjollit rrëzuan sot gardhin rrethues të vendosur për ndërtimin e projektit turistik “Baks Bay”.
Një prej banoreve, me një palë pincë në duar, çau një pjesë të rrethimit të gardhit rrethues, teksa thekson se është aty për të mbrojtur tokën e të parëve të saj.
“Qëllimi im është të liroj tokën. Nuk mundet ai tjetri ta ma mbyllë tokën me gardhe”, thotë ajo, teksa i bashkohet dhjetëra banorëve të tjerë.
“E shikoni se çfarë bëjnë ata sapo vijnë këtu?”, flet me megafon Luciana Kokaj, banore dhe një prej protestueseve më të zëshme, teksa banorët vijojnë të rrëzojnë gardhin rrethues.
“Vendosin tela me gjemba. Vendosin kangjella dhe beton në tokën që të parët tanë kanë jetuar me sakrificë dhe kanë respektuar çdo gjallesë që ka jetuar këtu”, vijon më tej ajo.
Gardhi rrethues është vendosur nga kompania “Gener 2”, në pronësi të familjes Ulaj, që aktualisht ka sjellë makineritë në zonë. Kjo kompani është pajisur me leje ndërtimi në vitin 2024 dhe parashikon ndërtimin e 35 blloqeve rezidenciale me 1 deri në 10 kate lartësi, në një sipërfaqe prej 147.2 hektarë tokë.
Rrjolli shtrihet mes Lagunës së Vilunit në veri dhe Ranës së Hedhun në jug. Më herët, kjo zonë ishte pjesë e “Peizazhit të mbrojtur Lumi i Bunës-Velipojë”, por ndryshimi i ligjit “Për zonat e Mbrojtura” po në vitin 2024, i hapi rrugë ndërtimeve përmes konceptit të ri të përfshirë në ligj: “turizmit të ekselencës”.
Sipas nenit 33 të ligjit të rishikuar, tashmë lejohet zhvillimi i strukturave turistike 5-yje dhe infrastrukturës mbështetëse, edhe brenda zonave të mbrojtura.
“Kjo tokë është e jona, e fshatarëve tonë. Unë i njoh të gjithë kufitarët e mi. Është toka e Rrjollorëve, nuk është e Bashkim Ulajt”, thotë një Gëzim Pjeshka, një tjetër banor.
Kësaj proteste iu bashkuan edhe qytetarë nga zonat përreth, të cilët theksojnë se këto investime u shërbejnë vetëm investitorëve.
“Populli i thjeshtë nuk është përfitues nga këto investime”, pohon Ridvan Mujazhi. “Mund të përfitojë elitat, ndoshta elita që vjen edhe nga jashtë”, thekson Mujazhi.
Protestuesit nga Rrjoli pohojnë se punimet pritet të ndërtohen në parcela toke që i takojnë të paktën 5 fiseve të zonës. Ata thonë se toka është kaluar tek investitori përmes dokumenteve të falsifikuara dhe se për këtë ka procese gjyqësore që vijojnë.
“Unë jam vendali këtu, Velipojak’, thotë Gjergj Pultinza, i cili shprehet se toka e banorëve të varfër të asaj zonë është marrë përmes falsifikimeve të dokumenteve.
Ky pretendim pohohet edhe nga banorë të tjerë, të cilët e kanë çuar çështjen pranë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
“Sot duhet ta gëzojnë ata që e kanë në bazë të letrave, por nuk duan t’jua japin. Duan ta kapë i forti”, vjon Gjergj Pultinza.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ia ka deleguar çështjen Gjykatës dhe Prokurorisë së Shkodrës.
“Rama, jep dorëheqjen!” ishte thirrja që për të 13-ën ditë radhazi kumbon në Tiranë çdo pasdite, teksa mijëra qytetarë marshojnë nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë.
Ajo që nisi si një lëvizje qytetare kundër projekteve turistike në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, me kalimin e ditëve është shndërruar në një protestë më të gjerë kundër korrupsionit, mungesës së transparencës dhe mënyrës së qeverisjes së vendit.
“Kemi dëgjuar parullën ‘Shqipëri e Re’. Rinia jemi ne që do ta bëjmë këtë Shqipëri të re. Si student, bashkë me çdo student tjetër këtu, ëndërrojmë një Shqipëri ku secili merr atë që i takon prej asaj që bën dhe jo prej atij që njeh”, u shpreh një student përmes megafonit.
Për aktorin Florjan Binaj, kushdo që ka përfituar nga detyrat publike në mënyrë të paligjshme duhet të përballet me drejtësinë.
“Që nga ’90-a deri më sot, kush ka vjedhur edhe 100 lekë duhet të shkojë në burg. Kushdo që ka shkelur ligjin duhet të shkojë në burg”, deklaroi Binaj.
Një tjetër qytetar tha se ajo që i ka bërë bashkë protestuesit është përballja me padrejtësinë.
“Mes nesh ka qytetarë me bindje të ndryshme politike e besime të ndryshme fetare, por na bashkon bindja se e përbashkëta nuk duhet lënë në mëshirën e arbitraritetit, padrejtësisë dhe dhunës”, deklaroi ai.
Në shesh u dëgjuan sërish thirrjet “Shqipëria nuk është në shitje”, “Rama dorëheqje” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”, slogane që janë bërë pjesë e pandashme e protestave të ditëve të fundit.
Si çdo mbrëmje, pas fjalimeve të mbajtura në shesh nga qytetarë të ndryshëm, protestuesit nisën marshimin në rrugët e Tiranës. Çdo ditë marshimi përshkon itinerare të ndryshme në qytet, mes thirrjeve për dorëheqjen e qeverisë dhe ftesave që qytetarë të tjerë t’i bashkohen protestës.
Rama nga 35-vjetori i PS: “Protesta nisi me një zemërim të drejtë, por me një kërkesë të padrejtë”
Ndërsa për të 13-ën mbrëmje radhazi qytetarët protestonin para Kryeministrisë, kryeministri Edi Rama iu përgjigj drejtpërdrejt protestës nga mitingu i organizuar në sheshin “Italia”, me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste.
Në një fjalim të gjatë, Rama i kushtoi një pjesë të konsiderueshme protestës së qytetarëve, duke argumentuar se lëvizja kishte nisur nga një shqetësim legjitim, por ishte transformuar më pas në një protestë politike.
“Protesta nisi me zemërimin e drejtë për një akt dhune dhe me kërkesën e padrejtë për anulimin e një investimi madhor që do të ndikojë ndjeshëm parametrat ekonomikë dhe socialë të Shqipërisë”, deklaroi Rama.
Kryeministri mbrojti projektin e investimit, duke e cilësuar atë si mundësinë më të madhe ekonomike që i është ofruar vendit. Sipas tij, investimi do të sillte të paktën 4 miliardë euro në ekonominë shqiptare dhe do të përbënte një zhvillim strategjik për turizmin elitar.
Rama u përpoq gjithashtu të adresonte shqetësimet e protestuesve për mjedisin dhe biodiversitetin, duke i ftuar ata të njihen me dokumentacionin dhe proceset institucionale që, sipas tij, garantojnë mbrojtjen e zonës.
“Ejani t’i dëgjoni, ejani t’i shikoni dhe ejani t’i verifikoni vetë faktet”, tha ai, duke shtuar se “nuk ka asnjë status investitori strategjik” të dhënë për projektin dhe se “ishulli nuk shitet dhe nuk jepet me qira”.
Në fjalimin e tij, Rama argumentoi se qeveria socialiste ka qenë përgjatë viteve promotore e mbrojtjes së mjedisit, duke përmendur moratoriumin e pyjeve dhe të gjuetisë, zgjerimin e zonave të mbrojtura dhe shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës iu kushtua edhe kritikës ndaj asaj që ai e quajti dezinformim në rrjetet sociale. Kryeministri tha se shumë qytetarë janë ndikuar nga “gjysmë të vërteta”, foto dhe video të manipuluara, të cilat sipas tij kanë krijuar një “apokalips dixhital” rreth projektit.
Megjithatë, Rama pranoi se protesta tashmë ka marrë karakter politik.
“Jam shumë i qartë që tanimë një protestë e nisur për natyrën është kthyer në një protestë me natyrë politike, absolutisht legjitime për këdo që do të ndryshojë Shqipërinë sipas qasjes së tij”, tha ai.
Kryeministri mbrojti modelin e zhvillimit përmes turizmit elitar, duke argumentuar se Shqipëria nuk mund të mbështetet vetëm te turizmi masiv dhe se vendi duhet të konkurrojë me destinacionet kryesore të Mesdheut.
“Ky është investimi më i madh që i ka ardhur si mundësi Shqipërisë në historinë e saj dhe ky është një investim që Shqipëria nuk e ka luksin kurrsesi ta refuzojë”, deklaroi Rama.
Fjalimi i tij u zhvillua paralelisht me protestën në bulevard, ku qytetarët vijuan të kërkonin transparencë, mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe anulimin e projekteve që, sipas tyre, rrezikojnë pasuritë natyrore të vendit.
Përballë dy narrativave të kundërta, dita e 13-të e “Revolucionit Flamingo” tregoi se protesta po vijon të fitojë mbështetje në shesh dhe në platformat sociale.
Si erdhëm deri në ditën e 13-të të “Revolucionit Flamingo”?
Historia e “Revolucionit Flamingo” nisi në fund të muajit maj, kur në Zvërnec një qytetar u tërhoq me forcë nga punonjës të sigurisë private gjatë një proteste kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në zonën e mbrojtur të Nartës. Pamjet e incidentit u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale dhe shkaktuan reagime të shumta publike.
Më 31 maj, aktivistë dhe qytetarë u mblodhën fillimisht përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të protestuar kundër përdorimit të forcës dhe mosreagimit të institucioneve shtetërore. Brenda pak orësh, protesta u zgjerua dhe u shndërrua në një lëvizje kundër projekteve të zhvillimit në Zvërnec dhe Sazan.
Ditët në vijim sollën rritje të vazhdueshme të pjesëmarrjes. Protestuesit nisën të mblidheshin çdo ditë në orën 18:00 në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë. Ata kanë refuzuar simbolikat partiake, duke e paraqitur lëvizjen si reagim qytetar të pavarur.
Me kalimin e ditëve, kërkesat e protestës u zgjeruan nga mbrojtja e mjedisit drejt çështjeve të korrupsionit, transparencës, emigrimit masiv dhe mënyrës së qeverisjes.
Gjatë javës së parë, protesta u përhap gjerësisht në rrjetet sociale, ku mijëra të rinj shpërndanë materiale informuese dhe koordinuan pjesëmarrjen në tubime. Në ditët pasuese, ajo mori mbështetje edhe nga qytetarë të diasporës, të cilët organizuan aktivitete solidarizuese në qytete të ndryshme të botës.
Ndërkohë, qeveria refuzoi kërkesat për anulimin e projekteve dhe kryeministri Rama deklaroi vazhdimisht se investimet do të vijojnë.
Sot, në ditën e 13-të, “Revolucioni Flamingo” ka hyrë në javën e dytë dhe është kthyer në një nga mobilizimet qytetare më të mëdha të viteve të fundit.
Tetëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile mjedisore deklaruan sot se do të bojkotojnë proceset konsultuese të Ministrisë së Mjedisit, deri në shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.
Organizatat njoftuan se refuzojnë të legjitimojnë tryezat e konsultimit publik për projekt-aktet e thirrura nga Ministria, përfshirë edhe konsultimin e datës 12 qershor. Ato bëjnë të ditur se nuk do të dorëzojnë komente teknike, me qëllim që të mos bëhen pjesë e një procesi që, sipas tyre, synon të paraqesë një normalitet institucional që nuk ekziston.
Sipas tyre, ndërkohë që diskutohet përafrimi i mëtejshëm i legjislacionit shqiptar me rregullat dhe standardet e Bashkimit Evropian, në terren po avancojnë projekte të mëdha infrastrukturore dhe turistike brenda rrjetit kombëtar të zonave të mbrojtura. Organizatat argumentojnë se këto zhvillime cenojnë integritetin e ekosistemeve dhe vënë në pikëpyetje angazhimin real të institucioneve ndaj standardeve evropiane për mbrojtjen e natyrës.
Ato e konsiderojnë shfuqizimin e ndryshimeve të miratuara me Ligjin nr. 21/2024, si dhe anulimin ose moslejimin e projektit për ndërtimin e resorteve turistike në Zonën e Mbrojtur “Pishë Poro–Nartë”, si kushte të panegociueshme dhe paraprake për çdo dialog të mëtejshëm institucional mbi çështjet e mjedisit dhe procesin e integrimit evropian.
“Për këtë arsye, Organizatat e Shoqërisë Civile nuk e konsiderojnë relevante pjesëmarrjen në konsultime teknike për akte të reja ligjore dhe nënligjore, për sa kohë që çështja më themelore e mbrojtjes së zonave të mbrojtura mbetet e pazgjidhur”, thuhet në dokumentin e bërë publik më 12 qershor.
Sipas organizatave, kjo kërkesë përputhet edhe me piketat përmbyllëse të Komisionit Evropian për kapitullin 27 të negociatave, të cilat kërkojnë garantimin e mbrojtjes efektive të zonave të mbrojtura dhe përafrimin e plotë me standardet evropiane të biodiversitetit.
Bojkoti, sipas tyre, nuk është një veprim simbolik i izoluar, por një qëndrim parimor që do të vijojë deri në adresimin e kësaj çështjeje.
Mbrojtja e zonave të mbrojtura, theksojnë organizatat, nuk është çështje procedurale, por një provë e vullnetit të shtetit shqiptar për të respektuar Kushtetutën, interesin publik dhe detyrimet ndaj Bashkimit Evropian.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar masa “arrest me burg” për biznesmenët Orest Sota, Artur Shehu, Ilir Shtufi dhe Edmond Jaupaj, pas një operacioni për goditjen e një grupi kriminal të dyshuar për trafik lëndësh narkotike dhe pastrim parash.
Mes personave ndaj të cilëve është lëshuar masa është edhe Artur Shehu, pronar i pjesës më të madhe të tokës ku u planifikua të ngrihet resorti luksoz në Zvërnec, ngjarje që prej 13 ditësh ka ngritur qytetarët në protestë. Sipas SPAK, janë sekuestruar 128 milionë euro të përfituara nga shitja e pronave në Zvërnec, në llogari të biznesmenit Artur Shehu.
Nga ana tjetër, Ilir Shtufi është biznesmen në fushën e ndërtimit dhe i lidhur me disa projekte kullash në Tiranë, mes tyre edhe “Mount Tirana”, pas Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Ai zotëron 91% të aksioneve të kompanisë ndërtuese “Nova Construction”, ndërsa Kujtim Shtufi zotëron 9%.
“Nova Construction” është një nga tre operatorët që fitoi tenderin për Lotin 4 të Unazës së Madhe në Tiranë, një procedurë që aktualisht është nën hetim nga SPAK.
Edhe kompania “Forever Construction”, në pronësi të Lefter Sotës, babait të Orest Sotës, ka marrë leje për ndërtimin e kullave në Tiranë.
Mes tyre janë:
Bond Tower – (200 metra_, një projekt i ideuar nga studioja e arkitekturës OODA Architecture, me investitor “Nova Construction”. Kulla është parashikuar të jetë 200 metra e lartë, me rreth 55 kate, dhe do të ndërtohet në Rrugën “Dritan Hoxha”.
Lana Riverside Residences – (204 metra), pozicionuar në Bulevardin “Gjergj Fishta”, pranë ish-Universitetit të Tiranës. Ndërtesa parashikohet të ketë 56 kate mbi tokë dhe 6 kate nëntokë, me një lartësi prej 204.5 metrash dhe formë cilindrike.
Kulla është pjesë e një kompleksi dhe do të ndërtohet nga “Forever Construction”, në pronësi të Lefter Sotës, biznesmen i angazhuar në fushën e tregtimit të hekurit. Projekti është hartuar nga studioja e arkitekturës Marco Casamonti & Partners, në bashkëpunim me X-Plan Studio.
Mount Tirana – (205 metra), një kullë e vendosur në Rrugën e Barrikadave, pas Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Ajo është parashikuar të ketë 58 kate dhe një lartësi prej 205 metrash.
Ndërtues i projektit është “Nova Construction – 2012”, ndërsa studioja që ka ideuar projektin është CEBRA Architects. Kulla po ngrihet në një hapësirë që më herët shërbente si lulishte, çka ka shkaktuar protesta nga qytetarët dhe aktivistët.
Citizens.al ka raportuar më herët për kullat që pritet t’i shtohen kryeqytetit, shumica prej tyre të miratuara në mungesë transparence, në rubrikën: Tirana Vertikale.
Ilustrim grafik i kullave rreth qendrës dhe lartësitë e tyre.
Ndërsa kryeministri Edi Rama këmbëngul se “nuk ka marrëveshje” dhe se pa marrëveshje s’ka as projekt, dokumente teknike të nëntorit 2025 tregojnë një masterplan të detajuar me 11 zona zhvillimi, 727 mijë metra katrorë ndërtim, hotele, vila, marina dhe kazino. Emri në kopertinë është “Sazan”, por harta tregon Zvërnecin.
Dokumentet e publikuara së fundmi hedhin dritë të re mbi atë që po përgatitet në Peizazhin e Mbrojtur Pishë–Poro–Nartë. Dy materialet me ëmërtime “Sazan Development” dhe “Sazan Peninsula” u bënë publike nga Eric Czuleger, kryeredaktori The Under Report një ditë më parë. Por harta që i shoqëron nuk paraqet ishullin e Sazanit, ajo përputhet qartë me morfologjinë e zonës së Zvërnecit dhe Nartës dhe tregon një transformim rrënjësor të lagunës e brendshme dhe brezit bregdetar.
Dokumenti i quajtur “Sazan Peninsula” përshkruan, faqe pas faqeje, një projekt zhvillimi për Zvërnecin.
Kjo “zhvendosje” emërtimi nuk është detaj teknik. Ajo ka pasoja të drejtpërdrejta për debatin publik: ndërsa gazetarët, opinioni dhe madje edhe mediat e huaja i bëjnë pyetjet kryeministrit për Sazanin, materialet teknike tregojnë se projekti më i avancuar dhe më i detajuar është konceptuar për një zonë tjetër të mbrojtur, pikërisht aty ku disa javë më parë nisën të zhvillohen punime përgatitore, rrethime telash me gjemba dhe ku shpërtheu protesta që sot njihet si “Revolucioni Flamingo”.
Dokumenti i parë, “Sazan Development – Request for Proposal” (RfP), mban datën 6 nëntor 2025. Përmes tij kërkohen shërbime AOR/EOR (arkitekt dhe inxhinier i regjistruar përgjegjës) dhe shërbime inxhinierike: propozime teknike e financiare, staf, metodologji pune, eksperiencë të ngjashme, plan burimesh dhe shërbime projektimi për ndërtesa e infrastrukturë.
Në praktikën e zhvillimit imobiliar, një RFP i këtij lloji nuk i përket fazës fillestare apo vizionit për një projekt, por hartohet në momentin kur projekti kërkon të kalojë drejt zbatimit.
Po aty përmenden studime që lidhen drejtpërdrejt me territorin lagunor të Zvërnecit dhe Nartës, një modelim i cilësisë së ujit në lagunën e Nartës, studime për sedimentet, vlerësim i rrezikut sizmik, studim për vijën bregdetare dhe vlerësim për distancat e sigurta nga skarpatet.
Dokumenti i dytë, “Vision Masterplan – Book 2”, mban datën 14 nëntor 2025 dhe etiketohet në kopertinë si dorëzim draft. Ai është hartuar nga studioja ndërkombëtare e arkitekturës LAVA (Laboratory for Visionary Architecture), me strategjinë e mobilitetit të punuar nga kompania e planifikimit të transportit Systematica. Masterplani bazohet, siç thuhet në vetë dokumentin, mbi një përmbeledhje të porositësit të mëparshëm: “Sazan Masterplan Brief V1.5 – AA”, të datës 20 gusht 2025.
Pra, para se LAVA të vizatonte qoftë edhe një vijë, dikush e kishte porositur dhe përcaktuar kornizën e këtij zhvillimi.
Masterplani organizon territorin në 11 zona programore, me 254.8 hektarë tokë dhe 727,527 metra katrorë sipërfaqe të ndërtuar. Zonat mbajnë emra si “Sazan Citadel & Marina”, “Cheval Blanc”, “Sazan Cove”, “Sazan Yacht Club”, “Sazan Beach Villas”, “Sazan Lake Villas”, “Sazan Hills”, “Casa Cipriani” dhe “Atlantis”.
Brenda tyre, sipas tabelave të vetë dokumentit, parashikohen rreth 3,200 njësi banimi e hotelerie: qindra vila “të markës”, mes tyre edhe kategoria e quajtur “Billionaires”; hotele të brendeve Aman, Cheval Blanc dhe Cipriani; një hotel “Atlantis” me 500 dhoma; kazino; fusha golfi; qendër kalërimi; klube plazhi dhe një “citadelë” e konceptuar për 5 deri në 10 mijë vizitorë në ditë, me rreth 3,000 vende parkimi.
Pjesa jugore e projektit rezervohet, sipas vetë dokumentit, për “Ultra High Net Worth Individuals”, individë me pasuri ultra të lartë, me akses të mbyllur, pika kontrolli sigurie dhe plazhe private. Dokumenti e përmend hapur edhe rolin e projektit si “levë për ambiciet e Shqipërisë për Golden Visa”.
Dokumenti pranon ndërhyrje të rënda në ekosistem
Masterplani nuk e fsheh shkallën e ndërhyrjes fizike në territor. Ai parashikon drenazhim dhe thellim të shtratit të lagunës, vlerësuar paraprakisht në 6 milionë metra kub, mbi një sipërfaqe prej rreth 525 mijë metrash katrorë, si dhe mbushje toke prej rreth 2 milionë metrash kub për të ngritur artificialisht terrenin ku do të vendosen vilat.
Projekti parashikon liqene artificiale, kanale të lundrueshme, marina të gërmuara në tokë, të gjitha në një lagunë që vetë dokumenti e përshkruan si “një nga ligatinat më të rëndësishme ekologjike të Shqipërisë”.
Madje, plani shkon më tej dhe pranon me shkrim rreziqet: drenazhimi i pakontrolluar, thuhet aty, rrezikon të destabilizojë hidrologjinë e lagunës, të rrisë erozionin dhe të prishë balancën e sedimenteve.
Autorët identifikojnë si “rrezik për zhvillimin” faktin që organizata si Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë dhe Eco-Albania po shtyjnë për kufizimin e ndërtimeve në zonat e mbrojtura. Mbrojtja ligjore e natyrës trajtohet jo si kusht, por si pengesë për t’u menaxhuar.
Një tjetër element bie në sy. Parimet e masterplanit flasin për “më pak se 8% sipërfaqe toke” të zënë nga ndërtesat, e njëjta shifër e përdorur publikisht edhe për Sazanin. Por tabela e përdorimit të tokës në të njëjtin dokument tregon se 53% e territorit klasifikohet si “zonë zhvillimi” dhe vetëm 5% si “e pazhvillueshme dhe e mbrojtur”, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes hapësirave rekreative (29%) dhe liqeneve e marinave (13%).
Dy shifrat masin gjëra të ndryshme, e para gjurmën fizike të ndërtesave dhe e dyta territorin që organizohet në funksion të zhvillimit. Pikërisht këtë hendek e ka dokumentuar Citizens.al që në muajin mars 2026, duke argumentuar pse narrativa e “8 përqindëshit” nuk shpjegon mënyrën se si projekti e ndryshon funksionin e të gjithë territorit.
Çfarë thotë studio LAVA?
E pyetur nga Citizens.al, studioja LAVA konfirmoi autorësinë e dokumentit, duke e cilësuar atë si studim paraprak.
“Dokumenti në qarkullim është një studim draft i zhvilluar nga LAVA, si një prej disa studimeve për Gadishullin e Sazanit”, thuhet në përgjigjen e dërguar me shkrim. Sipas kompanisë, ai përfaqëson “një dorëzim draft – jo një plan final apo të miratuar”, studimi “i dha përparësi përgjegjësisë ekologjike, biodiversitetit dhe balancës mes ruajtjes së tokës dhe zhvillimit”, ndërsa angazhimi i LAVA-s në projekt “nuk vazhdoi përtej kësaj faze”.
Përgjigjja e LAVA-s konfirmon dy fakte thelbësore: dokumenti është autentik dhe ai është vetëm njëri prej “disa studimeve” të porositura për këtë projekt. Studio nuk iu përgjigj pyetjes së çfarë ka ndodhur me projektin pas largimit të tyre.
Studio nuk iu përgjigj pyetjeve të Citizens.al se kush e porositi studimin dhe kush e hartoi “brief”-in “AA” të gushtit 2025. LAVA deklaroi se u largua nga projekti, po kush e mori stafetën?
Kjo përgjigje mund të gjendet, të paktën pjesërisht, në dokumentet e Qendrës Kombëtare të Biznesit. Siç raportoi Citizens.al vetëm pak ditë më parë, kompanitë e lidhura me Zvërnecin dhe Sazanin po konsolidohen rreth strukturave të grupit Al-Khayyat nga Katari, kompanitë e të cilit në Doha mbajnë pikërisht emrat “Sazan Development Holding” dhe “Sazan Operations Holding”.
I njëjti emërtim “Sazan” që në dokumentet teknike mbulon Zvërnecin, shfaqet edhe në skemën e korporatatave të pronarëve të rinj.
Rama përballë dokumenteve
Gjatë një takimi me gazetarë evropianë këtë javë, kryeministri Edi Rama u pyet me këmbëngulje nga një gazetare rumune nëse ekziston një projekt për Sazanin.
“Nuk ka një marrëveshje, nuk mund të bëjmë marrëveshje pa pasur projekt. Nuk kemi as marrëveshje për Sazanin. Pse? Sepse po negociojmë prej dy vitesh”, u përgjigj ai, duke shtuar se nuk bëhet fjalë për shitje të ishullit, por për një “sipërmarrje të përbashkët”, ku ndërtimet do të kenë tituj pronësie “ashtu sikurse edhe këtu përballë bulevardit”.
Në të njëjtën përgjigje, megjithatë, kryeministri pranoi se plane zhvillimi ekzistojnë: “Plan për t’u zhvilluar? Po, ka dy vendndodhje”, tha ai, pa e përmendur me emër vendndodhjen e dytë.
Për Zvërnecin, përgjigjja e tij ishte edhe më e shkurtër: “Për ishullin nuk kam asnjë skicë të paraqitur sepse nuk ka asnjë marrëveshje, në Zvërnec ka një marrëveshje me pronarët e tokës dhe po vazhdojnë, është normale, nuk kam çfarë t’ju them për të”.
Por deklaratat e kryeministrit nuk i përgjigjen pyetjes që ngrenë dokumentet. Pyetja nuk është nëse ekziston një marrëveshje finale e firmosur. Pyetja është: si shpjegohet që, ndërsa zyrtarisht mohohet ekzistenca e një projekti të përcaktuar, në nëntor 2025 qarkullonin dokumente teknike me datë, autor, zona ndërtimi, tabela sipërfaqesh, strategji parkimi, faza zbatimi dhe kërkesa për oferta inxhinierike, të gjitha mbi territorin e Zvërnecit?
Cila është “vendndodhja e dytë” me plan zhvillimi, që kryeministri e pranon por nuk e emërton?
Dokumentet nuk provojnë se projekti është miratuar nga institucionet shqiptare, as se punimet në terren janë autorizuar mbi bazën e këtij masterplani. Por ato provojnë diçka tjetër, po aq të rëndësishme: se Zvërneci, brenda një peizazhi të mbrojtur, është trajtuar prej muajsh në materiale teknike si një projekt i strukturuar zhvillimi, me investitorë, arkitektë, inxhinierë dhe afate, të gjitha larg syve të publikut.
Vlen të theksohet se masterplani parashikon edhe një fazë “0 – enabling works”, punime përgatitore në pjesën veriore të territorit. Pikërisht punime përgatitore, rrethime me gardh dhe roje private ka dokumentuar Citizens.al në terren gjatë javëve të fundit në Zvërnec, përfshirë ngjarjen e 30 majit, kur një qytetar u tërhoq zvarrë nga rojet private në prani të Policisë së Shtetit, pamje që ndezën protestat mbarëkombëtare.
Si arritëm deri këtu?
Dokumentet e publikuara nga The Under Report shtojnë një hallkë të re në një zinxhir që Citizens.al e ka ndjekur prej më shumë se një viti.
Në qershor 2025, Citizens.al raportoi se qeveria krijoi kompaninë shtetërore ASDRE për t’u bërë ortake në zhvillimin e resortit të propozuar nga Affinity Partners e Jared Kushner, ndërsa institucionet nuk bënin transparencë për propozimin në Zvërnec.
Në janar 2026, vizita e Ivanka Trump dhe Jared Kushner në Vlorë, me darka private me kryeministrin dhe takime me dhjetëra arkitektë, ngriti pyetjen nëse Sazani dhe Zvërneci po trajtoheshin si pasuri publike apo si asete të vendosura në tryezë përmes negociatash direkte, pa garë dhe pa transparencë. Vizita përfshiu edhe Zvërnecin, një zonë që, zyrtarisht, “nuk ishte pjesë e projektit”.
Në mars 2026, Citizens.al publikoi dokumentet mbi përmasat reale të projektit në Sazan, duke treguar se narrativa e “8% ndërtim” fshihte privatizimin funksional të të gjithë ishullit.
Sot, dokumentet e reja tregojnë se për Zvërnecin ekziston një masterplan teknik i detajuar.
Edhe pas këtyre dokumenteve, thelbi i çështjes mbetet i njëjtë me atë që Citizens.al ka ngritur prej muajsh: vendimet për dy prej territoreve më të vlefshme natyrore të vendit po merren në mënyrë jo transparente, larg garës dhe po aq larg publikut.
Deri më sot, asnjë institucion nuk ka bërë ende transparencë rreth projekteve. Dokumentet, ndërkohë, flasin vetë.
Prej 11 ditësh, mijëra qytetarë po protestojnë në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë. Ajo që nisi si protestë kundër ndërtimeve në Zvërnec, tashmë është shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare, me thirrje edhe për dorëheqjen e qeverisë Rama.
“Revolucioni i Flamingove”, i pagëzuar si simbol i biodiversitetit të zonës së mbrojtur ku parashikohen ndërtime mbushi sheshet, pas dhunës së ushtruar nga rojet e një kompanie private ndaj një qytetari protestues në Zvërnec.
Por ndërsa videot e këtij episodi dominuan rrjetet sociale dhe u shpërndanë masivisht nga qytetarët, pjesa më e madhe e mediave tradicionale qëndroi në heshtje.
Edhe në ato pak raste raportimi, fokusi kryesor u vendos te përfitimet e mundshme të projektit, vendet e punës, ndikimi në ekonomi dhe zhvillimi turistik, duke minimizuar protestën dhe kërkesat e qytetarëve.
Për pedagogun e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës Ervin Goci, kjo nuk ishte një mungesë rastësore.
“Mediat tradicionale kanë bërë harakiri në rastin e protestave më të mëdha që ka parë ndoshta historia e Shqipërisë. Nuk duhet parë si aksidentale, sepse prej vitesh media i ka bërë bisht raportimit të realitetit në formë proaktive. Jo vetëm që e ka për detyrë ta mbulojë, por e ka detyrë edhe ta kthejë interesin publik në agjendë dhe të mos e mbulojë protestën si aksident automobilistik”, u shpreh Goci për Citizens.al.
Edhe pedagogu i komunikimit Erlis Çela, njëherazi Zëvendës Rektor për Ndërkombëtarizim, Marrëdhëniet me Industrinë dhe Komunikim në Universitetin Western Balkans, e sheh mbulimin si një shembull të asaj që literatura ndërkombëtare e quan “protest paradigm”, ku mediat priren të delegjitimojnë protestat që sfidojnë status quo-në.
“Një pjesë e mirë e raportimeve u fokusuan te identiteti i protestuesve, numri i tyre, origjina e tyre e supozuar apo te narrativa që i paraqiste si të nxitur nga faktorë të jashtëm”, u shpreh Çela.
Sipas tij, media shpesh përdor korniza që margjinalizojnë protestat, duke privilegjuar qëndrimet dhe zërat e pushtetit dhe duke lënë në plan të dytë vetë protestuesit.
Edhe Elvin Luku, pedagog në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, vëren se televizionet kombëtare fillimisht transmetuan reagimet e kryeministrit për protestën, pa raportuar më parë vetë protestën.
“Absurdi arriti deri aty sa mediat e mëdha audiovizive transmetuan live reagimin e kryeministrit Rama ndaj protestës, pa e mbuluar më parë vetë protestën, e cila kishte marrë përmasa shumë të mëdha”, thotë Luku.
Nga injorimi te delegjitimimi
Kur protesta u bë e pamundur të injorohej, një pjesë e mediave ndryshuan qasje, por jo domosdoshmërisht duke vendosur në qendër kërkesat e protestuesve. Në studio televizive dhe kronika informative nisën të qarkullonin etiketime si “grupe të vogla”, “të financuar nga Soros” apo pretendime për ndikime të huaja.
Sipas Çelës, këto etiketime janë pjesë e një strategjie të njohur delegjitimimi.
“Kur qytetarët paraqiten si ‘grupe të vogla’, ‘të financuar nga Soros’ apo si instrumente të aktorëve të jashtëm, debati zhvendoset nga çështja që ata ngrenë te identiteti i tyre. Kjo është një strategji e njohur që është përdorur në Hungari, Serbi dhe vende të tjera të Evropës Lindore për të delegjitimuar shoqërinë civile dhe protestat qytetare”, argumenton Çela.
Sipas tij, në këtë mënyrë media kontribuon në krijimin e një klime mosbesimi ndaj vetë idesë së mobilizimit dhe revoltës qytetare.
Edhe Luku vlerëson se këto narrativa synojnë të ndikojnë perceptimin publik, duke e paraqitur protestën si të manipuluar ose jo përfaqësuese të interesit publik.
“Ky lloj framing, nëse përsëritet shumë herë, mund të ndikojë në ngritjen e dyshimeve mbi pavarësinë dhe qëllimet e organizatorëve. Pra, një lloj përpjekjeje për të dobësuar frymën e protestës dhe për të ulur mbështetjen publike ndaj saj. Këto janë taktika të njohura propagandistike në kontekste të polarizuara që synojnë interpretimin publik të ngjarjeve”, argumenton Luku.
Njëjtë mendon edhe Çela, i cili thotë se mënyra se si media e kornizon protestën ka ndikim të drejtpërdrejtë në legjitimitetin që publiku i atribuon asaj.
“Fokusi te pretendimet për ndërhyrje të jashtme, te origjina e protestuesve apo te etiketimet politike synon të zhvendosë debatin nga çështjet themelore të ngritura nga qytetarët. Kjo, për mua, është një mënyrë e medias për të përcaktuar se cilat zëra duhet të konsiderohen si më të besueshëm dhe cilat jo”, përfundon ai.
Për Ervin Gocin, përdorimi i konspiracioneve dhe aludimeve e afron median me faqet anonime të dezinformimit.
“Konspiracionet, anatemimet, aludimet dhe qarkullimi i lirë i gjithfarë lajthitjesh e barazojnë median me një faqe anonime dezinformuese online. Asnjë ndryshim. Diskreditim i plotë. Shoh moderatorë që lënë të qarkullojë fare pa doganë gjithfarë tallashi në emisionet e tyre, dukshëm të paguar nga lobe që duan ta delegjitimojnë protestën”, shprehet Goci.
Sipas tij, në këtë pikë do të duhej që Prokuroria të vepronte ndaj përmbajtjeve që cenojnë sigurinë publike dhe sigurinë psikologjike të qytetarëve.
“Kjo është lufta e vërtetë hibride, me agjentë shqiptarë, pa agjentë të huaj fare”, u shpreh Goci.
Megjithatë, Goci nuk mendon se media e diskredituar ka më fuqinë të kornizojë përfundimisht perceptimin publik të një ngjarjeje.
“Mos të harrojmë se një pjesë e mirë e përmbajtjeve mediatike merren nga debate televizive post-ngjarje dhe kalojnë si reels për të bërë gallatë online. Plus që vetë mediat janë kthyer si faqe online, që për qëllim kanë të kapin ndonjë klikim”, thekson ai.
“Si përfitojnë pronarët e mediave nga qeveria”
Mbulimi i protestës ka rikthyer në vëmendje një debat të hershëm mbi pronësinë e medias në Shqipëri dhe ndikimin e saj në pavarësinë editoriale.
Raporti i fundit i publikuar nga organizata “Res Publica” pasqyron se tregu audioviziv shqiptar dominohet nga pak grupe familjare dhe ekonomike, ndërsa shumë prej tyre kanë përfituar projekte, leje apo statusin e investitorit strategjik nga qeveria.
Sipas raportit, pesë licencat kombëtare audiovizive përqendrohen kryesisht në tre bërthama familjare: familja Hoxha, që kontrollon Top Channel dhe shfaqet në mënyrë dominuese në DigitAlb; familja Frangaj-Gina, që kontrollon TV Klan, ndërsa Alba Gina evidentohet si aksionere edhe në DigitAlb; si dhe familja Dulaku, e lidhur me Vizion Plus dhe deri në dhjetor 2025 edhe me rrjetin Tring.
Raporti thekson se përfitimet ekonomike nuk kufizohen vetëm në kontrata apo pagesa publike, por përfshijnë edhe statusin e investitorit strategjik, leje ndërtimi, përdorimin e pasurive publike dhe favore të tjera administrative.
Në mesin e rasteve të dokumentuara janë projekti “ANIMA”, i lidhur me familjen Hoxha; projektet turistike “San Pietro” në Durrës dhe “Gone Perivol” në Dhërmi, të lidhura me familjen Dulaku; si dhe projekti “White Roads Hotel”, i lidhur me familjen Frangaj-Gina. Të gjitha këto janë përfshirë në skemën e investimeve strategjike.
Sipas Erlis Çelës, mënyra se si raportohen protestat lidhet jo vetëm me orientimin ideologjik të mediave, i cili shpesh është i paqartë në Shqipëri, por edhe me modelet e financimit.
“Një pjesë e mediave kryesore janë në pronësi të grupeve ekonomike që kanë interesa të rëndësishme jashtë sektorit të medias. Në literaturë kjo njihet si ‘klientelizëm mediatik’, i cili nënkupton një marrëdhënie ku media, në këmbim të aksesit, reklamave shtetërore ose favoreve të tjera ekonomike, priret t’u shërbejë interesave të elitave politike dhe ekonomike”, argumenton Çela.
Ai shton se kjo afërsi strukturore me pushtetin ekonomik dhe politik prodhon vetëkufizim editorial.
“Nuk është e nevojshme që të ketë ndërhyrje të drejtpërdrejta. Vetë struktura e pronësisë dhe varësitë ekonomike ndikojnë në mënyrën se si ndërtohen narrativat. Mendoj se kjo protestë e risolli edhe një herë në vëmendje çështjen e pronësisë së medias në Shqipëri, si një element që ndikon negativisht në lirinë e medias dhe cilësinë e informacionit”, shton Çela.
Në raport përmenden si aktorë të rëndësishëm në formësimin e debatit publik edhe Focus Media Group dhe Panorama Group, në pronësi të familjes Hysenbelliu.
“Panorama Group, që përfshin gazetën Panorama, Panorama Sport, revistën Psikologjia dhe së fundmi Panorama TV; si dhe Focus Group, ku përfshihen News 24, Gazeta Shqiptare, BalkanWeb dhe Radio Rash”, thuhet në raport.
Marrëdhënia e familjes Hysenbelliu me figura të qeverisë ka qenë e afërt, ashtu si edhe me opozitën.
“Më vonë, sidomos pas konfliktit të hapur të lidhur me Prestige Resort, pas bllokimit dhe më pas prishjes së hotelit në pronësi të Hysenbelliut, raportohet se mediat e grupit të tij ndryshuan ndjeshëm qëndrimin editorial ndaj qeverisë”, thuhet në raport.
Megjithatë, profili i kësaj familjeje është i lidhur ngushtë me ndërtimin dhe hotelerinë.
“Përfshirja në hoteleri, turizëm dhe resorte e bën këtë profil edhe më të varur nga vendimmarrja administrative, lejet e zhvillimit, politikat territoriale dhe raportet me pushtetin vendor e qendror. Mbi 10 leje ndërtimi për rezidenca dhe resorte në Tiranë, Kavajë, Elbasan ekspozohen në faqen e vetë shoqërisë ‘Erjoni’ sh.p.k. Këtu qëndron edhe arsyeja pse konflikti i Prestige Resort nuk duhet lexuar si episod i izoluar”, thekson raporti.
Vëllezërit Ulaj, nga ana tjetër, përshkruhen në raport si një ekosistem i integruar, ku media A2/G2 është vetëm një pjesë e një portofoli më të gjerë.
Ky grup ka peshë ekonomike përmes partneriteteve publike-private, si segmenti rrugor Milot–Thumanë, aksi Thumanë–Fushë Krujë–Vorë–Kashar, parkimi nëntokësor i sheshit “Italia”, si dhe projekte të kontestuara publikisht në hoteleri dhe turizëm, si resorti “Blue Borgo” në Rrjoll të Shkodrës, ku prej kohësh protestohet nga banorët e zonës.
Report TV i Carlo Bollinos nuk është e vetmja ndërmarrje e tij. Sipas raportit, janë ngritur pretendime për përfshirje në Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2 dhe përdorim të aseteve publike pa transparencë të mjaftueshme mbi procedurat, kushtet kontraktore dhe përfitimet ekonomike.
Rasti i Ora News dhe Ylli Ndroqit, sipas raportit, nuk lidhet vetëm me ndërthurjen e medias me biznesin dhe pushtetin, por edhe me pronësinë mediatike ku u aplikuan masa konfiskimi mbi bazën e ligjit antimafia.
“Kjo e dallon Ylli Ndroqin nga profilet e tjera të trajtuara në raport, sepse këtu problemi nuk qëndron vetëm te konflikti i interesit apo përqendrimi i tregut, por te vetë cenimi i integritetit të pronësisë mediatike”, thekson raporti.
Elvin Luku thotë se mbulimi mediatik i protestës nisi kur këto televizione po dëmtoheshin rëndë në besueshmërinë publike.
“Rrjetet sociale ishin gjatë gjithë kohës të mbushura me postime dhe transmetime live për protestën”, thekson Luku.
Sipas tij, ky tubim masiv 11-ditor dëshmoi edhe një herë se ndërlidhja media-politikë, e mbështetur mbi përvetësimin e parasë publike, qëndron mbi qëllimin e vetë medias për të pasqyruar me vërtetësi ngjarjet e aktualitetit.
“Një test që media shqiptare nuk e kaloi”
Për njohësit dhe studiuesit e medias, mënyra se si u trajtua “Revolucioni i Flamingove” është më shumë sesa një debat për një protestë të vetme.
Erlis Çela e konsideron atë një test të rëndësishëm për median shqiptare.
“Një pjesë e medias kryesore nuk veproi si një institucion që mbron interesin publik dhe që ushtron kontroll ndaj pushtetit, por si një mekanizëm që riprodhon narrativat e elitave politike dhe ekonomike. Në këto kushte, media rrezikon të mos funksionojë më si një hapësirë pluraliste debati, por si një instrument për menaxhimin e konsensusit”, argumenton Çela.
Sipas tij, këtu mund të gjenden edhe arsyet pse një pjesë e madhe e audiencave të reja zgjedhin rrjetet sociale për t’u informuar.
“Kjo protestë nuk flet vetëm për një konflikt mes qytetarëve dhe qeverisë, për revoltën e tyre ndaj arrogancës së pushtetit dhe abuzimeve. Për mua ajo flet edhe për krizën e medias shqiptare dhe për vështirësinë e saj për të përmbushur funksionin demokratik të përfaqësimit të interesit publik”, shtoi ai.
Për pedagogun Ervin Goci, rasti i protestave të fundit po tregon se në Shqipëri është krijuar një sferë autonome qytetare.
“Me universin e vet, me sistemin e vet të vlerave, me dinamikën e vet dhe që nuk ka asnjë lidhje as me politikën, as me median, as me kryqëzimet mes tyre për interesa kundër interesit publik”, përfundon Goci.
Në ditët kur protesta për Nartën u kthye në një kauzë kombëtare, një platformë online nisi të mbledhë të dhëna, pamje, kronologji, harta dhe materiale që tentojnë të hedhin dritë mbi hijet jo-transparente të asaj që po ndodhte në peizazhin e mbrojtur.
“Zvërnec Watch” u krijua nga Glixhon Toci, 29 vjeç, i cili jeton në Çeki.
Platforma mbledh në një vend hartën e zonës së prekur, kronologjinë e protestës, të dhëna për ekosistemin, rreziqet nga tërmetet, erozioni dhe rritja e nivelit të detit, aktorët e përfshirë, raportimet mediatike, videot nga terreni, burimet publike dhe mënyrat se si qytetarët mund të angazhohen.
Xhoni thotë se u nxit për ta krijuar platformën erdhi pasi pa pamjet e qytetarit të tërhequr zvarrë nga rojet private gjatë protestës në Nartë. Për të, ky moment tregoi nevojën për një hapësirë ku pamjet dhe rastet e dhunës të ruhen, dokumentohen dhe të mos humbasin në rrjedhën e rrjeteve sociale.
“Doja të krijoja një hapësirë timen ku të mund të dokumentoja sidomos rastet e dhunës, sepse këto materiale në rrjete sociale apo në YouTube shpesh filtrohen”, tha ai për Citizens.al.
Sipas tij, platforma nuk synon të prodhojë domosdoshmërisht informacion të ri, por të ndihmojë në organizimin e materialeve që qarkullojnë online dhe në dallimin e fakteve nga dezinformimi.
“Sot online ka shumë informacion dhe nuk është se unë jap diçka të re. Por pikërisht ngaqë ka kaq shumë informacion, shpesh është e vështirë të ndash gënjeshtrat dhe thashethemet nga e vërteta”, shprehet Xhoni.
Ai thotë se kjo është veçanërisht e rëndësishme për shqiptarët jashtë vendit dhe për të huajt, të cilët shpesh hasin pamje të shkëputura nga konteksti apo të shoqëruara me përshkrime të pasakta.
Platforma është menduar edhe si një hapësirë e hapur për qytetarët që kanë materiale nga terreni.
“Nëse qytetarët kanë materiale, mund të m’i dërgojnë mua dhe unë do t’i hedh në platformë”, shprehet Xhoni.
Për të, përfshirja e diasporës në kauzën për Nartën tregon se largimi fizik nga Shqipëria nuk e ndërpret lidhjen me vendin.
“Qytetarët, edhe pse janë larguar nga Shqipëria me vite, edhe pse kanë hallet dhe burokracitë e një vendi të huaj, edhe pse punojnë ditë e natë, prapë e gjejnë kohën për të mbrojtur të drejtat e bashkatdhetarëve në Shqipëri dhe natyrën tonë”, thotë ai.
Xhoni mori pjesë edhe në protestën e organizuar në Vjenë, ku thotë se e impresionoi reagimi i qytetarëve austriakë, veçanërisht për shkak të natyrës paqësore të protestës.
“Ajo që më bëri shumë përshtypje ishte si na përshëndesnin dhe duartrokisnin austriakët nga dritaret e tramvajit kur kalonin pranë nesh”, rrëfen ai.
Në një moment kur protesta për Nartën ka prodhuar mobilizim, por edhe shumë përplasje informacioni dhe dezinformim, “Zvërnec Watch” shfaqet si një nismë qytetare dokumentimi nga distanca.
Platforma nuk zëvendëson verifikimin institucional apo hetimin gazetaresk, por synon të ruajë gjurmët e protestës dhe t’i bëjë më të aksesueshme për publikun brenda dhe jashtë Shqipërisë..
Shqiptarët e diasporës në rreth 20 qytete të botës i janë bashkuar “Revolucionit Flamingo”, protestës që prej dhjetë ditësh po zhvillohet në Shqipëri.
Ajo që nisi fillimisht si lëvizje kundër projekteve ndërtimore në Zvërnec, pjesë e zonës së mbrojtur të lagunës së Nartës, tashmë ka marrë karakter më të gjerë kombëtar, ku artikulohen edhe pakënaqësi politike e sociale.
Diaspora ka shprehur solidaritet me protestuesit në Shqipëri, duke iu bashkuar kërkesave për anulimin e projektit në zonën e mbrojtur, dorëheqjen e qeverisë dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura. Paralelisht me thirrjet në Shqipëri, protestuesit jashtë vendit kanë kërkuar edhe hetimin e figurave kryesore politike të tranzicionit, përfshirë Edi Ramën dhe Sali Berishën.
“U mblodhëm në Vjenë për të përcjellë një mesazh të qartë: Shqipëria jonë nuk është për shitje”, tha David Cuka, i cili mori pjesë në protestën e organizuar në kryeqytetin austriak.
Ai theksoi rëndësinë ekologjike të zonës ku parashikohen ndërtime turistike.
“Delta e Vjosës është një nga zonat më të vlefshme në Evropë, habitat për më shumë se 200 lloje shpendësh dhe mbi 70 lloje të rrezikuara”, shtoi Cuka.
Për Erion Gjatollin, i cili protestoi në Bolonja, ajo që nisi si një kauzë për mbrojtjen e mjedisit është shtrirë në dimensione më të thella, që lidhen me përqendrimin e pushtetit dhe privatizimin e të mirave publike në një grusht njerëzish.
“Rreth këtij debati dalin në pah pyetje shumë më të thella”, pohon Gjatolli. “Roli i elitave ekonomike pranë pushtetit, mungesa e transparencës, përdorimi i kompanive guackë, si dhe në përgjithësi një përqendrim gjithnjë e më i madh i pushtetit”.
Të rinjtë shqiptarë në diasporë e lidhin korrupsionin e elitave politike me mungesën e kushteve bazë në shërbimet publike, një realitet që sipas tyre ka prekur breza të ndryshëm dhe i ka shtyrë drejt emigrimit.
“Shkova të protestoj edhe duke kujtuar gjyshërit e mi, të cilët nuk po i gëzojnë vitet e pleqërisë në lagjen e tyre, sepse kanë frikë nga një sistem shëndetësor që nuk funksionon”, tha Martina Mezini, e cila ishte pjesë e protestës në Bolonja.
Të rinjtë e larguar pohojnë se, njësoj si brezat paraardhës, padrejtësitë dhe mungesa e perspektivës po i mbajnë larg Shqipërisë.
“Shumë të rinj, të cilët i shoh në universitetet më të mira të Anglisë dhe të botës, me një potencial shumë të madh, janë të larguar”, tha Daniel Budina, student në Angli.
Sipas tyre, protesta e ditëve të fundit ka sjellë një ndjesi të re shprese.
“Këto ditë sjellin një erë ndryshimi”, tha Martina Mezini.
“Ngjason me protestën e viteve ’90 për nga mënyra dhe nga ndjesia”, shprehet Daniel Budina, duke shtuar se një përmbysje e sistemit politik 30-vjeçar mund ta bënte të mendonte kthimin në Shqipëri.
Për Erion Gjatollin, emigrimi është tashmë një proces i thellë shoqëror. Megjithatë, sipas tij, ajo që mbetet për t’u konsoliduar është thyerja e monopolit politik të dy partive kryesore.
“Ideja se alternimi mes dy liderëve kryesorë nuk ka sjellë ndryshim real, por vazhdimësi, bëhet një pikë e përbashkët”, thotë ai.
Në këtë kuptim, protestat e diasporës nuk janë vetëm akt solidariteti me Nartën. Ato janë edhe një mënyrë për të artikuluar nga larg. arsyet pse shumë të rinj janë larguar dhe kushtet që do t’i bënin të mendonin kthimin.