15:00 Arti me të drejta autori, telefonat celularë, Groenlanda: mirë se vini në epokën tonë të vjedhjes së pacipë
Instinkti njerëzor për të vjedhur është përshpejtuar nga inteligjenca artificiale, pabarazia dhe udhëheqësit tanë politikë – me pasoja të thella.
Jonathan Liew*
Javën e kaluar zbulova se një artikull që kisha shkruar për ekipin anglez të kriketit ishte kopjuar tashmë dhe ripaketuar, fjalë për fjalë dhe pa leje, nga një faqe interneti indiane. Cili është reagimi i duhur në këtë rast? Ta denoncosh dhe ta padisësh? Të ngrysësh supet dhe të vazhdosh përpara? Këtë pyetje e bluaj teksa shëtis në supermarketin e lagjes, ku filetot e skumbrisë janë të mbështjella me zinxhirë metalikë sigurie dhe tabletat për lavastovilje duhen kërkuar në magazinë, si ndonjë trajtim i vogël i paligjshëm.
Rrugës për në shtëpi, bëj screenshot dhe pres një artikull lajmi dhe e shpërndaj në një nga grupet e mia në WhatsApp. Në një grup tjetër, një familjar ka postuar një video të gjeneruar nga IA (“e përcjellë shumë herë”) ku Donald Trump-it i rruhet koka nga Xi Jinping, ndërsa Joe Biden qesh në sfond. E shikoj këtë llucë pa mend në telefon, ndërsa ec në rrugën kryesore, duke e shtrënguar instinktivisht telefonin pak më fort.
Gjithnjë e më shumë, me hapa të vegjël dhe pothuajse të padukshëm, duket se jetojmë në një botë të përcaktuar nga vjedhja e vogël; e vogël jo për nga përmasa apo vëllimi, por për nga ndjenja e të drejtës dhe pandëshkueshmërisë. Një shaka, një telefon, një artikull, ishulli i Groenlandës, i gjithë kanoni i letërsisë së botuar, një qese me tableta për lavastovilje: gjithçka, duket, është pre e lejuar. Si arritëm në këtë pikë dhe ku po shkojmë?
Ndoshta duhet të nisim nga interneti, ku teknologjia në thelb e ka legjitimuar dhe rrënjosur vjedhjen në kulturën tonë të përbashkët digjitale. Faqet agreguese, llogaritë virale të meme-ve, screenshot-et, kopjo-dhe-ngjit, bollëku dhe kudondodhja e “feed”-it: të gjitha këto mjegullojnë marrëdhënien mes krijuesit dhe krijimit, duke i mbledhur idetë, mendimet dhe imazhet tona në një bufetë të përbashkët. Ndjehet pa fërkime, pa viktima, madje fuqizuese. Shpërblimet për viralitetin janë të mëdha dhe ndëshkimet pothuajse inekzistente.
Dhe kështu, kur modelet e para gjeneruese të IA-së nisën të trajnoheshin mbi miliarda njësi përmbajtjeje të grumbulluar – shkrime, muzikë dhe art me të drejta autori – në një farë mënyre ato thjesht po ndiqnin një traditë tashmë të vendosur. Siç shkruan Karen Hao në librin e saj Empire of AI, “ekzistonte një kulturë mes zhvilluesve që shihte gjithçka dhe çdo gjë si të dhëna për t’u kapur dhe konsumuar”. John Phelan nga Konfederata Ndërkombëtare e Botuesve të Muzikës e përshkruan këtë si “vjedhjen më të madhe të pronësisë intelektuale në historinë njerëzore”.
Por nuk ka policë në vendngjarje, nuk ka sirena ulëritëse, as shpërblime apo postera “në kërkim”. Nëse teknologjia e madhe do gjërat e tua dhe qeveritë anembanë botës duan t’ua lejojnë t’i marrin, nuk ka numër emergjence për të telefonuar; ka vetëm një mjegull justifikimesh dhe vajtime patetike për qëndrueshmërinë e modelit të biznesit. Ju lutemi, familja ime po vdes nga uria. Familja ime adhuron të hajë foto private dhe të dhëna personale. Gjithashtu, familja ime është alergjike ndaj ligjit të të drejtave të autorit.
Por, sigurisht, interneti nuk e shpiku gjithë këtë. Vetë vjedhja është po aq e vjetër sa koha, ndoshta një nga sjelljet më të hershme njerëzore: një strategji përshtatjeje dhe imitimi të mësuar, e nxitur mbi të gjitha nga pabarazitë e pushtetit, pasurisë dhe mundësive. Shpesh justifikohet me të njëjtat terma. Pabarazia krijon hajdutë në të dyja anët, jo vetëm në njërën. Ajo e ngulit vjedhjen si një nga parimet themelore mbi të cilat funksionon shoqëria. Hajduti i rrugës dhe ndërtuesi i perandorive koloniale lidhen kështu nga një kuptim i përbashkët i rregullave të lojës, një lloj kodi anti-nderi, ku përvetësimi ribrandohet si një formë pushtimi fitimtar.
Ndoshta nuk është çudi që kjo kulturë mishërohet më fort nga një president amerikan që mburret me aftësinë e tij për të rrëmbyer çfarë të dojë: nga një cisternë nafte venezueliane, te dokumente të klasifikuara, te një ishull i ngrirë në Atlantik, e deri te pjesët intime të një gruaje. Donald Trump përfaqëson doktrinën e përvetësimit me forcë si një parim themelor. Plani i tij për rindërtimin e Gazës në stilin e Las Vegas-it, i shpalosur nga Jared Kushner në Davos javën e kaluar dhe i mbushur me imazhe të gjeneruara nga IA, lexohet si një ëndërr e lagësht kleptomaniaku.
Natyrisht, kjo është ndihmuar edhe nga fakti se, në nivel global, tabu-ja kundër grabitjeve të hapura territoriale – nga Krimea te Bregu Perëndimor – është gërryer ndjeshëm. Në një botë të mbingarkuar me siguri, vjedhja e tokës mund të paraqitet thjesht si një mjet mbijetese. Për Trump-in dhe shumë autokratë si ai, epoka e re e ekspansionizmit neokolonial është thjesht një zgjatim i ligjit natyror: plaçka e të qenit i fortë në një botë të dobëtish.
Me këta hapa të vegjël të mësuar, bota rimodelohet mbi vija të vjedhura. Dhe në një nivel më të thellë, epoka e vjedhjes duket se shpreh diçka thelbësore për mënyrën se si i shohim të tjerët si bashkëqenie njerëzore, për mënyrën se si i trajtojmë rregullat dhe konventat kur udhëheqësit tanë duken gjithnjë e më pak të lidhur prej tyre. Kur shtete të tëra ndërtohen mbi punë të vjedhur, kur popuj të tërë dëbohen nga toka e tyre për t’u shndërruar në diçka që i ngjan një kazinoje, papritur shikimi i Everton kundër Leeds United në një transmetim pirat duket një krim krahasimisht i padëmshëm.
Në disa nga ëndërrimet e mia distopike më të plogëta, dikur pyesja veten se çfarë do të ndodhte nëse Google ose WhatsApp një mëngjes do të vendosnin t’i merrnin peng të gjitha email-et dhe mesazhet e tua dhe të kërkonin një shpërblim që ta ndryshonte jetën për t’i liruar. A tingëllon ende kaq distopike kjo? Nëse kufijtë personalë janë tashmë një kimere dhe pronësia është thjesht pushtet i fortë me një emër tjetër, në ç’pikë vjedhja masive fillon të duket si një rast biznesi i pakundërshtueshëm?
“Një fakt i madh dhe i turpshëm që i ndjek të gjitha përpjekjet për ta paraqitur tregun si formën më të lartë të lirisë njerëzore: se historikisht, tregjet impersonale dhe tregtare lindin nga vjedhja.” Një fjali e shkëlqyer, ndonëse e vjedhur nga David Graeber, të cilin më pëlqen të mendoj se do ta kishte vlerësuar ironinë. Ndërkohë, gjithçka që mund të bëjmë realisht është të shtrëngojmë telefonat pak më fort, të vendosim filigranë dhe mure zjarri rreth krijimtarisë sonë, të votojmë për parti që do ta trajtojnë pabarazinë në vend që ta përkeqësojnë. Dhe, me një zë të vogël e të sjellshëm, t’i kërkojmë shitësit të dyqanit nëse nuk e ka problem të zhbllokojë filetot e skumbrisë, kur t’i vijë momenti.
Jonathan Liew është kolumnist i Guardian-it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
