Normal view

Trump nuk heq dorë nga Groenlanda: Mund të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së

1 August 2026 at 21:50

Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer në qendër të vëmendjes idenë e marrjes nën kontroll të Groenlandës, duke sugjeruar se territori mund të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara.

Gjatë një interviste për Real America’s Voice, Trump u pyet nëse vazhdon të jetë i interesuar për Groenlandën.

“A po e shikoni ende Groenlandën? Kam parashikuar se para se të largoheni nga detyra, ajo do të jetë nën kontrollin operativ të Shteteve të Bashkuara”, e pyeti moderatori Steve Gruber.

“Po, mendoj se keni të drejtë. Groenlanda është shumë e rëndësishme nga këndvështrimi ynë. Duhet ta bëjmë këtë hap”, u përgjigj Trump.

Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, presidenti amerikan shkroi se “Groenlanda mund të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së”.

Trump ka shprehur prej kohësh dëshirën që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e Groenlandës, territor gjysmë-autonom i Danimarkës, duke argumentuar se ai ka rëndësi të madhe strategjike për sigurinë kombëtare amerikane.

Edhe pse më herët kishte deklaruar se nuk përjashtonte përdorimin e forcës për të marrë nën kontroll territorin, ai më pas sqaroi se nuk kishte ndërmend të përdorte forcën ushtarake.

Presidenti amerikan e riktheu këtë çështje edhe gjatë samitit të NATO-s muajin e kaluar, kur deklaroi se Groenlanda “duhet të jetë nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara, jo të Danimarkës”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Trump nuk heq dorë nga Groenlanda: Mund të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së appeared first on Sinjali.

Tërmet i fuqishëm pranë Napolit, 26 të lënduar dhe rreth 300 banorë të evakuuar

1 August 2026 at 21:28

Një tërmet me magnitudë 4.7 ballë ka goditur zonën Campi Flegrei, pranë Napolit në Itali, duke shkaktuar dëme materiale dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Sipas autoriteteve italiane, 26 persona kanë pësuar lëndime, prej të cilëve pesë janë dërguar për trajtim në spital. Ndërkohë, rreth 300 banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në zonën e Pozzuolit.

Ministri italian i Mbrojtjes Civile, Nello Musumeci, ka paralajmëruar se aktiviteti sizmik dhe vullkanik në rajon ende nuk ka përfunduar, duke u bërë thirrje banorëve që të tregojnë kujdes.

Lëkundjet janë regjistruar në një thellësi prej rreth tre kilometrash dhe janë cilësuar si më të fuqishmet në këtë zonë gjatë 40 vjetëve të fundit.

Si pasojë e tërmetit, është shembur edhe një pjesë e shkëmbit në zonën e prekur, ndërsa ekipet e emergjencës kanë nisur kontrollet për vlerësimin e dëmeve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Tërmet i fuqishëm pranë Napolit, 26 të lënduar dhe rreth 300 banorë të evakuuar appeared first on Sinjali.

Gjendja në pikat kufitare të Kosovës, përditësohen të dhënat

1 August 2026 at 21:26

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka publikuar të dhënat e fundit për gjendjen në pikat kufitare të Kosovës, ku në disa vendkalime janë krijuar pritje dhe kolona të automjeteve.

Sipas përditësimit të fundit, situata më e ngarkuar paraqitet në pikën kufitare Dheu i Bardhë, ku pritjet për hyrje zgjasin deri në 60 minuta, ndërsa kolona arrin deri në 800 metra. Në dalje, pritjet janë rreth 40 minuta, me kolonë deri në 350 metra.

Pritje më të gjata ka edhe në Muçibabë, ku automjetet presin deri në 40 minuta për hyrje dhe 60 minuta për dalje, ndërsa kolonat arrijnë në 350 metra në hyrje dhe 500 metra në dalje.

Në Jarinjë, pritjet për hyrje janë nga 25 deri në 30 minuta, me kolonë rreth 300 metra, ndërsa në Hanin e Elezit pritjet janë rreth 20 minuta në të dy drejtimet.

Në pikat e tjera kufitare, qarkullimi po zhvillohet pa vonesa të theksuara, me pritje prej 3 deri në 10 minuta. Edhe për automjetet e rënda nuk raportohet për kolona apo pritje të gjata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Gjendja në pikat kufitare të Kosovës, përditësohen të dhënat appeared first on Sinjali.

Komuna e Prishtinës lejon përkohësisht operimin e parkingjeve private për 30 ditë

1 August 2026 at 21:21

Komuna e Prishtinës ka vendosur të lejojë përkohësisht operimin e parkingjeve private për një periudhë prej 30 ditësh, deri në përfundimin e procedurave administrative për pajisjen me lejet përkatëse.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, i cili tha se vendimi është marrë për të garantuar funksionimin normal të kryeqytetit dhe për të shmangur bllokimin e qytetit.

Sipas tij, masa vlen vetëm për parkingjet private që plotësojnë kushtet e sigurisë dhe të qarkullimit.

Retkoceri theksoi se Prishtina ka nevojë për zgjidhje që sigurojnë funksionim dhe jo bllokim, duke shtuar se vendimi është në interes të qytetarëve dhe synon ruajtjen e normalitetit në kryeqytet.

Gjatë kësaj periudhe 30-ditore do të vazhdojnë procedurat administrative për pajisjen e operatorëve me lejet përkatëse, ndërsa Komuna thekson se interesi publik, funksionimi normal i qytetit dhe zbatimi i ligjit do të ecin paralelisht.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Komuna e Prishtinës lejon përkohësisht operimin e parkingjeve private për 30 ditë appeared first on Sinjali.

Kosova fiton gjashtë medalje në turneun ndërkombëtar të boksit në Sarajevë

1 August 2026 at 21:03

Kombëtarja e Kosovës në boks ka regjistruar paraqitje të suksesshme në turneun ndërkombëtar “Mustafa Hajrulahovic – Talijan”, i cili u mbajt këto ditë në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës.

Boksierët kosovarë fituan gjithsej gjashtë medalje, prej tyre një të artë, një të argjendtë dhe katër të bronzta.

Taulant Jakupi u shpall kampion në kategorinë deri në 85 kilogramë, duke fituar medaljen e artë, ndërsa Riad Isufi siguroi medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 55 kilogramë.

Medalje të bronzta fituan Bashkim Bajoku, Erdi Aliu, Ensar Badallaj dhe Flori Tarani.

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Shefki Bogujevci, u shpreh i kënaqur me paraqitjet e boksierëve, duke vlerësuar angazhimin, disiplinën dhe nivelin e treguar gjatë gjithë turneut.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kosova fiton gjashtë medalje në turneun ndërkombëtar të boksit në Sarajevë appeared first on Sinjali.

Zelensky: Ukraina ka mbetur pa raketa Patriot, kërkon urgjentisht ndihmë nga aleatët

1 August 2026 at 20:59

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se vendi i tij ka mbetur pa raketa interceptuese për sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot, duke paralajmëruar se kjo po ndikon drejtpërdrejt në aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur nga sulmet ruse.

Në një deklaratë të publikuar të premten në Telegram, Zelensky u bëri sërish thirrje aleatëve perëndimorë që të furnizojnë urgjentisht Ukrainën me sisteme dhe raketa të mbrojtjes ajrore.

“Vetëm një raketë balistike u rrëzua sonte, thjesht sepse nuk ka më raketa për sistemet Patriot”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Rusia akuzoi Ukrainën për një sulm ndaj një anijeje civile në Detin e Zi.

Kreu i agjencisë shtetërore ruse për energjinë bërthamore, Rosatom, Alexey Likhachev, tha se një sulm ukrainas fundosi anijen e mallrave Yanina, e operuar nga kompania Fesco, rreth 210 kilometra larg portit rus të Novorossiyskut.

Sipas tij, anija transportonte ngarkesë civile në ujërat ndërkombëtare, ndërsa të 17 anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan dhe ndodhen në gjendje të mirë. Ukraina nuk ka komentuar ende mbi këto pretendime.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Zelensky: Ukraina ka mbetur pa raketa Patriot, kërkon urgjentisht ndihmë nga aleatët appeared first on Sinjali.

Përparim në mjekësi, veshkat e derrave mund të shpëtojnë mijëra pacientë

1 August 2026 at 20:52

Një nga zhvillimet më të rëndësishme të muajve të fundit në fushën e nefrologjisë lidhet me transplantimin e veshkave nga derra të modifikuar gjenetikisht te njerëzit.

Kjo teknologji, e njohur si ksenotransplantim, po konsiderohet një shpresë e madhe për mijëra pacientë që presin prej vitesh një organ për transplant.

Në Shtetet e Bashkuara kanë nisur provat e para klinike, pasi disa transplante eksperimentale të kryera më herët kanë dhënë rezultate premtuese.

Derrat modifikohen gjenetikisht për të zvogëluar rrezikun që sistemi imunitar i njeriut ta refuzojë menjëherë organin e transplantuar, shkruan Corriere della Sera.

Studiuesit synojnë të vlerësojnë sigurinë dhe funksionimin afatgjatë të këtyre veshkave te pacientët me sëmundje të avancuara renale.

Aktualisht, mijëra njerëz në mbarë botën presin për transplant të veshkës, ndërsa numri i organeve të disponueshme nga dhuruesit mbetet shumë më i ulët sesa kërkesa.

Për këtë arsye, shumë pacientë detyrohen t’i nënshtrohen dializës për vite me radhë, duke u përballur me cilësi më të ulët të jetës dhe rrezik më të madh për komplikime.

Ekspertët theksojnë se, ndonëse rezultatet e deritanishme janë inkurajuese, nevojiten studime të tjera për të vërtetuar sigurinë dhe efektivitetin afatgjatë të kësaj metode.

Në rast se provat klinike përfundojnë me sukses, ksenotransplantimi mund të shënojë një revolucion në mjekësi, duke ofruar zgjidhje për mungesën kronike të organeve dhe duke shpëtuar jetën e mijëra pacientëve me insuficiencë të rëndë të veshkave.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Përparim në mjekësi, veshkat e derrave mund të shpëtojnë mijëra pacientë appeared first on Sinjali.

Aksidenti në Ramun të Pejës, QKUK-ja flet për Sinjalin: Motoçiklisti në gjendje jo stabile

1 August 2026 at 20:40

Gazeta Sinjali raportoi më parë për një aksident trafiku që ndodhi pasditen e sotme në fshatin Ramun të Pejës, ku u përfshinë një kombi dhe një motoçikletë.

Si pasojë e përplasjes, motoçiklisti pësoi lëndime trupore dhe fillimisht u dërgua në Spitalin Rajonal të Pejës. Ku, për shkak të natyrës së rëndë të lëndimeve, ai më pas u transferua për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Lajmin për Sinjalin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

“Sot, rreth orës 16:25, Policia është njoftuar për një aksident trafiku në fshatin Ramun të Pejës, ku janë përfshirë një kombi dhe një motoçikletë. Si pasojë e aksidentit, motoçiklisti ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor, e më pas, për shkak të natyrës së lëndimeve, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, deklaroi Rugova.

Sinjali ka kontaktuar edhe QKUK-në, nga ku është bërë e ditur se pacienti është pranuar në gjendje të rëndë dhe jo stabile.

“Është sjellë nga Spitali i Pejës një pacient i aksidentuar, i lindur në vitin 2001. Ka politraumë të rëndë dhe është në gjendje jo stabile. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme në Qendrën Emergjente dhe pacienti është dërguar në sallën operative të Emergjencës nga ekipet e Neurokirurgjisë dhe Anestezionit. Pas intervenimit do të transferohet në Mjekimin Intensiv Qendror”, ka thënë Naser Syla, drejtor i Emergjencës për Sinjalin.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Aksidenti në Ramun të Pejës, QKUK-ja flet për Sinjalin: Motoçiklisti në gjendje jo stabile appeared first on Sinjali.

Mustafa kritikon Përparim Ramën për rrugën te Xhamia e Llapit: Eksperimentuesit ikin në Londër, banorët mbeten të bllokuar

1 August 2026 at 20:06

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj punimeve në rrugën “Ilir Konushevci”, pranë Xhamisë së Llapit në Prishtinë, duke kundërshtuar ngushtimin e saj.

Përmes një reagimi publik, Mustafa ka pyetur pse po ngushtohet një nga arteriet kryesore që lidh Prishtinën me Llapin dhe Gollakun, duke kujtuar se kjo rrugë ishte zgjeruar në 12 metra gjatë kohës kur Nazmi Mustafa ishte kryetar i kryeqytetit.

Sipas tij, banorët kanë të drejtë të protestojnë dhe ta kundërshtojnë këtë projekt, pasi e konsideron atë një vendim arbitrar që nuk respekton interesat e banorëve, bizneseve të vogla dhe qytetarëve.

“Udhëheqja e Prishtinës nuk ka të drejtë që në këto forma të eksperimentojë me qytetarët”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka shtuar se ka jetuar në atë lagje për më shumë se 60 vjet, ndërsa ka kritikuar ashpër drejtuesit aktualë të Komunës së Prishtinës, duke thënë se ata po marrin vendime që, sipas tij, do t’i lënë banorët të bllokuar me pasojat e tyre.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Mustafa kritikon Përparim Ramën për rrugën te Xhamia e Llapit: Eksperimentuesit ikin në Londër, banorët mbeten të bllokuar appeared first on Sinjali.

Aksident mes një veture dhe një motoçiklete në Podujevë, lëndohet një person

1 August 2026 at 19:55

Një aksident trafiku ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Podujevë, ku janë përfshirë një veturë dhe një motoçikletë.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 19:00, në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira një automjet dhe një motoçikletë. Si pasojë e aksidentit, një person ka pësuar lëndime trupore. Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal”, ka deklaruar Ahmeti.

Rrethanat që çuan deri te aksidenti janë duke u hetuar nga njësitet kompetente të Policisë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Aksident mes një veture dhe një motoçiklete në Podujevë, lëndohet një person appeared first on Sinjali.

BE-ja thërret mbledhje urgjente për situatën në Ceuta dhe fluksin e emigrantëve

1 August 2026 at 19:38

Bashkimi Evropian do të mbajë të martën një mbledhje urgjente për të diskutuar situatën e krijuar në Ceuta, pas rritjes së kalimeve të emigrantëve drejt territorit spanjoll.

Sipas raportimeve të Sky News, ministrat e vendeve anëtare do të zhvillojnë bisedimet përmes videokonference, me fokus zhvillimet e fundit dhe menaxhimin e situatës.

Irlanda, e cila aktualisht mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, njoftoi se ka thirrur mbledhjen e Këshillit të BE-së për Drejtësi dhe Punë të Brendshme.

Rritja e fluksit të emigrantëve drejt Ceutës ka shtyrë disa liderë evropianë të kërkojnë bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet vendeve anëtare për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe për të forcuar kontrollin në kufijtë e jashtëm të bllokut.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post BE-ja thërret mbledhje urgjente për situatën në Ceuta dhe fluksin e emigrantëve appeared first on Sinjali.

Kosova shkëlqen në Kampionatin Ballkanik të Xhudos, fiton nëntë medalje

1 August 2026 at 19:36

Përfaqësuesja e Kosovës në xhudo ka zhvilluar një paraqitje të jashtëzakonshme në Kampionatin Ballkanik për Seniorë, i cili u mbajt në Tiranë të Shqipërisë.

Xhudistët kosovarë fituan gjithsej nëntë medalje, prej tyre pesë të arta, tri të argjendta dhe një të bronztë.

Medaljet për Kosovën i siguruan Erza Muminoviq në kategorinë deri në 48 kilogramë, Laurina Gashi në 52 kilogramë, Flaka Loxha në 57 kilogramë, Elvira Ukaj në 70 kilogramë, Dardan Cena në 73 kilogramë, Fatjona Kasapi në 52 kilogramë, Enise Zijade në 57 kilogramë, Shpati Zekaj në 100 kilogramë dhe Furkan Kelmendi në 60 kilogramë.

Rezultate të mira shënuan edhe Arba Hasanaj në kategorinë deri në 70 kilogramë dhe Andi Reshitaj në 66 kilogramë, të cilët përfunduan garën në vendin e pestë.

Ekipi kosovar u drejtua nga trajnerët Majlinda Kelmendi, Fatos Tabaku dhe Kushtrim Gashi, ndërsa në kampionat ishte i pranishëm edhe Driton Kuka, në cilësinë e delegatit të Federatës Ballkanike të Xhudos.

Drejtësinë në tatami e ndau gjyqtari ndërkombëtar Zymer Zeka.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kosova shkëlqen në Kampionatin Ballkanik të Xhudos, fiton nëntë medalje appeared first on Sinjali.

Deri në dy orë e gjysmë pritje te Dheu i Bardhë

1 August 2026 at 19:15

Në disa pika kufitare të Kosovës vazhdojnë të regjistrohen pritje të gjata për hyrje në vend, si pasojë e fluksit të shtuar të mërgimtarëve.

Sipas të dhënave të përditësuara, pika kufitare në Dheun e Bardhë mbetet më e ngarkuara, ku pritjet për hyrje arrijnë deri në 150 minuta, ndërsa kolona e automjeteve ka arritur në 1.4 kilometra.

Pritje të gjata ka edhe në Muçibabë, ku qytetarët presin deri në 120 minuta, ndërsa kolona për hyrje është rreth 500 metra.

Edhe në Merdarë ka fluks të shtuar, me pritje prej 60 deri në 80 minutash për hyrje, ndërsa në Han të Elezit pritjet janë rreth 25 minuta.

Në pikat e tjera kufitare, si Bërnjak, Jarinjë, Qafë e Morinës, Qafë e Prushit, Stançiq, Vermicë dhe Mutivodë, qarkullimi zhvillohet pa pritje të gjata, ndërsa edhe për kamionët nuk raportohen kolona apo vonesa të konsiderueshme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Deri në dy orë e gjysmë pritje te Dheu i Bardhë appeared first on Sinjali.

Rreth 10 mijë të vdekur nga vapa në Gjermani

1 August 2026 at 19:15

Gati 10.000 vetë kanë vdekur deri tani në Gjermani si pasojë e temperaturave të larta. Sipas vlerësimeve të Institutit Robert Koch kjo shifër kalon edhe numrin më të madh të vdekjeve të regjistruara për të gjithë vitin që nga viti 2016.

Nga fillimi i prillit deri më 19 korrik 2026 janë regjistruar 9.800 vdekje të lidhura me të nxehtin. Shifra më e lartë vjetore e dekadës së fundit ishte rreth 9.000 vdekje në vitin 2018.

Shifra përfundimtare për verën mund të rritet edhe më tej, pasi vlerësimi aktual nuk përfshin periudhën e motit të nxehtë pas 19 korrikut dhe do të rishikohet kur të jenë në dispozicion të dhëna më të plota mbi vdekshmërinë.

Çfarë tregojnë shifrat e vdekshmërisë?

Më shumë se 5.000 nga vdekjet e këtij viti lidhen me valën intensive të të nxehtit në gjysmën e dytë të qershorit, kur temperaturat në disa zona iu afruan 42 gradë Celsius, shkruan DW.

Shërbimi klimatik i Bashkimit Evropian, Copernicus, njoftoi se qershori i vitit 2026 ishte qershori më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Evropën Perëndimore.

Zyra Federale e Statistikave raportoi se numri i vdekjeve të regjistruara në Gjermani gjatë javës 22 deri më 28 qershor ishte 32% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Më të prekura moshat e vjetra

Instituti Robert Koch ia atribuon të paktën 5.100 vdekje të kësaj periudhe temperaturave të larta dhe thotë se personat e moshës 75 vjeç e lart përbënin pothuajse 7.900 të vdekjeve.

Temperaturat e larta rrallë regjistrohen si shkak i drejtpërdrejtë i vdekjes, përveç rasteve kur një person humb jetën nga gjendje të tilla si goditje nga nxehtësia.

Në shumicën e rasteve temperaturat e larta përkeqësojnë sëmundjet ekzistuese kardiovaskulare, ato të frymëmarrjes ose të veshkave. Për këtë arsye nxehtësia shpesh nuk figuron në certifikatat e vdekjes dhe konsiderohet si “shkak i heshtur i vdekjes”.

The post Rreth 10 mijë të vdekur nga vapa në Gjermani appeared first on Sinjali.

Ferran Torres drejt largimit nga Barcelona, Fisnik Asllani përmendet si zëvendësues

1 August 2026 at 18:59

Sulmuesi spanjoll Ferran Torres raportohet se ka kërkuar largimin nga Barcelona, ndërsa destinacioni i tij i preferuar është Paris Saint-Germain.

Sipas mediumit francez “Foot Mercato”, Torres dëshiron t’i bashkohet kampionit në fuqi të Ligës së Kampionëve, PSG-së, ndërsa bisedimet mes klubit francez dhe përfaqësuesve të lojtarit kanë nisur tashmë.

Ndërkohë, “Marca” raporton se javën e ardhshme pritet të zhvillohen bisedime edhe mes Barcelonës dhe PSG-së për transferimin e 25-vjeçarit.

Pas lajmeve për largimin e mundshëm të Torresit, mediat kanë nisur të përmendin emrat e futbollistëve që mund ta zëvendësojnë atë në “Camp Nou”.

Në mesin e kandidatëve për të përforcuar repartin ofensiv të Barcelonës është edhe sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani.

Interesimi i Barcelonës për Asllanin nuk është i ri, pasi edhe më herët mediat kishin raportuar se klubi katalunas po e përcjell nga afër sulmuesin e Hoffenheimit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ferran Torres drejt largimit nga Barcelona, Fisnik Asllani përmendet si zëvendësues appeared first on Sinjali.

Lufta me Iranin vë në presion SHBA-në, gjenerali amerikan paralajmëron mungesë forcash për mbrojtjen e Izraelit

1 August 2026 at 18:31

Komandanti më i lartë ushtarak amerikan në Evropë paralajmëroi Pentagonin këtë javë se nuk ka forca të mjaftueshme detare për të vazhduar mbrojtjen e Izraelit nga sulmet me raketa balistike, një fakt që zyrtarët amerikanë thanë se tregon presionin që lufta e vazhdueshme me Iranin po ushtron mbi forcat e armatosura amerikane.

Gjenerali Alexus Grinkewitz, kreu i Komandës Evropiane të SHBA-së (EUCOM), u dërgoi një paralajmërim me shkrim zyrtarëve të lartë të Pentagonit se nëse nuk i ofrohet ende një destrojer i Marinës, ai do të detyrohet të zgjedhë midis mbrojtjes së atdheut amerikan dhe mbrojtjes së Izraelit, sipas zyrtarëve, transmeton Euronews,

Paralajmërimi i gjeneralit vjen në një moment kritik, pasi sulmet pothuajse të përditshme kanë rinisur pas dështimit të bisedimeve të paqes midis Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa intensiteti i operacioneve ka varfëruar rezervat amerikane të armëve kryesore mbrojtëse.

Marina Amerikane duket veçanërisht e ngarkuar, pasi administrata Trump ka urdhëruar bllokimin e porteve iraniane në përgjigje të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit nga Teherani.

Shkatërruesit amerikanë që operojnë në Mesdheun lindor kanë qenë një shtyllë e mbrojtjes ajrore të Izraelit për vite me radhë. Të pajisur me radarë të fuqishëm dhe interceptorë raketash, ata kanë rrëzuar raketa balistike të lëshuara jo vetëm nga Irani, por edhe nga rebelët Huthi.

Komanda Evropiane luan një rol kyç në këtë mision, pasi koordinon operacionet ushtarake amerikane në Mesdhe. Në të njëjtën kohë, megjithatë, ajo duhet të mbajë forcat në gatishmëri kundër një ofensive të mundshme ruse kundër territorit të NATO-s.

Marina Amerikane aktualisht ka pesë shkatërrues të vendosur në portin e Rotës, Spanjë, dhe një i gjashtë pritet t’i bashkohet flotës më vonë këtë vit. Megjithatë, sipas zyrtarëve amerikanë, problemet në rritje të mirëmbajtjes të shkaktuara nga lufta po e bëjnë edhe më të vështirë menaxhimin e aseteve në dispozicion.

Sipas vlerësimeve të Pentagonit të bëra më herët gjatë luftës, forcat amerikane kanë mbajtur barrën kryesore të mbrojtjes së Izraelit kundër raketave balistike iraniane.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Lufta me Iranin vë në presion SHBA-në, gjenerali amerikan paralajmëron mungesë forcash për mbrojtjen e Izraelit appeared first on Sinjali.

LDK-ja paralajmëron masa ndaj atyre që nuk zbatojnë vendimet, bashkëpartiakët ia kujtojnë mandatin e lirë të deputetit

1 August 2026 at 18:28

Vendimet e miratuara nga Lidhja Demokratike e Kosovës pas Kuvendit të jashtëzakonshëm kanë nxitur reagime brenda këtij subjekti politik, pasi disa prej tyre janë cilësuar si kufizuese dhe në kundërshtim me frymën demokratike të partisë.

Në Kuvendin e mbajtur të enjten, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i mbijetoi mocionit për shkarkim me një diferencë prej vetëm 18 votash.

Pas votimit, delegatët miratuan disa vendime zbatuese, përmes të cilave anëtarët, zyrtarët, të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e partisë obligohen t’i respektojnë vendimet e organeve të LDK-së.

Në pikën e parë të vendimit thuhet se të gjithë zyrtarët e partisë duhet t’i zbatojnë vendimet e miratuara nga organet kompetente, në përputhje me Statutin.

Ndërkaq, në pikën e pestë parashihet se moszbatimi i vendimeve ose veprimi publik kundër qëndrimit zyrtar të partisë mund të çojë në ndërmarrjen e masave ndaj zyrtarëve përkatës.

Këto vendime kanë nxitur reagimin e Muhamet Hamitit, i cili i ka cilësuar ato si absurde dhe jodemokratike.

Në kundërpërgjigje, Hamiti ka publikuar nenin 70 të Kushtetutës së Kosovës, ku përcaktohet se deputetët janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues.

Reagimit i është bashkuar edhe deputetja e zgjedhur e LDK-së, Janina Ymeri, e cila po ashtu ka cituar të njëjtin nen të Kushtetutës.

“Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues”, ka shkruar Ymeri, duke shtuar me ironi: “Kosova, djep i demokracisë”.

Vendimet e miratuara pas Kuvendit të jashtëzakonshëm pritet të vazhdojnë të shkaktojnë debat brenda LDK-së, veçanërisht lidhur me raportin ndërmjet disiplinës partiake dhe autonomisë së deputetëve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post LDK-ja paralajmëron masa ndaj atyre që nuk zbatojnë vendimet, bashkëpartiakët ia kujtojnë mandatin e lirë të deputetit appeared first on Sinjali.

Aksident mes një kombi dhe motoçiklete në Pejë, lëndohet një person

1 August 2026 at 18:16

Një aksident trafiku ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Ramun të Pejës, ku janë përfshirë një kombi dhe një motoçikletë.

Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i motoçikletës ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

“Sot, rreth orës 16:25, Policia është njoftuar për një aksident trafiku në fshatin Ramun të Pejës, ku janë përfshirë një kombi dhe një motoçikletë. Si pasojë e aksidentit, motoçiklisti ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor”, deklaroi Rugova.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Aksident mes një kombi dhe motoçiklete në Pejë, lëndohet një person appeared first on Sinjali.

Pas 27 vitesh iu gjetën mbetjet mortore, Isuf Hoxha varroset në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime

1 August 2026 at 18:03

Pas 27 vitesh pritjeje dhe dhimbjeje, Isuf Hoxha, i vrarë nga forcat serbe gjatë Masakrës së Burgut të Dubravës, u varros në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime.

Mbetjet e tij mortore u gjetën dhe u identifikuan pas më shumë se dy dekadash, duke i dhënë fund pritjes së gjatë të familjes Hoxha.

Ceremonia e varrimit u mbajt më 1 gusht 2026, me nderime të larta, nën organizimin e Shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së – Dega në Shtime.

Në ceremoni morën pjesë familjarë, përfaqësues institucionalë, ish-pjesëtarë të UÇK-së, bashkëveprimtarë dhe qytetarë të shumtë, të cilët i dhanë lamtumirën e fundit.

Familja Hoxha shprehu mirënjohje për të gjithë ata që i qëndruan pranë gjatë 27 viteve të pritjes, si dhe për të gjithë ata që kontribuuan në gjetjen dhe identifikimin e mbetjeve mortore të Isuf Hoxhës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Pas 27 vitesh iu gjetën mbetjet mortore, Isuf Hoxha varroset në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime appeared first on Sinjali.

Pas zjarrit dhe tymit, deponia e Sferkës mbulohet me 24 mijë metra kub dhe

1 August 2026 at 17:46

Ka përfunduar procesi i mbulimit të deponisë së qytetit të Pejës me rreth 24 mijë metra kub dhe, ndërsa zjarri dhe tymi janë eliminuar plotësisht.

Lajmin e ka bërë të ditur Kompania Rajonale e Mbeturinave “Ambienti”, e cila njoftoi se deponia tashmë ndodhet në gjendje stabile.

Sipas kompanisë, gjatë punimeve janë zbatuar rekomandimet e Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për mbulimin e deponisë me dhe, ndërsa po vazhdon edhe procesi i ajrosjes së zonës.

KRM “Ambienti” bëri të ditur se koordinimi dhe angazhimi i të gjithë akterëve të përfshirë kanë qenë vendimtarë për menaxhimin e situatës dhe rikthimin e stabilitetit në deponi.

Kompania ka theksuar se zjarrvëniet e qëllimshme gjatë verës kanë shkaktuar prej vitesh probleme të vazhdueshme në këtë zonë, duke ndikuar negativisht edhe te banorët përreth. Për këtë arsye, është kërkuar bashkëpunim më i madh për parandalimin e rasteve të ngjashme.

Në procesin e mbulimit të deponisë kanë kontribuuar Forca e Sigurisë së Kosovës, Komuna e Pejës, zjarrfikësit dhe kompani private.

Komuna e Pejës ka ndihmuar me 6 mijë metra kub dhe, ndërsa kontribut kanë dhënë edhe kompanitë “Jos Krasniqi Baze” dhe “SIB”.

KRM “Ambienti” falënderoi qytetarët për mirëkuptimin dhe durimin gjatë kësaj periudhe, duke njoftuar se situata në deponinë e Pejës është rikthyer në normalitet.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Pas zjarrit dhe tymit, deponia e Sferkës mbulohet me 24 mijë metra kub dhe appeared first on Sinjali.

❌