TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja mori pjesë sot në ceremoninë e dorëzimit të flamurit, delegacionit shqiptar që merr pjesë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Gonxhja vlerësoi përfaqësimin e Shqipërisë në një prej ngjarjeve të rëndësishme të sportit ndërkombëtar.
Sipas ministrit, sportisti elitar është një nga pasuritë më të mëdha të sportit shqiptar, ndaj dhe qeveria po krijon kushte për t’i mbështetur më tej ata.
“Pas çdo rezultati qëndrojnë vite pune, sakrifice, stërvitje dhe disiplinë. Prandaj, detyra jonë si institucione nuk është vetëm t’ju kërkojmë rezultate, por të krijojmë kushtet që ju të mund t’i arrini ato. Dhe pikërisht këtë kemi filluar ta bëjmë në mënyrë konkrete.”
Me ndryshimet e fundit në skemën e shpërblimeve për sportistët e nivelit të lartë, Gonxhja theksoi se është rritur ndjeshëm vlera që shteti shqiptar i jep suksesit sportiv.
“Në Lojërat Olimpike, shpërblimi për medaljen e artë është rritur me 50%, për medaljen e argjendtë me rreth 86%, ndërsa për medaljen e bronztë është dyfishuar. Në Kampionatet Evropiane, rritja shkon nga 50% deri në 200%, në varësi të vendit të arritur. Edhe në Lojërat Mesdhetare, ku ju do të garoni në Taranto, shpërblimi për vendin e parë është rritur me 50%, ndërsa për vendin e dytë është dyfishuar”, informoi Gonxhja.
Kjo, sipas tij, “është një dëshmi konkrete se si shteti shqiptar po e rrit vlerësimin për sportistin elitar dhe për rezultatet që ai arrin në arenën ndërkombëtare”.
Po ashtu, ministri theksoi se kjo mbështetje nuk ndalet vetëm te sportisti. “Shpërblimi i trajnerëve është rritur nga 40% në 50% të shpërblimit të sportistit, ndërsa trajtimi ushqimor është dyfishuar, nga 2500 në 5000 lekë në ditë”, shtoi ai.
Një tjetër lehtësi, sipas ministrit Gonxhja është thjeshtimi i procedurave për sportistët.
“Verifikimi antidoping tashmë bëhet përmes konfirmimit nga OKAD-i, duke shmangur një barrë të panevojshme administrative për sportistin, pa cenuar luftën kundër dopingut. Përkundrazi, kjo forcon rolin e OKAD-it në garantimin e integritetit të sportit”, theksoi Gonxhja.
Këto, sipas tij, “janë hapa konkretë që synojnë ta vendosin sportistin elitar në qendër të politikave tona sportive dhe të krijojnë një marrëdhënie më të drejtë mes rezultateve, sakrificës dhe mbështetjes që ofron shteti”.
“E ardhmja e financimit të sportit duhet të jetë më e gjerë dhe më e qëndrueshme.
Në këtë drejtim, një nga prioritetet tona është projektligji për sponsorizimet në sport, për të krijuar një kuadër më të përshtatshëm për përfshirjen e sektorit privat në mbështetjen e sportit. Ne duam që sporti shqiptar të ketë më shumë burime financimi, më shumë partneritete dhe një rol gjithnjë e më të madh të sipërmarrjes private në zhvillimin e tij”, shtoi ai.
Një sport i qëndrueshëm, sipas ministrit, nuk mund të mbështetet vetëm në fondet publike, por duhet të ndërtohet një model ku shteti, biznesi dhe komuniteti sportiv bashkëpunojnë për të krijuar më shumë mundësi për sportistët dhe federatat.
Po ashtu, Gonxhja solli në vëmendje Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, të cilat sipas tij, “do të sjellin një tjetër sfidë dhe mundësi të rëndësishme për sportin shqiptar”.
“Shqipëria, përmes Durrësit, do të jetë pjesë e këtij eventi, duke mirëpritur zhvillimin e garave të lundrimit. Përgatitja për këtë event duhet të fillojë që tani, jo vetëm në aspektin e organizimit dhe infrastrukturës, por edhe duke menduar për trashëgiminë që këto Lojëra do të lënë për sportin shqiptar. Prishtina 2030 është gjithashtu një mundësi e rëndësishme për të forcuar bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës përmes sportit dhe për të treguar se mund të organizojmë së bashku një event me standarde të larta ndërkombëtare”, theksoi ai.
/m.m/r.e/
The post Shqipëria në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, Gonxhja: Rritëm mbështetjen për sportistët elitarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.