Normal view

Received — 30 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SPANJË – Nëntë migrantë të vdekur në përpjekje drejt enklavës së Ceutas

MADRID, 30 korrik /ATSH-AFP-DPA/ – Nëntë migrantë vdiqën duke u përpjekur të notonin nga Maroku në enklavën spanjolle të Ceutës, ku qindra njerëz mbërritën ilegalisht sot, tha përfaqësia e qeverisë spanjolle në territorin në bregdetin verior të Afrikës.

“Nëntë trupa” migrantësh u gjetën”, tha një zëdhënës i delegacionit qeveritar, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Mbi 1 500 migrantë kanë mbërritur gjatë javës së fundit në territorin spanjoll të Ceutës, në Afrikën e Veriut, shumica duke notuar nga Maroku fqinj, njoftuan autoritetet spanjolle.

Ceuta, e vendosur në bregdetin mesdhetar të Marokut, është një nga dy territoret spanjolle në Afrikën e Veriut dhe prej vitesh konsiderohet një nga pikat kryesore të hyrjes së migrantëve afrikanë drejt Bashkimit Evropian.

Sipas transmetuesit publik spanjoll RTVE dhe mediave lokale, vetëm në orët e fundit qindra persona të tjerë kanë mbërritur në territor, duke rritur ndjeshëm presionin mbi autoritetet vendore.

Përballë kësaj vale të re migrimi, presidenti rajonal i Ceutës, Juan Jesús Vivas, i bëri thirrje qeverisë qendrore spanjolle të shpallë gjendje emergjente për arsye të sigurisë kombëtare dhe të dislokojë ushtrinë në kufirin me Marokun./  a.jor.

The post SPANJË – Nëntë migrantë të vdekur në përpjekje drejt enklavës së Ceutas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Karakaçi: Strukturat në terren, po punohet për rikthimin e plotë të energjisë elektrike në Durrës pas zjarrit në një magazinë private

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi ka informuar sot përmes rrjeteve sociale mbi situatën e krijuar në qytetin e Durrësit, pas zjarrit të rënë në një objekt privat (magazinë) në afërsi të rrjetit 110 kV në zonën e Shkozetit.

Sipas njoftimit, situata vijon të jetë e rënduar, ndërsa shërbimi zjarrfikës po punon për shuarjen e plotë të vatrës së zjarrit. Për arsye sigurie dhe me kërkesë të shërbimit zjarrfikës, njëra nga linjat 110 kV mbahet e stakuar deri në neutralizimin e plotë të rrezikut.

Ministri bën me dije se në orën 15:40, si pasojë e zjarrit, u stakuan linjat 110 kV që furnizojnë nënstacionin e Shkozetit, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në qytetin e Durrësit.

Brigadat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST sh.a.) ndodhen në terren dhe janë të gatshme të ndërhyjnë për riparimin e defektit dhe dëmeve të shkaktuara në linjën 110 kV menjëherë pas shuarjes së plotë të zjarrit dhe krijimit të kushteve të sigurta për punë.

Ndërkohë, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka marrë masa të menjëhershme për furnizimin e një pjese të zonave të prekura përmes linjave alternative (unazë). Si rezultat i këtyre manovrave, energjia elektrike është rikthyer pjesërisht në qytetin e Durrësit dhe ekipet po vijojnë punën për normalizimin e plotë të furnizimit.

Megjithatë, sipas ministrit, situata mbetet sfiduese, pasi furnizimi përmes unazimeve nuk mund të mbahet për një kohë të gjatë për shkak të ngarkesave të larta në rrjet. Rivënia në punë e linjave 110 kV do të realizohet sapo zjarri të jetë shuar plotësisht dhe të garantohet siguria për ndërhyrjen e ekipeve teknike.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për situatën e krijuar dhe siguron se strukturat e OST dhe OSSH janë në gatishmëri të plotë për të rikthyer sa më shpejt furnizimin me energji elektrike në të gjithë zonën e prekur.

/k.s/j.p/r.e/

The post Karakaçi: Strukturat në terren, po punohet për rikthimin e plotë të energjisë elektrike në Durrës pas zjarrit në një magazinë private appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përcaktohen kriteret për trajnuesit dhe mënyra e financimit e programit “Pas shkolle”

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar organizimin dhe zhvillimin e programit “Pas shkolle”, kategoritë, kriteret dhe mënyrën e përzgjedhjes së trajnuesve, shpërblimin e tyre, si dhe mënyrën e financimit të këtij programi.

Ky vendim u miratua në mbështetje të ligjit “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit.

Programi “Pas shkolle” do të zhvillohet jashtë orarit të mësimit të detyruar dhe ka për qëllim përforcimin e të nxënit, si dhe zhvillimin gjithëpërfshirës të aftësive edukative, sociale, sportive, kulturore dhe krijuese të nxënësve.

Sipas vendimit, programi do të zbatohet për nxënësit e regjistruar në institucionet arsimore parauniversitare publike të arsimit bazë dhe të arsimit të mesëm të lartë.

Për veprimtaritë që lidhen me mbështetjen dhe përforcimin e të nxënit, trajnuesit do të përzgjidhen nga disa kategori, ku përfshihen mësuesit e punësuar në institucionet arsimore publike, individët që plotësojnë kriteret për ushtrimin e profesionit të mësuesit dhe janë në listë pritjeje pas konkurrimit në portalin “Mësues për Shqipërinë”, ish-mësuesit në pension, si dhe individë të diplomuar në fushën e mësuesisë ose fusha të përafërta.

Për zhvillimin e aftësive artistike, kulturore, krijuese dhe praktike të nxënësve, programi do të realizohet nga mësues të profileve artistike, individë të kualifikuar në këto fusha, profesionistë të arteve, si dhe bartës të zejeve e mjeshtërive tradicionale të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Bartësve të Folklorit ose në Regjistrin e Vlerave të Trashëgimisë Jomateriale.

Programi synon të krijojë më shumë mundësi për nxënësit për të zhvilluar njohuritë, aftësitë praktike dhe kompetencat sociale përmes aktiviteteve edukative, kulturore dhe krijuese pas përfundimit të orarit të rregullt mësimor.

Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton gjithashtu kriteret e përzgjedhjes, shpërblimin e trajnuesve dhe mënyrën e financimit të programit.

Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar do të shpallë në faqen e saj zyrtare thirrjen për aplikim për kandidatët që duan të angazhohen si trajnues në programin “Pas shkolle”.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave për organizimin dhe zhvillimin e këtij programi, kandidatët do të kenë në dispozicion një afat prej 10 ditësh nga data e publikimit të shpalljes për të paraqitur aplikimet e tyre.

Mësuesit që ushtrojnë profesionin në institucionet arsimore parauniversitare publike do të aplikojnë përmes Sistemit të Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP), ndërsa kandidatët që plotësojnë kriteret për ushtrimin e profesionit të mësuesit dhe janë në listë pritjeje pas konkurrimit në portalin “Mësues për Shqipërinë”, do të aplikojnë përmes shërbimit elektronik “Aplikim për konkurrim për punësim” në portalin “e-Albania”.

Kandidatët e kategorive të tjera të përcaktuara në vendim do të dorëzojnë dosjen e aplikimit pranë zyrës vendore të arsimit parauniversitar (ZVAP), nën juridiksionin e së cilës ndodhet institucioni arsimor ku do të zhvillohet programi.

Të dhënat elektronike të dosjeve të aplikantëve që bëjnë pjesë në kategoritë e mësuesve dhe kandidatëve të regjistruar në portalin “Mësues për Shqipërinë” do të sigurohen përmes ndërveprimit të sistemeve përkatëse, përkatësisht nga SMIP-ja ose portali i konkurrimit.

Për kategoritë e tjera të trajnuesve, aplikimi do të shoqërohet me dokumentacionin përkatës, sipas kritereve të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Për vitin shkollor 2026-2027, kërkesa për aplikim për t’u angazhuar në programin “Pas shkolle” për mësuesin e klasifikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë”, kryhet në rrugë elektronike.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Arsimit, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar, zyrat vendore të arsimit parauniversitar dhe institucionet arsimore parauniversitare publike.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

/k.s/j.p/r.e/

The post Përcaktohen kriteret për trajnuesit dhe mënyra e financimit e programit “Pas shkolle” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pezullohen punimet e ndërtimit në zonat turistike deri më 15 shtator

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar sot pezullimin e punimeve të ndërtimit dhe të aktiviteteve të lidhura me to në zonat turistike gjatë sezonit turistik 2026, me qëllim garantimin e zhvillimit të qetë të tij.

Sipas vendimit të qeverisë periudha e pezullimit fillon me hyrjen në fuqi të vendimit dhe përfundon më 15 shtator 2026.

Gjatë kësaj periudhe do të pezullohen punimet në karriera, pikat e nxjerrjes, përpunimit dhe shfrytëzimit të inerteve, si dhe aktivitetet e lidhura me to. Gjithashtu do të ndalohen punimet e ndërtimit nga faza e gërmimeve dhe hedhjes së themeleve deri në përfundimin e ngritjes së karabinasë së objekteve, si edhe punimet që shkaktojnë zhurma, pluhur apo ndikime të tjera negative në mjedis.

Nga ky pezullim përjashtohen punimet e rifiniturave të brendshme dhe punimet e vogla pas përfundimit të karabinasë, për sa kohë që janë të pajisura me lejet përkatëse dhe nuk shkaktojnë ndotje akustike, pluhur apo ndikime të tjera negative.

Këto punime do të lejohen të kryhen në fashën orare 08:00–17:00. Përjashtim bëhet edhe për ngritjen ose sistemimin e kantiereve sipas legjislacionit në fuqi.

Vendimi parashikon se periudha e pezullimit do të llogaritet si afat shtesë mbi afatin e lejes së ndërtimit, zhvillimit apo lejes së ushtrimit të aktivitetit për subjektet që kanë marrë ose do të marrin leje pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Zonat ku do të zbatohet pezullimi përfshijnë brezin bregdetar, sipas përcaktimeve të legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, qendrat historike, zonat e mbrojtura me funksion turistik dhe qendrat urbane turistike.

Zona të tjera me fluks të lartë turistësh gjatë sezonit do të përcaktohen me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për turizmin dhe ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor.

Pezullimi do të zbatohet edhe për aktivitetet e lidhura me ndërtimin jashtë këtyre zonave, në rastet kur, për shkak të natyrës, vendndodhjes ose mënyrës së ushtrimit të tyre, ato ndikojnë ose mund të ndikojnë në zhvillimin normal të aktivitetit turistik, duke shkaktuar zhurmë, pluhur, ndotje apo efekte të ngjashme.

Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, njësitë e vetëqeverisjes vendore, strukturat inspektuese vendore, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit dhe Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

/k.s/j.p/r.e/

The post Pezullohen punimet e ndërtimit në zonat turistike deri më 15 shtator appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE miraton rregulla më të rrepta për hyrjen e ukrainasve në moshë ushtarake

30 July 2026 at 20:50

BRUKSEL, 30 korrik /ATSH-DPA/ – Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar rregulla më të rrepta për hyrjen e burrave ukrainas në moshë për shërbim ushtarak.

Vendimi u mor me kërkesë të autoriteteve në Kiev dhe synon të pengojë ata që largohen nga Ukraina vetëm për t’iu shmangur detyrimeve ushtarake.

Sipas marrëveshjes së re, burrat ukrainas nga mosha 23 deri në 60 vjeç do të mund të përfitojnë nga skema e mbrojtjes së përkohshme të BE-së vetëm nëse kanë përfunduar shërbimin ushtarak ose janë përjashtuar zyrtarisht prej tij.

Rregullat e reja do të zbatohen vetëm për personat që mbërrijnë për herë të parë në territorin e Bashkimit Evropian.

Ata që ndodhen tashmë në vendet e BE-së nuk preken nga këto ndryshime.

Megjithatë, burrat në moshë ushtarake do të kenë ende të drejtën të kërkojnë azil.

Në këtë rast, kërkesat e tyre do të shqyrtohen individualisht dhe shanset për të marrë mbrojtje dhe leje qëndrimi pritet të jenë dukshëm më të kufizuara.

Deri tani, refugjatët nga Ukraina janë pranuar në BE përmes Direktivës për Mbrojtjen e Përkohshme, e cila u jep atyre mbrojtje pa kaluar në procedurën e zakonshme të shqyrtimit të çdo kërkese.

Kjo u ka lehtësuar ndjeshëm ukrainasve marrjen e statusit të mbrojtjes krahasuar me refugjatët nga vende të tjera.

Në të ardhmen, burrat që largohen nga Ukraina do të duhet të dëshmojnë se kanë përmbushur detyrimet ushtarake.

Kjo do të bëhet përmes një pasaporte me vulë daljeje të lëshuar nga autoritetet ukrainase ose me dokumente që vërtetojnë përjashtimin ose përmbushjen e shërbimit ushtarak./  /Ad.Ab./  a.jor.

 

The post BRUKSEL – BE miraton rregulla më të rrepta për hyrjen e ukrainasve në moshë ushtarake appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëri-Itali, miratohet marrëveshja ndryshuese për njohjen e lejeve të drejtimit

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot në parim marrëveshjen ndryshuese nr. 2 me shkëmbim notash të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe qeverisë së Italisë, mbi njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit, me qëllim konvertimi.

Vendimi është miratuar me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.

Marrëveshja ndryshuese nr. 2 lidhet me marrëveshjen e miratuar më herët me vendimin nr. 209 të Këshillit të Ministrave dhe synon përditësimin e kuadrit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit dhe procedurat e konvertimit të tyre.

Sipas vendimit të qeverisë, marrëveshja ndryshuese miratohet në parim sipas tekstit që i bashkëlidhet vendimit.

Vendimi i Këshillit të Ministrave hyn në fuqi menjëherë.

/k.s/j.p/r.e/

The post Shqipëri-Itali, miratohet marrëveshja ndryshuese për njohjen e lejeve të drejtimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Dokumenti “Prania besnike”, fazë e re në funksionimin e PS-së

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së sotme me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe kryetarët e komisioneve parlamentare prezantoi dokumentin “Prania Besnike”, duke theksuar se ky dokument synon të përcaktojë frymën e një faze të re në funksionimin e Partisë Socialiste, duke vendosur në qendër respektin, dëgjimin, empatinë, solidaritetin, korrektesën dhe përkushtimin ndaj qytetarëve.

Në fjalën e tij Rama tha se “pikërisht në këtë gjatësi vale kam shkruar dokumentin që e keni përpara si draft, tërësisht të hapur për shënimet e secilit prej jush. Po me shumë pak fjalë, shumë më pak fjalë sesa dokumenti, dua t’ju jap vetëm frymën e tij, në mënyrë që të gjitha shënimet që mund të shtohen apo çfarë mund të hiqet, të mbajnë parasysh pikërisht frymën: respektin si gatishmëri për të dëgjuar; jo dëgjimin si pritje e radhës për të folur, por dëgjimin si puna e parë e partisë; dëgjimin si disiplinë e re e partisë; dëgjimin në çdo stinë: edhe kur nuk ka kamera, edhe kur nuk ka fushatë, edhe kur ka duartrokitje, edhe kur nuk ka rreth e rrotull simpatizantë”.

“Empatia nuk është dobësi sociale, është forcë që asnjë algoritëm nuk e prodhon dot. Njeriu që hap derën e hallit të vet të ka dhënë diçka shumë më të çmuar sesa vota; të ka dhënë besimin dhe, duke të dhënë diçka që është e tija, personale, të ka lënë në dorë edhe dinjitetin. Dhe halli i tij nuk është monedhë për kursin e këmbimit politik”, theksoi Rama.

Duke u ndalur tek solidariteti, Rama tha se “Partia dëgjon dhe i shërben kujtdo pa e pyetur: me kë je, me kë ke qenë, çfarë ke bërë dikur, çfarë kahjeje politike të pëlqen; pa e pyetur për votën, madje pa e pyetur fare për politikë. Se halli nuk ka teserë dhe dera që hapet vetëm për “tanët, tanët, tanët”, është derë që hapet që një ditë të mbyllet për të gjithë ne. Kur them për të gjithë ne, them për Partinë Socialiste të Shqipërisë”.

Sa i përket korrektesës, Rama u shpreh se “mospërgjigjja duhet të shpallet e ndaluar në Partinë Socialiste. Po ju rikujtoj shembullin, jam i bindur që ju keni plot të tjerë, e atij fermerit nga Lushnja: tre vjet për një përgjigje. Tre vjet. Dhe njerëzit nuk kërkojnë nga ne që të themi medoemos “po”, se e dinë që ne nuk jemi zotërues të një çelësi magjik, por njerëzit kërkojnë: po, jo, kur? Sepse halli nuk bëhet më i vogël kur nuk zgjidhet, por bëhet poshtërues kur nuk përfillet”.

Kryeministri Rama u ndal edhe tek përkushtimi ndaj transformimit të “makinerisë” me forcën e shembullit individual.

“Kjo kthesë nis nga ne që jemi në këtë sallë ose nuk nis fare. Nis nga grupi parlamentar ose nuk shkon më tutje. Nis patjetër nga qeveria ose nuk merr besueshmërinë për të vazhduar si një kthesë e gjithë Partisë Socialiste. Kritika jonë e brendshme mikpritet dhe kultivohet si ushqimi i vetëdijes së skuadrës, së familjes politike, por ajo ka vetëm një rrugë të ndershme: brenda nesh flitet hapur, flitet me zë të lartë, flitet drejt e në sy, ndërsa përballë qytetarit, kur rasti e kërkon, ajo bëhet vetëm si vetëkritikë, në emër dhe në interes të skuadrës, jo si konstatim publik i një spektatori që shfrytëzon problemin për interesin e vet dhe ia lë skuadrës “kodoshin” në derë. Kjo nuk është prani besnike. Kjo është prani hileqare”, nënvizoi Rama.

“Vija e re ndarëse e kësaj faze të re, siç e thashë edhe herën e kaluar, nuk kalon mes atyre që dolën dhe atyre që s’dolën në protestë; kalon mes atyre që duan ta bëjnë Shqipërinë më të mirë dhe atyre që “duan shesh për të bërë përsheshet e tyre”. Në anën tonë të asaj vije duhet të ketë shumë më tepër hapësirë për njerëz të rinj, për forca të reja, për prurje energjish dhe vullnetesh të reja dhe është domosdoshmëri që i gjithë drejtimi politik i partisë të fokusohet te shkrirja e kufijve që janë shumë të dukshëm për njerëzit që janë në territor, por që bëhen të padukshëm kur ne shkojmë në territor: kufijtë mes nesh dhe atyre”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se “nëse “Besa” është fjala që qëndron në krye të dokumentit tonë strategjik, kjo lidhet me faktin që fjala jonë ndaj qytetarit kërkon të kontrollohet në gjithë procesin e trajtimit të saj dhe këtë gjë e bëjnë mekanizmat e metodës që do të duhet të vërë në zbatim qeveria. “Prania Besnike” është diçka tjetër: është fjala jonë ndaj vetvetes, të cilën ne duhet ta bëjmë të kontrollueshme nga çdo qytetar që i beson pranisë sonë në territor. Ata që kanë humbur armatat e fitoreve, të gjithë bashkë, kanë pasur, natyrisht, karakteristika të ndryshme, por kanë paguar një haraç të përbashkët: kanë fituar me vesh të hapur, kanë qeverisur me vesh të mbyllur”.

“Partia Socialiste duhet të hyjë te përjashtimet. Ky është misioni ynë lidhur me Partinë Socialiste. Mund të duket shumë e ekzagjeruar, por më besoni, është po aq e thjeshtë sa ç’duket e ekzagjeruar”, tha Rama.

/k.s/r.e/

The post Rama: Dokumenti “Prania besnike”, fazë e re në funksionimin e PS-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hita: Angazhim i vazhdueshëm për goditjen e çdo veprimtarie kriminale

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, u shpreh sot për gazetarët, pas inaugurimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, se investimi përtej përmirësimit të kushteve të punës për punonjësit e Policisë së Shtetit, do t’u shërbejë drejtpërdrejt edhe qytetarëve të Beratit dhe të gjithë qarkut, duke u ofruar një shërbim edhe më cilësor.

“Këto ambiente moderne, të ndërthurura me profesionalizmin, etikën dhe sjelljen korrekte të punonjësve të Policisë ndaj qytetarëve, do të ndikojnë në rritjen e cilësisë së shërbimit dhe në forcimin e sigurisë, si për banorët e këtij qarku, ashtu edhe për turistët që vizitojnë qytetin e Beratit”, theksoi Hita.

I pyetur në lidhje me nivelin e ulët të kriminalitetit në Berat, Hita tha se kjo nuk do të thotë se, për shkak të këtij niveli të ulët, duhet të ulet vëmendja ndaj fenomeneve kriminale.

“Edhe gjatë takimit të sotëm diskutuam për çështje që kërkojnë angazhim të vazhdueshëm, si shpërndarja e lëndëve narkotike pranë shkollave dhe kultivimi i bimëve narkotike, fenomene që prekin të gjithë shoqërinë”, vuri në dukje ai.

“Këto problematika do të jenë në fokus të punës së Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, ashtu si edhe i të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, me synim goditjen e çdo veprimtarie kriminale dhe garantimin e një mjedisi sa më të sigurt për qytetarët”, përfundoi Hita.

/r.e/

The post Hita: Angazhim i vazhdueshëm për goditjen e çdo veprimtarie kriminale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta për Zvërnecin në ditën e 61-të në Tiranë

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Qytetarë e aktivistë u mblodhën edhe pasditen e sotme në kryeqytet, në protestën e 61-të kundër investimit turistik të planifikuar në Zvërnec, me kërkesat për largimin e qeverisë dhe klasës së vjetër politike.

Protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë ku mbahen fjalimet në foltoren e improvizuar.

Kërkesat, veç anulimit të projektit në Zvërnec, janë edhe politike, përfshirë thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në sistemin politik.

Ata kërkojnë ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe shfuqizimin e igjit për investitorët strategjikë, Paketës së Maleve, si dhe ndryshimeve për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.

Aktivisti Edison Lika tha se nis rrugëtimi i muajit të tretë dhe të pandalshëm të protestës, me mision dorëheqjen e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Lika tha se pesë kërkesat e tyre janë të panegociueshme dhe lexohen çdo ditë nga qytetarët, kurse mendimet e shprehura nga podiumi janë të lira.

“Ky mikrofon i protestës është një akt lirie për çdo qytetar që të shprehë mendimin e tij të lirë. Kurse 5 pikat tona dihen se kush janë dhe që lexohen çdo ditë në këtë protestë dhe janë të panegociueshme”, tha ai.

Një i ri tha nga foltorja se protesta nuk bëhet për interesat personale të gjithsecilit, por për një Shqipëri të re, që duhet të ndryshojë.

Një prej aktivistëve të protestës njoftoi se Diaspora do të jetë pjesë e protestës kombëtare të 1 gushtit në bulevard, duke apeluar që të gjithë shqiptarët dhe emigrantët t’i bashkohen sheshit atë ditë.

(vijon…)

Protesta për Zvërnecin në ditën e 61-të në Tiranë, foto: Florian Abazaj
1 nga 11

 

/r.e/

The post Protesta për Zvërnecin në ditën e 61-të në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Kjo nuk është beteja e PS për të mbetur në pushtet, por e Shqipërisë për të zënë vendin në BE

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Gjatë mbledhjes së zhvilluar sot me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe kryetarët e komisioneve parlamentare Kryeministri Edi Rama prezantoi një tjetër dokument “Prania Besnike”, pas “Besës” të prezantuar më herët.

Në fjalën e tij Rama e cilësoi këtë si një aneks të “Besës”, duke e vendosur në qendër të vëmendjes si një udhërrëfyes për punët e brendshme të partisë dhe për mënyrën se si PS duhet të lidhet me qytetarët.

Gjithashtu Rama theksoi se “Partia Socialiste ushtron pushtetin sipas Kushtetutës. Dhe për aq kohë sa populli ia ka dhënë dhe për aq kohë sa ka votat në Kuvend për të bërë ato për të cilat është zotuar përpara popullit”.

Kryeministri Rama u ndal edhe tek mandati i katërt i PS-së duke nënvizuar se “mandati i katërt duhet të jetë kapitulli një kthese të madhe jo vetëm për faktin historik që Shqipëria do të mbyllë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian, as vetëm për faktin se prodhimi ynë i brendshëm do kapërcejë mbi kufirin e 30 miliardë eurove në vit, që përbën një kthesë për ekonominë, por dhe sepse ky për Partinë Socialiste duhet të jetë mandati i një kthese strategjike drejt njerëzve”.

Rama u ndal edhe procesi i anëtarësimit duke theksuar se “misioni i qeverisë dhe i Partisë Socialiste do të vazhdojë deri në përmbylljen e procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian”.

Adresimi publik i Kryeministrit Edi Rama njëkohësisht kryetar i PSSH për fillimin e ndryshimit të ri të Partisë Socialiste, duke nisur me një diskutim të brendshëm rreth “Pranisë Besnike” – aneks i Dokumentit Strategjik BESA

Përshëndetje të gjithëve!

Ky takim me drejtuesit politikë, si edhe me drejtuesit e komisioneve të përhershme parlamentare, është vazhdimi i mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar, për të nisur një diskutim së bashku rreth dimensionit të partisë në fazën e re ku ka hyrë vendi dhe ku kemi hyrë edhe ne si shumicë qeverisëse.

Dokumentin strategjik “Besa” e keni tanimë në dorë; ky tjetri që është këtu, të cilin e keni marrë dhe që e ndaj me ju sot, fillimisht për një diskutim të brendshëm, quhet “Prania Besnike” dhe është aneks i atij të parit.

“Prania Besnike” adreson vetëm partinë, me synim që ta vendosë atë në funksion të kthesës së mandatit të katërt dhe, nëse herën e shkuar fola për qeverisjen e kësaj faze të re, sot do të flas për “makinerinë” tonë të partisë.

Dhe dua t’ju them se, paralelisht me reflektimin përpara pasqyrës së bulevardit të “flamingove”, kam kaluar edhe disa kohë në “varrezat” ku prehen historitë e partive dhe të lëvizjeve që fituan gjithçka, por që, më herët ose më vonë, humbën sfidën e vazhdimësisë së qëndrueshme të fitoreve të tyre.

Të gjithë gurët në ato “varreza” kanë të njëjtin mbishkrim: asnjëri nuk e humbi pushtetin nga dëgjimi; të gjithë e humbën dëgjimin nga pushteti.

Barack Obama fitoi në vitin 2008 me lëvizjen më të madhe vullnetare që kishte parë historia e demokracisë amerikane. Mbi 2 milionë vullnetarë ose, siç quhen në shqip, patronazhistë aktivë; ekipe lagjesh me emra, role, me përgjegjësi të matshme dhe të matura çdo javë, si dhe 13 milionë adresa njerëzish të lidhura me kauzën. Një muaj pas fitores, të cilën askush nuk e parashikoi në fillim, por pastaj gjithë bota e admiroi në fund, ajo lëvizje vullkanike u ftoh. Rrjeti nuk u zhduk formalisht, por u fut brenda zyrave të administratës dhe u vu në shërbim të agjendës së Shtëpisë së Bardhë. Protagonistët kryesorë u kthyen në zëdhënës të pushtetit të ri dhe kori më masiv i përcjelljes së një mesazhi politik në historinë e Amerikës u tret në lumenjtë e turmave të jetës së përditshme.

Dy vjet më vonë, në zgjedhjet e para të mesmandatit, makineria që kishte magjepsur botën nuk kishte më jetë dhe partia e presidentit pësoi njërën nga disfatat më të rënda në historinë e saj. Vetë Obama e ka pranuar më vonë si një nga dështimet më të mëdha politike.

Ndërkohë që, më poshtë, në jug, Partia e Punëtorëve të Brazilit, një tjetër fenomen i pazakontë politik, kishte vendosur në Porto Alegre gurthemelin më mbresëlënës të së majtës botërore, të gdhendur në historinë e saj: buxhetimin me pjesëmarrje.

Dhjetëra mijëra qytetarë vendosnin vetë, me votë të hapur në asambletë e lagjeve, se ku do të shkonin investimet e qytetit. Uji dhe kanalizimet vajtën nga 75% në 98% të mbulimit. Katër mandate radhazi populli zgjodhi Partinë e Punëtorëve, pastaj partia fitoi Brazilin. Kuadrot më të mirë të Porto Alegres ikën nëpër ministritë e kryeqytetit. “Energjia” politike që e mbante gjallë buxhetimin me pjesëmarrje filloi të shteronte dhe partia, që i kishte mësuar botës dëgjimin, humbi qytetin e vet një vit pas fitores kombëtare. Mekanizmi mbijetoi formalisht edhe për disa vite, por pa të njëjtën fuqi, pa të njëjtën pjesëmarrje dhe pa të njëjtin vullnet politik, derisa u fashit. Kutia e buxhetimit mbeti aty, por fryma që e kishte bërë atë zemrën e komunitetit iku bashkë me ata që u futën në administratë.

Nga kjo anë e oqeanit ka plot raste, por unë zgjodha të kujtoj këtu Francën. Emmanuel Macron e ndërtoi partinë e tij në kohë rekord. Trokiti në 300 mijë dyer; 5 mijë vullnetarë për 3 muaj; 25 mijë bashkëbisedime të regjistruara me pesë pyetje të hapura: çfarë funksionon dhe çfarë nuk funksionon në Francë. Përgjigjet u bënë program dhe, pasi ai fitoi presidencën, partia e tij fitoi edhe shumicën absolute në zgjedhjet parlamentare. Më pas, komitetet lokale mbetën në hartën e partisë, por pa funksion, pa autonominë dhe pa arsyen për të cilën njerëzit kishin hyrë në ato komitete. Zgjedhësit që u anëtarësuan për të qenë bashkëautorë të lëvizjes e gjetën veten spektatorë të një pushteti që fliste vetëm nga lart. Partia shkoi nga rënia në rënie, duke e lënë praktikisht, për herë të parë pas shumë vitesh, presidentin pa shumicë dhe Francën me një fragmentim parlamentar krejt të pazakontë për historinë e Republikës së Pestë.

“Podemos” në Spanjë u bë një parti me influencë të madhe në skakierën politike, me gjysmë milioni anëtarë të regjistruar në platformën e vet digjitale. Por, kur erdhi dita që të votonin për drejtimin e partisë, votuan vetëm 59 mijë prej tyre. Kështu u zbulua se regjistrimi nuk është pjesëmarrje, se një klikim nuk është angazhim dhe se një turmë llogarish digjitale nuk është ende një bashkësi politike.

Ndërsa lëvizja “5 Yjet” në Itali, që u rrit, duke u tallur me partitë e vjetra dhe që mori pushtetin, ia kishte besuar platformën e saj digjitale një shoqërie private. Kur filloi grindja në pushtet, partia mbeti pa asnjë kontroll mbi të dhënat e veta dhe me votime të ngrira në çastin më kritik të jetës së saj. Themeluesi i saj shkroi edhe nekrologjinë e saj jo shumë kohë më parë. Revolucionarët hynë në pallatet e pushtetit për të ndryshuar pushtetin; pushteti i ndryshoi ata.

Pesë vende, pesë parti, e njëjta sëmundje. Filluan me veshë hapur, qeverisën me veshë mbyllur dhe, pasi u ngjitën shpejt, shumë lart, ranë poshtë po aq shpejt.

Por ka edhe një lloj tjetër sëmundjeje që besoj se ne na intereson edhe më shumë për ta kuptuar në skanerin e historisë së partive fitimtare. Është historia e partive që rrinë gjatë në krye, por që dëgjojnë vetëm nga njëri vesh dhe shikojnë vetëm nga njëra anë.

Peronizmi kishte në çdo lagje të Argjentinës një njësi bazë të hapur gjatë gjithë vitit, ku hallexhiut i gjendej ilaçi, dokumenti, thesi me miell, puna për djalin. Në pamje të parë, tingëllon si “Prania Besnike” që unë po ndaj me ju sot, por, në fakt, ndryshon prej “Pranisë Besnike”, siç ndryshojnë veshi dhe syri i sëmurë nga dy kolegët e tyre të shëndetshëm, sepse njësitë peroniste e jepnin ndihmën me kusht dhe ndihmësi i lagjes matej nga partia me votat që dorëzonte. Prandaj, ai nuk quhej më ndihmës, por quhej puntero, domethënë sekser, dhe populli e dinte që dera e shtetit hapej vetëm me çelësin e sekserit politik në zyrën e partisë.

Mirëpo, erdhi një ditë e bukur që presidencën e Argjentinës e fitoi një njeri pa makineri territoriale që mund të krahasohej, qoftë edhe teorikisht, me peronizmin, me një llogari në TikTok dhe me zemërimin e algoritmit si aleatin e tij më të madh. Kurse makineria më e madhe elektorale e Amerikës Latine u parkua në opozitë dhe aty, thonë, do të kalojë një dimër shumë të gjatë politik. Por, për këtë, ne s’kemi pse të shkojmë deri në Argjentinë; mjafton të shohim komshien e vajtueshme që kemi në sallën e Kuvendit, që u ndryshk dhe u bë teneqe krejt në opozitë.

Në dukje, sëmundja e ndryshkjes pas një pushteti të gjatë mund të perceptohet si e pashmangshme, por nuk është. Është thjesht shumë më e përhapur sesa rastet e partive që kanë ditur t’i rezistojnë ndryshkjes edhe për kohë shumë të gjata, për të cilat shkëlqen shembulli i Partisë Socialdemokrate të Suedisë.

Socialdemokratët suedezë qeverisën praktikisht për 44 vjet me radhë. Ata ndërtuan vërtet një shtet social të admiruar nga bota, por themeli i suksesit të tyre ishte se, ndërkohë, ndërtuan shoqërinë e tyre politike. Partia nuk ishte vetëm selia ku shkonte aktivisti për të marrë porositë për fushatën; ishte sindikata ku shkonte punëtori, kooperativa ku shkonte familja, shtëpia e popullit ku mblidhej lagjja dhe rrethi i studimit, ku anëtarët nuk mësonin vetëm çfarë duhej të mendonin, por mësonin si të mendonin, si të flisnin dhe si të dëgjonin.

Ata nuk e trajtuan qytetarin si klient të partisë, por si bashkëkrijues dhe bashkëkujdestar të saj. Dhe partia nuk shfaqej vetëm kur kishte nevojë për shoqërinë, por ishte e pranishme aty ku shoqëria jetonte çdo ditë.

Ndërsa partia që qeveris Singaporin prej më shumë se 60 vjetësh ka rrënjosur një rregull që nuk është prekur për më shumë se 60 vjet. Deputetët, përfshirë ministrat, ulen rregullisht në lagjet e tyre dhe presin qytetarët një për një. Takimet nisin në mbrëmje dhe shpesh mbarojnë në mesnatë.

Për çdo hall përgatitet një letër zyrtare, e cila u drejtohet ministrive, agjencive apo institucioneve përgjegjëse. Dhe kjo, natyrisht, nuk është më fushatë; është ritual, ku njerëzit shkojnë si në kishë apo si në xhami, jo për t’i lutur Zotit, por për t’u dëgjuar nga të zgjedhurit dhe nga qeveritarët e tyre.

Sidoqoftë, në këtë kontekst, “Prania Besnike” e Partisë Socialiste nuk mund të jetë as zyra e puntero-s argjentinas, as sportel ankesash dhe asnjë kopje shqiptare e ritualit të Singaporit apo një tentativë e dështuar nostalgjike për partitë e masave të shekullit të kaluar. Ajo duhet të marrë prej përvojave të të tjerëve mësimin, por pa trashëguar sëmundjen dhe duke ndërtuar metodën e saj: praninë pa klientelizëm, dëgjimin pa teatër, organizimin pa burokratizim, ndihmën pa kushte dhe dixhitalizimin pa robotizim e pa kapitalizim.

Dhe këtu vjen një pyetje që, me siguri, mbase askush nuk e bën në këtë sallë. Po, e bëjnë njerëz që janë duke na ndjekur. Po pse doni të qëndroni ju akoma më gjatë? Po pse s’ju mjaftojnë juve gjithë këto vite? Po pse nuk e kuptoni që është koha të thoni boll dhe t’ia lini vendin të tjerëve?

Ose, edhe më shkurt, mund të mos e bëjnë fare si pyetje, por ta shprehin copë, si dëshirë apo si urdhër, gjë që, zëre se po i lexoj në komentet që bëjnë:

-“Po çfarë më gjatë?”

-“Po ishalla vdisni një orë më parë dhe t’u hapni rrugë të rinjve”.

-“Po çohuni që aty dhe shkoni nëpër shtëpi, se s’jeni vetëm ju këtu.

Tani, pyetjet janë legjitime, dëshirat me zë të lartë dhe urdhrat kështu në ajër janë shprehje lirie, kurse mallkimet dhe sharjet unë nuk i konsideroj, sepse janë konflikt shumëfish interesi. Por do të shtoja diçka: që, pas 13 vjetësh në qeverisje, “Pse doni të qëndroni akoma?” është ndoshta pyetja më legjitime që mund të na bëhet.

Por, këtu duhet të ndajmë dy gjëra që nuk janë e njëjta gjë. Njëra është: pse nuk largohemi ne sot? Tjetra është: pse duam ne ta meritojmë vazhdimësinë nesër?

Së pari, duket e çuditshme që duhet thënë, por, me sa duket, duhet thënë, se kjo është demokracia dhe një parti politike as nuk e trashëgon dot timonin e pushtetit, as nuk e ka pronë me testament, por as nuk ka të drejtë ta lëshojë rrugës, sepse disa të tjerë duan ta ngasin vetë makinën e pushtetit.

Partia Socialiste ushtron pushtetin sipas Kushtetutës për aq kohë sa populli ia ka dhënë dhe për aq kohë sa ka votat në Kuvend për të bërë ato për të cilat është zotuar përpara popullit.

Ata thonë se flasin në emër të popullit, madje pretendojnë se janë vetë populli. “Ne jemi populli. Dëgjoni popullin. Ka dalë populli.”

Por, që të jemi të qartë, me ligj dhe me zakon, as ata nuk janë populli, as ne këtu nuk jemi populli dhe asnjë individ, kushdo qoftë, apo grup, kudoqoftë, nuk është populli. Të gjithë jemi vetëm pjesë e tij; mund të përfaqësojmë popullin ose të flasim në emër të popullit na e jep këtë mundësi Kushtetuta; përndryshe, ne flasim vetëm në emrin tonë apo të kujtdo që na ka mandatuar të përfaqësojmë ndonjë gjë, por jo në emër të popullit. As unë, që e kam me vulë dhe me firmë mandatin për ta përfaqësuar Shqipërinë në emër të popullit, nuk e kam tagrin të them në emër të popullit atë që mund ta thotë vetëm populli: kush duhet të jetë në qeveri dhe kush duhet të jetë në opozitë.

Këtë populli e thotë vetëm vetë, vetëm me votë dhe vetëm kur zgjedh të mandatuarit e tij.

Nga ana tjetër, po, unë, për shembull, e kam tagrin të vendos për veten time nëse duhet t’i dëgjoj apo jo dëshirat ose urdhrat e një pjese që këndon poshtë zyrës sime: “Rama, jepe dorëheqjen!” Ajo këngë mua më pëlqen dhe më energjizon aq shumë, sa, të them të drejtën, më gënjen mendja që mund të bëj edhe një këngë tjetër me të. Por, në çdo çast dhe rrethanë, përtej këngës, të largohesh nga detyra që të ka ngarkuar shumica vetëm sepse një pakicë bërtet në kor, nuk është as tipar udhëheqës, as përgjegjshmëri institucionale dhe as modesti institucionale; është vetëm braktisje e një përgjegjësie shumë të madhe.

Ndërsa të largohesh pikërisht sot nga udhëheqja e vendit, duke lënë në rrugë misionin historik që fati e vuri mbi supet tona, do të ishte shpërfillje e pafalshme e një porosie shumë të madhe kombëtare. Kështu që, kushdo le të këndojë, kur të dojë le të pushojë, po i erdhi prapë oreksi le ta rifillojë.

Misioni ynë do të vazhdojë deri kur të mbarojë me vendosjen e flamurit të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit në oborrin e Europës së Bashkuar.

Unë jua kam thënë midis nesh edhe herë të tjera: mua nuk më intereson fare roli i kryeministrit si kohë qëndrimi në pushtet. Më intereson vetëm për veprat që mbeten dhe për të mos e humbur në asnjë mënyrë orën vendimtare të Shqipërisë: përmbylljen e anëtarësimit në familjen e Europës së Bashkuar.

Nëse nuk do të ishte urgjenca e përditshme e detyrave të panumërta të anëtarësimit, të cilat nuk presin as ditën, jo më javën, kaq e ngjeshur është axhenda e negociatave dhe kalendari i detyrave që ne duhet të plotësojmë, si dhe nëse dera e hapur për herë të parë e Bashkimit Europian për Shqipërinë, – jo vetëm me fjalë, si gjithmonë më parë, por konkretisht, nuk do të ishte kaq afër, – me shumë gjasë do të isha tërhequr me shumë mirënjohje tw madhe në katundin tim të vogël, pas 12 vjetëve të jetuara me mish e me shpirt në krye të detyrës më të lartë që vendi i jep një biri të tij dhe pas gjithë këtyre viteve në krye të Partisë Socialiste, sepse Shqipëria, pas atyre 12 vjetëve të Partisë Socialiste në drejtim, me punët e panumërta transformuese dhe përtej gjithë gabimeve e të metave, u bë një Shqipëri aq tjetër nga ajo që morëm në kurriz kur e gjetëm në buzën e greminës së vitit 2013, saqë, pa këtë orën e historisë në dyert e Europës, mund të quhej, me kokën lart, mision i përmbushur.

Por pikërisht pas gjithë asaj përpjekjeje dhe pune kolosale dhe tamam kur dera e Europës është hapur realisht, mandati i katërt ishte, jo vetëm vazhdimi më i natyrshëm, por edhe e vetmja zgjedhje logjike. Dhe deri në ditën e fundit të këtij mandati të katërt, bashkë me ju, do të bëj të pamundurën që jo vetëm unë apo ju, por e gjithë kjo partia jonë të nxjerrë gjithçka nga vetja për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Por, nëse mandati i vitit 2025 shpjegon pse jemi këtu deri në vitin 2029, ai nuk mjafton për të shpjeguar pse kjo parti duhet ta synojë besimin edhe më tutje. Dhe këtu vjen përgjigjja e pyetjes tjetër.

Pse duam të qëndrojmë ne gjithnjë në krye? Jo sepse, hëpërhë, ne dimë më shumë se të tjerët. Jo sepse sot për sot vetëm ne mundemi ta udhëheqim Shqipërinë, e jo të tjerët. Jo sepse nesër do të jetë prapë kështu, pavarësisht nga të tjerët. As sepse kundërshtarët tanë janë pa kokë kur janë të vjetër dhe janë të vjetër edhe kur janë të rinj. Por as, jo e jo, sepse jemi të lidhur pas karrigeve të pushtetit për hir të pushtetit.

Përgjigjja e vërtetë, them unë, nuk ka të bëjë vetëm me ne. Ka të bëjë, mbi gjithçka tjetër, me atë që thashë edhe më parë: me orën ku ndodhet Shqipëria.

Shqipëria nuk është sot ende një vend në një rrugë të zakonshme, që mund të ecë, mund të ndalojë, të ndërrojë qeverinë, të vazhdojë pastaj aty ku e la, sikur koha të mos kishte çmimin që ka sot në këtë orë të historisë dhe historia të ishte një tren që rri në stacion derisa të gjithë bien dakord të niset treni.

Demokracitë e vjetra janë vende ku kjo mund të ndodhë, sepse ato e kanë shtetin të ngritur denbabaden. I kanë institucionet me tabiate të kolauduara me breza e breza të tërë. E kanë administratën me shekuj të kolauduar dhe, kur ecin në rrugën e shtruar të shtetit të së drejtës, ndërrojnë shoferin edhe shtatë herë në 10 vjet, si Britania, për shembull, por ama nuk e kthejnë shtetin nga rruga. Ose si Belgjika, që ndenji dy vjet pa qeveri, sepse nuk bëhej dot koalicioni, por shteti funksionoi a thua se qeveria ishte aty çdo ditë.

Shqipëria sot është në udhëkryqin e fundit që e lidh me rrugën për në shtëpinë e madhe të Europës. Për herë të parë, dera e hapur e asaj shtëpie shihet me sy në kalendar dhe ajo shtëpi nuk është më vetëm një dritë që herë duket larg, herë zhduket fare nga mjegulla nëpër shtigjet e rrugës; është mu aty, është përpara nesh, është reale, njësoj si dyert e kësaj godine.

Por, nga ana tjetër, dihet botërisht se ajo nuk është një derë që rri hapur në pafundësi, por hapet një herë në çdo brez dhe mbyllet papritur, pa pyetur dhe pa pritur më askënd.

Dhe pikërisht tani, përpara derës së hapur, Shqipëria nuk mund t’ia lejojë vetes të vijë vërdallë rreth udhëkryqit të fundit historik apo, larg qoftë, të ndryshojë drejtim në mes të rrethrrotullimit.

Dhe ta themi qartë, që të mos keqkuptohet nga askush, të paktën, jo nga ata që nuk duan ta keqkuptojnë. Kjo nuk është beteja e Partisë Socialiste për të mbetur në pushtet. Është beteja e Shqipërisë për të zënë përfundimisht vendin që i takon në sofrën e Europës së Bashkuar.

Dhe ne nuk kërkojmë pronësinë e historisë, por do ta mbajmë medoemos dhe me sukses përgjegjësinë që historia na ka vënë mbi supe për ta çuar këtë betejë deri në fund.

Kjo nuk do të thotë se Shqipëria nuk duhet të njohë rotacionin, se ditën e rotacionit nuk e caktojmë ne; e cakton populli me votën e tij. Por detyra që kemi marrë nga populli është të bëjmë gjithçka që viti 2030 ta gjejë Shqipërinë brenda derës së Europës dhe jo duke ardhur rrotull në udhëkryqin e fundit, që pastaj mund të bëhet udhëkryqi i një brezi tjetër.

Është fare e qartë që, ne e nxorëm Shqipërinë nga një mungesë tërësore, një epokë mungesash të kudondodhura, varfërie, zvarritjeje, pafuqie të qeverisë dhe shpërfilljeje ndërkombëtare.

Dhe sot jemi në një epokë mundësish të reja, si asnjëherë më parë, me pritshmëri të rritura më shumë se kurrë dhe me vlerësim ndërkombëtar më të lartë se ndonjëherë.

Por pikërisht pse kemi hyrë në këtë epokë, ka nisur prova dhe sprova jonë më e vështirë, sepse zhvillimi i deritanishëm ka provuar aftësinë tonë për ta ndryshuar Shqipërinë, por fuqizimi i besimit te shteti, te qeveria, te institucionet është prova dhe sprova e pjekurisë demokratike për ta bërë ndryshimin të qëndrueshëm, shtetbërjen të pakthyeshme dhe Shqipërinë të papashaportizuar në BE.

Prandaj mandati i katërt nuk mund, nuk duhet dhe ne duhet të bëjmë çmos që të mos jetë zgjatimi aritmetik i tre mandateve të mëparshme. Mandati i katërt duhet të jetë kapitulli i një kthese të madhe, jo vetëm për faktin historik që Shqipëria do të mbyllë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian, as vetëm për faktin se prodhimi ynë i brendshëm do të kapërcejë kufirin e 30 miliardë eurove në vit, çka në vetvete përbën një kthesë për ekonominë, por edhe sepse ky, për Partinë Socialiste, duhet të jetë mandati i një kthese strategjike drejt njerëzve, për të kaluar nga kapitulli i deritanishëm i pranisë elektorale te kapitulli i ri i pranisë njerëzore; nga partia që shkon te njerëzit kur kërkon votën e tyre, duke treguar se çfarë ka bërë për vendin, te partia që rri pranë tyre kur njerëzit kërkojnë vëmendjen e saj për t’i treguar se çfarë vendi duan në rrugën e këtij zhvillimi dhe në gjirin e kësaj shoqërie.

Nga dëgjimi i njerëzve si mirësjellje, kur e sjell nevoja jonë, te detyrimi ynë për të qenë atje kur ata kanë nevojë të dëgjohen.

Nga halli i qytetarit që shënohet dhe rëndom mbetet pa përgjigje, te halli që qahet dhe përgjegjësia që e ndjek shënimin deri te vajtja e përgjigjes.

Nga qytetari që kërkon të hapë një derë në rrugën e vet të jetës, te partia që e ndihmon të gjejë rrugën pa i kërkuar votën pse i hap derën.

Nga forca e madhe politike që fiton ditën e zgjedhjeve, te fuqia e besimit qytetar që fitohet çdo ditë kur s’ka zgjedhje.

Dhe, po, të qëndrosh gjatë në pushtet nuk mund të nënkuptojë t’u zësh rrugën të rinjve dhe forcave të reja, por t’u hapësh rrugën të rinjve. Nuk do të thotë t’ua dorëzosh Shqipërinë atyre që e shpallin veten forca të reja vetëm sepse nuk kanë qenë ende në pushtet. Do të thotë të hapësh partinë, të hapësh vendimmarrjen, të hapësh procesin qeverisës për njerëz të rinj, jo thjesht në moshë, por në mendësi. Të krijosh hapësirë për ide të reja dhe të punësosh burime energjish të reja; të prodhosh drejtues dhe jo vetëm ndjekës, duke u bërë në çdo hap shembull për t’u ndjekur edhe nga të tjerët.

Unë nuk dua që ne të qëndrojmë sa më gjatë në vendet ku jemi ulur, por t’i kryejmë së bashku gjërat që do të qëndrojnë shumë më gjatë sesa të gjithë ne në këtë vend, që është i të gjithëve ne.

Unë dua ta ngjisim Shqipërinë në Bashkimin Europian, ta bëjmë të pakthyeshëm modernizimin e vendit, ta bëjmë të palëkundshme pavarësinë e drejtësisë dhe t’i bëjmë institucionet tona të denja për çdo qytetar të këtij vendi, të afta të funksionojnë njësoj, në mënyrë të barabartë për të gjithë, të fortë apo të dobët. T’i japim jetë një marrëdhënieje tjetër mes qytetarit dhe qeverisë dhe ta vëmë partinë në dispozicion të qytetarit dhe të shtetit, jo qytetarin dhe shtetin në dispozicion të partisë.

Të guxojmë me kurajë zhvillime të reja në këtë epokë të re dhe të ecim përpara me ide të qarta dhe me këmbëngulje të madhe, pa u lodhur, pa u ndalur, deri në ditën kur populli pastaj të flasë ndryshe me votën e tij.

Dhe deri atë ditë, detyra jonë nuk është t’u provojmë atyre që nuk duan të binden se nuk jemi të lidhur pas pushtetit, njerëzve që duan të na largojnë. Detyra jonë është të mos lidhemi pas pushtetit në asnjërën prej atyre mënyrave që na largojnë nga njerëzit.

Sepse, njësoj si njerëzit, partitë nuk ndryshken nga pushteti dhe as nuk plaken nga numri i viteve që mbajnë mbi supe. Ndryshken kur pushojnë së ndryshuari, plaken kur ngatërrojnë eksperiencën me pagabueshmërinë.

Ne mund ta çojmë jo vetëm këtë mandat me sukses deri në fund, por Partia Socialiste mund të kërkojë një tjetër dhe të tjera mandate vetëm nëse, gjatë këtij mandati, do të dimë të dëgjojmë edhe atë që nuk na votoi, të shohim edhe atë që nuk na duartroket dhe të qajmë edhe hallin që nuk arrijmë ta zgjidhim.

Vetëm nëse “Prania Besnike” nuk mbetet një stampë e re me një bluzë të vjetër, por një ndryshim i vërtetë i marrëdhënies sonë me njerëzit, ne mund të vazhdojmë të bëjmë histori, sepse ka vetëm nder të duash të përmbushësh një mision historik me pushtetin që të kanë dhënë.

Turp është vetëm të duash ta mbash pushtetin pasi e ke harruar se për çfarë ta dhanë.

Tani dua të kthehem drejtpërdrejt edhe më afër te makineria jonë, e cila nisi të rindërtohet seriozisht pas zgjedhjeve vendore të Tiranës në vitin 2011. Kur e pamë se si një fitore të sigurt ne e katandisëm në një fitore aq të ngushtë, prej vetëm 10 votash, saqë mjaftoi një robot politik në krye të KQZ-së për të na nxjerrë të rruar, pastaj një tufë me plepa në Kolegjin Zgjedhor për të na nxjerrë të qethur, për derë jashtë nga Bashkia e Tiranës.

Aty e kuptuam se, megjithëse kishim mbështetjen e shumicës së qytetarëve, nuk kishim makinerinë elektorale që e kthen shumicën e mbështetjes qytetare në votën e shumicës së zgjedhësve.

Në atë kohë kemi diskutuar, kemi analizuar, kemi lexuar, kemi nxjerrë mësime dhe nisëm ndryshimin që na duhej për ta transformuar Partinë Socialiste në një makineri elektorale fituese.

Natyrisht që s’do t’ju marr kohë me një histori që të gjithë e dini se si u zhvillua, nga dita kur kjo parti doli e dërrmuar prej humbjes pa apel në 2005, në ditën kur nuk ia doli të kthehej fitimtare në 2009 për një “pellg” me vota dhe një “mal” me kuti mëkatesh që nuk u hapën kurrë, dhe pastaj, prej çdo dite zgjedhore e deri sot, kur, falë pikërisht një makinerie të pathyeshme elektorale, kemi koleksionuar së bashku 9 fitore dhe vetëm një humbje. Ajo makineri na ka dhënë mundësinë dhe kohën që ta vëmë pushtetin politik në shërbim të një ndryshimi të madh dhe ta transformojmë Shqipërinë nga një vend ku mungesat ishin të kudondodhura në një realitet ku pritshmëritë e njerëzve janë rritur eksponencialisht.

Por sot, kur bulevardi i “flamingove” na ka futur zyrtarisht pikërisht në fazën e re të pritshmërive të rritura dhe kur, në jetën sociale dhe politike, një faktor i ri, me një fuqi gjithnjë e më shtypëse për të vërtetën, algoritmi, është futur duke spostuar dita-ditës burimin e informimit të qytetarëve në pasqyrat e celularëve, ku një botë e re risish dhe djallëzish thith babëzisht edhe mendjen e njeriut, ka ardhur koha që ne t’i bëjmë vetes shumë pyetje, duke e nisur me një pyetje mbi “makinerinë” tonë elektorale.

Mund t’ia drejtojmë atë pyetje kryetarit të organizatës më të mirë socialiste në çdo bashki të vendit. Ai, apo jo, se kemi bashkëkryetarë, normalisht di të na thotë sa vota socialiste ka në qendrën e tij të votimit, apo në një pallat, apo në një fshat. Por, po të provojmë të pyesim: “Sa herë i keni dëgjuar ju me veshët hapur të gjithë ata që i numëroni symbyllur?”, kam frikë se, po të përgjigjen pa dorashka, do të thonë: “Asnjëherë”. Qysh se kemi qenë në opozitë, mbase.

Dhe ndryshimi i kësaj përgjigjeje është domosdoshmëri jetike për ecurinë e mëtejshme, për mosndryshkjen dhe mosplakjen e Partisë Socialiste; një domosdoshmëri me të cilën ne që jemi këtu – drejtuesit politikë dhe drejtuesit e komisioneve parlamentare, grupi parlamentar, kabineti qeveritar, kryebashkiakët dhe i gjithë lidershipi i partisë në territore – duhet të jetojmë nga sot e tutje, me sensin e përparësisë së përditshme.

Në epokën e mungesave, “makineria” jonë elektorale ka fituar sepse ka mobilizuar mirënjohjen për gjithçka që është bërë. Në epokën e pritshmërive, kjo makineri duhet të bëjë një transformim jetik, sepse mirënjohja nuk është më një element kyç dhe përballja me një realitet të ri pritshmërish sapo ka filluar.

Kur flas për mirënjohjen, kam parasysh edhe dijen se janë bërë shumë gjëra dhe shpresën, e mbështetur te ajo vetëdije, se të tjera gjëra do të bëhen dhe, prandaj, ju e meritoni mbështetjen.

Ndërkohë që sot është krejt tjetër skena që po formësohet, për të gjithë ata faktorë që fola, dhe detyra jonë është jo ta mbrojmë “makinerinë” nga çfarë ka rreth dhe jashtë saj, por ta shpëtojmë “makinerinë” nga vetvetja.

Dhe pikërisht në këtë gjatësi vale kam shkruar dokumentin që e keni përpara si draft, tërësisht të hapur për shënimet e secilit prej jush.

Po me shumë pak fjalë, shumë më pak fjalë sesa dokumenti, dua t’ju jap vetëm frymën e tij, në mënyrë që të gjitha shënimet që mund të shtohen apo çfarë mund të hiqet, të mbajnë parasysh pikërisht frymën: respektin si gatishmëri për të dëgjuar; jo dëgjimin si pritje e radhës për të folur, por dëgjimin si puna e parë e partisë; dëgjimin si disiplinë e re e partisë; dëgjimin në çdo stinë: edhe kur nuk ka kamera, edhe kur nuk ka fushatë, edhe kur ka duartrokitje, edhe kur nuk ka rreth e rrotull simpatizantë.

Empatia si angazhim për të ndërvepruar.

Empatia nuk është dobësi sociale, është forcë që asnjë algoritëm nuk e prodhon dot. Njeriu që hap derën e hallit të vet të ka dhënë diçka shumë më të çmuar sesa vota; të ka dhënë besimin dhe, duke të dhënë diçka që është e tija, personale, të ka lënë në dorë edhe dinjitetin. Dhe halli i tij nuk është monedhë për kursin e këmbimit politik.

Solidariteti si ndihmë pa kusht.

Partia dëgjon dhe i shërben kujtdo pa e pyetur: me kë je, me kë ke qenë, çfarë ke bërë dikur, çfarë kahjeje politike të pëlqen; pa e pyetur për votën, madje pa e pyetur fare për politikë. Se halli nuk ka teserë dhe dera që hapet vetëm për “tanët, tanët, tanët”, është derë që hapet që një ditë të mbyllet për të gjithë ne. Kur them për të gjithë ne, them për Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Korrektesa si detyrim për të kthyer përgjigje.

Mospërgjigjja duhet të shpallet e ndaluar në Partinë Socialiste. Po ju rikujtoj shembullin, jam i bindur që ju keni plot të tjerë, e atij fermerit nga Lushnja: tre vjet për një përgjigje. Tre vjet.

Dhe njerëzit nuk kërkojnë nga ne që të themi medoemos “po”, se e dinë që ne nuk jemi zotërues të një çelësi magjik, por njerëzit kërkojnë: po, jo, kur? Sepse halli nuk bëhet më i vogël kur nuk zgjidhet, por bëhet poshtërues kur nuk përfillet.

Përkushtimi ndaj transformimit të “makinerisë” me forcën e shembullit individual.

Kjo kthesë nis nga ne që jemi në këtë sallë ose nuk nis fare. Nis nga grupi parlamentar ose nuk shkon më tutje. Nis patjetër nga qeveria ose nuk merr besueshmërinë për të vazhduar si një kthesë e gjithë Partisë Socialiste.

Kritika jonë e brendshme mikpritet dhe kultivohet si ushqimi i vetëdijes së skuadrës, së familjes politike, por ajo ka vetëm një rrugë të ndershme: brenda nesh flitet hapur, flitet me zë të lartë, flitet drejt e në sy, ndërsa përballë qytetarit, kur rasti e kërkon, ajo bëhet vetëm si vetëkritikë, në emër dhe në interes të skuadrës, jo si konstatim publik i një spektatori që shfrytëzon problemin për interesin e vet dhe ia lë skuadrës “kodoshin” në derë. Kjo nuk është prani besnike. Kjo është prani hileqare.

Vija e re ndarëse e kësaj faze të re, siç e thashë edhe herën e kaluar, nuk kalon mes atyre që dolën dhe atyre që s’dolën në protestë; kalon mes atyre që duan ta bëjnë Shqipërinë më të mirë dhe atyre që “duan shesh për të bërë përsheshet e tyre”. Në anën tonë të asaj vije duhet të ketë shumë më tepër hapësirë për njerëz të rinj, për forca të reja, për prurje energjish dhe vullnetesh të reja dhe është domosdoshmëri që i gjithë drejtimi politik i partisë të fokusohet te shkrirja e kufijve që janë shumë të dukshëm për njerëzit që janë në territor, por që bëhen të padukshëm kur ne shkojmë në territor: kufijtë mes nesh dhe atyre.

Ndërkohë që përpjekja e brendshme kundër hendekut me ata që, me demek, janë tanët – e them me demek, se ata mund të mos jenë tanët në kuptimin e partisë, por tanët janë të gjithë shqiptarët që duan të njëjtën gjë që duam ne dhe s’janë tanët shqiptarët që nuk e duan të njëjtën gjë që duam ne, në kuptimin e partisë gjithmonë, se për qeverinë të gjithë janë tanët, edhe ata – dhe ky hendek i “tanëve” me “ata” është shumë më tepër në kokën tonë sesa në realitetin e territoreve, ku njerëzit bashkëjetojnë me probleme, halle e nevoja shumë të ngjashme, shumë më të ngjashme sesa ngjyrat e partive dhe ku ndarja është shumë më e lidhur me territoret e influencës sesa me territoret politike.

Dua t’ju them dhe pastaj, më tutje, në këtë diskutim që s’mbyllet sot, natyrisht, mund ta shohim më në detaj, se një nga studimet më domethënëse të viteve të fundit në fushën e bindjes politike ka nxjerrë diçka që duket e pabesueshme, por që faktikisht është e provuar në mënyrë shkencore.

Një bisedë e vetme 10-minutëshe, ku tjetri dëgjohet pa u gjykuar përpara se të flasësh, ndryshon qëndrime më thellë dhe më shumë sesa kontakti i zakonshëm elektoral.

Dhe eksperimentet e bëra kanë nxjerrë këtë metodë – parafytyroni këtë metodë – më shumë se 10 herë më efektive sesa kontaktet dhe teknikat standarde dhe e kanë nxjerrë me një impakt 100-fish më të lartë sesa impakti i përpjekjes për t’i bindur njerëzit përmes publicitetit politik.

Prandaj, dëgjimi duhet të bëhet teknologjia më e avancuar e Partisë Socialiste.

Njerëzit që nuk votojnë për ne, që s’kanë votuar për ne, por që janë njerëz që i besojnë punës dhe besojnë te vetja dhe te zhvillimi i tyre përmes punës, janë njerëzit tanë.

Midis nesh dhe atyre mungon vetëm një gjë: komunikimi ynë i drejtpërdrejtë, nga i cili jo vetëm ne mund të mësojmë më shumë sesa në 10 mbledhje ku flasim me njëri-tjetrin, por mund të ndryshojmë edhe qëndrime të rrënjosura të tjetrit që kemi përballë.

Po e mbyll me thelbin e kësaj përpjekjeje.

Nëse “Besa” është fjala që qëndron në krye të dokumentit tonë strategjik, kjo lidhet me faktin që fjala jonë ndaj qytetarit kërkon të kontrollohet në gjithë procesin e trajtimit të saj dhe këtë gjë e bëjnë mekanizmat e metodës që do të duhet të vërë në zbatim qeveria.

“Prania Besnike” është diçka tjetër: është fjala jonë ndaj vetvetes, të cilën ne duhet ta bëjmë të kontrollueshme nga çdo qytetar që i beson pranisë sonë në territor.

Ata që kanë humbur armatat e fitoreve, të gjithë bashkë, kanë pasur, natyrisht, karakteristika të ndryshme, por kanë paguar një haraç të përbashkët: kanë fituar me vesh të hapur, kanë qeverisur me vesh të mbyllur.

Partia Socialiste duhet të hyjë te përjashtimet. Ky është misioni ynë lidhur me Partinë Socialiste. Mund të duket shumë e ekzagjeruar, por më besoni, është po aq e thjeshtë sa ç’duket e ekzagjeruar.

Nga lidershipi i sotëm i Partisë Socialiste – dhe ju e dini se unë e përsëris gjithmonë, me lidership nuk kuptoj veten; kuptoj të gjithë grupin drejtues të Partisë Socialiste, kuptoj grupin parlamentar dhe kuptoj qeverinë, së bashku me drejtimin, kuptohet, të vetë partisë – varet jo thjesht nëse do të fitojë Partia Socialiste më tutje, por varet nëse Partia Socialiste do të bëhet përjashtim apo do të përjashtohet nga historia e mëtejshme e këtij vendi.

Kjo është pak, por besoni që kjo është e sigurt. Nëse Partia Socialiste do të bëhet përjashtim, ose, më saktë, nuk do të jetë përjashtimi i vetëm, se ka edhe përjashtime të tjera, por do të hyjë te përjashtimet, atëherë Partia Socialiste do të jetë jo vetëm në skenë, por në qendër të skenës, edhe pasi të paktën disa prej nesh këtu të mos jenë më në këtë detyrë.

Nëse jo, atëherë nuk do të ketë skenë për Partinë Socialiste. Ka një sërë forcash historike, që nuk i solla këtu në atë rrëfimin tim, të cilat kanë pasur karakteristika të ngjashme dhe që sot nuk ekzistojnë.

Faleminderit!

Kjo ishte hyrja që m’u duk e udhës ta ndaj jo vetëm me ju, por edhe me ata që na ndjekin, duke pasur parasysh, në radhë të parë, socialistët.

Dhe mund të vazhdojmë më tutje me një diskutim shumë paraprak, duke pasur parasysh që të dy dokumentet do të duhet t’i nënshtrohen një diskutimi më të gjerë, duke marrë kontribute konkrete nga të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë ose kanë vullnetin për të kontribuar.

 

/k.s/

 

 

 

The post Rama: Kjo nuk është beteja e PS për të mbetur në pushtet, por e Shqipërisë për të zënë vendin në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – UEFA kërcënon me bojkot të Kupës së Botës për planin e FIFA-s

30 July 2026 at 19:29

PARIS, 30 korrik /ATSH-AFP/ – UEFA ka paralajmëruar se do të bojkotojë Kupën e Botës nëse FIFA vazhdon me planin për të lejuar investitorë privatë të blejnë pjesë në kompaninë që do të menaxhojë aktivitetet e saj më të mëdha, si “Kupa e Botës” dhe “Kupa e Botës për Klube”.

Në një deklaratë të ashpër, qeveria evropiane e futbollit theksoi se asnjë kombëtare anëtare e UEFA-s nuk do të marrë pjesë në garat e FIFA-s për sa kohë ky propozim mbetet në fuqi.

“Kupa e Botës nuk mund të trajtohet si një produkt investimi. Ajo nuk është në shitje dhe asnjë pjesë e saj nuk duhet t’u dorëzohet investitorëve privatë”, deklaroi UEFA.

FIFA njoftoi të martën krijimin e një filiali komercial, FIFA Forward Enterprise (FFE), ku investitorët privatë do të mund të blejnë aksione si aksionere pakice.

Organizata synon të mbledhë deri në 4,2 miliardë dollarë, mbi bazën e një vlerësimi prej 20 miliardë dollarësh.

Nëse plani miratohet, secila prej 211 federatave anëtare të FIFA-s do të përfitonte një pagesë të vetme prej 20 milionë dollarësh në fillim të vitit 2027, ndërsa fondet për ciklin 2027–2030 do të rriteshin nga 8 milionë në 20 milionë dollarë.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e ka cilësuar nismën si një “mundësi të artë” për të përshpejtuar zhvillimin e futbollit në mbarë botën.

Megjithatë, propozimi ka hasur në kundërshtime të forta jo vetëm nga UEFA, por edhe nga disa federata evropiane, zyrtarë të Bashkimit Evropian, si dhe konfederatat CONCACAF, AFC dhe CAF, të cilat kanë shprehur shqetësime për komercializimin e sportit, konfliktet e mundshme të interesit dhe mungesën e konsultimeve me federatat anëtare.

UEFA e cilësoi mënyrën se si është paraqitur projekti si “një dështim i thellë i lidershipit” dhe deklaroi se do ta kundërshtojë me vendosmëri çdo përpjekje për ta kthyer Kupën e Botës në një aset tregtar. /Ad.Ab./  a.jor.

The post KOMENT – UEFA kërcënon me bojkot të Kupës së Botës për planin e FIFA-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi i LDK-së, Abdixhiku e cilëson të gabuar nismën për shkarkimin e tij

PRISHTINË, 30 korrik/ATSH/ Lidhja Demokratike e Kosovës po mban sot kuvendin e jashtëzakonshëm, ku delegatët do të vendosin nëse Lumir Abdixhiku do të qëndrojë në udhëheqje të partisë ose jo.

Në fjalën hyrëse në këtë kuvend, Abdixhiku e cilësoi “të gabuar, të pavend dhe të pakohë” nismën për shkarkimin e tij.

“E konsideroj të gabuar, vjen në mënyrë të njënashme, në një kohë të ndjeshme për vendin dhe kohë përcaktuese për partinë tonë”, tha ai.

Sipas tij, nga ky kuvend që për qëllim rrëzimin e kreut partiak, LDK-ja nuk del më e fortë, më e organizuar e as më e bashkuar.

Ai argumentoi se brenda pak muajsh ishte paraparë që të mbahej procesi i rregullt zgjedhor në parti, duke thënë se nuk do të kishte nevojë për rrëzim, por për zgjedhjen e udhëheqjes së re.

Abdixhiku tha se ky kuvend po mbahet në periudhën kur Kosova po përballet me një prej krizave më të mëdha institucionale në dekadat e fundit, dhe sipas tij, “zgjedhjet e reja që na rrinë mbi qafë sërish”.

Ai kujtoi se më 31 janar kishte fituar votëbesimin e partisë për të vazhduar udhëheqjen, ndonëse theksoi se kuvendi në atë kohë ishte thirrur pasi partia kishte shënuar rezultat më të keq në zgjedhjet e shkurtit, sesa shënoi në qershor.

“Me cilën logjikë vazhdohet me rezultat më të keq, e rrëzohet me rezultat më të mirë”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, përgjegjësinë për punën i jep aktivistëve që u angazhuan gjatë fushatës zgjedhore dhe që e mbrojtën partinë, e jo atyre, që sipas Abdixhikut, refuzuan të merrnin pjesë në organet e partisë e në betejat politike.

Abdixhiku tha se së voni delegatët janë përballur me presione dhe kërcënime për nënshkrimet për nismën kundër tij, duke argumentuar se kjo nuk është mendësia rugoviane.

“Unë sot e vendosi fatin tim në duart tuaj, edhe një herë. Ju, ju lutem, vendoseni fatin e Kosovës dhe LDK-së, mbi fatin tim”, tha Abdixhiku, duke shtuar se do të pranojë rezultatin e këtij kuvendi.

Pas fjalës së Abdixhikut, punimet vazhduan pas dyerve të mbyllura. Pritet që delegatët të disktuojnë për nismën për shkarkimin e Abdixhikut dhe në fund të votojnë për të.

Pse u thirr kuvendi i jashtëzakonshëm?

Abdixhiku e thirri këtë kuvend të jashtëzakonshëm më 27 korrik, pasi qindra delegatë dorëzuan nismën për shkarkimin e tij, pas pakënaqësive me rezultatin e zgjedhjeve të qershorit, ku LDK-ja doli fuqia e tretë politike me 18 deputetë, në Kuvendin me 120 mandate.

Kuvendin e LDK-së e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve, plus kryetari aktual i partisë, që me automatizëm është delegat i Kuvendit të Përgjithshëm të LDK-së.

Para nisjes së Kuvendit, Armend Zemaj, që dorëzoi nënshkrimet për nismën për shkarkim, tha se pret që partia të vendosë për largimin e Abdixhikut nga kreu i partisë.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati, tha për mediat se pret që punimet të zhvillohen në mënyrë demokratike.

Ai argumentoi se votimi i fshehtë është ushtrimi më i mirë i të drejtës demokratike.

Nisma për shkarkimin e Abdixhikut nga kreu i LDK-së vjen pas përplasjeve brenda LDK-së dhe pakënaqësive me udhëheqjen e Abdixhikut.

Këto zhvillime në partinë më të vjetër në Kosovë po ashtu kanë pasur ndikim edhe në bisedimet për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Pas dorëzimit të nënshkrimeve për nismën për shkarkimin e tij, Abdixhiku njoftoi për pezullimin e bisedimeve me udhëheqësin e partisë fituese, Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja.

Ai tha se nuk mund të vazhdojë negociatat në emër të LDK-së “ndërkohë që mandati im për të udhëhequr dhe përfaqësuar atë është vënë në diskutim brenda shtëpisë sime”.

“Ndjej keqardhje që sot jam i detyruar ta kthejmë vëmendjen sërish nga vetja tek një proces që mund të na dëmtojë pariparueshëm nga brenda dhe ta lërë Kosovën pa institucione dhe potencialisht përballë zgjedhjeve të reja në vjeshtë”, tha Abdixhiku më 15 korrik përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale.

Abdixhiku, së bashku me ish-presidenten Vjosa Osmani, ishin takuar me Kurtin më 10 korrik, për çështjen e krijimit të institucioneve të reja. Ndonëse takimi nuk prodhoi ndonjë rezultat, Kurti dhe Abdixhiku pas takimit shprehën gatishmëri për vazhdimin e bisedimeve për një marrëveshje.

Seanca për konstituimin e legjislaturës së re është caktuar për 6 gusht dhe me konstituimin e organit ligjvënës nis edhe rrjedhja e afatit 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Pikërisht, mosarritja e konsensusit mes partive për presidentin muaj më parë nxiti zgjedhjet e qershorit.

Nëse Abdixhiku fiton votëbesimin në kuvendin e jashtëzakonshëm, atëherë ai do të vazhdojë të udhëheqë partinë. Nëse e humb, atëherë LDK-ja do të duhet të zgjedhë një udhëheqës të ri.

Por, sipas statutit të LDK-së, nëse kryetari i tanishëm shkarkohet, atëherë duhet të thirret një kuvend i ri brenda 60 ditësh, ku do të zgjidhej kryetari i ri.

Sipas statutit partiak, LDK-ja, në rast se e shkarkon Abdixhikun, do të duhej të thërriste një kuvend të ri brenda 60 ditësh për të zgjedhur kryetarin e ri.

Si erdhi situata deri këtu?

Pasi LDK-ja, që garoi me ish-presidenten Osmani si bartëse të listës zgjedhore, doli e treta në zgjedhjet e qershorit, brenda partisë filluan pakënaqësitë.

Në fund të muajit qershor, dy kryetarë komunash dhe disa drejtues degësh, publikisht kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut, duke thënë se ai duhet të marrë përgjegjësinë për rezultatin zgjedhor dhe për mungesën e një rritjeje të ndjeshme në vota.

Abdixhiku u kundërpërgjigj, duke u bërë thirrje kritikëve që të jepnin dorëheqje.

Kjo s’është hera e parë që Abdixhiku përballet me thirrje për dorëheqje. Në janar, pas zgjedhjeve të mbajtura në fund të dhjetorit të vitit paraprak, ai vetë kërkoi votëbesimin e partisë dhe në kuvend mori mbështetjen e delegatëve.

Megjithatë, disa figura partiake që kërkuan dorëheqjen e tij, që nuk u pajtuan me votëbesimin dhanë dorëheqje nga pozitat partiake – në mesin e tyre edhe Hykmete Bajrami, që u dorëhoq nga posti i nënkryetares së partisë.

LDK është formuar më 1989 nga Ibrahim Rugova. Partia ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit. /REL/

The post Kuvendi i LDK-së, Abdixhiku e cilëson të gabuar nismën për shkarkimin e tij appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Makineria elektorale e PS duhet të transformohet për realitetin e ri të pritshmërive

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot tek transformimi i makinerisë elektorale të Partisë Socialiste, ndërsa vuri në dukje se del për detyrë të shpëtohet kjo makineri nga vetvetja.

Duke folur në takimin me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe kryetarët e komisioneve parlamentare, ku prezantoi një tjetër dokument “Prania Besnike”, aneksi i dokumentit “Besa” të prezantuar më herët, Rama parashtroi momentin që po kalon vendi me protestat.

“Sot, kur bulevardi i flamingove na ka futur zyrtarisht pikërisht në fazën e re të pritshmërive të rritura dhe kur në jetën sociale dhe politike një faktor i ri me një fuqi gjithnjë dhe më shtypëse për të vërtetën, algoritmi është futur duke e spostuar dita-ditës burimin e informimit të qytetarëve në pasqyrat e celularëve, ku një botë e re risish dhe djallëzish thith babëzisht vëmendjen e njeriut”, theksoi ai.

“Ka ardhur koha që ne t’i bëjmë vetes shumë pyetje, duke e nisur nga një pyetje mbi makinerinë tonë elektorale, mund t’ia drejtojmë atë pyetje kryetarit të organizatës më të mirë socialiste në çdo bashki të vendit, ai apo ajo, se kemi bashkëkryetarë normalisht, dinë të na thonë sa vota socialiste kanë në qendrën e tyre të votimit apo në një pallat, apo në fshat. Por, po të provojmë të pyesim: Sa herë i keni dëgjuar ju me vesh të hapur të gjithë ata që i numëroni symbyllur? Kam frikë se po të përgjigjen pa dorashka do thonë: asnjëherë”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama theksoi se “qysh se kemi qenë në opozitë mbase dhe ndryshimi i kësaj përgjigjeje është domosdoshmëri jetike për ecurinë e mëtejshme për mosndryshkjen dhe mosplakjen e Partisë Socialiste”.

“Një domosdoshmëri me të cilën ne që jemi këtu, drejtuesit politikë dhe drejtuesit e komisioneve parlamentare, grupi parlamentar, kabineti qeveritar, kryebashkiakët dhe i gjithë lidershipi i partisë në territore duhet të jetojë nga sot e tutje me sensin e përparësisë së përditshme. Në epokën e mungesave, makineria jonë elektorale ka fituar sepse ka mobilizuar mirënjohjen për gjithçka që është bërë në epokën e pritshmërive”, tha Rama.

Kjo makineri, shtoi Rama, duhet të bëjë një transformim jetik, sepse mirënjohja nuk është më një element kyç dhe përballja me një realitet të ri pritshmërisht sapo ka filluar.

“Kur flas për mirënjohje kam parasysh dhe dijen që janë bërë shumë gjëra dhe shpresën e mbështetur tek ajo vetëdije që të tjera gjëra do bëhen. Prandaj, ju e meritoni mbështetjen. Ndërkohë që sot është krejt tjetër skena që po formësohet për të gjithë ata faktorë që fola dhe detyra jonë është jo ta mbrojmë makinerinë nga çfarë ka rreth dhe jashtë saj, por ta shpëtojmë makinerinë nga vetvetja”, tha Rama.

/k.s/j.p/r.e/

The post Rama: Makineria elektorale e PS duhet të transformohet për realitetin e ri të pritshmërive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në Shkozet, bllokohet qarkullimi në unazën e Durrësit dhe aksi drejt Kavajës

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Zjarri në një magazinë në Shkozet ka sjellë trafik të rënduar dhe bllokim të disa segmenteve në Durrës.

Policia njoftoi pasditen e sotme se për shkak të zjarrit të rënë në zonën e Shkozetit, është bllokuar qarkullimi i automjeteve në unazën e qytetit, në mbikalimin e Shkozetit, në segmentin rrugor “Martin Camaj”, në drejtim të Plepave, si dhe në segmentin rrugor Kavajë-Durrës.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, deri në normalizimin e situatës.

Në njoftim thuhet se shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe strukturat e tjera përgjegjëse, ndodhen në terren dhe po punojnë për menaxhimin e situatës, shuarjen e zjarrit, garantimin e sigurisë dhe rikthimin e qarkullimit sa më shpejt të jetë e mundur.

/r.e/

The post Zjarri në Shkozet, bllokohet qarkullimi në unazën e Durrësit dhe aksi drejt Kavajës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OSHEE: U stakua rrjeti 110 kV nga zjarri në Shkozet, po punohet për normalizimin e furnizimit me energji

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Zjarri në një magazinë në Shkozet ka bërë që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) të stakojë linjën e furnizimit me energji elektrike 110 kV e si rrjedhojë raportohet për kufizime në furnizim në Durrës dhe zonat përreth.

OSHEE njoftoi se për shkak të një avarie në 2 linjat paralele të OST Rrashbull – Shkozet, sot rreth orës 15:40, disa nënstacione pranë këtyre zonave, përfshi edhe atë të qytetit të Durrësit, mbetën pa energji elektrike.

Sipas OSHEE, është raportuar për vatër zjarri pranë linjës 110 kV në Shkozet, që ka penguar funksionimin e plotë të rrjetit të OST, nga ku është konstatuar këputje e përcjellësit.

Zjarrëfikëset janë në terren dhe me kërkesë të tyre linja vijon të jetë e stakuar si rrjedhojë e masës së sigurisë.

Sipas njoftimit, nga ana e OST janë marrë masat e menjëhershme për furnizimin e disa zonave përmes linjave alternative (unazë). Në Durrës energjia është rikthyer pjesërisht dhe po punohet për normalizimin e situatës.

/r.e/

The post OSHEE: U stakua rrjeti 110 kV nga zjarri në Shkozet, po punohet për normalizimin e furnizimit me energji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari në mjediset e reja të policisë në Berat: Hapësirë dinjitoze për efektivët dhe shërbimin ndaj qytetarëve

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, inspektoi ambientet e reja të Drejtorisë Vendore të Policisë dhe Komisariatit të Policisë Berat, një investim i qeverisë shqiptare me vlerë 253 milionë lekë, i projektuar sipas standardeve më të mira bashkëkohore.

Ministri Lamallari theksoi se investimi nuk përfaqëson vetëm përmirësimin e infrastrukturës, por mbi të gjitha rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe kushteve të punës për efektivët e Policisë së Shtetit.

“Janë ambiente absolutisht bashkëkohore, një investim i qeverisë shqiptare që ofron komoditet dhe dinjitet për punonjësit e Policisë së Shtetit. Por theksi ynë mbetet tek bashkëpunimi me qytetarët dhe trajtimi i tyre me etikë, mirësjellje dhe respekt në çdo shërbim që marrin,” u shpreh ministri Lamallari.

Ai nënvizoi se ambientet e reja të pritjes, shoqërimit dhe intervistimit të të miturve janë ndërtuar në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke marrë në konsideratë edhe rekomandimet e Avokatit të Popullit.

“Ky është një investim me impakt të madh social. Në fund të ditës, gjithçka bëhet për t’u garantuar qytetarëve një trajtim sa më dinjitoz dhe një shërbim sa më cilësor. Synimi ynë është të forcojmë besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit, sepse siguria ndërtohet përmes bashkëpunimit,” deklaroi Lamallari.

Ministri vlerësoi situatën e sigurisë në qarkun e Beratit, duke theksuar se është një ndër zonat që spikat për rendin dhe qetësinë publike, ndërsa nënvizoi se siguria mbetet një faktor kyç për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë.

“Turizmi zhvillohet kur kemi më shumë siguri, më shumë bashkëpunim dhe më shumë besim të qytetarëve te Policia e Shtetit. Kjo është prioriteti ynë,” tha ai.

Lamallari bëri të ditur gjithashtu se gjatë takimit u diskutuan edhe masat për sezonin turistik, përfshirë zbatimin e ndryshimeve në udhëzimin e përbashkët për zhurmat, me qëllim garantimin e një mjedisi më të qetë për qytetarët dhe vizitorët.

I pyetur nga gazetarët mbi lajmet e publikuara në disa portale, sipas të cilave ai kishte dhënë dorëheqjen, ministri Lamallari i hodhi poshtë këto pretendime.

“Unë nuk merrem me portalet, unë merrem vetëm me punë konkrete. Ky takim ku jemi sot është pjesë e punës së qeverisë shqiptare, ku edhe unë bëj pjesë”, u përgjigj ministri.
Ai shtoi se qeveria ka përmbyllur një cikël të rëndësishëm investimesh në infrastrukturën e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin.

“Jam shumë i lumtur që kemi përfunduar ciklin e investimeve në drejtoritë vendore dhe komisariatet e Policisë së Shtetit. Kjo është e vetmja qeveri që i ka kushtuar një vëmendje të veçantë Policisë së Shtetit, jo vetëm përmes investimeve në infrastrukturë dhe teknologji, por edhe në trajtimin më të mirë të efektivëve,” deklaroi Lamallari.

1 nga 5

The post Lamallari në mjediset e reja të policisë në Berat: Hapësirë dinjitoze për efektivët dhe shërbimin ndaj qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Rusia fut themeluesin e “Telegramit” në listën e terroristëve

30 July 2026 at 18:49

MOSKË, 30 korrik /ATSH-DPA/ – Autoriteti rus për mbikëqyrjen financiare, “Rosfinmonitoring”, e ka shtuar themeluesin e aplikacionit “Telegram”, Pavel Durov, në listën zyrtare të personave të shpallur terroristë dhe ekstremistë.

Emri i sipërmarrësit rus tashmë figuron në regjistrin zyrtar së bashku me persona të tjerë të akuzuar.

“Rosfinmonitoring” është kritikuar prej kohësh se ndihmon Kremlinin në goditjen e kundërshtarëve politikë dhe disidentëve.

Një ditë më parë, Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) akuzoi Durovin për ndihmë dhe mbështetje të terrorizmit dhe njoftoi se do të lëshonte një urdhër arresti ndaj tij.

Sipas FSB-së, shërbimet sekrete ukrainase kanë përdorur “Telegramin” për të kontaktuar qytetarë rusë, të cilët më pas dyshohet se kanë kryer akte sabotimi, sulme dhe vepra të tjera penale.

Autoritetet ruse thonë se disa të dyshuar janë arrestuar dhe dëshmitë e tyre mbështesin këto pretendime.

Telegram mbetet një nga platformat më të përdorura në Rusi dhe shërben si burim informacioni si për mediat shtetërore, ashtu edhe për kundërshtarët e Kremlinit.

Aplikacioni nuk është i ndaluar në Rusi, por sipas autoriteteve mund të përdoret vetëm përmes një lidhjeje të koduar në internet ose me një rrjet privat virtual (VPN).

Autoritetet ruse i kanë kërkuar vazhdimisht Durovit të heqë përmbajtje që i cilësojnë si “ekstremiste” ose “terroriste”.

Durov, i cili jeton në Dubai dhe ka edhe shtetësi franceze, nuk ka reaguar ende ndaj akuzave të reja.

Në shkurt, kur hetimet u bënë publike për herë të parë, ai deklaroi se autoritetet ruse “çdo ditë sajojnë justifikime të reja për të kufizuar aksesin e rusëve në’ Telegram'”, duke i akuzuar se synojnë të kufizojnë të drejtën për privatësi./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post MOSKË – Rusia fut themeluesin e “Telegramit” në listën e terroristëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UEFA kundërshton propozimin e FIFA-s për përfshirjen e investitorëve privatë në pronësinë e kompeticioneve të saj

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ UEFA dhe 55 federatat e saj anëtare kanë publikuar një deklaratë të përbashkët, ku shprehin kundërshtimin e tyre të plotë ndaj propozimit të FIFA-s për transferimin e interesave të pronësisë mbi Kupën e Botës dhe kompeticione të tjera të FIFA-s tek investitorë privatë.

Në deklaratë, UEFA thekson se Kupa e Botës përfaqëson një nga trashëgimitë më të rëndësishme të futbollit botëror dhe se e ardhmja e saj nuk mund të vihet në shërbim të interesave financiare.

Deklarata e plotë të UEFA-s dhe 55 federatave të saj anëtare

Deklaratë në emër të UEFA-s dhe 55 federatave të saj kombëtare

UEFA dhe federatat e saj kombëtare nuk do të marrin pjesë në kompeticionet e FIFA-s.

UEFA dhe 55 federatat e saj anëtare qëndrojnë të bashkuara. Ne e refuzojmë njëzëri dhe pa asnjë ekuivok propozimin e FIFA-s për të transferuar interesa pronësie mbi Kupën e Botës dhe kompeticione të tjera të FIFA-s tek investitorët privatë.

Kupa e Botës nuk mund të trajtohet si një produkt investimi. Ajo është një nga trashëgimitë më të mëdha sportive të futbollit. Është ndërtuar ndër breza nga futbollistët, ekipet kombëtare dhe tifozët në çdo kontinent. Asnjë pjesë e saj nuk duhet t’u dorëzohet investitorëve privatë. Kupa e Botës nuk është në shitje.

Është e papërgjegjshme dhe e pajustifikueshme që një propozim me një rëndësi kaq të madhe për futbollin të jetë hartuar në fshehtësi dhe të jetë sjellë pranë miratimit pa asnjë konsultim domethënës me ata që kanë përgjegjësinë për të administruar dhe zhvilluar lojën. Kjo nuk përbën vetëm një dështim të thellë të lidershipit, por edhe një shmangie të FIFA-s nga detyrimi i saj si kujdestarja e futbollit botëror.

Federatat kombëtare në mbarë botën po përballen tashmë me një ultimatum: ose të pranojnë kalimin e pakthyeshëm të kompeticioneve më të rëndësishme të futbollit nën kontrollin e interesave private, ose të përballen me pasojat. Ky nuk është një “vendim demokratik”, por një model qeverisjeje përmes intimidimit – një akt presioni që nuk i shkon për shtat një institucioni të ngarkuar me përgjegjësinë për administrimin e futbollit botëror.

Megjithatë, kundërshtimi ynë shkon shumë përtej mënyrës se si është ndjekur procesi.

Në momentin që investitorët e jashtëm fitojnë interesa pronësie në kompeticionet e FIFA-s, futbolli ndryshon përgjithmonë. Kthimi financiar i investimit bëhet një detyrim i përhershëm. Pritshmëritë e investitorëve shndërrohen në një presion të përditshëm. Që nga ai moment, çdo vendim për kalendarin ndërkombëtar, çdo vendim për formatin e kompeticioneve dhe çdo vendim që përcakton të ardhmen e futbollit nuk do të udhëhiqet më nga ajo që i shërben më mirë lojës, por nga ajo që i shërben më mirë aksionarëve.

Ky model nuk ka vend në futbollin botëror. E ardhmja e futbollit nuk mund të diktohet nga pritshmëritë e atyre, detyra kryesore e të cilëve është të maksimizojnë fitimin financiar. Po ashtu, interesat e federatave kombëtare, ligave, klubeve, futbollistëve dhe tifozëve nuk mund të vendosen në plan të dytë përballë kthimit financiar të investitorëve. Futbolli nuk mund të hipotekojë të ardhmen e tij për përfitime ekonomike.

Qëndrimi i Evropës është i qartë. Ne nuk do t’i japim kurrë legjitimitetin tonë këtij modeli. Askush nuk ka autoritetin moral të shesë diçka që vetëm e mban në besim për brezin e ardhshëm.

Si rezultat i diskutimeve të sotme, asnjë përfaqësuese kombëtare e federatave anëtare të UEFA-s nuk do të marrë pjesë në asnjë kompeticion të FIFA-s për sa kohë që këto propozime mbeten në fuqi, përveç rastit kur ky propozim të jetë tërhequr plotësisht dhe të jenë dhënë garanci detyruese se FIFA nuk do ta hapë më kurrë qeverisjen apo kompeticionet e saj ndaj pronësisë private.

Askush nuk duhet të ketë asnjë dyshim: UEFA dhe federatat e saj kombëtare do t’i kundërshtojnë këto plane me vendosmëri absolute.

Ka momente kur institucionet gjykohen jo nga ajo që janë të gatshme të pranojnë, por nga ajo për të cilën refuzojnë të bëjnë kompromis. Ky është një prej atyre momenteve.

Ka gjëra që janë thjesht tepër të rëndësishme për t’u shitur. Kupa e Botës e FIFA-s i përket futbollit. Gjithmonë i ka përkitur futbollit. Dhe për sa kohë Evropa do të ketë një zë, ajo nuk do të jetë kurrë në shitje.

The post UEFA kundërshton propozimin e FIFA-s për përfshirjen e investitorëve privatë në pronësinë e kompeticioneve të saj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Misioni ynë të mos humbim orën vendimtare të Shqipërisë për anëtarësim në BE

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se misioni i qeverisë dhe i Partisë Socialiste do të vazhdojë deri në përmbylljen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së zhvilluar me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe kryetarët e komisioneve parlamentare ku prezantoi dokumentin “Prania Besnike”, aneks i “‘Besës”, Rama tha se “misioni ynë do vazhdojë deri kur të mbarojë me vendosjen e flamurit të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit në oborrin e Europës së Bashkuar”.

“Unë jua kam thënë midis nesh dhe herë të tjera, mua nuk më intereson fare roli i kryeministrit si kohëqëndrim në pushtet. Më intereson vetëm për veprat që mbeten dhe për të mos e humbur në asnjë mënyrë orën vendimtare të Shqipërisë, përmbyllja e anëtarësimit në familjen e Europës së Bashkuar”, vuri në dukje Kryeministri.

Kreu i qeverisë u shpreh se “nëse nuk do të ishte urgjenca e përditshme e detyrave të panumërta të anëtarësimit, të cilat nuk presin as ditën, jo më javën, kaq e ngjeshur është agjenda e negociatave dhe kalendari i detyrave që ne duhet plotësojmë si dhe nëse dera e hapur për herë të parë e Bashkimit Europian për Shqipërinë, jo vetëm me fjalë si gjithmonë më parë, por konkretisht nuk do të ishte kaq afër, me shumë gjasë do isha tërhequr me shumë mirënjohje të madhe në katundin tim të vogël pas 12 vjetëve të jetuara me mish dhe me shpirt në krye të detyrës më të lartë që vendi i jep një biri të tij dhe pas gjithë këtyre viteve në krye të Partisë Socialiste”.

“Sepse Shqipëria pas atyre 12 vjetëve të Partisë Socialiste në drejtim me punët e panumërta transformuese dhe përtej gjithë gabimeve dhe të metave u bë një Shqipëri aq tjetër nga ajo që morëm në kurriz kur e gjetëm në buzën e greminës së vitit 2013 saqë pa këtë orën e historisë në dyert e Europës mund të quhej me kokën lartë mision i përmbushur”, tha Rama.

/k.s/j.p/

The post Rama: Misioni ynë të mos humbim orën vendimtare të Shqipërisë për anëtarësim në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tabaku: Të ketë transparencë mbi raportimet për konsullatë serbe në Shkodër

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi sot lidhur me raportimet në media se qeveria shqiptare po i hap rrugë krijimit të një konsullate të Serbisë në Shkodër, duke kërkuar transparencë mbi bazën ligjore dhe interesin shtetëror të këtij vendimi.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku ngriti pyetjen nëse ka reciprocitet mes 54 serbëve dhe 61.000 shqiptarëve.

“Sipas raportimeve të medieve, Qeveria shqiptare po i hap rrugë krijimit të një konsullate serbe në Shkodër. Arsyet e këtij veprimi mbeten të paqarta, por nga sa është bërë publike, duket se qeveria socialiste ka pranuar një konsullatë serbe në Shkodër në këmbim të gatishmërisë së Beogradit për të lejuar një konsullatë shqiptare në Bujanoc”, tha Tabaku.

“Por këtu “dardha e ka bishtin prapa”, sepse shifrat tregojnë se nuk mund të flitet për reciprocitet demografik. Censi i vitit 2023 regjistron në qarkun e Shkodrës vetëm 54 banorë të deklaruar me përkatësi etnike serbe, ndërsa në të gjithë Shqipërinë janë 584. Ndërkohë, regjistrimi zyrtar i vitit 2022 në Serbi numëron 61 687 shqiptarë, të përqendruar kryesisht në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Pra, kemi një komunitet mbi 105 herë më të madh se numri i përgjithshëm i serbëve në Shqipëri dhe mbi 1140 herë më të madh se komuniteti serb në qarkun e Shkodrës”, nënvizoi Tabaku.

Prandaj, shtoi Tabaku, nuk mund të vendoset shenjë barazimi ndërmjet gatishmërisë së Serbisë për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës shqiptare për një konsullatë në Bujanoc dhe hapjes së një konsullate serbe në Shkodër. Gatishmëria nuk është konsullatë e hapur dhe funksionale.

“Për më tepër, qeveria shqiptare nuk ka bërë publik ndonjë vlerësim që të dokumentojë një nevojë konkrete për shërbime të reja konsullore serbe në Shkodër. Përkundrazi, shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të ngrenë shqetësime për pasivizimin e adresave, përfaqësimin e pamjaftueshëm në institucionet shtetërore dhe përdorimin e gjuhës shqipe. Reciprociteti nuk shpallet me deklarata. Ai provohet me të drejta të barabarta dhe masa konkrete”, nënvizoi Tabaku.

Tabaku bëri të ditur se “Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme duhet të bëjë publik vendimin, bazën ligjore, llojin e konsullatës, kandidaturën për konsull dhe interesin konkret shtetëror që justifikon hapjen e saj në Shkodër”.

“Diplomacia shqiptare nuk është oborri personal i Kryeministrit. Ajo duhet t’i shërbejë interesit kombëtar dhe qytetarëve shqiptarë”, tha Tabaku.

/k.s/r.e/

The post Tabaku: Të ketë transparencë mbi raportimet për konsullatë serbe në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌