Normal view

Received — 9 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026: Gara për “Këpucën e Artë”: Kush do të shpallet golashënuesi më i mirë?

TIRANË, 9 korrik /ATSH/- Gara për “Këpucën e Artë”, çmimin që i jepet futbollistit që shënon më shumë gola në Kupën e Botës, është një nga më të fortat në historinë e turneut, shkruan BBC.

Katër nga sulmuesit më të mirë në botë janë ende në garë dhe diferencat mes tyre janë shumë të vogla.

Aktualisht renditja është:

  • Lionel Messi (Argjentinë) – 8 gola
  • Kylian Mbappé (Francë) – 7 gola
  • Erling Haaland (Norvegji) – 7 gola
  • Harry Kane (Angli) – 6 gola

Sipas statistikave, është hera e parë në historinë e Kupës së Botës që ka një konkurrencë kaq të fortë mes katër futbollistëve me kaq shumë gola në të njëjtin turne.

Si caktohet fituesi?

Fitues shpallet lojtari që shënon më shumë gola. Nëse dy ose më shumë futbollistë kanë të njëjtin numër golash, merret parasysh:

  • numri i asistimeve (pasimet që çojnë në gol);
  • nëse edhe aty ka barazim, fitues bëhet ai që i ka arritur këto statistika duke luajtur më pak minuta.

Messi kryeson

Messi udhëheq garën me tetë gola dhe është bërë vetëm lojtari i nëntë, në historinë e Botërorit, që arrin këtë shifër në një edicion të vetëm.

Mbappé synon të shkruajë histori

Mbappé ka shënuar shtatë gola dhe ka dhënë dy asistime.

Nëse arrin të shënojë edhe një gol, ai do të bëhej futbollisti i parë, që realizon tetë ose më shumë gola në dy Kupa Bote të ndryshme, pasi këtë e bëri edhe në Katar 2022.

Haaland, më efikasi

Në Botërorin e tij të parë, Haaland ka shënuar shtatë gola dhe ka qenë sulmuesi më efikas nga katër pretendentët, duke shfrytëzuar një pjesë shumë të madhe të rasteve, që i janë krijuar.

Kane mbetet në garë

Harry Kane ka realizuar gjashtë gola dhe një asistim.

Ai fitoi “Këpucën e Artë” në Botërorin e vitit 2018 me po aq gola dhe tani synon ta fitojë sërish këtë çmim.

Me çerekfinalet dhe fazat e fundit ende për t’u luajtur, gara mbetet plotësisht e hapur.

Çdo gol në ndeshjet e mbetura, mund të ndryshojë renditjen dhe të përcaktojë fituesin e “Këpucës së Artë”, një nga çmimet më prestigjioze individuale në futboll. //a.i:

The post BOTËRORI 2026: Gara për “Këpucën e Artë”: Kush do të shpallet golashënuesi më i mirë? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Turneu që po thyen çdo rekord: A është kjo Kupa e Botës më spektakolare në histori?

TIRANË, 9 korrik /ATSH/- Kupa e Botës 2026 ka ofruar deri tani gjithçka që tifozët presin nga futbolli: gola spektakolarë, përmbysje rezultatesh, fitore në minutat e fundit dhe surpriza të mëdha, shkruan BBC.

Me nisjen e çerekfinaleve, kanë mbetur edhe tetë ndeshje për t’u zhvilluar.

Ky është Botërori më i madh i organizuar ndonjëherë, pasi për herë të parë marrin pjesë 48 kombëtare dhe ndeshjet zhvillohen në SHBA, Kanada dhe Meksikë. 

Sipas statistikave, ai është gjithashtu një nga turnetë më spektakolarë në historinë e Kupës së Botës.

Deri tani janë zhvilluar 96 nga 104 ndeshje, ku janë shënuar 280 gola, mesatarisht 2,92 gola për ndeshje. 

Kjo është mesatarja më e lartë që nga Botërori i vitit 1970 në Meksikë. 

Pjesa më e madhe e golave janë shënuar gjatë lojës normale, ndërsa vetëm 5% kanë ardhur nga penalltitë, përqindja më e ulët e regjistruar ndonjëherë.

Turneu është karakterizuar edhe nga shumë emocione në fund të ndeshjeve. 

Në tetë sfida të fazës me eliminim direkt, goli i fitores është shënuar pas minutës së 85-të, ndërsa janë zhvilluar edhe disa ndeshje që janë vendosur në kohën shtesë ose me penallti. 

Po ashtu, janë regjistruar 10 gola fitoreje në minutën e 90-të, një rekord i ri për Kupën e Botës.

Botërori ka sjellë edhe disa përmbysje të rralla. 

Belgjika dhe Argjentina fituan ndeshjet pasi ishin në disavantazh me dy gola, diçka që nuk kishte ndodhur më shumë se një herë, në të njëjtin turne që nga viti 1970.

Edhe pse kishte shqetësime për çmimet shumë të larta të biletave dhe udhëtimet e gjata mes qyteteve pritëse, stadiumet kanë qenë pothuajse plot. 

Sipas FIFA-s, janë zënë 99,7% e vendeve të disponueshme, ndërsa mbi 6,2 milionë tifozë kanë ndjekur ndeshjet deri tani.

Në planin individual, gara për “Këpucën e Artë”, çmimin për golashënuesin më të mirë të turneut, është shumë e fortë. 

Lionel Messi kryeson me tetë gola, ndërsa Kylian Mbappé dhe Erling Haaland kanë nga shtatë gola, ndërsa Harry Kane ka shënuar gjashtë.

Turneu ka prodhuar edhe histori të bukura të skuadrave më të vogla. 

Kepi i Gjelbër arriti deri në fazën me eliminim direkt dhe i rezistoi Argjentinës deri në kohën shtesë, ndërsa Kuraçao dhe Katari shënuan rezultate të papritura ndaj skuadrave më të forta.

Megjithatë, Botërori nuk ka kaluar pa polemika. 

Tifozët kanë kritikuar çmimet e larta të biletave, hoteleve dhe transportit, ndërsa pushimet për hidratim gjatë ndeshjeve janë konsideruar të panevojshme në disa stadiume.

Gjithashtu, është diskutuar për kohëzgjatjen e turneut dhe ngarkesën fizike të futbollistëve.

Një nga debatet më të mëdha lidhet me vendimin e FIFA-s për të pezulluar dënimin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun, pasi presidenti amerikan Donald Trump pranoi se kishte biseduar me presidentin e FIFA-s Gianni Infantino për këtë çështje. 

Vendimi shkaktoi kritika dhe ngriti dyshime për ndërhyrje politike.

Pavarësisht polemikave, FIFA e konsideron turneun një sukses të madh. 

Me ekipet më të forta të botës, si Argjentina, Spanja, Franca dhe Anglia ende në garë, pritet që ndeshjet e mbetura të jenë edhe më spektakolare dhe të vendosin nëse Botërori 2026 do të mbahet mend si më i miri në histori. //a.i/

The post BOTËRORI 2026 – Turneu që po thyen çdo rekord: A është kjo Kupa e Botës më spektakolare në histori? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Edhe Justin Bieber i bashkohet spektaklit të finales

NJU JORK, 9 korrik /ATSH/ – Ylli kanadez i muzikës pop Justin Bieber do të jetë pjesë e spektaklit të pjesës së parë të finales së Kupës së Botës 2026, duke iu bashkuar një liste emrash të mëdhenj të muzikës botërore, sipas Reuters.

Sipas njoftimit, Bieber do të performojë së bashku me Madonnën, Shakirën dhe grupin koreanojugor BTS.

Spektakli do të zgjasë rreth 11 minuta dhe do të shënojë një moment historik, pasi është hera e parë që një finale e Kupës së Botës organizon një shfaqje muzikore gjatë pushimit mes dy pjesëve të ndeshjes, në stilin e finales së kampionatit amerikan të futbollit, “Super Bowl”.

Finalja e Kupës së Botës do të zhvillohet më 19 korrik në  “MetLife Stadium”, në East Rutherford, në Nju Xhersi.

Ndeshja pritet të jetë një nga ngjarjet sportive më të ndjekura në histori, me qindra miliona shikues në të gjithë botën.

Përfshirja e Justin Bieber vjen pas rikthimit të tij në skenën muzikore gjatë muajve të fundit dhe shton edhe më shumë interesin për spektaklin.

Organizatorët synojnë që ky format i ri të kombinojë emocionet e finales së futbollit me një shfaqje artistike të nivelit më të lartë, duke e kthyer finalen në një ngjarje globale argëtimi.

Me emra si Madonna, Shakira, BTS dhe Justin Bieber në të njëjtën skenë, FIFA synon të krijojë një spektakël të paprecedentë që do të shoqërojë finalen e turneut më të madh të futbollit në botë dhe që pritet të mbetet një nga momentet më të kujtuara të Kupës së Botës 2026./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – Edhe Justin Bieber i bashkohet spektaklit të finales appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 8 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – Çfarë pritet nga çerekfinalet e Kupës së Botës?

TIRANË, 8 korrik /ATSH/- Kupa e Botës 2026 ka dhuruar deri tani ndeshje spektakolare, por edhe faza çerekfinale premton përballje shumë interesante, shkruan BBC.

Në garë kanë mbetur gjashtë skuadra evropiane, një afrikane dhe një nga Amerika e Jugut.

Francë – Marok

Franca konsiderohet favorite, por Maroku nuk është më skuadra surprizë e vitit 2022.

Kampionët e Afrikës kanë treguar performancë shumë të mirë dhe nuk kanë humbur asnjë ndeshje në 34 ndeshjet e fundit.

Nga ana tjetër, Franca mbështetet te sulmuesi Kylian Mbappé, i cili synon të fitojë “Këpucën e Artë” si golashënuesi më i mirë i turneut.

Megjithatë, statistikat favorizojnë francezët, të cilët i kanë fituar shtatë ndeshjet e fundit ndaj Marokut.

Spanjë – Belgjikë

Belgjika ka shënuar 13 gola në këtë Botëror dhe vjen me një sulm shumë të fortë, të udhëhequr nga Romelu Lukaku.

Por përballë do të ketë Spanjën, e cila nuk ka pësuar asnjë gol gjatë turneut.

Mbrojtja spanjolle ka qenë më e mira deri tani dhe skuadra konsiderohet një nga favoritët për trofeun.

Norvegji – Angli

Kjo pritet të jetë përballja më spektakolare e çerekfinaleve, pasi do të vërë përballë dy nga sulmuesit më të mirë në botë.

Norvegjia udhëhiqet nga Erling Haaland, i cili ka shënuar shtatë gola në vetëm katër ndeshje.

Ndërsa Anglia mbështetet te kapiteni Harry Kane, i cili ka realizuar gjashtë gola dhe është vetëm një gol pas Haaland, në garën për golashënuesin më të mirë të Botërorit.

Argjentinë – Zvicër

Kampionia në fuqi, Argjentina, është favorite, por deri tani nuk e ka pasur aspak të lehtë rrugëtimin drejt çerekfinaleve.

Skuadra e Lionel Messi u kualifikua me shumë vështirësi në dy ndeshjet e fundit.

Messi kryeson listën e golashënuesve me tetë gola, megjithëse në ndeshjen e fundit humbi edhe një penallti.

Ndërkohë, Zvicra ka surprizuar me paraqitjet e saj dhe ka arritur për herë të parë, që nga viti 1954, në çerekfinalet e Kupës së Botës, ndaj synon të vazhdojë ecurinë pozitive. //a.i/

The post BOTËRORI 2026 – Çfarë pritet nga çerekfinalet e Kupës së Botës? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Dominimi i Evropës në Kupën e Botës: Rastësi apo rezultat i pritshëm?

TIRANË, 8 korrik /ATSH/- Kupa e Botës 2026 po shfaq një dominim të qartë të skuadrave evropiane. Nga tetë ekipet që kanë mbërritur në fazën çerekfinale, gjashtë janë nga Evropa: Belgjika, Anglia, Franca, Norvegjia, Spanja dhe Zvicra, shkruan BBC.

Dy vendet e tjera plotësohen nga Argjentina dhe Maroku.

Ky është numri më i madh i skuadrave evropiane, që kanë arritur në tetë më të mirat e një Kupe Bote, të zhvilluar jashtë Evropës që nga viti 1994.

Edhe pse ekipet evropiane nuk e nisën në mënyrën më të mirë turneun, me disa rezultate zhgënjyese në fazën e grupeve, ato u përmirësuan ndjeshëm gjatë ndeshjeve dhe treguan forcën e tyre në fazën me eliminim direkt.

Në këtë fazë, skuadrat evropiane kanë treguar jo vetëm cilësi teknike, por edhe aftësi për të përballuar presionin në ndeshje të vështira.

Anglia kaloi një provë të fortë ndaj Meksikës në një atmosferë shumë të tensionuar, Franca u përball me një ndeshje të vështirë ndaj Paraguajit, ndërsa Belgjika eliminoi organizatorët e turneut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edhe pse Evropa ka gjithmonë një përfaqësim të madh në Botëror, pasi siguron 16 vende në turne, dominimi i këtij edicioni konsiderohet i veçantë.

Kjo sidomos pas eliminimit të disa skuadrave të mëdha jashtë Evropës, si Brazili, ndërsa tre vendet pritëse – Kanadaja, Meksika dhe SHBA-ja – u eliminuan në fazën e 1/8-ve.

Favoritet kryesore për trofeun mbeten Franca, Spanja dhe Anglia.

Franca, e udhëhequr nga Kylian Mbappé, ka konfirmuar pritshmëritë dhe sulmuesi francez, është ndër kandidatët kryesorë, për titullin e golashënuesit më të mirë të turneut.

Spanja ka impresionuar me lojën e saj të kontrolluar dhe mbrojtjen shumë të fortë, pasi nuk ka pësuar asnjë gol deri tani.

Ndërsa Anglia synon të shkojë më tej, falë një skuadre më të pjekur dhe me besim të lartë pas rezultateve të fundit.

Megjithatë, Botërori ka sjellë edhe surpriza. Norvegjia, e rikthyer në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 1998, po shkëlqen falë paraqitjeve të Erling Haaland, i cili ka shënuar shtatë gola deri tani dhe është një nga yjet kryesorë të turneut.

Edhe Zvicra ka bërë një paraqitje historike. Fitorja ndaj Kolumbisë me penallti e çoi në çerekfinale, për herë të parë që nga viti 1954.

Skuadra zvicerane ka treguar qetësi dhe organizim, por tani përballet me një sfidë shumë të vështirë ndaj kampiones në fuqi, Argjentinës.

Nëse një skuadër evropiane triumfon në këtë Botëror, do të jetë hera e tretë në histori, që një ekip nga Evropa fiton një Kupë Bote të zhvilluar jashtë kontinentit, pas Spanjës në Afrikën e Jugut në vitin 2010 dhe Gjermanisë në Brazil në vitin 2014. //a.i/

The post BOTËRORI 2026 – Dominimi i Evropës në Kupën e Botës: Rastësi apo rezultat i pritshëm? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Zvicra triumfon 4-3 me penallti ndaj Kolumbisë, përballet me Argjentinën në çerekfinale

TIRANË, 8 korrik /ATSH/- Zvicra u kualifikua në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Kolumbinë 4-3 me penallti, pas një ndeshjeje që përfundoi 0-0 edhe pas 120 minutave lojë, sipas BBC.

Heroi i Zvicrës ishte portieri Gregor Kobel, i cili priti penalltinë vendimtare të Cucho Hernández.

Penalltinë që vulosi fitoren dhe kualifikimin e Zvicrës e shënoi Ruben Vargas.

Me këtë fitore, Zvicra siguroi për herë të parë që nga viti 1954 një vend në çerekfinalen e Kupës së Botës.

Në fazën tjetër do të përballet me kampionen në fuqi, Argjentinën.

Ndeshja ishte e ekuilibruar, me pak raste të për të shënuar gol.

Kolumbia pati mundësinë më të mirë në fund të kohës shtesë, por Jaminton Campaz e dërgoi topin mbi portë.

Kolumbia largohet nga turneu botëror, edhe pse pësoi vetëm një gol gjatë gjithë garës.

Edhe pse krijoi disa raste për të shënuar gol, Kolumbia nuk i shfrytëzoi ato dhe humbi në penallti.

Zvicra luajti pa Johan Manzambi, i cili mungoi për shkak të një dëmtimi, një nga lojtarët më të spikatur të ekipit në këtë Botëror.

Ndërsa Ruben Vargas, i cili hyri në lojë si zëvendësues, shënoi penalltinë vendimtare që kualifikoi Zvicrën në çerekfinale. //a.i/

.

The post BOTËRORI 2026 – Zvicra triumfon 4-3 me penallti ndaj Kolumbisë, përballet me Argjentinën në çerekfinale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 7 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – Belgjika i jep fund ëndrrës së SHBA-së, fiton 4-1 dhe kalon në çerekfinale

TIRANË, 7 korrik /ATSH/- Belgjika i dha fund rrugëtimit të SHBA-së në Kupën e Botës, duke e mposhtur me rezultatin e thellë 4-1 në ndeshjen e fazës së 1/8 së finales (16 skuadrat më të mira), shkruan CNN.

Pas përfundimit të ndeshjes, shumë futbollistë amerikanë shpërthyen në lot. 

Dy golat e shpejtë të Charles De Ketelaere, të shoqëruar me gabime të mëdha në mbrojtjen amerikane, i hapën rrugën edhe golit të tretë të shënuar nga Hans Vanaken. 

Ndërsa Romelu Lukaku vulosi fitoren me golin e katërt në sekondat e fundit të kohës shtesë.

Analizë

SHBA-ja u eliminua nga Kupa e Botës, pasi u mposht 4-1 nga një Belgjikë shumë e fortë, në një ndeshje që u shoqërua me polemika edhe përpara se të niste.

Belgjika kaloi në avantazh që në minutën e 9-të me golin e Charles De Ketelaere. 

SHBA-ja barazoi në minutën e 30-të, kur Malik Tillman shënoi gol me një goditje të fortë.

Megjithatë, barazimi zgjati vetëm dy minuta. 

De Ketelaere realizoi golin e tij të dytë, duke rikthyer Belgjikën në avantazh.

Para minutës së 60-të, Hans Vanaken shënoi golin e tretë, ndërsa Romelu Lukaku vulosi fitoren 4-1 me një gol në minutat shtesë.

Ndeshja u parapri nga polemika për vendimin e FIFA-s që anuloi pezullimin e Balogun, duke i lejuar sulmuesit kryesor të SHBA-së të luante.

Vendimi tërhoqi edhe më shumë vëmendje pasi Donald Trump mbrojti publikisht kërkesën e tij drejtuar Gianni Infantinos, për rishikimin e kartonit të kuq të Balogun, duke ngritur dyshime nëse presioni politik kishte ndikuar në vendimin e FIFA-s.

Balogun ishte përjashtuar me karton të kuq në fitoren 2-0 të SHBA-së ndaj Bosnjë-Hercegovinës, në raundin e 1/16 së finales, por FIFA e anuloi më pas atë karton. 

Belgjika e kundërshtoi këtë vendim, por FIFA e hodhi poshtë ankesën si të papranueshme, ndërsa UEFA e cilësoi vendimin si “të paprecedentë, të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm”. //a.i/

The post BOTËRORI 2026 – Belgjika i jep fund ëndrrës së SHBA-së, fiton 4-1 dhe kalon në çerekfinale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Spanja triumfon në minutat e fundit, Ronaldo i jep lamtumirën Kupës së Botës

TIRANË, 6 korrik /ATSH-AFP/- Spanja u kualifikua në çerekfinalet e Kupës së Botës, pasi mposhti Portugalinë me rezultatin 1-0, falë golit të zëvendësuesit Mikel Merino.

Kjo ndeshje shënoi edhe fundin e karrierës së Cristiano Ronaldo në Kupën e Botës.

Kampionët e Evropës do të përballen në çerekfinale, me fituesin e sfidës mes kombëtares së SHBA-së dhe Belgjikës, të premten në Los Anxheles.

Pavarësisht pritshmërive të mëdha, ndeshja e zhvilluar përpara 70 649 tifozëve në stadiumin e “AT&T”, nuk ofroi shumë raste për të shënuar gol.

Kur gjithçka po shkonte drejt kohës shtesë, në minutën e parë të kohës shtesë të ndeshjes (90+1), Ferran Torres asistoi për Merinon, i cili shënoi golin e fitores.

Për Ronaldon, tashmë 41 vjeç dhe pjesë e futbollit saudit, kjo ishte ndeshja e fundit në një Kupë Bote.

Vetë ai, konfirmoi një ditë më parë, se ky do të ishte turneu i tij i fundit, në skenën më të madhe të futbollit.

Të dyja skuadrat hynë në këtë përballje pa humbje.

Portugalia ka hasur më shumë vështirësi gjatë këtij rrugëtimi, ndërsa ndaj Spanjës nuk është shënuar asnjë gol në këtë Botëror – statistikë që mbeti e paprekur edhe pas kësaj ndeshjeje.

Edhe pse është një nga kombëtaret më të suksesshme në botë, Spanja e ka fituar Kupën e Botës vetëm një herë, në vitin 2010.

Ndërkohë, arritja më e mirë e Portugalisë mbetet vendi i tretë në vitin 1966.

Përballja u prezantua edhe si një duel simbolik mes Ronaldos dhe talentit 18-vjeçar të Barcelonës, Lamine Yamal, dy futbollistë që përfaqësojnë dy breza krejt të ndryshëm.

Para fillimit të ndeshjes, u mbajt një minutë heshtje, në respekt të ish-sulmuesit portugez Diogo Jota, fotografia e të cilit u shfaq në ekranin gjigant të stadiumit.

Spanja krijoi rastin e parë të pastër, që në minutat e para, kur Dani Olmo nxori përpara portës Mikel Oyarzabal, por ky i fundit e dërgoi topin jashtë portës, edhe pse ishte përballë portierit Diogo Costa.

Ronaldo pati rastin e tij më të mirë kur goditi nga një kënd i vështirë, por portieri spanjoll Unai Simón e priti goditjen.

Më pas Spanja shtoi presionin, me Yamal dhe Álex Baena që rrezikuan portën portugeze, ndërsa Costa bëri disa pritje të rëndësishme.

Në pjesën e parë, Ronaldo nuk pati shumë ndikim në lojë, duke luajtur si sulmues qendror.

Në fund të pjesës së parë, Portugalia iu afrua golit, kur një goditje e Nuno Mendes u devijua nga Pedro Porro dhe përfundoi në traversë.

Yamal e pati të vështirë përballë Mendes, por mbrojtësi portugez u detyrua të largohej nga fusha, për shkak të një dëmtimi në minutën e 56-të, duke qenë një humbje e rëndësishme për Portugalinë.

Trajneri portugez, Roberto Martínez bëri disa zëvendësime në pjesën e dytë, por vendosi ta mbante Ronaldon në fushë, deri në fund.

Megjithatë, kur ndeshja dukej se po shkonte në kohë shtesë, Merino realizoi me qetësi golin vendimtar, duke i dhënë Spanjës fitoren dhe kualifikimin në çerekfinale, ndërsa i dha fund edhe aventurës së Ronaldos në Kupën e Botës. //a.i/

The post BOTËRORI 2026 – Spanja triumfon në minutat e fundit, Ronaldo i jep lamtumirën Kupës së Botës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama publikon pamje nga Tirana: Kryeqyteti i Europës së Ballkanit

TIRANË, 6 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga atmosfera e mbrëmjes në Tiranë, ku në të njëjtën kohë zhvillohet protesta qytetare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa mijëra qytetarë ndjekin ndeshjet e Kampionatit Botëror të Futbollit në ekranet gjigante të vendosura në qendër të kryeqytetit.

Përmes postimit të tij, Rama e cilësoi Tiranën si “kryeqyteti i Europës së Ballkanit”, duke shoqëruar pamjet me vargje nga kënga “Tirona”, e interpretuar prej tij dhe grupit West Side Family.

“Live nga kryeqyteti i Europës së Ballkanit. Kjo osht Tirona jon, Tirona kontradiktës. E luftës, e paqes, e errësirës dhe e dritës. Mashtrimit, të vërtetës, shpifjes, interesit, e qejfit dhe e stresit, ahengut dhe biznesit”, shkroi Rama.

Në Tiranë vijojnë prej 37 ditësh protestat e nisura kundër investimit në Zvërnec dhe që më pas janë shoqëruar edhe me kërkesa të tjera politike e institucionale nga organizatorët. Paralelisht, në sheshin “Skënderbej” dhe në ambiente të tjera publike e lokale të kryeqytetit, qytetarët ndjekin ndeshjet e Kampionatit Botëror të Futbollit në ekranet gjigante të vendosura nga Bashkia e Tiranës dhe operatorë privatë.

1 nga 2

/gj.m/r.e/

The post Rama publikon pamje nga Tirana: Kryeqyteti i Europës së Ballkanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 6 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – Rekord tifozësh dhe audience: A po hyn futbolli në një epokë të re në SHBA?

TIRANË, 6 korrik /ATSH/- Në shumë vende të botës, futbolli është sporti më i dashur. Në SHBA, megjithatë, ai vazhdon të jetë pas sporteve si futbolli amerikan, basketbolli, bejsbolli dhe hokeji, të cilët dominojnë audiencën, sponsorët dhe mediet, shkruan BBC.

Megjithatë, organizimi i Botërorit 2026, po rrit ndjeshëm interesin për futbollin.

Kombëtarja amerikane do të përballet të hënën me Belgjikën, për një vend në çerekfinale, ndërsa shumë analistë pyesin nëse ky turne do të jetë në gjendje ta bëjë futbollin, një nga sportet kryesore në vend.

Në qytetet pritëse, stadiumet janë plot, tifozët ndjekin ndeshjet në zona të posaçme dhe restorante, ndërsa dyqanet po shesin me sukses fanellat dhe produktet e kombëtares amerikane.

Shumë tifozë besojnë se, pavarësisht rezultatit të ekipit, ky Botëror mund të ndryshojë përgjithmonë, vendin që zë futbolli në SHBA.

Rekorde shikueshmërie dhe pjesëmarrjeje

Botërori 2026 ka regjistruar shifra rekord. Ndeshjen e parë të SHBA-së e ndoqën rreth 25 milionë shikues në televizion (18 milionë në “Fox” dhe 7 milionë në “Telemundo”).

Sipas FIFA-s, në dy javët e para të turneut, ndeshjet u ndoqën në stadiume nga mbi 3,6 milionë tifozë, duke thyer rekordin e Botërorit 1994, kur SHBA-ja e organizoi, për herë të fundit kompeticionin.

A do të zgjasë ky interes?

Ekspertët thonë se është ende herët për të thënë, nëse futbolli do të bëhet një sport kryesor në SHBA.

Sipas tyre, futbolli nuk ka traditën e basketbollit apo futbollit amerikan, por sot ka një bazë shumë më të madhe tifozësh dhe lojtarësh sesa 30 vite më parë.

Një nga arsyet kryesore është rritja e numrit të fëmijëve që zgjedhin futbollin.

Shumë prindër po largohen nga futbolli amerikan, për shkak të shqetësimeve për dëmtimet në kokë.

Roli i Lionel Messi dhe MLS

Zhvillimin e futbollit e ka ndihmuar edhe kampionati amerikan, Liga kryesore e futbollit në SHBA (MLS), ku luan Lionel Messi.

Po ashtu, kampionatet evropiane si “Premier League” dhe “La Liga” po ndiqen gjithnjë e më shumë nga publiku amerikan.

Një studim i fundit tregon se futbolli tashmë, e ka kaluar bejsbollin dhe është bërë sporti i tretë më i preferuar në SHBA.

Sfidat

Megjithatë, analistët thonë se futbolli përballet ende me pengesa kulturore. Amerikanët janë mësuar me sporte me shumë pikë dhe fitore të shpeshta, ndërsa futbolli ka pak gola dhe shumë ndeshje të ekuilibruara.

Pavarësisht kësaj, transmetimet televizive, platformat online, serialet kushtuar futbollit, emigracioni nga vende, ku futbolli është sporti kryesor dhe videolojërat e FIFA-s, kanë ndihmuar, që ky sport të fitojë gjithnjë e më shumë popullaritet.

Nëse SHBA-ja vazhdon të ecë përpara në Botëror, shumë ekspertë besojnë, se ky mund të jetë momenti kur futbolli të hyjë përfundimisht, në mesin e sporteve më të ndjekura në vend. //a.i/

The post BOTËRORI 2026 – Rekord tifozësh dhe audience: A po hyn futbolli në një epokë të re në SHBA? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 5 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – 34 ndeshje pa humbje – Maroku mes pretendentëve për titullin e Kupës së Botës

TIRANË, 5 korrik /ATSH/- Ekipi kombëtar i Marokut, po konfirmohet si një nga surprizat më të mëdha dhe njëkohësisht si një nga pretendentët seriozë për trofeun e Botërorit, pas një tjetër fitoreje bindëse 3-0 ndaj Kanadasë në raundin e 16-të, shkruan BBC.

Ndeshja nuk ishte dominuese në aspektin e lojës së bukur. 

Maroku pati disa raste për të shënuar gol, por u tregua klinik në momentet vendimtare dhe i qëndrueshëm në mbrojtje, duke marrë kontrollin gradualisht, pas një fillimi të vështirë.

Kanadaja krijoi dy raste të rrezikshme në minutat e para, por portieri Yassine Bounou reagoi në mënyrë vendimtare, duke mbajtur skuadrën në lojë. 

Pas kësaj, Maroku e stabilizoi lojën dhe filloi të menaxhojë ritmin e ndeshjes deri në triumfin e sigurt.

Historike: 34 ndeshje pa humbje

Një nga faktorët që e ka ngritur Marokun në nivel pretendent është seria e jashtëzakonshme e 34 ndeshjeve radhazi pa humbje.

Ekipi shfaqi në të gjitha kompeticionet, dominim të qëndrueshmërisë dhe rezultateve, edhe në ndeshje të vështira – duke fituar edhe pa shkëlqyer në lojë.

Humbja e fundit e ekipit daton në vitin 2025, dhe që atëherë, skuadra ka ndërtuar një nga seritë më të forta në futbollin ndërkombëtar.

Skuadër që fiton edhe “pa shkëlqyer”

Në përballjen me Kanadanë, Maroku nuk impresionoi në pjesën e parë, por tregoi pjekuri në menaxhimin e ndeshjes. 

Skuadra u përmirësua ndjeshëm në pjesën e dytë, duke marrë kontrollin dhe duke mbyllur sfidën pa probleme.

Trajneri Jesse Marsch u shpreh pas ndeshjes se Maroku ka aftësinë të “lëkundet në fillim, por të bëhet gjithnjë e më i fortë me kalimin e minutave”, duke theksuar qëndrueshmërinë e tyre psikologjike dhe fizike.

Pretendent në skenën botërore

Maroku po konsiderohet gjithnjë e më shumë si ekipi kandidat për titull, falë, organizimit të fortë në mbrojtje disiplinës taktike dhe cilësisë së lojtarëve kyç si, Achraf Hakimi dhe Brahim Díaz

Trajneri i skuadrës theksoi se Maroku nuk ndryshon identitetin e lojës, as në momentet më të vështira, duke u mbështetur te rezistenca dhe besimi në sistemin e tyre.

Në prag të sfidave të mëdha

Me këtë ecuri, Maroku ka arritur në çerekfinale të Botërorit për herë të dytë radhazi, duke konfirmuar statusin si një nga skuadrat më të forta të turneut.

Megjithatë, analistët paralajmërojnë se testet e vërteta ende nuk kanë ardhur, dhe përballjet e ardhshme, do të jenë vendimtare për ambiciet e tyre historike.

Maroku tashmë nuk shihet më si “histori suksesi”, por si një kandidat real për titullin botëror. //a.i/

The post BOTËRORI 2026 – 34 ndeshje pa humbje – Maroku mes pretendentëve për titullin e Kupës së Botës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Franca eliminon 1-0 Paraguajin, siguron përballjen me Marokun në çerekfinale

TIRANË, 5 korrik /ATSH/- Franca fitoi 1-0 ndaj Paraguajit dhe u kualifikua në çerekfinalet e Botërorit, por ndeshja u dominua nga loja e ashpër dhe provokimet e vazhdueshme të futbollistëve paraguajanë, shkruan BBC.

Ish-portieri i Anglisë, Joe Hart, e quajti sjelljen e Paraguajit “turpëruese”, ndërsa ish-mbrojtësi Micah Richards tha se ekipi nuk kishte nevojë të përdorte këto mënyra loje.

Sipas raportit, lojtarët e Paraguajit, kryen disa ndërhyrje të forta dhe provokime, si goditje me bërryl, faulle të rënda dhe përpjekje për të vonuar kryerjen e penalltisë. 

Megjithatë, asnjë futbollist paraguajan nuk u ndëshkua me karton të verdhë, ndërsa tre lojtarë francezë u ndëshkuan.

Goli i vetëm i ndeshjes, erdhi në minutën e 70-të. 

Gjyqtari Ilgiz Tantashev vendosi për penallti, pas rishikimit me VAR, pasi Desire Doue u pengua në zonë. 

Para goditjes, mbrojtësi Gustavo Velazquez u përpoq të prishte pikën e penalltisë, duke e gërvishtur me këmbë, por Kylian Mbappé shënoi gol dhe i dha Francës fitoren.

Pas ndeshjes, Mbappe tha se Franca ishte e përgatitur për këtë lloj loje.

“Ata menduan se do të vinim të luanim bukur, por ne ishim gati. Kjo është mënyra e tyre e lojës, por ne fituam”, tha ai.

Trajneri Didier Deschamps zbuloi se në minutat e fundit, u kishte kërkuar lojtarëve më të fuqishëm fizikisht të mbronin Mbappen, pasi priste që kundërshtarët të ndërhynin ashpër ndaj tij.

Franca do të përballet me Marokun në çerekfinale.

Analiza 

Analistët vlerësuan se gjyqtari nuk e kontrolloi siç duhet ndeshjen. 

Sipas tyre, ai lejoi shumë faulle të ashpra pa ndëshkim, nuk vendosi autoritet që në fillim dhe humbi kontrollin e ndeshjes. 

Penalltia vendimtare u dha vetëm pas ndërhyrjes së sistemit VAR, ndërsa mungesa e kartonëve për Paraguajin, u cilësua si një nga vendimet më të diskutueshme të ndeshjes. //a.i/

The post BOTËRORI 2026 – Franca eliminon 1-0 Paraguajin, siguron përballjen me Marokun në çerekfinale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 4 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – Bloomberg: Kupa e botës bashkon njerëzit dhe kulturat

NJU JORK, 4 korrik /ATSH/ – Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Mike Bloomberg, ka ndarë një mesazh nga atmosfera e Kupës së Botës 2026, duke e cilësuar turneun shumë më tepër sesa një garë futbolli, sipas “New York Post”.

Në një postim në rrjetet sociale, Bloomberg publikoi një fotografi nga stadiumi ku po zhvillohej një ndeshje e Botërorit, përballë tribunave të mbushura me tifozë.

“Kupa e Botës është më shumë se një turne. Ajo është një kujtesë se si sporti mund të bashkojë njerëzit, kulturat dhe komunitetet”, shkroi ai.

Mesazhi i tij vë në pah rolin e sportit si një urë që afron vende dhe popuj të ndryshëm, përtej rivalitetit në fushën e lojës.

Kupa e Botës FIFA 2026, që organizohet në Shtetet e Bashkuara, të Amerikës,

Kanada dhe Meksikë, ka tërhequr miliona tifozë nga e gjithë bota dhe po shndërrohet në një festë globale të futbollit. /Ad.Ab./

The post BOTËRORI 2026 – Bloomberg: Kupa e botës bashkon njerëzit dhe kulturat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 3 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – Vajza norvegjeze pagëzohet “Erle” pas golit vendimtar të Haaland

OSLO, 3 korrik /ATSH-DPA/ – Një çift nga një fshat në Norvegji ka vendosur t’i vendosë vajzës së porsalindur emrin “Erle”, versioni femëror i emrit të futbollistit Erling Haaland, i frymëzuar nga goli vendimtar që ai shënoi në Kupën e Botës.

Sipas televizionit norvegjez TV2, vajza erdhi në jetë pikërisht në minutën e 86-të të ndeshjes së së martës, në të njëjtin moment kur Haaland realizoi golin e fitores së Norvegjisë kundër Bregut të Fildishtë në fazën e 1/16-ave.

“Në momentin që ndjeva se po lindte, dëgjova britmën e fortë të gëzimit nga bashkëshorti im, i cili është një tifoz i madh futbolli”, tha nëna, Lene.

Pas golit të Haaland, babai Bjarte ndryshoi mendim për emrin e vajzës.

Çifti kishte përzgjedhur disa emra, por “Erle” nuk ishte në listë.

“Nuk kishim vendosur ende përfundimisht. Partneri im e propozoi papritur emrin ‘Erle’ dhe kështu u mor vendimi”, tregoi Lene.

Norvegjia do të përballet të dielën me Brazilin në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës, duke arritur deri tani ecurinë më të mirë në historinë e saj në një Kupë Bote për meshkuj./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – Vajza norvegjeze pagëzohet “Erle” pas golit vendimtar të Haaland appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Zvicra triumfon 2-0 ndaj Algjerisë, avancon në fazën eliminatore

TIRANË, 3 korrik /ATSH/- Zvicra ka siguruar një fitore ndaj Algjerisë dhe është kualifikuar në 1/8-at e Kupës së Botës, duke arritur një sukses, që nuk e kishte përjetuar që prej vitit 1938, shkruan BBC.

Golat u shënuan nga Breel Embolo dhe Dan Ndoye, të cilët i dhanë skuadrës zvicerane, një fitore të sigurt dhe të kontrolluar.

Zvicra kaloi në avantazh shumë herët në ndeshje. Në minutën e 10-të, Johan Manzambi bëri një depërtim të bukur nga krahu i fushës, duke kaluar një mbrojtës kundërshtar dhe duke pasuar në qendër. Aty Embolo e pati të lehtë të shënonte golin e parë.

Menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë, vetëm 46 sekonda pas rifillimit të lojës, Dan Ndoye shënoi golin e dytë me një goditje të saktë brenda zonës.

Algjeria pati disa momente të mira para pushimit, por nuk arriti të krijojë raste të rrezikshme.

Në rastin më të mirë, Chaïbi goditi dobët dhe portieri zviceran e priti topin pa vështirësi. Pas kësaj, ata nuk u kthyen më seriozisht në lojë.

Zvicra madje mund të kishte shënuar edhe golin e tretë në fund, por një mundësi e artë u humb nga Fabian Rieder.

Me këtë fitore, Zvicra kalon për herë të katërt radhazi, në 1/8-at e Botërorit dhe do të përballet me fituesin e ndeshjes Kolumbi–Gana.

Një nga lojtarët më të dalluar ishte i riu, Johan Manzambi, i cili dha asistin për golin e parë dhe u vlerësua për driblimet dhe shpejtësinë e tij. Ai po shihet si një talent premtues i futbollit evropian. //a.i/

The post BOTËRORI 2026 – Zvicra triumfon 2-0 ndaj Algjerisë, avancon në fazën eliminatore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Portugalia fiton ndaj Kroacisë, siguron kualifikimin në 1/8-at

TIRANË, 3 korrik /ATSH/- Portugalia siguroi kualifikimin në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës, pasi mposhti Kroacinë me rezultat 2-1, falë golit të Gonçalo Ramos, në minutën e katërt shtesë të ndeshjes, shkruan BBC.

Më herët, Cristiano Ronaldo barazoi rezultatin me penallti, duke shënuar golin e tij të parë, në një ndeshje me eliminim direkt në një Kupë Bote.

Ramos, i futur në lojë gjatë pjesës së dytë, u shkëput nga dy mbrojtësit kroatë dhe realizoi me kokë golin, pas një krosimi të saktë të Rafael Leaos, në një moment kur sfida dukej se po shkonte drejt kohës shtesë.

Kroacia mendoi se kishte barazuar në minutën e 13-të të kohës shtesë me Josko Gvardiol, por pas ndërhyrjes së sistemit VAR, goli u anulua për pozicion jashtë loje. 

Pamjet treguan se Igor Matanovic preku lehtë topin, i cili më pas shkoi te Mario Pasalic, i pozicionuar në mënyrë të parregullt, përpara se Gvardiol ta dërgonte në rrjetë.

Portugalia dominoi pjesën e parë, por Kroacia ishte më e rrezikshme pas pushimit.

Ivan Perisic i kaloi kroatët në avantazh, tetë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, pasi përfitoi nga një largim jo i plotë i topit nga Ruben Dias dhe goditi saktë në cepin e portës.

Vetëm dy minuta më vonë, Igor Matanovic mendoi se e kishte     çuar rezultatin në 2-0, por goli u anulua për pozicion jashtë loje të Nikola Vlasic, i cili ishte përfshirë në aksion.

Më pas loja u bë shumë e hapur. Rafael Leao goditi traversën, ndërsa Cristiano Ronaldo realizoi një gol që, gjithashtu u anulua për një pozicion shumë të ngushtë jashtë loje.

Kur dukej se do të zëvendësohej, Ronaldo barazoi rezultatin nga pika e bardhë. 

Penalltia u dha pasi VAR sinjalizoi një ndërhyrje të parregullt ndaj Renato Veiga gjatë një goditjeje nga këndi.

Kroacia reagoi menjëherë. Pas ndërprerjes për hidratim, Mateo Kovacic detyroi portierin Diogo Costa të bënte dy pritje vendimtare, ndërsa Matanovic humbi një rast të pastër përballë portës.

Edhe Petar Sucic shënoi pas një pasimi të shkëlqyer nga Kovacic, por edhe ky gol u anulua për pozicion jashtë loje.

Cristiano Ronaldo u zëvendësua në minutën e 81-të dhe nuk e fshehu pakënaqësinë për vendimin e trajnerit. 

Në minutat e mbetura, Renato Veiga dhe Mario Pasalic shpërdoruan raste të mira me kokë.

Kur gjithçka po shkonte drejt kohës shtesë, Gonçalo Ramos shënoi golin vendimtar, duke i dhuruar Portugalisë fitoren dhe kualifikimin.

Në fazën e 1/8-ave, Portugalia do të përballet me kampionen e Evropës, Spanjën.

Analiza

Kjo ishte një nga ndeshjet më emocionuese të këtij Botërori dhe një përballje, që pritej të shënonte lamtumirën, e një prej legjendave të futbollit.

Pavarësisht një paraqitjeje shumë të mirë në mesfushë, 40-vjeçari Luka Modrić, nuk arriti të shmangte eliminimin e Kroacisë.

Trajneri kroat Zlatko Dalic ndryshoi rrjedhën e lojës në fillimin e pjesës së dytë, duke futur në fushë Igor Matanovic, i cili i dha më shumë forcë sulmit dhe ndikoi në golin e Perisic.

Nga ana tjetër, trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez u shpërblye për zëvendësimet që bëri. 

Në pjesën e parë lojtarët portugezë, kërkonin vazhdimisht Ronaldon në sulm, edhe kur kishin alternativa më të mira. 

Futja e Gonçalo Ramos i dha më shumë liri repartit ofensiv, ndërsa loja e Portugalisë u përmirësua, edhe më shumë pas zëvendësimit të Ronaldos.

Edhe pse u largua nga fusha i pakënaqur, Ronaldo ishte mes protagonistëve të festës pas golit të Ramos.

Pas përfundimit të ndeshjes, në një moment prekës, Ronaldo veshi fanellën e ish-shokut të skuadrës Diogo Jota, në prag të njëvjetorit të vdekjes së tij, dhe me lot në sy udhëhoqi ekipin drejt tifozëve portugezë. //a./

The post BOTËRORI 2026 – Portugalia fiton ndaj Kroacisë, siguron kualifikimin në 1/8-at appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Sekretarja britanike e Arsimit Phillipson: Fëmijët edhe Angli-Meksikë ta shikojnë edhe në shkollë të shkojnë

LONDËR, 2 korrik /ATSH-DPA/ – Sekretarja britanike e Arsimit tha se nxënësit e shkollës mund të shikojnë ndeshjen e Kupës së Botës të Anglisë kundër Meksikës, në mëngjes herët të hënën, dhe prapë të shkojnë në shkollë, pasi trajneri Thomas Tuchel tha se nxënësve duhet t’u lejohet “një justifikim për në shkollë”.

Në të kaluarën, ka qenë e zakonshme që shkollat dhe punëdhënësit të lejojnë transmetimin e ndeshjeve të Anglisë në fazat e mëvonshme të turneve të mëdha kur ato përputhen me orarin e punës, por fillimi i së hënës në orët e vona përbën një pengesë unike.
Megjithatë, sekretarja e Arsimit, Bridget Phillipson nuk beson se shikimi i ndeshjes do të thotë domosdoshmërisht që fëmijët duhet të humbasin shkollën.

“Është një ndeshje e vonë, por fëmijët mund të jenë në shkollë të nesërmen”, i tha ajo Press Association.
E pyetur nëse besonte se fëmijët mund ta shikojnë ndeshjen dhe prapë të shkojnë në shkollë, ajo tha se “mendoj se munden, po, por u takon prindërve të vendosin se si ta menaxhojnë këtë, dhe sigurisht, varet nga mosha e fëmijëve tuaj, si ndihen. Kjo ka të bëjë me vendimet për familjet individuale”.

Trajneri gjerman Tuchel i kishte inkurajuar prindërit të “shkruajnë një justifikim për shkollën dhe t’i lënë të shikojnë futboll”.
“Kupa e Botës është çdo katër vjet. Lërini të shikojnë ndeshjet. Do të jetë një ndeshje e madhe, shumë e madhe pas katër ditësh dhe na duhet mbështetja e të gjithëve, dhe veçanërisht e fëmijëve”, theksoi ai.

Anglia u përball dje me një nga eliminimet më poshtëruese në Kupën e Botës, pasi kishte mbetur në disavantazh që në minutën e shtatë me një gol të Brian Cipenga të RD Kongos, i cili luan në divizionin e dytë të Spanjës.

Ata u shpëtuan nga një dopietë e jashtëzakonshme në fund të ndeshjes nga Harry Kane./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – Sekretarja britanike e Arsimit Phillipson: Fëmijët edhe Angli-Meksikë ta shikojnë edhe në shkollë të shkojnë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 2 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – “Losers Cafe” streha e tifozëve të zhgënjyer

MEKSIKO SITI, 2 korrik /ATSH/ – Në një kohë kur rrugët e Meksiko Siti-t u mbushën me festime pas fitores së Meksikës ndaj Ekuadorit në Kupën e Botës, një kafene në lagjen Condesa zgjodhi të bëjë krejt të kundërtën; të mirëpresë tifozët e skuadrave të eliminuara dhe t’u ofrojë ngushëllim, sipas Reuters.

E quajtur “Losers Cafe”, kafeneja është shndërruar në një strehë simbolike për mbështetësit e ekipeve humbëse.

Çdo mëngjes në hyrje ngrihen flamujt e kombëtareve të eliminuara, ndërsa çdo tifoz që paraqitet me fanellën e skuadrës së tij humbëse merr falas një pije.

Edhe pecetat mbajnë mesazhin humoristik “fshiji lotët”.

Një nga vizitoret ishte 24-vjeçarja Monse Aguilar, fotografe dhe tifoze e Afrikës së Jugut, e cila shkoi në kafene pasi skuadra e saj u eliminua nga Kanadaja. Ajo e përshkroi përvojën si “një përqafim për zemrën pas humbjes”.

Ideja lindi nga marka suedeze e pijeve bimore “Oatly,” e cila bashkëpunoi me pronarin e kafenesë, Ian Infante. Lokali i tij, i njohur zakonisht si “Compay Cafe”, nisi si një stendë e vogël rruge dhe më pas u kthye në një kafene të njohur.

Infante, me origjinë nga Venezuela, tha se si emigrant e kuptoi menjëherë ndjenjën e boshllëkut që lë pas humbja, ndaj koncepti i kafenesë iu duk krejtësisht natyral.

Fillimisht, shumë klientë nuk e kuptonin idenë dhe refuzonin të quheshin “humbës”. Megjithatë, pasi u shpjegohej se kafeneja synonte të krijonte solidaritet dhe humor mes tifozëve të zhgënjyer, atmosfera bëhej shumë më pozitive.

Sipas përfaqësueses së “Oatly” në Meksikë, kompania zgjodhi ta realizonte këtë nismë në kryeqytetin meksikan për shkak të humorit karakteristik të vendasve dhe rritjes së shpejtë të markës në Amerikën Latine.

Ajo tha me shaka se “krijimi i një kafeneje për humbësit në Meksikë kishte kuptim, sepse ne pothuajse gjithmonë humbasim”.

Tani që Meksika ka fituar ndeshjen e saj të parë në fazën me eliminim direkt pas 40 vitesh dhe përgatitet të përballet me Anglinë, tifozët shpresojnë që historia të ndryshojë. Por nëse ëndrra përfundon, ata e dinë se në Condesa i pret gjithmonë “Losers Cafe”, ku humbja ndahet me buzëqeshje dhe një filxhan kafe falas. /Ad.Ab./  a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – “Losers Cafe” streha e tifozëve të zhgënjyer appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Biçikleta dhe ecja, zgjidhja e tifozëve për të mbërritur në stadiume

NJU JORK, 2 korrik /ATSH-AFP/ – Shumë tifozë që po ndjekin ndeshjet e  Kupës së Botës 2026 në zonën e “MetLife Stadium ” në Nju Xhersi po zgjedhin biçikletën ose ecjen në këmbë për të arritur në stadium, pasi transporti publik dhe parkimi janë bërë të kushtueshëm dhe të vështirë.

Familja Tsatsos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosi të parkojë makinën në një restorant pranë stadiumit, të ngarkojë biçikletat në kamionçinë dhe të përshkojë rreth 20 minuta me biçikletë deri në hyrje të stadiumit.

Kryefamiljari, Adam Tsatsos, tha se në vizitën e parë ai dhe djali i tij u dehidratuan duke pritur gjatë për një makinë me qira, ndaj kësaj radhe zgjodhën një alternativë më praktike.

Fillimisht, organizatorët kishin premtuar transport falas për tifozët, si në Botërorin e vitit 2022 në Katar dhe atë të vitit 2018 në Rusi.

Megjithatë, për shkak të vështirësive financiare të qyteteve pritëse, spektatorët duhet të paguajnë vetë kostot e udhëtimit.

Opsioni më ekonomik janë autobusët e organizuar për ditët e ndeshjeve, me një tarifë prej 20 dollarësh vajtje-ardhje. Ndërkohë, udhëtimi me tren drejt stadiumit kushton deri në 98 dollarë vajtje-ardhje, çmim që ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te tifozët.

Kelly Wakeman, një tifoze amerikane, e cilësoi tarifën e trenit si të pajustifikuar, duke theksuar se transporti publik nuk duhet të shfrytëzohet për të rritur fitimet gjatë një eventi sportiv ndërkombëtar, sidomos për tifozët që kanë udhëtuar nga vende të tjera.

Për shkak të mungesës së vendeve të parkimit pranë stadiumit, shumë tifozë po parkojnë disa kilometra larg dhe më pas ecin në këmbë deri në stadium.

Kjo praktikë është përhapur edhe në rrjetet sociale, ku tifozët ndajnë këshilla për rrugët dhe vendet më të lira të parkimit.

Edhe vizitorë nga Franca dhe Kanadaja kanë zgjedhur të parkojnë në qytete pranë stadiumit, ku tarifat janë shumë më të ulëta, dhe të vazhdojnë udhëtimin me autobus ose në këmbë.

Për shumë prej tyre, biçikleta dhe ecja janë bërë zgjidhjet më të leverdishme për të ndjekur ndeshjet e Botërorit 2026./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – Biçikleta dhe ecja, zgjidhja e tifozëve për të mbërritur në stadiume appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026: Lista e plotë e 26 kombëtareve të eliminuara

TIRANË, 2 korrik /ATSH/- Nga 48 kombëtaret që po marrin pjesë në Kupën e Botës 2026, tashmë 26 janë eliminuar pas përfundimit të fazës së grupeve dhe ndeshjeve të 1/16-ve, shkruan BBC.

Nga 16 ekipet e para që u eliminuan nga gara, 12 përfunduan në vendin e fundit të grupeve të tyre.

Në këtë grup bëjnë pjesë: Çekia, Katari, Haiti, Turqia, Kuraçao, Tunizia, Zelanda e Re, Arabia Saudite, Iraku, Jordania, Uzbekistani dhe Panamaja – të gjitha përfunduan të katërtat në grupet e tyre.

Ndërkohë, Irani, Koreja e Jugut, Skocia dhe Uruguai u eliminuan si katër ekipet e vendit të tretë, me rezultatet më të dobëta në fazën e grupeve.

Në fazën e eliminimit direkt (1/16), janë eliminuar gjithashtu: Afrika e Jugut, Japonia, Gjermania, Holanda, Bregu i Fildishtë, Suedia, Ekuadori, DR Kongo, Senegali dhe Bosnjë-Hercegovina.

Lista e plotë e skuadrave të eliminuara:

  • Turqia
  • Haiti
  • Zelanda e Re
  • Tunizia
  • Jordania
  • Panama
  • Katari
  • Çekia
  • Kuraçao
  • Arabia Saudite
  • Iraku
  • Uzbekistani
  • Irani
  • Koreja e Jugut
  • Skocia
  • Uruguai
  • Afrika e Jugut
  • Japonia
  • Gjermania
  • Holanda
  • Bregu i Fildishtë
  • Suedia
  • Ekuadori
  • DR Kongo
  • Senegali
  • Bosnjë-Hercegovina   //a.i/

The post BOTËRORI 2026: Lista e plotë e 26 kombëtareve të eliminuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌