Normal view

Received — 25 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shqipëri-Poloni, historiku i përballjeve në prag të “play off”-it për Botërorin 2026

25 March 2026 at 08:00

TIRANË, 25 mars /ATSH/ Kombëtarja kuqezi do të përballet me Poloninë në Varshavë të enjten në mbrëmje, në sfidën e parë “play off” për Kupën e Botës 2026.

Në total, dy përfaqësueset janë përballur 15 herë, me Shqipërinë që ka regjistruar dy fitore, tre barazime dhe dhjetë humbje.

Ky bilanc tregon qartë vështirësinë e sfidave ndër vite, por njëkohësisht lë të hapur mundësinë për një kthesë në përballjet e ardhshme.

Historia e ndeshjeve nis në vitin 1949, ku Polonia fitoi 2-1 në miqësore. Shqipëria arriti suksesin e parë në vitin 1953, duke triumfuar 2-0 në shtëpi me gola të Loro Boriçit dhe Refik Resmjes.

Në dekadat që pasuan, polakët dominuan kryesisht përballjet, sidomos në ndeshjet kualifikuese për kompeticionet madhore ndërkombëtare.

Megjithatë, kujtimi më i freskët është pozitiv për Shqipërinë. Fitorja 2-0 në Tiranë më 10 shtator 2023, në kuadër të kualifikueseve të EURO 2024, me gola të Jasir Asanit dhe Mirlind Dakut përbën një nga rezultatet më të rëndësishme të viteve të fundit. Ajo ndeshje rriti ndjeshëm besimin në skuadër dhe dëshmoi se kuqezinjtë mund të rivalizojnë me kundërshtarë të fortë.

Polonia vjen në këtë sfidë me një epërsi të lehtë pasi luan në fushën e vet, por suksesi i vitit 2023 ka ndryshuar perceptimin dhe ka shtuar optimizmin në prag të sfidës së radhës.

Ndeshja për “play off”-in e Botërorit konsiderohet një test kyç për ambiciet e Shqipërisë, ndërsa historiku mbetet një sfidë që kuqezinjtë synojnë ta përmbysin me një tjetër paraqitje pozitive.

/gj.m/r.e/j.p/

The post Shqipëri-Poloni, historiku i përballjeve në prag të “play off”-it për Botërorin 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 10 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kosova optimiste për play-offin e Botërorit 2026, vlerësohet trajneri Foda

10 January 2026 at 11:48

PRISHTINË, 10 janar/ATSH/ Kombëtarja e Kosovës në futboll po vlerësohet pozitivisht për performancën e deritanishme drejt play-offit për Botërorin 2026, me theks të veçantë te puna e trajnerit Franco Foda dhe rritja e dukshme e cilësisë së ekipit. Pas daljes së dytë në një grup të fortë me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë, Kosova do të përballet me Sllovakinë në mars.

Profesori dhe analisti Malsor Gjonbalaj vlerëson se drejtimi i Fodës ka qenë i suksesshëm jo vetëm sportivisht, por edhe organizativisht.

“Mendoj që trajneri Foda ka vendosur disiplinë dhe një vizion të qartë për ekipin. Futbollistët tanë po luajnë në klube të njohura evropiane, duke u bërë bartës të lojës. Kjo rritje e cilësisë i jep ekipit një perspektivë të ndritur,” tha Gjonbalaj për KosovaPress.

Ai theksoi se Kosova nuk është inferiore ndaj Sllovakisë, edhe pse do të luajë si mysafir në një ambient me presion të madh:

“Ndeshja është e vështirë, sepse eliminimi nga gara e bën vendimtar çdo moment. Por Kosova duhet të shkojë e qetë dhe e përgatitur psikologjikisht, duke menaxhuar lojën dhe rezultatin pa nguti,” shtoi ai.

Trajneri Genc Sermaxhaj e konsideron përballjen me Sllovakinë si të barabartë dhe një sfidë të vështirë për Kosovën. “Sllovakia ka përvojë në botërorë dhe evropianë. Megjithatë, mundësitë janë 50-50 dhe Kosova ka futbollistë cilësorë në liga të mëdha, si Muriqi dhe Zhegrovë. Kualifikimi është i mundshëm,” tha Sermaxhaj.

Edhe trajneri Robert Gjeraj shpreh optimizëm për fitore ndaj Sllovakisë dhe për kualifikim historik drejt play-offit.

Kombëtarja e Kosovës ka bërë hapa të dukshëm nën drejtimin e Fodës, me futbollistë që performojnë në nivele të larta evropiane. Analistët dhe trajnerët vlerësojnë cilësinë, disiplinën dhe perspektivën e ekipit për të përballuar sfidën ndaj Sllovakisë në mars dhe për të synuar një kualifikim historik për Botërorin 2026.

/KosovaPress/

The post Kosova optimiste për play-offin e Botërorit 2026, vlerësohet trajneri Foda appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 29 December 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – FIFA: Mbi 150 milionë aplikime për biletat e Botërorit

29 December 2025 at 18:38

BERLIN, 29 dhjetor /ATSH-DPA/ – FIFA ka marrë mbi 150 milionë aplikime për biletat e Botërorit të vitit të ardhshëm, në gjysmën e fazës së fundit të shitjes së tyre.

Organizata më e lartë e futbollit bëri të ditur sot se aplikimet kanë ardhur nga mbi 200 vende dhe territore.

FIFA njoftoi se turneu në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada është mbi kapacitet me 30 herë më shumë kërkesa sesa vendet e disponueshme dhe se numri i aplikimeve është 3,4 herë më i madh se pjesëmarrja totale në të gjitha botëroret e mëparshme që nga edicioni i parë në 1930-n.

“Kjo përgjigje e jashtëzakonshme nga tifozët pasionantë është një tregues i vërtetë i dashurisë globale për futbollin tonë”, tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Faza e fundit e shitjes filloi më 11 dhjetor dhe do të zgjasë deri më 13 janar, pas së cilës biletat do të vendosen me short.

Kjo është hera e parë që shumica e ndeshjeve të grupeve janë të njohura që nga shorti i 5 dhjetorit.

Ka më shumë bileta në dispozicion se në edicionet e mëparshme, pasi Botërori është zgjeruar nga 32 në 48 ekipe dhe nga 64 në 104 ndeshje.

Procesi i shitjes nuk ka kaluar pa polemika, pasi grupet e tifozëve kritikuan çmimet e larta të biletave.

FIFA më pas prezantoi disa bileta me çmim 60 dollarë për tifozët që aplikojnë për biletat nga kontingjenti i ekipeve pjesëmarrëse./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – FIFA: Mbi 150 milionë aplikime për biletat e Botërorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 6 December 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shqipëria përballë “Tulipanëve”, “Samurajëve Blu” dhe “Shqiponjave të Kartagjenës” në Botëror  

6 December 2025 at 08:01

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH-Gjergji Mima/ Kombëtarja shqiptare e futbollit do të jetë pjesë e Grupit F në Kupën e Botës 2026, nëse arrin të kualifikohet përmes play-off-it të marsit, ku kuqezinjtë do të ndeshen fillimisht me Poloninë dhe më pas me fituesen e çiftit Ukrainë-Suedi.

Shorti i hedhur sonte në Uashington D.C për finalet e turneut ka rreshtuar përballë Shqipërisë tre kundërshtarë të fortë e me profile të ndryshme: Holandën, e 7-ta në renditjen e FIFA-s, Japoninë e 18-a dhe Tunizinë e 40-ta.

Kombëtarja shqiptare është ndeshur gjithsej katër herë me Holandën, të gjitha në ndeshje zyrtare, duke krijuar një histori të gjatë përballjesh me njërën prej skuadrave më të forta të Europës.

Përballjet e para mes dy ekipeve datojnë në vitin 1964, gjatë kualifikueseve të Kupës së Botës 1966.

Në sfidën e zhvilluar në Roterdam, kuqezinjtë u mposhtën 2-0, me golat e shënuar nga Daan Schrijvers dhe Bennie Muller. Në ndeshjen e kthimit, të zhvilluar në Tiranë, Holanda fitoi sërish 2-0, falë realizimeve të Hennie van Nee dhe Frans Geurtsen.

Dy përballjet e tjera kanë ardhur gjatë eliminatoreve të Euro 2008. Në ndeshjen e parë, të luajtur në Amsterdam, Shqipëria u mposht 2-1. Për Holandën shënuan Robin van Persie dhe një autogol i Arian Beqajt, ndërsa për kuqezinjtë realizoi Debatik Curri.

Takimi i dytë, i zhvilluar në Tiranë, përfundoi 1-0 për “Tulipanët”, me golin e vetëm të sfidës të shënuar në minutën e 91-të nga Ruud van Nistelrooy.

Sa i përket Japonisë, përfaqësuesja aziatike është një territor i panjohur për kombëtaren tonë. Shqipëria dhe Japonia nuk kanë luajtur asnjëherë mes tyre në nivel kombëtaresh. “Samurajët blu” njihen për ritmin e lartë të lojës dhe disiplinën taktike, duke qenë një nga ekipet më të rregullta të turneve të fundit.

As kundër Tunizisë, Shqipëria nuk ka zhvilluar kurrë një ndeshje zyrtare apo miqësore. Afrikanoveriorët, të quajtur edhe “Shqiponjat e Kartagjenës”, janë të njohur për lojën fizike dhe me intensitet, duke iu shtuar surprizave që ky grup mund të sjellë.

/r.e/a.f/

The post Shqipëria përballë “Tulipanëve”, “Samurajëve Blu” dhe “Shqiponjave të Kartagjenës” në Botëror   appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 19 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kosova barazon me Zvicrën, ëndrra për në Botërorin 2026 vazhdon

18 November 2025 at 22:46

PRISHTINË, 18 nëntor/ATSH/ Ndeshja e fundit të Grupit B për kualifikimet e Botërorit 2026 zhvilluar mbrëmjen e sotme në stadiumin “Fadil Vokrri” ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, përfundoi me rezultat 1–1. Ruben Vargas kaloi Zvicrën në epërsi në minutën e 47-të, ndërsa Florent Muslija barazoi për Kosovën në minutën e 74-të, duke vendosur shifrat përfundimtare.

Me këtë rezultat, Zvicra mbyll grupin në vendin e parë me 14 pikë dhe siguron kualifikimin direkt për në Botëror. Kosova përfundon e dyta me 11 pikë, duke siguruar pjesëmarrjen në fazën e play-off-it, ndeshjet e së cilës do të zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm.

Ky rezultat shënon një sukses historik për Dardanët, që për herë të parë arrijnë të përfundojnë si të dytët në grup në kualifikimet për një Kupë Botërore dhe të sigurojnë mundësinë për të luftuar për një vend në Botëror përmes play-off-it. Atmosfera në Prishtinë, tifozët dhe futbollistët janë bërë pjesë e një momenti historik për futbollin kosovar.

/KosovaPress//r.e/

The post Kosova barazon me Zvicrën, ëndrra për në Botërorin 2026 vazhdon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 16 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Tuchel pas fitores me Shqipërinë: I keni të gjitha shanset për të shkuar në Botëror

16 November 2025 at 21:22

TIRANË, 16 nëntor /ATSH/ Anglia mundi sot Shqipërinë me rezultatin 0-2 në ndeshjen e fundit të kualifikueseve për Botërorin, dhe trajneri Thomas Tuchel komentoi pas përfundimit të ndeshjes se nuk kishte pritshmëri për një ndeshje të lehtë ndaj kuqezinjve.

“Absolutisht që nuk ishte e lehtë. Nuk e prisnim të ishte e lehtë. Shqipëria është e fortë. Ka pësuar 5 gola, 4 nga ne. Stadiumi ishte i bukur, të jepte emocione të bukura. Na duhej një goditje standarde për të shënuar”, tha Tuchel.

Trajneri anglez shprehu krenarinë për skuadrën e tij dhe për paraqitjen gjatë gjithë fushatës kualifikuese.

“Jam shumë krenar për rekordin e skuadrës. Ne luajtëm të gjithë fushatën si skuadër. Skuadra më ka bërë shumë krenar. Me Shqipërinë dhe Serbinë kanë qenë më të vështirat. Duhet t’i mundësh të gjithë. Urimet më të mira për lojtarët.”

Tuchel gjithashtu dha një mesazh optimizmi për Kombëtaren shqiptare, duke theksuar potencialin e saj për të arritur në Botëror.

“I keni të gjitha shanset për të shkuar në Botëror. Keni trajnerin, keni lojtarët”, tha Tuchel.

/gj.m/r.e/

The post Tuchel pas fitores me Shqipërinë: I keni të gjitha shanset për të shkuar në Botëror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 13 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kualifikimi i Kombëtares në  “play-off” e Botërorit 2026, Rama: Historike, krenarë për kuqezinjtë

13 November 2025 at 22:51

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare ka arritur një fitore të artë në transfertë ndaj Andorrës, duke triumfuar me rezultatin minimal 0-1 në ndeshjen e parafundit të Grupit K të kualifikuesve për Kupën e Botës 2026.

Fitorja, e kombinuar me humbjen 2-0 të Serbisë në fushën e Anglisë, i ka dhënë Shqipërisë kualifikimin historik në fazën “play-off” të Botërorit – për herë të parë në historinë e saj.

Edhe kryeministri Edi Rama komentoi fitoren e kuqezinjve, duke e cilësuar historike,

“Historike. Ec aty shqipe, krenarë për kuqezinjtë”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale teksa ndau edhe golin e shënuar nga Kristjan Asllani.

Fitorja ndaj Andorrës dhe humbja e Serbisë ndaj Anglisë 2-0 bënë që kuqezinjtë të sigurojnë matematikisht vendin e dytë në Grupin K – dhe me të, edhe kualifikimin në fazën “play-off” për Kupën e Botës 2026.

Kjo është hera e parë që përfaqësuesja kuqezi siguron pjesëmarrjen në fazën “play-off” të një Botërori.

Tashmë mbetet ndeshja e fundit ndaj Anglisë më 16 nëntor në “Air Albania”, e cila pritet të jetë një mbrëmje festive për futbollin shqiptar.

/gj.m/j.p/

The post Kualifikimi i Kombëtares në  “play-off” e Botërorit 2026, Rama: Historike, krenarë për kuqezinjtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Historike, Shqipëria arrin kualifikimin në fazën “play-off” të Botërorit 2026

13 November 2025 at 22:35

TIRANË, 13 nëntor /ATSH-Gjergji Mima/ Kombëtarja shqiptare ka arritur një fitore të artë në transfertë ndaj Andorrës, duke triumfuar me rezultatin minimal 0-1 në ndeshjen e parafundit të Grupit K të kualifikuesve për Kupën e Botës 2026.

Fitorja, e kombinuar me humbjen 2-0 të Serbisë në fushën e Anglisë, i ka dhënë Shqipërisë kualifikimin historik në fazën “play-off” të Botërorit, për herë të parë në historinë e saj.

Trajneri Sylvinho hodhi në fushë formacionin e tij standard me Strakoshën në portë, një mbrojtje të përbërë nga Hysaj, Gjimshiti, Ajeti dhe Mitaj, ndërsa mesfusha përbëhej nga Shehu, Asllani dhe Laçi. Në sulm u vendosën Hoxha, Broja dhe Manaj, të cilët krijuan vazhdimisht presion në zonën vendase.

Shqipëria e nisi ndeshjen me ritëm dhe vendosmëri, duke kontrolluar lojën dhe duke kërkuar që herët golin e avantazhit.

Asllani ishte i pari që provoi me një goditje dënimi pranë shtyllës, ndërsa Broja dhe Manaj mbajtën presionin lart në zonën e Andorrës.

Vendasit, megjithatë, rrezikuan disa herë me kundërsulme të shpejta, duke vënë në provë portierin Strakosha.

Në minutat shtesë të pjesës së parë erdhi rasti më i madh, pas një goditje këndi, Berat Gjimshiti goditi traversën dhe rezultati mbeti 0-0.

Kuqezinjtë hynë në pjesën e dytë me më shumë agresivitet. Në minutën e 52-të, Broja shpërtheu bukur në krah dhe asistoi për Asllanin, i cili gjuajti fort, por portieri vendas devijoi.

Presioni solli shpërblimin në minutën e 62-të. Pas një kombinimi model, Bajrami gjeti Uzunin në krah, ndërsa ky i fundit shërbeu saktë për Kristjan Asllanin, i cili kësaj radhe nuk gaboi përballë portierit dhe shënoi golin e fitores 0-1.

Në minutën 73 Rey Manaj i pafat devijoi  gjuajtjen e Nedim Bajaramit, por topi shkoi ngjitur me shtyllën.

Me rezultatin 0-1 u mbyll 90-minutëshi në “Estadi FAF” të Andorrës.

Fitorja ndaj Andorrës dhe humbja e Serbisë ndaj Anglisë 2-0 bënë që kuqezinjtë të sigurojnë matematikisht vendin e dytë në Grupin K – dhe me të, edhe kualifikimin në fazën “play-off” për Kupën e Botës 2026.

Kjo është hera e parë që përfaqësuesja kuqezi siguron pjesëmarrjen në fazën “play-off” të një Botërori.

Fitorja ndaj Andorrës dhe rezultati paralel në Londër ndezin festën për gjithë tifozët kuqezi, të cilët ishin të pranishëm me mijëra në stadiumin “Estadi FAF”.

Tashmë mbetet ndeshja e fundit ndaj Anglisë më 16 nëntor në “Air Albania”, e cila pritet të jetë një mbrëmje festive për futbollin shqiptar. /j.p/

1 nga 4

The post Historike, Shqipëria arrin kualifikimin në fazën “play-off” të Botërorit 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 8 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Botërori Brazil 2027 për vajza, kalendari i plotë i ndeshjeve të Shqipërisë

TIRANË, 8 nëntor/ATSH/ Kombëtarja e futbollit e vajzave njohu pak ditë më parë ekipet kundërshtare që do të ketë përballë në kualifikueset e Botërorit “Brazil 2027”.

Vajzat kuqezi janë pjesë e grupit B1 dhe do të përballen me Uellsin, Çekinë dhe Malin e Zi në këto eliminatore, teksa tashmë është vendosur edhe kalendari i plotë i ndeshjeve të Shqipërisë në këtë kompeticion.

Skuadra jonë do ta nisë rrugëtimin në transfertë ndaj Malit të Zi më 3 mars 2026. Pas 3 ditësh, më 7 mars, Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë në shtëpi ndaj Çekisë.

Dy ndeshjet e radhës do të zhvillohen në prill 2026. Ndeshja Uells– Shqipëri do të luhet më 14 prill, ndërsa pas 4 ditësh, më 18 prill, vajzat kuqezi do të presin në shtëpi po Uellsin në takimin e kthimit.

Shqipëria do të mbyllë rrugëtimin në kualifikueset e Botërorit 2027 në muajin qershor. Sfida Çeki– Shqipëri do të luhet më 5 qershor.

Ndeshja e fundit Shqipëri – Mal i Zi do të luhet në vendin tonë më 9 qershor 2026.

Oraret dhe stadiumet për këto takime do të vendosen në vijim.

Më poshtë kalendari i plotë i ndeshjeve të Shqipërisë në grupin B1:

Mal i Zi – Shqipëri 03/03/2026

Shqipëri – Çeki 07/03/2026

Uells – Shqipëri 14/04/2026

Shqipëri – Uells 18/04/2026

Çeki – Shqipëri 05/06/2026

Shqipëri – Mal i Zi 09/06/2026

/k.s/r.e/

The post Botërori Brazil 2027 për vajza, kalendari i plotë i ndeshjeve të Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 8 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Botërori i peshëngritjes, Ertjan Kofsha thyen rekordin europian

8 October 2025 at 16:33

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Peshëngritësi shqiptar Ertjan Kofsha ka thyer rekordin europian gjatë garimit në Kampionatit Botëror të Peshëngritjes për të Rritur që po zhvillohet në Forde, Norvegji.

Kofsha arriti të ngrejë 161 kg në stilin e shkëputjes, në kategorinë deri 94 kilogramë.

“Me një ngritje spektakolare prej 161 kg në shkëputje, sportisti ynë i jashtëzakonshëm Ertjan Kofsha ka thyer rekordin europian në kategorinë deri në 94 kilogramë, gjatë Kampionatit Botëror të Peshëngritjes për të Rritur që po zhvillohet në Forde, Norvegji”, bën të ditur Federata Shqiptare e Peshëngritjes.

FSHP thekson se, ky rezultat historik tregon talentin, punën dhe përkushtimin e një kampioni të ri që po ngjitet fuqishëm në majat e peshëngritjes botërore.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Botërori i peshëngritjes, Ertjan Kofsha thyen rekordin europian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 10 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama për triumfin ndaj Letonisë: Shqipet fituan sot

9 September 2025 at 22:42

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Kombëtarja shqiptare fitoi 1-0 mbrëmjen e sotme me Letoninë, në stadiumin “Air Albania”, në ndeshjen e vlefshme për Grupin K të kualifikueseve për Kupën e Botës SHBA-Meksikë-Kanada 2026.

Kryeministri Edi Rama përshëndeti këtë fitore, teksa ndau në rrjetet sociale golin e fitores të shënuar nga Kristjan Asllani.

“Shqipet fituan sot”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Shqipëria fitoi 1-0 një ndeshje që mban gjallë shpresat për kualifikim në Botëror. Në ndeshjen tjetër të grupit Anglia fitoi 0-5 në transfertë ndaj Serbisë.

Aktualisht Shqipëria ndodhet në vendin e dytë me 8 pikë, Serbia e treta me 7 pikë, por ka një ndeshje më pak të luajtur. Anglia kryeson grupin me 15 pikë, ndërsa Letonia është me 4 pikë.

/gj.m//a.f//r.e/

The post Rama për triumfin ndaj Letonisë: Shqipet fituan sot appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 9 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shqipëria fiton 1-0 ndaj Letonisë, kapërcen momentalisht Serbinë

9 September 2025 at 22:55

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Kombëtarja shqiptare fitoi 1-0 mbrëmjen e sotme me Letoninë, në stadiumin “Air Albania”, në ndeshjen e vlefshme për Grupin K të kualifikueseve për Kupën e Botës SHBA-Meksikë-Kanada 2026.

Trajneri i Kombëtares Silvinjo hodhi në fushën e lojës formacionin me Strakoshën në portë, Hysajn, Gjimshitin, Ajetin, Mitajn në mbrojtje; Shehun, Asllanin, Laçin në mesfushë dhe Brojën, Manajn dhe N. Bajramin në sulm.

Ndërsa trajneri i Letonisë, Paolo Nicolato hodhi formacionin me Zviedris, Balodis, Černomordijs, Dašķevičs, Varslavān, Jurkovskis, Cigaņiks, Zelenkovs, Vapne, Šits, Meļņik.

Në minutën e 4-t Bajrami provoi me një gjuajtje në hyrje të zonës, por tentativa e tij shkon jashtë.

Në të 9-ën Hysaj hodhi një krosim drejt zonës, me Laçin që tenton me kokë, por tentativa e tij shkon mbi kuadrat.

Në minutën e 25-të Kombëtarja kaloi në avantazh, me Asllanin, i cili shndërroi në gol një penallti të fituar nga Laçi, i cili hodhi një krosim në zonë dhe topi u ndal me dorë nga kundërshtari.

Në minutën e 30-të Kombëtarja pati një tjetër rast për shënim. Aksion i bukur nga kuqezinjtë, me Manajn që godet me të majtën, por topi shkon jashtë.

Minutat e mbetura nuk sollën ndryshim teksa me rezultatin 1-0 u mbyll pjesa e parë.

Në pjesën e dytë Shqipëria krijoi rastin e parë për shënim në minutën e 52-të, teksa Hysaj krosoi nga krahu i djathtë, por Bajrami goditi jashtë.

Kombëtarja kërkon golin e dytë, teksa në të 56-ën Laçi hodhi një krosim drejt zonës me topin që mbeti aty, por Gjimshiti nuk goditi siç duhet.

Trajneri Silvinjo kërkon t’i japë freski skuadrës teksa fut në lojë Arbër Hoxhën në vend të Nedim Bajramit dhe më pas edhe Mirlind Dakun dhe Adrion Pajazitin në vend të Rey Manajt dhe Qazim Laçit.

Në minutën e 86-të rast i mirë për shënim për Letoninë, por Mitaj largoi një top mbi vijën fatale.

Minutat e mbetura nuk prodhuan emocione, teksa Shqipëria fitoi 1-0 një ndeshje që mban gjallë shpresat për kualifikim në Botëror.

Në ndeshjen tjetër të grupit Anglia fitoi 0-5 në transfertë ndaj Serbisë.

Aktualisht Shqipëria ndodhet në vendin e dytë me 8 pikë, Serbia e treta me 7 pikë, por ka një ndeshje më pak të luajtur. Anglia kryeson grupin me 15 pikë, ndërsa Letonia është me 4 pikë.

Pragsfida Shqipëri-Letoni, Foto: Andrin Hoxha
1 nga 22
Formacionet
Pragsfida Shqipëri-Letoni, Foto: Andrin Hoxha
Pragsfida Shqipëri-Letoni, Foto: Andrin Hoxha
Pragsfida Shqipëri-Letoni, Foto: Andrin Hoxha

/gj.m//a.f//r.e/

The post Shqipëria fiton 1-0 ndaj Letonisë, kapërcen momentalisht Serbinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëri – Letoni, tifozët kuqezinj mbushin plot stadiumin “Air Albania”

9 September 2025 at 17:40

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Sonte në mbrëmje, në orën 20:45, Kombëtarja shqiptare do të përballet me Letoninë, në stadiumin “Air Albania”, në një ndeshje jetike për fatet e saj në Grupin K të kualifikueseve për Kupën e Botës “USA-Meksikë-Kanada 2026”.

Stadiumi sot pritet të jetë i mbushur plot me tifozë kuq e zinj, pasi federata Shqiptare e Futbollit njofton se të gjitha biletat e disponueshme për ndeshjen Shqipëri – Letoni janë shitur.

Pas katër ndeshjesh të zhvilluara, Shqipëria ndodhet në vendin e tretë me 5 pikë, dy më pak se Serbia që është e dyta me 7 pikë, por që ka një ndeshje më pak të luajtur.  Anglia kryeson grupin me 12 pikë, ndërsa Letonia është vetëm një pikë pas nesh, me 4 pikë.

Përballja e sotme është vendimtare për skuadrën e drejtuar nga Sylvinhos, që ka si objektiv vetëm fitoren në mënyrë që të vazhdojë të shpresojë për një kualifikim në Botërorin e 2026-ës.

Në ndeshjen tjetër të grupit K, Serbia pret Anglinë në një përballje të vështirë në Beograd, dhe çdo hap fals i serbëve i hap rrugën Shqipërisë për t’u ngjitur në vendin e dytë nëse arrin të marrë maksimumin kundër Letonisë.

Shqipëria dhe Letonia janë përballur 6 herë në histori dhe të gjitha takimet kanë përfunduar në barazim. Dueli i fundit, më 10 qershor 2025 në Riga, përfundoi 1-1, duke lënë shumë vend për reflektim për stafin kuqezi. Në total, të dyja skuadrat kanë shënuar dhe pësuar nga 7 gola ndaj njëra-tjetrës, një baraspeshë që Kombëtarja jonë duhet patjetër ta prishë në këtë mbrëmje.

Ndeshja do të gjykohet nga një treshe polake me Damian Sylwestrzak si arbitër kryesor, i ndihmuar nga Pawel Sokolnicki dhe Adam Karasewicz, ndërsa në sistemin VAR do jenë Piotr Lasyk dhe Pawel Malec.

/gj.m//a.f/

The post Shqipëri – Letoni, tifozët kuqezinj mbushin plot stadiumin “Air Albania” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Trajneri i Letonisë për sfidën ndaj Shqipërisë: Jemi gati, duam rezultat pozitiv

8 September 2025 at 23:07

TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Kombëtarja e Letonisë zhvilloi të hënën në mbrëmje stërvitjen zyrtare dhe konferencën për shtyp në Tiranë, në prag të përballjes ndaj Shqipërisë, që do të luhet më 9 shtator, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës FIFA 2026.

Trajneri i Letonisë, Paolo Nicolato, tha se ekipi i tij po përqendrohet tek rikuperimi i formës më të mirë.

“Ndeshja kundër Serbisë dhe ajo kundër Shqipërisë janë dy sfida të ndryshme. Na duhet të rikuperojmë lojtarët, sepse lamë shumë energji. Por jam i kënaqur me performancën tonë të fundit. Po ecim në drejtimin e duhur dhe besoj se mund të bëjmë një ndeshje të mirë edhe kundër Shqipërisë,” u shpreh Nicolato para gazetarëve.

I pyetur për përgatitjet ndaj Shqipërisë, Nicolato tha se fokusi i skuadrës nuk është aq shumë te kundërshtari, por te vetja.

“Siç e kam thënë edhe më parë, nuk shqetësohemi aq shumë për kundërshtarët. Ne përqendrohemi te strategjia dhe përmirësimi i lojës sonë. Ndeshja kundër Serbisë tregoi një qëndrim të mirë nga ana jonë, edhe pse jemi të vetëdijshëm për diferencat në renditjen e FIFA-s dhe përvojë.”

Trajneri i Letonisë në fjalën e tij tha se skuadra që drejton është gati për sfidën dhe ka qëllim arritjen e një rezultati pozitiv.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Letonisë do të luhet të martën në mbrëmje në orën 20:45, e vlefshme për grupin K në kualifikueset e Botërorit SHBA-Meksikë-Kanada 2026.  Po për këtë grup luhet në të njëjtën orë edhe ndeshja Serbi-Angli.  Ndeshja Shqipëri –Letoni do të gjykohet nga gjashtë gjyqtarë polakë të caktuar për sfidën, të udhëhequr nga kryesori Damian Sylvestrzak.

Renditja e Grupit K:

  1. Anglia           4 ndeshje, 12 pikë
  2. Serbia          3 ndeshje, 7 pikë
  3. Shqipëria      4 ndeshje, 5 pikë
  4. Letonia         4 ndeshje, 4 pikë
  5. Andorra        5 ndeshje, 0 pikë

/a.f/

The post Trajneri i Letonisë për sfidën ndaj Shqipërisë: Jemi gati, duam rezultat pozitiv appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 23 August 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Trump: Shorti i Botërorit 2026 më 5 dhjetor në Uashington

22 August 2025 at 22:38

UASHINGTON, 22 gusht /ATSH – DPA/ – Shorti i grupeve të “Kupës së Botës 2026” në futboll do të hidhet më 5 dhjetor në Uashington, njoftoi të sot presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump.

Trump tha në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të FIFA-s Gianni Infantino, se ceremonia e hedhjes së shortit do të mbahet në “Qendrën Kennedy” në kryeqytet.

“Kupa e Botës 2026” do të zhvillohet nga 11 qershor deri më 19 korrik 2026 në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada. Turneu është zgjeruar nga 32 në 48 skuadra, të cilat do të ndahen në 12 grupe.

Fillimisht besohej se shorti do të mbahej në Las Vegas, siç ndodhi për botërorin e parë në SHBA në vitin 1994.

Infantino dhe Trump kanë marrëdhënie të afërta, dhe ata mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp në fund të “Kupës së Botës për klube”, e cila u zhvillua në SHBA në qershor dhe korrik, në “Trump Tower” në Nju Jork.

Trump ishte gjithashtu i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të trofeut pas finales në Nju Xhersi.

Trump e quajti Kupën e Botës si “ngjarjen  më të madhe në sport” dhe, në lidhje me shortin, shtoi se “ishte një nder i jashtëzakonshëm të sjellim këtë ngjarje globale dhe këtë grup të jashtëzakonshëm njerëzish dhe këta sportistëtë pabesueshëm – më të mirët në botë – në qendrën kulturore të kryeqytetit tonë.”

Deri në kohën e shortit do të dihen 42 nga 48 skuadra pjesëmarrëse, ndërsa gjashtë të tjera do të përcaktohen në ndeshjet play-off në mars. Për këto ekipe do të vendosen përkohësisht vende në short.

Tre vendet organizatore kualifikohen automatikisht, ndërsa 10 skuadra tashmë kanë siguruar pjesëmarrjen: kampionia në  fuqi Argjentina,  por dhe Australia, Brazili, Ekuadori, Irani, Japonia, Jordania, Zelanda e Re, Koreja e Jugut dhe Uzbekistani. /Ad. Ab./

 

 

The post SHBA – Trump: Shorti i Botërorit 2026 më 5 dhjetor në Uashington appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 10 June 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Botërori 2026”, Kombëtarja në Letoni për të konsoliduar vendin e dytë në grup, 1 mijë tifozë në Riga

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Shqipëria do të luajë mbrëmjen e sotme në orën 20:45 në Riga të Letonisë ndeshjen e katërt në Grupin K. kualifikues të Botërorit 2026.

Pas humbjes në debutim me Anglinë, fitores 3-0 me Andorrën dhe barazimin pa gola ndaj Serbisë, kundërshtari i radhës për Kombëtaren është Letonia.

Në rast të një fitoreje kuqezinjtë kanë shansin të përforcojnë pozitat në vendin e dytë.

Aktualisht Shqipëria ka 4 pikë në grup dhe një fitore do të krijonte distancë sigurie nga Serbia, që luan me Andorrën.

Nëse ngjitet në kuotën e 7 pikëve, Shqipëria do të kishte vetëm 2 më pak se Anglia, e cila do të luajë miqësore me Senegalin.

Fituesja e grupit do të kualifikohet direkt për në finalet e Kupës së Botës, ndërsa e dyta do të kalojë në raundin e dytë (play-off).

Sa i përket tifozerisë kuq e zi, edhe në Riga do të jenë të shumtë ata që do të mbështesin Kombëtaren.

Bëhet fjalë për rreth 1 mijë tifozë kuqezinj që do të ndjekin Kombëtaren shqiptare në “Skonto Stadium” të Rigës.

Grupi “K”
Ndeshjet sot ora 20:45
-Letoni-Shqipëri
-Serbi- Andorra

Klasifikimi
1. Anglia       9 pikë (3 ndeshje)
2. Shqipëria  4 pikë (3 ndeshje)
3. Letonia     3 pikë (2 ndeshje)
4. Serbia      1 pikë (1 ndeshje)
5. Andorra    0 pikë (3 ndeshje)

/gj.m/j.p/

The post “Botërori 2026”, Kombëtarja në Letoni për të konsoliduar vendin e dytë në grup, 1 mijë tifozë në Riga appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 11 April 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shqipëria përfaqësohet me dy sportistë në Kampionatin Botëror të “Fitness Challenge”

11 April 2025 at 09:15

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Shqipëria u përfaqësua në Kampionatin Botëror të ‘Fitness Challenge’ të mbajtur në Bishkek të Kirgistanit, me sportistët Jurgen Veizi dhe Klejdi Qemalli, bëri të ditur sot Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH).

Në garën individuale ‘Golden Level’, Jurgen Veizi bëri një paraqitje dinjitoze, duke u renditur në vendin e pestë.

Në garën ekipore “Gold Level Team of Two”, Jurgen Veizi dhe Klejdi Qemalli, për pak pikë humbën zonën e medaljeve, duke u renditur në vendin e katërt. /j.p/

The post Shqipëria përfaqësohet me dy sportistë në Kampionatin Botëror të “Fitness Challenge” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 23 March 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Silvinjo: Ndaj Andorrës nuk na lejohen gabimet

23 March 2025 at 17:32

TIRANË 23 mars /ATSH/ Shqipëria luan nesër në Arenën Kombëtare kundër Andorrës në ndeshjen e dytë të grupit K, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2026 që do të mbahet në 3 shtete në Amerikën e Veriut: SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Në konferencën përpara kësaj sfide, trajneri i Kombëtares, Silvinjo deklaroi se do të jetë ndryshe nga ndeshja me Anglinë, për të cilën tha se nuk ishte e lehtë.

Silvinjo u shpreh se, ekipi do të mundohet të bëjë diçka ndryshe ndaj Andorrës.

“Futbolli është i vështirë për të gjithë. Mëson nga gabimet dhe rinisesh. Ndeshja e fundit nuk ishte e lehtë. Është e vështirë të luash ndaj Anglisë. Kanë lojtarë që luajnë në klubet më të mëdha në botë”, tha ai.

“Me ekipe të tilla duhet të shikosh hapësirat. Ishim në lojë deri të goli i dytë. Me ekipe të tilla, nëse nuk je i përqendruar mund të pësosh 5-6 gola”, u shpreh Silvinjo.

“Ndaj Andorrës nuk na lejohen gabimet. Kemi parë ndeshjen e fundit të tyre, gjithçka ishte e barabartë dhe u vendos nga episodet. Kemi punuar për të gjetur hapësirë për të shënuar. Në stërvitje do të merremi me elementë taktikë për nesër”, u shpreh ai.

“Ajo që ne mundohemi është që të përfitojmë nga lojtarët. Ndaj Anglisë duhet të mbroheshim mirë dhe të riniseshim. Do mundohemi të bëjmë diçka ndryshe. Edhe ndaj Anglisë e provuam, por kishin mbrojtës të fortë”, theksoi Silvinjo.

“Futbolli është i vështirë, por duhet të gjejmë hapësirat e duhura. Futbollistët e tyre luajnë me grinte dhe pasion për fanellën e tyre. E gjithë loja do luhet lart”, deklaroi Silvinjo.

Ndeshja me Andorrën do të luhet nesër në Arenën Kombëtare, duke nisur nga ora 20:45.

/r.e/

The post Silvinjo: Ndaj Andorrës nuk na lejohen gabimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sfida me Andorrën, Gjimshiti: Ndeshje e vështirë, duhet të jemi të përqendruar

23 March 2025 at 17:19

TIRANË, 23 mars /ATSH/ Shqipëria luan nesër në Arenën Kombëtare kundër Andorrës, në ndeshjen e dytë të grupit K të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2026 që do të mbahet në 3 shtete në Amerikën e Veriut.

Në konferencën përpara kësaj sfide kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti kërkoi përqendrim maksimal nga lojtarët, duke thënë se kundërshtarë si Andorra mund të hapin probleme.

Sipas tij, presioni është i pranishëm, por shtoi se është diçka pozitive kur kërkohet fitorja.

“Edhe ndeshjen me Anglinë e quaja si mundësi. Ishte një mundësi për ne. Anglia është ekip që luan gjithmonë për të fituar trofe. Nesër do të jetë ndeshje tjetër. Do të jetë një ndeshje e vështirë. Të gjithë duhet të jenë të përqendruar. Ne letër mund të mos duket e vështirë, por në fushë mund të jetë ndryshe”, tha ai.

Gjimshiti u shpreh se, “ata kanë një përparësi që kanë të njëjtin trajner prej shumë kohësh dhe janë të njëjtët lojtarë. Janë të përgatitur fizikisht. Luajnë në mbrojtje. Duhet t’i fusim në duele individuale me sulmuesit tanë që të krijojnë hapësira dhe mendoj se ky do të jetë kyçi”.

“Në futboll në çdo ndeshje e ke presionin. Është një presion ndryshe nga Anglia. Jemi ne favoritë. Duhet të mësohemi me këtë presion. Kam qenë edhe unë kur na barazuan 2-2 në Shqipëri, na shënuan në dy raste”, u shpreh Gjimshiti.

Gjimshiti u shpreh falënderues ndaj tifozëve.

“E kam thënë gjithmonë se janë më të mirët në botë. Besoj dhe e di se do të na mbështesin edhe në këtë ndeshje. Kombëtarja është ndryshe. Nuk je me atë që luan afër teje prej shumë kohësh. Nuk i di lëvizjet e shokut. Është psikologjike mendoj, si ndaj Anglisë. Kur të mbajnë lart, është e vështirë për të dhënë anën pozitive”, theksoi ai.

“Shpresoj të rikthehen fitoret në stadiumin tonë. Ndeshjet nuk fitohen se jam unë. Puna ime është që të mos pësojmë gol. Kemi mësuar nga ndeshjet e kaluar. Do përmirësohemi në kualifikueset e Botërorit. Duam t’i japim kënaqësi tifozëve”, u shpreh kapiteni i Kombëtares.

“Jemi të gjithë profesionistë. Do jetë një ndeshje ndryshe. Duhet të jemi të përqendruar, sepse mund të pësosh me këto kombëtare të vogla”, deklaroi Gjimshiti.

/r.e/

The post Sfida me Andorrën, Gjimshiti: Ndeshje e vështirë, duhet të jemi të përqendruar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 March 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kualifikueset e Kupës së Botës 2026, Silvinjo publikon listën e lojtarëve për ndeshjet ndaj Anglisë dhe Andorrës

TIRANË, 15 mars/ATSH/ Kombëtarja shqiptare është gati për rrugëtimin e ri në kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Shqipëria ndodhet në grupin K së bashku me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën.

Trajneri Silvinjo ka përzgjedhur 26 lojtarë për dy ndeshjet e marsit ndaj Anglisë dhe Andorrës.

Për herë të parë në Kombëtare janë ftuar Juljan Shehu i Widzew Lodz dhe Etnik Brruti i Malishevës.

Lista e plotë:

Portierë: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Alen Sherri dhe Simon Simoni.

Mbrojtës: Ivan Balliu, Naser Aliji, Marash Kumbulla, Andi Hadroj, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti dhe Enea Mihaj.

Mesfushorë: Ylber Ramadani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Kristjan Asllani, Adrion Pajaziti, Etnik Brruti, Juljan Shehu, Nedim Bajrami dhe Arbër Hoxha.

Sulmues: Ernest Muçi, Jasir Asani, Armando Broja, Myrto Uzuni dhe Rey Manaj.

Grumbullimi zyrtar nis të hënën më 17 mars. Kombëtarja do të luajë ndeshjen e parë ndaj Anglisë në “Wembley” më 21 mars, në orën 20:45.

Takimi i dytë është më 24 mars ndaj Andorrës në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë, në orën 20:45. Biletat për këtë takim janë ende në shitje dhe të gjithë tifozët mund t’i blejnë në ebileta.al në këtë link: Biletat e ndeshjes: Shqipëri – Andorra

The post Kualifikueset e Kupës së Botës 2026, Silvinjo publikon listën e lojtarëve për ndeshjet ndaj Anglisë dhe Andorrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌