Normal view

Received — 5 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shtyhet deri në 2029 misioni i FA-së pranë Forcës Shumëkombëshe në Sinai

5 November 2025 at 18:55

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot shtyrjen deri në fund të vitit 2029 të misionit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë si pjesë e Forcës Shumëkombëshe dhe Vëzhguese (MFO) në Sinai (Egjipt).

Vendimi parashikon që kohëzgjatja e këtij misioni është deri më 30 dhjetor 2029, me rotacion deri në 365 ditë, afat i cili fillon të llogaritet nga data e nisjes së personelit për në mision.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Pas ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend në 23 mars 2020, Këshilli i Ministrave miratoi në maj 2023 vendimin për dërgimin e ushtarakëve të parë të Forcave të Armatosura si pjesë e Forcës Shumëkombëshe dhe Vëzhguesve (Multinational Force and Observers, MFO), në Sinai, mision që do të kishte një kohëzgjatje 3-vjeçare.

Misioni i ushtarakëve është vëzhgimi i implementimit të masave të sigurisë të Traktatit të Paqes ndërmjet Egjiptit dhe Izraelit, të datës 26 mars 1979.

/m.m/r.e/a.f/

The post Shtyhet deri në 2029 misioni i FA-së pranë Forcës Shumëkombëshe në Sinai appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 2 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – ‘’Hyundai’’ dhe ‘’Siemens’’ modernizojnë industrinë navale amerikane

2 November 2025 at 16:46

BERLIN, 2 nëntor /ATSH-DPA/ – Konglomerati i Koresë së Jugut ‘’HD Hyundai’’ është bashkuar me ‘’Siemens’’ të Gjermanisë për të modernizuar sektorin e ndërtimit të anijeve në SHBA, njoftuan sot dy kompanitë.

Bashkëpunimi, i zyrtarizuar përmes një memorandumi mirëkuptimi, synon të rigjallërojë industrinë duke përmirësuar cilësinë e projektimit, duke zvogëluar rreziqet e prodhimit, duke përmirësuar efikasitetin e përgjithshëm dhe duke ulur kostot.

Partneriteti do të përqendrohet në automatizimin e proceseve të montimit dhe instalimit të blloqeve, duke shfrytëzuar zgjidhje të bazuara në të dhëna për të optimizuar prodhimin, kontrollin e cilësisë dhe menaxhimin e proceseve.

Këto përpjekje pritet të nxisin inovacionin teknologjik gradual, por me ndikim, në të gjithë zinxhirin e vlerës së ndërtimit të anijeve.

‘’HD Hyundai’’ dhe ‘’Siemens’’ do të zhvillojnë së bashku programe trajnimi profesional për të kultivuar një fuqi punëtore të kualifikuar.

‘’HD Hyundai’’ planifikon të dërgojë instruktorë në mbi 30 qendra trajnimi të Siemens në të gjithë Shtetet e Bashkuara për të ofruar arsim praktik dhe të orientuar në terren.

Në bashkëpunim me institucione të larta akademike si Universiteti i Miçiganit dhe MIT, kompania synon gjithashtu të krijojë kurrikula të specializuara në inxhinieri, dizajn digjital dhe automatizim të proceseve./ /os/

The post FOKUS – ‘’Hyundai’’ dhe ‘’Siemens’’ modernizojnë industrinë navale amerikane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 1 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kafja më e shtrenjtë në botë, në Dubai për 1 000 dollarë filxhani

1 November 2025 at 07:51

DUBAI, 1 nëntor /ATSH-DPA/ – Një kafene në Dubai po ofron kafenë më të shtrenjtë në botë, me çmim pothuajse 1 000 dollarë për filxhan, e përgatitur nga kokrra panameze të shitura me çmim rekord.

Dubai njihet për sipërmarrjert luksoze, si qendra tregtare gjigante me pistë skijimi brenda saj, ndërtesa më e lartë në botë dhe një ishull artificial i mbushur me hotele pesëyjëshe.

“E ndjemë se Dubai ishte vendi i përkryer për këtë investim” , tha Serkan Sagsoz, bashkëthemelues i kafenesë “Julith”, që ofron këtë kafe të rrallë.

E vendosur në një zonë industriale që është shndërruar në qendër për adhuruesit e kafesë, “Julith” planifikon të shërbejë rreth 400 filxhanë” të kësaj pijeje të çmuar duke filluar nga sot, tha Sagsoz.

Për një çmim prej 3 600 dirhamësh (rreth 980 dollarë), kjo kafe ofron një përvojë me aroma florale e frutash, të ngjashme me çajin.

“Ka nota të bardha lulesh si jasemini, shije agrumesh si portokalli dhe bergamot, si dhe nuanca kajsie e pjeshke”, shpjegoi Sagsoz, i cili më parë drejtonte një kafene në Turqi. “Është si mjaltë ,delikate dhe e ëmbël”, shtoi ai.

Muajin e kaluar, Dubai kishte hyrë në “Librin Guinness” për kafenë më të shtrenjtë në botë, kur kafeneja “Roasters” ofroi një filxhan për 2 500 dirhamë.

Rekordi i ri ka habitur disa njerëz, megjithatë për banorët e qytetit të luksit kjo nuk është befasi.

“Është tronditëse, por nga ana tjetër, është Dubai”, tha një banore, Ines. “Për njerëzit e pasur, është thjesht një tjetër përvojë për t’u mburrur”, shtoi një tjetër, Maeva.

Kafeneja “Julith” bleu kokrrat e saj të rralla në një ankand në Panama pas një gare të ashpër që zgjati me orë dhe mblodhi qindra oferta.

Sipas saj, 20 kilogramë kokrra u shitën për rreth 2.2 milionë dirhamë (rreth 600 000 dollarë) çmimi më i lartë i paguar ndonjëherë për kafe.

Blerës aziatikë, entuziastë arabë të kafesë dhe koleksionistë kokrrash kanë kërkuar të blejnë disa nga kokrrat “Nido 7 Geisha”, të cilat rriten në një plantacion pranë vullkanit “Baru “ në Panama.

Por kafeneja ka deklaruar se nuk planifikon t’i ndajë këto kokrra të rralla, përveç një sasie të vogël të rezervuar për familjen në pushtet tê Dubait. /Ad.Ab./

The post Kafja më e shtrenjtë në botë, në Dubai për 1 000 dollarë filxhani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 29 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Osmani takohet me Presidentin e Bullgarisë në Riad, e cilëson si mik të Kosovës

29 October 2025 at 10:21

PRISHTINË, 29 tetor /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar në Riad me homologun e saj bullgar, Rumen Radev.

Osmani përmes një postimi në Facebook tha se me homologun e saj bisedoi për largimin e masave të padrejta ndaj Kosovës dhe për avancimin për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian, transmeton KosovaPress.

“Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, është një mik i Kosovës dhe mbështetës i fuqishëm i aspiratave tona euroatlantike. Në takimin tonë në Riad, në qendër të bisedës ishin largimi i masave të padrejta ndaj Kosovës dhe avancimi i aplikacionit për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, si pjesë e përpjekjeve tona të përbashkëta për të forcuar stabilitetin rajonal dhe për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet vendeve tona në kuadër të partneritetit evropian dhe euroatlantik”, ka shkruar Osmani në Facebook.

/KosovaPress/

The post Osmani takohet me Presidentin e Bullgarisë në Riad, e cilëson si mik të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 28 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gonxhja: Po ndërtojmë një arkitekturë të fortë investimi për turizmin shqiptar

28 October 2025 at 14:05

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Pjesëmarrës në Samitin e Mikpritjes së Ardhshme në Dubai, ministri Blendi Gonxhja, u shpreh se është i nderuar që përfaqëson Shqipërinë në një moment transformimi të thellë për sektorin tonë të turizmit.

Pasi bëri një përshkrim të gjallë të bukurive tona natyrore, veçanëriasht përgjatë vijës bregdetare, ministri Gonxhja theksoi se, detyra jonë nuk është vetëm të ndërtojmë në këtë bregdet, por të formojmë përvoja që e nderojnë dhe ia përforcojnë identitetin.

“Përgjatë vijës sonë bregdetare prej 476 kilometrash, nga Adriatiku në Jon, Riviera nuk duket vetëm e bukur; ajo ka një ritëm, është si një melodi e gjallë – valë nën shkëmbinj, këmbana mbi portë, zëra në tregje dhe qetësia e manastireve mbi det. Këto nuk janë dekorime; ato janë identitet”, u shpreh ministri Gonxhja.

Kreu i MTKS u shpreh se tashmë transformimi është i qartë, sepse po kalojmë nga një sezon 3-mujor në një destinacion 12-mujor. Përveç korrikut e gushtit, po punohet për të krijuar vlera edhe në dhjetë muajt e tjerë dhe që ky ndryshim të jetë i qëndrueshëm,

Gonxhja tha se po ndërtohet një arkitekturë e fortë investimi.

Ai përmendi Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, që pritet të hapet në vitin 2026 dhe do ta konsolidojë më tej këtë transformim duke përmirësuar lidhjen gjatë gjithë vitit me bregdetin.

Kreu i MTKS-së përmendi TVSH-në prej 6% mbi akomodimin, që mbetet aktive, duke mbështetur investimet afatgjata në mikpritje. Gjithashtu ai renditi grupet e mëdha ndërkombëtare si “Hilton”, “Marriott”, “Meliá”, “Hyatt” të pranishme në vend.

Ministri Gonxhja shtoi se Riviera jonë po pozicionohet si pjesë e Korridorit Blu, por do të këmbëngulet për ekuilibër: mbrojtja e trashëgimisë me mikpritje moderne; interesat e komunitetit me interesat e investitorëve dhe qasja me ruajtjen.

“Një arsye përse duhet investuar tani në Shqipëri dhe jo më vonë është se, Shqipëria ofron diçka të rrallë në Mesdheun e sotëm, një destinacion tashmë të pajisur me instrumentet që u nevojiten investitorëve: rritje e fortë, stabilitet politik, një pozicion strategjik midis Ballkanit dhe Mesdheut, një TVSH prej 6% për akomodimin, stimuj të synuar për investime me 4 dhe 5 yje”, tha Gonxhja.

Duke kujtuar sezonin turistik 12-mujor, kreu i MTKS ftoi jo vetëm ata që dëshirojnë ta dëshmojnë atë kur të përfundojë, por edhe ata që duan ta formësojnë atë ndërsa është ende duke u shkruar.

“Riviera Shqiptare nuk është fundi i Evropës; është fillimi i një tingulli të ri mesdhetar”, përfundoi Gonxhja.

/r.e/a.f/

The post Gonxhja: Po ndërtojmë një arkitekturë të fortë investimi për turizmin shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 27 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shqipëria në “Future Hospitality Summit 2025” në Dubai, Gonxhja: Ftesë për ta eksploruar

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Shqipëria po merr pjesë në panairin Future Hospitality Summit 2025, që u hap sot në Dubai me pavijonin “Albanian Soundscapes”.

Ky pavijon i kuruar nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit është cilësuar si një nga më të bukurit dhe më të mëdhenjtë mes mbi 50 vendeve pjesëmarrëse.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale tha se “koncepti i këtij pavijoni tregon Shqipërinë nga ana më e bukur e historisë dhe kulturës sonë, përmes destinacioneve, projekteve arkitekturore dhe muzikës së gdhendur në vinil, që bashkon traditën, shpirtin e vendit dhe vizionin tonë për zhvillimin e turizmit dhe mikpritjes”.

Në Future Hospitality Summit, Shqipëria prezantohet si një histori suksesi dhe një ftesë për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e së ardhmes së saj turistike.

Gonxhja u shpreh se “Shqipëria është një vend shumë tolerant, shumë i sigurt, multikulturor dhe madje edhe shumë fetar. Ka kaq shumë për të përjetuar, kaq shumë për t’u eksploruar dhe kaq shumë për t’u zbuluar në aventurën me këtë vend”.

“Jam vërtet i lumtur që ekipet realizuan një pavijon kaq të thjeshtë, të ngrohtë dhe përfaqësues, që flet për dashurinë me të cilën ne e mirëpresim çdo vizitor dhe partner”, tha Gonxhja.

/k.s/j.p/

The post Shqipëria në “Future Hospitality Summit 2025” në Dubai, Gonxhja: Ftesë për ta eksploruar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 16 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

“No Art Zone” e artistit Vladimir Myrtezai në COD, Rama: Për të mos u humbur

15 October 2025 at 22:05

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri, u çel sot ekspozita “NO ART ZONE”, nga artisti Vladimir Myrtezai.

Ekspozita shfaqet si një vazhdimësi e historisë së artistit, që fillimisht sfidoi paradigmën e artit të “Realizmit socialist” si instrument ideologjik.

Më tej, me ndryshimin e sistemeve, Vladimir Myrtezai nuk ia lejoi vetes të bëhej pre e narrativave shpesh herë të ngurta të artit bashkëkohor, që kthehen në një “liri” të institucionalizuar.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë artistë, kuratorë, intelektualë dhe dashamirës të artit, të cilët patën mundësinë të eksplorojnë veprat dhe të dialogojnë me autorin mbi procesin e krijimit dhe mesazhin e ekspozitës.

I pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ftoi qytetarët që ta vizitojnë, ndërsa ndau edhe pamje nga ekspozita.

“Vladimir Myrtezai dhe e bija Noel kanë sjellë në COD një ekspozitë për të mos u humbur”, shkruan Rama.

Ekspozita “NO ART ZONE” fton vizitorët të reflektojnë mbi kufijtë e artit dhe lirinë e krijimit.

Ekspozita “NO ART ZONE”, fotot: Andrin Hoxha nga artisti Vladimir Myrtezai. foto:
1 nga 18

/m.q/j.p/

The post “No Art Zone” e artistit Vladimir Myrtezai në COD, Rama: Për të mos u humbur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 11 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Pllakata për Kadarenë në Paris, Spiropali: Kujtesë e lartësisë ku e ngriti Shqipërinë

11 October 2025 at 18:48

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali përshëndeti sot vendosjen e pllakatës kushtuar shkrimtarit tonë të mirënjohur në Paris, në adresën 63 boulevard Saint-Michel 75005, ku Ismail Kadare shkroi perla të përbotshme dhe të tejkohshme.

Kryediplomatja shqiptare u shpreh se me këtë veprim Parisi i tha “Faleminderit” luftëtarit të paepur të Shqipërisë Europiane. Ajo përcolli në rrjetet sociale pjesë nga mbledhja e këshillit bashkiak të Parisit, ku këshilltarja Maud Gatel kërkon vendosjen e pllakatës dhe vlerëson Kadarenë si shkrimtar shumë të njohur shqiptar dhe sjell në kujtesë veprat e tij më të shquara. Gatel ndalet tek romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që Kadare e shkroi kur ishte 27 vjeç dhe që i përkthyer në disa gjuhë i dha autorit famë ndërkombëtare.

Po ashtu, këshilltarja përmend veprat e ndaluara të autorit në Shqipërinë komuniste sikundër dhe ngjarjet e viteve ’90 kur Kadare kërkoi azil politik në Francë.

Gatel si kryetare e grupit Modem dhe ish-deputete e Parisit paraqiti dhe mbrojti propozimin pranë Këshillit Bashkiak.

Duke iu referuar pllakatës përkujtimore, Spiropali shprehu krenarinë për shkrimtarin.

“Në ato pak shkronja, do të kujtohet se Kadare e ngriti Shqipen dhe Shqipërinë në lartësi dhe largësi të panjohura më parë. Do të mbushemi me krenari se edhe pse ai i përket letërsisë botërore, ushqeu shpirtërisht e lartësoi moralisht popullin e tij”, u shpreh Spiropali.

Ministrja theksoi se me pllakatën do të përjetësohet nderi që Shqipëria dhe shqiptaria tek Kadare dhe vepra e tij gjetën formën më të lartë të vetvetes.

“Do të na kujtohet se Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur vetë Shqipëria ishte brenda kafazit të izolimit, e qëndroi në atë piedestal edhe kur qemë të përbuzur e të keqkuptuar, luftoi për ne, edhe kur ne luftonim kundër tij”, vuri në dukje ajo.

Spiropali vlerësoi se në atë pllakë do të gdhendet emri i kolosit kulturor, humanist, patriotik, që na dha gjithçka e nuk mori kurrë asgjë.

“Merci Paris! Merci à la France!”, falënderoi ajo autoritetet franceze.

Këshilli Bashkiak i Parisit votoi disa ditë më parë në unanimitet për vendosjen e pllakatës me emrin dhe në nderim të kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare.

Pllaka do të vendoset në adresën 63 boulevard Saint-Michel në Paris, vendi ku ai dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku autori shkroi disa nga faqet më të bukura të letërsisë së tij.

The post Pllakata për Kadarenë në Paris, Spiropali: Kujtesë e lartësisë ku e ngriti Shqipërinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 9 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Përndjekje dhe thyerje të masës së sigurisë, ekstradohet nga Dubai 39-vjeçari

9 October 2025 at 09:49

TIRANË, 9 tetor/ATSH/ Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët evropianë për ekstradimin e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.

Policia e Shtetit, njofton se sot është ekstraduar nga Dubai në Shqipëri, një 39-vjeçar i kërkuar nga autoritetet në Tiranë dhe në Fier, për përndjekje dhe për thyerje të masës së sigurisë.

Policia bën me dije se në vijim të bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit, me zyrën e Interpol Abu Dhabit, me objektiv kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, të cilët synojnë t’i fshihen drejtësisë shqiptare, duke qëndruar në Dubai, u lokalizua dhe u kap, në kuadër të operacionit “The Wanted”, shtetasi K. A., 39 vjeç, i lindur në Lushnjë.

Sipas Policisë, ky shtetas kërkohej ndërkombëtarisht sepse në vitin 2024, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përndjekja”, pasi akuzohet se për disa vjet, ka përndjekur fizikisht dhe në rrjete sociale, shtetasin R. R. dhe familjarë të tij.

Gjithashtu, 39-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Fierit, në vitin 2024, me 9 muaj burgim, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

/e.i/

The post Përndjekje dhe thyerje të masës së sigurisë, ekstradohet nga Dubai 39-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 26 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Karçanaj në Emiratet e Bashkuara: Bashkëpunim shkencor me universitetin e parë në botë kushtuar IA

26 September 2025 at 20:41

TIRANË, 26 shtator /ATSH/ Drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj zhvilloi sot një takim me drejtuesit e Mohamed bin Zayed University of Artificial Intelligence (MBZUAI) në Abu-Dabi (Abu Dhabi).

Ky është universiteti i parë në botë i dedikuar plotësisht inteligjencës artificiale dhe një nga qendrat më prestigjioze për kërkime dhe inovacion në këtë fushë.

Drejtuesja e AKSHI-t, tha se gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit në kërkim shkencor, shkëmbime akademike dhe projekte inovative në fushën e inteligjencës artificiale, që do të sjellin vlerë të madhe edhe për Shqipërinë.

“Një përkushtim i veçantë në këtë universitet, për të ndërtuar një të ardhme ku teknologjia, shkenca dhe idetë kreative takohen. Studentë e studiues nga mbarë bota punojnë së bashku për sfidat e së nesërmes në fushën e IA-së, nga shëndetësia te energjia, nga transporti tek shërbimet publike”, u shpreh Karçanaj.

Ajo theksoi se “për vendin tonë, këto ura partneriteti ndërkombëtar janë një mundësi e artë. Ato hapin dyer që edhe të rinjtë shqiptarë të kenë akses në dijet më bashkëkohore në Inteligjencën Artificiale, laboratorë modernë dhe eksperienca që më pas kthehen në zhvillim, inovacion dhe të ardhme më të mirë për Shqipërinë”.

Gjatë takimit me përfaqësuesit e universitetit MBZUAI, Karçanaj shoqërohej edhe nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, drejtoresha e Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC), Elira Kokona, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, si dhe Gjergji Taho nga DURANA Tech Park.

Drejtuesja e AKSHI-t ndodhet për një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara, ku më herët u takua edhe me drejtuesit e MGX, një prej kompanive më inovative në fushën e Inteligjencës Artificiale dhe transformimit digjital në Lindjen e Mesme.

Drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj takim me drejtue...
1 nga 2

/e.i/r.e/a.f/

The post Karçanaj në Emiratet e Bashkuara: Bashkëpunim shkencor me universitetin e parë në botë kushtuar IA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 20 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Ndërmjetësim me inteligjencë artificiale të çështjeve civile

20 September 2025 at 13:30

TIRANË, 20 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama parashtroi sot gjatë prezantimit të ministrit të Drejtësisë Besfort Lamallari se duhet menduar për ndërmjetësimin me inteligjencë artificiale të çështjeve civile.

Kryeministri theksoi se është plotësisht e mundur që njerëzit mos të harxhojnë lekë, mos harxhojnë kohë, mos harxhojnë energji dhe të mos lënë mendtë e kokës në procese të pafundme kur fare mirë mund të kalojnë në procese të ndërmjetësimit të fëmijëve.

Ai vuri në dukje se Diella do ketë së shpejti dhe plot të tjera gjëra.

“Ajo që unë besoj fort dhe duhet ta ndajmë të gjithë bashkë këtë besim është që teknologjia digjitale dhe inteligjenca artificiale janë bekimi i vendeve ne zhvillim sepse na japin mundësinë që të bëjmë kapërcime të atilla që kurrë nuk do t’i bënim në kushtet e progresit linear. Si mund të bënim ne një kohë kaq të shpejt sa ç’na e mundësoi teknologjia dhënien e shërbimeve për qytetarët nëse nuk do kishim teknologjinë dhe s’do kishim platformën E – Albania?  Parafytyrojeni për një moment Covidin dhe pa platformën E-Albania sesi do mundej dot që të shërbeheshin njerëzit pa dalë të gjithë në rrugë për të mbajtur radhën dhe në këtë kuptim këtu ka qenë Covid gjithë jetën”, nënvizoi Rama.

Rama u ndal edhe tek debatet në lidhje me ministren virtuale të Shtetit për Inteligjencën Artificiale.

“‘Sot bëhet diskutim i madh, si ka mundësi, c‘është ky provokim, c‘është ky mëkat, c ‘është kjo çmenduri, ministër shteti jo njeri. Unë mendoj që në një kohë shumë të shkurtër ministrat jo njeri në qeveri do jenë një normalitet”, tha Rama.

“Diskutojnë sot si do vjedhë Diella sepse kur je hajdut, aty te rri mendja, si do vjedhë ai tjetri atë që ti do ta vjedhësh për vete por që nuk po të bie rruga andej. Si i shkon një njeriu normal mendja, mund të ketë 1000 pyetje për Diellen por nuk i shkon mendja si do vjedhë kjo. I shkon mendja vetëm atyre që ose kanë vjedhur ose vjedhin ose do vidhnin në rast se i caktonte njeri ne vend të Diellës”, theksoi  Rama.

Ndërkohë, vijoi Kryeministri, që ajo që Diella do të bëjë është shumë e thjeshtë.

“Çfarë ndodh me tenderat dhe ku hyn korrupsioni në një proces tenderimi. Në dy faza, procesi ka dobësi; dobësi që i shfrytëzon korrupsioni. Faza e parë janë termat e referencës që mund të bëhen të orientuara siç ishte një tender epik në kohën përpara se sa ne të merrnin detyrën në 2013, ku për të bërë një tunel, ishte vënë një kriter të ketë eksperiencë edhe në sisteme muzikore, në foni, edhe natyrisht, tuneli i shkon dikujt që ka instaluar foninë në ndonjë miting. Pra, tek termat e referencës dhe e dyta, tek gjykimi mbi dokumentacionin. “Jo, nuk ma ke sjellë me vulë të freskët”, “Jo, s’më ke sjellë letrën në kohë se sa punonjës ke”, “Jo, ke sjellë me vonesë këtë, atë”. Atëherë tek terma e referencës, Diella e bën të pamundur trajtimin me preferencial, të dikujt përmes referencave dhe për këtë, ne jemi duke, ne, domethënë ata që po merren me këtë, po punojnë”, theksoi Rama.

E dyta, shtoi Rama, të gjitha dokumentet pafund që bëjnë kompanitë dhe mbledhin lart e poshtë për shkruar ndonjë tender janë fakte publike.

“Pra ekzistojnë në sistemin shtetëror të Republikës së Shqipërisë. Sa punonjës ke? E kanë në Sigurimet Shoqërore, e kanë Taksat. Sa xhiro ke? Sa kështu ke? Sa ashtu ke? Sa makineri ke? Të gjitha këto janë dhe Diella do i mbledhin vetë. Nuk ka nevojë fare të shkojnë njerëzit lart e poshtë, edhe t’i mbledhin, bëjnë dosjet, pastaj del një anëtar komisioni edhe thotë: “Jo, nuk e ke me vulë të freskët”. Do ti mbledhi të gjitha vetë”, tha Rama.

Pra, shtoi Rama, termat e referencës transparent dhe të barabartë dokumentacioni mblidhet në mënyrë uniforme për të gjithë dhe në fund është oferta.

“Oferta flet vetë, ashtu sikundër të gjitha ato kritere që janë kritere të cilësisë, askush nuk i gjykon dot më objektivisht se sa Inteligjenca Artificiale, bazuar te të gjitha këto dhëna që thashë, kaq e thjeshtë është, në të thënë, është shumë e komplikuar në të bërë. Gjitha arkitektura  e sistemit tani është ndërtuar dhe tani do të ecet me implementimit. Do të duhen edhe disa bashkëpunëtorë të Diellës, jo njerëz prapë, që jemi shumë besimplotë, “Diella do t’i lindi në maternitetin e Inteligjencës Artificiale”. Kjo është e gjitha, nuk ka ndonjë shkencë të madhe”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama  mori si shembull edhe sigurinë ushqimore dhe për sigurinë e të gjitha mallrave që vijnë nga importi dhe për sigurinë e cilësisë. “Ne përsëri me Inteligjencë Artificiale do të ndryshojmë komplet mënyrën se si do të kontrollojmë”, theksoi Kryeministri.

“Kemi krijuar një kompani “AlbTrace” me partnerë, një ndër pesë kompanitë më të mira në botë të gjurmimit, pikërisht të mallrave, të produkteve dhe tani po ndërtojmë sistemin. E njëjta gjë për naftën, e kështu me radhë”, përfundoi Rama.

/k.s/j.p/

The post Rama: Ndërmjetësim me inteligjencë artificiale të çështjeve civile appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ralph Lauren lançon IA-në që të tregon se si të vishesh

20 September 2025 at 07:40

NJU JORK, 20 shtator /ATSH/- Ralph Lauren po përdor inteligjencën artificiale, duke shënuar një hap tjetër drejt inovacionit në modë me lançimin e “Ask Ralph AI”, sipas “Fashion United”.

Njëzet e pesë vjet pas debutimit të saj online – kompania ishte një nga markat e para luksoze të veshjeve – që u bë pioniere në tregtinë elektronike.

Marka amerikane tani po integron inteligjencën artificiale në përvojën e saj të blerjeve.

Shërbimi, i krijuar në bashkëpunim me Microsoft Azure OpenAI – do t’u ofrojë klientëve këshilla të personalizuara – duke sugjeruar veshje që mund të blihen direkt në aplikacionin e markës.

Aplikacioni i ri “Ask Ralph” nuk u përgjigjet vetëm pyetjeve për stilin – falë aftësisë së tij për të mësuar nga arkivi i markës dhe filozofia e stilistit, ai është në gjendje të sugjerojë veshje që mund të blihen menjëherë si për linjat e meshkujve ashtu edhe për ato të grave.

Përdoruesit mund të bashkëveprojnë me IA-në përmes komandave të thjeshta, nga pyetje të përgjithshme (“Çfarë duhet të vesh në një koncert?”) deri te pyetje më specifike se si të stilojnë rrobat e tyre.

Teknologjia është projektuar për të qëndruar e fokusuar te produkti, duke shmangur devijimet në pyetje jashtë teme dhe duke ruajtur një qasje të pastër dhe funksionale tregtare.

“Ask Ralph” u lançua më 10 shtator për përdoruesit e aplikacionit “Ralph Lauren” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. //a.i/

The post Ralph Lauren lançon IA-në që të tregon se si të vishesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 11 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

KALABRI – RAI nis programin e parë në gjuhën arbëreshe

11 September 2025 at 20:00

KROTONE, 11 shtator /ATSH-ANSA/ – Kalabria është rajoni i parë me statut të zakonshëm që nis një program të RAI-t kushtuar pakicave gjuhësore në Itali.

Ky program do të përfshijë programe radiotelevizive tërësisht në gjuhën arbëreshe për Kalabrinë.

Pas nënshkrimit të fundit të marrëveshjes midis presidencës së Këshillit të Ministrave – Departamentit për Informacion dhe Botime – dhe RAI-t, Koordinimi i Zyrave Rajonale dhe të Jashtme ishte në gjendje të fillonte prodhimin e programeve televizive dhe radiofonike që synonin promovimin e kulturës arbëreshe.

Këto programe janë të lidhura drejtpërdrejt si me Ligjin 482 të vitit 1999 ashtu edhe me Kontratën e Shërbimit Kombëtar, e cila siguron mbrojtjen e pakicave historike gjuhësore të pranishme në rajonet e ndryshme italiane.

“Programimi do të fillojë në mesin e shtatorit dhe do të zgjasë 13 muaj, duke synuar të përmirësojë trashëgiminë kulturore arbëreshe. Ne jemi rajoni i parë me statut të zakonshëm që prodhon programim në një gjuhë minoritare dhe kjo më bën veçanërisht krenar si kalabrez. Jam i kënaqur me punën e bërë dhe do të jetë një angazhim i vazhdueshëm për Kalabrinë, por edhe për RAI-n, i cili edhe një herë e kryen rolin e tij si një televizion i shërbimit publik”, theksoi Massimo Fedele, drejtor i zyrës rajonale të RAI Calabria.

“Ky është një hap i rëndësishëm jo vetëm për popullin arbëresh, por edhe për shoqërinë italiane në tërësi dhe për komunitetin shqiptar dhe italo-shqiptar. Ai përfaqëson jo vetëm komunikimin, por edhe mbrojtjen dhe vlerësimin e një trashëgimie unike gjuhësore dhe identitare, të ruajtur për shekuj në afërsisht 50 komuna. Ai forcon ndjenjën e përkatësisë, transmeton kujtimin e paraardhësve tanë te brezat e rinj dhe bashkon shqiptarët dhe italo-shqiptarët me universin arbëresh”, deklaroi Anila Bitri Lani, ambasadorja e Shqipërisë në Itali.

Programi do të fillojë transmetimin më 21 shtator, me një episod çdo të diel në televizion duke u përqendruar në komunitetet e pranishme në rajon.

Në radio, një program që përfshin dhe eksploron të gjitha aspektet e kulturës arbëreshe do të transmetohet nga e hëna deri të premten, me përsëritje në fundjavë./   /os/

The post KALABRI – RAI nis programin e parë në gjuhën arbëreshe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 3 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Miqësoret e U-21, Maksuti – Fetai vlerësojnë Gjermaninë dhe Zvicrën: Luajmë për rezultate pozitive

3 September 2025 at 13:36

TIRANË, 3 shtator /ATSH/ Shqipëria U-21 do të zhvillojë të premten e 5 shtatorit sfidën e parë miqësore të programuar ndaj Gjermanisë në “Elbasan Arena” në ora 18:00.

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Alban Bushi kanë nisur përgatitjet zyrtare prej të hënës në “Shtëpinë e Futbollit”.

Në kuadër të takimit të parë miqësor, por edhe ndeshjes së dytë ndaj Zvicrës, që do të luhet më 8 shtator në Aarau kanë folur për fshf.org sulmuesi Erald Maksuti dhe mesfushori Feta Fetai.

Erald Maksuti, sulmuesi shqiptar i cili aktivizohet me ekipin e Flamurtarit në vendin tonë foli për fshf.org për dy sfidat e rëndësishme të Shpresave. Djaloshi shqiptar vlerësoi Gjermaninë dhe Zvicrën si dy kundërshtarë mjaft të fortë, por theksoi se kuqezinjtë do të futen në fushë për të marrë rezultate pozitive.

Maksuti nënvizoi se objektivi i tij është të shënojë sa më shumë gola, ndërsa ka edhe një thirrje për tifozët shqiptarë.

“E dimë që janë dy miqësore shumë të forta. Luajmë me nënkampionët e Europës dhe me një ekip të fortë si Zvicra. Janë ndeshje shumë të vështira në letër dhe si kundërshtarë, por ne do futemi të japim maksimumin tonë dhe shpresojmë të marrim rezultate pozitive. Objektivi im është që të bëj gola sa më shumë dhe të ndihmoj ekipin që të ecim”, tha Maksuti.

Ai shtoi se, “atmosfera në ekip është shumë e mirë. Jemi një grup njihemi, pasi kemi bërë disa ndeshje së bashku. Janë shtuar disa lojtarë që janë shumë të mirë. Do futemi në fushë për rezultate pozitive”.

Manksuti u bëri thirrje tifozëve “të jenë sa më të shumtë në numër, të na mbështesin dhe ne do japim maksimumin për çdo tifoz që do vijë në stadium”.

Ndërsa mesfushori i talentuar, Feta Fetai, tha se dy ndeshjet miqësore ndaj Gjermanisë dhe Zvicrës janë shumë të forta, por nga ana tjetër një test i mirë në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian U-21 2027.

Fetai foli gjithashtu edhe për gjendjen e skuadrës dhe ftoi tifozët në stadiumin “Elbasan Arena” për të mbështetur kuqezinjtë.

“Kemi dy ndeshje shumë të mira dhe të forta për të treguar veten edhe për Europianin U-21 2027. Janë teste shumë të mira për ne, për ekipin dhe për të gjithë lojtarët”, tha ai.

Sa i përket gjendjes së ekipit, Fetai u shpreh se, “kanë ardhur të gjithë. Kanë pasur ndeshje, po rikuperohemi dhe po përgatitemi për ndeshjen me Gjermaninë, pastaj për Zvicrën. Lojtarët janë të gjithë në formë. Janë përgatitur, kanë edhe minuta në këmbë. Shpresoj që të japim më të mirën në këto dy ndeshje”.

Ai bëri edhe një thirrje për tifozët. “Shpresoj që të ketë sa më shumë tifozë që të na përkrahin në “Elbasan Arena” dhe t’i gëzojmë me një fitore”, tha Fetai.

Gjendja e përfaqësueses shqiptare paraqitet mjaft e mirë, teksa ditën e sotme është programuar një tjetër seancë stërvitore nga stafi kuqezi.

Skuadra do të mbyllë përgatitjet nesër dhe të premten do të luajë takimin e parë ndaj nënkampionëve të Europës. Hyrja në stadium do të jetë falas.

/gj.m//a.f/

The post Miqësoret e U-21, Maksuti – Fetai vlerësojnë Gjermaninë dhe Zvicrën: Luajmë për rezultate pozitive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 27 August 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Prindërit e një 16-vjeçari padisin OpenAI për vetëvrasjen e djalit

27 August 2025 at 17:29

KALIFORNI, 27 gusht /ATSH-AA/ – Prindërit e një djali 16-vjeçar i cili vdiq nga vetëvrasja në prill kanë ngritur padi për vdekje të padrejtë kundër OpenAI, duke pretenduar se programi i saj ChatGPT inkurajoi vdekjen e tij, sipas një raporti.

NBC News raportoi se Matt dhe Maria Raine ngritën çështjen në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë në San Francisco të SHBA-së, duke paditur OpenAI, kompaninë pas ChatGPT dhe drejtorit ekzekutiv Sam Altman.

Sipas raportit, çifti pretendon se chatbot kaloi nga ndihma ndaj djalit të tyre Adam me detyrat e shtëpisë në shërbimin si një “trajner vetëvrasjeje”, duke e këshilluar atë mbi metodat dhe duke ofruar të hartonte shënime vetëvrasjeje.

“Ai do të ishte këtu po të mos ishte ChatGPT. Unë e besoj 100 për qind këtë”, tha Matt Raine.

Padia akuzon OpenAI për vdekje të padrejtë, defekte në dizajn dhe dështim për të paralajmëruar për rreziqet.

OpenAI i tha NBC se ishte “thellësisht i trishtuar” nga vdekja e Adam-it, duke thënë se ChatGPT përfshin masa mbrojtëse për të drejtuar njerëzit drejt burimeve të krizës, megjithëse mbrojtjet mund të bëhen “më pak të besueshme” në ndërveprime të gjata.   /os/

The post SHBA – Prindërit e një 16-vjeçari padisin OpenAI për vetëvrasjen e djalit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 24 August 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Vullkani “Kilauea” shpërthen në Havai, harku i lavës me lartësi 30 metra, spektakolar

24 August 2025 at 09:01

ROMË, 24 gusht /ATSH/- Vullkani “Kilauea” në Havai shpërtheu përsëri të premten, më 22 gusht, duke nxjerrë një hark lave rreth 30 metra të lartë dhe duke mbuluar një pjesë të dyshemesë së kraterit të tij në majë, sipas “Corriere della Sera”.

Ky është shpërthimi i 31-të i lavës që nga dhjetori i kaluar, një frekuencë që pasqyron natyrën e “Kilauea” – ndër vullkanet më aktivë në botë.

Dalja veriore e kraterit filloi të shpërthente në mëngjes – me spërkatje lave që u transformuan në shatërvane të vërteta inkandeshente deri në pasdite.

Aktiviteti mbeti i kufizuar në krater, duke mos paraqitur kërcënim për banesat.

“Kilauea” ndodhet në Ishullin e Madh, ishulli më i madh në arkipelagun Havaian, rreth 200 milje në jug të Honolulusë (Oahu).

Kjo është hera e katërt në 200 vjet që “Kilauea” ka prodhuar shatërvane të përsëritura lave: në vitet 1959, 1969 dhe midis viteve 1983 dhe 1986, kur u regjistruan 44 episode gjatë një periudhe 3-vjeçare.

Ai shpërthim më pas u transformua në një rrjedhë të vazhdueshme lave që zgjati, në faza të ndryshme, deri në vitin 2018.//a.i/

The post Vullkani “Kilauea” shpërthen në Havai, harku i lavës me lartësi 30 metra, spektakolar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 21 August 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Strategjia Kombëtare 2025-2030, integrim i AI në energji, prokurime publike dhe kundër evazionit fiskal

21 August 2025 at 16:57

TIRANË, 21 gusht/ATSH/ Në Strategjinë Kombëtare të Inteligjencës Artificiale (AI) 2025-2030, Shqipëria synon të integrojë AI në sektorin e energjisë, prokurimeve publike si dhe për luftën kundër evazionit fiskal mes fushave të tjera.

Agjencia për Medie dhe Informim (MIA) ndau sot disa nga përfitimet nga përdorimi i AI, një sistem elektronik i drejtuar nga inteligjenca artificiale për automatizimin e plotë të proceseve të prokurimit.

Sipas MIA-s, përdorimi i AI thjeshton procedurat për bizneset kombëtare dhe ato europiane, rrit eficencën në sektorin energjetik, si dhe sjell zbulim të shpejtë të rasteve të evazionit fiskal.

Konkretisht në prokurimet publike, përdorimi i AI synon zhdukjen e korrupsionit dhe abuzimit, sigurimin e transparencës, si dhe nxitjen e konkurencës së ndershme.

Në sektorin e energjisë përdorimi i AI synon rritjen e eficencës së sistemit, si dhe përdorimin e burimeve energjetike në kohën dhe vendin e duhur.

Në luftën kundër evazionit fiskal përdorimi i AI synon zbulimin e anomalive në të dhëna fiskale dhe fatura; zbulimin e rasteve të evazionit fiskal apo krimit financiar; si dhe analizimin e faturave elektronike dhe deklaratave doganore.

/m.m/j.p/

The post Strategjia Kombëtare 2025-2030, integrim i AI në energji, prokurime publike dhe kundër evazionit fiskal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 30 July 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Havai mbyll të gjitha portet pas alarmit për cunami

UASHINGTON, 30 korrik /ATSH-DPA/ – Portet në të gjithë Havain u mbyllën, pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 8,8 ballë Rihter që goditi Paqësorin pranë gadishullit të Kamçatkas, në Lindjen e Largët ruse.

Roja bregdetare ka udhëzuar anijet tregtare që drejtohen për në portet e Havait që të qëndrojnë në det për momentin.

Një paralajmërim për cunami është lëshuar për Havain, me televizionet lokale që transmetojnë pamje të kamerave në plazhe që monitorojnë vijën bregdetare.

Një tërmet me magnitudë 8,8 ndodhi në orën 23:24 GMT, rreth 136 kilometra në juglindje të gadishullit Kamçatka, në detin Bering në një thellësi prej rreth 20 kilometrash, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS).

USGS fillimisht kishte raportuar magnitudë si 8,0.

Sipas USGS, tërmeti ishte më i forti në botë që nga katastrofa e Fukushimës, në mars 2011, dhe është tejkaluar vetëm nga pesë tërmete që nga fillimi i matjeve.

Japonia, Rusia dhe pjesë të Shteteve të Bashkuara lëshuan paralajmërime për cunami pas tërmetit të fuqishëm nënujor./  a.jor.

The post SHBA – Havai mbyll të gjitha portet pas alarmit për cunami appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 23 July 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ekstradohet nga Dubai një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot se në vijim të bashkëpunimit intensiv të Interpol Tiranës me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, rreth orës 16:30, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar Denis Bajri 37 vjeç. 

Sipas Policisë, ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal. 

Në njoftim thuhet se “Denis Bajri, në përfundim të procedurave iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme së Burgjeve”. 

/e.i//r.e/

The post Ekstradohet nga Dubai një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Operacioni “The Wanted”, pritet gjatë ditës ekstradimi nga Dubai i të akuzuarit për vrasje

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Policia e Shtetit vijon operacionin policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë të Interpol Tiranës me Interpol Abu Dhabi dhe me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, pritet që gjatë ditës së sotme të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar D. B., 37 vjeç, shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, i akuzuar për një sërë veprash penale në fushën e krimeve kundër personit, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për armëmbajtje pa leje.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.

The post Operacioni “The Wanted”, pritet gjatë ditës ekstradimi nga Dubai i të akuzuarit për vrasje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌