Normal view

Received — 13 June 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ambasadori suedez Ström: Shqipëria, nga vendet më të përgatitura për t’u anëtarësuar në BE

TIRANË, 13 qershor /ATSH/ Ambasadori suedez në Tiranë, Niklas Ström, u shpreh sot në një intervistë televizive se Shqipëria është vendi që po ecën më shpejt në negociatat me Bashkimin Evropian, duke iu referuar kapitujve kryesorë të hapur deri tani.

Ambasadori Ström tha se “Suedia e konsideron Shqipërinë si një nga vendet më të përgatitura për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, duke vlerësuar progresin e arritur deri më tani dhe duke e mbështetur fuqimisht në këtë rrugëtim”

“Shqipëria ka hapur tashmë katër nga gjashtë kapitujt kryesorë të negociatave dhe është realiste që të hapen të gjitha brenda këtij viti, në përputhje me objektivat e qeverisë shqiptare. Suedia është e gatshme të ndihmojë në çdo hap të mëtejshëm, jo vetëm për anëtarësimin në BE, por për të sjellë reforma të dobishme për vetë qytetarët shqiptarë”, pohoi ai.

“Suedia është shumë e angazhuar në Shqipëri. Jemi shumë të përkushtuar ndaj procesit tuaj drejt BE-së. Kemi një bashkëpunim zhvillimor këtu, një pjesë e të cilit përqendrohet në zhvillimin ekonomik në sektorin e bujqësisë, në plane industriale dhe automatizimi. Po ashtu, ne po mbështesim një sektor shumë interesant të startup-eve. Po zbatojmë një projekt të BE-së që ndihmon zhvillimin e kompanive shqiptare, i ndihmon të lidhin kontakte me kompani të tjera jashtë vendit, dhe të marrin trajnim e mentorim”, tha ai.

Ambasadori cilësoi se “Suedia e sheh Shqipërinë si vend pararojë për momentin, së bashku me Malin e Zi”.

“Shqipëria ka bërë më shumë progres gjatë vitit të fundit në negociatat me BE-në. Tani, duhet të hapni negociatat nga gjashtë fushat, katër janë hapur tashmë. Mendoj se është realiste që të hapen të gjitha brenda këtij viti, siç është edhe objektivi i qeverisë. Pastaj, sa kohë do të zgjasë procesi, kjo varet shumë nga vetë Shqipëria. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm kur ju të jeni gati. Dhe dua të theksoj: këto reforma nuk i bëni vetëm për BE-në, i bëni për Shqipërinë. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, vijoi Ström.

Ambasadori theksoi gjatë intervistës edhe rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit, të drejtësisë dhe përmirësimit të klimës së biznesit si kushte kyçe për tërheqjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

“Ajo që është më e rëndësishme është që Shqipëria të vazhdojë të përmirësojë klimën e biznesit. Sipas meje, më e rëndësishmja është të kesh një terren të barabartë për të gjitha kompanitë. Kompanitë kërkojnë qëndrueshmëri, të dinë në çfarë rrethanash po veprojnë, duan sundim të ligjit që funksionon dhe duan të kenë të qarta të drejtat e pronësisë mbi tokën. Pra, nëse më kërkoni një këshillë për Shqipërinë: përqendrohuni në stabilitet, drejtësi dhe qartësi ligjore”, pohoi ambasadori suedez.

Ambasadori u ndal tek Java Kulturore Suedeze që do të zhvillohet së afërmi.

“Normalisht, përpiqemi të tregojmë që Suedia është më shumë sesa ABBA apo Volvo. Kemi shumë më tepër për të ofruar. Duam të tregojmë një panoramë të gjerë të kulturës suedeze. Duam të tregojmë që kemi artistë cilësorë, muzikantë, dhe madje edhe gjëra si çiklizmi, që e konsiderojmë gjithashtu pjesë të kulturës suedeze. Pra, është një pamje më e gjerë e Suedisë ajo që duam të paraqesim. Por sigurisht, do të kemi edhe pak “pop”, do të kemi edhe pak muzikë më të lehtë, por të sjellë në një nivel tjetër”, u shpreh ai.  /e.i/j.p/

The post Ambasadori suedez Ström: Shqipëria, nga vendet më të përgatitura për t’u anëtarësuar në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 31 May 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

KINEMA – 10 filmat për t’u parë gjatë qershorit

TIRANË, 31 maj /ATSH/ – BBC ka bërë një renditje të 10 filmave për t’u parë gjatë qershorit, që janë:

1 – Materialists

Debutimi i Celine Song u nominua për dy çmime Oscar në vitin 2024. Për filmin e saj të dytë, Song është zhvendosur nga një dramë delikate gjysmë autobiografike në një komedi romantike joshëse me një kast aktorësh të nivelit A.

2 – The Life of Chuck

Jeta e Chuck-ut fillon në fund – konkretisht, në fund të botës. Dy ish-bashkëshortë, Chiwetel Ejiofor dhe Karen Gillan, bashkohen për të parë Tokën të shkatërrohet dhe yjet të zhduken – por pse papritmas ka postera kudo që festojnë Charles “Chuck” Krantz (Tom Hiddleston) të sjellshëm?

3 – M3GAN 2.0

M3GAN ishte një hit në vitin 2022 – megjithëse kjo mund të ketë pasur më pak të bëjë me vetë filmin sesa me mënyrën se si klipet e antiheroinës së tij robotike u përhapën në TikTok. Sidoqoftë, një vazhdim dukej i pashmangshëm – dhe ja ku është, kthimi i kukullës me inteligjencë artificiale (Amie Donald, me zërin e Jenna Davis) e cila u dizenjua nga Gemma (Allison Williams).

4 – Elio

Takimi më i famshëm i kinemasë midis një djali dhe një alieni ishte në filmin e Steven Spielberg, ‘’ET The Extra Terrestrial’’ – dhe djali quhej Elliott. A mund të jetë kjo arsyeja pse vizatimi i Pixar për një djalë që takon alienët quhet Elio?

5 – 28 years later

Në fakt kanë kaluar vetëm 23 vjet që kur doli 28 Days Later, por kush po numëron? Ajo që ka rëndësi është se e preferuara e horrorit në Mbretërinë e Bashkuar është rikthyer më në fund. Dhe, ndryshe nga vazhdimi i parë, 28 Weeks Later, ky është ideuar nga krijuesit e filmit origjinal, regjisori Danny Boyle dhe skenaristi Alex Garland.

6 – From the World of John Wick: Ballerina

Personazhi kryesor është Eve Macarro, luajtur nga Ana de Armas, e cila tregoi kredencialet e saj të aksionit në filmin e fundit të James Bond ‘’No Time to Die’’.

7 – Marlee Matlin: Not Alone Anymore

Marlee Matlin ishte aktorja e parë e shurdhër që fitoi një Oscar kur mori në shtëpi trofeun e aktores më të mirë për ‘’Children of a Lesser God’’ në vitin 1987. Dhe, në fakt, asnjë aktor tjetër i shurdhër nuk fitoi çmime Oscar deri në vitin 2022, kur Troy Kotsur u emërua aktori më i mirë mbështetës për interpretimin e burrit të personazhit të Matlin në ‘’Coda’’.

8 – Happy Gilmore 2

Një nga filmat më të hershëm të Adam Sandler, Happy Gilmore është një komedi sportive e çmendur për një lojtar hokeji.

9 – F1: The Movie

Ekipi pas ‘’Top Gun: Maverick’’ – përfshirë regjisorin Joseph Kosinski, skenaristin Ehren Kruger, producentin Jerry Bruckheimer, operatorin Claudio Miranda dhe kompozitorin Hans Zimmer – ribashkohen për një tjetër dramë me buxhet të madh për një demon veteran shpejtësie që i mëson brezit të ri se si bëhet kjo. Megjithatë, nuk ka asnjë shenjë të Tom Cruise. Në vend të kësaj, në F1 luan Brad Pitt si një pilot i Formula 1.

10 – Sorry, Baby

Filmi debutues i Eva Victor mori kritika entuziaste kur u shfaq premierë në Festivalin e Filmit Sundance në janar. Përveç shkrimit dhe regjisë, Victor luan në filmin “Sorry, babe” si Agnes, një lektore që jep mësim në të njëjtin kolegj të New England ku ajo dikur studionte.

Kur shoqja e saj më e mirë, Lydie (Naomi Ackie), vjen të qëndrojë, është e qartë se jeta e Lydie ka ecur përpara që kur ishin studentë, ndërsa Agnes është bllokuar – ndoshta për shkak të një sulmi seksual./ /os/

The post KINEMA – 10 filmat për t’u parë gjatë qershorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 30 May 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama ndan pamje nga Mati: Destinacion që nuk duhet lënë pa u vizituar

TIRANË, 30 maj /ATSH/ – Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale pamje mahnitëse nga zona e Matit, duke e vlerësuar atë si një nga destinacionet që çdo vizitor duhet të eksplorojë.

“Me pamjet e mrekullueshme nga Mati, ku natyra ofron një panoramë të jashtëzakonshme dhe një destinacion që nuk duhet lënë pa u vizituar”, shkruan Rama në postimin e tij, duke theksuar bukuritë natyrore dhe potencialin turistik të kësaj zone veriore të Shqipërisë.

Publikimi vjen në kuadër të promovimit të pasurive natyrore të vendit dhe nxitjes së turizmit lokal në prag të sezonit veror.

Rajoni i Matit ofron një sërë destinacionesh turistike që kombinojnë bukuritë natyrore me vlerat historike dhe kulturore.

Ndër më të njohurat është Parku Natyror i Qafë-Shtamës, një zonë e mbrojtur që shtrihet në kufirin mes Matit dhe Krujës. Ky park është i njohur për pyjet e dendur me pisha, burimet e pastra të ujit dhe ajrin e freskët, duke e bërë një destinacion të preferuar për ecje dhe relaks në natyrë. Në këtë zonë ndodhet edhe vila e ndërtuar nga Mbreti Zog, e njohur si “Vila e Mbretëreshës Nënë”, që shton vlerën historike të parkut.

Përveç Parkut të Qafë-Shtamës, Matit i përkasin edhe vende të tjera me interes turistik, si Kalaja e Macukullit, një fortesë mesjetare që ofron pamje panoramike të luginës, si dhe Ura e Zogut, një strukturë historike që lidh brigjet e lumit Mat.

Gjithashtu, zona është e pasur me tradita kulturore dhe kulinarinë karakteristike të veriut të Shqipërisë, duke ofruar një përvojë të plotë për vizitorët.

/a.f/

The post Rama ndan pamje nga Mati: Destinacion që nuk duhet lënë pa u vizituar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 21 May 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dervish Hima, atdhetari, publicisti e diplomati i shquar shqiptar

TIRANË, 21 maj/ATSH/ Më 21 maj të vitit 1928 vdiq Dervish Hima atdhetar, publicist e diplomat shqiptar. I njohur me emrin Ibrahim Mehmet Naxhi, Hima lindi në Ohër më 21 maj të vitit 1875, në një familje të pasur.

Ai kreu shkollën fillore në Ohër, teksa shkollën e mesme e vazhdoi në Manastir dhe Selanik dhe për dy vjet studioi mjekësi në Stamboll. Me vajtjen atje, fillimisht mbështeti Lëvizjen e Re Turke, në kuadër të së cilës filloi edhe të reflektojë mbi çështjen shqiptare.

Ishte atdhetar e publicist i Rilindjes Kombëtare, organizator i Kongresit të Bukureshtit, pjesëmarrës në Kongresin e Napolit, botues i gazetës “Arnautlluk” në Stamboll e më pas i gazetës “Albania” në Zvicër. Në vitin 1903, Dervish Hima botoi revistën dyjavore “L’Albanie” në Gjenevë. Po këtë revistë, ai vazhdoi ta botojë një herë në muaj përgjatë 1905-1906, në Bruksel. Më 1909 në Stamboll, Dervishi drejtonte të përjavshmen “Shqipëtari” – “Arnavud”, së bashku me Hilë Mosin, një revistë kjo në gjuhën shqipe dhe turke, e mbështetur financiarisht nga Austro-Hungaria, botimi i së cilës u ndalua në fund të vitit 1910.

Dervish Hima ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Ai shkroi e botoi: “Varri i liridashësve”, “Pasqyra e krimeve të Sulltanit”, “Një zë nga burgu në kohën e lirë” dhe vepra të tjera.

/a.f/

The post Dervish Hima, atdhetari, publicisti e diplomati i shquar shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 12 May 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Zgjedhjet e 11 majit, PS 59,24% të votave në bashkinë Mat

TIRANË, 12 maj/ATSH/ Në bashkinë Mat, të qarkut Dibër, ka përfunduar sot numërimi i votave për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit.

Sipas rezultateve të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së, në Mat ka përfunduar numërimi në të 47 qendrat e votimit, ku Partia Socialiste ka marrë 7496 vota ose 59,24%, Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka marrë 4654 ose 36,78% të votave.

Partia Koalicioni Euroatlantik ka marrë 146 vota ose 1,15%; koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” ka marrë 118 vota ose 0,93% të votave; Partia Mundësia ka marrë 93 vota ose 0,74%; Partia Socialdemokrate ka marrë 67 vota ose 0,53% të votave.

Ndërkohë procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit për qarkun Dibër, po vijojnë në bashkitë Bulqizë, Dibër dhe Kos.

/r.e/j.p/

The post Zgjedhjet e 11 majit, PS 59,24% të votave në bashkinë Mat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 5 May 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Mijëra gjermanë kërkojnë ende të afërmit e zhdukur gjatë LIIB

BERLIN, 5 maj /ATSH-DPA/ – Ndërsa Gjermania përgatitet të shënojë 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, mijëra gjermanë ende po përpiqen të zbulojnë fatin e të afërmve të zhdukur gjatë konfliktit.

[[Vetëm gjatë vitit të kaluar, Shërbimi i Gjurmimit i Kryqit të Kuq Gjerman (DRK) ka marrë rreth 7 000 kërkesa në lidhje me luftën[[, theksoi kryetarja e DRK-së, Gerda Hasselfeldt.

“Interesi, nevoja, është ende shumë e lartë”, theksoi ajo, duke e quajtur kërkimin për të zhdukurit një “detyrë themelore humanitare”.

Kërkesat për informacion vijnë nga prindërit, bashkëshortët, të fejuarit ose vëllezërit e motrat e të zhdukurve, por gjithnjë e më shumë edhe nga një brez nipërish e mbesash që duan të dinë se çfarë u ka ndodhur gjyshërve të tyre.

Rreth 47% e kërkesave zgjidhen, dhe në 53% të rasteve të mbetura shpesh është e mundur të ofrohen informacione rreth personit të zhdukur, si p.sh. ku është parë për herë të fundit.

Shërbimi i Gjurmimit, i cili gjithashtu ndihmon në kërkimin e personave të zhdukur në konfliktet aktuale, të tilla si luftërat në Ukrainë dhe Siri, merr një total prej 12 milionë eurosh (14 milionë dollarë) në vit nga fondet qeveritare.

Nga kjo shumë, 3 milionë euro në vit ndahen për vendin e hetimit të Luftës së Dytë Botërore në Mynih, por financimi është i garantuar vetëm deri në vitin 2028./   /os/

The post FOKUS – Mijëra gjermanë kërkojnë ende të afërmit e zhdukur gjatë LIIB appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 22 April 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Shpata e Drejtësisë në duart e politikës prej vitit 1912, ia dhamë Altin Dumanit

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kryetari i Partisë Socialiste nënvizoi sërish sot nga takimi me pensionistët në Gjirokastër, rëndësinë e pavarësisë së pushtetit të drejtësisë mbi atë politik dhe faktin që ka qenë vullneti i forcës socialiste politike që “shpata” e drejtësisë të kalonte në duart e Altin Dumanit për të goditur, majtas dhe djathtas.

Rama tha se ajo që është bërë në këtë drejtim, nuk ka ndodhur në historinë e shtetit shqiptar nga viti 1912, fakti që u mor vendimi për të hequr dorë nga pushteti i politikës mbi atë të  drejtësisë, që është një pushtet i jashtëzakonshëm.

“Kemi marrë shpatën që e kisha unë atje në zyrë e që nga 1912 kalonte dorë më dorë, dënohej e kush s’dënohej dhe ne për turpin e madh të kësaj politike të burgosurin e fundit politik e kemi në kohën e demokracisë, Fatos Nanon. Altin Dumani ju mendoni që lindi në 2020, jo. Mendoni që doli nga shkolla në vitin 2020? Ka qenë prokuror vite të tëra, njeri me integritet, me kurajë, njeri që beson atë që bën. Pse nuk thirri ndonjëherë Altin Dumani një deputet, ose ndonjë drejtor të madh? Aty ishte Altin Dumani në prokurori. Sepse nuk e kishe pushtetin ta bënte këtë gjë, sepse shpata ishte në duart e politikës, ishte i çarmatosur”, pohoi Rama.

Kreu i ekzekutivit nënvizoi se përpara pavarësisë së pushtetit politik mbi drejtësinë, “të gjithë ishin vegla, bënin çfarë u thoshte politika”. Dhe sipas Ramës, kur politika mbaronte interesat, gjyqtarë e prokurorë bënin llumin e zullumin që i bëri me 17 shtëpi e 40 prona që ua kishin dhënë vjehrrat. “Vjehrrat më bujare të botës dolën këto, të gjitha para të marra nga korrupsioni”, vijoi Rama.

Kryeministri Rama u kthye pas në vite, në fushatat elektorale të kaluara, ndërsa tha se ka kërkuar votën e shqiptarëve për të mos mbajtur të tjerë në prehër dhe për të shkuar drejt BE-së.

“Falë mbështetjes suaj dhe bashkë me ju edhe të 800 mijë njerëz që më dëgjuan kur thashë ma jepni votën që mos të mbajë të tjerët në prehër që të shkojmë në BE-së, se me të tjerë në prehër nuk e bëjmë dot shkëputjen e drejtësisë nga politika. Këta janë këtu për tepsinë, jo për Shqipërinë, ne duam program. Çfarë programi do ti nga bufi i kënetës kur ti sheh bufin, mjafton shihe dhe e ke parë programin. Do të gënjesh veten që ai nuk është buf?”, vijoi Rama.

Rama u ndal edhe te komentet për gjysmën e qeverisë në burg, ndërsa theksoi se nuk ka asnjë ministër nga qeveria e tij në burg, por ka persona nën hetim, nën gjykim apo të dënuar që kanë qenë në mandatin e parë të qeverisjes, apo në kërkim dikë që nuk ishte në qeveri kur mori arratinë.

“Ne kemi tre mandate mbi 60 ministra, edhe 10 po të ishin në burg. Kush e solli këtë situatë, si ju erdhi kjo punë që edhe brenda nesh drejtësia bën atë që do. Këta mendojnë që me duart e drejtësisë do marrin pushtetin këta duke na vënë ne gjoja në pozitë të vështirë. Unë për këtë kam luftuar. Edhe kur goditet brenda nesh nga pikëpamja njerëzore unë ndihem keq, por në raport me ju unë do të isha tradhtari më i madh nëse do ju thosha që unë dua mbështetje mbi hiqni këta nga prehri, më jepni timoni, më hiqni këta që i flasin shoferit që të shkojmë përpara që të godas majtas dhe djathtas. Do isha tradhtari më i madh nëse sot do të ndodhte e kundërta”, cilësoi Rama. /j.p/

The post Rama: Shpata e Drejtësisë në duart e politikës prej vitit 1912, ia dhamë Altin Dumanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama me pensionistë në Gjirokastër: Jemi një hap larg BE-së, shumica e qytetarëve mendojnë se jemi në rrugën e duhur

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherazi edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha sot gjatë një takimi në Gjirokastër me një grup pensionistësh, se kanë qenë reformat e qeverisë socialiste që e kanë shpëtuar Shqipërinë nga kolapsi i dytë, ku mund të kishte rënë komplet shteti.

Kryeministri nënvizoi faktin se Shqipëria është një hap larg nga BE-ja, ndërsa u ndal sërish te sondazhi i publikuar mbrëmë në një televizion shqiptar, nga një prej sondazhistëve të famshëm të Amerikës.

“Ai thoshte që 50% e popullit shqiptar mendon se vendi po ecën në drejtimin e duhur, këta në kënetë aty jepnin të tëra shpjegimet e mundshme përveç një shpjegimi, mos vallë ca gjëra vërtet janë bërë! Kjo tregon që populli shqiptar është i sëmurë tha njëri se pse nuk mendon si këta. Më hidhen mua pse thotë Edi Rama që gjysma e burrave janë çyrykë, tjetri thoshte kjo është e tmerrshme se si mundet që gjysma e popullit të thotë që po shkon në drejtimin e duhur, atëherë këtu ka një frikë shumë të madhe. Edi Rama i ka trembur këta deri në palcë, dhe e thonë nga frika, ndërsa një tjetër thoshte që Rama i josh me fotot nudo të tij në Google”, pohoi ai.

Sipas Kryeministrit, analistë të ndryshëm në studio televizive përpiqen që të gjejnë çdo arsye të mundshme, përveç njërës që është njëherësh edhe më e thjeshta, fakti që Shqipëria është te dera e BE-së.

Kryeministri pohoi se që pas fushatës së vitit 2009 ka hequr stacionet televizive nga shtëpia, teksa zgjedh të shohë vetëm filma dhe sport.

“Futem në YouTube mbrëmë, por këta më hoqën dëshirën për të fjetur gjumë dhe ato tre orë që fle. Si u çmend BE-ja, Banka Evropiane e Investimeve që mbështesin Shqipërinë, Komisioni Evropian që na kanë vënë të parët në rajon për menaxhimin e financave publike. Vetëm këta që duan ta kthejnë Shqipërinë në hon janë në rregull nga trutë, populli është i sëmurë”, tha Rama. /j.p/

The post Rama me pensionistë në Gjirokastër: Jemi një hap larg BE-së, shumica e qytetarëve mendojnë se jemi në rrugën e duhur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 17 April 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Ne qeverisim, nuk bëjmë premtime elektorale. Ëndrra jonë është Shqipëria në BE

TIRANË, 17 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë rubrikës “Sy m’Sy”, duke iu përgjigjur drejtpërdrejt ndjekësve në rrjetet sociale, se Partia Socialiste është shumica qeverisëse që nuk bën premtime elektorale në kohë fushatash, por ndan informacion rreth punëve të realizuara.

Një komentues shprehet se “të gjitha këto premtime para fushatës, në fakt duhet të bëhen mbrapa, pasi vetëm me gjobat e vendosura në Tiranë për parkimet në këto 13 vite do të ishte bërë Shqipëria lule”.

“I ke rënë lapsit, i ke parë sa janë? S’di çfarë të them, që të jemi shumë të qartë bashkë për një gjë, se kjo ka rëndësi: Ne jemi shumica që qeveris dhe do të vazhdojmë të qeverisim dhe ne nuk bëjmë premtime elektorale. S’kemi bërë as në 2021-shin, as në 2017-n, sepse në aspektin e punëve ne ndajmë informacion me publikun, është pjesë e punëve tona jo e ëndrrave tona”.

Sipas, kreut të qeverisë ëndrra është vetëm një: Shqipëria në BE. “Të gjitha të tjerat janë plane qeverisëse, nuk janë premtime në sensin që ta marrim njëherë votën pastaj shohim e bëjmë”, tha ai.

Një tjetër komentues i kujton Kryeministrit stilin e tij të veshjes. Rama thotë në përgjigjen e tij se çështja e stilit të tij të veshjes është e hershme, pasi nuk u bë 60 vjeç me kostume dhe tani ka vendosur të dalë me pizhame në rrugë për të manipuluar të rinjtë.

“Je komplet gabim dhe duhet të tërhiqesh mbrapa, jo shumë afër kënetës se kjo këneta këtu ka aftësinë që të thith dhe të bën qesharak”, tha Rama.

Komentuesi i radhës në platformat sociale, u shpreh Kryeministri “rri gjatë në pushtet, si fallxhori më i madh, por njerëzit duhet të hapin sytë”.

Kreu i ekzekutivit, në përgjigjen e tij ndaj komentuesit, e ftoi atë që të shohë rrotull dhe të gjejë një element ku Shqipëria është njësoj siç ka qenë kur qeverisa socialiste mori pushtetin.

“Më trego një gjë, ku Shqipëria është njësoj, se më keq, nuk ta pranoj fare. Po të ishte njësoj siç ishte, nuk ishim sot para derës së hapur të BE-së”, nënvizoi Rama.

“Mirë unë jam fallxhor dhe po të bëj ty magji, por është gjithë ajo strukturë, janë 1000 veta në Bruksel që lodhesh t’i numërosh, në të gjitha drejtoritë, sipas të gjitha fushave që merren me negociatat. 1000 nga ana jonë, 1000 nga ana tyre, ata nuk shohin atletet e mia, nuk dëgjojnë muhabetet e mia, ata shohin faktet, u referohen shifrave, ata kanë instrumente shkencore të matjes së progresit. Nuk merren me portale, prandaj thonë Shqipëria sot është “pararoja e Ballkanit””, pohoi Kryeministri.

/r.e//a.f/

The post Rama: Ne qeverisim, nuk bëjmë premtime elektorale. Ëndrra jonë është Shqipëria në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 8 April 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kallas: Zbatimi i reformave kërkon mbështetjen e plotë të partive politike

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Kaja Kallas, përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, tha sot gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama se zbatimi i reformave në Shqipëri kërkon një gjithëpërfshirje të partive politike, si edhe mbështetje të madhe shoqërore.

Kallas iu përgjigj interesimit të medias nëse e ngadalëson një rotacion i mundshëm politik integrimin e Shqipërisë në BE, zyrtarja e lartë evropiane u shpreh se “duhet bashkëpunim i të gjitha palëve politike për zbatimin e reformave”.

“Unë vij nga në vend që e ka kryer rrugëtimin e vet drejt BE-së dhe është shtet anëtar dhe në këtë rrugëtim duhet bashkëpunim i të gjitha palëve sepse duhen disa reforma shumë të vështira që duhet të zbatohen plotësisht. Dhe për këtë duhet mbështetje, përkrahje e plotë. Ajo që shikoj unë këtu, është që në Shqipëri të gjithë qytetarët e kanë dhënë mbështetjen, përkrahjen e tyre për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, një mbështetje e gjerë dhe kjo është një gjë që shqiptarët duhet ta arrijnë. Dhe për këtë duhen reforma të vështira, që kërkojnë mbështetjen e të gjithëve në shoqëri sepse ky është objektivi përfundimtar. Pra, jo thjesht reformat, por dhe zbatimi i tyre kërkon mbështetjen e plotë të partive politike”, pohoi Kallas. /j.p/

The post Kallas: Zbatimi i reformave kërkon mbështetjen e plotë të partive politike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kallas: Viti 2030, objektiv realist për integrimin e Shqipërisë

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas u shpreh sot gjatë konferencës së shtyp me Kryeministrin Edi Rama në Tiranë se objektivi për integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane deri në vitin 2030 është një objektiv realist, por që bazohet në shtetin e së drejtës dhe kushtëzohet nga fakti nëse të dyja palët gjatë këtij rrugëtimi bëjnë mirë “detyrat e shtëpisë”.

Duke iu përgjigjur interesimit të medias nëse kushtëzohet integrimi i Shqipërisë në BE nga reforma të caktuara, një prej tyre ajo e ndjekjes së korrupsionit ndaj zyrtarëve të lartë, Kallas tha se “viti 2030 është një objektiv realist, në rast se ne të gjithë do të ndërmarrim hapat e duhur gjatë rrugës. Por, jo vetëm reformat që duhen miratuar, por edhe reformat e miratuara që duhen të vihen në zbatim”.

“Dhe sundimi i ligjit është skajshmërisht i rëndësishëm, pasi shteti i së drejtës është një nga themelet e BE, por edhe themeli i begatisë së një vendi sepse në rast se investuesit kanë besim te sistemi juaj ligjor ata kanë besim të investojnë në ekonominë tuaj. Kjo është në të mirën e Shqipërisë, është realiste në rast se të gjithë bëjmë detyrat e shtëpisë”, tha Kallas. /j.p/

The post Kallas: Viti 2030, objektiv realist për integrimin e Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Vota e 11 majit për Shqipërinë në BE, fatale për vendin çdo lloj lëkundjeje

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot pyetjeve të adresuara në platformat sociale nga qytetarët, ndërsa vuri në dukje se vota e 11 majit, pa parë përkatësi apo fanelë politike është shumë e rëndësishme për misionin e integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane.

“Është shumë e thjeshtë, sepse futja në BE është një proces i cili sot është shumë konkret dhe për herë të parë qysh se ne kemi dalë nga errësira e komunizmit ka një përputhshmëri të plotë mes dëshirës sonë për të hyrë në BE dhe dëshirës së tyre për të na marrë në BE. Në procesin e integrimit që nga viti 1990 pas rënies së Murit të Berlinit e këtej të vendeve ish-komuniste, ka pasur momente që dera është hapur dhe ka pasur faza kur dera është mbyllur për arsye të politikës së brendshme të BE, natyrisht”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se Shqipëria është në një moment kur dera e BE-së është hapur për vendin tonë dhe për Malin e Zi dhe, sipas tij, kjo do të thotë që është në tryezë një kalendar pune, i cili ka një afat, fundin e vitit 2027 për të përmbyllur negociatat.

“Negociatat janë bisedime për të gjitha aspektet e organizimit shtetëror, për të gjithë sektorët, ku nga pikëpamja e legjislacionit ne duhet të adaptojmë gjithë organizimin legjislativ dhe rregullator të BE-së bëhet fjalë për çerek milion faqe, për të cilat ka vite që ka filluar puna, por ka plot akoma për të përkthyer, për të adaptuar dhe për të çuar në miratim dhe nga ana tjetër bëhet fjalë edhe për të garantuar një proces e një performancë pozitive”, tha Rama.

Sipas Kryeministrit, BE nuk bën as lojëra, as komente në rrjetet sociale.

“BE nuk merr pjesë në votime në Shqipëri, nuk ka fanelë partiake shqiptare. BE ka një mekanizëm të tërë për të monitoruar ecurinë e punëve në një vend që pretendon të bëhet anëtar i BE dhe ai mekanizëm nuk do të dijë fare siç thashë as për përkatësi politike, simpati politike, ai është një mekanizëm i ftohtë, i akullt që sheh punën dhe rezultatet. Në bazë të punës dhe rezultateve që ky mekanizëm thotë komplet të kundërtën e asaj që thua ti Bledi dhe plot të tjerë si ti që nisen nga të tjera premisa. Do të thotë që në të vërtetë Shqipëria po bën hapa shumë të mëdhenj në transformimin e gjithë organizmin të vet shtetëror dhe po është një shtet i gatshëm për t’u bërë një shtet anëtar i BE-së dhe ky është fakt që nuk e luan as topi dhe jo më fjalët e tepërta që janë fukarallëk”, pohoi Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi rëndësinë e votës në 11 maj, që të mos ketë asnjë lëkundje sepse negociatat janë një proces që nuk ka asnjë ditë, jo muaj apo vit për të humbur, sepse sipas Ramës nëse “humbasim qoftë edhe një ditë, atëherë gjërat shtyhen dhe nëse shtyhen ajo portë mund të mbyllet”.

“Dhe kjo është kaq e vërtetë që Mali i Zi i ka hapur negociatat në 2012, një vit para se unë dhe PS të vinim në qeveri dhe akoma nuk është integruar. Ndërsa ne jemi krah më krah me Malin e Zi megjithëse negociatat i kemi hapur vjet. Kemi arritur të bëjmë atë që ne pavarësisht se ne nuk na e jepnin hapjen zyrtare të negociatave për arsye politike të një vendi tjetër ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë dhe kemi qenë gati dhe në momentin që të hapeshin negociatat ne kemi qenë më përpara se të tjerët duke praktikisht duke bërë të njëjtat gjëra po t’i kishim hapur. Sot dera është hapur dhe nuk është një lojë fjalësh dhe çështje kush jam unë, apo ti, jam me këtë apo atë apo ngjyrë të fanelës politike në Shqipëri”, pohoi Rama.

Kryeministri theksoi se çështja e votës dhe zgjedhjeve në 11 maj është një çështje mbarëkombëtare, një interes mbarëkombëtar. “Ne nuk duhet të lëkundemi dhe nuk duhet ta humbasim fillin dhe drejtimin. Qeveria jonë mund të ketë shumë të meta, mund të ketë bërë plot gabime, por askush tjetër as përballë as përreth as mbrapa nesh, nuk bën dot asesi atë që ne mund të bëjmë në këtë moment në histori dhe do të ishte fatale për vendin çdo lloj lëkundje në 11 maj”, tha Rama. /j.p/

The post Rama: Vota e 11 majit për Shqipërinë në BE, fatale për vendin çdo lloj lëkundjeje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 6 March 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: PS e vetmja parti që e fut Shqipërinë në BE, të tjerët nuk ulet njeri as t’i dëgjojë

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, në fund të bashkëbisedimit të sotëm me qytetarët në platformat sociale, i është përgjigjur një tjetër komentuesi që thotë se “të falënderosh politikanët është të mos respektosh popullin”.

Kryeministri u shpreh, se kushdo që thotë se nuk merret me politikë, thjesht gënjen veten sepse “merret politika me ty gjithë kohës”.

“Politikanët janë njësoj si të tjerët. Ka shoferë të mirë, ka shoferë të këqij, rrobaqepës të mirë e të këqij, por ki parasysh një gjë pa politikën nuk shkohet askund, zero. E kush thotë nuk merret me politikë gënjen veten. Sepse merret politika me ty gjithë kohës. Prandaj, fokusohu se edhe nëse nuk të pëlqej unë, më 11 maj mbyll sytë e voto PS-në se duhet të fusim Shqipërinë në BE përfundimisht. E këtë gjë e bëj vetëm unë me Partinë Socialiste nuk e bën sot askush tjetër. Se këta të tjerët nuk ulet njeri t’i dëgjojë jo më t’i respektojë si të barabartë”, tha Rama.

/a.f/

The post Rama: PS e vetmja parti që e fut Shqipërinë në BE, të tjerët nuk ulet njeri as t’i dëgjojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 6 February 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Brataj për ATSH-në: Gripi – sëmundje shtëpie, 85% e të prekurve asimptomatikë

6 February 2025 at 11:40

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Kreu i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj tha sot se situata e gripit në vend është në pikën e vet kulmore.

Nga vizitat ditore në qendrat ambulatore të lagjeve, te rastet urgjente apo ato që përfundojnë me shtrime në spital, Brataj bëri një “skaner” të situatës aktuale të gripit që prek të gjitha grup-moshat, por sidomos grupet e riskut: fëmijët e vegjël, të rritur me sëmundje bashkëshoqëruese dhe moshat mbi 65 vjeç.

Brataj u shpreh se nuk ka vend për panik, pasi muaji shkurt përkon me një periudhë normale gripi.

“Gjendjet febrile te pacientët kanë njohur rritje këtë vit, nëse do ta krahasojmë me dy vitet e kaluara. Sipas të dhënave të organizatave kryesore të shëndetësisë në botë, por edhe sipas ISHP-së, krahasimisht me dy vitet e kaluara, në vend rezultojnë 23 mijë raste gripi. Ndërsa, në javën e parë të vitit kemi pasur 17 mijë raste me grip, javën e dytë 19 mijë raste dhe aktualisht jemi në 23 mijë raste në javë. Nga vizitat në Urgjencën Kombëtare 10-15 janë shtrime në spital nga gripi”, tha ai.

Kreu i Urgjencës Kombëtare tha se gripi është një sëmundje shtëpie, ndërsa 85% e të prekurve nuk shfaqin asnjë simptomë.

“Kujdesi duhet të fillojë nga shtëpia, por nëse ka rikthim të temperaturës së lartë pas disa ditëve, nëse ka kollë persistente, dhimbje fyti, temperaturë që zgjat te të rriturit 5-7 ditë, ndërsa te fëmijët mbi 10 ditë, duhet folur me mjekun e familjes dhe mjekët e QSUT-së përmes telefonit për disa këshilla më të specializuara. Nga përdorimi i antiinflamatorëve, te dozimi, te shtimi i lëngjeve dhe higjiena etj. Vitaminat B, C nuk duhet të mungojnë, pasi janë mënyra më e mirë për të forcuar imunitetin, që këtë periudhë bëhet edhe më i predispozuar ndaj sëmundjeve apo virozave të stinës”, theksoi Brataj.

Sipas tij, në vend qarkullojnë disa lloj virusesh, nga gripi A, AH1, AH3, gripi B, RSV dhe në përqindje më të ulët COVID-19.

“Format e lehta të gripit trajtohen në shtëpi. Nëse ka temperaturë për 2-3 ditë, dhimbje fyti, dhimbje muskujsh, duhet distancim nga vendet me shumë njerëz. Qëndrim në shtëpi me çajra të ngrohtë dhe antiinflamatorë. Nëse temperatura e lartë rikthehet, ka vështirësi në frymëmarrje apo dhimbje trupi, ndiqet protokolli mjekësor përmes mjekut të familjes, më pas me mjekun specialistë dhe ata të QSUT-së për trajtim më të detajuar”, deklaroi Brataj.

/a.f/r.e/

The post Brataj për ATSH-në: Gripi – sëmundje shtëpie, 85% e të prekurve asimptomatikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 3 February 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Bilanci i janarit, Koçiu: Investime në shëndetësi dhe mbrojtjen sociale

3 February 2025 at 10:06

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka bërë publik këtë mëngjes, bilancin e investimeve dhe reformave të ndërmarra nga institucioni që ajo drejton.

Ministrja Koçiu, thotë se muaji janar shënoi fillimin e një viti të mbarë për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale, me investime dhe reforma të rëndësishme.

“Nga fillimi i bashkëpunimit për transformimin e shërbimit onkologjik me Sheba Medical Center në Izrael, te spitali i ri i Kardiokirurgjisë dhe modernizimi i QSUT-së po krijojmë kushte më të mira për pacientët”, shprehet Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja Koçiu në bilancin e punëve të MSHMS për muajin janar, ndalet edhe te hapja e Poliklinikës së Specialiteteve në Shkodër, një hapësirë e ndërtuar tërësisht me kushte bashkëkohore, ndërsa u forcuan shërbimet diagnostikuese edhe në Durrës.

“Me Fondin Social 2025 dhe gatishmërinë e strukturave shëndetësore ndaj gripit, po kujdesemi për çdo qytetar”, përfundon ministrja Koçiu.

Disa nga punët e MSHMS të shpalosura në posterat e ministres Koçiu
1 nga 10

/a.f/

The post Bilanci i janarit, Koçiu: Investime në shëndetësi dhe mbrojtjen sociale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 30 January 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Përurohet Qendra Rinore Multifunksionale në Mat, i shërben 3,200 të rinjve

30 January 2025 at 22:54

TIRANË, 30 janar /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi mori pjesë sot në ceremoninë e përurimit të Qendrës Rinore Multifunksionale në Bashkinë Mat.

Ministrja Muzhaqi u shpreh se të rinjtë e Matit, tashmë kanë hapësirën e tyre.

“Një hapësirë e re moderne, e cila do t’i shërbejë 3200 të rinjve të Burrelit, ku do të zhvillohen aktivitete të shumllojshme. Ky projekt i mbështetur përmes Agjencisë Kombëtare të Rinisë, i realizuar nga Bashkia Mat, do të jetë vendtakimi për të rinjtë, duke ofruar mundësi për trajnime, ndarje të ideve mbi sipërmarrjet inovative dhe pjesëmarrjes aktive në komunitet”, tha ministrja Muzhaqi në postimin e saj në rrjetet sociale.

Nga përurimi i Qendrës Rinore Multifunksionale në Mat, e pranishme edhe Ministrja e Shtetit për...
1 nga 20

/a.f/

The post Përurohet Qendra Rinore Multifunksionale në Mat, i shërben 3,200 të rinjve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Raportuesi për Shqipërinë në PE, Schieder: Ruani vullnetin për reforma dhe nxitjen drejt BE-së

30 January 2025 at 18:24

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder në një intervistë televizive u shpreh sot, se katër muaj para zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri, ka një panoramë të qartë të situatës politike në vend.

“Më duhet të them se këto zgjedhje do të jenë sfidë, pasi kemi një ligj të ri për diasporën dhe e dimë që shumë qytetarë shqiptarë janë jashtë, kështu që kjo do të jetë një sfidë teknike dhe administrative, por kam besim se të gjitha burimet janë të përgatitura mirë”, tha ai.

Raportuesi i PE thekson se rekomandimet e OSBE/ODIHR-it nuk u implementuan në ligjin zgjedhor, por sipas tij, në kaq pak kohë që ka ngelur përpara zgjedhjeve, nuk është momenti për të kërkuar kompromisin.

“Ndoshta para zgjedhjeve nuk është koha për të gjetur kompromisin, por pas zgjedhjeve, mendoj se është një ide e mirë të shikojmë rekomandimet e tjera për t’i zbatuar,” shtoi Schieder.

Zyrtari i lartë në Parlamentin Evropian vlerëson klimën politike në Shqipëri, por që sipas tij duhet punuar akoma nga forcat shqiptare për një kulturë politike më gjithëpërfshirëse.

“Mendoj se ka vend për përmirësimin e kulturës politike për të krijuar një mënyrë më të mirë diskutimi midis qeverisë dhe opozitës, midis politikanëve, e kështu me radhë,” u shpreh ai për “Klan tv”.

Eurodeputeti austriak vlerësoi edhe punën e SPAK, që sipas tij nuk ka bërë dallime në goditjen e rasteve të korrupsionit.

“Kemi parë edhe me SPAK-un, Prokurorinë e Posaçme, që shumë raste të bujshme kanë qenë ministra nga parti të ndryshme politike, ndaj askush nuk është falur. Mendoj se kjo ishte e rëndësishme që Evropa të kuptonte se ka një vullnet për ta bërë këtë, për të kuptuar se Shqipëria po transformohet,” theksoi ai.

Në fund të intervistës së tij, Schieder dha tre mesazhe për forcat politike dhe autoritetet shtetërore.

“Nëse do të më kërkonit ta them me një fjalë, do të thosha: ta ruani këtë ritëm, ruani nxitjen drejt Bashkimit Evropian, ruani vullnetin për reforma.”

/r.e/a.f/

The post Raportuesi për Shqipërinë në PE, Schieder: Ruani vullnetin për reforma dhe nxitjen drejt BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 22 January 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Brataj apel për vaksinim: Nuk jemi ende në kulmin e shifrave për virozat e stinës

22 January 2025 at 16:10

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Kreu i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj foli sot në një intervistë televizive për situatën e gripit në vend.

Brataj theksoi se nga nisja e simptomave të para dhe deri te mbikëqyrja e gjendjes shëndetësore për shkak të virozave të stinës, qytetarët nuk duhet të drejtohen menjëherë në spital apo në urgjencë.

“Sëmundjet virale nuk kanë komplikacione te personat e shëndetshëm. Ato me patologji, moshat e treta, fëmijët janë më të rrezikuar. Por, edhe ato format e lehtë duhen trajtuar në banesë. Duke parë këto 2-3 ditë e fundit, gjendjen e Italisë dhe Shqipërisë, shifrat janë në rritje. Nuk mund të themi që jemi në kulmin e pandemisë. Gripi është në sezonin e vet dhe këto numra janë të vërtetuara se janë prekur me COVID apo gripin e stinës. Ky i fundit dallohet me një test të thjeshtë, pasi gripi shfaqet me temperaturë të menjëhershme 39-40 gradë. Ka këto simptoma: dhimbje muskujsh, bllokim hundësh, kollë”, tha Brataj.

Kreu i Urgjencës Kombëtare bëri thirrje për vaksinim kundër gripit, ndërkohë që fushata informuese dhe ndërgjegjësuese ka nisur që në tetorin e vitit të kaluar.

“Gripi pati disa ndërprerje këto vite. Ka pësuar dhe ai këto ndryshimet e veta. Mediet online propaganduan antivaksinimin, por mendoj se do të ishte shuar bota po të kishim dëgjuar këshillat e tyre. Falë vaksinimit janë zhdukur sëmundje të tjera. Viruset kanë materiale ADN-je, që ndryshojnë gjithmonë. Janë 250 mijë viruse që qarkullojnë. Vaksinimi është baza nga sezoni në sezon. Fëmijët nga 1-5 vjeç dhe personat mbi 65 vjeç mirë do të ishte ta bënin që në tetor, kur fillon fushata e vaksinimit”, theksoi Brataj.

/r.e/a.f/

The post Brataj apel për vaksinim: Nuk jemi ende në kulmin e shifrave për virozat e stinës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 8 January 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Malaj: Transformim i parkut natyror të Liqenit të Ulzës në atraksion turistik

8 January 2025 at 23:09

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Parku natyror i Liqenit të Ulzës do të shndërrohet në një nga atraksionet më të bukura për turistët në çdo stinë të vitit.

Kryetari i bashkisë së Matit, Agron Malaj bëri të ditur bëri të ditur se rehabilitimi i parkut do të sjellë edhe zhvillim ekonomik për zonën.

“Një investim tejet i rëndësishëm për Matin, pasi falë mbështetjes së Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit me zbatimin e këtij projekti, vendi ynë do të ketë një zhvillim të konsiderueshëm të turizmit”, theksoi Malaj.

Sipas tij, Ulza është perla turistike e zonës, por me krijimin e zonës së plazhit dhe shëtitores do të shndërrohet në një nga atraksionet më të bukura turistike për turistët në çdo stinë të vitit.

Projekti për rehabilitimin e Parkut Natyror “Liqeni i Ulzës” dhe zonave përreth tij synon të arrijë rikualifikim dhe rikompozim të parkut duke kryer edhe ndërhyrje specifike në infrastrukture, ngritjen e qendrës së informimit duke aplikuar struktura në harmoni me natyrën, ngritjen e mjediseve çlodhëse si dhe argëtuese për vizitorët, si dhe identifikimin dhe krijimin e shtigjeve natyrore.

Parku Natyror “Liqeni i Ulzës” dhe zonat përreth tij ofrojnë një potencial shumë të mirë për zhvillimin e turizmit natyror, të kombinuar me kulinarinë, hiking, lundrimin në liqen, etj.

Nëpërmjet këtij projekti synohet të realizohet ruajtja në gjendjen natyrore të peizazhit, sistemet ekologjike dhe karakteristikat natyrore të zonës. /j.p/

The post Malaj: Transformim i parkut natyror të Liqenit të Ulzës në atraksion turistik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 7 January 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

OBSH informacion rreth metapneumovirusit, simptomat dhe kujdesi që duhet treguar

7 January 2025 at 15:54

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Tiranë si dhe zyra qendrore e OBSH-së, kanë publikuar disa informacione të përgjithshme lidhur me metapneumovirusin sipas të dhënave deri më 5 Janar 2025.

Çfarë është Metapneumovirusi Njerëzor (hMPV)?

Metapneumovirusi njerëzor (hMPV) është një virus i zakonshëm respirator, i zbuluar për herë të parë në vitin 2001 nga shkencëtarë holandezë. Ai shkakton sëmundje të rrugëve të sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes. Virusi ndjek një model sezonal, duke arritur kulmin në dimër ose në fillim të pranverës.

Si përhapet hMPV?

  • Cërklat e prodhuara gjatë kollitjes dhe teshtitjes.
  • Kontakti i ngushtë personal, si puthja, prekja ose shtrëngimi i duarve.
  • Prekja e sipërfaqeve të kontaminuara dhe më pas prekja e gojës, hundës ose syve.

Simptomat kryesore

Simptomat përfshijnë kollë, ethe, bllokim të hundëve dhe fishkëllima gjatë frymëshkëmbimit. Shumica e rasteve janë të lehta, me simptoma të ngjashme me rrufën e zakonshme.

Kush është në rrezik?

  • Foshnjat dhe të moshuarit.
  • Personat me imunitet të dobësuar.
  • Individët me sëmundje të mushkërive si astma, COPD ose emfizema.

Pasojat e mundshme
Në raste të rënda, hMPV mund të çojë në bronkit ose pneumoni, veçanërisht tek grupet e rrezikuara.

Si të parandalojmë përhapjen e hMPV?

  • Qëndroni në shtëpi kur jeni të sëmurë.
  • Mbani maska në ambiente të mbushura ose të ajrosura dobët.
  • Mbuloni kollën dhe teshtitjen me pecetë ose bërryl të përthyer.
  • Lani duart shpesh me ujë dhe sapun.
  • Shmangni prekjen e fytyrës me duar të palara.
  • Ndiqni këshillat e mjekut dhe merrni vaksinat e rekomanduara.

A ka trajtim ose vaksinë kundër hMPV?
Aktualisht nuk ka trajtim specifik ose vaksinë për hMPV. Kujdesi mjekësor është kryesisht simptomatik. Medikamentet pa recetë mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave, ndërsa inhalatorët mund të përshkruhen për pacientët me fishkëllimë ose kollë të rëndë.

Situata aktuale në Kinë

Sipas raportit të fundit të 2 janarit 2025 nga Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, niveli i infeksioneve respiratore (përfshirë gripin sezonal, RSV dhe hMPV) është në rritje të pritur për dimrin, por në krahasim me vitin e kaluar aktiviteti i gripit është më i ulët.

Mesazhi për qytetarët:

Parandalimi i përhapjes së hMPV dhe patogjenëve të tjerë respiratorë është i mundur duke ndjekur masat bazë të higjienës dhe këshillat mjekësore. Këto masa përfshijnë: qëndrimin në shtëpi kur jeni të sëmurë, ndjekjen e këshillave mjekësore për kujdesin, mbajtjen e maskave në hapësira të mbushura me njerëz ose të ajrosura dobët, mbulimin e kollës dhe teshtitjes me pecetë ose bërryl të përthyer, praktikimin e larjes së rregullt të duarve, shmangien e prekjes së syve, hundës ose gojës me duar të palara dhe marrjen e vaksinave të rekomanduara kundër gripit sezonal, sipas këshillave të mjekut dhe autoriteteve lokale të shëndetit publik.

Kujdesuni për veten dhe të tjerët!

/e.i/ /a.g/

 

The post OBSH informacion rreth metapneumovirusit, simptomat dhe kujdesi që duhet treguar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌