SPAK zgjat afatet e hetimit për Metën, Blushi: Masën e arrestit e ankimojmë në Strasburg
TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shtyu sot afatet e hetimit ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili ndodhet në burg prej tetorit 2024 nën akuzat për korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë.
Sipas raportimeve në medie që i referohen burimeve në SPAK, afatet e hetimit janë shtyrë me 3 muaj, ndërsa avokati i Metës në një deklaratë pas seancës, tha se afatet e hetimit janë shtyrë për 6 muaj. Avokati Kujtim Cakrani duke folur për vendimin u shpreh se “SPAK ka tejkaluar të gjitha afatet”.
“Nuk janë mbledhur prova, nuk ka asnjë fakt pse mbahet dhe është absurde që Meta qëndron në paraburgim. Metës i është komunikuar akuza, afati mbaron nesër, teksa SPAK e ka shtyrë. Meta është rrëmbyer dhe SPAK-u është kthyer në një Prokurori politike“, tha avokati.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi reagoi ndaj zgjatjes të afatit të hetimeve ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, pasi atij i kanë komunikuar akuzën.
“Zgjatja e afatit të hetimeve dhe mbajtja në izolim ekstrem prej 8 muajsh, provon edhe njëherë se në 32 vite shërbim publik kurrë nuk do të mund të gjendet një provë dhe fakt penal kundër Presidentit Ilir Meta. Kanë hetuar 6 vite, por edhe për 600 të tjera, nëse do të hetojnë, kurrë nuk do të gjendet asnjë provë e shkeljes së ligjit dhe Kushtetutës nga Presidenti Meta”, tha Blushi.
Blushi theksoi se zgjatja e afatit të hetimeve dhe vijimi i mbajtjes në izolim ekstrem pa prova dhe fakte penale, është vijim i terrorit politik.
“Javën e ardhshme, siç e bëri me dije edhe avokati Kujtim Cakrani, do të kundërshtohet masa e arrestit në Gjykatën Kushtetuese. Ky ankimim në Gjykatën Kushtetuese është një hap përfundimtar për të shteruar dhe ezauruar të gjitha procedurat e brendshme në mënyrë që kjo çështje të mbërrijë sa më shpejt në Strasburg dhe ku drejtësisë së kapur dhe vetë Shqipërisë do t’i vendoset njolla më e madhe e zezë e turpit në historinë e një vendi anëtar të Këshillit të Europës, që është edhe një vendi anëtar i NATO-s”, tha Blushi.
/m.m/j.p/
The post SPAK zgjat afatet e hetimit për Metën, Blushi: Masën e arrestit e ankimojmë në Strasburg appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.