Blushi: Asnjë fakt penal ndaj Metës, manipulime dhe shkelje të ligjit nga prokurorët
TIRANË, 28 maj/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deklaroi sot se “Partia e Lirisë është e bindur në pafajësinë e plotë të Metës ndaj akuzave farsë të shkruara nga Edi Rama dhe të firmosura nga prokurori Altin Dumani dhe do të nisë çmontimin e tyre publik në mënyrë periodike”.
Në një deklaratë për shtyp, Blushi theksoi se Partia e Lirisë përshëndet mbylljen e hetimeve të stisura politikisht dhe të zvarritura qëllimisht ndaj Ilir Metës. Sipas tij, hetimet kishin qëllim paralizimin e drejtuesve të opozitës dhe terrorizimin e mbështetësve të saj.
“Procesi gjyqësor do të provojë se jo vetëm nuk ka patur asnjë fakt penal apo shkelje ligji nga Ilir Meta, por se ka patur vetëm manipulime dhe shkelje të ligjit nga prokurorët që kanë hartuar fletërrufenë sorosiste kundër tij bazuar mbi shkrime gazetash dhe dëshmitarë shkelës të provuar të ligjit dhe gënjeshtarë me pagesë nga narkoregjimi”, tha Blushi.
Kauzat e Partisë së Lirisë, vijoi Blushi, janë më të forta se asnjëherë ndaj presim me padurim nisjen e procesit të gjykimit, që ky proces të vërtetojë edhe njëherë se Ilir Meta në të gjithë jetën e tij publike ka qenë shembull i respektimit të ligjit dhe Kushtetutës.
“Jemi të bindur në shpartallimin e plotë të kësaj farse kundër Ilir Metës si President i Partisë së Lirisë, por edhe si ish-President i Republikës, i cili provoi botërisht në Komisionin e Venecias dhe kudo tjetër, shndërrimin e Reformës në Drejtësi me 140 vota në Ramaformë me 69 vota dhe betime të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese te noteri te Lana. Partia e Lirisë do të dalë shumë herë më e fortë nga kjo betejë sepse kauzat e saj janë interes ekzistencial kombëtar”, tha Blushi. /k.s/j.p/
The post Blushi: Asnjë fakt penal ndaj Metës, manipulime dhe shkelje të ligjit nga prokurorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.