Normal view

Received — 3 May 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

PL: Garantojmë minimumin jetik për çdo qytetar

TIRANË, 3 maj /ATSH/ Zëdhënesja e Presidentit të Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli tha sot në një deklaratë për shtyp se koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” riafirmon angazhimin e palëkundur për garantimin e një minimumi jetik për çdo qytetar shqiptar.

Sipas Memellit, në një kohë kur varfëria po thellohet dhe qeveria aktuale ka braktisur shtresat më të pambrojtura të shoqërisë, koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” paraqet një alternativë të qartë dhe të realizueshme për dinjitetin ekonomik të çdo individi.

“Minimumi jetik nuk është vetëm një shifër financiare, por një standard themelor për jetesën me dinjitet, një të drejtë që çdo shqiptar duhet ta gëzojë. Sot, mijëra qytetarë shqiptarë jetojnë nën kufirin e mbijetesës. Inflacioni i lartë, rritja e çmimeve të ushqimeve dhe shërbimeve bazë, mungesa e mbështetjes sociale dhe politikat abuzive të qeverisë aktuale i kanë shtyrë shumë familje drejt varfërisë ekstreme”, tha ajo.

“Ndihma ekonomike është e pamjaftueshme, shpesh jepet në mënyrë selektive dhe nuk i përgjigjet nevojave reale të njerëzve në nevojë. Programi ynë synon të krijojë një rrjet të sigurisë sociale që garanton mbijetesën, por edhe një jetë me dinjitet për çdo individ. Ky program në 100 ditët e para garanton vendosjen e minimumit jetik prej 200 euro për cdo shqiptar, rritjen e pensioneve me 20%, rritjen e rrogës minimale në 500 euro dhe rritjen e rrogës mesatare në 1200 euro”, pohoi Memelli.

Në programin e PL-së për “çdo pensionist, qytetar me minimum jetik apo rrogë minimale, do të pajiset me Kartën e Konsumatorit, me të cilën do të përfitojë kthimin e TVSH-së që paguan për blerjen e ushqimeve bazë, energjisë elektrike, ujit dhe ilaceve, duke përfituar rreth 450 euro në vit”.

Më tej, Memelli nënvizoi në deklaratën për shtyp se për personat me aftësi të kufizuara që kanë nevojë, do të paguhet kujdestari dhe sigurimet e tij.

“Çmimi i energjisë elektrike do të ulet në 7 lekë për këH. Çmimi i naftës do të ulet me 35-40%. Si dhe do të falen të gjitha gjobat për energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm për pensionistët, punonjësit me rroga të ulëta, nënat kryefamiljare, familjet në ndihmë ekonomike, të papunët dhe biznesin e vogël. Ky program është i detajuar dhe i realizueshëm. Ai do të financohet përmes një përdorimi më të mirë të buxhetit të shtetit, luftës kundër korrupsionit dhe uljes së luksit qeveritar”, pohoi ajo.

Zëdhënësja e Presidentit të Partisë së Lirisë theksoi se “askush nuk duhet të vuajë për bukën e gojës në një shtet që ka potencial për zhvillim dhe mirëqenie”.

“Minimumi jetik është jo vetëm një përgjigje ndaj krizës sociale, por një hap i domosdoshëm drejt një shoqërie më humane, ku çdo qytetar respektohet dhe mbështetet. Prandaj ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Në 11 Maj të gjithë së bashku, votojmë Nr.1, “Aleancën për Shqipërinë Madhështore”, tha Memelli.

The post PL: Garantojmë minimumin jetik për çdo qytetar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 20 April 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kremtohet Pashka, politika uron besimtarët e krishterë

TIRANË, 20 prill /ATSH/ Besimtarët e krishterë në mbarë vendin kanë kremtuar sot Pashkën, festa më e madhe dhe më e shenjtë e kalendarit të krishterë, e cila simbolizon ringjalljen e Krishtit dhe triumfin e jetës mbi vdekjen

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka ndarë sot një mesazh urimi, përmes një postimi në rrjetet sociale. Veliaj uron që kjo “ditë të jetë e mbushur me paqe, dashuri e lumturi dhe ringjalltë në secilin prej nesh tolerancën dhe respektin për njëri-tjetrin”.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka përcjellë mesazhin e Tedi Blushit dhe drejtuesve të tjerë të PL-së në këtë ditë të shënuar, duke e cilësuar si një triumf të jetës mbi vdekjen dhe të dritës mbi errësirën.

Blushi, e ndau mesazhin e tij të urimit nga ambientet e jashtme të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë duke thënë se ndau me Imzot Joanin dhe besimtarët ortodoksë, por edhe ata katolikë, urimet e rastit për mbarësi dhe begati në familjet e tyre.

“Pashka nuk është vetëm një ditë feste, por edhe një dëshmi e triumfit të dritës ndaj errësirës, të jetës mbi vdekjes, të së mirës ndaj së keqes. I bindur se Pashkët e ardhshme do të na gjejnë më mirë, pas 11 majit, çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave të komuniteteve fetare do të marrë një zgjidhje, jo vetëm si detyrim kushtetues, por si një mundësi të rimëkëmbjes e mëtejshme të institucioneve tona fetare”, tha ai.

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ishte për një vizitë në Kishën Katolike për të uruar pashkët. Pas vizitës, Basha pati një prononcim për mediat, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për besimtarët e krishterë.

Ai tha se ky kremtim i ringjalljes së Krishtit, të jetë një bekim për vendin tonë, për shqiptarët anembanë dhe qoftë një reflektim se pas vështirësive vjen shpresa, se me besim dhe durim, ndryshimi pozitiv që të gjithë duam dhe meritojmë është i mundur.

“Sot është një ditë e veçantë në radhë të parë për besimtarët e krishterë. Katolik, ortodoks, ungjillor, të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë, ju uroj nga zemra gëzuar Pashkët! Kjo ditë simbol i ringjalljes së hyut, të Krishtit, e cila ka kaq shumë domethënie për ju të dashur vëllezër dhe motra besimtarë të krishterë, sjelltë paqe në shpirtrat tuaj, mirësi, mbarësi dhe bekimet e Zotit në familjet tuaja. Por së dyti dhe po kaq e rëndësishme uroj nga zemra që kjo ditë e shenjtë, ky kremtim i ringjalljes, të jetë një bekim për vendin tonë, për shoqërinë tonë, për shqiptarët anembanë, për të gjithë kombin shqiptar. Të jetë një reflektim se pas vështirësive vjen shpresa, se me besim dhe durim, ndryshimi pozitiv që të gjithë duam dhe meritojmë është i mundur. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë. Gëzuar!” – tha Basha.

Foto nga mesazhet e urimit për festën e Pashkëve të Veliajt, Metës dhe Bashës
1 nga 3

/a.f/

The post Kremtohet Pashka, politika uron besimtarët e krishterë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 19 April 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Imzot Gjergj Meta uron të krishterët për festën e Pashkës: Të kremtojmë dhe gëzohemi të gjithë një zemre

TIRANË, 19 prill/ATSH/ Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Gjergj Meta, ka përcjellë sot një mesazh urimi në emër të Kishës Katolike për të gjithë besimtarët e krishterë për Festën e Pashkës.

Imzot Gjergj Meta shprehet se “këtë vit, Pashkët kanë qëlluar në të njëjtën ditë për të gjithë të krishterët: katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë. Është një rast i bukur që të kremtojmë dhe të gëzohemi të gjithë një zemre, edhe pse secili në bashkësitë e veta”.

“Nëse Krishti, me vdekjen e tij, e mundi vdekjen, sikurse thotë një himn i vjetër i Pashkës që këndohet në këto ditë, na ka lënë ne, që me angazhimin tonë, të bëhemi Pashkë për të tjerët, sidomos për ata që janë në vargonjtë e padrejtësisë, të dhunës, të luftës e të situatave të rënduara ekzistenciale. Nuk ka kuptim të urosh Pashkët, nëse nuk bëhesh Pashkë ti vetë. Por që të bëhesh Pashkë, duhet të bëhesh më parë Kryq, të zbresësh në varr e prej aty të kumtosh lajmin e mirë të jetës që shpërthen nga nata e Pashkës. Vetëm kështu, duke zbritur në varret e hapura të shumë situatave shoqërore dhe shpirtërore, mund të bëhesh lajmëtar i ditës së re”, thekson ai.

Imzot Gjergj Meta apelon shprehet më tej në mesazhin e tij të urimit: “Le të jemi ne së pari Pashkë në jetën tonë e kështu të kumtojmë ditën pa mbarim të fitores së Krishtit mbi vdekjen. Sigurisht që e gjithë kjo do të ndodhë në liturgjitë dhe shërbesat që do të bëjmë nëpër kishat tona, por këtë duhet ta bërtasim me të madhe nëpër rrugët dhe në situatat e njerëzve të çdo dite, në veçanti të atyre, që për një arsye a një tjetër, gjenden në kryq, janë në varret e vuajtjes dhe të mjerimit për shkak të luftës, ndasive, inatit dhe zemërimit. Vetëm kështu do të kemi kremtuar me të vërtetë Pashkë”.

“Po ju uroj të gjithëve, katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë, me përshëndetjen e të krishterëve: Krishti u ngjall! Me të vërtetë u ngjall”, përfundon urimin presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Gjergj Meta.

The post Imzot Gjergj Meta uron të krishterët për festën e Pashkës: Të kremtojmë dhe gëzohemi të gjithë një zemre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 11 April 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gjykata Civile e Tiranës vendos zgjidhjen e martesës së Metës dhe Kryemadhit

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe deputetja Monika Kryemadhi janë ndarë zyrtarisht pas 28 vitesh martesë.

Në përfundim të seancës së pajtimit që u zhvillua sot, Gjykata Civile e Tiranës vendosi zgjidhjen e martesës midis paditësit Ilir Meta dhe të paditurës Monika Kryemadhi.

Në seancë ishte i pranishëm Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit të kaluar, ndërsa vetë Kryemadhi nuk ishte e pranishme.

“Sot në datën 11.04.2025, ora 10:30, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Civile, u zhvillua seanca e pajtimit si dhe seanca gjyqësore me objekt zgjidhje martese me paditës I.M dhe të paditur M.K, ku të pranishëm ishin paditësi dhe avokati i tij”, thuhet në njoftim.

“Pala e paditur, e njoftuar nga gjykata me fletëthirrje, nuk u paraqit në seancë, pa asnjë shkak ligjor, duke e lënë gjykimin në mungesë. Në përfundim të seancës, gjykata vendosi : Zgjidhjen e martesës midis paditësit I.M dhe te paditurës M.K”, njoftoi gjykata.

Në qershor të vitit të kaluar Meta njoftoi se kishte kërkuar zyrtarisht divorcin nga Kryemadhi, e cila ka qenë edhe partnerja e tij në politike prej rreth 30 vitesh. /j.p/

The post Gjykata Civile e Tiranës vendos zgjidhjen e martesës së Metës dhe Kryemadhit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 29 March 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Meta: Opozita garanton përshpejtimin e integrimit evropian

29 March 2025 at 16:42

TIRANË, 29 mars /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim nën hetim nga SPAK, reagoi sot pas prezantimit të programit të Partisë Socialiste, “Shqipëria 2030” nga Kryeministri Edi Rama.

Me anë të një audiomesazhi, Meta u shpreh se 11 maji do të jetë dita e fitores të programit mbi pushtetin.

Sipas Metës, “i mbetur pa program tani Edi Rama ka nisur të vjedhë edhe premtimet elektorale të opozitës,  të cilat për muaj të tërë i quante të parealizueshme”.

Meta u shpreh i bindur se, “shqiptarët do të votojnë për programin e opozitës që është tepër realist dhe në interes të shumicës dërrmuese të shqiptarëve”.

Ai theksoi se, programi i opozitës synon fuqizimin e ekonomisë familjare, por edhe të ekonomisë kombëtare në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë.

“Opozita është edhe garantja e përshpejtimit të integrimit evropian, sepse ajo i ka dhënë të gjitha provat për këtë”, theksoi më tej Meta. /j.p/

 

The post Meta: Opozita garanton përshpejtimin e integrimit evropian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 20 March 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Meta nis funksionet e IA-së në BE, pas shqetësimeve të Brukselit

KALIFORNI, 20 mars /ATSH-DPA/ – Kompania mëmë e Facebook, Meta, po planifikon të prezantojë funksione të fuqizuara nga inteligjenca artificiale (IA) në Evropë, sipas një deklarate të kompanisë, e cila vjen pas një vonese për shqetësimet e ngritura nga mbikëqyrësi i teknologjisë së BE-së.

”Një chatbot i fuqizuar nga IA fillimisht do të jetë i disponueshëm në gjashtë gjuhë evropiane”, tha Meta.

Përfundimisht, kompania synon të ofrojë të njëjtën gamë karakteristikash si SHBA, tha kompania në një postim në blog të mërkurën që nuk specifikoi një afat kohor.

“Duke filluar nga kjo javë, Meta IA do të fillojë të përhapet në 41 vende evropiane, duke përfshirë ato në Bashkimin Evropian, si dhe 21 territore jashtë shtetit, duke shënuar zgjerimin tonë më të madh global të Meta IA deri më sot”, theksoi kompania.

Meta IA u prezantua në SHBA në vitin 2023, por kompania u përball me një pengesë në Evropë vitin e kaluar kur rregullatori i mbrojtjes së të dhënave të Irlandës kundërshtoi që kompania të përdorte postet publike të njerëzve për të trajnuar IA-në./  /os/

The post FOKUS – Meta nis funksionet e IA-së në BE, pas shqetësimeve të Brukselit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 10 March 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Si do t’i mbrojë Meta VIP-at nga mashtrimi?

ROMË, 10 mars /ATSH-ANSA/ – Kompania Meta po zgjeron teknologjinë e saj të njohjes së fytyrës, e cila mund të zbulojë reklama të rreme duke përdorur imazhe të personave të famshëm.

”Ky zgjerim pason angazhimin me rregullatorët dhe testimin e këtyre masave në vende të tjera”, shpjegon një postim zyrtar nga kompania.

Në javët e ardhshme, figurat publike do të njoftohen kur dikush përpiqet të përdorë imazhet e tyre me teknologjinë e njohjes së fytyrës.

Për më tepër, përdoruesit në Mbretërinë e Bashkuar, BE dhe Korenë e Jugut që përpiqen të rifitojnë aksesin në llogaritë e tyre në Facebook ose Instagram do të kenë së shpejti një opsion të ri për të verifikuar identitetin e tyre përmes verifikimit të fytyrës.

”Verifikimi duke përdorur teknologjinë e njohjes së fytyrës është opsional dhe ofron një mënyrë më të shpejtë dhe më të lehtë për njerëzit që të verifikojnë identitetin e tyre”, thekson Meta.

Njohja e fytyrës ka qenë një nga temat më të mprehta të Meta-s ndër vite.

Në vitin 2024, kompania ra dakord të paguante 1,4 miliardë dollarë në Teksas për të zgjidhur një proces gjyqësor të gjatë që pretendonte mbledhjen e pahijshme të të dhënave biometrike në lidhje me teknologjinë e saj të njohjes së fytyrës./   /os/

The post FOKUS – Si do t’i mbrojë Meta VIP-at nga mashtrimi? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

11 Maji, kryesia e PL-së: Ilir Meta garon për deputet në listën e hapur të Tiranës

TIRANË, 11 mars /ATSH/ Kryesia e Partisë së Lirisë miratoi sot vendimin e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për të qenë kandidat për deputet në listën e hapur, në qarkun e Tiranës, të koalicionit “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, në zgjedhjet për Kuvend të datës 11 Maj 2025.

Nga qelia e paraburgimit, presidenti i PL-së në audio-mesazhin drejtuar Komitetit Drejtues Kombëtar, tha se “në listat e hapura të përzgjedhim kandidatë sa më përbashkues dhe përfaqësues”.

“Sot kemi aderuar në një koalicion historik me Partinë Demokratike dhe 25 parti të tjera, jo vetëm për të garantuar rotacionin politik, por edhe për të hapur një rrugë të re, atë të realizimit të programit tonë konkret, që i jep fund shpopullimit të Shqipërisë përmes politikave që mbështesin e fuqizojnë familjen dhe çiftet e reja, përmes dyfishimit të pensioneve dhe pagave, përmes dyfishimit të mbështetjes për arsimin, me qëllim fuqizimin e kapitalit njerëzor dhe të rinjve tanë”, tha Meta.

Meta tha se “ky është së pari një koalicion vlerash, në themel të të cilit qëndron  patriotizmi, mbrojtja e familjes dhe shoqërisë nga sorosifikimi, por edhe modeli ekonomik që mbështet prodhimin vendas dhe fuqizon eksportet”.

Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha se “Partia e Lirisë do të përfaqësohet në bazë të mandateve të fituara në Prill 2021, por objekti ynë nuk mund të jetë vetëm ky”.

“Partia e Lirisë duhet dhe do të ketë një grup parlamentar dyshifror në mënyrë që koalicioni ynë të ketë votat e nevojshme kushtetuese për të realizuar reformat e mëdha që garantojnë dhe mundësojnë Shqipërinë Madhështore”, tha Blushi.

“Ndaj është e nevojshme dhe e domosdoshme të mbështesim të gjithë kandidatët tanë në çdo qark dhe së bashku me shqiptarët e diasporës të hapim dyert e një projekti që shqiptarët jo vetëm nuk e kanë njohur kurrë më pare, por mezi e presin prej 12 vitesh”, u shpreh Blushi.

/a.f/

The post 11 Maji, kryesia e PL-së: Ilir Meta garon për deputet në listën e hapur të Tiranës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 8 March 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

8 Marsi, Meta: Fuqizimi ekonomik e shoqëror i gruas shqiptare, prioritet i PL-së

TIRANË, 8 mars /ATSH/ Në mbarë botën sot përkujtohet 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, për të nderuar sakrificat dhe përkushtimin e të gjitha grave në familje, shoqëri, në punë dhe kudo.

Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka uruar nga qelia të gjithë gratë dhe vajzat për Ditën Ndërkombëtare të Grave.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta shkruan se asnjë fjalë nuk arrin dot të shprehë të gjithë mirënjohjen për sakrificat e panumërta të grave për familjen, aq më tepër në një kohë që familja sot është në rrezik.

“Fuqizimi ekonomik dhe shoqëror i gruas shqiptare është prioritet madhor i Partisë së Lirisë, që do ta bëjë Shqipërinë shumë më të zhvilluar, më njerëzore, më të drejtë dhe më të lumtur”, shkruan Meta.

“Më 11 Maj, nëpërmjet “Aleancës për Shqipërinë Madhështore” jam i bindur se zëri juaj do të dëgjohet më fort se kurrë për të mirën e familjes dhe të të gjithë shoqërisë tonë!”, nënvizon kreu i PL-së.

/r.e/

The post 8 Marsi, Meta: Fuqizimi ekonomik e shoqëror i gruas shqiptare, prioritet i PL-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 27 February 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rekursi i Metës për ndryshimin e masës së sigurisë, Gjykata e Lartë e lë në burg

27 February 2025 at 14:59

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ Gjykata e Lartë vendosi sot të lërë në burg, Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta

Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici.

Meta bëri rekurs për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, duke theksuar se “po i pengohej karriera politike dhe zhvillimi i fushatës elektorale”, teksa për dy muaj mbahen zgjedhjet parlamentare.

Pas paraqitjes së argumenteve nga pala mbrojtëse, Gjykata e Lartë vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit.

Meta u vu në pranga me urdhër të SPAK më 21 tetor 2024.

Ai akuzohet për 3 vepra penale, “Korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurie”.

Ndërkohë, Gjykata e Lartë nuk ndryshoi as masën e sigurisë për deputeten e Partisë së Lirisë, ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi duke e lënë me masën detyrim paraqitje të vënë nga GJKKO.

Kryemadhi është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme nën dyshimin për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të pasurive, në lidhje me dosjen e CEZ-DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.

Meta: Ecim më shpejt drejt Gjykatës së Strasburgut 

Nëpërmjet një audiomesazhi nga paraburgimi, Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta tha refuzimi i lehtësimit të masës së sigurisë nga Gjykata e Lartë është një hap pozitiv pasi në këtë mënyrë ecet më shpejt drejt gjykatës së Strasburgut, ku u shpreh se pa asnjë diskutim do të fitojë.

“Make Albania great forever”, ky është zotimi ynë, ky është angazhimi ynë për 11 majin ditën historike kur do të ndahemi nga narkoregjimi, por edhe nga narkodrejtësia e tij. Sot për çështjen Meta hodhëm një hap pozitiv, sepse kaluam një pengesë fiktive në Gjykatën e Lartë në mënyrë që të ecim më shpejt drejt Gjykatës së Strasburgut. Pa asnjë diskutim do të fitojmë ashtu siç kemi fituar edhe Komisionin e Venecias kundër Ramaformës. Mos harroni se 2 marsi po vjen dhe bashkë me të edhe 5-vjetori i atij mitingu të jashtëzakonshëm, mbarëkombëtar në mbrojtje të Kushtetutës, falë të cilit jo vetëm u çmontua Ramaforma si pjellë e ligjeve antikushtetuese, në kundërshtim me Komisionin e Venecias, por njëkohësisht kur hodhëm në Lanë edhe ligjin e betimeve”, u shpreh Meta.

Meta iu bëri thirrje shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit që të regjistrohen në zgjedhje.

“Ndaj ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve patriot kudo ku janë, të gjithë drejt 11 majit. Të gjithë bashkëatdhetarët tanë të regjistrohen për të votuar në ditën historike kur narko-regjimi do të hidhet te Lana, njësoj siç u hodh në Maqedoninë e Veriut regjimi kukull i Sorosit”, tha Meta në mesazhin e tij. /j.p/

The post Rekursi i Metës për ndryshimin e masës së sigurisë, Gjykata e Lartë e lë në burg appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 1 February 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Konventa e PL-së, Meta audiomesazh nga burgu: Dumani nuk më përjashton dot nga politika

1 February 2025 at 12:41

TIRANË, 1 shkurt /ATSH/ Partia e Lirisë ka zhvilluar sot Konventën e saj në sallën e mbledhjeve të Xhamisë së Namazgjasë, 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit dhe 100 ditë nga arrestimi i Ilir Metës, i akuzuar nga SPAK për 3 vepra penale.

Nga paraburgimi, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta iu drejtua për herë të parë mbështetësve të tij nëpërmjet një audiomesazhi ku shpalosi premtimet elektorale për zgjedhjet parlamentare.

Meta tha se Partia e Lirisë ka “5 prioritete kyçe, që nga ai për 4 milionë shqiptarë plus”.

“Ne do ta ndalojmë shpopullimin, duke ulur taksat dhe nënat me dy ose më shumë fëmijë, duke garantuar kredi për çifteve të reja. Do garantojmë transport falas për pensionistët. Do të mbështesim fermerët. Ne duam që Shqipëria të kthehet në fuqi prodhuese. Do të dhurojmë 20 mijë euro për çdo person që nis biznes të ri”, tha Meta.

Gjatë fjalës së tij Meta tha se “programi ynë social dhe ekonomik është tërësisht i aplikueshëm”.

Meta tha se është “marrë peng nga Rama-Dumani për të grabitur një mandat të katërt”.

“Qytetarët do i japin përgjigje kësaj bande, që po i lë pa atdhe. Metën nuk e përjashton dot nga politika, as Rama, as Dumani dhe as Mc Gonigal”, tha Meta.

(Vijon…)

The post Konventa e PL-së, Meta audiomesazh nga burgu: Dumani nuk më përjashton dot nga politika appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 31 January 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Akuzat e PL, SPAK: Asnjë kërkesë nga Beleri e Dule për të takuar Metën

31 January 2025 at 16:42

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka reaguar ndaj akuzave të ngritura nga sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, se deputeti i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, dhe eurodeputeti Fredi Beleri, nuk janë lejuar të takojnë Ilir Metën në burg.

Sipas SPAK, në këtë rast deputetët nuk kanë nevojë për autorizimin paraprak të prokurorit dhe se miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

“Në bazë të nenit 51 të ligjit nr. 81 të vitit 2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen nga deputetë, pa autorizimin paraprak të Prokurorit.

Në këtë rast, miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Deri në orën 15:15 të dt.31.01.2025, në protokollin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga shtetasit Alfred Beleri dhe Vangjel Dule për të takuar ndonjë të paraburgosur,” njofton SPAK.

/a.f/r.e/

The post Akuzat e PL, SPAK: Asnjë kërkesë nga Beleri e Dule për të takuar Metën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 30 January 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Deklarata e statusit personal, Çelmeta për ATSH-në: Detyrim për çdo të punësuar

30 January 2025 at 10:50

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Çdo i punësuar, në shtet apo privat, përpara se të marrë pagën e muajit janar ka detyrimin ligjor të plotësojë Deklaratën e Statusit Personal.

Këtë deklaratë e ka punëdhënësi dhe e firmos çdo punonjës një herë në vit.

Ky dokument është një risi që rrjedh nga Ligji për Tatimin mbi të Ardhurat dhe nuk shoqërohet me kosto shtesë.

Kjo deklaratë ka rëndësi për ata që bëjnë dy apo më shumë punë, por deklarata firmoset vetëm në njërin nga vendet e punës.

Në rast se punonjësi refuzon të nënshkruajë, ekonomisti do t’i mbajë tatimin pa të drejtë zbritjeje.

Në një prononcim për ATSH-në, drejtoresha e Proceseve të Biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Rozana Çelmeta bëri të ditur se për ata që kanë një punë, ky element është i paraplotësuar apo i shënjuar në listëpagesën e të ardhurave nga puna.

Sipas saj, ky dokument është i rëndësishëm për t’u plotësuar dhe i thjeshtë.

“Deklarata e Statusit Personal është një marrëdhënie mes dy palëve, punëdhënësit dhe punëmarrësit. Për ata që kanë një punë, ky element është i paraplotësuar apo i shënjuar në listëpagesën e të ardhurave nga puna. Ky dokument është i rëndësishëm për t’u plotësuar dhe i thjeshtë”, u shpreh Çelmeta.

Sipas saj, kjo deklaratë ka rëndësi për ata që bëjnë dy apo më shumë punë.

Çelmeta shpjegon se formulari plotësohet vetëm një herë në një punëdhënës. Ajo shton se në vendin e punës që plotësohet ky formular bëhen dhe zbritjet që parashikon ligji.

“Ajo çfarë ndodh me  individët me më shumë se sa një punësim, është se duke qenë se individi ka të drejtë që zbritjet t’i kërkojë njëherë vetëm në një punë, tek subjekti që ka nënshkruar këtë status, atëherë në subjektet e tjera të ardhurat që realizohen gjatë një muaji do t’i tatohen bruto, pra për të gjithë masën e të ardhurave që realizon brenda një muaji”, sqaroi Çelmeta.

Deri tani ligji parashikonte që për personat që ishin dy apo më shumë të punësuar, të ardhurat bashkoheshin në fund të vitit dhe i nënshtroheshin tatimit, pas plotësimit të deklaratës së të ardhurave vjetore, DIVA.

Me ndryshimet ligjore, tatimi nuk do të mbahet një herë në vit, por çdo muaj.

Pavarësisht kësaj, detyrimi për plotësimin e DIVA-s mbetet në fuqi.

Personat fizikë të vetëpunësuar bëjnë përjashtim nga deklarata e statusit personal. /j.p/

The post Deklarata e statusit personal, Çelmeta për ATSH-në: Detyrim për çdo të punësuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 27 January 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Meta: Akuzat për mosdeklarim pasurie, të turpshme

27 January 2025 at 16:12

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta u shpreh në një intervistë për mediet nga qelia e paraburgimit ku ndodhet që prej tetorit të vitit të kaluar, ku u shpreh se akuzat ndaj tij për mosdeklarim pasurie janë të turpshme dhe skandaloze.

“Sipas ligjit të ILDKPI unë kam bërë deklarimet e pasurisë dhe të ardhurave çdo vit dhe kurrë nuk kam marrë një vërejtje, paralajmërim apo gjobë nga ky institucion. Po kështu,  deklarimi im ka qenë i dyfishtë edhe si subjekt i drejtpërdrejtë, por edhe si person i lidhur për shkak të pozicionit të ish-bashkëshortes time e cila ka qenë deputete”, u shpreh Meta.

“Ligji e bën të qartë se ti s’mund të mbash përgjegjësi për deklarimet e familjarëve të tu. Dihet publikisht se ish-bashkëshortja ime dhe nëna e saj kishin bashkëpronësi në një pallat të ndërtuar në tokën e tyre, pallat i firmosur edhe nga Rama edhe nga Basha si kryebashkiakë të Tiranës”, tha Meta.

Meta shtoi më tej se ai “nuk mund të kontrollonte dhe as nuk ishte kurioz sesi “shtoheshin e pakësoheshin llogaritë e tyre bankare nga shitjet e apartamenteve apo për interes të tyre”.

“Pra zero mosdeklarim nga 32 vite jetë publike të hetuar ndaj meje nga SPAK-u dhe Edi Rama”, tha Meta.

Sa i takon lobimit, Meta tha se “për fatin e tyre të keq, qindra letër-porosi të nisura kudo kanë rezultuar një zero me xhufkë, ndaj nën urdhrat e Ramës dhe te McGonigalëve vendosën të më “sekuestronin” mua fizikisht, duke më rrëmbyer si banditë rrugësh pa asnjë shkresë dhe akt zyrtar”.

“Kurrë as kam firmosur ndonjë pagesë apo dhënë ndonjë autorizim për pagesa të paligjshme. Kontratat me kompanitë lobuese miratoheshin në kryesi dhe caktoheshin personat përgjegjës për të firmosur ose ndjekur ato”, tha Meta më tej.

Meta nënvizoi më tej se në çdo rast do të kandidoj dhe zgjidhet deputet në 11 Maj.

“E rëndësishme është që të gjithë faktorët opozitarë të vërtetë të bashkohen në betejë kundër narkoregjimit. Partia e Lirisë është përballë një sfide të jashtëzakonshme dhe unë jam i bindur se do kalitet dhe rritet për shkak të kauzave të mëdha që ajo përfaqëson e mbron”, tha Meta.

Meta u bëri thirrje anëtarëve të Partisë së Lirisë “të mos e shpërdorojnë mundësinë historike të 11 majit për ndryshim”.

“Indiferenca është aleati më i mirë i narkoregjimit ndërsa ballafaqimi e përballja është e vetmja rrugë për shembjen e kësaj kalbësire imorale dhe antishqiptare”, tha Meta.

The post Meta: Akuzat për mosdeklarim pasurie, të turpshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 25 January 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ndarja nga jeta e Janullatos, Meta: Ringriti nga gërmadhat Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë

25 January 2025 at 09:46

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.

“Udhëheqës i veçantë shpirtëror dhe shembull frymëzues i dashurisë ndaj njerëzve, me vizion hyjnor e mençuri të rrallë, do t’i mbetemi përherë mirënjohës për gjithçka ka bërë në këto vite për Lavdinë e Zotit, për të mirën e Kishës, që në rrethana të vështira e ringriti nga gërmadhat dhe e zhvilloi më tej, për të mirën e besimtarëve ortodoksë shqiptarë, për forcimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare, kësaj pasurie kombëtare të popullit tonë”, shkruan Meta.

Meta shton më tej se “kontributi i jashtëzakonshëm dhe përkushtimi i vyer i Fortlumturisë së Tij në më shumë se tre dekada i ka shërbyer jo vetëm ringritjes kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe arsimimit e përgatitjes së brezit të ri të klerikëve shqiptarë por edhe afirmimit ndërkombëtar dhe njohjes së saj kudo në botë”.

“Ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme për drejtuesit e lartë të Kishës dhe mbarë komunitetin ortodoks të Shqipërisë!”, shkruan Meta.

Meta nënvizon se trashëgimia e Kryepeshkopit Anastas do të mbetet gjithmonë e gjallë dhe kujtimi i Tij do të jetë i paharruar!

/a.f/

The post Ndarja nga jeta e Janullatos, Meta: Ringriti nga gërmadhat Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 17 January 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Deklarimi i DIVA-s, Çelmeta për ATSH-në: Pragu u ul në 1,2 milionë lekë në vit, afati i fundit 31 marsi

17 January 2025 at 07:45

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” përcaktojnë detyrimin që çdo individ që ka realizuar të ardhura bruto mbi 1,2 milionë lekë në vitin 2024, nga të gjitha burimet, të plotësojë deklaratën vjetore të të ardhurave personale (DIVA) brenda datës 31 mars të këtij viti.

Deri në vitin 2023 kufiri i deklarimit për të ardhurat bruto ishte 2 milionë lekë e sipër. Ndërsa afati për plotësimin e DIVA-s ishte fundi i muajit prill.

Individët që janë të punësuar vetëm në një punëdhënës, por kanë dhe të ardhura të tjera me burim brenda vendit, për të cilat është mbajtur tatimi në burim, kanë detyrimin vetëm për të deklaruar, por nuk kanë për të kryer pagesë tatimi.

Ka edhe të ardhura të tjera, të cilat mund të jenë me burim në Republikën e Shqipërisë, por që nuk u është mbajtur tatimi të cilat duhet që të deklarohen, të llogaritet tatimi dhe të paguhet.

Kjo kategori tatimpaguesish, në rast se do të ketë të ardhura nga jashtë Republikës së Shqipërisë, duhet të marrin dokumentacionin për këto të ardhura dhe për tatimin e paguar, nëse është paguar jashtë vendit.

Në një prononcim për ATSH-në, drejtoresha e Proceseve të Biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Rozana Çelmeta bëri të ditur se zgjerimi i bazës së deklarimit të të ardhurave personale, duke ulur pragun e detyrimit për deklarim nga 2 milionë lekë në vit, në 1.2 milionë lekë në vit, është masë pozitive për nxitjen e pajtueshmërisë vullnetare dhe deklarimin e të ardhurave.

“Do të na ofrojë zgjerim të bazës së të dhënave që do të mund të përdoren për analiza më të thelluara për trajtimin e individëve”, theksoi Çelmeta.

Çelmeta sqaron se një individ është i detyruar të dorëzojë një deklaratë vjetore tatimore personale kur të ardhurat tatimore vjetore të tij janë më shumë se 1 200 000 lekë në vit nga të gjitha burimet ose kur është në marrëdhënie punësimi me më shumë se një punëdhënës, pavarësisht nga shuma e të ardhurave që merr nga punëdhënësit. Ky detyrim, sipas saj, një individi i lind edhe kur është përfitues i më shumë se 50 000 lekëve e çdo të ardhure tjetër që nuk i nënshtrohen tatimit përfundimtar në burim.

Në DIVA përfshihet deklarimi i të ardhurave bruto nga marrëdhëniet e punësimit ose të ngjashme me to, nga dividenti, qiraja, fitimi kapital nga shitja e pasurive të paluajtshme; interesa bankare etj.

Në rast se nuk do të plotësohet në kohë Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave, ligji parashikon penalitet prej 3 mijë lekë për deklarim të vonuar.

Deklarata për të ardhurat e realizuara në vitin 2024 paraplotësohet nga sistemi e-Filing me të ardhurat e deklaruara nga paga, në çdo listëpagesë ku individi është i regjistruar si i punësuar. Deklarata ka të paraplotësuar edhe tatimin e përllogaritur, edhe atë të paguar, si vlerën e detyrimit për t’u paguar, në rast se rezulton me pagesë.

Sipas të dhënave zyrtare të Administratës Tatimore vitin e shkuar detyrimin për plotësimin e DIVA-s për vitin 2023, e kishin 73 790 individë, nga të cilët 24 224 me të ardhura mbi 2 milionë lekë dhe 49 566 të dypunësuar.

Individët që deklarojnë për herë të parë DIVA-n, fillimisht duhet të regjistrohen elektronikisht në “www.tatime.gov.al” në rubrikën e-Filing dhe më pas vijohet me gjenerimin dhe plotësimin e deklaratës duke përzgjedhur vitin 2024. /j.p/r.e/

The post Deklarimi i DIVA-s, Çelmeta për ATSH-në: Pragu u ul në 1,2 milionë lekë në vit, afati i fundit 31 marsi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 January 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Meta: Masakra e Reçakut i tregoi botës të vërtetën e mizorive në Kosovë

15 January 2025 at 14:35

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Sot bëhen 26 vite nga masakra e Reçakut në Kosovë, ku forcat serbe sulmuan popullatën e pafajshme civile shqiptare, duke vrarë dhe masakruar 45 prej tyre.

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e përkujtoi këtë ditë duke shkruar në rrjetet sociale mesazh nderimi.

“Nderim përjetë, me përulje dhe respekt, kujtimit të paharruar të 45 martirëve të Masakrës së Reçakut, mizorisë së kryer në zemër të Europës nga xhelati i Ballkanit, Sllobodan Millosheviç”, shkroi Meta.

Sipas Metës, ky krim i tmerrshëm kundër njerëzimit, siç me të drejtë e përkufizoi Ambasadori Walker, i tregoi mbarë botës të vërtetën e mizorive dhe gjenocidit kriminal në Kosovë.

“Në këtë ditë të kujtimit të sakrificave të shenjta të popullit të Kosovës është e rëndësishme të theksohet se Kosova kurrë nuk do jetë “tokë e askujt”, por përherë toka e Isa Boletinit, e Adem Jasharit dhe e të gjithë heronjve dhe martirëve, të cilët e kanë larë me gjakun e tyre atë tokë”, shkruan Meta.

Meta thekson më tej se “mbi atë gjak u ndërtuan themelet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, që në pak vite është shndërruar model në rajon për bashkëjetesën ndëretnike, si edhe të demokracisë funksionale në rritje, shembull që besoj se do të jepet edhe në zgjedhjet e afërta parlamentare atje”.

“Gjaku i Reçakut nuk bëhet ujë! Lavdi”, e përmbyll Meta reagimin. /j.p/

The post Meta: Masakra e Reçakut i tregoi botës të vërtetën e mizorive në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 13 January 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Braimllari: Jam i majtë, dua të angazhohem me PS; PL: Është marrë peng nga SPAK

13 January 2025 at 18:23

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Ish-nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, ka deklaruar sot se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 11 majit, nëse i krijohen hapësirat, do të angazhohet me Partinë Socialiste.

“Nuk kam kontakte me PS. Po them dëshirën time. Unë jam i majtë, angazhimi im patjetër do të jetë PS, por nëse krijohen hapësirat. Nuk e kam problem ta nis nga fillimi. Nuk ka rëndësi ku është emri Endrit Braimllarit për të dhënë kontributin tim. Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të doja të jepja angazhimin tim në PS”, tha Braimllari në një intervistë televizive.

Pas deklaratës së tij, ka ardhur edhe reagimi nga radhët e Partisë së Lirisë. Zëdhënësja e Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale e cilëson Braimllarin si “sufllaqexhi”.

Ajo shprehet se prej 1 viti e gjysmë Braimllari nuk është më pjesë e asnjë strukture politike të PL dhe as anëtar i Partisë së Lirisë në këshillin bashkiak të Tiranës, për shkak të “firmave të tij të paligjshme dhe të pamoralshme, si dhe marrja peng nga SPAK, bashkë me të disa të afërm të tij”.

Memelli shton me të tej se Braimllari “ka për detyrim të paraqitet sa më parë pranë Partisë së Lirisë dhe të japë sqarime për parregullsitë me financat që na la trashëgim, si dhe të dorëzojë mandatin e këshilltarit, që nuk i përket atij”.

/r.e//a.f/

The post Braimllari: Jam i majtë, dua të angazhohem me PS; PL: Është marrë peng nga SPAK appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 5 January 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Meta: Simitis, reformator i Greqisë për integrimin evropian

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Greqisë, Kostas Simitis.

Meta shkroi në rrjete sociale, nga burgu 313 në Tiranë, se Simitis ka qenë kontributor në Greqi për rënien nga pushteti të juntës ushtarake dhe ka qenë gjithashtu reformator dhe përparimtar në rrugën e Greqisë drejt BE.

“Me trishtim mësova për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit të Greqisë, Kostas Simitis.

Kontributor për rrëzimin e juntës dhe luftëtar konseguent kundër diktaturave, Simitis ishte një personalitet i madh i politikës greke, jo vetëm si drejtues i PASOK-ut, por edhe si reformator i madh i përshpejtimit të integrimit europian të Greqisë.

Kam patur kënaqësinë të bashkëpunonim dhe i mbetem mirënjohës për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve tradicionale shqiptaro-greke, bazuar mbi fqinjësinë e mirë dhe partneritet.

Ngushëllime familjes Simitis dhe popullit grek për këtë humbje të madhe”, shkroi Meta.

Simitis shërbeu si kryeministër në shtetin helen nga radhët e PASOK në vitet 1996-2004.

Ish-kryeministri Kostas Simitis vdiq sot në mëngjes, në moshën 88-vjeçare.

/r.e/

The post Meta: Simitis, reformator i Greqisë për integrimin evropian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 31 December 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Meta uron Vitin e Ri 2025: Viti i lirisë dhe i ndryshimit për të gjithë shqiptarët

31 December 2024 at 14:35

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili ndodhet në masën e sigurisë “Arrest me Burg”, me kërkesë të prokurorisë Speciale Anti-korrupsion, në kuadër të një hetimi të nisur ndaj tij, ka uruar sot të gjithë shqiptarët për vitin e ri 2025.

Në një postim në rrjetet sociale, ku ndau dhe foto nga ngjitja në majën e Jezercës, Meta tha se viti 2024, ishte një vit shumë i vështirë.

“Të nderuar qytetare dhe qytetarë shqiptarë! Vetëm pak orë na ndajnë nga ndërrimi i viteve. Siç është zakon secili nga ne bën edhe një bilanc.

Mbyllim një vit shumë të vështirë, plot sfida të panumërta dhe beteja të përbashkëta.
Më shumë se gjysmën e shqiptarëve, në veçanti pensionistët, ky vit që po troket i gjen në varfëri ekstreme, të pastrehë, të braktisur dhe të përjashtuar nga regjimi aktual, që vrau shpresën edhe për të rinjtë”, shkruan Meta.

“Përpjekja e hapur dhe e dhunshme për asgjësimin e demokracisë dhe pluralizmit politik avancoi si kurrë më parë. Përpara kemi një malore jo të lehtë. E megjithatë duhet të jemi shumë besimplotë se do të ngjitemi në majë sepse kauzat e mëdha dhe ekzistenciale, qëndresa, vendosmëria, dinjiteti dhe patriotizmi ynë e bëjnë të pashmangshme Triumfin e së Mirës ndaj së Keqes dhe Fitoren e përbashkët që po sjell ky Vit i Ri.

Me përkushtim, dashuri dhe vëmendje ndaj gjërave të mira dhe të bukura, me vullnet, forcë e përgjegjësi, me energji pozitive, mençuri dhe vizion ne të gjithë bashkë do ta bëjmë realitet ëndrrën e bukur të të rinjve për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa!
Nga zemra ju uroj të jetë ky Vit i Ri plot me gëzime, shëndet, mbarësi, dashuri dhe suksese për ju, familjet tuaja dhe të afërmit kudo që janë! Gëzuar 2025!”, mbyll mesazhin e tij Meta.

/a.f/

The post Meta uron Vitin e Ri 2025: Viti i lirisë dhe i ndryshimit për të gjithë shqiptarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌