Normal view

Received — 7 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

KOMENT – Sa fiton Bashkimi Evropian nga produktet e teknologjisë së lartë?

BRUKSEL, 7 korrik  ATSH/ – Evropa synon sovranitetin teknologjik për të forcuar ekonominë, shkruan euronews.it

Sa peshon industria e teknologjisë së lartë në tregun e BE-së dhe cilat vende janë në krye?

Ndërsa Evropa po forcon përpjekjet për të arritur sovranitet teknologjik, industria prodhuese e teknologjisë së lartë (high-tech) mund të luajë një rol kyç në strategjinë e Bashkimit Evropian për të ulur varësinë nga vende si Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

Në vitin 2024, Bashkimi Evropian shiti produkte të teknologjisë së lartë me një vlerë prej 414 miliardë eurosh, sipas të dhënave më të fundit të Eurostat.

Kjo përfaqëson një rritje të ndjeshme krahasuar me 273 miliardë euro në vitin 2014, me një normë mesatare vjetore rritjeje prej 4,3%.

Produktet farmaceutike përbënin 29% të prodhimit të teknologjisë së lartë të shitur në vitin 2024. Ato ndiqeshin nga elektronika dhe telekomunikacioni, me 23%, dhe instrumentet shkencore, me rreth 21%.

Kategoria më e vogël ishte ajo e armatimeve, që përfaqësonte vetëm 1,1% të prodhimit të përgjithshëm të teknologjisë së lartë të shitur në BE.

Një e treta e produkteve high-tech të BE-së eksportohen në Shtetet e Bashkuara

Në vitin 2024, më shumë se gjysma e importeve të produkteve të teknologjisë së lartë nga vendet jashtë BE-së erdhën nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara.

Sa i përket eksporteve, pothuajse 31% e produkteve high-tech të Bashkimit Evropian u dërguan në SHBA, duke e bërë atë destinacionin kryesor.

Pas saj renditen Kina dhe Mbretëria e Bashkuar, secila me 10% të eksporteve.

Po atë vit, BE regjistroi një deficit tregtar prej 92 miliardë eurosh me Kinën në sektorin e teknologjisë së lartë.

Të vetmit partnerë të tjerë me deficit mbi 10 miliardë euro ishin Tajvani (19 miliardë euro) dhe Vietnami (20 miliardë euro).

Në të kundërt, Bashkimi Evropian regjistroi një suficit tregtar prej më shumë se 10 miliardë eurosh me:
Turqinë: 11 miliardë euro;
Mbretërinë e Bashkuar: 27 miliardë euro;
Shtetet e Bashkuara: 46 miliardë euro.

Propozimi i Bashkimit Evropian për të arritur sovranitetin teknologjik

Muajin e kaluar, Komisioni Evropian prezantoi paketën për sovranitetin teknologjik, e cila synon të forcojë industrinë teknologjike të BE-së, duke u përqendruar veçanërisht në infrastrukturën cloud, shërbimet e inteligjencës artificiale, softuerin me kod të hapur (open source) dhe çipat elektronikë.

Propozimi ligjor përfshin katër nisma, të cilat mbulojnë të gjithë zinxhirin e vlerës – nga prodhimi i çipave dhe infrastruktura teknologjike deri te softuerët, shërbimet cloud dhe inteligjenca artificiale.

Niveli më i lartë i kësaj pakete, që lidhet me sektorë strategjikë si mbrojtja dhe shëndetësia, do të përjashtonte praktikisht kompanitë joevropiane nga mundësia për të fituar kontrata publike.

Në vitin 2023, në Bashkimin Evropian ishin aktive më shumë se 42 mijë kompani në sektorin e prodhimit të teknologjisë së lartë, që përfaqësonin vetëm 0,1% të numrit total të ndërmarrjeve në BE.

Përqindja më e lartë e prodhuesve të teknologjisë së lartë në raport me numrin total të kompanive u regjistrua në Republikën Çeke, e ndjekur nga Sllovakia dhe Gjermania.

Nga ana tjetër, për sa i përket punësimit, pra pjesës së punonjësve të angazhuar në industrinë e teknologjisë së lartë krahasuar me gjithë fuqinë punëtore në sektorin prodhues, vendet me përqindjen më të lartë ishin Sllovenia, Danimarka, Irlanda dhe Hungaria.  /os/

The post KOMENT – Sa fiton Bashkimi Evropian nga produktet e teknologjisë së lartë? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 13 May 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Youth Tech Center”, një hapësirë e re dedikuar të rinjve në Lushnjë

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Qytetit të Lushnjës i është shtuar një hapësirë e re, e dedikuar për të rinjtë e apasionuar pas teknologjisë dhe inovacionit.

Qendra quhet “Youth Tech” dhe është e vendosur pranë muzeut të qytetit, ndërsa tashmë ka marrë edhe interesin e shumë të rinjve dhe të rejave.

Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjetet sociale disa momente nga angazhimi i të rinjve në këtë qendër, ndërsa e etiketoi “Youth Tech” si një hapësirë të re dedikuar të rinjve.

Rama tha se, “Youth Tech Center” është investim i përbashkët i Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe bashkisë së Lushnjës.

Kjo qendër shënon një hap të rëndësishëm për fuqizimin e të rinjve dhe zhvillimin e ideve novatore në komunitet.

Hapësira e re shërben si një pikë takimi për kreativitetin, teknologjinë dhe bashkëpunimin, duke u dhënë të rinjve mundësinë të eksplorojnë potencialin e tyre dhe të kontribuojnë në të ardhmen digjitale.

Ky investim synon të afrojë më shumë të rinjtë me teknologjinë dhe inovacionin, duke krijuar mundësi konkrete për zhvillim dhe përfshirje aktive në jetën sociale dhe ekonomike të qytetit.

/e.i/r.e/a.f/

The post “Youth Tech Center”, një hapësirë e re dedikuar të rinjve në Lushnjë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 30 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Konkursi Robotech, kualifikohen nxënësit e 12 gjimnazeve nga 6 qytete

TIRANË, 30 mars/ATSH/ Nxënësit e 12 gjimnazeve nga Shkodra, Tirana, Fieri, Gjirokastra, Elbasani dhe Korça u kualifikuan në fazën finale të konkursit Robotech.

Ky konkurs dedikuar robotikës, inteligjencës artificiale, programimit dhe inxhinierisë si aplikime praktike të dijes në teknologji në këtë kompeticion synon të zhvillojë te të rinjtë mendimin logjik, aftësitë e punës në grup dhe orientimin drejt profesioneve të së ardhmes, duke i afruar gjithnjë e më shumë me botën e inovacionit dhe teknologjisë.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha se “kur ëndrrat bashkohen me dijen e kreativitetin, lindin ide që frymëzojnë, ndërsa aktivitete të tilla pas shkolle, janë një vlerë e shtuar për arsimin, sepse i japin nxënësve mundësinë të mësojnë përtej klasës, të eksperimentojnë, të krijojnë dhe të zbulojnë talentet e tyre në mënyrë konkrete”.

RoboTech 2026 i organizuar nga COD në bashkëpunim me Universitetin Metropolitan të Tiranës shërben si një përvojë frymëzuese për të rinjtë, përmes teknologjisë, robotikës dhe inteligjencës artificiale, duke i nxitur ata të zhvillojnë zgjidhje konkrete dhe inovative, që kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë.

/k.s/r.e/

The post Konkursi Robotech, kualifikohen nxënësit e 12 gjimnazeve nga 6 qytete appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 25 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

AKSHI, pjesë e “GovTech Forum Milano 2026” mbi inovacionin në administratën publike

TIRANË, 25 mars/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit mori pjesë në “GovTech Forum Milano 2026”, një nga eventet më të rëndësishme në nivel europian mbi inovacionin në administratën publike dhe transformimin digjital të shërbimeve.

Sipas AKSHI-t, ky aktivitet bashkon institucione publike, startup-e, organizata ndërkombëtare dhe qendra kërkimore për të diskutuar të ardhmen e GovTech në Evropë.

AKSHI u përfaqësua nga drejtoresha e portalit qeveritar “e-Albania”, Nevila Repishti, në panelin e organizuar nga SIGMA (OECD/BE) me temë: “GovTech experiences in EU candidate countries”, së bashku me përfaqësues nga Ukraina, Komisioni Europian dhe Banka Botërore.

Në hapje të panelit, përfaqësuesit e SIGMA-s theksuan se Shqipëria renditet e para në rajonin e Ballkanit Perëndimor për performancën në ofrimin e shërbimeve publike online, sipas vlerësimeve të fundit të raportit të tyre të monitorimit, duke e pozicionuar vendin tonë si një nga rastet më të avancuara të zbatimit të GovTech në vendet kandidate për BE.

Gjatë diskutimit u prezantua rrugëtimi i Shqipërisë në transformimin digjital të shërbimeve publike, duke kaluar nga digjitalizimi i proceseve drejt ofrimit të shërbimeve të integruara, proaktive dhe të orientuara rreth “life events”, në përputhje me prioritetet e Bashkimit Europian për ndërveprueshmëri, parimin once-only dhe Single Digital Gateway.

Repishti u shpreh se: “GovTech në Shqipëri nuk është vetëm digjitalizim i shërbimeve, por një transformim i mënyrës se si funksionon administrata publike. Çdo hap që ndërmarrim synon shërbime më të thjeshta për qytetarët dhe bizneset, ndërkohë që njëkohësisht afrohemi me standardet dhe prioritetet digjitale të Bashkimit Europian”.

Në këtë forum, diskutimi u fokusua gjithashtu në evoluimin e vazhdueshëm të qasjes GovTech në Shqipëri; mësimet kryesore nga implementimi i platformave të integruara dhe ndërveprimit ndërinstitucional; prioritetet e ardhshme, përfshirë shërbimet proaktive e automatizimin e proceseve dhe rolin e GovTech në mbështetje të procesit të integrimit europian.

Pjesëmarrja në këtë forum shërbeu si një mundësi për të ndarë përvojën e Shqipërisë, për të diskutuar zhvillimet më të fundit në GovTech dhe për të forcuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në drejtim të modernizimit të mëtejshëm të shërbimeve publike online.

/e.i/r.e/j.p/

The post AKSHI, pjesë e “GovTech Forum Milano 2026” mbi inovacionin në administratën publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 9 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Karçanaj – Paolucci: Banka Botërore, mbështetje 100% për ‘GovTech’

9 September 2025 at 16:53

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Avancimi në një fazë të re i programit të qeverisë digjitiale “GovTech” ishte në fokus të takimit të zhvilluar sot në kryeqytet mes Drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, Massimiliano Paolucci, Country Manager i Bankës Botërore për Shqipërinë, Simon Carl O’Meally, drejtues i Programit GovTech në vendin tonë, si dhe delegacionin e Bankës Botërore.

Në këtë takim u diskutua mbi programin  e qeverisjes digjitale “GovTech”, që AKSHI është duke implementuar,  dhe që është një nga programet më të rëndësishme të Bankës Botërore në nivel global dhe është shpallur si një prej iniciativave “flagship” më të suksesshme.

Karçaj u shpreh se, “në Shqipëri, falë mbështetjes së Bankës Botërore, ky program po avancon në një fazë të re dhe më komplekse, ku po kryhet zgjerimi i financimeve për digjitalizimin e pushtetit vendor, platforma elektronike e prokurimeve e mbështetur nga inteligjenca artificiale, zhvillimi i AFMIS (Albanian Financial Management Information System), një sistem modern që do të revolucionarizojë menaxhimin financiar publik”.

“AKSHI dhe Banka Botërore po punojnë si një ekip i vetëm, të bashkuar nga i njëjti objektiv, ta bëjmë GovTech një histori suksesi në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve”, theksoi ajo.

Massimiliano Paolucci u shpreh se, “digjitalizimi i shërbimeve publike garanton barazi në aksesin ndaj informacionit dhe përmirëson menaxhimin e tyre. GovTech është një projekt sfidues, prandaj ne jemi këtu. Ky është programi juaj, por edhe i yni”.

“Keni 100% mbështetjen tonë”, theksoi ai.

Ndërsa, Simon Carl O’Meally falënderoi AKSHI-n dhe theksoi se, “është privilegj të punoj me ju. Mbështetja ime do të jetë e pakursyer për ta mbajtur GovTech një program ‘flagship’ të suksesshëm”

Karçanaj i shprehu mirënjohje Bankës Botërore për partneritetin e fortë dhe mbështetjen e vazhdueshme.

Rezultatet e prekshme për qytetarët vijnë vetëm përmes bashkëpunimeve të këtij niveli dhe ekspertizës së specializuar, theksoi ajo.

/gj.m/

The post Karçanaj – Paolucci: Banka Botërore, mbështetje 100% për ‘GovTech’ appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 26 August 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Arbi Bamllari, udhëheqësi i rrugëtimit të dronit të parë shqiptar

26 August 2025 at 12:47

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Arbi Bamllari, themelues i Skaitech, po udhëheq rrugëtimin e dronit të parë shqiptar, një hap i madh për robotikën dhe inteligjencën artificiale në vend

Ministrja e Shtetit për për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj u shpreh sot në një postim në rrjetet sociale se, ky është rasti kur një ide guximtare kthehet në realitet teknologjik.

Ibrahimaj shtoi se falë “Grant 2025”, vizioni i tyre po shndërrohet në shërbime të reja si drone delivery, VR dhe modele inovative “Made in Albania” që synojnë tregjet botërore.

Ministrja nënvizoi se, ky është një shembull se si startup-et shqiptare mund të thyejnë kufijtë dhe të krijojnë histori suksesi globale

Bamllari thekson se ajo që e motivoi për projektin inovativ ishte, mungesa e teknologjive inovative si robotika, inteligjenca artificiale dhe dronëve në Shqipëri dhe aplikimet e tyre.

“Këto ishin shtysa kryesore për të nisur Skaitech. Por mbi të gjitha, pasioni për teknologjinë dhe robotikën”, theksoi ai.

Ai theksoi se “përmes “Grant 2025”, synojmë të sjellim disa shërbime të reja në gamën tonë, si shërbimi i drone delivery, batimetria, VR, si dhe ndërtimi i një modeli të ri të dronëve “Made in Albania”.

Sa i përket vështirësive më të mëdha që kanë hasur, Bamllari tha se, “vështirësitë më të mëdha lidhen me tregun e limituar në Shqipëri dhe edukimin e tij si një teknologji e re, përfshirë edhe mungesën e mbështetjes nga institucionet shtetërore, mungesën e profesionistëve, të rinjve dhe investimeve”.

Sa i përket përkufizimit të suksesit, ai theksoi se, “suksesi për mua është krijimi dhe ndërtimi i produkteve shqiptare dhe eksporti i tyre në tregje ndërkombëtare -në këtë rast, të dronëve apo robotikës. Përveç kësaj, edhe krijimi i një brandi shqiptar në nivel ndërkombëtar nga një skuadër vendase”.

1 nga 5

/gj.m/j.p/

The post Arbi Bamllari, udhëheqësi i rrugëtimit të dronit të parë shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 30 June 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Identifikimi elektronik dhe shërbimet e besuara, projektligji konsultohet me sektorin financiar

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Në kuadër të procesit të hartimit të projektligjit “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital”, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike zhvilloi një sërë takimesh konsultuese me përfaqësues nga sektori financiar, fintech dhe mikrofinanciar, me ofrues të shërbimeve të besuara, si dhe me institucione publike që ofrojnë shërbime digjitale dhe që parashikohet të jenë palë të përfshira në zbatimin e këtij ligji.

Në njoftimin e AKSK, thuhet se projektligji i ri synon të modernizojë kuadrin ekzistues ligjor për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara, duke e përafruar plotësisht me rregulloren eIDAS të Bashkimit Evropian.

“Ai parashikon krijimin e një kuadri të plotë rregullator për identifikimin elektronik, futjen e portofolit të identitetit digjital si një mjet i ri, i sigurt dhe i ndërveprueshëm për qytetarët dhe institucionet, si dhe zgjerimin e shërbimeve të besuara, përfshirë nënshkrimin elektronik, vulosjen, arkivimin dhe verifikimin e të dhënave digjitale”, thuhet në njoftim.

Sipas AKSK-së, portofoli i identitetit digjital, i konceptuar si një risi në këtë projektligj, do t’u mundësojë qytetarëve të ruajnë dhe ndajnë të dhënat e tyre personale në mënyrë të sigurt, të nënshkruajnë dhe vulosin dokumente në formë elektronike, të aksesojnë shërbime publike dhe private si brenda ashtu edhe jashtë vendit dhe të menaxhojnë ndërveprimet e tyre digjitale me transparencë dhe kontroll të plotë.

Këto konsultime synuan të mbledhin mendime, komente dhe sugjerime konkrete nga palët e interesuara për të ndihmuar në përmirësimin e draftit përfundimtar dhe garantimin e zbatueshmërisë së tij në praktikë. Kontributet e marra gjatë këtij procesi do të shërbejnë si një vlerë e shtuar për ndërtimin e një kuadri ligjor të besueshëm, funksional dhe të përputhshëm me zhvillimet teknologjike dhe standardet evropiane.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike gjatë takimeve konsultuese me përfaqësues nga sekt...
1 nga 13

/e.i/

The post Identifikimi elektronik dhe shërbimet e besuara, projektligji konsultohet me sektorin financiar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 13 June 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Panairi VivaTech, Gonxhja pret ministren franceze për Inteligjencën Artificiale në stendën shqiptare

TIRANË, 13 qershor /ATSH/ Ministrja e Deleguar e Francës për Inteligjencën Artificiale dhe Digjitalin, Clara Chappaz, zhvilloi një takim me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, teksa vizitoi stendën shqiptare që prezantohet në panairin VivaTech, në Paris, më të madhin në Europë për startup-et, bizneset inovatore dhe teknologjitë e avancuara.

Gonxhja ndau në rrjete sociale momente nga ky takim dhe vizita e ministres Chappaz, në ambientet e stendës shqiptare.

“Pas vizitës së Presidentit Emmanuel Macron në Shqipëri dhe takimit me Ministren e Deleguar të Francës për Inteligjencën Artificiale dhe Digjitalin, znj. Clara Chappaz, me të cilën nënshkruam Planin e Veprimit për Inovacionin Shqipëri–Francë, patëm kënaqësinë të takohemi sërish në kuadër të pjesëmarrjes sonë në VivaTech, një nga ngjarjet më të mëdha të teknologjisë dhe inovacionit në Europë”, u shpreh Gonxhja.

Sipas tij, për herë të parë, Shqipëria u përfaqësua me një stendë të dedikuar, duke prezantuar energjinë dhe potencialin e ekosistemit tonë të inovacionit, sipërmarrjet e zhvilluara, startup-et premtuese dhe vizionin për një të ardhme digjitale dhe të gjelbër.

Gonxhja e vlerësoi vizitën e ministres Chappaz në stendën shqiptare, një sinjal të qartë të thellimit të bashkëpunimit me Francën në fushën e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.

“Ky partneritet strategjik përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt objektivit tonë për ta pozicionuar Shqipërinë si një qendër të njohur evropiane për inovacionin e qëndrueshëm”, theksoi Gonxhja. /j.p/

The post Panairi VivaTech, Gonxhja pret ministren franceze për Inteligjencën Artificiale në stendën shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 12 June 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

VivaTech në Paris, Gonxhja: Ekosistemi i inovacionit në Shqipëri në skenën globale

TIRANË, 12 qershor /ATSH/ Shqipëria merr pjesë në ekspon e teknologjisë “VivaTech 2025”, kushtuar inovacionit dhe startup-eve, që mbahet në Paris, Francë.

Në këtë skenë ndërkombëtare të inovacionit do të marrin pjesë katër aktorë kyç të ekosistemit shqiptar të inovacionit dhe zhvillimit ekonomik: Dy parqet teknologjike Durana dhe TEDA, Korporata Shqiptare e Investimeve (AIC) dhe AIDA.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjete sociale momente nga panairi “VivaTech”, teksa bëri të ditur se, mijëra novatorë nga e gjithë bota që kanë pushtuar VivaTech Paris e kanë sjellë me vete emocionin e teknologjisë dhe fuqinë e inovacionit.

“Nga deep tech dhe informatika kuantike te inteligjenca artificiale, teknologjia e klimës, gratë në teknologji dhe zhvillimet më të fundit në sektorë të ndryshëm, çdo ditë në VivaTech zbulon çfarë fsheh e ardhmja”, tha Gonxhja.

Ministri Gonxhja u shpreh krenarë që punon krah Qeverisë për të lartësuar ekosistemin e inovacionit në Shqipëri në skenën globale.

“Mbështesim prezantimin e parqeve të teknologjisë dhe shkencës, zonat e lira ekonomike, mundësitë e investimit dhe komunitetin gjithnjë në rritje të novatorëve”, u shpreh Gonxhja. /j.p/

 

The post VivaTech në Paris, Gonxhja: Ekosistemi i inovacionit në Shqipëri në skenën globale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 11 June 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Innovation Now”, Shqipëria prezantohet në VivaTech 2025, në Paris

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Nga data 11 deri më 14 qershor, Parisi do të jetë qendra botërore e teknologjisë dhe inovacionit, falë edicionit të radhës së VivaTech, konferencës më të madhe në Europë për startup-et, bizneset inovatore dhe teknologjitë e avancuara.

Në këtë arenë globale, Shqipëria përfaqësohet me moton “Albania Future Now”, pjesë e fushatës Innovation Now e mbështetur nga EU4Innovation (GIZ) dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me qëllim promovimin, në tregun kombëtar e ndërkombëtar, të ekosistemit të inovacionit shqiptar.

Në këtë skenë ndërkombëtare të inovacionit do të marrin pjesë katër aktorë kyç të ekosistemit shqiptar të inovacionit dhe zhvillimit ekonomik: Dy parqet teknologjike Durana dhe TEDA, Korporata Shqiptare e Investimeve (AIC) dhe AIDA.

Durana Tech Park është një nga projektet më ambicioze që synon të kthehet në epiqendër të kërkimit, inovacionit dhe prodhimit teknologjik. Përmes mbështetjes strategjike për ndërmarrjet e vogla e të mesme, Parku Teknologjik Durana synon të tërheqë investime të huaja dhe vendase.

TEDA Tirana është zona e parë ekonomike e lirë në Shqipëri, që me pozicionin gjeografik, në zemër të Ballkanit, me burime të shumta natyrore dhe një fokus të qartë në energjinë e gjelbër, krijon një mjedis të favorshëm për projekte të qëndrueshme dhe inovative. TEDA ofron një platformë ideale për zgjerimin e bizneseve në një mjedis të favorshëm fiskal dhe logjistik.

Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH / AIC) synon që duke përdorur në mënyrë efikase asetet shtetërore dhe kapitalin publik e privat, të nxisë zhvillimin e qendrueshëm ekonomik dhe social në vend, nëpërmjet transformimit të ideve të reja në projekte strategjike të investimeve kombëtare dhe rajonale, ku përfshihen parqet shkencore dhe teknologjike, industritë e panairit, turizmi dhe industria e pasurive të paluajtshme.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), mbështet investitorët vendas e të huaj, që dëshirojnë të zhvillojnë biznese të suksesshme në Shqipëri, duke u ofruar asistencë të plotë për projektet e tyre, që nga analizat e tregut dhe identifikimi i sektorëve potencialë, deri te shërbimet pas investimit.

Me pjesëmarrjen e saj në VivaTech 2025, Shqipëria konfirmon angazhimin për të qenë pjesë aktive e hartës globale të inovacionit.

Nën moton “Innovation Now- Albania Future now”, Shqipëria jo vetëm që do të prezantojë projektet më të rëndësishme kombëtare, por edhe do të ndërtojë ura bashkëpunimi me aktorë ndërkombëtarë, start up-e dhe investitorë të mëdhenj.

E themeluar në vitin 2016 nga Publicis Groupe dhe Groupe Les Echos, VivaTech është kthyer në një pikë takimi të domosdoshme për liderët e së ardhmes.

1 nga 3

/a.f/

The post “Innovation Now”, Shqipëria prezantohet në VivaTech 2025, në Paris appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 30 May 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Programi GovTech i Shqipërisë vlerësohet në Forumin Global në selinë e Bankës Botërore

TIRANË, 30 maj/ATSH/ Programi GovTech i Shqipërisë është vlerësuar nga Banka Botërore si një “WorldWide Flagship Program”, një notë pozitive që e liston vendin tonë si shembullin më të suksesshëm të transformimit digjital më shërbim të qytetarëve.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, bën me dije se në selinë e Bankës Botërore në Washington D.C., gjatë tryezës së rrumbullakët “Albanian Frontiers in GovTech”, u prezantua rrugëtimi dhe modeli i Shqipërisë për modernizimin e administratës publike përmes digjitalizimit.

Në këtë forum, morën pjesë zëvendësdrejtoresha e përgjithshme e AKSHI-t, Hava Delibashi, drejtoresha e Koordinimit të Agjendës Digjitale dhe Projekteve e-Gov me Fonde të Huaja, Romina Kostani dhe Ermal Jauri, koordinator i Programit GovTech, të cilët në prani të ekspertëve të Bankës Botërore dhe përfaqësuesve nga vende të ndryshme, ndanë historitë e suksesit të Shqipërisë në fushën e GovTech.

Sipas AKSHI-t, Shqipëria, gjatë Forumit Global për GovTech & Inovacionin në Sektorin Publik, zhvilluar më 27–29 maj në Washington D.C., përcolli edhe një tjetër arritje unike si përdorimin e Inteligjencës Artificiale për transpozimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së.

Gjatë eventit, delegacioni shqiptar mori pjesë edhe në tryezën dedikuar “Modernizimit të institucioneve, rritjes ekonomike dhe vendeve të reja pune për Evropën dhe Azinë Qendrore”, ku zëvendësdrejtoresha Delibashi, përfaqësoi Shqipërinë, së bashku me Ministrin e Shtetit për Qeverisjen Vendore, Arbjan Mazniku dhe Ambasadorin e Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati.

Në njoftimin e AKSHI-t, thuhet se ekipi shqiptar në forum prezantoi edhe zhvillimin e platformës e-Albania 2.0, e cila synon shërbime proaktive, të personalizuara dhe të kategorizuara sipas ngjarjeve të jetës, integrimin e Inteligjencës Artificiale për të ndihmuar përdoruesit në platformën e-Albania, përmes Diellës 3.0, asistentes digjitale që gjeneron dokumente në kohë reale me vetëm një komandë zanore, rizhvillimin e shërbimeve me arkitekturë mikroshërbimesh dhe përmirësimin e Platformës së Ndërveprimit, me 297 milionë transaksione në vit.

Platforma po ashtu, sipas AKSHI-t synon rritjen e aksesueshmërisë për Personat me Aftësi të Kufizuar dhe përfshirja sociale në çdo fazë të projektimit, si edhe zhvillimin e 216 SmartLab-eve në 200 shkolla, për të përgatitur brezin e ri për epokën digjitale.

“Shqipëria u vlerësua gjithashtu për impaktin pozitiv të digjitalizimit në mjedis, në sesionin “Greening GovTech for a Sustainable Digital Transition”, ku vetëm në 5 vite kemi arritur të kursejmë jo vetëm para, por edhe të japim një kontribut të vyer në mbrojtjen e mjedisit, për të tashmen e të ardhmen”, thuhet në njoftimin e AKSHI-t.

Shqipëria po dëshmon se vizioni, angazhimi dhe teknologjia mund të ndërtojnë një administratë më transparente, efikase dhe të afërt me qytetarin. /j.p/

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit në selinë e Bankës Botërore në Washington D.C.
1 nga 7

The post Programi GovTech i Shqipërisë vlerësohet në Forumin Global në selinë e Bankës Botërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 2 April 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Durana Tech Park pret “banorët” e parë, Rama: Interes i lartë nga kompani të huaja, produkt konkret i një vizioni që dukej utopik


TIRANË, 2 prill/ATSH/ Portat e Durana Tech Park, hapësira që do të bëhet epiqendra e rritjes së sipërmarrjeve, zhvillimit teknologjik dhe ekonomik të rajonit, u hapën sot me dhënien e certifikatave për rezidentët e parë të saj.

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në këtë ceremoni, deklaroi se certifikimi i rezidentëve të parë në Durana, është produkti i parë konkret i një vizioni që dukej utopik.

“Kemi një produkt të parë, konkret të një vizioni që dukej utopik kur ne nisëm realizimin e tij. Ashtu siç dukej utopik edhe qëllimi ynë për të bërë Shqipërinë lider në shërbimet publike elektronike, gjë që sot është fakt. Ashtu si dukej utopik edhe besimi ynë se procesin e negociatave do ta përshpejtonim eksponencialisht nga Inteligjenca Artificiale. Ashtu siç dukej utopik dhe qëllimi tjetër që të kemi në dispozicion një model të IA për të zhvilluar prokurimet publike”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se ka pasur interes të lartë nga kompani të huaja, nga vende të ndryshme të botës për t’u bërë pjesë e Durana Tech Park.

“Ajo që është një surprizë e bukur për ne, nuk është thjeshtë numri i kompanive të huaja apo diversiteti i hartës nga SHBA, në Estoni, Gjermani e deri në Azi, por është fakti që ka interes të lartë nga institucione akademike”, theksoi Rama.

Megjithatë, tha Rama, qëllimi ynë nuk është vetëm të kemi sa më shumë kompani të huaja në Park, por të angazhojmë sa më shumë talente shqiptare.

Kryeministri vuri në dukje se disa nga start-up-et që janë mbështetur nga qeveria që në qelizë, të kthyera në kompani të reja, bëhen anëtarë të Parkut.

Kryeministri informoi se ka filluar procesi për tre universitete të mirënjohura italiane dhe ka interes edhe nga universitete të tjera.

“Kjo na bën të shohim pak kornizën rregullatore që t’u japim mundësi institucioneve akademike të hyjnë në këtë shoqëri digjitale”, tha më tej Rama.

Përmes mbështetjes strategjike për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, Durana Tech Park synon të tërheqë investime të huaja dhe vendase, ndërsa nxit zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve me vlerë të lartë të shtuar. Me fokus në kërkimin, inovacionin dhe prodhimin në sektorin e teknologjisë, ky park teknologjik është projektuar për të krijuar një grup ekspertësh të aftë dhe për të shtyrë përpara rritjen ekonomike.

Durana Tech Park ofron një regjim tatimor shumë të favorshëm, i krijuar enkas për të maksimizuar fitimin e kompanive rezidente në techpark: 0% TVSH dhe 0% tatim mbi fitimin për kompanitë rezidente, si një avantazh i madh krahasuar me rajonin, ku TVSH-ja dhe tatimi mbi fitimin mund të arrijnë deri në 20% dhe 15%, respektivisht. 0% tatim mbi të ardhurat personale për 10 vite për punonjësit. Kontributet shoqërore për punonjësit kufizohen në 95 euro/muaj, me një kontribut të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore prej vetëm 3,4%, duke sjellë kursime të mëdha në kostot e punës.

Durana Tech Park është vendosur në Xhafzotaj. Vendndodhja është strategjike për shkak të afërsisë së saj (15 minuta) me Portin e Durrësit (më i madhi në Shqipëri dhe një nga më të mëdhenjtë në Adriatik) dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (20 minuta).

Gjithashtu garanton akses në tregjet më të mëdha dhe më të kualifikuara të punës në vend (Tirana dhe Durrësi), ku përqendrohen 75% e institucioneve të arsimit të lartë dhe qendrave kërkimore.

Zona është mjaft e madhe, me një sipërfaqe prej rreth 26 ha gjithsej. Kjo pronë është e ndarë në tri pjesë të veçanta që nuk janë direkt të lidhura, edhe pse janë pranë njëra-tjetrës. /j.p/r.e/

The post Durana Tech Park pret “banorët” e parë, Rama: Interes i lartë nga kompani të huaja, produkt konkret i një vizioni që dukej utopik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌