Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 10 February 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

UKRAINË – Zelensky premton ristrukturimin e mbrojtjes ajrore

10 February 2026 at 22:50

KIEV, 10 shkurt /ATSH-DPA/– Mbrojtja ajrore e Ukrainës do t’i nënshtrohet një ristrukturimi për t’iu përgjigjur më mirë sulmeve të vazhdueshme ruse, deklaroi sot presidenti Volodymyr Zelensky.

“Në disa rajone, mënyra se si funksionojnë ekipet do të ristrukturohet plotësisht”, tha Zelensky në video mesazhin e tij të mbrëmjes, duke shtuar se ndryshimet do të prekin sistemet e përgjimit, grupet e lëvizshme të zjarrit si dhe të gjithë përbërjen e mbrojtjes ajrore lokale.

Sipas tij, urdhrat përkatës janë dhënë gjatë një konsultimi me drejtuesit ushtarakë.

Ukraina ka pësuar dëme të mëdha nga sulmet ruse me dronë dhe raketa gjatë një dimri të ashpër.

Me temperaturat që kanë zbritur shumë nën minus 10 gradë Celsius, energjia elektrike dhe ngrohja janë ndërprerë në shumë qytete të vendit si pasojë e goditjeve ruse.

Miliona ukrainas detyrohen të përballen çdo ditë me mungesë të ngrohjes ose energjisë elektrike për orë të tëra.

Në fjalimin e tij, Zelensky u ndal edhe te problemet e vazhdueshme energjetike.

Ai  falënderoi shërbimet e mbrojtjes civile, partnerët ndërkombëtarë të Ukrainës për dërgesat e ndihmës, si dhe elektricistët e shumtë të kompanive energjetike që po përpiqen të riparojnë të paktën një pjesë të dëmeve të mëdha të shkaktuara.

Megjithatë, presidenti kritikoi administratat rajonale për dështimin në raportimin në kohë të problemeve, çka sipas tij ka kontribuar në përkeqësimin e situatës./ /Ad.Ab./  a.jor.

The post UKRAINË – Zelensky premton ristrukturimin e mbrojtjes ajrore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu viziton në spital policët e dëmtuar: Kjo nuk është protestë, por tentativë vrasjeje

10 February 2026 at 22:25

TIRANË, 10 shkurt /ATSh/ Ministrja  e Brendshme, Albana Koçiu vizitoi në spitalin e Traumës punonjësit e policisë të lënduar gjatë protestës së opozitës, të cilët po marrin ndihmë mjekësore.

Përmes një komunikimi për mediet, Koçiu theksoi se ka kërkuar që të vendosen para përgjegjësisë të gjitha ata që sot u bënë pjesë e një dhune barbare.

Sipas saj, qëllimi i vetëm i protestës së sotme ishte goditja e punonjësve të Policisë së Shtetit.

“Erdhëm të shohim efektivët e lënduar. Protesta e sotme, e cila sipas nesh duhet të jetë e drejtë dhe paqësore, kaloi në një nivel të paprecedentë dhune ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Është protesta e dytë që drejtohet ndaj punonjësve të policisë, dhe drejtuesi i saj, Sali Berisha, është i vetmi që mund të udhëheqë protesta të tilla dhune ndaj efektivëve, të cilët janë prindër, vëllezër dhe që çdo ditë punojnë për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve”, tha Koçiu.

Ministrja shtoi se “sot kam informacione që edhe gazetarë kanë pësuar lëndime në emër të dhunës. Protestat janë detyrime kushtetuese për t’u zbatuar në mënyrë paqësore”.

Ministrja nënvizoi se është barbare ajo që u pa dhe dëshmua sot ku gjatë protestës 16 punonjës policie kanë “pësuar djegie të konsiderueshme”.

Gjithashtu, ministrja Koçiu ishte edhe në shërbimin e Djegie-Plastikës në QSUNT ku vizitoi punonjësit e Policisë së Shtetit që mbetën të plagosur “nga molotovët e hedhur në mënyrë barbare drejt tyre”.

“Ledio 26 vjeç, Kreshniku 38. Kundër tyre e kolegëve të tyre u përdorën, molotovë, bomba artizanale të mbushura me lëndë djegëse, gurë, çdo gjë, me të vetmin qëllim për goditur e dhunuar ata që janë në krye të detyrës. Dua ta them qartë: ata që goditën punonjësit e Policisë nuk janë protestues. Ata janë kriminelë të organizuar. Kur godet me të tilla mjete e bën duke e ditur se pasojat mund të jenë shumë, shumë të rënda”, deklaroi Koçiu.

Ajo shtoi se “kjo nuk është protestë, këto nuk janë përplasje. Kjo quhet tentativë vrasjeje”.

“Pres nga institucionet ligjzbatuese të reagojnë fort ndaj kësaj sjellje të përsëritur të dhunës nga disa elementë kriminalë të nxitur nga persona me imunitet që inkurajojnë dhunën”, u shpreh ministrja Koçiu.

/m.q/r.e/ /a.g/

The post Koçiu viziton në spital policët e dëmtuar: Kjo nuk është protestë, por tentativë vrasjeje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD: Në spitalin e Traumës nuk ka asnjë punonjës policie të plagosur

10 February 2026 at 22:24

TIRANË, 10 shkurt /ATSh/ Partia Demokratike deklaroi mbrëmjen e sotme se në spitalin e Traumës nuk ka asnjë punonjës policie të plagosur, duke i cilësuar njoftimet e policisë së Shtetit si “mashtrim me qëllim manipulimin e opinionit publik”.

“Zyrat e propagandës së narkopolicisë së gazit dhe të dhunës, thonë se 14 policë janë plagosur, si pasojë e dhunës në protestë. E vërteta është krejt ndryshe. Në urgjencën e Spitalit të Traumës, ku gjendet i plagosur dhe nën kujdes mjekësor deputeti demokrat Bledjon Nallbati, nuk ka asnjë oficer policie”, njoftoi PD.

Sipas PD-së nga raportimet në rrugë operative “në këtë Urgjencë janë paraqitur pesë oficerë policie të cilët janë përcjellë nga personeli, duke qenë se nuk kanë pasur as plagë dhe as shqetësime që kërkojnë trajtim mjekësor”.

PD njoftoi më tej se “burime nga Spitali i Traumës, bëjnë me dije se paraqitja e tyre është bërë me urdhër të narkokomisarëve të Policisë me qëllim manipulimin e opinionit publik dhe për të mbuluar dhunuesit dhe të dhunuarit e vërtetë të protestës së sotme”.

Gjithashtu, Partia Demokratike “dënon të gjitha aktet e dhunës ndaj qytetarëve të pafajshëm dhe përfaqësuesve politikë, dhe u bën thirrje policëve të thjeshtë të mos zbatojnë urdhrat e narkokomisarëve”.

/m.q/r.e/ /a.g/

The post PD: Në spitalin e Traumës nuk ka asnjë punonjës policie të plagosur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Deputeti Nallbati u godit nga Bizhga, do mbajë përgjegjësi

10 February 2026 at 22:23

TIRANË, 10 shkurt /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot pas protestës së tretë kombëtare të mbajtur nga opozita përpara Kryeministrisë dhe godinës së Kuvendit.

Duke u ndalur te ngjarja ku u përfshi deputeti demokrat Bledion Nallbati, Berisha pas vizitës në Spitalin e Traumës, u shpreh se Nallbati ka një hematomë në indet e buta dhe sipas protokollit të spitalit do të qëndrojë në observim për një kohë të caktuar për të parë nëse do të ketë pasoja të tjera nga goditja.

“Por, njëkohësisht mësohet se urdhërdhënësi është krimineli Sokol Bizhga, njëri nga kriminelët me uniformë në Republikën e Shqipërisë. E garantoj Sokol Bizhgën, i cili e goditi deputetin, se do ketë përgjegjësi gjeri ditën e fundit të tij për këtë akt të shëmtuar”, tha Berisha.

Kreu i PD-së u ndal edhe tek incidenti gjatë protestës me operatorin e News24.

“Unë i shpreh edhe mbështetjen dhe keqardhjen time më të madhe për operatorin e News24, por dëshmitarët okularë rrotull thonë që flaka ka ardhur nga ana e policisë dhe jo nga ana e protestuesve. Kjo sigurisht, nëpërmjet filmimeve, prandaj ju lutem shumë edhe ju, të kontrolloni të gjitha filmimet, sepse të dhënat janë që mjetin ose e ka kap policia, ose e ka hedhur drejt operatorit, por sjelljet e policisë, sjelljet e banditëve, sjellja e Sokol Bizhgës është një sjellje kriminale e paparë”, tha Berisha.

“Ju do shihni midis të tjerëve, një qytetar i cili është në një aftësi fizike krejt ndryshe, por është njeri që vjen, demokrat, që vjen në protesta. E kanë kapur në mënyrën më kafshërore, e hodhën mbi tela, e hodhën sikur të ishte jo njeri, po sikur të ishte një objekt”, tha Berisha.

Kreu i PD tha se policët po përdoren si “mish për top”. “Për sa i përket policëve, janë të keqpërdorur. Janë të keqpërdorur nga Sokol Bizhga, u shpreh keqardhjen e madhe, sepse nuk kishin asnjë arsye, siç e patë ju, të konfrontoheshin, të vërsuleshin me tërbim ndaj protestuesve, ndaj protestuesve paqësorë, por ato kanë zbatuar verbërisht urdhrat”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, protestuesit janë ndaluar pa asnjë motiv.

“Në të katër anët po merremi për të gjetur ku janë protestuesit e lënduar. Kanë arrestuar deri tani 14 protestues pa asnjë motiv, pa asnjë lidhje me asnjë akt. Vetëm tërbim. Po merremi me të gjitha këto, por bilanci do të jetë i 20 shkurtit.

Siç e patë ju, ishte një heroizëm masiv. Edhe një herë e përsëris, mos të gabojnë ta marrin vetëpërmbajtjen tonë si dobësi, se në mënyrë absolute do të mjerohen ata që e kujtojnë të tillë”, u shpreh Berisha.

/e.i/a.f/r.e/

The post Berisha: Deputeti Nallbati u godit nga Bizhga, do mbajë përgjegjësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump mbështet sekretarin e Tregtisë, pavarësisht çështjes Epstein

10 February 2026 at 22:20

UASHINGTON 10 shkurt /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump ka shprehur mbështetje të plotë për sekretarin  e Tregtisë, Howard Lutnick, emri i të cilit përmendet në dokumentet e lidhura me hetimin për Jeffrey Epstein.

Deklarata u bë sot nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, gjatë një konference për shtyp.

Sipas Leavitt, pavarësisht përfshirjes së emrit të Lutnick në dosjet e hetimit, presidenti Trump vazhdon ta konsiderojë atë një figurë kyçe të administratës së tij.

“Howard Lutnick mbetet një anëtar shumë i rëndësishëm i ekipit të presidentit Trump dhe presidenti e mbështet plotësisht sekretarin e Tregtisë”, u shpreh ajo para gazetarëve.

Deklarata vjen në një moment kur publikimi i dokumenteve të reja që lidhen me çështjen Epstein ka ringjallur debatet politike dhe mediatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke përfshirë emra të figurave të njohura nga bota e politikës dhe biznesit.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur akuza formale ndaj Lutnick, ndërsa Shtëpia e Bardhë thekson se përmendja e një emri në dokumente nuk përbën domosdoshmërisht provë për shkelje ligjore.

Administrata e presidentit Trump ka përsëritur se do të vazhdojë të bashkëpunojë me institucionet përkatëse dhe se çdo rast do të trajtohet në përputhje me ligjin, ndërkohë që mbështetja politike për sekretarin e Tregtisë mbetet e pandryshuar./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Trump mbështet sekretarin e Tregtisë, pavarësisht çështjes Epstein appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Proda: Policët u përballën me barbari ekstreme, 13 persona të shoqëruar pas protestës

10 February 2026 at 22:20

TIRANË, 10 shkurt /ATSh/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda bëri të ditur sontr se deri tani janë shoqëruar 13 persona për dhunë të ushtruar gjatë protestës së opozitës.

Gjatë vizitës tek spitali i Traumës, ku takoi efektivët e lënduar, Proda vlerësoi profesionalizmin e treguar nga forcat e rendit ndaj asaj që ai e quajti “dhunë barbare ekstreme”.

“Janë 13 të shoqëruar deri tani dhe i falënderoj të gjithë punonjësit e Policisë për profesionalizmin që kanë treguar dhe vetëm Zoti e di sa krenar jam për ta, për atë që ata bëjnë çdo ditë dhe për vetëpërmbajtjen dhe qytetarinë e tejskajshme që treguan sot, në kundërshtim me atë me të cilën u përballën, e cila ishte shenjë e një barbarie ekstreme.”

“Hetimet sapo kanë filluar, ekipet po kryejnë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Ne, në vazhdimësi, kemi bërë thirrje që të miturit të distancohen. Do të nxjerrim përgjegjësitë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe besoj se edhe në vijim do të kemi qëndrime për këto situata”, tha Proda.

Proda tha se “nuk kemi informacion deri më tani për protestues të plagosur”.

PD dhe aleatët e saj zhvilluan sot protestën e tretë kombëtare para Kryeministrisë, ku kërkoi largimin e qeverisë.

Pas përfundimit të fjalimit të kryetarit Sali Berisha, protestuesit hodhën kokteje me molotovë si dhe lëndë piroteknike në drejtim të Kryeministrisë e më pas drejt Parlamentit. Si pasojë e lëndëve plasëse mbetën të lënduar katër efektivë.

/m.q/a.f/r.e/

The post Proda: Policët u përballën me barbari ekstreme, 13 persona të shoqëruar pas protestës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tirana prezanton mesfushorin e ri, Rijad Kobiljar

10 February 2026 at 21:51

TIRANË, 10 shkurt /ATSh/ Tirana ka zyrtarizuar afrimin më të fundit të merkatos, Rijad Kobiljar.

Klubi bardheblu zyrtarizoi sot afrimin e mesfushorit, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

“Mirësevjen, Rijad! KF Tirana njofton zyrtarisht afrimin e mesfushorit Rijad Kobiljar. Lojtari tashmë është pjesë e skuadrës dhe i gatshëm për angazhimet e radhës si përforcimi më i ri në kampin e bardhebluve! I urojmë mirëseardhjen!” – shkruan klubi bardheblu.

Lojtari ka luajtur në Bosnjë-Hercegovinë te Sarajevo, Tuzla City dhe Posusje, ndërsa në Turqi është aktivizuar së fundmi te Sakaryaspor.

/a.f/r.e/

The post Tirana prezanton mesfushorin e ri, Rijad Kobiljar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Shtëpia e Giorgio Armanit në Nju Jork në shitje për 10 milionë dollarë

10 February 2026 at 21:48

NJU JORK, 10 shkurt /ATSH-ANSA/ – Shtëpia e Giorgio Armanit në Nju Jork del në shitje.

Është një apartament 2 000 metra katrorë në ”Madison Avenue”, në të cilin dizajneri italian nuk ka jetuar kurrë.

Kjo është vetëm një nga 10 rezidencat që dikur ishin në pronësi të Armanit.

Sipas raporteve të medias amerikane, apartamenti është projektuar nga vetë ai.

I vendosur në katin e gjashtë, ai ka dy dhoma gjumi dhe dy banja.

Dyshemetë me parket janë prej lisi të bardhë amerikan dhe tavanet janë mbi tre metra të larta.

Dritaret janë të mëdha dhe të larta duke ofruar pamje spektakolare të horizontit të qytetit.

Kuzhina me hapësirë ​​ngrënieje është po aq mbresëlënëse, me banakë guri të lëmuar dhe pajisje luksoze.

Një ashensor gjysmëprivat hapet në një holl që të çon në një dhomë ndenjeje prej mbi 500 metrash katrorë.

Tarifat mujore të mirëmbajtjes janë 6 695 dollarë dhe mbulojnë aksesin për palestrën, spa-në dhe sallonin e pritjes.

Ka gjithashtu një sallë çaji Zen me shërbim ushqimi nga restoranti ”Armani”./  a.jor.

The post SOFT NEWS – Shtëpia e Giorgio Armanit në Nju Jork në shitje për 10 milionë dollarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD: Lëndohet deputeti Bledion Nallbati

10 February 2026 at 20:47

TIRANË, 10 shkurt /ATSh/ Grupi parlamentar i Partisë Demokratike njoftoi se deputeti Bledion Nallbati ka mbetur i plagosur sipas tyre për shkak të dhunës së ushtruar nga policia dhe përdorimit të gazit lotsjellës gjatë protestës së sotme.

PD njoftoi se deputeti është dërguar tek spitali i Traumës. Sipas PD, deputeti Nallbati ka goditje të në kokë dhe djegie në fytyrë.

PD dhe aleatët e saj zhvilluan sot protestën e tretë kombëtare para Kryeministrisë ku kërkoi largimin e qeverisë.

Pas përfundimit të fjalimit të kryetarit Sali Berisha, protestuesit hodhën koktejle me molotovë si dhe lëndë piroteknike në drejtim të Kryeministrisë e më pas drejt Parlamentit. Si pasojë e lëndëve plasëse mbetën kanë mbetur të lënduar katër efektivë.

/m.q/r.e/a.f/

The post PD: Lëndohet deputeti Bledion Nallbati appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Seanca konstituive të mërkurën, Basha paralajmëron votimin e qeverisë

10 February 2026 at 20:44

PRISHTINË, 10 shkurt /ATSh/ Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet nesër nga ora 17:00, tha kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.

Ai pas mbledhjes me përfaqësuesit e partive parlamentare tha se ndryshimi i orës së seancës konstituive ka ardhur me kërkesë të PDK-së, për shkak të procesit në Hagë ndaj ish krerëve të UCK-së ku mbrojtja do të paraqes fjalën përfundimtare.

Basha tha se pas konstituimit të Kuvendit, po të mërkurën do të votohet edhe qeveria e re.

“Mbledhja e seancës konstituive do të mbahet në ora 17;00 dhe pas saj të vazhdohet me votimin e qeverisë”, tha ai.

Krahas këtyre, Basha njoftoi se ka pasur konsensus që zgjedhja e pesë nënkryetarëve të nënkryetarëve të Kuvendit do të bëhet në pako.

“Pas të gjitha diskutimeve ka pasur një konsensus të plot të përfaqësuesve politik të komuniteteve jo shumicë që të shkohet në votim në pako. Pakoja e nënkryetarëve të votohet komplet bashkë. Ka pasur konsesnus për votimin e raportit për verifikim, kryetarit dhe pesë nënkryetarëve”, tha ai.

KQZ, ka certifikuar të hënën rezultatet e zgjedhjeve.

/Kosovapress/

The post Seanca konstituive të mërkurën, Basha paralajmëron votimin e qeverisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rubio në Konferencën e Munihut, merr pjesë edhe Kosova

10 February 2026 at 20:41

PRISHTINË, 10 shkurt /ATSh/ Kryediplomati amerikan, Marco Rubio, do të udhëtojë për në Gjermani më vonë gjatë javës dhe do të udhëheqë një delegacion të nivelit të lartë në Konferencën për Siguri të Munihut, para se të niset drejt Sllovakisë dhe Hungarisë, raporton radio “Evropa e lirë”.

Konferenca e 62-të e Munihut do të mbahet nga 13 deri më 15 shkurt, ku do të marrin pjesë qindra udhëheqës botërorë, përfshirë edhe nga Kosova.

Në Munih do të jetë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti.

Edhe Serbia do të ketë përfaqësues në Konferencë, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq, kryediplomatin Marko Gjuriq, dhe disa ministra të tjerë. Ndërkaq, edhe vendet e tjera të rajonit do të përfaqësohen në Munih me zyrtarë të lartë, përfshirë kryeministra.

Pjesëmarrja e Rubios në këtë konferencë ndodh në një moment të rëndësishëm, kur Uashingtoni dhe aleatët evropianë po përballen me mosbesim në rritje lidhur me sigurinë, tregtinë dhe të ardhmen e aleancës transatlantike dhe këto tensione pritet të mbizotërojnë diskutimet në Munih.

Lufta e Rusisë në Ukrainë, që në fund të shkurtit hyn në vitin e pestë, pritet të jetë temë kryesore e diskutimeve në Konferencë, por edhe tensionet që kanë të bëjnë me Iranin.

Pjesëmarrja e Rubios në Konferencën në Gjermani do të pasohet me një turne diplomatik në Bratisllavë dhe Budapest më 15 dhe 16 shkurt, duke vënë në pah fokusin e administratës amerikane në Evropën Qendrore në një kohë të një pasigurie strategjike.

Në Sllovaki, ai pritet të takohet me zyrtarë të lartë për të avancuar bashkëpunimin e sigurisë rajonale dhe për projektet e energjisë bërthamore, tha Departamenti amerikan i Shtetit. Në Hungari, ndërkaq, fokusi do të jetë në raportet dypalëshe dhe në përpjekjet e paqes që synojnë zgjidhjen e konflikteve botërore.

Pika kryesore e udhëtimit të Rubios do të jetë fjalimi në Munih më 14 shkurt, i cili pritet të shikohet me vëmendje, veçmas pasi fjalimi i nënpresidentit amerikan, JD Vance, vitin e kaluar në këtë konferencë pati jehonë të madhe.

Atëbotë, deklaratat e Vance – kur ai akuzoi liderët evropianë për shtypje të lirisë së shprehjes dhe dështim në menaxhimin e migracionit – lanë pas një ndjenjë shqetësimi në Bruksel dhe më gjerë.

Kjo ndjesi pasigurie pasqyrohet edhe në raportin vjetor të Konferencës së Sigurisë së Munihut, të hartuar nga organizatorët e forumit dhe të publikuar këtë javë, i cili paralajmëron se Evropa po përballet me një “epokë të prolonguar konfrontimi” të nxitur nga agresioni rus.

Tensionet transatlantike

Sipas raportit, sfida më e madhe për rendin liberal ndërkombëtar mund të vijë tashmë “nga brenda”, duke iu referuar asaj që e përshkruan si një ndryshim tektonik në mënyrën se si SHBA-ja po mendon për aleancat.

Duke e quajtur presidentin amerikan, Donald Trump, “më të fuqishmin ndër ata që i bien me sëpatë rregullave dhe institucioneve ekzistuese”, autorët e raportit parashikojnë se “marrëveshjet transaksionale mund ta zëvendësojnë bashkëpunimin e ndërtuar mbi parime… dhe rajonet mund të dominohen nga fuqitë e mëdha, në vend që të qeverisen nga rregulla dhe norma ndërkombëtare”.

Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, e ka kundërshtuar fuqishëm vlerësimin për një “kërcënim të brendshëm”, duke argumentuar se Uashingtoni synon të ribalancojë, e jo të shkatërrojë, rendin e pasluftës.

Duke folur për gazetarët më 9 shkurt, Whitaker kundërshtoi idenë se SHBA-ja po largohet nga aleancat e qëndrueshme.

“Ne po përpiqemi ta bëjmë NATO-n më të fortë”, deklaroi ai, duke argumentuar se presioni ndaj aleatëve evropianë për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen lidhet me rritjen e kapaciteteve, jo me braktisjen e aleancës.

Sa i përket tregtisë, ai e paraqiti qëndrimin e SHBA-së si një përgjigje ndaj asaj që e quajti pabarazi të padrejta.

Sa i përket Grenlandës, për të cilën Trump ka thënë se dëshiron që SHBA-ja ta marrë nën kontroll, Whitaker tha se ky synim ka të bëjë me shqetësime të sigurisë që lidhen me Rusinë dhe Kinën.

/KosovaPress/

The post Rubio në Konferencën e Munihut, merr pjesë edhe Kosova appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Greva 24-orëshe e ”Lufthansa”-s anulon një numër fluturimesh

10 February 2026 at 22:19

FRANKFURT, 10 shkurt /ATSH-DPA/ – Pilotët dhe personeli i shoqërisë ajrore gjermane ”Lufthansa” do të zhvillojnë të enjten një grevë 24-orëshe, në kuadër të një mosmarrëveshjeje për pagat dhe kushtet e punës.

Ndërsa pilotët po hyjnë në grevë për rritjen e kontributeve të kompanisë në pensionet e tyre, siç njoftoi sindikata ”Vereinigung Cockpit” në thirrjen për grevë, sindikata e ekuipazhit të kabinës, UFO, synon të detyrojë hapjen e negociatave për disa marrëveshje kolektive përmes këtij aksioni sindikal.

Pasagjerët janë paralajmëruar të presin anulime dhe vonesa fluturimesh.

Të gjitha nisjet nga Gjermania pritet të preken nga greva.

Edhe fluturimet cargo do të preken.

Shkalla e saktë e anulimeve nuk ishte ende e qartë fillimisht.

Një zëdhënës i kompanisë sqaroi se po prisnin informacion më të detajuar nga sindikatat.

Pilotët votuan vitin e kaluar me shumicë për të ndërmarrë veprime sindikale, duke kërkuar rritje të kontributeve të punëdhënësit për pensionet e kompanisë.

Sindikata UFO synon, përmes grevës, e cila u shpall pa votim paraprak, të detyrojë zhvillimin e negociatave për marrëveshjet kolektive në kompaninë mëmë ”Lufthansa” dhe në filialin rajonal ”CityLine”./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Greva 24-orëshe e ”Lufthansa”-s anulon një numër fluturimesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha thirrje partive opozitare: Të bashkohemi për rrëzimin e Ramës

10 February 2026 at 20:27

TIRANË, 10 shkurt /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalimit të tij në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, iu bëri thirrje forcave opozitare që të bashkohen për largimin e qeverisë. Berisha theksoi se bashkimi është i domosdoshëm për të rikthyer zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Sipas Berishës me kryeministrin Edi Rama nuk zhvillohen zgjedhje të lira dhe se “opozita nuk fiton kurrë me një farsë elektorale”.

“Asnjë nuk ka të ardhme pa votën e lirë. Ndaj dhe për të votuar të lirë dhe me dinjitet, të ngrihemi, të largojmë Edi Ramën nga pushteti, të shkojmë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, drejt të ardhmes që meritojmë.

“Ndaj dhe kam një thirrje për çdo forcë opozitare, për çdo opozitar të këtij regjimi, për çdo qytetar të këtij vendi, u bëj thirrje jo si lider i partisë më të madhe opozitare, por si qytetar, si shqiptari-shqiptarit, le të bashkohemi. Çdo opozitar dhe çdo qytetar që sot është kundër bashkimit, ta dijë mirë se turpëron veten e tij para shqiptarëve. Kur ishte nevoja kundër Hitlerit, u bashkua Amerika me Bashkimin Sovjetik, kurse ne shqiptarët opozitarë nuk u bashkokemi dot kundër Edi Ramës?!”, tha Berisha.

Berisha shtoi se “ai që mendon se humbet vota nga bashkimi, harron se votat nuk kanë asnjë vlerë sa kohë që Edi Rama është në pushtet. Por e kundërta, nga bashkimi dhe sidomos nga triumfi i bashkimit, largimi i Edi Ramës, të gjithë fitojnë. Jo vetëm do të shtohen votat e secilit, por ato vota do kenë peshën dhe vlerën që meritojnë”.

Sipas tij ata do të kthejnë zgjedhjet e lira dhe të barabarta, siç ishin ato në vitin 2013, kur ndodhi rotacioni i fundit i pushtetit në Shqipëri.

Në fjalën e tij Berisha tha se opozita “do ta shembë narkoshtetin me revoltë paqësore”.

/m.q/a.f/r.e/

The post Berisha thirrje partive opozitare: Të bashkohemi për rrëzimin e Ramës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tensione në protestën e opozitës, hidhen molotovë e fishekzjarre në drejtim të Kryeministrisë dhe Kuvendit

10 February 2026 at 20:24

TIRANË, 10 shkurt /ATSh/ Në protestën e tretë kombëtare të thirrur nga opozita protestuesit hodhën sërish dhjetëra kokteje molotov në drejtim të Kryeministrisë, të cilët shpërthyen në flakë.

Tensionet u shënuan menjëherë pas përfundimit të fjalimit të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ndodhej në podium në momentin kur disa protestues hodhën kokteje molotov në drejtim të forcave të rendit, të vendosura në kordon përpara Kryeministrisë. Si pasojë, u rrezikua siguria e efektivëve të policisë.

Protestuesit hodhën gjithashtu edhe fishekzjarre në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Në reagim ndaj lëndëve piroteknike, policia përdori ujë me presion përmes një autoboti, me qëllim shpërndarjen e protestuesve.

Protestuesit të shoqëruar edhe me deputetë të PD-së, u zhvendosën para Kuvendit. Ndërkohë, pranë godinës së Parlamentit kishte një prezencë të shtuar të forcave policore.

Pas disa minutave proteste paqësore para Kuvendit, protestuesit e opozitës hodhën molotovë të cilët shpërthyen në flakë si dhe lëndë piroteknike në drejtim të forcave të policisë të cilët kishin krijuar një kordon para hyrjes së parlamentit.

Në kundërpërgjigje, Policia e Shtetit reagoi duke shpërndarë protestuesit me autobote me ujë me presion si dhe me gaz lotsjellës.

Pas disa minutave, protestuesit të shoqëruar nga deputetët e Partisë Demokratike u rikthyen sërish para Parlamentit për të protestuar, por policia reagoi menjëherë duke i shpërndarë me ujë me presion dhe bomba zhurmuese për të shpërndarë protestuesit.

Kjo ishte protesta e tretë kombëtare e PD-së, në të cilën opozita kërkon largimin e qeverisë dhe krijimin e qeverisë teknike për zhvillimin e zgjedhjeve të lira.

/r.e/a.f/

The post Tensione në protestën e opozitës, hidhen molotovë e fishekzjarre në drejtim të Kryeministrisë dhe Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia: Katër efektivë të dëmtuar gjatë protestës

10 February 2026 at 20:20

TIRANË, 10 shkurt /ATSh/ Policia e Shtetit bëri të ditur se gjatë protestës së zhvilluar sot  pasditr nga opozita në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë një punonjës policie ka mbetur i lënduar.

Sipas policisë, efektivi ka mbetur i lënduar nga hedhja e bombave molotov, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta.

Gjithashtu policia njoftoi se nga vijimi i tubimit para Parlamentit, si pasojë e sulmit me bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta, u dëmtuan edhe tre punonjës policie, të cilët janë transportuar për ndihmë mjekësore, pasi kanë pësuar djegie e dëmtime fizike nga sendet e forta.

Grupet hetimore po vijojnë punën për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme të protestuesve ndaj punonjësve të Policisë.

/a.f/r.e/

The post Policia: Katër efektivë të dëmtuar gjatë protestës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Asnjë agjendë nuk justifikon dhunën, policia tregoi profesionalizëm

10 February 2026 at 20:15

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu reagoi sot në lidhje me protestën e mbajtur nga opozita, përballë godinës së Kryeministrisë dhe asaj të Parlamentit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Koçiu shprehet se “e drejta për të protestuar, për të disatën herë, u dhunua nga një grup që zgjodhi forcën në vend të fjalës, duke sulmuar, dhunuar e lënduar punonjësit e Policisë së Shtetit”.

Koçiu theksoi se “dhuna nuk mund të jetë kurrë një mjet dhe asnjë lloj agjende nuk e justifikon përdorimin e saj”.

Në fund të reagimit, ministrja Koçiu shprehu mirënjohjen për çdo punonjës policie që tregoi profesionalizëm dhe maturi përballë çdo provokimi.

“Policia do të jetë gjithmonë në krye të detyrës për të garantuar të drejtën për të protestuar, si dhe të garantojë sigurinë e çdo qytetari dhe të pronës publike dhe të qytetarëve”, tha Koçiu.

Në protestën e tretë kombëtare të thirrur nga opozita protestuesit hodhën sërish dhjetëra kokteje molotov në drejtim të Kryeministrisë dhe Parlamentit.

Policia e Shtetit bëri të ditur se gjatë protestës mbetën të lënduar katër punonjës policie.


/e.i/r.e/a.f/

The post Koçiu: Asnjë agjendë nuk justifikon dhunën, policia tregoi profesionalizëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëri-Kosovë, bashkëpunim doganor në shërbim të tregtisë dhe bizneseve

10 February 2026 at 20:12

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Doganës Shqiptare, Besmir Beja priti sot në një takim drejtorin e Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, takimi i parë zyrtar i Drejtorit të Përgjithshëm që prej marrjes së detyrës.

Në një njoftim, Dogana Shqiptare bën me dije se gjatë bashkëbisedimit u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dhe bashkëpunimi i qëndrueshëm ndër vite mes dy administratave doganore, me rezultate konkrete në lehtësimin e procedurave dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare.

Prezenca e Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit dhe funksionimi i pikës unike One Stop Shop në Morinë janë cilësuar si vlera të shtuara për ekonominë e të dy vendeve, duke kursyer kohë dhe kosto për bizneset dhe duke rritur fluksin e mallrave dhe pasagjerëve.

Drejtori i Doganës së Kosovës theksoi se hapja e Zyrës Doganore në Portin e Durrësit përfaqëson një arritje të rëndësishme për ekonominë e Kosovës, duke krijuar lehtësi reale për operatorët ekonomikë dhe duke rritur konkurrueshmërinë e tyre.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganës Shqiptare e vuri theksin te proceset e digjitalizimit, si një element kyç për thjeshtimin e procedurave, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e shërbimit ndaj bizneseve, si dhe te bashkëpunimi në hetimet e përbashkëta dhe lufta kundër paligjshmërisë.

Takimi rikonfirmoi angazhimin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit doganor në funksion të lehtësimit të tregtisë, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik të dy vendeve.

/e.i/r.e/a.f/

The post Shqipëri-Kosovë, bashkëpunim doganor në shërbim të tregtisë dhe bizneseve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Akademia e Shkencave në Kosovë: Shqetësim për dënimet e kërkuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së

10 February 2026 at 18:49

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) doli sot me një deklaratë publike lidhur me propozimin e zyrës së Prokurorit Special për dënimet e udhëheqësve të UÇK-së.

Në deklaratë thuhet se kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) shpreh shqetësimin e thellë mbi propozimin e Zyrës së Prokurorit Special, për dënimin e katër figurave udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçi, ish-president i Republikës së Kosovës; Kadri Veseli, ish-kryetar i Kuvendit; Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit; dhe Rexhep Selimi, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.

Kryesia e ASHAK-ut vlerëson se ky proces duhet të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe të garantojë të drejtat e njeriut, siç janë të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Çdo shmangie nga këto standarde paraqet influencë politike që lëndon legjitimitetin dhe paanshmërinë e procesit gjyqësor”, thuhet në deklaratë.

Kryesia e ASHAK-ut thekson rëndësinë historike dhe morale të luftës çlirimtare të UÇK-së, e cila u zhvillua për mbrojtjen e popullatës civile dhe çlirimin e Kosovës. Kontributi i tyre ka qenë vendimtar në këtë proces historik dhe nuk mund të relativizohet apo të stigmatizohet në kuadër të një procesi që mund të ketë motive politike.

Sipas deklaratës, kryesia e ASHAK-ut kundërshton çdo përpjekje për relativizimin e gjenocidit serb mbi popullatën civile në Kosovë. Lufta e UÇK-së dhe sakrificat e shqiptarëve për lirinë e Kosovës janë pjesë e historisë së dokumentuar dhe nuk mund të mohohen ose të keqinterpretohen për çfarëdo qëllimesh të tjera. Çdo përpjekje për të stigmatizuar luftën çlirimtare përmes interpretimeve të njëanshme, paraqet një kërcënim ndaj kujtesës historike dhe drejtësisë kolektive të popullit të Kosovës.

Në deklaratë theksohet se kryesia e ASHAK-ut propozon që institucionet e Kosovës të ndërtojnë mekanizma të pavarur për monitorimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale, duke siguruar transparencë, llogaridhënie dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Kjo do të kontribuonte për mbrojtjen e të drejtave të individëve të përfshirë në proces, por edhe për ruajtjen e vlerave historike të luftës së popullit të Kosovës.

“Kryesia e ASHAK-ut vlerëson se kjo qasje është jetike për funksionimin e institucioneve demokratike të Kosovës, për ruajtjen e kujtesës historike dhe për forcimin e sundimit të ligjit. Akademia mbetet e gatshme të ofrojë ekspertizën e saj për të ndërtuar mekanizma monitorimi dhe analiza shkencore, të cilat do të sigurojnë që çdo proces gjyqësor të zhvillohet me drejtësi, paanshmëri dhe respekt për vlerat historike dhe qytetarinë e vendit”, përfundon deklarata.

Sot ishte dita e dytë e përmbylljes së deklaratave në gjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Prokuroria ka kërkuar dënim prej 45 vjetësh burg për secilin nga të akuzuarit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999, në disa zona të Kosovës dhe veriun e Shqipërisë.

/e.i/r.e/a.f/

The post Akademia e Shkencave në Kosovë: Shqetësim për dënimet e kërkuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja diskutime me Bankën Botërore për zhvillimin e turizmit cilësor

10 February 2026 at 18:39


TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja zhvilloi sot një takim me një grup përfaqësuesish të Bankës Botërore.

Në këtë takim të kryesuar nga Massimiliano Paoluçi, drejtor për Shqipërinë i Bankës Botërore, dhe me pjesëmarrjen e Ming Zhang, drejtor Global për Zhvillimin Urban, Financat Ndërkombëtare, Turizmin dhe Menaxhimin e Fatkeqësive, Gonxhja tha se u diskutuan konkretisht hapa për ta orientuar turizmin shqiptar drejt një modeli me më shumë cilësi dhe më shumë vlerë për ekonominë lokale.

“Fokusi i bisedës ishte zhvillimi i produkteve turistike përtej sezonit veror, veçanërisht në zonat malore, sitet e trashëgimisë kulturore dhe komunitetet lokale, rigjenerimi i destinacioneve përmes modeleve të suksesshme si PIUTD”, tha Gonxhja.

Një tjetër element i diskutuar në takim, sipas ministrit Gonxhe ishte edhe sigurimi i financimit dhe mbështetjes teknike për projekte që rrisin të ardhurat dhe punësimin, duke garantuar një zhvillim turistik më të qëndrueshëm dhe me përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe ekonominë e vendit.

/e.i/r.e/a.f/

The post Gonxhja diskutime me Bankën Botërore për zhvillimin e turizmit cilësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NORVEGJI – Komision hetimor parlamentar për çështjen Epstein

10 February 2026 at 18:28

OSLO, 10 shkurt /ATSH-AFP/ – Parlamenti norvegjez ka rënë dakord sot për krijimin e një komisioni hetimor të pavarur, me qëllim zbardhjen e lidhjeve të së kaluarës mes të pandehurit për krime seksuale Jeffrey Epstein dhe disa personaliteteve të vendit, raportuan mediet norvegjeze.

Nga princesha Mette-Marit deri te një ish-kryeministër i cili më pas u bë president i Komitetit Nobel, publikimi i fundit në Shtetet e Bashkuara i dokumenteve që lidhen me çështjen Epstein ka nxjerrë në pah lidhje shumë më të ngushta sesa ishte menduar më parë mes financierit dhe figurave të rangut të lartë në Norvegji.

“Është absolutisht thelbësore që të ruhet besimi në diplomacinë norvegjeze, në klasën politike dhe në demokracinë norvegjeze”, deklaroi Per-Willy Amundsen, kryetar i një komiteti parlamentar të ngarkuar me mbikëqyrjen e respektimit të Kushtetutës.

“Shkalla e asaj që është zbuluar javët e fundit është shumë e lartë dhe hedh një dritë të re mbi një sërë ngjarjesh të së kaluarës”, shtoi ai, i cituar nga televizioni publik NRK.

Edhe pse parimi për krijimin e një komisioni hetimor të pavarur është miratuar, mandati i tij, përbërja dhe kalendari i punës mbeten ende për t’u përcaktuar.

Sipas dokumenteve të publikuara së fundmi nga Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe të analizuar nga mediet norvegjeze, princesha trashëgimtare Mette-Marit ka shkëmbyer qindra email-e me Epsteinin, shpesh me një ton intim, gjatë periudhës 2011–2014./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post NORVEGJI – Komision hetimor parlamentar për çështjen Epstein appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌