Normal view

Shqipëria ndër vendet me ajrin më vdekjeprurës në Europë

28 July 2026 at 15:51

Shqipëria është ndër vendet europiane me pasojat më të rënda shëndetësore nga ndotja e ajrit. Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se vendi regjistron 129 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë, të lidhura me ekspozimin ndaj grimcave të imëta në ajër. 

Me këtë tregues, Shqipëria renditet e katërta në Europë, pas Maqedonisë së Veriut, Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë. Niveli është më shumë se tri herë mbi mesataren e Bashkimit Europian, e cila në vitin 2023 ishte 41 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë.

Treguesi i Eurostat mat numrin e vdekjeve të parakohshme nga ekspozimi ndaj grimcave PM2.5, të cilat kanë diametër më të vogël se 2.5 mikrometra. Për shkak të përmasave shumë të vogla, këto grimca depërtojnë thellë në mushkëri dhe mund të kalojnë edhe në qarkullimin e gjakut.

PM2.5 krijohen kryesisht nga djegia e lëndëve të ngurta për ngrohje, aktivitetet industriale, transporti rrugor dhe djegia e mbetjeve. Ekspozimi ndaj tyre nuk lidhet vetëm me praninë e industrisë së rëndë, por edhe me mënyrën e ngrohjes, cilësinë e karburanteve, moshën e automjeteve dhe kushtet urbane që favorizojnë grumbullimin e ndotësve.

Rreziku për shëndetin

Sipas specialistëve, grimcat PM2.5 janë ndër ndotësit më problematikë për shëndetin. Pneumologu Jul Bushati shpjegon për Faktoje se rreziku lidhet me aftësinë e këtyre grimcave për të depërtuar në pjesët më të thella të sistemit respirator.

“Grimcat PM2.5 janë aq të vogla sa kalojnë në alveolat pulmonare dhe mund të hyjnë në qarkullimin e gjakut”, shprehet Bushati.

Sipas tij, ekspozimi ndaj niveleve të larta të PM2.5 rrit rrezikun për inflamacion të rrugëve të frymëmarrjes, përkeqësim të astmës, sëmundjes pulmonare obstruktive kronike (SPOK), si dhe lidhet me rrezik më të lartë për kancer të mushkërive dhe sëmundje kardiovaskulare.

“Ekspozimi i përditshëm ndaj ndotjes së ajrit është si një investim negativ në shëndet. Dëmtimi akumulohet ngadalë dhe mund të shfaqet pas viteve si astmë, bronkit kronik, SPOK apo sëmundje kardiovaskulare”, thotë ai.

Tirana dhe Elbasani, qytetet me ndotjen më të lartë

Të dhënat ndërkombëtare përputhen edhe me raportimet e institucioneve shqiptare. Agjencia Kombëtare e Mjedisit evidenton Tiranën dhe Elbasanin si qytetet me nivelin më të lartë të ndotjes së ajrit në vend.

Sipas AKM-së, në këto dy qytete janë regjistruar tejkalime të normave për grimcat PM10, ndërsa Elbasani rezulton qyteti i vetëm ku është tejkaluar edhe norma për dioksidin e azotit (NO₂), një ndotës që lidhet kryesisht me gazrat e automjeteve dhe aktivitetin industrial.

Agjencia e Mjedisit pranon se burimet kryesore të ndotjes së ajrit në Shqipëri janë trafiku rrugor, aktivitetet e ndërtimit dhe përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje gjatë dimrit.

Trafiku dhe ndërtimi

Një faktor i rëndësishëm në ndotjen urbane në Shqipëri është rritja e numrit të mjeteve në qarkullim. Sipas INSTAT, në fund të vitit 2025 në Shqipëri ishin të regjistruara mbi 1 milionë mjete rrugore. Vetëm në një vit, numri i mjeteve u rrit me 9,3%.

Dhe problemi nuk lidhet vetëm me numrin e automjeteve, por edhe me karakteristikat e flotës. Sipas INSTAT, 55,3% e mjeteve rrugore janë prodhuar gjatë periudhës 2000–2010, ndërsa autoveturat me moshë 11–20 vjet përbëjnë 45,7% të totalit.

Nafta mbetet karburanti dominues. Vitin e shkuar, 72,1% e autoveturave funksiononin me naftë. Ndërkohë, numri i autoveturave elektrike është rritur me 91,2% krahasuar me vitin 2024, por mbetet ende një pjesë e vogël e flotës totale.

Një tjetër burim ndotjeje që është rritur ndjeshëm vitet e fundit është ndërtimi. Sipas të dhënave të INSTAT, të përllogaritura nga Faktoje, në pesë vitet e fundit janë dhënë rreth 7 mijë leje ndërtimi në të gjithë vendin.

Një rrjet monitorimi me boshllëqe

Problem në Shqipëri mbetet edhe mënyra se si bëhen matjet e cilësisë së ajrit. Një artikull i Faktoje i publikuar në maj të këtij viti zbuloi se vendi deklaron një rrjet kombëtar me 59 stacione monitorimi, por matjet reale kryhen vetëm në nëntë stacione në të gjithë vendin. Katër në Tiranë dhe nga një në Durrës, Shkodër, Elbasan, Fier dhe Korçë.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit, institucioni përgjegjës për monitorimin e ajrit, deklaroi se këto stacione matin ndotës si PM10, PM2.5, NO₂, SO₂, O₃ dhe CO.

Por Kontrolli i Lartë i Shtetit ka faktuar se institucionet nuk kanë garantuar të dhëna të mjaftueshme dhe të besueshme për të vlerësuar gjendjen reale të cilësisë së ajrit.

Në këtë boshllëk janë zhvilluar edhe matje alternative nga organizata Co-PLAN përmes projektit GreenAL. Të dhënat e këtij monitorimi kanë evidentuar tejkalime të normave në qytetet kryesore, duke treguar një panoramë më problematike sesa ajo që reflektohet vetëm nga matjet zyrtare.

Premtimi 

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, e ka cilësuar cilësinë e ajrit si një nga kapitujt më sfidues në procesin e negociatave me Bashkimin Europian.

Në maj të këtij viti, gjatë prezantimit të Planit Kombëtar për Ndryshimet Klimatike 2026–2036, Jaupaj deklaroi se Ministria e Mjedisit ka nisur bashkëpunimin me Bankën Botërore për financimin e një projekti të plotë monitorimi të cilësisë së ajrit.

Projekti parashikon ngritjen e një qendre kombëtare monitorimi dhe vendosjen e stacioneve të reja sipas standardeve të Agjencisë Europiane të Mjedisit. Objektivi është që deri në vitin 2028 Shqipëria të ketë një sistem të plotë monitorimi të cilësisë së ajrit.

Ndërkohë, të dhënat e Eurostat tregojnë se pasojat shëndetësore të ndotjes janë tashmë të matshme. Shqipëria mbetet ndër vendet europiane ku ajri përbën një barrë të rëndë për shëndetin publik, ndërsa sfida nuk është vetëm ulja e ndotjes, por edhe krijimi i një sistemi të besueshëm që tregon çdo ditë se çfarë ajri po thithin qytetarët.

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë.

The post Shqipëria ndër vendet me ajrin më vdekjeprurës në Europë appeared first on Faktoje.al.

Shqipëria përballë sfidës së dezinformimit të huaj

27 July 2026 at 18:39

Nga Jona Cenameri

Manipulimi dhe ndërhyrja e informacionit të huaj (FIMI) është shndërruar në një nga sfidat më të mëdha për demokracinë dhe vetë sigurinë e vendeve. Për Shqipërinë, e cila ndodhet në një fazë të rëndësishme të negociatave për anëtarësim në BE, forcimi i rezistencës ndaj FIMI-t po shihet si domosdoshmëri strategjike.   

Për këtë qëllim, ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizoi një aktivitet të gjerë me këtë temë, bazuar edhe në diskutimin e dy paneleve me ekspertë ndërkombëtare. E ftuar nga Shqipëria në këtë panel diskutimi nga shoqëria civile ishte drejtoresha e Faktoje.al. Klodiana Kapo.

Rama

Në hapje të konferencës, Kryeministri Edi Rama e paralelizoi fenomenin e FIMI me Kalin e Trojës, duke e përshkruar si një kërcënim që hyn tinëzisht, i maskuar si i padëmshëm, por që gërryen besimin tek institucionet demokratike dhe shfrytëzon hapësirat e lirisë së fjalës.

Rama theksoi se sot fuqia e një shteti nuk matet vetëm me ushtri apo mjete tradicionale, por edhe me aftësinë për të manipuluar perceptimin publik.

Ai solli shembuj konkretë nga sulmet kibernetike në Europë (rasti i Rumanisë), duke paralajmëruar se kërcënimet hibride nuk synojnë vetëm infrastrukturën digjitale, por edhe mendjet e qytetarëve.

Revolucioni “Flamingo” dhe FIMI

Duke folur për FIMI-n, Rama nuk e la jashtë vëmendjes edhe “revolucionin e flamingove”, për të cilin jo pak herë në fillim të muajit qershor e relativizoi si një protestë e nxitur nga faktorë të jashtëm.

Sot, duke hequr sërish paralele me Kalin e Trojës, Rama e përshkroi këtë protestë si “shembull i jashtëzakonshëm i një çarje”, ku armiqtë e huaj, sipas tij, e shfrytëzuan “për të organizuar një operacion shumë të madh troll-esh dhe avatarësh”.

Rama nuk u zgjat më shumë në këtë çështje dhe as nuk komentoi përmasat e kësaj ndërhyrje për të cilën ai vetë kishte ndërtuar një narrativë të tërë për një periudhë të gjatë kohe proteste në Tiranë.

Ajo që Rama tha pa droje është se sot manipulimi digjital nuk është abstrakt, por prek drejtpërdrejt, sipas tij, debatin publik dhe proceset demokratike.

Integrimi

Në anën tjetër, ministri Për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, vërejti se Shqipëria po hyn në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në BE dhe se për pasojë ky proces, sipas tij, e ekspozon më shumë vendin tone ndaj manipulimit të informacionit nga aktorë të huaj.

Sipas tij, rezistenca ndaj FIMI-t nuk mund të importohet, por duhet të ndërtohet përmes bashkëpunimit mes institucioneve, medias, akademisë, shoqërisë civile dhe qytetarëve. Ai nënvizoi rëndësinë e përvojës ndërkombëtare dhe shkëmbimit të praktikave për të forcuar mbrojtjen demokratike.

Paneli

Duke mbetur tek përvoja ndërkombëtare, dy panele të përzgjedhura nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme me ekspertë të huaj por edhe nga Shqipëria nxorrën në pah faktin se manipulimi dhe ndërhyrja e informacionit të huaj (FIMI) është një nga kërcënimet më serioze për demokracinë, besimin publik dhe sigurinë.

Nga panelistët e ftuar nga Franca, Gjermania, Kievi, Gjeorgjia, USA por edhe Brukseli u evidentua fakti se si  aktorë të jashtëm vecanërisht Rusia, po përdorin platformat digjitale, inteligjencën artificiale dhe fushatat e koordinuara online për të ndikuar opinionin publik, për të minuar vlerat e BE-së, NATO-s dhe institucionet demokratike dhe polarizuar shoqëritë.

Ne foto: Drejtoresha e Faktoje, Klodiana Kapo

Faktoje

Nga Shqipëria, si pjesë e shoqërisë civile, drejtoresha e Faktoje.al Klodiana Kapo vërejti se puna disa vjecare e Faktoje ka treguar se, “dezinformimi lulëzon aty ku mungon transparenca dhe komunikimi i qartë nga institucionet”. Sipas saj, kur informacioni vonohet ose jepet pa fakte të verifikueshme, hapësira mbushet nga lajme të rreme, teori konspirative dhe aktorë që minojnë besimin publik.

“Dezinformimi nuk përhapet vetëm sepse dikush prodhon një lajm të rremë. Ai përhapet sepse gjen një boshllëk informacioni ndersa qytetaret  kërkojne përgjigje.

Në tre vitet e fundit Faktoje, së bashku me pesë organizata partnere te Rrjetit kunder dezinformimit në Ballkanin Perëndimor, ka analizuar mbi 200 raste të dezinformimit. Përfundimi  është i qartë: Shqipëria nuk është immune.

Sot, një titull sensacional udhëton më shpejt se një fakt i verifikuar. Një video e shkëputur nga konteksti prodhon më shumë reagim se një investigim që kërkon javë pune. Ky është terreni ku lulëzon FIMI”, tha ajo.

Cfarë duhet

Kapo theksoi se, Shqipëria duhet të zbatojë menjëherë Strategjinë Kombëtare kundër Dezinformimit, me plan veprimi të buxhetuar, afate dhe përgjegjësi të qarta institucionale. Legjislacioni zgjedhor duhet gjithashtu sipas saj të përfshijë realitetin e fushatave digjitale, duke kërkuar transparencë për reklamat politike dhe shpenzimet e tyre. Sipas Kapos,  qëndrueshmëria e medias së pavarur duhet të trajtohet si interes publik, me mbështetje për sigurinë kibernetike, ndihmë ligjore dhe financim të qëndrueshëm. Ajo nënvizoi gjithashtu se platformat digjitale duhet të jenë të përgjegjshme edhe për gjuhën shqipe dhe Shqipëria të përafrohet me Aktin për Shërbimet Digjitale dhe Aktin Evropian për Lirinë e Medias. Së fundi, ajo nënvizoi rëndësinë e edukimit mediatik që sipas saj duhet të integrohet në shkolla, universitete, administratë por edhe edukimin në komunitet.

Detyrat

Në fund të dy paneleve, pyetje pergjigjeve dhe moderimit nga ekspertë të fushës, konferenca arriti në përfundimin se lufta kundër FIMI-t nuk është vetëm çështje sigurie kombëtare, por një detyrë e perbashket që kërkon bashkëpunim të gjerë përfshi shoqërinë civile, qytetarët, qeverite por edhe asistence dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Jo më kot, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha e kategorizoi këtë objektiv (ne fund të gjithe panelit) si çështje stratregjike.

The post Shqipëria përballë sfidës së dezinformimit të huaj appeared first on Faktoje.al.

302 milionë dollarë hua për mbrojtjen nga SHBA

27 July 2026 at 17:05

Me dy seanca plenare brenda së njëjtës ditë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 74 votat e mazhorancës marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të programit Foreign Military Financing (FMF) për modernizimin e ushtrisë.

Gjatë seancës së parë, opozita deklaroi se e mbështet marrëveshjen në parim, por kundërshtoi mënyrën e shqyrtimit të saj, duke akuzuar mazhorancën për shkelje të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit.

Fillimisht, Kuvendi miratoi futjen e marrëveshjes me procedurë të përshpejtuar. Debati u përqendrua më pas te fakti që deputetëve iu kërkua të firmosnin një deklaratë konfidencialiteti për të pasur akses në tekstin e plotë të dokumentit. Më vonë, deputetët u mblodhën në një seancë të dytë me diskutime të mbyllura, të cilën deputetët e Partisë Demokratike e bojkotuan.

Marrëveshje sekret

Në nisje të seancës së parë, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi se bëhej fjalë për një hua direkte nga Agjencia Amerikane për Bashkëpunimin në Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA) në vlerën 302 milionë dollarë, e destinuar për modernizimin e Forcave të Armatosura. Peleshi sqaroi se deputetët mund të njiheshin me përmbajtjen e marrëveshjes vetëm pasi të firmosnin një deklaratë konfidencialiteti.

Në emër të mazhorancës, kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, e cilësoi marrëveshjen një “hap historik” për sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet me SHBA-në.

“Kjo është një marrëveshje historike për Shqipërinë… Shqipëria mbështet objektivin e ri 5% të NATO-s. Financimi do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura sipas standardeve më të larta të NATO-s”, deklaroi Balla.

Sipas tij, fondet do të disbursohen gradualisht sipas nevojave të Ministrisë së Mbrojtjes. Shqipëria do të ketë 48 muaj për aktivizimin e tyre, ndërsa huaja parashikon një afat shlyerjeje deri në 12 vjet.

Opozita pro marrëveshjes, kundër procedurës

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita do ta mbështeste marrëveshjen, por kundërshtoi mënyrën se si qeveria kërkoi ta miratonte.

“Ne jemi pro marrëveshjes që rrit investimet në siguri dhe përmbush detyrimet ndaj NATO-s. Por jemi kundër mënyrës antikushtetuese se si Edi Rama kërkon ta miratojë brenda ditës në Parlament”, deklaroi Bardhi. 

Kreu i grupit të PD-së akuzoi mazhorancën se deputetëve nuk u ishte vënë në dispozicion teksti i marrëveshjes dhe se procedura e ndjekur shkelte Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Ai kujtoi gjithashtu se Shqipëria prej vitesh nuk ka përmbushur objektivin e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes. Pas debatit procedural, deputetët e opozitës braktisën seancën e dytë plenare.

“Seanca plenare e planifikuar për sot, në orën 15:00, është thirrur në kundërshtim me Kushtetutën, e cila përcakton qartë se Kuvendi nuk mund të votojë një ligj më herët se një javë nga momenti i fillimit të shqyrtimit të tij,” sqaroi Bardhi një orë para seancës së votimit. 

Një marrëveshje pas presionit të NATO-s

Miratimi i huasë vjen vetëm pak javë pasi Shqipëria u vu në qendër të diskutimeve brenda NATO-s për mosarritjen e objektivit minimal prej 2% të PBB-së për mbrojtjen. Muajin e kaluar, Reuters raportoi se organizimi i samitit të ardhshëm të NATO-s në Shqipëri ishte vënë në diskutim për shkak të nivelit të shpenzimeve ushtarake.

Në një përgjigje për Faktoje, një zëdhënës i Aleancës konfirmoi deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm Mark Rutte, sipas së cilës Shqipëria, Çekia dhe Sllovenia nuk e kishin arritur objektivin 2% gjatë vitit 2025, edhe pse diferenca konsiderohej relativisht e vogël në raport me buxhetin total të Aleancës.

Një javë përpara samitit të NATO-s në Ankara, Faktoje pyeti nëse ishte marrë një vendim përfundimtar për samitin e planifikuar në Shqipëri. Përgjigjja e Aleancës ishte e shkurtër: “Ne nuk komentojmë diskutimet në vazhdim mes Aleatëve”

Rritja e buxhetit pak ditë para samitit

Pak ditë përpara samitit të Ankarasë, më 30 qershor 2026, qeveria miratoi një akt normativ që ndryshoi Buxhetin e Shtetit. Vetë kryeministri Edi Rama e lidhi këtë vendim me angazhimet ndaj NATO-s, duke deklaruar se Shqipëria do të siguronte financimin e nevojshëm për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.

Si rezultat, buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2026 u rrit nga 58.9 miliardë lekë në 69.2 miliardë lekë, një shtesë prej mbi 10.2 miliardë lekësh, ose 17.5% më shumë se plani fillestar.

Në përfundim të samitit në Ankara, Mark Rutte konfirmoi se samiti i ardhshëm i NATO-s do të zhvillohet në Shqipëri, ndërsa data mbetet ende për t’u përcaktuar.

Historiku i objektivit 2%

Debati politik mbi huanë riktheu edhe diskutimin për përmbushjen e objektivit të NATO-s. Të dhënat ndërvite tregojnë se as gjatë qeverisjes së Sali Berishës dhe as gjatë pjesës më të madhe të qeverisjes së Edi Ramës, Shqipëria nuk e arriti pragun prej 2% të PBB-së për mbrojtjen.

Në vitet 2009–2013, shpenzimet luhateshin rreth 1.2–1.4% të PBB-së, ndërsa pas vitit 2013 ato u rritën gradualisht, sidomos pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

Megjithatë, sipas vlerësimit të NATO-s, Shqipëria mbeti nën objektivin edhe gjatë vitit 2025.

Llogaritjet e bazuara vetëm mbi buxhetin kombëtar japin një rezultat disi ndryshe, duke e nxjerrë vitin 2025 pak mbi 2%. Sipas ekspertëve, kjo mospërputhje shpjegohet me metodologjinë. NATO nuk llogarit vetëm buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, por përdor një përkufizim më të gjerë të “shpenzimeve të mbrojtjes”, ku përfshihen edhe kategori të tjera si pensionet ushtarake dhe kontributet në operacionet ndërkombëtare.

Një kredi për modernizimin e ushtrisë

Huaja prej 302 milionë dollarësh është financimi më i madh i këtij lloji që Shqipëria ka marrë për mbrojtjen në kuadër të programit amerikan FMF.

Sipas qeverisë, fondet do të përdoren për modernizimin e Forcave të Armatosura sipas standardeve të NATO-s, ndërsa çdo disbursim do të miratohet nga autoritetet amerikane përkatëse.

Megjithatë, mënyra e miratimit të marrëveshjes me procedurë të përshpejtuar, dy seanca brenda ditës dhe akses të kufizuar në dokumentacion dominoi debatin politik më shumë sesa vetë përmbajtja e saj. Për opozitën, problemi nuk ishte marrëveshja me SHBA-në, por mënyra se si mazhoranca zgjodhi ta kalonte atë në Kuvend.

The post 302 milionë dollarë hua për mbrojtjen nga SHBA appeared first on Faktoje.al.

Rama shpall “Besën” si kthesën e mandatit të katërt

24 July 2026 at 16:46

Në ditën e 55-të të protestave në bulevard, kryeministri Edi Rama zgjodhi mbledhjen e grupit parlamentar socialist dhe kabinetit qeveritar për të shpallur atë që e quajti “kthesa” e mandatit të katërt qeverisës. Në epiqendër vendosi dokumentin strategjik “Besa”, të prezantuar si metodë e re e qeverisjes.

Takimi nisi me një video që rikthente pamjet e Shqipërisë së vitit 2013, duke krahasuar gjendjen e natyrës dhe mjedisit para ardhjes në pushtet të socialistëve me ndryshimet që, sipas qeverisë, janë arritur gjatë 13 viteve të fundit. Pas videos, e cila u prit me duartrokitje në sallë, Rama mori fjalën për rreth 70 minuta.

“Bulevardi i Flamingove”

Rama prezantoi dy dokumente. I pari, “Besa”, që sipas tij përmban, filozofinë e re të qeverisjes në mandatin e katërt, ndërsa i dyti lidhet me mënyrën se si Partia Socialiste duhet ta mbështesë këtë ndryshim.

Por ajo që ra më shumë në sy ishte ndryshimi i narrativës së kryeministrit për protestën. 

Që në minutat e para, Rama e quajti atë “Bulevardi i Flamingove”, një emërtim që e përdori gjatë gjithë fjalimit. Ndryshe nga deklaratat e mëprashme, këtë herë ai bëri një ndarje të qartë mes protestuesve dhe atyre që, sipas tij, e shfrytëzuan protestën.

“Ju nuk jeni mosmirënjohës, ju jeni matës i ri i standardeve tona”, tha Rama, duke iu drejtuar qytetarëve që protestuan.

Më pas ai ndërtoi metaforën që përshkoi të gjithë fjalimin. “Flamingot” janë qytetarët e zakonshëm që kërkojnë llogari dhe standarde më të larta, ndërsa “sorrat” dhe “korbat” janë, sipas tij, ekstremistët, sharlatanët dhe aktorët politikë që përfitojnë nga pakënaqësia.

Ai pranoi se zemra e saj ishin qytetarët e zakonshëm.

“Flamingot nuk janë kush na jep të drejtë gjithnjë, por kushdo që na kujton të drejtën që ka për të na kërkuar llogari”, u shpreh Rama. 

“Pasqyra” e bulevardit

Një tjetër figurë që Rama përdori vazhdimisht ishte ajo e pasqyrës së bulevardit të flamingove”. Sipas tij, protesta nuk duhet parë si një sulm ndaj qeverisë, por si pasqyra ku socialistët duhet të shohin veten.

“Bulevardi i flamingove duhet parë jo si një protestë, por si një pasqyrë që shoqëria na e vuri përpara”, tha ai.

Pikërisht në këtë “pasqyrë”, Rama tha se kishte kuptuar se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re.

“Unë vetë, në pasqyrën e bulevardit të flamingove pashë mbylljen e një epoke dhe fillimin e një tjetre.”

Sipas tij, vendi ka kaluar nga “epoka e mungesave”, ku qytetarët vlerësonin ndërtimin e rrugëve, shkollave apo spitaleve, në “epokën e pritshmërive”, ku investimet konsiderohen standard dhe qytetarët kërkojnë cilësi shërbimi, transparencë dhe respekt.

“Faktet tona nuk mjaftojnë më”, deklaroi Rama, duke pranuar se statistikat dhe investimet nuk mjaftojnë më për të fituar besimin e qytetarëve, nëse ato nuk shoqërohen me shërbime cilësore dhe empati nga administrata.

“Duam ne, s’duam ne, njerëzit presin përditë dhe më shumë dhe bëhen gjithnjë e më pak tolerantë sidomos pastaj ndaj përvojave të tyre të hidhura me administratën që si mijëra e mijëra pika të mbledhura lart e poshtë derdhën kupën e durimit të tyre në bulevard” theksoi Rama. 

Tocqueville si bosht i reflektimit

Për të mbështetur argumentin e tij, Rama iu referua disa herë filozofit dhe mendimtarit francez Alexis de Tocqueville (1805–1859), autor i veprave ‘Democracy in America’ dhe ‘The Old Regime and the Revolution’, i konsideruar një nga teoricienët më të rëndësishëm të demokracisë moderne.

“Alexis de Tocqueville na ka lënë një paralajmërim me shkrim tamam për këtë fazë ku kemi hyrë. Çasti më i rrezikshëm për një qeveri vjen pikërisht kur ajo ka nisur t’i ndryshojë gjërat”, tha Rama.

Më tej ai citoi sërish mendimtarin francez për të argumentuar se pritshmëritë e qytetarëve rriten më shpejt sesa ritmi i ndryshimit dhe se “abuzimet që zhduken e bëjnë më të padurueshme peshën e abuzimeve që mbeten”.

Mbrojtja e ligjit për Zonat e Mbrojtura

Një pjesë e gjatë e fjalës iu kushtua projektit për Zvërnecin dhe ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura. Rama mbrojti ndryshimet e vitit 2024, duke deklaruar se ato janë bërë “në përputhje me direktivën europiane” dhe se gjatë procesit të negociatave do të verifikohen nga Komisioni Europian.

“Ky konflikt i stisur do të zgjidhet për bukuri në rrugën e negociatave”, tha ai.

Ai këmbënguli gjithashtu se projekti në Zvërnec është keqkuptuar dhe se protesta u amplifikua nga profile të rreme, algoritme dhe aktorë të huaj, por shtoi se këta nuk ishin shkaku i saj. 

Por deklaratat e kryeministrit u kundërshtuan menjëherë nga organizata mjedisore PPNEA.

Në një reagim publik, ajo akuzoi Ramën se “përsëri gënjeu për ligjin e Zonave të Mbrojtura”, duke i cilësuar ndryshimet e vitit 2024 “sulmin më të rëndë ndaj natyrës në 35 vitet e fundit”.

Sipas PPNEA-së, ndryshimet ligjore lejojnë ndërtimin e resorteve me pesë yje dhe komplekseve rezidenciale në zonat e mbrojtura, nuk janë në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian dhe pikërisht mbi bazën e tyre u propozua projekti i qytetit të ri në Zvërnec.

Në përfundim të reagimit, organizata përsëriti kërkesën për shfuqizimin e ndryshimeve në ligj, duke kundërshtuar drejtpërdrejt deklaratat e kryeministrit. 

“Besa”, dokumenti i kthesës

Në përfundim të fjalimit, pas rreth 70 minutash reflektim mbi atë që e quajti vazhdimisht “Bulevardi i Flamingove”, Rama u shfaq i djersitur teksa zbriti nga foltorja ndërsa stafi i tij shpërndante dokumentin strategjik “Besa” deputetëve dhe ministrave të pranishëm. 

Sapo e morën në duar, pjesëmarrësit nisën ta shfletonin, ndërsa kryeministri shpjegoi më herët se dokumenti do të mbetej i hapur për diskutim dhe propozime gjatë verës.

Sipas Ramës, “Besa” përfaqëson metodën me të cilën synon të drejtojë mandatin e katërt, një mandat që, sipas tij, nuk duhet të matet më vetëm me investimet dhe statistikat, por me mënyrën se si qytetarët e përjetojnë shtetin në jetën e përditshme.

Nëse tre mandatet e para, sipas tij, iu përgjigjën pyetjes nëse Shqipëria mund të ndryshonte, mandati i katërt duhet t’i përgjigjet një sfide tjetër: a mund të bëhet ky ndryshim i besueshëm, i qëndrueshëm dhe i ndjerë nga çdo qytetar?

“Rilindja 2.0 është emri që ne i vumë ciklit të ri politik. ‘Besa’ është metoda për ta kthyer atë cikël në një përvojë të re për qytetarët e Shqipërisë”, tha ai në mbyllje.

The post Rama shpall “Besën” si kthesën e mandatit të katërt appeared first on Faktoje.al.

Tensione para Kuvendit në ditën 54 të protestës

23 July 2026 at 16:42

Nga Jona Cenameri

Në ditën e saj të 54-tër, protesta u zhvendos para Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa brenda godinës zhvillohej seanca plenare e planifikuar si e fundit për këtë sesion parlamentar.  

Por me një vendim të Konferencës së Krytarëve, 30 korriku u shtua në kalendarin e punimeve si seanca përmbyllëse e këtij sesioni. 

Jashtë salle, tubimi shoqërohej me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Protestuesit hodhën në drejtim të efektivëve vezë, domate, patate, shishe plastike me ujë dhe sende të tjera, ndërsa në disa momente tentuan të largonin gardhet metalike dhe të çanin kordonin e sigurisë.

Policia reagoi duke përdorur ujë me presion, spraj djegës me piper, gaz lotsjellës apo dhe lëndë të tjera irrituese për të larguar turmën nga perimetri i sigurisë. Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, deklaroi në Kuvend se policia kishte përdorur dy produkte irrituese profesionale, të përdorura edhe në SHBA dhe BE.

Kuvendi

Tensionet nuk munguan as brenda në sallë. Në Kuvend, një nga çështjet kryesore ishte reforma territoriale. Me 82 vota kundër dhe 27 pro, mazhoranca rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për zgjatjen me 3 muaj të mandatit të komisionit të posaçëm. Në seancë nuk u miratua një hartë e re territoriale dhe as ndryshimi i numrit të bashkive; ishte parashikuar vetëm paraqitja e gjetjeve të palëve. 

Prezantimi i raportit të mazhorancës nga Arbjan Mazniku u pengua nga bllokimi i foltores prej deputetëve të opozitës, ndërsa Kuvendi ndërpreu diskutimet dhe kaloi drejtpërdrejt te votimet e rendit të ditës. 

Kuvendi miratoi gjithashtu aktin normativ për ndryshimin e buxhetit të shtetit, që përfshinte bonusin prej 5 mijë lekësh për pensionistët, si dhe fondin prej rreth 4.2 milionë eurosh për organizimin e koncertit të Kanye West. 

Me votat e mazhorancës u miratuan edhe rezolutat për veprimtarinë e institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të pavarura, mes tyre SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Avokati i Popullit.

Masat e sigurisë

Që para fillimit të protestës, zona rreth Kuvendit ishte rrethuar me gardhe metalike dhe forca të shtuara policore. Perimetri i sigurisë ishte më i gjerë se në protestat e mëparshme dhe shtrihej nga Rruga e Elbasanit, përgjatë pedonales pranë Kuvendit, deri në zonën e Ministrisë së Brendshme.

Masat e zgjeruara shmangën kontaktin e drejtpërdrejtë të protestuesve me shumicën e deputetëve, të cilët hynë në Parlament kryesisht nga hyrjet anësore. Protestuesit i pritën me thirrjet “Nuk na përfaqësoni”, “Parlament i krimit”, “Polici e krimit”, “Deputetë frikacakë”, “Poshtë qeveria”, “Arrestoni Ramën”, “Ju erdhi fundi” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.

Momentet e para të tensionit u regjistruan kur disa protestues hoqën një pjesë të gardhit metalik dhe tentuan të kalonin kordonin e policisë. Në drejtim të efektivëve u hodhën vezë, domate, patate, shishe plastike, etj, pavarësisht thirrjeve të disa pjesëmarrësve për të shmangur sulmet ndaj policisë.

Policia përdori ujë me presion, spraj me piper, gaz lotsjellës dhe lëndë irrituese për të shpërndarë protestuesit, ndërsa pamjet e publikuara treguan persona që kërkonin ndihmë për irritim të syve, vështirësi në frymëmarrje dhe shqetësime në lëkurë.

Krahas episodeve të tensionit, pati edhe përpjekje për të ulur konfliktin. Në një moment, protestuesit u dhanë lule punonjësve të policisë, ndërsa pjesëmarrës të tjerë kërkuan që përballja të mos drejtohej ndaj efektivëve.

Bilanci i të lënduarve

Ministria e Shëndetësisë raportoi se në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe në Spitalin Universitar të Traumës u paraqitën gjithsej 17 persona: 11 protestues dhe 6 efektivë policie.

Në QSUT u paraqitën 10 protestues. 3 prej tyre morën ndihmën e nevojshme dhe u larguan nga spitali sipas këshillës së mjekëve. 4 po trajtohen në Urgjencën e QSUT-së, ndërsa 3 të tjerë në shërbimin e Toksikologjisë.

Në Spitalin Universitar të Traumës po marrin shërbim mjekësor 6 efektivë policie dhe 1 protestues. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të 17 personat janë jashtë rrezikut për jetën.

The post Tensione para Kuvendit në ditën 54 të protestës appeared first on Faktoje.al.

Protesta përballë “algoritmit” të Ramës, flasin zërat e angazhuar nga sheshi

21 July 2026 at 16:00

Nga Jona Cenameri

“Sheshi është thjesht një studio televizive e algoritmit. Është vendi ku filmohet materiali për ta ushqyer algoritmin dhe për ta justifikuar atë”, deklaroi kryeministri Edi Rama më 20 qershor, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Rama argumentoi se algoritmi shpërblen konfliktin, indinjatën dhe frikësimin, ndërsa për protestën u shpreh:

“Një protestë nuk është më protestë, është skenë, është treg, një treg emocionesh, klikimesh, një treg morali, madje edhe një treg karrierash”

Më 11 korrik, gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë në Jalë, kryeministri e i dha nuanca këtij qëndrimi.

“Nuk kam thënë se algoritmi ishte arsyeja e protestës”, tha Rama. Ai pranoi se protesta kishte arsye që lidheshin me jetën e përditshme të qytetarëve, por argumentoi se algoritmi amplifikonte zhurmën, pakënaqësinë, videot e manipuluara dhe lajmet e rreme, të cilat, sipas tij, “i hedhin benzinë një zjarri që nuk është ndezur nga algoritmi, por nga njerëzit”

Rama shtoi se algoritmi nuk ishte organizatori i protestës dhe se duhej dalluar “ku mbaron motivi i sinqertë” i protestuesve dhe ku fillon manipulimi nga aktorë të tjerë.

Më 19 korrik, protestuesit u mblodhën në Tiranë për të 50-tën ditë radhazi për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama. Protesta e përnatshme në kryeqytet e nisur si reagim ndaj dhunës dhe për mbrojtjen e Zvërnecit, vazhdon nga 31 maji 2026 pa ndërprerje.

Çfare po ndodh? 

Për të kuptuar se çfarë ndodh përtej përmbajtjes që qarkullon në rrjetet sociale, Faktoje intervistoi tetë persona të angazhuar në forma të ndryshme në protestë.

Dëshmitë e tyre nuk përfaqësojnë të gjithë protestën dhe nuk pretendojnë të përmbledhin qëndrimet e çdo pjesëmarrësi. Ato janë disa zëra mes shumë zërave, grupimeve dhe rrymave që bashkëjetojnë në shesh. Megjithatë, ndihmojnë për të kuptuar origjinën e pakënaqësisë, mënyrën e organizimit, rolin e platformave digjitale dhe debatet për vazhdimin e protestës.

Zvërneci

Për ekspertin e mjedisit Olsi Nika, ngjarja në Zvërnec ishte “pika që derdhi gotën”, por jo domosdoshmërisht e vetmja ngjarje, që mund të ndizte një reagim të tillë.

Sipas tij, shkëndija mund të kishte ardhur edhe nga tërheqja zvarrë e një gruaje në Rrjoll, nga protesta e prodhuesve të midhjeve në Butrint apo nga një problematikë si trajtimi i pacientëve me kancer, etj.

“Gota duhet të mbushet, pastaj të derdhet. Kjo ishte pika që derdhi gotën”, thotë Nika.

Ai e konsideron domethënës faktin që shkëndija këtë herë ishte mjedisore, pasi ndërhyrjet në territor dhe zonat e mbrojtura kishin prodhuar prej kohësh pakënaqësi, por nuk kishin sjellë më parë një reagim kaq të gjerë.

Për Nikën, Zvërneci nuk duhet parë vetëm si vendi ku ndodhi episodi që nxiti protestën. Ai e përshkruan atë si “një nga tablotë më përfaqësuese” të problemeve të krijuara gjatë tranzicionit.

Në leximin e tij, “në Zvërnec u ndërthurën konfliktet e pazgjidhura të pronësisë, epërsia e interesave private, roli i sigurisë private dhe mungesa e një reagimi të menjëhershëm institucional”. Ai e sheh gardhin dhe dhunën ndaj protestuesit si “simbole të një marrëdhënieje ku qytetari përballet jo me institucionet, por me interesin privat që vepron në territor”.

Nika kritikon gjithashtu mënyrën se si një pjesë e mediave e pasqyroi ngjarjen dhe protestën. Sipas tij, fillimisht incidenti në Zvërnec nuk mori vëmendjen që meritonte, ndërsa më pas transmetimet u përqendruan kryesisht te mikrofoni dhe folësit para Kryeministrisë, duke lënë jashtë zëra të tjerë të sheshit.

“Zvërneci është një pasqyrë që tregoi se si bëhen gjërat në Shqipëri”, thotë ai.

Sipas Nikës, protesta e kapërceu shpejt kauzën fillestare mjedisore. 

Drejtuesi

Të intervistuarit përgjithësisht bien dakord se protesta nuk drejtohet nga një dorë e vetme. 

“A ka një organizator qendror? Jo. A ka grupe që koordinohen për të dhënë kontribut? Po, dhe janë disa”, thotë Migen Qiraxhiu, aktivist dhe bashkëthemelues i Qëndresës Qytetare.

Sipas tij, një nga arsyet pse protesta ka ruajtur pjesëmarrjen është bindja e qytetarëve se nuk po përdoren për t’i shërbyer një individi apo një force të vetme politike.

Brenda protestës, thotë Qiraxhiu, veprojnë të rinj që kujdesen për hapësirën e fëmijëve, studentë që krijojnë instalacione dhe pankarta, grupi i tupanëve dhe flamingove, personat që administrojnë qendrën e zërit dhe të rinjtë që kujdesen për marshimin pas përfundimit të pjesës formale para Kryeministrisë.

“Protesta ka shumë zëra, shumë grupe dhe shumë forma kontributi, dhe pikërisht kjo është një nga pikat e saj më të forta”, thotë Qiraxhiu.

Natasha Paja, dizajnere dhe pjesë e grupit Trivet Art, e përshkruan organizimin përmes ndarjes konkrete të punëve.

“Dikush merret me mbarëvajtjen e mikrofonit, dikush me këndin kreativ të fëmijëve, dikush me ritmin e rezistencës, dikush me thirrjet. Ka persona që kontribuojnë në komunikimin me diasporën dhe një grup që merret me marshimin e mbrëmjes”, thotë ajo.

Sipas Pajës, organizimi është horizontal: njerëzit përfshihen aty ku kanë mundësi të kontribuojnë, pa pasur një drejtues me legjitimitetin për të marrë vendime në emër të të gjithë protestës.

Edhe Entela Ndrevataj, aktiviste feministe dhe pjesë e Kolektivit Feminist (bashkesi vullnetare dhe autonome), thotë se protesta nuk ka një strukturë klasike, por se pikërisht kjo ka krijuar hapësirë për grupime të ndryshme.

“Sheshi është hapësirë e përbashkët dhe si i tillë nuk është imponuar një grupim mbi një tjetër”, thotë ajo.

Për Ndrevatajn, korrupsioni “ndërthuret edhe me një mënyrë autoritare e patriarkale të ushtrimit të pushtetit, ku vendimet merren nga lart dhe pasuria publike trajtohet si pronë private”.

Flamingot

Sokol Çunga, aktivist, historian dhe përkthyes, merr pjesë si individ dhe jo si pjesë e një strukture organizative. Ai e përshkruan protestën si të sinqertë dhe të artikuluar jo vetëm përmes mikrofonit, por edhe përmes pankartave dhe flamingos.

Për nivelin e koordinimit, Çunga është më skeptik.

“I vetmi koordinim që shoh unë është ora dhe vendi, si dhe ‘kush do t’i transportojë flamingot?”, thotë ai.

Sipas tij, turma ndryshon çdo ditë në formë, përmasa dhe përbërje dhe nuk vjen në shesh me dirigjim apo me një synim tërësisht të unifikuar. Për këtë arsye, Çunga nuk mendon se protesta, si një trup i vetëm, mund të hartojë plane të hollësishme politike apo institucionale.

“Hapat pasardhës mbeten më të thjeshtë dhe më të prekshëm: përditë në bulevard!”

Grupi organizator 

Ndryshe nga pjesëmarrësit që shohin vetëm koordinim të shpërndarë, Ilir Xhemalaj, aktivist dhe themelues i Sindikatës Kombëtare të Operatorëve Telefonikë, thotë se që prej ditës së parë ka ekzistuar një grup aktivistësh që kujdeset për mbarëvajtjen e pjesës formale të protestës.

Grupi përbëhet, sipas tij, nga aktivistë mjedisorë, sindikalistë, naftëtarë dhe persona nga fusha të tjera. Ata kujdesen për foninë, folësit dhe zhvillimin e tubimit para Kryeministrisë.

“Fonia ka një pagesë që ne të gjithë si aktivistë e kemi paguar nga xhepi ynë”, thotë Xhemalaj.

Ai shpjegon se, përveç disa intelektualëve të ftuar në fillim, folësit e tjerë presin radhën për të marrë mikrofonin.

“Kriteri për folësit është thjesht të mbash radhën. Del një, futet një dhe secili flet për mendimet dhe problematikat e tij”, thotë ai.

Përgjegjësia e grupit, sipas Xhemalajt, përfundon me mbylljen e fjalimeve. Marshimi që pason dhe aksione të tjera mund të organizohen nga persona të ndryshëm dhe nuk janë automatikisht vendime të të njëjtit grup.

Për Xhemalajn, rëndësia e platformave digjitale ka qenë e pamohueshme.

“Janë pikërisht rrjetet sociale që kanë bërë të mundur mbarëvajtjen, zhvillimin dhe masivitetin e kësaj proteste. Gen Z ka arritur t’i shfrytëzojë shumë mirë rrjetet sociale për t’i bërë thirrje popullit që të dilte në shesh”, thotë ai.

Algoritmi 

Migen Qiraxhiu e kthen argumentin e kryeministrit për algoritmin në drejtim të kundërt.

Sipas tij, Rama nuk kishte pasur problem me algoritmin kur komunikimi digjital e mbante vëmendjen të përqendruar te qeveria dhe figura e tij.

“Problemi lind kur algoritmi nuk është më në anën e tij. Algoritmi nuk krijon vetë ngjarje; ai ndjek interesin, reagimin dhe vëmendjen që prodhon një ngjarje reale”, thotë Qiraxhiu.

Për të, protesta “i ka marrë jo vetëm sheshin dhe debatin publik, por edhe algoritmin”.

Arnen Sula sqaron se organizata që drejton nuk është pjesë e strukturës organizative të protestës dhe se ai merr pjesë si qytetar dhe aktivist.

“Çdo protestë matet nga njerëzit që marrin pjesë në të, jo nga algoritmet”, thotë Sula. “Platformat digjitale mund të ndihmojnë në organizim dhe komunikim, por ato nuk mund të zëvendësojnë praninë fizike të qytetarëve”

Sipas tij, kur qytetarët dalin në shesh për javë me radhë, kjo tregon se ekziston një shqetësim që nuk mund të reduktohet në një fenomen të rrjeteve sociale.

Olsi Nika e interpreton përqendrimin e Ramës te algoritmi si përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për arsyet që kanë prodhuar protestën.

“Të mohosh që ka një protestë kur njerëzit janë në shesh, kur protesta bën xhiron e mediave dhe kur ka një fluks të jashtëzakonshëm të shfaqjes së zemërimit edhe në rrjet, dhe ta quash këtë thjesht algoritëm, është taktikë e një strategjie të dështuar”, thotë ai.

Mikrofoni

Pikërisht elementi që Xhemalaj e paraqet si punë organizative, fonia dhe radha e folësve, shihet me skepticizëm nga Olsi Nika.

Nika thotë se personat pranë mikrofonit përfaqësojnë vetëm një pjesë të protestës.

“Edhe teknikisht, edhe fizikisht ka një protestë tjetër aty ku mbaron të dëgjuarit e mikrofonit”, thotë ai.

Sipas tij, përqendrimi i kamerave te podiumi i improvizuar krijon përshtypjen se folësit përfaqësojnë të gjithë sheshin, ndërsa lë jashtë pjesëmarrësit që ndodhen më larg dhe arsyet e tyre për të protestuar.

Nika sheh te mikrofoni edhe rrezikun e protagonizmit personal dhe të shfryrjes së kontrolluar të revoltës.

“Unë mikrofonin e konsideroj si mjetin që vret protestën dhe vret revoltën”, thotë ai.

Për Xhemalajn, fonia është një infrastrukturë e nevojshme për t’u dhënë fjalën grupeve dhe qytetarëve të ndryshëm. Për Nikën, përqendrimi te mikrofoni mund të krijojë një hierarki dukshmërie brenda një proteste që paraqitet si horizontale.

Politika

Në shesh ka edhe aktivistë dhe përfaqësues me përkatësi politike.

Emiljando Kita, aktivist i Lëvizjes Bashkë, thotë se mbështet kërkesat që janë artikuluar nga protestuesit, nga anulimi i ligjeve të kundërshtuara deri te dorëheqja e kryeministrit.

“Kur populli del në rrugë, koordinimi ndodh natyrshëm, pasi qëllimi është i përbashkët”, thotë ai.

Protesta ka mbledhur në shesh edhe përfaqësues dhe aktivistë të forcave të tjera politike, mes tyre Partia “Mundësia”, Partia Lëvizja Shqipëria Bëhet dhe Partia Demokratike, kjo e fundit kryesisht përmes të rinjve të saj.

Migen Qiraxhiu argumenton se një nga arsyet pse protesta nuk është identifikuar plotësisht me një forcë të vetme është se mesazhet e saj kanë qenë kritike ndaj dy figurave kryesore politike të tranzicionit, Edi Ramës dhe Sali Berishës.

“Kuvendi Kombëtar”

Përplasja më e qartë për të ardhmen e protestës lidhet me idenë e krijimit të një “Kuvendi Kombëtar” ose asambleje qytetare.

Ilir Xhemalaj thotë se nisma nuk synon të flasë në emër të protestës dhe as të ngrejë institucione paralele. Ajo duhet të shërbejë si hapësirë ku qytetarët dhe intelektualët japin ide për vazhdimin e protestës. Xhemalaj sqaron se Kuvendi nuk është krijuar, janë zhvilluar vetëm pak takime të grupit të punës për formimin e tij.

“Ne po përgatitemi për një maratonë, po përgatitemi për një betejë të gjatë dhe normalisht na duhen idetë e çdo personi”, thotë ai.

Të tjerë protestues e shohin nismën me rezerva.

Migen Qiraxhiu thotë se ishte përfshirë në një grup në ëhatsApp ku prezantohej ideja, por ishte larguar pasi kishte lexuar materialet. Ai e konsideron legjitime krijimin e nismave të reja, përfshirë organizata apo parti politike, por kundërshton çdo pretendim për të folur në emër të gjithë protestës pa mandat të qartë.

“Çdo nismë ka të drejtë të organizohet dhe të propozojë ide, por duhet të jetë e qartë se përfaqëson vetëm themeluesit dhe mbështetësit e saj, jo automatikisht të gjithë protestuesit”, thotë ai.

Edhe Arnen Sula mendon se një Kuvend Kombëtar mund të krijojë perceptimin se një grup po merr përsipër përfaqësimin e një sheshi që nuk ka strukturë të centralizuar.

Natasha Paja e quan nismën “një metodë të vjetër për një koncept të vjetër”, ndërsa Entela Ndrevataj thotë se, në këtë fazë, sheshi duhet të mbetet hapësira kryesore dhe se një grup nuk duhet t’i mbivendoset shumicës.

Për Sokol Çungën, informacioni i shpërndarë për nismën ishte i paqartë dhe krijonte përshtypjen e një procesi kaotik. Ai nuk beson se një kuvend i tillë mund të përballet me forcat politike ekzistuese dhe e sheh protestën masive e paqësore si mjetin kryesor.

Olsi Nika është më kritik. Ai i konsideron struktura të tilla paralele dhe argumenton se ndryshimet duhet të kalojnë përmes mekanizmave ekzistues: votës, parlamentit, drejtësisë dhe medias. Sipas tij, energjia e sheshit duhet të ushtrojë presion që këto mekanizma të funksionojnë dhe jo të zëvendësohen nga një strukturë që nuk ka mandat nga të gjithë protestuesit.

Foto ne nje nga ditet e protetes

Vazhdimi

Pas 51 ditëve protestë, të intervistuarit nuk paraqesin një strategji të vetme. Qëndrimet e tyre mund të ndahen mes vazhdimit të presionit në shesh, kalimit drejt veprimit institucional dhe nevojës për një organizim më të strukturuar.

Sokol Çunga kërkon vazhdim të përditshëm të pranisë në bulevard. Natasha Paja e sheh gjithashtu sheshin si përparësi, por thotë se paralelisht duhet të punohet me aspektet ligjore, komunikimin me institucionet europiane dhe aksionet në zona të tjera të vendit.

Entela Ndrevataj mendon se është ende herët për krijimin e një lëvizjeje me kryesi dhe përfaqësi. Ajo propozon bashkëpunim më të ngushtë mes ekspertëve ligjorë, mediatikë dhe mjedisorë, duke ruajtur transparencën dhe karakterin horizontal të protestës.

Arnen Sula vendos theksin te qëndrueshmëria dhe lidhja e presionit publik me institucionet e drejtësisë.

“Protesta nuk mund ta zëvendësojë drejtësinë, por mund ta mbështesë atë duke kërkuar llogaridhënie dhe duke mos lejuar që çështjet të harrohen”, thotë ai, duke përmendur SPAK-un dhe organet e tjera përgjegjëse.

Migen Qiraxhiu propozon iniciativa ligjore, kërkesa institucionale, monitorime, denoncime të dokumentuara dhe forcim të mekanizmave të kontrollit qytetar.

“Plagët e 36 viteve tranzicion nuk mund të shërohen brenda 43 ditësh”, thotë ai.

Për Qiraxhiun, një nga rezultatet më të rëndësishme të protestës mund të jetë ndryshimi i marrëdhënies mes qytetarit dhe pushtetit: nga qytetarë që u kërkojnë fotografi politikanëve, te qytetarë që i filmojnë dhe u kërkojnë llogari.

Ilir Xhemalaj kërkon një organizim më të gjerë, lidhje me rrethet dhe diasporën dhe përgatitje për vazhdimin gjatë verës.

“Protesta do të vazhdojë pa ndalim deri në shtator”, deklaroi ai gjatë intervistës, duke e përshkruar verën si sfidën kryesore për ruajtjen e pjesëmarrjes.

Emiljando Kita e sheh vazhdimin përmes ndërthurjes së presionit në shesh me aksione politike dhe denoncime ligjore.

Olsi Nika jep vlerësimin më kritik për fazën ku ka mbërritur lëvizja.

Sipas tij, protesta e di qartë se çfarë nuk do, qeverinë dhe mënyrën aktuale të ushtrimit të pushtetit, por ende nuk ka arritur të artikulojë me të njëjtën qartësi modelin politik dhe institucional që kërkon të ndërtojë.

“Protesta ka mbaruar dhe rroftë protesta”, thotë Nika.

Ai kërkon një riorganizim të juristëve, ekonomistëve, gazetarëve, analistëve dhe ekspertëve, në mënyrë që energjia e protestës të kthehet në argument, presion institucional dhe veprim konkret.

Sipas tij, protesta mund të hyjë në një fazë ku është “më e pakët në numra, por shumë e fortë në argument”, proces që ai mendon se mund të marrë formë në shtator.

Rrjetet sociale 

Rrjetet sociale kanë pasur një rol të rëndësishëm në mobilizimin, zgjerimin dhe dukshmërinë e protestës. Këtë nuk e mohojnë as zërat e intervistuar. Por pas përmbajtjes online qëndron edhe një organizim real, megjithëse i shpërndarë dhe pa një drejtim të vetëm.

The post Protesta përballë “algoritmit” të Ramës, flasin zërat e angazhuar nga sheshi appeared first on Faktoje.al.

Ligji për investimet strategjike është ende në fuqi

20 July 2026 at 14:00

Gjatë Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE më 14 korrik 2026, kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se Shqipëria duhet të shfuqizojë ligjin e investimeve strategjike, njërin prej ligjeve në qendër të pakënaqësisë që ka shtyrë shqiptarët të protestojnë në kryeqytet për mbi 50 ditë radhazi, krahas ligjit për zonat e mbrojtura për të cilin Rama nuk e pranoi fjalën “shfuqizim”

Megjithatë, deputeti i Partisë Socialiste dhe ish-Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu kishte deklaruar në një program televiziv se ky ligj ishte shfuqizuar tashmë, që në Qershor.

E ndërsa kryeministri Edi  Rama tha se qeveria po punonte ngushtësisht me Komisionin për çfarë do ta zëvendësojë ligjin, Vengu deklaroi më 13 korrik se Ligji për Investimet Strategjike nuk është më në fuqi.

“Protestuesit thonë: ligji për investimet strategjike. Pak kush thotë që nuk është më në fuqi ai ligj. Ka skaduar. Nuk prodhon më efekte,” tha Vengu për Euronews Albania. “Ai ligj nuk rinovohet siç është bërë zakonisht vit pas viti. Ai nuk prodhon efekte sot. Ai nuk është më në fuqi.” 

Pyetur se deri kur e ka ligji afatin e fuqisë, Vengu u përgjigj se e kishte deri në Qershor 2026.

Specifikisht, Vengu i referohet ligjit nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë,” i cili synonte nxitjen dhe tërheqjen e investimeve strategjike, në sektorë kyç të ekonomisë, nëpërmjet procedurave favorizuese, lehtësuese apo përshpejtuese të mbështetjes e të shërbimeve ndaj investitorëve.

Statusi i investitorit strategjik i jepej projekteve në energji, transport, turizëm, bujqësi, apo  zona me përparesi zhvillimin, që investonte 30 milionë euro, apo 50 milionë euro për projekte me procedurë të veçantë. 

Statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë” e përfitonin edhe projektet në sektorë të tjerë me kusht që vlera e investimit të ishte 100 milionë euro. 

Miratuar më 28 maj 2015, ligji fillimisht parashikonte si afat përfundimi 31 dhjetorin 2018. Neni 36 përcaktonte ditën e fundit të vitit 2018 si afatin përfundimtar për paraqitjen e kërkesave për të përfituar statusin e investitorit strategijk.

Megjithatë, duke filluar nga viti 2018, afati është shtyrë disa herë, me argumentin se Ministria e Financave synon të hartojë një ligj të ri. Në fillim me propozimin e Këshillit të Ministrave, e më pas me nismën e deputetëve të PS, afati është shtyrë gjashtë herë.

Eksperti  i  ekonomisë Zef Preçi dhe  gazetarja Ola Xama kanë shpjeguar më parë për Faktoje se shtyrjet e njëpasnjëshme nuk janë shoqëruar me transparencë, monitorime apo vërtetime se si ligji ka ndikuar vërtet në ekonomi.

Më së fundmi, afati i ligjit është shtyrë deri në fund të Dhjetorit 2026.

Më 30 janar 2025, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin nr. 8/2025 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 55/2015, ‘Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar.” Neni 9 i këtij ligji zëvendëson togfjalëshin “data 31 dhjetor 2024” me togfjalëshin “data 31 dhjetor 2026” në nenin 36 të ligjit nr. 55/2015.

Në fakt, neni 36 i versionit të përditësuar të ligjit nr. 55/2015 që shfaqet në faqen e Qendrës së Botimeve Zyrtare, parashikon si afat përfundimi 31 dhjetorin 2026.

Kështu, nisur nga verifikimi i kryer dhe të dhënat e mbledhura, deklaratën e deputetit socialist Pirro Vengu e vlerësojmë si të pavërtetë.

The post Ligji për investimet strategjike është ende në fuqi appeared first on Faktoje.al.

Si përhapet urrejtja në rrjetet sociale 

18 July 2026 at 11:00

Nga Marilín Gonzalo dhe Miguel Ros, 14 Korrik 2026

– Më 9 korrik 2025, një incident në Torre Pacheco (Murcia, Spanjë) shkaktoi një valë postimesh në X, TikTok dhe Telegram. 

Disa nga këto postime bënin thirrje për “shënjestrim ndaj marokenëve”. 

Duke marrë shkas nga ky rast, pyetja që mbetet për diskutim është se, çfarë e bën keqinformimin të shndërrohet në një stuhi sociale? 

Për herë të parë, një ekip ndërdisiplinor gazetarësh dhe shkencëtarësh ka shkuar përtej analizimit të thjeshtë të asaj se “çfarë” po thuhet, për të zbërthyer, se “si” mendja jonë e përpunon informacionin kur e marrim.

Një bashkëpunim i parë i kësaj natyre ka bashkuar përvojën në terren të verifikuesve të fakteve të Newtral me punën rigoroze akademike të studiuesve të Qendrës për Kërkime mbi Mendjen, Trurin dhe Sjelljen (CIMCYC) në Universitetin e Granadës.

Projekti kërkimor, i titulluar “Psikologjia e Dezinformimit“, u përzgjodh nga Qendra Europiane e Gazetarisë dhe Universiteti NOVA i Lisbonës përmes programit të financimit të Journalism Science Alliance. 

Në fund, u arrit të zbulohej një “paketë retorike” e mekanizmave psikologjikë që përsëritet rregullisht, pavarësisht platformës. Ky bashkëpunim bëri të mundur edhe zhvillimin e një modeli të fuqishëm të inteligjencës artificiale, të testuar dhe të vlefshëm që riprodhon kriteret e ekspertëve. 

Pra, mund të gjendet një ekuilibër mes kohës që kërkon reflektimi apo analiza shkencore dhe shpejtësisë së gazetarisë, për të dhënë  rezultate të sigurta dhe të qëndrueshme

  • Kjo analizë ekzaminoi tre platforma të mediave sociale, përmbajtja e të cilave dha rezultate të ngjashme: X (75.4%), Telegram (83.6%) dhe TikTok (71.4%).
  • Periudha kohore e analizuar ishte 8–24 korrik 2025.
  • U identifikuan dhe u analizuan tetë kategori mekanizmash psikologjikë të lidhura me dezinformimin, duke përfshirë përzgjedhjen selektive të fakteve, efektin brenda grupi/jashtë grupi, dehumanizimin dhe përdorimin e emocioneve.

Përqindja e mesazheve që përmbajnë mekanizma psikologjikë të lidhur me dezinformimin:

Postime rreth trazirave në Torre Pacheco, Korrik 2025

Grafik: Newtral.es, Burimi: Newtral dhe CIMCYC në Universitetin e Granadës, Krijuar me Datawrapper

Si na manipulojnë mesazhet që shohim në media sociale?

Megjithëse nuk mund të analizojmë saktësinë e çdo mesazhi, mund të arrijmë në përfundimin se shumica e postimeve në media sociale që përmbajnë përmbajtje rreth trazirave që ndodhën në Torre-Pacheco, në korrik 2025, përfshinin një ose më shumë nga mekanizmat psikologjikë që, sipas kërkimeve të mëparshme, shoqërohen zakonisht me dezinformimin dhe përhapjen e paragjykimeve. 

Në platformën X, shifra është 74.4%; në TikTok, 71.4%; dhe në Telegram, 83.6%.

Me fjalë të tjera, çdo thirrje për veprim shoqërohet gjithmonë me dehumanizim ose me një përshkrim negativ të kundërshtarit. Kjo ndodh në të tre platformat, me një shpeshtësi që varion nga 99% deri në 100%. 

“Dikush le të shkojë tani në Torre Pacheco. Më duhet një dozë vrasje Maurësh” Shembull i një mesazhi përçmues në X/Twitter me thirrje për veprim.

Ja se si shpërndahen mekanizmat në secilën rrjet social, së bashku me përkufizimet e tyre. Mund ta shihni kuptimin e secilit mekanizëm duke parë si me poshtë.

Frekuenca e secilit mekanizëm psikologjik të lidhur me dezinformimin:

Të dhëna nga X/Twitter, Telegram dhe TikTok.

Burimi: Analizë e Newtral dhe CIMCYC në Universitetin e Granades. Krijuar me Flourish:  Krijo një grafik

Përdorues që përhapin keqinformimin 

Përhapja e përmbajtjes duke përdorur mekanizma të lidhur me keqinformimin vjen nga një grup i vogël përdoruesish. Analiza e Newtral dhe CIMCYC në Universitetin e Granadës zbulon se 12.4% e përdoruesve të Twitter-it gjenerojnë gjysmën e mesazheve që përdorin këto mekanizma.

  • E njëjta gjë vlen edhe për Telegram-in, ku vetëm 14 kanale gjenerojnë gjysmën e videove që përdorin mekanizmat si më siper.
  • Në TikTok, kjo nuk vlen. Përhapja e mesazheve të lidhura me këto mekanizma është më e shpërndarë: 41% e llogarive gjenerojnë 50% të përmbajtjes.

Sinjalizimi social

Pas analizimit të gjithë këtyre të dhënave, ekspertët që morën pjesë në studim arritën në përfundimin se synimi komunikues i dërguesve nuk është aq shumë përhapja e një narrative (qoftë e rreme apo mashtruese), sesa shprehja e një opinioni ose e një grupi vlerash të caktuara 

Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se studimi bazohet në interpretimet e një paneli ekspertësh, të cilet në fund të fundit mbështeten në përshtypje që mund të jenë subjektive, edhe pse ka një bazë rigoroze metodologjike, estetike dhe shkencore.

Banorë me koke te mbuluar dhe maska fytyre mblidhen në rrugë pas tri ditësh trazirash në Torre Pacheco, në Lindje të Spanjës, më 14 korrik 2025. (Foto nga AFP)

Çfarë u analizua

Analiza u krye mbi 288,347 mesazhe dhe 175 video të lidhura me Torre-Pacheco, brenda periudhës kohore të përshkruar sa më sipër.

Shumica e mesazheve u nxorën nga platforma X: 167,840 mesazhe. Pjesa tjetër është nga Telegram (120,507 mesazhe), ndërsa 175 videot janë nga TikTok.

Këto analiza zbuluan tetë mekanizma psikologjikë të lidhur me dezinformimin, të identifikuar përmes një modeli klasifikimi të zhvilluar nga Newtral, bazuar në mostra të kataloguara nga ekspertët e Universitetit të Granadës. 

Karakteristikat janë të sqaruara si më poshtë:

Burimet e informacionit (e lidhur me karakteristikat e burimit: për shembull, një person që admirojmë ose një figurë autoriteti qe ka ndikim të madh). Kjo kategori përfshin gjithashtu pohime mbi besueshmërinë e burimeve (“shtypi është i njëanshëm”).

Efektet brenda-grupi/jashtë-grupi: mesazhet që i drejtohen  ndjenjës së përkatësisë dhe identitetit të grupit, shpesh krijojnë një vijë ndarëse mes “neve” dhe “atyre”.

Prova sociale ose konsensusi i rremë: Njerëzit priren të bëjnë atë që bën shumica në një situatë të caktuar; konsensusi i rremë nënkupton rastet kur supozojmë se shumica ndan bindjet tona (“është logjikë e zakonshme”).

Paraqitje e pjesshme ose e shtrembëruar e informacionit

Një pjesë jo e plotë e informacionit paraqitet sikur të ishte e tëra, ose shtrembërohet për t’iu përshtatur një narrative. Kjo përfshin “zgjedhjen e rastësishme të fakteve” (cherry-picking), paragjykime në përzgjedhje, përdorimin e dëshmive anekdotike, mohimin e normave bazë, kurthe grafike, paragjykimin e konfirmimit dhe dilema të rreme

Përfundime shkakësore të pajustifikuara: Këto raste përfshijnë teori konspirative, marrëdhënie shkak-pasojë të thjeshtuar, dhe ngatërrimin mes korrelacionit dhe marrëdhënies shkak- pasojë. Korniza konspirative i atribuohet një ngjarje, një plani të fshehtë të realizuar nga një fuqi e padukshme. Marredhenia shkak- pasojë e thjeshtuar i redukton narrativat në një shkak të vetëm, shpesh duke gjetur një “fajtor” për t’u akuzuar. 

Dehumanizimi: Është një proces mendor që çon në perceptimin e njerëzve dhe grupeve të tjera si inferiorë dhe më pak njerëzorë. Ndonjëherë përfshin mohimin e aspekteve thelbësore të njerëzimit (racionalitet, qytetari, vetëkontroll). Herë të tjera, merr formën e metaforave që përdorin kafshët si figurë krahasimi, duke e portretizuar grupin e targetuar me terma të tillë si “bisha”, “buburreca” dhe “derra”. Në kërkimin tonë, duke pasur parasysh prevalencën e ulët të shembujve të qartë të dehumanizimit në mesazhet e analizuara, modeli pati prirje të përfshinte në këtë kategori të gjitha mesazhet që përmbanin gjuhë përçmuese dhe fyerje, qofshin ato rreptësisht dehumanizuese apo jo, dhe pavarësisht nëse ishin drejtuar ndaj grupeve të emigrantëve apo përdoruesve të tjerë të mediave sociale.

Përdorimi i emocioneve: Gjuhë e ngarkuar emocionalisht që synon të nxisë marrësin (apo personin e targetuar) dhe ta vendosë ate në një gjendje më pak të prirur për reflektim, por më të gatshëm për veprim impulsiv. Fokusi është tek emocionet negative dhe nxitëse, zemërimi/urrejtja, frika dhe, në një masë më të vogël, neveria. 

Thirrje për veprim: Janë apele për të ndërmarrë një veprim. Fillimisht, fokusi ishte te thirrjet për sjellje ose qëllime agresive apo të dhunshme ndaj emigrantëve, por shumica e mesazheve të klasifikuara në këtë kategori përfshijnë gjithashtu veprime, që nuk janë domosdoshmërisht agresive (për shembull, “duhet t’i dëbojmë”, “ata duhet të largohen”).

Postime në X/Twitter të lidhura me Torre-Pacheco, të renditura automatikisht sipas numrit të mekanizmave të lidhur.

Të dhëna për postime me të paktën një retweet dhe një “like”. Madhësia e rrethit përfaqëson shumën e të gjitha metrikave të angazhimit.

Burimi: Analizë e Newtral dhe CIMCYC në Universitetin e Granadë. Krijuar me Flourish: Krijo një Diagram me shpërndarje

Shënim metodologjik

Ky artikull paraqet gjetjet e një studimi të kryer nga Newtral dhe kërkues nga Qendra për Kërkime mbi Mendjen, Trurin dhe Sjelljen (CIMCYC) në Universitetin e Granadës.

Studimi identifikon tregues të mekanizmave psikologjikë në postimet e mediave sociale të lidhura me dezinformimin gjatë trazirave në Torre-Pacheco, Murcia, në korrik 2025. Në këtë kontekst, periudha kohore e analizuar është 9-24 korrik.

Shifrat e paraqitura janë rezultat i modelit të klasifikimit të zhvilluar nga Newtral në këtë studim, i cili u trajnua duke përdorur mostra të ndryshme të shënuara manualisht nga ekspertët e CIMCYC.

Pak detaje teknike për kërkuesit e dezinformimit dhe verifikuesit e fakteve. Modeli i klasifikimit i përdorur bazohet në arkitekturën spanjolle RoBERTa me 125 milionë parametra. Ky model u trajnua duke përdorur 900 mesazhe reale që u shënuan manualisht nga ekspertët e CIMCYC në Universitetin e Granadës.

Detyra e identifikimit të mekanizmave u formulua si një problem klasifikimi binar me shumë etiketa për tetë mekanizmat psikologjikë të lidhur me dezinformimin. Kur modeli merr një mesazh, e analizon atë dhe bazuar në përmbajtjen e tij, gjeneron një probabilitet për secilin mekanizëm.

Me këtë probabilitet, duhet të përcaktohet një prag për të vendosur nëse një mesazh përmban një mekanizëm apo jo. Këto pragje u caktuan pas kryerjes së një vlefshmërie të kryqëzuar pesë-palëshe (k = 5) me një ndarje të dhënash 80% trajnim dhe 20% vlefshmëri. Në këtë mënyrë, kemi kalibruar pragjet e probabilitetit duke maksimizuar rezultatin F1 – një metrikë që vlerëson performancën e një modeli klasifikimi – mbi të dhënat e etiketuara nga ekspertët. Kjo siguron që sjellja e modelit të përputhet sa më shumë të jetë e mundur me kriteret e ekspertëve.

Një shënim: Newtral kreu analizën e të dhënave, ndërsa modeli i klasifikimit u zhvillua në mënyrë të pavarur nga interpretimi i rezultateve (Universiteti i Granadës).

Përfundimet e paraqitura bazohen në rezultatet e versionit të gjashtë të modelit të klasifikimit. Me çdo version, rezultatet janë përmirësuar dhe gabimet e mospërputhjet janë zgjidhur.

Ky studim pati disa kufizime.Shumë mesazhe janë fragmente bisedash të shkurtra në të cilat konteksti vizual (imazhe ose video) humbet, ose janë shumë të shkurtra, me pak informacion dhe hapësirë të kufizuar për të shprehur një ide. Mesazhet e shprehura në mënyrë ironike ose sarkastike shpesh u interpretuan nga modeli statistikor sikur të ishin për t’u marrë fjalë për fjalë.

Për më tepër, mungesa e disa treguesve gjatë fazës së mostrimit i bën disa tregues më pak të besueshëm. Në disa raste, kjo ndikon në konkluzionet, pasi klasifikimi ka qenë më i përgjithshëm sesa dëshirohej (p.sh., mesazhet në kategorinë “dehumanizim” përfshijnë kryesisht fyerje ose komente përçmuese – jo domosdoshmërisht dehumanizuese – dhe nuk janë gjithmonë të drejtuara ndaj emigrantëve, por ndodhin edhe mes përdoruesve të platformës). Së fundi, mekanizmi i lidhur me shtrembërimin ose paraqitjen e njëanshme të informacionit bazohet në nivelin e ulët të pajtueshmërisë ndërmjet ekspertëve të ndryshëm, për rrjedhojë, ai përbën një tregues të paqartë që është më i vështirë për t’u mësuar nga modeli.

Marrë nga Newtral.es. Përshtati në shqip: Elkan Velo 

The post Si përhapet urrejtja në rrjetet sociale  appeared first on Faktoje.al.

Kadastra nën lupën e KLSH, shkelje dhe 968 milionë lekë dëm 

17 July 2026 at 15:03

Nga Erion Abule

Nga auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit në mbi 7 drejtori vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës del një panoramë që shkon përtej shkeljeve individuale. 

Auditimi në terren është zhvilluar nga 21 prill 2025 deri më 30 maj 2025, mbi bazën e Programit të Auditimit, datë 15.04.2025. Raporti përfundimtar është miratuar dhe publikuar në janar 2026

Raporti nuk evidenton vetëm raste të administrimit të dobët të pronës publike, por një problem shumë më të thellë: mungesën pothuajse të plotë të zbatimit të rekomandimeve, mosmarrjen e masave disiplinore dhe një sistem kontrolli që, sipas vetë auditimit, nuk arrin të korrigjojë shkeljet e konstatuara.

Raporti përfundimtar i KLSH-së, i publikuar në janar 2026 pas auditimit të kryer në shtatë drejtori vendore të ASHK-së, (Tirana Jug, Tirana Veri, Tirana Rurale I, Tirana Rurale II, Kamëz-Vorë, Durrës dhe Shkodër), tregon se mekanizmi i llogaridhënies në institucionin që administron pronën shtetërore dhe private pothuajse nuk funksionon.

Shifra më domethënëse e raportit është ajo që lidhet me masat disiplinore. 

Moszbatimi i rekomandimeve: 99% e masave të injoruara

Nga 142 masa të rekomanduara nga KLSH dhe të pranuara nga vetë ASHK-ja, është zbatuar vetëm një. 

Plot 141 masa, ose 99.3 për qind e tyre, kanë mbetur pa u ekzekutuar. 

Po aq problematik është edhe zbatimi i rekomandimeve në tërësi. 

Nga 300 rekomandime të rikërkuara nga audituesit, 193 rezultojnë ende të pazbatuara.

Auditimi thekson se asnjë nga shtatë drejtoritë nuk ka respektuar detyrimin ligjor për t’iu përgjigjur KLSH-së brenda afatit 20-ditor dhe asnjë nuk ka raportuar mbi ecurinë e zbatimit të rekomandimeve brenda afatit gjashtëmujor, siç kërkon ligji. 

Kështu, përtej moszbatimit të rekomandimeve, nuk është respektuar as mekanizmi ligjor që duhet të garantonte ndjekjen e tyre.

Një nga rastet më domethënëse, është ai i Drejtorisë Vendore Tirana Jug. KLSH kishte kërkuar masa disiplinore për 18 punonjës, përfshirë edhe zgjidhjen e kontratës së punës për disa prej tyre. 

Verifikimi i audituesve konstaton se Drejtoria e Përgjithshme e ASHK-së, nuk kishte marrë asnjë masë për zbatimin e këtyre rekomandimeve. 

Kjo e zhvendos përgjegjësinë nga niveli lokal edhe tek administrata qendrore, e cila, sipas auditimit, nuk ka vepruar për të ndëshkuar shkeljet e evidentuara.

ASHK kundërshton gjetjet 

Përballë gjetjeve të KLSH-së, drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, paraqiti në Kuvend 15.07.2026 (rreth 6 muaj pas publikimit të raportit zyrtar) një panoramë më pozitive të zbatimit të rekomandimeve në shtatë drejtoritë vendore të audituara. Sipas saj, nga 123 rekomandime të verifikuara, 90 janë zbatuar, ose rreth 73.2%, ndërsa 33 rekomandime nuk janë zbatuar për shkak të pamundësisë objektive të ekzekutimit, pasi, sipas ASHK-së, nuk kanë ekzistuar kushtet për marrjen e masave.

Duke i ndarë sipas drejtorive, Goxhobelli deklaroi se në Durrës janë zbatuar 7 nga 8 masa të rikërkuara, ose 87.5%; në Shkodër nga dy rekomandime, një është zbatuar dhe një është në proces; në Tirana Jug nga 19 rekomandime, 9 janë zbatuar plotësisht, ndërsa 10 nuk janë plotësuar.

Për Tiranën Veri, ajo deklaroi se nga 23 rekomandime, 16 janë në proces zbatimi dhe 7 nuk janë zbatuar.

Në Tiranën Rurale I, nga 15 rekomandime, 13 janë zbatuar pjesërisht dhe 2 nuk janë zbatuar.

Për Tiranën Rurale II, Goxhobelli tha se rreth 73% e rekomandimeve janë zbatuar, ndërsa 10 kanë mbetur pa u zbatuar. Në Kamëz–Vorë, sipas saj, rreth 79% e rekomandimeve janë zbatuar plotësisht ose pjesërisht, ndërsa 4 nuk janë zbatuar.

Megjithatë, këto shifra nuk përputhen drejtpërdrejt me mënyrën se si KLSH ka paraqitur rezultatet e auditimit.

Mospërputhjet 

Raporti i KLSH-së nuk bazohet në 123 rekomandime, por në 300 rekomandime të rikërkuara, nga të cilat 193 rezultojnë të pazbatuara.

Diferenca lidhet me mënyrën e kategorizimit: ASHK ka konsideruar si të adresuara edhe disa raste, ku rekomandimi nuk është realizuar plotësisht, por ku institucioni argumenton se ka ndërmarrë hapa ose se zbatimi ka qenë objektivisht i pamundur. Një debat i veçantë lidhet me rekomandimet për masa disiplinore.

Goxhobelli deklaroi se nga rekomandimet për marrjen e masave ndaj punonjësve, në 38 raste zbatimi ishte objektivisht i pamundur, pasi punonjësit nuk ishin më pjesë e administratës së ASHK-së.

Ajo tha gjithashtu se në 22 raste janë zhvilluar procedurat disiplinore, por pas shqyrtimit të prapësimeve nuk janë konstatuar kushtet ligjore për vendosjen e masës, ndërsa në 2 raste janë vendosur masa disiplinore, të cilat sipas saj duhet të konsiderohen si rekomandime të përmbushura.

Nga ana tjetër, KLSH i ka vlerësuar rekomandimet mbi bazën e rezultatit final të kërkuar.

Nëse masa disiplinore e rekomanduar nuk është vendosur, rekomandimi konsiderohet i pazbatuar.

Për këtë arsye, raporti i KLSH-së konstaton se nga 142 masa disiplinore të rekomanduara dhe të pranuara nga ASHK-ja, është zbatuar vetëm një, ndërsa pjesa tjetër rezultojnë të pazbatuara.

Pra, diferenca mes dy interpretimeve nuk lidhet vetëm me shifrat, por edhe me kriterin e përdorur për matjen e zbatimit: ASHK vlerëson edhe procesin dhe arsyet e moszbatimit, ndërsa KLSH vlerëson nëse rekomandimi është realizuar në formën konkrete të kërkuar nga auditimi.

968 milionë lekë të ardhura të munguara 

Problemi nuk kufizohet vetëm te përgjegjësia administrative. Raporti i KLSH evidenton edhe pasoja të drejtpërdrejta financiare për shtetin. 

Vetëm rastet e përmbledhura në raport, arrijnë në rreth 968 milionë lekë detyrime të paarkëtuara, të ardhura të munguara dhe dëme në administrimin e pronës publike. 

Duke përfshirë edhe gjetjet e tjera financiare të evidentuara nga auditimi, vlera kalon 1 miliard lekë.

Kamëz-Vorë, për shembull, nga faturat e lëshuara për parcelat ndërtimore të legalizimeve rezultojnë mbi 342 milionë lekë ende të palikuiduara. 

Në Tiranë Veri evidentohet një tjetër shumë prej rreth 385 milionë lekësh për parcela të faturuara, por të papaguara. 

Në raste të tjera raporti flet për taksa urbanistike të papaguara, qira të munguara të truallit shtetëror dhe dëme të shkaktuara nga administrimi joefektiv i pronës publike.

Një kapitull i rëndësishëm i auditimit lidhet me procesin e legalizimeve. KLSH dokumenton raste kur objekte janë legalizuar në kundërshtim me kriteret ligjore, përfshirë ndërtime në zona të planifikuara për arsim, pranë hekurudhës, nën linja të tensionit të lartë, buzë kanaleve apo mbi diga. 

Në disa raste janë legalizuar edhe objekte të ndërtuara me materiale të përkohshme, të cilat nuk plotësonin kushtet ligjore për legalizim.

Megjithatë, edhe rekomandimet për rishikimin apo shfuqizimin e këtyre vendimeve rezultojnë kryesisht të pazbatuara.

Një nga rastet më të detajuara në raport është ai i një shoqërie private të anonimizuar si “K.D.” ShPK. 

Sipas KLSH-së, kompania ka përfituar sipërfaqe shumë më të madhe trualli nga sa lejonte ligji dhe ka hyrë në proces legalizimi ndonëse objekti nuk duhej të përfshihej në këtë procedurë. 

Audituesit llogarisin se vetëm nga shmangia e pagesës së qirasë për truallin shtetëror, buxhetit i kanë munguar mbi 51 milionë lekë. 

Edhe në këtë rast, rekomandimi për korrigjimin e situatës rezulton i pazbatuar.

Legalizime problematike dhe tjetërsim pronash 

Raporti ngre shqetësim edhe për një fenomen tjetër: tjetërsimin e pronave gjatë kohës që rekomandimet mbeten pa u zbatuar.

Në një nga rastet e trajtuara, vetë drejtoria pranon se pasuria është bashkuar me prona të tjera dhe është transferuar tek palë të treta pa u vendosur kufizimet e kërkuara. 

Edhe pse institucionet vonojnë marrjen e masave, pronat vazhdojnë të qarkullojnë në treg, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë rikthimin në gjendjen e ligjshme.

Auditimi evidenton gjithashtu raste ku mungon dokumentacioni mbi privatizimin e pronave shtetërore, si edhe çështje që tashmë janë objekt hetimi nga organet e drejtësisë, përfshirë SPAK-un dhe prokuroritë e zakonshme. 

KLSH nuk ngre akuza penale, por dokumenton se disa prej rasteve të konstatuara po hetohen në kuadër të procedimeve penale.

Pse jemi në këtë gjendje?

Raporti i KLSH-së nuk flet vetëm për shkelje në administrimin e pronës.  Ai thekson një problem shumë më të madh institucional: mungesën e mekanizmave efektivë që t’i rregullojnë ato. 

Kur rekomandimet pranohen, por nuk zbatohen; kur masat disiplinore nuk merren; kur raportimet ligjore nuk kryhen dhe kur pronat vazhdojnë të tjetërsohen ndërkohë që procedurat mbeten pezull, sistemi i kontrollit humbet funksionin e tij parandalues.

Për këtë arsye, pyetja që mbetet pas këtij auditimi, nuk është vetëm se sa shkelje janë konstatuar, por nëse ekziston realisht vullneti institucional për t’i korrigjuar ato. 

Vetë KLSH ka kërkuar që të gjitha drejtoritë të zbatojnë rekomandimet brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, por afati ka përfunduar. 

Analiza

Për të interpretuar gjetjet e raportit, Faktoje.al, pyeti ekspertin e ekonomisë Ilir Ciko mbi pasojat ekonomike dhe institucionale të moszbatimit të rekomandimeve të KLSH-së.

Sipas Cikos, raporti i KLSH nuk evidenton vetëm shkelje në administrimin e pronave, por një problem më të thellë institucional.

“Raporti shkon më tej dhe dokumenton një sistem ku korrigjimi nuk funksionon”, thotë ai, duke theksuar se megjithëse 98% e rekomandimeve janë pranuar nga ASHK, vetëm rreth 21% janë zbatuar.

Sipas ekspertit, pasoja e parë ekonomike lidhet me cenimin e të drejtës së pronës, pasi “shkeljet e konstatuara nuk janë thjesht gabime teknike. Ato janë transferime pasurie, nga pasuria publike tek privatët”, ndërsa vonesat në korrigjimin e tyre e bëjnë gjithnjë e më të vështirë rikuperimin e pronës publike.

Si pasojë të dytë, Ciko veçon dëmtimin e regjistrit kadastral dhe të sigurisë juridike. 

Sipas tij, “një regjistër me sipërfaqe të fryra, zëra kadastralë të pasaktë dhe mospërputhje me vendimet gjyqësore”, dëmton besimin e qytetarëve te shteti, bizneseve dhe investitorëve, duke rritur kostot e kredidhënies dhe të investimeve.

Ndërsa pasoja e tretë është institucionale. Eksperti Ciko thekson se fakti që të shtatë drejtoritë kanë shkelur të njëjtat detyrime ligjore “tregon se shkaku nuk qëndron te drejtuesit e veçantë, por në mënyrën e reagimit institucional”. 

Sipas tij, kjo krijon te qytetarët perceptimin se “rregullat zbatohen ndaj tyre, por jo njësoj ndaj administratës së shtetit”.

Ndikimi ekonomik 

Duke u ndalur te ndikimi ekonomik, Ilir Ciko vlerëson se problematikat nuk mbeten vetëm në planin administrativ. 

Për ekspertin e ekonomisë, problematikat e evidentuara nga KLSH kanë ndikim të drejtpërdrejtë në financat publike dhe, në fund, koston e përballojnë taksapaguesit. 

Ai shpjegon se dëmi vjen në tre drejtime: së pari, përmes të ardhurave të paarkëtuara nga kalimi i pronësisë, taksat dhe qiratë e truallit shtetëror; së dyti, përmes “legalizimit nën çmimin real”, ku diferenca e vlerës së tregut, sipas tij, “nuk zhduket, por transferohet”, duke krijuar një “subvencion të heshtur” në favor të përfituesve; dhe së treti, përmes kostove që sjell korrigjimi i vendimeve të gabuara. 

“Shteti paguan dy herë: së pari për vendimin e gabuar dhe së dyti për anulimin e tij,” shprehet eksperti, duke iu referuar kostove administrative, proceseve gjyqësore dhe rasteve kur nevojiten edhe kompensime.

Ndryshimi, “jo pa reforma ligjore”

Duke u ndalur te mekanizmat e llogaridhënies, Ciko vlerëson se problemi nuk qëndron vetëm te moszbatimi i rekomandimeve, por te mungesa e përgjegjësisë individuale. 

Sipas tij, treguesi më domethënës i raportit, është se “nga 142 masa disiplinore të rekomanduara dhe të pranuara, është zbatuar një e vetme”, çka tregon se “99% e përgjegjësisë individuale të identifikuar nga KLSH është lënë mënjanë”. 

Ai shton se “KLSH rekomandon, por institucioni i audituar vendos nëse do të disiplinojë veten”, duke krijuar një sistem ku auditimet prodhojnë raporte, por jo ndryshim real. 

Për të garantuar zbatimin e rekomandimeve, eksperti Ciko propozon ndryshime ligjore dhe institucionale, si vendosjen e sanksioneve për mosraportimin dhe moszbatimin e rekomandimeve, kalimin e kompetencës për masat disiplinore te një autoritet i pavarur dhe krijimin e një regjistri publik që pasqyron statusin e zbatimit të çdo rekomandimi.

Ai thekson se këto mangësi përbëjnë edhe një dobësi në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

“Kur audituesi konstaton se një leje legalizimi është lëshuar në kundërshtim me ligjin, urdhri i kufizimit nuk duhet të varet nga vullneti i drejtorisë që e lëshon lejen. Një mekanizëm kufizimi me efekt automatik, i rishikueshëm në gjykatë, do të ndalte qarkullimin e pasurive të kontestuara dhe do të shmangte vonesat”, përfundon eksperti Ilir Ciko.

The post Kadastra nën lupën e KLSH, shkelje dhe 968 milionë lekë dëm  appeared first on Faktoje.al.

“Legjenda” e dy avionëve zjarrfikës

16 July 2026 at 15:15

Në Shqipëri, verat e fundit kanë sjellë gjithnjë rrezikun e zjarreve që përpijnë mijëra hektarë pyje e kullota, duke lënë pas dëme të mëdha mjedisore. Paralelisht me këtë kërcënim të përsëritur, premtimi për krijimin e një kapaciteti ajror zjarrfikës ka mbetur i pambajtur. Në janar 2026, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, deklaroi se Shqipëria ishte ende në proces për sigurimin e avionëve zjarrfikës, duke ndryshuar afatet e mëparshme të shpallura nga qeveria.

“Po blejmë dy avionë zjarrfikës, në terma afatmesëm do kemi katër. Në buxhetin 2026 është buxheti për 2. Jemi duke negociuar kontratën”, deklaroi Vëngu.

Sipas tij, synimi ishte që njëri prej avionëve të mbërrinte gjatë këtij viti, por ai pranoi se operacionalizimi i plotë mund të kërkonte më shumë kohë.

“Afati operacional, duke ditur që do prodhohen për ne dhe duhet të formojmë edhe pilotët, na çon në 2027 për t’i pasur në veprimtari zjarrfikëse”, shtoi ministri.

Ministria nuk jep statusin e kontratës

Faktoje iu drejtua Ministrisë së Mbrojtjes për të mësuar se në çfarë faze ndodhet procesi i blerjes së dy avionëve zjarrfikës. Përgjigjja e institucionit nuk jep të dhëna konkrete mbi kontratën.

“Informacioni lidhur me kontratën e cilësuar do të detajohet në një komunikim të mëvonshëm”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

Kjo përgjigje vjen pas një serie deklaratash të ndryshme nga zyrtarët e mbrojtjes për të njëjtën çështje. Në gusht 2025, ministri Pirro Vëngu deklaronte se procedura ishte përfunduar:

“Kemi alokuar fonde dhe kemi përfunduar procesin për blerjen e dy avionëve zjarrfikës. Buxheti është i siguruar dhe procedurat për blerjen e tyre janë realizuar”, deklaronte ai.

Por pas një kërkese për informacion nga Faktoje, Ministria e Mbrojtjes sqaroi se procesi ishte ende në zhvillim dhe se nuk bëhej fjalë për avionë zjarrfikës të dedikuar, por për avionë shumërolësh me përdorime të tjera, përfshirë edhe kapacitete për ndërhyrje në zjarre.

2025, një nga vitet më të rënda për zjarret

Ndërsa procesi për avionët vijon, zjarret kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme. Sipas të dhënave të Sistemit Europian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), pjesë e shërbimit Copernicus, gjatë vitit 2025 në Shqipëri u regjistruan 132 zjarre, që dogjën rreth 59,933 hektarë sipërfaqe me pyje dhe kullota. 

Për vitin 2026, të dhënat e përditësuara të EFFIS tregojnë deri tani 9 zjarre dhe rreth 528 hektarë sipërfaqe të djegur. 

EFFIS

Megjithatë, rreziku mbetet i lartë. Shërbimet europiane të monitorimit të klimës kanë paralajmëruar se temperaturat ekstreme dhe kushtet e thata po rrisin rrezikun e zjarreve në Europë. Copernicus ka raportuar se vitet e fundit kanë qenë ndër më të nxehtat e regjistruara, me 2025 si një nga vitet më të nxehta në historinë e matjeve. 

Nga premtimi i Peleshit te “legjenda” e dy avionëve

Premtimi për avionët zjarrfikës nuk është i ri. Në janar 2023, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi se Shqipëria do të blinte dy avionë shumërolësh për ndërhyrje në raste zjarresh dhe emergjencash.

“Janë disa mjete më modeste në kosto, më të manovrueshme dhe më të përshtatshme për situatat tona të zjarreve”, deklaroi Peleshi.

Një vit më pas, në tetor 2024, Faktoje verifikoi se avionët nuk ishin blerë ende. Ministria parashikonte që ata të viheshin në funksion në fund të vitit 2025 ose në fillim të vitit 2026. 

Në mars 2025, gjatë fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama premtoi se avionët do të ishin në dispozicion që atë verë. Por disa muaj më pas (në korrik 2025) Ministria e Mbrojtjes konfirmoi për Faktoje se Forcat e Armatosura nuk dispononin asnjë avion zjarrfikës. 

Sot, në mesin e vitit 2026, pas disa afateve të ndryshuara, statusi i kontratës për dy avionët mbetet ende i paqartë. Afati i radhës për vënien në funksion të tyre është shtyrë drejt vitit 2027, sepse, përveç prodhimit të avionëve, nevojitet edhe trajnimi i pilotëve përpara se ata të mund të përdoren në operacione zjarrfikëse.

Përfundim

Çdo vit, bashkë me rrezikun e zjarreve, rikthehet edhe historia e avionëve zjarrfikës. Nga deklaratat e ministrave te zotimet e kryeministrit, publiku ka dëgjuar shpesh në sezon vere apo në fushata se avionët do të mbërrijnë “së shpejti”. Por ndërsa flakët vazhdojnë të përpijnë sipërfaqe të gjera, avionët mbeten ende në letër, në kontrata të paqarta dhe afate të ndryshuara. Derisa kontrata të bëhet transparente dhe avionët të mbërrijnë, “legjenda e dy avionëve zjarrfikës” do të vazhdojë.

The post “Legjenda” e dy avionëve zjarrfikës appeared first on Faktoje.al.

Si ndryshoi qëndrimi i Ramës për zonat e mbrojtura

15 July 2026 at 16:17

Nga Jona Cenameri

Ligji për zonat e mbrojtura, të cilin kryeministri Edi Rama e ka mbrojtur për më shumë se dy vjet si një instrument që balancon natyrën me zhvillimin ekonomik, do të rishikohet për t’u përshtatur me standardet e Bashkimit Europian.

Deklarata u bë më 14 korrik në Bruksel, gjatë Konferencës së IX Ndërqeveritare Shqipëri-BE, në një moment kur kërkesa për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 ishte përfshirë tashmë në 5 kërkesat e formalizuara të protestës së nisur më 31 maj.

Komisionerja europiane për zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Komisioni dhe qeveria shqiptare kishin rënë dakord, përpara nisjes së protestave, që gjatë vitit 2026 të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura dhe do të shfuqizohej ligji për investime strategjike

Sipas saj, ndryshimet janë të nevojshme për mbylljen e negociatave për Kapitullin 27, që përfshin mjedisin dhe ndryshimet klimatike.

Rama ndërhyri për të bërë një dallim mes shfuqizimit të ligjit për investimet strategjike dhe rishikimit të ligjit për zonat e mbrojtura.

Për ligjin e dytë, ai këmbënguli se nuk kishte “asgjë për të shfuqizuar”, duke e cilësuar atë si një nga ligjet më të mira të qeverisë. Megjithatë, kryeministri pranoi se brenda tij do të ndryshohet gjithçka që nuk është në përputhje me standardet europiane dhe se ligji do të përshtatet derisa të arrijë përputhjen “100%” me këto standarde.

Ky formulim bie në kontrast me deklaratat që Rama dhe ministrja e atëhershme e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, bënin në momentin kur ndryshimet ligjore u propozuan dhe u miratuan.

“Nuk pranojmë leksione morale”

Qëndrimi mbrojtës i Ramës ndaj ndryshimeve në ligj u shfaq që në dhjetor 2023, kur nisma ende po diskutohej.

Në dhjetor 2023, gjatë një aktiviteti për Parkun Kombëtar të Vjosës, Rama argumentoi se rishikimi i kuadrit ligjor ishte nxitur nga kërkesat e bashkive dhe nga presioni për zhvillim ekonomik. 

Sipas tij, mes konservimit të natyrës dhe zhvillimit duhej gjetur një “ekuilibër harmonik”.

Kryeministri përdori gjithashtu argumentin se Shqipërisë i nevojitej turizmi i luksit, pasi investime të tilla do të sillnin të ardhura më të larta edhe për qytetarët e zakonshëm. 

Përballë kritikave të ekspertëve të mjedisit, Rama deklaroi se qeveria nuk pranonte “leksione morale” për mënyrën se si duhej të sillej me natyrën.

Ky qëndrim u përsërit edhe në mars 2024, pak javë pas miratimit të ndryshimeve

Rama deklaroi se, duke parë çfarë kishte bërë qeveria në 10 vjet për natyrën dhe trashëgiminë kulturore, askush nuk mund t’i jepte asaj leksione. Ai e paraqiti turizmin cilësor si mënyrën për të rritur të ardhurat pa u mbështetur vetëm te shtimi i numrit të turistëve dhe argumentoi se suksesi qëndronte te balanca mes mbrojtjes dhe zhvillimit.

Ligji “100% në një mendje me BE-në”

Ndryshimet u miratuan në Kuvend më 22 shkurt 2024 përmes ligjit nr. 21/2024. Pas reagimit të Delegacionit të Bashkimit Europian, i cili njoftoi se do të ndiqte me vëmendje zbatimin e dispozitave të reja, Rama tha se qeveria ishte “100% në një mendje me Bashkimin Europian”.

Sipas tij, ndryshimet forconin rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe do ta ndihmonin Shqipërinë të bëhej një destinacion turistik i nivelit të lartë, duke mbrojtur njëkohësisht biodiversitetin.

Edhe ministrja Mirela Kumbaro e mbrojti ligjin. Ajo deklaroi se ndryshimet nuk cenonin mjedisin dhe nuk shkelnin direktivat e BE-së. Sipas saj, ekzistonin “vija të kuqe” që nuk do të prekeshin, ndërsa ndërhyrjet e lejuara do të ishin ekologjike, miqësore me mjedisin dhe të kontrolluara përmes rregullave strikte.

Qëndrimi zyrtar i vitit 2024 ishte, në thelb, se ndryshimet nuk e dobësonin mbrojtjen e territorit dhe se ishin në përputhje me detyrimet europiane.

Protesta dhe mbrojtja e ligjit

Protesta që nisi më 31 maj 2026 e vendosi ligjin sërish në qendër të debatit publik. Krahas kundërshtimit të projektit turistik në zonën Pishë Poro-Nartë, një nga kërkesat e para ishte shfuqizimi i ndryshimeve të miratuara në vitin 2024. 

Në reagimin e tij të parë pas protestës, Rama nuk dha shenja se qeveria do të tërhiqej nga ligji.

Më 1 qershor ai deklaroi se qeveria nuk kishte hequr asnjë territor nga zonat e mbrojtura dhe se kategoritë e mbrojtjes ishin përshtatur me standardet më të larta ndërkombëtare. Sipas tij, Pishë Poro ishte një peizazh i mbrojtur i kategorisë së pestë, ku mbrojtja e natyrës nuk përjashtonte zhvillimin. 

Qëndrimi u bë edhe më i prerë më 9 qershor, gjatë një takimi me gazetarë dhe përfaqësues të mediave nga vendet e BE-së. Rama tha se askush nuk mund t’i jepte qeverisë leksione për mjedisin dhe e cilësoi si “gënjeshtër” pretendimin se ligji ishte ndryshuar për t’i hapur rrugë projektit të lidhur me Jared Kushner.

Sipas tij, ndryshimet e vitit 2024 ishin bërë për të përcaktuar qartë aktivitetet e lejuara në kategoritë e ndryshme të zonave të mbrojtura. Kryeministri këmbënguli se peizazhi i mbrojtur është, edhe sipas standardeve europiane, një hapësirë ku mund të ketë ndërtime. Ai tha se synimi ishte që projekti të bëhej një provë se natyra dhe zhvillimi mund të bashkëjetojnë.

Rama nuk e paraqiti ligjin si një akt që kishte nevojë për korrigjime për t’u përshtatur me BE-në. Përkundrazi, ai argumentoi se ndryshimet dhe klasifikimi i zonës mbështeteshin në standardet europiane, ndërsa pretendimin se ligji ishte ndryshuar posaçërisht për projektin e quajti ‘gënjeshtër’.

Rishikimi

Një ndryshim i parë në gjuhën e përdorur u shfaq më 18 qershor, pas miratimit të një rezolute nga Parlamenti Europian.

Rama kundërshtoi pretendimin se rezoluta ishte fitorja e parë e protestës. Ai tha se protestuesit e kishin pasur “fitoren në xhep” përpara nisjes së tubimeve, pasi mbrojtja e mjedisit ishte një prioritet i qeverisë.

Megjithatë, në të njëjtën deklaratë ai pranoi se ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura ishin pjesë e agjendës së negociatave me BE-në dhe se në procesin analitik me Komisionin do të identifikohej çdo pikë që nuk përputhej me kriteret dhe standardet europiane.

Deklarata e 14 korrikut e çoi më tej këtë pranim. Rama tha publikisht se ligji do të përshtatej derisa të arrinte përputhjen e plotë me standardet europiane. 

“Për ligjin e Zonave të Mbrojtura, nuk kemi asgjë për të shfuqizuar, edhe pse ka pasur një rezolutë në Parlamentin Europian që e ka kërkuar këtë, por në fakt këtë ligj do ta rishikojmë mbështetur në të gjitha standardet europiane dhe do të ndryshojmë brenda këtij ligji gjithçka që nuk është në përputhje me standardet europiane…”, tha Rama 

Rama vijon ta mbrojë ligjin si një nga më të mirët e qeverisë dhe kundërshton termin “shfuqizim”. Por pranimi se brenda tij ekzistojnë dispozita që mund të mos jenë në përputhje me standardet e BE-së përbën një zhvendosje nga mbrojtja pa rezerva që ai bëri në vitin 2024 dhe në ditët e para të protestës.

Ndryshe është rasti i ligjit për investimet strategjike. Që në shkurt 2026, përpara nisjes së protestës, ishte njoftuar se afati i ligjit aktual do të përfundonte më 31 dhjetor 2026, dhe se qeveria po përgatiste një kuadër të ri ligjor. 

The post Si ndryshoi qëndrimi i Ramës për zonat e mbrojtura appeared first on Faktoje.al.

Nga “armët shqiptare” te “shitja e jugut të Serbisë”, si u shtrembërua vizita e Begajt në Preshevë dhe Bujanovc

15 July 2026 at 11:23

Nga Jona Cenameri

Më 8 korrik 2026, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, vizitoi Preshevën dhe Bujanovcin, dy komuna në jug të Serbisë ku shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë.

Arsyeja e njoftuar e vizitës ishte hapja e edicionit të dytë të Panairit të Librit Shqip në Preshevë, me moton “Libri dhe Tradita”. Një ditë përpara aktivitetit, portali lokal serb Bujanovačke raportoi se Begaj do të merrte pjesë në hapjen e panairit, ku pritej të paraqiteshin rreth 30 shtëpi botuese dhe krijues nga trevat ku flitet shqip. Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kishte ftuar publikisht qytetarët të merrnin pjesë.

Gjatë qëndrimit, Begaj zhvilloi takime me Sinanin, kryetarin e komunës së Bujanovcit, Arbër Pajaziti, deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, dhe drejtuesin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi. Në deklaratat e publikuara u diskutuan përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet serbe, përdorimi i gjuhës dhe simboleve kombëtare, arsimi dhe zhvillimi lokal. 

Megjithatë, pamjet e vizitës u shkëputën shpejt nga ky kontekst dhe u përdorën për të ngritur akuza për “tradhti”, hyrje të personave të armatosur shqiptarë, humbje të sovranitetit dhe “Shqipëri të Madhe”.

“Tradhti e lartë nën velin e errësirës mediatike”

Një nga reagimet që bashkoi disa prej këtyre pretendimeve erdhi nga studentët në bllokadë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Novi Sadit.

Në një postim të titulluar “Tradhti e lartë nën velin e errësirës mediatike?”, studentët pretenduan se vizita ishte mbajtur larg publikut nga mediat proqeveritare dhe RTS-i. Ata shkruan se, “Begaj kishte ardhur në jug të Serbisë i shoqëruar nga policia dhe persona me armë, ishte pritur me flamuj shqiptarë dhe kishte lëvizur sikur të kalonte nëpër shtetin e tij”.

Postimi përfundonte me pyetjen nëse po përgatitej terreni që Aleksandar Vuçiç të “shiste edhe një pjesë të shtetit serb”. Për mënyren se si raportuan mediat serbe pati jehonë dhe media shqiptare.

Pretendimi se vizita ishte fshehur u ngrit edhe në Kuvendin e Serbisë. Kryetari i Lëvizjes Popullore të Serbisë, Miroslav Aleksić, pyeti përse asnjë media proqeveritare nuk kishte raportuar për ardhjen e Begajt tek dy komunat dhe akuzoi pushtetin se po përdorte kontrollin mbi mediat për të fshehur të vërtetën. Ai e lidhi pritjen me flamuj shqiptarë dhe mungesën e pretenduar të simboleve serbe me pamundësinë e shtetit për të mbrojtur “minimumin e sovranitetit”. 

Vizita mori pak hapësirë në mediat e mëdha kombëtare, gjë që u vu në dukje edhe nga disa media serbe. Por raportimi i kufizuar nuk provon se ajo ishte organizuar në fshehtësi.

Bujanovačke kishte publikuar më 7 korrik vendin, datën dhe arsyen e vizitës. Sinani deklaroi gjithashtu se ardhja e Begajt ishte diskutuar që më 12 mars, gjatë takimit të saj në Tiranë me Presidentin e Shqipërisë.  

Pas polemikave, i pyetur nga mediat Vuçiç deklaroi se autoritetet shqiptare kishin kërkuar dhe marrë “të gjitha lejet” nga institucionet serbe. Ai e dha këtë përgjigje edhe kur u pyet për hyrjen e Begajt nga Kosova përmes pikës së Konçulit, rrugë që disa media e paraqitën si të pazakontë. 

Pra, vizita ishte raportuar publikisht përpara se të ndodhte dhe ishte autorizuar nga autoritetet e Serbisë. “

A e shoqëruan Begajn persona të armatosur nga Shqipëria?

Pamjet më të shpërndara të vizitës ishin ato të personelit të sigurisë përpara Bashkisë së Bujanocit. Në videon e publikuar nga Bujanovačke shfaqeshin disa persona dukshem të sigurisë me arme qe shoqeronin delegacionin shqiptar.

Videoja mori qindra mijëra shikime dhe mijëra reagime e shpërndarje. Në raportimin fillestar, Bujanovačke ngrinte pikëpyetje për armët dhe mungesën e perceptuar të simboleve serbe, por pamjet nuk tregonin se nga cili shtet apo institucion vinin personat e sigurisë.

Pamjet u amplifikuan më tej nga Serbian Times, i cili e paraqiti vizitën në titull si hyrje të Begajt në komunat serbe “me pushkë automatike” dhe pa simbole të Serbisë. Artikulli e cilësonte ngjarjen “skandal” dhe “provokim të hapur”, ndërsa personelin e armatosur e përshkruante si pjesë të sigurisë së presidentit shqiptar. 

Portali Direktno.rs shkoi më tej. Në titull, ai e paraqiti Begajn si të ardhur nën shoqërimin e “armëve të gjata”, ndërsa analisti Dejan Miletić e cilësoi ngjarjen “provokim” dhe “hajdutëri”. Sipas tij, prania e armëve dërgonte mesazhin se pala shqiptare e konsideronte zonën territor të vetin. Artikulli nuk paraqiste prova se personat me armë ishin shqiptarë.

Pretendimi u ngrit edhe në Kuvend nga deputeti i Lëvizjes Popullore të Serbisë, Aleksandar Ivanović. Duke u bazuar te fotografitë, ai deklaroi se personat nuk i përkisnin njësive serbe dhe pyeti se kush i kishte lejuar të mbanin armë në territorin e Serbisë. Edhe Ivanović nuk paraqiti identifikim, dokument apo burim institucional për prejardhjen e tyre. 

Më 11 korrik, një gazetar e pyeti Vuçiçin drejtpërdrejt nëse personat me armë ishin “të tyre apo tanët”.

“Tanët”, u përgjigj Presidenti i Serbisë. Ai deklaroi se siguria e Begajt ishte garantuar nga pjesëtarë të strukturave serbe.

Pamjet e personave me armë ishin reale. Por pretendimi se ata kishin ardhur nga Shqipëria nuk ishte mbështetur me prova dhe u kundërshtua nga vetë Presidenti i Serbisë.

Pretendimi se mungoi flamuri serb

Një element tjetër që u përdor për të mbështetur narrativën e humbjes së sovranitetit ishte pretendimi se në pritjen e Begajt nuk ishte vendosur asnjë flamur i Serbisë.

Aleksić pyeti në Kuvend nëse në jug të vendit “nuk lejohej të valëvitej flamuri serb”. Isidor Stefanović, drejtues rajonal i lëvizjes “Ćale, ovo je za tebe” dhe koalicionit “Aleanca për Jugun e Serbisë”, e cilësoi mungesën e flamurit dhe të një zyrtari të pushtetit qendror si “skandal shtetëror dhe protokollar”. 

Edhe Lëvizja për Mbretërinë e Serbisë e paraqiti pritjen si provë se Serbia kishte humbur autoritetin dhe sovranitetin në jug të vendit.

Pamjet e publikuara nga pritja tregojnë se flamujt shqiptarë ishin dukshëm të pranishëm. Megjithatë, formulimi kategorik se “nuk kishte asnjë flamur serb” nuk përputhet me të gjitha materialet vizuale.

Në një video të publikuar në llogarinë e Ardita Sinanit, ndërsa ajo del nga godina e bashkisë së bashku me Begajn dhe përfaqësuesit lokalë, flamuri i Serbisë duket në fasadën e ndërtesës, në pjesën e sipërme majtas të pamjes, teksa dalin nga takimi. Ndersa brenda ne takim ne tavolinen e perbashket ndodhet flamuri shqiptar dhe i Presheves. 

Gjithashtu prania më e madhe vizuale e flamujve shqiptarë në një pritje të organizuar nga drejtues lokalë shqiptarë nuk është në vetvete provë e ndryshimit të sovranitetit mbi territorin. Kryetarët e Preshevës dhe Bujanocit, deputeti Kamberi dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar veprojnë brenda sistemit institucional të Serbisë.

Nga “bota shqiptare” te projekti i “Shqipërisë së Madhe”

Narrativa për “Shqipërinë e Madhe” u formulua drejtpërdrejt nga Stefanović. Në deklaratën e publikuar nga Bujanovačke, ai pyeti nëse, përmes heshtjes, përfaqësuesit e qeverisë serbe po ia dorëzonin Bujanocin dhe Preshevën projektit të ashtuquajtur “Shqipëria e Madhe”. 

Narrativa u zgjerua edhe nga kryetari i Partisë së Re Demokratike të Serbisë, Miloš Jovanović. Ai tha se vizita tregonte se shqiptarët nuk hiqnin dorë nga ideja e të ashtuquajturës “Shqipëri natyrore”, të cilën e përshkroi si përvetësim territoresh që nuk u përkisnin. Jovanović pretendoi gjithashtu se Begaj kishte përdorur për zonën termin “Kosova Lindore” dhe paralajmëroi se pas saj mund të viheshin në diskutim edhe Rashka dhe Vojvodina. Deklarata nuk shoqërohej me video, transkript ose citim të drejtpërdrejtë të Begajt që të provonte përdorimin e termit “Kosova Lindore”. Në materialet publike të shqyrtuara për këtë shkrim, Begaj i referohet zonës si “Lugina e Preshevës”.

Sinani e cilësoi Preshevën dhe Luginën e Preshevës si “pjesë të pandashme të botës shqiptare”, ndërsa Begaj shkroi se shqiptarët e zonës jetojnë në trojet e tyre, “fatkeqësisht jashtë trungut amë”. Presidenti e paraqiti vizitën si mbështetje për komunitetin shqiptar që jeton në jug të Republikës së Serbisë, veçanërisht në Preshevë dhe Bujanoc, ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të popullsisë. Mesazhet e tij u përqendruan te përfaqësimi institucional, përdorimi i gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare, arsimi dhe të drejtat e shqiptarëve në Serbi.

Në deklaratat e shqyrtuara nuk përmendet bashkimi territorial i Preshevës ose Bujanocit me Shqipërinë apo Kosovën, ndryshimi i kufijve, referendumi apo kalimi i administrimit të këtyre komunave.

Kjo ngjarje u përfshi në një klimë më të gjerë tensionesh mes shqiptarëve dhe serbëve, ku incidentet, gjuha e urrejtjes dhe akuzat për diskriminim ndaj pakicave vazhdojnë të ushqejnë mosbesim reciprok. Në këtë kontekst, vizita e Begajt dhe simbolika që e shoqëroi u interpretuan përtej fakteve dhe u përdorën për të përforcuar narrativa të vjetra për kërcënim, sovranitet dhe përplasje etnike.

The post Nga “armët shqiptare” te “shitja e jugut të Serbisë”, si u shtrembërua vizita e Begajt në Preshevë dhe Bujanovc appeared first on Faktoje.al.

Kur kërkesat për reformë zgjedhore “takohen” me frymën e protestës   

14 July 2026 at 13:07

Nga Fetah Salliu  

Më 9 qershor, një grup ekspertësh: Kristaq Kume, Andi Tepelena, Edlira Çepani, Rezarta Caushaj, Edmond Çata, Etleva Merko, Gerta Meta, Ilir Aliaj, Rigels Xhemollari dhe Silvana Bello zyrtarizuan nismën për ndryshimin e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë. 

Si hap i parë, nismëtarët dorëzuan pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për t’u pajisur me ‘Fletën tip’, dokumentin zyrtar që u mundëson nisjen e procesit të mbledhjes së nënshkrimeve, plot 20 mijë firma.

KQZ-ja më tej miratoi “fletën tip” dhe i dha afat 3 muaj nismëtarëve për mbledhjen e firmave. 

Sipas nismëtarëve, projektligji është rezultat i diskutimeve, mendimeve dhe propozimeve të shoqërisë civile me qëllim krijimin e kushteve sa më efektive për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike në vendin tonë. 

Por cilat janë kërkesat që synojnë ndryshimin e Kodit Zgjedhor ?

Kërkesat e nismëtarëve

Sipasekspertit për zgjedhjet Kristaq Kume, disa nga kërkesat kryesore për të ndryshuar Kodin Zgjedhor janë: “Ndarja e Shqipërisë në katër rajone zgjedhore dhe hapja 100 përqind e listave. Llogaritja e mandateve të bëhet me formulën Saint Lague e pastër ku herësi janë numrat tek 1,3,5,7,9 etj. Hapja 100 përqind e listave edhe për votimet e këshillit bashkiak. Gjatë zgjedhjeve të garojnë disa kandidatë të pavarur në një zonë me ‘Listën qytetare të kandidatëve’. Një kërkesë tjetër është depolitizimi i administratës zgjedhore, KZAZ-së, KQV-së dhe Grupeve të Numërimit, me qytetarë të trajnuar dhe çertifikuar ose avokatë, juristë, noterë etj.  Numërimi i votave për rezultatet e zgjedhjeve gjithashtu propozohet të bëhet në qendrat e votimit” 

Një risi tjetër është kërkesa që personat me aftësi të kufizuar dhe të sëmurët me pamundësi lëvizje të votojnë nga shtëpia (nëpërmjet kutisë së lëvizëshme). 

Kërkohen gjithashtu kritere më shtrënguese për shitblerjen e votës. 

Nga kërkesat e nismëtarëve synohet më shumë hapësirë në media për kandidatët e pavarur dhe subjektet politike, por edhe mbështetje me financime publike. 

Së fundmi, kërkohet më shumë punë nga KQZ-ja për monitorimin, kontrollin dhe transparencën në financimin e partive politike. 

A ka nisma lidhje me protestën?

Disa media e kanë lidhur këtë nismë me protestën. 

Titujt e artikujve “Protesta prek Kodin Zgjedhor” krijuan një ide përvetësimi dhe kontrolli të protestës, sa kohë që zyrtarizimi lidhej me periudhën kur po zhvillohej intensivisht protesta.

“Fakti që në të njëjtën periudhë ka marrë zhvillim edhe protesta qytetare është një rrethanë e pavarur nga kjo nismë dhe nuk mund të përdoret si argument për të vënë në dyshim legjitimitetin apo qëllimin e saj”, Kristaq Kume

“Fakti që në të njëjtën periudhë ka marrë zhvillim edhe protesta qytetare është një rrethanë e pavarur nga kjo nismë dhe nuk mund të përdoret si argument për të vënë në dyshim legjitimitetin apo qëllimin e saj. Përkundrazi, nëse nismëtarët do të tërhiqeshin nga ushtrimi i një të drejte kushtetuese vetëm për shkak të zhvillimit të një proteste publike, atëherë kontributi i shoqërisë civile në procesin e reformës zgjedhore, një proces që aktualisht po zhvillohet me intensitet të konsiderueshëm do të bëhej praktikisht i pamundur”,  thotë Kristaq Kume. 

Periudha e publikimit të nismës, përkoi me një kohë kur ende nuk ishin afishuar  5 kërkesat kryesore të protestës (në të cilën është edhe kërkesa për ndryshimet e Kodit Zgjedhor). 

Sqarimi 

Por referuar deklaratave të disa nismëtarëve, asgjë nuk ka lidhje me zhvillimet e protestës.

 “Nisma nuk ka asnjë lidhje organizative, funksionale apo qëllimore me protestën që po zhvillohet aktualisht dhe nuk synon në asnjë formë që të ndërhyjë, të ndikojë apo ta instrumentalizojë atë. Por edhe pse protesta ka marrë zhvillim në të njëjtën periudhë është një rrethanë e pavarur nga kjo nismë dhe nuk mund të përdoret si argument për qëllimin e saj”,   thotë eksperti Kristaq Kume.

 Disa të tjerë e lidhin me faktin se disa prej nismëtarëve kanë dalë në protestë. 

“Nisma dhe lista nuk ka lidhje me protestën qytetare”, Rigels Xhemollari

Një prej nismëtarëve, Rigels Xhemollari i Qëndresës Qytetare sqaron se: “Nisma dhe lista nuk ka lidhje me protestën qytetare dhe secili nga emrat e kësaj nisme përfaqëson organizata të ndryshme të cilat kanë kontribuar në zgjedhje”.  

“Çdo nismë që synon të zgjerojë përfaqësimin politik, të krijojë kushte më të barabarta për konkurrimin zgjedhor dhe të rrisë transparencën e procesit zgjedhor duhet të trajtohet me rëndësishëm për interesin publik“, Edlira Çepani

Edlira Çepani, një tjetër firmëtare e nismës e cilëson protestën si “protestën e të gjithëve” dhe hedh poshtë zërat për lista organizatorësh. Për “Faktoje”, ajo deklaron se: ”Çdo nismë që synon të zgjerojë përfaqësimin politik, të krijojë kushte më të barabarta për konkurrimin zgjedhor dhe të rrisë transparencën e procesit zgjedhor duhet të trajtohet me rëndësishëm për interesin publik”. 

Për nismëtarët ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor janë të domosdoshme për forcimin e demokracisë dhe për rritjen e standardeve të përfaqësimit politik. 

Nisma me këto propozime ka nisur muaj më parë. “Kjo është një nismë e pavarur qytetare, puna për të cilën ka nisur rreth 5–6 muaj më parë nga një grup qytetarësh të angazhuar në çështjet e demokracisë përfaqësuese dhe reformës zgjedhore”, sqaron ndërkohë Kristaq Kume. 

Efektet 

Dhjetë pikat e propozuara nga nismëtarët nuk janë popozime të reja. Disa prej tyre janë diskutuar në studiot televizive, të tjerat janë publikuar në artikuj dhe janë debatuar midis partive politike. 

Për shembull: Partia Demokratike dikur kërkonte hapjen e plotë të listave zgjedhore. Gjithashtu propozimi për krijimin e strukturës së posacme të KQZ-së për monitorimin dhe auditimin e financimit të partive politike ka qenë kërkesëe aktivistëve dhe studiuesve kohëmëparë

Nisma për ndryshimin e Kodit Zgjedhor është e rëndësishme sepse synon të eleminojë status-quon elektorale tek dy partitë e mëdha. Jam skeptik që partitë do të heqin dorë nga marrëveshja për rregullat dhe sistemin elektoral”, Klejd Këlliçi

Klejd Këlliçi si pedagog, ekspert dhe studiues i çështjeve politike deklaron për Faktoje se:

“Nisma për ndryshimin e Kodit Zgjedhor është e rëndësishme sepse synon të eleminojë status-quon elektorale tek dy partitë e mëdha. Jam skeptik që partitë do të heqin dorë nga marrëveshja për rregullat dhe sistemin elektoral. Por edhe nëse kjo do të ndodhi efektet do të jenë të vogla. Propozimet për ndryshimin e Kodit Zgjedhor në parim kërkojnë të mundësojnë një garë të barabartë mes palëve përfshirë reduktimin e penalizimit që partitë e vogla kanë me formulën aktuale zgjedhore. Problemi kryesor i Shqipërisë është kontrolli që partia në pushtet ushtron ndaj administratës publike, lidhja e pashmangshme me interesa kriminale dhe ekonomike e më pas influenca ndaj votuesit. Pra këto janë elementë që mund të ndikojnë rezultatin, pavarësisht formulës elektorale

The post Kur kërkesat për reformë zgjedhore “takohen” me frymën e protestës    appeared first on Faktoje.al.

PD kallëzon Ramën në SPAK për 4 mln eurot e koncertit të Kanye West   

13 July 2026 at 16:17

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përfaqësuar nga kryetari  Gazment Bardhi, depozitoi të hënën  në SPAK kallëzimin penal ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Grupi i PD-së i referohet financimit të rreth 4 milion euro të qeverisë për koncertin e këngëtarit Kanye West.

Përmes një akti normativ,  me propozimin e ministrit Gonxhja, Këshilli i Ministrave vendosi financimin e pjesshëm të organizimit dhe mbarëvajtjes së koncertit të artistit të njohur ndërkombëtar, Kanye West (YE), që u mbajt të shtunën e javës që kaloi, në masën e 4.2 milionë Eurove.

kallëzimin penal të depozituar nga grupi parlamentar i PD theksohet se “mbi bazën e një operatori ekonomik privat, shtetasi Blendi Gonxhja, me detyrë Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka iniciuar procedurën për miratimin e aktit normativ, me qëllim që këtij operatori t’i akordohej një fond prej 4.2 milionë Euro, duke shfrytëzuar fondin rezervë të Buxhetit të Shtetit. Ky i fundit, referuar dispozitave ligjore të mësipërme, mund të përdoret vetëm për shpenzime të cilat nuk njihen dhe janë të pamundura të parashikohen, siç mund të jenë rastet e fatkeqësive natyrore, përmbytjeve, tërmeteve, epidemive dhe emergjencave civile”.

Në rastin konkret, sipas PD, nuk jemi përpara asnjërit prej këtyre rasteve, pasi koncerti muzikor ishte një ngjarje e planifikuar në kohë, dhe operatori ekonomik privat kishte mundësi që të aplikonte me përpara për të përfituar një fond të caktuar për realizimin e këtij aktiviteti, në përputhje me procedurat ligjore

“Duke vepruar kështu, shtetasit Edi Rama dhe Blendi Gonxhja nga njëra anë ka cënuar fondin rezervë, që përbën një grupeve kryesore të shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit, ashtu si edhe ka cënuar parimet e konkurrencës së lirë dhe mosdiskriminimit, pasi një mundësi e tillë nuk ka qenë e parashikuar për operatorët e tjerë ekonomikë, që po ashtu mund të aplikonin për të përfituar mbështetje financiare për realizimin e këtij koncerti apo të ngjashëm me të”, thuhet në kallëzimin e PD

Nga sa me sipër, grupi parlamentar del në përfundimin se si Rama ashtu edhe Gonxhja  kanë vepruar “në kundërshtim me ligjin sa i përket shfrytëzimit të fondit rezervë për të mbështetur një aktivitet muzikor privat, duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit”

The post PD kallëzon Ramën në SPAK për 4 mln eurot e koncertit të Kanye West    appeared first on Faktoje.al.

Komunikimi politik i Ramës përballë protestës dhe non gratat e para

10 July 2026 at 12:00

Nga Megi Iskurti 

Në ditën e 23-të të protestës, mënyra se si kryeministri Edi Rama iu përgjigj zhvillimeve në Tiranë ndryshoi dukshëm. 

Në tri javët e para të ‘revolucionit flamingo’, Rama e ndërtoi  reagimin e tij publik kryesisht mbi narrativën se protesta nuk ishte thjesht një zhvillim i brendshëm qytetar, por një lëvizje e ndikuar nga faktorë të jashtëm, duke e kornizuar atë si pjesë e një loje më të gjerë gjeopolitike. 

Kthesa erdhi pas leximit publik të pesë kërkesave të protestuesve

Debati, që deri atëherë ishte zhvilluar rreth qëllimeve të protestës, nisi të marrë një tjetër drejtim: nga pyetja “çfarë kërkojnë protestuesit?”, te pyetja “kush janë protestuesit?”.

Rasti Goxhaj: kthesa e parë në narrativë 

Në qendër të reagimit u vendos sakaq personi që i lexoi ato.

Dritan Goxhaj u bë protestuesi i parë që Rama përmendi me emër, duke e cilësuar si “zëdhënës të interesave të Iranit” dhe duke risjellë në vëmendje deklarata të tij të mëparshme për Hezbollahun. 

Në një reagim të mëvonshëm, kryeministri Edi Rama publikoi një letër të firmosur nga një prej ish drejtuesve të UÇK, Xheladin Gashi, në të cilën hidheshin poshtë pretendimet e Goxhajt, sipas të cilave ai ka qenë luftëtar i UÇK në Kosovë.

Në qëndrimin e tij, Rama e etiketoi Goxhajn “si gjysmë mitoman dhe gjysmë taleban” që sipas tij përdor emrin e UÇK-së për qëllime politike, teksa citonte se, “kemi të bëjmë me një ndërhyrje agresive të Iranit.”   

Në vijimin e reagimeve për të kontestuar rolin e tij në protestë, Rama publikoi një tjetër video, në të cilën një person lexoi dokumentin sipas të cilit thuhej se, “Goxhaj dhe i ati i tij, ishin ushtarakë të paguar dhe jo vullnetarë”.

Kryeministri iu referua Goxhajt si ‘komandant me pagesë’ dhe ngriti publikisht pyetjen se në shërbim të kujt po vepronte ai, duke rikthyer narrativën e ndërhyrjes nga faktorë të jashtëm, konkretisht nga Irani. 

Ky ndryshim kursi nuk mbeti i kufizuar vetëm te Dritan Goxhaj. 

Ikballe Huduti, zgjerimi i narrativës përmes një rasti të ri

Në ditët që pasuan, e njëjta logjikë komunikimi u shtri edhe ndaj figurave të tjera të lidhura me protestën, duke e zhvendosur gjithnjë e më shumë debatin nga kërkesat e saj te identiteti i personave që i artikulonin. 

Mes tyre ishte edhe aktivistja nga Kosova, Ikballe Huduti.

Më 25 qershor, në një reagim në Facebook kryeministri Edi Rama publikoi foto të Ikballe Hudutit nga protesta, si dhe një tjetër imazh të saj me ish-presidentin iranian Mahmoud Ahmadinejad. 

Rama e përshkroi Hudutin si një figurë që, sipas tij, predikon urrejtje duke e vendosur në qendër të narrativës për ndikime të huaja në protestë. “Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e ‘diasporës’ së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, shkruante Rama.

Ai e përdori këtë rast për të argumentuar se protestuesit ishin shoqëruar nga individë që, sipas tij, nuk përfaqësonin kërkesat e qytetarëve, por qëndrime politike ekstreme dhe të importuara nga jashtë.

Denoncimi ndaj saj nuk mbeti vetëm në nivelin e retorikës politike pasi qeveria e ktheu atë edhe në një çështje institucionale. 

Pasditen e së njëjtës datë, Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, njoftoi se Ikballe Hudutit i ishte ndaluar hyrja në Shqipëri për 15 vjet, me argumentin se aktiviteti i saj përbënte rrezik për sigurinë kombëtare. Po jo vetëm. 

Më herët, kryeministri Edi Rama kishte etiketuar se një nga 13 firmëtarët e kërkesave zyrtare të protestës kishte qenë i proceduar tetë herë për rrahje dhe vjedhje të energjisë.

Ndalimi i përfaqësuesve të VLEN-it në Qafë Thanë 

Më 8 korrik, debati për trajtimin e personave të lidhur me protestën u zhvendos edhe në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku tre përfaqësues të koalicionit VLEN nga Maqedonia e Veriut, përkatësisht deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, u ndaluan për rreth një orë në pikën kufitare të Qafë Thanës, teksa po udhëtonin drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës. 

Sipas një deklarate të VLEN, tre zyrtarët ishin të pajisur me pasaporta diplomatike por nga policia kufitare u është bërë me dije jozyrtarisht se ndaj tyre ekzistonte një ndalesë hyrjeje në Shqipëri. 

Megjithatë, sipas VLEN, atyre nuk u është paraqitur asnjë dokument apo vendim ligjor që të justifikonte masën.

Versioni i autoriteteve shqiptare ishte i ndryshëm. 

Sipas Policisë Kufitare, tre zyrtarët e VLEN nuk kishin asnjë pengesë për të hyrë në Shqipëri dhe ndalimi lidhej me një person të katërt që udhëtonte me ta, për shkak të parregullsive në dokumentacionin e tij.

Autoritetet shqiptare deklaruan se përfaqësuesit e VLEN ishin të lirë të vijonin udhëtimin, por zgjodhën të ktheheshin bashkë me personin e katërt. 

Ngjarja ka sjellë versione të ndryshme mbi atë çfarë ndodhi në pikën kufitare, ndërsa deri në kohën e shkrimit të këtij artikulli nuk ka një reagim zyrtar nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

Episodi i Qafë Thanës shtoi një tjetër element në debatin mbi përfshirjen e aktorëve jashtë Shqipërisë rreth protestës. 

Ndërkohë, qëndrimi i kryeministrit Edi Rama ka vijuar të mbështetet te ideja se protesta, përtej kërkesave të saj fillestare, ka marrë një dimension të gjerë politik, ku sipas tij janë shfaqur bollshëm edhe ndikime të jashtme.

Si e lexon Rama protestën

Pikërisht një ditë më vonë, më 9 korrik, në një intervistë për gazetën italiane Corriere della Sera, kryeministri Edi Rama riktheu një nga linjat kryesore të argumentimit të tij që nga nisja e protestës: idenë se ajo ka ndryshuar natyrë gjatë rrugës.

Sipas Ramës, protesta nisi si një reagim qytetar ndaj çështjeve mjedisore, por më pas mori një dimension politik, duke u shoqëruar, sipas tij, edhe me përfshirjen e faktorëve të jashtëm.

 Kryeministri argumentoi se ajo që fillimisht ishte një shqetësim për mbrojtjen e mjedisit u shndërrua sipas tij në një përballje më të gjerë politike ndaj qeverisë, ku referuar tij, janë përfshirë edhe aktorë me interesa jashtë Shqipërisë.

“Me kalimin e javëve protesta ka ndryshuar në thelb. Sot nuk është më vetëm një shqetësim qytetar për mjedisin. Është edhe një protestë politike, e marrë në dorë nga një koalicion opozitash, aktorësh politikë dhe rrjetesh nga jashtë, të cilët kanë një objektiv të përbashkët: të godasin qeverinë. Dhe këtu ekziston edhe një dimension global”, thotë Rama për Corriere.

Ky qëndrim është në vijim të narrativës së ndërtuar prej tij gjatë javëve të para të protestës, ku Rama e ka paraqitur lëvizjen jo vetëm si një shprehje të pakënaqësisë qytetare, por si një terren ku mund të ndërthuren interesa të brendshme politike dhe ndikime të huaja.

“Kudo që shfaqet emri Trump, aktivizohen automatikisht ushtri politike, mediatike dhe digjitale, pro dhe kundër tij. Shqipëria, për shkak të këtij projekti, është shndërruar papritur në një arenë të vogël ku përplasen anti-Trumpistët globalë me Trumpin, ndërsa debati i vërtetë shqiptar mbi mjedisin, zhvillimin dhe ligjin shpesh mbytet nga kjo zhurmë e importuar. Kjo nuk e zhvlerëson asnjë qytetar të sinqertë që proteston. Por unë kam detyrimin të dalloj mes qytetarit që shqetësohet për natyrën dhe fabrikave të histerisë që përpiqen ta përdorin Shqipërinë si skenë për betejat e tyre”, vijon ai.

Kjo intervistë shënoi një rikthim te një tezë që Rama e kishte artikuluar edhe më herët: se protesta nuk mund të lexohej vetëm përmes kërkesave të saj fillestare, por edhe përmes aktorëve dhe ndikimeve që, sipas tij, i kishin dhënë asaj një dimension të ri politik. 

Ky qëndrim e zhvendos debatin edhe te efekti që kanë etiketimet ndaj figurave të veçanta të protestës dhe mënyra se si ato ndikojnë në ndarjet brenda opinionit publik.

Analiza 

Etiketimet si ‘pro iranian’, ‘ekstremist’, ‘kriminel’ ndaj figurave të caktuara të protestës, sipas analistit politik Mentor Nazarko, kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si perceptohet lëvizja dhe në thellimin e ndarjeve brenda opinionit publik.

“Është e vërtetë që ndikojnë në polarizim, brenda dhe jashtë protestës”, vëren Nazarko, duke argumentuar se përballë një goditjeje të fortë ndaj legjitimitetit të tij politik, Rama ka zgjedhur të reagojë ashpër ndaj disa prej zërave që janë shfaqur në krye të protestës.

Sipas Nazarkos, kjo qasje do të prodhonte një polarizim edhe më të madh nëse do të ishte i vetmi regjistër komunikimi i kryeministrit. 

Megjithatë, ai vëren se Rama ka ndërthurur sulmet ndaj disa figurave me mesazhe dialogu dhe mirëkuptimi ndaj asaj që ai e konsideron si “pjesa e shëndetshme” e protestës.

“Nëse Rama do të fliste vetëm në këtë regjistër sulmues, me siguri polarizimi do të ishte ekstrem, por Rama lëshon edhe mesazhe dialogu, mirëkuptimi me pjesën e shëndetshme, – sipas tij- , të protestës. Është dhe betejë për kohën, ndonëse është e qartë se Rama ka humbur shumë në legjitimitetin e tij”, shprehet Nazarko.

“Më shumë taktikë se sa strategji”

Për analistin Mentor Nazarko, përqendrimi i Ramës te figura të veçanta të protestës nuk duhet lexuar domosdoshmërisht si një strategji e mirëfilltë, por më shumë si një taktikë komunikimi e përdorur në përballje me një lëvizje të gjerë dhe heterogjene.

“Rama është i vetëdijshëm dhe shumë i informuar për masivitetin e protestës, spontanitetin, apo natyrshmërinë e saj, laramaninë apo laraganinë e saj, që është burim kryesor i fuqisë së saj në fakt.

Është një protestë që frymëzohet nga ndenja e pabarazisë së përgjithshme shoqërore, politike, ekonomike, pasojë e padrejtësisë dhe arbitraritetit. 

Ndërkohë do të ishte thjeshtëzuese të mos mendoje se në kurrizin e madh popullor, madhështor të protestës që ka këtë lajtmotiv kryesor, të mos kenë hipur për përfitime politike, për destabilizim, aktorë të brendshëm politikë, apo ndërkombëtarë, që nga sheshet e Tiranës, ndërkombëtarizojnë betejat e tyre jashtëshqiptare, me karakter global”, vëren ai për Faktoje.

Në këtë kontekst, Nazarko e vendos qasjen e Ramës brenda një modeli të njohur të komunikimit politik të kryeministrit, i cili zgjedh të përballet drejtpërdrejt me kundërshtarët dhe publikun.

Sipas tij, synimet e kësaj taktike ku evidentohen disa figura të protestës mund të lidhen me disa objektiva: 

“Synimet e supozueshme të kësaj taktike ramiane janë: dekurajim i publikut të gjerë, pjesës gri të popullsisë që është në protestë apo e sheh me simpati atë; balancimi i narrativës pozitive të raportuar në mediat ndërkombëtare rreth protestës; konfirmim i pretendimeve të mëparshme si aluzione për ndërhyrje të aktorëve të jashtëm, dekurajim i figurave të sulmuara për rol protagonist; nxitje të përçarjes brenda protestës mes grupeve të ndryshme, properëndimore, me ato sovraniste, proislamike, futje në mendime të kancelarive të përfshira në protestë që janë kritike ndaj tij, etj.”

Përhapja vertikale e narrativës në radhët e PS-së

Në ditët që pasuan, narrativa e Ramës për të “reduktuar” protestën në disa figura të identifikueshme, u përhap vertikalisht edhe brenda radhëve të Partisë Socialiste.

Kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla, në një deklaratë për gazetarët pas seancës plenare të 2 korrikut, pretendoi (duke cituar me emër) se një person i denuar me 20 vjet burg dhe i shpallur në kërkim nga autoritetet e drejtësisë kishte qenë i pranishëm në protestë.

Më tej,  ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale identifikoi (gjatë një përplasje verbale me të, diten kur protesta po zhvillohej në Kuvend) kryetaren e PD-se, dega 9, Eda Grimci njëherazi anëtare e sapozgjedhur e kryesisë, duke mbështetur narrativën se tubimi kishte prapavijë politike.

Arsyet 

Qasjen e njëjtë të eksponentëve të mazhorancës Nazarko nuk e sheh rastësore, por si pjesë e një përpjekjeje për të mbajtur nën kontroll narrativën publike dhe për të kundërshtuar perceptimin e një kryeministri të vetmuar përballë protestës.

Ai argumenton se përfshirja e figurave të tjera të kabinetit erdhi pas një faze të parë ku Rama u përball vetë me reagimin ndaj protestës dhe e mori në dorë debatin publik.

Sipas tij, kjo ndodhi brenda një modeli komunikimi ku kryeministri, siç ka bërë edhe më herët, tentoi të monopolizojë debatin publik, për mirë apo për keq.

“Kjo qasje krijoi idenë e vetmisë së akullt rreth e rrotull tij dhe të skenarëve se si do të rrëzohej nga brenda”, argumenton analisti.

Në këtë kuptim, sipas Nazarkos, dalja në skenë e figurave të tjera pranë Ramës me të njëjtën qasje shërbeu edhe për të përcjellë një mesazh politik: se kryeministri nuk ishte i izoluar dhe se brenda Partisë Socialiste nuk kishte shenja çarjeje apo tërheqjeje.

“Ansambli pranë tij erdhi në skenë për të akredituar tezën se ai, tabela e qitjes së dhjetëra mijëra individëve në rrjete sociale, nuk është vetëm”, vëren Nazarko.

The post Komunikimi politik i Ramës përballë protestës dhe non gratat e para appeared first on Faktoje.al.

Mes bojkotit, reklamës dhe pikëpyetjeve për efektin ekonomik, YE ndez debat publik në Tiranë

9 July 2026 at 17:24

Nga Jona Cenameri

Dy ditë para koncertit të Kanye West në Tiranë, në rrjete sociale po bëhen thirrje për bojkot, ndërsa sot pati edhe një protestë para Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit kundër financimit të eventit me para publike.

Shkak u bë një kthesë në qëndrimin e qeverisë: koncerti që në maj u prezantua si event privat, pa fonde buxhetore shtesë, u mbështet më 6 korrik me 400 milionë lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Ministria

Në informacionin zyrtar që shpërndau për mediat në 25 maj, ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e paraqiti eventin si “tërësisht privat”. 

Sipas ministrisë, koncerti do të financohej dhe menaxhohej nga bashkëpunimi mes kompanisë ndërkombëtare Streetlife dhe partnerit Redcloud në Tiranë.

Në të njëjtin dokument thuhej se organizatorët do të mbulonin kostot për infrastrukturën e përkohshme, produksionin artistik dhe realizimin teknik të koncertit.

“Është e rëndësishme të theksohet se për këtë projekt nuk ka fonde buxhetore të angazhuara shtesë; angazhimi i shtetit mbetet në rrafshin e kontributeve institucionale dhe mbështetjes logjistike”, thuhej në informacionin e ministrisë.

Në atë fazë, ministria e paraqiste rolin e shtetit si mbështetje për koordinim, siguri, logjistikë dhe mbarëvajtje, jo si financues të eventit.

Çfarë tha Blendi Gonxhja?

Të njëjtën linjë mbajti edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja. Më 1 maj, ai deklaroi publikisht se shteti nuk do të mbulonte kostot e organizimit të eventit.

“Asnjë fond i shtetit shqiptar nuk shkon për organizimin e eventit, skenën dhe gjithë logjistikën e koncertit. Mbështetja jonë është në kapacitete njerëzore, për pjesën jashtë dhe të mbarëvajtjes së eventit”, u shpreh Gonxhja.

Pas miratimit të aktit normativ, ministri pranoi se qëndrimi fillestar kishte ndryshuar.

“Ne nuk e kishim parashikuar me financim shtetëror në fillim, por ne jemi këtu, ne jemi prezentë, ne gjykojmë, ne shikojmë në rast se ka një kërkesë. Dhe kur kjo kërkesë vjen, ne shikojmë një rrezik, ne shikojmë një humbje dhe ne shikojmë që duhet ta garantojmë eventin, sepse të mirat që marrim nga eventi janë shumë më të mëdha sesa minusi”, tha ai në një intervistë televizive.

Gonxhja kundërshtoi cilësimin se paratë janë marrë nga fondi i emergjencave.

“Ky nuk është fond, le të themi, i fatkeqësive natyrore apo i fatkeqësive kombëtare. Ky është, fare thjesht, fondi rezervë i qeverisë shqiptare”, tha ministri.

Sipas tij, vendimi nuk prek fonde të spitaleve apo programeve të tjera.

“Nuk është prekur fondi i askujt spitali, i askujt programi, i askujt, në asnjë lloj forme”, deklaroi Gonxhja.

Çfarë vendosi qeveria?

Më 6 korrik 2026, Këshilli i Ministrave miratoi Aktin Normativ nr. 3, “Për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare”.

Akti normativ mbështetet në nenin 101 të Kushtetutës. Ky nen parashikon se Këshilli i Ministrave, “në rast nevoje dhe urgjence”, mund të nxjerrë akte normative me fuqinë e ligjit për marrjen e masave të përkohshme. 

Në nenin 1 të aktit parashikohet financimi i pjesshëm i koncertit të Kanye West, që do të zhvillohet në Tiranë më 11 korrik 2026, në masën 400 milionë lekë.

Në nenin 2 përcaktohet se kjo shumë pakësohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe i shtohet Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit në zërin “Transferta të brendshme”, programi “Zhvillimi i turizmit”. Akti autorizon ministrinë të nënshkruajë marrëveshjen me kompaninë organizatore të eventit për disbursimin e fondit.

Relacioni

Relacioni shoqërues e justifikon aktin me nevojën dhe urgjencën. Sipas dokumentit, eventi ka ndikim në promovimin e turizmit dhe të imazhit të Shqipërisë.

Dokumenti pranon se organizatorët nuk kishin aplikuar më parë për mbështetje financiare sipas procedurave standarde të parashikuara në ligjet për artin, kulturën dhe turizmin. Sipas relacionit, kjo situatë e bëri të nevojshëm përdorimin e aktit normativ.

“Nevoja për ndërhyrje financiare ka lindur si pasojë e krijimit të një situate objektive dhe të paparashikueshme gjatë fazës së organizimit të aktivitetit, e cila ka sjellë rritje të konsiderueshme të kostove dhe nevojën për përmbushjen e disa detyrimeve kontraktore me rëndësi thelbësore për realizimin e tij”, thuhet në relacion.

Urgjenca e paraqitur nga qeveria nuk lidhet me rrezikun që koncerti të mos realizohej.

“Urgjencën e teston Gjykata Kushtetuese”

Konstitucionalistja Migena Leskoviku thotë se, nga ana formale, akti normativ ka bazë kushtetuese, pasi neni 101 i jep qeverisë kompetencën të nxjerrë akte normative me fuqinë e ligjit në raste nevoje dhe urgjence. Por, sipas saj, debati qëndron te mënyra si është interpretuar urgjenca në këtë rast.

Leskoviku sqaron fillimisht se fondi i përdorur nuk është fond emergjencash civile.

“Akti e ka cilësuar taksativisht: 400 milionë lekët merren nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, jo nga fondi i emergjencave”, shprehet ajo.

Sipas saj, fondi rezervë mund të përdoret për emergjenca apo për raste të veçanta, përfshirë aktivitete apo evente me rëndësi të caktuar, por kjo nuk e shmang pyetjen kryesore: a përbën ky rast “nevojë dhe urgjencë” në kuptimin kushtetues?

“I vetmi problem në këtë rast është interpretimi: a jemi në kushtet e nevojës dhe urgjencës? Kompetencën Këshilli i Ministrave e ka, por a është i vlefshëm ky akt në kuptimin e përmbajtjes dhe justifikimit të urgjencës, këtë mund ta thotë vetëm Gjykata Kushtetuese”, thotë Leskoviku.

Sipas saj, një ankimim në Gjykatën Kushtetuese do të ishte testi real për aktin, por edhe për shoqërinë civile dhe aktivistët që po e kundërshtojnë vendimin.

“Pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese jemi në analizë. Një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese do të kishte shumë vlerë për të parë si qeveria e përdor këtë kompetencë përjashtimore që i ka dhënë Kushtetuta”, përfundon Leskoviku.

Rama

Kryeministri Edi Rama e pranoi publikisht ndërhyrjen financiare të shtetit pas daljes së aktit normativ.

“Që në fillim ne kemi firmosur vetëm një letër gatishmërie si mikpritës, ku kemi garantuar përveç mikpritjes sigurisht, siguri dhe mbështetje logjistike, duke theksuar se nuk marrim përsipër asnjë angazhim financiar. Asnjë angazhim financiar!” deklaroi Rama.

Më pas, ai shpjegoi arsyen pse qeveria vendosi të ndërhyjë.

“Por si i bëhet kur je i detyruar ‘in extremis’, të ndërhysh siç bëmë faktikisht vetëm mbrëmë, me 4 milionë euro, për të mos lejuar anulimin e një koncerti të shumëpritur dhe turpërimin e Shqipërisë”, tha kryeministri.

Në një tjetër reagim publik, Rama shkroi se 4 milionë eurot u dhanë “në minutën e fundit” për të mos turpëruar Shqipërinë “në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete” që, sipas tij, kishin blerë bileta për koncertin. Sipas Ramës, eventi pritet të gjenerojë jo më pak se 100 milionë euro të ardhura.

Sa qëndron argumenti ekonomik?

Qeveria e ka justifikuar financimin publik me efektin ekonomik dhe turistik të koncertit. Por deri tani nuk është bërë publike një analizë kosto-përfitim që të tregojë sa bileta janë shitur në total, sa prej tyre janë blerë nga shtetas të huaj, sa net-qëndrime priten, sa shpenzime do të gjenerohen dhe sa të ardhura fiskale mund t’i kthehen buxhetit.

Në informacionin fillestar të ministrisë argumentohej se një projekt me 60 mijë spektatorë mund të gjeneronte një qarkullim ekonomik prej rreth 100 milionë eurosh, përmes efektit multiplikator.

Sipas ministrisë, nëse 60 mijë njerëz shpenzojnë mesatarisht 500-1000 euro, përfshirë biletën, fjetjen dhe ushqimin, shifra mund të arrijë në 30-60 milionë euro. Ministria argumentonte gjithashtu se çdo 1 euro e shpenzuar nga turistët mund të kthehet në 2-2.5 euro qarkullim total në ekonomi.

Revista ekonomike “Monitor” ka raportuar të dhëna që e vendosin këtë pritshmëri në pikëpyetje.

Sipas “Monitor”, kompania organizatore RedCloud kishte bërë të ditur se deri në fund të majit ishin shitur rreth 25 mijë bileta. Po sipas “Monitor”, pragu që koncerti të rezultonte ekonomikisht i leverdishëm ishte rreth 40 mijë bileta, ose 67% e kapacitetit.

Biletat për koncertin variojnë nga 120 deri në 339 euro, ndërsa organizatorët kanë deklaruar një çmim mesatar prej 240 eurosh. “Monitor” ka llogaritur se, në rast shitjeje të plotë, të ardhurat nga biletat do të arrinin rreth 14-15 milionë euro, ndërsa vetëm pagesa e artistit është deklaruar në rreth 7 milionë euro.

Sipas “Monitor”, interesi nga sponsorët vendas ka qenë i ulët, për shkak të paketave të sponsorizimit prej 250-300 mijë euro dhe hezitimit të kompanive për shkak të imazhit kontrovers të artistit.

Në terren, në sportelin pranë sheshit “Skënderbej”, çmimi më i ulët i biletës ishte 120 euro. Punonjësja e sportelit nuk kishte informacion mbi numrin e biletave të shitura apo të mbetura. Ajo tha se shitja do të vijonte edhe më 9 korrik, ndërsa nuk ishte e sigurt nëse sporteli do të qëndronte hapur edhe më 10 korrik, një ditë para koncertit. Sipas saj, qarkullonin informacione se çmimet mund të uleshin deri në momentin e fundit.

Argumentet  

Ekspertja e ekonomisë, Irena Beqiraj, thotë se mbështetja financiare për aktivitete të artit, kulturës apo turizmit duhet të kalojë përmes procedurave standarde të vlerësimit dhe jo përmes një akti normativ të miratuar në ditët e fundit.

“Relacioni nuk ka asnjë matje të interesit publik, përfitimeve ekonomike, turistike dhe promovuese të aktivitetit. Mjaftohet me shprehjen pa asnjë kuptim ekonomik e financiar:‘efekt i theksuar turistik”, thotë Beqiraj.

Sipas saj, nëse qeveria do të kishte një përllogaritje reale për ndikimin ekonomik, ajo duhej të paraqitej në relacionin e aktit normativ.

“Nëse një llogaritje e ndikimit përfundimtar ekonomik do të ekzistonte, ajo do të shpjegohej me shifra në relacionin e aktit normativ, duke filluar me të dhënat e kapacitetit, përqindjen e vizitorëve jashtë qytetit dhe multiplikatorin ekonomik”, argumenton Beqiraj.

Për Beqirajn, shifra prej 100 milionë eurosh e përmendur nga kryeministri nuk është shifër zyrtare, për sa kohë nuk gjendet në dokumentacionin që shoqëron aktin.

“Ndërsa relacioni nuk përmban asnjë përllogaritje apo vlerësim sasior, qoftë edhe një shifër të vetme të ndikimit në ekonomi të këtij eventi, Kryeministri e deklaron atë në Facebook”, thotë ajo.

Turizmi

Përfaqësues të sektorit të turizmit japin vlerësime të ndryshme mbi efektin e koncertit.

Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, thotë se hotelet në Tiranë dhe Durrës kanë pasur prenotime për datat e koncertit dhe se interesi ka ardhur kryesisht nga rajoni.

“Janë interesuar dhe kanë prenotuar hotelet e Tiranës e Durrësit prej një muaji dhe ato data kanë qenë të zëna. Klientët kanë qenë nga Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Kosova”, thotë Topuzi për Faktoje.

I pyetur nëse këto prenotime lidhen me koncertin apo me sezonin veror, Topuzi përgjigjet se datat ishin prenotuar përpara se hotelet të mbusheshin nga sezoni. Sipas tij, kjo lidhet me koncertin.

Operatori turistik Besnik Vathi thotë se nuk mund të nxirren përfundime pa të dhëna të plota.

“Në parim, çdo event është jashtëzakonisht me efekt për rritjen dhe diversifikimin e turizmit. Por nuk i kam të dhënat se sa është rritur prenotimi në hotele apo shërbimet e tjera”, thotë Vathi për Faktoje.

Sipas tij, për të matur efektin duhen të dhëna nga hotelet dhe një krahasim me javët e tjera.

“Nuk besoj se ka ndonjë që të nxjerrë konkluzione pa pasur shifra totale të Tiranës”, shton ai.

Ndryshimi i narrativës

Për pedagogun e komunikimit dhe ekspertin e hapësirës publike, Ervin Goci, problemi qëndron te ndryshimi i narrativës zyrtare.

“Narrativa mund të gjykohet nga pikëpamja e komunikimit kur ndryshon stili dhe forma e një mesazhi, por kur bëhet fjalë për të portretizuar realitetin dhe ripropozuar faktet, këtu kemi të bëjmë me manipulim”, thotë Goci për Faktoje.

Sipas tij, debati nuk lidhet vetëm me koncertin, por me raportin mes pushtetit, parasë publike dhe transparencës.

“Kjo aferë e radhës rikonfirmon që qeveria sot ekziston si hallkë e ndërmjetme e transferimit të punës dhe djersës së qytetarëve te klientët e tyre”, shprehet ai.

Si lexohet vendimi 

Prof.Dr. Fatos Tarifa e lexon këtë vendim në kontekstin e mosbesimit të qytetarëve ndaj qeverisë.

“Kjo qeveri dhe ky kryeministër kanë humbur tërësisht besimin e publikut. Këtë besim e kanë humbur për shkak të sjelljes së tyre për një kohë të gjatë, duke dhënë premtime që nuk i mbajnë”, thotë Tarifa.

Sipas tij, financimi i koncertit me para publike në një periudhë protestash e rrit irritimin qytetar.

“Një gjë e panevojshme financohet nga shteti në një kohë kur vendi ka mungesa të shumta në fushën e shëndetit publik, në fushën e arsimit, ka pensione të vajtueshme për një pjesë të madhe të pensionistëve”, argumenton Tarifa për “Faktoje”.

Bojkot, reklama dhe bileta falas

Thirrjet për bojkot në rrjetet sociale u shoqëruan me kritika nga figura publike, gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile, që kërkuan llogari për përdorimin e fondeve publike për një koncert në një periudhë protestash.

Në ditët e fundit para koncertit, krahas shitjes online dhe në sportel, në rrjete sociale kanë qarkulluar edhe mesazhe për shpërndarje biletash falas.

Në një screenshot të një mesazhi të shpërndarë në rrjet, thuhej se nxënësve me arritje të veçanta do t’u jepeshin bileta falas për koncertin e Kanye West.

Më 5 korrik, biznesmeni Gjergj Luca njoftoi shpërndarjen e 200 biletave falas për maturantë dhe nxënës të shkëlqyer nga Shkodra dhe Elbasani. Ai u bëri thirrje edhe miqve të tij të bënin të njëjtën gjë.

Në sportelin e shitjes së biletave pranë sheshit “Skënderbej”, punonjësja tha për Faktoje se kishte dëgjuar që mund të jepeshin bileta për nxënës të shkëlqyer, por nuk kishte informacion zyrtar mbi këtë praktikë.

Qarkullimi i këtyre mesazheve dhe rritja e dukshme e reklamimit të koncertit në ditët e fundit nuk provojnë në vetvete se shitjet kanë qenë të dobëta. Por, në mungesë të të dhënave zyrtare mbi numrin e biletave të shitura, ato shtojnë pyetjet mbi ecurinë reale të shitjeve dhe mënyrën e shpërndarjes së biletave.

The post Mes bojkotit, reklamës dhe pikëpyetjeve për efektin ekonomik, YE ndez debat publik në Tiranë appeared first on Faktoje.al.

Pacientët e spitalit psikiatrik të Elbasanit, pa analiza laboratorike

9 July 2026 at 12:00

Nga Jona Cenameri

Denoncimet publike për mungesën e analizave laboratorike për pacientët e Spitalit Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan kanë rikthyer në vëmendje mënyrën se si sigurohen ekzaminimet mjekësore për personat e shtruar në këtë institucion.

Pas deklarimeve se pacientët nuk merrnin shërbime laboratorike prej gati tre vitesh, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale i tha Faktoje se Spitali Psikiatrik Elbasan bashkëpunon me Spitalin Rajonal Elbasan për ekzaminimet laboratorike, konsultat e specializuara dhe shërbimet e tjera diagnostike të nevojshme për pacientët e shtruar.

Në përgjigjen zyrtare, ministria bëri me dije gjithashtu se në Spitalin Psikiatrik Elbasan po realizohet një investim që parashikon edhe krijimin e një laboratori të brendshëm. Deri në përfundimin e këtij investimi dhe vënien në funksion të plotë të laboratorit, sipas MSHMS-së, nevojat laboratorike dhe diagnostike të pacientëve do të vijojnë të mbulohen përmes bashkëpunimit me Spitalin Rajonal Elbasan.

Çështja u ngrit publikisht më 11 prill 2026, kur përfaqësuesi i shoqërisë civile Gentjan Sejrani deklaroi se “prej gati tre vitesh rreth 300 pacientë”, të shtruar kronikë në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, nuk merrnin shërbim analizash kur kishin sëmundje apo probleme të tjera shëndetësore.

Sipas Sejranit, pjesa më e madhe e këtyre pacientëve janë persona me sëmundje kronike të shëndetit mendor, ndërsa shumë prej tyre janë të braktisur nga familjet. 

Ai e paraqiti mungesën e analizave si mungesë të kujdesit bazë për një kategori pacientësh që kanë nevojë për vëmendje të vazhdueshme.

Në të njëjtën datë, drejtori i Spitalit Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan, Zenun Bullari, u shpreh se aktualisht pacientët shtrohen në spital pasi vijnë të shoqëruar me analiza biokimike. Sipas tij, vetëm në rastet urgjente analizat kryhen pranë Spitalit Rajonal Elbasan, pasi ky shërbim mungon në Spitalin Psikiatrik.

Denoncimi u përsërit më 26 prill 2026. Sejrani tha se informacionin për mungesën e analizave e kishte marrë nga punonjës të Spitalit Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan, të cilët, sipas tij, nuk kishin guxim ta bënin publik. Ai deklaroi se personeli mjekësor e kishte kontaktuar dhe i kishte thënë se, në disa raste, punonjësit kishin paguar vetë që pacientët të kryenin analiza në laboratorë privatë.

“Nëse Ministria e Shëndetësisë më nxjerr një kontratë të nënshkruar midis saj dhe Spitalit Psikiatrik ‘Sadik Dinçi’ në Elbasan për të ofruar analiza për këta pacientë, unë mbaj përgjegjësi”, u shpreh Sejrani.

Çështja u përmend edhe më 19 prill 2026, gjatë një mbledhjeje të Partisë së Lirisë, ku folën deputetë dhe anëtarë të grupit parlamentar të kësaj force politike. Në takim, mjeku Gentian Çala deklaroi se Spitali Psikiatrik i Elbasanit ishte lënë jashtë koncesionit të laboratorëve.

“Spitali më i madh psikiatrik në vend nuk bënte analiza sepse ishte lënë jashtë koncesionit të laboratorëve”, tha Çala. Ai shtoi se kjo situatë kishte vënë në vështirësi edhe mjekët, pasi sipas tij nuk kishin mundësi t’u kryenin analiza pacientëve.

Çala solli edhe një shembull nga përvoja e tij, duke thënë se kur dërgonte pacientë nga Pogradeci në Elbasan, i dërgonte me analiza të kryera paraprakisht. Sipas tij, kjo bëhej sepse kolegëve në spital “u vinte keq” t’u kërkonin pacientëve t’i kryenin analizat në privat.

Për Faktoje, psikiatri Neli Demi e vendosi këtë çështje në kontekstin më të gjerë të funksionimit të shërbimeve të shëndetit mendor në vend. Ai tha se spitalet psikiatrike duhet të shërbejnë për stabilizimin e pacientëve në krizë dhe jo si vendqëndrim afatgjatë për persona me probleme kronike të shëndetit mendor.

Demi theksoi se, në sfondin e sëmundjeve mendore, problemet shëndetësore organike shpesh mund të kalojnë pa u vënë re dhe pa u ekzaminuar siç duhet. Duke iu referuar lajmeve të fundit në rrjetet sociale për mungesë kontrate të Spitalit Psikiatrik të Elbasanit me laboratorët prej tre vitesh, ai tha se, nëse kjo qëndron, do të përbënte një problem serioz administrativ dhe institucional.

“Lajmet e fundit në rrjetet sociale flasin për një mungesë kontrate të spitalit të Elbasanit me laboratorët prej tre vitesh, pra këta individë që shtrohen në spitalin e Elbasanit nuk marrin shërbime laboratorike. Për mendimin tim ky është një skandal jo vetëm administrativ”, tha Demi për Faktoje.

Faktoje iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për të marrë një sqarim zyrtar mbi mënyrën se si sigurohen analizat laboratorike për pacientët e shtruar në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit.

Në përgjigje, ministria tha se çështjet që lidhen me organizimin e brendshëm të shërbimeve, funksionimin e strukturave përkatëse dhe të dhënat specifike operative administrohen nga vetë Spitali Psikiatrik Elbasan dhe mund t’i adresohen drejtpërdrejt këtij institucioni.

Megjithatë, MSHMS sqaroi (pas ankimimit të kërkesës nga Faktoje) se Spitali Psikiatrik Elbasan bashkëpunon me Spitalin Rajonal Elbasan për sigurimin e ekzaminimeve laboratorike, konsultave të specializuara dhe shërbimeve të tjera diagnostike të nevojshme për pacientët e shtruar.

“Spitali Psikiatrik Elbasan bashkëpunon me Spitalin Rajonal Elbasan për sigurimin e ekzaminimeve laboratorike, konsultave të specializuara dhe shërbimeve të tjera diagnostike të nevojshme për pacientët e shtruar, duke garantuar vazhdimësinë dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Faktoje.

Ministria shtoi se, në kuadër të politikave për forcimin e kapaciteteve të institucioneve shëndetësore, aktualisht po realizohet një investim në Spitalin Psikiatrik Elbasan, i cili parashikon edhe krijimin e një laboratori të brendshëm.

“Deri në përfundimin e këtij investimi dhe vënien në funksion të plotë të laboratorit, nevojat laboratorike dhe diagnostike të pacientëve do të vijojnë të mbulohen nëpërmjet bashkëpunimit me Spitalin Rajonal Elbasan, në përputhje me procedurat dhe nevojat klinike të institucionit”, thuhet më tej në përgjigjen e MSHMS-së.

Investimi në Spitalin e ri Psikiatrik të Elbasanit u bë publik në gusht të vitit 2024 nga ministrja e Shendetësisë në atë kohë, Albana Koçiu. Ajo e përshkroi projektin si “një strukturë të re jo vetëm moderne, por edhe funksionale sipas koncepteve bashkëkohore të menaxhimit spitalor”.

Sipas njoftimit, godina do të ishte 3270 metra katrorë dhe do të akomodonte 70-80 pacientë, me 26 dhoma, 2 mensa dhe 2 dhoma rekreacioni.

“Mbetemi të angazhuar për të investuar në shëndetin, mirëqenien dhe dinjitetin e qytetarëve. Shëndeti mendor është një prioritet kritik për shoqërinë në tërësi”, deklaronte ministrja.

Nga përgjigjja e MSHMS-së për Faktoje rezulton se Spitali Psikiatrik i Elbasanit nuk ka ende një laborator të brendshëm në funksion të plotë. Ministria thotë se analizat laboratorike dhe shërbimet e tjera diagnostike për pacientët e shtruar mbulohen përmes bashkëpunimit me Spitalin Rajonal Elbasan, ndërsa laboratori i brendshëm pritet të vihet në funksion pas përfundimit të investimit.

MSHMS nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes nëse Spitali Psikiatrik i Elbasanit ka mbetur jashtë koncesionit të laboratorëve dhe si janë kryer analizat e pacientëve gjatë periudhës së pretenduar në denoncimet publike. 

Ministria nuk dha as të dhëna se sa analiza laboratorike janë raportuar si të kryera gjatë vitit të fundit për këtë spital dhe nuk specifikoi cilat lloje analizash kryhen brenda institucionit. Për të dhënat operative, ministria e referoi Faktojen tek vetë Spitali Psikiatrik Elbasan.

The post Pacientët e spitalit psikiatrik të Elbasanit, pa analiza laboratorike appeared first on Faktoje.al.

Java e 6-të, si po ndryshon protesta, nga flamingot tek lodhja që nuk dorëzohet

8 July 2026 at 14:11

Në javën e gjashtë, protesta kundër projektit në Pishë Poro-Nartë hyn në një fazë më të lodhur, por më të ashpër: pjesëmarrja luhatet, kërkesat politike bëhen më të dukshme, çështja rikthehet në Parlamentin Europian, ndërsa tensionet me policinë dhe dilemat për mënyrën si duhet të vazhdojë lëvizja e bëjnë sheshin më të brishtë, por ende të pranishëm.

Nga Jona Cenameri

Në javën e gjashtë të protestës, dy të rinj që kanë qenë aty prej ditëve të para shihen rastësisht në sy dhe buzëqeshin.

Pa thënë shumë, si njerëz që e dinë se janë lodhur, por edhe se ende nuk janë dorëzuar.

Sepse pas 38 ditësh, protesta kundër planeve per nje resort turistik në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës nuk matet më vetëm me numrin e njerëzve në shesh. Matet edhe me ata që vijnë vonë pas pune, me ata që qëndrojnë vetëm disa minuta, me ata që pyesin njëri-tjetrin “ishe dje?”, me ata që janë larguar jashtë vendit, por vazhdojnë ta mbështesin nga rrjetet sociale.

Kur protesta nisi më 31 maj, askush nuk mund ta parashikonte se korriku, në vend që t’i gjente shqiptarët plazheve, do t’i gjente ende në shesh.

Por në javën e gjashtë të saj, ajo që nisi si kundërshtim ndaj një projekti ende te pamiratuar në Zvërnec është kthyer në një revoltë më të gjerë kundër mënyrës se si merret vendimi publik, si trajtohet prona e përbashkët, si sillet shteti me qytetarët dhe si përgjigjet pushteti kur sfidohet.

“Ka ndryshuar shumë”, thotë një burrë i moshës së mesme, që e përmbledh protestën me një fjali: “Nga rezistencë ndaj një projekti, në një protestë të bindur kundër një modeli të shtrembër qeverisjeje”

Në fillim ishte Zvërneci.

Ishin pamjet e gardhit dhe të buldozerëve, përplasjet me banorë e aktivistë, tërheqja zvarrë e një banori te Zvërnecit nga policia private, në sy të Policisë së Shtetit. 

FOTO NGA JONA CENAMERI

Tirana 

Ishte debati për zonën e mbrojtur, ndryshimet ligjore, mungesa e transparencës dhe frika se një prej ekosistemeve më të rëndësishme të vendit po i hapej rrugë betonizimit.

Revolta më pas u zhvendos në Tiranë.

Filloi me 31 Majin, ndërsa më 1 qershor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, turma nisi e paqartë, e përzier me një protestë tjetër në Sheshin “Skënderbej”. 

Pak nga pak, përmes thirrjeve dhe megafonit, u nda drejtimi: për Nartën, drejt Ministrisë së Mjedisit.

Për atë që protestuesit e shihnin si një “projekt që po avanconte pa transparencë dhe në dëm të pasurisë publike”.

Nuk kishte një lider të vetëm, nuk kishte një podium që kontrollonte turmën dhe nuk kishte as një mesazh të vetëm. Njerëzit kishin dalë për Zvërnecin, por flisnin edhe për korrupsionin, largimin nga vendi, pensionet, shëndetësinë, mungesën e perspektivës, mediat, policinë, qeverinë, opozitën.

 Thirrja që e mbylli natën e parë ishte e thjeshtë:

“Nesër më shumë!”

Në ditët e para, protesta mori fytyrën e brezit Gen Z.

Në vend të pankartave tradicionale politike, në shesh u shfaqën meme, anime, batuta televizive, screenshot-e nga Spotify, ilustrime me inteligjencë artificiale dhe flamingo që u kthyen shpejt në simbol të lëvizjes.

Foto nga Jona Cenameri

TikTok-u, Instagram-i dhe protesta dukej sikur ishin shkrirë në një. 

Një video bëhej story, një pankartë kthehej në meme, një mik ftonte një mik tjetër, një repost mblidhte dhjetëra njerëz të rinj në shesh.

Në ato ditë, protesta kishte humor dhe ritëm

Ishte e ashpër në thirrje, por e lehtë në formë. Kishte zemërim, por edhe lojë. Kishte patriotizëm, por edhe ironi. Kishte flamuj, daulle, këngë, pankarta dhe fotografi të pafundme nga telefonat e të rinjve.

“Protesta ka qenë madhështore tre ditët e para”, thotë një student 20-vjeçar nga Tirana.

Por sipas tij, diçka ndryshoi kur protesta nisi të marrë më shumë formë.

“Në momentin që u vendos fonia, u kthye në miting partie. Mos flasim për nivelin që dalin dhe flasin. Hiqni foninë, kthejeni protestën e njerëzve, jo të hierarkisë”, thotë ai, pa dashur të identifikohet më emër.

Foto nga Jona Cenameri

Debati 

Ky është një nga debatet që vazhdon ta shoqërojë protestën nga brenda.

A duhet të vazhdojë të jetë një protestë që udhëheq vetveten? Apo duhet të ketë strukturë, kërkesa të artikuluara, folës dhe përfaqësim?

Në ditët e para, mungesa e një drejtuesi ishte forca e saj. Në javën e gjashtë, e njëjta mungesë është edhe dilemë.

Kërkesat 

Që në ditët e para, protesta pati pesë kërkesa të artikuluara.

Protestuesit kërkuan dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë, anulimin e paketës së ashtuquajtur të “maleve”, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, si dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore, të cilat sipas tyre rrezikojnë pasuritë natyrore dhe historike të vendit.

Në fillim, kërkesat ishin të lidhura me kauzën mjedisore, trashëgiminë kulturore dhe modelin e zhvillimit që protestuesit e shihnin si të orientuar drejt interesave private.

Por me kalimin e ditëve, ato u zgjeruan.

Foto nga Jona Cenameri

Platforma 

Në ditën e 23-të të protestës, grupi organizator doli me kërkesa më të gjera politike, ku përfshihej dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë, krijimi i një qeverie teknike tranzitore jopartiake me mandat 12-mujor, ndryshime kushtetuese dhe zgjedhore, ruajtja e kërkesave fillestare për ligjet e kontestuara, si dhe hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit.

Ishte momenti kur protesta tentoi të përkthehej në një platformë më të plotë politike.

Pak ditë më vonë, një grup prej 13 firmëtarësh publikoi një ultimatum në emër të “Grupit Koordinues”.

Pikëpyetja 

Por në shesh, kjo nuk e zgjidhi pyetjen e përfaqësimit.

Për shumë protestues, ultimatumi ekziston më shumë në rrjete sociale dhe në kronika mediatike sesa në përditshmërinë e protestës. Po t’i pyesësh në shesh, jo të gjithë e dinë që ekziston. Jo të gjithë dinë çfarë përmban. Jo të gjithë dinë kush e ka firmosur. Dhe jo të gjithë ndihen të përfaqësuar prej tij.

Në shesh, secili duket se vjen ende me hallin e vet.

Një banor flet për Zvërnecin, flet për frikën se një ditë mund të mos e njohë më vendin e tij.

Një aktivist flet për ligjin e zonave të mbrojtura, për ligje që ndryshojnë pa u dëgjuar qytetarët.

Një i ri kërkon dorëheqjen e Ramës, sepse nuk ndihet më i përfaqësuar.

Një qytetar përballë policisë flet për shtetin që duhet ta mbrojë, por që shumëkush në protestë e përjeton si mur.

Një tjetër kritikon mediat, sepse ndien se ajo që ndodh në shesh nuk tregohet siç shihet nga aty.

Një vajzë flet për motrën që nuk merr shërbimin shëndetësor që i duhet dhe për lodhjen e një familjeje.

Një prind flet për arsimin, për fëmijët dhe për pyetjen se çfarë vendi po u lihet pas.

Një pensionist flet për pamundësinë ekonomike dhe për një pleqëri pa dinjitet.

Prandaj edhe pse protesta ka tashmë kërkesa të shkruara, një platformë politike, një ultimatum dhe një grup firmëtarësh, ajo nuk është shndërruar ende në një trup të vetëm politik.

Organizatorët flasin në emër të protestës. Por sheshi vazhdon të flasë në shumë zëra.

Foto nga Jona Cenameri

Kërkesa që nuk ndryshon 

Në mbrëmje, megjithatë, kërkesa që dëgjohet më fort mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. 

Ajo përsëritet nga fonia, nga turma, nga pankartat dhe nga grupet që marshojnë çdo natë para Kryeministrisë.

Zvërneci ishte shkëndija.

Por nuk është më e vetmja arsye pse njerëzit dalin.

Një e re, emigrante në vendet e Bashkimit Europian, thotë se duhet të largohet sërish në javën e tretë të korrikut. Por që prej nisjes së protestës ka lënë punët e saj dhe ka qëndruar në shesh pa afat.

Thotë se do të kthehet prapë.

Një tjetër i ri, content creator që jeton në Londër, vijon ta mbështesë protestën nga Instagrami pasi iu desh të largohej nga Shqipëria.

Një 30 e ca vjeçar nga Tirana e quajti veten “dezertor” sepse kishte ikur disa ditë me pushime.

Të tjerë vijnë një ditë po, një ditë jo. Disa nuk arrijnë dot në fillim dhe bashkohen më vonë. Disa qëndrojnë vetëm pak minuta.

Diaspora 

Kulmi i pjesëmarrjes u ndie në fundjavën e 20 dhe 21 qershorit. Në ato ditë, sheshi ishte më i mbushur, energjia më e fortë dhe vëmendja ndërkombëtare më e dukshme. 

Njerëz nga diaspora por edhe Kosova e Maqedoni e Veriut ishin aty  për t’iu bashkuar protestës.

Eurodeputetët

Deputetë të Parlamentit Europian vizituan Shqipërinë, folën në protestë, takuan qytetarë dhe zhvilluan takime edhe me ministrin e Mjedisit. Në qershor, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë për Shqipërinë ku kërkohej moratorium i menjëhershëm në Vjosë-Nartë dhe rishikimi i ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura, duke shprehur shqetësim për zhvillimet në zonë.

Më 1 korrik, “Revolucioni i Flamingove” u rikthye sërish në Parlamentin Europian, këtë herë përmes një takimi diskutimi të organizuar nga eurodeputeti Pasquale Tridico, i grupit The Left, me titull “Demokracia, Shteti i së Drejtës dhe Pjesëmarrja qytetare në Shqipëri”. Në takim morën pjesë europarlamentarë, përfaqësues të partive të majta nga disa vende europiane dhe pjesëmarrës nga shqipëria. Çështja e Vjosë-Nartës u lidh aty me standardet demokratike, shtetin e së drejtës, pjesëmarrjen qytetare, emigrimin dhe raportin e Shqipërisë me procesin e integrimit europian.

Për disa ditë, dukej sikur Pishë Poro-Narta ishte kthyer në një test publik për raportin e Shqipërisë me mjedisin, demokracinë, Bashkimin Europian dhe interesin privat.

Luhajtjet 

Por pas kulmit, pjesëmarrja pati luhatje.

Ishte fund qershori. Pastaj korrik. Vapë, sezon plazhi, pushime të planifikuara prej kohësh dhe lodhje e akumuluar.

Protesta ka kaluar muajin dhe ka hyrë në të dytin.

Nuk ka më çdo mbrëmje të njëjtin vrull të fillimit. Nuk ka më aq shumë pankarta me humor. Nuk ka më aq shumë njerëz që vijnë vetëm nga kurioziteti.

“Është shtuar dhuna”, thotë një profesioniste e re në të 20-at, kur pyetet si ka ndryshuar protesta.

Dhe korriku e ndryshoi tonin.

Foto nga Jona Cenameri

Përplasjet në Kuvend  

Më 2 korrik, protesta e dytë pranë Kuvendit u shënua nga dhuna. Pas saj, pjesëmarrja u shtua sërish, këtë herë jo nga entuziazmi, por nga mllefi.

Për disa ditë, marshimi i protestuesve shkoi drejt Komisariatit nr. 3, ku mbaheshin protestuesit e ndaluar.

Në shesh, thirrjet ndaj policisë u ashpërsuan. Raporti mes qytetarëve dhe Policisë së Shtetit, problematik që prej nisjes së protestës, dukej se ishte thyer.

Në rrjete sociale u bë virale videoja e një qytetareje që qëndronte përballë një polici të rreshtuar pranë Kryeministrisë. 

Në duar mbante një pankartë ku shkruhej: “Jam e zhgënjyer nga ju”

Përfaqësues nga mazhoranca e përdorën dhunën e 2 korrikut si provë se protesta “paqësore” kishte nxjerrë kokën.

Protestuesit, nga ana tjetër, e panë këtë si përpjekje për ta delegjitimuar të gjithë lëvizjen përmes një momenti të vetëm.

Kryeministri Edi Rama, që në fillim kishte shtrirë dorën për një takim publik me një grup protestuesish, më pas e ka mbrojtur projektin dhe ka sulmuar shpesh protestën, figurat që e mbështesin dhe personazhe të veçantë të saj.

Protesta e Zvërnecit nuk është vetëm përballje me shumeçka në vend. Është edhe një moment matjeje publike.

Kush foli? Kush heshti? Kush u pozicionua? Kush u tërhoq?

Dhe kujt do t’i mbahet mend kjo?

Më 4 korrik, në ditëlindjen e kryeministrit, protesta mori sërish formën e satirës.

Në shesh u sollën torta me simbolika të ndryshme. U kënduan këngë. U artikulua sërish kërkesa e përditshme për dorëheqje. Aty u shfaq edhe një arkivol politik për Ramën, një simbolikë që u kritikua ashpër nga përfaqësues të mazhorancës.

Foto nga Jona Cenameri

Kontraditat 

Megjithatë, në javën e gjashtë, kontradiktat janë bërë më të dukshme.

Janë kundër dhunës, por një pjesë e tyre e thotë gjithnjë e më shpesh nën zë se thirrjet nuk po mjaftojnë. Në grupe të rinjsh dëgjon dilema që në fillim nuk artikuloheshin kaq hapur.

A po i vënë në gjumë thirrjet e përsëritura “Rama jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Rama në burg, Berisha në burg”? A duhet ndryshuar taktikë? A po pret qeveria thjesht verën, pushimet, lodhjen? A do të shuhet gjithçka pa prodhuar asgjë?

Në pankarta është kujtuar edhe 21 janari, protesta e Partisë Socialiste kur ishte në opozitë, përplasjet, makinat e djegura, Tirana në flakë dhe katër qytetarët e vrarë.

Për disa protestues, kjo kujtesë ngre pyetjen kryesore të lëvizjes: si prodhohet ndryshimi në një vend ku pushteti nuk tërhiqet nga thirrjet?

Në javën e gjashtë, protesta nuk është më ajo turma e parë që thërriste me entuziazëm “Nesër më shumë”.

Është diçka më e lodhur.

Por ende aty.

The post Java e 6-të, si po ndryshon protesta, nga flamingot tek lodhja që nuk dorëzohet appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar kjo tribunë e ushtarakëve izraelitë dhe shqiptarë

7 July 2026 at 14:43

Pretendimi: Ky imazh tregon kryeministrin shqiptar Edi Rama duke folur për krijimin e Shkollës së Forcave Speciale që do të trajnohen nga Izraeli

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

—————————————————————

Më 3 korrik, gjatë ceremonisë së hapjes së Shkollës Kombëtare të Fluturimit, kryeministri Edi Rama njoftoi planet për të hapur edhe Shkollën kombëtare të Forcave Speciale, “për të sjellë një nga ekselencat botërore të stërvitjes të trajnimit edukimit e certifikimit të forcave speciale nga Izraeli.”

Ky lajm qarkulloi në rrjete sociale, nganjëherë i shoqëruar edhe me një imazhduket se tregon Ramën në podiumin e një skene ku janë ulur ushtarakë shqiptarë e izraelitë, zbukuruar me flamuj të të dyja vendeve. Imazhi ka tërhequr më shumë vëmendje pas protestave për  investimin e kompanisë së Jared Kushner në Sazan dhe Zvërnec dhe narrativave për shitjen e tokës shqiptare ndaj Izraelit.  

Megjithëse lajmi për një bashkëpunim për shkollën e forcave speciale është i vërtetë, imazhi që është përdorur për ta ilustruar rezulton i rremë. Ai është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Një tregues fillestar është emblema e gabuar e Republikës së Shqipërisë, e cila shfaqet në cepin e sipërm, majtas, së imazhit, si një shqiponjë e zezë kurorëzuar me një tjetër shqiponjë të zezë, identike, por më të vogël, mbi një sfond të kuq. Emblema e vërtetë është një shqiponjë e zezë, kurorëzuar me përkrenaren e Skënderbeut, mbi një sfond të kuq.

Stema e gjeneruar (majtas) dhe stema e vërtetë (djathtas)

Kjo konfirmohet nga prania e gjurmës SynthID, detektuar nga Gemini, agjenti AI i Google. 

Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.

SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.

I njejti imazh, i përdorur si ilustrim, është etiketuar në mënyrë të duhur nga faqja rtvpresheva.com si i gjeneruar me inteligjencë artificiale.

The post E gjeneruar kjo tribunë e ushtarakëve izraelitë dhe shqiptarë appeared first on Faktoje.al.

Narrativat që shoqëruan “Revolucionin Flamingo” në rajon

7 July 2026 at 14:10
  • Protestat kundër projektit në Zvërnec nuk mbetën vetëm lajm i brendshëm shqiptar. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, ato u lidhën me narrativa të ndryshme: koordinim të pretenduar rajonal, financim të huaj, teori gjeopolitike, mbështetje të pretenduar për Albin Kurtin dhe video të rreme që nuk ishin filmuar në Shqipëri.

Nga Jona Cenameri

Çfarë i lidh protestat studentore në Serbi me protestat kundër projektit në Zvërnec?

Sipas tabloidit serb Informer, “një rol të rëndësishëm luajti edhe  gazetarja e Faktoje, Jona Cenameri”.  Por,  si? 

Në fund të qershorit, media serbe publikoi një artikull ku pretendonte se pjesëmarrja e Cenamerit (e vetmja gazetare shqiptare e pranishme) në Novi Pazar Youth Summit, raportimet e saj për protestat në Tiranë dhe postimet  (në llogarine e saj private) në rrjetet sociale ishin prova se ajo kishte luajtur rol në lidhjen e protestuesve shqiptare të “Flamingo Revolution” me të ashtuquajturit “bllokues” në Serbi (term i përdorur nga qeveria dhe media pro-qeveritare për studentët që organizojnë bllokada në protestat antiqeveritare të 2 viteve të fundit)

Kësaj narrative iu shtua një artikull i Cenamerit mbi “Revolucionin Flamingo” në Shqipëri tek “Faktoje”, aty ku ajo është gazetare, apo edhe raportimet mbi këtë çështje në rrjetet sociale   

Megjithatë pretendimet nuk shoqëroheshin me prova.

SafeJournalists Network reagoi për rastin, duke sqaruar se samiti ishte aktivitet rajonal i Youth Initiative for Human Rights Serbia për demokracinë, të drejtat e njeriut, lirinë e medias dhe bashkëpunimin rajonal. Sipas rrjetit, artikulli i Informer krijonte një narrativë të pabazuar duke lidhur në mënyrë spekulative pjesëmarrjen e gazetares në aktivitet, raportimin profesional dhe postimet publike.

Cenameri i ka hedhur poshtë pretendimet, duke sqaruar se ka marrë pjesë në samit si gazetare dhe folëse e ftuar, jo si organizatore protestash apo përfaqësuese e ndonjë lëvizjeje politike. 

Artikujt e publikuar për protestat tek Faktoje janë pjesë e punës së përditshme si gazetare prane kesaj organizate dhe kanë për qëllim raportimin e paanshëm dhe të bazuar në fakte mbi zhvillimet politike dhe shoqërore në Shqipëri. 

Raportimi mbi protestat në Tiranë përbën vetëm një pjesë të mbulimit të ngjarjeve aktuale në Shqipëri dhe mbi te gjitha kjo nuk nënkupton përfshirje apo mbështetje për palët e përfshira. 

Për pasojë “Faktoje” distancohet qartësisht nga çdo aludim, spekulim apo pretendim i pabazuar që synon të lidhë raportimet gazetareske të stafit të saj në emër të kësaj organizate, me organizimin, mbështetjen, koordinimin e aktiviteteve politike apo protestave, brenda ose jashtë Shqipërisë.  

Raportimet 

Rasti i Informer nuk ishte i vetmi. Monitorimi i raportimeve mediatike dhe postimeve në rrjetet sociale në vendet e Ballkanit Perëndimor tregon se protesta që nisi në Zvërnec u interpretua në mënyra të ndryshme pasi kaloi kufijtë e Shqipërisë. Në disa vende ajo u paraqit si pjesë e një rrjeti rajonal protestash të koordinuara, në të tjera u përdor për të ushqyer narrativa gjeopolitike apo debate të politikës së brendshme, ndërsa në disa raste u shoqërua me pretendime dhe video që më pas u verifikuan si të pavërteta nga organizata të pavarura të fact-checking-ut.

“Receta e bllokuesve” dhe rrjeti i financimit ndërkombëtar

Në Serbi, mediat Informer dhe Alo e paraqitën protestën shqiptare si pjesë të të njëjtit model me protestat studentore serbe. Në artikujt e tyre përdorej shprehja “blokaderski recept” (“receta e bllokuesve”), duke pretenduar se protestat në Tiranë po organizoheshin nga e njëjta infrastrukturë që, sipas tyre, kishte organizuar protestat në Serbi.

Një tjetër narrativë e përsëritur ishte ajo e financimit nga jashtë. Financimi shumëvjeçar i organizatave shqiptare mjedisore, si PPNEA dhe EcoAlbania, nga programe të BE-së, Bankës Botërore, CEPF apo donatorë ndërkombëtarë, u paraqit si provë e një operacioni politik të koordinuar, pa sjellë prova se këto fonde ishin përdorur për organizimin e protestave.

Protesta në Shqipëri u përdor edhe për të rikthyer në vëmendje debatin mbi projektin e Jared Kushner në Beograd. Artikujt argumentonin se protestuesit shqiptarë po përsërisnin të njëjtin model që, sipas tyre, kishte çuar në dështimin e projektit Trump Tower në Serbi, duke e kthyer protestën shqiptare në një argument të politikës së brendshme serbe.

Këtë narrativë e çoi më tej edhe kryeredaktori i Informer, Dragan J. Vučićević. Ai pretendoi se “në organizimin, përgatitjen dhe zhvillimin e demonstratave të dhunshme në Shqipëri marrin pjesë edhe disa nga Serbia”, duke shtuar se “shefat e tyre i lëvizin sipas nevojës”. Edhe për këtë pretendim nuk u paraqitën prova.

Nga krahasimet rajonale te teoritë gjeopolitike

Në Maqedoninë e Veriut, protesta shqiptare qarkulloi kryesisht përmes postimeve në rrjetet sociale, ku u përdor si krahasim për debatet e brendshme qytetare dhe mjedisore.

Në një postim pyetej pse shqiptarët po protestonin prej ditësh kundër dhënies së një ishulli familjes Trump, ndërsa maqedonasit nuk reagonin për liqenin e Treskës pranë Shkupit, që sipas autorit të postimit po i jepej biznesmenit Samir Mane. Në të njëjtën linjë, një tjetër postim i bënte thirrje qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të protestonin “si në Shqipëri” kundër korrupsionit dhe krimit.

Në postime të tjera, protesta shqiptare u përdor si shembull mobilizimi qytetar. Një prej tyre shkruante se “Shqipëria është në flakë” dhe përgëzonte shqiptarët që kishin dalë në rrugë kundër projektit të lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Postimi pretendonte se protestuesit “dogjën shtëpinë e kryeministrit”. Në fakt, pamjet që shoqëronin këtë pretendim nuk lidheshin me protestat e fundit për Zvërnecin, por me shpërthimet me molotov gjatë protestave të mëparshme të PD përpara Kryeministrisë.

Krahas këtyre krahasimeve, qarkulluan edhe narrativa spekulative. Një portal mediatik e paraqiste investimin e Jared Kushner si një dilemë mes “bumit ekonomik” për turizmin shqiptar dhe një “operacioni strategjik gjeopolitik” për kontroll ushtarak dhe energjetik të Adriatikut. Në tekst pretendohej se Sazani, për shkak të pozicionit pranë Ngushticës së Otrantos, mund të shërbente si pikë kontrolli për trafikun detar, tregtar dhe energjetik drejt Evropës Qendrore.

Një postim e lidhte projektin me Gazën, duke ironizuar se familja Trump, pasi nuk mund të ndërtonte një resort luksoz atje, kishte gjetur rrugën drejt Sazanit në Shqipëri. Ndërsa në një analizë me tone konspirative, projekti lidhej me Jared Kushner, familjen Trump, George Soros, “deep state”, Izraelin dhe “familje të fuqishme” përtej Atlantikut, duke pretenduar se pas debatit për Sazanin fshiheshin pazare të mëdha ndërkombëtare dhe interesa të fshehta.

Asnjë prej këtyre pretendimeve nuk shoqërohej me prova për një operacion gjeopolitik, kontroll ushtarak apo komplot ndërkombëtar pas protestave në Shqipëri.

“Duam Albin Kurtin”

Në Kosovë, narrativa mori një tjetër drejtim. Edhe pse vëmendja kryesore e mediave ishte e përqendruar te procesi zgjedhor, në disa profile dhe portale online u shpërndanë video nga protesta në Tiranë me mbishkrimin: “Duam Albin Kurtin” – brohorasin protestuesit në Tiranë, ose “Shqipëria po e thërret, duam Albin Kurtin”.

Në fakt, protesta nuk po brohoriste emrin e kryeministrit në detyrë të Kosovës. Thirrja që dëgjohet në video është “Ju erdhi fundi”, e drejtuar ndaj klasës politike në Shqipëri. Për shkak të ngjashmërisë në tingëllim, ajo u paraqit në këto postime si mbështetje për Albin Kurtin.

Ky pretendim nuk u raportua nga media profesionale në Shqipëri apo Kosovë, por qarkulloi kryesisht në faqe jozyrtare dhe rrjete sociale.

Video nga Spanja si “Flamingo Revolution” në Shqipëri

Në Mal të Zi, dezinformimi kryesor që qarkulloi lidhej me një video që pretendohej se tregonte turmën e “Flamingo Revolution” në Shqipëri.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale e paraqisnin videon si pamje të mijëra qytetarëve shqiptarë që kishin dalë kundër projektit turistik të lidhur me Jared Kushner. Në përshkrime përdorej edhe thirrja “Izrael, largohu! Toka jonë nuk është në shitje”, duke e lidhur protestën me narrativa kundër investimit të huaj dhe me pretendime për shitjen e tokës shqiptare.

Në fakt, videoja nuk ishte nga Shqipëria. Raskrinkavanje.me verifikoi se pamjet tregonin festimet e tifozëve të klubit spanjoll Deportivo de La Coruña, pas rikthimit të ekipit në La Liga. 

Protesta shqiptare me pamje nga Spanja dhe Polonia

Në Kroaci, një tjetër përmbajtje e rreme qarkulloi me mbishkrimin “Albania, protest against Trump’s investment”. Videoja, e shpërndarë në Facebook përbëhej nga dy pamje: një turmë pranë një plazhi dhe një grumbullim masiv në një shesh qyteti.

Sipas përshkrimit që e shoqëronte, pamjet tregonin protestat në Shqipëri kundër investimit të lidhur me Trump dhe Kushner. Por verifikimi i Faktograf.hr tregoi se asnjëra nga videot nuk ishte nga Shqipëria.

Pamja e parë ishte regjistruar në Galicia, Spanjë, gjatë festimeve të tifozëve të Deportivo de La Coruña, ndërsa e dyta në Krakov të Polonisë, gjatë një grumbullimi të tifozëve të Wisła Kraków. 

Një protestë, disa narrativa 

Nga Serbia në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Mal të Zi dhe Kroaci, protestat kundër projektit në Zvërnec u shoqëruan me pretendime të ndryshme: nga akuzat për koordinim rajonal dhe financim të huaj, te teoritë gjeopolitike, nxitja për reagim qytetar, keqinterpretimi i thirrjeve në turmë dhe përdorimi i videove që nuk ishin filmuar në Shqipëri.

Lajmi që doli nga Shqipëria u përshtat në rajon sipas çështjeve dhe debateve të brendshme të secilit vend.

The post Narrativat që shoqëruan “Revolucionin Flamingo” në rajon appeared first on Faktoje.al.

❌