Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 January 2026Faktoje

Çfarë solli ndërprerja e energjisë elektrike në QSUNT

By: FAKTOJE
20 January 2026 at 18:00

Sebi Alla- Më shumë se si mjek, shefi i Pavionit të Reanimacionit Qëndror në QSUNT, Krenar Lilaj, foli si “specialist” në fushën elektrike, për rastin e mbrëmjes së të hënës kur për më shumë se një orë u shkëput energjia, duke u rrezikuar jeta e pacientëve në repartin e Reanimacionit.

“Ndërprerja e energjisë zgjati disa minuta, nga informacionet që morëm bëhej fjalë për një defekt të rëndë dhe rikthimi i energjisë ishte i pakonfirmuar. Në këto kushte për të shmangur rënien e apo mosfunksionimin e njëkohshëm të aparateve respiratore, vendosëm kalimin e të sëmurëve në godinën tjetër të spitalit. Zhvendosja e u bë vetëm 20 metra më larg duke siguruar vazhdimin e trajtimit. Vendosëm që të transportojmë vetëm 10 të sëmurë, 9 të cilët ishin në respiracion të drejtuar”, tha Lilaj.

Pamjet e publikuara nga familjarë të pacientëve tregonin se stafi mjekësor dhe infermieror lëvizte pacientët me pompa manuale oksigjeni, për t’i dërguar në një tjetër repart, ku energjia nuk ishte shkëputur.

Reagimi

Mjeku shqiptar që punon në Gjermani, Erion Dasho, ka komentuar ngjarjen.

“Më lejoni që të tregoj se si planifikohet mbarëvajtja në një spital. Në spital ka dy linja. Të cilat nëse dëmtohen, të cilat garantojnë energjinë, madje dhe pavionet, ku ndodhen të sëmurë në gjendje të rëndë, ato pajisje qëndrojnë në punë edhe nëse ndërpritet energjia. Më pas është gjeneratori, nëse ndërpritet energjia, që hyn në funksionim.

Dy linja të pavarura nga njëra tjetra. Jetën nga vdekja në disa raste e ndajnë disa sekonda. Ndaj këto pjesë të spitalit duhet të kenë mbështetje. Është e papranueshme që në një qendër speciale, të kemi ndërprerje me minuta apo orë të energjisë elektrike. Kjo dëmton cilësinë e kujdesit, sigurinë e pacientit, pasi vihet në rrezik jeta e tyre. Pa energji vihet në pikëpyetje siguria e pacientit me aspirim apo me probleme kardiake…”, tha ai

Spitali

Ndonëse duhet të ishin funksionale gjeneratorët në raste emergjence ata nuk janë aktivizuar menjëherë referuar pamjeve nga familjarë të pacientëve.

Zyrtarisht ka një tjetër pretendim. QSUT në një reagim zyrtar thotë se është aktivizuar sistemi (UPS Gjeneratorë).

“Për shkak të një defekti në linjën e furnizimit me energji elektrike të tensionit të lartë që furnizon Godinën A2 të QSUT, ka pasur një ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike. Falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë (UPS, Gjeneratorë), aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht, duke garantuar vijimësinë e trajtimit dhe duke mos u cenuar në asnjë moment jeta e pacientëve”, deklaroi QSUNT për mediat. Fakt mbetet se energjia ka munguar, duke e kategorizuar deklaratën zyrtare të QSUT thjesht propagandë kur thotë se situata u vu nën kontroll menjëherë si pasojë e aktivizimit të  gjeneratorëve

Ngjarja

Pacienti N.M i trasferuar nga Spitali i Burgut humbi jetën mëngjesin e ditës së sotme, por sipas shefit të repartit të Reanimacionit Qëndror në QSUNT, gjendja e tij ka qenë e rëndë dhe pasoja fatale nuk ka ardhur si shkak i mosfunksionimit të aparaturave nga shkëputja e energjisë elektrike. “Gjendja e tij ishte e rëndë që në ardhje ditën e dielë pasdite. Ka pasur cirroza hepatike dhe ka pasur hemoragji masive për të cilën është trajtuar kirurgjikalisht. Saktësisht i sëmuri është ndarë nga jeta 4:13 minuta”, tha Lilaj.

The post Çfarë solli ndërprerja e energjisë elektrike në QSUNT appeared first on Faktoje.al.

Konkursi kombëtar i verifikimit të fakteve “Fatos Baxhaku”

By: FAKTOJE
20 January 2026 at 17:06

Faktoje hap thirrjen për konkursin kombëtar të verifkimit e fakteve. Një mundësi për gazetarët që duan të kontribuojnë në kërkim të së vërtetës dhe, të nderojnë kujtimin e gazetarit të shquar Fatos Baxhaku. 

Si të Aplikoni:

Plotësoni formularin dhe më pas dërgojeni së bashku me CV-në tuaj në info@faktoje.al
Afati: 10 Shkurt 2026!

Kush mund të aplikojë?

Gazetarë të apasionuar pas verifikimit dhe raportimeve të bazuara në fakte për të promovuar mendimin
kritik mbi çështje me rëndësi publike. Ne po kërkojmë produktet më të mira nga gazetarë që përdorin teknikat më efektive të kontrollit të
fakteve dhe shfaqin kërkime që përfshijnë analizën e të dhënave, përmbajtje me të dhëna të hapura dhe të tjera burime inovative.


Mos e humbisni mundësinë për të faktuar të vërtetën!

The post Konkursi kombëtar i verifikimit të fakteve “Fatos Baxhaku” appeared first on Faktoje.al.

I rremë titulli për rritje tronditëse pensionesh këtë fillimviti

20 January 2026 at 15:22

Pretendimi: Kryeministri Edi Rama jep njoftimin për rritje pensionesh që po trondit pensionistët

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————

“Rritje pensionesh?! Edi Rama jep njoftimin që po trondit pensionistët – Shpresë apo zhgënjim i ri?”, lajmëron një postim në Facebook më 14 janar 2026, ndërsa lexuesit ftohen të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë.

Megjithatë, pensionistët dhe dashamirësit e tyre nuk duhet të gëzohen para kohe. Ky lajm, dhe gjithë artikulli, janë të rreme.

Në brendinë e artikullit pretendohet se në një komunikim publik, Rama ka lënë të kuptohet se qeveria “po shqyrton mundësinë e një ndërhyrjeje të re në skemën e pensioneve.” Rama gjithashtu citohet të ketë thënë se “pensionistët janë një shtresë që ka dhënë shumë për këtë vend dhe meriton më shumë dinjitet.”

Një tregues fillestar që duhet të na bëjë dyshues është mungesa e ndonjë burimi, reference, apo detaji identifikues si data dhe vendi i deklaratës së Ramës. 

Artikulli flet gjithashtu për debat në opinion publik pa iu referuar ndonjë burimi specifik, përdor fjalë të pacaktuara si “disa” dhe “shumëkush” dhe flet për “ekspertë të ekonomisë” pa dhënë asnjë emër apo institucion.

Termat e vagullt dhe të përgjithshëm të përdorur në artikull, si dhe mungesave e detajeve specifike, na bën të dyshojmë më tej se artikulli jo vetëm që është i rremë, por me gjasa është gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale. 

Është e vërtetë se Rama foli për pensionet së fundmi në podkastin e tij të 11 janarit. Megjithatë, ai nuk foli për ndonjë ndryshim në skemën e pensioneve dhe nuk tha se pensionistët kanë dhënë shumë për vendin dhe meritojnë më shumë dinjitet, siç pretendohet në artikull.

Çfarë tha Rama për pensionet në podkastin e 11 janarit 2026

Më herët, në tetor 2025, Rama ka deklaruar se nga janari 2026, pensionet do të rriteshin çdo muaj me 600-1800 lekë në varësi të llojit.

Profili i Facebook që ka ndarë këtë lajm të rremë ka ndarë dhe më parë lajme të rreme të ngjashme, duke pretenduar se gazetari shqiptar Enkel Demi kishte ndërruar jetë dhe se vrasësi i politikanit të ndjerë Sokol Olldashi ishte zbuluar.

The post I rremë titulli për rritje tronditëse pensionesh këtë fillimviti appeared first on Faktoje.al.

Përmbytja e Vlorës në 2024 nuk ishte nga reshjet

20 January 2026 at 15:00

Esmeralda Topi 

Mëngjesi i 4 tetorit 2024 e gjeti Vlorën të zhytur nën ujë. Shiu i rrëmbyer mbuloi lagje të tëra, aq sa nga dronët e mediave qyteti i ngjante “Venezias”, ku në vend të gondolave lundronin makinat. 

Vlora u gjunjëzua nga reshjet për disa ditë, duke nxjerrë në pah dobësitë e një sistemi kullimi të amortizuar dhe mungesën e reagimit institucional. Mirëpo, kryeministri Edi Rama kishte një tjetër shpjegim për përmbytjen masive të qytetit bregdetar. 

“E kemi parë se çfarë ndodhi në Austri dhe pamë se çfarë ndodhi në ditët kur këtu u përmbyt Vlora, në Bosnjë ku humbën jetën shumë njerëz… Ka një shpjegim të thjeshtë përtej analizave popullore dhe tendencioze që i bëhen përmbytjeve, që ka ndryshuar formacioni i reshjeve,” tha ai. 

Kryeministri e vendosi theksin tek intensiteti i reshjeve, duke sugjeruar se edhe një infrastrukturë “ekselente” nuk do të përballonte goditjen e parë pa organizim dhe trajnim të strukturave. Auditimet nxorrën në pah të kundërtën.

Përmbytja ishte e parandalueshme

Një raport i detajuar i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi përmbytjet masive të vitit 2024 në Vlorë, i publikuar së fundmi, ka gjetje të cilat rrëzojnë narrativën e “formacionit të reshjeve”. 

Shkaku kryesor i përmbytjeve sipas KLSH-së lidhet me mungesën e pastrimit të kanaleve kulluese prej dekadash, të cilat janë arteriet kryesore të kullimit të reshjeve për relievin e qytetit.  

Kanalet kulluese KK2 Akërni, KK3 Akërni dhe KUL Orikum, rezultuan më shumë se 15 vjet të pa pastruara, ndërsa segmente brenda qytetit nuk janë pastruar për mbi 30 vite”- KLSH. 

Pastrimi i kanaleve dhe rehabilitimi i sistemit kullues është një detyrë urgjente thekson Kontrolli i Lartë i Shtetit, sepse në të kundërt, qyteti është i rrezikuar gjithmonë nga përmbytjet.

Një tjetër problematikë sipas KLSH-së ka qënë mosfunksionimi në kapacitet të plotë të Hidrovorit të Akërnisë. Në ditën e përmbytjes ky hidrovor punoi vetëm me 45% të kapacitetit, pa pompa rezervë, pa gjenerator emergjence dhe me tension elektrik të ulët. KLSH shton se Këshilli i Qarkut nuk e shpalli gjendjen e emergjencës civile, ndërkohë që Bashkia nuk kërkoi kryerjen e vlerësimit të dëmeve për banesat.

“Në përfundim, nëse e gjithë infrastruktura dhe sistemi i kanaleve kulluese do të kishin qenë funksionale dhe do të operonin me kapacitet të plotë, rreziku që qyteti i Vlorës të pësonte përmbytje, si ajo e datës 04.10.2024, do të ishte i ulët”, argumenton Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Si pasojë e përmbytjeve, Bashkia e Vlorës evidentoi 375 familje të dëmtuara, për të cilat ndau një fond dëmshpërblimi prej 54 milionë lekësh. 

Përgjegjësia është institucionale

Përmbytjet e Vlorës në tetor 2024 nxorën në pah jo vetëm dobësitë teknike të sistemit të kullimit, por edhe problemet e thella të qeverisjes. 

Agron Haxhimali thekson se ato ishin “pasojë e dështimeve të akumuluara në menaxhimin e infrastrukturës së kullimit nëntoksore dhe mbitokësore dhe jo thjesht e reshjeve intensive”. “Përmbytja u përshkallëzua nga pastrimi i pamjaftueshëm i kanaleve dhe kapaciteti i kufizuar i hidrovorit”, shton ai.  

Në të njëjtën linjë kritike, Zef Preçi e sheh konstatimin e KLSH-së si dëshmi të mënyrës se si qeveriset vendi. “Kanalet kulluese kanë më shumë se 15 vjet që nuk janë pastruar, një tregues i paqartësisë së kompetencave, korrupsionit dhe klientelizmit në rritje”, thotë ai. 

Preçi akuzon qeverinë për mungesë transparence dhe për tendera të dyshimtë.

“Qershia mbi tortë’ qeveria që nuk mban asnjë përgjegjësi por ‘e kthen dhimbjen në forcë’ duke kryer tendera të rinj, edhe këta shumica të dyshuar si korruptivë”,  thekson Preçi.

Të dy ekspertët bien dakord se rrënja e problemit është neglizhenca institucionale dhe mungesa e mirëmbajtjes, duke kërkuar një reformë të thellë në menaxhimin e ujërave dhe një ndarje të qartë përgjegjësish mes institucioneve.

Përfundim 

Përmbytja e 4 tetorit 2024 në Vlorë ishte e parandalueshme dhe nuk mund të justifikohet me reshje të pazakonta, por sepse sistemi i kullimit mungon. Dhe ky fakt e bën narrativën e qeverisë jo vetëm të pasaktë, por edhe të rrezikshme, sepse fsheh përgjegjësinë dhe vonon zgjidhjet që nevojiten me urgjencë në Vlorë.

Nisur nga të dhënat e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se përmbytja e Vlorës në tetor të 2024 ishte pasojë e “formacionit të reshjeve” e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Përmbytja e Vlorës në 2024 nuk ishte nga reshjet appeared first on Faktoje.al.

Këto djegie të ferexheve jo nga protestat në Iran

20 January 2026 at 10:13

Pretendimi: Kjo video tregon gratë në Iran që protestojnë kundër regjimit duke hequr perçet dhe duke i djegur në 2026

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjete sociale shqipfolëse pretendohet se tregon gratë në Iran që protestojnë kundër regjimit duke hequr perçet dhe duke i djegur gjatë protestave masive në vend në janar 2026.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti një video të ngjashme të të njëjtit grup grash që heqin perçet ndërsa bërtasin “Liberté!” (liri) të botuar nga media franceze Frontières në shtator 2025. 

Sipas përshkrimit të videos, ajo është xhiruar në sheshin Place de la Bastille, në Paris.

Nëse krahasojmë pamjet e sheshit Bastille nga Google Earth me pamjet e videos, vërejmë se shfaqen të njejtat godina.

Prandaj, nuk është e vërtetë që video tregon gratë në Iran, gjatë protestave të janarit 2026. Ajo tregon një protestë të mbajtur në Paris në shtator 2025.

Pjesa e dytë e videos tregon një grua duke kërcyer pasi hedhi perçen në një zjarr të madh.

Një kërkim me Google Lens zbuloi se video origjinale është postuar, ndër të tjerë, nga Zëri i Amerikës në Youtube në shtator 2022. 

Sipas përshkrimit të medias amerikane, video tregon protesta në një rrugë në Sari, Iran. Protestat në atë kohë erdhën për shkak të vdekjes së 22-vjeçares Jina Mahsa Amini pas arrestimit nga policia e moralit, e cila zbaton kodin e rreptë të veshjes për gratë.

The post Këto djegie të ferexheve jo nga protestat në Iran appeared first on Faktoje.al.

E keqinterpretuar batuta e kryediplomates Kallas për t’u bërë tapë

20 January 2026 at 10:11

Pretendimi: Çmendet kryediplomatja e Bashkimit Europian Kaja Kallas duke thënë se bota po shkon keq kështu që tani është momenti për të pirë alkool

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————————

Një batutë e shefes së politikës së jashtme të BE, Kaja Kallas, po qarkullon në media, përfshi ato shqipfolëse, si një “çmenduri” e kryediplomates.

Mediat i referohen një artikulli të revistës amerikane Politico, i cili citon dy persona që ishin të pranishëm në takimin e Konferencës së Presidentëve në fund të dhjetorit, një takim i udhëheqësve të grupeve të Parlamentit Europian, ku Kallas citohet të ketë thënë “çmendurinë” se gjendja aktuale e botës do të thotë se ky mund të jetë një “moment i mirë” për të filluar të pinte.

Sipas artikullit të Politico, Kallas e bëri shakanë pasi eurodeputetët filluan t’i uronin njëri-tjetrit një vit të ri të lumtur. Ata më pas shtuan se ngjarjet globale nuk e bëjnë aq vit të ri të lumtur, sipas njerëzve në dhomë. Në vazhdën e këtyre shkëmbimeve informale, Kallas bëri shaka se, edhe pse ajo nuk pi shumë alkool zakonisht, tani mund të jetë koha për të filluar duke pasur parasysh ngjarjet në të gjithë botën.

Ndryshe nga ç’nënkuptohet në raportimet mediatike, Kallas nuk këshilloi udhëheqësit evropianë të tjerët të fillonin alkoolin si një zgjidhje e problemeve aktuale me të cilën përballet BE. Ajo po fliste për vete dhe si një urim në mbledhjen e fundit të vitit para festave.

Ngjarjet globale të referuara më sipër me gjasa konsistojnë në kërcënimet e presidentit amerikan Trump për të aneksuar Groenlandën nga Danimarka, protesta masive kundër regjimit islamist në Iran, konfliktet e vazhdueshme në Ukrainë dhe Gaza dhe ndërhyrja e ShBA në Venezuelë.

Batuta informale e Kallas, e cila shprehu një ndjenjë të ndarë nga shumëkush në këtë situatë globale të nderë, u përfol nëpër media, duke u interpretuar qëllimisht si deklaratë serioze. Drejtori politik i kryeministrit hungarez Orban madje bëri thirrje që ajo të japë dorëheqjen prej kësaj deklarate.

The post E keqinterpretuar batuta e kryediplomates Kallas për t’u bërë tapë appeared first on Faktoje.al.

Yesterday — 19 January 2026Faktoje

Ftesa nga Uashingtoni dhe propaganda në Tiranë

By: FAKTOJE
19 January 2026 at 17:13

Sebi Alla “Vlerësim i Trump për Ramën”; “e jashtëzakonshme”; “përmasë historike”; …! Këto ishin disa nga fjalitë e shpeshta të kryediplomates shqiptare Elisa Spiropali, të thëna në një konferencë gati të “jashtëzakonshme” shtypi, teksa komentoi ftesën që Presidenti Amerikan Donald Trump u ka bërë krerëve të shteteve të më shumë se 100 vendeve të botës, mes tyre edhe Shqipërisë për pjesëmarrje në “Bordin e Paqes” që do të mbahet në SHBA.

“Ftesa është një vlerësim i lartë për rolin e Shqipërisë në paqe dhe stabilitet. Vlerësim i drejtpërdrejtë i Trump për Ramën që është ftuar personalisht. Por fatkeqësisht edhe kjo është përballur me një lum reagimesh në mexhelisin mediatik”, u shpreh Spiropali, për ftesën.

Me këtë frymë kanë reaguar shumë përfaqësues të mazhorancës, të cilët takimin në “Bordin e Paqes”, ku temë kryesore e diskutimeve është siguria dhe rindërtimi i Gazës në Palestinë, e shohin si vlerësim personal nga vetë Trump për kryeministrin tonë.

“Një letër me tekst të njëjtë, i cili ka mbërritur në mbi 100 shtete të botës, në vendin tonë është lexuar ndryshe, deri në një keqlexim të qëllimtë për arsye propagandistike”, thotë për Faktoje.al, politilogu Ilir Kalemaj.

Si u “shit” ftesa

I pari që dha lajmin pasditen e së shtunës së kaluar për pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë bord ishte vetë kreu i qeverisë.

Me shkronja kapitale, dukshëm në entuziazëm Rama lajmëroi në rrjetet e tij sociale se sapo kishte marrë një “ftesë personale” nga Trump dhe se ndihej i nderuar dhe privilegjuar që do të përfaqësonte Shqipërinë në këtë ngjarje të madhe.

“Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të dinjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e pa diskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga Presidenti Donald J. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të”, shkroi Rama.

Të dielën nuk e la sërish pas, duke paraqitur letrën e përkthyer, e cila kishte edhe gabime në përkthim.

Përtej propagandës

Politologu Ilir Kalemaj, ftesën në vetvete për pjesëmarrjen e Shqipërisë në “Bordin e Paqes” e konsideron si mëse normale, ndërsa reagimet, veçanërisht nga qeveria dhe vetë Rama e analizon si propagandë.

“Shqipëria është ftuar bashkë me mbi 100 shtete të tjera. Nuk është një atribut personal i Ramës dhe është një ftesë që nuk kishte asnjë ndryshim, si ftesa drejtuar Vietnamit, Paraguajit, apo vendeve të tjera, ku ndryshonte vetëm emri i kryetarit të shtetit përkatës”, thotë Kalemaj.

Sipas tij, kjo ftesë nuk lajmërohet si në vendet e tjera, në mënyrë të thatë dhe telegrafike, por duke u njoftuar nga kreu i qeverisë me shkronja kapitale, madje anashkaluar edhe pjesën protokollare të rolit të Ministrisë së Jashtme.

Spiropali

Por vetë ministrja e Jashtme Elisa Spiropali ka një tjetër lexim të letrës së dërguar që mban formën e Trump. “Të gjithë ata që pa asnjë përgjegjshmëri publike, u turrën ta helmojnë publikun me parrullën ‘SHBA-të vendosën Shqipërinë në listën e zezë’, duke komentuar me ngazëllim gënjeshtrën se vendimi në fjalë, na lidhej me ndëshkimin e narkoshtetit të tyre imagjinar, e kanë marrë përgjigjen as më shumë e as më pak, po direkt nga Presidenti Donald Trump, i cili ka nënshkruar në letrën e tij se, Shqipëria është një partner i mrekullueshëm dhe Edi Rama është një udhëheqës i respektuar botërisht…”, tha Spiropali në konferencë.

Cili është qëllimi?

“Është një akt dëshpërimi deri diku, që tregon se mezi është pritur një sinjal nga Shtëpia e Bardhë në çfarëdolloj forme, qoftë protokollare apo formale, për ta shitur brenda vendit si një mjet të sukseshëm propagande, për të thënë që marrëdhëniet janë më të forta se kurrë dhe se SHBA-të mbështesin qeverinë aktuale”, thotë Kalemaj, teksa shton se kjo mënyrë e të trajtuarit dhe qëllimit propagandistik nuk ka element të vërtetë.

“…krejt ndryshe nga administrate Biden, siç ishte rasti i zotit Blinken që erdhi në Tiranë dhe takoi Ramën, tashmë duket se kemi një ftohje të marrëdhënieve gjë e cila është reflektuar edhe me deklaratat e ndryshme të ambasadës Amerikane në lidhje me institucionet në Shqipëri”, thotë Kalemaj. Gazetari dhe analisti Enver Robelli, në një qëndrim në rrjetet sociale thotë se Trump dëshiron të krijojë një koalicion shtetesh që do mbështesin planin e tij për Gazën.

“Nuk është sekret se kryeministri i Shqipërisë, i cili është në pushtet tashmë 13 vite, ka arritur të krijojë një profil në arenën e politikës botërore. Këtu një rol mund të ketë luajtur edhe njohja e tij – madje afërsia – me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner”, shkruan Rabelli. Sipas tij, nga ky raport më shumë tregtar se diplomatik natyrisht që përfiton personalisht edhe kryeministri i Shqipërisë.

“Me vetëm pak ironi mund të themi: ishulli i Sazanit e bën të rëndësishëm kryeministrin e Shqipërisë edhe në bregdetin e Gazës. Pyetja është: a përfiton Shqipëria? Mbetet për t’u parë. Së paku për disa orë pushtetarët në Tiranë mund të buçkariten dhe kësisoj të shpresojnë se njerëzit do të harrojnë serinë e aferave korruptive që tejkalojnë çdo imagjinatë”, shkruan Robelli.

The post Ftesa nga Uashingtoni dhe propaganda në Tiranë appeared first on Faktoje.al.

I gjeneruar muzeu i dyllit i politikanëve miq të famëkeqit Epstein

19 January 2026 at 11:10

Pretendimi: Kjo video tregon pamje reale nga një muze i braktisur dylli me temë pedofilin dhe trafikantin e fëmijëve Jeffrey Epstein

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon një muze dylli të braktisur, në të cilin shfaqen statuja dylli të vendosura në skena që kanë lidhje me çështjen e pedofilit dhe trafikantit të fëmijëve Jeffrey Epstein dhe ishullit të tij privat ku ndodhte abuzim seksual i të miturve.

Video përmban skena të rikrijuara me statuja dylli, të bazuara në fotografi reale, dhe skena të imagjinuara.

Megjithatë, vetë video është e gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar fillmisht në TikTok më 30 dhjetor 2025 nga llogaria emri i së cilës shfaqet dhe si mbishkrim në video, @demonflyingfox.

Siç vërehet, vetë autori i videos e ka etiketuar atë në TikTok si të gjeneruar me AI.

Në fakt, i tërë profili i demonflyingfox, që sipas përshkrimit në Youtube dëshiron “të tregojë se çfarë është e mundur me inteligjencën artificiale”, përbëhet nga përmbajtje të gjeneruara me AI.

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.

The post I gjeneruar muzeu i dyllit i politikanëve miq të famëkeqit Epstein appeared first on Faktoje.al.

Gjermania nuk ndaloi së fundmi hedhjen e kripës kundër akullit

19 January 2026 at 11:06

Pretendimi: Kjo video tregon rezultatin e një vendimi të marrë së fundmi nga autoritetet gjermane për të ndaluar kripën për shkrirjen e akullit sepse dëmton mjedisin

Verdikti: Mungon konteksti

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon një sërë njerëzish duke u mbajtur në parmakët e shkallëve të mbuluara me borë, për të mos rrëshkitur. Video shoqërohet me pretendimin se kjo situatë ka ndodhur sepse “autoritetet gjermane tani kanë vendosur të ndalojnë kripën për shkrirjen e akullit sepse “nuk është miqësore me mjedisin’”. Video dhe pretendimi është ndarë më pas në rrjet kryesisht nga kanale ruse duke vënë në lojë fokusin e Gjermanisë tek Agjenda e Gjelbër dhe “sakrificave” që u kërkohen qytetarëve në vendet evropiane ne emër të ndryshimeve klimatike. 

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme u filmua nga një gazetar i Morgen Post më 4 janar 2026 dhe tregon tifozë të hokejit në Berlin.

Eshtë e vërtetë se një pjesë e madhe e komunave gjermane e kanë kufizuar përdorimin e kripës për shkrirjen e akullit për arsye mjedisore, tha Ministria gjermane e Mjedisit për kolegët spanjollë të verifikimit të fakteve Maldita

Kripa shkakton inflamacion në putrat e kafshëve shtëpiake nëse ecin mbi të për periudha të gjata dhe mund të çojë në tharjen e pemëve, ndotjen e depozitave të ujit në tokë dhe dëmtimin e ndërtesave historike, shpjegon Agjencia Federale Gjermane e Mjedisit (UBA).

Megjithatë, ndalimi i përdorimit të kripës nuk është një vendim i marrë së fundmi dhe në nivel federal në Gjermani. Debati rreth kësaj rregulloreje daton që nga vitet 1980, thekson UBA. Gjermania vepron në një mënyrë “mozaike” dhe disa qytete “vazhdojnë ta përdorin atë në rrugët kryesore, por e ndalojnë përdorimin e saj në shtëpi private”. Për më tepër, në raste të jashtëzakonshme, kripa përdoret edhe në shkallë ose në “sipërfaqe të tjera kritike”, si në videon e mësipërme.

Në qytete si Berlin dhe Bonn, rregulloret kanë qenë në fuqi të paktën që nga viti 2013, ndërsa marrëveshja ndërkombëtare të cilës i referohen rregulloret u nënshkrua në vitin 2015. Autoritetet gjermane këshillojnë trajtimin e akullit me materiale të tjera, të tilla si zhavorri, granulat ose rëra, të cilat, megjithëse nuk e shkrijnë akullin, zvogëlojnë rrezikun e rrëshqitjes.

Megjithatë, në situata të motit ekstrem, qeveritë komunale mund ta heqin kufizimin. Kjo ka ndodhur në Hamburg, ku është autorizuar përdorimi i kripës deri më 21 janar 2026, për shkak të një rreziku që “nuk mund të adresohet në mënyrë adekuate me pajisje mekanike të mirëmbajtjes dimërore”.

Gjobat për shkeljen e ndalimit të përhapjes së kripës ndryshojnë sipas vendndodhjes dhe mund të variojnë nga 500 deri në 50,000 euro në raste si Berlini.

The post Gjermania nuk ndaloi së fundmi hedhjen e kripës kundër akullit appeared first on Faktoje.al.

Llogaritë e mësuesit irlandez nuk u bllokuan prej refuzimit të gjinisë neutrale

By: FAKTOJE
19 January 2026 at 11:03

Pretendimi: Mësuesit irlandez i bllokohet llogaria bankare për shkak të besimeve ideologjike ndaj gjinisë të nxënësve

Verdikti: Mungon konteksti

Barbara Halla

Pretendimet se një mësuesi në Irlandë i janë bllokuar llogaritë bankare për shkak të “ideologjisë gjinore” janë të rreme dhe shtrembërojnë faktet e një çështjeje gjyqësore që ka shkaktuar debat në nivel evropian. Postimi në shqip shpërndan narrativa që qarkulluan më herët në Kroaci dhe më pas në frengjisht e anglisht, duke sugjeruar se mësuesi Enoch Burke u ndëshkua sepse refuzoi t’u drejtohej nxënësve në mënyrë “neutrale” për identitetin e tyre gjinor. Vendimet e gjykatës irlandeze dhe sqarimet e ekspertëve ligjorë tregojnë të kundërtën.

Siç e shpjegon Agence Presse France, e cila ka verfikuar çështjen, dënimi i Enoch Burke, ish-mësues në Wilson’s Hospital School në qarkun Westmeath, nuk lidhet me bindjet e tij fetare apo me refuzimin për përdorimin e përemrave gjinorë ndaj nxënësve, por me mosrespektimin e përsëritur të vendimeve të gjykatës.

Ai u pushua nga puna më 22 gusht 2022 pasi ndërpreu një shërbim përkujtimor, dhe u ballafaqua me drejtorin e shkollës. Pas këtij pushimi, çështja e Burke u kthye në penale, pasi mësuesi vazhdoi të paraqitej në ambjentet e shkollës në kundërshtim me urdhrat gjyqësorë. 

Më 19 maj 2023, një vendim gjykate u lëshua kundër Burke pasi ai vazhdoi të shkonte në ambjentet e shkollës. Burke përfundoi edhe në burg për shkak të sjelljes së tij. Gjykata po ashtu lëshoi dhe një gjobë kundër Burke, të cilën ai vazhdoi të mos e paguante. 

Që prej vendimit të parë të gjykatës në 2023, ai refuzoi të paguante gjobat dhe u akuzua gjithashtu për mungesë respekti ndaj gjykatësit. Sipas gjykatës, në shkurt 2025, ai i detyrohej gjykatës rreth 79,100 euro në gjoba të papaguara. Si rrjedhojë e këtij refuzimi, gjykata ka urdhëruar marrjen e vlerës nga llogaritë bankare të Burke deri në shlyerjen e saj të plotë. 

Postimet që u përhapën në Facebook dhe Telegram, përfshirë një video ku Burke shfaqet pranë një bankomati duke pretenduar se llogaria e tij ishte “plaçkitur”, e paraqesin rastin si ndëshkim për “kundërshtim të ideologjisë gjinore”. Megjithatë, gjyqtari i çështjes ka theksuar se kjo është e pavërtetë dhe se dënimet lidhen vetëm me refuzimin e Burke për t’iu bindur ligjit. Një ekspert ligjor nga Universiteti i Dublinit i tha AFP se gjykatat irlandeze nuk kanë shqyrtuar asnjëherë meritat e debateve mbi përemrat apo çështjet gjinore në këtë rast.

Në vend që të jetë një shembull i “persekutimit ideologjik”, rasti i Burke ilustron pasojat ligjore të shpërfilljes së qëllimshme të urdhrave të gjykatës, mospagimin e gjobave dhe detyrimeve, dhe përpjekjet e autoriteteve për të zbatuar ligjin.

The post Llogaritë e mësuesit irlandez nuk u bllokuan prej refuzimit të gjinisë neutrale appeared first on Faktoje.al.

Before yesterdayFaktoje

Muajt e pritjes, ndërhyrjet e kataraktit në varësi të lenteve dhe mjekëve

By: FAKTOJE
16 January 2026 at 15:00

Sebi Alla – Në maj të vitit të shkuar, L.T, 73-vjeçe, mori në duar rekomandimin nga mjeku okulist që në fillim të muajit tetor 2025 do të kryhej ndërhyrja kirurgjikale e kataraktit, me lente intraokulare. 

Tashmë që jemi në janar të një viti më pas, bashkë me shikimin, ka nisur t’i zbehet edhe shpresa se ndërhyrja do të kryhet. “Nuk kemi akoma lente” është përgjigjja më e shpeshtë që ka marrë e moshuara.

Ashtu si 73-vjeçarja ka edhe shumë pacientë të tjerë që janë në listë pritjeje për ndërhyrje. 

Megjithatë, rastet urgjente nga Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza”, dhe disa Spitale Rajonale, kryhet që në momentin e paraqitjes së pacientëve. “….të gjitha rastet urgjente janë trajtuar në kohë, po ashtu dhe rastet e planifikuara të cilat janë shpërndarë sipas ngarkesës së shërbimeve”, thotë Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në një reagim zyrtar për Faktoje.al. 

Sipas tyre, në shumicën e spitaleve ku ofrohet ky shërbim është vijuar në mënyrë të pandërprerë kirurgjia për vendosjen e lenteve intraokulare, përveҫ rasteve të veҫanta kur mund të ketë pasur ndonjë problematikë të përkohshme të aparaturës së PHACOS (aparaturë për heqjen e perdeve të syrit). 

Përplasja në QSUNT

“Nga të dhënat e vëna në dispozicion numri i pacientëve që kanë kryer ndërhyrjen e vendosjes së lenteve intraokulare për periudhën 1 janar 2025 – 31 tetor 2025 është rreth 3400 pacientë”, thotë Ministria e Shëndetësisë. 

Pavarësisht numrit të lartë të ndërhyrjeve, ka ende shumë pacientë që janë në listë pritjeje, ndonëse fillimisht u është thënë se brenda tre muajsh do të kryhen operacionet e planifikuara. 

“Nga informacionet e transmetuara nga Shërbimet e Okulistikës në spitale mund të themi se numri i pacientëve në listë pritjeje për këtë ndërhyrje për pjesën e mbetur të vitit është mbi 320”, pohohet zyrtarisht nga ministria. 

Ndonëse 5 nga 12 Spitalet Rajonale duhet të kryenin këto ndërhyrje, në disa prej tyre ku edhe numri i popullsisë është i madh, nuk zhvillohen operacione të tilla. 

Kjo situatë ka bërë që shumë pacientë nga rrethe të ndryshme këtë shërbim nuk e marrin në spitalet rajonale ku banojnë, por detyrohen që të vijnë në Tiranë dhe pas shumë konsultave që janë kohë e humbur dhe shpenzime, marrin një afat i cili zakonisht është brenda tre muajve, por shpesh kjo kohë shtyhet edhe më shumë. 

Shkodra as mjekë, as lente

Qarku Shkodër me rreth 150 mijë banorë nuk ofron shërbimin e ndërhyrjeve me lente intraokulare, madje pranohet zyrtarisht se përveç mungesës së lenteve nuk kanë as mjekë okulistë. 

“Aktualisht pranë klinikës ORL-OKL në Spitalin Rajonal të Shkodrës nuk realizohet ndërhyrja kirurgjikale e kataraktit me lente intraokulare, pasi ky shërbim deri më tani është mbuluar vetëm nga një mjek okulist, fakt i cili ka sjellë pamundësi fizike për përmbushjen e të gjitha aktiviteteve që ky shërbim ofron”, thotë për Faktoje, Spitali Rajonal i Shkodrës. 

Ministria e Shëndetësisë, në vitin 2023 e përfshiu Spitalin Rajonal në listën që ofron shërbimin e ndërhyrjes kirurgjikale të kataraktit. 

“Sa i takon paketës së kataraktës, ajo ofrohet falas në tetë spitale, konkretisht në QSUT, Spitalin Universitar të Traumës, Spitalet Rajonale të Vlorës, Shkodrës, Durrësit, Korçës, Fierit dhe Elbasanit, duke i krijuar mundësi të moshuarve kryerjen e ndërhyrjes dhe lentet falas në sistemin shëndetësor publik”, tha ish-ministrja Ogerta Manastirliu, në janar të tre viteve më parë. 

Në përgjigjen për Faktoje, Spitali Rajonal Shkodër thotë se muajt e fundit personeli është shtuar edhe me dy mjekë të tjerë dhe se ky shërbim pritet të vihet në funksion. 

Mungesa e lenteve dhe mjekëve i ka detyruar pacientët që të dynden në Tiranë, ndërsa presin për shumë muaj datën e ndërhyrjeve. 

Një tjetër pacient në kushtet e anonimatit tha për Faktoje se mjeku që i rekomandoi ndërhyrjen është i njohuri i tij, por në dy raste ia kishte shtyrë operacionin, pasi lentet nuk ishin cilësore. 

Ministria ka një tjetër përgjigje, teksa thotë se pjesa më e madhe e lenteve sigurohen nga vende të BE-së.

“Lentet e përdorura në ndërhyrjet për kataraktën furnizohen nga kompani të licencuara sipas legjislacionit shqiptar, me origjinë kryesisht nga vendet e Bashkimit Europian si p.sh.: Belgjika, si dhe nga vende si SHBA, Indi, Kanada, Japoni etj., në përputhje me kërkesat e sigurisë dhe cilësisë të përcaktuara në dokumentacionin teknik të tenderit”, thuhet në qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. 

Në ligjin për barnat por edhe pajisjeve mjekësore është e sanksionuar se mund të futen edhe barnat ose pajisjet mjekësore “e prodhuara në vendet e Ballkanit”.

Më jep “borxh” lentet

Pavarësisht planifikimeve dhe tenderave të zhvilluara sipas kërkesave të pavionëve të ORL-OKL, shpesh ndodh që për një kohë të pacaktuar ka mungesë lentesh dhe shtyrje sidomos të operacioneve të planifikuara. 

“Në rast të mungesave në mënyrë të vazhdueshme, sipas praktikës së konsoliduar, janë marrë masa bashkëpunimi me spitale rajonale, për përdorim të përkohshëm të rezervave ekzistuese, pra një qarkullim të lenteve në spitale, me qëllim të mospezullimit të trajtimit të pacientëve”, thotë Ministria e Shëndetësisë. 

Sipas tyre, ndërhyrja e kataraktës klasifikohet si ndërhyrje jo urgjente. 

“…80% e ndërhyrjeve të kataraktës bëhen me planifikim, pasi nuk janë urgjenca mjekësore, ku listë pritja në spitale nuk është më shumë se 3 muaj, një kohë shumë e shkurtër krahasimisht me vende të tjera, ku planifikimet e kirurgjisë së kataraktës variojnë nga 9 muaj deri 18 muaj në rutinën e tyre”, thotë ministria. 

Ndërhyrjet në katarakt jo në të gjithë rastet konsiderohen urgjente, por shtyrja në kohë e operacioneve ka bërë që pacientët kryesisht të moshuar të jetojnë me shikim të kufizuar nga perdet në sy.

E tillë është edhe 73-vjeçarja L.T., e cila që nga maji i vitit të kaluar ende pret telefonatën për t’i caktuar datën e ndërhyrjes, me shpresën se lentja të jetë cilësore e prodhuar në një nga vendet e Bashkimit Europian. 

Përfundimi

Ndërhyrja kirurgjikale e kataraktit me lente intraokulare kryhet falas në Tiranë dhe spitale rajonale, por koha e kryerjes së ndërhyrjeve, sipas dëshmive të pacientëve zgjat mbi tre muaj. 

Gjithashtu Spitali i Rajonal i Shkodrës pranon se nuk e kryen këtë shërbim, pavarësisht se më herët referuar ministrisë por edhe disa pacientëve, ky shërbim kryhej. 

Aktualisht, nisur nga nga kontaktet me pacientë, por edhe përgjigjet zyrtare këtë premtim e klasifikojmë si pjesërisht të mbajtur. 

The post Muajt e pritjes, ndërhyrjet e kataraktit në varësi të lenteve dhe mjekëve appeared first on Faktoje.al.

Ardit Gjebrea viktimë e lajmeve të rreme të portaleve “informative”

15 January 2026 at 16:03

Pretendimi: Artisti shqiptar Ardit Gjebrea është arrestuar për vjedhje kompjuterash

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————

Një postim që ka marrë gati 200 pëlqime në Facebook njofton se prezantuesi shqiptar Ardit Gjebrea është arrestuar për vjedhje, ndërsa lexuesit ftohen të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë.

Në brendinë e artikullit pretendohet se Gjebrea është arrestuar pasi “policia ka zbuluar prova që e lidhin atë me vjedhjen e disa sendeve të vlefshme, duke përfshirë laptopë dhe pajisje elektronike.”

Megjithatë, nuk jepet ndonjë provë, burim apo referencë për t’i mbështetur këto pretendime.

Nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Policia e Shtetit për një arrestim të tillë. 

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe lajme të mëparshme nga i njejti portal, i cili ka botuar artikuj të trilluar mbi gjetjen e Bleona Matës së zhdukur në 2010, vdekjen e këngëtarit Shpat Kasapi dhe të politikanit shqiptar Azem Hajdari, dhe vdekjen e rreme të politikanit Lulzim Basha.

Titulli i artikullit keqinformon me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve në mënyrë jo etike. Pjesa më e madhe e lexuesve shkruajne komente negative për portalin apo përpiqen të përgënjeshtrojnë lajmet e rreme për personazhe të njohura, pa e kuptuar se edhe duke shkruar një koment të tillë ndihmojnë në rritjen e shikueshmërisë së portalit dhe jetëgjatësinë e mëtejshme të veprimtarisë së tij abuzive.   

Ka gjasa që ky artikull, dhe artikuj te ngjashëm të postuar nga e njejta faqe dhe përgënjeshtruar dhe më parë nga Faktoje, janë gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

The post Ardit Gjebrea viktimë e lajmeve të rreme të portaleve “informative” appeared first on Faktoje.al.

I rremë lajmi për zbulimin e vrasësit me pagesë të Sokol Olldashit

15 January 2026 at 14:20

Pretendimi: Zbulohet vrasësi me pagesë i politikanit të ndjerë Sokol Olldashi

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————

Një postim në Facebook pretendon se, mbi 10 vjet pas vdekjes së papritur të politikanit Sokol Olldashi në vitin 2013, vrasësi i tij është zbuluar. Foto që shoqëron postimin përfshin edhe portretin e Nuredin Dumanit, personit të akuzuar për një sërë ngjarjesh kriminale dhe që ka pranuar të bashkëpunojë me Drejtësinë. Pas këtij prezantimi intrigues, lexuesit ftohen të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë.

Në brendësi të artikullit zbulohet se kemi të bëjmë me një titull të rremë, që ka për synim të tërheqë interesin e përdoruesve dhe rrisë klikimet me qëllim përfitimi.

Artikulli në brendësi nuk zbulon asnjë emër vrasësi, apo ndonjë provë që Olldashi është vrarë nga një vrasës me pagesë.

Ai pretendon se “në rrjete sociale dhe disa portale janë shpërndarë deklarata dhe tituj tronditës që pretendojnë se pas vdekjes së Olldashit fshihet një akt kriminal i organizuar,” megjithatë nuk referon asnjë nga këto postime dhe tituj të pretenduar.

Më tej, vetë artikulli shkruan se “asnjë institucion zyrtar nuk ka konfirmuar ekzistencën e një vrasësi apo skeme kriminale.”

Sokol Olldashi vdiq më 20 nëntor 2013 si pasojë e një aksidenti automobilistik në Krrabë të Tiranës. Hetimet e deritanishme nuk kanë gjetur ndonjë provë që mund të mbështesë dyshimin për një manipulim të automjetit të të ndjerit.

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë lajme të rreme për zbulimin e vrasësit të Ollashit, që kanë për qëllim mbledhjen e klikimeve.
Faqja e Facebook që ka ndarë këtë lajm të rremë ka ndarë dhe më parë lajme të rreme të ngjashme, duke pretenduar se gazetari shqiptar Enkel Demi kishte ndërruar jetë.

The post I rremë lajmi për zbulimin e vrasësit me pagesë të Sokol Olldashit appeared first on Faktoje.al.

Bashkia Tiranë “ngel në klasë” për shërbimet publike dhe strehimin

By: FAKTOJE
15 January 2026 at 14:16

Jona Cenameri

Për vitin 2025, Bashkia Tiranë kishte një buxhet të konsiderueshëm  për shpenzime dhe investime publike, por të dhënat zyrtare të siguruara nga vetë institucioni për Faktoje tregojnë se një pjesë e mirë e këtyre fondeve nuk u përdorën sipas planit.

Deri në dhjetor 2025, realizimi i përgjithshëm buxhetor i Bashkisë Tiranë kapi vlerën e 53%-it.

Shërbimet publike

Referuar të dhënave zyrtare të Bashkisë Tiranë, shërbimet Publike Vendore u realizuan në masën 40%. Që do të thotë se, mirëmbajtja urbane, pastrimi dhe ndriçimi publik, komponente thelbësore të këtij programi, kanë funksionuar me më pak se gjysmën e buxhetit të planifikuar.

Për ekspertin e qeverisjes vendore Agron Haxhimali ky nivel realizimi përkthehet në “shërbime të cungura, mirëmbajtje më të dobët, cilësi më të ulët dhe probleme të përditshme të pazgjidhura në qytet” 

Bashkia e lidh mosrealizimin me “vonesa procedurale në prokurime” dhe “afate ligjore për shpronësime”. Haxhimali e karakterizon situatën si pasojë e “planifikimit jo realist, kapaciteteve të dobëta zbatuese dhe vonesave serioze në prokurime, sidomos për investimet kapitale”

Strehimi social

Programi i Strehimit Social paraqet një nga nivelet më të ulëta të realizimit nga 12 deri në 15%.

Sipas Haxhimalit, kjo situatë “tregon neglizhencë ndaj shtresave në nevojë, dështim politikash sociale dhe mungesë vullneti për të adresuar krizën e strehimit” 

Infrastruktura

Shqetësuese gjithashtu, sipas Haxhimalit, është që sektorë shumë delikatë si ujitja dhe kullimi, emergjencat dhe strehimi kanë realizim minimal”. Sipas tij, “ky fenomen tregon një bashki të fokusuar keq, pa prioritete sociale dhe me risk të lartë për pasojat nga përmbytjet dhe krizat urbane”

Menaxhimi i infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit kap shifrën e  21%-it, ndërsa emergjencat civile rreth 20%. 

Në sektorin e mbrojtjes nga zjarri dhe mbrojtjes civile,  u shpenzuan rreth 622 milionë lekë, thënë ndryshe  34%.

“Nëse do të ishin shpenzuar në mirëmbajtje, shërbime apo investime në sistem, Tirana do kishte pak më shumë ujë të pijshëm se sa kemi sot, dhe s’do të përmbyteshin sheshe, rrugë dhe lagje siç po ndodh aktualisht. Pra mosinvestimet në 2025 na shfaqin problemet që në fillim të 2026”

Planifikimi urban wshtw realizuar me vetëm 19%, ndwrsa arsimi universitar 18%.

Emergjenca

Të dhënat zyrtare tregojnë se Bashkia Tiranë nuk aktivizoi asnjë nga instrumentet e saj financiare emergjente gjatë vitit 2025. Fondi i Rezervës, i planifikuar me 731.3 milionë lekë nuk u prek asnjë qindarkë. Po ashtu as fondi i Kontigjencës.

Keqqeverisje?

Haxhimali e karakterizon situatën si “keqqeverisje,” duke identifikuar tri dimensione kryesore: planifikim jo realist që krijon buxhete të pazbatushme, prioritete që lënë pas dore sektorë kritikë si strehimi social dhe infrastruktura, dhe pasoja të matshme që mosrealizimi buxhetor sjell në jetën e përditshme të qytetarëve.

Kontradikta midis realizimit të lartë në disa fusha administrative si administrimi i zgjedhjeve 98% dhe realizimit kritikisht të ulët në shërbime sociale dhe infrastrukturë thelbësore tregon, sipas tij, se çështja qëndron në vendosjen e prioriteteve dhe orientimin e politikave publike.

Programi BuxhetorPlan i ndryshuar 2025 (në lekë)Fakt 11M viti 2025 (në lekë)% realizimi
Planifikim, Menaxhim dhe Administrim5,018,019,9582,588,268,79152%
Gjendja Civile87,952,89479,784,86291%
Administrimi i Zgjedhjeve të Përgjithshme dhe Vendore37,422,47836,658,78998%
Shërbimet e Policisë Vendore918,266,342789,112,92386%
Mbrojtja nga Zjarri dhe Mbrojtja Civile1,839,910,306622,110,41734%
Mbështetja për Zhvillim Ekonomik1,534,664,569472,303,03831%
Shërbimet Bujqësore, Inspektimi, Siguria Ushqimore dhe Mbrojtja e Konsumatorëve414,489,895235,647,82057%
Menaxhimi i Infrastrukturës së Ujitjes dhe Kullimit88,414,83818,592,56421%
Administrimi i Pyjeve dhe Kullotave13,459,7538,921,45266%
Rrjeti Rrugor Rural9,422,922,4045,884,842,54562%
Transporti Publik2,080,031,2111,617,426,41778%
Fondi i Rezervës731,346,3500%
Fondi i Kontigjencës40,000,0000%
Menaxhimi i Mbetjeve3,241,903,4622,372,831,60473%
Planifikimi Urban Vendor2,781,652,409533,023,15119%
Strehimi13,671,6731,573,91712%
Programet e Zhvillimit2,025,411,607836,323,10941%
Shërbimet Publike Vendore7,400,299,2242,981,928,19140%
Sport dhe Argëtim639,453,036484,311,48976%
Trashëgimia Kulturore, Eventet Artistike dhe Kulturore1,301,633,327652,147,56350%
Artet dhe Kultura618,824,333314,685,33251%
Arsimi bazë përfshirë parashkollorin6,127,047,1414,117,477,84267%
Arsimi i mesëm i përgjithshëm2,851,892,1461,941,216,58968%
Arsimi Profesional30,610,08029,530,74096%
Arsimi Universitar68,406,93012,455,07718%
Përkujdesja Sociale3,283,067,2362,855,091,35587%
Strehimi Social4,444,950,487688,241,01315%
Emergjenca Civile354,106,99670,624,40220%
Totali57,409,831,08530,245,128,99253%

Të dhënat zyrtare të Bashkisë Tiranë

The post Bashkia Tiranë “ngel në klasë” për shërbimet publike dhe strehimin appeared first on Faktoje.al.

Në kërkim të parkut teknologjik ”Durana”… 

By: FAKTOJE
14 January 2026 at 17:04

Sebi Alla – Nëse pyet, gjen Stambollin, por nëse kërkon për Parkun “Durana” në Xhafzotaj të Durrësit, askush nuk të orienton saktë.

Të gjithë ngrenë supet: “vallahi se dimë, çfarë është ky parku”?!.

Në fund, vetëm një banor na drejton drejt vendit ku ndodhet teorikisht, pasi një nga miqtë e tij kishte pasur tokën aty, të cilët thotë se ia morën ashtu “badihava” për “interesa publike”.

“…Durana Tech Park merr jetë dhe kalon nga plani dhe legjislacioni në letër, në realitetin e një numri jo të vogël kompanish që kanë shprehur interesin dhe që nga sot marrin dhe certifikatën e anëtarit të kësaj shoqërie të re digjitale, ku qëllimi ynë kryesor nuk është që të sjellim sa më shumë kompani të huaja, por qëllimi ynë kryesor është që të angazhojmë sa më shumë talente shqiptare…”, tha kryeministri Edi Rama më 2 prill 2025, teksa pas shpinës së tij paraqitej një projekt “3D” sesi ishte.

Por pjesë e “talenteve” që përfituan nga ky park (ende) virtual, janë edhe kompani teknologjike vendase që dyshohet se kanë përiftuar tendera të dyshimtë të zhvilluar nga AKSHI, për të cilën ka një hetim të thelluar dhe janë lëshuar tetë urdhër arresti.

“Parajsë fiskale”?

E vetmja “jetë” jo teknologjike por biologjike, është bari i egër në pellgje uji.

Këta janë “rezidentët” e vetëm, ndonëse për këtë park (deri tani) imagjinar janë dhënë çertifikata regjistrimi për kompani në fushën e teknologjisë digjitale.

Për parkun në fjalë u hodhën akuza nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj (në kërkim nga SPAK) dhe më pas edhe nga opozita.

Ata deklarojnë se ky park që ende nuk ekziston fizikisht u ndërtua si parajsë fiskale për të favorizuar kompani të përfshira në afera korruptive.

“…Këtu nuk ka asnjë ndërtesë, asnjë kompani reale, asnjë punësim, por ka një skemë të sofistikuar grabitjeje”, tha Berisha, duke treguar disa foto nga vendi ku do të ngrihet parku.

Faktoje verifikoi në terren nëse kishte jetësim të parkut siç kundërshtoi Berisha, por deri ditën e sotme, asnjë tullë, duke e kategorizuar deklaratën e tij si pjesërisht të vërtetë sa kohë që Faktoje mundi të vërtetojë vetëm  pjesën e parë, atë që lidhet me ndërtimin e parkut.

Në një reagim për A2 CNN, administratorja e parkut, Florensa Kovaçi Haxhi, tha se parku ndodhet aktualisht në fazën virtuale, ndërsa ndërtimi fizik do të realizohet brenda afatit 36-mujor të parashikuar nga ligji. “Parku ka hapur thirrjen në pranverën e vitit 2025 dhe kontrata e parë është lidhur në qershor 2025. Deri më sot janë 78 kompani të regjistruara ose në fazë përfundimtare regjistrimi, shumë më tepër se pritshmëria fillestare prej 11 kompanish në vitin e parë”, tha ajo

Ndërkohë, kompanitë e regjistruara marrin lehtësira të dukshme fiskale, sipas një ligji specifik për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike

Vendi ku eshte projektuar parku “Durana”

Parku 3D

Në vitin 2022 Korporata Shqiptare e Investimeve shpalli projektin për ndërtimin e Parkut të Teknologjisë, duke u bazuar në disa VKM si për formën e funksionimit ashtu edhe për vendin ku do të ngrihej.

Me emërtimin “Durana” (bashkim shkronjash të Durrësit dhe Tiranës), u vendos që fizikisht objekti të vendosej në Xhafzotaj.

Ndërtimi do të shtrihej në 140 mijë metra katrorë tokë, ndërsa vlera e punimeve është 20 milionë euro. Në të përfshihen sipërfaqe ndërtimore 21 000 metra me godina që shërbejnë për zyra, objekte banimi, hotel dhe parkim.

Bari

Aktualisht as edhe një rrethim nuk ka vendi ku do të ndërtohet ky park. Gjithçka në ajër.

Megjithatë, prej disa muajsh kompani të teknologjisë me qendër kryesisht në Tiranë, që ofrojnë shërbime IT dhe teknologjive të tjera elektronike, sisteme kamerazh vëzhgimi, kompjuterike, softueresh etj, janë rregjistruar si “rezidentë” në Xhafzotaj.

The post Në kërkim të parkut teknologjik ”Durana”…  appeared first on Faktoje.al.

I gjeneruar imazhi i fantazmës që po “përndjek” banorët e Prishtinës

14 January 2026 at 17:02

Pretendimi: Ky imazh tregon një person të maskuar që endet natën rrugëve të Prishtinës, duke i përndjekur qytetarët

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

——————————————–

Një imazh që qarkulloi gjerësisht në mediat dhe rrjete sociale shqipfolëse javën e dytë të janarit 2026 pretendohet se tregon “Fantazmën e Prishtinës,” një person i maskuar që endet natën rrugëve të kryeqytetit kosovar. Imazhi shoqërohet edhe me pretendimin se qytetarët ankohen se ky person i maskuar po “i tmerron” me pamjen e tij duke i përndjekur ata gjatë natës.

Megjithatë, lexuesit shqiptarë në të dyja anët e kufirit nuk duhet të frikësohen. Fantazma e Prishtinës nuk është reale. Imazhi i mësipërm është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka përgënjeshtruar vërtetësinë e imazhit më 12 janar në Facebook, duke e etiketuar imazhin si të gjeneruar me AI dhe duke këshilluar mediat “të kenë kujdes që përmbajtjet e ngjashme t’i verifikojnë dhe të mos i shpërndajnë, sepse mund të shkaktojnë panik.”

Ndërkaq, edhe Policia e Kosovës ka mohuar se ka marrë ndonjë ankesë apo informacion nga qytetarët lidhur me një person të tillë që po terrorizon qytetin. “Policia e Kosovës drejtoria e kryeqytetit deri më tani nuk ka pranuar ndonjë ankesë apo informatë nga qytetarët lidhur me këtë çështje,” deklaroi zëdhënësi Enis Pllana për emisionin Rreth e Rrotull.

Përdoruesit e rrjeteve sociale kanë postuar imazhe të ngjashme që dëshmojnë origjinën artificiale të imazhit, dhe sa e thjeshtë është tashmë të gjenerosh imazhe të tilla.

Të shumtë janë dhe bizneset vendase që përfituan nga interesi që ngjalli ky personazh për ta kthyer atë në një promovim në format humori për produktet e tyre. Deri më tani, nuk është raportuar ndonjë kërkesë e “fantazmës së Prishtinës” për ndonjë shpërblim nga përdorimi i imazhit për qëllime marketingu. 

Një nga postimet e marketingut që shfrytëzuan famën e “fantazmës”

The post I gjeneruar imazhi i fantazmës që po “përndjek” banorët e Prishtinës appeared first on Faktoje.al.

E manipuluar foto me tiparet mashkullore e Michelle Obama

By: FAKTOJE
14 January 2026 at 16:34

Pretendimi: Kjo foto tregon Barack dhe Michelle Obama në versionin mashkullor

Verdikti: Foto e manipuluar

Barbara Halla

Një fotografi e ish-presidentit amerikan Barack Obama me bashkëshorten e tij, Michelle Obama, me një pamje mashkullore, po qarkullon së fundi në Facebook në gjuhën shqipe. Kjo pamje është pjesë e një teorie të hershme konspirative që pretendon se ish-Zonja e parë e ShBA është një grua transgjinore. Verifikimet zbulojnë se bëhet fjalë për një fotografi të manipuluar dhe jo një imazh origjinal. 

Verifikimet e mëparshme nga media ndërkombëtare, përfshirë Fact Crescendo, konfirmojnë se imazhi është manipuluar në mënyrë dixhitale për ta bërë Michelle Obama të duket më “mashkullore.” Më pas fotoja është shpërndarë gjerësisht në mediat sociale në gjuhë të ndryshme që prej vitit 2024, para se të vijnë ëdhe në Shqipëri përmes Facebook-ut. 

Siç mund të vërtetohet përmes Google Lens versioni origjinal i fotos është ndarë nga vetë Michelle Obama më 25 dhjetor 2014 si pjesë e një urimi përgjatë festave të fundvitit. 

Në versionin origjinal, Michelle Obama shfaqet normalisht dhe pa asnjë nga tiparet mashkullore që shihen në imazhin e manipuluar. Krahasimi i dy fotove konfirmon një ndryshim në pjesën e flokëve në anën e majtë të kokës, duke dhënë impresionin e një qethjeje mashkullore si dhe dritënhije tek buzët, që krijojnë idenë e mustaqeve.

Krahasimi mes fotos origjinale (me ngjyra) dhe asaj të manipuluar

Dizinformata të tilla ndaj Michelle Obamës qarkullojnë në rrjet që prej vitit 2014, kur humoristja  Joan Rivers bëri një shaka kundër Barack Obama dhe të shoqes, duke e akuzuar ish-Presidentin se ishte gay dhe të shoqen se është një grua transgjinore. Në dekadën e fundit imazhe të manipuluara janë shpërndarë gjerësisht në rrjet duke nxitur gjuhë urrejte ndaj çiftit Obama. 

The post E manipuluar foto me tiparet mashkullore e Michelle Obama appeared first on Faktoje.al.

Rama nuk sfidoi arrestimin nga Trump tashmë që ka raketa Javelin

By: FAKTOJE
14 January 2026 at 16:31

Pretendimi: Edi Rama ka thënë se nëse SHBA-ja përpiqet ta arrestojë, do ta pësojë keq

Verdikti: I pavërtetë

Barbara Halla

Në rrjetet sociale po qarkullon në ditët e para të janarit pretendimi se kryeministri shqiptar Edi Rama po sfidon publikisht Shtetet e Bashkuara në rast të një tentativë për të përsëritur në Shqipëri skenarin e arrestimit të presidentit venezuelian. Ky postim shoqërohet me një fotografi ku Rama mburret gjithashtu me sistemin mbrojtës të Shqipërisë, duke përmendur raketat Javelin dhe anijet patrulluese. 

Kemi të bëjmë me një keqinterpretim të demostrimit të arsenalit ushtarak të vendit tonë nga kryeministri shqiptar. Deklarata origjinale e Ramës për ushtrinë shqiptare është e vërtetë dhe u bë më 30 dhjetor gjatë konferencës vjetore me gazetarët. Gjatë një përgjigjeje ndaj pyetjeve të gazetarëve, kryeministri u shpreh se Shqipëria ka sot ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, duke kaluar edhe Serbinë, dhe se ushtria disponon raketa Javelin, tre anije patrulluese të dhuruara nga Italia, si dhe radarë falë bashkëpunimit me Francën. Rama foli gjithashtu për ambicien që Shqipëria të bëhet një vend prodhues i industrisë ushtarake, duke filluar me prodhimin e dronëve luftarakë dhe sistemeve antidron. 

Kjo deklaratë e Ramës u shpërnda në Facebook përmes imazhit të mësipërm, që më pas u manipulua për t’i shtuar deklaratën mbi Venezuelën. 

Sidoqoftë, deklarata për “pasojat” që do të pësojë Amerika nëse përpiqet ta arrestojë Ramën është një shtesë e manipuluar që nuk gjendet askund në fjalimin origjinal të 30 dhjetorit. Nuk ka asnjë provë se Rama ka bërë ndonjëherë një deklaratë të tillë. 

Deri në këto momente, nuk ekziston një arsye për të besuar se kryeministri shqiptar është nën kërcënimin e një operacioni ndërhyrjeje të mundshme nga qeveria amerikane. Shqipëria është një aleat i ngushtë i NATO-s dhe mban marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara për momentin. 

The post Rama nuk sfidoi arrestimin nga Trump tashmë që ka raketa Javelin appeared first on Faktoje.al.

Djali që ushqehet nga shërbëtorët në publik nuk është trashëgimtari i Alibaba

By: FAKTOJE
14 January 2026 at 16:28

Pretendimi: Djali i miliarderit kinez Jack Ma ushqehet nga shërbyesit në restorant

Verdikti: E pavërtetë

Barbara Halla

Një video e shkurtër e filmuar brenda një kafeje luksoze në Bangkok është shpërndarë në mediat shqiptare duke pretenduar se tregon ekstravagancën për shkak të pasurisë së djalit të themeluesit të Alibaba, Jack Ma. Në këtë video, shfaqen dy shërbyes që ushqejnë plot përkujdesje një djalë të ri që shfaqet i shkujdesur në tavolinën e restorantit. Sjellja e llastuar e pasanikut ka ngjallur shumë komente në rrjet, por në të vërtetë personi në këtë video nuk është djali i miliarderit kinez, por një influencer. 

Videoja qarkullon në media sociale që prej datës 30 nëntor, edhe pse është denoncuar si e keqinterpretuar. Personi në video quhet Jay Ma, por nuk ka asnjë provë që ai të jetë djali i miliarderit dhe filantropistit kinez Jack Ma. I riu në fjalë është një influencer i njohur në rrjetet sociale me mbi 140,000 ndjekës në Instagram. 

Kjo lloj videoje, ku ai shërbehet nga dy persona që duken si truprojat e tij, janë skenarë që përdor Jay Ma për të vënë në lojë luksin e të pasurve si dhe rritur audiencën e tij në rrjetet sociale. Siç e shpjegon edhe The Daily Guardian, që e ka hedhur poshtë pretendimin se Ma është djali i pronarit të Alibaba, Jay Ma zakonisht ekzagjeron personazhin stereotipik të “fëmijës së pasur” për efekt komik. Në fakt, shpesh duket se Jay Ma i filmon këto video për të satirizuar fëmijët e miliarderëve kinezë. Për më tepër, nuk ka asnjë provë që Jay Ma është djali i Jack Ma. Ky pretendim duket të ketë nisur nga fakti që të dy figurat kanë të njëjtin mbiemër. Jeta e familjes së Jack Ma është mjaft private dhe të dhënat publike konfirmojnë se ai ka një djalë që quhet Yuankun, si dhe një vajzë.

The post Djali që ushqehet nga shërbëtorët në publik nuk është trashëgimtari i Alibaba appeared first on Faktoje.al.

Pavarësisht rritjes, X nuk është platforma kryesore e informacionit në BE

By: FAKTOJE
14 January 2026 at 16:26

Pretendimi: Platforma X është më e përdorura për informimin në Bashkimin Evropian

Verdikti: Mungon konteksti

Barbara Halla

Në mediat sociale shqiptare po qarkullon pretendimi se X, platforma e njohur më parë si Twitter, është bërë “burimi numër 1 i lajmeve në çdo vend të Bashkimit Evropian.” Kjo narrativë po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale si në Shqipëri dhe më tutje, pas një serie postimesh nga pronari i platformës, Elon Musk. 

Më datë 7 dhjetor 2025, Elon Musk publikoi në platformën e tij një postim ku shprehej se “X po sheh shkarkime rekord në shumë vende të Evropës.” Ai shkruajti po ashtu se X është bërë platforma më e lexuar për lajmet në të gjithe Bashkimin Evropian. Këto pretendime u bënë publike nga Musk pasi Komisioni Evropian e gjobiti kompaninë e Musk për shkelje të ndryshme të ligjeve mbi informacionin dixhital në vendet e Bashkimit Evropian. 

Këto deklarime të Musk nuk bazohen në të dhëna të verifikueshme statistikore. Pretendimi se X është burimi numër një i lajmeve në Europë është shpërndara nga llogaria Tesla Owners Silicon, por nuk të çon në asnjë raport apo të dhëna konkrete mbi origjinën e këtyre numrave. 

Sipas Euronews, e cila i hodhi poshtë pretendimet e Musk, në disa vende të BE-së, X është shfaqur përkohësisht në krye të kategorisë “News” në dyqanet e aplikacioneve, veçanërisht në App Store. Ky kategorizim i kufizuar vetëm për një nga platformat operative, nuk përfaqëson përdorimin real të platformës si burim kryesor informacioni. 

Kur analizohen renditjet e përgjithshme të shkarkimeve, X nuk rezulton aplikacioni më i përdorur në shumicën e vendeve të mëdha të BE-së, si Gjermania, Franca, Italia, Spanja apo Polonia. Në shumë raste, ai nuk figuron as në dhjetëshen e parë.

Të dhënat nga palë të treta dhe nga Google Play tregojnë se nuk ka pasur ndonjë rritje të papritur apo “rekord” të shkarkimeve të X në Evropë. Përkundrazi, listat dominohen nga platforma të tjera si TikTok, Instagram, WhatsApp dhe YouTube. 

Studimet afatgjata e përgënjeshtrojnë gjithashtu këtë pretendim. Raporti i Institutit Reuters për Lajmet Digjitale për vitin 2025 tregon se publiku evropian, ndonëse gjithnjë e më aktiv në rrjetet sociale, vazhdon të mbështetet më shumë tek mediat tradicionale sesa tek platformat sociale, si X. Kur përdoren rrjetet sociale për lajme, Instagrami, TikTok-u dhe YouTube rezultojnë dukshëm më të preferuara.

Pretendimi se të 27 vendet e BE-së “mbështeten tek X më shumë se çdo media tjetër” nuk mbështetet nga asnjë provë e besueshme. Ai buron nga një interpretim selektiv i renditjeve të aplikacioneve dhe nga një kontekst politik i tensionuar mes Elon Musk dhe institucioneve evropiane, jo nga realiteti i konsumit të lajmeve në Evropë.

The post Pavarësisht rritjes, X nuk është platforma kryesore e informacionit në BE appeared first on Faktoje.al.

❌
❌