Durrësi i përmbytur “skenë krimi”!
Durrësi i përmbytur “skenë krimi”!
Bllokohen kanalet ! Hidrovori i ri gati jo funksional
Nga: Sebi Alla
Fotografitë: Atdhe Mulla
Një pikë loti i shkon ndër mjekër për t’i rënë në ujin e ndotur që përplaset valë-valë në katin e parë të shtëpisë së saj. “E zeza unë. Më iku mundi, djersa familjes. Në atë shtëpi kam edhe jetën e burrit që më vdiq në Greqi duke punuar. Erdhi e më mori uji gjithçka. E zeza unë, e mjera unë”, përsërit nën traumën e dukshme, Lumie Muçaj, gruaja 57-vjeçare që jeton prej 26 vitesh në zonën e ish-kënetës në Durrës. “Përmbytja nuk na erdhi nga Zoti, por nga shteti, unë jam Socialiste”, ndërhyn nga ballkoni i katit të dytë një e moshuar, që pas çdo fjalie ankese ripërsërit se socialiste është dhe se tani “shteti të vendosi dorën në zemër”.
“E zeza unë. Më iku mundi, djersa familjes. Në atë shtëpi kam edhe jetën e burrit që më vdiq në Greqi duke punuar. Erdhi e më mori uji gjithçka. E zeza unë, e mjera unë”
Mbi 8400 familje në zonën e ish-kënetës janë nën ujë, me dëme të mëdha kryesisht në elektroshtëpiake, pasi vërshimi i ujrave të ndotur (ujërat e shiut të bashkuara me ujërat e zeza dhe mbetje nafte) ndodhi në harkun kohor 15-20 minuta, duke mos u lënë mundësi që të lëviznin orendi dhe pajisjet e tjera. Nga Porto-Romano, deri në thellësi të qytetit të Durrësit përmbytjet janë katasrofike.
Pyetja që kërkon përgjigje më shumë se nga ekspertë duhet të vijë nga Prokuroria e Durrësit, e cila po diskuton hapjen e hetimeve kryesisht për akuzën: “shkatërrim i pronës me pasoja të rënda; dhe shpërdorim detyre”. Kjo nisur edhe nga fakti se në duar ka një rast të rëndë për t’i dhënë përgjigje. Një 54-vjeçar punonjës i ndërmarrjes komunale Plazh Durrës, u gjet i mbytur nga polumbarët në një kanal kullues pranë zonës së Plepave.
Hidrovor mbi kuota
Ankesa kudo, bashkë me pikëpyetjen nga erdhi kjo fatkeqësi, nga Zoti, natyra të cilët Durrësin e përmbytën nga padija apo interesat e vogla të treshes; pushtet qëndror-pushtet lokal-biznes?!. “Mbyllja e hidrovorit të vjetër dhe spostimi i hidrovorit të ri në një kuotë më të lartë kanë sjellë këtë pasojë katastrofike”-thotë për Faktoje.al, inxhnieri hidro dhe i porteve, Tomor Spahiu.
Dalja jashtë funksionit e hidovorit të vjetër u bë për t’i hapur rrugë ndërtimit të portit të ri tregtar, që sot shërben kryesisht për çisternat e naftës. Për ekspertin Spahiu, por edhe shumë studiues të tjerë, kjo solli pasojën katastrofike që po kalon Durrësi sot, por me gjasë do e përjetojë në çdo kohë. “Spostimi i hidrivorit u bë për t’i krijuar fasilitet Kastratit”, thekson Spahiu.
Historiku i hidrovorit të vjetër
Durrësi është një zonë që preket nga përmbytjet dhe jo pa qëllim që nga viti 1928 funksiononin dy kanale të mëdha kulluese. I pari shtrihej nga Vila e Zogut deri në Porto Romano, ndërsa i dyti nga Shën Avlashi deri në Plepa. “Të dyja këto kanale janë bllokuar. Nuk di me çfarë logjike, me çfarë ekspertize e me çfarë qëllimi ka ndodhur kjo situatë”, thotë inxhinier Spahiu. Sipas tij, studimet e mëparshme inxhinierike ishin të sakta dhe efikase, fillimisht nga austriakët ndërmjet luftës së Parë Botërore, më pas nga italianët, sistemi komunist dhe vijuar deri katër vite më parë. “Durrësi nuk duhej të përmbytej. Përveç dy kanaleve kryesore që u bllokuan një tjetër arsye madhore e përmbytjeve është spostimi i hidrovorit”, sugjeron Spahiu. Hidrovori i vjetër ishte në kuotën më të ulët të Durrësit dhe tërhiqte të gjithë sasinë ujore, por tre vite më parë hapësira e hidrovorit i kaloi kompanisë Kastrati që do të niste aty ndërtimin e portit të ri tregtar, i cili sot shërben kryesisht për ankorimin dhe më pas shkarkimin e cisternave të naftës dhe nënprodukteve të saj.
Hidrovori i ri është gati jo funksional
Pasi dhanë për zhvillim portual hapësirën e hidrovorit të vjetër, në nëntor 2021, Bashkia Durrës hapi garën për ndërtimin e hidrovorit të ri. Me fondin 20.5 milionë euro tre kompani, bashkim operatorësh, morën përsipër ndërtimin e kësaj vepre, por vendi ku do ngrihej edhe sot sjell çudi, sidomos në aspektin inxhinierik. “Hidrovori i ri është bërë në kuotë të lartë, është pothuajse jo funksional”, thekson eksperti Spahiu. Gazetari Geri Emiri, drejtues i medias Afora dhe banor i Durrësit, tha për Faktoje.al se investimet për hidrovorin e ri, apo devijimi i kanaleve kulluese solli përkeqësim të situatës së përmbytjeve. “Investimet kanë sjellë devijime të kanaleve ekzistuese që megjithëse ishin ndërtuar për ujërat e shiut nga kodrat dhe tokat bujqësore, shërbejnë edhe si “kanalizime të hapura” për ujërat e përdorura të zonave periferike të qytetit”, thotë Emiri.
“Investimet kanë sjellë devijime të kanaleve ekzistuese që megjithëse ishin ndërtuar për ujërat e shiut nga kodrat dhe tokat bujqësore, shërbejnë edhe si "kanalizime të hapura" për ujërat e përdorura të zonave periferike të qytetit”
Më tej shton se: “Ndërtimi nga qeveria shqiptare dhe vendosja në funksion e një hidrovori të ri po në zonën e Porto-Romanos, nuk ka sjellë përmirësime të dukshme në përballimin e përmbytjeve në qytet, përkundrazi që prej vitit 2025 ato po vijnë dhe po zgjerohen në hartën e zonave që prekin”. “Në disa hulumtime në Median Amfora ne kemi dokumentuar sesi Ujësjellësi i Durrësit që prej vitit 2013 ka marrë mbi 150 milion euro kredi për të investuar në rrjetin e ujësjellësit dhe të kanalizimeve, por dukshëm nuk ka arritur që ta përmirësojë situatën në terren”, thotë Emiri.
Pasoja
Si për ironi, rruga “Shën Asti” (kleriku i parë martir, i kryqëzuar nga Romakët në vitin 78 pas krishtit, në Durrës), është aq e përmbytur sa pasojat notojnë kudo. Uji i shiut, përzier frikshëm me ujëra të zeza dhe naftë, ka nxjerrë në sipërfaqe shapka fëmijësh dhe lodrat e tyre, si shenjë domethënëse se përveç pasojave ekonomike, përhapja e infeksioneve të ndryshme nuk do jetë në kohë të largët. “Ka pasur përmbytje edhe më parë por kurrë si tani. Kam 30 vite këtu dhe nuk ka pasur përmbytje të tillë. Nuk ka mbetur më asgjë. Kanë dalë jashtë përdorimit gjithë mobiliet, lavatriçe, frigorifer, sobë, kuzhina e gjitha është dëmtuar. Bleva dhe divane të reja para vitit të ri, tani nuk përdoren më. Katastrofë.”, shprehet me dhimbje Albin Muçaj me origjinë nga Kukësi, i ardhur që në vitin 1996 në Durrës, teksa përsërit “shi ka rënë gjithnjë, edhe më shumë se këto dy ditë dhe nuk jemi përmbytur kështu”.
“Ka pasur përmbytje edhe më parë por kurrë si tani. Kam 30 vite këtu dhe nuk ka pasur përmbytje të tillë. Nuk ka mbetur më asgjë. Kanë dalë jashtë përdorimit gjithë mobiliet, lavatriçe, frigorifer, sobë, kuzhina e gjitha është dëmtuar. Bleva dhe divane të reja para vitit të ri, tani nuk përdoren më. Katastrofë.”
Nodhemi në rastet kur nuk ka nevojë të trokasësh në dyert e lagura, pasi banorët të kërkojnë secili për hesap të tij për të treguar me ngulm dëmet. Halli është i përbashkët. Arsyeja që dëmet janë vërtetë shumë të mëdha lidhet me shpejtësinë e përmbytjes ku brenda 20 minutash uji kapërceu mbi 60 centimetra në të gjithë katet e para. “Kam dëme shtëpie komplet. Dhjetë mijë euro mobilie më janë shkatërruar. Makina iku, shtëpia iku, kush do mi shpërblejë mua këta? U përmbytëm se bashkia hapi rezervuarin që të mos përmbytej një lokal dhe ujin e hodhi nga banesat. Po ashtu mbyllën edhe hidrovorin e vjetër”, flet plot acarim Altin Priftit, ndërsa këmbëzbathur vërtitet sa në oborrin e shtëpisë aq edhe buzë rrugës duke kërkuar me ngul: “të vijnë atë të bashkisë, ku janë”?. Në një nga daljet e fundit, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako dhe Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu ia faturuan problemin reshjeve të dendura të shiut.
Qyteti nën ujë
Në çdo rrugicë që futesh përballesh me të njëjtat probleme. Vetëm ata banesa që kanë qenë të ngritura të paktën 2 metra nga toka kanë pësuar më pak përmbytje, nga ish-këneta, deri në afërsi të Burgut të Durrësit, përmbytja vijon për të tretën ditë radhazi, ndërsa qyteti i Durrësit njohu një përmirësim të vogël të mërkurën, por prania e ujit edhe në zonën më të ngjeshur urbane vijon të jetë problem. “Kam shumë dëme në shtëpi, se e kam në kat të parë. Makinat janë dëmtuar dhe nuk e merr me mend se çfarë dëmesh na ka shkaktuar kjo përmbytje”, thotë një qytetar pranë zonës së Stadiumit të Durrësit.
“Kam të shkatërruar gjithë dhomën e gjumit të djalit me lavatriçe, frigorifer, televizor dhe çdo gjë. Jemi në katastrofë të madhe. Nuk kemi as ujë të pijshëm”, thotë për Faktoje, Bektash Shahini, një tjetër banor i Durrësit. Dëmtime të shumta janë kryesisht në automjete dhe bizneset e kateve të para, ndërsa ish-këneta ndodhet në situatë katastrofike. Hidrovori nuk ka punuar deri në orën 12 dhe këtë e dinë të gjithë. Kjo përmbytje është bërë me nxjerrë jashtë komunitetin nga këtu dhe me e bërë si 5 Majin në Tiranë, apo komunitete të tjera. As bashkia, as qeveria, as emergjanca nuk kanë ardhur. Zoti vuftë dorë mbi ne, se për shtet kemi mbaruar”, thotë për Faktoje Mark Ndrea.
Zgjidhja pa zgjidhje
Për inxhinierin e njohur Tomor Spahiu zona e ish-kënetës por edhe e gjithë pjesa urbane e Durrësit do kalojë katastrofë pas katastrofe edhe në vijim. “Duhet të rikthejnë në funksion hidrovorin e parë. Ai e mbante gjithë Durrësin. Po ashtu emergjente është hapja e dy kanaleve kryesore kulluese. Mënyra sesi është ndërtuar hidrovori i ri nuk vlen. Situata është shumë e rëndë, flas edhe si ekspert por edhe si banor i këtij qyteti”, thotë Spahiu, ndërsa e mbyll: “Ai që po e paguan është populli”.
“Ai që po e paguan është populli”
Prokuroria Durrësit pritet syrtarisht të dalë me njoftim për hapje të hetimeve, ndërsa situata vijon të jetë mjaft e rëndë, pavarësisht angazhimit të strukturave lokale dhe disa mjeteve të ushtrisë.
The post Durrësi i përmbytur “skenë krimi”! appeared first on Faktoje.al.
