Normal view

Flamingot u bënë blu/ PD qëndron pas protestës, ja faktet

3 July 2026 at 15:09

E mbetur jashtë sheshit dhe skenës politike, PD po tenton të futet me të gjitha mënyrat në protestën e bulevardit. Pasi Sali Berisha importoi aktivisten Julinda Emirin, nga bulevardi në krye të Këshillit Kombëtar demokrat, një sërë figurash të tjera me poste janë shfaqur në protestë, duke folur në emër të qytetarëve.

Një prej tyre, Xhulia Xhekaj, ish kandidate për deputete të PD në vitin 2025, në listën e hapur të Tiranës, së fundmi e zgjedhur anëtare e Këshillit Kombëtar demokrat. Ajo shfaqet paradite në PD, e pasdite në protestë si qytetare e thjeshtë.

Në protesën e dhunshme para parlamentit, Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari denoncoi një tjetër eksponent të PD. Preng Lala, drejtues i PD për Mamurrasin, ishte në ballë të protestuesve që plagosën 9 policë.

Eda Grimçi, kryetare e degës nr 9 në Tiranë, së fundmi e zgjedhur në Kryesinë e re të PD, u konfrontua me ministrin e Turizmit, Blendi Gonxhja në dalje të parlamentit duke i përmendur kërkesat e qytetarëve.

Jo vetem kaq… Figura të larta në PD, si Belind Këlliçi, Ilir Alimehmeti apo deputetë të tjerë si Gjin Gjoni kanë marrë pjesë në protestën në bulevard, kurse Jorida Tabaku marshon bashkë me qytetarët, madje kërkon bashkë me ta para komisariatit edhe lirimin e protestuesve të dhunshëm.

Të gjitha këto, në direktivën e qartë të Sali Berishës, i cili u ka bërë thirrje demokratëve të marrin pjesë në protestë. Por në mënyrë tërthorazi. Kur vjen puna te përballja me protestuesit, në parlament, para godinës ku protestuesit kërkojnë llogari, deputetët demokratë bojkotojnë seancën. Është ajo që di Sali berisha të bëjë më mirë, hidh gurin, fshih dorën./abcnews.al

Ku mbiu kjo urrejtje e shëmtuar?

3 July 2026 at 13:29

Nga Frrok Çupi

Këta që para ca ditësh, ruanin flamengot, janë kthyer jo në barinj, por në hiena. Duan të hanë njeriun, gurin, këmbën e policit, makinën, deputetin… cilindo që i vjen se bën pak kërcitje.

Urrejtje e shëmtuar.

Urrejtja është ‘gia’ e shëmtuar, por kjo pse është kaq më e shëmtuar?

Ndoshta ngaqë lindi në një terren të papërshtatshëm, jo në terren urrejtjeje. Madje lindi mbi boshllëk. Mashtruan veten mbi flamengot dhe mbi mashtrimin ndërtuan urrejtje larg flamengove. Madje edhe larg Vlorës, larg Shqipërisë, deri në kontinentin tjetër.

Mbi keqinformimin ngrihet urrejtje më e madhe se mbi viktimën reale. Kësaj po i ruhet bota e qytetëruar. Keqinformimi është vala e re e armës bërthamore mbi botë. Ne e pësuam, si vend i vogël, sepse u rritëm, u zmadhuam, u bëmë dikush në krah të Amerikës dhe Europës.

Vallë si mbiu kjo valë në Tiranë?

Si në një ‘plaza de toros’ toreadorësh.

Nëse ‘barinjtë e flamengove’ nuk do të ishin vendosur nga Zvërneci në bulevardin e madh të Tiranës, ndoshta nuk do të kishte shpërthyer kjo urrejtje e shëmtuar. Ka një arsye. Arsyeja është se në vendin ku u përqendruan, në oborrin e selisë së qeverisë, aty ndodhen katër varre. Katër protestues i ka vrarë qeveria e shefit të ‘barinjve’ të flamengove. Aty u ndezën gjakrat. Kam nisur të vesoj mbi vakëfet që turbullojnë trurin e njerëzve. U ndjenë frikë kur shkelën mbi varret e kolegëve të tyre protestues, o pësuan ‘shok’, dhe u ndjenë vetë viktima, o u ndjenë si autorë krimi në vendin e krimit. Kjo e nxiti gjithë atë urrejtje të shëmtuar që po shikojmë.

Ose lindi nga histeria e mbrojtjes.

Që ka shumë histeri mes tyre, duket e ndihet deri afër mesnatës. Por është histeri e mbrojtjes, sipas vetë Sigmund Frojd. Njerëzit e dhunës janë të shpërblyer nga dikush; por kanë frikë se do të zbulohen. Kanë frikë edhe pse një pjesë e tyre janë nga ata që kanë futur duart në xhepat e tjetrit. Janë edhe grup i korruptuar keqas, për shkak se po paguhen si mercenarë në dëm të interesave të vendit dhe se shkelin çdo ditë disa ligje të shtetit. Personazhi i Frojdit sa herë dëgjonte në televizion se u kapën disa para të falsifikuara, tërbohej dhe griste çdo letër që gjente përpara. Edhe letrat i dukeshin para të falsifikuara.

Në ngasje për urrejtje i futi ideologjia dhe propaganda?

Ideologjia që erdhi nga republika Islamike dhe ideologjia e vjetër e urrejtjes naziste antisemintiste, preku edhe vendin tonë. Por preku fillimisht njerëzit më të dobët, ose me ‘sëmundje mushkërish’. Rusia priste rastin për investimin që kishte bërë.

Ideologjia:

Prej kohësh vendi mbante dhjetëra celula terroriste të Al Qaeda

Fondacioni iranian Saadi Shirazi dhe Firdeusi, dhe botimet ‘Perla’, kishin dekada që ishin instaluar në vendin tonë, deri në universitetet e Tiranës. Nga universiteti vijnë disa ‘studentë’ dhe ‘pedagogë’ të grumbullimit të precipituar në dhunë dhe urrejtje.

Nga Kosova, qeveria atje, ka angazhuar tipa që kanë lidhje me islamizmin politik të praktikuar nga vetë Kurti. Kërcënimi që u bëjnë mediave dhe televizioneve ka arsye ‘fshehjen mes turmave’.

Urrejtja e tyre buron nga ndjenja e frikës dhe përvoja e dhimbshme:

Një bari malësor, shumë i kuruar, ka marrë tufën e dhive dhe e solli në bulevard. Policia e lejoji duke shkelur ligjet. Ai kishte një përvojë të dhimbshme me dhitë në mal. Donte të ndërtonte fermë si ‘pasanikët’ e tjerë, por nuk ia doli dot. O dhitë, o kostumin popullor të kuruar ashtu. Nuk ishte për atë punë, prandaj edhe i tha mendja ‘dhitë në bulevard’. U shkarkua nga përgjegjësia.

Edhe një ‘gjyshe’ nga Londra që ishte burgosur për ‘abuzim mbi fëmijët’ erdhi në turmën e urrejtjes dhe bënte si e mirë duke synuar fëmijë. Një trafikant droge i shpallur në Europë, erdhi të fshihej nga frika, dhe dëshmoi urrejtje.

Frika i shtyu më shumë drejt urrejtjes. Janë sulur kundër Edi Ramës, kryeministër, po për shkak të frikës. Ata kanë frikë shtetin dhe shtetin e shikojnë të projektuar te Edi Rama. Dy ‘Goxhaj’ kanë premtuar para ‘ditës së ferrit’ se do ta vrasin Edi Ramën. Njëri e kishte caktuar datën 2 korrik, me mënyrën siç është vrarë Gadafi i Libisë. Tjetri nuk ka caktuar datë, sepse s’mund të caktojë ndonjë gjë. Ka qenë ushtar në UÇK, thotë, por nuk është e vërtetë. Megjithatë i projektohet në sy çasti duke vrarë njerëz.

Frika e bën të urrejë njerëzit që e rrethojnë.

Kjo urrejtje e shëmtuar erdhi në një ‘kohë të mirë’, në kohën kur shteti dhe njeriu i këtij vendi mund ta kontrollojnë.

Dita e 32-të e protestës/ Pamjet e para nga lart, ja pjesëmarrja

By: Rovena
1 July 2026 at 20:13

Qytetarët protestojnë për 32 ditë me radhë përpara Kryeministrisë, kundër investimit në Zvërnec.

ABC News sjell pamjet me dron të pjesëmarrjes në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në orën 20:00.

Pamjet tregojnë pjesëmarrjen e qytetarëve këtë të mërkurë.

AAK: Larg protestës në Tiranë/ “Përfshirja e Kosovës nuk ndihmon as Shqipërinë, as protestën”

1 July 2026 at 12:09

Askush nga ne në Kosovë nuk duhet të marrë guximin as ta mendoj përfshirjen në protestat në Shqipëri.

Qëndrimi i Aleancës, dikur të drejtuar nga Ramush Haradinaj, është i prerë, ndërsa kësaj here ishte deputeti i rizgjedhur i legjislaturës së 11-të, Besnik Tahiri që tha se këto zhvillime janë çështje të brendshme të shtetit shqiptarë.

“Kërkesa ime është që askush prej nesh të mos ta marrë guximin as të involvohet, as të protestojë, as të vendosë kauza politike në shqipëri, për shkak se kjo nuk e ndihmon as shqipërinë, nuk e ndihmon as kauzën e protestuesve, nuk e ndihmon as kosovën, mirëpo vetëm sa e vendos në konflikt të hapur shtetin shqiptar me Kosovën.”

Ai tha se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar të rrugëtimit të saj evropian dhe se çdo përfshirje nga jashtë mund të dëmtojë këtë proces.

“Shqipëria është vetëm dy hapa para anëtarësimit të vet në bashkimin evropian. protesta është demokratike, se qysh e trajton shteti shqiptar dhe institucionet, është çështje e tyre. por një gjë e di: armiqtë shekullorë të shqiptarëve, të shqipërisë, duan me pa shqipërinë të penguar në ecjen e saj drejt bashkimit evropian. ky është procesi më historik i kombit shqiptar pas shpalljes së pavarësisë së shqipërisë dhe pas anëtarësimit të shqipërisë në nato. është anëtarësimi në BE”.

Tahiri pranoi se ka parë eksponentë të vetëvendosjes në protesta.

“Në këtë kuptim, le të jenë protestat, ndodhin, por jo të involvohen shqiptarët e kosovës, jo të involvohen partitë politike, sepse ne kemi pa eksponentë të partisë politike të vetëvendosjes duke protestuar dhe ne nuk e dimë pse.”

Tahiri dakordësohet me kryeministrin Rama duke deklaruar se armiqtë e shqiptarëve e kanë në agjendën e tyre pengimin e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e BE-së, portretizimin e shqiptarëve dhe lidhjen e tyre me elementin radikal islam, si dhe me agjenda jo-perëndimore me synim final destabilizimin.

Në protestat në bulevard Vetëvendosja ka dërguar figura të rëndësishme të organziimit të brendshëm partiak, përfshirë këshilltarë të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti./abcnews.al

Incidentet para Kuvendit/ Balla: Goxhaj duhet hetuar për lidhjet e tij me regjimin terrorist të Iranit

30 June 2026 at 15:05

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla akuzoi partitë e vogla politike se qëndrojnë pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës së zhvilluar jashtë Kuvendit.

Nga foltorja e Kuvendit, Balla deklaroi se protestuesit që morën pjesë në incidentet ishin mbështetës të partive të drejtuara nga Arlind Qori, Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj.

“Sot para Kuvendit të Shqipërisë kanë ardhur ithtarët, anëtarët, shërbëtorët dhe çantëmbajtësit e Arlind Qorrit, Adriatik Lapajt dhe Gone Shehajt. Këta kanë ardhur për hesapet e tyre. Këshilla që është dhënë edhe nga mbështetës të protestës ka qenë: Mos i lini partitë e vogla t’ju vjedhin protestën. Ajo që ndodhi sot me gjuajtjen me vezë është pjesë e orkestruar nga tre dështakë politikë”, u shpreh Balla.

Ai tha se personat që shkaktuan incidentet nuk përfaqësonin qytetarët që kishin dalë për të protestuar për mbrojtjen e mjedisit, por sipas tij ishin të organizuar nga këto forca politike.

Në fjalën e tij, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së hodhi akuza edhe ndaj Dritan Goxhajt, si pjesën terroriste të protestës, të lidhur me Iranin”. Balla shtoi se Goxhaj “jo vetëm që duhet ndaluar nga policia, por duhet hetuar thellësisht për lidhjet e tij me regjimin terrorist të Iranit”.
Fjala e plotë e Taulant Ballës:

Sot para kuvendit të Shqipërisë kanë ardhur idhtarët, anëtarët, shërbëtorët, çantëmbajtësit e Arlind Qorrit, Adriatik Lapajt, dhe të Gone Shehaj. Këta kanë ardhur për hesape të këtyre. Këshilla, jo e imja, por e shumë të tjerëve, edhe mbështetës protestës, ka qenë: mos i lini partitë e vockëla t’ju vjedhin protestën. Kjo që ka ndodhur sot me gjuajtjen me vezë është pjesë e orkestruar nga 3 dështakë politikë. Njëri u mpreh që do bëhej kryeministër, solli tezen; tjetri u mpreh se do sillte, do bëhej kryeministër, solli mbajtësin e çantës. Edhe tjetri poshtë. Këta janë ata që kanë sjellë. Nuk janë, nuk është, nuk janë djemtë e vajzat që që hynë në këtë betejë për të mbrojtur flamingot. Dhe ka edhe një pjesë terroriste të lidhur me Iranin, e drejtuar nga Dritan Goxhaj, i cili jo vetëm që duhet ndaluar nga policia, por sigurisht duhet hetuar thellësisht për lidhjet e tij me regjimin terrorist të Iranit. Faleminderit

Pamjet me dron nga protesta: Ja pjesëmarrja në Bulevard

28 June 2026 at 21:22

Qytetarët protestojnë për të 29-ën ditë me radhë përpara Kryeministrisë, kundër investimit në Zvërnec.

ABC News sjell pamjet me dron të pjesëmarrjes në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rreth orës 21:12.

Pamjet tregojnë pjesëmarrjen modeste të qytetarëve këtë të diel.

Ndërkaq, në videon e mëposhtme është pjesëmarrja në protestë në orën 20:00./abcnews.al

Rama publikon mesazhin e qytetarit: Kjo protestë më intereson, e shtirjeve më neverit!

By: Rovena
28 June 2026 at 10:13

Në podcastin e tij “Flasim”, Kryeministri Rama publikoi në podcast-in ‘Flasim’ mesazhin e një qytetari që thotë se prej 6 vitesh nuk ka asnjë përgjigje pas shembjes nga tërmeti i 2019 i pallatit ku banonte. Qytetari, i cili prezantohet si Amos, thotë se prej 6 viteve shkon sa nga një institucion në tjetrin dhe kjo revoltë e ka çuar tashmë te protesta para kryeministrisë, ku shprehet se përpiqen të gjejnë fajtorin.

“Shënimin e fundit dua ta lidh me një mesazh, me një mesazh në celularin tim, të cilin e kam nxjerrë për ta lexuar, mbase jo të gjithë. Është një mesazh i gjatë ku dërguesi më thotë:

‘Mirëdita, zoti Kryeministër. Lexova, si çdo ditë, edhe sot postimin tuaj, të ardhur nga një qytetar i gjeneratës time”. Pra, dërguesi është i të njëjtës gjeneratë me mua.

Shumë e qartë që një kryeministër vlerësohet dhe votohet për vizion, ide, ambicie, sfida që na bashkojnë si komb, të cilat në mënyrë direkte apo indirekte prekin jetët tona. Problemi fillon kur institucionet e varësisë harrojnë që, ndërsa një kryeministër ka për detyrë ato më sipër, ato duhet të merren me problemet e përditshme që i prekin jetët tona dhe jo të përfitojnë nga ky vizion, por të punojnë që vizioni të jetë i prekshëm edhe për ne.

Jemi 12 familje që janë bashkuar në këtë protestë, jo të gjithë me prezencë në bulevard, sepse jemi të zhgënjyer që akoma edhe sot nuk kemi një zgjidhje për gjysmën e pallatit që na është shembur nga tërmeti i 2019-ës, pranë Ministrisë së Jashtme. Kemi ndjekur të gjitha rrugët e robit, të ligjit dhe të Zotit për të kërkuar ndihmë pranë çdo institucioni, minibashki, bashki, Avokat Populli, ministri dhe kryeministri, por akoma sot pa përgjigje.

Ju kemi shkruar edhe ju një letër vitin që shkoi dhe menjëherë pas saj na kontaktuan nga Bashkia Tiranë, duke na premtuar zgjidhje në prani edhe të deputetes. Por pas zgjedhjeve elektorale, përgjigjet në shkresa nuk kishin kurrfarë lidhjeje me premtimet në zyrë, nuk na prisnin më. E delegonin problemin në institucione të tjera për mungesë kompetencash ligjore; u rikthye në pikën zero. Asnjë që merr përsipër jo të na e zgjidhë, por të paktën të çojë zërin ku duhet, ta ndjekë problemin dhe të na mbajë në kontakt të vazhdueshëm.

Për këtë ju kemi zgjedhur, mendoj edhe ne si qytetarë, në mënyrë direkte apo indirekte; prej gjashtë vitesh në spirale, nga një derë te tjetra, i vendosim emrin tuaj këtij problemi. Ndoshta gabimisht”, e thotë vetë në kllapa, “nuk janë pak gjashtë vite pa përgjigje dhe, ndërkohë, shikojmë që jepen leje ndërtimi për resorte, komplekse, pallate. Mirë se të vijnë, çdo muaj pothuajse, por pyesim veten: po për një shkallë pallati kaq e vështirë është leja? Duhet të jemi ndërtues, biznesmenë që të gjejmë kanalin e komunikimit dhe pastaj aludojmë, duke ngarkuar veten dhe mendjen, që aty i është premtuar këtij, atij ndërtuesi; nuk dimë çfarë shpjegimi t’i japim kësaj përplasjeje realitetesh.

Dhe kur mendja helmohet, këmbët të çojnë në bulevard. Pse ne duhet t’i shkruajmë letra dhe SMS një kryeministri, kur ka me dhjetëra drejtorë, ministri e bashki që në gjashtë vite duhet të na kishin zgjidhur problemin? Pse duhet të shkëputem unë nga puna për të çuar këtë SMS? Pse duhet të dal të protestoj pasdite, kur mund të kaloja kohë me fëmijët e mi? Pse duhet të pres? Nuk i mjaftuan gjashtë vite këtij shteti?

Këto probleme të përditshme, por jetësore, që ne ndeshemi prej vitesh, na detyrojnë të gjejmë fajtorin tek ju. Vetë administrata juaj ka tendencën t’ia delegojë paaftësinë e saj te ju, duke na vënë ne si qytetarë përballë jush si kryeministër. Përgjigje informale të tipit: ‘Pse s’e ke dërguar në gjykatë?’, ‘Meqenëse kryeministri ju ka premtuar zgjidhje, le t’ua japë ai’, ‘S’keni pse vini këtu, nuk është kompetenca ime, por e qeverisë’, ‘Nuk firmos unë të shkoj në burg se do kryeministri t’jua bëjë aty pallatin ku e keni pasur’, nuk bëjnë gjë tjetër veçse e mbushin gotën e ujit çdo ditë.

Ndjesë për mënyrën e drejtpërdrejtë të komunikimit, por mendoj që është më e ndershme kështu. Shumë në rregull me planet dhe vizionet, por duam të jetojmë mirë çdo ditë dhe duam sot. Nuk kemi nevojë për lëmoshë, se ia dalim vetë në jetë, por duam që shteti të mos na vendoset si traversë. Kemi ndjesinë e keqe se na kanë hyrë në hak dhe nuk do të gjejmë më zgjidhje. Ndjesë për shqetësimin, por ndihem i pafuqishëm për të zgjidhur këto probleme dhe më besoni që kjo ndjesi më dhemb.

Faleminderit. Ditë të mbarë. Me respekt, Amos Mezuraj.’

Tani, unë dua ta them shumë qartë dhe shumë drejtpërdrejt: kjo është protesta që mua më intereson, që mua më zemëron po ashtu, që mua më motivon të vazhdoj luftën time. Nuk më zemëron mua protesta e sikur-eve, as protesta e shtirjeve. Ajo më neverit; kjo më zemëron.

Dhe nëse do të isha në vendin tënd, i dashur Amos, pas gjashtë vitesh pritje, dyersh që hapen e mbyllen, premtimesh që treten, përgjigjesh që delegojnë përgjegjësinë te dikush tjetër, me shumë gjasa unë do të ndihesha njësoj; me shumë gjasa edhe unë do të ndihesha pjesë e asaj proteste ose do të shkoja edhe vetë në protestë.

Kështu që nuk e vë në dyshim për asnjë moment. Përkundrazi, e ndjej, sado që mund të mos ta besosh. E ndjej zemërimin tënd si të ishte imi. Dhe mesazhi yt është këtu, i nxjerrë.

Kam plot të tilla, se është shembulli më i mirë i diçkaje që unë e kam thënë vazhdimisht këto ditë. Jo çdo njeri që bashkohet në protestë është aty për një arsye. Ka plot njerëz që nuk i çon në bulevard ndonjë ideologji, a ndonjë parti, a ndonjë inat abstrakt. Nuk i çojnë as like-et, as folloëers-at për të joshur sot protestues që nesër janë klientë dhe për t’u shitur pastaj produktet e influencerimit. Nuk i çojnë aty as bindjet ambientaliste, që janë fisnike patjetër, as impulset e verbra nacionaliste, as manipulimet apo, më keq akoma sesa manipulimet, misionet e ndryshme për të manipuluar të tjerët, por i çon një hall që, në fund të fundit, kthehet në një zemërim dhe një zemërim që kthehet në një shpërthim, një padrejtësi që e ndjen mbi shpinë.

Kjo është legjitime. Ke shumë të drejtë. Askush nuk duhet detyruar t’i shkruajë kryeministrit, sepse institucionet që paguhen për t’i adresuar këto probleme s’e kanë bërë punën e tyre. Por, nga ana tjetër, unë personalisht çdo mesazh që marr e ndjek; siç e thua edhe në mesazhin tënd, më keni shkruar një vit më parë dhe unë e kam çuar te autoriteti kompetent.

Tani, unë nuk dua fare të justifikohem. Këtë mesazh e nxora për të ndarë të vërtetën time, thjesht që unë kam të njëjtin shqetësim absolutisht dhe e kam çuar mesazhin para një viti te Bashkia e Tiranës.

Tani, ne nuk kemi kryetar bashkie. Ne kemi një bashki që “funksionon me defibrilator, me oksigjen”, me 700 shtytje dhe me 700 ngërçe. Por, përtej bashkisë, ne kemi probleme me administratën, patjetër, dhe kur administrata nuk e mban barrën që i takon, atëherë barra përfundon mbi shpirtin dhe mbi mendjen e qytetarit, e familjes, e njerëzve që duhet të marrin përgjigje.

Por këtu dua të bëj një ndërhyrje që nuk kërkoj mirëkuptim, por thjesht kërkoj dëgjim nga të gjithë. E kuptoj që kur gjëja vjen te vetja, ka arritur fundi i durimit, por, nga ana tjetër, nuk duhet lejuar që një hall i drejtë të bëhet lëndë djegëse për ata që vazhdojnë e ushqejnë këtë protestë, vazhdojnë e ushqejnë këtë rrëmujë, më shumë shpirtërore sesa fizike, duke bërë dëm pas dëmi, jo duke ndihmuar që gjërat të zgjidhen.

Ata janë njerëz që ushqehen me problemet e të tjerëve dhe janë njerëz, janë subjekte, janë organizata, janë edhe aktorë të tjerë jashtë vendit që ushqehen me problemet e të tjerëve. Problemi juaj dhe i gjithë atyre si ju që shkojnë atje ose që janë të lidhur me atë gjë, nuk është që “t’i jepni karburant” politikës apo qëllimeve të tyre, sepse ata nuk kërkojnë zgjidhje. Ata kanë nevojë që zgjidhja të mos vijë kurrë, sepse ata duan të mbajnë gjallë zemërimin, përçarjen dhe iluzionin që çdo plagë e një qytetari është prova se këtu duhet rrëzuar gjithçka dhe Shqipëria duhet të fillojë nga e para.

Unë kam detyrimin të dëgjoj njeriun, por të mos bëhem peng i atyre që flasin në emrin tënd. Unë e shoh protestën e njerëzve të ndershëm, e njerëzve që nuk janë “karburant” për industrinë e halleve, si një gjë shumë të respektueshme, shumë të mirëkuptueshme dhe revoltuese për mua; tek unë ajo funksionon.

Njëkohësisht, do t’ju kërkoja diçka të gjithëve ju që jeni në këtë situatë: mos e falni hallin tuaj askund. Mos ia falni administratës dhe, nëse keni nevojë për mua, unë jam këtu të luftoj bashkë me ju, por mos ia falni në asnjë mënyrë atyre që duan t’i çojnë gjërat mbrapsht duke përdorur hallin tuaj.

Sepse zgjidhjet kurrë nuk vijnë nga njerëzit që ndezin zjarrin e zemërimit, por nga ata që, pavarësisht të gjitha mangësive dhe gabimeve, mbajnë detyrimin për të “fikur” çdo vatër halli, duke i qëndruar mbi kokë.

Unë bëj më të mirën time të mundshme. Unë jam shumë krenar për shumëçka që administrata jonë publike ka arritur dhe për mënyrën se si është transformuar në krahasim me të shkuarën, por jam jashtëzakonisht po kaq i hidhëruar dhe i neveritur me atë çka ndodh me administratën në vende dhe në raste të caktuara.

Por zgjidhja nuk është ta “hedhim në erë”. Zgjidhja është ta korrigjojmë bashkërisht. Operacionet e mëdha janë bërë. Këtu çështja është për të vazhduar trajtimin e plagëve dhe për të vazhduar trajtimin e atyre pikave që kanë infeksion”, tha kryeministri.

Jola Hysa “masakron” protestën/ Ish-sekretarja e PD: Helm e djallëzi, e rrezikshme për vendin!

27 June 2026 at 19:08

TIRANË- Ish-sekretarja për marrëdhëniet me publikun në PD, Jola Hysaj ka dalë kundër protestës në bulevard, duke barazuar histerinë majtiste sot me molotovët demokratikë te pak muajve me pare të Sali Berishës, të dyja me një synim, për të rrëzuar Edi Ramën.

“Unë ika nga PD-ja kur pashë se alternativa e Edi Ramës u bënë molotovët e gjuajtur me pagesë dhe kazanët e ndezur me flakë. Kjo protestë me kaq helm dhe djallëzi, ku nuk ka mbetur dështak publik pa dalë në ekran për t’u bërë pjesë, mua po ma bën Edi Ramën njeriun më normal të kësaj valleje marramendëse për Shqipërinë”, nënvizoi Hysaj.

Jola Hysaj si një aktiviste ambientaliste, mbështet projektin ën Zvërnec, ashtu si projektin Durrës Jaht Marina në qytetin e saj ku ka kandiduar si deputete e PD,

“Pse nuk u bëka dot edhe në Durrës një “ishull” si palma (që ne mund ta bëjmë shqiponjë po deshët ju patriotet part-time) dhe qenka më mirë të kënaqemi me “all-inclusive”-et e Golemit, ku hotelet luftojnë për mbijetesë duke kënaqur turmat e turistëve nga Lindja që më shumë sjellin ngarkesë mjedisore, se sa të ardhura domethënëse në ekonomi?! Pastaj mirë dakord ambientalizmi, se e kam merak edhe vetë dhe kam bërë protestat e mia në Durrës kundër fushës kanceroze të plehrave që më në fund u mbyll. Po ça lidhje ka ambientalizmi me flamurin e Izraelit dhe me ato piskamat e asaj motrës tjetër nga Kosova, që na solli në bulevard dritën e liderit të saj shpirtëror Ajatollah Khamenei?!”. theksoi Hysa.

Ajo paralajmëron se nga kjo protestë i vetmi normal dhe më i fortë do të dalë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndaj dhe duhet mbështetur në objektivin e tij të qartë për të futur Shqipërinë në BE në 2030.

“Këtu po luhet keq, po goditet Shqipëria nën brez dhe jo që nuk ikën Edi Rama me këtë lojë të pistë, po koha do tregojë që Edi Rama do i nxjerrë jashtë loje të gjithë këta. Ama koston e lojës do ta paguajë Shqipëria! Kjo protestë me kaq helm dhe djallëzi, ku nuk ka mbetur dështak publik pa dalë në ekran për t’u bërë pjesë, mua po ma bën Edi Ramën njeriun më normal të kësaj valleje marramendëse për Shqipërinë”, tha ajo .

Jola Hysaj ka dhe një mesazh për ish-kundërshtarët e tij politikë në PS, Elisa Spiropalin dhe Marjana Koccekun të cilat janë infektuar nga protesta në bulevard. Duke i etiketuar si…

Zoti më faltë nëse jam gabim, po kur shoh edhe ca vemje rilindase dhe kalbësira komuniste të Partisë Socialiste që i janë bashkuar protestës, atëherë ndjehem më afër me Shqipërinë 2030 të Edi Ramës se sa me Shqipërinë e këtij cirku ku hallexhinjtë përfaqësohen nga delenxhinjtë!”, shtoi ajo/abcnews.al

Orë pas ore/ Protesta e 27, protestuesit para Kryeministrisë, ABC News sjell pamjet reale

26 June 2026 at 21:44

Qytetarët protestojnë për të 27-ën ditë me radhë përpara Kryeministrisë, kundër investimit në Zvërnec.

ABC News sjell pamjet me dron të pjesëmarrjes në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Pamjet tregojnë pjesëmarrjen modeste të qytetarëve këtë të premte.

Edhe në marshimin në rrugët e Tiranës, pjesëmarrja është tkurrur.

Në videon e mëposhtme është pjesëmarrja në protestë rreth orës orës 21:00.

Në videon e mëposhtme është pjesëmarrja në protestë rreth orës orës 20:00./abcnews.al

Rreth protestës vjen fantazma e Atdheut

26 June 2026 at 15:16

Nga Frrok Çupi

Vini re! Teksa në margjinat e protestës së Tiranës ngrihet dhe ulet emri ‘Shqipëri’, jashtë saj vjen rrotull sinonimi ‘Atdhe’. Si dy ushtri ballë përballë.

Ka një sajesë të fshehur psikologjike. Ndërsa ‘Shqipërinë’ e përdorin si një emër plaçke më të përdorshme, te ‘atdheu’ nuk u shkon krahu. Shqipërinë e bëjnë ‘të re’, domethënë e hedhin përtokë të tërën dhe e ngrenë nga fillimi (!). Domethënë ne, gjithë të tjerët, le ta mbajmë ‘me shëndet’ atdheun, ndërsa Shqipëria nuk do të ekzistojë më! Sipas tyre dhe programit të tyre.

Shqipërinë e lakojnë si u do qejfi, një vend ku nuk duhet të ketë investime (!), ku flamengot flasin me gjuhë terrori (!), ku ‘Shqipëria është nënë e atyre që e caktojnë këta, për shembull nënë edhe për kosovarë e maqedonas, edhe pse nuk e kanë atdhe (!). Ata thjesht mund ta ‘ndreqin’ kur bijtë e bijat e natyrshme e prishin Shqipërinë. Shqipërisë kanë të drejtë t’i venë në qafë revolucionin me dhunë, madje edhe gjyqe në bulevard, vrasjen e qeverisë dhe të Parlamentit, ngritjen më këmbë të çdo njeriu që po pi një kafe: ‘ngrehu se na pret revolucioni’ Islamik si në Teheran.

Atdheun tonë Shqipëri po e godasin, po e fyejnë, po e ndotin dhe po e dobësojnë në gjymtyrët e saj, aq brutalisht sa të mos e kishin atdhe. Paska vërtet njerëz që punojnë kundër atdheut të tyre. E kam dëgjuar e lexuar mijëra herë, por kaq qartë s’e kisha besuar kurrë. Ja ku qenka e gjitha.

A kemi shpëtim? ( Pyetja është ironike, sepse as që vjen në pyetje). Vetëm 1. 2 për qind e popullsisë së Shqipërisë, ditën më të mirë të sulmit, dolën në bulevard. Këta duhet të fitojnë përballë 98. 8 për qind të banorëve të atdheut. Nuk është vetëm numri ai muri që i del përballë të keqes shkatërrimtare. Është vlera përballë, mbi të gjitha, para të cilës nuk mund ta mundin atdheun.

A ka zgjim për 26 ditë?

Askush nuk fle, për të thënë të drejtën. As minuesit, as ruajtësit e atdheut. Pse dukej sikur pemët e bulevardit po flinin, teksa të infiltruarit nga Irani, nga kanale të tjera që punojnë kundër atdheut tonë, vepronin? Po jetojmë në momente kur shteti po ndërton rrjetë të re mbrojtëse. Protesta bëri mirë, sepse shteti po bënte një sy gjumë ‘ndaj atdheut’, që në vitet ’90 kur u shemb vlera e fjalës ‘atdhe’, ‘mbrojtje’, ‘punë’, ‘ligj’. Regjimi komunist i rrëzuar në vitet 1990, e mbrojti atdheun, ndërsa post- komunizmi u përgjunj. Merita nuk është e komunizmit, disfata është e ‘demokracisë’.

Çfarë po presin gjykatat?

Trupat gjyqësore presin leksionin e dytë. Leksioni i të drejtës nuk jepet në Bulevard. Në bulevard, në sallën e kinemasë dhe në amfiteatër janë dhënë shfaqje ndryshe të tragjedive. Shqipëria e të Drejtës do të sjellë në realitet pagesën e ‘terrorit’ mbi pronën private, mbi të drejtën ligjore të individit që u dëmtua nga ‘revolucioni’. Duhen paguar e kthyer të gjitha. E vetmja që nuk kthehet është trauma e fëmijëve që u sollën si dekor në protestë. Dhuna ndaj tyre mund të jetë një rrezik tjetër nesër.

Çfarë bëjnë aleatët?

Evropa po shtron rrugën për ta mirëpritur shpejt atdheun tonë, Shqipëri. Atëherë nuk do të ketë më dallim mes emrit ‘atdhe’, dhe emrit ‘Shqipëri’. Do ta duan njësoj. Të mundurit s’kanë më zë. Kësaj here sulmuan sepse nuk e dinin ku po shkonin.

Shtetet e Bashkuara është vetë ‘viktimë’ e tyre bashkë me Shqipërinë. Atdheu ynë u sulmua për ‘hesap’ të Shteteve të Bashkuara. Për shkak të misionit të përbashkët të Perëndimit. Sulmuesit mbi ne u bashkuan me armiqtë e Shteteve të Bashkua, që janë edhe armiqtë tanë. Dy ditë më parë, presidenti i Trump, vendosi të zgjasë me një vit emergjencën kombëtare që lidhet me Ballkanin Perëndimor. ‘Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare të SHBA’, thotë dokumenti i Shtëpisë së Bardhë.

Këta që e nisën sulmin kundër atdheut tonë, ndoshta janë të verbër.

“Nuk ndalet rruga drejt BE në 2030”, Rama: Edhe nga kjo krizë ka gjëra për të mësuar dhe reflektuar

26 June 2026 at 12:31

Një krizë për të nxjerrë mësime para hyrjes së Shqipërisë në BE. Kështu e ka konsideruar kryeministri Edi Rama “revolucionin e flamingove” në një intervistë për agjencinë ItalPress. Mësimi kryesor që Rama mendon se duhet nxjerrë nga kjo protestë, është mënyra se si mund të arrihet në konsensus.

“Siç thoshte Winston Churchill, nuk duhet humbur kurrë një krizë e mirë. Besoj se ka gjëra për të mësuar, për të reflektuar, por ndërkohë askush nuk mund ta ndalojë procesin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Koha e humbur para se të arrihet në një qëndrim të përbashkët është problemi i vërtetë që duhet të adresojmë”, tha Rama.

Për kryeministrin, protesta e cila po hyn në javën e katërt ka hyrë në fazë paradoksale, dhe është një betejë e harxhuar kohe, për përplasje politike.

“U bë shumë zhurmë për diçka që, në fund të fundit, nuk ishte gjë tjetër veçse një përpjekje e bërë me mirëbesim, një tentativë për të gjetur një drejtim dhe zgjidhje. Fakti që sot kjo është pranuar nuk është një fitore, por një shembull tjetër i kohës së humbur në beteja që shpesh nuk janë as beteja të vërteta, por përplasje të kota në arenën publike,” u shpreh ai.

I bindur tashmë, se protesta nuk ka patur për qëllim mbrojtjen e flamingove, por nisi dhe do të përfundojë si një betejë kundër Presidentit të SHBA.

“Fatkeqësisht, sot çështja ka shkuar përtej kësaj dhe njerëzit nuk po flasin më as për flamingot. Flamingot janë bërë një simbol i dobishëm për ata që duan ta çojnë këtë histori në skenën ndërkombëtare. Nëse në nivel lokal bëhet fjalë për një çështje që përfshin grupe të ndryshme të shoqërisë, përfshirë opozitën, në nivel ndërkombëtar ajo shndërrohet në një betejë kundër Donald Trumpit,” shtoi Rama.

Sa për projektin në Zvërnec e Sazan, Rama siguroi se ende mbetet në fazë negociatash dhe nuk ka hedhur asnjë firmë në letër.

“Nëse më akuzojnë se ua kam dorëzuar këto toka dikujt ose se kam dëmtuar një pjesë të bukur të bregdetit shqiptar, atëherë le të sjellin prova. Deri tani, megjithatë, nuk është paraqitur asnjë provë. Askush, deri më sot, nuk ka vërtetuar asgjë. Nuk ka prova sepse procesi është ende në zhvillim,” tha ai./abcnews.al

“Paj Zotin shikojeni se kush do ju shpëtojë nga unë”, Rama publikon foton e protestuesit: Një patriot që nuk lexon dot një ligj me 10 nene

By: Rovena
25 June 2026 at 22:07

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka reaguar me tone ironike ndaj kritikave dhe akzuave të protestussve për projektligjin që lidhet me blerjen e tokës nga persona të vendeve të Bashkimit Europian, duke i cilësuar kundërshtarët si keqinformues dhe të paaftë për të lexuar përmbajtjen e ligjit.

Në një postim në “Facebook”, Rama citoi vargjet e At Gjergj Fishtës: “Po nuk ban kurrë hajër Shqipnija, n’se padija dhe krenija do të shkojnë njit si trupi e hija”, ndërsa ironizoi një deklaratë kundër projektligjit, ku ai cilësohej si “antikombëtar” dhe që, sipas kritikëve, cenon sovranitetin e vendit.

“PO NUK BAN KURR HAJËR SHQIPNIJA, N’SE PADIJA DHE KRENIJA DO TË SHKOJNË NJIT SI TRUPI E HIJA, SHKROI GJERGJ FISHTA

Paj Zotin shikojeni se kush do ju shpëtojë nga unë, një patriot që nuk lexon dot një ligj me 10 nene dhe shkruan:

‘…Këta gjakprishur, vijojnë me projekt ligje që vendosin në shitje tokën e shqiptarëve për pushtuesit shqipfolës e të huaj, duke cënuar drejtpërsëdrejti territorialitetin dhe Sovranitetin Kombëtar.

Nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që të kaloj ky ligj antikombëtar, përndryshe përshkallëzim, deri në mos bindje civile.

Sot edhe më shumë.

Deri në frymën e fundit…’

Në fakt, ky është një nga projekt-ligjet e procesit të negociatave, i cili siç mund ta lexoni hyn në fuqi 7 vjet pas hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian, kur toka mund t’u shitet pushtuesve europianë në Shqipëri, njësoj siç mund të blihet nga pushtuesit shqiptarë në Europë, sepse me hyrjen në BE Shqipëria do jetë e madhe sa BE-ja dhe BE-ja do jetë e vogël sa Shqipëria”, shkruan Rama.

“Protesta nuk i reziston ‘verës së nxehtë'”, Nura: Drejtuesit e saj s’duhet të rrinë të fshehur, të hetohen lidhjet e dyshimta

25 June 2026 at 13:54
TIRANË- Analisti i njohur Artur Nura, tha se protestat në një vend demokratik janë thelbësore për shoqërinë, ndërsa shtoi se ushtrimi i kësaj të drejte nuk duhet t’i kalojë hapësirat ligjore.

Qytetarë nga Kosova në protestë/ Haradinaj: Më vjen turp që shoh bashkëkombas në bulevard në Tiranë

25 June 2026 at 12:21

Shqipëria po goditet qëllimisht për të sulmuar një nga sektorët strategjik të saj, turizmin. Kështu i sheh kreu i BDI në Maqedoninë e Veriut Ali Ahmeti protestat në Tiranë. Sipas tij qëllimet janë dashakeqe dhe ato vijnë nga Greqia dhe Serbia.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Ramush Haradinaj, i cili në një dalje publike për mediat tha se i vjen turp që qytetarë nga Kosova shkojnë në protesta.

“Po më vjen marrë që i shoh bashkëombasit në protestë. Unë nuk do kisha shkuar” është shprehur ai.

Në protestën e bulevardit në Tiranë nuk kanë munguar protestues nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Ata fillimisht u shfaqën si diaspora shqiptarë, ndërsa sipas vetë qëndrimeve të politikanëve të ndryshëm në Prishtinë dhe Shkup, ata janë të organizuar nga Vetevendosja dhe simotra e saj VLEN./abcnews.al

“Protesta, kundër Shqipërisë”, Ali Ahmeti: Qëllime dashakeqe nga Greqia e Serbia, godasin turizmin

25 June 2026 at 11:20

Shqipëria po goditet qëllimisht për të sulmuar një nga sektorët strategjik të saj, turizmin. Kështu i sheh kreu i BDI në Maqedoninë e Veriut Ali Ahmeti protestat në Tiranë.
Sipas tij qëllimet janë dashakeqe dhe ato vijnë nbga Greqia dhe Serbia.

“Ne e shohim që këtu Shqipëria nga këto protesta që nuk dihet ku e kanë kokën, merr dy goditje të forta. Industria kryesore e Shqipërisë është turizmi, goditete tek turizmi. Nga doli fushata e parë? Nga Greqia, Serbia…sepse turizmi po i rrezikohet Greqisë nga Shqipëria. Që një shtet fqinjë sbënë të mendoj kështu për fqinjin e vet. Po ja që ka ndodhur, sepse deklarata e parë dhe reagimet e para erdhën nga Greqia. Kush u bë zëdhënësi i parë i kësaj fushate në Beograd? I njëjti që bënë fushatën dhe protestat në Serbi, bënë fushatën për protestat në Shqipëri”, shkruan Ahmeti.

Ahmeti deklaroi se nuk po mbron kryeministrin e Shqipërisë, por po mbron vendin nga faktorët e huaj dhe se ai e ndjen për obligim kombëtar të mbaj një qëndrim të tillë.

“Dikush mund të ngrihet dhe të thojë, Ali Ahmeti po mbron Edi Ramën? Jo. Ali Ahmeti mbron Shqipërinë dhe i dhimbset Shqipëria.” shton ai.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Ramush Haradinaj, i cili në një dalje publike për mediat tha se i vjen turp që qytetarë nga Kosova shkojnë në protesta.

“Po më vjen marrë që i shoh bashkëkombasit në protestë…unë nuk do kisha shkuar”, thekson ai.

Në protestën e bulevardit në Tiranë nuk kanë munguar protestues nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ata fillimisht u shfaqën si diaspora shqiptare, ndërsa sipas vetë qëndrimeve të politikanëve të ndryshëm në Prishtinë dhe Shkup, ata janë të organizuar nga VetëVendosja dhe simotra e saj VLEN./abcnews.al

“Kurti nxit protestën në Tiranë”/ Politikani i AAK, Labinot Bislimi akuzon kryeministrin e Kosovës

24 June 2026 at 13:32

Një politikan nga radhët e partisë AAK ne Kosove, të themeluar nga Ramush Haradinaj, Labinot Bislimi akuzon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin si nxitës e financues të protestave në Tiranë bulevard kundër qeverisë së Edi Ramës në Shqipëri.

“Këto pisllëqe e poshtërsira që po i shohim gjithandej trojëve tona nuk janë të rastësishme. Janë të financuara herë nga politika siç është rasti në Prishtinë. Pra, nga vetë qeveria e Albin Kurtit. Herë janë të financuara nga jashtë vendit përmes OJQ-ve të dyshimta. ” thotë ai.

Për Bislimin nga Kosova, protesta në Tiranë tashmë ka një dirigjim të madh edhe nga jashtë, duke bashkuar flukse në Shqipëri të cilat nuk i bashkon vetëm beteja ndaj Edi Ramës, por ndaj SHBA dhe BE.

“Madje, nuk ka më rëndësi as Edi Rama. Në qendër të kësaj proteste po shfaqen gjithnjë e më shumë anti-amerikanizmi, anti-evropianizmi, kundërshtimi i çdo zhvillimi, retorika anti-perëndimore, kaosi dhe gara se kush do të shprehet në mënyrën më radikale e më përjashtuese.”shprehet ai.

Labinot Bislimi është një politikan opozitar kritik ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të cilin e quan neofashist, ndërsa protestën në bulevardin e Tiranës e konsideron antishqiptare.

Por akuzat e tij për protestues të dërguar nga Vetëvendosja e Kosovës në Tiranë me urdhër të Albin Kurtit nuk janë të vetme.

Edhe kryeministri Edi Rama ka deklaruar se protestues nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë ardhur në Tiranës për të protestuar kundër tij, me parpavija politike, duke nënkuptuar Vetëvendosjen e Albin Kurtit në Kosovë dhe aleatët e tij shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të partisë VLEN./abcnews.al

“E paskam ditur diçka kur ..”/ Rama nxjerr mesazhin dhe shtron pyetjen: Po ti o hoxhë, për llogari të kujt je futur në protestë?

23 June 2026 at 13:16

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestën që zhvillohet prej ditës në Bulevard.

Rama ka publikuar së fundi, statusin e hoxhë Mustafa Terniqit, i cili shkruan se Arben Kola nuk është organizato i protestës dhe nuk mund të flasë në emër të saj.

“Pyetja ime tani është, po ti o hoxhë për llogari të kujt je futur në protestë se vendi yt është në xhami dhe për ty që duhet të drejtosh lutjet, Kurani thotë se mbi kurrizin tënd rëndon një përgjegjësi e madhe, për të paqtuar shpirtrat, për të predikuar të vërtetën dhe për të mos e fshehur dijen?¿ Pra shkurt llafi, të mos luash kukamçefthi hoxhë, e të mos bësh punën e shejtanit duke futur xixa mes shqiptarëve, se nuk ia ka borxh askujt ky vend ndezjen e zjarreve të dasive fetare, as mesveti, as me botën” shkruan Rama.

Postimi i plotë:

Ah, pra unë e paskam ditur diçka kur ia tregova shqiptarëve këtë “hero” të flamingove🤡
Po pyetja ime tani është, po ti o hoxhë për llogari të kujt je futur në protestë se vendi yt është në xhami dhe për ty që duhet të drejtosh lutjet, Kurani thotë se mbi kurrizin tënd rëndon një përgjegjësi e madhe, për të paqtuar shpirtrat, për të predikuar të vërtetën dhe për të mos e fshehur dijen?¿ Pra shkurt llafi, të mos luash kukamçefthi hoxhë, e të mos bësh punën e shejtanit duke futur xixa mes shqiptarëve, se nuk ia ka borxh askujt ky vend ndezjen e zjarreve të dasive fetare, as mesveti, as me botën👿
Dhe merr shembull nga urtësia e Komunitetit Musliman, paçka se nuk je as pjesë e tij, se s’po të them gjë për si e qysh u ndërtua asokohe xhamia jote☹
Toleranca e madhe nuk është as dobësi e as mosdije për shumë gjëra të pathëna i dashur hoxhë🤷🏻‍♂️
***Askush të mos dyshojë se do t’ia lejoja vetes të merresha kështu me këdo protestues që s’ka mizë në vesh kur flet, se po t’ia lejoja s’do respektoja rolin dhe detyrën time ndaj shqiptarëve. Po shqiptarët, në daç në punë, në daç në protestë e në daç në kafe, s’mund të lejojnë që këta të mizave instaluara në vesh, t’i nxisin keq e më keq kundër njëri-tjetrit…

“Protesta, grupe nga Serbia dhe Greqia”, Meçe: Duan destabilizimin e vendit. Në fund, Rama do dalë më i fituari

22 June 2026 at 13:49

TIRANË- Protesta kundër investimit të Jared Kushner në Zvërnec u përdor dhe u fabrikua nga faktorë të jashtëm dhe po përdoret prej tyre.

Televizioni amerikan Fox News, për herë të parë, konfirmon tezën e qeverisë shqiptare për futjen e elementeve të huaj në protestën e Tiranës, ndërsa intervistoi edhe drejtuesin e firmës investitore në Zvërnec, i cili thotë se projekti shumëkombësh do të respektojë të gjitha ligjet dhe parimet e ruajtjes së mjedisit.

Analisti Arben Meçe deklaroi në “News Line” në ABC News se protestat kundër investimit në Zvërnec janë ndikuar nga faktorë të jashtëm dhe janë shoqëruar me një fushatë të organizuar manipulimi në rrjetet sociale.

Sipas Meçes, protesta e parë në Zvërnec ishte e organizuar nga grupe me lidhje greke, ndërsa protestuesit janë bërë pre edhe e manipulimeve serbe përmes asaj që ai e cilësoi si “luftë kibernetike”.

Ai pretendoi se ekzistojnë qendra jashtë Shqipërisë, të cilat sipas tij, po ndikojnë në përhapjen e informacionit të rremë.

Duke analizuar pjesëmarrësit në protesta, Meçe i ndau ata në disa grupe: aktivistë të lidhur me interesa greke, mbrojtës idealistë të mjedisit, përfaqësues të partive opozitare dhe grupe që, sipas tij, synojnë destabilizimin e vendit.

Ai përmendi Adriatik Lapajn, Arlind Qorin dhe Agron Shehajn si figura të pranishme në protestë, ndërsa akuzoi Sali Berishës se po e stimulon dhe po e shfrytëzon politikisht lëvizjen.

 Sipas tij, në fund të kësaj përballjeje, përfitues do të jetë kryeministri Edi Rama dhe humbësi më i madh, Sali Berisha.

“Kemi thënë deri në organizim. Fjalët që ka thënë organizatori, ka thënë fjalë të sinqerta. Kam thënë për organizim. Dita e parë në Zvërnec ishte e organizuar nga grekët. Lufta kibernetike, kjo që po shohim tani është produktit i luftës kibernetike. Janë tre qendra, që kanë prodhuar këtë mekanizëm matematikor, ku çdo informacion që vjen kundër protestës bombardohet në mënyrën më maksimale. Këtë skemë nuk mund ta kemi në Shqipëri, por këto na çojnë në territore jashtë Shqipërisë. Kur e vërteta tentonte të thoshte gjysmën e saj, menjëherë ajo mbulohej dhe nuk dilte dot.

E vërteta do vonojë, por do të dalë.  Po dalin rezultatet e para të informacioneve të rreme. Protestuesit janë pre e manipulimeve serbe. Dy protesta e fundit u thanë se ishin e Diasporës? 100 makina ishin. Janë fotografuar kamionë që kanë ardhur nga Kosova, kanë hyrë nga Serbia. Ditën e parë, protestuesit i kam ndarë në tre grupe. Grupi i pari për mua ishte greku, e gjithë lëvizja greke. Nuk është vetëm Greqia, por në këtë rast është e lidhur drejtpërdrejt nga Greqia.

Po pranohet edhe nga organizatorët e saj. Grupi i dytë janë idealistë, ata që duan të mbrojnë me shpirt mjedisin. Grupi më i madh, që ishte më i madh dhe u bë prezent, ishte grupimi i partive opozitare. Pashë Adriatik Lapajn, i cili ka grupe militante, që janë normale. Ke Arlind Qorin që ka grupe të tilla, por edhe Agron Shehaj. Mbas tyre në hije ishte Sali Berisha. Janë grupimet e reja dhe militantë të PD. Grupi i fundit ka pasur një qëllim: destabilizimin e vendit. Situatën po e shfrytëzon Saliu. Ai po e stimulon protestën.

Grupi i dytë nuk e ndjen veten të përfaqësuar. Pasi kjo protestë të përfundojë, ne do t’i kthehemi problematikave që ka grupi i dytë. Grupi i dytë është ai grupi i që qeveria duhet të merret me këtë shtresë.

Kjo është vala e tretë shkatërrimtare e Shqipërisë. Vala e parë ishte në vitet 90-91. Vala e dytë ka qenë në 1997 dhe kjo është vala e tretë, e cila është euforike. Është krijuar një mendim se armiku i Shqipërisë është oligarkia. Është një protestë, e cila nuk prodhoi një strukturë, sepse dirigjenti nuk e lejon. Në të gjithë këtë lëvizje fitimtarë do të dalë Rama, ndërsa humbësi më i madh do jetë Sali Berisha.

Kjo protestë e di kur ka përfunduar, ditën kur Parlamenti Evropian hodhi poshtë gjithë qëllimin e strukturave antishqiptare me amendamentin e parë, jo të dytin. I pari ishte synimi kryesor i kësaj protestë, që të bllokohet i investimit në Shqipëri. PE miratoi një amendament tjetër. PE ishte mbledhur  për të miratuar progres-raportit për vitin 2025. Ky amendamenti ishte në favor te zhvillimit të Shqipërisë”, tha ai./abcnews.al

Ende Gut, Alles Gut!

22 June 2026 at 10:38

Nga Sokol Balla – Toronto

Nuk di përse, por sa mbaj mend, çdo botëror futbolli, luhet në një vit kur bota e madhe dhe ajo e imja e vogël, kalojnë turbullira. Në Kupën e Botës në 1982, isha në Kampin e Pionerëve në Durrës, por mes alarmeve për zbarkime diversantësh. Kjo u provua e vërtetë: Xhevdet Mustafa zbarkoi një natë atë verë, dhjetëra kilometra më poshtë, afër Lagunës së Karavastasë. Në 1986, Botërori i Kolumbisë, u spostua në Meksikë. Dhe ishte ngjarja më e bukur e vitit, por që nuk zbehu dot renë e zezë të radioaktivitetit që na erdhi nga Chernobyl. Në 1990, Gjermania shpallej kampione e Botës, ndërsa Tirana u shkund nga ulërimat entuziaste të mbi 3000 shqiptarëve të futur në Ambasadën e saj në kryeqytet. E kështu me radhë: çdo 4 vjet mund të gjej një ngjarje që t’ja ngjis nga pas Botërorit. Ndoshta sepse ajo festë globale rreth topit të rrumbullakët, jo rrallë ka shërbyer si shërim qoftë edhe i përkohshëm, i plagëve të një kombi.

Shikoni se çfarë po ndodh me Iranin. Në mes të një konflikti me vendin mikpritës, Amerikën, lojtarëve të tij u duhet të bëjnë xhiro çdo ditë të ndeshjes, pasi mikpritësit nuk janë dhe aq mikpritës me ta. Veç të tjerave, mes deklaratave të Presidentit amerikan, se “nëse shkelin marrëveshjen, negociatorët e Iranit, nuk do arrijnë dot të kthehen në vendin e tyre”. E megjithatë Irani ështe në prag të kualifikimit, pas dy obarazimeve në një nga grupet më të vështira. Lojtari më i mirë i ndeshjes, një Iranian, iu përgjigj kështu pyetjes se një gazetareje amerikane, lidhur me problemet e vendit të tij: “Këtu kemi ardhur të luajmë futboll. Problemet tona mes nesh, nuk janë puna juaj. Ato do t’i zgjidhim mes nesh”. Pra pranoi problemet, por i mbylli derën një prej arsyeve, që i kishin shkaktuar ato. Nëse ka një koncept patriotizmi, besoj se kjo sjellje është më e afërta me të. Por nuk është rasti i vetëm kur futbolli ka ringjallur një komb. Italia, pas skandaleve në vitet 1982, 1994 dhe 2006. Gjermania kurorëzoi bashkimin, me një kupë bote në 1990. Siç ka dhe raste kur futbolli ka fshehur kriza të mëdha. Si në Brazil në 1970, apo Argjentinë në 1978, kur diktaturat ushtarake, nuk zbehën dot masivitetin popullor të Pele apo Mario Kempes. Edhe Presidenti de Medici, edhe katër gjeneralët e Argjentinës, tentuan të vjedhin popullaritetin e tyre. Sigurisht, pa sukses. Në 2018, megjithëse u bë qull nga shiu, Vladimir Putin këmbënguli të ishte ai që t’i jepte kapitenit të Francës Kupën e Botës. Në 2022 Al Thani vuri kusht, që Messi të vishte një tunikë të zezë locale. Futbolli dhe politika kanë ecur gjithmonë bashkë, megjithëse ka qënë një martesë e pasuksesshme: I pari ka qënë gjithmonë popullor, e dyta, kurrë.

Padyshim ky Botëror vjen në kohët më të pazakonta të dekadës së fundit, siç edhe vjen në formën e re treshtetëse, të organizimit të tij, me Amerikën e Trump (me që ra fjala, edhe ai ka kërkuar ta japë ai vetë Kupën e Botës, ekipit kampion) agresive ndaj Kanadasë “europiane” dhe Meksikës së emigrantëve të paligjshëm. Por për mua Botërori i tretë i Meksikës, mbart dhe nota nostalgjie. 40 vjet më parë, kur nuk kishim as frigorifer dhe as televizor me ngjyra, orët nocturne të ndeshjeve, u kthyen në një eveniment për mua dhe babain tim. Xhaxhi Gimi, komshiu ynë, kishte frigorifer dhe Televizor Dajti. Çdo mesnatë, me kujdes ai hapte derën dhe rehatoheshim të tre (ai, babai im dhe unë) dhe shikonim mrekullitë e Maradonës. Xhaxhi Gimi hapte frigoriferin, na qeraste me kasata dhe me ujë të ftohtë dhe në ato 90 minuta ndiheshim sikur jetonim në një botë tjetër, pa halle dhe pa shqetësime mbijetese. Të gjithë bashkë: unë, im atë, xhaxhi Gimi dhe Maradona.

Sot xhaxhi Gimi, Maradona dhe im atë nuk jetojnë më. Kujtimet po. I solla në vëmendje ndërsa në Toronto, takoja shoqen time të fëmijërisë, vajzën e madhe të xhaxhi Gimit, me të cilën, ndanim dhe pasionin e fortë për librat dhe letërsinë. Jeton këtu prej vitit 1998 bashkë me bashkëshortin e saj, që e njeh prej kur ishin të dy 14 vjeç dhe u takuan në bankat e gjimnazit Qemal Stafa. Lanë Shqipërinë në vitin e keq 1998, meqë ra fjala, vitin e Botërorit francez. Sigurisht jetët tona morën drejtime të ndryshme. E ja ku takohemi sërish: Ra Botërori e u pamë. Por mendjen e kemi te Shqipëria. Më shumë ajo sesa unë. Ndërsa ecim në rrugë, më tregon vendin ku pak ditë më parë disa qindra shqiptarë, ishin mbledhur në solidaritet me protestën në Tiranë. Më tha se ishte habitur që në protestë kishin dalë kryesisht të majtë. Kështu është emigracioni në Kanada. Janë kryesisht profesionistë dhe të përzgjedhur nga sistemi kanadez i emigracionit. Edhe shoqja ime, edhe bashkëshorti i saj, megjithëse janë pak më shumë se 50 vjeç, janë të dy CEO në dy kompani, njëra kanadeze, tjetra ndërkombëtare. Nuk e pyeta përse nuk kishte dalë edhe ajo në protestë. Familja e saj ishte e djathtë. Por më vonë më tha se i vëllai – ai kishte qënë nga të rinjtë e zjarrtë në dhjetor 1990 – i kishte pohuar se nuk mund të dilte e të mbështeste sërish një plak të lodhur, që kërkonte të bëhej dhëndër 85 vjeç. Shoqja ime kërkonte të kuptonte se çfarë po ndodhte. Më vonë gjatë bisedës më tha se kishte investuar në një pronë në Gjirin e Lalzit. “Po pse në Lalz, e jo në Florida?”. Më dha disa argumente por asnjë prej tyre nuk iu duk bindës, bashkëbiseduesit të saj, i cili megjithëse jeton e punon në Shqipëri, nuk ka qënë kurrë në Zvërnec dhe në Gji të Lalzit ka shkuar vetëm për dasmën e Getoarit. Por bindja e saj dhe e bashkëshortit, mesa duket ishte: kthim në Shqipëri për pjesën e fundit të jetës. Një tjetër shok i imi, (brother from another mother, e quaj unë me humor), edhe ai mendon ta lërë dikur Zvicrën e të jetojë në Shqipëri. Të dy këta miq të mi, nuk kanë ardhur në protestën e Tiranës. Por kanë investuar tek e ardhmja e Shqipërisë. Dhe me shqetësim shohin nëse Ajo po rrëshqet sërish në kaos. Janë aksionerë tek një e ardhme, që ndoshta për momentin është më e pasigurt se kurrë. Ndahem me të, me idenë se diaspora shqiptare, ajo e vërteta, investon te e ardhmja e Shqipërisë, dhe nuk vjen vetëm në verë, të shkojë në Dhërmi e të gjejë nuse me Lamborghini me timon djathtas.

Ndërkohë më vjen mesazhi se njerëz me maska kanë grisur flamurin e Izraelit, pasi e kanë shkulur prej ambasadës së tij në Tiranë. Desha t’ja nisja mesazhin shoqes sime dhe t’i thoja, ta rimendonte dhe njëherë Miamin. Por nuk arrita dot. “Ishte kenaqësi e madhe që kujtuam sot, xhaxhi Gimin dhe babin tim. Përqafime nga ne. Shihemi në Shqipëri”. E lashë. Shqiptarët janë optimistë të pandreqshëm. Gjynah që nuk ja dolëm të ishim në Botëror. Ku i dihej pastaj? Titulli kampion do ishte vetëm 7 ndeshje larg.

Kërkoj një Uber për të shkuar në stadium. Luan Gjermania me Bregun e Fildishtë, por nga Tirana më thonë se kjo ndeshje nuk duket se ka ndikuar kësaj radhe në bulevard. Në protestë kësaj radhe kanë ardhur më shumë tifozë të Anglisë dhe një ultrafanse VIP e Vermoshit. Shoferi i Uberit ndërkohë quhet Dmytro dhe më sheh vëngër. Në dorën e djathtë mban byzylyk verdheblu. Pra është ukrainas dhe kuptohet: emri im, i kujton ndoshta Rusinë? I them që jam nga Shqipëria. Duket më i lehtësuar. Lehtësohem edhe unë dhe e pyes dhe sa kohë do na duhet derisa të arrijmë në stadium. Kthen kokën: “Shumë protesta në Tiranë këto ditë…” I them që njerëzit janë të ndarë. “E di. Për shkak të investimit të familjes Trump”. Mundohem t’i shpjegoj se nuk është vetëm për këtë. Por Dmytro nuk ka nevojë për shumë detaje. Ai është i qartë: “Po përse duhet patjetër që t’i merrnit paratë nga Donald Trump?” E thotë me kaq seriozitet, ndërkohë që është një emigrant ukrainas, që jeton në Kanadanë “europiane”. Çdo qenie kudo në botë, ka mendjen e vet. Edhe kur vjen puna për Zvërnecin, apo Donald Trump.

Unë ndërkohë e kam mendjen te Gjermania. Ndoshta një vit kaq i rrëmujshëm për ne, mund të jetë një ogur i mirë për Panzerat. Ashtu si në korrik 1990, kur më shumë se të gjithë, klithëm ne shqiptarët në Tiranë, kur Matthaeus ngriti Kupën e Botës në Romë. Cdo gjë është mirë, kur mbaron mirë.

Ende Gut, Alles Gut.

Toronto, 22 qershor 2026.

Ismaili: Largimi i Koçekut vendimmarrje personale, secili mban përgjegjësi për qëndrimet e veta!

21 June 2026 at 19:35

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka komentuar në një intervistë për “NewsRoom” në ABC News largimin e Marjana Koçekut, si dhe pjesëmarrjen e saj në protesta.

Ismaili u shpreh se largimi i Koçekut është një vendimmarrje personale dhe se çdo punonjës ka pasur hapësirën e nevojshme për të ushtruar detyrën e tij.

Ministrja shtoi se, sipas saj, ish-kolegia nuk i ka shprehur asnjëherë qëndrimet e saj gjatë mbledhjeve zyrtare dhe se pa një akt formal nuk mund të jepet koment mbi arsyet e largimit.

“Është vendimmarrje personale. Por mund te them se të gjithëve na janë dhënë hapësira të duhura për të bërë më mirë çdo ditë punën tonë. Ish-kolegia nuk ka përdorur asnjëherë mbledhjet për të shprehur mendimet e veta. Dhe sa kohë nuk kemi një shkresë zyrtare, unë mendoj që nuk mundem dot as ta komentoj. Edhe për protestën është qëndrimi i saj. Por janë veprime shkak-pasojë dhe secili mban përgjegjësi për qëndrimet vetë”, tha ajo.

Ajo theksoi gjithashtu se pjesëmarrja në protesta përbën qëndrim personal, për të cilin secili mban përgjegjësi individuale.

“Edhe për protestën është qëndrimi i saj. Por janë veprime shkak-pasojë dhe secili mban përgjegjësi për qëndrimet vetë”, u shpreh Ismaili.

/abcnews.al/

❌