Normal view

Erdogan pret Trump/ Samiti i NATO-s mbledh liderët e Aleancës në Ankara

7 July 2026 at 15:21

Presidenti amerikan Donald Trump ka mbërritur në Ankara për samitin e NATO-s, ku u prit nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan. Pas ceremonisë së pritjes, dy liderët zhvilluan një takim dypalësh, ndërsa në fokus të diskutimeve janë marrëdhëniet mes dy vendeve, bashkëpunimi në mbrojtje dhe e ardhmja e aleancës.

Trump vjen në këtë samit me kërkesën që aleatët evropianë të rrisin më tej shpenzimet për mbrojtjen dhe të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit. Udhëheqësi amerikan ka kërkuar që vendet anëtare të përmbushin objektivat e reja të NATO-s për investimet ushtarake, ndërsa aleanca synon të tregojë se premtimet financiare po shndërrohen në kapacitete konkrete ushtarake.

Në Ankara per samitin eshte edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i tha se vendi i tij pret vendime konkrete për forcimin e mbrojtjes. Ai kërkoi qe në fokus do të jenë rritja e kapaciteteve mbrojtëse, bashkëpunimi me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe marrëveshje të reja për dronë, sisteme mbrojtjeje ajrore dhe prodhim ushtarak.

NATO pritet të prezantojë kontrata të reja ushtarake me vlerë dhjetëra miliarda dollarë. Paketat përfshijnë investime në avionë vëzhgimi, dronë, sisteme transporti dhe karburanti ajror, me synimin për të rritur gatishmërinë e aleancës përballë kërcënimeve të reja.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u ka kërkuar vendeve anëtare të paraqesin plane të qarta dhe të besueshme për përmbushjen e objektivave të mbrojtjes. Ai ka theksuar se rritja e buxheteve duhet të përkthehet në armë, municione, mbrojtje ajrore dhe kapacitete reale ushtarake.

Samiti zhvillohet në një moment delikat për aleancën, me debate mbi ndarjen e barrës financiare mes SHBA-së dhe Evropës, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon të mbetet çështja kryesore e sigurisë për NATO-n.

 

Samiti i NATO në Ankara/ Pritet të marrë pjesë dhe Donald Trump, mes përplasjeve me Aleancën

3 June 2026 at 12:25

Turqia pret që Presidenti Donald Trump të marrë pjesë në një samit të NATO në Ankara muajin e ardhshëm, ku anëtarët e aleancës pritet të përballen me presion të ri për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan tha për Bloomberg TV se në telefonatat e fundit me presidentin Rexhep Erdogan, Trump kishte dhënë sinjale se planifikon të marrë pjesë në takimin e 7-8 korrikut.

Fidan tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj NATO, duke shtuar se nuk ka shenja se Uashingtoni synon të ndërmarrë veprime për t’u tërhequr nga aleanca.

Ai shtoi se aleatët europianë kanë filluar tashmë të rrisin buxhetet e mbrojtjes në përgjigje të presionit amerikan dhe se udhëheqësit do të shqyrtojnë progresin në samit.

Pjesëmarrja e Trump në samit do të ishte një urë paqeje në marrëdhënien e tensionuar të Uashingtonit me aleancën në muajt e fundit, për shkak të luftës në Iran.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka akuzuar aleancën se nuk u gjend krah shteteve të Bashkuara në këtë konflikt, në të cilin NATO zgjodhi të mos bëhet palë.

Trump dhe zyrtarët e tij më të lartë shkuan aq larg sa të konsideronin një tërheqje nga aleanca, por javët e fundit retorika ka qenë më e qetë.

Shtetet anëtare të aleancës veriatlantike janë zotuar tashmë të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të prodhimit të brendshëm bruto, me kërkesë të presidentit amerikan./abcnews.al

Bruksel, BE samit për planet amerikane për Groenlandën

22 January 2026 at 09:37

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të takohen sot në Bruksel për të gjetur një përgjigje të përbashkët ndaj presidentit të SHBA-së Donald Trump në lidhje me aspiratat e tij për Groenlandën.

Ai duhej të vendoste një tarifë shtesë prej 10% për mallrat nga disa aleatë evropianë nga 1 shkurti, por dje ndryshoi mendje.

Trump kishte thënë se tetë vende evropiane do të përballeshin me tarifa më të larta derisa Shtetet e Bashkuara të siguronin atë që ai e përshkroi si “blerjen e plotë dhe totale” të Groenlandës së administruar nga Danimarka.

Dje, Trump tha se nuk do të përdorte forcën dhe hoqi dorë nga kërcënimi i tij për tarifa ndërsa përmendi një marrëveshje të paspecifikuar të NATO-s mbi ishullin Arktik.

Përpara samitit, disa zyrtarë theksuan se BE po përpiqej të zgjidhte situatën dhe se blloku do të merrte në konsideratë zbatimin e kundërmasave vetëm nëse tarifat e kërcënuara do të vendoseshin.

”Java e rrëmujës me Trump do të thotë se marrëdhëniet transatlantike janë në një udhëkryq”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen përpara samitit.

”Evropa preferon dialogun dhe zgjidhjet, por ne jemi plotësisht të përgatitur të veprojmë, nëse është e nevojshme, me unitet, urgjencë dhe vendosmëri”, theksoi ajo.

SHBA dhe Ukraina diskutojnë për armëpushimin, para samitit evropian

13 December 2025 at 22:41

Kryeqyteti i Gjermanisë do të jetë nikoqir i delegacioneve amerikane dhe ukrainase, të cilat do të diskutojnë mbi armëpushimin në Ukrainë, përpara se për ndaljen e luftës së Rusisë të mbahet samiti i liderëve evropianë. Diskutimet shihen si sinjal se Washingtoni zyrtar sheh shanse për përparim në çështjen e armëpushimit, pas propozimit amerikan të planit për paqe. E në këtë plan, sipas dy medieve prestigjioze ndërkombëtare, parashihet edhe anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian në vitin 2027.

Gjermania do të jetë nikoqire e një takimi të fundjavës midis delegacionit amerikan, atij të Bashkimit Evropian dhe ukrainas për arritjen e armëpushimit në Ukrainë, në kuadër të përpjekjeve të intensifikuara të SHBA-së dhe BE-së për ndaljen e luftës së nisur nga Rusia.

Në takimin që do të zhvillohet në Berlin, para mbajtjes së samitit të liderëve evropianë, delegacioni amerikan do të udhëhiqet nga i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për Ukrainën, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner.

Përzgjedhja e Witkoffit për ta udhëhequr delegacionin shihet si sinjal se Washingtoni zyrtar sheh shanse për përparim në çështjen e armëpushimit, pas planit të propozuar amerikan për paqe. Për këtë plan Britania e Madhe, Franca dhe Gjermani janë angazhuar për të siguruar disa ndryshime, pasi që drafti i publikuar muajin e shkuar i bën thirrje Ukrainës t’ia lëshojë Rusisë disa territore si dhe të heqë dorë nga ambicia për anëtarësim në NATO.

E të shtunën kancelari gjerman, Fridrich Merz, ka thënë se Evropa duhet të përgatitet për ndryshim themelor në marrëdhënien e saj me SHBA-në, në kohën kur përballet me kërcënim në rritje nga Rusia.

“Dekadat e Pax Americana kanë mbaruar kryesisht për ne në Evropë, edhe për ne në Gjermani. Nuk ekziston më ashtu siç e dinim. Dhe nostalgjia nuk do ta ndryshojë këtë. Amerikanët tani po i ndjekin shumë më agresivisht interesat e tyre. Dhe kjo mund të nënkuptojë vetëm një gjë: që edhe ne tani duhet t’i ndjekim interesat tona”, ka thënë Merz.

Në kuadër të iniciativës për ndaljen e luftës së Rusisë në Ukrainë, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, pati të premten takim me homologun rus, Vladimir Putin.

E të shtunën Erdogani është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje.

“Pas takimit me Putinin shpresojmë që ta kemi mundësinë për ta diskutuar planin e paqes edhe me presidentin e SHBA-së, Donald Trump. Paqja nuk është larg; ne e shohim këtë”, ka thënë Erdogan.

Një ditë më parë mediat “Financial Times” e Associated France Press raportuan, duke u bazuar në burime, se plani amerikan i paqes e parasheh anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian më 1 janar të 2027-s.

Sipas “Financial Times”, propozimi është duke u negociuar nga zyrtarë amerikanë e ata ukrainas, me mbështetjen e Brukselit. Por, anëtarësimi i shpejtë i Ukrainës në bllokun evropian mund të shqetësojë disa vende të BE-së, ndonëse administrata Trump beson se për këtë do të mund të tejkalohet kundërshtimi i Hungarisë.

Në funksion të shmangies së vetos nga Hungaria si edhe nga Sllovakia, BE-ja është dakorduar gjithashtu që t’i ngrijë për kohë të pacaktuar të gjitha mjetet financiare të bankës qendrore ruse të mbajtura në Evropë, duke hequr një pengesë të madhe për përdorimin e parave të gatshme për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet kundër Rusisë.

Pajtimi për ngrirjen e 210 miliardë eurove nga asetet ruse për aq kohë sa të jetë e nevojshme e eliminon rrezikun që Hungaria dhe Sllovakia, të cilat kanë marrëdhënie më të mira me Rusinë sesa shtetet e tjera të BE-së, të refuzojnë zgjatjen e ngrirjes dhe që në këtë mënyrë ta detyrojnë BE-në t’ia kthejë paratë Rusisë.

Samit për Ukrainën në Londër/ Koalicioni i vullnetit, përpjekje për t’i siguruar armë Kievit

24 October 2025 at 15:29

Mbahet këtë të mërkurë në Londër samiti i radhës i Koalicionit të Vullnetit, një grup vendesh që mbështesin Ukrainën në luftën e saj ndaj Rusisë. Ky takim vjen pasi Bashkimi Europian nuk ra dakord për të përdorur asetet e ngrira ruse për të financuar mbrojtjen e Ukrainës.

Pas orësh të gjata diskutimesh, unioni nuk ra dakord për një hap të tillë, me qeverinë e Belgjikës që ka refuzuar të ndërmarrë përsipër ndonjë rrezik për përdorimin e parave ruse pa garanci të forta nga partnerët e saj europianë. Pjesa më e madhe e aseteve të ngrira,  me vlerë rreth 225 miliardë dollarë, mbahet në Belgjikë.

Ndërkohë takimi i Londrës ka një tjetër qëllim. Kryeministri britanik Keirs Starmer do të përpiqet të bindë aleatët, që t’i sigurojnë       Ukrainës më shumë raketa me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektivat brenda territorit rus.

Zelensky, i cili udhëtoi nga Brukseli për në Mbretërinë e Bashkuar, shpreson që të sigurojë armët që ka kërkuar prej kohësh, të cilat sipas Kievit, mund të ndryshojnë rrjedhën e luftës.

Mes udhëheqësve që marrin pjesë në samit janë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, kryeministrja daneze dhe ai holandez. Ndërkohë liderë të tjerë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, i bashkohen samitit virtualisht.

Presidenti i Ukrainës shkon në takimin e Londrës pas dy fitoreve diplomatike për Kievin. Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj naftës ruse, ndërsa Bashkimi Europian miratoi gjithashtu paketën e radhës të masave ndëshkuese.

Por këto ende nuk e kanë ndalur luftën e Rusisë, pasi sulmet ndaj Ukrainës kanë vazhduar. Në rajonin e Kherson, të paktën dy persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën, ndërsa sulme ka pasur edhe në pjesë të tjera të Ukrainës./abcnews.al

Rama drejt Danimarkës, merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian

1 October 2025 at 11:03

Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë drejt Danimarkës në kuadër të takimit të shtatë të Komunitetit Politik Europian që pritet të mbahet atje, ditën e enjte.

Në samit pritet të jenë të pranishëm 47 krerë shtetes, ndërsa në qendër të diskutimeve do të jenë forcimi i mbështetjes për Ukrainën, gjendja e sigurisë në Europë si dhe mënyrat për ta bërë kontinentin më të fortë e më të sigurt përballë sfidave gjeopolitike aktuale.

Komuniteti Politik Evropian ka për synim të nxisë dialogun politik dhe bashkëpunimin për çështje me interes të përbashkët, si dhe të forcojë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit. Deri tani, kjo platformë është mbledhur gjashtë herë./abcnews.al

Shqipëria, mbështetje Ukrainës/ Rama: Nuk lejojmë askënd jashtë Evropës të na japë leksione paqeje

10 July 2025 at 15:25

ROMË- Edi Rama iu bashkua liderëve botërorë në konferencën e katërt ndërkombëtare për rindërtimin e Ukrainës, e cila u mbajt këtë të enjte në Romë. Në fjalën e tij, kryeministri tha se Shqipëria do të jetë krah Ukrainës për mbrojtjen e integritetit të saj territorial, edhe pse thekson se të flasësh për paqen, nuk e bën luftën të përfundojë ndaj Europa duhet të ketë një plan masash.

“Shqipëria është një vend shumë i vogël, me pak burime dhe pa fuqi për të ndryshuar shumë në fushën e betejës, por kemi qenë dhe do të jemi krah Italisë dhe miqve e partnerëve tanë evropianë, kudo dhe kurdoherë që Ukraina do të ketë nevojë për ne.

Ne nuk jemi një komunitet mes vendeve që janë në luftë, në këtë luftë të mallkuar në dyert e Europës. Askush nuk ka një formulë magjike, por thjesht të flasim për paqen nuk e bën luftën të mbarojë.

Ndërsa po bëjmë gjithçka të duhur për të mos e lënë Ukrainën në baltë, nuk do të jemi mjaftueshëm të fortë për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe për ta shpëtuar Ukrainën, nëse nuk kemi një plan të guximshëm, të besueshëm dhe tërheqës për paqen”, shtoi Rama.

Teksa e bën të qartë se agresori nuk është Ukraina, Rama thotë që Europa duhet të qëndrojë e bashkuar dhe të mos lejojë askënd ti japë leksione paqeje.

“Nuk duhet të lejojmë askënd jashtë kufijve të Europës demokratike të na japë leksione neve, komunitetit evropian, se çfarë është paqja dhe si tingëllon paqja.  Ne nuk jemi një komunitet luftënxitësish, dhe Ukraina nuk është as agresori dhe as shkaktari i asaj lufte të përgjakshme që zhvillohet çdo ditë e natë në portat e Europës”

E në fund, Edi Rama e mbylli fjalën e tij me një shprehje të Papa Franceskut.

“Dhe siç tha njëherë Papa Françesku këtu në Romë: “Unë ndiej këtu jo praninë e së shkuarës, por të së ardhmes.”, tha ai./abcnews.al

Tirana, qendër e diplomacisë/ Sot samiti i SEECP, rrugët që do të bllokohen në Tiranë

16 June 2025 at 08:10

Sot do të zhvillohet në Tiranë Ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore dhe policia ka hartuar një plan masash për bllokimin e disa rrugëve.

Qarkullimi do te kufizohet ne disa akse, si rruga drejt Aeroportit te Rinasit,  Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës-Tiranë” – Unaza e Re – Rrethrrotullimi i Saukut – Rruga e Elbasanit– Rruga “George Ë Bush” – Rruga “Urani Pano”-Rruga “Dervish Hima”.

Në largim të delegacioneve do të kufizohen Rruga “George Ë Bush” – Rruga e Elbasanit– Rrethrrotullimi i Saukut – Unaza e Re – Sheshi “Shqiponja” – Autostrada “Tiranë-Durrës” – Mbikalimi i Kasharit deri tek Aeroporti i Rinasit.

Ditën e hënë gjatë zhvillimit të aktivitetit, do të ketë ndalim të përkohshëm të qarkullimit, parkimit të automjeteve si dhe lëvizjes të këmbësorëve, në rrugën “Ludovik Shllaku” dhe Rrugën e Dibrës.

Orari i kufizimeve do të varet nga mbërritja e delegacioneve në Aeroportin e Rinasit./abcnews.al

“Mikpritja në Shqipëri, feja që na bashkon”, Rama: Samiti, me miq të mirë. Nuk ndalëm dot ‘retë’ e politikës britanike

17 May 2025 at 11:58

Nërsa iu përgjigj pyetjeve në Forumin ndërkombëtar ekonomik në Tiranë, kryeministri Rama vecoi mikpritjen se profesion më të arrirë të shqiptarëve.

“Profesioni që kemi ne si shqiptarë është mikpritja. Mikpritja në Shqipëri është feja që na bashkon, myslimanë, të krishterë. Papa Francesku kur erdhi këtu tha se është vëllazëri fetare, të gjithë ne kemi një bindje që na përbashkon dhe është e vulosur në kanunin e mesjetë ku thuhet se Shtëpia e shqiptarit I përket Zotit dhe mikut, pra jeni të trajtuar si Perëndi. Kështu ne I shohim miqtë, kështu e shpjegonte kanuni.

Kur troket në derë është vullnet i Zotit, duhet ta presësh, qoftë edhe armik dhe nuk mund ta prekësh. Nder që ju mikpresim, të gjithë të ftuarit që janë këtu. Do bëjmë maksimumin t’ju bëjmë të ktheheni. Këta erdhën nga e gjithë Europa, dhe organizuar samitin e KPE e nisi si ide e Emanuelit, besoj se si ide e vjetër franceze. Kur mbështeta idenë e KPE shumë njerëz që nuk ishin dakord me të në fillim dhe menduan se ishte hileja tipike franceze menduan se në një farë mënyre pas kaq shumë vitesh po dilja si aset I rekrutuar nga francezët. Ky ishte samiti I gjashtë dhe gjithcka ndryshoi.

Agresioni rus ka bërë gjithkënd të besojë se ky format është dobiprurës për të gjithë. Patëm kënaqësi që Azerbajxhani dhe Armenia janë vetëm një hap larg finalizimit të marrëveshjes së paqes. Një gjë nuk ia dolëm dot të bënim. Një ditë më parë patëm Starmer, na solli me vete kaq shumë shi sa e gjithë dita dje ishte nën retë e politikës britanike e shihni sot kemi diell me mbretin e dytë diell këtu.”-tha Rama./abcnews.al

 

BE mblidhet në Tiranë/ Ukraina dhe Rusia mbajnë bisedime direkte për paqe për herë të parë që nga viti 2022

16 May 2025 at 14:24

Zyrtarët ukrainas dhe rusë u takuan të premten në Stamboll për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta për herë të parë që nga bisedimet e dështuara të fillimit të shkurtit 2022, kur Rusia e kishte nisur pushtimin e plotë të Ukrainës.

Pritjet janë se nuk do të ketë ndonjë përparim në këto bisedime.

Bisedimet e së premtes përmbyllin një javë të ngarkuar të diplomacisë, e nxitur nga përpjekjet e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për ta ndërmjetësuar një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, e cila ka shkaktuar vrasjen e dhjetëra mijëra ushtarëve nga të dyja palët dhe një numri gjithnjë e më të madh civilësh ukrainas.

Negociatorët rusë dhe ukrainas e filluan takimin e tyre pas orës 13:00, bashkë me zyrtarë nga vendi mikpritës, Turqia. Disa takime të ndara, që përfshijnë zyrtarë amerikanë, ukrainas, rusë, evropianë dhe turq, janë duke u mbajtur gjithashtu.

Moska nuk i ka pranuar thirrjet e Ukrainës, vendeve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara për një armëpushim të plotë 30-ditor, duke thënë se armëpushimi mund të bëhet vetëm si rrjedhojë e bisedimeve, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, hodhi poshtë ftesën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për t’u takuar ballë për ballë për herë të parë që nga viti 2019.

Duke hapur bisedimet, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, tha se është “tejet e rëndësishme” të zbatohet një armëpushim “sa më shpejt të jetë e mundur” dhe se “është gjithashtu shumë e rëndësishme që këto bisedime të shërbejnë si bazë për një takim mes udhëheqësve. Ne besojmë me gjithë zemër se është e mundur të arrihet paqja përmes negociatave konstruktive”.

Para bisedimeve, udhëheqësi i delegacionit ukrainas, ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, tha në Facebook se paqja është e mundur vetëm nëse “Rusia tregon gatishmërinë e saj për të ndërmarrë veprime konkrete, duke përfshirë një armëpushim të plotë për të paktën 30 ditë dhe zbatimin e masave humanitare, si rikthimi i fëmijëve ukrainas, të dëbuar me forcë”, si dhe shkëmbimi i të gjithë të burgosurve të luftës.

Vendimi i Putinit për të dërguar një delegacion të nivelit të ulët për bisedime – të cilin ai e propozoi më herët këtë javë dhe që Trump i bëri thirrje Ukrainës ta pranonte – bëri që pritshmëritë për ndonjë arritje në këto bisedime të jenë shumë të vogla. Trump, i cili ndodhej në një vizitë në Lindjen e Mesme, kishte dhënë sinjale se mund të udhëtonte drejt Turqisë për të marrë pjesë nëse edhe Putini do të merrte pjesë.

“Asgjë nuk do të ndodhë derisa unë dhe Putini të takohemi”, tha Trump pasi Kremlini njoftoi se do të dërgonte një delegacion të nivelit të ulët.

Më 16 maj, Trump tha se po kthehej në Uashington. “Të shohim çfarë do të ndodhë me Rusinë dhe Ukrainën”, tha ai, duke shtuar se do të takohej me Putinin “sapo të organizohet takimi”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i tha Fox News më 15 maj se nuk do të ketë përparim derisa Trumpi dhe Putini të ulen “përballë njëri-tjetrit”.

Rubio u takua me homologët e tij ukrainas dhe turq më 16 maj dhe përsëriti “qëndrimin e SHBA-së se vrasjet duhet të ndalen”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se një takim Trump-Putin për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, Ukrainën dhe çështje të tjera është “patjetër i nevojshëm,” por do të kërkojë kohë për t’u përgatitur dhe nuk duhet të mbahet nëse nuk sjell rezultate.

Putin nisi pushtimin e plotë tetë vjet pasi Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë së Ukrainës dhe nxiti luftën në rajonin lindor të Donbasit në vitin 2014.

Rusia tani kontrollon rreth një të pestën e territorit të Ukrainës, por ka dështuar të arrijë qëllimin e Putinit për ta nënshtruar vendin, i cili është i pavarur që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.Bisedimet e vetme të drejtpërdrejta për paqe u ndërprenë në pranverën e vitit 2022, pasi palët përplaseshin për çështje madhore dhe pas zbulimit të mizorive të kryera nga forcat ruse në Buça, një qytet që ata e braktisën teksa u tërhoqën nga veriu i Ukrainës pas dështimit për të pushtuar Kievin.

Në ato negociata, Rusia po kërkonte një marrëveshje që, sipas analistëve, do të nënkuptonte kapitullimin e Kievit – bërjen e Ukrainës vend të përhershëm neutral me ushtri të vogël dhe të pafuqishme, sovranitet të kufizuar dhe pak ose aspak qasje në mbështetje sigurie nga Perëndimi.

Zyrtarët rusë kanë sugjeruar se Moska nuk ka hequr dorë nga qëllimet e saj pavarësisht dështimit për ta pushtuar Kievin dhe përparimit të ngadaltë në fushëbetejë, ku kapja e territoreve të vogla i ka kushtuar Moskës me humbje të mëdha në njerëz.

Kremlini i ka quajtur bisedimet e së premtes si “rifillim” të negociatave të vitit 2022, dhe në shef o delegacionit rus është Vladimir Medinsky, një ndihmës i Putinit dhe ish-ministër i Kulturës, i cili gjithashtu udhëhoqi ekipin rus në 2022.

Zelensky e përshkroi delegacionin rus si “dekorativ” dhe tha se përbërja e tij tregonte se “ata nuk janë mjaftueshëm seriozë për negociatat”.

“Mendoj se Putini bëri gabim duke dërguar një delegacion të nivelit të ulët”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ndërsa mbërriti në Tiranë për samitin e Komunitetit Politik Evropian. “Topi është qartazi në fushën e tij tani. Ai duhet të veprojë. Duhet të jetë serioz nëse e dëshiron paqen. Prandaj, mendoj e gjithë trysnia është tani mbi Putinin”, shtoi Rutte.

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se Putini “po luan lojëra, gjë që tregon se ai nuk është serioz për paqen”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se është e qartë se “presidenti Zelensky është i gatshëm për takim, por presidenti Putin nuk u paraqit kurrë, dhe kjo tregon qëndrimin e tij të vërtetë. Prandaj, ne do ta rrisim presionin”.

Von der Leyen tha se BE-ja po përgatit një paketë të re sanksionesh. Ajo deklaroi se masat do të synojnë flotën në hije të anijeve të vjetra të mallrave që Rusia po përdor për të shmangur sanksionet ndërkombëtare, si dhe konsorciumin e gazsjellësit Nord Stream..rel

Meloni në Washington – Trump: Do kemi marrëveshje me BE-në

18 April 2025 at 11:47

Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni qëndroi për bisedime në Uashington. Në takimin me presidentin e SHBA-së Donald Trump u bisedua edhe për grindjen lidhur me doganat ndërmjet SHBA-së dhe BE-së. Në këtë kontekst Trump shprehu bindjen, se “100 përqind” do të ketë një marrëveshje. Sepse, BE-ja, sipas presidentit të SHBA-së, do “patjetër” të bëjë një marrëveshje. Ai tha, se pret një marrëveshje, “por kjo do të jetë një marrëveshje korrekte”. Meloni gjithashtu u shpreh optimiste për një zgjidhje dhe e vlerësoi SHBA-në një “partnere besnike”.Qëllimi është, të gjendet një rrugë e mesme, por ajo tha se është e “sigurt, që do të mund të arrihet një marrëveshje”, tha Meloni.

Meloni vendos “ura komunikimi”
Ashtu si shumë kryetarë të tjerë të qeverive europiane edhe kryeministrja italiane i kritikoi ashpër deklarimet e Trump për vendosjen e tarifave të reja doganore. Njëkohësisht ajo përpiqet për një marrëdhënie të mirë me presidentin eSHBA-së dhe u ofrua si ndërmjetësuese për vendosjen e “urave të komunikimit”. Meloni tha, se ajo do ta ftojë Trump në Itali dhe të peshojë mundësitë për të organizuar një takim me europianët e tjerë. Gjithashtu kryeministrja italiane pas kthimit nga Uashingtoni të premten (18.04.2025) do të takohet në Romë me nënpresidentin e SHBA-së, JD Vance.

Italia pranon objektivin e rritjes dy përqind të shpenzimeve për mbrojtjen
Edhe e ardhmja e NATO-s ishte temë e bisedimeve Trump-Meloni në Uashington. Meloni theksoi në bisedë me Trump, se vendi i saj i përmbahet kuotës dy përqind të shpenzimeve për mbrojtjen. Në Europë ka vendosmëri për të bërë më shumë për mbrojtjen. Pak më vonë ministri italian i Financave Giorgetti e deklaroi këtë premtim para parlamentit në Romë. Italia sipas llogarive aktuale brenda këtij viti do t‘i rrisë në dy përqind të produktit bruto në vend shpenzimet për mbrojtjen dhe ne për sigurinë në vend” tha Giorgetti. Italia ndër vendet themeluese të NATO-s, është e vonuar sa i përket zbatimit të vendimit më 2014 për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes. Më 2024 shpenzimet e Italisë për mbrojtjen, sipas përllogaritjeve të NATO-s, ishin 1,49 përqind.

Lavdërime nga Shtëpia e Bardhë
Trump u shpreh plot lëvdata për vizitoren nga Italia: “Ajo është një kryeministre e jashtëzakonshme. Mendoj, se ajo bën një punë fantastike në Itali. Ne jemi shumë krenarë për të. “Ndër kryeministrat europianë Meloni konsiderohet nga Trump si një ndër partneret më të preferuara për bisedime. Kryetarja e partisë së djathtë Fratelli d’Italia (Vëllezërit e Italisë) në janar mori pjesë në ceremoninë e përurimit të Trump në post dhe më parë e kishte vizituar atë edhe në rezidencën private në Mar-a-Lago në Florida. Trump nuk u shpreh lidhur me pyetjen, nëse do ta takojë presidenten e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, e cila në emër të vendeve anëtare po negocionon për tarifat doganore. Por ai tha, se: “Ne nuk kemi probleme, për të arritur një marrëveshje me Europën apo me ndokënd tjetër.”/DW

Macron, Starmer dhe “fantazma” elektorale e Lacivitas

10 April 2025 at 13:32

Nga Skënder Minxhozi

Edi Rama do të donte që Samiti i Komunitetit Politik Evropian të mbahej në datën e tij fillestare të përfolur, 9 maj. Pra dy ditë para zgjedhjeve. Për arsye të kuptueshme korrektese në raport me votën e shqiptarëve, kjo datë ishte e papërshtatshme, por kjo s’do të thotë që marketingu që kjo ngjarje po prodhon është më pak i rëndësishëm për organizatorët. Domethënë për qeverinë socialiste dhe kryeministrin e saj, i cili është i njohur për organizime e protokolle të kësaj natyre. Është e ditur se Rama egzaltohet në përgatitjen e ngjarjeve të tilla, merret me çdo ftesë, me menunë e ushqimit, vendin ku do ulen miqtë dhe dekorin e sallave e qilimin e kuq që pret delegacionet tek hyrja. E gjitha kjo e ka një arsye madhore shtesë, përtej detajeve për të cilat Rama njihet se është “i sëmurë”: një Samit i këtij formati është dhurata më e bukur elektorale që kryeministri do të kishte zgjedhur symbyllur edhe sikur ta pyesnin dhjetë herë rresht!

Ky samit e kthen Ramën në territorin e vet të preferuar të komfortit: politikën e jashtme. Një sferë e politikbërjes e cila në rastin e socialistëve kompenson edhe konsumin e qëndrimit gjatë në pushtet. Në fakt në 12 vjet drejtimi të vendit, me ulje-ngritjet e ekonomisë, mungesën e efiçensës në shkallët e ndryshme të qeverisjes, rastet e korrupsionit dhe premtimet e pambajtura, politika e jashtme ka qenë rregullisht kali i betejës i maxhorancës aktuale që ka nxjerrë nga pika e vdekur karvanin socialist.

Gjetja e pasaportës evropiane si simbol i fushatës elektorale vjen si një akt gati i detyrueshëm për Edi Ramën, si ikona e suksesit më të madh të qeverisjes së tij katërvjeçare, të mjegulluar nga Spak dhe amullitë e tjera të politikës së brendshme.

Në katër vitet e fundit u hapën negociatat me Brukselin dhe vendi riktheu kokën nga industria e turizmit e tulatur nga pandemia. Aktualisht jemi, për habinë e të gjithëve, një vend i dalluar në kryerjen e detyrave të shtëpisë së Brukselit. Aq të dalluar sa komisionerja e zgjerimit deklaron publikisht se negociatat do të mbyllen brenda vitit 2027!

Në anën tjetër, turizmi është afirmuar pa më të voglin dyshim si aktiviteti më i suksseshëm ekonomik i qeverive Rama që nga viti 2013. Një bilanc prej miliona turistësh të huaj, paralelisht me hapjen e kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Evropian, janë dy duar që lajnë njëra-tjetrën në procesin e normalizimit dhe hapjes së vendit ndaj botës.

Edhe një episod në dukje sipërfaqësor, ai i ardhjes dy herë në Tiranë të një presidenti francez brenda një viti e gjysëm (një i tillë s’kishte shkellur kurrë më parë tokën shqiptare), përbën një avantazh të cilin Edi Rama po e përdor në këtë atmosferë zgjedhjesh, duke e vënë Samitin mu në mes të sheshit Skënderbej. Si për të thënë publikisht dhe me forcë se ky është arsenali i tij i vërtetë në garën me kundërshtarët.

Data e zgjedhjeve po i ofron një bonus unik kryeministrit Rama. Një Samit i cili mbledh në qendër të Tiranës një hapësirë shtetesh që nisin në Kaukaz dhe mbarojnë në ishullin britanik. Nuk është e rastit që fillimi zyrtar i fushatës zgjedhore në Shqipëri po përkon me njoftimet për vizitat zyrtare që presidenti francez dhe kryeministri britanik do të zhvillojnë paralelisht me mbajtjen e Samitit, i pari në datën 17 maj dhe i dyti në datën 15. Nëse kësaj dysheje i shton Von Der Leyen, kancelarin Merz, Melonin, Zelenskin, Erdoganin e dy dyzina liderësh të tjerë të kontinentit, menuja e 16 majit bëhet “e rëndë në kalori”.

Vjen kësisoj e përsëritet një situatë e njohur për të gjithë ne shqiptarët, ku opozita njofton çdo javë izolimin e afërt qeverisë socialiste në planin ndërkombëtar dhe rregullisht ky lloj parashikimi hidhet poshtë nga ajo që ndodh në terren. Aty ku thuret rrjeta e ndërlikuar e raporteve me shtetet dhe institucionet, e ku Edi Rama ka treguar se di të notojë më me shkathtësi sesa me ndërtimin e një ujësjellësi në Kukës apo një cope rrugë në Përmet.

Kemi mësuar mjaftueshëm në këto 30 e kusur vite se kjo rrethanë, pra mbajtja e raporteve të ngushta me vendet dhe institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare përbën një koeficient që nuk i shërben vetëm karrierave personale të krerëve tanë politikë, por edhe vetë vendit. Një shtet i vogël dhe i ekspozuar ekonomikisht dhe në planin e sigurisë si Shqipëria, ka nevojë konstante të ruajë e forcojë marrëdhëniet me miqtë dhe partnerët.

Bilanci 12 vjeçar i qeverisjes së majtë në planin e brendshëm ka treguar prej kohësh shenja plakjeje e konsumi. Është një bilanc i cili do ta vendoste në risk fitoren e mandatit të katërt nëse nuk do të shoqërohej në sfond nga një proces i vazhdueshëm dhe për disa aspekte edhe i papritur hapjeje dhe bashkëpunimi të ngushtë me vendet kryesore të Evropës e SHBA.

Kjo është hipoteka e vërtetë e qeverisjes së Ramës në katër vitet e fundit, kur negociatat me BE u hapën dhe kur miliona turistë zbuluan “papritur” se të vish në Ksamil është po aq bukur dhe komode sa të shkosh në një ishull grek të Egjeut.

Politika e jashtme dhe turizmi, të përmbledhura nën nocionin e “hapjes” së vendit, janë suksesi i vërtetë 12 vjeçar i qeverisjes socialiste. I cili kontraston edhe më shumë kur vendoset përballë pozitës së vështirë të kundërshtarit kryesor Sali Berisha. Një politikan i veteran i cili dikur priste Xhorxh Bush në Tiranë, kurse sot gëzohet e rreh shuplakat se e ftoi ambasada greke në festën kombëtare, teksa këshilltari i Trump Lacivita është kthyer tashmë në një lloj fantazme elektorale për të dhe opozitën shqiptare! Pozitë shumë e ndryshme kjo nga ajo e kundërshtarit që po bën gati tapetin e kuq të 16 majit!

Presidenti Macron: Samit i ri për Ukrainën në Paris

21 March 2025 at 13:58

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka njoftuar një samit të ri të vendeve të gatshme për të ndihmuar në garantimin e një marrëveshjeje të mundshme paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë.

Pas një samiti të liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian në Bruksel të enjten, Macron njoftoi se një samit i ri për Ukrainën do të mbahet në Paris të enjten e ardhshme.

“Në këtë samit do të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky”, tha Macron.

“Ne do të finalizojmë punën tonë për të mbështetur ushtrinë ukrainase dhe për të ndërtuar një model ushtarak të qëndrueshëm dhe elastik për të parandaluar pushtimet e ardhshme ruse”, tha Macron në X.

“Ne do të përcaktojmë gjithashtu garancitë e sigurisë që forcat evropiane mund të ofrojnë. Të mbrojmë paqen është ajo që duam”, theksoi ai.

Macron tha se Ukraina ka nevojë për mbështetje të besueshme për të siguruar që çdo armëpushim i mundshëm të mbahet.

Kjo do të forconte edhe pozicionin e saj në negociatat e mundshme. Deri më tani diskutimet kanë përfshirë jo vetëm liderë të vendeve të NATO-s dhe BE-së, por edhe përfaqësues nga vende, përfshirë Australinë dhe Zelandën e Re.

Diskutimet përfshijnë çështje duke përfshirë pyetjen nëse dhe në cilat kushte forcat evropiane mund të kontribuojnë në sigurimin e një armëpushimi. Mbretëria e Bashkuar dhe Franca në parim kanë treguar gatishmërinë e tyre për dërgimin e trupave tokësore në Ukrainë. Megjithatë, ato këmbëngulin për përfshirjen e SHBA në rast të një përshkallëzimi.

BE samit për Ukrainën/ Kallas: Mirëpresim angazhimin e SHBA për mbrojtjen ajrore të Ukrainës

20 March 2025 at 15:41

Liderët e Bashkimit Europian janë mbledhur këtë të enjte në Bruksel në një samit dy ditor ku në mesin e çështjeve që do të diskutohet do të jetë edhe lufta në Ukrainë. Unioni 27 anëtarësh e ka bërë të qartë se mbështet paqen përmes forcës duke nënkuptuar kështu ndihmat ushtarake për Ukrainën janë garancia më e madhe për Kievin. Në nisje të këtij samiti do të jetë Presidenti Ukrainas Volodymir Zelensky I cili do tiu drejtohet liderëve të unionit 27 anëtarësh me një fjalim duke kërkuar më shumë mbështetje për vendin e tij.

Përpara nisjes së takimit në Bruksel, Përfaqësuesja e Lartë për politikë të jashme në Bashkimin Europian Kaja Kallas deklaroi se sa më e forte të jetë Ukraina në frontin e betejës, aq më e forte është edhe në tryezën  e paqes.

“Mezi po pres të dëgjoj presidentin Ukrainas Volodymir Zelensky që të na japë më shumë detaje mbi telefonatën që ai zhvilloi një ditë më parë me Trump. Ne mirpresim deklaratën e bërë nga Trump se Shtetet e Bashkuara do te angazhohen per mbrojtjen ajrore te Ukraines. Une kam propozuar qe ne kete takim te miratojme 5 miliarde dollare me shume ndihme ushtarake per Ukrainen, sepse sa me e forte te jete ajo ne front aq me e fuqishme do te jete edhe ne tryezen e negociatave.”

Por ndërkohë që Europa diskuton shtimin e prodhimit ushtarak dhe mbështetjen ndaj Ukrainës, në Londër po mbahet këtë të enjte një takim me liderët ushtarak të më shumë se 20 vende të asaj që Kryeministri Britanik e ka quajtur “Koalicioni I Vullnetit”. Këto lider ushtarak të më shumë se 20 vendeve po diskutojnë vendosjen e trupave paqeruajtës në Ukrainë pas përfundimit të luftës duke sfiduar kështu në mënyrë të drejtpërdrejt Rusinë e cila ka refuzuar deri tani më vendosjen e trupave të huaj ushtark si garanci sigurie për Kievin pas përfundimit të luftës. Bisedimet pritet të drejtohen nga Keir Starmer, Kryministiri Britanik I cili do ti bashkohet takimit në mbrëmje pasi vizitoi një nëndetëse bërthamore.

Kryeministri Britanik Keir Starmer i prezantoi muajin e shkuar Presidentit Amerikan nje plan britaniko francez per vendosjen e ushtareve perendimor ne Ukraine duke marre keshtu persiper permbushjen e garancive te sigurise per Kievin pas perfundimit te luftes. Ky plan i pershtatet vizionit te Trump I cili e ka bere te qarte se pesha e garancive te Sigurise per Ukrainen duhet ti bie Europes dhe jo Shteteve te Bashkuara./abcnews.al

Meloni: Samit urgjent me SHBA/ Kryeministrja italiane: Të bashkëpunojmë në këto kohë të vështira

28 February 2025 at 23:16

Giorgia Meloni ka bërë thirrje për një samit urgjent mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara.

Kryeministrja italiane ka shprehur synimin për të udhëhequr bisedimet për mënyrat se si duhet të trajtohen sfidat aktuale, duke filluar nga Ukraina.

Në një deklaratë pas përplasjes midis Trump dhe Zelensky Meloni i kërkoi Perëndimit të qëndrojë i bashkuar.

“Çdo ndarje e Perëndimit na bën të gjithëve më të dobët dhe favorizon ata që do të donin të shihnin rënien e qytetërimit tonë. Nga përçarja nuk do të përfitonte askënd”, tha ajo.

BE nis samitin për të diskutuar mbi planet e Trump për fundin e luftës në Ukrainë

17 February 2025 at 09:14

Udhëheqësit evropianë do të mblidhen sot për një samit të posaçëm për të diskutuar planet e presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

”Udhëheqësit e Gjermanisë, Britanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës, Holandës dhe Danimarkës pritet të marrin pjesë në takimin jozyrtar në Paris, së bashku me presidentin e Këshillit Evropian António Costa, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte”, theksuan burime nga Elysée.

Presidenti francez Emmanuel Macron priti takimin për të nisur konsultimet mbi situatën në Ukrainë dhe sfidat e sigurisë në Evropë, thuhet në deklaratë, duke shtuar se procesi mund të vazhdojë në formate të tjera.

Qëllimi është të bashkojë të gjithë partnerët e interesuar për paqen dhe sigurinë në Evropë; Takimi u organizua në një njoftim të shkurtër gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Vendet e BE-së dhe Ukraina kanë frikë se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia mund të kërkojnë një zgjidhje dypalëshe paqeje, pasi presidenti i SHBA Donald Trump deklaroi vendosmërinë e tij për t’i dhënë fund konfliktit dhe foli me presidentin rus Vladimir Putin.

Evropa dhe Ukraina këmbëngulin se duhet të marrin pjesë në bisedimet e paqes. Të dielën në mbrëmje, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se Ukraina dhe Evropa duhet të përfshihen në negociata.

 

❌