Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 2 February 2026Abc News

Armë për Rusinë nga Europa, Gjermania zbulon rrjetin sekret të eksporteve të paligjshme

By: Rovena
2 February 2026 at 18:43

Autoritetet doganore gjermane kanë arrestuar pesë persona këtë të hënë, 2 shkurt, të dyshuar se kanë shkelur embargon e Bashkimit Europian ndaj Rusisë, duke eksportuar mallra industriale drejt prodhuesve rusë të armëve.

Sipas hetimeve të deritanishme, të dyshuarit kanë organizuar rreth 16 mijë dërgesa drejt Rusisë, ndërsa vlera e transaksioneve të paligjshme arrin të paktën 30 milionë euro. Kështu bën të ditur Prokuroria e Përgjithshme Federale e Gjermanisë.

Arrestimet vijnë në një kohë kur autoritetet në Kiev u bëjnë thirrje liderëve europianë të forcojnë kontrollet ndaj eksporteve të mallrave industriale dhe pjesëve që Rusia mund t’i përdorë për prodhimin e armëve të përdorura në luftën kundër Ukrainës.

Mes pesë personave të akuzuar janë dy shtetas me nënshtetësi të dyfishtë gjermano-ruse dhe një shtetas me nënshtetësi të dyfishtë gjermano-ukrainase. Në qendër të hetimit ndodhet një kompani tregtare në qytetin verior gjerman Lübeck, në pronësi të njërit prej të dyshuarve, i identifikuar nga gjykata si Nikita S.

Për të fshehur aktivitetin e tyre, të dyshuarit dyshohet se kanë përdorur të paktën një kompani “guackë”(fiktive, pa zyra reale dhe aktivitet normal ekonomik) tjetër në Lübeck, blerës fiktivë brenda dhe jashtë BE-së, si edhe një kompani ruse si përfituese.

Sipas prokurorisë, “përdoruesit përfundimtarë” të mallrave të eksportuara përfshinin të paktën 24 kompani ruse të mbrojtjes. Gjithashtu, institucionet shtetërore ruse dyshohet se kanë mbështetur këto procese furnizimi.

Mallrat e eksportuara përfshinin, mes të tjerash, komponentë mekanikë dhe teknikë për prodhimin e armëve ruse dhe pajisje gjysmëpërçuese.

Kryeministri indian ndaloi importin e naftës ruse/ Trump: SHBA do ulë tarifat ndaj importeve indiane

2 February 2026 at 18:43

Presidenti i SHBA, Donald Trump, njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ulin tarifat ndaj importeve indiane nga 25% në 18%, pasi kryeministri indian Narendra Modi është dakorduar të ndalojë blerjet e naftës nga Rusia, sipas Trump. Vlerësohet se marrëveshja është arritur pas një bisede telefonike mes dy liderëve, ku u diskutua për tregtinë, sigurinë globale dhe përpjekjet për të përfunduar luftën në Ukrainë.

Trump gjithashtu tha se India do të rrisë importet e naftës nga SHBA dhe potencialisht nga Venezuelë, duke nënvizuar se kjo mund të ndihmojë në përfundimin e konfliktit në Ukrainë. Sipas tij, India ka rënë dakord edhe për të blerë mallra amerikane në vlerë më të madhe dhe për të reduktuar barrierat tregtare ndaj produkteve amerikane.

Kjo nismë shënon një ndryshim të rëndësishëm në marrëdhëniet tregtare dhe energjetike midis SHBA-së dhe Indisë, dhe është prezantuar si një hap drejt rritjes së bashkëpunimit dhe nxitjes së stabilitetit ekonomik global.  / abcnews.al /

PD braktis bojkotin për “territorialen”/ Çupi: Do vijë përçarja në PD. Pritet që të tunden pozitat e Berishës

By: Rovena
2 February 2026 at 18:23

Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Partisë Demokratike, ka pasur debate të ashpra nëse PD do të duhet të bojkotojë Komisionin për reformën territoriale dhe atë për reformën zgjedhore.

Megjithatë duket se PD ka braktisur bojkotin për “territorialen”.

Analisti Frrok Çupi i ftuar në “Tirana Live” në ABC News e cilësoi këtë zhvillim si një lëvizje kundër Sali Berishës, duke paralajmëruar përçarje brenda PD-së dhe lëkundje të pozicioneve të tij, ndërsa theksoi se veprimet e opozitës po bëhen kryesisht për sy të ndërkombëtarëve dhe jo si shenjë e një ndryshimi pozitiv real brenda partisë.

“Në PD nuk ka nevojë për entuziazëm se po ndodh diçka pozitive. Po ndodh diçka që është kundër Berishës dhe që ky nuk e komandon dot më. Pas këtij vendimi do të vijë përçarja në PD. Duke qenë se Berisha kërkon që ta shkatërroje me dorë të hekurt do të dalë shumë komik. Këto përbetimet që Berisha se do rrëzojë Ramën nuk shkojnë më, sepse PD hyri në ‘vathën’ e mazhorancës. Të gjitha këto PD me Berishën në krye i bëjnë për sy të ndërkombëtarëve. Atje dëgjojnë jehonën e tyre, në Strasburg dhe Bruksel. Shqipëria është goditur gjithmonë nga të vetët, por nga jashtë.

Pritet që në PD të tunden pozitat e Berishës. Godasin drejtësinë nga jashtë. Berisha e bën këtë, se paradite sulmoi një pjesë të drejtësisë dhe pasdite u jep sinjale pjesës tjetër, janë ata që Berisha ka në dorë, ose edhe ata janë neutralë që nuk i bëjnë gjë. Drejtësia jonë ka kohë që ka hyrë në ekstazë, kërkojnë rroga sa e gjithë bota, kërkojnë që të shkrijnë qeverinë. Berisha quan armike të përbetuar Irena Gjokën dhe Altin Dumani, sepse ata vepruan sipas ligjit”, tha Çupi.

Agjenci për Mbikëqyrjen në burgje/ Trajton ankesat për abuzim dhe korrupsion në sistemin e burgjeve

2 February 2026 at 18:16

Komisioni i Ligjeve i dha dritën jeshile në parim ngritjes së një Agjensie të re Mbikëqyrjeje, e cila do të kontrollojë dhe parandalojë zyrtarët shtëtërore të abuzojnë me personat në janë në burgje apo në shërbim prove.

“Kjo nismë që ne paraqesim për shqyrtim synon të standardizojë trajtimin e ankesave dhe të ulë hapësirat për abuzim dhe korrupsion, duke forcuar etikën në shërbimin penitenciar. do të ushtrojë veprimtari inspektuese, informative, hetimore ndaj institucioneve qe jane pjese e zinxhirit të ekzekutimeve penale.

Do të administrojë ankesat, do të kryejë analiza risku dhe do të japë rekomandime sistemike, duke respektuar parimin e ligjshmërisë, konfidencialiteti dhe llogaridhënies.”

Opozita shprehu rezerva për gjurmimin e informacionit por sipas ministrisë së drejtësisë veprimtaria e agjensisë do të jetë sipas të njëjtave standarte që zbatohen nga forcat e armatosura dhe policia e shtetit.

“Elementët që janë përdorur për këto agjenci, në fushat e veta të zbatimit, do të përdoren edhe për mbikëqyrjen e këtyre personave që ushtrojnë aktivitetin në pjesën ekzekutimit të vendimeve penale me kufizimin e lirisë.

Me këtë vendim ti do të mbikëqyrësh këta persona të cilëve u është kufizuar liria. Nuk shtrihet tek persona të tretë dhe që nuk janë pjesë e këtij sistemi. Garancitë që jepen në ligj janë ato që referojnë tek ligjet e tjera.”

Sipas mazhorancës, veprimtaria informative dhe përgjimi parandalues janë tashmë të rregulluara në mënyrë strikte në ligj. Ndërsa deputeti I partisë demokratike, Arjan Ndoja, rekomandoi që drejtuesi I kësaj agjensie të emërohet nga kryeministri dhe jo ministri I drejtësisë.  / abcnews.al /

“Revolucion”… në tavolinë, PD braktis bojkotin/ Pas presionit nga PS dhe të vetët, Berisha pranon rikthimin në tryezat e reformave

By: Rovena
2 February 2026 at 18:08

Berisha ha fjalët e veta. Presioni nga 10 deputetë të PD për të marrë pjesë në komisionet e reformave, e detyroi të zhbëjë vendimin e bojkotit.

Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës së Territoriale, Luçiano Boçi zbuloi se PD ka një vendim të ri, për tu rikthyer në komisionet e posaçme parlamentare.

“Qëndrimi i shprehur i PD, pas diskutimeve në grupin parlamentar dhe më pas në kryesinë e vogël, është që PD do të vijojë të jetë pjesë. Në një mbledhje sa më të afërt, të dakordësuar mes bashkëkryetarëve, dhe do vijojë me axhendën e komisionit”, tha Boçi.

Si vendimi i ri, ka dhe një kusht të ri. Boçi paralajmëroi se komisioni duhet të përfundojë me një produkt, jo me dy.

“Ne nuk heqim dorë nga qëndrimi ynë, duhet të ketë një finalizim, një dalje të vetme, dhe kjo dalje të jetë konsensual, përndryshe nuk ka përfundim. Të heqin dorë nga këto do zvogëlohet etj, duhen konsulta me qytetarë”, shtoi ai më tej.

Por si erdhi ky ndryshim 180 gradë i PD?

Në fillim, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla gjatë paradites dha shenjat e para të tërheqjes së ultimatumit të fundit.

Më pas, doktori thirri grupin parlamentar. Aty ku vendimi i tij u vu në diskutim, nga plot 10 deputetë, shumica anëtarë të dy komisioneve. Çuditërisht edhe nga më besnikët e doktorit, Oerd Bylykbashi apo Tritan Shehu.

Megjithatë, PD ka edhe 24 orë kohë, kësaj radhe për të mos ndryshuar më mendje. Pasi projektvendimi i PS për të ndryshuar formulën e komisionit, duke i hequr opozitës bashkëkryetarin, paritetin dhe veton, ka shkuar në seancën parlamentare të së martës gati për tu votuar. Kjo do të varet nga humori i doktorit, që me dëshirën e tij do e bënte reformën në rrugë.

 

Spanja legalizon 500 mijë emigrantë pa dokumente, Sanchez ‘sfidon’ kritikat: Kur u bë empatia diçka radikale?

2 February 2026 at 17:51

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka reaguar ashpër ndaj kritikëve të planit për të legalizuar rreth 500 mijë emigrantë pa dokumente dhe azilkërkues, duke theksuar se vendi i tij po zgjedh rrugën e “dinjitetit, komunitetit dhe drejtësisë”.

Qëndrimi i tij u bë publik përmes një videoje 46-sekondëshe, të publikuar në rrjetet sociale, ku Sánchez flet në anglisht me titra në spanjisht.

Në mesazhin e tij, Sánchez vuri në pikëpyetje akuzat se qeveria ka “shkuar shumë larg”, duke pyetur: “Kur u bë njohja e të drejtave diçka radikale? Kur u bë empatia diçka e jashtëzakonshme?”. Deklarata erdhi vetëm pak ditë pasi qeveria e koalicionit të udhëhequr nga socialistët miratoi një dekret që synon të rregullojë statusin ligjor të gjysmë milioni personave, i cili pritet të hyjë në fuqi në muajin prill.

Nisma ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare, pasi përfaqëson një distancim të qartë nga politikat dhe retorika anti-emigracion që po përhapen në shumë vende të Europës dhe SHBA-së. Sipas Sánchez, plani do të ofrojë një rrugë të rregullt drejt qëndrimit për persona që tashmë janë pjesë e shoqërisë spanjolle.

“Janë gjysmë milioni njerëz me të cilët jetojmë çdo ditë: në treg, në autobus, në shkollën e fëmijëve tanë. Njerëz që kujdesen për prindërit tanë, punojnë në fusha dhe kanë ndërtuar, krah për krah me ne, përparimin e vendit”, u shpreh ai, duke theksuar se Spanja mbetet një vend mikpritës.

Dekreti e ka origjinën nga një nismë qytetare e mbështetur nga mbi 700 mijë firma, Kisha Katolike dhe rreth 900 organizata sociale, e dorëzuar në parlament në vitin 2024. Pas muajsh bllokimi, marrëveshja u zhbllokua javën e kaluar, kur partia e majtë Podemos ra dakord të mbështesë planin në këmbim të mbështetjes parlamentare për qeverinë.

Ambasada e SHBA: Vendimi i KQZ për Listën Serbe minon partneritetin SHBA-Kosovë

By: Rovena
2 February 2026 at 17:48

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos miratuar listën e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe është “në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre”.

“Çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Më 31 janar, KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Por, gjatë mbledhjes, anëtarët e Komisionit miratuan listat e kandidatëve të të gjithë partive, përveç Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Tre anëtarë të KQZ-së votuan për, dy kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe anëtarët tjerë abstenuan.

Lista Serbe më 2 shkurt është ankuar në Panelin Zgjedhor për Aneksa dhe Parashtresa për këtë vendim të KQZ-së.

Pse nuk ndryshoi LDK?/ Murtezaj: Abdixhikut iu dha edhe një shans tjetër në Kuvend

2 February 2026 at 17:31

“Në jetë duhet pasur vullnet e durim, të mirat vijnë pastaj.” Ju faleminderit për demokracinë maksimale, për besimin e ri e të pastër; dhe për një fillim të ri, shumë më të ndryshëm. Ecim bashkë tani!

Ky është reagimi i kryetarit të votëbesuar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku pas mbledhjes së anëtareve të partisë të shtunën e 31 janarit.

Anëtari i LDK-së, Valon Murtezaj tha se shifrat tregojnë një rënie të partisë, gjë që sipas tij mbetet shqetësuese për anëtarësinë. Ai tha se Kuvendi i LDK-së, si organi më i lartë, vendosi me shumicë votash që kryetarit aktual t’i vazhdohet mandati edhe për një shans tjetër. Murtezaj theksoi se kandidatura e Hotit është demokratike, por vlerësoi se procesi nuk lejoi hapësirë të mjaftueshme për paraqitjen e kandidaturave të reja.

 “Shifrat flasin se LDK pati një rënie dhe për ne si anëtarë është edhe më shqetësuese. Kuvendi i LDK-së është instrumenti më i lartë dhe ishte vetë vendimi i Abdixhikut që të bëhej me votë. Mund të lejohet edhe një modalitet i përballjes me situatën e krijuar. Pyetja që na u ofrua ishte: a e pranoni dorëheqjen e kryetarit, dhe dominoi votimi me shumicë që kryetarit aktual t’i vazhdohet prapë mandati, në mënyrë që t’i jepet edhe një shans tjetër, në mënyrë që të adresohen momentet e dobëta që e kanë përcjellë në periudhën e fundit.

Hoti, i cili ka shërbyer në pozicione të larta brenda LDK-së, ka shpallur kandidaturën e vet, e cila është demokratike, dhe Hoti është një nga kandidatët e fortë. Në punimet e Kuvendit u arrit pika që nuk u kalua në zhvillimin e proceseve demokratike, ku mund të paraqiteshin kandidatura të reja.”  / abcnews.al /

“Ushtarë-robot” të Serbisë/ Vuçiç: Do të na ndihmojë Kina

By: Rovena
2 February 2026 at 17:19

Beogradi e ka prej kohësh në vëmendje fuqizimin e ushtrisë së saj, por kësaj here presidentit serb Aleksandër Vuçiç i ka “lindur” një ide e re.

Ushtria serbe do te fuqizohet shpejt me rekrutë rinj, e ata nuk do të jenë njerëz por robotë.

Sipas Vuçiç, vendi do të prezantojë mijëra robotë të armatosur në paradën e ardhshme ushtarake, pasi prodhimi i tyre do të fillojë që këtë vit, ndërsa për bërjen realitet të kësaj ideje do të kontribuoj Kina.

Vuçiç tha se do të kërkojë mbështetjen nga presidenti Xi Jingping.

Sipas presidentit serb, robotët janë të përshtatshëm sepse mund të mbajnë deri në 30 kilogramë peshë, mund ti paisësh me kamera, të bëjnë patrullime në pikat kufitare dhe gjithashtu mund ti armatosësh.

Vuçiç theksoi se Serbia mund të bëhet vendi i parë në Europë që prodhon robotë humanoid në ushtri.

Lëvizjet për forcimin e ushtrisë dhe rekrutimin e ushtarëve të rinjë, përsfhirë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, janë të fokus të presidencës Vuçiç, ndërsa ai intensifikon edhe marrëdhëniet me Kinën.

Kryetari i votëbesuar i LDK/ Abdixhiku: Faleminderit për besimin e pastër

By: Rovena
2 February 2026 at 17:12

“Në jetë duhet pasur vullnet e durim, të mirat vijnë pastaj. Ju faleminderit për demokracinë maksimale, për besimin e ri e të pastër; dhe për një fillim të ri, shumë më të ndryshëm. Ecim bashkë tani!”

Ky është reagimi i kryetarit të votëbesuar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku pas mbledhjes së anëtareve të partisë të shtunën e 31 janarit.

Diskutimet brenda partisë u mbajtën me dyer të mbyllura, ku kishte edhe një kandidaturë për kryetar, ajo e Avdullah Hotit, ndërsa dyert u hapën për mediat vetëm për fjalën e kryetarit dhe votimin.

Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit shënoi rezultatin e dytë më të ulët në historinë e saj me vetëm 15 deputetë.

Sipas kritikëve ky proces ishte bosh dhe nuk solli asnjë ndryshim real në parti.

 

Belinda Balluku njofton emërimin e Persida Shkrepës në krye të Institutit të Ndërtimit

By: Rovena
2 February 2026 at 16:24

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka uruar Persida Shkrepa për marrjen e detyrës së re në krye të Institutit të Ndërtimit, duke vlerësuar karrierën dhe përvojën e saj profesionale.

Sipas Ballukut, profesionalizmi dhe përkushtimi i Shkrepës përbëjnë një garanci të fortë për drejtimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij institucioni të rëndësishëm, si dhe për forcimin e rolit të tij në shërbim të industrisë së ndërtimit në vend.

“Suksese Persida Shkrepa në këtë detyrë dhe sfidë të re, në drejtimin e Institutit të Ndërtimit. Me një karrierë të spikatur si arkitekte, profesionalizmi, përkushtimi dhe përvoja e saj janë një garanci e fortë për drejtimin dhe zhvillimin e këtij institucioni kaq të rëndësishëm, si edhe për forcimin e rolit të tij në shërbim të industrisë së ndërtimit në vend”, shkruan zëvendëskryeministrja Balluku në “Facebook”.

Sekretari polak i shtetit: Rusia dëshiron të vazhdojë luftën në Ukrainë

By: Rovena
2 February 2026 at 16:05

Sekretari i Shtetit polak për Çështjet Evropiane, Ignacy Niemczycki, “shpreson vërtet” që SHBA-të mund ta “bindin Rusinë të jetë më krijuese” në bisedimet trepalëshe të paqes që do të rifillojnë në Abu Dhabi këtë të mërkurë.

Por, sipas tij, ndërsa “Ukraina bëri një përpjekje të konsiderueshme për t’i dhënë fund luftës”, Rusia po “përpiqet ta zgjasë diskutimet”.

Gjatë një interviste me Europe Today, Niemczycki tha se sulmet ruse në infrastrukturën energjetike civile në Kiev janë provë se Moska dëshiron të vazhdojë luftën.

Ukraina aktualisht po përjeton një mot jashtëzakonisht të ashpër, me temperatura që bien në minus 20 gradë Celsius.

“Ne e kemi parë Rusinë të synojë gjeneruesit e nxehtësisë, gjeneruesit e energjisë elektrike. Kjo është shumë shqetësuese”, tha Niemczycki.

Por Niemczycki mbetet optimist.

“Presidenti (Donald) Trump ka njoftuar se negociatat janë premtuese”, tha ai për Euronews, duke thënë se pret një “një lloj marrëveshjeje që është e dobishme për Evropën dhe që është e dobishme për SHBA-në” – por edhe “për paqen botërore, sepse kjo është ajo që është në lojë këtu”.

Se a përmban ndonjë marrëveshje e tillë ndonjë lëshim territorial ndaj Rusisë, tha ai, duhet të jetë një çështje për popullin ukrainas.

“Nuk mendoj se varet nga ne të themi se Ukraina duhet të bëjë këtë apo atë”, tha politikani, i cili këmbënguli që bisedimet duhet të “ushtrojnë presion mbi Rusinë, jo mbi Ukrainën”. Ndërsa i pyetur për afatin e fundit të vitit 2027 për Ukrainën për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, Niemczycki tha se “do të ishte shumë e vështirë” dhe se ndërsa ai beson se Ukraina mund t’i bashkohet bllokut së shpejti, ai “nuk do të përqendrohej aq shumë në një datë”, por në “faktin e bashkimit të Ukrainës me BE-në”

Rrëzohet aeroplani stërvitor në rajonin Orenburg të Rusisë, tre të vdekur

By: Rovena
2 February 2026 at 15:47

Tre persona humbën jetën pasi një aeroplan trajnimi u rrëzua në rajonin Orenburg të Rusisë të hënën, tha Ministria e Situatave të Emergjencave.

Aeroplani Diamond DA, i operuar nga Universiteti Shtetëror i Aviacionit Civil të Shën Petersburgut, po kryente një fluturim trajnimi pranë qytetit të Orskut kur u rrëzua me një instruktor dhe dy kadetë në bord, të cilët të gjithë vdiqën, tha ministria në një deklaratë.

“Një aeroplan trajnimi u rrëzua në rajonin e Orenburgut. Rrëzimi u raportua në fshatin Dzhanatalap, Orsk. Ai ishte në një fluturim trajnimi. Kur ekipet e shpëtimit nga Ministria Ruse e Situatave të Emergjencave mbërritën në vendngjarje, nuk kishte zjarr. Fatkeqësisht, tre persona u vranë”, tha deklarata.

Autoritetet rajonale do t’u ofrojnë ndihmë familjeve të viktimave, sipas shërbimit për shtyp të guvernatorit të Orenburgut dhe qeverisë rajonale.

Operacionet e shpëtimit po vazhdonin në vendin e rrëzimit dhe zyrtarët thanë se nuk kishte zjarr. Ministria nuk dha informacion paraprak mbi shkakun e mundshëm të rrëzimit.

Epstein, trafik organesh nga Maqedonia/ Trutë e 1000 personave u trafikuan nga Shkupi për eksperimente shkencore

By: xhir jeta
2 February 2026 at 15:30

Dosja Epstein ka tronditur edhe Ballkanin.

Dokumentet e fundit të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë si pjesë e hetimit për Jeffrey Epstein zbulojnë akuza tronditëse për përfshirje të mundshme të një shtetasi të Maqedonisë, profesor në Universitetin e Kolumbias – në eksportimin e trurit të njerëzve nga Maqedonia e Veriut me qëllim fundor, eksperimente shkencore në Shtetet e Bashkuara.

Në një email që mban titullin: Ilaçi 50-vjeçar që mund të zgjidhë krizën e vetëvrasjeve në Amerikë, të dërguar me datë 5 shkurt 2019-të, me emër dërguesi dhe marrësi të censuruar, thuhet se nga Maqedonia kanë mbërritur në SHBA rreth 1000 tru njerëzish, disa prej tyre nga persona që kanë kryer vetëvrasje.

Hetimi nuk përmban asnjë informacion nëse familjet e të ndjerëve dhanë pëlqimin e tyre për një përdorim të tillë të organeve, as nëse institucionet shtetërore ishin në dijeni ose dhanë leje për një lëvizje të tillë.

Në emailin e datës 5 shkurt 2019, diskutohen kërkime që lidhen me shkaqet dhe aspektet biologjike të vetëvrasjeve.

Në dokumente përmenden gjithashtu shkencëtarë nga disa universitete të njohura amerikane, duke përfshirë Pittsburgh, Columbia, Neë York dhe Yale.

Në pjesën për Maqedoninë, thuhet se “vendi i vogël ballkanik siguron “material” referuar organit të trurit tek njerëzit, falë një anëtari të fakultetit të Universitetit të Kolumbias i cili vjen nga atje dhe ndihmoi në organizimin e të gjithë procesit”.

Sipas përshkrimit, organet janë dërguar menjëherë pas heqjes, janë transportuar me aeroplan nën eskortë speciale dhe u dërguar me anije në Shtetet e Bashkuara.

Atje, ata kanë përfunduan në kuti speciale, të shënuara me kode, sipas anës së trurit dhe datës së marrjes, pa specifikuar vendin ku organet i nënshtroheshin më pas procedurave eksperimentale.

Këto pretendime tërheqin edhe një herë vëmendjen ndaj rrjetit të kontakteve dhe aktiviteteve të lidhura me Jeffrey Epstein të shtrira në të gjithë botën.

Në gusht 2019, Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut në Nju Jork dhe vdekja e tij u cilësua zyrtarisht si vetëvrasje, edhe pse rasti i tij vazhdon të gjenerojë polemika dhe dyshime…

Bleu karburant me kartëmonedha false/ Durrës, arrestohet 24-vjeçari i shpallur në kërkim

By: Rovena
2 February 2026 at 15:29

Policia ka arrestuar një 24-vjeçar të shpallur në kërkim, pasi në datën 24 janar bleu karburant, në një subjekt në rrugën “Egnatia”, me 2 kartëmonedha (në prerjen 100 dollarë) false.

Nga verifikimet, 24-vjeçari rezultoi në kërkim nga Policia e Vlorës, për 2 raste të tjera të së njëjtës veprimtari kriminale, të kryera gjatë muajit janar, 2026. Vijon hetimi për të zbardhur raste të tjera në këtë fushë, në të cilat mund të jetë përfshirë shtetasi E. K.

Dosjet “shqiptare” të Epstein/ Përmenden emrat e Jahjagës dhe Pacollit. Por të dy mohojnë përfshirjen

By: xhir jeta
2 February 2026 at 15:27

Stuhia “Epstein’ ka përfshirë dy ish presidentë të Kosovës: Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli.

Ata përmenden repsektivisht në emailet e datës 12 dhe 19 shtator 2012 nga një person me emrin Daniel dërguar Jefrey Epstein.

Emri i presidentes së Kosovës, qëndron sëbashku me emrin e priceshës së Tajlandës, ku sipas personit që dërgon emailin, të dyja do të vizitojnëAmerikën, për shkak të një takimi në Kombet e Bashkuara.

Ish presidentja Jahjaga ka reaguar pas “lakimit” të emrit të saj në këtë dosje.

Sipas ish presidentes lidhja e emrit të saj më dosjen Epstein është e pabazuar dhe e pavërtetë, duke theksuar se me Epstein nuk ka patur asnjëherë asnjë njohje apo kontakti personal gjatë

“Përmendja e emrit tim nga mediat me rastin e dokumenteve të publikuara së fundmi lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me mua.” thotë ajo.

Një reagim e ka patur edhe Pacolli, emri i të cilit në email shoqërohet me linkun e një video youtube, link i cili është fshirë tashmë nga kjo platformë, por mban shënimin “Kush është Behgjet Pacolli”?

Edhe ish presidenti i malit të zi Milo Gjuklanoviç është përmendur gjatë dosjeve të hapura për hetimin mbi rastin Epstein, specifikisht në mesazhet e këmbyera mes tij dhe ish emisarit të BE për dialogun Kosovë-serbi Miroslav Lajçak. Të njëjtin qëndrim mohues për njohje me të ka mbajtur apo kontakt personal me të ka mbajtur edhe ish presidenti malazez./abcnews.al

Zelensky: Sulmet ruse janë përqendruar në rrjetin hekurudhor të Ukrainës

2 February 2026 at 15:24

Sulmet e fundit ruse po synojnë rrjetin hekurudhor të Ukrainës u shpreh Presidenti Volodymyr Zelensky.

Këto reagime vijnë pasi vendi përballet me krizën më të keqe energjetike, gjendur përballë një dimri të ftohtë pasi një seri sulmesh ruse dëmtuan infrastrukturën e saj energjetike.

“Ushtria ruse, ashtu si në ditët e mëparshme, po përqendron përpjekjet e saj në terrorizimin e zinxhirit të furnizimit, para së gjithash të rrjetit tonë hekurudhor”, tha Zelensky.

Sulmet ruse kanë goditur rrjetin hekurudhor në rajonet Dnipropetrovsk dhe Zaporizhia.

/abcnews.al/

Bojkoti, Leskaj: E ke gabim doktor! Letra e deputetit vlonjat: Mos bëjmë gabimin e 2014!

By: xhir jeta
2 February 2026 at 15:22

20 shkurti, është dita e rrëzimit të mitit të Enver Hoxhës. Por protesta e javës tjetër e Partisë Demokratike, mund të rrëzojë një tjetër mit. Berisha shpalli 10 shkurtin si ditën Pro SPAK.

“Edi Rama ka asgjësuar drejtësinë, ka asgjësuar institucionin e akuzës për faktin e vetëm se nga ky institucion një prokuror guxoi të hetojë dosjen e tij. Ndaj përparësi absolute për çdo orë të ditës tuaj, organizimi sa më i fuqishëm i protestës së 10 shkurtit”,- tha Berisha.

Mesa duket, edhe data nuk është rastësi. Pavarësisht se 10 shkurti, dikur ka qenë festa e Debatikut, ajo përkon në të njëjtën javë me Shën Valentinin. A po nis një romancë e re mes doktorit dhe SPAK? Për momentin, Berisha është i entuziazmuar me sukseset e janarit. Udhëtimi në Strasburg i ka lënë shije të mirë. Rama tha se është në rreth të kuq, mund të shkelë vërtet në Amerikë, por edhe ai nuk shkel dot aty ku shkel doktori. Sali Berisha e shpalli Këshillin e Europës, ekstraterritorialitet të PD-së.

“Unë e di se ky po bën përpjekje të mëdha për të shkuar përsëri, se ky kështu e ka, por do të më falin shqiptarët, por aty nuk ka vend për narkodiktatorë. Në rast se ky synon të shkojë në atë seli, shqiptarët e Francës dhe Gjermanisë do t’i ketë para saj. Po, do të organizohet një nga protestat më të fuqishme”- shtoi Berisha.

Pra në Tiranë, apo Strasburg, Sali Berisha mendjen e ka te rruga. Por jo të gjithë mendojnë si ai. Deputeti i PD-së, Bujar Leskaj, mendon se braktisja e reformave, është autogoli më i madh edhe se i Lulzim Bashës.

“Nëse ne, si PD, nuk i shkojmë deri në fund rishikimit të Reformës Administrativo-Territoriale, i japim një mundësi të dytë qeverisë së sektit Rama për ta deformuar edhe më tej këtë reformë, me efekte tërësisht jashtë interesit të qytetarëve. Gabimi i dytë është gjithmonë më i madh se i pari.”-shprehet Leskaj.

Leskaj nuk ishte në mbledhjen e grupit për t’ia thënë mendimin e tij Berishës. Mungesa ishte pa arsye. Të tjerë munguan me arsye. Disa deputetë kanë ikur në SHBA për Mëngjesin e Lutjeve. Lutja e Gazit nuk dihet, kurse e Belindit me siguri për t’i hequr non gratën. Shanset kësaj radhe që lutjet të dëgjohen, janë më të mëdha. Bashkë me ta, udhëton edhe Albana Vokshi.

Dosjet Epstein, emri i Vladimir Putinit përmendet mbi 1 mijë herë

By: Rovena
2 February 2026 at 15:16

Emri i presidentit rus Vladimir Putin përmendet 1 mijë e 56 herë në më shumë se tre milionë dokumente që lidhen me Jeffrey Epstein, financierin e dënuar për abuzime seksuale, i cili u gjet i vdekur në burg në vitin 2019. Moska citohet gjithsej 9.629 herë. Edhe pse nuk ka prova konkrete për një lidhje direkte mes Epstein dhe Kremlinit, hetuesit amerikanë e konsiderojnë të pazakontë një numër kaq të lartë referencash.

Sipas shërbimeve sekrete amerikane, Epstein mund të jetë përfshirë në rrjete spiunazhi për shkak të lidhjeve të tij me Robert Maxwell, ish-agjent i Moskës në vitet ’70 dhe babai i Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtores së tij, e dënuar me 20 vjet burg.

Gazeta britanike Daily Mail raporton se Epstein dyshohet se ka drejtuar një operacion të gjerë shantazhi seksual (“kompromat”) për llogari të shërbimeve sekrete ruse, duke rekrutuar gra, përfshirë edhe nga Rusia, për rrjetin e tij të personave me ndikim. Në dokumente përmenden email-e dhe letra ku flitet për takime të mundshme me Putinin, përfshirë komunikime të viteve 2011–2014.

Në një email të vitit 2014, sipërmarrësi japonez Joey Ito përmend mundësinë që Reid Hoffman, bashkëthemelues i LinkedIn, t’i bashkohej një takimi me presidentin rus. Megjithatë, pas rrëzimit të avionit Malaysia Airlines MH17 mbi Ukrainë, ideja u braktis. Në email-e të tjera, Epstein i referohet “dokumenteve Putin”, pa sqaruar përmbajtjen e tyre.

Epstein kishte ndërtuar një rrjet të gjerë ndërkombëtar kontaktesh politike dhe financiare. Ai kishte kryer pagesa ndaj figurave politike britanike dhe kishte komunikuar me ish-kryeministrin norvegjez Thorbjørn Jagland lidhur me takime me liderë botërorë, përfshirë Putinin.

Sipas dokumenteve, Epstein kishte pretenduar se mund t’i siguronte Kremlinit informacione komprometuese për Donald Trump, në prag të samitit të Helsinkit në vitin 2018. Në email-e të tjera, ai përshkruan aktivitetet e Robert Maxwell dhe lidhjet e tij me shërbime të huaja inteligjence.

Në korrik 2019, pas arrestimit në New York, avokatët e Epstein i njoftuan FBI-në se ai ishte i gatshëm të bashkëpunonte. Tre javë më vonë, ai u gjet i vdekur në qelinë e tij. Autoritetet amerikane e cilësuan vdekjen si vetëvrasje, një përfundim që vijon të ngjallë dyshime dhe debate.

Pagat, Berisha “pro” qeverisë: E drejta e pagave i mbetet ekzekutivit. Prishën piramidën për rrogën e Dumanit

By: xhir jeta
2 February 2026 at 15:15

Sali Berisha ka reaguar lidhur me kërkesën e bërë nga gjyqtarët në vend që t’u rritet paga, kërkesë kjo që ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese nëse do të pranohet apo jo.

Për Sali Berishën, gjykatesit nuk mund t’i caktojnë pagat vetë, por është kompetencë vetëm e ekzekutivit. Këto deklarata në dukje në të njëjtën linjë me qeverinë Sali Berisha i bëri në zbatim të masës së sigurisë detyrim paraqitje në SPAK.

“Ka dy aspekte, së pari që ai po bën gjithçka që të ndikojë sepse e ka të rëndësishme, por lidhur me pagat dua të them një të vërtetë. Piramida e pagave është kompetencë e ekzekutivit dhe vetëm e tij, përvçse ndërmarrjet publike”,- tha Berisha

Pasi firmosi në SPAK detyrimin për t’u paraqitur, masë sigurie kjo e vendosur ndaj tij për dosjen Partizani, Sali Berisha nuk harroi të sulmonte edhe gjyqtaren e Posacme Irena Gjoka.

Irena me nockën e saj cilindo që prek i bën me nockë si veten” – tha ai.

Sulmet ndaj Irena Gjokës, Sali Berisha i bëri një dite pasi KLGJ nuk e pranoi nisjen e verifikimit nëse gjyqtarja e GJKKO Irena Gjoka është në kushtet e mos ushtrimit të detyrës apo jo me argumentin se vendimarrja i takon ILD./abcnews.al

 

❌
❌