“Të duam njëri tjetrin dhe vendin”, apeli i at Nikolla Kodheli për Krishtlindje: Të besojmë më shumë tek Perëndia
Besimtarët e krishterë kremtojnë sot festen e krishtlindjes, ditën më të shënuar të kalendarit fetar. Në të gjitha kishat dhe katedralet mbahen mesha dhe thuhen lutje për paqe, mbarësi e dashuri.
Sot në mëngjes u mbajt mesha në Katedralen Ortodokse Ngjallja e Krishtit në Tiranë, ndërsa mbrëmë besimtaret katolike ndoqën meshën e rastit ne Katedralen e Shën Palit.
Festa e krishtlindjes vazhdon ne tryezat familjare.
Në një komunikim me News Line në ABC News, at Nikolla Kodheli tha se katedralja ortodokse ishte e mbushur me besimtarë, të cilët u lutën për më shumë shëndet, paqe dhe dashuri në gjirin e tyre familjar.
“Katedralja ishte plot e përplot. Njerëzit vijnë për t’u lutur dhe për të kërkuar bekimin e perëndisë. Lutjet janë të shumta, janë private, por shpresa mbetet që të janë më shumë dashuri dhe bekimin e perëndisë dhe dashuri me njëri tjetrin. Besoj se dashuria është kërkesa më e madhe. Nënat vijnë për fëmijët, nënat vijnë për fëmijët, prindërit dhe të dashurit e tyre. Njeriu i rikthehet përsëri perëndisë. Shpresa tek perëndia mbetet e gjallë. Është lindja e shpëtimtarit, perëndia bëhet njeri. Krishti bëhet njeri dhe i dhuron botës natyrë njerëzore dhe ne për ta imituar atë për t’u bërë vëllezër me të. Të largohen nga lajmet e tepërta, të kenë shpresë tek Zoti, të përqendrohen te vetja e tyre dhe t’i japin mundësi shoqërisë dhe politikës që të reflektojë, sepse një shoqëri nuk përbëhet vetëm nga njerëz fetarë, por edhe pushtetarë. Shumë të rinj vijnë e pagëzohen dhe bëhen pjesë e kishës, Këtë nuk e shikoj vetëm tek komuniteti ortodoks, por edhe tek komunitetet e tjera”, apeloi ai.
Ai u bëri apel besimtarëve të besojnë më shumë tek Perëndia dhe kërkoi prej tyre të përçojnë më shumë dashuri për familjen dhe për shoqërinë në tërësi.
“Urimi im është që të besojmë më shumë tek perëndia. Apeli është të duam njëri tjetrin, të duam vendin dhe të lutemi për të gjithë. Më shumë shpresë dhe dashuri. Të kemi më shumë dashuri në familjet tona dhe ta shprehim këtë dashuri edhe tek të tjerët “,tha ai.