Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 December 2025Gazeta Si

Nuk e kemi numëruar gjithnjë mbrapsht natën e Vitit të Ri!

31 December 2025 at 16:50

Gazeta Si – Në një nga skenat më të cituara nga Fantozzi, udhëheqësi i orkestrës në festën e Vitit të Ri të organizuar nga kontabilisti Filini, harton një plan për t’u çliruar herët dhe për të marrë pjesë në një festë tjetër.

Më pak se ora 22:30, ai e çon fshehurazi orën përpara dhe fillon numërimin mbrapsht, duke njoftuar se është tre minuta deri në mesnatë.

Fantozzi dhe kolegët e tij e gjejnë veten në rrugë, të shtangur, në momentin e natës së vërtetë të Vitit të Ri.

Numërimi mbrapsht i Vitit të Ri ka qenë një traditë për dekada të tëra dhe madje edhe ngjarjet e paplanifikuara, janë pjesë e saj: nga tapa e zakonshme e shampanjës që hapet shumë herët ose shumë vonë, deri te transmetimet televizive të drejtpërdrejta të ç’sinkronizuara.

Një natë e Vitit të Ri paksa “Fantozziane” ndodhi në të vërtetë në vitin 2016, kur mesnata u njoftua gabimisht rreth një minutë më herët gjatë programit tradicional në Rai 1.

Fishekzjarrë bien në Times Square gjatë festimeve të Vitit të Ri në New York City

Katër vjet më parë, në Los Anxeheles, në një program kaotik ekuivalent në stacionin KDOC-TV, numërimi mbrapsht kishte filluar 10 sekonda me vonesë.

Përpara se programet televizive ta bënin një zakon të përhapur të Vitit të Ri, numërimi mbrapsht rreth një tavoline ose në një shesh nuk ishte një praktikë e zakonshme.

Deri në vitin 1979, nuk ishte e zakonshme as për turmat e mbledhura në Times Square, New York, ku ndoshta festimi më i famshëm i Vitit të Ri në botë zhvillohej që nga viti 1904. Njerëzit e shikonin spektaklin e shkëlqyer, duke u përqafuar dhe festuar, por pa numëruar sekondat.

Në disa programe radiofonike dhe më vonë televizive, sipas një hulumtimi nga historiania amerikane, Alexis McCrossen, prezantuesit kishin filluar të numëronin mbrapsht deri në Vitin e Ri që në fund të viteve 1950 dhe gjatë gjithë viteve 1960.

Por ata e bënin këtë vetëm, të pashoqëruar nga zërat ose duartrokitjet e audiencës. Ishte thjesht një mënyrë për të rrëfyer dhe zgjatur një ngjarje që në vetvete zgjaste shumë pak.

Në atë kohë, imagjinata kolektive e shoqëronte numërimin mbrapsht kryesisht me ngjarje të tjera, jo të gjitha aq shpresëdhënëse sa pritja e një viti të ri.

Në të vërtetë, ajo që e bëri të njohur në mesin e shekullit të njëzetë, ishte frika nga një ngjarje apokaliptike: katastrofa bërthamore.

Në vitin 1947, një grup shkencëtarësh nga Buletini i Shkencëtarëve Atomikë, botuan “Orën e Kiametit”, për të treguar, bazuar në faktorë të ndryshëm, afërsinë e një katastrofe globale të shkaktuar nga njerëzimi, e përfaqësuar metaforikisht nga mesnata.

Ishin pikërisht këta shkencëtarë, sipas McCrossen, të cilët futën shprehjen “numërim mbrapsht” në leksikun e zakonshëm amerikan në vitet në vijim.

Da -3.59 a -2.48 in 30 secondi. Così #RaiUno ha sbagliato il countdown del #Capodanno2016 @ilpost @repubblicait pic.twitter.com/hAt5C9GG9s

— Bluelake76 (anti-TACO account) (@Bluelake76) January 1, 2016

Numërimi mbrapsht ishte i zakonshëm në testet e bombave atomike dhe në televizion dhe në filma, ato në përgjithësi shoqëroheshin me përvoja të frikshme, sureale ose të rrezikshme, siç janë shpërthimet.

Ishin lëshimet në hapësirë ​​që e ndryshuan këtë perceptim, duke e bërë numërimin mbrapsht një pjesë thelbësore të rrëfimit të ngjarjeve të mëdha, pozitive, ose të paktën të guximshme dhe premtuese, kolektive të transmetuara në televizion.

Më 16 korrik 1969, të paktën 500 milionë njerëz në të gjithë botën ndoqën numërimin mbrapsht për lëshimin e Apollo 11, misionit hapësinor që do të ulte njerëzit e parë në Hënë.

Në vitet 1970, televizioni e zgjeroi më tej njohjen e publikut me numërimin mbrapsht. Countdown ishte emri i një programi televiziv muzikor popullor australian, i transmetuar nga viti 1974 deri në vitin 1987, i cili frymëzoi programe të ngjashme në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.

Ato bazoheshin në listat e hiteve më të mëdha, të lexuara nga poshtë lart: në thelb, ato ishin numërime mbrapsht për numrin një.

Shumë shfaqje kuici televizive përdornin gjithashtu orë të mëdha analoge në setet e tyre për të treguar kalimin e kohës për t’iu përgjigjur pyetjeve.

Orët e numërimit mbrapsht të Vitit të Ri në Times Square u instaluan vetëm në fund të viteve 1980. Disa programe që transmetonin festimet filluan të shfaqnin ato ekrane dhe njerëzit në shesh, të cilët ishin mësuar të merrnin pjesë në numërim mbrapsht.

Edhe sot, në shumë shtëpi, televizori ndizet ndërsa afrohet mesnata e natës së Vitit të Ri, sepse këto programe janë mënyra më e përshtatshme për të ndjekur numërimin mbrapsht. Përveç rrethanave të paparashikuara, si në vitin 2016, është gjithashtu një mënyrë e besueshme.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Nuk e kemi numëruar gjithnjë mbrapsht natën e Vitit të Ri! appeared first on Gazeta Si.

Pse rifilluan protestat anti-qeveritare në Iran

31 December 2025 at 16:27

Gazeta Si – E marta shënoi ditën e tretë radhazi të protestave në Iran për shkak të përkeqësimit të kushteve ekonomike, të cilat po shkaktojnë rritje të inflacionit dhe rënie të vlerës së monedhës vendase.

Ato filluan të dielën në tregjet e kryeqytetit Teheran dhe arritën në universitete në shumë qytete anembanë vendit të martën.

Pati përleshje të kufizuara me policinë, por regjimi iranian deri më tani ka treguar gatishmëri për të dëgjuar protestuesit: presidenti Masoud Pezeshkian, i bëri thirrje ministrit të Brendshëm të marrë në konsideratë “kërkesat e tyre legjitime”. Sezoni i fundit i madh i protestave, midis viteve 2022 dhe 2023, u shtyp me dhunë.

Në Iran, inflacioni është afër 50 përqind nga viti në vit, dhe çmimet e ushqimeve janë edhe më të larta në 72 përqind.

Kartëmonedha iraniane në një dyqan në Teheran

Më herët këtë javë, monedha vendase, riali, arriti nivele të reja minimale kundrejt dollarit dhe ka humbur 40 përqind që nga qershori i kaluar.

Në vitin 2022, një dollar vlente 430,000 rialë; tani vlen 1,450,000 rialë. Vlera e ulët e monedhës ka kufizuar rëndë fuqinë blerëse të iranianëve, duke eliminuar pothuajse blerjet e mallrave jo-thelbësore në javët e fundit.

Protestat filluan të dielën, kur tregtarët në dy tregjet më të mëdha të teknologjisë në lagjen “Jomhouri” të Teheranit mbyllën dyqanet e tyre dhe organizuan një demonstratë, e cila u përsërit të nesërmen nga tregtarët në Pazarin e Madh.

Të martën, protestat përfshinë gjashtë nga kampuset kryesore universitare të kryeqytetit, por pati demonstrata në një duzinë qytetesh të tjera, përfshirë Isfahanin dhe Shirazin.

Gjatë protestave, u dëgjuan thirrje dhe këngë për liri dhe kundër regjimit. Policia dhe forcat e sigurisë u përgjigjën me topa uji dhe gaz lotsjellës, por përplasjet ishin relativisht të kufizuara sipas standardeve iraniane.

Dyqanet u mbyllën në Pazarin e Madh të Teheranit

Gjatë viteve, regjimi iranian shpesh i ka shtypur protestat me dhunë të jashtëzakonshme. Në muajt midis viteve 2022-2023, demonstratat u nxitën nga vdekja e Mahsa Aminit, një 22-vjeçare, e cila ishte arrestuar për mosmbajtjen e shamisë siç duhet.

Në atë kohë, protestat u përshkallëzuan për të sfiduar vetë legjitimitetin e regjimit, i cili u përgjigj me forcë: mbi 500 protestues u vranë, mijëra u arrestuan dhe shtatë u dënuan me vdekje me varje.

Për momentin, përgjigjja ka qenë e ndryshme. Presidenti reformist, Pezeshkian (dhe për këtë arsye një anëtar i krahut më të moderuar të regjimit), ka thënë se i kupton motivet e protestuesve, se është i shqetësuar për gjetjen e një mënyre për të thjeshtuar jetën e përditshme të iranianëve dhe se duhet të zgjidhë problemet “që janë grumbulluar gjatë viteve”.

Drejtori i Bankës Qendrore, Mohammad Reza Farzin, ka dhënë dorëheqjen që nga fillimi i protestave, por kjo nuk ka gjasa ta ndryshojë situatën.

Taksat e reja do të hyjnë në fuqi në Iran në mars, duke e rritur barrën tatimore në 62 përqind, ndërsa monedhat e arit, të përdorura si një strehë e sigurt për të kursyer para, kur monedha vendase humbet vlerë, kanë arritur një çmim rekord prej 1.7 miliardë rialësh.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian

Disa zyrtarë qeveritarë u takuan me përfaqësues të sindikatave dhe dhomave të tregtisë dhe thanë se donin të përfshinin udhëheqësit e protestave studentore në diskutime mbi mënyrën e zgjidhjes së krizës.

Nuk është e qartë se si do të ndodhë kjo, pasi protestuesit nuk kanë udhëheqës zyrtarë dhe sepse ky lloj dialogu është mjaft i pazakontë në Iran.

Qeveria njoftoi gjithashtu mbylljen e universiteteve në 18 nga 31 provincat e vendit për të mërkurën. Kjo masë u mor zyrtarisht për të kursyer energji dhe ngrohje, por mund të jetë gjithashtu një përpjekje për të ndaluar ose kufizuar protestat.

Përveç situatës së vështirë të brendshme, Irani është nën presion të fortë ndërkombëtar: gjashtë muaj pas luftës 12-ditore me Izraelin, kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu dhe presidenti i SHBA-ve, Donald Trump kanë kërcënuar me ndërhyrje të re ushtarake.

Shitjet e naftës, një burim kryesor i të ardhurave, janë të kufizuara nga sanksionet ndërkombëtare. Vendi po përballet gjithashtu me një krizë të vazhdueshme energjitike, të shkaktuar nga thatësira: rezervuarët që ushqejnë hidrocentralet janë shpesh bosh dhe ndërprerjet e rrjetit elektrik janë të shpeshta.

The post Pse rifilluan protestat anti-qeveritare në Iran appeared first on Gazeta Si.

Intolerancë ushqimore apo alergji? Si ta menaxhoni menunë gjatë fundvitit

31 December 2025 at 16:00

Gazeta Si – Me festën e fundvitit, që po trojet, zgjedhja e menusë ushqimore kërkon shqyrtim të kujdesshëm.

Intolerancat dhe alergjitë nuk janë e njëjta gjë: të kuptuarit e dallimeve është thelbësore për gatim të sigurt dhe mbrojtje të të gjithëve.

Reagimet, simptomat dhe rreziqet ndryshojnë, ashtu si edhe masat paraprake që duhen marrë në tryezë, veçanërisht kur ndahen pjatat tradicionale. Sëmundja celiake, është gjithashtu një çrregullim autoimun që kërkon rregulla specifike në tryezë.

Dallimet midis intolerancave dhe alergjive

Intolerancat ushqimore, para së gjithash, mund të shkaktohen nga mekanizma të ndryshëm, siç është mungesa e enzimave për të metabolizuar një ushqim, mbindjeshmëria ndaj molekulave ose aditivëve në ushqime (si histamina në disa peshq, tiramina në djathërat e vjetëruar, glutamati në kubet e supës ose sulfitet në verë), ose një reagim jonormal ndaj një përbërësi ushqimor, siç është përgjigja e shkaktuar nga gluteni që shkakton sëmundjen celiake.

Simptomat janë kryesisht gastrointestinale, siç janë të përzierat, dhimbja, fryrja dhe diarreja. Megjithatë, në rastin e një alergjie, ekziston një reaksion imunitar jonormal ndaj një përbërësi ushqimor, i njohur si “i rrezikshëm” edhe nëse nuk është.

Sistemi imunitar aktivizohet që në kontaktin fillestar me ushqimin, duke çuar në sensibilizim me formimin e antitrupave që më pas shkaktojnë një përgjigje të shpejtë dhe të rëndë alergjike pas kontaktit të mëvonshëm, madje edhe në gjurmë minimale të ushqimit ndaj të cilit individi është bërë alergjik.

Përgjigja është e menjëhershme dhe përfshin simptoma tipike, jo vetëm gastrointestinale, por edhe respiratore (duke përfshirë rinitin, kollën dhe vështirësinë në frymëmarrje ose dispnenë) dhe probleme të lëkurës si urtikarie, skuqje të lëkurës dhe angioedemë, deri në reaksione shumë serioze si anafilaksi.

Testimi dhe diagnoza e saktë

Ndërsa intolerancat mund të lidhen me sasinë e ushqimit të konsumuar, kështu që zakonisht ekziston një dozë pragu që nuk shkakton simptoma, ushqimi ndaj të cilit jeni alergjik, duhet të eliminohet nga dieta juaj.

Si alergjitë, ashtu edhe intolerancat varen nga ndjeshmëritë individuale, dhe për t’i identifikuar ato saktë, nëse dyshoni se keni një alergji ose intolerancë, përveç diskutimit me mjekun tuaj të familjes ose pediatrin, mund të konsultoheni edhe me një alergolog, gastroenterolog, dietolog/nutricionist ose internist.

Vetëm një mjek mund të urdhërojë testet e duhura dhe më pas të bëjë një diagnozë të saktë të intolerancës ose alergjisë; gjithashtu mund të jetë e dobishme të mbani një ditar ushqimor të ushqimeve të konsumuara dhe çdo simptomë të lidhur me të, në mënyrë që t’i jepni mjekut tuaj informacionin më të saktë të mundshëm gjatë vizitës së parë.

“Intolerancat dhe alergjitë ndonjëherë mund të shkaktojnë simptoma dhe shenja të ngjashme, prandaj shumë njerëz i ngatërrojnë ato”, shkruajnë ekspertët amerikanë.

Megjithatë, ndërsa alergjitë ushqimore mund të jenë kërcënuese për jetën, intolerancat ndikojnë vetëm në traktin tretës dhe shkaktojnë probleme më pak serioze.

Më e rëndësishmja, ngrënia e sasive të vogla të ushqimit të prekur mund të mos shkaktojë ndonjë shqetësim dhe në disa raste, është madje e mundur që gradualisht të “ristërviteni” për ta toleruar atë.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Intolerancë ushqimore apo alergji? Si ta menaxhoni menunë gjatë fundvitit appeared first on Gazeta Si.

‘Mirupafshim, 2025! Nuk ishte kënaqësi të të njihnim’

31 December 2025 at 15:38

Nga Gazeta ‘Si’- Faleminderit për asgjë, 2025. Ishte një vit në të cilin shumica prej nesh do të donte të ishte ose Suni Williams, ose Butch Wilmore.

Williams dhe Wilmore ishin astronautë që duhej të qëndronin në hapësirë rreth 10 ditë, por përfunduan duke ndenjur gati 10 muaj, duke mos u kthyer në Tokë deri në mars të këtij viti dhe duke humbur pothuajse tre muaj nga ky mjerim.

“Mirë se u kthyet, djema. Ka lajme të mira dhe lajme të këqija: lajmi i mirë është se jeni kthyer shëndoshë e mirë; lajmi i keq është se Kamala Harris nuk i fitoi zgjedhjet.”

Fituesi i zgjedhjeve, Donald Trump, sigurisht që dominoi axhendën e lajmeve në të njëjtën mënyrë siç do ta dominonte një ari sektorin e mjaltit po ta lije të lirë në një supermarket.

Ai vendosi tarifa të menduara me nxitim mbi gjithçka dhe këdo, përfshirë ishuj të pabanuar pranë Antarktidës.

Dhe u grind në mënyrë spektakolare me Elon Musk-un, i cili, si Lazari, fluturoi shumë afër diellit të ndritshëm.

Në Europë, ka qenë një vit i çuditshëm.

Gjermania e zëvendësoi Kapiten Karizmën Olaf Scholz-in, me Friedrich Merz-in, i cili gjithmonë duket sikur sapo i ke zënë vendin e parkimit në supermarket, edhe pse ai kishte pritur me durim për një kohë të gjatë.

Franca dhe Italia i ndërruan rolet: kjo e fundit u shndërrua në model stabiliteti, ndërsa e para u kthye në një rast problematik ku aq shumë njerëz u bënë kryeministra saqë, në momentin e shkrimit, Eric Cantona është mbajtësi i asaj detyre.

Në Bruksel, Ursula von der Leyen ka qenë pothuajse po aq popullore sa një operacion i padëshiruar invaziv dhe i mbijetoi jo një, por tre votëbesimeve në Parlamentin Europian, i cili sot anon aq shumë djathtas sa rrezikon të përmbyset.

Por ka pasur edhe disa histori suksesi

Papa i ri duket njeri i mirë, që do të thotë se Kisha Katolike e ka thyer ciklin e kohëve të fundit “papë i mirë / papë i keq”.

Dhe António Costa po bën një punë shumë më të mirë si president i Këshillit Europian – një rol që, nga sa kuptojmë ne, përfshin porositjen e sasisë së duhur të ujit me gaz për mbledhjet – sesa Charles Michel.

Pra, ja ku jemi: drejt lartësive të ndriçuara nga dielli të vitit 2026. Nuk mund të jetë më keq, apo jo?

Kush ka qenë në ngjitje

Putha një kryeministër: Me fjalët e pavdekshme të Avril Lavigne: Ai ishte kryeministër, ajo ishte yll popi – a mund të bëhet më e qartë?

Justin Trudeau dhe Katy Perry janë zyrtarisht në një lidhje. Rezulton se gjithçka që duhet për të lulëzuar një çift “power” është një marifet i sikletshëm turizmi hapësinor dhe një dorëheqje në turp. Ka shpresë për të gjithë, njerëz.

Justin Trudeau dhe Katy Perry

Mbijetuesja: Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, arriti t’i mbijetojë gjithsej tre mocioneve mosbesimi këtë vit. Partitë e ekstremit të djathtë dhe të majtë provuan fatin e tyre, duke vërtetuar se nuk ka të bëjë me ideologjinë — thjesht nuk e pëlqejnë atë. Dhe njerëzit thonë se shoqëria është e përçarë pa shpresë.

Kush ka qenë në rënie

Marrëdhëniet SHBA-BE:
Ju kujtohet kur SHBA-të e pëlqenin vërtet BE-në? Zëvendëspresidenti JD Vance nuk e pëlqen. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ai goditi demokracitë europiane, duke këmbëngulur se kërcënimi i tyre më i madh nuk është Rusia, por luftërat e tyre kulturore. Me miq të tillë…

Titujt mbretërorë:

Duka i Jorkut, Princi Andrew, nuk ekziston më. Tani ai do të njihet si Andrew Mountbatten Windsor. Që, për nga emrat e mesëm, është ndëshkim i mjaftueshëm. Vëllai i tij i madh, Charlie, ia preu gjithashtu financimin publik. Nëse Mountbatten-i ndonjëherë ka nevojë për punë, gjithmonë ka Pizza Express.

Çmim ironik për përdorimin e shkëlqyer të kaosit politik në një demokraci

Çfarë viti ka qenë për Marine Le Pen-in dhe politikën franceze, e cila i dha Italisë një vit të rrallë pushimi nga të qenit maskota kaotike e Europës.

Udhëheqësja e partisë së ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, u ndalua të kandidojë për poste publike për pesë vjet, pas një skandali me vende pune fiktive në Parlamentin Europian në mars.

Në teori, kjo e përjashton nga gara presidenciale e vitit 2027 – duke supozuar se deri atëherë do të kemi ende demokraci funksionale. Karriera e saj duhej të kishte marrë fund aty.

Por Marine nuk është nga ato që dorëzohen, sidomos kur krahu i djathtë, Barbie Bardella, pret – paksa tepër i etur – në prapaskenë për të marrë stafetën.

Gjithçka që i duhej ishte që elektorati francez të shpërqendrohej nga skandale më të freskëta dhe ta linte të planifikonte rikthimin e saj në heshtje.

Dhe ja ku hyn: Presidenti Emmanuel Macron dhe një studim rasti për sindromën “burrë i sigurt në vetvete, heteroseksual, i bardhë, në kufijtë e iluzionit”.

Ai i konsumoi kryeministrat më shpejt sesa Samantha Jones ndërronte të dashurit, duke u dukur çdo herë i habitur kur njëri largohej.

Është gati e lezetshme që asnjëherë nuk e konsideroi mundësinë se problemi mund të ishte vetë ai. Ndoshta vërtet ka ardhur koha për një presidente grua që t’i sjellë stabilitet Francës: shikoni Italinë dhe qeverinë e saj absolutisht-jo-neo-fashiste, për shembull. Ah, sa janë ndërruar pllakat.

Burimi: “Politico” / Përshtati: Gazeta “Si”

The post ‘Mirupafshim, 2025! Nuk ishte kënaqësi të të njihnim’ appeared first on Gazeta Si.

Zbulimet arkeologjike 2025 që rishkruan historinë njerëzore

31 December 2025 at 15:14

Nga Gazeta “SI”- Viti 2025 shënoi një revolucion në arkeologji, ku teknologjia moderne dhe gërmimet tradicionale bashkëpunuan për të rikthyer në dritë pjesë të harruara të historisë njerëzore. ADN-ja e lashtë po zbardh prejardhjen e qytetarëve të lashtë, imazhet satelitore po zbulojnë struktura gjigante në male dhe shkretëtira, ndërsa hartëzimi nënujore po nxjerr në pah anije të fundosura dhe qytete të humbura. Më poshte ju sjellim zbulimet arkeologjike që ridimensionuan historinë njerëzore.

Varri mbretëror Maja në Belize

Pas afro 40 vitesh gërmime në qytetin antik të Caracol-it, arkeologët Arlen dhe Diane Chase zbuluan një varr mbretëror 1,700-vjeçar, që daton rreth viteve 330–350 pas Krishtit. Ata mendojnë se varri i përket Te K’ab Chaak, sundimtarit themelues të dinastisë së Caracol-it.

Në varr u gjetën një maskë mortore prej nefriti dhe guaskash, stoli të çmuara dhe eshtrat e një burri të moshuar. Zbulimi sugjeron lidhje me qytetin e fuqishëm Teotihuacan në Meksikë, duke ndriçuar rrjetet kulturore të epokës.

Porti i fundosur që mund të çojë te varri i Kleopatrës

Arkeologia Kathleen Martínez zbuloi një port të fundosur pranë tempullit Taposiris Magna në Egjipt. Nën ujë u gjetën kolona, dysheme të lëmuara dhe spiranca, që tregojnë se zona ka qenë një qendër e rëndësishme detare.

Zbulimi mbështet teorinë se Kleopatra mund të ketë zgjedhur këtë vend për varrin e saj, megjithëse eshtrat e saj ende nuk janë gjetur.

Anije të Luftës së Dytë Botërore në Paqësor

Në Detin Iron Bottom pranë Ishujve Solomon, ekipi i Bob Ballard dokumentoi 13 anije të fundosura nga Beteja e Guadalcanal-it. Me ndihmën e mjeteve robotike u studiuan anijet japoneze dhe amerikane, duke treguar strategjitë ushtarake dhe kostot e larta njerëzore , mbi 27,000 të vrarë.

Varri i faraonit Thutmose II

Pas më shumë se një shekulli kërkimesh, u gjet varri i faraonit Thutmose II, që sundoi Egjiptin nga 1493–1479 p.e.s., pranë Luginës së Mbretërve. Brendësia e tij përmban mure të mbushura me hieroglife dhe tavan të pikturuar me motive qiellore, duke ofruar një pasqyrë unike të kulturës mbretërore të kohës.

Struktura gjigante në Ande

Në Peru, dronët zbuluan mijëra gropa në malin Monte Sierpe, të cilat mendohet se shërbenin si sisteme magazinimi dhe llogaritjeje për popujt çinça dhe më vonë për inkat.

Në Kili, imazhet satelitore zbuluan struktura guri në formë V-je, përdorur si kurthe për gjuetinë e vikunjave, duke treguar se shoqëritë andine formësuan peizazhin për nevojat e tyre të përditshme.

ADN-ja më e vjetër egjiptiane e analizuar

Në një varr 4,500-vjeçar në Egjipt u gjet skeleti i një burri brenda një ene balte. Analiza e ADN-së tregoi se 80% e prejardhjes së tij ishte nga Afrika Veriore dhe 20% nga Azia Perëndimore.

Studiuesit besojnë se ai ishte një punëtor i zakonshëm, jo ndërtues piramidash, duke ofruar një pamje më të detajuar të jetës së përditshme në Egjiptin e lashtë.

The post Zbulimet arkeologjike 2025 që rishkruan historinë njerëzore appeared first on Gazeta Si.

Kur u ndjetë më të qetë? Çfarë iu dha energji? 7 pyetje për një vit 2026 më të lumtur

31 December 2025 at 14:08

Gazeta Si – Titulli menjëherë zgjon kuriozitetin: “7 Pyetjet që duhet t’i bëni vetes për një Vit të Ri më të lumtur”.

Artikulli i Jancee Dunn në “New York Times”, rishikon lojën e vjetër të premtimeve të Vitit të Ri në një mënyrë më delikate dhe introspektive, duke u ofruar lexuesve të gazetës kryesore amerikane një perspektivë të re mbi dilemat e mëdha me të cilat përballet secili prej nesh.

Analiza propozon të fillojë me një shqyrtim të ndershëm të vitit që po mbaron, në mënyrë që të nxirren mësime të dobishme për vitin që vjen.

Artikulli fillon: “Dr. Wiens më tha të pyes veten: Çfarë ia vlen të kujtohet për vitin 2025?” Ja një “gjë e vogël” që për mua ishte më e madhe nga sa dukej: çdo dy javë, nëna ime ka një takim te mjeku që zgjat disa orë. Babai im e shoqëron atë, pastaj vjen në shtëpinë time dhe hamë drekë së bashku.

Gjatë asaj kohe, fillova ta njihja babanë tim në një mënyrë që nuk e njihja kurrë si fëmijë. E lashë të provonte receta të reja – supa me salçiçe dhe elb ishte një sukses i madh – dhe bisedonim për gjëra të zakonshme.

Ndonjëherë ai ndërhyn në ndonjë artikull që po shkruaj, ose sjell çantën e veglave për të shtrënguar një dorezë dere të lirshme.

Vizitat tona janë bërë një ritual – dhe e kanë bërë vitin tim më të mirë”.

Pyetje për t’u bërë

Jancee Dunn vazhdon: “U kërkova disa ekspertëve më shumë pyetje reflektimi që mund të ofrojnë një kornizë për të menduar për vitin që vjen.  Zgjidhni një ose dy që ju pëlqejnë, shkruani për to në një ditar ose flisni për to me një mik”.

Kur u ndjetë më të gëzuar dhe më të qetë?

Valerie Tiberius, një profesoreshë filozofie në Universitetin e Minesotës, sugjeron të pyesni veten se kur u ndjetë vërtet të lumtur këtë vit.

Duke vepruar kështu, thotë ajo, mund t’ju ndihmojë të kuptoni se si dëshironi ta kaloni kohën tuaj në të ardhmen.

A ishte me njerëz specifikë apo në një vend që e adhuroni? “Për mua, ishte kur isha në natyrë, si në bregun verior të Liqenit të Madh”, – tha ajo.

Çfarë ju dha energji-dhe çfarë jo?

Një vit nuk ka të bëjë vetëm me atë që ju ndodhi, por edhe me mënyrën se si iu reaguat, tha Deepika Chopra, një psikologe klinike dhe autore e librit që do të dalë së shpejti “Fuqia e Optimizmit të Vërtetë”.

“Dy njerëz mund ta përjetojnë të njëjtën ngjarje dhe të dalin prej saj shumë ndryshe”, tha ajo.

Pra, të kuptuarit se çfarë ju ushqeu dhe çfarë ju shteroi, mund t’ju ndihmojë të planifikoni për më shumë energji pozitive në vitin e ardhshëm.

Për Dr. Chopra, gjërat që dhanë energji, ishin dëgjimi i muzikës live, hapja e një klubi mahjong, leximi për kënaqësi dhe zhvillimi i “bisedave të thella dhe kuptimplote me njerëz që u besoj”.

Pengesa që dukeshin të pamundura për t’u kapërcyer

Çfarë dukej e pamundur – por ju e bëtë gjithsesi?

Duke kujtuar sfidat e së kaluarës, tha Dr. Chopra, ju jep prova të qëndrueshmërisë suaj, ndërkohë që forcon edhe vetëefikasitetin: besimin se mund të kapërceni pengesat e së ardhmes.

Dhe hulumtimet sugjerojnë se ky besim është një tregues i fuqishëm i vetëbesimit, motivimit dhe optimizmit, shtoi ajo.

Vetëefikasiteti “ndërtohet me prova, jo me pohime”, tha ajo. “E kam parë këtë në jetën time gjatë kohërave vërtet të pasigurta, kur rruga përpara ishte e paqartë. Nuk ishte pozitiviteti që më mbështeti, por kujtimi i momenteve të së kaluarës kur u përshtata, mësova dhe u rikuperova”.

Lëreni telefonin dhe bëni një shëtitje

Cili zakon, nëse do ta praktikonit më vazhdimisht, do të kishte një ndikim pozitiv në jetën tuaj?

Ndonjëherë, ndërsa afrohet një vit i ri, “ne përqendrohemi në bërjen e gjërave të reja, por harrojmë se ndoshta po bëjmë tashmë gjëra të mira, thjesht në mënyrë jokonsistente”, tha Anil Chacko, drejtor i Departamentit të Psikologjisë së Aplikuar në NYU Steinhardt.

Disa shembuj, tha ai, mund të jenë përpjekja për të lënë mënjanë telefonin tuaj kur ktheheni në shtëpi nga puna dhe qëndrimi në kontakt të rregullt me ​​miqtë.

Një zakon që ai dhe gruaja e tij planifikojnë ta bëjnë më të qëndrueshëm në vitin 2026, është “një shëtitje pas darkës, e cila duhet të ndihmojë në rregullimin e niveleve të sheqerit në gjak dhe përmirësimin e tretjes”.

Çfarë keni qenë duke u përpjekur të kontrolloni që në të vërtetë ishte jashtë kontrollit tuaj?

“Një nga mënyrat më të shpejta për të zvogëluar ngarkesën mendore”, tha Dr. Chopra, “është të hiqni dorë nga gjërat që nuk mund të shpresoni t’i kontrolloni.

Një shembull klasik? Reagimet e njerëzve të tjerë”. “Mund të përgatiteni me kujdes, të komunikoni qartë dhe të veproni me integritet, por nuk mund të kontrolloni se si dikush interpreton ose përgjigjet”, – tha ajo.

Mendoni për diçka që nuk mund ta kontrollonit këtë vit – dhe pastaj lëreni të shkojë.

Arti i faljes

A ka dikë që duhet ta falni në vitin 2026?

Mbajtja e zemërimit dhe pakënaqësisë mund të kërkojë energji mendore dhe emocionale, tha Anthony Chambers, psikolog dhe drejtor akademik i Institutit të Familjes në Universitetin Northëestern.

Vendimi për të falur, shtoi ai, nuk do të thotë të harrosh. Përkundrazi, është një “zgjedhje për të ndaluar së lejuari një veprim të kaluar të kontrollojë emocionet tona të tanishme”, tha ai dhe mund të jetë e dobishme për shëndetin mendor.

Për të ndihmuar pacientët e tij të fillojnë, Dr. Chambers shpesh rekomandon librin “Forgiveness Is a Choice” nga Robert Enright.

“Falja ju lejon të ecni përpara duke u ndjerë më të lirë dhe më të përmbushur, në vend që të jeni të mbushur me hidhërim”, tha ai.

“Dhe çfarë mënyre do të ishte më e mirë për të hyrë në vitin 2026, sesa me një ndjenjë lirie?”.

Dhe së fundmi, ja një pyetje e fundit që babai im më sugjeroi gjatë një dreke të kohëve të fundit: Sa herë e kam telefonuar në vitin 2025 dhe si mund ta bëja edhe më shumë vitin tjetër? (Pak humor baba.)

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Kur u ndjetë më të qetë? Çfarë iu dha energji? 7 pyetje për një vit 2026 më të lumtur appeared first on Gazeta Si.

Pesë fitore të mëdha globale shëndetësore që do shpëtojnë miliona jetë

31 December 2025 at 13:50

Me shkurtimin e fondeve humanitare nga SHBA-ja dhe vende të tjera, titujt kryesorë të shëndetit global të këtij viti kanë qenë të zymtë.

Por gjëra të mira kanë ndodhur në kërkimin e vaksinave dhe zhvillimin e trajtimeve të reja dhe të përmirësuara për disa nga sëmundjet më të vështira.

Miliona vajza të mbrojtura nga kanceri i qafës së mitrës

Një objektiv për të mbrojtur 86 milionë vajza nga kanceri i qafës së mitrës deri në fund të vitit 2025 u arrit përpara afatit, duke rritur shpresat midis ekspertëve se kanceri i qafës së mitrës mund të eliminohet brenda shekullit të ardhshëm.

Gavi, aleanca e vaksinave, nisi programin e saj të vaksinimit kundër papillomavirusit njerëzor (HPV) në vitin 2014, kur mbulimi i vaksinave në Afrikë ishte vetëm 4%.

Deri në fund të vitit 2022, ishte vetëm 15%, por shkencëtarët kishin zbuluar se një dozë e vetme mund të jepte mbrojtje të krahasueshme me dy dozat e përdorura fillimisht. Kjo do ta bënte më të thjeshtë ofrimin e programeve të vaksinimit dhe do ta zgjeronte furnizimin dyfish.

Në vitin 2023, Gavi njoftoi objektivin e saj ambicioz për të mbrojtur 86 milionë vajza deri në vitin 2025 dhe një shtytje e përbashkët pa që mbulimi në Afrikë të rritej. Deri në fund të vitit 2024, ishte në 44%, më e lartë se 38% e Europës.

Në nëntor, Dr. Sania Nishtar, drejtoresha ekzekutive e Gavi, i vlerësoi “vendet, partnerët, shoqërinë civile dhe komunitetet” për arritjen e hershme të objektivit prej 86 milionësh dhe “nxitje të progresit të madh global drejt eliminimit të një prej sëmundjeve më vdekjeprurëse që prekin gratë”.

Kanceri i qafës së mitrës mbetet i përhapur dhe vdekjeprurës në pjesët më të varfra të botës, 85% e rasteve të reja janë në Afrikën Sub-Sahariane dhe një grua vdes nga sëmundja çdo dy minuta.

Por një vaksinë kundër virusit mund të parandalojë 17.4 vdekje për çdo 1,000 fëmijë të vaksinuar, sipas Gavi, që do të thotë se 86 milionë vaksinimet do të parandalojnë rreth 1.4 milionë vdekje nga kanceri i qafës së mitrës.

Lloji i parë i ri i trajtimit të malaries në dekada

Pas provave të suksesshme klinike, lloji i parë i ri i trajtimit të malaries në dekada do të kërkojë miratimin rregullator. GanLum, nga kompania farmaceutike Novartis, tejkaloi trajtimin standard duke demonstruar një shkallë shërimi prej 99.2% krahasuar me 96.7%.

Çështja kryesore është se duhet të jetë efektiv edhe kundër parazitëve të malaries që kanë zhvilluar rezistencë ndaj artemisininës, një përbërës i trajtimit standard aktual.

Rezistenca ndaj ilaçeve ndaj artemisininës është një shqetësim në rritje. Në vitet 1990, rezistenca ndaj klorokinës, atëherë trajtimi standard i malaries, çoi në miliona vdekje, thotë Dr. George Jagoe, shkencëtar.

Perspektiva e një antimalariali si GanLum jep një “ndjesi lehtësimi”, tha ai në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane të Mjekësisë Tropikale dhe Higjienës, si “të kesh një fikës zjarri” gati për t’u përdorur.

Studiuesit shpresojnë gjithashtu se GanLum do të jetë më efektiv në ndalimin e transmetimit, për shkak të mënyrës se si ndikon te parazitët në faza të caktuara të ciklit të tyre jetësor.

“GanLum mund të përfaqësojë përparimin më të madh në trajtimin e malaries për dekada të tëra”, thotë Dr. Abdoulaye Djimdé, profesor i parazitologjisë dhe mikologjisë në Universitetin e Shkencës, Teknikave dhe Teknologjive të Bamakos, Mali, i cili ishte i përfshirë në zhvillimin e ilaçit.

Më shumë vende që eliminojnë fruthin

Kepi i Gjelbër, Mauritiusi dhe Sejshelet u bënë tre vendet e para nën-Sahariane që eliminuan zyrtarisht fruthin dhe rubeolën.

Ky moment historik erdhi pavarësisht një rritjeje të rasteve të fruthit në të gjithë botën, me rreth 11 milionë infeksione në vitin 2024. Në nëntor, rajoni i Amerikës humbi statusin e tij pa fruth për shkak të shpërthimeve në Kanada, ndërsa SHBA-të po përballen me shpërthimin e tyre më të keq në dekada.

Suksesi i tre vendeve afrikane u përshkrua si “një arritje e madhe e shëndetit publik”. “Kjo tregon se çfarë është e mundur kur vendet e vënë parandalimin në plan të parë dhe i bëjnë vaksinat një përparësi”, thotë Dr. Mohamed Janabi, drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Afrikën.

“Ne duhet të ndërtojmë mbi këtë sukses në mënyrë që çdo fëmijë në Afrikë të mund të rritet i shëndetshëm dhe i mbrojtur.”

21 vende ishujsh të Paqësorit gjithashtu eliminuan fruthin dhe rubeolën këtë vit. Ky status do të thotë që ato kanë ndërprerë transmetimin endemik për më shumë se tre vjet, dhe gjithashtu kanë sisteme mbikëqyrjeje për të kapur dhe përmbajtur me shpejtësi çdo rast që vjen në vend.

Botsvana dhe Ruanda kanë arritur mbulim prej 95% me vaksinimin kundër fruthit dhe rubeolës, standardi i nevojshëm për të ndërprerë transmetimin.

Në nivel global, vdekjet nga fruthi ranë me 88% midis viteve 2000 dhe 2024, me një raport të OBSH-së që zbuloi se gati 59 milionë jetë ishin shpëtuar nga vaksina e fruthit që nga viti 2000.

Një ilaç i ri për parandalimin e HIV-it

Një ilaç i përshkruar si një “ndryshues i mundshëm i lojës” për epideminë e HIV-it mbërriti në Afrikën Sub-Sahariane brenda disa muajsh nga miratimi i tij në SHBA.

Lenacapavir, i dhënë si injeksion dy herë në vit, mund ta parandalojë pothuajse plotësisht infeksionin HIV. Ai u miratua nga rregullatorët amerikanë në qershor dhe u rekomandua nga OBSH në korrik.

Prodhuesi Gilead ka nënshkruar marrëveshje me gjashtë prodhues të barnave gjenerike, duke i lejuar ata të prodhojnë versione më të lira për përdorim në 120 vende. Ato do të ofrohen me rreth 40 dollarë për secilin pacient për një vit sipas marrëveshjeve.

Derisa ky prodhim të vihet në funksion, Gilead është zotuar të ofrojë lenacapavir pa fitim për deri në dy milionë njerëz gjatë dy viteve të ardhshme. Në nëntor, dërgesat e para mbërritën në Esëatini dhe Zambia. Shpërndarja pritet të fillojë në fillim të vitit 2026.

Aksionarët thonë se qasja duhet të shkojë më tej dhe komunitetet e varfra në vendet e përjashtuara nga marrëveshjet gjenerike të Gilead do të vazhdojnë të kenë vështirësi në përballimin e ilaçit, me një çmim liste prej 28,218 dollarësh për të trajtuar një person për një vit. Ilaçi do të duhet të shpërndahet në shkallë të gjerë për të ndryshuar valën e infeksioneve të reja. Dhe financimi për shërbimet e HIV është i brishtë.

Peter Sands, drejtor ekzekutiv i Fondit Global, tha se futja në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme “pothuajse njëkohësisht me vendet me të ardhura të larta është një përparim, pasi ilaçet e mëparshme për parandalimin e HIV-it kanë marrë mesatarisht pesë vjet për t’u bërë të disponueshme në këto mjedise, pasi provat e efikasitetit të tyre janë njohur për herë të parë”.

Përparime në luftën kundër TB

Që nga emërtimi i saj në vitin 1882, tuberkulozi ka vrarë më shumë se një miliard njerëz dhe mbetet vrasësi kryesor në botë nga sëmundjet infektive.

Por opsionet e trajtimit po përparojnë me ritëm të shpejtë. Katër vaksina janë në fazat e tyre të fundit të testimit; testet më të lehta për t’u përdorur, duke përfshirë tamponët e thjeshtë të gjuhës, mund të përmirësojnë zbulimin; dhe një trajtim i ri mund të rrisë shkallën e shërimit dhe të shkurtojë kohën e nevojshme për të trajtuar TB.

Një antibiotik i ri, sorfequiline, tregoi veprim më të fortë se trajtimet ekzistuese në rezultatet e provave të paraqitura në Konferencën Botërore të Unionit për Shëndetin e Mushkërive në nëntor.

“Shkenca vazhdon të ecë përpara, në dobi të sistemeve të kujdesit shëndetësor, njerëzve me TB, familjeve të tyre dhe komuniteteve të tyre”, thotë Mel Spigelman, presidente e TB Alliance, e cila zhvilloi ilaçin.

“Objektivat që dikur dukeshin tërësisht aspiruese, siç është zhdukja e TB-së, po bëhen gjithnjë e më të mundshme për shkak të përparimeve”, thotë Dr. Rod Daëson i Institutit të Mushkërive të Universitetit të Cape Town. “Por kemi shumë punë përpara dhe nuk mund të ndalemi derisa TB të mos jetë më një kërcënim”.

Përshtati: Gazeta: “Si”

The post Pesë fitore të mëdha globale shëndetësore që do shpëtojnë miliona jetë appeared first on Gazeta Si.

Rusia publikon videon e sulmit me dron ndaj rezidencës së Putinit

31 December 2025 at 13:44

Gazeta Si – Ministria e Jashtme ruse publikoi një video në kanalin e saj Telegram që tregon rrënojat e njërit prej droneve që me sa duket ishin drejtuar për në rezidencën e Putinit në rajonin e Novgorodit natën e 28-29 dhjetorit.

Në video, një ushtar shpjegon se është një “dron ukrainas ‘Chaklun-V’, i rrëzuar gjatë sulmit terrorist nga regjimi i Kievit” dhe specifikon se “mbante 6 kilogramë eksploziv, me përbërës të ndryshëm për shkaktimin e dëmeve”.

#BREAKING | 🇷🇺 🇺🇦 — Russian Defense Ministry publishes footage allegedly showing one of the downed Ukrainian drones targeting Putin’s residence in Novgorod, allegedly carrying a 6-kilogram high-explosive charge. pic.twitter.com/CVMcWEROn3

— The Global Eye (@TGEThGlobalEye) December 31, 2025

Sipas një deklarate nga Ministria e Mbrojtjes Ruse, siç raportohet nga agjencia e lajmeve “Tass”, forcat e armatosura ukrainase dërguan 91 dronë për të sulmuar rezidencën e presidentit rus. Avionët thuhet se u panë në rajonet e Bryansk, Smolensk, Tver dhe Novgorod.

“Pretendimi i Rusisë se Ukraina kohët e fundit ka synuar objekte kyçe qeveritare në Rusi është një shpërqendrim i qëllimshëm. Moska synon të pengojë përparimin e vërtetë drejt paqes nga Ukraina dhe partnerët e saj perëndimorë”, shkroi Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Kaja Kallas në X.

“Askush nuk duhet të pranojë pretendime të pabaza nga agresori i cili ka synuar pa dallim infrastrukturën dhe civilët ukrainas që nga fillimi i luftës”, përfundoi Kallas.

The post Rusia publikon videon e sulmit me dron ndaj rezidencës së Putinit appeared first on Gazeta Si.

Tryeza e supermbushur, fishekzjarre dhe festë deri në mëngjes/ Si e festojnë shqiptarët ndërrimin e viteve?

31 December 2025 at 13:30

Gazeta “SI”- Nata e ndërrimit të viteve festohet në mbarë planetin dhe mbetet një nga momentet më të rëndësishme të vitit, një festë që bashkon familjarë, miq dhe njerëzit më të dashur.

Pavarësisht se mënyrat e festimit ndryshojnë nga një vend në tjetrin, kudo mbizotëron besimi se viti i ri do të sjellë shpresë, fat dhe përmbushje dëshirash.

Edhe në Shqipëri, kjo natë festohet me shumë entuziazëm, por me zakone dhe tradita që e dallojnë nga vendet e tjera shkruan Gazetasi.al.

Për shqiptarët, ndërrimi i viteve nuk është thjesht një moment kalendarik, por një ritual i mbushur me simbolikë, besime popullore dhe një ndjenjë të fortë bashkimi familjar.

Tryeza e bollshme, simbol i mbarësisë

Një nga elementët më karakteristikë të kësaj nate është tryeza e Vitit të Ri. Edhe pse gjatë ditëve të zakonshme konsumi është më i përmbajtur, në natën e ndërrimit të viteve tryeza duhet të jetë e mbushur “sa s’ka ku të rrijë më”.

Gjeli i detit mbetet mbreti i sofrës, por ai nuk vjen kurrë i vetëm. Mish viçi, qengji apo produkte të tjera shtohen, edhe pse shpesh mbeten të paprekura. Sipas besimit popullor, bollëku në tryezë sjell begati për vitin që vjen.

Bakllavaja, ëmbëlsira që nuk mungon kurrë

Bakllavaja është pa diskutim ëmbëlsira simbol e festës. Përgatitja e saj nis disa ditë para Vitit të Ri dhe për shumë familje mbetet një ritual më vete.

Disa zonja këmbëngulin ta përgatisin vetë, duke ruajtur recetat tradicionale, ndërsa të tjera ua besojnë furrave profesionale. Pavarësisht mënyrës, bakllavaja është e domosdoshme në çdo tryezë.

Pijet për çdo shije

Tryeza e Vitit të Ri plotësohet me një larmi pijesh: alkoolike, me gaz, pa gaz apo energjike. Nuk ka rëndësi nëse konsumohen të gjitha apo jo; e rëndësishme është që të jenë aty, si pjesë e idesë së bollëkut dhe festës.

Superpastrimi i shtëpisë

Një tjetër traditë e pandashme është pastrimi i shtëpisë. Çdo cep, çdo dhomë dhe çdo orendi duhet të jetë e pastër, pasi besohet se Viti i Ri duhet të hyjë në një shtëpi të rregullt. Edhe nëse shtëpia është pastruar pak ditë më parë, ajo ripastrohet sërish, pa diskutim.

Fishekzjarrët dhe “lufta” mes fqinjëve

Sapo ora shënon mesnatën, qielli ndriçohet nga fishekzjarrët. Nga ballkonet, dritaret dhe oborret, shqiptarët shfaqin me krenari “arsenalin” e tyre. Nëse fishekzjarrët e fqinjëve duken më të bukur, nuk ka problem: më 1 janar do të ketë një tjetër raund.

Leku në byrek, traditë që sjell kuriozitet

Një zakon tjetër karakteristik është byreku me lekun e fshehur brenda. Të gjithë presin me padurim të shohin se kujt do t’i bjerë këtë vit.

Sot, me rritjen e kostos së jetesës, dilema bëhet edhe më interesante: çfarë shume do të zëvendësojë lekun? Momente plot humor dhe gëzim që e bëjnë tryezën edhe më festive.

Festa vazhdon deri në mëngjes

Tradita tashmë është e njohur: deri në mesnatë festohet me familjen, ndërsa pas mesnate festa vazhdon me shoqërinë. Se ku i gjen mëngjesi shumëkënd, mbetet ende një mister.

Kush hyn i pari në shtëpi?

Sipas besimit popullor, hyrja e parë në shtëpi në Vitin e Ri ka rëndësi të madhe. Thuhet se nëse hyn një djalë i vogël, viti do të jetë i mbarë.

Po aq e rëndësishme është edhe hyrja me këmbën e djathtë, një zakon që vazhdon të respektohet nga shumë familje shqiptare.

Pavarësisht ndryshimeve të kohës, këto tradita vazhdojnë të ruhen dhe të përcillen brez pas brezi, duke e bërë Natën e Ndërrimit të Viteve një festë unike për shqiptarët, ku ndërthuren zakonet, besimet dhe gëzimi familjar.

The post Tryeza e supermbushur, fishekzjarre dhe festë deri në mëngjes/ Si e festojnë shqiptarët ndërrimin e viteve? appeared first on Gazeta Si.

Mirë se vjen 2026! Nga Sidnei në Tokio, ja ku ka mbërritur Viti i Ri

31 December 2025 at 15:22

Gazeta Si – Aucklandi në Zelandën e Re e festoi vitin 2026 me një shfaqje fishekzjarrësh në qendër të qytetit të nisur nga struktura më e lartë, Sky Tower, duke e bërë atë qytetin e parë të madh që përshëndeti vitin e ri me një festë të zbehur nga shiu.

Viti i ri 2026 ka trokitur dhe në Australi, e cila e mirëpriti festën me spektakël fishekzjarrësh mbi Portin e Sidneit.

Vendet e Paqësorit Jugor janë të parat që i japin lamtumirën vitit 2025. Ora shënon mesnatën në Auckland, një popullsi prej 1.7 milionë banorësh.

Shfaqja pesëminutëshe përfshinte 3,500 fishekzjarrë të lëshuar nga kate të ndryshme të Sky Tower prej 240 metrash.

Xhiroja e spektaklit dhe festës vijon me kryeqendrat aziatike, fillimisht në Tokio të Japonisë, për të ardhur më pas në Europë e Amerikë. 

Ishulli Kiribatit, i njohur edhe si Ishulli i Krishtlindjes, së bashku me 10 ishuj të tjerë kryesisht të pabanuar në Paqësorin Qendror, ishin të parët që “përshëndetën” vitin 2026.

Rreth orës 16:00 (me atë shqiptare), Viti i Ri mirëpritet gradualisht në të gjithë pjesën tjetër të Azisë. Viti 2025 do të përfundojë disa orë më vonë në Shtetet e Bashkuara, përpara se numërimi mbrapsht të kthehet në Paqësor.

Kjo rrugë e çuditshme përcaktohet nga Vija Ndërkombëtare e Datës, e cila nuk ndjek në mënyrë strikte meridianin e 180-të, përballë Greenwich-it, por zigzage nga veriu në jug.

Që nga viti 1995, ajo ka pasur një devijim të theksuar drejt lindjes, duke përfshirë, përveç Kiribatit, Samoan dhe Tongën.

Për këtë arsye, duke fluturuar në jugperëndim nga Kiribati për afërsisht 2,500 kilometra, arrini në Samoan Amerikane, e cila do të jetë e fundit në botë që do të festojë Natën e Vitit të Ri.

Rekordi për më shumë “Netë të Vitit të Ri”, i takon Rusisë, e cila përfshin 11 zona kohore, nga enklava baltike e Kaliningradit, deri në Gadishullin Chukotka, në kufi me Alaskën.

Këtu, vija ndërkombëtare e datës kalon përmes Ngushticës së Beringut: një detaj që do të thotë se Chukotka dhe Alaska, të ndara vetëm nga disa kilometra det, festojnë mbërritjen e vitit të ri me një ndryshim 24-orësh.

The post Mirë se vjen 2026! Nga Sidnei në Tokio, ja ku ka mbërritur Viti i Ri appeared first on Gazeta Si.

Kosovë, cilët janë deputetët më të votuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit?

31 December 2025 at 13:03

Gazeta Si – Tri ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës në Kosovë, po bëhet gjithnjë e më e qartë se kush do të jenë 120 anëtarët e rinj të Kuvendit të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është duke numëruar votat për kandidatët për deputetë qysh nga e hëna dhe deri më tani janë numëruar mbi 75 për qind të tyre.

Në zgjedhje morën pjesë rreth 45 për qind të gati 2 milionë qytetarëve me të drejtë vote, ku fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Më mposhtë mund të shihni se kush janë 5 kandidatët më të votuar në secilën parti kur janë numëruar më shumë se 3/4 e votave.

Lëvizja Vetëvendosje:

Albin Kurti 263.452 vota

Glauk Konjufca 205.179 vota

Albulena Haxhiu 107.885 vota

Hekuran Murati 106.729 vota

Donika Gërvalla 96.203 vota

Partia Demokratike e Kosovës

Bedri Hamza 119.884 vota

Arian Tahiri 55.208 vota

Përparim Gruda 51.226 vota

Uran Ismaili 40.793 vota

Sala Jashari 37.572 vota

Lidhja Demokratike e Kosovës

Lumir Abdixhiku 58.689 vota

Hykmete Bajrami 37.074 vota

Ukë Rugova 32.411 vota

Avdullah Hoti 29.263 vota

Doarsa Kica Xhelili 28.701 vota

Lista Serbe

Sllavko Simiç 20.508 vota

Igor Simiç 19.753 vota

Liljana Stefanoviç 19.116 vota

Millan Kostiç 16.193 vota

Nemanja Bishevac 15.847 vota

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Ramush Haradinaj 30.996 vota

Daut Haradinaj 18.737 vota

Besnik Tahiri 18.331 vota

Bekë Berisha 13.481 vota

Agim Çeku 12.487 vota

Sipas të dhënave paraprake, LVV-ja do t’i ketë 56 ulëse në Kuvend, pasuar nga PDK-ja me 23, LDK-ja me 15, Lista Serbe 9 dhe AAK-ja 6.

Personi më i votuar në Kosovë është Albin Kurti, i cili në zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit i fitoi 337.791 vota, duke thyer rekordin e deriatëhershëm të presidentes Vjosa Osmani (300.756 vota). Mbetet të shihet nëse Kurti do ta forcojë këtë rekord apo jo. /REL/

The post Kosovë, cilët janë deputetët më të votuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit? appeared first on Gazeta Si.

2025-a, një vit humbjesh

31 December 2025 at 12:48

Nga Gazeta “SI”- Viti 2025 do të mbahet mend si një vit i trishtë për Shqipërinë dhe kulturën shqiptare, me humbjen e një vargu personalitetesh të shquara në politikë, art, kulturë, media dhe jetën publike.

Figura që lanë pas një trashëgimi dhe ndikim të thellë në fushat e tyre. Gazetasi.al, ka renditur disa prej emrave më të spikatur në fusha të ndryshme, të cilët nuk jetojnë më.

Anastasios Janullatos (4 nëntor 1929 – 25 janar 2025)

Kryepeshkopi Anastasios, i njohur edhe si Anastas Janullatos, shërbeu si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, duke ringritur Kishën Ortodokse Autoqefale pas periudhës së shtypjes fetare në komunizëm.

Ai udhëhoqi kishën për më shumë se tre dekada, rindërtoi strukturat e saj, rindërgoi qindra kisha dhe formoi breza të rinj klerikësh. Vdekja e tij në moshën 95-vjeçare shënoi fundin e një epoke të angazhimit të palodhshëm shpirtëror dhe humanitar.

Andis Harasani (9 gusht 1971 – 9 mars 2025)

I lindur në Tiranë, Andis Harasani ishte politikan dhe ekonomist, i cili shërbeu si drejtor ekzekutiv i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe më pas si deputet në Parlamentin e Shqipërisë, ku përfaqësoi radhët e Partisë Socialiste.

Ai u nda nga jeta në moshën 53-vjeçare në New York, pas një sëmundjeje të gjatë, duke lënë pas një karrierë të lidhur fort me politikën dhe sektorin e energjisë.

Margarita Xhepa (2 prill 1932 – 3 prill 2025)

Margarita Zoi Xhepa ishte një prej aktoreve më të mëdha të skenës dhe kinemasë shqiptare, me një karrierë që zgjati mbi tetë dekada. Me më shumë se 140 role në teatër dhe rreth 40 filma, ajo mbetet një ikonë e artit skenik dhe kinematografik në vend. Ajo ndërroi jetë një ditë pas ditëlindjes së saj të 93-të.

Artan Lame (1967 – 23 maj 2025)

Publicist, historian dhe figurë e njohur në administratën shtetërore, Artan Lame kontribuoi në studimin e historisë dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.

Ai kishte shërbyer në pozita të ndryshme publike dhe ishte i njohur për shkrimet dhe komentet e tij në media. Ai vdiq në Mynih pas komplikacioneve nga një operacion në zemër.

Piro Milkani (9 dhjetor 1939 – 25 maj 2025)

Një regjisor i dashur dhe një prej gjigantëve të kinematografisë shqiptare, Piro Milkani la pas një karrierë të pasur në film, duke krijuar dhjetëra punime që formësojnë bazat e kinemasë moderne shqiptare. Humbja e tij në fund të muajit maj shënoi një pikë referimi për komunitetin artistik.

Leka Bungo (28 shkurt 1944 – 11 qershor 2025)

Leka Bungo ishte regjisori, aktori dhe skenaristi i njohur që la gjurmë të thella në televizion, teatër dhe kinematografi. I lindur në Vlorë, ai u bë një prej figurave më të dashura të artit shqiptar, duke ndikuar breza artistësh.

Naun Shundi (3 shkurt 1959 – 28 gusht 2025)

Naun Shundi, aktor, regjisor dhe dramaturg me karrierë mbi katër dekada, u nda nga jeta pas një beteje me kancerin. Ai luajti mbi 100 role në skenë dhe rreth 20 filma, duke lënë pas një trashëgimi të pasur në teatrin shqiptar.

Artur Zheji (29 gusht 1961 – 23 gusht 2025)

Gazetar, analist dhe prezantues televiziv, Artur Zheji ishte një prej emrave kryesorë në median shqiptare. Me programe dhe analizë që shtrinin debatet publike për shumë vjet, ai mbetet një figurë e shquar në historinë moderne të mediave në vend.

Dhimitër Anagnosti (23 janar 1936 – 1 shtator 2025)

Një prej regjisorëve më të rëndësishëm të kinemasë shqiptare të shekullit XX, Dhimitër Anagnosti ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme duke realizuar filma që sot konsiderohen klasike. Ai shërbeu edhe si politikan dhe Ministër i Kulturës në vitet ’90.

Enver Petrovci (28 shkurt 1954 – 22 shtator 2025)

Enver Petrovci ishte aktor, shkrimtar dhe pedagog, i njohur në skenat shqiptare dhe kosovare. Ai interpretoi role të shumta teatrore dhe filmike, duke ndikuar në formimin e brezave të rinj artistësh.

Luiza Çako (Papa) (1937 – 29 shtator 2025)

Sopranoja e njohur Luiza Papa Çako u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të gjatë operistike me role të shquara në repertorin klasik dhe një ndikim të pashlyeshëm në skenën muzikore shqiptare. Ajo ishte bashkëshortja e tenorit Gaqo Çako dhe nëna e kantautorit Pirro Çako.

Shpat Kasapi (1 maj 1985 – 26 nëntor 2025)

Shpat Kasapi, këngëtar dhe autor i njohur i muzikës pop, u nda papritmas nga jeta në moshën 40-vjeçare për shkak të një arresti kardiak gjatë një udhëtimi në Itali. Ai la pas një karrierë me këngë dhe performanca që preku publikun e gjeneratave të reja.

Shemsi Krasniqi (1961 – 15 dhjetor 2025)

Shemsi Krasniqi, këngëtar i njohur dhe ikonë e muzikës shqiptare, la pas një karrierë të gjatë dhe të pasur, me dhjetëra këngë që do të kujtohen gjatë. Zëri dhe interpretimet e tij ndikuan shumë në skenën muzikore dhe preku publikun e të gjitha gjeneratave. Humbja e tij shënoi një boshllëk të madh për komunitetin artistik shqiptar.

Viti 2025 do të mbahet mend jo vetëm për humbjet e tyre, por edhe për trashëgiminë që secili prej tyre la pas. Përmes veprave, angazhimit dhe ndikimit të tyre në art, kulturë, politikë dhe jetën publike, këta personalitete do të vazhdojnë të kujtohen gjatë.

The post 2025-a, një vit humbjesh appeared first on Gazeta Si.

Gjermani, hajdutët vjedhin 30 milionë euro në një bankë

31 December 2025 at 12:35

Gazeta Si – Gjatë fundjavës, një vjedhje e madhe ndodhi në një bankë në Gelsenkirchen, një qytet me rreth 270,000 banorë në Gjermaninë veriperëndimore.

Të martën, policia vlerësoi vlerën e mallrave të vjedhura në 30 milionë euro. Hajdutët fituan akses në arkivat dhe kasafortën e bankës, një degë e “Sparkasse”, përmes një parkingu ngjitur, duke hapur një vrimë të madhe dhe më pas duke ikur nga e njëjta mënyrë me të cilën hynë.

Policia tha se hajdutët hapën me forcë në afërsisht 3,000 kuti sigurie në kasafortë, që përmbanin bizhuteri, para cash dhe ar, ndër të tjera.

Sipas një zëdhënëseje të bankës, çdo kasafortë është zakonisht e siguruar për rreth 10,300 euro, prandaj edhe vlerësimi i policisë.

Nuk është e qartë se kur ndodhi saktësisht vjedhja, e cila u zbulua të hënën pasi u aktivizua një alarm. Megjithatë, disa dëshmitarë të intervistuar nga policia thanë se panë disa burra me çanta të mëdha në shkallët e parkingut gjatë natës midis të shtunës dhe të dielës, dhe pamjet fillestare të kamerave të sigurisë tregojnë një Audi RS 6 të zi që po largohej nga parkingu herët të hënën në mëngjes.

Dega mbeti e mbyllur për publikun, por menjëherë pas përhapjes së lajmit, dhjetëra klientë u shfaqën për të protestuar dhe për të kërkuar informacion.

Disa prej tyre pretendojnë se humbjet e tyre e tejkalojnë shumë vlerën e siguruar. Banka tha se është në kontakt me kompaninë e sigurimeve për të përcaktuar se si t’i trajtojë kërkesat sa më efikase të jetë e mundur.

The post Gjermani, hajdutët vjedhin 30 milionë euro në një bankë appeared first on Gazeta Si.

Dosja ‘Epstein’, ish-financieri u dëbua nga Mar-a-Lago pasi një estetiste u ankua

31 December 2025 at 11:32

Gazeta Si – Ish-financieri Jeffrey Epstein, i cili kreu vetëvrasje në burg në vitin 2019, pasi u dënua për abuzim seksual dhe trafikim ndërkombëtar fëmijësh, jo vetëm që ishte një vizitor i shpeshtë në Mar-a-Lago, por klubi i Donald Trump dërgonte gjithashtu punonjësit e tij të Spa-së në rezidencën e tij në Florida për masazhe në shtëpi.

GazetaWall Street Journal e ka zbuluar këtë ekskluzivisht. Vizitat vazhduan për vite me radhë, nga fundi i viteve 1990 deri në vitin 2003, kur ish-financieri ndaloi së kthyeri në klub pasi një estetiste 18-vjeçare që po kthehej nga rezidenca e saj, raportoi te menaxherët se ishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale.

Një nga menaxherët i dërgoi me faks Trumpit incidentin dhe e nxiti të ndalonte hyrjen e Epstein. Trump u përgjigj se letra ishte shkruar mirë dhe se mund ta përjashtonte.

Ish-punonjësit zbuluan se objekti i Trump në Florida dërgonte punonjës të spa-së – zakonisht gra të reja – në rezidencën aty pranë të Epstein për masazhe, manikyr dhe shërbime të tjera.

Vizitat, të cilat vazhduan me vite, u shoqëruan me ankesa midis punonjësve për sjelljen e papërshtatshme të Epstein, me anëtarët e stafit të njohur për sjelljen e tij seksuale sugjestive.

Pavarësisht se nuk ishte një anëtar me pagesë i klubit, Trump tha se e trajtonte Epstein si të tillë dhe kishte një anëtarësim në Spa, ku partnerja e tij, Ghislaine Maxwell, rezervonte takime në emër të tij.

Në kohën kur Epstein u ndalua nga Spa-ja për në Mar-a-Lago në vitin 2003, pakënaqësia e klubit me të kishte kohë që ziente.

Gruaja e dytë e Trump, Marla Maples, gjithashtu e paralajmëroi burrin e saj dhe të tjerët se diçka nuk shkonte me Epstein.

Maples u tha punonjësve se diçka nuk shkonte me Epstein dhe ishte e shqetësuar për ndikimin e tij mbi burrin e saj. Ajo gjithashtu i tha Trump se nuk donte të kalonte kohë me të dhe nuk donte që Trump të kalonte kohë me Epstein.

“Këto janë gënjeshtra dhe aludime për të njollosur presidentin”, – tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt për “Wall Street Journal”.

“Pavarësisht se sa herë tregohet dhe përsëritet kjo histori, presidenti nuk bëri asgjë të gabuar dhe e nxori Jeffrey Epstein nga Mar-a-Lago, sepse ai ishte një person i përçmuar”.

The post Dosja ‘Epstein’, ish-financieri u dëbua nga Mar-a-Lago pasi një estetiste u ankua appeared first on Gazeta Si.

Sportistët më të Mirë në shekullin e 21

31 December 2025 at 11:25

Nga Gazeta Si – ESPN publikoi listën përfundimtare të 100 sportistëve më të mirë të shekullit XXI.

E votuar nga mbi 70.000 përdorues të ESPN, lista “Top 100” është tashmë zyrtare.

Pjesëmarrësit në votim morën parasysh vetëm arritjet e sportistëve nga viti 2000 e në vazhdim.

Gjithashtu, lista nuk është e kufizuar nga gjinia apo sporti, çka ka sjellë një renditje të pasur me shumëllojshmëri dhe talent.

Me një bazë kaq të gjerë sportistësh për t’u përzgjedhur, është e pashmangshme që disa emra jashtëzakonisht të mëdhenj të mbeten jashtë 10-es së parë.

Ndër mungesat më të spikatura janë emra si Cristiano Ronaldo, Lewis Hamilton dhe Rafael Nadal.

Megjithatë, emrat e mëposhtëm janë vlerësuar nga votuesit si më të mirët.

25. Floyd Mayweather – Boks
24. Albert Pujol – Bejsboll
23. Kevin Garnet – Basketboll
22. Sidney Crosby – Hokej
21. Diana Taurasi – Basketboll
20. Aaron Donald – Futboll amerikan
19. Lewis Hamilton – Formula 1
18. Patrick Mahomes – Futboll amerikan
17. Shaquille O’Neal – Basketboll
16. Tim Duncan – Basketboll
15. Katie Ledecky – Not
14. Stephen Curry – Basketboll
13. Cristiano Ronaldo – Futboll
12. Rafael Nadal – Tenis
11. Novak Djookovic – Tenis
10. Kobe Bryant – Basketboll
9. Usain Bolt – Atletikë
8. Tiger Woods – Golf
7. Simone Biles – Gjimnastikë
6. Roger Federer – Tenis
5. Tom Brady – Futboll amerikan
4. LeBron James – Basketboll
3. Lionel Messi – Futboll
2. Serena Williams – Tenis
1. Michael Phelps – Not

The post Sportistët më të Mirë në shekullin e 21 appeared first on Gazeta Si.

SPAK kërkoi kohë, GJKKO zgjat me 3 muaj afatin e hetimeve për aferën e ‘Bankers’

31 December 2025 at 11:17

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka zgjatur me 3 muaj afatin e hetimeve për dosjen “Bankers Petroleum”, ku u zbulua se kompania kishte kryer evazion fiskal ndër vite duke i shkaktuar shtetit miliona euro dëm pavarësisht se kishte shitur naftë dhe kishte përfituar 532 miliardë lekë ndër vite.

Shkak për zgjatjen e hetimeve është bërë kërkesa e prokuroreve Enkeleda Millonai dhe Anita Jella, të cilat e kanë konsideruar këtë dosje si një çështje shumë komplekse. Kërkesa u miratua nga gjyqtari Erion Çela.

Për këtë aferë të madhe, i vetmi që ndodhet në burg është CEO kinez i kompanisë, Hongping Xiao, ndërsa të gjithë të pandehurit e tjerë janë në masa më të buta sigurie, si arresti i shtëpisë.

Hetimet lidhen me deklarime të dyshimta Bantatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare në periudhën 2004–2024, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar në buxhetin e shtetit.

Kompania deklaronte çdo vit humbje duke shmangur kështu edhe tatimin mbi fitimin dhe duke përfituar nga rimbursime të dyshimta të TVSH.

The post SPAK kërkoi kohë, GJKKO zgjat me 3 muaj afatin e hetimeve për aferën e ‘Bankers’ appeared first on Gazeta Si.

Prostitucion në një banesë te ‘Zogu i Parë’, arrestohen 2 kineze dhe një tajlandeze

31 December 2025 at 11:09

Gazeta Si – Dy gra 2 kineze dhe 1 tajlandeze, janë arrestuar, pasi ushtronin prostitucion në një apartament të marrë me qira, në bulevardin “Zogu i parë” në Tiranë.

Policia thotë se ka vënë nën hetim 6 persona, të cilët dyshohet se kanë përfituar nga veprimtaria e paligjshme e 3 vajzave të huaja. Policia ka sekuestruar një shumë parash dhe 4 celularë në apartamentin ku ushtrohej prostitucion. Në kuadër të operacionit, u arrestuan kinezet T.L., dhe Y.J., si dhe tajlandezja B.S.

The post Prostitucion në një banesë te ‘Zogu i Parë’, arrestohen 2 kineze dhe një tajlandeze appeared first on Gazeta Si.

Alcaraz – Sinner, dominuesit e tenisit për meshkuj

31 December 2025 at 11:09

Nga Gazeta Si – Nga “Big4” në “Big2”, ky është shndërrimi që ka pësuar tenisi i meshkujve në vitin 2025.

Carlos Alcaraz dhe Jannik Sinner, fituan trofetë më të rëndësishëm mes tyre.

Këtu përmendim turnetë “Grand Slam” (2 për secilin), 14 tituj në total (spanjolli fitoi 2 më shumë se italiani).

Gjjithashtu edhe 32 fitore ndaj rivalëve të renditur mes 10 më të mirëve në klasifikim.

Edhe këtu, Alcaraz rregjistroi 2 fitore më shumë se Sinner, ndërsa në përqindje spanjolli është 4.8% më i sukseshëm se italiani.

Në “Grand Slam”, Sinner triumfoi në Australi dhe Wimbledon, ndërsa Alcaraz në Paris dhe New York.

Në turnetë “Masters 1000”, Alcaraz fitoi në Monte Carlo, Romë dhe Cincinnati.

Ndërsa Jannik Sinner ja doli të fitonte vetëm në Master-in e Parisit.

The post Alcaraz – Sinner, dominuesit e tenisit për meshkuj appeared first on Gazeta Si.

Miratohet kompensimi për mbi 13 mijë familje pronarësh, paratë kalojnë në llogari bankare (Lista)

31 December 2025 at 10:49

Gazeta Si – Më shumë se 13 mijë familje do të marrin kompensimin financiar për pronat e tyre nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.

Lajmin ka dhënë këtë të mërkurë, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari përmes një video-mesazhi. Ai shpjegon se fondi prej rreth 1.4 miliardë lekë do të shkojë në llogaritë bankare të pronarëve sot dhe në ditët e ardhshme. Ky kompensim është pjesa e mbetur prej 30% që ju takonte subjekteve për t’u shlyer plotësisht si pronarë.

Ministri i Drejtësisë thekson mes të tjerash se i ka kërkuar ATP-së “të ecë sa më shpejt me këtë proces, me transparencë dhe në respekt rigoroz të ligjit, duke përmbushur kështu detyrimin që ne kemi karshi pronarëve të tjerë dhe sigurisht si pjesë e angazhimit tonë për standardet evropiane, për një shtet të së drejtës dhe për një të ardhme ku prona, ligji dhe të liritë themelore janë të shenjta”.

Kërkesat më të larta ndër vite për njohje pronësie kanë qenë nga qytete si Vlora, Tirana, Shkodra, Korça, Durrësi, Fieri e Gjirokastra.

The post Miratohet kompensimi për mbi 13 mijë familje pronarësh, paratë kalojnë në llogari bankare (Lista) appeared first on Gazeta Si.

Trump, Putin, tarifat, luftrat: ngjarjet që do të kujtojmë nga viti 2025

31 December 2025 at 10:40

Gazeta Si – Viti 2025 filloi me betimin e Donald Trump, i cili ishte ndër protagonistët e vitit, me negociata paqeje në Ukrainë dhe punë në Lindjen e Mesme.

Por midis luftës tregtare, përplasjes së transmetuar drejtpërdrejt me Zelenskin dhe zgjedhjes së Mamdanit si kryetar bashkie i Nju Jorkut, viti përfundoi me një fitues: inteligjencën artificiale. Në fakt, sipas “The Time”, “arkitektët e inteligjencës artificiale” janë njeriu i vitit.

Më 20 janar, inaugurimi i Trump – Viti 2025 filloi me betimin e Donald Trump mbi Bibël si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.

“Sot fillon epoka e artë. Zoti më shpëtoi jetën në mënyrë që Amerika të jetë përsëri e madhe. Nga ky moment e tutje, rënia e Amerikës ka mbaruar. Ne do ta realizojmë ëndrrën e Martin Luther King”, tha ai në fjalimin e tij të parë.

Gjatë ceremonisë, presidenti i ri shpalli një gjendje të jashtëzakonshme në kufirin me Meksikën dhe njoftoi fundin e Marrëveshjes së Re të Gjelbër. “Ne do ta vendosim flamurin tonë në Mars.”

Lufta e tarifave fillon më 1 shkurt – Vetëm pak ditë pasi mori detyrën, Donald Trump kishte nënshkruar tashmë një urdhër ekzekutiv që vendoste tarifa prej 25% për Kanadanë dhe Meksikën dhe 10% për Kinën, duke njoftuar gjithashtu të njëjtat masa për BE-në, të cilat u zbatuan në prill.

“Masat e sotme janë të nevojshme për t’i mbajtur Kinën, Meksikën dhe Kanadanë përgjegjëse për dështimin në ndalimin e rrjedhës së drogave helmuese në Shtetet e Bashkuara”, deklaroi Shtëpia e Bardhë, duke iu referuar fentanilit, drogës më të fuqishme se heroina, e cila ka vrarë miliona njerëz në SHBA. Trump akuzoi gjithashtu Meksikën se ka “një aleancë me kartelet e drogës”.

Trump dhe Zelenski përplasen në TV më 28 shkurt – Më 28 shkurt, presidenti Donald Trump u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenski në Zyrën Ovale.

Takimi filloi përzemërsisht, por shpejt u përkeqësua. Trump akuzoi udhëheqësin ukrainas për mosmirënjohje dhe se nuk dëshiron vërtet paqe: “Vendi juaj është në telashe të mëdha”, i tha presidenti amerikan.

“Nuk po e fitoni këtë luftë. Keni një shans shumë të mirë për të dalë prej saj mirë, falë nesh. Duhet të jeni mirënjohës, sepse nuk i keni letrat në dorë. Jeni varrosur. Njerëzit tuaj po vdesin atje”. Pastaj shpërtheu shkëmbimi i nxehtë drejtpërdrejt në TV.

Spanja dhe Portugalia pa energji elektrike – Gadishulli Iberik mbeti pa energji për rreth dhjetë orë më 28 prill: pothuajse e gjithë Spanja dhe Portugalia mbetën në errësirë ​​nga ora 12:30 e drekës deri në mbrëmje.

Ndërprerja e energjisë elektrike ndërpreu komunikimet, transportin dhe sektorët thelbësorë si spitalet. Disa njerëz vdiqën nga mungesa e kujdesit shëndetësor, ndërsa të tjerë mbetën të bllokuar në ashensorë, në trena ose në metro.

Rrëzimi i fluturimit të “Air India” – Më 12 qershor, një aeroplan i “Air India” që shkonte për në Angli, u rrëzua pesë minuta pas ngritjes nga qyteti indian i Ahmedabadit.

Në bord kishte 242 persona (përfshirë dy pilotë dhe dhjetë asistentë fluturimi). Pati vetëm një të mbijetuar nga tragjedia ajrore; pasagjerët e tjerë, përfshirë 53 shtetas britanikë, vdiqën të gjithë.

Fluturimi AI171 i “Air India”, një “Boeing 787 Dreamliner” që shkonte për në Londër, Gatwick, u ngrit në orën 13:38 dhe u përplas në një ndërtesë studentore në Kolegjin Mjekësor B.J. Mbi 60 persona brenda ndërtesës u plagosën pas përplasjes.

Izraeli sulmon Iranin – Natën e 12 qershorit, Izraeli sulmoi centralet bërthamore, bazat ushtarake dhe zonat e banimit të Iranit.

Kjo shkaktoi një luftë midis dy vendeve që zgjati dymbëdhjetë ditë. Sulmi ndodhi gjatë negociatave midis Iranit dhe SHBA-ve, të cilat më pas u pezulluan.

Shtetet e Bashkuara e kishin mbrojtur Izraelin nga sulmet iraniane që nga fillimi, vetëm për të hyrë në konflikt direkt në ditën e nëntë të luftës, duke bombarduar disa centrale bërthamore.

Trump takohet me Putinin në Alaska – Një diskutim gjithëpërfshirës u përqendrua në luftën në Ukrainë, por nuk i la jashtë tryezës së negociatave sanksionet, çështjen e naftës ruse dhe marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve.

Më 15 gusht, Trump dhe Putin u takuan në Anchorage, Alaskë. Putin e përshkroi samitin si “në kohën e duhur dhe shumë të dobishëm”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, udhëheqësi rus më pas e quajti atë një “takim 10 nga 10”, duke shprehur interesin e tij të sinqertë për t’i dhënë fund konfliktit ukrainas, edhe nëse implikimet aktuale ishin të kufizuara.

Vritet Charlie Kirk – Më 10 shtator, gjatë një debati publik në skenë në Universitetin e Luginës së Utah, Charlie Kirk, një aktivist konservator dhe mbështetës i Donald Trump, u vra nga një goditje me armë zjarri në fyt.

Tyler Robinson, njëzet e dy vjeç, u arrestua më vonë për vrasjen e Kirk. “Ne të gjithë duhet të lutemi për Charlie Kirk, një person i shkëlqyer deri në fund. Zoti e bekoftë!” tha Trump në një kohë tensionesh të larta brenda vendit.

Lirohen pengjet izraelite dhe të burgosurit palestinezë – Më 13 tetor, njëzet pengje izraelite ende gjallë dhe të mbajtura nga Hamasi u liruan në Rripin e Gazës, të ndjekur nga afërsisht 2,000 të burgosur palestinezë.

Shkëmbimi ishte rënë dakord në fazën e parë të marrëveshjes së paqes të promovuar nga Trump dhe të pranuar si nga Izraeli ashtu edhe nga Hamasi.

Dënimi i Bolsonaros dhe Sarkozy – Jair Bolsonaro, ish-president i Brazilit, u dënua më 11 shtator me 27 vjet e tre muaj për grusht shteti të tentuar në vitin 2022.

Shtatë nga bashkëpunëtorët e tij u shpallën gjithashtu fajtorë. Më 21 tetor, ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy u burgos në Paris, i dënuar me pesë vjet për komplot për të kryer krime, për përpjekje për të marrë fonde të paligjshme nga regjimi i diktatorit libian Muammar Gaddafi gjatë fushatës së tij zgjedhore të vitit 2007.

Zohran Mamdani, kryetar bashkie i Nju Jorkut – Më 4 nëntor, socialisti Zohran Mamdani u zgjodh kryetar bashkie i Nju Jorkut.

Mamdani, 34 vjeç, një kundërshtar kryesor i presidentit republikan Donald Trump, e tejkaloi qartë rivalin e tij kryesor, Andrew Cuomo, ish-guvernator i Nju Jorkut, i cili kandidoi si i pavarur pasi u mund në zgjedhjet paraprake demokrate.

Më 1 janar 2026, Mamdani do të bëhet kryetari i parë mysliman i qytetit më të madh në Shtetet e Bashkuara.

AI është “Njeriu i Vitit” i “Time” – Më 11 dhjetor, revista amerikane “Time”, zgjodhi si “Njeriun e Vitit” “arkitektët e AI-së”, inteligjencës artificiale, njerëz që në kapacitete të ndryshme kanë kontribuar në zhvillimin e këtij lloji teknologjie, të përcaktuar në artikull si “më me ndikimin e kohës sonë”.

Midis tyre janë Elon Musk, Mark Zuckerberg, Lisa Su, CEO e prodhuesit të çipave AMD, Jensen Huang (themeluesi i kompanisë teknologjike Nvidia) dhe Sam Altman, themeluesi i OpenAI.

Sulmi antisemit në Australi – Në Sydney, në Bondi Beach, të mbushur me qindra njerëz që ishin mbledhur për të festuar fillimin e Hanukkah, “festivalit të dritave” hebraike, dy burra, një baba 50-vjeçar dhe djali i tij 24-vjeçar, të armatosur me pushkë gjysmëautomatike, hapën zjarr mbi turmën, duke vrarë 15 persona, përfshirë një vajzë 12-vjeçare dhe rabinin e qytetit, Eli Schlanger. Të tjerë u plagosën, por asnjë italian nuk ishte i përfshirë.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Trump, Putin, tarifat, luftrat: ngjarjet që do të kujtojmë nga viti 2025 appeared first on Gazeta Si.

❌
❌