Nga Gazeta “SI”- Nëse ekziston një simbol i Krishtlindjes që mund të konsiderohet si “roja” i festës, atë nder e meriton Arrëthyesi. Këto figura druri shumëngjyrëshe janë bërë pothuajse po aq të lidhura me Krishtlindjen sa edhe Babagjyshi. Por përse ka ndodhur kështu?
Arrëthyesit e parë u krijuan nga punëtorët e drurit në male të Gjermanisë në fund të shekullit të 17-të. Siç sugjeron edhe emri i tyre, qëllimi fillestar i këtyre figurave ishte si vegla kuzhine. Shumë prej tyre përfaqësonin ushtarë dhe sundimtarë, një ide që konsiderohej si një shaka e këndshme: banorët e shtëpive kënaqeshin duke pasur figura autoriteti që “punonin” për ta. Arrëthyesi fillimisht shërbente si një vegël kuzhine për të thyer arrat dhe farat e tjera të forta. Ai ishte një mjet praktik që ndihmonte njerëzit të hapnin arrat për t’i përdorur në gatime dhe ëmbëlsira.
Forma e tij e zakonshme, shpesh një figurë druri që ngjasonte me ushtar ose sundimtar, kishte një qëllim funksional dhe humoristik: kur e shtypeje ose e hapje mekanikisht, figura “punonte” për të thyer arrën, duke i dhënë përdoruesit një ndjesi të këndshme dhe shpesh argëtuese.
Me rritjen e popullaritetit, rritej edhe kërkesa. Në vitin 1872, Friedrich Wilhelm Fuchtner, i njohur si “babai i arrëthyesit,” filloi prodhimin në masë të këtyre figurave druri duke përdorur një lathe të fuqizuar me ujë. Ky ishte hapi që i dha arrëthyesit një shtrirje më të gjerë dhe i bëri të njohura jashtë kufijve gjermanë.
Në vitin 1892, kompozitori i madh Pyotr Ilyich Tchaikovsky solli baletin e famshëm “Arrëthyesi”, duke i lidhur përgjithmonë këto figura druri me Krishtlindjen. Historia tregon për një ushtar arrëthyes që merr jetë natën e Krishtlindjes, një narrativë që ka bërë që këto dekorime të bëhen pjesë e pandashme e festës.
Me kalimin e kohës, funksioni origjinal i arrëthyesit u harrua, ndërsa dekorimet u bënë më të sofistikuara, shpesh të zbukuruara me gurë të rremë, xixëllima, shirita metalikë dhe elementë të tjerë dekorativë. Sot, modelet e arrëthyesve përfshijnë tema dhe profesione të ndryshme, dhe janë një pjesë e rëndësishme e koleksioneve festive.
Baleti, i porositur nga Teatri Perandorak i Rusisë, u krijua gjatë një periudhe të vështirë personale për Tchaikovskyn. Shfaqja tregon procesin e tij të krijimit gjatë viteve 1831–1892, duke përshkruar mungesën e frymëzimit dhe stuhinë emocionale që shoqëroi kompozimin e veprës, deri në momentin kur kompozitori gjeti shpresën dhe forcën për të vazhduar përmes muzikës.
Arrëthyesi në TKOBAP
Magjia e baletit “Arrëthyesi” do të pushtojë këtë fundvit edhe skenën e TKOBAP, tashmë një traditë e këtij institucioni. Një shfaqje e cila kërkohet gjithmonë nga publiku, ka bërë që netët e shfaqjes të shtohen jashtë parashikimeve, në mënyrë që secili të ketë mundësinë të shijojë magjinë e shfaqjes.
Arrëthyesi është një udhëtim në botën e ëndrrave, muzikës së pavdekshme të Tchaikovskyt dhe magjisë së Krishtlindjes, që vazhdon të bashkojë publikun rreth artit dhe fantazisë, duke treguar se një figurë druri e vogël mund të mbajë një histori të madhe dhe emocione të pafund.
Nga Gazeta “SI”- Prishtinën e gjeta në brymë dimri, të zbardhur nga ngrica e mëngjesit, që megjithatë nuk ia del ta ndalojë vrullin e një qyteti që gjallon ditë e natë. Klima e ashpër dhe i ftohti ngjajnë sikur janë në sinkron me klimën politike, të ashpër, agresive dhe tejet të polarizuar.
Rruga për në qendër është e shkurtër: nga stacioni deri te katedralja janë vetëm shtatë minuta, përgjatë të cilave kundron thuajse tërë Prishtinën, tipologjitë e njerëzve, bizneset, godinat dhe arkitekturën mikse, e cila vitet e fundit sikur ka hyrë në një fazë shndërrimi të pandalshëm.
Grataçelat ia kanë mësyrë edhe qiellit të Prishtinës; zhvillimi nuk pyet. Është e çuditshme kur mendon se ky qytet, vetëm 25 vite më parë, ishte nën shtetrrethim e okupim, ndërkohë që sot, si një qytet tërësisht i lirë, po rreket të rigjejë veten dhe rrënjët e veta perëndimore.
Por ka gjurmë të pashlyeshme në jetën e Prishtinës, të cilat më së shumti jetojnë në mendjen dhe kujtesën e prishtinalive. Një lloj nostalgjie e legjitimuar për kohën kur arti, politika dhe angazhimi social kishin kuptim thelbësor, kuptim që sot është relativizuar, duke e shndërruar skenën politiko-shoqërore të qytetit pothuajse në një arenë përplasjesh.
Prishtina është qytet që rrëfen. Rrëfen me gjithçka: me godinat e vjetra që mbartin trishtimin e një kohe, por edhe funksionalitetin e një kohe tjetër. Dy koraca që mbivendosen, duke e bërë të pamundur të flasësh për këtë qytet pa i bashkëngjitur konotacionet e para- dhe pas-çlirimit.
Por ajo rrëfen edhe përmes njerëzve. Individëve që bisedat i ndërtojnë më shpesh mbi “si ishte” dhe shumë më pak mbi “si është”. Dhe ngjan sikur qyteti jeton vetëm përmes kujtimeve.
Njeriu që kujton dhe pendesa e Vuk Draskovic.
Në “Prince Café” mezi gjen vend për t’u ulur. Sapo shtyj derën dhe gjendem në verandën e madhe përplot njerëz, dëgjoj një zë që më thërret. Nuk është çudi, në Prishtinë kam plot miq. Behxhet Bici, botuesi i “Koliqit”, është ulur diku në qoshe dhe më fton të ulem me të. Një lehtësim i vogël, kur sheh se në sallë nuk ka asnjë vend të lirë.
Behxheti është botues dhe flet me pasion për librat e rinj që po boton. Ministria e Kulturës së Kosovës financon dhe shpërblen shumë vepra letrare, duke ua bërë jetën më të lehtë botuesve. Por Behxheti është nga ata që po e ndërton rrugëtimin e vet me kujdes, duke zgjeruar hartën e autorëve cilësorë që boton. Përvoja e tij jetësore e ka “përplasur” me shumë njerëz, të cilët, për mirë apo për keq, përbëjnë bazën e rrëfimeve të tij.
Ai nis të kujtojë: nga anekdotat për poetin e madh Ali Podrimja e deri te botimi i fundit, romani “Murgu Hokaj” i shkrimtarit, diplomatit dhe politikanit serb Vuk Draskovic. Një kundërshtar i përbetuar i Kosovës dikur, por edhe i njohur për polemikat e tij letrare në gazetën franceze Le Monde, përballë Ismail Kadaresë gjatë luftës në Kosovë.
Pyetja që më lind natyrshëm është: si guxoi ta botojë Draskovicin në shqip?
Behxheti qesh. “Vuku ka ndryshuar”, thotë, dhe nis të rrëfejë bisedën me të para botimit. “Ai Draskovic ka vdekur”, i paska thënë vetë autori. Sipas tij, po t’i kthehej koha, nuk do t’i shkruante dhe nuk do t’i botonte ato që kishte botuar njëherë e një kohë. Një pendesë që, sipas Draškovićit, e njeh edhe besimi ortodoks. Dhe të bën të mendosh se, krahas ndryshimeve të mëdha në Kosovë, edhe në Serbi sikur po vetëdijësohen për një realitet tashmë të pakthyeshëm.
Të besosh në pendesën e një figure të tillë, sot kur gjithçka duket e përfunduar dhe Kosova është e lirë, ngjan pothuajse irrituese. Por Behxheti këmbëngul, gjithmonë duke iu referuar bisedës me vetë autorin në fjalë: “Draskovici i vjetër ka vdekur bashkë me përpjekjet e tij politike të dikurshme”.
Vuk Drašković.
Fakti që Serbia e ka futur në listën e personave të padëshiruar e bën këtë rrëfim më të besueshëm. Pendesa e tij është përballur me heshtje; media dhe shoqëria serbe, sipas Behxhetit, e kanë injoruar, duke mos u besuar shkrimeve të tij të fundit.
Dhe ai ka shkruar një roman së fundmi, i cili në subjekt ka historinë e një individi serb që në thelb është e gjithë historia e ish-Jugosllavisë.
Romani “Murgu Hokaj” rrëfen të vërteta të dhimbshme, anën e errët të faktorit serb, që rrallë pranohet e aq më pak artikulohet. Historia e një djaloshi serb, i rrëmbyer nga UDB-ja dhe i shndërruar në snajperist, që qëllon mbi Sarajevë me një etje gjaku të pashpjegueshme, derisa, për ta shpëtuar nga Haga, e fshehin në një manastir, ku vesh petkun e murgut. Një metamorfozë nga instrument i shtetit në instrument të kishës.
Draskovici thekson se dy armiqtë më të përbetuar të Ballkanit janë UDB-ja dhe Kisha Ortodokse Serbe – paradoksale, por e besueshme, kur vjen nga dikush që ka qenë mbështetës i zjarrtë i tyre.
Pendesa e tij mbase mbetet “e sinqertë”, por e shkuara shpesh e dikton gjithë jetën tonë.
Kujtesa si formë mbijetese
Behxheti mbart një veçori që e karakterizon brezin e tij në Kosovë: ata kujtojnë. Flasin për njerëz që nuk jetojnë më. Më rrëfen për Petraq Kolevicën, Lasgush Poradecin, Tahir Deskun, Eqrem Çabejn, Fatos Nanon, Sali Berishën, Rexhep Meidanin, Hashim Thaçin, e deri te takimi me Albin Kurtin – momente të fiksuara në fotografi që ai i mban gjithmonë me vete.
Por mbi të gjitha, kujton shkrimtarët dhe poetët. Xhevdet Bajraj është njëri prej tyre. E përmend me lot në sy. Kujtesa, për Bexhetin, është mënyra për të ndërtuar intelektin dhe komunikimin me botën. Një formë mbijetese për shqiptarët e Kosovës, në një kohë që nuk garantonte as të sotmen, e lëre më të nesërmen.
Kujtesa në Prishtinë është forma më e qartë e mbijetesës , jo si ikje nga e tashmja, por si një realitet që e ndërtoi këtë qytet me histori, brenga, por edhe tmerre, të cilat vlejnë për t’ia rikujtuar vetes, por edhe të tjerëve, se nga vihet dhe se ku do të shkohet.
Gjithsesi sot Prishtina është nën ngricë. Temperaturat kanë rënë nën zero, por megjithatë rrugët janë plot. Ka gjithmonë një etje për jetë në Prishtinë, e cila vërehet kudo , nga të rinjtë e bukur dhe të veshur mirë, e deri te mosha e tretë, e cila mbahet mes kujtimeve dhe vështirësive të përditshme. Në mesin e muajit, i gjen të rreshtuar para bankave, duke pritur pensionin, për të marrë ato pak para me të cilat mbajnë frymën gjallë.
Behxhet Bici
Por Prishtina jeton. Ecën përpara mes zhvillimit, etheve për pushtet dhe kujtimeve të thella. Kujtime që, me gjasë, do të ndërtojnë realitetet e ardhshme jo përmes nostalgjisë, por përmes rrëfimit dhe shpresës.
Behxheti është një ndër ta që rrëfen dhe që ia kujton shoqërisë se vetëm duke mos harruar, nuk do të përsëritet ana e errët e historisë , ajo që mbarti luftën, nostalgjinë dhe pendesën, edhe pse shpesh shumë vonë.
Nga Prof.Ass.Dr.Ismet Drenova*– Më 14 prill 1983, në një kohë kur industria ushtarake shqiptare kërkonte zhvillim të brendshëm dhe pavarësi prodhuese, u themelua një nga strukturat më të rëndësishme tekniko–shkencore të vendit: Instituti i Studimeve dhe Projektimeve 6.
Ai nuk lindi rastësisht. Që prej viteve 1977, grupe të veçanta inxhinierësh e teknikësh ishin shpërndarë në uzina dhe reparte ushtarake për të zhvilluar armë, municione, aparatura komunikimi dhe pajisje strategjike. Instituti thjesht i bashkoi, i konsolidoi dhe i vuri në shina të reja kërkimi.
Instituti i Studimeve dhe Projektimeve 6
Në korrik të vitit 1978, me krijimin e sektorit shkencor në Ministrinë e Mbrojtjes, grupet shkencore kaluan në varësi të tij duke përfituar një organizim më të plotë e profesional.
Pas viteve kërkimore e teknike, u krijua baza e duhur për themelimin e Institutit si qendër kryesore e projektimit dhe inovacionit në fushën ushtarake.
Instituti i Studimeve dhe Projektimeve 6
Misioni i Institutit ishte të kryente punë kërkimore–studimore, projektuese dhe eksperimentuese për prodhime të reja të armatimit, municionit, aparaturave të ndërlidhjes dhe lokacionit, të kimisë ushtarake, aviacionit, forcave detare dhe mbrojtjes kundërajrore.
Po ashtu, Instituti kishte si detyrë ngritjen e linjave dhe uzinave të prodhimit të atikujve te rinj luftarak, si edhe projektimin e teknologjise se mirëmbajtjes se teknikës ekzistuese të forcave të armatosura.
Instituti përbëhej nga këta sektorë kryesorë: Armatim–Municion, Elektronikë dhe Ndërlidhje, Kimi, Teknologji, Konstruksion, Laborator teknik dhe Arkivë tekniko–shkencore.
Çdo sektor plotësohej me inxhinierë dhe teknikë të përzgjedhur sipas aftësive profesionale. Pranë tij funksiononte Këshilli Shkencor dhe botohej Buletini Shkencor, ku publikoheshin artikuj mbi veprimtarinë teknike dhe kërkimore.
Instituti bashkëpunonte me katedrat të Universitetit të Tiranës dhe katedrave të shkollave ushtarake për tema të caktuara.
Në të njëjtën kohë mbi 10 inxhinierë jepnin leksione në Universitetin e Tiranës e në shkollat ushtarake, duke udhëhequr diploma dhe kërkime shkencore.
Projekte të shumta u zhvilluan në laboratorë dhe uzina ushtarake. Për temat ku nuk kishte modele, si psh radio, diegorja e shtimjes te obuzit 122mm apo radio nderlidhje, aparatet e shikimit të natës, bango prova për motorët e avioneve M19 etj, puna kërkimore binte mbi projektimin e ekzemplarëve, testimin statik dhe qitjet luftarake.
Këto tema kërkonin punë kërkimore projektuese për hartimin e konstruksionin të ekzemplarëve të parë. Pasi përfundonte projekti konstruktiv për artikujt e rij realizohej prodhimi i ekzemplarëve të parë në seri të vogël.
Nëse rezultatet e provave e testeve me qitje luftarake, vërtetonin funksionimin e serisë eksperimentale, aprovohej projekti konstruktiv, në të kundërt kur rezultatet e provave e testeve nuk ishin të kënaqshme vazhdonte puna për permirësimin e treguesve të ekzemplarit. Pasi miratohej projekti kontruktiv, fillonte puna për hartimin e projekteve teknologjike.
Punimet gjithashtu përfshinë prodhimin e ekzemplarëve dhe provat poligonale dhe zhvillimin e linjave të plota të teknologjisë së prodhimit.
Ndër arritjet më të rëndësishme ishin: 1-(Objekti 100) – Uzina e prodhimit të municioneve ku u projektuan dhe u eksperimentuan municione të kalibrave: 37 mm, 57 mm, 75 mm, 85 mm, 100 mm, 122 mm, 152 mm si edhe predha reaktive 107 mm dhe 130 mm.
Punimet gjithashtu përfshinë prodhimin e shembujve të parë, provat luftarake dhe zhvillimin e linjave të plota të teknologjisë së prodhimit. Gjithashtu arritje tjetër e rëndësishme ishte dhe (Objekti 300) – Rigjenerimi i municioneve të artilerisë.
U projektua linja e rigjenerimit të shtimjeve të topave 85 mm fushor dhe municioneve të tjera, së bashku me makineritë dhe pajisjet përkatëse.
Po ashtu u përcaktua vendi i ndërtimit të Uzinave në fshatin Pëllumbas në afërsi të Tiranës në përputhje me standartet e sigurisë.
Cilët janë disa nga kontributet kryesore sipas uzinave:
UM Gramsh – U ngrit në vitin 1962 dhe filloi prodhimin e pushkës Simonova (KSK) me fishek 7,62mm mod 56, dhe më pas u ngrit linja e prodhimit të automatikut Kalashnikov ASH78, ASH79.
Në pushkën Simonova janë realizuar dy përmirësime të vogla: doreza e levës që tërheq shulin e armës u zëvendësua me formë rrethore dhe mbulesa e gypit të gazit u bë me mbulim të plotë.
Grupet e punës pranë uzinës eksperimentuan kreherin me 20 fisheke për pushkën Simonova. Gjithashtu në repartin mekanik në Bradashesh, që varet nga UM Gramsh, inxhinierët e Institutit 6 projektuan dhe prodhuan ekzemplarët e parë të automatikut P84 me fishek 9x19mm.
Uzina e Mjeksit Elbasan – Në vitin 1962 u ngrit uzina për prodhimin e amonit, dinamitit për nevojat e ushtrisë dhe minjerave.
Më vonë në këtë uzinë u instalua linja e importuara të prodhimit të tritolit, linja e prodhimit të heksongjenit/hekzotol, linja e nitroglycerinës, linja e barutit një bazë dhe dy bazë, kësisoj u bë e mundur që prodhimi i municione të realizohej me cikël të mbyllur.
Kombinati Mekanik Poliçan – Në vitin 1967 u ngrit KM Poliçan, ku morën jetë linjat e prodhimit të fishekut 7,62mm mod 56, linja e prodhimit të granatës së dorës ofensive dhe difensive, minat KT, minat KK, kapsolla detonatore KD8.
Më vonë filluan linjat e prodhimit të shtimjeve të mortajës 60mm, 82mm, 107mm, 120mm dhe 160mm realizuar dorë dorë. Për kompletimin e predhës së mortajës me diegore, u hartuan projektet e konstruksionit të diegores dhe u prodhuan ekzemplarët e parë, të cilët kaluan me sukses provat statike dhe të qitjes luftarake.
Më pas përfundoi teknologjia e prodhimit dhe projekt-ideja teknologjike. Njëkohësisht u projektuan dhe u prodhuan makineritë dhe pajisjet, disa prej të cilave u importuan, çka çoi në ngritjen e uzinës së diegoreve.
Gjatë kësaj kohe grupet e punës projektuan fishekun 7,62mm mod 53 dhe prodhuan seritë eksperimentale. Provat e qitjes me këta fishekë dhanë rezultat të mirë gjë që solli miratimin e projektit konstruktiv. Puna projektuese bëri të mundur që të ngrihet linja e prodhimit të fishekut 7,62mm mod 53.
Grupi i punës i ISP6, pas një pune këmbëngulëse, hartoi vizatimet e konstruksioneve të fishekëve 12,7mm e 14,5mm dhe eksperimentoi prodhimin në seri të vogël që dolë me sukses.
Kësisoj u hartua projekti tekonologjik si dhe u projektuan dhe prodhuan makineri dhe paisje të nevojshme, disa prej të cilave u importuan, duke mundësuar ngritjen e linjës së prodhimit në seri të fishekëve 12,7mm dhe 14,5mm.
Punime të tjera përfshijnë studimi për prodhimin e gëzhojave të fishekut 7,62mm mod 53 prej llamarine celiku, studimi për hartimin e projekteve konstruktuktive për bombat e aviacionit 100kg, 250kg, minave detare të vogla, të mesme dhe të medha, si dhe bombat e thellësisë.
Në uzinën e Lokacionit & Ndërlidhjes u ngritën grupet e punës shkencore për studimin, projektimin dhe eksperimentimin e aparaturave dhe paisjeve të reja për nevojat e ushtrisë.
Disa arritje të rëndësishme në projektim ishin: radiostacioni i hallkës batalion-kompani-togë, prodhuar në bashkëpunim me URT Durrës; radiostacioni i hallkës brigade-batalion; radiostacioni-togë-skuadër; centralet telefonike 10 numra, 40 numra dhe aparati telefonik; sintetizatori i frekuencës, aparatura e dendësimit telefonik, dinamo e dorës për ushqimin elektrik të aparaturës së ndërlidhjes etj.
Në uzinën Kimike grupet e punës shkencore u krijuan në vitin 1976. Ato studjuan, projektuan dhe eksperimentuan prodhimin e kundërgazit për popullatën.
Pasi u hartua teknologjia e prodhimit, u projektuan makineritë dhe paisjet e linjës. Njëherazi u hartua projekti ndërtimor i uzinës ku do të vendoseshin linjat e prodhimit. U shtua detyra për projektimin e kundërgazit për popullatën, fëmijët dhe të lindurit.
U ngrit linja e prodhimit të qymyrit të granuluar, u projektuan filtrat e vend strehimeve, mjeteve, tymuese, paketës individuale kundërkimike si dhe prodhimi i baterisë ampule.
Një studim dhe projektim i sukseshëm ishte prodhmini i baterisë së nëndetësve.
Në uzinën e Artilerisë – Grupet e punës u ngritën në vitin 1977. Ato kryen studimin dhe projektimin e konstruksionit të predhës reaktive 107mm dhe 130mm.
U prodhuan ekzemplarët e parë për këto dy predha dhe u testuan me qitje luftarake që dolën me rezultate të kënaqshme.
U projektua granata me diegore për hedhje me pushkë. Prodhimi eksperimental u bë me derdhje precize në Uzinen Traktori, dhe rezultoi i suksesshëm.
Në uzinën e Aviacionit u ngritën grupet e punës për projektimin e teknologjisë së riparimit të avionit MG21. U projektuan dhe prodhuan të gjitha stendat e paisjeve të nevojshme të linjës.
Një detyrë e rëndësishme dhe e vështirë ishte edhe studimi dhe projektimi i bangos së provës së motorit të riparuar MG21, për të cilën nuk kishte model; megjithatë kjo detyrë u realizua me sukses nga inxhinierët dhe teknikët e grupit të punës.
Ndërsa uzina Mekanike (Autoraparti) shërbente për riparimin e automjeteve dhe agregateve të ushtrisë. Grupet e punës janë ngritur në vitin 1978 dhe kanë projektuar dhe eksperimentuar dy ekzemplarët e parë të motor-gjeneratorit tip LL6/3.
Motori ishte katër kohësh me dy cilindra me kapacitet 6KF (kuajfuqi). Prodhimi i tyre u bë në bashkëpunim me industrinë ushtarake.
Nga grupet e punës u kopjuan dy freza alpine për hapjen e tuneleve me diamater 12metra, të cilat u prodhuan me sukses dhe shërbyen në hapjen e tuneleve.
Uzina e Xhenjës ishte e angazhuar në projektimin dhe eksperimentimin e shkrehësit të minave kundertank, prodhimin në seri i shkrehësit kimik me veprim të ngadaltë.
Një tjetër punë ishte linja per prodhimin e elektrodetonatorve 0.7 seconda, e ndezësave me fërkim, te elektrodenatoreve me veprim të menjëhershëm.
Po keshtu janë projektuar sacmahedhësi i rëndë i xhenjos, flakëhedhesi me predhë reaktive që lëshohen nga instalime të lëvizshme.
Instituti, deri në mbylljen e tij, arriti të krijojë një dokumentacion teknik dhe shkencor të vyer për sektorin e mbrojtjes shqiptare.
Në arkivën ushtarake gjendet sot një sasi e konsiderueshme vizatimesh konstruktive, dosjesh teknologjike, raporte provash dhe projekte linjash prodhimi – një kapital teknik që përfaqëson dekada pune intelektuale dhe eksperimentale.
Ngjarjet gjeopolitike të kohëve të fundit kanë detyruar shumë shtete që, për të fuqizuar rritjen e prodhimit të armëve, municioneve, aparaturave e pajisjeve ushtarake për forcat Tokësore, Ajrore e Detare, të rrisin buxhetin e Mbrojtjes deri në 5%.
Në këtë kuadër edhe Shqipërisë, anëtare e NATO-s, i dalin detyra të rëndësishme në rijetësimin e Industrisë Ushtarake, për të rritur aftësitë mbrojtëse nëpërmjet prodhimit të armëve e municioneve, si për të plotësuar nevojat e Forcave të Armatosura, ashtu edhe daljen në tregun e jashtëm.
Qeveria Shqiptare ka miratuar një paketë ligjore për prodhimin e armëve e municioneve, e cila rregullon ushtrimin e këtij aktiviteti edhe për investitorët e huaj, të cilët mund të krijojnë ose jo partneritet në prodhimin e shoqërisë KAYO sh.a., krijuar kohët e fundit. UM Gramsh, ULP Mjekës Elbasan, KM Poliçan kaluan në varësi të shoqërisë KAYO sh.a.
Me vendim të Këshillit të Ministrave, ish-Uzina e Autotraktorëve dhe ish-Uzina e Rubikut kalojnë në varësi të MM (KAYO sh.a.).
Në ish-Uzinën e Autotraktorëve do të ngrihen linja e montimit të mjeteve të blinduara, automjeteve për emergjencë, si dhe linja ku do të prodhohen uniformat për FA, për Policinë e Shtetit, Zjarrfikëset dhe Emergjencat Civile. Kalimi është një zgjidhje optimale.
Së pari, nga pikëpamja e sigurisë, proceset teknologjike që do të zhvillohen në këto linja nuk paraqesin rrezikshmëri për objektet e banimit që janë afër.
Së dyti, gazrat dhe lëngjet që mund të çlirohen nga proceset teknologjike nuk ndikojnë në ndotjen e mjedisit.
Së treti, sigurimi i fuqisë punëtore dhe i personelit inxhiniero-teknik është më i lehtë. Së katërti, transporti publik mbulon plotësisht ish-Uzinën e Autotraktorëve.
Ish-Uzina e Rubikut ka pasur dy linja për prodhimin e lëndëve të para për KM Poliçan (për prodhimin e fishekëve).
Linja kishte furrën me induksion për prodhimin e lingotave Tunxh 72, të cilat me makineri e pajisje ktheheshin në llamarinë që shërbente për prodhimin e gëzhojës së fishekëve.
Linja tjetër, e importuar nga Italia, do të realizonte procesin e mbimetalit. Ky proces mbeti në fazën e eksperimentimit.
Rijetëzimi i këtyre linjave do të jetë i rëndësishëm për furnizimin e KM Poliçan me lëndë të para për prodhimin e fishekëve.
Ngritja e këtyre linjave, si në ish-Uzinën e Autotraktorëve dhe në ish-Uzinën e Rubikut, do të ndikojë drejtpërdrejt në ekonomi, në rritjen e prodhimit për FA, në punësim dhe në teknologjinë e inovacionit.
Sektori i Teknologjisë në Institutin e Gjeografisë e Infrastrukturës, ka bërë oponencën e projekteve të hartuara nga tre uzinat ushtarake (Gramsh, Mjekës e KM Poliçan) për ngritjen e linjave të demontimit të municioneve, ka marrë pjesë aktive në uzina për zgjidhje të problemeve teknike-konstruktive që janë hasur gjatë procesit të ngritjes së linjave të demontimit të municioneve.
Ky sektor duhet të forcohet dhe të integrohet në rijetësimin e Industrisë Ushtarake për të qenë një mbështetje e fuqishme e teknologjisë dhe infrastrukturës.
Detyra aktuale e sektorit të teknologjisë është që, duke u mbështetur në dokumentacionin teknik të uzinave ushtarake dhe ISP6 për armatimin dhe municionet e prodhuara, të hartojë manualet e materialeve të lëndëve të para, si çeliqet, llamarinat e tunxhit etj., si edhe lëndët plasëse trotil, heksogjen etj., barutet që përdoren në prodhimin e fishekëve, të shtimjeve të mortajave, të artilerisë, lloji.
Markat dhe standardet e tyre duhet të konvertohen dhe përshtaten me standardet e Natos. Aparaturat e pajisjet e provave të balistikës së brendshme e të jashtme për armët e municionet duhet të rishikohen në përputhje me standardet e provave të balistikës së brendshme të Natos.
Prodhimi i armëve dhe municioneve kërkon edhe ambalazhimin në arka, të cilat mund të prodhohen nga uzinat e KAYO sh.a.
Për këtë është e nevojshme projektimi i arkave dhe hartimi i teknologjisë së prodhimit. Njëherazi, futja e armatimit, aparaturave dhe pajisjeve të reja kërkon mirëmbajtje, e dorë më dorë do të nevojiten pjesë këmbimi të konsumimit të shpejtë. Prodhimi i tyre kërkon gjithashtu punë projektuese.
Fuqizimi i punës studimore-projektuese për prodhimin e armëve e municioneve dhe pajisjeve të reja kërkon teknologji të reja.
Perspektiva për t’u integruar në standardet e Natos në fushën e logjistikës kërkon teknologji të reja inovative.
Problem i rëndësishëm është edhe rindërtimi i infrastrukturës së amortizuar të ish-uzinave ushtarake ku do të ngrihen linjat e reja, si dhe objekte të tjera ku do të vendosen linjat e reja të prodhimit të armëve e municionit.
Përcaktimi i linjave që do të ngrihen i hap rrugë projektimit të infrastrukturës sipas planetarive të shtrirjes teknologjike me makineri e pajisje.
Angazhimi i Inst. Gjeog. e Infrastrukturës, i cili ka një eksperiencë të vyer në këtë fushë, do të realizojë projektet e ardhshme ndërtimore.
Kualifikimi pasuniversitar i inxhinierëve është një sfidë për rijetësimin e Industrisë Ushtarake. Siç dihet, universitetet publike e private nuk diplomojnë Inxhinierë Armatim-Municioni, Inxhinierë Kimistë që njohin lëndët plasëse (TNT, RDX etj.) e barutet, Inxhinierë Aviacioni që njohin raketat ajër-ajër, ajër-tokë, bombat e aviacionit etj., Inxhinierë të Marinës që të kenë njohuri për minat detare, bombat e thellësisë, silurat, armët kundërajrore, raketat, etj.
Prandaj ky kualifikim duhet të shtrihet në kohë e të realizohet dorë më dorë, duke filluar me Inxhinierë Armatimi-Municionit dhe Inxhinierë Kimistë, e me radhë.
Shtrohet detyra për hartimin e programeve mësimore dhe sigurimin e stafit pedagogjik të këtyre fushave. Do të ishte e arsyeshme të aktivizohen pedagogët e këtyre fushave të cilët kanë dalë në pension.
Njëkohësisht duhet të sigurohet literatura e nevojshme për këto lëndë specifike. Pa kualifikimin e inxhinierëve nuk mund të realizohen metodat kërkimore-shkencore të avancuara në teknologjinë e prodhimit të armëve e municioneve.
Inxhinierët duhet të përgatiten për aplikimin e teknologjisë inovatore, e cila ofron njohuri teorike e praktike për të kontribuar në rijetësimin e Industrisë Ushtarake.
Aktualisht MM nuk ka institute përkatëse për futjen e teknologjisë inovatore në linjat që do të ngrihen për prodhimin e armatimit e municioneve.
Sugjerojmë që të planifikohen fonde për disa tema të prodhimit të armatimit e municioneve apo aparaturave të nevojshme për FA, e më tej të angazhohen universitetet publike e private që të realizojnë futjen e teknologjive inovatore në këto linja.
MM, me krijimin e shoqërisë KAYO sh.a. dhe Ligjeve për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjisë ushtarake do të realizojë me sukses rijetësimin e Industrisë Ushtarake.
Krahas saj, blerja e armatimeve të reja, siç ishte rasti i dronëve Bajraktar etj., do të ishte një vlerë e shtuar në fuqinë mbrojtëse të Shqipërisë.
Shënim: *Prof. Ass. Dr. Ismet Drenova është ish- Kryeinxhinier i Institutit të Studimeve dhe Projektimeve 6, konsulent i projektit të NAMSA-NATO për demilitarizimin e armëve të vogla dhe të lehta
Nga Gazeta “Si” -Samuel Beckett, shumë kohë përpara se të bëhej një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të shekullit XX, kaloi një periudhë të gjatë trazirash të brendshme që e çuan drejt psikoanalizës.
Në vitin 1934, 27-vjeçari i panjohur ende, i shkruante kushëririt të tij se kishte filluar analizën tri herë në javë dhe se kjo përbënte të vetmen gjë që i interesonte. Për një figurë që më vonë do të bëhej sinonim i rezervës dhe anonimatit, përfshirja e tij e thellë emocionale në këtë proces duket e pazakontë.Por Beckett ishte në një gjendje të rënduar psikologjike pas vdekjes së babait të tij, me të cilin kishte një lidhje të veçantë dhe të pazëvendësueshme. Ai vuante nga ankthi, depresioni, çrregullime fizike dhe makthe që i lehtësoheshin vetëm kur vëllai flinte pranë tij.Ndër vite, Beckett ishte luhatur mes jetës intelektuale të Parisit dhe atmosferës më të ngurtë të Dublinit. Në Paris ai kishte lulëzuar pranë rrethit të James Joyce-it, duke shkruar ese, kritika dhe poezi. Por kthimi në Irlandë për të dhënë mësim në Trinity College shënoi fillimin e një rënieje të thellë. Ai humbi motivimin, prodhimtaria e tij ra, dhe izolimi krijues e çoi drejt depresionit.
Edhe kthimi i mëvonshëm në Paris nuk solli rigjetjen e lumturisë, pasi marrëdhënia me familjen Joyce u ftoh dhe dorëshkrimet e tij të reja nuk gjetën botues. Në këtë sfond dështimesh, konflikteT me nënën e tij dhe shpërbërjen fizike e emocionale, psikanaliza me Wilfred R. Bion u bë një spirancë shpëtimi.Wilfred R. Bion në atë kohë ishte ende në fillim të karrierës, por më vonë do të bëhej një nga figurat madhore të psikanalizës, krahas Melanie Klein, Winnicott dhe Lacan. Beckett e takonte tri herë në javë për rreth dy vjet dhe, megjithëse dokumentet e detajuara të seancave janë humbur , shënimet e Bion-it u zhdukën gjatë bombardimeve të Londrës, ndërsa shënimet personale të Beckett-it nuk janë gjetur .
Samuel Beckett
Gjurmët e kësaj periudhe shfaqen qartë në letrat, shkrimet dhe transformimin e tij të brendshëm. Ndërhyrja e Bion-it nuk ishte vetëm terapeutike; ajo ndikoi në mënyrë të pashlyeshme në mënyrën se si Beckett do të perceptonte mendimin, botën e brendshme dhe të pathënën.Megjithëse nuk mund të rindërtojmë seancat konkrete, dihet se Bion ishte një nga të parët që përdori metoda analitike të orientuara drejt përballjes me boshllëkun, pasigurinë dhe fragmentimin e brendshëm , tema që më vonë do të bëhen shtyllë e universit dramatik të Beckett-it. Analiza ndihmoi shkrimtarin të përballej me ankthin ekzistencial, marrëdhënien e ndërlikuar me nënën dhe të krijonte një distancë të shëndetshme nga dhimbja e humbjes së babait. Pikërisht në këtë periudhë ai nisi të ndërtojë një vizion artistik që më vonë do të kulmonte te “Waiting for Godot”, “Moloy”, “Malone Dies” dhe “The Unnamable”.
Ajo që është e rëndësishme në këtë histori nuk është vetëm fakti se Beckett bëri analizë, por se ai e përjetoi procesin si një akt krijues , një zhytje në thellësi që e ndihmoi të shihte limitet e mendimit dhe gjuhës, dhe në të njëjtën kohë t’i sfidonte ato. Për Beckett-in, analizat nuk ishin për të “rregulluar” veten në kuptimin e zakonshëm; ishte një përballje me asgjënë, me të pathënën, me hapësirat e heshtjes dhe të zbrazëtisë së brendshme, të cilat më pas i bëri elementë të gjuhës së tij artistike.Nga ana tjetër, edhe për Bion-in, puna me Beckett-in ishte formuese. Ai po zhvillonte idetë e tij mbi natyrën e mendimit, funksionin e analistit si një enë që mban dhe riformëson emocionet e pacientit, thelbi i së vërtetës së pastër.
Shumë nga këto ide, që më vone do të bëheshin të famshme në psikanalizë, duket se u ushqyen nga dinamika me një pacient si Beckett, të cilin Bion e shihte si një njeri me aftësi të jashtëzakonshme për të depërtuar në përvojat e errëta të brendshme.Megjithëse shkrimet e Beckett-it pas analizës nuk janë kurrë eksplicitisht autobiografike, gjuha e tyre e thyer, e zhveshur, e zhytur në heshtje , pasqyron në mënyrë artistike atë që ai kishte përjetuar në divanin e Bion-it. Ai dukej të kishte gjetur një liri të re: lirinë për të pranuar mungesën e kuptimit, për të eksploruar kufijtë e komunikimit, për të pranuar se jeta shpesh është e pakuptueshme dhe se pikërisht aty qëndron e vërteta e saj.Në fund, analiza e Beckett-it me Bion mbetet një kapitull i mjegulluar dokumentarisht, por thelbësor për evoluimin e të dyve. Një takim mes një shkrimtari që kërkonte të kuptonte veten dhe një analisti që po mësonte si të kuptonte mendjen njerëzore.
Edhe në mungesë të shënimeve të detajuara, ndikimi i këtij procesi është i dukshëm: Beckett u transformua nga një i ri i thyer dhe i humbur në një krijues unik, ndërsa Bion mori prej tij intuita që do të ushqenin teoritë e tij më novatore.Ky takim mes artit dhe psikanalizës mbetet një shembull i rrallë se si proceset e brendshme të shërimit dhe eksplorimit qëndrojnë në bazë të krijimtarisë më radikale dhe të mendimit më të guximshëm.
Nga Sokol Çunga– Të zbulosh nuk nënkupton gjithmonë të nxjerrësh nga një skutë e panjohur diçka që s’e ka parë kush më parë. Të zbulosh do të thotë edhe të shohësh me tjetër sy, nga tjetër këndvështrim, atë që e ka parë gjithkush para teje, por s’ka qenë në gjendje ta veçojë mes gjithçkaje tjetër. Kështu ndodh jo pak herë edhe në arkiv. Kësaj here, nën përshkrimin mëse konvencional: “Diplomë e Kostandin Kotës për përfundimin e shkollës Pedagogjike të Athinës më 1904 dhe dhënien e titullit mësues”, vumë re se fshihej diçka tjetër. Jo një diplomë pedagogjie, por një diplomë masonerie!
Më 19 dhjetor 1902 i jepet titulli Mësues i Lozhës Masonike “Maqedonia” një shqiptari fort me emër: Konstandin Nuçi Kottës, njohur në dokumentet dhe tekstet e historisë si Kostaq Kotta. Diploma thotë se, pasi kreu të gjitha mësimet, sipas rregullave, u regjistrua në regjistrat e Lindjes së Madhe të Greqisë me numër amze 354. Diploma në fjalë është përpiluar në gjuhën greke më 10 janar 1904. Është nënshkruar nga Mësuesi i Madh, Rodhokanakis, nga Thesarmbajtësi i Madh dhe Sekretari i Madh i Lozhës. Kurse nënshkrimi i Konstandin Kottës ndodhet anën e djathtë, vertikalisht.
Kostaq Kotta pati lindur më 1889 në Korçë. Pasi studioi shkenca politike në Athinë, u kthye në Shqipëri ku u mor me veprimtari politike dhe qeverisëse që më 1913, si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit. Mori pjesë në Kongresin e Lushnjes, e më pas mbajti një sërë funksionesh, si: Prefekt i Beratit, Ministër i Brendshëm, Ministër i Punëve Botore, Ministër i Arsimit, Kryeministër dhe Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë, në periudhën përpara pushtimit italian. Më 1944, pas çlirimit të Shqipërisë, u shpërngul në Selanik të Greqisë. Mirëpo agjentët e shërbimit sekret e gjetën, e rrëmbyen dhe e sollën në Shqipëri, ku në prill 1945 u dënua me 30 burg. Vdiq mes torturave në burgun e Burrelit më 1949. Siç thotë bibliografia, vendimin për ndërtimin e atij burg e kishte marrë vetë kur shërbente ministër.
Sigurisht, dokumenti që paraqitëm na vendos përpara disa pyetjeve: Vallë, mund të anëtarësohej një fëmijë 13-14 vjeçar, aq sa ishte Kotta më 1902, në Lozhën e Masonëve të Lirë? Teksa diploma është përpiluar më 1904, si e ka nënshkruar Mësuesi i Madh, Rodhokanakis, i cili kishte vdekur në janar të vitit 1902? Kemi, vallë, gabime të sekretarisë që ka përpiluar dokumentin, apo një falsifikim të pakujdesshëm? Sido që të jetë, kemi në duar një dokument fort grishës: një diplomë masonerie!
Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist pranë Drejtorisë së Përgjithshmetë Arkivave
“Financial Times” ka publikuar një investigim tronditës nga industria e peshkimit të tonit. Sipas dëshmive, peshkatarët rekrutohen me detyrim dhe lihen të jetojnë në kushte çnjerëzore, të kequshqyer dhe të abuzuar fizikisht e psikologjiksht. Shumë prej tyre nuk kthehen më në shtëpi fare, ose shumë të dëmtuar.
Shkrimi i plotë, përshtatur nga Gazetasi.al:
Pjesa 1: Përvoja e Bunanda-s dhe kushtet e punës
Deby Putra Bunanda nuk mund të ecë më shumë se disa hapa ose të flasë lehtë pas shtatë muajsh duke kapur ton në një peshkarexhë që furnizon tregtarët në mbarë botën.
Një episod i malaries dhe trajtim i vonuar mjekësor në bord të një anije tajvaneze në Paqësorin Perëndimor në vitet 2022–23 e çoi atë në një përballje të afërt me vdekjen dhe paralizë të pjesshme, thotë ai.
Dy vjet më vonë, Bunanda mbështetet pothuajse plotësisht tek gruaja e tij, Erna Wati. “Më parë isha i shëndetshëm, i fuqishëm, dhe mund të punoja lirshëm. Tani gjithçka që mund të bëj është të qëndroj i shtrirë. Nuk mund të bëj asgjë.”
Peshkatari indonezian, i cili gjithashtu tregon se i është marrë ID-ja, është mashtruar për pagat dhe ka pasur detyrim për të shlyer një borxh, thotë se ka përjetuar orë të gjata pune në kushte të rrezikshme pranë bregut të Papua Guinesë së Re.
“Ata punojnë tërë kohën dhe pak pushim,” thotë Wati, e cila është në kontakt me gratë e peshkatarëve të tjerë indonezianë. “Ata nuk kanë asnjë ditë pushimi. Nuk u jepet kohë as të zbresin në tokë.”
Deby Bunanda para dhe pas infektimit nga malaria
Flotat më të mëdha të peshkut ton në botë nga Kina, Tajvani, Japonia, Koreja e Jugut dhe Spanja dominojnë tregjet globale, duke operuar në një numër të madh anijesh që lundrojnë në Oqeanin Paqësor, Indian dhe Atlantik.
Ekuipazhet me emigrantë nga Indonezia, Filipinet dhe vendet afrikane janë shtylla kurrizore e industrisë, duke punuar në nxehtësi ekstreme dhe stuhi të dhunshme. Por shumë përballen me kushte brutale dhe çnjerëzore, të ngjashme me ato të Bunanda-s, të izoluar në det për muaj ose vite, me të drejtat e tyre që shkilen në përditshmëri.
Përvojat e tyre shpesh përputhen me definicionin e Organizatës Ndërkombëtare të Punës për punën e detyruar; punë e kryer nën kërcënim ose shantazh, një formë e skllevërisë moderne që është përhapur në tregun global të peshkimit.
Sipas ILO-s, një përqindje e konsiderueshme e punonjësve të tillë përballen me këto kushte dhe ata që kapin tonin, janë ndër më të këqijat. Hulumtimet e Universitetit të British Columbia dhe NGO Ecotrust Canada tregojnë se një pjesë e madhe e shkeljeve të të drejtave të njeriut midis 2000 dhe 2020 ndodhin në anijet e tonit, duke përdorur databazën më të madhe botërore të shkeljeve të peshkatarive.
“Ti nuk ke asnjë informacion mbi vendin e punës… në kontrast të fortë me çdo zinxhir furnizimi tjetër ku kam punuar,” thotë Gill.
Përveç përvojës së Bunanda-s, punonjësit përshkruajnë shkelje në dy peshkarexha në Paqësorin Perëndimor që furnizojnë tregtarë britanikë me ton yelloëfin, zakonisht për produkte të freskëta ose të ngrira.
“Ky ton nuk ka vend në raftet e Mbretërisë së Bashkuar,” thotë Zacari Edwards, koordinator i Seafood Working Group, një koalicion organizatash që kërkon mbrojtje më të madhe për peshkatarët.
Pamjet e videos të marra nga FT tregojnë jetën e vështirë të këtyre punonjësve. Ndryshe nga anijet “purse seine” si ajo e Bunanda-s, që kapin ton të vegjël për konservim me rrjeta të mëdha, ekuipazhet e këtyre anijeve të gjata synojnë ton më të madh dhe udhëtojnë për vite.
Ekuipazhet ngrihen para agimit dhe punojnë deri vonë në mbrëmje, duke hedhur karrema, ushqyer dhe duke obseruar për kilometra të tëra. Jeta në bord është e formuar nga orë të tepërta, izolim dhe lodhje.
Ekuipazhet me emigrantë nga Indonezia, Filipinet dhe vendet afrikane janë shtylla kurrizore e industrisë, duke punuar në nxehtësi ekstreme dhe stuhi të dhunshme
Pjesa 2: Aksidentet, shfrytëzimi dhe punë e detyruar në flotat e tonit
Aksidentet, sëmundjet dhe kujdesi i dobët mjekësor bëjnë që disa peshkatarë kurrë të mos kthehen në shtëpi, ndërsa të tjerët zbulojnë se situata e familjes së tyre ka ndryshuar.
“Kur kthehen, gjejnë babanë e tyre të vdekur dhe shumë gjëra të tjera,” thotë Patricia Kailola, shkencëtare e peshkimit nga Fiji që monitoron peshkatarët e Paqësorit. Një punonjës zbuloi se gruaja e tij ishte martuar përsëri gjatë mungesës së gjatë dhe kreu vetëvrasje, shton ajo.
Në kushte të izolimit, larg shpëtimit dhe mbështetjes, shfrytëzimi mbizotëron.
Dëshmitë dhe dokumentet nga indonezianët në pesë anije kineze në dy peshkarexha që shërbejnë Britanisë tregojnë modele të abuzimit. Ekuipazhi që punonte pranë Ishujve Cook dhe Mikronezisë midis 2018 dhe 2024 përshkruan dhunë, orë të tepërta pune, përfshirë kur ishin të sëmurë ose të lënduar, kujdes të dobët mjekësor, marrje të dokumenteve të identifikimit dhe mbajtje të pagave, të gjitha tregues të punës së detyruar sipas ILO-s. Një punonjës pretendon se është kërcënuar me thikë.
“Ai më rrihte trupin. Më rrihte këmbët. Më rrihte shpesh,” thotë një punonjës për kapitenin e tij.
“Ne të gjithë shpesh rriheshim në Hong Yang 88 kur ishim të rinj,” thotë një tjetër.
Një anëtar ekuipazhi i anijes Hua Nan Yu 739 thotë se peshkatarët punonin “pa pushim”, duke pushuar vetëm dy orë. “Ajo që na jepej për të ngrënë ishte oriz i prishur, peshk dhe disa ushqime të tjera të avulluara të neveritshme,” thotë ai, duke përshkruar ujin e desalinizuar, të ngjyrosur me ndryshk, si “helm”.
Shenjat e shfrytëzimit në dokumentet e tyre tregojnë se punonjësit ishin të bllokuar në kontrata për borxhe ose kërcënim për të paguar kompensim nëse largoheshin.
Gjithashtu ka modele shqetësuese në një anije të tretë që furnizon MB-në. Të dhënat e gjurmimit të anijeve tregojnë anije koreano-jugore që kalojnë shumë orë në peshkim dhe periudha të gjata larg portit, të dyja shenja të punës së detyruar. Udhëtimet që zgjasin mbi një vit dhe vizitat e pakta në port konsiderohen si flamuj të kuq.
Francisco Blaha, ish-peshkatar dhe këshilltar i pavarur në Paqësorin Perëndimor, thotë se edhe pse nivelet e mosrespektimit “janë shumë të ngjashme midis Kinës, Koresë dhe Tajvanit”, analiza e tij sugjeron se Koreja e Jugut mund të jetë ndër më të këqijat. Autoritetet koreano-jugore dhe kompania që zotëron anijet thanë se tani po marrin masa për përmirësimin e kushteve të punëtorëve.
Waitrose dhe Sainsbury’s gjithashtu thanë se po rishikojnë kushtet në flotat koreane bashkë me një furnizues të përbashkët dhe kanë një plan për t’i adresuar ato.
Por treguesit e skllavërisë nuk kufizohen vetëm në këto zinxhirë të Paqësorit ose tek kapja e peshkut ton. Një databazë nga Environmental Justice Foundation në MB tregon se abuzimet veçanërisht në flotat kineze larg detit janë kryer në shkallë industriale, thotë CEO dhe themeluesi Steve Trent.
“Nuk është një anije e vetme, nuk është një kompani e vetme, është qartësisht sistemike,” thotë Trent. “Është çdo gjeografi, çdo juridiksion, çdo kompani. Praktikisht çdo anije që kemi dokumentuar ka abuzime.”
Pamjet nga flota më e gjerë kineze tregojnë peshkatarë të kërcënuar, rrahur dhe abuzuar. Anëtarë të lartë ekuipazhi kinez shihen gjithashtu duke mbajtur thika dhe duke gjuajtur me armë.
Katër peshkatarë indonezianë që punuan në flotën kineze të tonit dhe një në një anije tajvaneze midis 2016 dhe 2025 treguan për FT përvoja të ngjashme. Dy prej tyre thonë se janë ende të traumatizuar pas dëshmive të bashkëpunëtorëve që vdiqën nga beriberi, një sëmundje e shkaktuar nga mungesa e vitaminave, të cilën ata e fajësojnë tek ushqimi i skaduar dhe kujdesi mjekësor i papërshtatshëm. Një punonjës në një anije kineze thotë se ka punuar me njerëz nga Koreja e Veriut, potencialisht në shkelje të sanksioneve të OKB-së, që ndalojnë shtetet të japin leje pune për qytetarë të Koresë së Veriut.
Në një video nga flota kineze dhe tajvaneze, një peshkatar goditet me shkop, një anëtar i ekuipazhit kërcënon punëtorët me një thikë peshku dhe një tjetër qëllon me një pushkë automatike në det.
“Ti afrohet pyetjes, a është kjo bërë qëllimisht apo rastësisht?” pyet Trent për kushtet. “Nuk jam i sigurt që mund të them se ekziston një diktat nga Pekini që thotë bëni këto gjëra, por mendoj se ka dijeni për abuzimet dhe një mungesë gatishmërie për t’i adresuar.”
Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës e mohon këtë dhe thotë se Kina është “një vend shembull për peshkim” dhe ka kryer gjithmonë peshkim në det të largët “në përputhje me ligjet dhe rregulloret”.
Pjesa 3: Ekonomia e industrisë së tonit, punëtorët migrantë dhe përgjegjësitë e qeverive dhe kompanive
Tonët janë ndër peshqit më të çmuar në botë, me kërkesë që rritet paralelisht me tendencën për dieta të pasura me proteina. Analistët vlerësuan tregun global në 43–46 miliardë dollarë në 2024.
Rreth 30 kompani të mëdha kontrollojnë pothuajse gjysmën e kapjeve të tonit, sipas të dhënave të Global Fishing Watch të analizuar nga Planet Tracker.
Por, ndërsa rezervat bregdetare të peshkut zvogëlohen, flotat largohen më thellë në det dhe për periudha më të gjata, duke rritur rrezikun për ekuipazhet.
Të shtyrë nga çmimet e ulëta të shitjes dhe kostot në rritje, disa operatorë të flotave kanë punësuar punëtorë emigrantë me paga më të ulëta për të kursyer para. Ekspertët thonë se shpesh ndërpritet siguria, mbahen pagat, ose shkelet ligji i punës. Praktikisht të gjitha flotat e mëdha të tonit tani varen nga subvencione qeveritare dhe punë e lirë për të kursyer para.
“Nëse dëshiron të tregosh me gisht, gishtat duhet t’i tregosh ndaj vendeve që operojnë peshkim të largët me periudhë të gjatë,” thotë këshilltari i peshkimit Blaha.
Metodat e peshkimit me linjë të gjatë kanë rrezikun më të lartë për punë të detyruar. Por ndërsa metodat ndryshojnë, ekonomia aktuale e peshkimit industrial e detyron të gjithë të përballen me presionin e zinxhirit të furnizimit për “peshk të lirë për supermarketet”, thotë shkencëtarja e peshkimit Katrina Nakamura.
Japonia mbetet destinacioni më i madh për tonin me vlerë të lartë, duke favorizuar bigeye dhe bluefin për sashimi, ndërsa kërkesa në Europë dhe SHBA është për produkte të konservuara, kryesisht skipjack ose albacore.
Në Mbretërinë e Bashkuar, ku tonët janë peshku i parë i importuar sipas volumit, 96% e konsumit është në konservë. Viti i kaluar, vendi importoi rreth 11 milion paund ton të freskët ose të ngrirë, kryesisht albacore ose yellowfin, krahasuar me 535 milion paund në kanaçe.
Tre të katërtat e këtij toni të konservuar vijnë nga gjashtë vende; Ekuador, Mauricius, Seychelles, Ghana, Filipinet dhe Tajlanda, ku shenjat e shfrytëzimit janë të dukshme në zinxhirët e tyre të furnizimit.
Në Gana, disa punonjës dhe përfaqësuesit e tyre thonë se përdoret shpesh borxhi i detyrueshëm, mungojnë kontrata të shkruara dhe mbahen dokumentet e identitetit. Ky vend, së bashku me Ekuadorin furnizues kyç i MB-së ka marrë “karton të verdhë” nga sistemi i paralajmërimit të BE-së për peshkim, i cili ndëshkon ata që nuk trajtojnë peshkimin e paligjshëm, të pa raportuar dhe të pa rregulluar, sjellje e lidhur ngushtë me shkelje të të drejtave të njeriut.
Por zinxhirët e furnizimit të produkteve detare janë të ndërlikuara dhe të vështira për t’u ndjekur, shpesh tejkalojnë ato që tregojnë etiketat apo informacionin mbi vendin e origjinës. Disa produkte tregojnë ku është përpunuar peshku dhe jo ku është kapur.
“Nuk ka kurrë një origjinë të vetme të peshkut të shitur në supermarket,” thotë Nakamura, duke quajtur etiketat e njëorigjinës një “iluzion marketingu”.
Gjurmueshmëria shtohet edhe më shumë nga flamujt e lehtë të regjistrimit, që lejojnë anijet të regjistrohen nën juridiksione të lehta dhe të fshehin pronarët e tyre të vërtetë. Anija tajvaneze e Bunanda-s u regjistrua në Vanuatu, flamuri me rekordin më të keq në rajonin e Paqësorit, sipas një eksperti për shkeljet rajonale. Dokumentet gjithashtu tregojnë se disa anije që furnizojnë supermarkete britanike kanë ndryshuar emrin, duke komplikuar gjurmimin e tyre.
Planet Tracker ka vlerësuar se deri në 60% e kapjeve globale të tonit mund të jenë të pa gjurmueshme ose “të errëta”, me Spanjën, Korenë e Jugut, Kinën dhe Japoninë ndër më të këqijat. Këto vende janë gjithashtu të kategorizuara nga Global Slavery Index si me rrezik të lartë për punë të detyruar.
FT lidh abuzimet në disa nga këto flotë me raftet e supermarketeve britanike duke përdorur të dhëna nga tregtarët, projektet e Ocean Disclosure Project, dokumente publike dhe intervista me punonjës. Një nga peshkatarexhat kineze me raportime abuzimi ka furnizuar Ëm Morrison, Tesco dhe Ëaitrose, ndërsa tjetra Morrisons, Asda, J Sainsbury dhe Tesco.
Supermarketet thanë se po shqyrtojnë pretendimet. Sainsbury’s shtoi se nuk ka furnizuar produkte me markë të vetën nga anijet kineze ose tajvaneze për tre vitet e fundit.
“Tregtarët janë të angazhuar për të mbajtur standarde të larta të mirëqenies për të gjithë njerëzit që punojnë në zinxhirët e tyre të furnizimit, dhe këto pretendime duhet të hetohen shpejt,” tha Sophie De Salis, këshilltare për politikën e qëndrueshmërisë në British Retail Consortium.
Ajo shtoi se, edhe pse supermarketet punojnë tashmë me organizata të jashtme për të përmirësuar standardet, ato gjithashtu duan që qeveria të bëjë detyrueshëm due diligence mbi të drejtat e njeriut dhe mjedisin për të siguruar një lojë të drejtë.
Departamenti i bujqësisë i Kinës tha se merr seriozisht çdo pretendim për flotat e saj dhe po planifikon një hetim. Kina “i kundërshton vendosmërisht çdo formë të punës së detyruar” dhe ka “kërkesa të rrepta rregullatore për punësimin e ekuipazheve nga ndërmarrjet e peshkimit”.
Pjesa 4: Reagimi i flotave, qeverive, certifikimi MSC dhe të drejtat e peshkatarëve
Flotat koreano-jugore me rrugë të gjatë, që kalojnë periudha të gjata në det pa vizituar portin, furnizojnë shtatë supermarkete britanike, përfshirë Marks and Spencer.
Kang Dong-yang, drejtor në Ministrinë e Oqeanit dhe Peshkimit të Koresë së Jugut, tha se po merren masa për përmirësimin e kushteve. Këto përfshijnë sigurimin e të paktën gjashtë orëve pushim të pandërprerë çdo ditë dhe një periudhe pushimi në port çdo 12 muaj. Nga viti i ardhshëm, peshkatarët do të kenë një pushim dy-mujor çdo 10 muaj, me ndëshkime për anijet që shkelin rregullat.
Dongwon Industries, pronar i anijeve koreano-jugore, tha se tashmë garanton gjashtë orë pushim të pandërprerë dhe pesë ditë pushim në port çdo vit. Dy nga anijet e saj të ndjekura nga FT janë shitur kohët e fundit, shtoi kompania.
Pronari i anijes “purse seine” të Bunanda-s tha se “thellësisht e vlerësojnë” çështjen e shëndetit të tij, por mohoi se ofruan kujdes mjekësor të papërshtatshëm ose trajtim të vonuar. Ata gjithashtu thanë se Bunanda ishte këshilluar të kërkonte ndihmë mjekësore para nisjes, por e refuzoi. “Kompania veproi rreptësisht sipas këshillave mjekësore dhe rregulloreve, duke paguar të gjitha shpenzimet për trajtimin mjekësor dhe rikthimin,” shtuan ata. Ata gjithashtu mohuan se i është marrë ID-ja dhe thanë se pagesa e pagave dhe tarifave ishte përgjegjësi e kompanisë indoneziane të rekrutimit. “Kompania mbetet e angazhuar për të respektuar të drejtat e njeriut dhe përgjegjësinë sociale në peshkatari jashtë vendit,” shtuan ata.
Agjencia e Peshkimit e Tajvanit tha se hetimi për rastin përfundoi se nuk kishte prova që trajtimi i vonuar mjekësor shkaktoi paralizën e Bunanda-s. Nuk kishte as prova që ai ishte tarifuar për rekrutimin, detyruar të merrte hua, mashtruar për pagën apo i ishte marrë ID-ja.
Certifikimi dhe mungesa e mbikëqyrjes
Ndërsa ekzistojnë konventa ndërkombëtare për të drejtat e punonjësve, zbatimi i tyre është i dobët dhe vendet kryesore me flota peshkimi si Kina, Tajvani, Koreja e Jugut dhe SHBA nuk i kanë nënshkruar ende. ILO, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kërkojnë që të gjitha vendet me flota peshkimi të ratifikojnë një konventë të ILO-s që garanton të drejtat e peshkatarëve. Indonezia ka premtuar të nënshkruajë në 2026, ndërsa Koreja e Jugut ka paralajmëruar një zbatim gradual. Udhëzimet e reja të ILO-s për peshkatarët migrantë u miratuan muajin e kaluar.
Grupet e të drejtave të njeriut thonë se veprimet mund të merren edhe pa këto marrëveshje — nëse zbatohen ligjet ekzistuese ndërkombëtare dhe kombëtare. Shtetet që japin flamurin e anijeve duhet të sigurojnë mbrojtje për ekuipazhet migrantë; vendet e origjinës së punonjësve të huaj duhet të kontrollojnë rekrutuesit abuzivë; shtetet bregdetare që mbikëqyrin peshkimin duhet të monitorojnë dhe ndalojnë hyrjen e anijeve abuzuese; dhe shtetet portuale duhet të inspektojnë anijet dhe të ndëshkojnë shkelësit.
Tregjet e konsumatorëve gjithashtu duhet të forcojnë kontrollin në port për të parandaluar që produktet e lidhura me punë të detyruar të arrijnë tek konsumatorët. Përdorimi më i gjerë i monitorimit elektronik dhe satelitor gjithashtu do të rrisë zbatimin dhe transparencën.
Roli i tregtarëve dhe certifikimit MSC
Grupet e peshkatarëve dhe të drejtave të punëtorëve kërkojnë që tregtarët të bëjnë më shumë. Shumë nga këto zgjidhje teknologjike janë “të zbatueshme pa kosto të madhe,” thotë Trent i EJF. “CEO-t e kompanive duhet të veprojnë nuk bëhet fjalë për raste të izoluara, bëhet fjalë për jetët e njerëzve.”
Bizneset duhet të sigurojnë që politikat e blerjes të përputhen me objektivat e të drejtave të njeriut, thotë Kelley Bell, drejtoreshë e përgjegjësisë sociale në FishËise, e cila këshillon industrinë. Meqë “perfeksioni” është i pamundur, kompanitë duhet të rishikojnë vazhdimisht zinxhirët e furnizimit dhe të evidentojnë dhe adresojnë problemet.
Kjo kërkon due diligence në nivelin e anijeve dhe rekrutimit, thotë Chris Ëilliams nga International Transport Workers’ Federation (ITF), “sepse aty fillon udhëtimi i punës së detyruar.”
Shkencëtarja Nakamura thotë se shumë retailerë vazhdojnë të mbështeten te skemave të certifikimit, si Marine Stewardship Council (MSC) me bazë në MB, e cila u jep një “mburojë të artë”. Peshkataritë e Bunanda-s, dy peshkataritë kineze dhe ajo koreano-jugore që furnizojnë MB-në, kanë logon blu të MSC-së.
Por, sfidat e certifikimit janë të përhapura në industri të ndryshme, nga moda te kafja, dhe peshkimi është veçanërisht i prekshëm për shkak të vështirësive në monitorimin e anijeve në det. Hulumtimi i Nakamura-s zbuloi se 74% e kapjeve të certifikuara MSC ishin të pakujdesshme për gjurmueshmërinë. ITF regjistroi 39 raste pune të detyruar në peshkatari MSC në pesë vitet deri në shkurt 2025.
MSC tha se, edhe pse dënon përdorimin e punës së detyruar, etiketimi i saj është për mbrojtjen e mjedisit dhe peshkimit të tepërt, dhe “nuk ka pretendime sociale”. Pretendimet në anijet MSC nuk bien brenda mandatit të tyre. Ata shtuan se çdo shkelës i punës së detyruar ose të fëmijëve përjashtohet nga programi.
Pjesa 5: Kërkesat e peshkatarëve për të drejta themelore dhe përvoja e Bunanda-s
Peshkatarët kërkojnë qasje në të drejtat e tyre themelore, lirinë për t’u bashkuar në sindikata, të drejtën për të negociuar kolektivisht, dhe një mënyrë për të paraqitur ankesa dhe marrë kompensim. Përfaqësuesit thonë se mbi të gjitha, ata duan një vend në tryezë kur merren vendime që i prekin.
“Nëse nuk ka negociata kolektive nga sindikata të pavarura në nivel kombëtar, ose përmes organizatave si ITF në nivel ndërkombëtar, nuk ka garanci që të drejtat e punëtorëve nuk po shkelet,” thotë Williams.
Grupet e peshkatarëve migrantë dhe organizatat e të drejtave të njeriut sugjerojnë një hap të thjeshtë: të detyrohet WiFi në bord. Kjo do të mundësonte peshkatarët të kontaktojnë familjen, të raportojnë abuzime, të lidhen me shërbime shëndetësore dhe të kontrollojnë pagat e tyre. “Pa akses në komunikim, nuk mund të bësh asnjë nga këto në det,” thotë Gill nga Global Labour Justice.
Por për Deby Putra Bunanda, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, këto veprime vijnë shumë vonë. Ai nuk është më në gjendje të punojë. Pas një beteje të gjatë ligjore, ka marrë një pagesë për paaftësi prej rreth 40.000 dollarësh, por ende lufton për pagën e plotë dyvjeçare dhe kompensimin e tij.
Ai dhe gruaja e tij, Erna Wati, përshkruajnë atë që kanë përjetuar si një “trafik njerëzish”.
“Kjo është shitje dhe blerje e njerëzve,” thotë Wati.
Këshilltari i pavarur i peshkimit, Francisco Blaha, i cili dokumenton punën e tij përmes fotografisë, thotë se peshkatarët thjesht duan të trajtohen me dinjitet dhe të paguhen në mënyrë të drejtë për punën që bëjnë.
Nga Gazeta “SI”- Tutankhamuni, i njohur ndryshe si “Mbreti Tut”, u ngjit në fron rreth vitit 1332 para Krishtit. Meqenëse ishte shumë i ri, mbreti djalosh mbështetej shumë te këshilltarët e tij.
Një nga veprimet e tij të para ishte ndryshimi i emrit nga Tutankhaten në Tutankhamun, duke hequr referencën ndaj “Atenit”, perëndisë që simbolizonte revolucionin fetar të babait të tij, Akhenatenit, dhe duke e zëvendësuar atë me “Amun”, perëndinë e njohur si mbreti i perëndive. Ky ndryshim tregonte kthimin e Egjiptit drejt besimeve tradicionale politeiste.
Rreth vitit 1341 Para Krishtit, gjatë mbretërimit Akhenaten, u lind një fëmijë mbretëror që u quajt Tutankhaten “imazhi i gjallë i perëndisë Aten”.
Disa studiues besojnë se nëna e djalit ishte gruaja kryesore e Akhenatenit, Nefertiti, ndërsa të tjerë janë të bindur se nëna e tij qe një nga gratë e tij të dyta, e quajtur Kija.
Por ndërkohë nuk është e sigurtë edhe që Akhenateni të ishte babai i Tutankhamunit. Ka mundësi që babai i Tutit të ishte faraoni Smenkhkara, sundimtari që hipi menjëherë në fron përpara Tutankhamunit dhe pas vdekjes së Akhenatenit.
Analizat e ADN-së mbi disa mumiet që gjenden në Luginën e Mbretërve, se tregojnë se babai i Tutit është personi i varrosur në varrin KV55, dhe nëna e tij është varrosur në perëndim të luginës në varrin KV35, por identitetet e këtyre mumjeve mbeten të panjohura.
Tutankhamuni gjithashtu dënoi veprimet e babait të tij në një stelë në Karnak, pranë Luksorit të sotëm, duke theksuar se revolucioni fetar i Akhenatenit kishte shkaktuar që perënditë të injoronin Egjiptin.
Stelat përshkruante shkatërrimin e tempujve dhe faltoreve, një akt që ndihmoi Tutankhamunin të konsolidojë pushtetin e tij.
Mbreti Tut u martua me gjysmëmotrën e tij, Mbretëreshën Ankhesenamun. Çifti pati vajza binjake që lindën të vdekura, dhe nuk la trashëgimtar të fronit.
Studimet mbi eshtrat e Tutankhamunit tregojnë se ai ishte 1.67 metra i gjatë dhe vuante nga sëmundje të ndryshme, përfshirë malarien dhe sëmundjen Kohler, një çrregullim i rrallë i kockave.
Ai kishte një strukturë fizikë të pazakontë, me vithe fëmerore dhe gjoks të zmadhuar. Arkeologët gjetën bastunë në varrin e tij, që sugjeronin vështirësi në ecje.
Analizat tregojnë se mbreti ishte fizikisht i brishtë, me çalim, gjoks të zmadhuar dhe dhëmbë të mëdhenj, por ai ishte mjaft aktiv, duke marrë pjesë në gjueti dhe aktivitete të tjera.
Vdekja e hershme
Tutankhamuni vdiq rreth vitit 1323 para Krishtit, në moshën 18 vjeç. Arsyeja e vdekjes mbetet e diskutueshme, por hipotezat përfshijnë një kombinim të malaries dhe një kocke të thyer, ndoshta si pasojë e një aksidenti gjatë gjuetisë. Varri i tij, i përfunduar me nxitim, sugjeron se vdekja e papritur pengoi përgatitjen e një varri më madhështor.
Tutankhamuni u varros në Luginën e Mbretërve, pranë Luksorit. Varri i tij, i zbuluar nga Hoëard Carter më 1922, përmbante një thesar të pabesueshëm: dy shëmbëlltyra të mbretit, divane të prarura, kamë, hekuri prej meteoriti dhe fronin e artë të mbretit.
Midis gjetjeve ishte edhe mumja e vetë Tutankhamunit, e mumifikuar në një mënyrë të pazakontë për të treguar lidhjen e tij me Osirisin, perëndinë e botës së përtejme.
Thesari më i famshëm i varrit mbetet maska e funeraleve, e bërë prej ari, gurë të çmuar dhe xham, e cila peshon 10.2 kilogramë.
Rrëshirat dhe vajrat e përdorur për mumifikimin e tij i dhanë lëkurës ngjyrë të zezë dhe theksuan elemente të veçanta rituale, si pozicionin e penisit në 90 gradë dhe heqjen e zemrës.
Zbulimi i varrit të Tutankhamunit shënoi fillimin e mitit të “mallkimit të mumjes”. Pak muaj pas gërmimeve, George Herbert, Konti i Carnarvon që financoi ekspeditën, vdiq, duke nxitur spekulime se hapja e varrit kishte shkaktuar një mallkim. Megjithatë, studimet moderne nuk kanë gjetur prova që mbështesin këtë legjendë.
Nga Sokol Çunga– Po të marrim një kartëmonedhë bashkëkohore e ta vërejmë kundruall një burimi drite, do të shohim aty një vizatim që na shfaqet nga brenda letrës. Po ashtu, letra artizanale, si dhe një pjesë e letrës industriale e prodhuar gjatë shek. XIX, bart një shenjë të ngjashme, që të kodikologji – nëndisiplinë e paleografisë – e emërtojmë filigran ose shenjë ujore. Kujdes: nuk bëhet fjalë për shenjën zodiakale të ujorit!
Në letrën artizanale, veç vijave ujore – vergeures – dhe vijëzimeve – pontuseaux – shquajmë edhe forma objektesh apo kafshësh, si dhe simbole të ndryshme, të vendosura në fletën e letrës. Këto në latinishten e diplomatikës quhen insignia chartarum, në frëngjisht filigrane, në italisht filigrani, ose, në anglisht, watermark. Në shqip nuk ka ndonjë term të përgjithësuar, do të propozonim të mbanim huazimin nga frëngjishtja ose italishtja: filigran.
Siç dimë, mjeshtëria e letrës mbërriti prej arabëve në Spanjë në fund të shek. XI, e prej andej u përhap në gjithë Evropën. Prodhuesit evropianë të letrës, teksa përmirësuan procesin dhe cilësinë e produktit, panë të nevojshme dhe veçimin e njërit produkt nga tjetri. Kështu, në sipërfaqen e letrës u shfaq filigrani, një figurë e ndërtuar me fije të holla bronzi. Duke vendosur formën e filigranit në sipërfaqen e letrës ende të lagur, në letër mbetej shenja e dëshiruar
Letra më e hershme që paraqet këtë dukuri i përket prodhuesit shumë të njohur italian Fabriano dhe daton më 1282. Imazhet që paraqet filigrani janë, zakonisht, stema të familjeve, harqe dhe shigjeta, kafshë reale apo të trilluara, kokë kafshësh, kolona, doreza dhe duar, kapele, gërshërë, shkallë, germa, etj. Këto shenja, si rregull, shoqërohen edhe nga një kundërshenjë, e cila ndihmon shumë për të evidentuar filigranin.
I pari studiues që mblodhi dhe organizoi në një katalog të gjerë të insignia chartarum, pra, filigraneve, ishte Nikolai Petrovich Likhachev, i cili mblodhi dhe botoi në mënyrë kritike 4.258 skica.
Charles Moïse Briquet
Pas tij, ai që ktheu hulumtimin e filigranit në nëndisiplinë shkencore ishte Charles Moïse Briquet me botimin e katër vëllimeve voluminozë të Les Filigranes më 1907 të cilët përmbanin 16.112 skica.
Synimi kryesor i mbledhjes sistematike të filigraneve dhe studimi i tyre është, nga njëra anë, që të përdoren si ndihmë për të datuar me përafërsi dokumentet e pa datuara, dhe, nga ana tjetër, për të kuptuar qarkullimin e letrës në vendet ku janë prodhuar dhe përdorur dokumentet apo librat.
Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist pranë Drejtorisë së Përgjithshmetë Arkivave
Nga Gazeta “SI”- Më 7 shtator, një mural i ri i artistit misterioz Banksy u shfaq në murin e jashtëm të Gjykatave Mbretërore të Drejtësisë në Londër. Ai përshkruante një gjyqtar anglez me paruke dhe fustan tradicional që godiste një protestues të shtrirë me një armë të improvizuar, ndërsa spërkatjet e kuqe të gjakut formonin një mesazh mbi pankartën bosh që mbante protestuesi. Përshkrimi i brutalitetit të pushtetit gjyqësor ishte i hapur dhe satirik, duke marrë një gjuhë vizuale të drejtpërdrejtë dhe provokuese.
Por tre ditë më vonë, autoritetet e mbuluan muralin me fletë plastike të zeza dhe ngritën barriera çeliku, duke ndaluar publikun ta shikonte. Policia Metropolitane e Londrës e klasifikoi ngjarjen si “dëmtim kriminal” sipas Aktit të Dëmit Penal të vitit 1971. Murali i Banksy-t, që tani mbetet si një fantazmë gri mbi mur, nuk është thjesht një ngjarje e re e censurës, por vazhdim i një tradite shekullore të sfidimit të artit ndaj pushtetit.
Paralele me historinë e artit
Shekujt e fundit janë të mbushur me episode ku veprat artistike janë censuruar ose redaktuar për të përmbushur moralin ose ligjin e kohës. Një shembull është skulptura e Jean de Boulogne, i njohur si Giambologna, që përshkruan Samsonin nga Bibla duke vrarë me “nofullën e një gomari”. Dhuna e jashtëzakonshme e veprës së Giambologna-s është një paralelizëm i qartë me satirën brutale të Banksy-t, duke treguar se fuqia e artit për të goditur pushtetin ka qenë gjithmonë e dukshme.
Në shekullin XVI, afresku monumental i Michelangelo-s “Gjykimi i Fundit” në Kapelën Sistine shkaktoi polemika për trupat e zhveshur që portretizonte. Vendimi i Këshillit të Trentit për të ndaluar veprat që ishin “të zbukuruara me bukuri emocionuese për epshin” çoi në punësimin e Daniele da Volterra, i cili mbuloi figurat e zhveshura, duke fituar nofkën “Il Braghettone” – “thurësi i pantallonave”. Madje një nga figurat më të diskutueshme, Shën Katerina e Aleksandrisë, u ripikturua dhe u mbulua me mbulesa për të shmangur ofendimin e shikuesve.
Ikonoklastët protestantë në Vendet e Ulëta nuk u ndalën vetëm te ndërhyrjet e veshjes; ata sulmuan katedralet dhe shkatërruan altarë të tërë. Një shembull është triptiku i Frans Floris, “Rënia e Engjëjve Rebelë”, ku panelet anësore u shkatërruan dhe vetëm pjesa qendrore mbijetoi. Ky episod ilustron se censura dhe shkatërrimi i artit nuk kanë qenë gjithmonë vetëm mbulime të përkohshme.
Në shekullin XIX, Goya u përball me sfida të ngjashme. Dy pikturat e tij, “La maja desnuda” dhe “La maja vestida”, u sekuestruan nga Inkuizicioni dhe u mbajtën të fshehura për dekada, për shkak të portretizimit sensual të një gruaje bashkëkohore. Edhe pse Goya nuk u ndëshkua personalisht, veprat e tij u izoluan nga publiku për një periudhë të gjatë, duke treguar se censura shpesh shtrihet më shumë mbi veprën sesa mbi artistin.
Në Francë, satira politike nuk u kursye nga represioni ligjor. Honoré Daumier, me litografinë e tij “Gargantua”, e portretizoi Mbretin Louis-Philippe si një gjigant që gëlltiste pasuritë e popullit. Si pasojë, Daumier u arrestua dhe u dënua me gjashtë muaj burg, ndërsa guri nga i cili ishte nxjerrë litografia u shkatërrua për të ndaluar shpërndarjen e veprës. Megjithatë, kopjet e botimit mbijetuan dhe vazhduan të shpërndaheshin në fshehtësi.
Banksy dhe arti modern në shesh
Murali i Banksy-t është një pjesë e kësaj linje historike të përplasjes midis arti dhe autoritetit. Ndërsa mbetet për t’u parë nëse artisti do të ndiqet penalisht, një gjë është e qartë se veprat që sfidojnë normat, qoftë me satirë politike, dhunë simbolike ose ironi vizuale, kanë fuqinë të qëndrojnë në kujtesën kolektive, edhe kur fizikisht fshihen.
Në rastin e Banksy-t, ajo që nuk ekziston në mur mund të bëhet më e fuqishme se ajo që ishte aty. Fantazma e gjyqtarit dhe protestuesit të tij të shtrirë është tashmë pjesë e debatit publik. Gjurmët gri në murin e Gjykatave janë një kujtesë se nganjëherë ajo që mungon bëhet më e fortë se ajo që shihet.
Nga Gazeta “SI”- Mjeku dhe autori kanadez Gabor Maté është sot një nga figurat më të njohura botërore në fushën e shëndetit mendor dhe vetëndihmës. Ai ka ndërtuar një reputacion unik përmes qasjes së tij të drejtpërdrejtë, shpesh të pakëndshme, por të ndershme, mbi traumën, varësinë, stresin dhe zhvillimin e hershëm të njeriut. Kur ai zhvilloi një bisedë publike me Princin Harry mbi dhimbjen dhe shërimin, emri i tij u bë pjesë e debatit ndërkombëtar, duke e vendosur edhe më shumë në qendër të vëmendjes.
Ajo që e dallon Maté nga shumë të tjerë nuk është thjesht ekspertiza e tij si mjek, por gatishmëria për të folur hapur mbi plagët e veta. Ai nuk e fsheh faktin se edhe në moshën 79-vjeçare, reagimet e tij shpesh mbeten të ngjyrosura nga përvoja traumatike e fëmijërisë. Ai kujton një episod të vogël me gruan e tij në aeroport, ku një keqkuptim i thjeshtë e ktheu në nervozizëm të tepërt. Për të, ky është një shembull i qartë se si trauma e hershme shpesh na “rrëmben” edhe kur besojmë se jemi të rritur e të pjekur.
Trauma personale dhe trashëgimia historike
Përvoja e Maté është e lidhur ngushtë me historinë dramatike të shekullit XX. Ai lindi në Hungari në vitin 1944, në kulmin e pushtimit nazist. Si foshnje u nda nga e ëma dhe iu la një të huaji për t’u kujdesur, një përvojë që ai e përjetoi si braktisje dhe që më vonë e përshkroi si plagën e parë të jetës së tij. Gjyshërit nga ana e nënës u vranë në kampet e Aushvicit. Këto përvoja, të ngulitura në ndërgjegjen e tij, u bënë më vonë baza e reflektimeve të tij mbi natyrën e traumës.
“Trauma nuk është ajo që ndodh me ty,” thotë ai. “Trauma është ajo që ndodh brenda teje, si pasojë e asaj që ndodhi.” Kjo, sipas tij, është edhe arsyeja pse shërimi është i mundur. E kaluara nuk mund të ndryshohet, por bindjet e brendshme që formohen nga ajo, ndjenja se nuk je i vlefshëm, se nuk je i dashur , mund të sfidohen dhe të shërohen në çdo moshë.
Maté bën një dallim mes “traumave të mëdha”, si abuzimi apo humbja e prindërve, dhe “traumave të vogla”, që lidhen me mungesën e mbështetjes emocionale të mjaftueshme në fëmijëri. Ai thekson se edhe prindërit më dashamirës, pa dashje, mund t’i shkaktojnë këto plagë. Dhe ashtu siç pranon, edhe ai vetë, ndonëse i vetëdijshëm për pasojat e traumës, ua ka përcjellë fëmijëve të tij pjesë të saj.
Trauma kolektive dhe ndërbreznore
Përtej përvojës individuale, Maté flet shpesh për dimensionin kolektiv të traumës. Ai përmend persekutimin e popujve indigjenë në Kanada dhe pasojat e tij, të cilat shfaqen në shkallë të lartë varësish, sëmundjesh dhe vetëvrasjesh. Po ashtu, kujton trashëgiminë e racizmit dhe skllavërisë në Shtetet e Bashkuara. “Ne ua përcjellim fëmijëve tanë atë që nuk kemi shëruar brenda vetes,” thotë ai. Trauma, në këtë kuptim, udhëton përmes brezave, duke ndikuar në mënyrën si shohim botën dhe si ndërtojmë marrëdhënie.
Varësia: dhimbja pas sjelljes
Një nga temat ku Maté është më i drejtpërdrejtë është varësia. Për të, varësia nuk është as sëmundje, as karakteristikë personale, por një përgjigje ndaj dhimbjes së brendshme. Ajo mund të shfaqet përmes drogës dhe alkoolit, por edhe në forma më të përhapura: puna e tepërt, telefonat celularë, pornografia, sportet ekstreme. Pyetja thelbësore nuk është “pse varësia?”, por “pse dhimbja?”.
Për 12 vite me radhë, ai punoi në Downtown Eastside të Vankuverit, një nga zonat me përdorimin më të lartë të drogës në Amerikën e Veriut. Përvoja e tij i tregoi se pothuajse çdo grua që trajtonte, shumica indigjene dhe të përfshira në prostitucion, kishte kaluar abuzime seksuale në fëmijëri. Për Maté, kjo është një dëshmi e qartë e traumës ndërbreznore dhe e trashëgimisë së dhunshme koloniale.
Ai e pranon se ka pasur edhe vetë varësitë e tij, sidomos ndaj punës dhe blerjeve kompulsive. Ka gënjyer gruan për shpenzimet dhe madje ka lënë një grua në sallën e lindjes për të blerë një disk muzikor, një shembull i dhimbshëm i pushtetit të varësisë. Por kjo, sipas tij, vetëm e forcon idenë se askush nuk është imun: “Ne të gjithë jemi si njëri-tjetri.”
Lidhja mendje–trup dhe kultura toksike
Një shtyllë tjetër e mendimit të tij është lidhja e pandashme mes mendjes dhe trupit. Ai kritikon mjekësinë moderne që shpesh i shikon sëmundjet vetëm në prizmin biologjik. Për të, sistemi nervor, hormonet, emocionet dhe imuniteti nuk janë të ndarë, por pjesë e të njëjtit mekanizëm. Kjo shpjegon, sipas tij, pse stresi kronik është faktor i drejtpërdrejtë në sëmundje si kanceri apo çrregullimet autoimune.
Në librin Miti i normales, ai përshkruan shoqërinë moderne si një kulturë toksike, ku ajo që konsiderohet “normale” është shpesh e dëmshme. Stresi i vazhdueshëm, presionet sociale, pabarazia, degradimi i mjedisit, varfëria dhe izolimi. Ai e krahason shoqërinë me gaforret që ngrohen ngadalë në një tenxhere me ujë, pa kuptuar se po digjen për së gjalli.
Pavarësisht kritikave që ka marrë qoftë për diagnozat e tij të debatueshme, qoftë për qëndrimet e hapura mbi konfliktin Izrael–Palestinë , Maté mbetet i qartë për misionin e tij: të ndihmojë njerëzit të çlirohen, politikisht dhe personalisht, nga traumat që i bëjnë peng të së kaluarës. Ai beson se vetëm duke u përballur me dhimbjen tonë mund të jetojmë të lirë.
Kudo që shkon, njerëzit e njohin dhe e falënderojnë. Ai pranon me humor se ka një ego të madhe, por shton se nuk e beson. Dhe pikërisht kjo vetëdije, e kombinuar me sinqeritetin e tij, është ndoshta arsyeja pse mesazhi i tij prek kaq shumë njerëz: një thirrje për dhembshuri, vetëkuptim dhe shërim në një botë që shpesh duket e helmuar nga vetë normaliteti i saj.
Këto janë vargjet nga kënga “Layla”, një nga hit-et muzikore të kompozitorit dhe instrumentistit të mirënjohur Eric Clapton. E ç’punë ka Clapton me dokumentin e mëposhtëm? Ai jo, por Lejla, po.
Në Fondin “Koleksione dorëshkrimesh osmane, arabe e perse” të Arkivit Qendror Shtetëror, Dosja 383, ruhet një dorëshkrim që përmban historinë e dashurisë mes Lejlës dhe Kajsit. Teksti është shkruar në 60 fletë letre me përmasa 18 x 13.5 cm, në osmanisht. Autori i veprës është i mirënjohuri poet azerbajxhanas Muhamed Fuzuli i shek. XVI. Ndërsa dorëshkrimi ynë është një kopje e kryer nga Ismaili, i biri i Hysejnit, në vitin 1219 hixhri / 1803 sipas kalendarit Gregorian. Varianti i Fuzuli-ut është ripërpunim i një historie të mëhershme shkruar nga autori tjetër azerbajxhanas, Nizami Ganjavi i shek. XII-XIII, i cili e pati shkruar veprën në persisht.
Ç’na thotë historia? Lejla dhe Kajsi ishin dy të rinj që u dashuruan në shkollë. Hiret e Lejlës e frymëzuan Kajsin të shkruante pareshtur poezi për të. Më pas kërkoi dorën e Lejlës në martesë, por babai i saj nuk pranoi. Atëherë Kajsi, i marrosur prej dashurisë, u largua nga shtëpia e prindërve dhe shkoi të jetonte në vende të egra, bashkë me kafshët e pyllit. Prej kësaj marrosjeje poeti e mbiquan Mexhnun – i çmendur.
Gravurë e kohës dedikuar historisë së Lejlas dhe Maxhunit
Ndërkaq, babai e martoi Lejlën me një burrë që zgjodhi ai vetë. Lejla nuk e konsumoi martesën dhe herë pas here takohej fshehtas me Mexhnunin. Të dy i recitonin njëri-tjetrit poezitë që i kishin thurur dashurisë së tyre. Vitet kaluan, të dashuruarit nuk u takuan kurrë, dhe Lejla vdiq e para nga marazi. Kur mori vesh lajmin, Mexhnuni shkoi tek varri i saj dhe vdiq edhe ai, prej pikëllimit të thellë. Sepse e vetmja që mundej t’ia shëronte brengën ishte Lejla.
Sigurisht, Eric Clapton nuk vdiq. Të paktën deri sot është gjallë. Ndërkaq, sa herë t’ju bjerë rasti ta dëgjoni atë këngë, ia vlen të kujtoni se në Tiranë, në Arkivin Qendror Shtetëror, ruhet një kopje e tekstit nga i cili është frymëzuar kënga.
Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist pranë Drejtorisë së Përgjithshmetë Arkivave
Nga Gazeta Si- “Ndiq intuitën” është një udhëzim për vendimmarrje që mësohet që në moshë të vogël. Por a mund të ofrojë intuita njohuri që udhëheqin më shumë sesa vetëm zgjedhjet individuale “a duhet apo jo?”? A mund të na mësojë mençuria e intuitës sekrete se si të lundrojmë në krizat më të mëdha globale me të cilat janë përballur ndonjëherë njerëzit?
Hrund Gunnsteinsdottir mendon kështu. Në librin e saj të ri, “InnSæi: Shëroni, Ringjallni dhe Rivendosni Me Artin Islandez të Intuitës”, udhëheqësja islandeze e qëndrueshmërisë shpjegon se përsosja e aftësisë sonë për intuitë na ndihmon të kuptojmë ndërlidhjen tonë, duke rritur ndërgjegjësimin tonë për dëmin që po i bëjmë planetit.
Të përqendrohesh te bota jote e brendshme mund të çlirojë kreativitetin dhe imagjinatën e nevojshme që ne të bashkëpunojmë në ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme, shkruan Gunnsteinsdottir. Ashtu si një muskul, intuita mund dhe duhet të stërvitet, argumenton ajo, dhe libri i saj shpjegon se si.
Në një intervistë për CNN, ajo shpjegon se sa mund të na ndihmojë intuita nëse e përdorim si duhet.
CNN: Çfarë është “innsæi”?
Hrund Gunnsteinsdottir: Nëse kërkoni fjalën “innsæi” në një fjalor islandez, do ta shihni të përcaktuar si intuitë, por fjala nënkupton edhe diçka më të madhe.
Unë e shpika fjalën “InnSæi”, me një I të madhe dhe një S të madhe, pasi kuptova se kjo fjalë e bukur islandeze bashkon kaq shumë mençuri, duke përfshirë tre kuptime që kapin poetikisht natyrën e botës brenda nesh: “deti brenda”, “të shohësh brenda” dhe “të shohësh nga brenda jashtë”. Kjo frymëzoi titullin e filmit dokumentar të vitit 2016 “InnSæi: Fuqia e Intuitës”, në të cilin isha bashkëregjizore.
Ndarja e kësaj fjale në pjesët e saj përbërëse – “inn” (“brenda” ose “në”) plus “sæi” (që rrjedh nga “të shohësh”, por që gjithashtu sjell në mendje “sær”, fjala për “det”) – ofron një kornizë për të kuptuar se çfarë është intuita, nga vjen dhe si zhvillohet me kalimin e kohës.
“Deti brenda” i referohet rrjedhës së mendjes sonë të pavetëdijshme, një bote imagjinate, vizioni, ndjeshmërie dhe shfaqjeje që funksionon shumë më shpejt se mendja jonë e fokusuar- veçanërisht kur bombardohemi me informacion, shpërqendrime dhe pasiguri. Kur humbasim nga sytë rrjedhën e jetës, jemi më pak të aftë të lidhim pikat dhe të shohim se si gjithçka është e ndërlidhur.
“Të shohësh nga brenda” do të thotë të jesh mjaftueshëm i vetëdijshëm për veten për të parë proceset e tua të të menduarit nga një distancë e vogël. Gjithashtu tregon se duhet ta njohësh veten mjaftueshëm mirë për të dëshmuar kreativitetin, besimet thelbësore dhe njerëzimin tënd, duke përfshirë papërsosmëritë, pikat e forta, paragjykimet, frikën dhe dobësitë e tua. Kjo vetëdije të ndihmon të jetosh më autentikisht, si dhe të nxitësh empatinë për të tjerët që ndajnë të njëjtën njerëzillëk kompleks.
“Të shohësh nga brenda jashtë” do të thotë harmonizim me një busull të fortë të brendshme, të rrënjosur në vlerat, intuitën dhe veten tënde më të lartë, që të udhëzon përgjatë rrugës së jetës tënde. Të lundrosh sipas “InnSaei”, e cila kombinon të tre këto kuptime, ndryshon mënyrën se si lidhesh me veten, qeniet e tjera të gjalla dhe Tokën.
Si lidhet “InnSaei” me inteligjencën?
Pas shumë vitesh kërkimi dhe pune praktike me këto ide në akademi, arte dhe botën e biznesit, e shoh intuitën si themelore për inteligjencën tonë, thelbësore për aftësinë për të arsyetuar mirë. Mendimtarët tanë më të mëdhenj, laureatët e Çmimit Nobel dhe njerëzit që i quajmë gjeni, bëjnë hapat e tyre të mëdhenj sepse mund të kalojnë midis të menduarit analitik dhe intuitës.
Edhe pse mund të mos jemi të vetëdijshëm për të, intuita luan një rol të fuqishëm në mënyrën se si shfaqemi, vendosim, mendojmë, pyesim veten, lidhemi dhe lundrojmë në botë. Përqendrimi te “InnSæi” na ndihmon të riformulojmë kuptimin tonë të intuitës sepse ajo mban hapësirë për atë që dimë tani nga shkenca, praktika dhe spiritualizmi, duke na ndihmuar të shfrytëzojmë intuitën intelektualisht, shpirtërisht dhe emocionalisht. Përmirësimi i intuitës është kritik, veçanërisht në botën e sotme të zhurmës dhe inteligjencës artificiale. Na ndihmon të shohim atë që zakonisht nuk mund ta shohim dhe të dëgjojmë atë që zakonisht nuk mund ta dëgjojmë.
Si mund ta dallojmë zërin e intuitës nga frika dhe paragjykimet tona?
Ne jemi kaq të etur për të marrë udhëzime nga të tjerët, megjithatë ne jemi të vetmit njerëz në botë që mund të jemi ekspertë në intuitën tonë. Nuk di një mënyrë më të mirë për ta njohur veten sesa përmes mbajtjes së ditarit. Shkrimi i rrjedhës së vetëdijes mund të ndihmojë në zbulimin e asaj që po ndodh në mendjen dhe trupin tuaj jashtë vetëdijes suaj.
Unë rekomandoj mbajtjen e një ditari vëmendjeje, i cili fillon me një udhëzim shumë të thjeshtë, por super të fuqishëm: Kushtojini vëmendje asaj që i kushtoni vëmendje dhe dokumentojeni atë në ditarin tuaj. Mbajtja e një ditari vëmendjeje mbledh pamje nga mendja juaj. Ju jeni duke blerë në tregun ushqimor dhe vini re energjinë e personit pranë jush në arkë. Më vonë, ju shkruani në ditarin tuaj: “Energjia e personit pranë meje ishte…”. Nuk keni nevojë as ta shpjegoni. Thjesht e vini re. Ajo që i kushtojmë vëmendje sjell disa gjëra në jetë, ndërsa të tjerat zhduken, por rrallë e vërejmë atë që vërejmë. Kjo praktikë ofron informacion në lidhje me atë që po lejojmë të hyjë në sistemin tonë, çfarë po na informon dhe na formëson, kryesisht në mënyrë të pavetëdijshme, dhe ndihmon në pastrimin e hapësirës në mendjet tona.
Çfarë tjetër mund të ndihmojë në përmirësimin e intuitës?
Me praktikë, mund të bëhemi më selektivë në lidhje me mendimet që i lejojmë vetes të mendojmë. Si mendimtarë të mendimeve tona, kemi shumë më tepër fuqi sesa e kuptojmë. Një praktikë që unë e quaj “Kap mendimet e tua” është e rrënjosur në hulumtime që tregojnë se njerëzit kanë rreth 6,200 mendime në ditë, duke supozuar tetë orë gjumë dhe duke mos i përfshirë çdo mendim gjatë asaj kohe. Shpesh nuk arrijmë të vërejmë shumë nga mendimet e zhurmshme që kemi përreth. Mundohuni t’i shënoni mendimet tuaja në një ditar. Nuk ka nevojë t’i përshkruani ato në detaje, thjesht shkruajini ato.
Kjo praktikë mund të na ndihmojë të zbulojmë modele, duke kuptuar gjëra të tilla si: “O Zot, jam i bllokuar. Sa minuta në ditë i kushtoj këtij mendimi? A është kjo një frikë e përsëritur? A është zëri i dikujt tjetër në kokën time apo një ndjesi e vërtetë?” Me kalimin e kohës, mund të dalloni më mirë midis intuitës dhe sinjaleve të tjera të brendshme.
Jepini vetes dhuratën e të shkruarit në ditar, sepse kujdesi për mendjen ju ndihmon gjithashtu të prekni trupin tuaj. Shumë shpesh ne e shpërfillim thellësinë e inteligjencës njerëzore të ngulitur në trup, e cila shpesh mbledh informacion para mendjes suaj të vetëdijshme. Gjithashtu harrojmë se puna kryesore e trurit, vetëm një pjesë e vogël e trupit, nuk është të mendojë, por të mbajë zemrën të rrahë dhe mushkëritë të marrin frymë.
Kur lejojmë që kokat tona të mbushen me zhurmë, ne ia heqim energjinë aftësisë së trurit për të punuar me trupin. Nëse e zvogëlojmë atë zhurmë, truri është gjithashtu më i aftë të na ndihmojë të jemi të vetëdijshëm për atë që shohim, dëgjojmë dhe ndiejmë dhe të kemi akses në gjenialitetin krijues. Atëherë fillojmë të kthehemi në vetvete.
Investimi i kohës dhe përpjekjeve për t’u lidhur me detin e brendshëm mund të duket egoist. Si mund ta bëjë botën më të mirë përsosja e intuitës personale?
Ne jemi pjesë e natyrës dhe natyra është pjesë e jona. Hulumtimet tregojnë se kalimi i kohës në hapësirat e gjelbra qetëson sistemin nervor dhe zvogëlon stresin. Hulumtime të tjera të kohëve të fundit zbulojnë efektet e shkëputjes sonë në rritje nga natyra gjatë 200 viteve të fundit dhe se si kjo na prek dhe ndikon në mënyrën se si flasim për natyrën dhe njëri-tjetrin.
Kultivimi i një lidhjeje me veten tonë të brendshme, neurologjikisht, shpirtërisht, emocionalisht, na ndihmon të ndiejmë dhe të kuptojmë në mënyrë të lindur ndërlidhjen njerëzore dhe planetare. Rilidhja me bukurinë, admirimin dhe mrekullitë e jetës brenda dhe përreth nesh informon shqisat, perceptimet, mendimet dhe veprimet tona, si dhe përmirëson mirëqenien tonë.
Si lidhet kjo me krizën klimatike?
Gjendja e klimës është një manifestim i neglizhencës sonë për jetën tonë të brendshme dhe i besimit se jemi të ndarë nga bota natyrore. Ndryshimi që i duhet botës tani fillon nga brenda nesh.
Nëse të gjithë do të ishim të bazuar në “InnSæi”, bota do të dukej shumë ndryshe. Do ta dinim në kockat, zemrat dhe kokat tona se shterrimi i burimeve të Tokës nuk është as i mirë për biznesin dhe as për mbijetesën tonë.
Së bashku, ne kemi burimet, teknologjinë dhe njohuritë shkencore për të bërë atë që është e drejtë kur bëhet fjalë për qëndrueshmërinë. Intuita është çelësi i inovacionit, njohurive dhe lidershipit vizionar. Dhe na nxit të veprojmë me më shumë guxim.
Katër orë në një rrugë me gropa që duken si kratere. Gurët dhe degët përplasen me makinën dhe e ndjen drejt e në trup. Tundimi për t’u kthyer mbrapsht është i madh, por papritur del një rrugë e shtruar në mënyrë perfekte me asfalt. Marr frymë thellë dhe shtyp pedalin e gazit.
Asnjë makinë tjetër nuk ka arritur deri këtu, kemi gjithë autostradën vetëm për vete. A është kjo një dhuratë nga qielli? Apo thjesht vepër e ndonjë nëpunësi të korruptuar që ka zhdukur ndonjë fond? Pas disa minutash vjen përgjigjja: autostrada përfundon papritur dhe pa asnjë paralajmërim në një shteg të paasfaltuar, i ndërprerë nga dhjetëra kanione të vegjël që i ka krijuar shiu i fundit i rrëmbyeshëm. Arrijmë të bëjmë frenim emergjent fiks në kohë.
Gropa në rrugë dhe një rrugë shtetërore e regjistruar gabimisht në Google Maps: këto gjëra duhet të marrësh në konsideratë nëse nisesh për një udhëtim rrugor në Shqipëri. Megjithatë, ia vlen të eksplorosh këtë shtet të vogël ballkanik me makinë, që nuk është as sa madhësia e Brandenburgut. Një vend xhuxh, por që ofron gjithçka: nga plazhet me rërë në Adriatik deri te malet e larta alpine, nga kisha ortodokse te xhamitë osmane.
Një makinë me qira mund ta marrësh në Shqipëri lehtë dhe relativisht lirë. Për më tepër, shumë shqiptarë që punojnë në hotele dhe lokale flasin gjermanisht, italisht apo anglisht. Kush është i gatshëm të përballet me trafikun kaotik të qyteteve si Tirana apo Durrësi dhe me rrugët me gropa në zonat rurale, do të shpërblehet me zemërgjerësi: me fshatra piktoreske, brigje të thepisura marramendëse dhe pamje mahnitëse të Rivierës Shqiptare. Gjatë rrugës, ka pafundësisht mundësi për të zgjeruar horizontin.
Mësimi 1: Mos u mbështet te Google Maps
Rrugët e këqija të Shqipërisë nuk vijnë krejt nga hiçi. Vendi ka një histori të trazuar dhe pjesërisht tragjike në të kaluarën e afërt. Kur diktatura staliniste e Enver Hoxhës u shemb në vitin 1990, vendi mesdhetar u zhyt në një kaos pothuajse si i një lufte civile, nga i cili u rimëkëmb ngadalë.
Sot, Shqipëria është një shtet kandidat për në BE, ku përparimi i vrullshëm përplaset pa kompromis me kushte paraindustriale. Kështu ndodh që rrugë të asfaltuara mirë ende nuk ekzistojnë në Google Maps, ndërsa, nga ana tjetër, shtigje mushkash ndonjëherë janë shënuar si autostrada. Megjithatë, turizmi është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Edhe pse marketingu profesional i destinacioneve është ende në ndërtim e sipër, vendi është shndërruar – falë fjalës së mirë që përhapet gojë më gojë – në një këshillë pushimi që nuk është më aq sekret. Përveç peizazhit, udhëtarët entuziazmohen nga çmimet e lira dhe mikpritja thuajse pa kufij e shqiptarëve.
Kështu ia bëra tërheqës destinacionin e udhëtimit edhe gruas sime. Me traget për ne rruga fillon nga Italia, përtej Adriatikut, drejt Durrësit; atje marrim me qira një makinë dhe duam të eksplorojmë jugun e vendit. Destinacioni i parë është Berati, një qytet me arkitekturë osmane, pastaj rruga na çon përgjatë Vjosës (lumi i fundit i madh i egër në Evropë) deri te burimet termale në Përmet. Prej andej mbeten vetëm disa qafa malore për të mbërritur te bregu i thepisur i Rivierës Shqiptare me plazhet e saj të gjata.
Për të ecur përpara, nuk duhet të mbështetesh vetëm te hartat digjitale, por herë pas here edhe te këshilla e vendasve.
Mësimi 2: Makina e shtrenjtë – temë e ndjeshme
Mjeti ynë për udhëtim është një Citroën C1 i vogël, i kuq. Me të bie paksa në sy në qytetet shqiptare – si një i varfër. Në rrugën drejt Beratit të dalin përpara thuajse vetëm SUV luksozë të lëmuar. Markat gjermane si Mercedes, BMË dhe Audi janë veçanërisht të pëlqyera. Ndërsa në fshat has ende shumë “kazanë” të vjetër.
Makina e bosëve krijojnë një kontrast të çuditshëm me fasadat e rrënuara të shtëpive që qëndrojnë të shpërndara nëpër peizazh. Shqipëria, me një prodhim të brendshëm bruto për frymë rreth 10.000 dollarë amerikanë, është ndër vendet më të varfra të Europës; 4.5 përqind e popullsisë është e kequshqyer, ndërsa shumë shtëpi mbeten skelete të papërfunduara nga mungesa e parave. Nga vjen, pra, kjo “begati makinash”?
Kush mund ta dijë më mirë sesa ata që xhirojnë me këto makina luksoze rreth e rrotull? Nga një BMË X5 i bardhë para nesh zbresin tre të rinj me shpatulla të gjera dhe nofulla të forta. Shoferi nuk e merr me humor pyetjen time disi të turpshme:
“Kështu si janë rrugët Duhet të kesh makina të mëdha e të forta.”
Një argument bindës. Dhe duke parë shtatin e tyre e shikimet e ashpra, pyetje të tjera nuk kishin më vend.
Mësimi 3: Mos ofro autostop natën
Është mbrëmje, jemi afër Beratit dhe e kuptojmë se ka njerëz për të cilët rrugët e këqija ndoshta janë edhe një përparësi. Sa më shumë errësohet, aq më shumë shfaqen ata në dritën e fenerëve. Të përkulur e të vetmuar ecin përgjatë rrugës – ndonjëherë gra, por më së shumti burra të moshuar, të tharë nga jeta. Nga vijnë dhe ku shkojnë, nuk di ta shpjegojë as plaku pranë të cilit më në fund ndalojmë, për t’i ofruar një vend në makinë. Dikur edhe unë kam udhëtuar me autostop dhe e di se sa mirë bën kur të marrin disa kilometra rrugë me vete.
Na duhet pak kohë derisa në hartë të gjejmë një vend që tingëllon si fjala që plaku, me xhaketën e grisur, përsërit vazhdimisht. Një gisht i ngritur, një buzëqeshje – kështu funksionon komunikimi në raste të tilla. Që plaku nuk flet shumë, nuk është keq, sepse ka një erë të tmerrshme alkooli.
Në vendmbërritje, plaku falënderon. Sërish një re fryme që përzien birrën me verën. Pastaj ai tërheq e shtyn fort dorezën e derës, përpiqet kot ta hapë. Vetëm kur diçka kërcet, më kujtohet se duhet të jetë aktivizuar mbrojtja e fëmijëve. Dal jashtë dhe i hap derën plakut.
Ai falënderon edhe një herë, pastaj largohet duke çaluar shpejt. Në tapetin e këmbëve lë pas dorezën e këputur të derës. Lamtumirë, garanci e makinës me qira.
Mësimi 4: Enver Hoxha? Njeri i mirë
Tomori, mikpritësi ynë në Berat, e ka më mirë. “Janë ata krejt të varfrit që ende ecin më këmbë nga një fshat në tjetrin,” na thotë ai, “njerëz të moshuar si unë, me pension rreth 200 euro në muaj.” Fati i tij është që ka një shtëpi të hijshme në qendrën historike të Beratit. Sot aty jep dhoma me qira për turistë. Me ato para ka blerë një biçikletë dhe i ka financuar djalit studimet në Tiranë.
“Edhe unë do të kisha dashur të udhëtoja gjatë jetës sime,” thotë Tomori nga tarraca e tij me pamje nga qendra e Beratit. Për shkak të shtëpive karakteristike të bardha me shumë dritare të vendosura simetrikisht, Berati quhet edhe “Qyteti i një mijë dritareve.”
Tomori do të kishte dashur të shihte Italinë, ose SHBA-të, shton ai. Por për shkak të kostove kjo ishte e pamundur. Dikur, nën diktaturën e Enver Hoxhës, ishte radioja ajo që ia ushqente kureshtjen për botën e madhe. Në fshehtësi, në dhomën e tij, dëgjonte stacionet italiane; i donte shumë këngët e Adriano Celentano-s dhe Caterina Caselli-t.
Ai flet rrjedhshëm italisht. “Por atëherë ruhesha që askush të mos e kuptonte,” tregon Tomori. Po të kishin marrë vesh njerëzit e gabuar që ai dëgjonte radio italiane, do ta kishin arrestuar si spiun.
Megjithatë, Enver Hoxhën, diktatorin paranojak të asaj kohe, ai prapë e quan njeri të mirë. Në socializëm, të paktën secili kishte një jetë të siguruar; djali i tij nuk do të ishte dashur të largohej. As drogë e as kriminalitet nuk kishte atëherë.
Sot, përkundrazi, këto janë. Prandaj për Tomorin edhe puna me makinat e bosëve është e qartë: “Të gjithë këta djem të rinj me fuoristrada të shtrenjta – ç’mendoni ju, nga e kanë gjithë këtë para? Të gjithë flenë me armën nën jastëk.” Për të, biçikleta mbetet më e dashur.
Mësimi 5: Edhe makinat e vjetra vlejnë si simbole statusi
Nga Berati udhëtimi vazhdon drejt maleve të egra të Përmetit, ku këmbët e lodhura nga udhëtimi i gjatë çlodhen sërish në ujin termal të burimeve të Bënjës, me temperaturë 25 deri në 30 gradë. Në sfond qëndron ura prej guri me harqe e Urës së Katiut nga shekulli XVIII, që të jep ndjesinë e një udhëtimi në kohë.
Shpejt malet e ashpra zëvendësohen nga kodrat bukolike. Rruga nga Përmeti deri në Adriatik kalon pranë tufave të deleve dhe mureve të vjetra prej guri. Interesante është se, sa më thellë futesh në provincën shqiptare, aq më pak shihen fuoristrada. Dhe megjithatë, këtu do të duhej të ishin më të nevojshëm. Në vend të tyre, has njerëz mbi gomerë ose mbi traktorë të vjetër që kollotisin e tymosin.
Nëse pyet njerëzit e thjeshtë këtu, secili ka teorinë e vet për prejardhjen e makinave luksoze. Disa, si Tomori, e lidhin me tregtinë e drogës; të tjerë flasin për korrupsion. Dhe ai, thonë, e ka qendrën larg, në kryeqytet.
E vetmja gjë e padiskutueshme është se makinat në shoqërinë shqiptare kanë një rëndësi të jashtëzakonshme. Edhe kush vozit një Mercedes-Benz të vjetër e të gërvishtur, e mban atë gjithnjë të shndritshëm. Thuajse në çdo oborr, në çdo parking gjenden lavazhe të vegjël.
Një pronar i një lavazhi të tillë e shpjegon kështu dashurinë e shqiptarëve për makinën: “Një veturë është për shumë shqiptarë pasuria më e rëndësishme. Ata punojnë jashtë, jetojnë herë këtu, herë atje. Shtëpia mbetet dytësore, makina bëhet edhe më e rëndësishme.” Dhe kjo është e kuptueshme: Shqipëria është një vend tipik emigracioni – dërgesat e shqiptarëve të diasporës drejt atdheut janë të pazëvendësueshme për ekonominë. Në një vend ku jeta e mirë ka varur prej dekadash nga sa i lëvizshëm je, automobili merr pashmangshëm një kuptim të veçantë.
Mësimi 6: Ki besim te mikpritja
Në fund të udhëtimit tonë rrugor na ndodh megjithatë të hasim në një kontroll policie. Është pasdite vonë dhe dritat tona nuk ishin ndezur. “Your driving license”, thotë polici nga dritarja e hapur, kur kupton që unë nuk flas shqip. Më kap ankthi. Patentën time italiane e kisha humbur pak para këtij udhëtimi, ndaj kam vetëm një leje të përkohshme drejtimi italiane, që këtu nuk ka asnjë vlefshmëri. Polici më shikon me vëmendje. “Tourist?” Pyet. Unë tund kokën. “You can go.”
Ja ku ishte sërish ajo mikpritje legjendare shqiptare. Edhe këtë herë na shpëtoi. Për të, për peizazhin dhe për kuzhinën e nënvlerësuar shqiptare ia ka vlejtur pa dyshim ky udhëtim.
Megjithatë, policia nuk i kursen vetëm turistët. Pavarësisht kontrolleve të shpeshta në rrugë, nuk pamë asnjë fuoristradë të ndaluar; gjithmonë ishin makinat e vogla si e jona. Dhe nuk është për t’ua marrë për keq. Unë, si turist i paditur, mund të bëja pyetje naive e prapë pronarët e fuoristradave të më linin rehat – këtë e kërkon mikpritja shqiptare. Por për policët vendas nuk do të ishte kaq e lehtë të dilnin pa pasoja.
Shkruar nga Teseo La Marca në gazetën gjermane Die Welt
Gazeta “SI”- Më 9 shkurt të vitit 1951, Presidiumi i Kuvendit Popullor miratoi dekretin numër 1222 mbi tatimin e beqarëve. Ligji prekte meshkujt nga 20 deri në 50 vjeç, dhe gratë nga 20 deri në 40 vjeç që ishin beqarë, të veja apo të shkurorëzuara dhe pa fëmijë. Punëtorët dhe nëpunësit tatoheshin me 3 përqind mbi të ardhurat, zejtarët, tregtarët dhe profesionistët me 4 përqind mbi të ardhurat, fshatarët me 600 lekë në vit, dhe të tjerët me 200 lekë në vit. Tatimi paguhej më 1 korrik dhe 1 dhjetor të çdo viti. Ata shtetas që kishin të ardhura dytësore të tjera, tatoheshin edhe mbi këto të ardhura.
Nga ligji përjashtoheshin ushtarakët dhe nënoficerët, nxënësit dhe studentët, invalidët e luftës dhe të punës, shtresat me të ardhura të pakta ekonomike dhe klerikët që nuk martoheshin. Dekreti u miratua duke pasur parasysh nivelin ekonomik të vendit dhe i mbështetur në eksperiencën sovjetike, siç thotë edhe relacioni i bashkangjitur dekretit.
Ndryshimi me ligjin sovjetik ishte se në Shqipëri ishte aplikuar zbritja bujare e shumës në gjysmë ose më pak se gjysmë se ajo e vendosur në Bashkimin Sovjetik.
Tatimi i beqarëve nuk shfaqet për herë të parë brenda bllokut të lindjes. Ai është zbatuar që në Romën e vitit të parë pas Krishtit e deri në Rumaninë e vitit 1989. Arsyet e vendosjes së kësaj takse ndryshojnë sipas kohës dhe vendit.
Diku ishte mbledhja e të ardhurave në dobi të arkës shtetërore. Diku tjetër taksa vendosej për efekt shtimin e pjellorisë dhe të popullsisë. Ndërkohë, edhe pse shuma që duhet të paguanin beqarët nuk ishte e madhe, ajo krijonte panik moral duke i shtyrë të rinjtë drejt martesës. Gjatë periudhës së fashizmit dhe nazizmit, taksa nuk synonte vetëm shtimin e popullsisë por edhe ruajtjen e pastër të racës.
Nga Gazeta “SI”- Një testament që ka qenë i humbur për më shumë se 150 vjet dhe që ndodhej në qendër të një beteje të ashpër ligjore nga familja e William Shakespeare mbi pronësinë e shtëpisë së fundit të dramaturgut, është zbuluar në një kuti të paetiketuar në Arkivin Kombëtar.
Dokumenti origjinal i vitit 1642 u hartua nga Thomas Nash, i cili ishte i martuar me mbesën e Shekspirit, Elizabeth Hall. Në të ai ia linte New Place e konsideruar si shtëpia e dytë më e madhe në Stratford-upon-Avon ,kushëririt të tij Edward Nash.
Megjithatë, pas vdekjes së Thomas-it në vitin 1647, vajza e Shekspirit, Susanna Hall, dhe mbesa e tij Elizabeth, e veja e Thomas-it, refuzuan ta zbatonin testamentin, duke pretenduar se vetë testamenti i Shekspirit kishte përcaktuar që prona t’u takonte atyre dhe se Thomas nuk kishte të drejtë ta linte me testament.Si pasojë, Edward paditi Elizabeth-ën në gjykatën e kancelarisë për të kërkuar pronën e çmuar.
Testamenti i Nash u rizbulua tani në një kuti dokumentesh të kancelarisë së shekullit XVII dhe më herët, nga Dr. Dan Gosling, specialist i dokumenteve ligjore në Arkivin Kombëtar.
“Ishte një zbulim i jashtëzakonshëm,” tha Gosling, i cili po shfletonte kutitë që nuk kishin katalog, data apo përshkrim.
Dokumenti ishte i njohur në mesin e shekullit XIX pasi ishte parë nga një studiues i Shekspirit kur mbahej në kapelën Rolls. Më pas, gjatë riorganizimit të dokumenteve, përfundoi në kutinë e paetiketuar.
“Nuk ishte regjistruar dhe pastaj mbeti aty për rreth 150 vjet,” tha Gosling. Shekspiri bleu New Place, një banesë trekatëshe prej druri dhe tulle, për 60 £ në vitin 1597 dhe jetoi aty deri në vdekjen e tij më 1616. Ajo kishte 10 oxhaqe, pesë kulme madhështore dhe oborre aq të mëdha sa të përfshinin dy hambarë dhe një kopsht.
Thomas Nash e hartoi testamentin ndërsa jetonte në New Place me Susanna-n dhe Elizabeth-ën. Edhe pse testamenti i Shekspirit ia kishte lënë tokën dhe pronën vajzës e mbesës së tij, “është e mundur që Thomas Nash e bëri këtë testament me mendimin se do të mbijetonte si Susanna-n, ashtu edhe Elizabeth-ën,” tha Gosling.
“Por në të vërtetë ai vdiq në vitin 1647, shumë i ri. Elizabeth ishte vetëm 39 vjeçe dhe më pas u rimartua. Susanna vdiq në vitin 1649.”
Susanna dhe Elizabeth hartuan një marrëveshje pronësore për të konfirmuar të drejtat e tyre. “Më pas Edward Nash e çon Elizabeth-ën në gjyq. Ai argumenton se testamenti i Thomas Nash ishte vërtetuar në gjykatën e pronës së Canterbury-t, dhe se Elizabeth, si vejë dhe ekzekutore, kishte për detyrë ta zbatonte dhe t’ia jepte New Place Edward Nash-it.”
Elizabeth u paraqit në gjykatën e kancelarisë për të shpjeguar se toka dhe prona i ishin dhënë asaj dhe nënës së saj nga “gjyshi im William Shakespeare”. Si pjesë e procesit ajo u detyrua të paraqiste testamentin e Thomas-it, gjë që bëri që dokumenti të përfundonte në arkivat e kancelarisë, që tani ruhen në Arkivin Kombëtar.
Rezultati i gjyqit nuk është i qartë, por, sipas Gosling, duket se Edward nuk e fitoi kurrë pronën. Kur Elizabeth vdiq më 1670, pa pasur fëmijë dhe duke i dhënë fund vijës së drejtpërdrejtë të pasardhësve të Shekspirit, ajo në testamentin e saj i dha Edward-it të drejtën për të blerë New Place.
“Ajo përdor fjalët ‘sipas premtimit që i kisha bërë më parë’, gjë që tregon se ka pasur marrëveshje verbale,” tha Gosling. Në fund nuk ka asnjë dëshmi që Edward të ketë qenë pronar i New Place, e cila kaloi tek familja e pasur Clopton pas vdekjes së Elizabeth dhe u shkatërrua në vitin 1702.
“Është një zbulim me shumë fat,” tha Gosling. “Rasti i kancelarisë dihej nga disa studiues të Shekspirit dhe përmendet në disa histori të Shekspirit, por gjithmonë duke iu referuar zbulimit të testamentit në shekullin XIX.”
Tani dokumenti origjinal është regjistruar, kataloguar dhe i hapur për publikun për herë të parë pas më shumë se një shekulli.
Susanna Tammaro- Në vitin 1958, Hannah Arendt, në prologun e Vita activa, dëshmon me njëfarë habie reagimet që shkaktoi lansimi i Sputnikut, sateliti i parë artificial që u dërgua me sukses në orbitë një vit më parë dhe që u përshëndet nga bota si “hapi i parë i çlirimit të njerëzve nga burgu tokësor”.
Arendt vë në dukje se, megjithëse të krishterët e kishin përshkruar tokën si një luginë lotësh, dhe disa filozofë kishin arritur ta konsideronin trupin si një burg për shpirtin, deri atëherë askush nuk e kishte konceptuar tokën si një burg. “Ne kemi hequr dorë nga Zoti, që ishte një At qiellor dhe, si baba, dialogonte me nënën Tokë”, shkruan Arendt me një vizion profetik, duke shtuar se “vetë dëshira për t’u arratisur nga burgu tokësor shfaqet në përpjekjen për të krijuar jetë në një provë për të prodhuar qenie njerëzore më të përparuara”.
Në këto shtatëdhjetë vjet, qielli është bërë tashmë një autostradë satelitësh ku mbi kokat tona rrotullohen më shumë se 7 mijë satelitë, përfshirë edhe ato që janë shndërruar në mbeturina hapësinore, aq shumë sa që, në netët e Shën Lorencit, bëhet e vështirë të dallosh yjet që bien nga rrëmujat e shenjave artificiale.
Hannah Arendt
Çfarë do të thotë, për natyrën tonë njerëzore, një qiell plot me artefakte? Manjetika e lashtë e qiellit ka qenë gjithmonë të shkaktojë frikë, habi dhe pyetje që lindin nga këto ndjenja. Dhe pyetjet e njerëzve, që nga kohët e lashta, janë gjithmonë të njëjta: “Çfarë kuptimi ka e gjithë kjo pafundësi misterioze?”, “Dhe ditët e mia, çfarë kuptimi kanë?”. Kujtojmë vargjet e mrekullueshme të Leopardi-t në Këndimin natën e një bariut endacak në Azi:
“Çfarë bën ti, hënë, në qiell? Më thuaj, çfarë bën,
Hënë e heshtur?
Ngrihesh në mbrëmje, dhe shkon,
Duke vëzhguar shkretëtirat; pastaj pushon.
Ende nuk je ngopur
Me përsëritjen e shtegut të përjetshëm?”
Kafshët, edhe pse kanë një inteligjencë që po zbulojmë çdo ditë e më komplekse, nuk do të ishin kurrë në gjendje të bënin pyetje sepse jetojnë në vetëdijen e çastit dhe të gjitha pyetjet e tyre lidhen vetëm me mbijetesën dhe me atë që do të ndodhë së shpejti.
Fjala është ajo që na bën njerëz, dhe fjala ekziston pikërisht për t’u pyetur. Tani që fjala është zëvendësuar nga imazhet dhe kur ekziston, përmban vetëm përgjigje për pyetje të parëndësishme, ndoshta është koha të reflektojmë se sa kjo ka ndikuar në krizën shumë të thellë, kryesisht arsimore, të shoqërisë sonë perëndimore të bollshme.
Civilizimet mund të mbarojnë për shkak të luftërave, pushtimeve, krizave ekonomike dhe degradimit të zakoneve, por mund të mbarojnë edhe në mënyrë banale, siç po ndodh sot, nga një tepricë komoditeti.
Në vitet ’90 nuk ishte e nevojshme të ishe profet për të parashikuar katastrofën që po afrohej; mjaftonte të ishe një person me sy kritik që dinte të vëzhgonte realitetin. Që në 1995, në librin tim “Unë rrethi magjik”, kam parashikuar ardhjen e një “ujku” që, përmes dominimit të ekranëve televizivë, i trulloste fëmijët, duke i bërë të nënshtruar ndaj motit të tij: Një botë e pastër dhe e bindur, bark i plotë dhe mendje bosh.
Interneti ende nuk ishte i përhapur dhe shfaqeshin telefonat e mëdhenj fillestarë. Përshpejtimi i çmendur i tridhjetë viteve të fundit arriti të përmbushë planin e këtij ujku: varësi, shpërqendrim, manipulim, pasivitet, shoqëruar me mungesën totale të mendimit kritik. Numri shqetësues i Neet-ve , të rinjve që nuk studiojnë dhe nuk punojnë në vendin tonë, pasohet nga Rumania, që flet për përhapjen e apatisë depresive dhe shkatërruese që ka përthithur gjeneratat më të reja. Burgu i botës është shndërruar në burgun e dhomës, ku përmes hiper-lidhjes, të rinjtë krijojnë realitetin e tyre të një lirie artificiale.
E di mirë që nuk mund të përgjithësojmë. Ka shumë të rinj të shkëlqyer, plot energji dhe kurajo, por kur ndalon të bisedosh me ta, kupton shpejt se ata kanë pasur fatin të takojnë një të rritur, prind, mësues, profesor, mik, që i ka parë dhe i ka udhëhequr, duke u kujdesur me autoritet dhe vëmendje. Në këta të rinj, frustrimi kryesor është pikërisht të mos merren seriozisht, të ndjekin shkolla dhe fakultete që u lejojnë të ecin me motorët në ngadalësim dhe të përballen me një treg pune që nga fillimi është i poshtër, i shënuar nga punësimi i përkohshëm dhe stazhet falas, që i detyron të qëndrojnë në familje deri pas të tridhjetave apo të emigrojnë.
Në librin tim të vitit 2019, flisja për fëmijët-barishte. Ata janë ata që lehtësohen të rriten “si t’u vijë”, duke u besuar mençurisë së tyre të lindur. Fati i tyre, rritur me të prindër që i adhurojnë, pa rregulla, pa sfida, pa disfata dhe pa asnjë rezistencë ndaj stresit, edhe me tabletën në dorë që në lindje , është të përthithen nga virtualiteti.
Toka është vërtetë burgu për të cilin fliste Hannah Arendt, por ky është projekti i burgut tonë të brendshëm që na shikon të shtypur midis një qielli të zymtë dhe të heshtur dhe një toke armike që po rebelon ndaj arrogancës sonë. Të gjitha kulturat njerëzore, që nga lashtësia, kanë njohur Qiellin si At, Tokën si Nënë, dhe plotësinë e jetës si një dialog të vazhdueshëm mes nesh dhe këtyre dy realiteteve.
Ndjenjat e pafuqisë që dominojnë kohën tonë, përhapja e vizioneve katastrofike, nga të cilat ndihemi përgjegjës vetëm ne, na ndan nga kuptimi i jetës. Nihilizmi i errët dhe kokëfortë që mbizotëron sot na paraqet vetëm frustrimin e dështimit. Bota është asgjë, dhe ne jemi asgjë që endemi në një botë pa kuptim. Jemi bërë të verbër dhe të shurdhër ndaj këngës së madhe të jetës. Por kuptimi i jetës është gjithmonë aty, përpara syve tanë. Çdo mëngjes lind dielli dhe ajo forcë drite jep tonin për simfoninë e madhe të gjallesave. Ne jemi zhytur në këtë rrjedhë, të pezulluar përgjithmonë midis dritës dhe hijeve, midis lindjes dhe vdekjes, midis qiellit dhe tokës, midis zgjedhjes së errësirës ose përfshirjes në vitalitetin e ndritshëm që krijon gjithçka rreth nesh.
Ky kuptim nuk është tjetër veçse ajo dritë mistike që shfaqet në shikimin e fëmijëve kur lindin. Drita e habisë, drita e pafajësisë. Jo vetëm tek fëmijët, por edhe tek të vegjlit e çdo specieje dhe zogjtë që sapo dalin nga folja, duke parë rreth me çudinë e tyre.
Na duhet të kthehemi të flasim për të mirën, pra të mirën e etikës dhe jo për mirën e ngatërruar të moralistëve. Thelbi i etikës njerëzore ka qenë gjithmonë ai i Dekalogut: “Të kam vendosur para jetës dhe vdekjes. Zgjidh jetën”. Nëse ndihemi të burgosur, kjo ndjenjë shtypjeje lind nga zgjedhja e bërë prej shumë kohësh të vdekjes, nga etiketimi për një kohë shumë të gjatë si të mira, atyre gjërave që në fakt janë të këqija. Planeti ynë po kalon një krizë shumë të rëndë. Luftërat shpërthejnë si zjarre të nxitura nga era, çdo ditë dhjetëra mijëra të pafajshëm sakrifikohen në altarin e delirëve demonikë të pushtetit dhe parasë, tashmë të pakontrollueshëm.
Megjithatë, është vetë historia e tragjedive të kaluara që na tregon mundësitë e jashtëzakonshme të njeriut. Mendoj për Takashi Paolo Nagai, mjekun që mbijetoi nga bomba atomike në Nagasaki dhe humbjen e gruas së tij , e djegur e gjallë në atë flakë të tmerrshme, që jetoi për vite me sëmundjet si pasojë e bombës atomikës në një kasolle prej druri prej katër metra katrorësh, duke dëshmuar vazhdimisht zgjedhjen e dashurisë si rruga e vetme e shpëtimit.
Mendoj për Viktor Frankl, psikiatrin që mbijetoi Auschwitz-in dhe që në librin e tij të domosdoshëm “Në kërkim të kuptimit ” i ndan njerëzit në dy kategori të vetme: të mirët dhe të tjerët. Njerëzit e mirë, thotë ai, dallohen sepse kanë mbetur anständig, domethënë të drejtë dhe të besueshëm në dinjitetin e tyre njerëzor.
Viktor Frankl
Në librin e tij, ai tregon për takimin me një grua të re në prag të vdekjes. “Jam mirënjohëse ndaj fatit që më goditi kaq rëndë”, i kishte pëshpëritur gjatë një vizite, “sepse në jetën time të mëparshme isha shumë e shfrenuar dhe nuk kisha asnjë ambicie shpirtërore” .
Në ditët e fundit, tregonte mjeku, ajo dukej si e transformuar. “Kjo pemë” i kishte thënë duke treguar një kalldrëm të lulezuar përtej dritares së infermierisë, “është shoqja ime e vetme në momentet e vetmisë, me të flas shpesh”.
I tronditur nga këto fjalë dhe i bindur se po fliste në delirim, Frankl e pyeti nëse pema i ishte përgjigjur. “Po”, ishte përgjigjur , ajo thotë : “Unë jam këtu. Unë jam jeta. Jeta e përtejme” .
Nga Rachel Monroe – Në Filadelfia, brenda një ndërtese të stilit neogrek, ndodhet një nga institucionet më të veçanta dhe të debatueshme të historisë mjekësore: Muzeu Mütter. Prej themelimit të tij në shekullin XIX nga Kolegjiumi i Mjekëve të Filadelfias, ky muze është bërë i njohur për koleksionin e tij të jashtëzakonshëm të relikeve anatomike, përfshirë kafka, organe të konservuara, skelete me sëmundje të rralla dhe instrumente kirurgjikale historike.
Nuk është një vend për zemrat e ndjeshme, por një hapësirë që ka provokuar mendimin dhe ka sfiduar tabutë për më shumë se një shekull.
Megjithatë, së fundmi muzeu ka hyrë në një periudhë krize. Vitrinat janë zbrazur, ekspozitat janë mbyllur, dhe shumë nga materialet që përbënin thelbin e muzeut janë hequr nga publiku. Kjo ka ndodhur si pasojë e një riorientimi institucional të ndërmarrë nga drejtuesit e rinj të Kolegjiumit, nën drejtimin e presidentes Mira Irons.
Ajo vendosi të pezullonte një pjesë të madhe të ekspozitës për të rishikuar në mënyrë etike mënyrën se si ishin mbledhur, përpunuar dhe shfaqur mbetjet njerëzore, sidomos ato për të cilat mungonte një dokumentim i qartë i pëlqimit.
Ky vendim ka ngjallur një reagim të madh nga komuniteti shkencor, nga punonjësit e mëparshëm të muzeut, por edhe nga publiku i gjerë. Dhjetëra mijëra njerëz kanë firmosur një peticion për të “shpëtuar Mütter-in”, ndërsa shumë studiues kanë kritikuar mbylljen e një hapësire që nuk ishte thjesht muze, por një vend reflektimi mbi trupin, vdekjen dhe të papërshkrueshmen.
Ata e konsiderojnë këtë një shembull të një qasjeje të re që, në përpjekje për të qenë etikisht e ndjeshme, rrezikon të fshijë historinë dhe të zhbëjë mundësinë për të mësuar nga të shkuarat e vështira.
Nga ana tjetër, drejtuesit e Kolegjiumit e mbrojnë këtë lëvizje si një nevojë për të rivlerësuar raportin mes shkencës, publikut dhe respektit për individin. Në thelb të debatit qëndron një pyetje e vjetër: a mund të tregojmë historinë e trupit njerëzor pa rënë në shfrytëzim apo spektakël? Dhe, nëse po, si ta bëjmë këtë në mënyrë që të ruajmë integritetin, por edhe të mos heqim dorë nga e vërteta?
Mütter ka qenë një eksperiment i rrallë në këtë drejtim. Një vend ku turpi i trupit, ndjeshmëria ndaj vdekjes dhe kureshtja për të panjohurën bashkëjetonin.
Sot, me muret e zbrazëta dhe heshtjen që ka zëvendësuar pyetjet, shumë e shohin këtë si fundin e një epoke. Të tjerë, si një mundësi për ta rindërtuar muzeun mbi baza më të qëndrueshme etike.
Çfarëdo të ndodhë, kriza e Mütter-it është simptomë e një debati më të madh që po zhvillohet në shumë institucione kulturore në SHBA dhe më gjerë: si të tregojmë historinë e njeriut pa e zhveshur atë nga dinjiteti? Dhe a mundet vetë muzeu të mbetet një vend i gjallë mendimi, kur heshtja fillon të zë vendin e tij?
Nga Jack Butler – Në romanin Fundi i Fëmijërisë (Childhood’s End) të Arthur C. Clarke, botuar në vitin 1953, alienë dashamirës mbërrijnë në Tokë, ndajnë teknologjinë e tyre me njerëzimin dhe e udhëheqin atë drejt një epoke të artë. Por, siç ndodh shpesh në fantashkencë, qëllimi i tyre i vërtetë i fshehur është ta drejtojnë racën njerëzore drejt bashkimit me “Mbimendjen” (Overmind) një vetëdije kolektive që përfshin gjithë universin. Ky është hapi i ardhshëm në evolucionin tonë dhe, në të njëjtën kohë, fundi i fëmijërisë sonë si specie.
Ky transformim nis me fëmijët që lindin në epokën e re të përuruar nga alienët. Ata shfaqin fuqi psikike të pakuptueshme për prindërit e tyre. Në fakt, këto janë shenja të hershme të Mbimendjes, të cilës ata shërbejnë si enë. Kështu, ata lënë pas prindërit, njerëzimin dhe në fund vetë planetin.
Sigurisht, asgjë e ngjashme nuk po ndodh me fëmijët që rriten sot, të paktën sa dimë ne. Por ndryshimet e jetës amerikane që nga koha e fëmijërisë sime më bëjnë të mendoj se fëmijëria, ashtu siç e kemi njohur dhe përjetuar për dekada, madje edhe për shekuj, po zhduket. Dhe pasojat mund të jenë të rënda jo vetëm për fëmijët, por për të gjithë ne.
Kam qenë me fat që e përjetova një fëmijëri që, përveç disa detajeve të sipërfaqshme, nuk ndryshonte shumë nga ajo e brezave të mëparshëm, madje as nga ajo e prindërve të mi. Verërat kishin njëfarë strukture, sporte, detyra shtëpie, pushime familjare por koha në mes ishte kryesisht në dorën time. Shumicën e saj e kaloja në aventura të lagjes: me biçikleta apo në ndjekje të një qëllimi që vetëm ne e kuptonim; hapnim shtigje në pyll dhe ndërtonim fortesa. Në mbrëmje luanim “kap flamurin” apo pjeknim marshmallow mbi zjarr. Edhe muajt e vitit jashtë verës nuk ishin më pak të gjallë: sa më shumë kohë të lirë kishim, aq më shumë lojë të papërcaktuar jashtë përjetonim.
Ky stil jete ekziston ende në disa pjesë të Amerikës moderne, por është gjithnjë e më i rrallë. Në vitet ’90, kur isha fëmijë, rreth 20 milionë fëmijë të moshës 7 deri në 17 vjeç ngisnin biçikletën të paktën gjashtë herë në vit. Sot, ky numër është përgjysmuar. Fëmijët që luajnë jashtë shpesh shkaktojnë shqetësim, dyshim apo edhe ndërhyrje ligjore. Janë shumë të zhurmshëm. Dhe për më tepër: ku janë prindërit e tyre? Presioni social i ka shtyrë fëmijët gjithnjë e më herët drejt një karriere meritokratike, ku gjithçka e konsideruar “e kotë” si loja jashtë shihet me përçmim. Sepse, në fund të fundit, çfarë vlere ka kjo për një CV?
Jeta përpara ekranit dhe telefonit po i largon fëmijët jo vetëm nga natyra dhe nga loja, por edhe nga njëri-tjetri. Teknologjia ishte duke hyrë gradualisht edhe në fëmijërinë time (shpesh kalonim nga loja jashtë te sesionet me PlayStation 2, zakonisht me shokë), por isha me fat që kur doli iPhone-i, unë isha gati për gjimnaz.
Është e lehtë të biesh në nostalgji për fëmijërinë tënde. Dhe gjithashtu është e lehtë të harrosh se ndryshimi është i pandalshëm dhe jo gjithmonë për keq. Paraardhësit e mi do të habiteshin që fëmijëria ime kishte kaq pak punë ferme.
Por disa nga prirjet e sotme janë vërtet shqetësuese. Po rriten breza të rinj që nuk dinë të mendojnë apo të veprojnë në mënyrë të pavarur. Që kanë nevojë për udhëzim dhe stimul të vazhdueshëm nga jashtë. Që njohin vetëm një botë ku çdo përgjigje mund të gjendet menjëherë përmes një ekrani. Që i shmangen përplasjes së papritur, përvojës së drejtpërdrejtë, realitetit të vërtetë. Që besojnë se marrëdhëniet e bazuara vetëm në aplikacione mund të zëvendësojnë lidhjet e jetës reale. Dëshmitë po shtohen se këta të rinj janë gjithnjë e më të paaftë për detyra bazike, si drejtimi i makinës (që shumë prej tyre as nuk e dëshirojnë) apo edhe leximi. E gjithë kjo po shpie në sëmundje të mosveprimit atë që Yuval Levin e quajti “patologjitë e pasivitetit.”
Prandaj, kjo luftë moderne kundër fëmijërisë duhet të na frymëzojë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur apo rikthyer thelbin e saj. Të lejojmë madje, kur duhet, të detyrojmë fëmijët të luajnë jashtë. Të kufizojmë kohën që kalojnë para pajisjeve. Dhe, më e rëndësishmja, të mos i dorëzohemi vetë versioneve për të rritur të po këtyre sjelljeve që po dëmtojnë fëmijët tanë. Nuk duhet të lejojmë që ekranet të na shkëpusin nga bota reale, apo që marrëdhëniet dixhitale të zëvendësojnë ato të vërtetat në vend që thjesht t’i plotësojnë.
Në Fundi i Fëmijërisë, zhdukja e racës njerëzore ndodh me një ndjenjë të trishtë por të pashmangshme, që ndonëse sjell humbje, shihet si përmbushja e fatit të saj. Por ne nuk jemi të destinuar të largohemi nga realiteti dhe nga njëri-tjetri. Megjithatë, gjithnjë e më shumë fëmijë po bëjnë pikërisht këtë. Nëse nuk përballemi me forcat që po i japin fund fëmijërisë, pasojat nuk do i ndjejmë vetëm tek fëmijët. Sepse, edhe pse ndoshta nuk e besojmë, ata fëmijë dikur do të bëhen të rritur.
Nga Michel Setboun– Qëkur ekziston njeriu, ai rrëfen. Gjithmonë. Kudo. Fillimisht me një vijë qymyri mbi shkëmb. Një dorë e spërkatur mbi një faqe shpelle. Më pas me fjalë, një këngë, një britmë. Më vonë, shkrimi. Pastaj fotografia, kinemaja, serialet, rrjetet sociale.
Çdo epokë shton një shtresë. Një formë të re. Por fiksimi mbetet po ai: të rrëfejë. Të vetërrëfehet. Të trashëgojë. Mund të jetohet pa avion, pa energji elektrike, pa telefon. Por jo pa histori.
Gjithçka që e quajmë përparim (motorë, algoritme, raketa) ekziston për të na çuar më shpejt, më larg, më lart. Por në fund të fundit, nuk mbetet gjë tjetër: burra e gra që hanë, flenë, bëjnë dashuri, marrin frymë. Dhe shpikin rrëfime për të qëndruar në këmbë. Histori për të mbijetuar përballë zbrazëtisë.
Unë jetoj brenda kësaj gjithmonë. Është materiali im. Është ajo që kam fotografuar. Ajo që kam ndjekur, shkruar, grumbulluar.
Michel Setboun
Copa njerëzimi të kapura brenda historive. I kam parë kudo. Në sytë e një luftëtari. Në ecjen e një gruaje. Në heshtjen e një fshati. Në një grafit. Në një rrënojë.
Në gojën e një fëmije që përsërit çfarë i kanë ngjizur në kokë, në një medrese, në një kishë, në një sinagogë dhe që përfundon duke vrarë të ngjashmin e tij në emër të një Zoti, atij të njëjtit apo një tjetri, nuk dihet.
Më kanë thënë se jam francez. Republikan. Trashëgimtar i Iluminizmit. Nga një vend i të drejtave, i drejtësisë, i kulturës. Pastaj shikova përreth. Pashë ndarjen. Të harruarit. Të vdekurit pa kujtesë. Rrëfimet që ishin fshirë. Kuptova se kishte versione të tjera. Histori të tjera që duhej gërmuar.
Foto: Michel Setboun
Atëherë u nisa. Larg. Pashë popuj të tjerë, të vërteta të tjera. Në Afganistan, pashë burra që vdisnin për të mbrojtur një tokë që askush s’e kishte vizituar ndonjëherë me të vërtetë. Flisnin për nderin, për gjakun, për Zotin.
Por s’ishte veç një tjetër histori. Një që ua kishin përcjellë, ua kishin përsëritur, ua kishin ngulitur në kokë që në fëmijëri.
Në Izrael, hebrenjtë luftojnë për një premtim të bërë në një libër të lashtë. Një tokë, një popull, një kthim. Është një rrëfim i shenjtë. I paprekshëm. I pakundërshtueshëm.
Foto: Michel Setboun
Përballë, palestinezët kanë të tyren. Një version tjetër. Një plagë tjetër. Një kujtesë tjetër. Dy rrëfime të papajtueshme. Dy të vërteta absolute. Dhe kjo vret.
Në Rusi, Putini shpalos historinë e një perandorie. Një shpirti. Një uniteti. Një ortodoksie për t’u mbrojtur. Në Ukrainë flitet për sovranitet, identitet, për një popull që ngrihet.
Dy histori moderne, në luftë të hapur. Të dyja e tërheqin zanafillën nga shekuj me rrëfime të grumbulluara, të trashëguara, të zbukuruara, të falsifikuara.
Edhe Shtetet e Bashkuara, aq racionale, kanë mitet e veta. Ëndrra amerikane. Fati i paracaktuar. Pionierët. Njeriu që ia del vetë.
Hollyëood-i i vuri të gjitha këto në imazhe. Kauboji. Heroin e vetmuar. Shpëtimtari i bardhë. Askush nuk i beson me të vërtetë, por të gjithë bëjnë sikur. Sepse pa këto, s’mbetet asgjë.
Afrikanët, nga ana tjetër, janë përpjekur të mbledhin copat pas shkatërrimit kolonial. U janë rrëmbyer historitë. Prandaj po i rikrijojnë. Me gojë, me këngë, me valle. Po përpiqen të rikthejnë kuptimin atje ku kanë mbetur vetëm plagë. Të rimarrin në zotërim rrëfimin.
Foto: Michel Setboun
Edhe popujt që quhen “pa histori” kanë një. Tuaregët. Gitanët. Popujt pa arkiva. Jetojnë me histori të treguara pranë zjarrit, në shikime, në ritme. Aty kalojnë rrëfimet. Jo në muze.
Dhe pastaj është dashuria. Kjo fjalë ku hyn gjithçka, ky shpërthim i brendshëm, ky trillim absolut. Sepse edhe kjo është një histori. Një histori dashurie. Fillon me një rastësi. Një takim. Një dridhje. Flasim. Projektojmë. Imagjinojmë. Dhe shumë shpejt, ndërtojmë një rrëfim me dy zëra. Një mit të përbashkët. Me një para, një pas, një kolonë zanore, me replika, me skena kyçe. Dhe kur mbaron, e ribëjmë filmin. Rishkruajmë fundin. Presim copa. Mbajmë çfarë na leverdis.
Dashuria është trillimi më i qëndrueshëm i njeriut. Ai ku kthehemi gjithmonë, pavarësisht provave, lodhjes. Sepse duam të besojmë. Sepse ajo i jep kuptim gjithçkaje. Sepse na shpëton. Dhe sepse pa dashuri domethënë pa rrëfim jeta jonë nuk vlen aq.
Sot, po rilexoj fletoret e mia. Po shikoj imazhet e mia. Po përpiqem të kuptoj çfarë kam parë me të vërtetë. Çfarë kam treguar. Çfarë kam besuar. Çfarë kam shpikur. Kam fotografuar trupa, gjeste, situata. Por ajo që kërkoja, ishte historia pas tyre. E padukshmja. Ajo që nuk thuhet. Ajo që mbahet për vete.
Kam gënjyer ndonjëherë. Nga lodhja, nga frika, nga strategjia. Kam rregulluar. Kam prerë. Si të gjithë. Sepse nuk mund të thuash gjithçka. Sepse do të pëlqehesh. Sepse do të mbijetosh. Sepse do të besosh që je në anën e duhur.
Foto: Michel Setboun
Por sot dua të shkruaj ndryshe. Në vetën e parë. Sepse nuk mund të fshihem më pas neutralitetit. Sepse edhe unë jam një trillim. Një sërë historish të grumbulluara. Qeliza, familje, vend, epokë, profesion, takime. E gjitha kjo formon një rrëfim. Të brishtë. Të ndryshueshëm. Por të gjallë.
Dhe një gjë e di me siguri: nëse një ditë ma rrëmbejnë të gjitha historitë, bie. Bëhem thjesht një trup që ha, fle, merr frymë. Një trup bosh. Një trup pa histori.
Prandaj, vazhdoj të shkruaj. Të tregoj. Jo për të shkëlqyer por vetëm për të qëndruar në këmbë.
Shenim: Michel Setboun është fotograf francez, i cili ka punuar për revista të njohura ndërkombëtare, si : “Geo”, “Figaro Magazine”, “New York Times”, “Life”, “Paris Match”, “Stern”. Filloi të punojë si fotograf në vitin 1978 duke mbuluar konflikte ndërkombëtare për agjencinë SIPA, si Revolucionin në Iran, Luftën për Pavarësi në Angola, Afganistan, Luftën Iran-Irak dhe me vone luftën civile në Liban. Ndersa në periudhën kohore 1985-1991, ai mbulon reportazhet per Korenë e Jugut, Shqipërine, Mongolinë dhe Rion për agjencinë RAPHO. Që nga viti 1991 punon si fotograf i pavarur. Ka udhëtuar në më shumë se 130 vende. Ka marë çmimin e parë në World Press për reportazhin e tij për dy milionë refugjatët e dëbuar në Nigeri. Setboun është gjithashtu autor i librave të shumtë.
Nga Gazeta “SI”– “Në shtëpi askush nuk mendonte se ai mund të bëhej një shkrimtar i madh. Të gjithë mendonin se për të shkrimi ishte një mënyrë për të çliruar ndjenjat, një mënyrë për të kaluar kohën duke u argëtuar”. Kështu flet mbesa e Franz Kafkës në një video të vitit 1963.
Jeta e Franz Kafkës nis në zemër të Pragës së vjetër. Prapa kishës së Shën Nikollës, ndodhej një shtëpi e bukur dhe e rehatshme. Në katin e parë, në vitin 1883, lind një fëmijë i dobët dhe i sëmurë.
I ati ishte një tregtar i pasur, ndërsa nëna një grua e butë dhe e dashur. Franz ishte djali më i vogël i një familjeje të madhe. Ai ishte një vogëlush i kujdesshëm, i pastër dhe i mbikëqyrur nga nëna dhe motrat. Franz kishte tre motra: Elli, Valli dhe Ottla. Por njëra prej tyre, Ottla, e donte më shumë se të tjerat.
Sot në Pragë jeton vetëm një e afërme e Franz Kafkës, e bija e Ottlas, Vera Saudkova. Në banesën e saj janë gjetur të gjitha ato gjëra që kanë mbetur nga Kafka: një makinë shkrimi dhe një fletore e mbushur me shënime dhe kaligrafi të pastër.
Vera Saudkova
Mbesa e tij lexon hyrjen e tregimit që më pas do të kthehej në një nga novelat më të famshme të historisë së letërsisë, “Metamorfoza”. Ky në fakt është i vetmi dorëshkrim që gjendet në Pragë nga Kafka.
“Nuk ka shumë gjëra që mund t’ju tregoj,” thotë mbesa e Kafkës, Saudkova.
“Përjashto nënën dhe babain e Kafkës që vdiqën pak kohë më parë, pjesa tjetër e familjes, përfshirë 49 persona, u zhduk gjatë luftës në dhomat me gaz. Kanë mbetur vetëm fotografitë dhe ato gjëra që unë dhe motra ime kujtojmë,” thotë Saudkova ndërkohë që në duar mban fletoren e shënimeve të Kafkës.
Ajo nis sërish të flasë për dajën e saj, duke rrëfyer copëza kujtimesh të ruajtura në memorie.
Dorëshkrimi i “Metamorfoza”
“Mamaja më thoshte se askush në familjen tonë nuk e mendonte se një ditë Franz do të bëhej një shkrimtar i madh. Të gjithë mendonin se shkrimi për të ishte një mënyrë për t’u çliruar ose për të kaluar kohën në një mënyrë argëtuese, por nuk besohej se ajo që kishte shkruar do të botohej dhe se ai do të fitonte famë botërore. Kam ruajtur të gjitha letrat që Kafka i shkruante mamasë sime”
Ajo nxjerr një kartolinë nga sirtari dhe mendon se do të ishte interesante të lexohej për të kuptuar shpirtin e shkrimtarit.
“E dashur Ottla, sonte në mesnatën e datës 31, jam zgjuar në orën 5, dhe dëgjova se para dhomës sime të fjetjes ti thërrisje Franz. Ti më thërrisje me gjysmë zëri, por unë të dëgjova shumë mirë. T’u përgjigja menjëherë, por ti nuk fole më . Çfarë po kërkoje? I yti, Franc.”
Sa i përket marrëdhënies me të atin, ajo thotë se janë shkruar shumë gjëra për raportin mes tyre, shpesh pa e njohur historinë.
“Për të kuptuar marrëdhënien mes tyre është e nevojshme të shihet brenda familjes, dhe jo jashtë saj. Kafka ishte djalë i vetëm i një familjeje hebreje. Kishte vetëm tre motra më të vogla se vetja. Duke qenë djalë i vetëm, ai adhurohej nga prindërit gati si të ishte një Zot.
Nga ajo që mbaj mend unë, i ati e donte shumë. Nëse kishte pak mosmarrëveshje apo zënka mes tyre, ishte për faktin se i ati e donte të ishte aktiv për të mos e lënë të kalonte ditën mes librave, letërsisë dhe poezive, gjëra që atij i dukeshin të kota. Kafka ndërkohë ishte karakter i dobët, preferonte të kalonte ditën në shtëpi duke lexuar.
Vera Saudkova në dokumentarin për Kafkën
Nuk e ndihmonte të atin në dyqan dhe nuk preokupohej për të ardhmen. I ati kishte dashur një burrë në që të ishte i zoti në biznes. Kjo ishte arsyeja që ata nuk shkonin shumë mirë. Por që të ketë pasur urrejtje mes tyre, këtë nuk e besoj. Edhe nëse Kafka e ka thënë, unë sërish nuk e besoj,” thotë Saudkova.
Kafka botoi shumë pak nga krijimtaria e tij sa ishte gjallë ndërsa i dha porosi shokut të tij Max Brod që pas vdekjes së tij, të digjte doreshkrimet e pabotuara, porosi e cila nuk u zbatua nga Brod i cili ia botoi pas vdekjes kryeveprat si Procesi më 1925, Kështjella më 1926 dhe Amerika 1927, duke e bërë kështu Kafkën një nga shkrimtarët më brilant në historinë e letërsisë botërore.