Normal view

“Mbështesim investimin e huaj në Zvërnec, është tokë private”, Berisha: Sazanin e kam ofruar unë dhe Nano, hipokritët derdhin lot krokodili

3 June 2026 at 14:25


Sali Berisha para gazetarëve ka deklaruar sot se ka qenë dhe është dakord që në Zvërnec të investohet.

Ai tha se edhe para tre vitesh kur u njoftua se Jared Kushner do të investonte në vendin tonë, ai ka thënë ‘po’ sepse sipas tij, investitorët kishin paratë.

“Para tre vitesh, kur u tha se do vinte dhëndri i ish-presidentit Trump në atë kohë, unë kam thënë po.

Reagimi im ndaj këtij lajmi ka qenë ky, plotësisht dakord. Sepse i ka paratë. Thuhej që fondi saudit janë fondet publike të investimeve, është fond trilionësh dhe natyrisht paratë ishin. Arsyeja bazë pse kam thënë po ka qenë kjo dhe e kam lidhur me paratë.

Me këtë unë nuk kisha dyshim se Rama po blinte influencë politike, por përsëri për mua interesi i vendit dilte mbi këtë. Investimi në Zvërnec është marrëdhënie private. Sa i përket atyre që qajnë për ishullin, janë hipokritë sepse Sazanin, në mënyrë absolute, ua kemi ofruar investitorëve edhe unë edhe Nano dhe nuk është investim i thjeshtë.

Asgjë nuk prishet aty, o miq, Çudia e Sazanit është kjo… është ajo bimësi e mrekullueshme në një ishull pa ujë. Bimësia do ruhet, pra Sazani është tokë publike. Zvërneci është tokë private në tërësinë e saj. Është e banueshme, dakord, tani ne mbështetëm investimin e huaj”, tha Berisha.

Lidhur me ndërtimin në një zonë të mbrojtur, Berisha tha se kjo ndodh kudo dhe se BE e ka përcaktuar me kritere. Po ashtu tha se Thethi dhe Valbona janë ndërtime në park kombëtar, e se kjo nuk dëmton por zhvillon zonën.

“Mund të zhvillohen ndërtime në zona të mbrojtura, BE ka përcaktuar standardet sesi zhvillohet zona e peizazhit. Në katër shkallë kalon. Doktrina nuk e përjashton. Atëherë mbetet të ndërtojmë vetëm në shkrepa dhe përroje. Por ne duhet t’i zhvillojmë në përshtatje të plotë me peizazhin. Thethi dhe Valbona janë në parqe kombëtare të dyja”, tha ai. /Tch/

Rama reagon sërish pas protestës për Zvërnecin: Shqipëria do bëhet, pavarësisht zhurmës së kundërshtarëve

3 June 2026 at 08:37


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestën e zhvilluar kundër projektit në Zvërnec, duke deklaruar se Shqipëria do të ecë përpara me projektet e saj pavarësisht kundërshtimeve.

Në një mesazh të publikuar në Facebook, Rama e cilësoi postimin e tij si një “video-kartolinë të pazakonshme nga Shqipëria e shqiptarëve”, ndërsa theksoi se qeveria do të vijojë zbatimin e programit për të cilin, sipas tij, ka marrë mandatin nga qytetarët.

‘MIRËMËNGJES, dhe me ndjesën për këtë video-kartolinë të pazakonshme nga “Shqipëria e shqiptarëve”, e duke i siguruar të gjithë se Shqipëria do bëhet sipas kontratës që kemi lidhur për herën e katërt në majin e shkuar me 83 vota, pavarësisht se ça thonë e ça duan këta shqiptarët që e dinë Shqipërinë pengun e verbërisë së tyre dhe atdhedashurinë podium për të sharë me libër shtëpie tradhëtarët e armiqtë imagjinarë Shqipërisë, ju uroj një ditë të mbarë me një përqafim të veçantë për ata të mitë që kanë mbetur akoma peng i një proteste të cilës i ka humbur çdo arsye reale e nisjes’, shkroi Rama. /Telegrafi/



Policia turke sulmoi selinë kryesore të opozitës me gaz lotsjellës

24 May 2026 at 18:52


Policia turke qëlloi gaz lotsjellës dhe hyri me forcë në selinë e partisë kryesore opozitare për të dëbuar udhëheqjen e saj të rrëzuar të dielën, duke nxitur një krizë në zemër të demokracisë së Turqisë.

Re gazi lotsjellës u përhapën brenda ndërtesës së Partisë Republikane Popullore (CHP), ndërsa ata që ishin brenda bërtisnin dhe hidhnin objekte në hyrje ndërsa policia thyente një barrikadë të improvizuar. Nuk pati raportime për të lënduar gjatë ndërhyrjes, transmeton Telegrafi.

Një gjykatë turke rrëzoi kreun e CHP-së, Ozgur Ozel, të enjten, duke anuluar rezultatet e kongresit të CHP-së ku ai u zgjodh në vitin 2023, duke përmendur parregullsi. Të dielën, guvernatori i Ankarasë urdhëroi dëbimin e atyre që ishin brenda selisë.

Gjykata rivendosi në vend të Ozel ish-kryetarin e CHP-së, Kemal Kilicdaroglu, i cili humbi ndaj presidentit Tayyip Erdogan në zgjedhjet kombëtare atë vit, transmeton Telegrafi.

Analistët kanë thënë se e shohin vendimin e gjykatës si një provë të ekuilibrit midis demokracisë dhe autokracisë për Turqinë, anëtare të NATO-s, dhe se kjo mund të zgjasë sundimin 23-vjeçar të Erdoganit.

Tregjet financiare ranë të enjten, ndërsa investitorët u shqetësuan për rënien demokratike, përpara se të rimëkëmbeshin të premten.

"Jemi nën sulm", tha Ozel në një mesazh video të ndarë në X ndërsa forcat e sigurisë hynë, përpara se të dilte nga ndërtesa pas ndërhyrjes së policisë, duke u zotuar se CHP-ja do të jetë që tani e tutje "në rrugë, në sheshe, duke marshuar drejt pushtetit".

Më pas ai udhëhoqi mbështetësit në një marshim drejt parlamentit turk 6 km larg, ku mbajti një fjalim para mijëra njerëzve, të cilët brohoritën "tradhtar Kemal", "bir i pallatit, Kilicdaroglu" dhe "krah për krah kundër fashistëve".

"Derisa kjo luftë ta çlirojë partinë nga pushtimi, selia jonë është këtu", i tha Ozel turmës përpara se të hynte në kuvend. Ligjvënësit e CHP-së të shtunën e zgjodhën atë si udhëheqës të grupit parlamentar të partisë.

Ndërsa ai fliste, një kanal televiziv tregoi anëtarë të ekipit të Kilicdaroglu të ulur në një zyrë në selinë e CHP-së, por udhëheqësi i rikthyer u raportua se ishte në shtëpi dhe ende nuk kishte bërë një deklaratë për situatën.

Udhëheqja e rrëzuar e CHP-së u bëri thirrje mbështetësve të saj të protestojnë në tre lokacione në qytetin më të madh të Turqisë, Stamboll, të dielën në mbrëmje. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

“S’ta jap dorën, se nuk e flliqi”, qytetari i reagon ashpër Fitore Pacollit gjatë protestës

22 May 2026 at 14:16


Banorë të shumtë të Rugovës kanë protestuar sot para objektit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke kundërshtuar vendimin për pezullimin e mallrave dhe shërbimeve ndërtimore në Rugovë.

Gjatë protestës, në vendngjarje ka dalë edhe ministrja në detyrë, Fitore Pacolli, e cila ka tentuar të diskutojë me protestuesit.

Megjithatë, banorët kanë refuzuar ta dëgjojnë, ndërsa njëri prej tyre është shprehur se nuk dëshiron as t’ia zgjasë dorën ministres dhe se, sipas tij, ajo “s’ka çfarë kërkon në Rugovë”.

I njëjti, më pas, i është drejtuar Pacollit edhe me fjalët: “Kush je ti që prej Prishtinës me kontrollu pronën teme”.

Protestuesit kërkojnë që vendimi të rishqyrtohet, duke thënë se po prek drejtpërdrejt pronat dhe jetesën e tyre. /Telegrafi/

Arrestohen disa protestues në Prishtinë

1 May 2026 at 13:15


Asambleja Anti-Kapitaliste me rastin e 1 Majit organizoi një protestë nën sloganin “Vota jote injorohet, vota s’mundet”.

Mirëpo në kuadër të kësaj proteste disa persona u arrestuan nga Policia afër Kuvendit të Kosovës.

Në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Prishtinën, Enis Pllana konfirmoi arrestimin e disa personave me arsyetimin se kanë refuzuar urdhërat e zyrtarëve policorë.

“Disa persona kanë refuzuar urdhërat e zyrtarëve policor dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacion për identifikim”, ka thënë shkurt Pllana. /Telegrafi/

“239 euro nuk mjaftojnë për jetë”, punëtorët e sektorit privat kërkojnë të drejta dhe barazi

1 May 2026 at 12:57


Dhjetëra punëtorë të sektorit privat protestuan me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, duke ngritur shqetësimet për kushtet e rënda të punës, pagat e ulëta dhe mungesën e zbatimit të ligjeve në fuqi.

Protesta e organizuar në kryeqytet nga Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat, nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Federatës, Jusuf Azemi, theksoi se është e padrejtë se sektori privat nuk e ka marrë pagën e 13-të.

“Ne sot po marrim pagë 239 euro...10:43.. Këta njerëz të cilët vërtet gjakun tonë po na e marrin me pambuk dalëngadalë.... 10:55...Sektori publik mori pagën e 13-të, u gëzuam shumë sepse menduam që edhe ne do t'i marrim. Është një padrejtësi të cilën vetëm punëtorët e sektorit privat të Kosovës mund ta mbajnë mbi shpatullat e veta. Përderisa kryeministri ynë, kryeparlamentari dhe gjithë të tjerët brenda një muaj dite në buxhetin e tyre u rrit për 6000 euro, neve të nderuar edhe sot po marrim 239 euro. Kjo gjithçka mund të jetë, vetëm nuk është liri dhe nuk mund të jetë barazi, por edhe nuk mund të jenë ato fjalë që na i thonë para zgjedhjeve”, tha ai.

Azemi kritikoi edhe vendimmarrjen e institucioneve, duke theksuar mbështetjen e vetëm një deputeti të Kuvendit të Kosovës, Besnik Tahirit, kishte ngritur zërin se rroga e 13-të i takon edhe sektorit privat.

“Paramendojeni që nga 120 deputetë të Parlamentit të Kosovës, i vetmi një person Besnik Tahiri luftoi me çdo forcë, çdo fuqi që edhe ne ta kemi pagën e 13-të sepse ne jemi trefish më shumë sesa punëtorët e sektorit publik. Ne trefish e mbushim buxhetin e sektorit publik, sektorit të shtetit dhe ne dëmtohemi, ne na kanë prurë në një pozicion për ta shtrirë dorën”, tha ai

Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për sigurinë në punë dhe mungesën e mbikëqyrjes së ligjeve. Azemi theksoi se pagat që po vonohen me muaj të tërë dhe që askush nuk po mban përgjegjësi, po shtyn se të rinjtë të largohen edhe nga vendi.

“Ne nuk trajtohemi si njerëz. Por megjithatë, mos harroni, keni me e pagu këtë faturë edhe po e paguani, sepse rininë e qitët jashtë. Është shumë normale, nuk ka diçka që kam improvizuar...17:01..Therrasim t'i thirrni vetëdijes sepse njerëzit, punëtorët shohin. Kam bindje që të gjithë kemi me dhanë llogari, edhe unë si kryetar sindikate, po edhe këta njerëz që i kemi brenda. Prandaj, është koha e fundit që t'i kthehemi realitetit", tha ai.

Ndërkaq një përfaqësues e punëtorëve të sektorit privat, Raba Dushi, theksoi lodhjen dhe zhgënjimin e punëtorëve të këtij sektori duke thënë se secili nga ata të paktën një herë është përballur me padrejtësi dhe se nuk zbatohen të drejtat që iu takojnë.

“Çdo ditë dëgjojmë raste të vdekjeve. Askush nga institucionet nuk po vepron…. 02” 50…Ju e dini, me pagat që kemi, mezi ia dalim nga muaji në muaj. Shpenzimet po rriten çdo ditë, gjërat esenciale vështirë po përmbushen. Shumica e trajtimeve mjekësore kërkojnë orientim privat, që për ne është sfidë financiare dhe mezi i mbulojmë. Çmimet e ushqimeve janë çdoherë në rritje e pagat tona nuk lëvizin… 03:52… Qeveri, mos na humbni shpresën për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Të paktën që fëmijët tanë mos t’i motivoni ata të largohen duke ndërtuar mbi punëtorin e shtypur. Ligjet që nuk zbatohen nuk vlejnë. O drejtësi, o s’ka qetësi”

Një përfaqësueses tjetër e punëtorëve, Afërdita Hoxha, gjatë protestës deklaroi se kërkesat e tyre nuk lidhen me luksin, por me sigurimin e të drejtave themelore dhe dinjitetit në punë.

Duke ngritur shqetësimin për mungesën e mbrojtjes ligjore, ajo shtoi se punëtorët vazhdojnë të përballen me pasiguri dhe trajtim të pabarabartë

“Jemi lodhur duke u nënvlerësuar, jemi lodhur duke mos u dëgjuar. Zëri ynë është zëri i mijëra punëtorëve që çdo ditë e mbajnë këtë vend në këmbë, por që nuk trajtohen siç e meritojnë… 05:04..Unë sot nuk flas në emrin tim, por në emër të çdo nëne që punon e nuk i del paga deri në fund të muajit; në emër të çdo të riu që mendon të largohet nga vendi sepse nuk sheh të ardhme këtu… 05:33…Pse mbesim në këtë gjendje duke u shkelmuar herë nga një pronar kompanie e herë nga tjetri? A ka ligje për ne punëtorët publiko-privatë që na bartin si valët e detit nga një kënd në tjetrin? Pse këta punëtorë nuk e kanë të definuar statusin e tyre? Ne e dimë këtë, sepse edhe në varfërinë tonë po jetoni ju pushtetarë jetën e luksit. Derisa juve ju shkon koha e pushtetit duke ndërruar avionët nga një skaj në tjetrin të botës, ne punëtorët po shqetësohemi po na u sëmur ndonjë familjar e nuk e dimë si ta mjekojmë”, tha ajo

Ajo u bëri thirrje institucioneve që të reflektojnë dhe të veprojnë në interes të qytetarëve duke e kritikuar që si të zgjedhur të populllit, sipas saj i kanë lënë jashtë ligjit, të marrin pagën 239 euro.

“Deputetë të Parlamentit të Kosovës dhe Qeveri: a ju vjen turp kur dilni para fushatave zgjedhore nëpër kompani private dhe deklaroni se do të luftoni me mish e me shpirt për punëtorët e sektorit privat, ndërsa në fakt luftoni për vete? Morët pagën e 13-të dhe nuk ju dëgjohet zëri se ka diku në skaj të Kosovës një i varfër që s'mund të nget bukë”, theksoi ajo.

Protestuesit përsëritën kërkesat e tyre, të cilat sipas tyre kanë mbetur të pandryshuara që nga viti i kaluar. Ata kërkojnë rritjen e pagës minimale në 600 euro, zbatimin e plotë të ligjeve ekzistuese, nënshkrimin e marrëveshjes kolektive, sigurime shëndetësore funksionale dhe trajtim të barabartë me sektorin publik.

Gjithashtu, u kërkua krijimi i një fondi për punëtorët që humbin jetën ose lëndohen në vendin e punës, pagesa e stazhit dhe themelimi i një Gjykate të Punës. /Kp/

“Jemi lodhë, Parlament – Qeveri të kujt jeni?”, nis protesta e punëtorëve të sektorit privat

1 May 2026 at 11:07


Me pankarta në duar, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ka nisur protesta për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, e organizuar nga Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat.

Në pankartat e protestuesve janë të vendosura mbishkrimet, “Mos na shkelni, mjaft pritëm”, “Për pesë vite në punë vdiqën 97 punëtorë”, “Jemi lodh, parlament-qeveri të kujt jeni?”, e të tjera.


Ndërkaq, protesta do të vazhdojë deri në hapësirën ndërmjet objektit të ish-Gërmisë dhe ndërtesës së Qeverisë. /Telegrafi/


Anulohet protesta e bizneseve të vogla për 1 Maj, ja arsyeja

1 May 2026 at 10:41


Me thirrjen simbolike “Të mëdhenjtë pasurohen, të vegjlit mbijetojnë”, ishte paraparë të mbahej një protestë për 1 Maj – Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, por dështoi për shkak se nuk kishin njoftuar policinë.

Protesta e organizuar nga shoqata e bizneseve të vogla, ishte paraparë të mbahej para Komunës së Prishtinës dhe para Zyrës së BE-së.

Kryetari i Shoqatës së Bizneseve të Vogla, Sadudin Hasani, bëri të ditur se protesta është anuluar për shkak të mosrespektimit të afateve ligjore për organizimin e saj, por theksoi se kërkesat dhe shqetësimet e tyre mbeten të njëjta.

“Ne për sot kemi thirrë protestë të Shoqatës së Bizneseve të Vogla, për të protestuar për të drejtat e punëtorëve, për kushte më të mira, me rastin e festës së 1 Majit. Mirëpo, për arsye se nuk i kemi përmbajtur afateve sipas ligjit që përcaktohen për thirrje të protestës, na është dashur ta anulojmë protestën, por megjithatë do të japim një deklaratë për mediat”, deklaroi Hasani.

Ai u shpreh se shqetësimet kryesore lidhen me shkeljen e të drejtave të punëtorëve në bizneset e vogla, përfshirë mungesën e respektimit të pagës minimale dhe kushteve të punës.

“Në këtë rast, kërkojmë nga institucionet që t’i respektojnë të drejtat e punëtorëve të bizneseve të vogla, sepse ka shumë punëtorë që iu shkelen të drejtat, dhe nuk respektohet as paga minimale e as kushtet e punës”, tha ai.

Hasani po ashtu inkurajoi punëtorët që përballen me parregullsi në vendet e tyre të punës që të reagojnë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre, duke theksuar rëndësinë e dinjitetit në punë.

“Për punëtorët të cilët shohin parregullsi në punë, i inkurajojmë ata që të ngrisin zërin për të drejtat e tyre, dhe kështu që të punojnë punën ku ata bëjnë, ta kryejnë me dinjitet, të kenë dinjitet për punën që bëjnë”, u shpreh Hasani.

Në mesazhin e tij për 1 Majin, ai theksoi se institucionet duhet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe të mos sillen si pronarë të vendeve të punës, ndërsa ngriti edhe çështjen e trajtimit të pabarabartë të bizneseve të vogla krahasuar me ato të mëdha.

“Mesazhi ynë është që institucionet dhe përfaqësuesit institucionalë janë në shërbim të qytetarëve, dhe ata të sillen në këtë raport me qytetarët jo si pronarë të vendeve të punës ku punojnë, por të sillen si shërbyes ndaj qytetarëve. Gjithashtu, sa i përket të drejtave të bizneseve të vogla, bizneset e vogla kanë të drejtë të shfrytëzojnë hapësirën, ashtu ku nuk shkelen rregullat, njëjtë sikurse bizneset e mëdha. Bizneset e vogla mund të kenë 100 metra katrorë ose 30 metra katrorë, ndërsa kemi biznese që shfrytëzojnë me mijëra metra katrorë dhe ata nuk kanë pengesa ashtu siç kemi ne”, deklaroi ai.

Përveç kësaj, Hasani bëri të ditur se gjatë ditës ishte planifikuar të realizohej edhe një aksion simbolik pranë zyrës së Bashkimit Evropian, për të tërhequr vëmendjen mbi, siç tha, mungesën e zbatimit të standardeve demokratike në rastet kur shkelen të drejtat e punëtorëve.

“Ne kemi pasur sot edhe një aksion simbolik te zyra e BE-së, për t’ua bërë me dije atyre se kanë shfrytëzuar shumë mjete financiare për demokratizimin e institucioneve në Kosovë, mirëpo ne po shohim që aty ku po shkelen të drejtat, nuk mund të ketë demokraci”, tha Hasani.

Shoqata e Bizneseve të Vogla ka paralajmëruar se do të vazhdojë të ngrejë zërin për të drejtat e punëtorëve dhe për trajtim më të barabartë të bizneseve të vogla në raport me ato të mëdha. /KP/

​Tri protesta të paralajmëruara për Ditën e Punës

1 May 2026 at 08:08


Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës në Prishtinë janë paralajmëruar tri protesta nga organizata të ndryshme, të cilat do të zhvillohen në orare dhe lokacione të ndryshme gjatë ditës.

Sipas njoftimeve zyrtare, protestën e parë do ta mbajnë përfaqësuesit e bizneseve të vogla me moton “Mjaft më me diskriminim!”, duke nisur nga ora 09:00 para Komunës së Prishtinës dhe më pas duke vazhduar drejt zyrës së Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, nga ora 10:00, Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat organizon protestë në sheshin Sheshi "Zahir Pajaziti", në kuadër të shënimit të kësaj dite.

Po ashtu, asambleja Anti-Kapitaliste ka paralajmëruar protestën e saj nga ora 12:00, me sloganin “Vota jote injorohet, vota s’mundet”, po në të njëjtin shesh në Prishtinë.

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

1 Maji është një festë e themeluar në kujtim të martirizimit në sheshin “Haymarket” dhe për të përkujtuar dhe festuar Ditën e Solidaritetit Ndërkombëtar të Punëtorëve. /Kp/

​Protesta në Pejë: E turpshme ta mbrojmë UÇK-në nga shqiptarët

10 April 2026 at 14:15


Sheshi i Pejës sot u mbush me studentë dhe qytetarë për të kundërshtuar fyerjen dhe gjuhën e urrejtjes ndaj ish-komandantit të zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, pas disa akuzave ndaj tij. Këtë protestë e organizuan studentët e Universitetit të Pejës "Haxhi Zeka” të cilët thanë se nuk do të heshtin karshi shtrembërimit të historisë.

Mes parullave “Unë studioj shqip fal UÇK-së”, “Për UÇK-në, me UÇK-në" e "Larg duart nga UÇK-ja", studentët synuan të dëgjohet zëri i tyre.

Përfaqësuesi i studentëve, Ardit Bobi e quan të turpshëm faktin që studentët sot po mbrojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nga shqiptarët.

Por, ai shtoi se historia e Kosovës nuk shtrembërohet dhe dinjiteti i vendit nuk preket.

"Është e turpshme të mendojmë se nga kush po e mbrojmë, nuk po e mbrojmë nga serbët por po e mbrojmë nga shqiptarët. Sot nuk jemi mbledhur këtu vetëm në një shesh qytetit sot jemi mbledhur në një moment ku ndërgjegjja e një shoqërie vihet në provë sepse ka raste në histori kur një popull duhet të vendos a duhet të hesht përballë shtrembërimit, apo duhet të ngritët në mbrojtje të së vërtetës. Ne sot kemi zgjedhur të mos heshtim sepse historia nuk është vetëm kujtim historia është themeli mbi të cilin qëndron një shtet dhe kur ai themel fillon të lëkundet nga pasaktësi e harresa atëherë nuk rrezikohet vetëm e kaluara por gjithë e ardhmja. Nuk jemi këtu për të krijuar zhurmë, por jemi këtu sepse ndërgjegjja nuk na lejon të qëndrojmë të heshtur... Historia e Kosovës nuk shtrembërohet dhe e vërteta nuk relativiziohet kujtesa nuk përdhoset dinjiteti i Kosovës nuk preket”, tha ai.

Para studentëve e qytetarëve fjalën e mori edhe rektori i universitetit “Haxhi Zeka”, Armand Krasniqi, i cili këtë protestë e quajti reagim jo të zakonshme dhe sinjal që ky universitet po formon individ që nuk janë indiferente karshi zhvillimeve shoqërore.

Sipas tij institucionet legjislative e ka për obligim të krijojë korniza ligjore që mbron identitetin shoqëror.

"Kjo nuk është një ngjarje e zakonshme është sinjal që duhet kuptuar është dëshmi se universiteti po përmbush një nga funksionet e tij më thelbësore të formoj individ që nuk janë indiferent ndaj zhvillimeve shoqërore, por që reflektojnë dhe veprojnë me përgjegjësi . Ajo që po ndodh sot këtu nuk është një reagim i zakonshëm publik është një moment që kërkon një qasje të balancuar dhe të matur një qasje që kërkon lirin e shprehjes, por njëkohësisht e vendos atë liri përballë përgjegjësisë që ajo bart , një qasje që pranon debat po nuk pranon deformim të vlerave themelore mbi të cilat qëndron shoqëria jonë... Në këtë kuptim roli i institucioneve legjislative bëhet i domosdoshëm sepse ato kanë detyrimin për krijimin e një kornize që mbron dinjitetin shoqëror pa cenuar parimet demokratike”, tha ai.

Si veprim i duhur këtë aktivitet e cilësoi dhe studenti Armend Mustafaj i cili për KosovaPress tha se historia duhet të mbrohet.

Para dy ditëve, një person është arretsuar pikërisht në Pejë, pasi kërcënoi dhe ofendoi familjen Haradinaj. /kp/

Dërguti në protestën kundër eskpozitës së Shkëlzen Gashit: Shtrembërim i qëllimshëm i historisë së luftës

30 March 2026 at 13:31


Në protestën e organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, kundër ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, ka folur edhe veteranja e UÇK-së, Aida Dërguti.

Sipas saj, si rezultat i këtyre shpifjeve u ndërtuan edhe procese gjyqësore, vendore dhe ndërkombëtare.

“Ka kaluar një çerekshekulli nga përfundimi i luftës, e rrëfimet e shtrembëruar dhe shpifjet nuk kanë të ndalur. Si rezultat i këtyre shpifjeve u ndërtuan procese gjyqësore vendore e ndërkombëtare”, tha ajo.

Dërguti ka shtuar e nuk do të lejojnë që sot të poshtërohen e nëpërkëmbën viktimat e luftës.

“Poshtërimi u ekspozua në shesh, na u shfaq një falsifikim i qëllimshëm që minimizon vuajtjet e popullit tonë. Çdo përpjekje për ta relativizuar faktin historik nuk i shërbejnë kujtesës, ajo vetëm krijon konfuzion mbi të vërtetën historike. Ne si veteran ndihemi keq që gjatë luftës nuk mundëm të mbrojmë krejt popullatën civile, mirëpo sot nuk lejojmë të poshtërohen këto viktima nga kushdo që në kohën e luftës ishte larg ngjarjeve të luftës e masakrave ndërsa sot përdorë referenca nga Serbia”, u shpreh Dërguti.

Ajo ka thënë se autorët e këtij shtrembërimi mbajnë përgjegjësi direkte bashkë me akterët politikë që e mundësuan atë.

“Autorët e këtij shtrembërimi mbajnë përgjegjësi direkte bashkë me akterët politikë që e mundësuan atë. Barra bie njëjësojë mbi çdo zyrë që përdori fonde publike për të financuar një përmbajtje të tillë”, u shpreh Dërguti. /Telegrafi/

​Kurti nuk komenton protestën e OVL- UÇK: Ekspozita për masakrat të korrigjohet

30 March 2026 at 11:25


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një konferencë për media nuk ka komentuar protestën që do të mbahet sot nga Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK), shkak i ekspozitës nga ish-këshilltari i tij, Shkëlzen Gashi, i cili kishte vendosur gabime dhe të pavërteta për krimet e Serbisë në Kosovë.

I pyetur nga mediat për këtë ekspozitë dhe protestën që do të mbahet sot, tha se në atë ekspozitë gabimet duhet të korrigjohen dhe të shtohen edhe masakrat që nuk ishin përfshirë.

Kurti përmendi se një ekspozitë e tillë, duhet të ekspozohet, para botës, por edhe para brezave të rinj që të kuptojnë historinë e popullit.

Në ekspozitë ka shumë masakra që nuk janë përfshirë, por kishte edhe të tilla që kanë pasur gabime, tha Kurti

“Mesa morra vesh tashmë është larguar, ajo nuk ndodhet më në shesh. Aty ka shumë masakra që nuk janë përfshirë, por kishte edhe të tilla që kanë pasur gabime në tekst, ato natyrisht doemos duhet të korrigjohen e përmirësohen. E vërteta për ne dhe krimet e kryera në Kosovë duhet të ekspozohen sa më shumë, jo vetëm para botës por edhe para nesh, në veçanti para të rinjve dhe brezave që do të vijnë”, tha Kurti.

Madje, ai përmendi si një datë 10 qershorin, që një ekspozitë e tillë të shfaqet në të gjitha komunat e Kosovës, në 27 vjetorin e ditës së çlirimit të Kosovës.

“Një ekspozitë e saktë, e drejtë e e plotë, mbi të gjitha e vërtetë, për krimet e Serbisë në Kosovë, unë besoj që duhet të rikthehet sa më parë. Madje një datë optimale do të mund të ishte qershori, koha kur shënojmë përvjetorin e 27 të çlirimit të Kosovës. Është me rëndësi të mos jetë vetëm në Prishtinë, por në të gjitha komunat”, tha Kurti.

Ndryshe, sot, në orën 13:00, OVL-UÇK do të mbajë protestë para Kuvendit të Kosovës, për ekspozitën që ishte shfaqur në sheshet e Prishtinës, nga ish këshilltari i Kurtit, Shkëlzen Gashi, në të cilën ka pasur gabime dhe të pavërteta ndaj krimeve të serbëve. /Telegrafi/

Protesta e PD me molotovë e flamuj të Gjermanisë, reagon ambasada: Dënojmë dhunën ndaj personave dhe objekteve

23 March 2026 at 12:14


Ambasada gjermane në Tiranë ka reaguar sot pas protestës së djeshme, në të cilën u shënuar episode dhune.

Në një reagim zyrtar, ambasada gjermane dënon aktet e dhunës ndaj personave dhe objekteve dhe i cilëson ato të papranueshme

“Ambasada Gjermane dënon dhunën e papranueshme në kuadër të demonstratave të djeshme. Protestat politike dhe e drejta për të demonstruar janë të drejta themelore në çdo shoqëri demokratike. Por ato nuk mund të përligjin asnjëherë dhunën ndaj personave apo objekteve. Ne kërkojmë prej përfaqësuesve të partive politike përgjegjëse të distancohen në mënyrë të paekuivoke nga dhuna”, thekson ambasada. /Tch/

Berisha: Për Edi Ramën nuk do ketë më vrimë miu ku do futet

23 March 2026 at 08:44


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim para mbështetësve pas protestës së fundit të opozitës, duke vlerësuar pjesëmarrjen e qytetarëve dhe duke e lidhur qëndresën e tyre me përvjetorin e përmbysjes së diktaturës komuniste 34 vite më parë.

Berisha e përshkroi protestën si një “goditje të merituar” ndaj asaj që e quajti “diktatura e sotme” dhe paralajmëroi përshkallëzim të aksionit opozitar, duke garantuar se tubimi i ardhshëm do të jetë më i madh.

“Një përshëndetje, një mirënjohje të pakufishme, me qëndresën tuaj nderuat më shumë se kurrë këtë datë, përmbysjen e diktaturës komuniste 34 vite më parë, por i dhatë goditjen e merituar diktaturës së sotme. Ju garantoj se tjetra do jetë me e shkëlqyer. Për Edi Ramën nuk do ketë më vrimë miu ku do futet. Kryengritja paqësore e shqiptarëve do ti japë ndëshkimin që meriton”, tha Berisha. /Euronews.al/


Nga çmimi i naftës te Balluku, Berisha i përgjigjet Ramës dhe fton shqiptarët në protestë

15 March 2026 at 14:42


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar sot në rrjetet sociale pas Podcastit të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për mbrojtjen e deputetes Belinda Balluku dhe për keqmenaxhimin e çmimit të naftës. Sipas tij çështja Balluku nuk mund të mbyllet nga Rama.

“Rama u përpoq me çdo kusht përsëri të bëjë avokatinë e Ballukut. Tha se kjo është çështje e mbyllur. E vërteta është se, çështja Balluku nuk mbyllet kurrë dhe se çështja Balluku është vetëm çështja Rama dhe ajo mbyllet vetëm me largimin e Edi Ramës. Çështja Balluku është bërë një çështje ndërkombëtare dhe Edi Rama nuk mund ta mbyllë atë me një grusht hajdutësh në parlamentin e tij. Edi Rama vetë, demaskoi veten në këtë çështje dhe ai dëshmoi se është autori i të gjitha veprave penale të Ballukut”, tha Berisha.

Duke u ndalur edhe te Porti i Porto Romanos, Berisha tha se Rama po përpiqet të zëvendësojë Portin e Durrësit me një port shumë më të vogël se portet e rajonit. Sipas tij ky port është vjedhja dhe mashtrimi më i madh që u bëhet shqiptarëve.

“Foli gjatë për Portin e Durrësit, vjedhjen më të madhe që u bëhet shqiptarëve në historinë e tyre. Ai foli se, porti i tij i Porto Romanos, do të jetë porti Korridori i VIII-të më i madh në rajon. Ky është mashtrimi më i madh i ditës, sepse porti që ai ka planifikuar në Porto Romano është porti të paktën 4 herë deri në 8 herë më i vogël dimensione se sa me portin aktual të Durrësit dhe është mbi 15 herë më i vogël se sa Porti i Selanikut. Sipas emailit që ai ka marrë nga Dhoma e Tregtisë Amerikane është dhjetëra, dhjetëra herë më i vogël se sa Porti i Pireut. Pra, porti i vogël i Porto Romanos, me të cilin ai kërkon të zëvendësojë Portin e madh të Durrësit të shqiptarëve, portin mijëravjeçar të shqiptarëve, nuk është gjë tjetër vetëm mashtrim i tmerrshëm për të vazhduar ndërtimin e Dubait të 1001 netëve të tij, parajsa në të cilën ai përfiton miliarda e miliarda dollarë dhe bashkë me klanet e drogës përreth tij”, vijoi Berisha.

Berisha kritikoi edhe deklaratat e Ramës për rritjen e çmimit të naftës në Shqipëri. Ai thekson se ndërsa lufta në Lindjen e Mesme rrit çmimet globalisht, nafta në Kosovë dhe Maqedoni është shumë më e lirë. Sipas tij kjo vjen për shkak të politikës fiskale dhe taksave të vendosura nga Rama.

“Çmimi i naftës ishte një trillim tjetër madhor që bëri sot ekspozenë e tij. Për të kuptuar se çfarë ndodh me naftën, gjithnjë keni parasysh çmimet e dy vendeve përreth, çmimin e naftës në Kosovë dhe në Maqedoni, të cilat janë të pakëtn 70% më të ulëta se sa në Shqipëri. Është e vërtetë që, lufta në Lindjen e Mesme dhe Gjirin Persik rrit çmimin e naftës, por e vërteta është se kjo rritje, nga kjo rritje nuk përjashtohen Kosova dhe Maqedonia. Kështu që, faktori më kryesor i çmimit stratosferik të naftës në Shqipëri është vetë Edi Rama. Çdo litër naftë që ju blini, keni taksën ndër më të lartat në botë, 1.1 euro për litër dhe kjo është taksa Rama. Ndaj dhe, çmimin e naftës ju lutem konsiderojeni si çmimin Rama. Nuk mund të ketë ulje të naftës duke mbajtur këtë çmim dy herë më të lartë se sa Maqedonia dhe Kosova”, tha Berisha.

Për të gjitha këto Berisha u bëri thirrje shqiptarëve që t’ i bashkohen protestës së opozitës më 22 mars.

"Ndaj dhe të bashkohemi për këto arsye t’i japim përgjigje përfundimtare në datë 22 mars që shqiptarët dhe bota të mësojnë se ne nuk pajtohemi kurrë me këtë kryehajdut, me këtë individ, me këtë me këtë qeveritar që nuk ka standard, normë as moral!”./a2cnn/

Protesta e djeshme në Tiranë - katër të arrestuar, u rrezikuan personat që ishin brenda vilës 31

1 March 2026 at 10:26


Në lidhje me protestën e zhvilluar mesditën e djeshme, të datës 28 në orën 18:00, e thirrur nga Partia Demokratike, policia njofton se janë arrestuar katër persona për veprime të dhunshme dhe shkatërrim prone.

Më konketisht: Shtetasi me iniciale L.M. 20 vjeç, shtetasi me iniciale: R. D., 33 vjeç, shtetasi me iniciale D. R., 21 vjeç dhe shtetasi me iniciale S. R., 36 vjeç.

Ata akuzohen për veprat penale: “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

Sipas policisë, gjatë protestës, të arrestuarit kanë ushtruar akte të dhunshme, kanë hedhur lëndë piroteknike dhe molotov në drejtim të punonjësve të policisë dhe të Vilës 31, ku në atë moment ndodheshin shtetas të huaj, duke rrezikuar sigurinë e tyre. Si pasojë, janë shkaktuar dëmtime në godinë dhe janë shkatërruar 32 kosha mbeturinash të Bashkisë Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar molotovë dhe lëndë piroteknike.

Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë një shtetas i mitur, 16 vjeç, pasi iu gjet municion i dyshuar për armë sportive.

Gjithashtu, janë administruar pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e tyre për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale./euronews/

Studentët iranianë organizojnë protestat e para të mëdha antiqeveritare që nga shtypja vdekjeprurëse

22 February 2026 at 09:03


Studentët në disa universitete në Iran kanë organizuar protesta antiqeveritare - tubimet e para të tilla në këtë shkallë që nga shtypja vdekjeprurëse e muajit të kaluar nga autoritetet.

BBC ka verifikuar pamjet e demonstruesve që marshojnë në kampusin e Universitetit të Teknologjisë Sharif në kryeqytetin Teheran të shtunën. Më vonë u panë përleshje midis tyre dhe mbështetësve të qeverisë.

Një protestë u mbajt në një universitet tjetër të Teheranit, dhe një tubim u raportua në verilindje. Studentët po nderonin mijëra të vrarë në protestat masive në janar.

SHBA-të kanë ndërtuar praninë e tyre ushtarake pranë Iranit dhe presidenti Donald Trump ka thënë se po shqyrton një sulm të kufizuar ushtarak, transmeton Telegrafi.

SHBA-të dhe aleatët e tyre evropianë dyshojnë se Irani po lëviz drejt zhvillimit të një arme bërthamore, diçka që Irani e ka mohuar gjithmonë.

Zyrtarët amerikanë dhe iranianë u takuan në Zvicër të martën, dhe thanë se ishte bërë përparim në bisedimet që synojnë frenimin e programit bërthamor të Iranit.

Por pavarësisht përparimit të raportuar, Trump tha më pas se bota do të zbulojë "gjatë 10 ditëve të ardhshme, ndoshta, nëse do të arrihet një marrëveshje me Iranin apo SHBA-të do të ndërmarrin veprime ushtarake”.

Udhëheqësi amerikan i ka mbështetur protestuesit në të kaluarën - në një moment duke u dukur sikur i inkurajon ata me një premtim se "ndihma është duke ardhur".

Pamjet e verifikuara nga BBC tregojnë qindra protestues - shumë prej tyre me flamuj kombëtarë iranianë - duke marshuar paqësisht në kampusin e Universitetit të Teknologjisë Sharif në fillim të një semestri të ri të shtunën.

Turmat brohoritën "vdekje diktatorit" - një referencë për udhëheqësin Ajatollah Ali Khamenei - dhe slogane të tjera antiqeveritare.

Mbështetësit e një tubimi rival pro-qeveritar shihen aty pranë në video. Më vonë shihen përleshje midis dy kampeve.

Janë shfaqur gjithashtu foto të verifikuara që tregojnë një protestë paqësore ulur në Universitetin Shahid Beheshti të kryeqytetit.

BBC ka verifikuar gjithashtu pamje nga një universitet tjetër i Teheranit, Universiteti i Teknologjisë, Amir Kabir, që tregojnë brohoritje kundër qeverisë.

Në Mashhad, qyteti i dytë më i madh i Iranit në verilindje, studentët vendas thuhet se brohoritën: "Liri, liri" dhe "Studentë, bërtisni, bërtisni për të drejtat tuaja".

Demonstrata të konsiderueshme në vende të tjera u raportuan gjithashtu më vonë gjatë ditës, me thirrje për tubime të mëtejshme të dielën.

Nuk është menjëherë e qartë nëse ndonjë demonstrues është arrestuar.

Protestat e muajit të kaluar filluan për shkak të ankesave ekonomike dhe shpejt u përhapën, duke u bërë më të mëdhatë që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Agjencia Hrana me seli në SHBA tha se kishte konfirmuar vrasjen e të paktën 6,159 personave gjatë asaj vale, duke përfshirë 5,804 protestues, 92 fëmijë dhe 214 persona të lidhur me qeverinë.

Hrana tha gjithashtu se po hetonte 17,000 vdekje të tjera të raportuara.

Autoritetet iraniane thanë në fund të muajit të kaluar se më shumë se 3,100 persona ishin vrarë - por se shumica ishin personel sigurie ose kalimtarë të sulmuar nga "rebelët".

Protestat e së shtunës vijnë ndërsa autoritetet iraniane po përgatiten për një luftë të mundshme me SHBA-në.

Opozita në mërgim po i bën thirrje me forcë presidentit Trump të përmbushë kërcënimet e tij dhe të godasë, duke shpresuar për një rënie të shpejtë të qeverisë aktuale të vijës së ashpër.

Por grupe të tjera opozitare janë kundër ndërhyrjes së jashtme.

Palët kundërshtare janë përfshirë në fushata dezinformimi në mediat sociale, duke u përpjekur të maksimizojnë narrativat e tyre kontradiktore për atë që dëshiron populli iranian. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

Protesta e opozitës, reagon KMSH: Dënojmë incidentin, u lënduan besimtarë të pafajshëm

21 February 2026 at 14:13


Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, KMSH ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me incidentet e regjistruara pranë Xhamisë së Namazgjasë gjatë protestës së opozitës. KMSH ka dënuar incidentin teksa thekson se besimtarë të pafajshëm u lënduan pa asnjë shkak.

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme pranë Xhamisë së Namazgjasë, në një kohë kur besimtarët po falnin namazin e Teravive. Shprehim indinjatën tonë të thellë për lëndimin e pajustifikuar të besimtarëve, të cilët ndodheshin në ambientet e xhamisë për të kryer ritet e tyre fetare në paqe dhe qetësi, raporton euronews.al

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka qenë gjithmonë një faktor i matur dhe i përmbajtur në qëndrimet dhe reagimet e tij publike. Megjithatë, kjo maturi nuk duhet të keqinterpretohet si tolerim i shkeljes së të drejtave dhe lirive kushtetuese të besimtarëve tanë.

Në këtë kuptim, dënojmë me vendosmëri incidentin e ndodhur më 20 shkurt 2026 pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku besimtarë të pafajshëm u lënduan pa asnjë shkak.

U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të tregojnë maturi, përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje, në mënyrë që veprimet e tyre të mos cenojnë të drejtat dhe liritë e besimtarëve tanë apo të çdo qytetari tjetër”, thuhet në njoftim

Berisha: 20 shkurti ishte një ditë triumfi për kryengritësit paqësorë

21 February 2026 at 12:33


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një bashkëbisedim drejtpërdrejt në “Facebook” me qytetarë ka folur për protestën e të premtes.

Berisha 20 shkurtin e ka cilësuar si një ditë triumfi teksa protestuesit i ka cilësuar kryengritës paqësorë.

Sipas tij, policia përdori dhunë ndaj protestuesve teksa shtoi se tentuan të frikësojnë të miturit që të pohojnë se kanë marrë lekë për të dalë në protestë, raporton euronews.al.

“Dje ishte ditë triumfi për kryengritësit paqësorë të pamposhtur, të cilët u përballën dhëmb për dhëmb 3 orë me narkoshtetin në një betejë epike kundër qeverisë së paligjshme të Tiranës, kundër Edi Ramës, Lubi Ballukut, farsës së tyre elektorale, vjedhjeve të tyre të papërmbajtura.

Guximi i kryengritësve paqësorë, ishte mund të them, i jashtëzakonshëm. Tipari më kryesor i 20 shkurtit 2026 ishte se të rinjtë dhe adoleshentët, u bënë me qëndresën e tyre, guximin, trimërinë e tyre, tmerri i regjimit dhe fytyra e vërtetë e bukur e opozitës, e kryengritjes.

Për 3 orë, në bulevard, në parlament dhe në rrugët e Tiranës u zhvillua një betejë e paparë.Regjimi përdori të gjitha mjetet e dhunës, nuk kurseu as plumbat e gomës, me snajper në ballë të kandidates tonë për deputete në Shkodër, intelektuales së njohur, Mehmeti.

Por dhuna dhe terrori i policisë nuk kurseu adoleshentët, nuk kurseu të miturit. Protestuesit u qëlluan me snajper me bombolat e gazit pas koke. Të tjerë u goditën me këpucë në kokë të rrëzuar përdhe.

Por ata qëndruan të pamposhtur. U përpoqën të frikësojnë të miturit dhe të pohojnë se kanë marrë lekë për të dalë në protestë, në një kohë kur ata absolutisht po ktheheshin nga shkolla pasi kishin ngrënë së bashku diçka dhe sot janë në komisariat”, tha Berisha.

Protesta e së premtes në Tiranë - lëndë piroteknike, molotovë e sende të forta, Policia publikon pamje nga sekuestrimi i mjeteve të rrezikshme

21 February 2026 at 11:45


Policia e Tiranës ka njoftuar lidhur me protestën e së premtes në Tiranë, ku situata eksaloi dhe u hodhën molotovë e sende të forta.

Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se Policia ka sekuestruar 25 molotovë të pashpërthyer, 27 celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme, ndërkaq janë identifikuar 46 të dyshuarit.

Lexoni të plotë postimin e Policisë:

Hodhën lëndë piroteknike, molotovë, dhe sende të forta si dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar dje, identifikohen 46 shtetas. Arrestohen 18 prej tyre, procedohen penalisht 28 të tjerët.

Sekuestrohen 25 molotovë të pashpërthyer, 27 celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Strukturat e Policisë Tiranë në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me veprimet e kundërligjshme të kryera nga një grup protestuesish gjatë tubimit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga subjekti politik Partia Demokratike, të cilët kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit që kishin marrë masa për ruajtjen e institucioneve shtetërore, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve përreth territorit ku po kryhej tubimi, si dhe kanë hedhur drejt punonjësve të policisë dhe institucioneve lëndë djegëse (molotovë) dhe sende të forta drejt tyre, arrestuan në flagrancë shtetasit:

A. K., 19 vjeç, D. G., 32 vjeç, A. I., 42 vjeç, V. I., 22 vjeç, E. Xh., 18 vjeç, K. N., 23 vjeç, R. I., 20 vjeç, E. C., 46 vjeç, R. P., 26 vjeç, M. K., 31 vjeç, A. D., 31 vjeç, K. K., 45 vjeç, F. D., 23 vjeç B. B., 23 vjeç, A. D., 53 vjeç dhe 3 shtetas të mitur

Si dhe proceduan penalisht 27 shtetas të tjerë.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. B, deputet, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/

❌